• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ShBA-ja ka qenë, është dhe përgjithmonë do të mbesin aleati strategjik i Kosovës

February 7, 2024 by s p

Prof.Besnik Tahiri/

Në përmbyllje të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku patëm pafund takime konsultative, miqësore si dhe protokollare, dua të ndaj me ju një përmbledhje të përshtypjeve, porosive dhe reflektimeve:

1. ShBA-ja ka qenë, është dhe përgjithmonë do të mbesin aleati strategjik i Kosovës, qoftë në rrafshin e brendshëm qoftë në rrafshin ndërkombëtar.

2. Marrëdhënia me ShBA-në është e shenjtë dhe si e tillë nuk mund dhe nuk duhet të jetë subjekt i diskutimi. Si e tillë, kjo marrëdhënie është pjesë e identitetit shtetëror dhe kombëtar.

3. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është interes jetësor kombëtar. Ky proces është një rrugë njëdrejtimëshe, e cila fillon dhe përfundon përmes Uashingtoni.

4. Thellimi i partneritetit me ShBA-në, mes tjerash i shërben avancimit të gjithmbarshëm të Kosovës, sikurse edhe afirmimit të pozicionit në rrafshin multilateral. Formalizimi i këtij partneriteti do të duhej të shënohej përmes një marrëveshje për partneritet strategjik.

5. Qasja vetë përjashtuese dhe mënjanuese e kësaj qeverie, përfshirë këtu edhe mungesën e komunikimit, takimeve dhe koherencës së nevojshme për komunikim të strukturuar me institucionet dhe lidershipin amerikan, po lëndojnë proceset dhe pozicionet e lartcekura. Eksperimentet dhe ekzibicionet e kësaj qeverie në qasjen ndaj ShBA-së, duhet të ndalen, dhe nuk duhet harruar që ato bien në sy, përderisa tolerimi është shenjë respekti i qeverisë amerikane për Kosovën dhe qytetarët e saj.

6. Komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë bartësi dhe shtytësi kryesor i kauzave për të drejtën shqiptare, dhe është koha e fundit që ky komunitet, përfaqësuesit e tij, të konsultohen dhe përfshihen në projektet e thellimit të partneritetit me ShBA-në. Çdo qasje arrogante është shenjë anti shtetërore e cila nuk ka të ardhme në mesin e shqiptarëve, as në Kosovë dhe as në ShBA.

7. Duhet që të gjitha organizimet shqiptare në Amerikë të vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën në të gjitha sferat, sidomos duke ditur në rrethanat nëpër të cilat po kalon Kosova. Institucionet qeveritare të Kosovës duhet të përfshihen aktivisht dhe me kreativitet.

8. Serbia po blen armë prej armiqve të Amerikës, ajo vazhdon të ketë një lobim aktiv në Amerikë, qasje kjo që krijon amulli dhe narrativ negativ për ne.

9. Është koha e fundit për të qenë aktiv dhe të fokusuar në Uashington për të punuar për interesat nacionale përmes ndërtimit të një platforme të qartë të aktiviteteve në Amerikë.

10. ShBA-ja është kompasi ynë politik, i vlerave dhe ‘porti’ ankorues i rrugëtimit tonë dhe i të qenit anëtar i përgjegjshëm i komunitetit perëndimor.

Me Kryetarin Haradinaj, lutja e jonë e mëngjesit dhe e mbrëmjes është:

Zoti e bekoftë ShBA-në!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti i bekoftë kombin amerikan dhe kombin shqiptar!

Filed Under: Politike

“Stërvitjet e NATO/SHBA përtej kakofonisë bollshevike”!

February 6, 2024 by s p

Gjeneral ®Piro Ahmetaj/

Sigurisht e kam ndjekur me interes të shtuar, konfirmimin e nisjes së stërvitjes së NATO-s:“Steadfast Defender 2024” e cila do të zgjasë deri në Maj 2024. Në kapacitetin e “Ekspertit për Sigurinë Kombëtare, Rajonin dhe NATO-n”, në vijim po paraqes një përmbledhje me mesazhet gjeostrategjike si dhe kakofoninë politike rreth kësaj ngjarje madhore për historinë e Aleancës:

Së pari, qëllimi ose mesazhi gjeopolitik i stërvitjes “SD-2024”: “të testojë, kompaktësojë dhe përmirësojë fuqinë ushtarake të NATO-s për të shkurajuar (deterrence), përballur si dhe mposhtur sulmet e armiqve potencial ndaj tërësisë teritoriale të 31 vendeve anëtare dhe ndaj interesave të Aleancës-Transatlantike”!

Ndërsa qëllimi dhe mesazhi strategjik i “Steadfast Defender 2024”: “të demonstrojë fuqinë e pamposhtur ushtarake, përfshi aftësitë manovruese të NATO-s për të dislokuar me shpejtësi forcat nga Amerika e Veriut dhe 29 vendet Europiane si dhe të përmirësojë ndërveprueshmërinë e trupave në fushbetejë”, nën moton: “të bashkuar mbetemi të pathyeshëm”.

Po ashtu objektivi/mesazhi operacional i kësaj stërvitje: “të çertifikojë ekzekutimin e planeve të mbrojtjes që NATO ka përgatitur/planizuar në tre dekadat e fundit”. Edhe pse në deklaratën e Komandantit Suprem të NATO-s, njëherësh edhe i Forcave Amerikane në Europë, Gjeneral me 4 yje, Christopher Cavoli, ndoshta për “kujdes diplomatik” nuk përmendet Rusina – Putiniste, por nënvizoi se: “kjo stërvitje do të zhvillohet mbi një skenar të simuluar të konfliktit në zhvillim me një kundërshtar të afërt, duke i’u përgjigjur kështu një sulmi nga armiqë potencial”. Ndërsa, duhet thënë se mbas sulmit neo-Nazist ndaj sovranitetit të Ukrainës, nuk ka mbetur më asnjë sekret që në planet strategjike të NATO-s, Rusia – Putiniste është (vetë) identifikuar si: “kërcënimin serioz ndaj rendit global të sigurisë, ndaj integritetit territorial të 31 anëtarëve si dhe ndaj interesave gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike”.

Më konkretisht, në “Steadfast Defender 2024″ do të angazhohen qindra njësi luftimi dhe ato të mbështetjes nga 31 vendet anëtare të NATO-s, përfshi Suedinë (që pret vetëm nënshkrimin e Ankarasë). Qëndra e gravitetit të kësaj stërvitje do të jenë vendet Baltike si dhe ato të vijës parë, të cilat shihen më të rrezikuara nga një sulm ushtarak i Rusisë, ndërsa peshën kyçe për mbështetjen do e mbajë Gjermania dhe vendet në skajet e aleancës si Norvegjia dhe Rumania.

Në këtë stërvitje do të angazhohen: “rreth 90,000 trupa; mbi 50 asete strategjike detare, përfshi aeroplanmbajtëse, fregata, destrojerë, etj; mbi 80 kapacitete ajrore si F-35, etj avion luftarakë nga USA, UK, Norvegji, Finlanda, Spanja, Polonia, Hungaria; Helikopterë luftimi dhe drone; të paktën 1,100 automjete luftarake, duke përfshirë 166 tanke, 417 transportues të blinduar (APCs) si dhe 533 automjete luftimi të këmbësorisë (IFVs), etj.”!

Në përmbledhje të sa më sipërpër, mund të themi se “Steadfast Defender 2024″ është një mesazh i fortë jo vetëm i forcës së kohezionit të vendeve anëtare dhe i vendosmërisë së Aleancës: “për të mbështetur pa asnjë kompromis Ukrainën martire deri në fitoren e saj ndaj Rusisë, por edhe një demonstrim i fuqisë së pamposhtur ushtarake në mbrojtje të tërësinë teritoriale të 31 vendeve anëtare si dhe interesave gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (ShBA/NATO/UK)”.

Së dyti, megjithë sasinë e konsiderueshme të trupave dhe mjeteve, numurin e vendeve pjesëmarrëse dhe shtrirja gjeografike, stërvitja “Steadfast Defender 2024”, nuk është më e madhja e zhvilluar nga NATO pas viteve 90 (luftës së ftohtë). Për shkak edhe të vërtetës, na duhet të zgjojmë memorjen strategjike që: “stërvitja më e madhe në historinë e Aleancës së pas viteve 90 mbetet “Reforger – 1988 me 125,000 trupa”, e cila i parapriu (ndoshta për koncidencë…), të parës luftë fitimtare të NATO-s, pra fushatës ajrore për çlirimin e Kosovës në gjashtëmujorin e parë të vitit 1999!

Duke marrë shkas nga ky fakt, shtoj se stërvitjet dhe aktivitetet e mëdha të NATO-s, në rrafshin rajonal, apo kombëtar qofshin, nuk planifikohen apo zhvillohen kurrësesi mbi interestat e politikës së ditës. Pra nuk zhvillohen as për të mbajtur “me demonstrime ushtarake” një grupim politik (Parti) në qeverisje, as për të dhuruar (me fuqinë e ekspozimit të armëve) rotacion politik të pushtetit; as për të arrestuar zyrtare të korruptuar (siç turfullonte në Prill 2021 avokat Ngjela !) si dhe as për të ushqyer tallavanë gjeopolitike të opinionistëve të gjithëditur në 31 vendet e NATO-s. Kështu, si një “ndër dëshmitarët modest të planifikimit strategjik në SHAPE/NATO” mund të konfirmoj se: “stërvitjet e mëdha të NATO-s, planizohen dhe zhvillohen vetëm mbi bazën e peshimit strategjik të rreziqeve potenciale si dhe të nevojës për zhvillimin e respektivisht aftësive operacionale për të përmbushur misionin e mbrojtjes kolektive (artikulli 5)”.

E thënë edhe më drejtpërdrejtë, “Steadfast Defender 2024, nuk ka asnjë lidhje me ndonjë konspiracion global; as me fushatën e Presidentit Biden apo rivalit Trump në USA; as me zgjedhjet apo me ndonjë axhendë të protagonistëve politik në 31 vendet anëtare të NATO-s”. Kjo pasi, kolegët e planifikimit në Komandën Supreme të NATO-s (SHAPE), i ndërtojnë skenarët e stërvitjes: “vetëm për mbrojtjen kolektive nga kërcenimet ndaj tëresisë teritoriale të NATO-s” dhe për asnjë arsye nuk mund të ndërhujnë në problemet e brendshme të vendeve anëtare !

Gjithësesi “Steadfast Defender 2024” është stërvitje ushtarake kryesisht e trupave Amerikane, Kanadeze si dhe 29 vendeve Europiane të NATO-s. Nga ana tjetër, është fakt i mirënjohur që të gjitha vendet NATO-s, përfshi RSh e vetë-shpallin ShBA-në partner strategjik! Kjo pasi përtej “prapagandës elektorale”, kur vjen fjala për ShBA, të gjitha qeveritë Europiane e pranojnë që: “ShBA-mban peshë kritike për sigurinë ndërsa forcimi i lidhjeve transatlantike mbetet me rëndësi jetike për NATO-n”!

Së treti, sjellim në vëmendjen strategjike që me përjashtim të Serbisë, në këtë stërvitje, marrin pjesë, Sllovenia, Kroacia, Mal i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, etj. Prandaj duke e parë në planin rajonal, kjo stërvitje do të shërbejë, ndoshta “jo vetëm rastësisht” si demonstrim i fuqisë së pakonkurrueshme të ShBA/NATO ndaj ambicjeve dhe kërcënimeve gjeopolitike të Kremlinit edhe në rajonin e ballkanit perëndimor si dhe vendet e Europës jug-lindore.

Prandaj, kjo stërvitje do të shërbejë edhe si mesazh i fuqisë ushtarake të ShBA/NATO, drejtuar Beogradit: “për të mos vijuar të (keq) përdorohet për interesat e Moskës në Rajon; të mos e armatosë deri në dhëmbë Serbinë (me Mig29, raketa dhe së fundmi me Drone Rus);

të mos frymëzojë radikalet e tipit Dodik në Bosnje si dhe Grupet Kriminale në Veriun e Kosovës, etj.

E thënë edhe më shkurt: “Serbia të mos kërcënojë me agresion ushtarak ndaj tërësinë teritoriale të Kosovës; status-quonë gjeopolitike si dhe investimin e USA/NATO për paqen, stabilitetin dhe axhendën Euroatltantike të Rajonit të ballkanit perëndimor”!

E thënë në dimensionin operacional, kjo stërvitje do të shërbejë edhe si konfirmim i mesazhit konstant që ShBA dhe NATO, i kanë përcjellë Serbisë prej Qershor 1999: “një agresion ushtarak kundër sovranitetit të Kosovës, do të konsiderohet edhe si sulm ndaj trupave të KFOR-it/NATO-s”!

Prandaj, shpresoj që kjo stërvitje të shërbejë edhe si një mesazh për vendet e ballakanit, në mënyrë që paqen dhe stabilitetin afatgjatë: “të mos e bazojnë përjetësisht as si dhurata me prezencën dhe aktivitetet madhore të NATO-s”, por do u duhet ta para-kushtëzojnë me zhvillimin e Masave të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Beogradi Zyrtar “të imponohet” se: (1) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake sulmuese (si Mig -29, raketa Pantsir-S, Helikoptere, Tanke dhe Drone Rus) deri në nivelin që të mos kërcënojë integritetin territorial të asnjë nga vendet (përfshi Republikën e Kosovës); (2); si dhe nuk do të vendos instalime dhe aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore dhe 5 tokësorë), në kufijtë shtetërore mes vendeve ndërkufitare. Më tej këto kushte me peshë duhen të monitohen nga NATO që mbetet faktor kritik për paqen dhe integrimin e 6 vendeve të ballkanit perëndimor.

Po ashtu, prezenca e KFOR, “Steadfast Defender 2024” si dhe dhjetëra aktivitete të NATO-s në Rajon, janë arsye më shumë për vendet e Ballkanit, në mënyrë që paqja të mos keqpërdoret as kërcënohet nga Moska apo axhendat elektorale të udhëheqësve lokale. Gjithësesi shpresoj/a që edhe kjo stërvitje t’ju shërbejë elitave mendjehapura, jo vetëm në Beograd si “mesazh mirëbesimi reciprok” për të punuar kundër rikthimit te errësira e urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore mes popujve. Prandaj besoj fortë, se jo LUFTA, por mirëbesimi, PAQJA dhe axhenda e integrimit në NATO/BE mbeten misioni i vetëm i ardhmërisë së Serbisë si dhe 5 vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor.

Së katërti, në planin kombëtar, RSh në 15 vite si vend anëtar (2009 – 2024), ka konsoliduar ndjeshëm standartet e planifikimit, kapacitetet opercionale dhe kulturën bashkëpunimit me NATO-n. Kjo për vetë faktin se me qindra ushtarakë/e kanë shërbyer në Shtabet e NATO-s si dhe me mijëra (për të mos thënë 100 % e personelit aktiv) kanë kontribuar në operacionet e Saj, në Afganistan, Bosnjë, Irak, Kosovë, Mali, etj. Prandaj, jam shumë i sigurt, që FARSh do të demonstrojnë profesionalizëm elitar në këtë stervitje, duke përmirësuar edhe aftësitë e planifikimit, drejtimit si dhe ato luftarake (veçanërisht Tokësore & Detare pasi kapacitetet e luftimit ajror kanë kosto përtej mundësive reale të RSh).

Përfshi jo vetëm këtë ngjarje madhore të NATO-s dhe përtej kakofonisë së politikës së ditës, e përsëris fort se edhe: “kjo stërvitje, nuk ka asnjë lidhje as me deliret e (mbi) Pushtetit; as me delekuencën e Opozitës (vulëhumbur) dhe as me sekserët e oligarkëve që hedhin valle rreth e tepsisë së qeverisë për të privatizuar (përfshi edhe dashurinë dhe besnikërinë për Atdheun) çështjet e sigurisë kombëtare, interesat gjeopolitike si dhe partneritetin strategjik me SHBA dhe NATO-n”.

E thëne më drejtpërdrejtë, “Steadfast Defender 2024” nuk ka si të ketë lidhje me: “pluralizmin fasadë, me deformimet e demokracisë nga fuqia e (mbi) Pushtetetit dhe as me populizmin bollshevik”. Për edhe më qartë: “nuk ka asnjë lidhje me deliret e qeverisë për të vijuar kalërimin e sigurt të Shqiptarëve edhe në mandatin e katërt, por as me mjerimin e opozitës, e cila që prej humbjes turpëruese të 25 Prillit 2021, vijon të luftojë me vetëveten, jo për rotacionin demokratik të Pushtetit, por për vulën, bravat, karriket dhe ofiqet e Opozitës zyrtare”. Ndërsa përtej humorit: “kjo stërvitje sigurisht nuk ka asnjë lidhje me oshilacionet vetë-diskretituese (50 milionë euro ndihmë ushtarake për FS Kosovës) të mavroGjeneralit/Kryetarit të ushtrisë së vdekur”, si dhe të një grushti egocentrikësh të sëmurë që për interesa tërësisht cinike, në mos perverse:“po i rrotullojnë thikën deri në palcë vlerave të së djathtës moderne në Shqipëri” !

Në shtesë, ndërsa 32 vjet pluralizëm politik dhe 15 vite anëtarësim në NATO, stërvitja “Steadfast Defender 2024”, etj ngjarje madhore të NATO-s, janë eksperiencë me mesazhe të gjeopolitike ndaj Tiranës: “për të forcuar qasjen gjithëpërfshirëse, kohezionin e kombit si dhe konsensusin e gjerë në adresimin e interesave kombëtare; forcuar partneritetin strategjik me ShBA/NATO-n, duke rikthyer pluralizmin si dhe besimin e Shqiptarëve në vlerat perëndimore dhe demokracitë funksionale”.

Thënë këto, dëshiroj ta ritheksoj, se “Steadfast Defender 2024”, etj janë ngjarje madhore të fuqisë së partneritetit strategjik me ShBA/NATO, të cilat “mbartin mesazhe me peshë kombëtare, që mbi të gjitha tejkalojnë interesat e çdo partie politike, të një apo disa mandate qeverisjesh, apo përtej çdo protagonisi të politikës sado i mbi-pushtetshëm të jenë”. Me këtë rast, shpreh konsideratat ndaj Shtabit të SHAPE/NATO, Belgjikë si dhe Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për mesazhet e qarta gjeopolitike në mbrojtjen e tërësisë territoriale si dhe interesave të Aleancës Transatlantike (përfshi të RSh).

Gjithashtu do t’i këshilloja përfaqësuesit politik dhe shtetërorë të Tiranës zyrtare që: “mesazhet e stërvitjes Steadfast Defender 2024” apo aktivitete të ngjashme të NATO-s, kurrsesi të mos i adresojnë me kakofoni bollshevike, por: “si përgjegjësi e lartë shtetërore jo vetëm për mbrojtjen e interesave kombëtare por edhe për promovimin e peshës konstruktive që mban Shqipëria në stabilitetin demokratik dhe agjendën e integrimit Euroatlatik të 6 vendeve të ballkanit përëndimor”.

Së fundmi, duke shprehur nderimin për përkushtimin shëmbullor dhe sakrificat sublime për paqen, ju uroj përzemërsisht suksese ushtarakëve të RSh dhe të 31 vendeve të tjera pjesëmarrëse jo vetëm në këtë stërvitje.

Me këtë rast, rikonfimoj se, mbetem ushtar i Atdheut, për të kontribuar me përulësi në mbrojtjen e interesave kombëtare si dhe forcimin e partneritetit strategjik me USA/NATO-n!

Filed Under: Komente

Këngët folklorike nga treva Krajë-Shestan

February 6, 2024 by s p

Hamid Alaj/

Populli i trevës së Krajës dhe asaj të Shestanit, si në të gjitha fushat e jetës së vet, edhe në art ka treguar talent dhe aftësi krijuese. Vlerat artistike që ka krijuar ky popull ndër shekuj në përgjithësi janë të shumëllojshme, ku ndërmjet tyre gjejmë edhe shumë këngë, valle, tregime popullore, lojra popullore, gjëza, proverba etj., e që në literaturën shkencore njihen me emrin folklor. Pra folklori është një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë artistike të popullit që e krijon atë, të çfarëdo krahine, rethi apo treve qoftë ai. Prandaj ato mësohen nga shumë kush dhe ngjallin kënaqësi kudo: në punë, në shtëpi, në shkollë, në rrugë, në ndeja, në pushime etj., gjë që bën që populli i kësaj treve ta dojë artin folklorik.

Këngët folklorike nga treva Krajë – Shestan janë mjaft të vjetra dhe këndohen prej kohësh në këtë trevë. Janë të vjetra aqë sa vetë lashtësia e kësaj treve etnike shqiptare. Ato janë të shumta dhe të pasura nga vetë lloji i këngës. Si nga pikpamja ritmike po ashtu edhe nga pikpamja melodike, këngët folklorike nga treva Krajë – Shestan , paraqiten shumë të larmishme. Ato shquhen për nga bukuria, për nga madhështia si dhe për nga roli i tyre që kanë. Ato zënë një vend të rëndësishëm në përgjithësi, në kulturën e kesaj treve, por edhe më gjërë, si në tërësinë e kulturës sonë kombëtare. Populli i kësaj treve, këto këngë i këndon në variante të ndryshme, dhe dallojnë për nga ritmi i këndimit nga lloji i vetë këngës.

Populli i kësaj treve i ka çmuar shumë këngët e dashurisë dhe u ka dhënë një rëndësi të veçantë duke i pagëzuar me llojë-llojë fjalesh si: “moj e mira”, “moj e bukura”, “këngë dashurie”, “këngë jaranishte”, “këngë çobanash”, “këngë ashike”, etj. etj., që le të kuptohet se çdo emërim e ka kuptimin e vet simbolik.

Unë si bir i lindur dhe i rritur në këtë trevë dëshiroj të vë në dukje se gjatë punës sime mjaft serioze, por as pa mundime dhe me një kujdes të posaçëm, pa marr parasysh kohëzgjatjen e grumbullimit të këtyre këngëve, hasa në disa vështirësi të ndryshme, kur informatorët, pra treguesit e këngës, ndryshonin brendin e këngës, ndoshta nga harresa e saj apo nga frika se mos të preket dikush, sidomos tek këngët e dashurisë, të cilat pengesa, jo rallë më dukeshin të pakapërcyeshme. Mirëpo, duke e parë këtë pengesë, me aqë sa unë kam vërejtur gjatë grumbullimit të këtyre këngëve, mendoj se brendia e këngës fletë vetë. Megjithatë, këngët e botuara në këtë punim janë këngë të traditës gojore, të mbledhura kryesisht në terren nga subjekte të ndryshme, këngë të cilat mund të ndërrojnë ritmin e të kënduarit gjatë interpretimit të tyre, por kjo nuk do të thotë se është aqë me rëndësi sepse nuk mund ta ndryshojnë thelbin e tyre të burimsisë.

Kam besim se vetë lexuesi do të jetë i kënaqur me këtë material të grumbulluar në këtë punim aq me vlerë për ruajtjen e këngës folklorike të trevës së Krajës dhe të Shestanit. Gjthashtu kam besim se lexuesi do të më kuptojë nëse në këtë libër, apo koleksionim të këtyre këngëve, nuk kam arritur që t’i grumbulloj të gjitha këngët që i përkasin trevës në fjalë. Arsyet janë të shumta. Lexuesi duhet të jetë në dijeni se njiherit kjo çka u grumbullua në këtë punim, lindi si dëshirë e imja ndaj trevës sonë me qëllim të ruajtjes së vlerave kulturore të trevës.

Atëherë le të jetë një fillim i mbarë që në të ardhmen, dikush të vazhdojë në këtë rrugë të nisur, për të plotësuar këtë tempull, nëse më lejohet ta quaj kështu, të shenjtë e të bukur, të quajtur “KËNGËT FOLKLORIKE NGA TREVA KRAJË – SHESTAN”, për të mbajtur gjallë e për të vazhduar me dinjitet folklorin e pasur të kësaj treve.

Filed Under: LETERSI

QËNDRESË NË KUFIJTË E LEGJENDËS

February 6, 2024 by s p

Kosta Nake/

Parathënia e botimit të dytë të këtij libri është shkruar nga Ismail Kadare si një certifikatë letrare për një Ferr Dantesk në prozë dhe si një mirëkuptim mes kolosësh, pasi do të mjaftonte vlerësimi për dy vepra në faqen 660 dhe fjalët që vë në gojën e Kasëm Trebeshinës në faqen 685 që të krijonte një qejfmbetje të madhe e cila është kaq e shpeshtë në realitetin shqiptar.

Libri është një dëshmi autentike e përplasjes së dhunshme të diktaturës së proletariatit me përfaqësuesit shqiptarë të kishës katolike, veçanërisht të kishës françeskane, por edhe sfidë e një kleriku me shkallë të lartë intelekti që bën interpretime vetjake dhe sjell argumenta të shumtë për ngjarje që fillojnë nga Lufta e Dytë Botërore, sidomos te lufta e shtetit komunist për çrrënjosjen e besimit fetar dhe rrënimin e objekteve të kultit. Përpjekjeve të Partisë Komuniste për të shkëputur katolicizmin shqiptar nga Papa i Romës, klerikët shkodranë iu përgjigjën me analogjinë sfiduese: Ashtu si nuk ka komunizëm pa Moskën, ashtu nuk ka edhe kishë katolike pa Vatikanin. (f.255)

At Zef Pllumi rreshtohet në anën e atyre që mendojnë se gjithçka filloi keq që në themelet e Shqipërisë së re të dalë nga lufta. “Pretendentët kryesorë të pushtetit ishin Balli Kombëtar, Legaliteti dhe Partia Komuniste e mëshefun mbas emnit të Frontit Nacional-çlirimtar… më shumë se kundra gjermanve ato luftojshin ndërmjet vedit për të marrë pushtetin sa të mbaronte lufta.” (f.17)

Qasja patronazhiste e Jugosllavisë titiste ndaj udhëheqjes së Tiranës vjen me një detaj kuptimplotë: Në kumbanoren e Kishën Françeskane të Shkodrës nga ku qyteti dukej si në pëllëmbë të dorës dhe ku ngrihej flamuri kombëtar, u shtuan dy ganxha të tjera që përkrah tij të ngrihej edhe flamuri jugosllav. (f.22) Detaji i dytë është ai i kovaçit kosovar Qazim Vula që bashkëpunoi për vrasjen e Miladin Popoviçit, priste të dekorohej nga shteti shqiptar, por përfundoi në burg, pasi Miladini ishte miku i Enver Hoxhës.

Vlera të mëdha historike dhe kulturore u fshinë nga faqja e dheut si me ruspë traktori në emër të mohimit të botës së vjetër dhe ndërtimit të botës së re, pjesë e këtij sulmi të verbër u bënë edhe shkrimtarët dhe artistët shqiptarë. I pari shfaqet Kolë Jakova si pjesëtar i një grupi që kryesohej nga Nako Spiru, që gjatë bastisjes së bibliotekës dhe muzeut të kishës kundrejt një pusulle dore mori unazën e At Shtjefën Gjeçovit për të cilën një përfaqësues i Muzeut Britanik kishte ofruar 14 mijë stërlina ari. (f.24) I dyti është Skënder Drini me “Shembjen e Idhujve” dhe “Midis dy kohëve” që autori i quan romane politike servile. (f.61) At Zef Pllumi pati bashkëvuajtës Kasëm Trebeshinën e Kin Dushin (f.607). Autori ka patur rastin të takojë e të njohë figura të njohura të shkencës, artit e letërsisë, si Hasan Ceka, Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Odise Paskali, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova, Aleksandër Xhuvani, Prof. Eqrem Çabej, Tonin Harapi, Prof. Jup Kastratietj. At Zef Pllumi ka qenë mbledhës dhe arkivues i veprës së Fishtës dhe kjo njohje e çon te deklarimi se “nuk mund të ketë histori të letërsisë shqipe pa Fishtën. (f.479)

Që para viteve ’90 është pranuar rezistenca e malësorëve ndaj shtrirjes së pushtetit komunist në Veri dhe autori përmend Shkrelin, Bajzën, Koplikun, Kelmendin, Postribën, Lekbibajn, Bushatin si dëshmitar okular; ai zbulon paralelizmin me atë që ndodhi në rrugët e Jerusalemit me Jezu Krishtin e Pons Pilatin. (f.61) Vetë autori që në arrestimin e parë u përball me një torturë të padëgjuar: 30 orë i privuar nga mundësia për të urinuar. (f.95)

Vepra i ngjan një galerie me figura të shquara klerikësh të përgatitur në univeristetet e njohur të Europës, me grada shkencore ose kulturë sipërane në fushën e tyre, por edhe me njerëz të zakonshëm që mençuria dhe qëndresa i ngriti në piedestalin e heronjve, si Dom Nikollë Gazulli, At Gjon Shllaku, At Mati Prendushi, mësuesi kompozitor Gac Çuni, Drita Kosturi që pati qenë e fejuara e Qemal Stafës, deputeti Kol Preleni, At Donat Kurti, Hafiz Dërguti, At Marin Sirdani që nuk pranoi të takojë Enver Hoxhën, etj.

At Zef Pllumi, avokati Qazim Dani dhe bashkëvuajtësi Mehmet Isufi i përkisnin atij grupi intelektualësh që mendonin se bektashinjtë dhe françeskanët janë më kryesorët që kanë formuar ndërgjegjen kombëtare. (f.140) Ilustrim i kësaj qasje ishte pjesëmarrja e Imzot Nikollë Kaçorrit krahas Ismail Qemalit në ngritjen e flamurit të Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 duke qenë mirënjohës edhe për politikës austriake. (f.151) Si Faik Konica, edhe At Zef Pllumi ka guximin të evidentojë disa tipare dhe sjellje negative të shqiptarëve për të arritur në përfundimin se “asht i mjerë ai popull që nuk ia del me zotnue bijtë e vet të kqij.” (f.437) Në një duel mendimesh me njërin nga hetuesit ai deklaron: “Njerëzit që kanë bâ Shqipninë na nuk kemi të drejtë me i gjykue. Naim Frashëri, Faik Konica, Ismail Qemal beu, Imzot Doçi, At Gjergj Fishta, Lugji Gurakuqi e pak të tjerë si këta e krijuen Shqipninë. Populli ishte aq injorant sa muslimanët nuk kërkojshin shkëputje nga Turkia, ortodoksët kërkojshin nji bashkim me Greqinë, ndërsa vetëm katolikët bâjshin plane për nji Shqipni të pamvarun, tue u mbështetë te Austria dhe Italia.” (f.493)

Urrejtja është e papranueshme për At Zef Pllumin megjithatë dy njerëz mbeten përjetësisht të papranueshëm dhe personalisht përgjegjës për dramën e shqiptarëve dhe të rusve: Stalini dhe Enver Hoxha. Ai ndalet te thënia e Stalinit “njeriu është kapitali më i çmuar” dhe kapet fort pas përcaktimit “kapital”, vegël pune, rrjedhimisht jo njeri. (f.186) Autori bën krahasimin e Musolinit me Stalinin: “Musolini shpallte se don me rindertue Imperon Romane, por në të vërtetë ai ishte nji socjalist që donte me punësue italjanët e me i pasunue. Ndërsa Stalini shpallte drejtësinë shoqnore, luftën e klasave për shoqninë pa klasa, ndërsa në të vërtetë ai i shëndrron të gjithë njerzit në skllav e u hjek çdo pasuri që mund të kishin.” (f.211) Por edhe Stalini duket më i mirë se Enver Hoxha kur vjen fjala për qëndrimin ndaj kulakëve. Modeli rus i kulakut ishte pronari që zotëronte tokat e 10 deri në 20 fshatra, i dërgonte fëmijët në universitetet e Moskës e të Leningradit ku përgatiteshin për ekonomi, financë e jurispridencë. Kurse përshtatja shqiptare ishte karrikaturë. Ndër krerët e lartë të nomekalturës partiake komuniste duket sikur ka një farë simpatie për Tuk Jakovën që paraqitet si autoritet dialogues, ndryshe nga Mehmet Shehu që paraqitet si ushtarak i pamëshirshëm. Autori pati si bashkëvuajtës gjeneralin Gjin Marku dhe Dashnor Mamaqin. Autori arrin në përfundimin se “të gjithë tiranët e historisë njerëzore kanë të njajtat tipare. Ata shofin çdo shërbëtor të tynin nji komplotist që u rrezikon jetën.” (f.505)

Duke folur për kampet e punës dhe punën për tharjen e kënetës së Maliqit autori heq paralele me punën e skllevërve për kanalizimit e fushës së Nilit në kohën e faraonëve. (f.210) Propogandës qeveritare për këtë shfrytëzim kafshëror të të burgosurve, At Zef Pllumi i përgjigjet me largpamësi: “kur t’i thajmë të gjitha kënetat, kanë me na thanë: rrafshoni kodrat e malet e t’i bajmë fusha” (f.225) Dhe kjo ndodhi, madje u kthye në një parrullë të njohur.

Një nga fatet më tragjike të shqiptarit të indoktrinuar vjen nëpërmjet kosovarit Zyhdi Çitaku, nipit të Ramadan Çitakut, i cili u dërgua nga shteti shqiptar për të ndjekur dhe asgjësuar shqiptarët e arratisur. “Sa je dënue?” – e pyeta. “Katër. “Sa ke bâ?” “Katërmbëdhjetë.” “Sa të mbetën?” “Njzetekatër.” (f.689) Një dialog i ngjashëm gjendet dhe te libri “Rrathët e Ferrit” i Visar Zhitit. Realiteti mjeran nxin edhe te dialogu i nënës me djalin në burgun e Zejmenit: “Të falenderojmë, o djalë, që nuk na korite e nuk u dënove si armik i pushtetit, por vetëm për hajni.” (f.701) Brenda burgut janë xhelatët e verbër që deklarojnë me të madhe: “Ti nuk më njef mue. Unë jam urrejtja klasore.” (f.486) Në gjykata ishte prokurori Aranit Çela “i cili me guxim djaloshar synonte me hi në litën e njerzve të përmendun të drejtsisë komuniste internacionale,” (f.62) kurse brenda burgut shkonte për të shpalosur dhunën Nevzat Hasnedari, korrifeu i terrorizmit enverian. (f.622)

Në rrafshin vetjak At Zef Pllumbi, siç e pohonte vetë, ishte anarkist: “Un due vetëm lirinë e njeriut deri aty ku të mos jetë e damshme për tjerët…Sikur mos t’ishin sundimtarët, nuk do të kish as lufta. Ky asht anarkizmi im: leni njerzit në punë të vet.” (f.224) “Lirinë e kqyrshe sikur t’ishte nji kandil i vogël prej dheut, mbushun me voj ullinit, që mban ndezun nji dritë të vogël mbrenda njaj kasolleje të vorfën, nën çatinë prej kashte të së cilës rritet nji çift pëllumbash të butë që dijnë veç me bâ fëmijë për me vazhdue jetën.” (f.582)

Faqet e tejmbushura me hetuesi e tortura ua lënë vendin aty-këtu disa oazeve me rrëfenja që lidhen me zakone e karaktere të tilla si bashkëjetesa e komitit me ujkun, gjama malësore, hajnia dhe përzgjedhja e goditjes, rrëfenja për elefantin dhe elefanteshën, ilustrimi i shprehjes “ka dhe më keq”, humori për gozhdën, dërrasën dhe çekiçin, udhëtimi 150 km i maçokut Kuqo, dy rivalët që u futën nga mbreti në një fuçi, llupësi Ferit Lopa, mullisi që ndërroi rrobat e veta me të gjeneralit, pula e varur te agjencia e udhëtarëve në Lezhë, etj. Po veçoj, të shtrydhur, një shaka tipike shkodrane, “një barcoletë me xhanxhafil” siç e quante mësuesi i edukimit fizik Shyqyri Gruda (f.559): Shkoi dikush të blinte një çark për minj. E pyeti shitësin se si përdorej. “Në majë të këtij teli vendos një copë mish të thatë.” “Po t’kishem mish, e ha un e nuk ia qes minit.” “Veri pak djathë të fortë.” “As të fortë as të butë nuk e ka pa në shtëpi teme.” “Nji koje buke t’lyeme me voj.” “Shka po thue? Un i vetmi jam në punë, grueja pa punë, kam tre fëmijë, kam nanën, kam gjithë me nga 400 gr bukë. Mandej voj! Ku gjendet ky? Në Vlonë ose në Berat, se këndej më kallxo ku e ka pa ti.” “Jo, jo, as unë nuk kam pa kund. Por puna asht këtu: në kjoftë se ti mish nuk ke, djathë jo, bukë e voj jo, atëherë shka ka me hangër mini te ti?”

Një libër me 713 faqe në një format të madh është një objekt i frikshëm për ta parë dhe një lumë i rrëmbyer për ta kapërcyer, por, kur zbulon se brenda tyre ndrydhen rreth 10 mijë ditë burgu, atëherë shfleton edhe faqen e fundit të tij dhe pyetja e parë që mund t’i drejtosh vetes është: Si ka mundësi që ka dalë i gjallë nga ai kalvar i gjatë? Përgjigjja është në faqen 253 të tij.

(Libri “Rrno vetëm për me tregue” i At Zef Pllumit, Tiranë 2006).

Filed Under: Opinion

Si të merreni me një narcisist kur nuk mund t’i shmangni ata?

February 6, 2024 by s p

Rafael Floqi , shkëputur nga libri në proces “Psikologjia e vetvetes”

Ndërsa këshillohet gjithmonë t’u jepet narcisistëve një shtrat më të gjerë, kjo nuk është gjithmonë e mundur. Si të menaxhoni sjelljen narcisiste kur nuk mund t’i shmangni ato.

Në një botë ideale, ne do të rrethoheshim vetëm nga ata që respektojnë kufijtë tanë personalë. Nuk do të kishte shefa qortues, miq të tejkaluar apo të afërm manipulues dhe ne do të ishim në gjendje të ndjenim ndonjë toksicitet një milje larg dhe ta ndërpresim menjëherë.

Por fatkeqësisht nuk është gjithmonë kështu, dhe ne mund ta gjejmë veten në situata nga të cilat mendojmë se duhet të largohemi në vend që të ikim. Edhe nëse dikush afër nesh shfaq sjellje që e dimë se është e keqe, nuk është gjithmonë e mundur ta lëmë një punë, të largohemi, po ta ndërpresim dikë ose t’i japim fund një lidhjeje.

Ky është veçanërisht rasti kur bëhet fjalë për të jetuar afër me një narcisist. Sipas Psychology Today, narcisistët kategorizohen si njerëz me një pikëpamje tepër të fryrë për veten, gjë që shpesh çon ata në një ndjenjë të konsiderueshme të së drejtës dhe sjellje që shpërfillin nevojat, dëshirat dhe ndjenjat e të tjerëve rreth syresh.

Sidoqoftë, tiparet narcisiste, megjithëse duken të lehta për t’u identifikuar, ekzistojnë në një spektër, dhe e vërteta është se ne të gjithë bëjmë gabime dhe veprojmë në mënyra që janë më pak se ‘të shëndetshme’ ndonjëherë. Por ballafaqimi me sjellje të përsëritura toksike është një histori krejt tjetër, dhe diçka që kërkon navigim të kujdesshëm për hir të shëndetit tonë, sigurisë dhe mirëqenies mendore.

Pra, si të silleni me një narcisist që nuk mund ta shmangni dot? Ai që është aq fort i çimentuar në jetën tuaj saqë mendoni se opsioni juaj i vetëm është t’i duroni ata?

Gjëja kryesore është që së pari të kuptoni se me çfarë lloj narcisi keni të bëni.

Ndërsa ka shumë spekulime mbi llojet e narcisistëve atje, pjesa më e madhe e hulumtimit sugjeron se ekzistojnë dy variacione kryesore. E para, narcisizmi madhështor ose narcisizmi i hapur, përkufizohet si kur një person ka një imazh superior për veten dhe ka dëshirë ta ruajë atë imazh, të fitojë admirim dhe vëmendje nga të tjerët dhe të demonstrojë një ndjenjë dominimi ose fuqie.

E dyta, e njohur si narcisizëm i pambrojtur ose i fshehtë, kategorizohet nga vetëbesimi i brishtë, nga i cili një vetë-imazh i fryrë është shpesh një mekanizëm përballues për vetëvlerësimin e ulët.

Të dy llojet e individëve mund të jenë jashtëzakonisht shfrytëzues, duke përdorur metoda shpesh delikate por shtrënguese për të poshtëruar të tjerët.

Kur përgatiteni të takoni një narcisist, duke i kujtuar vetes vlerën tuaj dhe të kuptuarit se personi me të cilin keni të bëni mund t’ju shkaktojë mund të jetë i dobishëm, shpjegon Dr Houda Ounnas, një mjeke e trajnuar për psikoterapi.

“Njerëzit narcisistë kujdesen për imazhin e tyre më shumë se çdo gjë, kështu që shmangni kontaktet një me një tw tillw kudo që të jetë e mundur,” vazhdon Dr Ounnas. “Ata mund të jenë të tmerrshëm për ju në jetwn private, sepse kjo është ajo që ata bëjnë me njerëzit më të afërt me ta, të cilët tashmë kanë parë që maska t’i bjerë. Megjithatë, me shumë mundësi, ata do të sillen të sjellshëm dhe të dashur në publik, sepse duan t’u bëjnë përshtypje të huajve dhe të rrisin “bazën e tifozëve”. Përdoreni këtë në avantazhin tuaj. Nëse mundeni, takohuni diku publikisht dhe me një person tjetër të pranishëm.”

Dr Ounnas gjithashtu thekson rëndësinë e reagimit – por jo tw reagimit – ndaj sjelljes narcisiste. “Narcisistët i duan reagimet emocionale. Ata i perceptojnë ato si furnizim dhe ushqehen me to për të nxitur konfliktin dhe për të krijuar konfuzion dhe kaos që është atmosfera në të cilën ata lulëzojnë. Ju mund ta largoni këtë duke përdorur metodën e “shkëmbit gri”: përgjigje të shkurtra, pa emocione, shumë objektive, edhe nëse ato ju bwjnw tw kërceni.”

Kini parasysh se ata mund të përpiqen t’ju bëjnë të ndiheni fajtorë kur vendosen kufijtë, por është e rëndësishme të qëndroni të fortë

Michelle Begy, themeluesja e Ignite Dating, pajtohet se është e rëndësishme të kujdeseni për veten dhe t’i jepni përparësi mirëqenies suaj në këto situata. Pra, pavarësisht nga rrethanat, mbroni veten, jini të vendosur me kufijtë dhe kërkoni mbështetje shtesë kur dhe ku keni nevojë. “Të lundrosh në një marrëdhënie romantike me një partner narcisist nuk është gjithmonë e lehtë, por kjo nuk do të thotë që marrëdhënia nuk mund të funksionojë me disa ndryshime të vogla”, thotë ajo për Stylist.

“Nëse keni vendosur të qëndroni në marrëdhënie, duhet të kuptoni se për shkak të tipareve të sjelljes së narcisistit, nuk ka gjasa që partneri juaj të ndryshojë. Kjo do të thotë që pjesa më e madhe e punës do të jetë mbi ju që të njihni shkaktarët dhe më e rëndësishmja të vendosni kufij të qartë – por është ende e mundur të keni një marrëdhënie, thjesht mund të duket paksa ndryshe nga mënyra se si e keni imagjinuar atë.”

“Vendosja e kufijve në çdo marrëdhënie është e shëndetshme, por kur jeni në një marrëdhënie romantike me një partner narcisist, mund të jetë jetike. Shëndeti i mirë mendor është jetik dhe ndërsa një rrjet i fortë mbështetës ose terapist mund t’ju ndihmojë të menaxhoni shpërthimet, vendosja e kufijve mund të ndihmojë në mbrojtjen e mendjes suaj dhe t’ju ndihmojë të menaxhoni situatën në një mënyrë më të shëndetshme, “thotë Begy.

“Mendoni se çfarë është e rëndësishme për ju dhe shëndetin tuaj mendor. Mund qoftë të kaloni kohë me miqtë tuaj ose të largoheni kur një bisedë bëhet e keqe; duke vendosur këta kufij dhe duke i bërë të qarta që në fillim krijon një precedent për atë që prisni. Jini të vetëdijshëm se ata mund të përpiqen t’ju bëjnë të ndiheni fajtor kur vendosen kufijtë, por është e rëndësishme të qëndroni të fortë dhe t’u përmbaheni atyre, sepse nëse pendoheni, atëherë ata nuk mund të mësojnë kurrë të respektojnë kufijtë me ju.”

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1160
  • 1161
  • 1162
  • 1163
  • 1164
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT