• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

28 Nëntori – Festa e Flamurit – Historia e shqiponjës dykrenore

November 28, 2025 by s p

Nga Dr. Bledar Kurti/

Në Nenin 14 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thuhet: Flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes. Por, në zemrën e shqiptarëve, për shekuj me radhë, ka rrahur një simbol i vetëm… një shqiponjë e zezë me dy koka, e vendosur mbi një fushë të kuqe të ndezur. Flamuri shqiptar. Një flamur që ka udhëtuar nëpër kohë, midis betejave, pushtimeve, rilindjes dhe shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar.

Por rrënjët e simbolit tonë kuq e zi janë shumë më të thella sesa 1912-ta. Ato shkojnë deri në mesjetë, deri te epoka e Gjergj Kastriotit. Ndërkohë që shqiponja me dy koka është një simbol shumë më i hershëm si në kulturat e botës ashtu edhe 6 shekuj para Krishtit në trevat ilire, siç është shqiponja me dy koka e gjetur në mburojën e një luftëtari ilir.

Shqiponja ishte simbol i Perandorisë Romake. Alba. Me këtë emër romakët emëruan Skocinë dhe Shqipërinë. Me ardhjen e Kostantinit të Madh në fillim të shekullit të IV dhe ndarjen administrative të Perandorisë Romake në dy qendra, Roma dhe Kostandinopoja, Stambolli i sotëm, shqiponja me dy koka mori kuptimin e dy qendrave të pushtetit me një trup të vetëm, duke u përdorur më pas nga perandorë të Europës Lindore dhe Perëndimore. Por pa fushën e kuqe. Fusha e kuqe e flaktë është e mbetet shqiptare.

Flamuri i kuq me shqiponjën dykrenore u bë simbol i identitetit luftarak në shekullin XV kur Gjergj Kastrioti e ngriti mbi shtizat e ushtrisë së tij. Pikturat dhe kronikat e kohës përshkruajnë flamurin e Gjergj Kastriotit: një shqiponjë dykrenare e zezë, e stilizuar ndryshe nga ajo e sotmja, më e mprehtë në linja, më heraldike, shpesh e shoqëruar me elemente të tjerë si ylli ose helmetat e arta.

Në disa miniatura të kohës shihet flamuri i kuq i ushtrisë arbërore që valëvitej në kështjellat e Krujës, Petrelës e Lezhës. Krahasimi mes shqiponjës së Gjergj Kastriotit dhe asaj të flamurit të sotëm na tregon diçka të rëndësishme: simboli ka evoluar, por mesazhi ka mbetur i njëjtë. Në flamurin modern linjat janë më të rregullta, më simetrike dhe të standardizuara, ndërsa shqiponja e Heroit tonë Kombëtar ishte më e egër, më luftarake, më e lidhur me heraldikën e kohës. Megjithatë, të dyja mbajnë të njëjtin shpirt: krenarinë, qëndresën dhe identitetin shqiptar.

Në disa kodekse heraldike perëndimore shfaqen simbole të fisnikëve arbër, ku shqiponja dykrenare paraqitet si shenjë e familjeve të rëndësishme të Arbërisë. Këto burime tregojnë se Evropa mesjetare e njihte Shqipërinë si vend të princërve luftëtarë, të lidhur me simbolikën e shqiponjës. Në kronikat bizantine dhe ato veneciane të shekullit XIV e XV flamuri me shqiponjën dykrenare i atribuohet disa principatave shqiptare, çka tregon rrënjët e hershme të këtij simboli si shenjë e identitetit politik të Arbërisë.

Në artin mesjetar shqiptar, shqiponja shfaqet jo vetëm në flamujt e betejave, por edhe në stemat e familjeve të mëdha fisnike, në piktura kishtare, në objekte rituale e në mburoja. Në Kisha, në Onufrin e shekullit XVI, në afresket e Beratit dhe Gjirokastrës, motivi i shqiponjës gjendet i gdhendur me kujdes, si simbol i një populli që kërkonte të ruante identitetin e vet kulturor e politik.

Flamuri shqiptar dallohet qartë te disa kryevepra të artit evropian, si p.sh. kryevepra “Kryqëzimi” (1501) e mjeshtrit të Rilindjes italiane Michele da Verona. Në këtë tablo, flamuri ynë kuq e zi valëvitet i vetëm e krenar përbri Krishtit të kryqëzuar. Flamuri arbëror kuq e zi dallohet edhe në afreske të tjera mesjetare në Evropë.

Këto dëshmi artistike janë urat që lidhin flamurin e sotëm me të kaluarën. Ato tregojnë se, edhe në periudha të vështira pushtimi, simboli i shqiponjës nuk u zhduk. Ai vazhdoi të jetonte, fshehur në art, në veshje, në pajisje ceremoniale… duke pritur momentin e ringritjes.

Për më shumë se pesë shekuj flamuri ynë kuq e zi ka qenë në zemrën, traditën, historinë dhe ekzistencën e arbëreshëve, të cilët e kanë ruajtur të gjallë në çdo mjedis, veshje, e simbole në shtëpi, dyer, shkrime, etj.

Në shekullin XIX, me Rilindjen Kombëtare, flamuri i Gjergj Kastriotit u rikthye fuqishëm. Patriotët shqiptarë e përdorën si simbol të bashkimit. Në kolonitë shqiptare të Stambollit, Bukureshtit, Sofjes dhe SHBA-së, flamuri i kuq me shqiponjën e zezë u bë shenjë identitare e lëvizjes për liri. Shoqëri si “Vatra”, “Drita”, “Lidhja e Prizrenit” e ngritën kudo.

�Edhe pse stilizimet ndryshonin paksa, ngjyrat dhe shqiponja dykrenore mbetën të pandryshuara. Kjo dëshmon se shqiptarët i ruajtën besnikërisht elementet themelore të flamurit të Gjergj Kastriotit, duke e bërë atë simbol të përbashkët kombëtar.

Dhe erdhi dita e shumëpritur: 28 nëntor 1912, Vlorë. Në një shtëpi dykatëshe, të bardhë, pranë detit, delegatët shqiptarë u mblodhën për të shpallur shtetin e pavarur. Ismail Qemali doli në ballkon dhe ngriti flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare. Ishte një çast solemn, i mbushur me emocion. Flamuri nuk ishte një krijim i ri. Ishte vazhdimësia e atij të Gjergj Kastriotit, e atij që jetoi në art, në legjenda dhe në zemrat e shqiptarëve përgjatë pesë shekujve pushtimi osman.

Në historinë e popullit shqiptar, pak simbole janë kaq të fuqishme dhe të përjetshme sa flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare. Ai ka udhëtuar përmes shekujve, nga koha e principatave arbërore, te epoka e Gjergj Kastriotit, te Rilindja Kombëtare dhe shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, duke u kthyer në një prej stemave më të lashta e më të njohura në Ballkanin mesjetar.

Ne duhet ta nderojmë flamurin tonë dhe të kujtojmë ata që sakrifikuan për të. Flamuri nuk është vetëm një simbol. Ai është kujtesa jonë kolektive. Ai përfaqëson gjakun, sakrificat dhe ëndrrat e mijëra shqiptarëve që luftuan në epoka të ndryshme. Ne kujtojmë e nderojmë luftëtarët e Gjergj Kastriotit që mbronin Arbërinë, kapedanët dhe heronjtë kundër pushtimeve, rilindasit që punuan për gjuhën, kulturën dhe identitetin, patriotët që ngritën flamurin në Vlorë, luftëtarët dhe martirët e Luftës së Kosovës dhe të gjithë ata që dhanë jetën për liri e dinjitet kombëtar.

Ne e nderojmë flamurin sepse është dëshmia se ky popull, përballë të gjitha stuhive historike, mbijetoi, qëndroi dhe ringrihet gjithmonë. Duke nderuar flamurin, ne nderojmë të rënët, kujtojmë sakrificat e tyre dhe ruajmë të gjallë amanetin që na lanë: të jemi të bashkuar, të lirë dhe krenarë për identitetin tonë.

Flamuri ynë kuq e zi nuk është vetëm një shenjë kombëtare. Ai është shpirt, gjak dhe histori e një kombi që nuk u përkul kurrë.

Filed Under: Histori

Rrugëtimi drejt Pavarësisë së Shqipërisë

November 28, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 përbën një nga momentet më të ndritura dhe më vendimtare të historisë sonë kombëtare. Pas shekujsh pushtimi, përpjekjesh, sakrificash dhe lëvizjesh të pareshtura atdhetare, një grup burrash të guximshëm, të udhëhequr nga Ismail Qemal Vlora, bënë hapin e madh drejt themelimit të shtetit shqiptar. Ky akt historik nuk ishte i rastësishëm, por rezultat i një procesi të gjatë diplomatik, politik dhe kombëtar, i cili u intensifikua gjatë vjeshtës së vitit 1912, në kulmin e Luftërave Ballkanike dhe në rrezikun e copëtimit të trojeve shqiptare nga shtetet fqinje. Rrugëtimi i Pavarësisë së Shqipërisë fillon nga mbledhjet e para të patriotëve shqiptarë në Bukuresht, vijuar me udhëtimet diplomatike të Ismail Qemalit në kryeqytetet evropiane, deri te mbërritja e tij në Vlorë dhe zhvillimi i Kuvendit historik. Përmes kësaj pasqyre kronologjike, mund të vërehen hap pas hapi përpjekjet, shqetësimet, rreziqet dhe vendosmërinë e atdhetarëve tanë, të cilët në një kohë të trazuar arritën të ruanin interesat kombëtare dhe të themelonin Qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë.

Kjo rrugë drejt lirisë ishte e mbushur me sfida, me udhëtime të rrezikshme, me vendime shtetformuese dhe me diplomaci të hollë. Por mbi të gjitha, ishte një rrugë e udhëhequr nga një ideal i përbashkët: lindja e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur. Në vijim, paraqiten momentet kyçe që shënuan këtë proces historik dhe që i dhanë kombit shqiptar ditën e tij më të madhe — 28 Nëntorin e Pavarësisë.

Kronologjia e shpalljes së Pavarësisë.

1- Më 5 nëntor 1912, Ismail Qemali mblodhi patriotët shqiptarë në hotelin Continental të Bukureshtit, ku diskutuan për pavarësinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij, ai theksoi “Tjetër shpëtim për Shqipërinë nuk ka, përveçse të gjenden ca atdhetarë me guxim dhe bashkë me mua të hyjmë në Shqipëri dhe të kasnecojmë vetëqeverimin e saj”. Figurat më të rëndësishme të kësaj mbledhjeje qenë Asdreni, Spiridon Ilo, Vasil Zografi, Pandeli Evangjeli, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Berati, etj. Ata vendosën që të mbahej Kuvendi Kombëtar me përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhje u diskutua për flamurin kombëtar dhe u vendos që të ishte ai flamur që ngriti Gjergj Kastrioti në Krujë.

2- Më 7 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis me tren nga Bukureshti për në Vjenë, për një vizitë diplomatike, qëllimi i së cilës ishte të fitonte mbështetjen e Austro-Hungarisë për pavarësinë e Shqipërisë. Me të arritur në Vjenë, ai u vendos në Grand Hotel. Më 10 nëntor 1912, u takua me ambasadorin anglez, Sir Fairfax Cartëright, i cili ishte ndoshta diplomati i huaj më në zë i kohës.

3- Më 12 nëntor 1912, Ismail Qemali udhëtoi me tren drejt Budapestit, ku takoi ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, kontin Bertold, i cili e siguroi se qeveria e tij kishte biseduar edhe me qeveritë italiane e gjermane për këtë qëllim dhe së bashku nuk e shihnin me sy të mirë një shtrirje të Malit te Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit.

4- Më 19 nëntor 1912, bashkë me Luigj Gurakuqin, Ismail Qemali arriti në Trieste, qytet që në atë kohë ishte një port i Austro-Hungarisë. Spiridon Ilo, Dhimitër Berati, Pandeli Mborja dhe Dhimitër Zografi u nisën disa ditë më vonë për t’u takuar po aty me Ismail Qemalin. Po nga Triestja do bëhej nisja për në Durrës, me anijen “Baron Bruck” që ua siguroi Bertholdi.

5- Natën e 20 nëntorit, duke u gdhirë data 21, avulloret “Brunn” dhe “Graf Ëurmbrand” u takuan në Gjirin e Rodonit për të bërë kalimin e Ismail Qemalit dhe njerëzve të tij nga njëra anije tek tjetra.

6- Ismail Qemali dhe burrat e tjerë e kaluan natën në “Graf Ëurmbrand”, e cila arriti mëngjesin e datës 21 nëntor në Durrës dhe u prit në qelën e Dom Nikollë Kacorrit, i cili, pas një jave, do të ishte edhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

7- Më 23 nëntor 1912, Ismail Qemali u niset me një karrocë me kuaj nga Durrësi. Gjatë rrugëtimit të karvanit të Ismail Qemalit për në Vlorë, gjenerali i divizionit turk, Kara Sait Pasha, që kontrollonte zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Beratit, dha urdhër të arrestohej Ismail Qemali me të gjithë shoqëruesit e tij. Për këtë arsye karvani nuk u fut në Lushnjë, por e kaloi natën në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut.

8- Më 24 nëntor Ismail Qemali kaloi në Fier, e bujti tek Omer Pashë Vrioni. Me ndihmën e patriotëve vendas, karvani kaloi nga Mifoli dhe pas shumë peripecive, në pasditen e 27 nëntorit 1912, Ismail Qemali mbërriti në Vlorë.

9- Punimet e Kuvendit të Vlorës filluan më 28 nëntor 1912, në orën 15:30 në sarajet e familjes Vlora, me pjesëmarrjen e 78 delegatëve. Kuvendi i Vlorës vendosi që “Shqipëria të bahet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”. Pas nënshkrimit të aktit të shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, në orën 17:30 të datës 28 nëntor 1912, doli në ballkonin e shtëpisë ku zhvilloi punimet kuvendi dhe valëviti lart flamurin kombëtar, të cilin e kishte ngritur dikur Gjergj Kastrioti në Krujë.

Fjalimi i Ismail Qemalit i mbajtur me 28 nëntor 1912 në Mitingun e Madh në Vlorë me rastin e ngritjes së flamurit

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.

Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni! Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Amatorët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).

Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.

Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.

Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipërija!

28.11.1912

Kuvendi i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe Qeverinë e Përkohshme, e cila përbëhej nga 10 anëtarë:

1-Ismail Qemali, kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.

2-Dom Nikoll Kaçorri, zëvendëskryeministër.

3-Myfit Libohova, ministër i Brendshëm.

4-Dr. Petro Poga, ministër i Drejtësisë.

5-Pandeli Cale, ministër i Bujqësisë.

6-Abdi Toptani, ministër i Financave.

7-Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit.

8-Mehmet Dërralla, ministër i Luftës.

9-Mit’hat Frashëri, ministër i Punëve Botore.

10-Lef Nosi, ministër i Postë-Telegrafës.

Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, ngarkoi ministrin e Postë-Telegrafës, Lef Nosin, që të njoftonte Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, si dhe vendet ballkanike, Rumaninë, Serbinë, Bulgarinë, Greqinë dhe Turqinë, me qëllim që ata të njihnin aktin e shpallje së Pavarësisë. Ky akt përbëhet prej një faqeje e gjysmë, ku ndër të tjera thuhet: “Kam nderin t’i njoftoj Shkëlqësitë tuaja se delegatët e të gjithë krahinave shqiptare, pa dallim feje, të mbledhur dje në Asamblenë Kombëtare në qytetin e Vlorës, shpallën pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë ngritur një Qeveri të Përkohshme.

Shqiptarët po gëzohen që mundën të hyjnë në familjen e popujve të lirë të Orientit, duke mos pasur për qëllim tjetër, veçse të jetojnë në paqe dhe harmoni me të gjitha shtetet fqinje; shpresojmë se ky ndryshim i jetës politike dhe kombëtare i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë ka për t’u njohur prej qeverive tuaja dhe europiane”. Kuvendi, duke pasur parasysh ekuilibrin e raporteve fetare, vendosi që qeveria të përbëhej prej 5 të krishterëve dhe 5 myslimanëve. Kjo qeveri funksionoi prej datës 4 dhjetor 1912 e deri më 22 janar 1914.

Filed Under: Politike

AUTORI ISMAIL QEMAL VLORA

November 28, 2025 by s p

Dr. Evarist Beqiri/

✍️ Në fillim të viteve 1900, kur Ismail Qemal Vlora ishte në azil vullnetar politik në Bruksel, mori për disa kohë drejtimin e gazetës “Albania”, më pas ia la sërish drejtimin e saj Faik Konicës.

📰 Ndërkohë, ai filloi të botone gazetën “Shqipnia”. Ai ishte kryeredaktori i gazetës që botohej në Bruksel në 3 gjuhë, shqip, greqisht dhe osmanisht. Shkrimet e tij trajtojnë kryesisht çështjen e zgjimit të ndërgjegjjes kombëtare shqiptare në prag të rrëzimit të Perandorisë Osmane.

Kësaj periudhe i përket edhe një libër i shkruar nga Ismail Qemali. Ai u botua në osmanisht në vitin 1900, dhe u përkthye në frëngjisht, anglisht dhe arabisht një vit më vonë, çka tregon ndikimin e tij të rëndësishëm. Vlera e këtij botimi theksohet edhe në një letër të ambasadorit britanik në Kostandinopojë, Sir Nicholas R. O’Conor, dërguar kryeministrit Lord Salisbury. Një version i shkurtuar në anglisht u botua gjithashtu në “The Fortnightly Review”, një nga periodikët më të rëndësishëm britanikë të kohës.

📚 Libri i Ismail Qemalit “Çështja Transvaalit ose Roli Civilizues i Britanisë së Madhe nga një Perspektivë Myslimane”, është një traktat për marrëdhëniet ndërkombëtare. Dy ishin motivet kryesore të shkrimit të këtij libri. Evidentimi i rolit të Britanisë së Madhe si fuqi civilizuese dhe sigurimi i mbështetjes britanike për çështjen shqiptare. Shqiptarët ishin i vetmi komb ballkanik pa përkrahjen e Fuqive të Mëdha në përpjekjen e tyre për liri. Vetëm një dekadë më vonë, ai do të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë. 🇦🇱

📝 Sipas biografisë së tij zyrtare osmane, Ismail Qemali është autor edhe i revistës “Aplikimi Ideve”, ku trajtonte tema filozofike dhe shkencore, si edhe i një studimi juridik mbi burgosjen për borxhe.

Më herët, gjatë shërbimit të tij në Vilajetin e Danubit, Ismail Qemali mbajti tre detyra kyçe: Drejtor i Departamentit të Çështjeve Politike, Shef i Zyrës së Korrespondencës dhe Kryeredaktor i gazetës Le Danube/Tuna /Dunav (1865–1877).

Kjo ishte gazeta e parë zyrtare e një vilajeti në Perandorinë Osmane. Ajo krijua për të mbështetur politikat e administratës provinciale. Ajo botohej njëkohësisht në turqisht osmane dhe bullgarisht, me redaktorë nga të dy komunitetet.

Kryeredaktorët e saj ishin Ismail Qemali dhe Ahmed Midhat Efendi, ky i fundit një nga figurat më të njohura të gazetarisë dhe letërsisë osmane të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX.

Ndërkohë, më 1920, u botua në Londër, libri me kujtimet e Ismail Qemal Bej Vlorës, në formën e një autobiografie me redaktimin e gazetarit Sommerville Story, dhe me parathënien e autorit amerikan William Morton Fullerton me titullin “The Memoirs of Ismail Kemal Bey”. Domethënës është fakti që Ismail Qemal Vlora është i vetmi personalitet i shquar i Perandorisë Osmane, kujtimet e të cilit janë botuar pikësëpari në anglisht.

Filed Under: Opinion

VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT GEZUAR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR DHE 113 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

November 28, 2025 by s p

Në emër të Federatës Panshqiptare e Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, të familjes sime, të të gjithë vatranëve dhe shqiptaro-amerikanëve ju uroj nga zemra: Gëzuar 28 Nëntorin – festën Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit tonë Kombëtar.

Përulemi me nderimin më të lartë e respektin më të thellë para firmëtarëve të Pavarësisë së Shqipërisë, burrështetasve, heronjve, luftëtarëve e dëshmorëve të Atdheut për përpjekjet dhe sakrificat për liri, trashëgiminë shekullore kombëtare që na kanë lënë pas e frymëzimin për gjeneratat që vijnë.

Mirënjohje përjetë patriotëve, dijetarëve, veprimtarëve dhe atdhetarëve që e bënë Shqipërinë të lirë, të pavarur, sovrane dhe perëndimore.

Kjo ditë është e shenjtë dhe e shtrenjtë për të gjithë kombin shqiptar. Është një ditë lavdie, historie, krenarie, gëzimi e frymëzimi për historinë tonë të lavdishme, sukseset, sfidat dhe arritjet tona në 113 vite shtet.

Akti sublim i pavarësisë kombëtare i udhëhequr nga Ismail Qemali, DomNikoll Kaçorri, Vehbi Dibra Agolli, Jorgji Karbunara, Elmas Boçe, Veli Harçi, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Rexhep Mitrovica, Dhimitër Tutulani, Aristidh Ruçi, Abdi bej Toptani, Abaz Dilaver Çelkupa, Mid’hat Frashëri, Shefqet Daiu, Zihni Abaz Kanina, Xhelal Koprëncka, Hajredin bej Cakrani, Qemal Karaosmani, Ilias bej Vrioni, Salih Gjuka, Dhimitër Beratti, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Murad bej Toptani, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiridon Ilo, Thanas Floqi, Qemal Mullaj, Lef Nosi, Myrteza Ali Struga, Nuri Sojliu, Mustafa Merlika-Kruja, Ferit bej Vokopola, Ymer Deliallisi, Xhemal Deliallisi, Nebi Sefa dhe Zyhdi Ohri e personalitete të shquara kombit tonë e bënë shtetin shqiptar të lirë, të pavarur dhe sovran.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është dita më e shënuar në historinë moderne të shtetit shqiptar, ditë që na fton të punojmë fort për ta bërë atdheun tonë të bukur, të begatë të zhvilluar e të përparuar. Kjo ditë uniteti kombëtar dhe reflektimi të thellë mbi sakrificën e patriotëve të kombit tonë në shërbim të lirisë e pavarësisë, qoftë udhëheqësja jonë e përjetshme për vepra të larta patriotike dhe atdhetare.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do të jetë përjetë e mot në shërbim komunitetit shqiptar, kombit shqiptar e çështjes sonë kombëtare në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e trojeve etnike kombëtare.

Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën, Amerikën, miqtë e aleatët e kombit shqiptarë.

Gëzuar përjetë e mot festa e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit tonë Kombëtar.

Me gëzim e zemërplotë

Kryetari i VATRËS

Dr. Elmi BERISHA

Filed Under: Featured

FESTA E FLAMURIT, SIMBOL I BASHKIMIT  TË POPULLIT SHQIPTAR

November 28, 2025 by s p

Skënder Karaçica/

Diaspora shqiptare në Amerikë nuk ka tjetër atdhe, pos tokës së shqiptarizmës! Në faqet e gazettes “Dielli”, e kemi më afër tokën, diellin, gjuhën, flamurin shqiptar

Sot,populli shqiptar dhe diaspora në Amerikë ka festë të gëzimit, të kujtesës historike,në betejat e shekujve të përgjakur  në kërkim të frymës së lirë në tokën tonë. Festa e Nëntorit për Pavarësinë e Shqipërisë-Dita e Flamurit po hedhë dritë në faqet e gazetës,,Dielli,, më e vjetra e  fjalës dhe të lajmit shqip,këndej detit në Amerikën  e largët.

Popull im i dashur Shqiptar! E keni ruajtur ndër shekuj tokën, diellin, gjuhën, flamurin të prëgjakur për Ty Shqipëria jonë…!Të duam e bukura e dheut,me emrin Shqipëria zyrtare dhe Shqipëria tjetër Kosovë(term Dritëro Agolli) Dhe, diaspora shqiptare këndej detit në Amerikë, bënë thirrje me dritën e diellit, ne nuk kemi tjetër atdhe pos tokës së shqiptarizmës…!

Thirrje para diellit për Tiranën dhe Prishtinën, merrni frymë bashkë dhe nisuni në udhën e demokracisë  e të shtetit ligjor, që në shekullin e ri,mos të vonohemi në histori, tashti me fajin tonë! Me flamurin kuqezi do të participojmë tipare të vlerave kombëtare të kombit shqiptar me popujt e lirë të Evropës dhe në miqësi të përjetshme me Amerikën!

Gëzuar Festa e Nëntorit -Dita e Flamurit Shqiptar!

Me gazetën “Dielli” festa bëhet më mashështore!

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 119
  • 120
  • 121
  • 122
  • 123
  • …
  • 2858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT