• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Promovim veprash të gjenocidit serb mbi shqiptarët!

February 1, 2024 by s p

Në lokalet e restoranit „Sportgaststätte“, të pronarit shqiptar, Besnik Thaçi në Heilbronn, u promovuan veprat publicistike e dokumentare: „Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844 – 1999“, të autorit Nusret Pllana, „Fëmijët shqiptarë viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999“, të autorëve: Hanëmshahe Ilazi e Nusret Pllana, „Mos harro kurrë – Vergiss Niemals “, të autorëve: Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, të filmit dokumentar „Kush i vret fëmijët?! “, të autorëve: Nusret Pllana e Esat Shala dhe, të filmit dokumentar „Drenusha“, të autorit Nusret Pllana.

Me këtë rast, me prezencën e tyre, përveç të tjerëve na nderuan: Imer Lladrovci – ish Konsulli i Republikës së Kosovës dhe Shefi i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Shtutgart, z. Hamdi Berbatovci, veprimtari dhe diplomati, z. Kadri Gërvalla, veprimtari i çështjes kombëtare dhe Kryetari i Ansamblit „Pavarësia“ të Shtutgartit, z. Baki Mustafa me bashkëshorten e tij Bedrije Mustafa, veprimtarët e palodhshëm të çështjes kombëtare, Shaip Ademaj, Lindita Haxhiu, Shemsi Zeqiri, Nazim Bajrami, Naser Sadiku, Lon Karrica, Skender Alimetaj dhe Grupi i të rinjëve nga Heilbronni, të Shoqatës „Zanat e Mërgimit“, me koreografen Arbnora Sadiku, ish i burgosuri politik dhe bashkëvuajtës me Nusret Pllanën, z. Abdullah Zhegrova, këngëtarët Nikolin Perpali, Claudie Prenaj e Pajazit Zhegrova, mësuesja e Shkollës shqipe në Heilbronn, znj. Luljeta Krasniqi dhe fotografi e kameramani i përkushtuar, Prof.Gani Kryeziu, të cilët i falënderojmë nga zemra për kontributin e madh gjatë kësaj mbrëmjeje të suksesshme promovuese, të cilën e udhëhoqi me përgjegjësi e profesionalizëm, patrioti dhe veprimtari i devotshëm i çështjes kombëtare, tropojani Can Tahiri – Kryetar i Parlamentit paqësor kombëtar shqipëtar.

Një falënderim i veçantë për këtë manifestim të suksesshëm kulturor i shkon bashkëluftëtarit tim, z. Agron Morina dhe veprimtarit e poetit Lulzim Osmanaj.

Shkruan: Nusret Pllana

Filed Under: Reportazh

E drejta për zhvillimin e luftës

February 1, 2024 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Në të drejtën ndërkombëtare klasike është parashikuar e drejta e shtetit për të bërë luftë, domethënë për të përdorur forcën e armëve si mjet për realizimin e qëllimeve kundrejt një shteti tjetër. Kjo mund të parashikohet në rastet për të vënë në vend një të drejtë të shkelur, për të detyruar kundërshtarin të tërhiqet nga territori i pushtuar ose të shlyejë një dëmshpërblim. Historia e zhvillimit të shoqërive ka treguar se realizimi i së drejtës me anë të forcës ka qenë metodë që përdorej nga një rreth i ngushtë i shteteve të mëdha ose më të fortët.

Popujt kanë synuar gjithmonë të gjenin mënyra të përbashkëta për parandalimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me anë të përdorimit të forcës së armëve. Përpjekja e parë për të institucionalizuar këtë u bë pas mbarimit te Luftës së Parë Botërore. Statuti i Lidhjes së Kombeve në vitin 1920, me gjithë kufizimet që parashikonte në zhvillimin e luftës, ai nuk e përjashtonte krejt luftën dhe përdorimin e forcës. Sipas Statutit të Lidhjes, një shtet kishte të drejtë të bënte luftë, “për të ruajtur të drejtën dhe drejtësinë”. Kuptohet se një formulim i tillë kaq i përgjithshëm e i papërcaktuar qartë linte mundësinë e kryerjes së agresionit të një shteti ndaj një tjetri. Në Paktin e Parisit të 27 Gushtit 1928, i cili zyrtarisht njihet si Traktati i Përgjithshëm për Heqjen dorë nga Lufta si Instrument i Politikës Kombëtare. Pakti mban emrin e autorëve të tij, Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Frank B. Kellogg dhe ministrit të jashtëm francez Aristide Briand. Fillimisht pakti u nënshkrua nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas nga shumë shtete të tjera, duke përfshirë edhe Fuqitë e Mëdha (në këtë pakt aderoi edhe Bashkimi Sovjetik), Më e rëndësishme ishte sepse ai është akti i parë ndërkombëtar që ndalonte luftën si mjet i politikës së jashtme. Sipas nenit të këtij Pakti, shtetet nënshkruese deklaruan solemnisht në emër të popujve të tyre, se ata e dënonin përdorimin e forcës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe hiqnin dorë nga konsiderimi i luftës si mjet i politikës kombëtare. Problematike ishte sepse pakti u lidh jashtë Lidhjes së Kombeve.

Që prej nënshkrimit të këtij pakti, ndalimi i luftës është sanksionuar si një normë e së drejtës ndërkombëtare. Kjo normë është ripohuar edhe në një varg aktesh të tjera ndërkombëtare siç janë Karta e OKB-së dhe Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare pas Luftës së II të Botërore. Karta e OKB-së në nenin e saj të dytë, paragrafi i 4-të shkruhet: “Në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare anëtarët e organizatës heqin dorë nga kërcënimi ose përdorimi i forcës, qoftë kundër tërësisë territoriale ose pavarësisë politike të çfarëdo shteti, qoftë në çdo mënyrë tjetër të papajtueshme me qëllimet e Kombeve të Bashkuara”.

Pakti nuk i përmbushi të gjitha synimet e tij, pasi ai nuk ishte në gjendje të parandalonte Luftën e Dytë Botërore por, luftërat u bënë më të rralla pas vitit 1945. Pakti nuk kishte asnjë mekanizëm për zbatim, ndoshta kjo ishte edhe një nga problematikat kryesore të tij. Megjithatë, pakti shërbeu si bazë ligjore për konceptin e një krimi kundër paqes, për të cilin Gjykata e Nurembergut dhe Tribunali i Tokios gjykuan dhe ekzekutuan udhëheqësit kryesorë përgjegjës për fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Dispozita të ngjashme u përshtaten më vonë në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe traktate të tjera, të cilat krijuan një politikë të jashtme më aktive e cila filloi me nënshkrimin e paktit. Nga sa më sipër mund të thuhet se, marrë në kuptimin thjesht si, “e drejta e shtetit për të bërë luftë” për të përdorur forcën e armëve, e drejta e luftës nuk njihet më nga e drejta ndërkombëtare e sotme. Çdo shtet, që bën një akt agresioni dhe përdor luftën për qëllimet e politikës së tij të jashtme, kryen një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare. Por kjo nuk duhet kuptuar sikur e drejta ndërkombëtare ndalon çdo lloj lufte. Objekt ndalimi i së drejtës ndërkombëtare janë luftërat pushtuese, grabitqare për përvetësimin e pasurive të të tjerëve. Këto janë luftëra të padrejta. Veç luftërave pushtuese, grabitqare janë edhe luftërat vetëmbrojtëse, për tu mbrojtur nga agresioni. Këto luftëra janë të drejta. Ato nuk mund te cilësohen si të paligjshme nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Në klasifikimin dhe vlerësimin e luftërave ka një evoluim të ri të koncepteve. Kështu për të vlerësuar një luftë nuk mjafton vetëm koncepti tradicional i përcaktimit nëse ajo është e drejtë ose e padrejtë. Në përkufizimin e luftërave tashmë ndikojnë shumë faktorë të cilët ende nuk janë marrë në konsideratë nga e drejta ndërkombëtare.

Nëse e marrim në mënyrë absolute ndalimin e përdorimit të forcës atëherë pse nevojiten forcat e armatosura? Forca ushtarake nuk konceptohet vetëm për zhvillimin e agresioneve madje në kohën e sotme ku pjesa më e madhe e rreziqeve e kërcënimeve nuk janë të karakterit jo ushtarak dhe zgjidhja e tyre nuk kërkon përdorimin e forcës ushtarake. Madje sot shprehja “nuk ka vend pa ushtri” nuk është plotësisht reale pasi vende të tilla ka, por gjithashtu shprehja se “ushtria është për luftë” nuk është plotësisht e përshtatshme pasi ushtritë kanë edhe detyra të tjera të rëndësishme dhe kur nuk ka rrezik për luftë kanë detyra edhe më të rëndësishme se lufta.

E drejta e vetëmbrojtjes njeh sot një zhvillim të ri. Në kuadrin e OKB-se, Karta e Kombeve te Bashkuara parashikon një sistem të tërë të sigurimit kolektiv. OKB-ja bazuar në kreun e VII-të të Kartës të OKB-së për ruajtjen e paqes dhe të sigurimit ndërkombëtar, nënkuptojnë që ajo të kundërveprojë kundër çdo akti të agresionit. Nga kjo del se shteti, që është viktimë e një agresioni sot nuk lihet vetëm në fatin e tij. Gjithë sistemi i Kombeve të Bashkuara në sajë të paqes dhe të sigurimit ndërkombëtar ka këtë kuptim: që një shtet i sulmuar të mbrohet nga të gjithë sikurse edhe një shteti keqbërës të ndëshkohet po nga të gjithë.

Karta e Kombeve të Bashkuara ngarkon me kompetenca e përgjegjësi kryesore për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare Këshillin e Sigurimit dhe Asamblenë e Përgjithshme. Zhvillimet kanë treguar se dispozitat e Kartës jo gjithmonë kanë gjetur zbatim. Këshilli i Sigurimit në këtë veprimtari mjaft herë ka qenë i bllokuar nga parimi i unanimitetit të pesë anëtarëve të përhershëm,(ShBA, Rusi, Francë, Angli, Kinë). Rasti i Kosovës, 1999 ishte ndoshta rasti më i veçantë kur NATO ndërhyri pa mandat nga Këshilli Sigurimit. Megjithatë ka disa raste të veprimit të Këshillit të Sigurimit me anë të sanksioneve ekonomike ose edhe prerja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin agresor dhe përdorimi i forcës ushtarake aq sa mund te jetë e nevojshme për të ruajtur ose rivendosur paqen. Pavarësisht nga atributet e Këshillit të Sigurimit për sigurimin e paqes ndërkombëtare asnjë shteti jo vetëm që nuk i kufizohet e drejta e vetëmbrojtjes por parashihet në nenin 51 të Kartës së OKB-së ku thuhet: “Derisa Këshilli i Sigurimit të marrë masat e nevojshme për ruajtjen e paqes dhe të sigurimit ndërkombëtar asnjë dispozitë e kësaj Karte nuk cenon të drejtën e natyrshme të vetëmbrojtjes së ligjshme, individuale ose kolektive në rast se një anëtar i Kombeve të Bashkuara bëhet objekt i një sulmi të armatosur”.

Rëndësi të veçantë, në lidhje me këtë ka përcaktimi i nocionit të agresionit. Debati për këtë nocion ka vazhduar për disa dekada, deri sa sot është arritur një përkufizim në bazë të një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-se, në vitin 1974, neni 1 i kësaj rezolute e përcakton agresionin si përdorim të forcës së armatosur nga një shtet kundër sovranitetit, tërësisë territoriale ose pavarësisë politike të një shteti tjetër, ose përdorim të çdo mënyre tjetër që nuk pajtohet me Kartën e OKB-së. Në këtë rezolutë jepen edhe disa shembuj të akteve agresive siç janë përdorimi i armëve nga një shtet kundër territorit të shtetit tjetër, bllokimi i portit ose bregdetit të një shteti nga forcat e armatosura të një shteti tjetër, sulmi Forcave të Armatosura të një shteti kundrejt një shteti tjetër, (sot rasti i sulmit Rusë kundër Ukrainës), dërgimi i bandave të armatosura në territorin e një shteti tjetër për të kryer akte dhune (rasti i fundit në Kosovë).

Zhvillimet e deritanishme ndërkombëtare kanë treguar se normat juridike kanë rëndësi relative. Një dekade pas miratimit të Paktit Brian- Kellog, shpërthen Lufta e Dyte Botërore, lufta më e madhe e më gjakderdhëse në historinë e njerëzimit. Edhe pas mbarimit të kësaj lufte, përvoja po tregon mjaft raste të shkeljes së kësaj norme, e cila vazhdon edhe sot dhe të “fortit”, nuk janë në gjendje ti ndalojnë ato. Ky fakt shtron nevojën e përcaktimit të disa normave dhe rregullave të posaçme që duhet të respektohen nga të gjithë përfshi edhe këta të “fortët”. Tërësia e këtyre normave dhe rregullave përbën “të drejtën e luftës”. Pra, e drejta e luftës mund të përkufizohet si një pjesë e së drejtës ndërkombëtare publike si një degë e saj e veçantë që ka për objekt të rregullojë marrëdhëniet midis vete shteteve që janë në luftë, nga njëra anë, si dhe marrëdhëniet midis shteteve ndërluftuese dhe shteteve neutrale, nga ana tjetër. Ajo që është më domethënësja, OKB-ja edhe pse e ndalon shprehimisht luftën si mjet të politikës së jashtme, nuk ka fuqi të ndaloje Fuqitë e Mëdha në rast shpërthimi të një lufte. Për këtë OKB-ja ka hartuar një kod të krimeve kundër paqes dhe njerëzimit, vetëm kaq. Ka mbi një vit që vazhdon lufta në Ukrainë, (Rusia fuqi e Madhe?), vriten me qindra të pafajshëm në Lindjen e Mesme, Izrael-Hamas, (Fuqitë e Mëdha vetëm flasin, asgjë më shumë). Mos vallë ka ardhur koha që vet OKB-ja të bëjë një riorganizim brenda saj? Në gjykimin tim po! Pyetja që me të drejtë lind sot është! A po shkon bota drejt një konflikti të ri botërorë? Unë do ti referohem shkurtimisht shkaqeve që sollën Luftën e Parë dhe Luftën e Dytë Botërore.

Shkaqet e vërteta të Luftës së Parë Botërore ishin sepse, Britania e Madhe dhe Franca humben parësinë e madhe ushtarako-ekonomike që kishin. Ky vend ishte marrë nga forcat e reja ushtarako-ekonomike si SHBA, Gjermani dhe Japoni. Ky ekuilibër i ri ushtarako-ekonomike, këmbëngulja për ndarje të reja të botës në zona për ndikim, ndarja e tregjeve të reja, etj, ndërlikoi seriozisht jetën politike ndërkombëtare dhe krizat politike bëheshin gjithnjë me te shpeshta dhe më të rrezikshme. Rivaliteti midis Fuqive të Mëdha u bë më i ashpër si në Evropë, Azi dhe Afrikë. Pamvarësisht preteksit, këto ishin shkaqet kryesore që çuan në Luftën e Parë Botërore.

Marrëveshja e Versajës në Paris pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore ngarkoi Gjermaninë me të gjitha fajet e luftës. Sanksionet që iu vendosën Gjermanisë ishin të rënda, por ajo do të firmoste këtë marrëveshje. Inflacioni, shkëputja e territoreve, kushtet e këqija të jetesës, tensioni i madh dhe çështjet e pa përfunduara të Luftës së Parë Botërore për ndarjen e territoreve, si edhe shumë arsye të tjera do bënin që vetëm pas 20 vjetësh të fillonte Lufta e Dytë Botërore.

Ç’farë po ndodh sot? Këmbëngulja e Fuqive të Mëdha për ruajtjen e zonave të tyre të ndikimit, krizat politike në vende të ndryshme po bëhen gjithnjë me të shpeshta dhe më të rrezikshme, terrorizmi në rritje, luftërat dhe konfliktet në disa rajone mund të zgjerohen, inflacioni dhe kushtet e jetesës në përkeqësim, etj. Midis këtyre paralelizmave dhe gjendjes së sotme, të gjithë janë në gjendje të gjykojnë se; A ka vërtetë premisa për një konflikt më të gjerë botërorë? Popujt nuk duan luftë! Ata shpresojnë dhe besojnë që Fuqitë e Mëdha “të fortit”, jashtë preferencave ta marrin situatën seriozisht dhe të ruajnë ekuilibrat.

Filed Under: Ekonomi

Lavdi u qoftë për veprën dhe gjithë jetën e tyre Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës, Ilir Konushevcit dhe dëshmorëve të tjerë të rënë për lirinë e Kosovës

February 1, 2024 by s p

Albin Kurti/

Sot, është dita kur e kujtojmë Zahir Pajazitin, në datën e rënies së tij bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, më 31 janar 1997. Sivjet u bënë 27 vite nga atëherë! Mëngjesin e sotëm, bëmë homazhe te varri i Zahir Pajazitit, në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, te vendlindja e Zahirit. Pastaj, nga Orllani u ndalëm në Podujevë, ku në sheshin qendror të qytetit vendosëm lule te shtatoret e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Ilir Konushevcit dhe Edmond Hoxhës.

Ato ishin ditët e fundit të jetës së tij, që ai e jetoi në një mënyrë aq autentike, intensive dhe të jashtëzakonshme. Njëmbëdhjetë ditë më parë, më 20 janar 1997, Zahir Pajaziti ishte kthyer nga Shqipëria. Si gjithmonë, ilegalisht, e kishte kaluar kufirin në Shishman të Gjakovës, për tu ndalur te Xhemë Jakupi. Bashkë me të ishin edhe Adrian Krasniqi dhe Qerim Kelmendi. Kishin shkuar t’i merrnin Hakif Zejnullahu me Ilir Konushevcin dhe Shaip Hazirin. Hera e parë që e kishte kaluar kufirin për të dalë nga Kosova në Shqipëri, kishte qenë viti 1980, për çka si i mitur që ishte, Zahirin e kishin burgosur 18 ditë në Shkodër dhe 15 ditë kur ishte kthyer në shtëpi. Shtatëmbëdhjetë vite më pas, tani ai po kthehej nga Shqipëria si një nga prijësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të nesërmen më 21 janar, ai i takoi shokët që t’i dëgjonte rrëfimet e tyre për dy aksione guerile që i kishin kryer gjatë kohës sa ai kishte qenë në Shqipëri. Në pesë vitet e fundit, vet ai kishte organizuar dhe kishte kryer dhjetëra aksione guerile duke shënjestruar disa nga figurat më famëkeqe të policisë së Serbisë dhe sigurimit shtetëror që e terrorizonin popullin e Kosovës në ato vite. Atentatet pothuajse perfekte të Zahirit me shokë, e kishin krijuar një mit për grupin e tij: ata bënin plane, sulmonin, kryenin aksione pa lënë shumë gjurmë dhe zhdukeshin deri në aksionin tjetër.

Kjo lloj jete prej guerilësh, ua kishte imponuar Zahirit dhe shokëve të tij që të organizoheshin në grupe të vogla, të thirreshin me nofka mes tyre, të komunikonin edhe me kode, të ndërronin shpesh vendbanim si dhe të jetonin në një formë gjysmë ilegale. Mes tyre vet Zahiri që e njihnin si “Ismeti” nga emri i Ismet Abdullahut; Ilir Konushevci apo “Mërgimi”, Rexhep Selimi që e njihnin edhe si “Agroni”; Qerim Kelmendi – “Dema”, Rrustem Mustafa – “Remi”, Shaip Haziri – “Cima”, Avni Ajeti – “Sokoli”, Selim Haziri – “Bekriu”, Fatmir Humolli – “Baci”, Naim Haziri – “Dilaveri, Sejdi Rama, Nebih Balaj, Nazmi Zuka, Isak Shabani, Lahi Brahimaj, Muharrem Ismajli dhe shumë shokë të tjerë që ishin pjesë e organizimeve të kohës.

Kur qëllonte që ndonjëri të pikasej a të arrestohej, grupet riorganizoheshin për të mos u dekonspiruar shokët e grupit. Por kësaj radhe, gjurmimet e shërbimit sekret të Serbisë kishin gjetur kanalet e tyre të komunikimit deri te rrethet e grupeve të armatosura të UÇK-së në zonën e Llapit, të përqendruar mes Prishtinës dhe Podujevës.

Natën mes 25 dhe 26 janarit, Zahiri me vëllain e tij Bajramin, si dhe Hakif Zejnullahu me dy vëllezërit e tij Bajramin dhe Sabedinin, e kaluan në shtëpinë e familjes së Zahirit. Ajo natë ishte hera e fundit që Zahiri fjeti në shtëpinë e tij. Më 30 janar, Zahiri i takoi sërish disa nga shokët në Podujevë dhe u kërkoi të bënin kujdes. Si Zahiri ashtu edhe Hakifi, kishin filluar të dyshonin që shërbimi sekret i Serbisë u kishte rënë në gjurmë. Fatkeqësisht, dita e nesërme e vërtetoi këtë.

Atë ditë të premte, më 31 janar 1997, Zahir Pajaziti ishte bashkë me Shaip Hazirin në banesën e Zahirit në lagjen “Tophane” të Prishtinës. Nga mesdita deri pasdite, Zahiri bashkë me Shaipin, me Ilir Konushevcin dhe me Hakif Zejnullahun, qëndruan te një pikë e njohur për ta, në një çajtore afër tregut të gjelbër të kryeqytetit. Pasdite vonë, ata u ndanë: Shaipi me Ilirin mbetën në Prishtinë kurse Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, morën udhë duke u nisur në rrugën Prishtinë – Mitrovicë. Të përcjellur nga shërbimi sekret i Serbisë, ata ishin nxjerrë në pritë në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, prej ku nisën të shtënat duke mbetur të tre të vdekur. Rënia e Zahirit ishte aq tronditëse për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sa që u dashën gjashtë muaj riorganizime deri të aksionet e para pas rënies së tij.

I lindur më 1 nëntor 1962 në fshatin Turiqicë të Llapit, Zahir Pajaziti ishte rritur duke marrë një edukim patriotik në familje. Në vendlindje, ai ishte nxënës i shkëlqyer te mësuesi i tij Musa Sylejmani. Pas dy vitesh të kaluara në Shkollën e Policisë në Vushtrri (1976-’78), ai u përjashtua për arsye politike. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në Podujevë dhe pasi e kreu, në vitin 1981 ai i regjistroi studimet për gjuhë angleze në të sapoemëruarin Universiteti i Kosovës në Prishtinë. Në tetor të vitit 1991, ai ishte një nga 54 vullnetarët e grupit të parë të atyre që u stërvitën ushtarakisht nga oficerë në Shqipëri. Politikisht, ai ishte i formuar nga veprat dhe bisedat me Adem Demaçin si dhe literatura e ndaluar e marrë nga Shqipëria. Idealisht, ai ishte i vendosur në rrugën e rezistencës së armatosur dhe luftës deri në çlirimin e Kosovës, duke e kthyer jetën e tij në një shembull të angazhimit dhe sakrificës më totale për atdheun. Për gjithë këto, Zahiri me shokë do të kujtohet ndër mote nga populli shqiptar dhe do të studiohet nga historia moderne e tij!

Lavdi u qoftë për veprën dhe gjithë jetën e tyre Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës, Ilir Konushevcit dhe dëshmorëve të tjerë të rënë për lirinë e Kosovës.

Filed Under: Analiza

DYER TĒ HAPURA DHE ZEMRA TĒ HAPURA…NĒ TEKSAS

February 1, 2024 by s p

– mbresa nga takimi dhe emra

si mirēnjohje –

Nē shtēpinē e bukur, por dhe tẽ madhe, Qendēr kulturore Shqiptare Amerikane nē Lewisville, nē Dallas… valēviten dy flamujt mē tē dashur, krahas yjeve amerikane dhe shqiponja jonē dy krenore… dhe dyert janē hapur…Kētē do tẽ desha tē thosha qē nẽ fillim. Se kanē shkruar menjēherẽ pēr mbresat e mrekullueshme nga takimi ynē me shqiptarēt dhe unē i bashkohem atij ngazēllimi dhe entuziazmi. E kam parē shpesh tē ndezur te shqiptarẽt e Amerikēs, nē Çikago ku jam, me miqtē e mi, te klubi ynē i librit, po dhe ku kam shkruar, kaq bukur nē Miçigan, te qendra kulturore “Nēnẽ Tereza”, Edhe nẽ Filadelfia te “Bijtẽ e Shqipes”, por edhe dikur, mẽ herēt, kur vija nga Tirana, te “Shtēpia e Lirisē” nē Uashington, te “Vatra” nẽ Nju Jork.

Dhe tani nē Dallas.

1.

DYERT E HAPURA

janē dhe zemra tē hapura, edhe mendje tē hapura… Dhe ti ndjehesh misionar i sē mirēs.

Do tē doja tē flisja shumē dhe pēr takimin tonẽ mē tē fundit, njē pritje aq e pērzemērt, qē ba bēri tē ndjeheshim si nẽ shtēpi, si nē njē familje tē gjerē.

2.

MIQẼSIA,

e çmoj shumē… dhe ne vajtēm si miq nē Teksas, kētē radhē 4 shokē nga Çikago, Taip Beshiri, qē na pēlqen tē themi qē mbiemri i tij ēshtē Bes-Hiri, hiri/ hirshmẽria e besẽs, Dr. Xhabir Alili, pasionant i poezisē, Dr. Jani Gjoni, Strategu siç e thērrasim nē grup, dhe bashkē me ta dhe unē.

Na priti z. Adil Besiri, na çoi nē restorantin e tij, na njohu me miq tē tjerē, vizituam dhe “Cowboys”-at e famshēm, edhe atē lagjen “Adriatika” me shtēpi guri e kisha guri si nē Ballkan, me ujēra qē brigjet tē ndērmendnin sado pak Dalmacinē e Adriatikun tonē. Dhe nē mbrēme te

Qendra Kulturore Shqiptare Amerikane…

3.

LIBRI.

Ne na bashkon libri.

Do tē pērurohej romani “Kēpuca e Aktorit”. Shtëpia Botuese Onufri na e kishte dhēnē mundēsinē bujarisht tē kishte romane plot dhe aty, nē tryezēn e gjatē…

Nē sallē na duk vetja si nē shtēpi, si mes njē familje tē madhe dhe vērtet takuam familjarē, bashkēshortē, prindēr, gjyshēr, tē rinj, mama tē reja me foshnjat nē karrocẽ, etj. Teksa shtrēngonim duart, dēgjonim tē na paraqiteshin se ishin nga Shqipēria e Kosova jonẽ, nga Maqedonia e Veriut, e Jugut pēr ne, – mē pēlqen tē pērsēris, nga Çamēria e Mali i Zi, nga…. nga tē gjitha trojet shqiptare, sē bashku, do tē thoshte nē fjalēn e tij hyrēse konferencieri i takimit, Taip Bes Hiri dhe do tē vazhdonte se edhe romani, “Kēpuca e aktorit” e ka kētē frymē pẽrbashkuese, mē pas ai do tē bẽnte njē pẽrmbledhje tē jetēs dhe veprēs sē autorit dhe do tē theksonte se libra tē tij janē botuar jo vetēm nē Tiranē, por dhe nē Prishtinē dhe Shkup, edhe mē tej, nē Europē e Amerikē…

Zv/Presidenti i Qendrẽs Kulturore Shqiptaro-Amerikane, z. Bekim Ademi, u uroi edhe njē herē mirēseardhjen miqve nga Çikago, tē Klubit Shqiptar tē Librit, dhe suksese takimit, ēshtē me rēndēsi, do tē thoshte, na bashkon…

Njē letēr pērshēndetẽse, dērguar tē pranishmēve nga poeti i njohur, Profesori Universitar Gjeke Marinaj, i cili s’mundẽte tẽ vinte dot nē takim, ai nē Teksas jeton dhe punon, por ndodhej jashtē shtetit me punēt universitare dhe letrēn e tij e lexoi nē anglisht e reja Ekaterina Gjoni, ndērsa tē pērkthyer nē shqip njē nga tē rinjtē, Arber Kapllani.

Mẽ pēlqen tē kujtoj emra nga tē atyre qē njoha, qẽ kishin ardhur nē takim dhe i shikoja tē ulur nēpēr tryezat e rrumbullakta, tē shpērndara nē sallē… si valle. Ja, arkitekt Dardan Hoxha dhe mẽsuesja Artē… po edhe bashkēshortēt Krasniqi, Skēnderi… kērçovarēt e pērzemērt… Nebiu, Nexhati… shkodrani gazmor Hydajeti me zonjēn, Elvana… Ari nga Kosova s’ka ardhur? Sa shumē qē punojnē!…

Pastaj konferencieri i jep fjalēn Dr. Jani Gjonit, qẽ do tē thoshte se e shikonte romanin “Kēpuca e Aktorit, si njē metaforē e ecjes me skenē Shqipẽrinē, nē tre akte ose tre kohē, sintezẽ e tyre dhe perspektiva e shqetēsuar e ardhmērisē… ndẽrsa Dr. Xhabir Alili do tē thoshte nē fjalēn e tij se ky roman ēshtē dhe njē libēr psikologjie njerēzore, dramē dhe komedi e atdheut, historie kombētare, etj, etj.

Para se tē mẽ jepej fjala mua, do tē vinte nē krye tē sallẽs njẽ fēmijē i bukur nja 5-6 vjeç a mē shumē, mē quajnē Xherdan, do tē thoshte me zẽrin e ēmbēl dhe recitoi poezinē shqip, “Vendi im”. Nxora celularin dhe e fotografova. Ngjalli kaq shumẽ emocion dhe u duartrokit po ashtu si ata qē diskutuan, nẽ mos mē shumē.

4.

MREKULLIA

e sē ardhmes, e nisa fjalēn time unē, qē ēshtē bērē dhe mrekulli e tē tashmes, duke patur parasysh se si i rrisni fēmijēt ju, arritjet e pērbashkēta… shqiptarēt nē SHBA, tashmē tē pasuruar, i gjen nē shumē fusha tē biznesit, tē ndẽrtimeve e kompani pastrimesh, jo parash, jo, dhe siç janē kuzhinierē, shofera dhe hidraulikē, janē dhe nē shkencẽ dhe arte dhe politikē, mēsues e pedagogē, inxhiniera e mjekē, juristē, klerikē e shkencētarē, drejtojnē, janē shkrimtarē, muzikantē, piktorē, artistē… dhe nuk m’u durua pa treguar se ajo vajza qē lexoi kẽtu letrēn e poetit dhe mikut tonē Gjeke Marinaj, ēshtē oficere nē ushtrinē amerikane. Ju e dini ç’do tē thotē ushtri amerikane, – iu drejtova tē pranishmēve, tē mbrosh interesat e Amerikēs dhe tē jesh atje ku janē shqetēsimet mē tē mēdha tẽ botēs, nē luftē pēr tē mbrojtur demokracinē dhe tē drejtat e popujve dhe aty ēshtē oficere kjo vajzē shqiptare, jona, Ekaterina, qẽ e kemi kētu sonte, krenarē me atẽ, ẽshtē nē vijē tē parē dhe ndērkaq di tẽ vijē dhe atje ku ēshtē dhe libri shqip… duartrokitje tē fuqishme, ajo buzēqeshi modestisht dhe unē vazhdova tē flas pēr atē traditē kulture dhe bēmash qē na lanē pararendēsit, Imzot Noli dhe i pērndrituri Faik Konica, Profesor Arshi Pipa, qē erdhi nga burgjet e diktaturẽs shqiptare, etj, etj, e sot, me gjithē ato mundēsira pafund…

Nē fakt, unē do tẽ doja tē dēgjoja, jo tē flisja, ndērkaq do t’u pērgjigjesha pyetjeve nga salla, ishin nga mē interesantet, por dhe tē rēndēsishme si ato tē çẽshtjeve tē kujtesēs kolektive, si t’i shẽrbejẽ ajo tē ardhmes qẽ vjen, qē ēshtē dhe e tashme. E dēgjova me vēmendje Ilir Çamin. Mē mēso si ta pẽrballojmẽ jetēn, mẽ tha njẽ ri, mē hutoi. Unē jam aktor, tha njē tjetēr dhe u ngrit nē kēmbē, quhem Hysen Zeqaj, do të recitoj poezinē “Harta e kafshuar e atdheut”, e kam mẽsuar, qē kur konkuroja pēr aktor nē Prishtinē, – e kam shkruar nē burg, – do tē thosha unē, – dhe tjetrēn “Si shk-oh-t nē Kosovē”, – e kisha shkruar kur ende s’kisha shkuar atje… malli mē ka marrē, pa qenē kurrē… realitetet tona tē emocionit, tē ankthit qẽ ta merr frymēn… tē ndarē, po ēshtē Amerika, aleati ynē jetik… dhe jemi dy shtete shqiptare nē Ballkan… po ne duhet tē jemi sa mē tē bashkuar… eh, jo tē pẽrçarē, madje dhe kur futemi nē tē njējtēn shoqatē, kērkojmē ndarjen, pērgjysmimin… po thoshim. Prapē poezi, recitoi Dr. Xhabiri…

Dhe kur po firmosja librat, afroheshin miq, qē dhe po njiheshim aty, por sikur ishim njohur me vite… jam bashkēvuajtēs yti, i burgut tē Spaçit… Nokshiqi… jam i UÇK-sẽ… pashē Albanin… pẽrsẽri fēmijēt, ai me emrin Xherdan bashkē me tẽ vēllanẽ, Aldianin… donin njē autograf… flisnin shqip… prekem…

5.

GJUHA…

vizitojmē klasat e shkollēs sē tyre… ēshtē dashuria jonē… bibliotekēn, libra, libra, libra, janē pērvoja jonē… kujtesē dhe kulturē… gjuha nuk ēshtē vetēm mjet komunikimi, por dhe shpirti i njē populli, dhe histori e tij, frymē…

Anglishtja ēshtē gjuhē e madhe, botērore, e para sot, – po bisedonim, – siç ishte latinishtja nē mesjetē, që tē mos mbetesh i huaj, duhet patjetẽr, integrimi… shqiptarēt janē dhe qytetarē amerikanē… etj, etj, por dhe shqipja është njē pasuri, jo vetēm e shqiptarēve, gjuhẽtarẽt, studiues tē huaj dhe shkencētarē e shohin si njē gjuhē tē lashtē, indioeuropiane, e veçantē, degē mē vete, pranē rrēnjēs, madje dhe nē rrēnjē e mendojnē disa, duhet ruajtur dhe mbrojtur dhe tē parēve qē u takon kjo detyrē, janē shqiptarēt. Ta duam dhe ta mēsojmē gjuhēn amē, do ta kuptojmē mē mirē veten dhe nē Amerikē e do tē dijmē tē bējmē mē shumē…

Dhe erdhi ora tē iknim. Dhe po e mbyll siç e nisa, duke besuar se mendjet e hapura hapin dhe zemrat dhe kēshtu sē bashku bēhemi me mē shumē zemra dhe pastaj s’ka derē qē s’hapet. Dyert e sē ardhmes…

Visar Zhiti

Filed Under: LETERSI

16 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS, KONCERT MADHËSHTOR NË NEW YORK

February 1, 2024 by s p

Linku për rezervimin e biletave:

https://www.eventbrite.com/…/vendi-im-tickets…

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1170
  • 1171
  • 1172
  • 1173
  • 1174
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT