• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Telenovela turke e Tiranës

March 9, 2024 by s p

Sadik Bejko/

Në gjithë këtë historinë me Princ Lekën, simbolin e familjes mbretërore shqiptare, status që në Shqipëri është i bazuar mbi një ligj të parlamentit shqiptar, ka një pështjellim. Nuk them që mos të japin lajme dhe nga ato që janë për në faqet e shtypit rozë, por rangun mbretëror të njohur me ligj duhet ta respektojnë.

Shqiptarët kanë një familje me status mbretëror… familje në rang të lartë. Rangu është një lloj pushteti që duhet respektuar. Rangu mbrohet nga ato që quhen rregulla të pashkruara, po që në një shoqëri të mirë, janë të detyrueshme sa edhe ligjet e shkruara. Rangu është pushtet.

1.

Cilët janë njerëzit që kanë atributin e pushtetit?

Një kryeministër, një ministër… janë njerëz të pushtetit të zgjedhur, pushtet që të detyron me sanksione, me ligje, me gjykata, me polici që t’u bindesh verdikteve të tyre.

Atribute pushteti ka dhe një ekspert, një specialist në një fushë të dijes a të tregut. Një specialist i shquar i tregut, një gazetar i shquar, një bankier, një profesor me tituj shkencorë… është njeri që ushtron pushtet, pushtetin e dijeve si ekspert i një fushe të caktuar. Ai këshillon, bën analiza, jep mendime të çmuara, bën parashikime, por sado me vlerë, këto ide nuk e kanë fuqinë ligjore që domosdoshmërisht të jenë të detyrueshme të vihen në jetë.

Personat e tretë në pushtet janë njerëzit në rang. Një baron, një kont, një princ, një Papë, një Kardinal… një kryepeshkop, një përfaqësues i familjes mbetërore i njohur me ligj, quhen njerëz në rang. Ata nuk janë si njeriu me pushtet shtetëror, si një kryebashkiak a ministër. Nuk kanë as fuqi intelekti si specialistët. Mbase nuk kane as pasuri të konsiderueshme. Por ata kanë atë që quhet rang i lartë. Janë njerëz të rangut, të një shkalle shoqërore të respektueshme.

Në një shoqëri shqiptare të proletarizuar nga mendësia marksiste… siç është Shqipëria… respektohet vetëm pushteti shtetëror. Pushteti shteteror shqiptarët i ka dhunuaruar në shekuj, me ndëshkime skllavëruese e me lënie në mizerje e varfëri. E prapë shqiptarët e kanë frikë shtetin më shumë nga Zotin. Pushteti baraz Perëndia.

Në botë krahas ligjeve të shkruara, kanë fuqi, respektohen dhe rregullat e pashkruara.

Në vitet ’60, në revoltat e studentëve të Parisit kundër Presidentit De Gol, u rreshtua dhe filozofi Zhan Pol Sartër. Kur i thanë De Golit ta burgosim Sartrin, De Goli tha: Nuk burgoset Volteri! Sartri ishte një njeri i pushtetit intelektual. Që respektohet, edhe kur gabon.

Frederiku i madh i Prusisë, atyre që i ankoheshin pse e mbante pranë Volterin, u përgjigjej se ai është njeri i aristokracisë së mendimit. Se thoshte Vlhelmi i madh ka tri aristokraci, aristokracia e fisit, kontët, markezët, baronët, dukët, aristokracia e pasurisë, bankierët… dhe aristokracia e mendimit… filzofët, Gëtet, Shilerët, Bethovenët…etj.

Shqiptarët duhet të mësohen se një shoqëri e mirëstrukturuar, duke respektuar strukturat e saj të pushtetit, respekton veten, statusin e saj si shoqëri e organizuar në shkallën më të lartë.

Ne mbetemi peng i të fortit të radhës… jo i hierakive strukturore, të cilat dhe në mos qënçin të detyrueshme me ligj, janë të detyrueshme nga një ligj i të qënit shoqëri xhentëlmenësh, shoqëri e sjelljes së mirë.

Në një shoqëri të sjelljes së mirë, xhentelmenësh, dikush që humbet, pranon humbjen. Në një shoqeri të sjelljes së mirë, babai pranohet dhe me të metat, kufizimet e tij. Nuk vritet babai nga bijtë në shtëpinë e tij. Po nuk të pëlqejnë sjelljet e babait tënd, tani që nuk je në moshë minoreni, por edhe minoren të jesh, dil nga ajo shtëpi… shko, ndërto jetën tënde, larg tij.

2.

Të vij te dy personazhet që më shtynë të bëj këtë shënim.

Një aktore si Elia Zaharia, nuk është e shenjtë. As princ Leka nuk është i shenjtë. Janë njerëzorë, të gabueshëm. Madje për nga statusi shoqëror që kanë janë më të ekspozueshëm ndaj sjelljeve që zënë faqet e para të shtypit rozë.

Të gjithë e dimë se aktorët, njerëzit e showbizit, janë në faqet e para të këtij shtypi.

Edhe Princat, qofshin ata dhe me rangun më të lartë mbretëror si ata të Anglisë, nuk mbeten më pas në histori rozë… ndonjëherë dhe të dyshuar për histori të dënueshme…

Historia e Lekës dhe e Elias është dhe historia e Rangut tonë mbretëror… me pak ngjyra roze. Me pak dramacitet. Edhe njerëzit e rangut më të lartë, në jetën e përditshme, në mëkatet e tyre, janë tokësorë.

Pse shqiptarët janë kaq të prekur nga kjo histori rozë? Pse një histori rozë kaq të rendomtë… një histori tokësore… e bëjnë kaq dramatike… dhe pse me kaq duf prej rajaje prej njerëzish të mllefit revolucionar… mbrehen në inate, bërtasin në ekrane egërsisht që mbretërit duhen shkuar në gijotinë?

Shqiptarët kështu na dalin krejt të shpëlarë nga një shoqëri e të qënit e fisnikëruar. Fëmijtë vrasin  babain që i rriti, e varrosin në truallin e po atij burri, babai që mirë a keq i ushqeu,  i rriti.

Po kështu shumë gazetarë bëhen palë me një grua që jo vetëm e dhunon burrin, por e fyen, e poshtëron, i përmend shkollimin, i pëmend bukën e gojës, i shqyen rrobat e trupit. Dhe ku ndodh kjo? Ku banon kjo grua, bashkë me vajzën, me babanë e saj? Këta banojnë në shtëpinë e atij që e dhunojnë. Në pallatin mbretëror.

Për fatin tim të keq, pashë një grua artiste që fliste me fjalorin më të ultë se të atyre fshesareve që fshijnë udhët e kryeqytetit. Pashë një artiste aq të shfytyruar. Një të shkolluar dhe zonjë me përvojë jo të paktë jetësore. Gjithmonë në emisionet televizive shohim gra nga rruga, me histori fatkeqe, gra që i mëshirojmë.

Tani po shohim një grua arti. Një grua që vjen nga ajo që quhet elita më e lartë e Tiranës. Nëna e saj artiste, ajo vetë artiste, babai i saj profesor.

Si ndodhka ky mjerim që kjo zonjë e elitës së madhe të Tiranës nuk dallohet në gjuhë, në sjellje nga një grua e periferive?

Dhe ky burrë, princ Leka e ka lënë në pallatin e tij ish-gruan ku ajo po banon përkohësisht bashke me të atin. Me partneren e tij të re është strehuar diku gjetkë. Sa të kryhen procedurat ligjore të divorcit. Por nuk mund ta takojë të bijën se ish-gruaja rrëmben drurin… Për të ardhur keq.

Televizonet e Tiranës, që pëlqejnë telenovela turke, gjejnë rast të shajnë familjen mbretërore, shajne historinë e tij, shajnë para ardhësit e tij. Kjo është një fabul e lashtë, e rrëfyer me zell që nga koha e Kongresit të Përmetit. Pa pa pa… Sa të këqinj që janë këta mbretërit edhe kur u lirojnë pallatin e tyre ish-grave dhe kur i tolerojnë ata që i shajnë e i shtyjnë …

Përrallat me partizanin Meke që shkel me opinga pallatin e mbretit, në televizionet e Tiranës ende vazhdojnë.

Filed Under: Kronike

Naum Prifti, shkrimtari i të gjitha kohërave në QKLL

March 9, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Midis Dy Kohësh – takimi kushtuar shkrimtarit Naum Prifti në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë ditën e martë me 5 mars, – provoi se autori edhe pse i larguar dy herë – nga atdheu dhe nga jeta – ka vendin e vet tek lexuesi dhe në letërsinë shqiptare. Poetesha Mimoza Ahmeti e drejtoi bisedën me vajzën e shkrimtarit, Julika Prifti, ku ju dha hapësirë detajeve biografike të ndërthurura me disa nga momentet kyçe të krijimtarisë së tij këtej dhe andej oqeanit. I njohur si mjeshtër i tregimit shqiptar, ai krijoi një spektër të tere të zhanreve të artit ne sistemin e kaluar dhe pastaj në emigracion në Amerikë duke qenë gjithmonë, siç thoshte ai vetë, “në harmoni me veten e tij”. Krijuesja me personalitet origjinal, Mimoza Ahmeti e ka njohur autorin si shkrimtar dhe bashkëkohës të të atit, duke i dhënë një rrjedhje të natyrshme diskutimeve të folësve dhe mysafirëve të pranishëm në sallë

“Lëvruesi i disa zhanreve të letërsisë shqipe, Naum Prifti, linte gjurmë tek mua si për personazhet e rrallë në tregimet si Ndjekësi i Kuajve ashtu dhe për subjektet jotipike e të paharrueshem, ” tha Profesoresha Anila Mullahi e Fakultetit Histori Filologji, duke shprehur mendimet si lexuese dhe pedagoge.

“Pena e tij qëndronte lart të tjerave në dialog sepse Naumi mishëronte në to nuancat psikologjike të botës së brendshme të personazheve. Aty kishte aq shumë vërtetësi dhe dinamizëm sa nuk mund t’ju hiqje asnjë presje,” tha artisti Bujar Kapexhiu. Duke u kthyer në vitet ’70 kur realizoi filmin e parë të gjatë vizatimor Pika e Ujit me skenar të Naumit në Kinostudion Shqipëria e re, Bujari tha se komunikimi me autorin ishte i natyrshëm sepse “prej tij mësonim diçka, por edhe sepse ai dinte të na bënte të gjithëve të ndiheshim më intelektualë.”

Naum Prifti jetoi dy të tretat e jetës në Shqipëri dhe një të tretat në Amerikë por mbeti deri në fund një qind për qind rehovar. Ai u lind në 7 mars 1932 në Rehovë të Kolonjës. Dhe aty la amanet të kthehej një pjesë e hirit të tij nga familjarët. Dy nga vajzat, Julika dhe Rafaela, e çuan në vend dëshirën e fundit vitin e kaluar. Rehovarët shprehën admirim për mjeshtrin nga pena e të cilit buronte dashuria për vendin nga Tregime të Fshatit, Cikua dhe Beni e shumë krijime të tjera. Bashkëfshatari Vangjel Qirici foli me elokuencë për lidhjen e fortë të autorit me vendlindjen. Bardhyl Prifti, pjesëtar i fisit të Priftëllarëve, duke vlerësuar zotësinë e gurgdhendjes të burrave paraardhës e cilësoi “Naumin trashëgimtar të denjë të tyre në mjeshtërinë e gdhendjes së fjalës”. Ulur pranë tij, kushërira e Naumit, Liljana Cunga, pohonte me kokë.

Gjatë gjithë jetës Naumi gjente mbështetje te rrethi i shokëve dhe miqve ku flitej lirisht dhe ku mendimi i lirë nuk censurohej. Burbuqe Angjeli, vajza e shkrimtarit të ndjerë dhe mikut Dhimitër dhe Fati Xhuvani, ndjeu praninë e prindërve të saj në takimin për shkrimtarin. Aty secili pjesëmarrës hynte në lidhësen e kohëve dhe brezave prindër – fëmi. Xhuvanët, Nurët, Priftëllarët e atëhershëm tani nuk jane më, por kur Buqja, Besimi (Beci) Julika ecin në rrugën e bukur të miqësisë së prindërve.

Ndër figurat e adhuruara të Naumit, zë vend qendror familja Luarasi. Në fjalën e tij Petro Luarasi u përqendrua në prozën poetike të Naumit LISI shkruar për babain e tij Skënderin dhe filmin artistik Kush Vdes në Këmbë, të cilin Naumi ia kushtoi rilindësit nga Kolonja, martirit të gjuhës shqipe Petro Nini Luarasi.

Robert Çabej dhe shkrimtari kanë punuar në Divjakë në vitet 1967-1971. Ai dhe bashkëshortja Anida Çabej e kanë vlerësuar krijimtarinë shumëdimensionale të Naumit.

Alda Bardhyli, Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ishte entuziaste për takimin në këtë institucion të rëndësishëm të kulturës shqiptare, e ngritur në janar 2019. Puna koordinuese nga Anxhela Pasha e QKLL mundësoi takimin kushtuar Naum Priftit, për të shënuar 92 vjetorin e lindjes se tij.

Pjesëmarrësit Vojsava Thanasi, Mimika Balluku, Ferial Daja (entnomuzikoloke e shquar), erdhën të nderonin autorin dhe veprën e tij. Takimi vazhdonte në grupime të njohurish e të sapo prezantuarish të cilët merrnin njeri tjetrin për t’u fotografuar përpara aparateve ende duke diskutuar për humanizmin e Naumit, riedukimin në Divjakë pas ndalimit të dramës Rrethimi i Bardhë, përshtatje e shqipërime si Princi i Vogël, Gjigandi i Madh i Mirë, Çarli dhe Fabrika e Çokollatave, etj.

Bajram Karabolli, autor dhe përkthyes, e quajti Naumin Borges-in shqiptar. “Është thellësia psikologjike që e dallon mjeshtrin e madh të tregimit shqiptar, kjo është parabola e krijimtarisë së tij,” theksoi publicisti Stavri Trako teksa përshëndetej me të ftuarit që dilnin nga salla. Dy vajzat e autorit, Julika dhe Rafaela, e ndien të prekshëm admirimin dhe respektin për babain e tyre dhe për shkrimtarin e gjithë kohërave.

Filed Under: Analiza

PREJARDHJA PELLAZGJIKE E GJUHËS SHQIPE DHE E SHQIPTARVE ËSHTË VËRTETUAR PLOTËSISHT

March 9, 2024 by s p

Luftulla Peza/

Në ditët tona megjithse janë botuar mjaft studime e libra mbi tezën pellazgjike dhe prejardhjen pellazgjike të gjuhës shqipe dhe shqiptarëve dhe ajo është tashmë vërtetuar plotësisht, ka ende studiues me dije të pakta që prejardhjen tonë pellazgjike nuk e pranojnë dhe origjinën tonë dhe të gjuhës sonë e çojnë deri tek ilirët e më tutje nuk dinë çbëhet. Këta indirekt edhe këtë orgjinë dhe autoktoninë tonë e vejnë në diskutim.

Këta studiues ende vazhdojnë të mbrojnë me fanatizëm si dokumentin ma të vjetër të shkruar të gjuhës sonë ‘Formulën e Pagëzimit’ të vitit 1462. Nga kjo edhe studiuesit e huaj e vendosin gjuhën shqipen gjuhën më të re në pemën e familje së gjuhëve Indo-Europiane.  

  Dy janë shkruesit më të zellshëm  kundra tezës pellazgjike të prejardhjes së gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve e këta janë Prof. Dr. Mimoza Kore, që ka zënë me njohuri të pamjaftueshme katedrën e gjuhës shqipe në Fakultetin e gjuhësisë së Universitetit të Tiranës dhe Pëllumb Xhufi, që me leva politike ka zënë vend të ngrohtë në atë që quhet Akademi e Shkencave e Shqipërisë, por që në të vërtetë me punën që bën nuk është e tillë, por një institut albanologjik pa veprimtari. Nga kjo qendër para disa vjetësh mbi akademiu me fjalorin e madh etimologjik  të pjellë nga një mendje shterpë, që e nxori gjuhën shqipe me 93 përqind të fjalëve të huazuara nga gjuhët e huaja dhe një tjetër motër e tij që çdo ditë disa fjalë të gjuhës shqipe ja kalon gjuhës serbe.   

Zonja prof. Mimoza Kore në një artikull të saj shtron pyetjen: ‘A ka baza teoria pellazgjike e prejardhjes së shqipes’, botuar në gazetën Tema 6 tetor 2023 dhe P. Xhufi me konsideratat e tij të mbrapshta mbi studiuesit e problemit pellazgjik i jep në librin e tij ‘Arberit e Jonit’. 

Zonja Kore me thënie e kundërthënie të shumta por pa baza shkencore mundohet të argumentojë që teza pellazgjike ka vdekur përfundimisht. Ajo shkruan:

-pellazgët bota i njeh nga grekët, 

-autorë të tillë të racës pellazge si Herodoti i Kalikarnasit, baban e historisë nga Karia e lashtë pellazge, që në librin e tij ‘Histories’ thekson se  jugu i Ballkanin në kohrat e lashta quhej Pellazgjia (Herodot, Histories 2.56) dhe Strabonin i quan autorë grekë,

-gjuha pellazge është problem për helenistikët (Greqinë), 

-nuk provohet me baza shkencore teza pellazgjike ‘idhtarët e tezës pellazgjike ata që pa drojë  e pa mbështetje shkencore i japin flatra fantazisë së çfrenuar duke u përpjekur me argumenta qesharake duke e vendosur shqipen në bazën e gjuhëve IE dhe e njesojmë me gjuhën parake të kësaj familje, bëjnë dëm të madh sepse shpien ujë në teza antikombëtare. Albanologjia pranon që shqipja vjen nga ilirishtja.

Ku është mbështetur zonja Kore në analizën e saj? 

Vetëm në 3-4 emërtime që i kanë shkuar për shtat asaj si Çabej, Mancaku e nja dy të huaj, por ka anashkaluar veprat kryesore që trajtojnë problemin pellazgjik  siç janë: Iliada dhe Odisea e Homerit, poemat e Hesiodit, që janë në gjuhën pellazge, por që kuptohen me gjuhën shqipe, sudimet e  Nikoll Ketës, Krispit, de Radës, Spiro Kondës, Dhimitër Pilikës, studime të L. & L.Peza e shumë studime të tjera që e shtjellojnë me imtësi tezën e problemit pellazgjik dhe të lidhjes së saj me gjuhën shqipe dhe shqiptarët. 

Pëllumb Xhufi  Në librin e tij ‘Arbërit e Jonit’ (Onufri 2016) në faqen 13 të librit shprehet:

 ‘Uroj që libri të ndikojë sado pak për të shkurajuar armatën e madhe të historianëve diletantë, të cilët pasi kanë shkruar historinë e fisit dhe të fshatit të tyre, me guxim të çartur janë hedhur në sulm për të zgjidhur çeshtjet e ndërlikuara të historiografisë, duke filluara nga e aqlakmuara ‘Çeshtja pellazgjike’ dhe kanë botuar tonelata të tera me libra, pse jo ndonjë herë të financuara nga institucione e ministra, si ai që përmenda në fillim të kësaj parathënie’.   

Por si qendron e vërteta?

Së pari theksoj se për tju kundërvenë një teze apo rrëxuar atë duhen argumenta shkencorë që tek profesorët Kore dhe Xhufi mungojnë krejtësisht. Këtu nga të dy qëndron dëshira për ta rrëxuar tezën pellazgjike, por kjo nuk është rruga shkencore që ata ndjekin.

E dyta  duke mos pranuar tezën pellazgjike të prejardhjes së gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve nga banorët më të hershëm të rajonit të Egjeut pellazgët (fig. 1)  del problemi nga rrjedhin ahere ilirët, kur nuk pranohet që kanë origjinë pellazgjike? Kështu ilirët që pranohet origjina e shqiptarve për deri sa sipas profesorve Kore e Xhufi nuk rjedhin nga popullsia më e vjetër vendase e Egjeut pellazgët, duhet të jenë të ardhur në kohë më të reja në gadishullin tonë !. Në këtë mënyrë Xhufi dhe Kore i paraqisin ilirët ardhacakë në gadishullin Ballkanik. Nga kjo del që sipas Xhufit e Kores shqiptarët nuk janë autoktonë në trojet e tyre ku jetojnë sot. Ata kanë anashkaluar studimet e shumta të autorëve të ndryshëm mbi problemin pellazgjik  e kështu  bazohet vetëm në dëshirat personale të Xhufit dhe Kores, që taksapaguesit shqiptar i paguajnë me rroga të majme për të bërë punë në dobi të shoqrisë sonë por ata bëjnë të kundërt, mbajnë qendrim antikombëtar.   

Si qendron e vërteta?

Fig. 1- Harta e përhapjes së fiseve pellazge gjatë shekujve 8-5 pes (koha e Homerit dhe e Herodotit ) 

Fig. 2- Harta e Ilirisë shekulli 4 era jonë 

Në hartën e lashtë fig.1 tregohet vendosja e fiseve pellazge në rajonin e Ballkanit dhe Egjeut.  Ata kanë banuar në të gjithë  gadishullin tonë edhe në rajonet e Ilirisë, Epirit, Maqedonisë etj. para se prej tyre të lindin popujt më të rij, (sipas Homerit, shekulli 8 pes dhe Herodotit, shekulli 5 pes). 

Sipas teorisë pellazgjke nga pellazgët e lashtë  (fig. 1) gjatë gjatë procesit të gjatë të zhvillimit lindën më vonë ilirët, maqedonët, dakët, epirotët, dardanët etj. shprehur në hartën 2.

Por sipas Pëllumb Xhufit dhe Mimoza Kores, që e mohojnë tezën pellazgike dhe prejardhjen e ilirëve prej tyre del problemi kur ilirët nuk kanë origjinë pellazgjike ahere nga erdhën në gadishullin tonë, që shfaqen në hartën 2? 

Kështu që mospranimi i prejardhjes pellazgjike të ilirëve, në territorin që më parë banohej nga pellazgët e lashtë i nxjerr ilirët të ardhur nga diku në territorin e sotëm që dikur banohej nga pellazgët. 

Kështu që nga qëndrimi i ngurtë i kundërshtimit nga dëshira për ta kundërshtuar por pa baza shkencore  teorinë pellazgjike të prejardhjes së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe Pëllumb Xhufi dhe Mimoza Kore nuk e rrëxojnë dot shkencërisht teorinë pellazgjike të prejardhjes së ilirëve, maqedonve etj. dhe të gjuhës shqipe, por në anën tjetër me qendrimin e tyre mohojnë padrejtësisht dhe në kundërshtim me të dhënat shkencore autoktoninë e ilirëve, pra i paraqisin ata të ardhur në rajonin ku ne pasardhësit e ilirëve jetojmë sot e më parë ishin pellazgët.  

Në të gjithë këto kundërshtime të pabazuara të teorisë pellazgjike të prejardhjes së gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve këta dy autorë nuk janë konsultuar me literaturën bazë të problemit. 

Nuk është shfrytëzuar studimi i G.von Hahnit ‘Albanische Studien’, i cili epirotet, maqedonët e ilirët i quan farefis të ardhur nga pellazgët më të lashtë, nuk është shfrytëzuar Homeri me dy poemat e tij, të shkruara në gjuhën pelllazge, me alfabetin pellazg por që kuptohen lehtë me gjuhën shqipe. 

Zonja Mimoza Kore shkruan: 

‘Idhtarët e tezës pellazgjike, e kemi fjalën për ata që pa drojë e pambështetje i japin flatra fantazisë së shfrenuar duke u përpjekë me argumenta qesharake duke e vendosur shqipen në bazën e familjes Indo-Europiane dhe e njesojnë me gjuhën parake të kësaj familje bëjnë dëm të madh sepse shpien ujë në tezat antikombëtare’. 

Por në vitin 2015 ne dy autorët L. & L.Peza studjuam gjuhën e lashtë hitite dhe vumë re që shumë fjalë të asaj gjuhe të lashtë (mbi 300) janë edhe në përdorom në gjuhën shqipe, kështu arritëm në përfundimin që gjuha hitite është një variant i lashtë i gjuhës shqipe. Por gjuha hitite është gjuha më e vjetër e familjes Indo-Europiane dhe pranoher nga studiuesit e huaj se nga gjuha hitite kanë prejardhë të gjitha gjuhët e familjes I-E. Prandaj në studimin tonë me të drejtë  shkruajmë që gjuha shqipe (me formën e saj të lashtë gjuhën hitite) është baza e prejardhjes së gjuhëve të familjes I-E. Këto përfundime i kemi në një referat të mbajtur në një konferencë shkencore në Pragë Hrozny-2015 dhe në librin ton: Gjuhët e lashta të Ballkanit dhe Anadollit dhe familja pellazgjike e gjuhëve, Tiranë 2018. 

Ajo shkruan që albanologjia pranon që shqipja vjen nga ilirishtja, por kjo vetë nga vjen nuk dinë ta thonë. 

Në shekullin e kaluar, pyetjes se cilët kanë qenë stërgjyshërit e shqiptarëve, pati studiues që iu përgjigjën me tezën e paprovuar shkencërisht, se shqiptarët ishin stërnipër të pellazgëve dhe shqipja bijë e pellazgjishtes-ilirishtes. Sot kjo tezë është zbehur, madje nuk përmendet në qarqet shkencore, por është gjallëruar midis “studiuesve patriotë”. Kështu shkruan padrejtësisht prof. Mimoza Kore. 

Vihet re që në këtë përpjekje të shfrenuar për të larguar e fundosur tezën pellazgjike të prejardhje së gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve të dy idhtarët antipellazgë  Pëllumb Xhufi dhe Mimoza Kore  kanë shfrytëuar vetëm atë literaturë që u shkon atyre për shtat si Çabejn, Mancakun, por nuk kanë studiuar literaturën kryesore për problemin pellazgjik dhe të prejardhjes prej tij të gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve. Këta autorë që e sqarojnë ma së miri problemin janë: Iliada dhe Odisea e Homerit, N.Keta, Xh. Krispi, de Rada, V.Dorsa, S. Konda, Dh. Pilika e më pas vijojnë Peza L. & L. 2015. New  knowledge on Hitite language.., L.& L.Peza 2018 Iliasi i Homerit.., L. & L. Peza 2020. Gjuhët e lashta të Ballkanit dhe familja pellazgjike e gjuhëve etj. Kështu pa mbështetje shkencore por vetëm me dëshirën e keqe për të rrëxuar tezën pellazgjike mjaft të rëndësishme për ne shqiptarët Mimoza Kore mundohe të shembë prejardhjen pellazgjike të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, por duke ndërmarrë rrugën antishkencore të pa denjë për një shkenctare. 

Një problem tjetër që lidhet me dobësitë në punën e zonjë Mimoza Kore vjen nga neglixhencat e saj dhe të kolektivit që drejton për studimin e gjuhëve të lashta etruske, mesape, të italisë, Ballkanit dhe mbishkrimet e lashta që ndodhen në muzetë e Durrësit etj.     

Prof. Mimoza Kore Homerin, Hesiodin, Herodotin i quan autorë grekë, por që të tre janë autorë pellazgë që kanë shkruar në gjuhën pellazge, por që kuptohet vetëm me anë të gjuhës shqipe, vetëm që duhet mësuar alfabeti pellazgjik, i njejtë me atë që përdorin grekët sot. Këte alfabet kanë përdorur edhe shqiptarët gjatë shekullit  të 18 kur morën shkronjat latine në kongresin e Manastirit. 

Po sjell këtu për ilustrim vargjet e parë të Iliadës së Homerit:

μῆνιν ἄειδε θεὰ Πηληϊάδεω Ἀχιλῆος

menin që the a e ja dhe Akilit të Peleut

οὐλομένην, ἣ μυρί᾽ Ἀχαιοῖς ἄλγε᾽ ἔθηκε,

ule menin që the e thoke i miri Akaje,

πολλὰς δ᾽ ἰφθίμους ψυχὰς Ἄϊδι προΐαψεν

i thëras thinjoshit pse zi ka ai  e din psenë

ἡρώων, αὐτοὺς δὲ ἑλώρια τεῦχε κύνεσσιν

e ron është Eloria ti ike ku ndezin

5 οἰωνοῖσί τε πᾶσι, Διὸς δ᾽ ἐτελείετο βουλή,

Ajo është në zi pasi Dios (Zeusi) e harroi  atë gjatë,  

ἐξ οὗ δὴ τὰ πρῶτα διαστήτην ἐρίσαντε

Odeta priti Diosin në shtrat, e do rrijë sonte

Ἀτρεΐδης τε ἄναξ ἀνδρῶν καὶ δῖος Ἀχιλλεύς.

Atreid (Agamemnon) ti ndryshe andron, qan Dios Akileun.

(shqiperuar L. & L. Peza)

Vetë emri ‘Shqiptar’ dhe ‘Shqipëri’ lidhet me Zeusin Pellazg, pra me Teorinë Pellazgjike dhe lufta që bëhet kundra Teorisë Pellazgjike të prejardhejs së shqiptarëve e të gjuhës shqipe e çon punën në mohimin e emrit shqiptar dhe Shqipëri.

Fig. 1

Ky është perendia jonë Zeusi Pellazg. Siç e shihni ai shoqërohet nga shqiponja kudo dhe mban në duar shigjetat që gjuante të pabesët. Pikërisht nga kjo shqiponjë, shoqëruese e Zeusit Pellazg kemi marrë ne emrin Shqiptar, bijë të Shqipes, Shqiponjës dhe vendi ynë quhet prej kësaj Shqipëri. Prandaj çdo përpjekje kundra tezës pellazgjike të prejardhjes së gjuhës sonë dhe të shqiptarëve është njëkohësisht përpjekje për tu hequr shqiptarëve emrin e madh ‘SHQIPTAR’ dhe vendin tone emrin e lavdishëm ‘SHQIPËRI’.   Për këtë në Tiranë është emërtuar një shesh ‘Sheshi Shqiponja’ ku ndodhet edhe shtatorja e nji shqiponje gjigande, që na jep emrin shqiptarë.         

Zonja prof. Mimoza Kore  ka mundësi të mëdha për ti dhënë shtysë të madhe studimit të gjuhës shqipe me studimin e gjuhëve të lashta siç janë gjuha etruske, gjuha mesape, gjuha hitite etj. Gjuhët e lashta të Italisë i ka studiuar studiuesi Fahri Xh. Xhara nga Gjakova, gjuhët e lashta të Ballkanit dhe Anadollit e gjuhën hitite i kemi studiuar unë e Liljana Peza me librin përkatës për to, botuar në vitin 2018. Të gjitha janë dialekte të lashta të gjuhës shqipe. Por ne merremi me histori dhe studimi i këtyre gjuhëve e të tjera kanë nevojë të studiohen nga gjuhtarët. Prandaj katedra e gjuhës shqipe që e drejton prof. Mimoza Kore ka mundësi të bëjë këtë punë me studentët dhe doktorantët e ri.

Zonja prof. Mimoza Kore shkruan në artikullin e saj që të dhënat e para për pellazgët i kanë dhënë grekët. Nuk e di se për cilin e ka fjalën zonja profesore, por për herë të parë në histori pellazgët i përmend Homeri në Iliadë dhe Odise, që vlerësohet  si poeti me të cilin fillon letërsia perendimore, që është më se e vërtetë. Por me Homerin, sipas studimit L.Peza & L.Peza 2018. Iliasi i Homerit……, fillon edhe letërsia shqipe, sepse në to kemi ndeshë gjuhën shqipe në to: Iliada fillon me fjalën shqipe MENIN, ndërsa Odisea me fjalën tjetër të gjuhës sonë ANDRA. 

Sa për grekët mund të them që nuk ka pasur në lashtësi, Greqia u ngrit nga fuqitë e mëdha me protokollin e Londrës në vitin  1832 nga Rusia e Franca mbi trojet shqiptare me mbretin gjerman Otto. Kështu që historia e Greqisë fillon pikërisht në vitin1832, pavarësisht që grekët e falsifikojnë atë në favorin e tyre. Kjo është harta e vërtetë e Greqisë dhe shihni se si asaj ju dhanë tokat shqiptare. Me bojën blu shënohet rajoni i parë që i dhanë europianët Greqisë e më pas i falën rajonet e tjera.  

Fig. 2

Kjo është harta e Greqisë që u themelua në vitin 1832. Më parë rajoni ka qenë Iliria.

Fig. 3

Duke u sjellë me papërgjegjësi zonja Kore e gjuhtarët e tjerë shqiptarë me gjuhën tonë shqipe, ajo ka ngelur gjuha më e re në pemën e familjes së gjuhëve Indo-Europiane me vjetërsi 600 vjeçare, sepse dokumenti më I vjetër I shkruar I gjuhës sonë prej tyre është pranuar  Formula e Pagëzimit e vitit 1462 (fig.3), kur ajo në fakt është gjuha më e vjetër e shkruar dhe me dokumentin më të vjetër edhe për të gjitha gjuhët e  familjen I-E, me paraardhësen e saj gjuhën hitite. Gjuha hitite është më e vjetra e familjes Indo-Europiane dhe me dokumenrin më të vjetër të shkruar të familjes. Por gjuha hitite rrjedh nga gjuha pelllazge dhe më pas vijon në gjuhët ilire, maqedone, epirote, dake etj., që në mesjetë përbëjnë gjuhën e arbëve, që ot është gjuha shqipe.  (Shih L.Peza & L.Peza 2018 Gjuhët e lashta të Ballkanit dhe Anadollit dhe familja pellazgjike e gjuhëve, GEER, Tiranë). 

Në fund të tabelës së mësipërme të  pemës së gjuhëve të familjes I-E ndodhet gjuha e lashtë hitite, që kemi vërtetuar që është një variant I gjuhës shqipe vertetuar nga L. Peza & L.Peza , 2015. /shih librin e mësipërm/.

Në studimet tona theksojmë që teza pellazgjike qëndron e forte dhe origjinën tone pellagjike dhe të gjuhës shqipe na e vërteton edhe Homeri në poemat e tij Iliada dhe Odisea që fillojnë me fjalën MENIN dhe ANDRA të gjuhës sonë si dhe babai I Historisë Herodoti (shek. 5 pes) një tjetër që ka shkruar gjuhën pellazgeqë të gjithë rajonin e gadishullit tone e quan Pellazgjia (Herodoti, Histories, Libri 2, 2.56).  Është nder I madh për ne shqiptarët që Homeri autori me poemat me të cilat fillon literature perendimore dhe ajo shqiptare dhe Herodoti po ashtu I races pellazge nga e kemi edhe ne origjinën tone, prandaj duhet ti nderojmë ata. 

Dhahran, 14 shkurt 2024  

Filed Under: Opinion

NJË RIKTHIM TE LAHUTA E MALCIS, SI NJË PELIGRINAZH TE NJË VEND I SHENJTË

March 9, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Tre poetë të mëdhenj ia kanë dalë t’i ngrenë nga një monument poetik Shqipërisë: Naim Frashëri me poemën “Bagëti e bujqësia”, At Gjergj Fishta me poemën “Lahuta e Malcis” dhe Dritëro Agolli me poemën “Nënë Shqipëri.” Duke i parë me syrin e njeriut që adhuron kuajt, te Naimi shoh një mërgimtar që vjen me karvan dhe sodit i përmalluar atdheun, te Fishta shoh një kalorës që një sup ka një hutë të gjatë dhe në brez një patllake, kurse te Agolli shoh një kalorës që ka hedhur në sup kosën, kurse te kaptelli i samarit ka vendosur një drapër.

Përmasat legjendare

Duke iu rikthyer “Lahutës së Malcis” gjëja e parë që duhet përsëritur është konstatimi i shumë studiuesve se ajo u dha shqiptarëve atë që Homeri i dha botës me “Iliadën”, skenat dhe bukuria e saj u ngrit në nivelin e këngëve për Rolandin dhe Sidin. Më tej, për të mos përsëritur të tjerët, nevojitet përimtimi vetjak i materialit që ofron vetë poema. 

Ta fillojmë me më sublimen, Fishta si klerik i devotshëm, të paktën në dymbëdhjetë raste i drejtohet Zotit drejtpërdrejt si qasje frymëzuese dhe mbështetëse për të realizuar simotrën shqiptare të poemave të mëdha europiane e botërore të cilat mbollën, ushqyen dhe rritën ndjenjat atdhetare.

Komunikimi është i trajtave: “Ndihmo, Zot, si m’ke ndihmue” (f. 7), “Lul e lum për t’madhin Zot” (f. 89, 199, 244, 310, 356, 469, 501, 577), “Deh, o Zot, që nalt prej qiellit/ Punët e njerëzve i njeh mir’fillit” (f.181), “Falë i qofshim t’Madht Zot” (f. 296, 551).

Poeti ka shfrytëzuar dy forma të epikës popullore për formësimin e veprës së vet: epikën legjendare dhe këngën historike, tabloja plotësohet e zbukurohet me botën e magjishme të baladave.

Elementi legjendar, përveç komunikimit me Zotin, sigurohet me praninë aktive të Orëve dhe Zanave, të cilat jo vetëm i ushqejnë luftëtarët me një forcë mbinjerëzore (f. 214, 216), por marrin pjesë drejtpërdrejt në fushën e mejdanit për t’u siguruar fitoren shqiptarëve, Zana e Madhe zihet fytafyt me shtrigën që ndihmon malazezët (f. 507), madje zotohet për të marrë hakun për humbjet e pësuara. Komunikimi me to është i ngjashëm me Zotin, por, ndryshe prej tij, është më i shpejtë, më i drejtpërdrejtë dhe më rezultativ: 

“Deh! Moj Zanë ma thuej një fjalë. (f. 38)

Deh! Moj Zanë, pash ato kroje.(f. 51)

Vallë, moj  Zanë, a di me m’thanë, se… (f. 61)

Ehu! Moj Zanë, pash të dy sytë

Shkomi Osos tash te kryet… (f. 63)

Qani, qani, oj Zana, qani (f. 68)

Heshtu, Zanë, mos qesh me mue

Se mërzitshëm kam qëllue! (f. 83)

Deh! Oj Zanë, ty t’qofsha true! (f. 92, 179, 190, 514)

T’lshofsha bjeshkët, o mori Zanë. (f.107)

Eja e t’këndojm’, oj Zana e malit, 

Eja e t’këndojm’, n’Lahutë t’Malcis (f.111)

Ik, moj Zanë, mos t’rrimë tue namë! (f. 277)

Behma këtu n’këtë Lissus t’vjetër…

Për me këndue n’Lahutë t’Malcisë

Si u end fati i Shqipnisë. (f. 516)

Sikur të mos mjaftonte komunikimi kolektiv me bashkësisë së Zanave, ato përmenden emër për emër gjatë kujdesit për Tringën: Beke, Berdone, Bjeshkë, Borë, Care, Cerrleke, Culinë, Çeke, Dake, Dalinë, Dare, Dike, Done, Fatale, Gale, Gere, Gile, Grace, Groshe, Jere, Lali, Lere, Lore, Lice, Loshe, Mele, Mile, Mine, Nare, Naze, Raze, Syne, Tale, Tere, Tile, Thrake, Vace.

Gjatë gjithë poemës ky komunikim me Zotin dhe Zanat ka vetëm një përjashtim, kur i drejtohet hënës: 

“Amanet, o mori hanë…

Amanet, a di me m’thanë

Se a t’ka ra ndo’i herë me pa

Kund mbi shekull një kësi kobi.” (f.328)

Elementi legjendar ilustrohet me detajet e mëposhtme: Një hije i shkon mbretit Abdul Hamit dhe i ankohet për knjaz Nikollën dhe pretendimet ndaj tokave shqiptare (f.74-76); fantazma (hija, Zana, Ora e Shqipërisë, e Mira) i shfaqet edhe Ali Pashë Gucisë. (f.105), Ora e Shqipnisë nxjerr rozmari dhe ia jep Ali Pashës për forcë të mbinatyrshme (f.109); Kanga XI “Lugati” është predominim i legjendës (f.147-158); Mehmet Ali Pasha i kthyer në lugat, bisedon me knjaz Nikollën, kurse Çun Mula bisedon me Zanën e Malit (f.184); Kanga XVI “Kuçedra” është me të gjitha tiparet e epikës legjendare: “N’atë Bigë t’Shalës ka dalë kuçedra’/Me shtatë krena e gjashtë palë kthetra…/Bishtin gjatë, me i mbrrijtë në zall…/Zjarr e surfull tue flakrue.” (f.199)

Më tej, Ora e Shalës bisedon me dragonjtë shqiptarë: “Mirë se ju gjej, burra të dheut!/Mirë se vjen, e Bukra e Dheut!” (f.215) Zana e madhe e Vizitorit  kundron luftën që vlon në Nokshiq. (f.430) Zana e Madhe qan mbi trupin e Tringës (f.441) në trajtë elegjie (f.448). Në vajtimin për Tringën janë të pranishme edhe dy ujkonja. (f.453)

Elementi legendar përmbyllet me mitin i Floçkave dhe Kshetëzave, ku veçohet martesa e floçkës me një djalë kelmendas. (f.524-525)

Në rrafshin stilistik këto elemente të legjendës jepen përmes hiperbolave të shumta: (Kuçedra) asht lëshue ‘i qind pash n’ajri. Llesh Gjoni  “me ‘i palë dana ‘izet pash t’gjata. (f.205) Trandë topuzin, njëqind okë. (f.208) Heshta e trashë sa ‘i mashkull qerrit. (f.209) Tue e ba djerrin hurdhë me gjak. (f.238) Kur kanë pa shqiptarët tue rra:/Kë ndrague, kë katalla,/Njen’ ari tjetri lua’,/ Të gjith’trima n’nam e n’za. (f.257) Një shkja ‘i pend buej/ Atë vendit s’mund ta luej./ Beter shtatit sa ‘i mullar. (f.268) Rrjedh der n’gju ai shkulmi i gjakut. (f.325) Sa shpejt Orët janë nisë e shkue,/Sa me t’shpejtë ato jan’ kthye,/Sa veton dy herë me sy…/Se sa i madh-o blini ishte,/Sa të madhe hije kishte,/Me mrizue nja treqind dele! (f.464) T’trashë mustakun porsa krahu,/ Si dy rrfe, që shkrep prej reje. (f.491) Njëzet pash, po, u shemb e ngeli. (f.502)

Fryma atdhetare

Fishta mblodhi dhe solli frymën heroike si element kryesor strukturor dhe artistik të ngjarjeve e krijimeve foklorike që prodhuan ato. Pavarësisht ngarkesës konceptuale legjendare, “Lahuta e Malcis” ka një kontekst të qartë historik, rrjedhimisht transformohet në një monument artistik që pasqyron luftën e popullit shqiptar për pavarësi nga Turqia dhe qëndresën luftarake kundër sulmeve të fqinjve për aneksimin e truallit kombëtar. Dyluftimet, betejat në grupe dhe lufta në tërësi janë shprehëse të një heroizmi historikisht të përcaktuar, me një frymëzim atdhetar dhe jo rajonal, me një vetëdijë kombëtare dhe jo personale apo fisnore. Kënga popullore e epikës historike u formësua qartësisht dhe u përkrye gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, ajo shfrytëzoi prushin e rezistencës ndaj përpjekjeve aneksioniste sllave për të ndezur zjarrin e madh që ndezi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, bashkim që shkëndijoi si autonomi nga Turqia dhe shkëlqeu me pavarësinë e 28 Nëntorit 1912. Etja për famë fillon e futet në hullinë e një misioni madhor, ndjenja e përjetimit epik të jetës ngjyroset kuq e zi, luftëtarët e Fishtës fillojnë me mëkimin e Zanave për ndeshje titanësh për mbrojtjen e bjeshkëve e të kullotave dhe transformohen në shqiptarë që i karakterizon gatishmëria për t’u flijuar për çështjen e atdheut.

“Për shqiptarët, si jemi na,

Turk a shkja të dy janë nja.” (f.128)

Fryma atdhetare ka një simbol – flamurin e Shqipnisë, që është  “si fletë engjëlli t’Perëndisë.” (f. 8) Mbartës dhe përcjellës të saj janë “djem si Zana,/që ma t’fortë s’po t’i ban nana” (f. 49), trima që “s’i ka krajli as s’i ka mbreti,/s’i ka toka as s’i ka deti.” (f. 61)

Fryma atdhetare ka një burim të pashtershëm, trojet e shenjta ku kemi qenë autoktonë në jetë të jetëve, troje ku është shkruar historia jonë shumëshekullore: 

“…Shqipnia

Një shportë fiqsh nuk ka qëllue,

Për m’ua nda miqve peshqesh;

Por asht toka e t’parëve tonë

Asht Atdheu, po, i Skënderbegut,

Asht Atdheu, po, i Mojs Golemit

E i atij Lekë Dukagjinit… (f.130-131)

Evokimi i figurave të shquara historike plotësohet duke shkuar edhe më në thellësi të shekujve me Bardhylin, Teutën, Klinikun, Gencin, Agronin, Hilën, Pleuratin, etj. (f. 520) Këto troje kanë histori dhe ajo është e lidhur ngushtësisht me bukurinë e natyrës që është ushqim për shpirtin dhe pasuritë mbi- e nëntokësore që janë kusht për ekzistencën:

“Toka arbnore, tokë me nam

(Ble me pash e shitë me pllambë,

Pashi argjend, pllamba flori,)

N’daç për bjeshkë e n’daç për vërri,

N’daç për dhen e n’daç për dhi,

Si për bukë, si për tagji

Si për punë, si për tregti. (f. 94)

Por shqiptarët kanë nevojë për një shkundje të madhe dhe kjo mund të realizohet me një gjuhë të ashpër dhe pa lëshim:

“Ehu! Mallkue qoftë ai në Shqipni

Qoftë mallkue, po, a plak a i ri,

Që për mbret e për liri,

S’çohet sot me armë mizore,

S’lidhet sot me besë arbnore.” (f. 53)

Thirrja e poetit është sinkron me atë të Pashko Vasës:

“Çohi, o bij të Skënderbegut,

Turq e t’kshtenë, mos t’u ndajë feja!” (f. 292)

“Për pa u ba gjaku der n’gju,

Kurr Shqipnin’ s’kem për ta lëshue.” (f. 95)

Lufta për mbrojtjen e tërësisë tokësore, shoqëruar me kërkesën për autonomi, lartohet me frymëzimin për ruajtjen e identitetit kombëtar nëpërmjet gjuhës:

“Nisë shqiptarët kanë me mendue…

Shqip me shkrue, po, e shqip me mësue…” (f. 527)

Fatkeqësisht, kjo tokë e bekuar ka nxitur orekset e fqinjve dhe është përdorur nga Fuqitë e Mëdha për të shuar babëzinë e atyre shovinistëve, një padrejtësi që e bën poetin të mos përmbahet, njëkohësisht na bën edhe sot të kuptojmë sa aktuale janë edhe pas më shumë se një shekulli:

“Uh! Evropë, ti kurva e motit,

Që i re mohit Besës e Zotit,

Po, a ky asht sheji i qytetnisë:

Me nda tokën e Shqipnisë

Për me mbajtë këlyshat e Rusis?” (f.167)

Që te poema madhore e Fishtës është kristalizuar e kthyer në diamant vlerësimi i heronjve:

“O ata t’lumtë, që dhanë jetën,

O ata t’lumtë që shkrinë veten…

Që për erz e nder t’shqiptarëve

Derdhën gjakun tue luftue…

Lehtë u qoftë mbi vorr ledina…

E der t’ketë n’det ujë e ranë,

Der sa t’shndrisin diell e hanë,

Ata kurr mos u harrofshin,

N’kangë e n’valle por u këndofshin. (f. 71)

Me siguri At Gjergj Fishta ka ndjekur udhën e Gavril Darës së Ri që nga moria e këngëve arbëreshe ringriti Motin e Madh të Shqipërisë. Në poemë përmenden më shumë se 220 emra luftëtarësh, disa prej tyre dalin madje nga dy ose tri herë në poemë, disa kanë edhe portretin e tyre. 

Bec Patani: “‘i zog petriti” (f. 343), “Ballin gjanë si fush’ mejdani/Vetullat zi si penda e korbit/Syrin zjarr si flakë agzotit/Si ajo rrfeja nëpër re/Dredhë mustakun kacadre,/ Shtatin ardhë porsi harbia/Gishtat drejt porsi namlia…” (f.316-317)  

Çoku i Mar Kolë Dinit prej Kabashit të Dukagjinit: “E ka ballin si sini/ e ka synin si duhi/ i ka shpatullat si një ari,/ trim i çartun, trim si Zanë.” (f. 28)

Mar Lula “i pari i Shalës, një syzjarr, një zog sokoli, burrë i zoti, i pushkës e i fjalës,” (f.126) “…kaleshan, mustaqezi, larg përmendë ai për urti, për urti, për trimëni.” (f.194) 

Oso Kuka: “‘i burrë shkodran,” (f.44) “‘i rrfe prej qiellet,/ Shok nuk ka kah vran e kthiellet.” (f.26) “Shtatin div e syn’n si zgjeta, n’jelek arit.” (f. 27) “rrfe mizore” (f.41) “Kaleshan i qimezi,/ Gjak e zjarm asht syni i tij;/ Edhe i ka një parë musteqe/ Kaçurrel e leqe-leqe.” (f. 46)  

Tringa – trëndafili i kuq poemës

Në një mjedis me vetëm me burra luftëtarë, Zanave legjendare u bashkohet edhe Tringa, një zanë tokësore që përfton një paralelizëm me këngën legjendare të Gjergj Elez Alisë dhe përbën një nga pikat kulmore të veprës. Tringa nuk asgjë më pak se Zanat: 

“Ardhë shtatit si breshana

Synin yll, ballin si hana,

Diçka njethë si molla n’rrem,

Si ajo lulja shpërthye n’gem…

…Kaq gja t’mirë Zoti e ka falë.” (f.368-369) 

“Me atë shtat  filiz çetine,

Me ato vetulla si fiskaja,

Me ata sy kokrra qershije,

Me ata dhambë si gurt e zallit

Fill mbas shiut kur t’u bjerë dielli.” (f.435)

Gjergji i legjendës rimishërohet te figura e Curr Ulës i cili është plagosur rëndë dhe nuk ka fuqi as t’i largohet rrezikut, as t’i dalë për zot motrës që mund të bjerë në duart e shkjeve. Po ndërsa Gjergji gjen forca të ngrihet e të përballet me bajlozin si fitues, Curri vdes. Tringa e merr në sy rrezikun dhe kujdesin për vëllanë e vazhdon edhe kur armiku hyn në oborrin e shtëpisë.

Poeti e ka dhënë me vërtetësi figurën e saj duke hedhur dritë mbi frikën e natyrshme që pushton një femër të pambrojtur përballë një armiku si Gjur Kokoti, shkjau që donte të digjte shtëpinë e Tringës dhe nuk do të nguronte të bëjë punën e hamshorit:

“Si ajo suta shoqesh nda,

E n’blerim t’ njethtë ajo ra.

Lëshohet zhgjetë e turrshëm futet

Brendë në breshtë, tue u dridhë prej tutet,

Kur gjuetari n’të t’  ketë shti,

Për pa mund në tokë’ me u shtri,

Njëkështu bredhë ka Tringa në shpi.” (f.374)

Dialogu motër e vëlla është i njëjtë me atë të legjendës së Gjergj Elez Alisë:

Curri: Mori shpia mbetshi shkret!/Urth e lmashk për rreth u mblofshin!/ Brevë e gjarpën n’ju u përftofshin!/Si kaq shpejt ju me pikue.

Tringa: Jo, mor vlla,…/Se ato cirka shiu nuk janë,/Që n’për hatlla pikojnë n’ votër,/Por jan’ lot’t e s’ate motër. 

Curri: T’paskam lanë pa ngran’ pa pi…/Huj për burrë ndoshta me t’ra?! 

Tringa: Kurr ma randë se sot folë s’m’ke! (f.377-378)

Po kaq bukur, natyrshëm e tokësore tingëllon deklarata e Tringës:

“Unë t’rijtë tim nuk po e baj fli,

Për t’m’ dal kanga n’Male t’ Mëdha

Po për erz, për fe, për vlla.” (f.384)

Tringa e vret agresorin, por edhe ajo kthehet në një trëndafi të përgjakur nga arma e Vasil Ndrekës.

Këtu mbaron historia dhe fillon legjenda, sepse Zanat vajtojnë mbi trupin e Tringës me një tekst të gjatë elegjiak (f.448, 452-453), ato e veshin e stolisin kufomën si virgjëreshat e Malcis, me një varg floriri dhe me një palë rruaza, kurse varrin ia shtruan me lila e drandofilla. (f.462-463) Tradita përcillet me sjelljen e blinit nga Trojani për ta mbjellë te koka e varrit të saj dhe historia vazhdon me betimin e Zanës së Madhe për hakmarrje. (f.464-465)

Fundi i poemës nuk ka nevojë për koment, por vetëm për ta cituar:

  “…N’Shqipni pa nda

Rrahin topat ndër kala;

Përse flamuri kuq e zi,

Sot ma s’pari, bukuri,

Porsi fleta e Engjllit t’Zotit,

Po valvitë mbi tokë t’Kastriotit,

Si valviti dikur motit;

E der n’qiell ushton brohoria

Kah gërthet fusha e Malcia:

Për jetë t’jetës: Rrnoftë Shqipnia!

Edhe kështu, mbas sa mjerimi,

Mbas sa gjakut e shëmtimi,

E për inat t’shkjeve t’Ballkanit

Për gazep t’atij sulltanit,

Si premtue kish Perëndia:

Prap zojë në veti duel Shqipnia.” (f.596)

Filed Under: Opinion

Mjedisi ndikon

March 9, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Vendi nuk ka uzina e fabrika. Tymi i tyre nuk trazon. Por ajri dhe truri rrezikonet nga gazrat dhe zgjurmat e makinave. I gjithë vendi duket kantier; shto këtu të gjithë asfaltin e lëngshëm. Natyrisht, liqeni i madh me katranin e llumit është atraksioni, por ky u ndërtua si një vend ku një burim më i vogël asfalti të ngrihej në mënyrë që të mund të ndërtohej një parking rreth tij. Ka një gardh me zinxhir dhe çati që mbulon puset, por mbeturinat natyrore dhe artificiale ende arrijnë të gjejnë rrugën e tyre. Gropat kanë ruajtur rekordin e kohës; edhe trotuare me kalldrëme, që vendin ia kanë lëshuar pemëve, e detyrojnë njeriun të eci në rrugë krahas me makinën. Për atë që mund të konsiderohet lehtësisht “për të gjitha kohërat”, dëshmitë do të mbyllen në naftën e papërpunuar që fryn në formën e paketave të cigare dhe çakmakëve BIC. Përfundimisht, të gjitha substancat e paqëndrueshme në gropa mund të avullojnë një ditë, ose mund të varrosen nën presion të jashtëzakonshëm derisa të ngurtësohen në formë asfalti ose shtresë argjilor bitumi.
Pothuajse kudo që të shkoni, do të gjeni plehrat tona; në rrugë; në rrugët ujore; në plazhe; do të mblidhet në luginat dhe kanionet më të thellë; kudo në det, deri në grimcat më të vogla.
Grimca të tilla do të ekzistojnë gjithashtu në tokë, ose në shkëmbinj në varësi të asaj se sa larg në të ardhmen po flasim. Kjo përfshin përbërjen kimike: përqendrimet e metaleve të pavend si plumbi, dhe arseniku nga bujqësia dhe operacionet industriale, elementët e tokës, elektronika dhe shumë lëndë petrokimike. Plehrat me bazë azoti do të shfaqen gjithashtu në shtresë. Jo “plehra” mund të përfshijnë betonin, asfaltin dhe çelikun nga të gjitha ndërtimet tona, dhe ndoshta edhe radioaktivet e kalbura nga epoka e prodhimit dhe testimit të armëve për furnizimi e lëvizjeve marksiste në botë. Ndotësit atmosferikë do të shfaqen gjithashtu në tokë dhe shkëmbinjë. Disa substanca janë në gjendje të ruajnë nga afër përbërjen e atmosferave të lashta. A mund të përcaktohet se sa qytetërime më të përparuara kanë ekzistuar para tonit? Shkencëtarët e ardhshëm mund të shikojnë rritjen dramatike të CO2 atmosferik nga epoka jonë, pavarësisht nga vullkanizmi mjaft i qetë dhe të pyesin veten se çfarë ndodhi në Tokë.
Për çdo studiues që shikon një shkëmb, duke ekzaminuar shtresat e një Toke të ardhshme, shtresa e Antropocenit do të dalë jashtë si gishti i madh i lënduar. Dhe kjo edhe nëse nuk hasin në mbetjet e një qyteti të madh, aeroporti ose kompleksi të ngjashëm; ose në minierat e shtrira mbi tokë. Astronautët në orbitën e ulët të Tokës mund ta shohin lehtësisht si një njollë të ndritshme atë që në vetvete është një njollë gri shumë më e madhe, që besohet se do t’i mbetet barrë mjedisit. Shqipëria është kryesisht është braktisur nga 60% e popullsisë, papunësia është e lartë, shkollimi i ulët. Shteti mbahet e taksa e borxhe. Vendi; nuk ka ç’t’u ofrojë turistëve, veç plazhet dhe malet natyrore; kur këto të ndoten e të braktisen, atëherë do të jetë tepër vonë, edhe këto fjalë do t’i ketë marrë era. Dhe Bota me keqardhje do të thotë: “U shua shqiptari se nuk e desh veten”.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1272
  • 1273
  • 1274
  • 1275
  • 1276
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT