• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova Lindore është tokë Shqiptare!

March 26, 2024 by s p

Shkruan Mehmet Prishtina/

Kosova Lindore përben çështjen me të rëndësishme dhe me ndikim historik në aspektin kombëtar. Mund të thuhet se aty mbështetet edhe fati i kombit në përpjekjen e tij për liri, barazi e bashkim kombëtar.

Politika serbe për serbizimin e tokave shqiptare duhet kundërshtuar ashpër nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, kjo çështje duhet ndërkombëtarizuar dhe të rritet trysnia e botes demokratike mbi politiken shoviniste serbe ndaj tokave dhe popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës. Shqiptarët, me shumë se kurrë, tash duhet të bashkohen, pavarësisht se cilës pjesë i takojnë për të mbrojtur tokën e vet, atë pjesë të popullit që gjendet nën thundrën e pushtimit te egër të Beogradit.

Nuk mjafton vetëm thirrja për qetësi, apo të ruajtës së situatës paqësore, duke u mbështetur në mos kryerjen e asnjë aktiviteti, që kinse tërheqë dhunën raciste serbomadhe. Ajo dhunë fashiste tash në Kosovën Lindore dhe mbi shqiptarët është prezentë dhe po behet serbizimi i tokave shqiptare.

Këtu duhet përmendur Medvegjen dhe Bujanovcin, vende këto te kërcënuara me serbizim. Sidomos Medvegja e cila çdo dite e me tepër, si pasoje e politikave serbe po de-shqiptarizohet.

Atje edhe emrat, mbiemrat, adresat e pasurinë po ua heqin nga regjistrimet zyrtare. Medvegja, fatkeqësisht veç është serbizuar.

Tirana dhe Prishtina kërkohet të ndërmarrin hapa konkret në raport me Serbinë, UE e SHBA-në. Këto vende duhet të qartësohen se dhuna atje është e patolerueshme dhe se përgjigjja do të jetë mbarë kombëtare.

Nuk duhet lejuar këtë shkombëtarizim te vendit tone duke i hequr shqiptaret nga vendet e veta.

Planet serbe mbi tokat shqiptare nuk duhet të lejohen qe të marrin jete, politikat e qeverive në Tiranë dhe Prishtinë duhet unifikuar në mbrojtjen e tokave dhe popullsisë shqiptare në Kosovën Lindore, qofte edhe përmes ndikimit tek faktori ndërkombëtar që të rris trysninë mbi plantët shoviniste serbe.

Kosova dhe Shqipëria ka përgjegjësi historike ndaj populli shqiptar. Ata duhet te dalin me kërkesa konkrete, të protestojnë pranë qeverive dhe të kërkojnë ndaljen e menjëhershme të dhunës në Kosovën Lindore, sikundër edhe shkombëtarizuese, me qellim te serbizimit te kësaj ane shqiptare.

Dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit, duhet të kushtëzohet nga Prishtina zyrtare me respektimin e të drejtave të popullsisë shqiptare në Kosovën Lindore, minimalisht të kërkohet reciprocitet i të drejtave me komunitetin serb në Kosovë. Sot më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar në mbrojtjen e tokave dhe popullsisë Shqiptare në Kosovën Lindore, kjo përgjegjësi bie, fillimisht, mbi pushtetet në Prishtinë dhe Tiranë por duke mos kursyer përgjegjësinë ndaj historianeve, familjeve atdhetare, shoqatave të ndryshme të shoqërisë civile, personelit akademik e deri tek studentët, që të arrihet qëllimi mbarëkombëtar.

Filed Under: Rajon

FTESË PËR NJË PANAIR, PËR NJË FESTË LIBRI

March 26, 2024 by s p

Adnan Mehmeti

Stamford, Connecticut, 25 mars 2024/

Në datën 7 prill 2024, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë do të hapë edicionin e tretë të Panairit të Librit Shqip. Ky aktivitet mbledh nën një çati të vetme autorët shqiptarë dhe lexuesit e tyre, dhe promovon letërsinë shqipe në të gjithë vendin.

Panairi është më shumë se një ngjarje kulturore. Ai është një mundësi për të bashkuar autorët dhe lexuesit në një ambient të frytshëm diskutimi dhe shkëmbimi intelektual. Në një kohë kur letërsia shqipe po ndihet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare, kjo ngjarje është një mundësi e jashtëzakonshme për të treguar rëndësinë dhe pasurinë e trashëgimisë letrare shqiptare.

Në këtë edicion të Panairit të Librit Shqip, autorët do të paraqesin botimet e tyre më të fundit, duke shtrirë spektrin e letërsisë shqipe nga poezia dhe romani, nga eseja dhe drama, deri tek publicistika dhe përkthimi. Për të mbështetur një varg më të gjerë të shkrimtarëve, edhe autorët e rinj do të kenë mundësinë të paraqesin punën e tyre për herë të parë në këtë panair të rëndësishëm kulturor.

Panairi i Librit Shqip është gjithashtu një mundësi për të theksuar rëndësinë e letërsisë shqipe për komunitetin shqiptar në SHBA. Nëpërmjet shkëmbimit të ideve, përvojave dhe historive, ky aktivitet promovon identitetin kulturor dhe forcon lidhjet mes shqiptarëve të diasporës dhe vendlindjes së tyre.

Me një vëmendje të veçantë ndaj letërsisë shqipe, Panairi i Librit Shqip është një ngjarje e pazëvendësueshme për të festuar dhe promovuar trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në Amerikë dhe për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe nga publiku i gjërë amerikan.

Pas dy edicioneve të suksesshme të Panairit të librit në Nju Jork 2009 dhe 2010, ky edicion do të bëhet në auditoriumin e bibliotekës së qytetit të Stamfordit” Ferguson Library” 1 Public Library Plaza, Stamford, Connecticut. Do të marrin pjesë personalitete të letërsisë dhe kulturës, autorë, përkthyes, botues e dashamirës të librit. Në rrafshin global kjo është ceremonia më e rëndësishme e kulturës shqiptare në diasporë.

Ejani në këtë festë të Librit Shqip!

Mos harroni, 7 prill 2024

Filed Under: Kronike

Mikel Maruli – poeti madh arbëror i rilindjes europiane (1458 – 10 Prill 1500)

March 26, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

Në hapësirën shqiptare, ky poet është krejtësisht i panjohur, madje po kaq i panjohur është edhe libri i posaçëm studimor që i kushtoi atij njëri nga estetët më të mëdhenj Italianë, Benedeto Kroçe me titull “Mikel Maruli Tarkaniota: elegjitë e atdheut të humbur dhe disa këngë të tjera” (1938). Në këtë studim, përtej trajtimit të figurës në dimensionin e tij etik dhe civil, Kroçe përpiqet të na ilustrojë vlerësimin e madh që ka për autorin, duke e shpallur atë si njërin nga poetët më të mëdhenj të viteve 400’, nëpërmjet citimit proverbial “ndoshta më shumë nga të gjithë fluturoi Maruli”. Në këtë rrjedhë vlerësimesh kanë kaluar edhe mjaft studiues të tjerë, duke theksuar mbi të gjitha disa cilësi të tij thelbësore. Ajo që e dallon nga dy prej bashkëkombasve të tij më të shquar, nga një Pontano apo një Poliziano, është kapaciteti i trajtimit të latinishtes si një gjuhë e gjallë, si një mjet shprehës jo i rezervuar për abstraksione të rafinuara të stilit humanist, por të përshtatshëm për të komunikuar përvojat më “përzhitëse” të jetës. Në këtë kuptim poezia e tij shërben si një qendër unifikuese e një tensioni të brendshëm religjioz, naturalistik dhe panteistik. Edhe vetë biografia apo prodhimi i tij letrar e provon një pohim të tillë. Nga njëra anë ushtar aventurash nën udhër të shumë të pushtetshmëve, nga ana tjetër një letrar latin i shquar si poet filozof, si një ekspert i filologjisë, sidomos asaj greke, dhe i dalluar në gjithë panoramën e studiuesve të kohës, jo vetëm për korrigjimin e tekstit të famshëm të Lukrecit, por edhe si kritik i aftë e plot argument i tij. Autor i elegjive të mrekullueshme për atdheun e humbur, Konstandinopojën ku kish lindur, i epigrameve brilante të dashurisë në frymën e rilindjes europiane, por mbi të gjitha i himneve të tij mbi natyrën. Pietro Rapezzi, përkthyesi i famshëm i autorëve latinë, por edhe i autorit, shprehet se “në tërësinë e produktit të tij letrar shprehet qartësisht se vargjet e Marulit e tejkalojnë jetën prej së cilës ato lindën për t’u shndërruar në një mendim poetizues”. Në poezitë e tij, në të vërtetë, është shtegtare dhe gjurma e përvojës së tij ftilluese, që në mënyrë misterioze shpërndahet në bukurinë meditative të fjalëve magji-ndjellëse, po njëlloj si jeta e autorit që u përmbyll parakohe në ujrat e rrëmbyeshme dhe të parezistueshme të Çeçinas, lumit ku ai u mbyt fizikisht në atë të djelë prilli të vitit 1500”. Maruli lindi në Konstandinopojë, atëherë kur Turqit sapo e kishin pushtuar këtë vend, por tërë jetën u deklarua, greko-romak ose bizantin dhe “kostantinopolitanus”. Familja e të atit, bazuar në të dhënat e Paolo Cortesit, rridhte nga mbretërit e Dimes. Si paraardhës të lashtë ajo krenohej me perandorin Gordiani, të cilët nga ana e tyre ishin të prejardhur nga republikanët romakë të familjes Gracchi dhe perandorit Trajan. Prejardhja greke ose më saktë arvanitase, i vinte nga nëna, e lidhur me brezninë e Paleologëve, pasi në epigramën I, 52, vëllimi 3, ai e përmend vetë begatinë e familjes mëmësore. Pas rënies së Konstandinopojës, familja mërgoi për Raguzë, një Republikë asokohe e pavarur. Lirinë e qytetit, së bashku me bujarinë, bukurinë, mirëqënien dhe besnikërinë ndaj ligjeve dhe traditave, ai e këndon dhe e lëvdon si një privilegj në Epigramën IV, 17. Po megjithatë Maruli nuk e thekson si të bukur fëmijërinë e vet: përkundrazi nëpër vargje të shumtë ai përmend vajtime, kujtime padrejtësish, sëmbimesh e dhimbjesh mërgimi për një atdhe që nuk iu zhduk kurrë nga mendja në çcdo ditë të jetës së vet. Edhe në ditën e fundit të jetës, si një mërgimtar emblematik, ai nxitoi të kalojë ujrat e një lumi të tërbuar, vetëm për të shpejtuar nisjen kah vendlindjes, njësoj si lejlekët shtegimtarë që edhe në moshën më të thyer kanë për zakon të kthehen drejt folesë së tyre. Është ky njëri nga zakonet më emblematikë të personalitetit të individit shqiptar të të gjitha kohrave, zakoni i kthimit në vendlindje, ndaj dhe poetika maruliane në vetvete arrin të kthehet në një simbolikë poetike të kodit burimor shqiptar, që në këtë rast shpëtheu në degën arvanitase të rrjedhës së tij, ose më mirë në rrjedhën e mërgimtarëve të epokës skënderbegiane ose më saktësisht në rrjedhën tjetër të madhe që shoqëroi elitat e principatave të Moresë së asaj kohe, të përfqësuar në degën e mërgimtarëve-stradiotë.

Filed Under: Histori

Libri i pashkruar i Petro Markos

March 26, 2024 by s p

Lazer Stani/

Dy ose tre javë nuk e takova më Petron (Marko) edhe pse dilja pothuajse çdo mbrëmje nga Kafeneja e Gazetarëve. Nuk e pashë as në bulevard ku bënte shëtitjen e tij të zakonshme. Mendova i shqetësuar se mos ishte i sëmurë, por aty për aty e ngushëllova veten: ndoshta është ulur e po shkruan, mendova. Kur e pashë një të shtunë në bulevard, më mbetën sytë te kaçurrelat e thinjur e të pakrehur. Palltoja që mbante veshur m’u duk më e vjetër se kurrë. I lodhur, i drobitur, hapat i hidhte ngadalë, po trupin e mbante drejt dhe nuk shihte as majtas as djathtas. Nuk pata guxim t’i flisja. M’u duk sikur do t’ia prishja atë udhëtim të vetmuar drejt askundit. Shkova dhe u ula në kafene, duke pritur se mos kthehej aty dhe ai me të vërtetë u kthye. U ngrita në këmbë sapo u fut në kafe dhe e përshëndeta. Erdhi drejt meje dhe më përqafoi si një bir të humbur. U ul në kolltukun e vjetër, ndërsa unë i bëra shenjë vajzës që t’i sillte kafenë.

“Lazër, nuk e marr vesh njeriun,” më tha. Humbi në mendime, pastaj nxorri paketën dhe ndezi një cigare. Unë në atë kohë nuk e pija duhanin. Ndiqja me sy currilin e hollë të tymit që dilte nga cigarja, bënte disa spërdredhje të mundimshme në ajrin e ndenjur dhe humbiste në asgjë. “Si jetët tona,” mendova.

“Dua të shkruaj një roman, më tha. Retë dhe Gurët. Gurët nuk lëvizin, qëndrojnë aty ku ishin përjetësisht, ndërsa retë vijnë dhe shkojnë, ikin dhe kthehen, duke derdhur lotët e të ikurve në gjollat e gurëve…”

Kapi mjekrën me dorën e majtë dhe e shtrëngoi mes gishtërinjve.

“Ja, tha, ta zëmë se janë dy vëllezër: njëri sa rritet merr rrugët e botës, ia mbath nga sytë këmbët, u bjen kryq e tërthor shteteve, shkollohet, dashuron, harbon, kurse vëllai tjetër, nuk shkulet nga fshati, kullot bagëtitë në mal, punon tokën, mban nënën dhe familjen. Po çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, sytë i shkojnë nga deti, sheh renë që vjen prej andej, sjell shiun që derdhet mbi gurë. Atij ky shi i ngjan me lotët e dhimbjes së vëllait mërgimtar. Po jeta e cilit vëlla ka më kuptim? Nuk e marr vesh. Gjithmonë, edhe kam dashur edhe të ik, edhe të rri…”

U kthye nga unë dhe më pyeti se a shkruaja.

“Shkruaj, i thashë, po nuk kam botuar asnjë gjë. Dhe nuk besoj se do m’i botojnë ndonjëherë”.

“Shkruaj, tha, shkruaj sa të mundesh. Unë nuk kam shkruar as pesë përqind të atyre që kam menduar”. I shqiptoi këto fjalë me një zë të shuar, të pikëlluar, të pashpresë, sikur pas këtyre fjalëve pritej shkatërrimi, rrënimi, asgjëja.

“Na thuaj ndonjë gjë për të qeshur, m’u drejtua papritmas. Dhe unë i tregova historinë e sekretarit të parë dhe të kurvës që kërkonte shtëpi, që e kisha dëgjuar ato ditë. Qeshëm të dy, por Petro më fort. “I zgjuar kopili”, tha dhe vazhdonte të qeshte.

Pasi u ndamë, unë mendjen e kisha te librat e tij të pashkruar, librat që do të mbeteshin përjetësisht të mbyllur në kafkën e tij. I imagjinoja në radhë njëri pas tjetrit, të vendosur në bibliotekën time; të rinj, të sapodalë nga shtypi, me kundërmimin e fortë të letrës. A do t’i shkruante ndonjëherë ata libra, a do t’i lexoja unë ndonjëherë?! E dija se, në atë moshë që ishte, nuk do t’ia dilte kurrë t’i shkruante, por të paktën atë romanin “Retë dhe Gurët”, kisha përshtypjen se do ta lexoja ndonjë ditë. Ai me siguri po shkruante këtë roman, mendoja. Aty për aty u kujtova për të gjithë librat e mi që kisha në kokë dhe me marrëzinë e një të riu, mendova i ngazëllyer se kisha gjithë kohën e botës për t’i shkruar. Atëkohë nuk e dija se shkrimtari nuk arrin ta shkruajë kurrë librin e tij më të mirë dhe ai, libri më i mirë, si një vrimë e zezë gëlltit edhe shumë libra të tjerë rreth vetes. Librat më të mirë të shkrimtarit mbeten gjithmonë të pashkruar, misteret më të thella të pashprehura, ndjenjat më intime të ngujuara.

Kur u botuan kujtimet e Petros, pas vdekjes, nxitova të shkoj në librari e ta blej, sepse mbi kopertinë ishte dhe titulli i romanit të munguar “Retë dhe Gurët”. Ishte një intervistë e gjatë, me vetveten, një rrëfim për të trija kohët e jetës së tij, por jo libri i pashkruar i Petro Markos. Shkrimtari librin më të mirë të tij, atë të pashkruarin e kishte marrë me vete, si një libër të mbyllur që ne nuk do ta lexonim kurrë.

Fragment nga eseja “Libri i pashkruar” për shkrimtarin Petro Marko

Filed Under: LETERSI

Z. Ernest Nasto i ftuar në Saint Louis dhe një bashkëpunim ndërmjet shoqatës “ILIRIA” dhe degës së federatës “VATRA” Çikago/

March 26, 2024 by s p

Të dielën, më 24 mars 2024, shoqata shqiptaro-amerikane “Iliria” e Saint Louis-it, pati të ftuar dr. Ernest Naston. Në takimin e organizuar me këtë rast, morën pjesë e intelektualë, veprimtarë e specialistë të fushve të ndryshme. Takimin e prezantoi kryetari i Shoqatës, Z. Besian Gjika, i cili portretizoi të ftuarin si pedagog, studiues dhe drejtues, duke qenë se Z. Nasto është njëkohësisht nënkryetar i Degës së Federatës “Vatra”, në Çikago. Temën e përgatitur me këtë rast, të pranishmit e ndoqën me shumë interes. Thelbi i saj ishte një përmbledhje konçize e historisë së SHBA-ve, revolucionit, që ka si pikë vlimi rebelimin e 13 kolonive. Ky rebelim solli në fund Deklaratën e Pavarësisë (4 korrik 1776) e cila mishëron filozofinë e motivimit ndaj lirisë, të drejtës dhe të ndjekjes së lumturisë (persuit of happiness). Po aty u përcaktuan dhe konsoliduan të drejtat dhe detyrimet përkatëse të shteteve të sanksionuara në kushtetutë, të cilat kishin kërkuar një kohë të gjatë diskutimi ndërmjet etërve të kombit. Përveç kushtetutës u sqaruan mënyrat e zbatimit të saj për ndarjen e pushteteve e sidomos mënyrat e zgjedhjes për dhomën e përfaqësuesve, senatin, ripërtëritjen ciklike të tij, etj.

Duke qenë se këtë vit zhvillohen zgjedhjet presidenciale, u fol gjerësisht për mënyrën e zgjedhjes, përfaqësimin si dhe organizimet partiake të ndryshme. Pas sqarimit të detajuar të rrugës së zgjedhjeve të organeve e drejtuesve legjislativë u fol edhe për organet ligj-zbatuese, pra të shtetit amerikan si dhe organizimin e përbërjen edhe të organeve në shtetet federale.

Në pjesën e fundit të takimit, Z. Nasto bëri një rezyme të punës së federatës Vatra dhe rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet shoqatave shqiptare në vazhdim. Po ashtu ai iu përgjigj me shumë dëshirë dhe interes pyetjeve të ndryshme që iu bënë nga të pranishmit në aktivitet.

Ky bashkëbisedim i ngrohtë dhe mirëkuptues, vazhdoi edhe gjatë kokteilit të organizuar me këtë rast nga shoqata nën kujdesin e bashkëshortëve Ramadan dhe Arjana Hajdini.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1071
  • 1072
  • 1073
  • 1074
  • 1075
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT