• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga bërthama: rrënjët e forta të një lisi me dy degë – të kombit shqiptar

October 21, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Berthama që mban trungun e një kombi

Nga berthama e Kosovës, ka shpërthyer fuqia shpirtërore, morale dhe historike e kombit shqiptar. Ajo është si rrënja e fortë e një lisi madhështor, që me kalimin e shekujve është përballur me stuhitë e historisë, por kurrë nuk është thyer.

Nga kjo bërthamë lindën dy degë të fuqishme – Shqipëria dhe Kosova – dy shtete të pavarura, por të një kombi të vetëm, të kombit shqiptar.

Kjo metaforë nuk është poetike, por shpreh realitetin historik, gjeopolitik dhe identitar të kombit tonë:

-Kosova është rrënja e lashtë, forca themeltare dhe kujtesa historike.

-Shqipëria është trungu që mbajti gjallë jetën shtetërore të kombit.

-Të dyja së bashku përbëjnë dy degët e gjalla të të njëjtit lis – Kombin Shqiptar.

1. Kosova – Berthama e Kombit Shqiptar dhe themeli i identitetit tonë

Historia e kombit shqiptar nuk mund të kuptohet pa Kosovën.

Që nga Dardania antike, që mishëron fillesën e etnogjenezës sonë, deri te Lidhja e Prizrenit (1878) si akti politik më i madh i vetëdijes kombëtare, Kosova ka qenë zemra e ideve kombëtare, lirisë dhe bashkimit.

Në këtë tokë u ruajtën gjaku, gjuha dhe memoria e lashtësisë shqiptare, edhe në kohët më të errëta të perandorive e copëtimit.

Në shekullin XX, Kosova u bë simbol i qëndresës, duke mbajtur gjallë idealin e lirisë nën pushtim, derisa në fund të shekullit shpërtheu si flakadan i ringjalljes kombëtare shqiptare me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në këtë kuptim, Kosova nuk është një degë anësore, por bërthama nga e cila është rritur dhe ripërtërirë gjithmonë vetë trungu i kombit shqiptar.

Kosova është historia e kujtesës sonë kombëtare, e ruajtur në këngë, në gjak, në sakrificë, në fjalën shqipe, në kryengritje e në vargje të përjetshme të lirisë.

Ajo është pikënisja e çdo rilindjeje shqiptare – nga Lidhja e Prizrenit te Lufta e Drenicës, nga Hasan Prishtina te Adem Jashari.

2. Shqipëria dhe Kosova – Dy Shtete Sovrane të Një Kombi

Në kohën moderne, Kombi Shqiptar u fragmentua politikisht, por asnjëherë nuk u nda shpirtërisht dhe kombëtarisht.

Në njërën anë, Shqipëria e vitit 1912 shpalli pavarësinë dhe u bë shteti i parë i kombit shqiptar, një përfaqësim institucional i idealit të përbashkët.

Në anën tjetër, Kosova, e privuar nga liria për më shumë se një shekull, arriti të shpallë pavarësinë më 17 shkurt 2008, duke u bërë shteti i dytë i kombit shqiptar, me sovranitet të plotë dhe personalitet ndërkombëtar.

Sot, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë dy subjekte të barabarta të së drejtës ndërkombëtare, por me identitet të përbashkët kombëtar, gjuhësor dhe kulturor.

Kjo është një veçori unike në Europë: dy shtete me një komb, një gjuhë, një kulturë, një histori dhe një mision të përbashkët.

Në këtë marrëdhënie, Shqipëria është dega që mbajti lirinë e parë shtetërore, ndërsa Kosova është dega që solli rilindjen e dytë të kombit shqiptar në shekullin XXI.

Të dyja janë sot dy qendra të së njëjtës fuqi kombëtare, që përbëjnë binarët e sigurisë dhe stabilitetit të kombit shqiptar në Ballkan.

3. Trungu i përbashkët – Kombi Shqiptar si realitet politik, historik dhe kulturor

Trungu i lisit – Kombi Shqiptar – është bashkimi i pandashëm i historisë, gjuhës, identitetit dhe shpirtit kombëtar.

Rrënjët janë në Kosovë; trungu u rrit në Shqipëri; degët përhapen në trojet etnike shqiptare – në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e më gjerë.

Por fryma është një: një komb me shumë degë, një lis me shumë gjethe, një jetë me shumë forma – por me një rrënjë të vetme.

Ky realitet kërkon që bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës të mos mbetet thjesht në kuadrin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por të ngrihet në nivelin e integrimit kombëtar strategjik:

-në arsim, diplomaci, mbrojtje, ekonomi, politikë të jashtme dhe kulturë;

-për të krijuar një bashkësi kombëtare shqiptare në dy shtete, të koordinuar dhe të përbashkët në qëndrime e interesa.

4. Mesazhi i Berthamës – Drejt bashkimit shpirtëror dhe strategjik të Kombit Shqiptar

Nga kjo berthamë e lashtë e Kosovës, Kombi Shqiptar duhet të gjejë sot forcën për të shkuar përtej kufijve formalë politikë dhe për të ndërtuar bashkimin shpirtëror, kulturor dhe strategjik të kombit.

Ky bashkim nuk është ide romantike, por nevojë politike, ekonomike dhe diplomatike për stabilitetin e Ballkanit dhe forcimin e vetë shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Në një kohë kur gjeopolitika ballkanike po rikompozohet, bashkërendimi Shqipëri–Kosovë nuk është luks, por kusht i mbijetesës kombëtare dhe i forcimit ndërkombëtar të kombit shqiptar.

Dy shtetet shqiptare – si dy degë të fuqishme të një lisi të lashtë – duhet të qëndrojnë të lidhura në rrënjë, që asnjë erë apo furtunë të mos i përkulë.

Lis që nuk thahet – Komb që nuk shuhet

Nga bërthama e Kosovës u rrit trungu i kombit shqiptar, dhe nga ai trung u përhapën degët që mbulojnë gjithë hapësirën shqiptare.

Kjo është historia jonë, misioni ynë dhe përgjegjësia jonë.

Ne jemi dy shtete, por një komb; dy zëra, por një frymë; dy flamuj në formë, por një ngjyrë në shpirt.

Kombi shqiptar është lis që nuk thahet, sepse berthama e tij – Kosova – është e gjallë, dhe degët e tij – Kosova dhe Shqipëria – ushqehen nga e njëjta rrënjë e historisë dhe krenarisë sonë kombëtare.

Filed Under: Emigracion

Bisedë Me Z. Bashkim Brahimi Kryetar I Shoqatës “Tafil Buzi”, Shqipëri

October 21, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në qytetin e Tepelenës në sheshin “Lord Bajroni” u vendos shtatorja e Tafil Buzit “Nderi i Kombit” i cili udhëhoqi lëvizjet popullore në Jug për 30 vjet kundër Perandorisë Osmane.

Zoti Brahimi ju këtë muaj finalizuat vendosjen e shtatores së kapedan Tafil Buzit “Nderi i Kombit” në sheshin “Lord Bajroni” në qytetin e Tepelenës. Na tregoni, ju lutem, ndjesitë tuaja rreth këtij aktiviteti madhështor në nderim të kryegjeneral Tafil Buzit? 

Faleminderit për pyetjen! Vendosja e shtatores së kapedan Tafil Buzit në sheshin “Lord Bajroni” të Tepelenës për mua përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme e më emocionuese të gjithë veprimtarisë sime në Shoqatën “Tafil Buzi”, por dhe më gjerë. Të shohësh më në fund të ngrihet në këmbë figura e këtij burri të madh të kombit, aty ku historia dhe gjaku i tij kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, është një ndjenjë krenarie, nderimi dhe mirënjohjeje të thellë. Çdo copëz bronzi, çdo detaj i asaj shtatoreje përfaqëson jo vetëm kujtimin e një prijësi të madh, por edhe frymën e një populli që di të respektojë bijtë e vet më të shquar.  Ky moment nuk ishte thjesht një akt i bukur ceremonial; ishte përmbyllja e një ëndrre të gjatë të shumë brezave buzjotë e tepelenas, të cilët gjithmonë kanë dashur ta shohin heroin e tyre të ngritur aty ku i takon, në zemër të qytetit. Si kryetar i Shoqatës “Tafil Buzi”, por edhe si biri i kësaj treve, e përjetova këtë ditë me një emocion të jashtëzakonshëm. Ishte një ditë që më solli përpara syve sakrificat, qëndresën dhe idealin e pastër të Tafil Buzit për liri, dinjitet dhe atdhedashuri.  

E pranoj me krenari që ky projekt nuk do të ishte bërë realitet pa bashkëpunimin e shumë njerëzve të mirë, pa përkushtimin e anëtarëve të shoqatës sonë, pa ndihmën e institucioneve vendore, të biznesmenëve, të dashamirësve të kulturës dhe historisë sonë. E ndjej veten të lumtur që pata mundësinë të kontribuoj jo vetëm si drejtues, por edhe si financues në këtë nismë fisnike, sepse çdo ndihmë e dhënë për të nderuar figurat tona kombëtare është një borxh moral që ne ia kemi historisë dhe brezave që do të vijnë.

Në ditën e përurimit, kur unë zbulova shtatoren së bashku me kryetaren e bashkisë Tepelenë, Julinda Karteri, ndjeva sikur vetë historia po fliste. M’u kujtuan fjalët e të parëve tanë që e kanë ruajtur me nder emrin e Tafil Buzit, dhe në atë çast ndjeva se po i jepnim këtij emri një vend të merituar, një vend nga i cili do t’u flasë përjetësisht brezave për atdhedashuri, trimëri dhe përkushtim ndaj kombit. Për mua, kjo shtatore është më shumë se një vepër arti; është një simbol i krenarisë sonë, i identitetit dhe i qëndresës shqiptare.

Cilat kanë qenë disa nga vështirësitë për të arritur gjer në përfundimin me sukses të vendosjes së shtatores së Tafil Buzit në Tepelenën tonë të dashur?

Vendosja e shtatores së heroit tonë kombëtar, Tafil Buzit, në Tepelenë ka qenë një proces i gjatë, me shumë përpjekje, angazhime dhe sfida të njëpasnjëshme. Përtej entuziazmit dhe dëshirës së madhe për ta realizuar këtë vepër përkujtimore, rruga drejt përfundimit të saj nuk ka qenë aspak e lehtë.  

Natyrisht, nuk isha vetëm – anëtarët e Kryesisë dhe Forumit të Shoqatës më qëndruan në krah me përkushtim dhe solidaritet. 

Dua të theksoj se Roshi Ajdini ne rolin e Sekretarit të Përgjithshëm ka qenë një mbështetje e palëkundur gjatë gjithë periudhës që çoi në përfundimin me sukses të vendosjes së shtatores.

Sfida më e madhe, pa dyshim, ishte sigurimi i fondeve. Kostoja e përgjithshme e shtatores arrinte rreth 3 milionë lekë të reja, pa përfshirë shpenzimet shtesë për ceremoninë dhe aktivitetet e ditës së përurimit. Në atë moment, fondet e mbledhura nuk arrinin as 10 për qind të shumës së nevojshme.

Përballë këtij realiteti, u detyruam të vepronim me shpjetësi e vendosmëri. U ndërmor një fushatë model për grumbullimin e fondeve, e cila shtrihej në disa qytete të vendit. Aktivizuam çdo anëtar të shoqatës dhe çdo simpatizant të saj. Dega e shoqatës në Durrës, e cila deri atëherë kishte qenë thuajse inegzistente, u ringrit dhe u përfshi me një energji të re në këtë mision.

Çdo kontribut, sado i vogël, vlerësohej me mirënjohje dhe pasqyrohej rregullisht në faqet e gazetës “Trebeshina”, organi ynë i komunikimit dhe transparencës me publikun.

Në këtë rrugëtim nuk munguan edhe mbështetjet e rëndësishme nga personalitete të njohura të jetës publike dhe institucionale. Dua të përmend me respekt dhe mirënjohje të veçantë z. Gramoz Ruçi, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, i cili na qëndroi afër dhe na ndihmoi me dashamirësi në çdo hap. Po kështu edhe profesorin dhe ish-politikanin e njohur Ethem Ruka, i cili ofroi përkrahje dhe këshilla të vyera.

Një kontribut të rëndësishëm institucional dha gjithashtu z. Blendi Gonxhja, në atë kohë Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i cili e mbështeti zyrtarisht kërkesën që shoqata i kishte adresuar ministrisë për sigurimin e një pjese të fondeve publike për realizimin e shtatores.

Nuk mund të mos përmend edhe dhjetëra kontribues të tjerë – individë, biznese, bashkëfshatarë e dashamirës të figurës së Tafil Buzit – të cilët dhanë ndihmën e tyre me zemër. Emrat dhe kontributet e tyre janë publikuar herë pas here në gazetën “Trebeshina”.  

Shtatorja u punua nga skulptori i mirënjohur dhe shumë i talentuar Vladimir Llakaj i cili ka pasur një sërë suksesesh në disa qytete të ndryshme me punimet nga duart e arta të tij. Cili ka qenë bashkëpunimi me skulptorin nga shoqata juaj?

Ç’është e vërteta, sapo u krijuan kushtet e nevojshme dhe projekti për vendosjen e shtatores së Heroit të Popullit, Tafil Buzi, në qytetin tonë të Tepelenës u miratua nga Këshilli Bashkiak, shoqata jonë “Tafil Buzi” nisi menjëherë hapat konkretë për përzgjedhjen e skulptorit që do të merrte përsipër këtë vepër të rëndësishme për historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Për këtë qëllim, publikuam një njoftim në gazetën “Trebeshina”, me synimin për të testuar interesin dhe për të mbledhur ofertat nga artistë të fushës së skulpturës.

Në mbledhjen e datës 22 nëntor 2024, kryesia e shoqatës shqyrtoi me kujdes propozimet dhe modelet e paraqitura nga skulptorët Haxhi Kalluci, Leonidha Koruni dhe Vladimir Llakaj. Pas një diskutimi të frytshëm, me unanimitet të plotë u vendos që fitues të shpallej oferta e skulptorit të njohur Vladimir Llakaj. Ky vendim nuk ishte thjesht një zgjedhje profesionale, por edhe një akt besimi e krenarie, pasi Vladimiri është bir i Tepelenës, një artist që tashmë kishte lënë gjurmë të pashlyeshme me veprën e tij monumentale – shtatoren e Heroit të Popullit Selam Musa Salaria, e vendosur në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë, një vepër që gëzon respekt dhe vlerësim të gjerë për dinjitetin artistik që mbart.

Vladimiri është një artist i përkorë, i përulur dhe thellësisht i ndjeshëm, që di të dëgjojë, të kuptojë dhe të përfshijë në veprën e tij shpirtin e bashkëpunëtorëve dhe dashurinë për vendin. 

Shoqata “Tafil Buzi” në njëzetë e ca vjet histori të krijimit të saj është bërë shumë e njohur për shkak të aktiviteteve të saj si për shembull, në rastin e fundit, duke e vendosur Tafil Buzin përkrah Ali Pashë Tepelenës, një nga figurat më të shquara historike të Kombit. Cilat janë disa nga arritjet e shoqatës ndër vite?

Shoqata Atdhetare-Kulturore “Tafil Buzi” ka lindur nga dashuria për vendlindjen dhe nga përkushtimi për ta mbajtur gjallë kujtimin e një figure të pavdekshme të historisë shqiptare. E themeluar “de jure” më 17 qershor 2002 dhe “de facto” më 22 prill të po atij viti, ajo mori jetë nga një grup burrash buziotë të mençur e vizionarë, që besonin se atdhedashuria nuk duhej të mbetej vetëm fjalë, por të merrte trajtë konkrete në veprim.

Në atë mbledhje themelimi, ku fryma e Buzit dhe e traditës përplasej me shpirtin e përkushtimit qytetar, morën pjesë Sadik Bejko, Eqerem Xhelili, Kujtim Çibuku, Ramadan Çelaj, Abedin Kalemi, Ferrik Danaj, Kujtim Kreci, Et’hem Bakaj, Ferrik Selmani, Mylsym Mindaj dhe Seit Ajazi. Ata vendosën me njëzëri që shoqata të mbante emrin e kapedanit legjendar buziot, Tafil Buzit – simbol i trimërisë, urtësisë dhe dashurisë për lirinë.

Kryetar i parë u zgjodh poeti, shkrimtari, profesori dhe politikani i njohur, Sadik Bejko, një figurë që i dha frymë e seriozitet këtij ideali.

Shtatë vjet më vonë, shoqata njohu një zgjerim të ri me anëtarësime të shumta dhe ndryshime në organet drejtuese. Në radhët e saj u shtuan Eqerem Osmani, Eqerem Lalaj, Asim Brahimaj, Limo Pazaj, Diana Kalemaj, Besnik Meta, Musa Xifaj, Izet Binaj, Sulo Hamzaj dhe Bardhyl Rredhaj. Kryetar u zgjodh Eqerem Osmani, ndërsa Sadik Bejko mori titullin Kryetar Nderi, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vyer.

Pas ndarjes nga jeta të z. Eqerem Osmani, më 18 shtator 2022, drejtimin e shoqatës e mori z. Medin Duro, i cili me përkushtim e vizion vijoi rrugën e të parëve. Ndërsa më 3 maj 2025, pas dorëheqjes së tij të parevokueshme, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të Shoqatës “Tafil Buzi”, anëtarësia më nderoi me besimin për të marrë unë drejtimin e ri të kësaj shoqate.

Ky besim më shton përgjegjësinë, por edhe krenarinë për të vijuar misionin e shenjtë që paraardhësit tanë e kanë mbajtur gjallë për më shumë se dy dekada.

Më 5 tetor 2008, në zemrën e fshatit Buz Qendër, u përurua busti i Tafil Buzit, duke përjetësuar në bronz figurën e kapedanit që për dekada kishte jetuar vetëm në kujtesën e popullit. Më 13 tetor 2013, Shoqata përjetoi një tjetër moment kulmor: Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i akordoi Tafil Buzit titullin e lartë “Nderi i Kombit”. 

Në fushën e krijimtarisë historike e artistike, janë botuar dhe promovuar një sërë veprash që i japin frymë e fjalë kujtesës së përbashkët: libri “Tafil Buzi – kryekënga e trimave” nga Limo Pazaj, “Krahina e Buzit dhe Tepelena” nga Bedri Serjani, poema “Baladë për Tafil Buzin” dhe “Tafil Buzi – Nderi i Kombit” në gazetën “Trebeshina” nga Feti Zeneli. Shoqata ka gjallëruar jetën kulturore me aktivitete të tilla si “Buzi-Folk”, Festivali Folklorik “Jehona e Vjosës”, e së fundmi, me përurimin e shtatores madhështore të Tafil Buzit në qytetin e Tepelenës – një arritje që e vendos këtë figurë përkrah Ali Pashë Tepelenës, në panteonin e historisë sonë kombëtare.

Krahas këtyre arritjeve të mëdha, numri i aktiviteve të dorës së dytë është i pafund: takime, diskutime, riformatime të strukturave, të gjitha të fiksuara në plane pune të detajuara mujore, tremujore e vjetore.

A mendoni se ka ardhur koha, në fakt duhej me kohë, se pas Tafil Buzit një vend meritor në histori ka dhe legjendari Fejzo Arrëza për t’i ngritur shtatoren e munguar në Tepelenë? Ai u vra në vitin 1878 nga andartët greke i cili vuri nën komandë rreth 200 burra për të luftuar me trimëri kundër andartëve grekë.  Duke i hedhur nje sy busteve, monumenteve në Tepelenë më rezulton se nuk ka ndonjë hero që ka luftuar kundër andartëve dhe masakrave greke.

Po t’i kthehemi historisë sonë të lavdishme, pas emrit të ndritur të Tafil Buzit që ndezi pishtarin e lirisë në gjysmën e parë të shekullit XIX, një tjetër emër, po aq i denjë për nderim, ngrihet si një mal krenarie në horizontin e kohës – ai i kapedanit legjendar Fejzo Arrëza. Jo shumë larg vendlindjes së Tafilit, në po atë truall të bekuar të krahinës së Buzit, lindi dhe u burrërua ky trim, që mori stafetën e luftës dhe ia përcolli brezave me gjakun e derdhur për atdhe.

Fejzo Arrëza, biri i një familjeje të ndershme e punëtore, pa pasuri të mëdha veç dinjitetit dhe besës, lindi më 1840 në fshatin malor të Arrëzës, rrëzë Trebeshinës. Rriti shtat ndër gurë e shkëmbinj, mes këngëve të burrave dhe legjendave për trimërinë e të parëve. Rreth zjarrit të oxhakut dëgjonte rrëfime për Hasan Agën – nëpunësin besnik të Ali Pashë Tepelenës – dhe për Asllan Kondurin e shumë të tjerë, që jetën e tyre e vunë në altarin e Atdheut. Këto histori, që i ndiznin shpirtin, e bënë të kuptonte herët se jeta e shqiptarit ka vlerë vetëm kur është në shërbim të lirisë.

Në rininë e tij, Fejzo Xhafo Arrëza shërbeu për pak kohë si oficer në ushtrinë osmane, ku shfaqi zgjuarësi e trimëri të rrallë. Por, shpejt, ai e kuptoi se pushka e tij nuk mund t’i shërbente kurrë një perandorie të huaj. Me zemër të ndezur nga urrejtja ndaj çdo pushtuesi, braktisi gradat e arta dhe mori në dorë flamurin e nderit. Në krye të një çete prej 40 burrash të pathyeshëm, ai u bë një nga kapedanët më të njohur të viseve të Tepelenës, Përmetit e Beratit – një emër që përmendej me respekt në çdo kuvend burrash dhe në çdo këngë trimërie.

Jehona e pushkëve të tij ushtoi për vite me radhë në Luginën e Vjosës e të Osumit, në ultësirat e Ballabanit, në kodrat e Gllavës, në malet e Skraparit e Leskovikut. Çeta e Fejzo Arrëzës u bë simboli i qëndresës shqiptare kundër andartëve grekë dhe qarqeve shoviniste që kërkonin të ndanin trojet e kombit tonë.

Korriku i vitit 1878 shënon faqen më të lavdishme të jetës së tij. Në përballje me andartët grekë, Fejzo Arrëza dhe burrat e tij zhvilluan beteja të ashpra, duke luftuar si luanë për çdo pëllëmbë toke. Edhe pse i rrethuar, përballë një vdekjeje të pashmangshme, ai hodhi poshtë me përbuzje çdo ftesë për dorëzim. “Shqiptari nuk dorëzohet kurrë!” – ishte fjala e fundit që la pas. Dhe aty, në atë përleshje të pabarabartë, ai ra si një dëshmor i vërtetë, duke dëshmuar me gjakun e vet se liria fitohet vetëm me sakrificë.

Historia e Fejzo Arrëzës është një gur i çmuar në mozaikun e lavdisë sonë kombëtare. Ai ishte një luftëtar i jashtëzakonshëm, një kapedan që meriton nderim e kujtim të përjetshëm. Prandaj, mendimi për t’i ngritur atij shtatoren e munguar në Tepelenë është më shumë se një dëshirë – është një detyrim moral ndaj brezave dhe historisë.

Shoqata “Tafil Buzi” ka marrë përsipër këtë mision fisnik: të ruajë e të nderojë figurat e shquara të krahinës së Buzit, që me trimërinë e tyre kanë mbrojtur nderin e kombit. Dëshira është e madhe, por rruga drejt realizimit kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim me institucionet ligjore e administrative të Bashkisë Tepelenë. Siç dihet, krahina jonë bën pjesë në Bashkinë Memaliaj, kështu që edhe ngritja e shtatores së Tafil Buzit kërkoi kohë e përkushtim për të gjetur gjuhën e duhur të bashkëpunimit.

Por asgjë nuk do të na ndalë. Shoqata “Tafil Buzi” do të vazhdojë me këmbëngulje këtë rrugë të shenjtë për të përmbushur misionin e saj: të mos lejojë që pluhuri i harresës të mbulojë emrat e heronjve që dhanë jetën për Atdhe.

Cila ka qenë fëmijëria juaj dhe shkollimi ndër vite në Shqipëri?

Kam lindur, më 18 mars të vitit 1961, në fshatin Komar të Tepelenës, rrëzë malit me të njëjtin emër, përfshirë në “Tri Çukat” e Gllavës – një vend i qetë, i mbuluar me dritën e bardhë të mëngjesit dhe aromën e tokës pjellore. Rrjedh nga një familje me rrënjë të thella në traditë e fisnikëri, ku nderi dhe puna kanë qenë gurë themeli të jetës së përditshme.

Babai im, Adem Qamil Brahimi, ishte një prej bijve të atij brezi që idealin për liri e kishte frymëmarrje. Në maj të vitit 1943, ai iu bashkua forcave partizane dhe luftoi deri në nëntor të vitit 1944 në radhët e Brigadës së Parë Partizane në Korçë. Pas çlirimit, shërbeu për një dekadë të tërë si ushtarak po në atë qytet, derisa në vitin 1953 u kthye në fshatin e tij të lindjes. Atje, në zgjedhjet e para pas kthimit, bashkëfshatarët e zgjodhën kryetar të këshillit të fshatit – një shenjë e respektit dhe besimit që gëzonte ndër bashkëfshatarët e tij.

Kur në vitin 1957 u themelua kooperativa bujqësore, ai iu përkushtua punës si brigadier dhe më vonë si magazinier, deri në vitin 1985, kur mbylli jetën e tij me dinjitet dhe përkushtim ndaj tokës dhe njerëzve.

Rrugëtimi im arsimor nisi në shkollën fillore të fshatit Komar, ku mësuesit e parë më mësuan të lexoj dritën e dijes me të njëjtin respekt si dritën e diellit që binte mbi fshatin tim të dashur. Arsimin 8-vjeçar e vazhdova në Gllavë, ndërsa më pas u regjistrova në shkollën e mesme bujqësore “Tafil Buzi” në Buz, një vatër që më përgatiti për jetën e punës dhe përballjes me tokën, bagëtinë dhe njerëzit.

Në shtator të vitit 1980, sapo mbarova shkollën, nisa punë si brigadier blegtorie në kooperativën bujqësore të Selckës, detyrë që e mbajta deri në dhjetor të vitit 1982. Dy vitet që pasuan, 1983 – 1984, i kalova në shërbimin ushtarak në Sarandë, ku disiplina dhe përvoja më forcuan karakterin.

Pas ushtrisë u ktheva sërish në vendlindje, duke vijuar punën në kooperativë, fillimisht si brigadier, e më pas, nga janari i vitit 1987 e deri në prag të ndryshimeve të mëdha demokratike, si përgjegjës sektori në kooperativën e Selckës. Përveç punës së përditshme, mora pjesë aktive edhe në jetën shoqërore të komunitetit: isha Sekretar i Komitetit të Rinisë për fshatrat e kooperativës, ndihmësgjyqtar në Komar, anëtar i Pleniumit të Rinisë së rrethit të Tepelenës dhe kandidat i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, përfaqësues i rinisë kooperativiste në Kongresin e 8-të të saj, etj.

Pas viteve ’90, kur koha nisi të frynte me erërat e lirisë e ndryshimit, lashë vendlindjen për të ndërtuar një jetë të re. Fillimisht u vendosa në Berat, ku për gati shtatë vite shërbeva si me rrobë ushtarake. Në vitin 1998 mora rrugën drejt Tiranës, ku nisa punë në Policinë e Shtetit, detyrë që e mbajta deri në vitin 2005.

Ndërkohë, dëshira për dije më shtyu të vijoj studimet e larta: nga viti 2004 deri më 2007 përfundova ciklin “Bachelor” në degën Administrim Biznes, ndërsa gjatë viteve 2008 – 2010 përmbylla me sukses Masterin Shkencor për Administrim Publik. Prej vitit 2005 e në vazhdim, kam ndërtuar e menaxhoj me përkushtim një biznes familjar, fryt i punës dhe vizionit tim për të ardhmen.

Në udhëtimin tim jetësor kam patur përkrah bashkëshorten time, Lola Bakia (Brahimi), bashkëfshatare dhe bashkudhëtare e përkushtuar, me të cilën kemi rritur dhe edukuar tre fëmijë të mrekullueshëm: Dionën, Ledjan dhe Skerdin.

Diona, vajza e madhe, e diplomuar për Financë – Bankë, punon prej 13 vitesh në “Intesa Sanpaolo Bank Albania” dhe është nënë e dy vajzave të bukura. Ledja ka përfunduar studimet për Administrim Biznes dhe punon prej 11 vitesh në OSSHE, ndërsa djali, Skerdi, i diplomuar për Inxhinieri Mekanike, menaxhon tashmë për nëntë vite biznesin tonë familjar, duke e çuar atë përpara me energjinë e brezit të ri.

Në këtë mënyrë, nga rrënjët e Komarit të vogël, jeta ime është shtrirë në kohë e hapësirë si një rrugë që fillon aty dhe vazhdon drejt horizonteve të një Shqipërie që ndryshon, por që gjithmonë mbart brenda vetes aromën e dheut të fëmijërisë sime.

Cilat janë disa nga projektet si shoqatë që do të realizoni në të ardhmen?

Në mesin e këtyre nismave, vendin e parë e zë puna për ngritjen e Muzeut të Tafil Buzit në Buz Qendër.  Ky muze do të jetë jo vetëm një tempull kujtese për heroin tonë kombëtar, por edhe një qendër studimore e edukative për brezat që do të vijnë. Duke qenë një ndërmarrje me përmasa të mëdha, realizimi i tij kërkon bashkëpunim të gjerë dhe mbështetje të ndërsjelltë, pasi një barrë kaq e rëndë nuk mund të mbahet vetëm mbi supet e shoqatës, sado përkushtim e resurse njerëzore, materiale e financiare të zotërojë ajo.

Një tjetër projekt i rëndësishëm, tashmë në fazë përgatitore, është botimi i librit “Gjurmë muzeore të Tafil Buzit”, nga i njëjti autor që ka sjellë më herët veprën “Tafil Buzi – Nderi i Kombit” në gazetën “Trebeshina”, z. Feti Zeneli. Ky botim i ri do të jetë një dëshmi e pasur dokumentare e historike, e shoqëruar me një kapitull të veçantë, “Shtatorja në Tepelenë”, kushtuar përpjekjeve dhe veprimtarive që shoqëruan inicimin, përgatitjen dhe vendosjen e shtatores së Tafil Buzit në qytetin e Tepelenës – si një homazh i përjetshëm ndaj figurës së tij.

Përveç këtyre, Në themel të çdo nisme që ndërmarrim qëndron dëshira për ta mbajtur gjallë frymën e Tafil Buzit – frymën e trimërisë, mençurisë dhe dashurisë së pashtershme për atdheun.

Autorja e intervistës mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.  Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.

19 tetor, 2025

New York 

Filed Under: Interviste

AT GJERGJ FISHTA: SHQIPTARINË E KEMI BASHKË, APOSTULLI I MADH I VËLLAZËRIMIT KOMBËTAR

October 21, 2025 by s p

Në ditëlindjen e Poetit Kombëtar

Nga Frank Shkreli

                                                        23 Tetor, 1871 – 30 Dhjetor, 1940

Pothuaj çdo ditë jemi dëshmitarë të një polarizimi politik në rritje e sipër në hapësirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor që rrezikon seriozisht, jo vetëm të ardhmen evropiane të shqiptarëve por edhe vet paqën shoqërore e politike, duke kërcënuar gjithashtu vetë demokracinë sado të brishtë në Shqipëri dhe në Kosovë. Mjafton të ndjekësh punimet në dy parlamentet e përfaqësuesve të shqiptarëve të kuptohet se në çfarë gjëndje të mjerueshme është sot diskursi ose mos-diskursi politik.   Është e pa-imagjinueshme për mua që pas 35-vjetëve të shembjes së Murit të Berlinit dhe pothuaj 25 vjetë pas çlirimit të Kosovës, klasa politike e botës shqiptare, nuk ka mundur gjatë gjithë kësaj kohe, të institucionalizoi një pajtim sadopak të vogël politik e kombëtar për një bashkpunim të rregullt midis dy partive kryesore politike të Tiranës zyrtare brenda vendit, por as në radhët e partive politike të Republikës së Kosovës, por as në nivel kombëtar midis dy shteteve shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës. 

Mund të më quani naiv, ose i painformuar, ose të citoni At Gjergj Fishtën se historia na tregon se “Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!”  Kjo thënie e Gjergj Fishtës vërtetë pasqyron, ashtu si historikisht, mungesën serioze të bashkëpunimit politik dhe kombëtar ndërpartiak midis forcave politike shqiptare, në përgjithësi, e që për fat të keq të Kombit, pasqyrojnë dhe marrëdhëniet midis Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare, në veçanti.  Nuk ka asnjë dyshim se aktualiteti politik në Shqipëri dhe në Kosovë – pra, polarizimi i vazhdueshëm politik në hapësirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, vazhdon të rrezikojë dhe të minojë, seriozisht, paqën e sigurinë por edhe demokracinë, sado e brishtë që është ajo. Por edhetë shuaj edhe ëndërrën shekullore të shqiptarëve për integrimin e Kombit shqiptar me botën perëndimore.  Fishta do të thoshte se e gjithë kjo situatë konfliktuale në radhët e politikës mbarë shqiptare sot është rezultat — jo i ndonjë kërcënimi nga jashtë nga vende e kombe që, historikisht, nuk ia duan të mirën Kombit shqiptar — por është pasojë e një “rreziku të përbrendëshëm”. Frank Shkreli: Paralajmërimi i At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm! | Gazeta Telegraf. Për këtë rrezik të përbrendëshëm, analistë dhe ente të ndryshme ndërkombëtare gjatë dekadave kanë fajësuar – për mungesën e lirisë e të demorkacisë — polarizimin e vazhdueshëm politik, bojkotet parlamentare të opozitës, të “majta” e të “djathta” për periudhën kohore përkatëse në opozitë, qoftë nga njëra ose nga tjetra. Frika është se ky polarizim politik prej dekadash tani por edhe mungesa e frymës së bashkëpunimit dhe kompromisit dhe mosmarrveshjet në nivel kombëtar midis Tiranës dhe Prishtinës, po i çon shqiptarët drejtë ndonjë katastrofe të mundëshme kombëtare me pasoja të pa parashikueshme për interesat e Kombit. 

Sot për sot, nuk duket që Kombi shqiptar të ketë ndonjë kërcënim nga jashtë. Por përball këtij polarizimi politik të pa përgjegjëshëm në radhët e klasës aktuale politike shqiptare — ndërkohë që siç shkruante Fishta pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë — se, ndonëse “Ideali ynë përsa i përket pamvarsisë dhe lirisë së Kombit shqyptar u realizue”, dhe ndërsa “Shteti shqyptar leu”, ai shtron pyetjen: “Po mirë: por a jeton? A rritet Kombi shqiptar”. Sot, në ditëlindjen e tij (23 Tetor 1871) Fishta bën të njëjtën pyetje, ndërsa palajmëron klasën aktuale politike shqiptare në përgjithësi se rreziku ndaj interesave të Kombit –mbrpjtjes së  pavarësisë, lirisë dhe demokracisë — nuk vjen, domosdoshmërisht, nga armiqët e shqiptarëve, por nga një rrezik i përbrendshëm. “…Qe, pra, se kush janë rreziku ma i madh i Shqypnisë: vagabondat, sallahanat, rrugaçat. Por, megjithkëte, këta njerëz, këta mikrobe të kombit, jo veç se po kanë sy e faqe me lypë, por edhe po munden sot me shpresue të hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar. Po a përnjimend se, për me ushqye e me majtë këta njerëz të poshtër, tregtari ynë do të thithë miazmat e dugajave e të sokaqeve, bulku ynë do ta mbajë kryet në gërshanë gjatë shtigjeve të vështira? E po ku jemi na, o Zot? A përnjimend se edhe kuptimi i burrënisë asht harrue në këte dhe, që njerëzve kaq të poshtër po u delka me u ushqye me djersë – me gjak – të Kombit shqyptar…?

Natyrisht se gjendja aktuale politike në radhët e shqiptarëve sot, me dy shtete të pavarura në Ballkanin Perëndimor, është ndryshe nga gjendja politike e shqiptarëve në fillim të shekullit XX — menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë – për të cilën ka shkruar At Gjergj Fishta. Ndërkohë që polarizimi politik dhe mungesa e frymës së bashkëpunimit dhe kompromisit politik në interes të shqiptarëve, por edhe mosmarrveshjet e turpshme në vazhdim, në nivel kombëtar, midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, rrezikon t’i çojë shqiptarët drejtë ndonjë katastrofe të mundëshme kombëtare me pasoja të pa parashikueshme. Por ideali kryesor kombëtar nuk ka ndryshuar megjith dallimet politike sot: Shqiptarinë e kemi bashk, ka ngulur këmbë At Gjergj Fishta.

“Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!” 

Fishta nuk ishte naiv, i dinte mirë të përbashktat por edhe dallimet: intrigat dhe ndryshimet politike, fetare, krahinore e të tjera midis shqiptarëve të kohës së tij, por megjithkëtë besonte me ngulm se, mbi të gjitha, dhe megjithë ndryshimet e kohës midis shqiptarëve, bijtë e SHQIPËS besonin se, “Shqiptarinë e kemi bashkë”, dhe sipas tij, kjo e përbashkët do të mjaftonte që Shqipëria dhe Kombi shqiptar të rilind, të bëhej dhe të rritet.  

Drejt këti qëllimi gjithëpërfshirës kombëtar, At Gjergj Fishta — në këtë përvjetor të lindjes i bën thirrje klasës politike shqiptare, anë e mbanë trojeve iliro-arbërore, që në frymën e porosisë së tij, se Shqiptarinë e kemi bashkë, atëherë kjo klasë politike, sa më parë dhe urgjentisht të zgjohet nga gjumi, duke vepruar mbi interesat personale e partiake, dhe të fillojë të bashkpunojë në realizimin e interesave kombëtare të shqiptarëve, duke ofruar drejtime të reja strategjike për Kombin, nepërmjet një bashkpunimi gjithëpërfshirës të partive politike, enteve publike dhe organizmave të tjera shoqërore, përpara se gjëndja aktuale e polarizimit politik në radhët e partive politike të dëmtojë rëndë interesat e Kombit dhe të ngadalsojë ose të prishë përgjithmonë mundësitë e procesit për integrimin e plotë politik, ekonomik dhe ushtarak të Shqipërisë dhe Kosovës në radhët e botës perendimor aty ku e ka vendin. 

“Nuk ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar At Gjergj Fishta.

Frank Shkreli

E kujtojmë At Gjergj Fishtën në ditëlindjen e tij, siç është shprehur At Benedikt Dema një bashkohas i Poetit Kombëtar, me: “Nderimin më të madh na ia kushtojmë kujtimit të Tij, sepse Ai ndër vargje të veta epike, lirike, satirike, dramatike, pohoi vëllazninë e të gjithë Shqiptarëve. Vuni theksin për nevojçn e besës arbënore, mbi çdo ndasi e mbi çdo dallim. Shuguroi shejtninë e gjakut tonë që ashtë i njinjishëm në çdo bir të shqipës.” 

“Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit Shqiptar” – “Ky vigan i Kombit” Lasgush Poradeci për At Gjergj Fishtën

Filed Under: Kulture

Shoqata “Jehona e Malësisë” në Michigan njofton fillimin e orëve të mësimit të gjuhës shqipe

October 21, 2025 by s p

“Gjuha jonë,sa e mirë,

Sa e ëmbël, sa e gjerë,

Sa e lehtë, sa e d’lirë,

Sa e bukur, sa e vlerë.”

— Naim Frashëri

Në frymën e vargjeve të pavdekshme të rilindasit të madh Naim Frashëri, Shoqata “Jehona e Malësisë” ka nderin dhe kënaqësinë të njoftojë fillimin e orëve mësimore të gjuhës shqipe që do të zhvillohen në ambientet e shoqatës sonë.

Kjo nismë përbën një hap të rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe ndër brezat e rinj të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes këtij projekti edukativ e kombëtar, synohet forcimi i identitetit kulturor, gjuhësor dhe kombëtar të fëmijëve të komunitetit tonë.

Në aktivitetet tona kemi vërejtur me kënaqësi një nivel të lartë vetëdijeje kombëtare tek të rinjtë shqiptarë të rritur në SHBA, të cilët, pavarësisht, ruajnë me krenari emrin, origjinën dhe identitetin e tyre shqiptar.

Duke u mbështetur në këtë vetëdije të gjallë kombëtare, shoqata ka ndërmarrë këtë iniciativë për të kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në trashëgiminë e gjuhës dhe shkrimit shqip — si mjeti më i fuqishëm i ruajtjes së identitetit kombëtar dhe shpirtit shqiptar në diasporë.

Qëllimi kryesor i kësaj nisme është që gjuha shqipe të dëgjohet dhe të përdoret me dashuri në çdo familje shqiptare brenda komunitetit tonë. Mësimi i gjuhës amtare për fëmijët është një investim në të ardhmen — në formimin e brezave që do të mbartin me dinjitet vlerat, kulturën dhe traditat shqiptare.

Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë prindërve, anëtarëve të komunitetit dhe bashkatdhetarëve tanë që të regjistrojnë fëmijët e tyre në këtë program mësimor që do të zhvillohet në ambientet moderne dhe zyrtare të Shoqatës “Jehona e Malësisë”.

Ora e parë për tu njoftuar dhe caktuarë orarin mësimor:

E enjte, 6 nëntor 2025, ora 18:00 (6:00 PM)

Shoqata “Jehona e Malësisë”

48137 Van Dyke Avenue, Shelby Township, MI 48317

Pjesëmarrja në këto orë mësimore është falas.

Për regjistrim dhe informacion shtesë, kontaktoni:

• Dedë Dushaj, Sekretar – (248) 688-8685

• Zef Berishaj, Nënkryetar – (586) 615-2836

• Simon Sinishtaj, Nënkryetar – (586) 839-0142

• Beku Gjelaj, Arkatar – (586) 292-4204

• Kolë Dedivanaj, Anëtar Bordi – (586) 295-9007

Interesimi është i lartë, nxito!

Bashkohuni me ne në këtë mision të shenjtë kombëtar!

Filed Under: Komunitet

“Trump, Triumfator i Paqes nëpërmjet Forcës”!

October 21, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Krahas të tjera arritje, nënëshkrimi i marrëveshjes së Paqes, nga media botërore u demostrua edhe si triumfi i Presidentit Trump, ose si KingMaker i: “paqes nëpërmjet forcës”. Kjo pasi: “jo vetëm imponoi armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit, por edhe fundin e luftës përgjakshme/3000-vjeçare në Rripin e Gazës”! Në vijim (për këdo i/e interesuar) gjeni përmbledhje rreth ambjentit/kërcënimeve të sigurisë, peshës gjeopolike si dhe mesazheve shpresëdhënëse që mbart kjo ngjarje jo vetëm për paqen në Lindjen e Mesme, por në mbarë Botën, Ballkanin Perëndimor, si dhe për interesat mbarë-Kombëtare (RSh/Kosovës):

Pikësëpari, për pêrqeshësit ndaj Presidentit Trump, sjell në kujtesë se koncepti “Paqe nëpërmjet forcës”, është po aq i vjetër sa vetë historia. Kështu përmendim Perandorin Romak Hadrian, 117–138 AC: “kushdo që do paqe, të përgatitet për luftë”’; Presidentin e I-rë, G.Washington në mesazhin vjetor (1794): “nëse duam paqe, duhet të jemi të gatshëm për luftë” si dhe përpjekjet për të shmangur Luftën e 2-Botërore, deri te oponenca e mënçur e historianit Andrew Bacevich: “‘Paqe nëpërmjet forcës mund të shndrrihet si paqe nëpërmjet luftës'”.

Shkurt, ky koncept nuk është shpikje, ndërsa Donald Trump është padyshim i pari President në historinë e njerëzimit, që nërpërmjet përdorimit të fuqisë (shkatërrimtare) të forcës ushtarke që u demostrua ndaj armëve bërthamore të Iranit, etj, arriti: “nënëshkrimin e marrëveshjes se paqes si dhe duke e imponuar Hamasin të çarmatoset vullnetarisht ose do të detyrohet nga forcat e SHBA-së dhe aleatëve”!

Ndërsa, ndoshta duke mos përmbajtur ngazëllimin për këtë arritje historike, kreu i Shtëpisë së Bardhë, nënvizoi: “U deshën 3,000 vite por më në fund lutjet e miliona njerëzve morën përgjigje”. Ndërsa falënderoi liderët nënëshkrues, fuqinë ushtarake USA e konsideroi si “anije kozmike”!

Po ashtu, ndoshta për ti dhenë madhështi sipërore kësaj arritje (paqe nëpërmjet forcës), Shtëpia e Bardhe kishte përzgjedhur Sharm el-Sheikh, qytetin e mirënjohur për për disa marrëveshje paqe, p.sh. “në 1996, ish-Presidenti Clinton bashkë-kryesoi Samitin e Paqebërësve dhe në 1999 mes Kryeministrit izraelit Ehud Barak dhe Presidentin e Autoritetit Palestinez, Yaser Arafat si dhe në 2005, nën kujdesin e Presidentit Bush, Samiti midis kryeministrit izraelit Sharon dhe Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, etj”.

Rëndësia historike si dhe pesha geopolitike që mbart kjo marrëveshje mund të lexohet edhe nga ambjenti/kërcënimet e sigurisë (perceptuar gjerësisht si prag i luftës së 3-botërore) si dhe e nënëshkrueve të këtij “angazhimi gjithëpërfshirës”. Kështu, përveç Presidentit Trump dhe mikëpritësit/Egjiptit, ishin të pranishëm Presidenti (Autoritetit) Palestinez, Britanisë, Gjermanisë, Turqisë, Francës, Greqisë, Hungarisë, si dhe shefi i FIFA-s, Gianni Infantino, ndoshta si mesazh që “futbolli mbetet ndër armët diplomatike të paqes”. Kjo arritje u përshëndet gjithaahtu nga Kina, India, Pakistani dhe mbarë globi, përfshi “mbështetjen e sforcuar të Rusisë-Putiniste”, e cila për shkak të luftës neo-naziste në Ukrainë, si edhe në rastin e goditjes së bazave nukleare të Iranit, u përjashtua brutalisht edhe nga kjo marrëveshje!

Për ti thënë vlerë shtesë kësaj marreveshje, u zhvillua me urgjencë takimi Ministrave të Mbrojtjes së 32 vendeve të NATO-s, ku u konfirmua 5% shpenzimeve ushtarake me fokus aftësitë/murin mbrojtës nga Dronët Rusë; mbështetja deri në fitoren e Ukrainës (2 miliardë €), etj. Ndërsa Sekretari amerikan i Luftës Pete Hegseth, duke kërcënimet e Lavrovit ndaj lejes pêr raketat Tomahawk, e paralajmëroi Kremlinin që të ndal privokimet, ose: “do të ndëshkohet siç vetëm USA di dhe ka aftësi ta bëjë (p.sh sulmin ndaj Iranit)”!

Ndërsa përtej “gajasjes pa kripë për luftrat e fituara nga Trump”, po citoj pjesë nga sarkazma e mëncur e publicistit (mikut tim), Ben Blushi, i cili në statusin e dedikuar, e përshkroi presidentin Trump: “një njëri (Mesia) që zbret nga avioni vetëm pasi garantohet se do t’i përulen në gjunjë, si guvernatorët Romakë 2000 vjet më parë. Nga aty shkoi në Egjipt dhe i trajtoi liderët evropianë dhe muslimanë si piromanë të vegjël. Para se të ikte u mblodhi shkrepset dhe i futi në xhepin e fitoreve të tij”!

Së dyti, në leximin strategjik paqa, ishte produkt i mbas-sulmit “më të suksesshëm të historisë së njerëzimit, që fuqia shkatërrimtare e ShBA (6 avion B-2 me kosto 2-Bilion $; 37 orë fluturim; 12 bomba GBU-57 (14 tonë sejcila); 10-ra raketa Tomahawk dhe mbi 125 avionë F-35) realizuan ndaj bazave bërthamore të Ajatallah-ut të Iranit, i cili ( si terroristët), gjatë 36 viteve kërcënonte jo vetem Izraelin por mbarë njerëzimin:“me shfarosje nga faqja e dheut të Kombeve, kulturave dhe Shteteve sovrane”!

Asnjë shtet tjetër në botë (përfshi Kinën dhe Rusinë) nuk ka (dhe nuk ka për të patur në 75 vitet që vijnë) aftësi ushtarake për të realizuar një operacion të ngjashëm ose të përafërt! Kështu, ky sulm mbetet edhe si mesazh i fuqisë shkatërrimtare të USA ndaj diktatorëve gjakatarë, ose të shkalluarve nga fuqia e gjithë-Pushtetit (Putinit, Kim Jong, etj), nëse guxojnë të sulmojnë këdo nga 32 vendet anëtare.

Për shkak të agresionit neo-naziste të Rusisë 44 muaj më parë: “Jo vetëm për pushtimin e Ukrainës – Martire por edhe ndaj rendit global, vlerave demokratike dhe fuqisë ushtarake të Aleancës”; përshkallëzimit të përballjes me ekstremistët në Lindjen e Mesme; rikthimit të frikshëm te gara e armatimeve, etj po kërcënojnë më shumë se kurrë njerezimin. Kështu, kjo marrëveshje, mbetet historike edhe për mesazhet optimiste të Presidentit Trump: “nuk do të ketë Luftë të 3-Botërore”!

Presidenti Trump mori duartrokitje, edhe për fjalimin shpresëdhënës në Knesset/Izrael kur konfirmoi se: “Nuk është vetëm fundi i luftës në Gaza, është fundi i epokës së terrorit. Tani do të përqëndrohemi te Rusia dhe do ta zgjidhim edhe këtë”. Ndërsa “Ju jeni i vetmi lider i aftë për të arritur paqen në rajon”, tha presidenti Egjiptit al-Sisi, duke i kërkuar Trump mbështetje për konferencën e rindërtimit të Gazës, që Egjipti dëshiron ta organizojë me Gjermaninë, etj.

Pra, arritja e kësaj marrëveshje, konfirmoi se: “vetëm falë (super) Fuqisë ushtarake të pakonkurueshme të ShBA si dhe Leadershipit të fortë të Trump, Bota nuk do të rrokulliset në fatalitetin e Luftës së 3-të Botërore”. Pra, jo Lufta por: “paqja, rendi global, vlerat e qytetërimit dhe demokracia do të triumfojnë mbi neo-nazistët, neo-stalinistët, neo-Millosheviçët, ndaj shteteve dhe organizatave terroriste”!.

Në shtesë: edhe “4 këshilla strategjike”, ose çfarë mund të bëjnë vendet e vogla si RSh/Kosova, në rendin e ri global si dhe projektin e “paqes nëpërmjet forcës”:

Ndërsa asnjë vend nuk i mbijeton dot një lufte globale dhe as e mbron dot paqen i vetëm, Kosova dhe RSh kurrësesi nuk duhet as ta mendojn/më rikthimin te “paranojat enveriste mbi sovranitetin apo mëvetësinë e mbrojtjes”. Pra përtej rapsodive patriotike, mbrojtjen e sovranitetit si dhe zhvillimin e interesave gjeopolitike, RSh dhe Kosova, mund t’i realizojmë vetëm duke skalitur mirënjohjen kombëtare si dhe duke forcuar më tej bashkëpunimin strategjik me ShBA.

Duke duartokitur “marrëveshjen mes Kroacisë, Kosovës dhe RSh në fushën e mbrojtjes”, do t’i këshilloja aktorët dhe faktorët Shtetërorë në Tiranë dhe Prishtinë: “të përulen/mi në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore”, për t’i dhënë jetë Platformës: “2-Shtete sovrane, 1-Komb i Vetëm”, duke e konfirmuar në Washington, Bruksel etj, që “edhe pse e vonuar” nuk kërcënon asnjë vend (përfshi Serbinë), por do të kontribuojë si një balancë racionale për paqen afatgjatë si dhe integrimin euroatlantik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen deri në 5% (rreth 1.3 Miliard €) deri në 2030, mbetet domosdoshmëri kritike për të transormuar Sistemin e Sigurisë dhe Mbrojtjes, në përputhje me Konceptin e Ri të Mbrojtjes Kolektive, duke modernizuar aftësitë luftarake të FA për përmbushjen e misionit kushtetues: “mbrojtjen e integritetit (neni 5); zhvillimin e interesave kombëtare, promovimin e vlerave euroatlantike si dhe përmbushjen e detyrimeve në NATO” !

Përtej demokracisë fasadë, dalldisjes nga fuqia e mbi-Pushteteve dhe Presidentit të vetë-degraduar/qesharak, apo bejteve folklorike, për suksesin e reformave të sigurisë dhe mbrojtjes mbeten mision historik ri-kthimi i: “pluralizmit (real) politik dhe balancave demokratike të pushteteve; përgjegjshmërisë dhe përulësisë ndaj interesave kombëtare si dhe forcimin e partneritetit strategjik me ShBA/NATO/BE”.

* Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për çështjet Sigurisë Kombëtare,

Ballkanit si dhe marrëdhëniet me USA/NATO, ish:

ZvShShP dhe Këshilltar Ushtarak i Presidentit, etj.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT