• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U mbajt Akademia Përkujtimore në shënim të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

March 7, 2024 by s p

Në kuadër të aktiviteteve shtetërore për nderimin dhe shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar 5, 6 dhe 7 marsit.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu se “Ndonëse fjalët i pasojnë mendimet dhe i paraprijnë veprat, fjalët janë gjithmonë të pamjaftueshme për t’i përçuar si mendimet ashtu edhe veprat. E në rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kjo bëhet pamundësia vet, andaj edhe kënga “Mora fjalë” tregon edhe kufijtë e fjalës.”

Ai shtoi se Epopeja e UÇK-së është “26 vjet lavdi, sepse çdo vit që kalon, lavdia e rezistencës së Jasharëve të Prekazit shkon duke u rritur, ashtu sikurse që e tërë trashëgimia e historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sa vjen e shtohet. Me 5, 6 dhe 7 mars 1998, Ademi me Hamzën dhe me babën Shaban, si dhe të gjithë të tjerët që iu bashkuan atë ditë dhe ata që e vazhduan rrugën e idealeve të tyre në ditët e muajt e vitet në vijim, e bënë historinë me përkushtimin më të madh dhe me vetëdijen më të lartë”.

Në përfundim, kryeministri nënvizoi se në përvjetorët e ardhshëm të Epopesë së UÇK-së, duam ta shndërrojmë Prekazin në një peizazh historik, i cili do të jetë dinjitoz për ta ruajtur dhe kultivuar gjithë historinë e rezistencës së Jasharëve dhe asaj çfarë ajo përfaqëson për neve, por edhe për botën.

“Meqenëse kemi të bëjmë me një ngjarje dhe me një figurë historike që na tejkalon neve. Na tejkalon neve si popull sepse është qëndresë për lirinë universale. Andaj, kjo është mënyra se si ne duhet e do t’i shfaqemi edhe botës, jo vetëm vetvetes”, tha kryeministri.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në Akademinë Përkujtimore në shënim të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

I dashuri Baca Rifat,

E nderuara familje Jashari,

E nderuara znj. Besarta Jashari,

I nderuari z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Të nderuara familje të dëshmorëve e martirëve të kombit, invalidëve e veteranëve të luftës çlirimtare,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, zëvendëskryeministra e ministra të Qeverisë,

Të nderuar oficerë e gjeneralë e ushtarë të ushtrisë sonë,

Të nderuar veprimtarë të çështjes kombëtare,

Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve tona shtetërore,

Akademikë, profesorë, studentë,

I nderuari z. historian, Durim Abdullahu,

Të nderuar të pranishëm,

Motra dhe vëllezër,

Zonja dhe zotërinj,

E kemi nisur ditën e sotme me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe me një vizitë në kullë te Baca Rifat, ndërkaq po e përmbyllim këtë ditë të 6 marsit me akademi përkujtimore këtu në Prishtinë.

Sonte po e marrim fjalën në këtë akademi sikurse që dje e “morëm fjalën” në Kuvendin e Kosovës po për këtë histori, ashtu siç na rikthehen fjalët për Adem Jasharin, me vargjet e këngës “Mora fjalë”. Këngës që e kënduan dje edhe ushtarët e oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kazermën e Prishtinës, e cila e mban emrin e kryekomandantit Adem Jashari.

Ndonëse fjalët i pasojnë mendimet dhe i paraprijnë veprat, fjalët janë gjithmonë të pamjaftueshme për t’i përçuar si mendimet ashtu edhe veprat. E në rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kjo bëhet pamundësia vet, andaj edhe kënga “Mora fjalë” tregon edhe kufinjtë e fjalës. Fjalët që doemos nuk i gjen dot, që duhet t’i marrësh e t’i gjesh diku e disi, për ta shpjeguar a përshkruar këtë Epope të papërsëritshme me domethënie ende të pashteruar. Me fjalë të tjera, “Mora fjalë” do të thotë që për këtë Epope është vështirë të ketë ep. Tash të gjithë e keni parasysh tekstin e këngës e cila nis me atë se çfarë po bëjmë ne që këndojmë: “Mora fjalë, mora vargun, mora qarkun me i thurr këngë”. Pra çfarë po bëjmë ne? Kështu nis kënga, ky është edhe refreni. Dhe më pastaj strofa e dytë, porsa përpiqemi të themi diçka, ne themi “Çohu Adem”. Pra është e pamundur të shkosh më larg se strofa e parë, e pa rënë në veprim. E unë besoj që kjo është arsyeja pse ka këngë, po nuk ka tekst. Vetëm me këngën me një tekst kaq të bukur dhe me një melodi po ashtu të jashtëzakonshme, është bërë e mundshme që të gjejmë diçka artistike që bëhet kulturë meqenëse rrah porsi zemra e popullit.

Të nderuar të pranishëm,

Në vitin e kaluar e kishim përvjetorin jubilar të 25-të të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht epopesë së ushtarëve çlirimtarë, kurse sivjet, e kemi 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Çlirimtarët i paraprijnë çlirimit, sepse lufta e tyre është parakushti i lirisë.

Në kalendarin e ditëve të shënuara në Republikën e Kosovës, datat 5, 6 dhe 7 mars janë të rrethuara me të kuqe, teksa sipër tyre është shkruar me shkronja kapitale: Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Sivjet, sipër këtyre fjalëve, është shkruar: “26 vjet lavdi”. Janë 26 vjet lavdi sepse çdo vit që kalon, lavdia e rezistencës së Jasharëve të Prekazit shkon duke u rritur, ashtu sikurse që e tërë trashëgimia e historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sa vjen e shtohet. Me 5, 6 dhe 7 mars 1998, Ademi me Hamzën dhe me babën Shaban, si dhe të gjithë të tjerët që iu bashkuan atë ditë dhe ata që e vazhduan rrugën e idealeve të tyre në ditët e muajt e vitet në vijim, e bënë historinë me përkushtimin më të madh dhe me vetëdijen më të lartë.

Shumë dëshmitarë dhe burime i kanë rrëfyer ngjarjet e atyre ditëve në Prekaz, nga luftimet e 5 marsit e deri te varrimi dhe rivarrimi i të vrarëve në ditët pasuese. Mes tyre është edhe gazetari Sabit Istogu, që ato ditë i kishte parë duke qenë i strehuar në pullazin e shtëpisë së tij rreth 100 metra larg pozicioneve të forcave policore, prej ku ai vëzhgonte dhe raportonte për mediat. Në librin e tij të titulluar “Rrënjët e lirisë”, është artikuluar një narracion që ndjek historinë e luftëtarëve të lirisë në Prekaz që tregon se si jo vetëm Adem Jashari bën Prekazin, po edhe Prekazi e bën Adem Jasharin, që nga Ahmet Delia më 1912 dhe rezistenca e Shaban Polluzhës më 1945, te Tahir Meha në 1981, e deri te qëndresa e Jasharëve më 1998.

Ajo çfarë neve na mbetet sot dhe të gjithë brezave që do të vijnë në të ardhmen, është të kujdesemi për trashëgiminë e madhe që e ka prodhuar kjo histori. Që nga fillimi jemi angazhuar me seriozitetin dhe kujdesin më të madh për të ideuar dhe jetësuar Projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz e për të bërë intervenimet e domosdoshme sanuese. Shumë punë është bërë nga Komiteti Ndërministror dhe veçanërisht nga Komisioni i Ekspertëve, sikurse edhe nga zyrtarë e profesionistë të ndryshëm për ta realizuar këtë projekt, fazë pas faze e hap pas hapi.

Në përvjetorët e ardhshëm të Epopesë së UÇK-së, duam ta shndërrojmë Prekazin në një peisazh historik, i cili do të jetë dinjitoz për ta ruajtur dhe kultivuar gjithë historinë e rezistencës së Jasharëve dhe asaj çfarë ajo përfaqëson për neve, por edhe për botën. Meqenëse kemi të bëjmë me një ngjarje dhe me një figurë historike që na tejkalon neve. Na tejkalon neve si popull, sepse është qëndresë për lirinë universale. Andaj, kjo është mënyra se si ne duhet e do t’i shfaqemi edhe botës, jo vetëm vetvetes.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz u luftua tri ditë, kurse nesër bëhen gjithsej 78 ditë të shpërndara në nga tri ditë përgjatë këtyre 26 vjetëve, që përkujtohen ato tri ditë luftë. Vitet do të kalojnë dhe ditët kur ne do t’i kujtojmë do të shtohen me nga tri ditë çdo vit, por përtej tri ditëve të Epopesë së UÇK-së, trofeu i atyre ditëve që është vet liria e vendit dhe popullit tonë jetohet për çdo ditë.

Lavdi jetës dhe veprës heroike të kryekomandantit Adem Jashari, të Jasharëve të Prekazit dhe gjithë dëshmorëve të kombit në të gjitha kohërat!

Filed Under: Ekonomi

Gonxhe Meta, Zera Musli dhe gjuha shqipe si burim i dijes dhe fryma e një kombi!

March 7, 2024 by s p

Valdete Cenalia Dida/

Puna intensive me dedikim për ruajtjen e gjuhës shqipe është gjithashtu një faktor i rëndësishëm dhe kur këto kombinohen se bashku dhe talentin që ekziton brenda saj del në pah besoj e shikojnë të gjithë tek shkolla shqipe ku drejton. Në fakt, është një vajzë me origjinë nga Struga e lindur dhe rritur në Amerikë, ajo quhet Gonxhe Meta! Profesioni i saj në realitet nuk është i mësuesisë, por ajo vepron dhe jep mendimet e saj si një profesoreshë e mirëfilltë. Shpeshherë kur ne bisedojmë në lidhje me objektivat dhe synimet se si të arrijmë që nxënësit të thithin më shumë dhe të flasin qartë gjuhën tonë të bukur shqipe, ajo n’a ndigjon me vëmendje dhe i vendos si objektiva që duhen të arrihen deri në mbylljen e vitit tek shkolla shqipe. Ajo jo vetëm e flet gjuhën shqipe por dhe e shkruan pa asnjë gabim fjalitë. Synimi im -thotë, gjithmonë është që të trashgojmë gjuhën tonë të bukur brez pas brezi, sepse këtu u rrita dhe mësova shqipen, po ashtu dhe vajzat e mia u rritën këtu, flasin dhe shkruajnë shqip. Shqipen po mos t’a kishim folur edhe në shtëpi nuk do të flisja kaq mirë, se babai im ka qenë shumë fanatik dhe i rreptë për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe. Gjuha është burim i dijes dhe fryma e një Kombi!

Shpirti brumoset përmes gjuhës. Gjuha është mjet komunikumi dhe në qoftë se ne e shtrembërojmë këtë mjet komunikimi që është gjuha jonë e bukur shqipe dhe që i jep jetë komunikimit me brezat e lindur këtu, në Amerikë, ne humbasim dhe vlerën tonë e të qujaturit shqiptarë – thotë gjithmonë Zera Musli. Unë e quaj “poetja jonë e heshtur” që shkruan aq bukur poezitë e saj, ku çdo poezi ka brenda saj një realitet. Ajo ka një jetë në Amerikë. Shpeshherë kur ne bisedojmë ajo thotë: kryesore është që ne si mësuese të bëjmë të pamundur ruajtjen e gjuhës shqipe, traditës dhe kulturës shqiptare. Ka vlera të veçanta për të gjithë ne bashkëkombëset e saj. “Mësuesit më të mirë mësojnë nga zemra e jo nga libri“ dhe këtë gjë e bën më së miri Zera.

Mos u dorëzo

Rruga e një femre

është përplot me gjemba

dhe vështirësi

Mos u dorëzo

Shiko para e vazhdo

Nëse dikush vjen e të përplasë

Ti bie në fytyrë dhe përgjakesh

Mos u dorëzo

Fshije fytyrën dhe vazhdo

Nëse të shtyjnë përsëri

dhe në gju bie

Mos u dorëzo

Fshiji gjunjët dhe vazhdo

Nëse ndokush të përballon

Dhe të jep një shuplakë

Mos u dorëzo

Fshije skedarin e vazhdo

Të vjen dita edhe ty

Se me punë do fitosh

Te tjerëve tu tregosh

Mos u dorezo

Qëndro krenare dhe vazhdo

Heshtja

Si një zanë mali

Ti na qëndrove

Nga brenda

uji i nxehtë

Mund të gurgullonte

Por ne heshtje

ti na qetësoje

Një bishë e egër

ty të sulmoj

në ditën më të bukur

mbrëmjen ta shkatëroj

frymën ta ndaloj

shpirtin ta copëtoj

ti fytyrë Engjëllore

Si shtatore qëndrove

me një ëmbëlsi e të qeshur

të gjitha i përballove

Rrallëherë lind nëna

vajza të tilla

Që me urtësi dhe butësi

situatës ti qëndroj

Haresa

Sikur sot të ishte dje

Do të doja ta ndryshoja

Vitet kalojnë dhe nuk kthehen

Jeta rrugën të tregon

Disi më duket se diçka mungon

Shkronjat më fluturojn si flutura

Herë i shoh e herë jo

Ndaloj dhe ri e qetë në të njëjtin vend

Ata vijnë përsëri dhe më buzëqeshin

Mirëse më erdhët ju themë

Me të vërtetë ju kujtuat

Se do tu lë të më shkoni

Një bahçe me lule për ju do ta mbjell

Sa herë të lodheni aty të pushoni

E sëbashku me mua të qëndroni

Ne të duam e s’të lëshojmë

Nëse një ditë ata nuk kthehen

E ulur në bahçe qëndro

Përqëndrohu, lexo dhe shëno

E di që është e vështirë të pranosh

Por jo nuk ju lejohet që t’më përkulni

Deri në fund do luftoj

Që me vetëdije të plotë të qëndroj

Ari dhe Fjala

Në lumenj të zymtë dhe djallëzor

Gjen një gur ari dy e më shumë

Janë të deformuar dhe pa formë

Me kohë e me punë

Ato vizëllojnë

Janë të shtrejntë e të vlerësuar

Të gjithë në festa e darka

Me ato krenohen

Të respektosh e të nderosh

Të duhet vite të punosh

Ari të zbukuron

Fjala të nderon

Po haruam më të shtrejnjtën

Ari me gram peshohet

fjala me vepra vlerësohet

Filed Under: Komunitet

Matja e Tokës

March 7, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

A është Toka më e ngushtë rreth poleve apo ekuatorit? Në 1735 dy ekspedita, të nxitura nga krenaria kombëtare, u nisën për të zgjidhur këtë çështje. Në 1726 Volteri u përball me një zgjedhje jo shumë të vështirë: burgim pa gjyq në Bastille, ose internim në Angli. Pasi lundroi përtej Kanalit La Mansh, ai zbarkoi në një univers tjetër. Volteri deklaroi se kishte jetuar në një botë të plotë – por sapo mbërriti në Angli, gjeti një botë bosh: Në Paris e shihni Tokën në formë pjepri; në Londër e shihnin të rrafshuar nga dy anët. Sipas shkencës konvencionale franceze, Toka ishte e shtrirë, e zgjatur dhe perimetri rreth Ekuatorit ishte më i shkurtër se rreth poleve. Por Isak Njutoni nuk u pajtua. Nën ndikimin e tij, ekspertët anglezë kishin arritur të mbanin mendimin e kundërt: se Toka është e shtypur si një kungull, dhe e fryrë paksa në mes.
Mospërputhja midis dy modeleve ishte fizikisht e vogël. Njutoni vlerësoi se “Toka do të jetë më e gjërë në ekuator sesa në pole”. Megjithatë, nuk ishte vetëm matja, por edhe një çështje nderi kombëtar që siguroi një provë vendimtare për zgjedhjen midis dy mënyrave kontradiktore të të menduarit për botën natyrore.
Për të shpjeguar shkakun rrënjësor të këtij debati, Volteri tha se “Në Paris ata e shohin universin si të përbërë nga vorbulla të materies delikate, ndërsa në Londër nuk shohin asgjë të tillë.” Ai i referohej teorive të kundërta të dy rivalëve të mëdhenj shkencorë të Evropës, René Descartes dhe Isaac Newton. Ndërsa Njutoni parashikonte që planetët vërshonin nëpër vakumin e hapësirës boshe, kozmosi i Dekartit ishte i mbushur plot me grimca të vogla të padukshme që rrotulloheshin vazhdimisht, duke përfshirë trupat qiellorë.
Njutoni zbuloi tërheqjen dhe provoi boshllëkun e natyrës, por
ironikisht, ishte një zbulim francez që fillimisht frymëzoi Njutonin të rrafshonte globin. Një studiues, i cili as nuk kaloi nëpër Kanal, Njutoni përvetësonte rregullisht vëzhgimet e dërguara nga tregtarët dhe udhëtarët e tjerë. Në vitet 1670, ndërsa Njutoni po zhvillonte ende teoritë gravitacionale të përpunuara në Principia Mathematica (1687), astronomi francez Jean Richer vuri re se ora e tij e re e çmuar vazhdonte të humbiste kohë në Amerikën e Jugut dhe Afrikën ekuatoriale: për ta bërë atë të funksiononte siç duhet, ai duhej të shkurtonte lavjerrësin. Për të zgjidhur këtë mister, Njutoni sugjeroi se graviteti ishte më i dobët në Ekuator sesa në pole, ku sipërfaqja e Tokës ishte më afër qendrës.
Debatet vazhduan shumë kohë pasi Dekarti dhe Njutoni kishin vdekur të dy. Përfundimisht, me mbështetjen e Louis XV, Akademia Mbretërore e Shkencave e Parisit vendosi të derdhte para për problemin dhe të arrinte një vendim përfundimtar. Në mesin e viteve 1730 ata dërguan dy ekspedita: e para lundroi në jug në atë që tani është Ekuador, e dyta në veri drejt Rrethit Arktik. Çdo ekip u udhëzua të matë distancën sipërfaqësore të shtrirë nga një shkallë gjerësie: krahasimi i dy rezultateve do të zbulonte menjëherë çdo devijim tokësor nga një sferë e përsosur.
Të paktën, ky ishte parimi i thjeshtë: çuditërisht, jeta reale refuzoi të ndiqte skenarin.
Misioni i parë gjeodezik francez u nis për në Peru në 1735. Pasi u ndal në Haiti për të marrë disa afrikanë të skllavëruar për punën e rëndë të mbajtjes së instrumenteve, grupi mbërriti në Quito një vit më vonë. Në Francë, ky ishte dukur destinacioni ideal: Afrika ishte shumë e rrezikshme, ishujt aziatikë ishin shumë të largët dhe forcimi i aleancës politike midis Francës dhe Spanjës premtonte mbështetje kundër Britanisë, si dhe mundësi tregtare. Shikuar nga ana tjetër e Atlantikut, zgjedhja dukej më pak e dukshme dhe anketuesit shpejt e kuptuan se sa të papërgatitur ishin për sfidat me të cilat përballeshin.
Kur skicohet në letër, përpjekja e Misionit për të matur një shkallë të gjerësisë gjeografike duket si një ushtrim i drejtpërdrejtë gjeometrik i bazuar në një zinxhir që gjarpëron nëpër tokë për disa qindra kilometra. Në praktikë, edhe fillimi ishte një makth logjistik. Hapi i parë ishte gërmimi i një llogore të cekët 10 km të gjatë, e cila duhej të ishte absolutisht e drejtë – e lehtë për t’u vizatuar në një hartë, por shumë më e vështirë nëpër terrenin kodrinor. Marrja e drejtë e kësaj vije bazë ishte thelbësore, pasi matjet e mëvonshme vareshin të gjitha prej saj. Faza tjetër ishte veçimi i një maje mali të largët si kulmi i një trekëndëshi imagjinar dhe matja e këndeve drejt tij nga çdo skaj i vijës bazë. Duke përparuar nga pika në pikë, i njëjti proces duhej të përsëritej shumë e shumë herë; jashtëzakonisht e thjeshtë në një hartë, shumë e vështirë në tokë.
Muaj pas muaji, anketuesit u ngjitën në vullkane në lartësi të paarritura më parë nga evropianët, duke pritur me ditë që mjegulla e dendur të pastrohej në mënyrë që ata të mund të bënin vëzhgimet e tyre. Pasi kishin parashikuar xhungla tropikale, ata duruan të ftohtin e ashpër, duke raportuar: ‘Edhe me një enë të ndezur me qymyr në mes dhe qirinj përreth, uji ngriu në gotat tona të pijes.’ Shumica u prekën nga gjakderdhja e mishrave të dhëmbëve dhe të vjellat që karakterizojnë sëmundjen e lartësisë, ndërkohë që u dëmtuan edhe instrumentet e tyre prej hekuri.
Pati edhe pengesa të tjera. Ashtu si shumë udhëtarë evropianë, ata nuk arritën të parashikonin armiqësinë e banorëve vendas që kishin vuajtur tashmë dy shekuj pushtim spanjoll. Duke dënuar indianët peruan si ‘mezi të dallueshëm nga bishat’, ata i detyruan “mikpritësit” e tyre të pavullnetshëm të kryenin detyra të ulëta në vend që të përfitonin nga aftësitë e tyre të mbijetesës dhe njohuritë kulturore. Ata gjithashtu debatuan mes tyre dhe, pasi fondet shtesë nuk arritën nga Parisi, grupi u nda. Rezultatet përfundimtare u përpiluan nga një matematikan i cili në një fazë kishte qenë partner i Volterit në një mashtrim fitimprurës për të manipuluar llotarinë kombëtare, por tani po bëhej i preokupuar me kulturat e Amerikës së Jugut, si goma dhe kinina.
Ndoshta goditja më mizore nga të gjitha ra pas disa vitesh – duke mësuar se ekspedita e Arktikut ishte kthyer në Paris dhe kishte shfajësuar Njutonin.
Misioni i dytë gjeodezik francez u nis për në Skandinavinë veriore, duke konfirmuar përgjigjen që kishte kërkuar.
I shoqëruar nga disa anëtarë të Akademisë së Parisit, si dhe nga astronomi suedez Anders Celsius, tani i famshëm për shkallën e tij të temperaturës, ekipi u ndal në Stokholm për t’u mirëpritur nga mbreti përpara se të lundronte në veri. Pas një viti ata njoftuan se një shkallë e gjerësisë gjeografike në Rrethin Arktik ishte me të vërtetë shumë më e gjatë se ajo në Paris. Edhe pse rezultatet ishin më pak të qarta, elita shkencore pariziane zgjodhi të pranonte këtë pretendimi.
Në krye të ekipit kishte qenë Maupertuis, një matematikan ambicioz me një formim ushtarak, dhe vetë-publicist i frymëzuar që filloi të krijonte reputacionin si një eksplorues heroik francez. Ai porositi një portret, të riprodhuar si gdhendje, që përshkruante një udhëtar romantik të mbështjellë me peliçe teksa shtypte globin nën dorën e tij. Ekipi i Maupertuis duroi kushte të tmerrshme, duke luftuar kundër mjegullës, mushkonjave dhe motit të ftohtë. Por ai i ktheu këto vështirësi në mundësi mediatike, duke furnizuar shtypin me raporte drithëruese për trimërinë e tij në veriun e ngrirë dhe madje duke prodhuar satira anonime që kritikonin kundërshtarët.
Maupertuis përfitoi nga moda për të gjitha gjërat angleze që filluan të përhapen në të gjithë Francën dhe pjesën më të madhe të Evropës në vitet 1730. Volteri e kishte admiruar Njutonin gjatë mërgimit të tij në Londër, por suksesi i Maupertuis e shtyu atë në obsesion. Ai shpërndau komplimente në të gjithë punën e tij të shkruar dhe i detyroi të ftuarit të sodisnin bustin e ‘gjeniut më të madh që ka ekzistuar ndonjëherë’.
Duke njohur një mundësi shitjeje, një vit pas kthimit triumfues të Maupertuis, Volteri botoi një abetare të thjeshtuar mbi optikën dhe gravitetin Njutonian. Megjithëse emri i tij ishte në faqen e titullit, pjesa më e madhe e punës u krye nga Emilie du Chatelet, një aristokrate e pasur dhe matematikane e shkëlqyer. Ndërsa Maupertuis shkëlqeu në dukje, Chatelet siguroi bursën solide të nevojshme për t’i bindur të gjithë, se ishte koha për t’u konvertuar në idenë njutoniane.

Filed Under: Fejton

Kryeministri Kurti pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”: Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharëve

March 7, 2024 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmani Sadriu, Kryetarin e Kuvendi, Glauk Konjufca dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në vazhdën e aktiviteteve për nder të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se në Prekazin heroik dhe historik kthehemi dhe rikthehemi, që të kujtojmë dhe përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë, të cilën e gëzojmë.

“Të gjithë dhe secili duhet të vijnë në këtë vend, që të mos harrojmë dhe që të mos devijojmë. Që të mos e harrojmë të kaluarën dhe që të mos devijojmë drejt së ardhmes”, tha ai.

Duke çmuar lartë sakrificën, vetëflijimin e vetëmohimin e Jasharëve, kryeministri Kurti tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare është në themelet e çlirimit të vendit tonë dhe se ajo paraqet edhe dhembje e krenari, por edhe besë dhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë.

Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, Familjes Jashari, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!

Pas homazheve, Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani-Sadriu, Kryeparlamentarin Konjufca dhe ministra të kabinetit qeveritar vizituan familjen Jashari, ku u pritën nga Rifat Jashari.

Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Në Prekazin heroik dhe historik kthehemi dhe rikthehemi, që të kujtojmë dhe përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë të cilën e gëzojmë.

Të gjithë dhe secili duhet të vijnë në këtë vend, që të mos harrojmë dhe që të mos devijojmë. Që të mos e harrojmë të kaluarën dhe që të mos devijojmë drejt së ardhmes.

Vetë flijimi, sakrifica, vetëmohimi i Jasharëve, është Epope e Ushtrisë Çlirimtare në themelet e çlirimit të vendit tonë, e që paraqet edhe dhembje e krenari, por edhe besë dhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë.

Me përkulje respekti dhe me ndjenjë admirimi, gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharëve.

Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, Familjes Jashari, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!

Filed Under: Analiza

DUKE KUJTUAR 7-MARSIN, “DITËN E MËSUESIT”

March 7, 2024 by s p

Fran Gjoka 

Kanë kaluar plot 137 vjet nga 7 Marsi 1887. Ato mbeten vite vitale, vite përpjekjesh, përkushtimi, djerse e mundimi për lartuar shkollën e parë shqipe, shkolla më e re e shfaqur “pas përpjekjeve të mëdha të rilindësve dhe atdhetarëve në kontinentin e plakur të asaj kohe. 

Shkollat e para shqipe - Wikipedia

Por është momenti të përulemi me respekt të thellë, për ata që bënë të mundur hapjen e Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës. Populli ynë rezistoi me të gjitha mënyrat. Shkrimi i shqipes u mësua fshehurazi në kasollet e fshatarëve, pranë staneve të çobanëve, në shtëpi të thjeshta, në ndërtesat e kultit etj. Shikojmë aty këtu edhe ndonjë shkollë, si në Kurbin në vitet 30 të shekullit 17, në Pllanë e në Blinisht të Lezhës me 1638 dhe 1639, në Kurbin 1670, në Prizren e gjetkë. Këto shkolla patën jetë të shkurtër dhe lëvizja për hapjen e tyre ishte sporadike. U deshën të kalonin 2 shekuj, që lëvizja për shkollën dhe gjuhën shqipe të fitonte përmasa reale zhvillimi. Intelektualët tanë të shquar, që nga N. Veqilharxhi, Zef Jubani, K. Kristoforidhi, Pashko Vasa, Sami e Naim Frashëri, H. Tasimi, J. Vreto, K. Hoxhi, P. Doçi, N. Mjeda, Gj. Fishta, N. Naçi etj., edhe pse pa shtetin e tyre, pa asnjë institucion kombëtar, të drobitur pa miq e aleatë ditën të gjejnë gjuhën e bashkimit kombëtar. Abetaret e Veqilharxhit e Tasimit etj. u përhapën dorë në dorë dhe u bënë shpresë për popullin dhe rininë e kohës, u bënë tmerr për pushtuesit, po aq sa pushka e komitëve, që shpejt mbushën malet e Shqipërisë. 

        Për intelektualët e shquar, gjuha dhe shkolla shqipe u bënë pikënisje e shpresës së madhe, “sofra” e parë e fundshekullit të 19, që këtu i bashkoi shqiptarët për beteja të ardhshme. Ata lanë mënjanë dasitë fetare krahinore e fetare dhe u bënë një për çështjen e gjuhës kombëtare. 

                             8 Mars 1887 – Drita e së ardhmes

         Mësonjëtorja e parë shqipe u hap me 35 nxënësit e parë, e më pas breza të tërë nxënësish nisën udhën e bukur të dijes në një shkollë të vërtetë shqipe. Një ditë më vonë, me 8 Mars 1887 Th. Mitkoja shkruante : “ Dëshira tonë u mbarua, shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla”.

         Pas mësonjëtores së parë u hapën edhe shumë shkolla të tjera, si në Pogradec e Kolonjë, shkolla e Vashëzave në Korçë etj. Asgjë s`kaloi lehtë, përkundrazi u deshën përpjekje dhe sakrifica të mëdha për të bërë përpara çdo hap në udhën e ndritur të arsimit. Armiku reagoi shumë ashpër dhe u përpoq me të gjitha mënyrat që ta mbyste këtë dëshirë dhe luftë të madhe të shqiptarëve drejt dijeve dhe emancipimit të tyre shoqërore. Nga përplasjet me armikun e zi u flijuan shumë patriotë e atdhetarë të shquar me burgosje, vrasje e internime. P. Sotirin e hodhën nga kati i tretë i shtëpisë së tij, Papa K. Negovanin e therën me thika, Petro N. Luarasin e helmuan…E, megjithatë mësimi në gjuhën shqipe nuk ndalej. Shkollat shqipe po ngriheshin, populli po i mbante ato në këmbë, duke hequr edhe kafshatën e fundit të gojës. Popullit i duhej drita dhe atë dritë diturie e jepte vetëm shkolla. Vetëm një populli i ditur dhe i arsimuar mund t`i bënte ballë pushtuesit dhe forcave reaksionare që vepronin brenda Shqipërisë. Ndaj nga të gjithë njerëzit përparimtarë të kohës, nga atdhetarët e vërtetë hapja e shkollës së parë shqipe konsiderohej dallëndyshja e parë që lajmëronte pranverën. Dhe, dihet,  dallëndyshet s`vijnë vetëm, të tjera dallëndyshe do të vinin dhe Shqipëria e shtypur dhe e masakruar në shekuj do të shikonte dritën. 8 Mars 1887 ishte  fillimi i dritës që lajmëronte të ardhmen e ndritur.

              Drita kërkon dritën, erdhi dita e 28 -Nëntorit 1912

Shpallja e Pavarësisë me Plakun e Vlorës dhe me ministër arsimi L. Gurakuqi nxiti dhe realizoi hapjen e 70 shkollave shqipe. Për ta vazhduar më me ngulm fuqizimin e shkollës kombëtare, sidomos pas Kongresit të Lushnjës më 1920 e pas luftës antifashiste nacional çlirimtare shkolla do të pësonte arritje të papara. Në vitet 50’ do të zhdukej analfabetizmi nën moshën 40 vjeç, do të shpallej arsimi i detyruar fillor e pastaj 7 e 8 – vjeçar. Në vitin 1957 hapet Universiteti i parë shqiptar. Universiteti i Tiranës, pas tij, Instituti e, më pas Universiteti  i Shkodrës e më tej, i Elbasanit, i Gjirokastrës i Korçës, i Vlorës, Akademitë si e Shkencës, e Gjuhësisë, e Arteve të Bukura dhe Kulturës Fizike dhe Sporteve.

Mësuesit janë misionarë dhe frymëzues të së sotmes e të së nesërmes!

     7 Marsi – festë drite, festë bashkimi, festë përparimi

        Me festën e 7 Marsit, janë të lidhur të gjithë: gjyshërit dhe gjyshet, baballarët dhe nënat, të rinjtë dhe të rejat, adoleshentët dhe fëmijët e të gjithë moshave, pasi shkolla mbetet për ta institucioni i mësimit dhe i edukimit më të organizuar për nxënësit e të gjithë grupeve. Aty kultivohen vlerat e vërteta kulturore, normat morale dhe mënyrat e komunikimit njerëzor e civil. Aty mësohet dhe zbatohet parimi i demokracisë për zbatimin në unitet të të drejtave dhe lirive nga njëra anë dhe të detyrave e përgjegjësive nga ana tjetër. Në të vetmin institucion të organizuar, në shkollë dhe nga shkolla, përcillen tek gjeneratat e reja që do të drejtojnë vendin në të ardhmen mesazhe paqeje e mirëkuptimi, kultivohet toleranca dhe dëshira për të mësuar gjatë gjithë jetës në mënyrë aktive, krijuese dhe kritike.

                            Mësuesi -figura qendrore e shkollës

          Parë në këtë këndvështrim, 7 Marsi i sivjetmë, që përkon me 137 – vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe, është një ngacmim disi ndryshe për faktorët dhe aktorët që e kanë detyrim ligjor, por edhe qytetar e moral për përkujdesje e vlerësim më të madh të mijëra mësuesve, që në mjaft raste punojnë në kushte ende të vështira dhe me trajtim financiar larg mundësive që ata të garantojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve. Mësuesi është ai që të hap portat e dijes, që të orienton në lumin e madh të informacionit, që të udhëzon më mirë se kushdo tjetër sesi lexohet e punohet me librin. Ai dhe vetëm ai edhe gjërat më të vështira i bën të lehta për fëmijët. Mësuesit, në shumicën e rasteve, punojnë me pasion të veçantë e intensitet për t’i përgatitur nxënësit jo për kohën që ata janë në bankat e shkollës, por për kohën që ata do të dalin në jetë dhe do të ndërtojnë Shqipërinë e së ardhmes, Shqipërinë e vërtetë Evropiane.

        7 Marsi apelon para politikanëve e pushtetarëve të të gjithë niveleve, para medias e intelektualëve, para të gjithë opinionit: Më shumë përkujdesje për shkollën dhe mësuesit, më shumë respekt për punën e tyre të veçantë dhe të lodhshme, më shumë vlerësim për të gjithë brezat dhe para së gjithash para kontribuuesve më të mëdhenj të arsimit dhe atyre që tashmë të kërrusur nga vitet e gjata të punës në arsim presin me padurim ditën e marrjes së pensionit në sportelet me radhë të gjata! Më shumë ndjeshmëri e vlerësim material e moral për ata që na mësuan shkrim e lexim, matematikë e kimi dhe që na orientuan të sigurt në jetë për të përballuar konkurrencën e tregut të punës! 

          Më shumë kujdes për ruajtjen e gjuhës së bukur dhe të vjetër shqipe nga huazimet dhe fjalët e huaja, që mund të zëvendësohen lehtësisht me fjalë shqipe! Ndërsa prindërve, kudo ku jetojnë e punojnë, në Evropë e Amerikë, në Australi e në vendet e tjera, bashkë me respektin që kemi për kontributin që ata japin edhe për zhvillimin e Shqipërisë, ju lutemi dhe në njëfarë mënyre ju përgjërohemi që tua mësojnë gjuhën shqipe edhe fëmijëve dhe nipave e mbesave ! Në të kundërt gjuha jonë, ndër më të vjetrat, një ditë do të shuhet dhe kur ajo nuk flitet e shkruhet, shuhet edhe kombi, pasi gjuha është elementi kulturor që e mban gjallë një komb. Nuk ka identitet pa gjuhë.

         Festa e të gjithëve përcjell mesazhe edhe për mësuesit. Ata kurdoherë të jenë në ballë të punës për zbatimin e politikave për reformimin e shkollës, për kultivimin e vlerave demokratike tek brezi i ri, për zhvillimin e fuqisë krijuese tek nxënësit, për përfshirjen e të gjithëve në procesin e edukimit dhe të mësimit, të argëtimit dhe të zbavitjes ! 

           Në këtë ditë të shënuar nga thellësia e shpirtit tonë buron fuqishëm urimi: Gëzuar festën e dijes kolegë tanë të nderuar dhe të respektuar! Paçi gjithnjë suksese e mbarësi!.                                               

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1277
  • 1278
  • 1279
  • 1280
  • 1281
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT