• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALBANOLOGU AUSTRIAK HERMANN M. ÖLBERG, MIK I MADH I SHQIPTARËVE  

February 3, 2024 by s p

 Hazir MEHMETI, Vjenë/

“Miqësia e vërtetë është e drejtë dhe e guximshme” ( F.Schiler)                 
“ I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qënë Austria merhume e Habsburgëve. S’duhet t’ia hamë hakën” (F. S. Noli)

Hermann M. Ölberg, indoevropianist dhe albanolog i njohur austriak hulumtoi mbi gjuhën shqipe duke publikuar punën e tij që në vitet pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Në shenjë mirënjohje Universiteti i Tiranës dhjetë vjet më parë e nderon me titullin: Doctor Honoris causa”. Ai, në veçanti ishte mik i UN të Tiranës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.      

     Prof. dr. Hermann Ölberg ishte vazhdues i punës hulumtuese prej gjuhëtarësh të njohur austriakë në fushën e studimeve albanologjike. Pasues i rrugës së  Norbert Jokli  i cili vuri bazat shkencore dhe me të drejtë cilësohet si themeluesi i studimeve albanologjike. Në pesëdhjetë vjetorin e ekzekutimit të Norbert joklit nga fashistët gjerman (mars 1942), Dr. Herman M. Ölberg  e përkujton me një konferencë shkencore-universitare ndërkombëtare, ku ai mbajti referatin e tij: “Disa mendime  rreth autoktonisë së Shqiptarëve në gadishullin e Ballkanit”.       
    Një pjesë të studimeve të tij i paraqiti në disertacionin me temë “Hulumtime për leksikun indoevropian të shqipes dhe për fonologjinë diakronike në bazë të sistemit të zanoreve”, ( Në gjermanisht:  “Untersuchungen zum indogermanischen Wortschatz des Albanischen und zur diachro¬nischen Phonologie auf Grund des Vokals¬ystems”.  “Çështje të historisë së gjuhës shqipe. Çështje parimore për hundorësinë” 1971); “Griechisch-albanische Sprach¬beziehungen: Untersuchungen zum altgrie¬chischen Wortgut im Albanischen”, 1972.
      Në studimet e tij për gjuhën shqipe i përmbahet tezës së vazhdimësisë ilire, ai mbron autoktoninë e shqiptarëve si banorë të hershëm në trojet e tyre etnike. Në Universitetin e  Insbrukut ndihmoi për specializimin e filologëve shqiptarë. 

      Prof. Dr. Hermann Ölberg-ut Universiteti i Tiranës në vitin  2005 i ndanë titullin  “Doctor honoris Causa”, kurse Ambasada e Republikës së Shqipërisë ia dorëzon përmes ambasadorit Dr. Artan Canaj në Insbruk, me motivacion:   “Prof. Ölberg ka dhënë një vepër me vlera në sqarimin e problemeve në historinë e   gjuhës shqipe, origjinës dhe lidhjes së saj me gjuhët tjera“- ( Gjermanisht: “Prof. Ölberg hat einen wertvollen Beitrag für die Klärung der Grundprobleme der Geschichte der albanischen Sprache, ihrer Herkunft und Beziehung mit anderen Sprachen geleistet” 

    Prof. Dr. Hermann Ölberg, ishte njohës i mirë i rrethanave shoqëroro-politike në trevat shqiptare e në veçanti atyre në Kosovë. Ai ishte përkrahës i të drejtave të kosovarëve për liri dhe e ndiente pozitivisht progresin e shqiptarëve në të drejtat e tyre në Kosovë dhe trevat tjera etnike shqiptare në Gadishullin Ilirik.  Këtë e dëshmon edhe letërkëmbimi i tij me shkrimtarin dhe hulumtuesin  Bedri Tahiri nga Galica. Pasi e merr librin e tij “Azem Bejtë Galica” në vitin 1996, i bënë  përshtypje, si për kohën kur u botua dhe për të dhënat e reja që sillte libri, ai i shkruan letër përshëndetëse autorit më 30. 05. 1996. 

   I nderuari Z. Bedri Tahiri!   Ju përgëzoj për botimin e librit “Azem Bejtë Galica”, i cili hedh dritë mbi luftërat e pandara te Popullit Shqiptar për Liri e Pavarësi. Është shumë interesante përmbajtja e kësaj monografie mbi luftëtarin dhe trimin e patrembur shqiptar, Azem Bejtë Galica, që pasqyron ndjenjat patriotike dhe të kaluarën e hershme Krishtjane të popullit shqiptar, që para ardhjes së Perandorisë Osmane e deri në ditët e sotme nën sundimin serb.

Ky libër është, jo vetëm dokument Historik,  që ju me zbulimet e fakteve të reja historike e të gojëdhënave të popullit e bëjnë edhe më interesante kur dihet se vlerat e rëndësishme Historike nga e kaluara e popullit shqiptar janë të pakta, si pasojë e sundimeve të ndryshme, që nga Perandoria Osmane e deri në ditët e sotme, nga pushtetmbjatësit e metejshëm me dhunë të Kosovës që çdo gjë shkatërrojnë e mohojnë, jo vetëm historinë e lashtë shqiptare, por mohojnë edhe besimin e tyre të hershëm krishtjan, me qëllime e prapavijë të caktuar politike, duke mbrojtur tezën e tyre se shumica e popullsisë së sotme i takon atij besimi musliman dhe në këtë mënyrë dëshirojnë mohimin e prejardhjes shqiptare nga paraardhësit e tyre ILIR, duke mos përmendur njëherit edhe elementet krishtjane të popullit shqiptar para ardhjes së pushtuesve turq në Ballkan.

Në anën tjetër, vepra Juaj pasqyron edhe dëshirën e zjarrtë të popullit tuaj për liri dhe sakrificat e pareshtura drejt Çlirimit Kombëtar. Unë si Albanolog ju uroj juve dhe mbarë popullit shqiptar suksese të plota deri në fitoren përfundimtare, në mënyrë që edhe shqiptarët, si gjithë popujt e tjerë ballkanikë e evropianë të gëzojnë të drejtat e tyre të ligjshme për vetëvendosje dhe mbes me shpresë se ky problem të zgjidhet në mënyrë paqësore.

Ju falënderoj shumë për dërgimin e një ekzemplari ku krahas librave të tjerë të Letërsisë Shqipe do të zë vend edhe kjo monografi e Azem Bejtë Galicës.

Ju uroj suksese dhe punë të mbarë në idealin e juaj Kombëtar! 

Me respekt!

Univ. Prof. Dr. HERMANN M. ÖLBERG

        Letra  dashamirëse e zbulon qëndrimin e albanologut austriak rreth shqiptarëve. Ai shpreh haptas respektin për lëvizjen shqiptare për të drejta e drejtuar nga intelektualët e rinj, mes tyre dhe autori i veprës Bedri Tahiri nga Galica të cilën e njeh Prof. Hermani nga leximet e tij.  Pa dyshim, Prof. Dr. Heman Ölberg, do mbetet gjithmonë në kujtesën shqiptare si mik i respektuar brezave.

Filed Under: Mergata

AKAD. PROF. DR. MARK TIRTA U DEKORUA NЁ PRISHTINЁ

February 3, 2024 by s p

Zymer Ujkan Neziri/

Presidentja e Republikӫs sӫ Kosovӫs, Vjosa Osmani, dekoroi akad. prof. dr. Mark Tirtӫn me dekoratӫn Medalje Presidenciale e Meritave. Ajo iu dorӫzua nӫ Ambasadӫn e Kosovӫs nӫ Tiranӫ, nga Skӫnder Durmishi, ambasador, mӫ 25 janar 2024. Tӫ pranishӫm qenӫ: akad. Skӫnder Gjinushi, kryetar i Akademisӫ sӫ Shkencave, akad. Vasil Tole, prof. dr. Afӫrdita Onuzi, gjenerali mirditor Dedӫ Prenga, studiuesi nga Nikajt, dr. sc. Mark Palnikaj, inxh. Shkodran Dashamir Uruҫi me kreun e Kuvendit Kombӫtar, prof. Mehmet Bardhi me grupin nga Ulqini, piktori nga Mirdita, Pjetӫr Marku, historiani mirditor dr. sc. Nikollӫ Loka dhe tӫ tjerӫ.    

Hulumtuesi i njohur Mark Tirta është ndër të rrallët e albanologjisë që mbi gjashtë dekada mori pjesë në ekspedita kërkimore-shkencore, ekipore dhe individuale në të gjitha viset shqiptare në Ballkan: nga fushat etnografi: rite, doke, e drejtë dokësore, mite, kulte, demonologji; veshje popullore të krahinave të ndryshme; folklor e gjuhësi, sidomos në mbledhjen e fjalëve të rralla, të toponimeve e të antroponimeve, si dhe në fushën e historisë e të arkeologjisë, duke gjurmuar vendbanime të vjetra, varre e mbishkrime. Etnologu Mark Tirta është studiuesi ynë i madh që hartoi etnologjinë e përgjithshme, shkroi etnologjinë e shqiptarëve me te gjitha veçoritë kombëtare dhe projektoi periodizimin e saj, që nga lashtësia ilire, Mesjeta, periudha osmane, periudha e shtetpashallëqeve shqiptare, periudha e Rilindjes Kombëtare, periudha e Pavarësisë, si dhe periudha pas Luftës së Dytë Botërore. Mitologu Mark Tirta ka kurorëzuar punën e tij të gjatë mbi gjysmë shekulli në lëmin mitologjisë ndër shqiptarë, si trashëgimi nga të parët, vijimësi e traditës ilire për mitet, vlerë e madhe me tipare etnike, pasuri etnokulturore e popullit shqiptar. Ai ka hartuar monografinë e parë të këtij lloji ndër ne, ku ka shqyrtuar me përkushtim të madh sidomos mitet, ritet, kultet, po edhe qeniet mitike, demonët, po edhe heronjtë legjendarë të kulturës popullore: Çeto Bashe Muji, Sokol Halil Aga, Gjergj Elez Alia, si edhe toponimet mitike, që janë me interes jashtëzakonisht të madh për folkloristikën shqiptare, sidomos për epikologjinë. Studiuesi Mark Tirta solli për herë të parë në studimet albanologjike një sintezë mbarëshqiptare për migrimet në aspektin etnologjik, duke përfunduar se lëvizjet migruese krijuan komunikim shoqëror ndërkrahinor, ndihmuan përgjithësimin kombëtar të shumë elementëve kulturorë tradicionalë e krahinorë, u bënë mbështetje e fuqishme e zhvillimit të procesit historik kombëtar, por migrimet e jashtme sollën  ngushtim etnik të trojeve shqiptare, çrregullime demografike, dëmtime të forcave njerëzore, të traditave kulturore, kombëtare e krahinore, shkëputje përgjithmonë nga trualli amëtar, të shpërndarë në Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi, Egjipt, Amerikë, Argjentinë, Australi, Meksikë, Brazil, Ukrainë, Rusi, e sidomos në Turqi. Dijetari Mark Tirta sintetizoi ligjin dokësor shqiptar, duke e cilësuar si dëshmi e aftësive krijuese kombëtare në fushën juridike, me veçori të rralla, siç janë : barazia, liria, atdhetarizmi, nderi, burrëria, besa, mikpritja, ndihma, vlera etnokulturore për luftë kundër pushtuesve dhe keqbërësve, për mbrojtjen e kulturës etnike, si pjesë e historisë së qytetrimit shqiptar dhe monument kulture për studiuesit. Profesori universitar Mark Tirta ligjëroi me shumë sukses lëndët mësimore: Etnologjia, Etnologjia e Ballkanit dhe Etnologjia e Mesdheut, në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Prishtinës, duke dëshmuar profesionalizëm të shkallës së lartë të një pedagogu me veti të jashtëzakonshme përafruese me studentët e tij, ashtu edhe me kolegët e punës. Kumtuesi akad. prof. dr. Mark Trita nderoi me dinjitet të madh shkencor e kombëtar albanologjinë dhe studimet albanologjike, sidomos jashtë vendit, me kumtesa në simpoziume, konferenca e kongrese ndërkombëtare, duke e shpalosur dijen e tij të çmuar albanologjike dhe duke e mbrojtur me guxim e krenari të vërtetën dhe vlerat e mëdha të etnokulturës shqiptare. Me veprat e botuara, akad. prof. dr. Mark Tirta ka ngritur një monument të lartë për etnokulturën shqiptare: Mitologji e besime ndër shqiptarë (1973), Mirdita, njohuri për vendlindjen (bashkautor), (1999), Migrime të Shqiptarëve te brendshme dhe jashte atdheut (1999), Veshjet popullore shqiptare,1, (bashkautor), (1998), Veshjet popullore shqiptare, 2, bashkautor, (2001), Veshjet popullore shqiptare, 4, bashkautor, (2009), Etnologjia e Përgjithshme (2001, 2008), Etnologjia e Shqiptarëve (2003, 2006), Mitologjia ndër Shqiptarë (2004), Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji (2006), Panteoni e simbolika, doke e kode (2007), Lëvizje migruese të brendshme të popullsisë shqiptare (2009), Etnokultura shqiptare. Ligji dokësor (2016). Ka botuar mbi 400 njësi bibliografike, brenda e jashtë vendit, nga fushat: etnologji e përgjithshme, etnologji e Mesdheut, etnologji e Ballkanit, etnologji e shqiptarëve, mitologji, demonologji, rite, doke, e drejtë dokësore, migrime, demografi, veshje popullore, folkloristikë, epikologji, histori, akreologji, kulturë ilire, gjuhësi, onomastikë, teknikë dhe metodologji e kërkimit shkencor.

Propozimin tim, me arsyetim tӫ hollӫsishӫm, e kanӫ pӫrkrahur me nӫnshkrimet e veta studiues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe të Studimit të Artit, Tiranë, të Institutit Albanologjik të Prishtinës, si dhe disa sudiues nga institucione të tjera nga Tirana, Durrësi, Shkupi e Ulqini: akad. prof. dr. Shaban Sinani, prof. dr. Afërdita Onuzi, prof. dr. Nebi Bardhoshi, prof. asoc. dr. Mikaela Minga, dr. sc. Mark Palnikaj, prof. dr. Nevila Nika, prof. dr. Zeqirja Neziri, prof. dr. Izaim Murtezani, prof. Mehmet Bardhi, prof. dr. Lush Culaj, prof. asoc. dr. Bashkim Lajçi, prof. asoc. dr. Lumnije Kadriu, prof. asoc. dr. Albin Sadiku, dr. sc. Manjola Xhaferi, dr. sc. Nikollë Loka.

Filed Under: Kronike

MISSIONARY HERALD (1911) / RRËFIMI I PASTORIT AMERIKAN PHINEAS BARBER KENNEDY : “NJË UDHËTIM ME KALË NËPËR SHQIPËRI ËSHTË JO VETËM SHUMË INTERESANT, POR ZBULON EDHE RËNDËSINË E SAJ TË MADHE SI FUSHË MISIONARE…”

February 3, 2024 by s p


Burimi : Missionary Herald, maj 1911, faqe n°321
Burimi : Missionary Herald, maj 1911, faqe n°321

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Shkurt 2024

“Missionary Herald” ka botuar, në maj të 1911, në faqet n°320 – 321, rrëfimin e pastorit amerikan Phineas Barber Kennedy mbi mundësinë e zhvillimit dhe përhapjes së letërsisë së krishterë asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Terren strategjik

(Fusha e Turqisë Evropiane)

Burimi : Missionary Herald, maj 1911, faqe n°320 – 321
Burimi : Missionary Herald, maj 1911, faqe n°320 – 321

Në shënimet e bëra së fundmi nga Pastori P. B. Kennedy mbi Shqipërinë si fushë misioni, një pikë e veçantë i kushtohet karakterit të saj strategjik dhe urgjencës së mundësive të tanishme atje :

“Shqipëria është vendi i mrekullueshëm malor në pjesën perëndimore të Turqisë në Evropë, në kufi me Adriatikun. Këtu sapo ka nisur puna nga Bordi Amerikan, ndonëse prej shumë vitesh interesohet për Konviktin e Vajzave në Korçë, i drejtuar me sukses nga Zonjusha Sevasti Qiriazi, dorëheqja e së cilës së fundmi do të bëjë të nevojshme ndryshime të rëndësishme. Puna persekutohet vazhdimisht nga qeveria dhe kisha ortodokse greke. Aktualisht, kjo shkollë ka gjashtëdhjetë nxënës ditorë dhe njëzet konviktorë. Vajzave u refuzohet hyrja për shkak të mungesës së hapësirës, pasi ambientet aktuale janë shumë të ngushta.

Ndërsa ky komb sapo ka filluar të zgjohet për përdorimin e gjuhës së tij, nevoja dhe mundësia për letërsinë e krishterë është përtej përshkrimit. Unë mendoj se është kombi i fundit në faqen e dheut që nuk e ka Biblën e Shenjtë në gjuhën e vet, megjithëse Shoqëria Biblike Britanike dhe e Huaj tani po mendon të marrë përsipër këtë punë. Për këtë kanë vendosur një shtypshkronjë të madhe në Manastir. Vetë shqiptarët kanë nisur botimin e disa gazetave. Tani është rasti për t’u dhënë atyre literaturë të krishterë, që ndikimet e tjera të mos dëmtojnë të ardhmen e tyre të ndritur.

Puna ungjillore po fillon edhe në Elbasan, një qytet në Shqipëri, tre ditë udhëtim me kalë në veri të Korçës. Po bëhen përpjekje për hapjen e një institucioni të madh për djem dhe të rinj. Vetë shqiptarët, si të krishterët ashtu edhe myslimanët, janë të etur për të. Një institucion i tillë, dhe ndoshta një spital më vonë, do të përparonte shumë interesat e Krishtit në këtë pikë strategjike. Një udhëtim me kalë (nuk ka asnjë mjet tjetër transporti) nëpër këtë vend është jo vetëm shumë interesant, por zbulon rëndësinë e tij të madhe si fushë misionare. Për të arritur botën myslimane, duhet të arrish Turqinë. Për të arritur Turqinë, duhet të arrish racën e fortë, të guximshme të shqiptarëve, të cilët mbajnë kaq shumë poste drejtuese në të gjithë perandorinë, veçanërisht në ushtri. Për të arritur Shqipërinë, është e nevojshme të përmirësohet hapja e mrekullueshme providenciale brenda kësaj race të fortë dhe të pavarur.”

Filed Under: Reportazh

Gjuha e bukës – Giuseppe Skirò di Maggio \ Zef Skiro di Maxho

February 3, 2024 by s p

Ornela Radovicka 

Qëndra Albanologjike  kërkime dhe studime  mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar në 1980.  

Gjatë vizitës së promovimit të librit” Fotosintezë e shpirtit tim” të gazetarit Rifat Rexhepit, në Hora të Arbërshëve, në drejtimin e shoqatës “Hora e Skëndërbeut”,me  Dani Morina e Veli Genc Berisha, si dhe të të shoqëruar nga dy miq të mirë  shembull  të mbrekullueshëm  të botës arbëreshe  Salvatore di Chiara, si edhe Lino Parrino, shkuam për një vizitë në shtëpinë e shkrimtarit profesori Zef Skiro di Maxho, prodhues artistik i botës arbërore, lëvrues i shumë  shumë zhanërve. Në shtëpi na priti  edhe  zonja Marg Scilipa një poete e ngrohtë, një grua fisnike ku ruan ende  atë elegancë që as orari biologjik nuk mund të ta heq kurrë. Të gjithë së bashku kaluam disa çaste shumë të këndëshme. Momenti më i bukur për mua është kur më dhurojnë libra. Ky xhest nuk u mjaftua vetëm nga profesori por edhe  Zonja Margarita e cila  më dhuroi  vëllimet e saj me  poezi(që do të ndalem herës tjetër për  të folur për to). 

Mbrëmjen e karnavaleve, të 2024 e cila u festua midis ndërrimit  të datës 10 janar duke u gëdhirë 11 janar, më afrohet një vajzë arbëreshe dhe më dhuron librin “Gjuha e bukës” të autorit Giuseppe Skirò di Maggio \ Zef Skiro di Maxho. Atë natë shkrimtari  Giuseppe Skiro di Maggio mbushte 80 vjeç.

Atë mëngjes, ndërsa  prisja fluturimin, nxorra librin “ Gjiha e bukës” e  nisa ta shfletoja. Brënda në ato faqje perceptova se poezitë  ishin shumë aktuale. Në këto  poezi  të autorit   Skiro di Maxho ndihej sopravvivenza (mbijetesa) arbërore, ai sentiment të pastër dhe e pandotur që i rezitoi kohës si mjet  autentik  sikur të ishte një monument në gurë. 

Struktrura e këtij vëllimi poetik  është ndarë në tre pjesë, të cilat  ndjekin një farë evolucioni organik  midis tyre; “Sunata”, “ Anno zero”, “Kopica e Ndryshku”.  

Në kapitullin e parë, autori Skiro lëvron  me poezi  mbi fizikën dhe egistencializmin;” Pa folur rrinë zëra njeriu\ se flasin veglat e duarve të djersitura- do shkruante autori tek poezia “ Lëndë” 

Vetëdija për një entitet e cila  nuk kuptohet nëse nisimi vetëm  nga e tashmja, por duhet  filluar në mënyrë radikale  nga e kaluara dhe e projektuar në të ardhmen.; “Jemi  duke mbajtur mbi shpatulla peshën  e rrënjëve të  shekujve, si dhe urtësinë e “ndërgjegjes së re” – do shprehej autori në ato poesi të shkurtra dhe herë lakonike.  

 “Janë buzë që flasin pa përgjigje”, ndërsa  “Koha nis sërish e ngushëlluar nga mungesa”. 

 “koha” si antiteza më e fuqishme, pjesë e eksponentit  “ Asimilim”. Vetëdija e qenies është koha”, 

ai koncepti “ Kohë”  ku Vitet rrjedhin  dhe arbëreshi  po bëhet pre e zhdukjes së  tij.  

“ Hapsira” në poezitë e autorit  ngelet me dozën  e saj territoriale, e limituar, midis binomit “ Njeriu dhe etnia”. Hora  në vargjet e tij  është një hapsirë  sa reale por edhe aq agnostike. Autorin e frikson e ardhmja e Horës  e futur ne labirintin  “ Globalizim”.  Vetëm nëse ndalon e vëshgon  sytë e Horës  mund të kuptosh rrjedhshmërinë, lëvizjejen e saj, tërbimin e saj.  I zhytur në shtjellat hapsirë-kohë, një shërbëtyre si mal me rrënjë uji, shfaqet, ku erërat  nyjëzohen, kumbora e orëve të Odhigjitrisë  çanë mjegullat e gjynjëzuar, e ndijim misteresh  thërrasin në jetë kalorsit e Skënderbeut- shkruan autori  

Për poetin Skiro di Maxho; Dielli nuk kthehet në rreze, por një “copë e vjedhur nga era”,pjezësa fotoni të nderur në diell.

Shpesh herë  mendimi i tij  apostrofohet në klauzolën “fizik dhe moral”; “Ne, si pemët lëngjet i sjellim nga dhethi ku lindëm, bota është mozaik, dhe epitafet zgjerojnë “rrënjë dhe lartësi” e të çon  përtjej atij kufirit alabstër. 

Me fjalën e tij të lirë, autori na përcjellë  në një rrugë të hapur, midis një “perëndimi dhe agimi” me  vështirimin nga  lindja. Në mbrëmje duart të vogëla e të thata të bujkut zhveshin shpirtin e heshtjes, hapin derën puhive të vakta ku gratë unjeshin nën hije,  rrëfenin përrallat, vajzat në dhomat e arta qendisnin pajën, e këndojnë Pecutën e butë, që i rriti mirë. Intinerari i kthimit  drejt Horës “gdhendet në palcë”. 

Jeta, një  kafshim e puthje stinësh, valë që ikin nga krahët duke shkumuar, ndërsa malli i hollë  përdridhet, te rrëza e Kumetës  nën tingujt e kumborës me ajrin e qëlluar barsë.  

Cdo gjë lind, zhvillohet dhe vdes, por “para se të fiket çdo zë arbëresh, brenda qarkut të këtyre maleve  të nxjerrim thirrma kushtrimi për rrezikun, të humbas e folmja jonë”.  

Në Hora sa herë  kthehesh mund të kesh harruar ndonjë fjalë, por Hora ta kujton. Ajo është fjalori  më i gjallë sepse  çdo gjë frymon arbërisht,Shkëmbi, Sheshi, Përroi, kroi, lumi i Gjonit. Këtu që nga viti 1488 është një Arbëri. Spërkat vargjet me notat e identitetit të tij, arbëresh në gjuhë dhe në rit.  Stema e Horës janë kallinjtë dhe ylli. Simbolet e bollëkut dhe simboli i lashtësisë si popull. “Korrën këtu një kalli\ mbeti i vetëm si gisht i nderë drejt qiellit. Ne mbajën e kallirit vendosa vetëtimën të fërgëllojë\ kur të fryjë era në kaltrsi e tokë.”  

Për autorin, rënia e apoteozës të dështimit të filozofisë së altruizmit efektiv është plaga e shekullit.  

Që  prej 2000 vjet flasim për teoremën më të lartë të virtutit humanë “Dashurinë” për njeri-tjetrin,  dhe ky projekt gjithmonë dhe më i dështuar,“Do të duhej të duheshim ka dy mijë vjet\ por i varfëri edhe tash qan e qesh me zgërdheshje”- do të shkruante Ai tek  poezia  “Dashuria” .

Autori shkon më thellë asaj aksiome  të tuprshme humane  krimi i kryer i  qënies njërëzore, dhe për këtë  ai  na përcjellë në  Portellë, Purtelja e Gjineshtrës. Një mëngjes Maji 1947 me flamuj nëpër duar  u vranë një grupë të pafajshëm midis  tyre edhe edhe një  vogëlueshe 8 vjeçare. “Perëndimi ka pasqyrim gjaku, e nesërmja do të jetë mot i mirë” – do të përfundonte vargjet  autori.   

Në pjesën e parë nuk mungojnë edhe poezitë e karakterit  erotik.  Poezia “Eva” e cila mbartin  vargje me nota të “sofistikuara” joshëse; “i djersitur, i bjerrë, në të miat humnera, yti nur”, po ashu edhe tek  vargjet  “Hermione” gjejmë  nota erotike me sfumaturë malinconie dashurie; “jeta tek kufiri i një çasti.”      

Pjesa e dytë“Anno zero”, është një stil kaligram, dhe mund të themi që ka patur një farë influence nga simbolizmi francez. Në këtë pjesë të librit poeti Skiro di Maggio, na përcjellë  vargjet e tij të skicuara,  gjë që na kujton  poetin  Apollenair,  i cili kanalizoi  në veprat e tij frymën e inovacionit e cila u ndje në Evropë midis shekujve XIX dhe XX. Këto poezi të Skiroit ndërpresin në mënyrë drastike lidhjet me traditën poetike tradicionale dhe përdorin  herë në  stilin vertikal, si  një “ gotik modern”  dhe herë atë horizontal si faqet intime si në një kartoline. Ky stil  i jep liri  kufizimeve te metrikës, dhe gjuha  që përdor, i japin  një “dizenjo” kuptimit.

Pjesa e fuqishme dhe e drejtpërderjt është pjesa e trete, “Kopica e Ndryshku”. Në këtë kapitull duket sikur autori ka në dorë atë forcë ndergjegjeje, një bagazh sa kulturor aq edhe pjekuri shpirtërore,  që e ndihmon   për të kuptuar gjithshka mbi botën e arbëreshit dhe çfarë po ndodh me të në botën e globalizimit,:”Lanë gjuhën tonë\ kultura lëtire\ aq mendimet na i pushtoi”. 

Me forcën kritike të ngjyer në sarkazmën e tij  poeti Skiro  iu drejtohet bashkëatdhetarëve të  vet se identiteti , si dhe sensi i përkatësisë është virtuti më suprem për individin e një grupi  që kanë lidhje në gjuhë dhe sentiment; “Mëma arbëresh e ardhur nga qyteti\hedhur papandehur\mbi qetësinë fjalë lëtirë të mbajë\ foshnjen të ikën te vapa\ vieni qui dove vai\ non correre, fermati\.. 

Shpopullimi ngelet një nga argumentat në poezinë e Skiro di Maxho, por autori shpreson tek etnia e tij, tek komunieteti tij; “Arbërshi i destinuar ti mbijetojë çdo Polis…  Unë,Ti, Ai\ Ai, Unë, Ti\Ti, Ai Unë\Unë Ti Ai. 

Një skicë  ku secili ka identitetin e tij, të gatshëm për  një integrim  në botën globale, por  kurrë i asimiluar! 

Poeti Skiro di Maxho e di shumë mirë se nëse diçka duhet të ngelet e përjetshme, duhet investuar tek brezat e rinjë-“Vetëm ata do ti japin lagëshirë rrënjëve arbëreshe- thotë  poeti, dhe më tej vazhdon me nota akoma më të forta për të gjithë ata që nuk dinë rëndësisnë e kësaj gjuhe më të lashtën në  Europë – “Kur  fëmijët do të mësojnë në bankat e shkollës, atëherë dielli do të lëshojë rreze mbi trutë e arbërshëve duke bërë kulturë, tregëti, politikë  në gjuhën amtare do të fitojnë më shumë nga gjindja e huaj,  edhe më të nderuar do të jenë”.  

Në kapitullin e fundit vargjet e tij herë duken si monolog e herë kethehen në dialog virtual dhe në këtë vorbull autori herë  introspektiv  dhe i kamufluar dhe  herë  i hapur, vozitë në shtjellat e Horës. 

 Kthehet në bir i erës, ku çdo pjesë e mendimit të tij prek Horën,  pasqyrohet mbi  liqen dhe  pa zënë në gojë fakte historike,  penetron  indirekt në historikun e e Horës, në ato kohë   të një krenarie të të artë 1488-1819 ku Hora filloi të çelte me shkëlqimin e saj arbërore si një feniks,  sepse ajo u ndërtua mbi të pamundërën. Hora, vizionare me një planimetri ndërtimi mbi  300 vjeçare. U ndërtua autonome, me administratë arbëreshe në gjuhë dhe të ritit bizantin , me shkollën e parë arbëreshe të Matrëngës  në 1593.Hora me banorët e saj por edhe me kulturën e saj, arbëreshët  njohës të katër gjuhëve: Latinishtja si gjuhë zyrtare, greqishtja e ritit, gjuha rajonale e tregëtisë  si edhe arbërishtja gjuha e bukës.  Por Hora ishte edhe fisnike, dy herë në vit lejonte të huaj në festën e Shën Mërisë që të vizitohej qyteza.  

Illuminizmi për Skiroin është forma më lartë e ndërgjegjes.  Dielli është metafora e tij. 

Drita kur të preki ndërgjegjen e arbëreeshit vetëm atëherë  Hora e ka arritur misionin e saj, dhe të vazhdojë të qëndrojë  si një mbretëreshë e gjallë  e fisnike 600 vjeçare  me madhështinë e saj.

 Ky  Diell , kjo ndërgjegje për Skiro di Maxho nuk është Utopi,  por  është një “Ëndërre?”  Pikëpyetja  që shoqëron fjlën “ Ëndërr” është, forma më demokratike  e  indirekte për ti përfshirë  bashkëqytetarët e tij në çështjen më të madhe, atë të ruajtjes së identitetit. 

Esklamacioni  i tij final është eshtë një euphemèo , është retorika që përmban përgjigjen; Mjafton të  kesh shpirtin arbëror dhe pavdekësia e saj bëhet realitet!  

Vëllimi poetik “Gjuha e bukës” të autorit Skiro di Maxho është  plot me figura letrare. i përshtatur në shqipen standart, dhe tek tuk gjejmë fjalë arbërisht, por tingullimi i fjalëve në arbërisht i shtojnë bukurinë sa artistike në stil ashtu dhe në përmbajtje këtij vëllimi poetik.

 “Mizare( bletët) dhe fëmijët rreth grumbujve me rrush të gangulluar pas vjeljes

Butet(fuçitë e verës), rrufullisnin me kërthi të hapur, dhe vjeshta dehet vetëm me të bukurën.”

Në këto rreshta arkadike të  një një panoramë dioniziane si dhe të shpirtit njerëzor ndërthuret  bashkimi i përsosur i të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmes.   

Ornela Radovicka 

Qëndra Albanologjike  kërkime dhe studime  mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar në 1980.  

Filed Under: Kulture

RREZE NGA DRITA E KOLOSIT MARTIN CAMAJ

February 3, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Nga moria e mënyrave dhe mjeteve për pasurimin e gjuhës shqipe te romani “Karpa” kam veçuar tri raste fjalëformimi me prejqrdhje dhe një rast me kompozita.

Që te romani “Rrathët” e vendosa Camajn krah Kadaresë për parapëlqimin e prapashtesës ~shëm. Edhe te ky roman konstatoj se kjo është prapashtesa më prodhimtare në krijimin e fjalëve të reja. Kam numëruar rreth 85 fjalë që më tingëllojnë të reja dhe më shumë se 50 prej tyre përdoren për here të parë krahasuar me romanin paraprijës. Funksioni kryesor i këtyre fjalëve është ndajfoljor dhe vetëm katër raste janë si mbiemra. Po sjell vetëm ato fjalë që janë përdorur më shumë se një herë:

argëtueshëm, drojshëm, i gjithëmbarshëm, pakujtueshëm, përfrigueshëm, shlirueshëm, vëmendshëm,  zilishëm.

Prapashtesa e dytë që më tërhoqi vëmendjen për pasurinë e saj është ~as/z dhe dallohen për një fushë më të gjerë pasurimi pasi përveç mbiemrave dhe ndajfoljeve, shtrihet edhe në sitemin emëror. Mbizotëruese janë ndajfoljet, si: ballafaqas, bashkas, kalamendas, kalaz, mburras, ndamas, ngulmas, pandërpremas, përpiktas, saktas.

Fjalëformimi me parashtesën për~ shtrihet në siistemin emëror, foljor, por edhe te mbiemrat dhe ndajfoljet.

Emra: përditje, përdhunë, përkënaqje, përlavdim, përsjellje.

Folje: përflitet, përjarg, përngjaj, përnjësohet.

Ndajfolje: përbrenda, përethshëm, përfrigueshëm, përkënaqshëm, përpikëtas.

Mbiemra: përbamës, i përbrijshëm, i përndjekun.

Ndër kompozitat mjaft prodhuese shfaqen në pjesën e pare emrat krye dhe punë dhe përemri gjithë si: kryenaltë, kryepincingul, kryepingul, kryevogël, punëdorësi, punëmadhësi, gjithëditën, i gjithëmbarshëm, gjithjetën. Për pjesën e dytë më tërhoqën vëmendjen kompozitat ballafaqas, prishakandas, dijekeqas. 

për~:  përbamës, përblozë, përbrenda, i përbrijshëm, përbujshëm, përditje (përditshmëri), përdhunë, përethshëm, përflitet, përfrigueshëm, përjarg, përkundra, përmbas (nd), përmbi, përngjaj, përjetës, përjetim, përjetoj, përkënaqem, përkënaqje, përkënaqshëm, përlavdim, përlavdohet, përmajesh (nd), i përndjekun, përngadalë, përnjësim, përnjësohet, përpikëtas, lope përqumështi, përsjellje, përvijë. 

~as/z: bestytës, dalëzotës, i dhanë deshtas (me dashje), dijekeqas, haptas, jermas, kobojas (banor), ndërlidhas (nd), përbamës, përzies (e), rrafshas, rrëmbyes (mb), shkëmbyetas, shqyrtues (mb), fshamje trishtuese, shtrihej vutas, zhbiruetas, zhgjetues (mb). 

KOMPOZICIONI I NJË VEPRE

(Vepra 8, Onufri 2010,

“DRANJA, madrigale mbi fatin e një frymori të papërsosun”)

E shkruar në gjysmën e dytë të viteve ’70 të shekullit të kaluar, kjo vepër më çon një dekadë para se të shkruhej, atëherë kur beharet e fëmijërisë sime i kishin breshkat një përbërës zbavitës. Shkonim për t’i kullotur bagëtitë deri te Përroi i Thellë afër Ziçishtit e Shënkollasit dhe lirishtat mbi të ishin rezidenca e tyre kryesore, ishin të shumta prandaj kishte për çdo fëmijë; duke qenë ne të vegjël, ato na dukeshin të mëdha, hipnim mbi to dhe i përdornim për të rrëshqitur te faqet e pjerrëta të përroit. Nganjëherë tregoheshim edhe mizorë, sidomos kur kujtonim se ato kishin shërbyer si ushqim për trupat italiane të pushtimit.

Martin Camaj vjen me një personazh të tillë, të quajtur Dranja, por shpejt bëhet lidhja me emrin vajzëror Drande, emër që shkon pastaj te trëndafilja. E konceptuar me tri pjesë dhe e realizuar poetikisht me madrigalë, vepra mund të lexohet në rrafshin e drejtpërdrejtë duke zbuluar autorin si vëzhgues i hollë, por edhe në rrafshin simbolik, pasi largimi i Dranjes nga ana e Drinit bëhet shprehës i fatit të vetë Camajt.

Në dy pjesët e para “Përvojë jete” dhe “Mprehje shqisash” breshka zhvendoset në natyrë duke vështruar me sytë e autorit, kurse në pjesën e tretë “Fryma e ngujueme në asht” jep rizbulimin e Dranjes këtë herë vetëm si zhguall. Arshi Pipa ka bërë një analizë të detajuar për këtë vepër.

VËSHTRIM METRIK

(Vepra 9, Onufri 2010,

përmbledhjet poetike “Nji fyell ndër male” dhe “Kanga e vërrinit”)

Strofat:

Te përmbledhja poetike “Nji fyell ndër male”, botuar në Prishtinë në vitin 1953, bien në sy ndërtimet strofike me një mbizotërim të strofës katërvargëshe në 24 poezi, kurse strofat e tjera janë me numër të pakët, dy pesëvargëshe, një trevargëshe dhe një gjashtëvargëshe.

Te përmbledhja poetike “Kanga e vërrinit”, botuar në Prishtinë vetëm një vit më vonë, ky raport ka ndryshuar duke nxjerrë në plan të parë 22 poezi me varg të lirë, 13 poezi me strofa katërvargëshe, dy poezi me strofa dyvargëshe dhe gjashtëvargëshe, nga një poezi me strofë trevargëshe, një pesëvargëshe dhe një sonnet.

Rimat:

Te përmbledhja poetike “Nji fyell ndër male” mbizotëron rima e kryqëzuar ABAB me 20 poezi, rima e puthur dhe rima e alternuar me nga dy poezi, te poezia me tercina skema është ABA BCB, te dy poezi pesëvargëshe skema është ABABC DEDEC, kurse te dy poezi me strofa gjashtëvargëshe skema është ABABCC. 

Te përmbledhja poetike “Kanga e vërrinit”, Camaj ka përdorur vetëm rimën e kryqëzuar me 12 poezi, në një poezi skema është ABCB, 

rima e puthur ndeshet vetë te dy poezitë me distikë, te poezitë me tercina, me pesë dhe gjashtë vargje skemat janë njëlloj me vëllimin paraprijës, kurse soneti është shkruar me skemën ABAB CDCD EFG EFG.

Vargjet:

Te përmbledhja poetike “Nji fyell ndër male” ka një larmi vargjesh duke filluar nga 7-rrokëshi te 12-rrokëshi, si dhe kombinime të ndryshme brenda strofave. Camaj nuk është i gurtë ndaj masës së rrokjeve, prandaj ka një mes 11 dhe 13 rrokjeve në 13 poezi. Ndër kombinimet vendin e parë e zë kryqëzimi i 12-rrokëshit me 8-rrokëshin, në strofat katërvargëshe tre vargjet e para janë 11-ose 12-rrokësh, kurse vargu i katërt është 5-, 6- ose 7-rrokësh.

Te përmbledhja poetike “Kanga e vërrinit” Camaj priret nga vargjet e kombinuara me zhvendosje të vargut të shkurtër nga vargu i dytë te i katërti, kurse te strofat gjashtëvargëshe më të shkurtër janë dy të fundit.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1166
  • 1167
  • 1168
  • 1169
  • 1170
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT