• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dallimet thelbësore që dallojnë shoqëritë njerëzore dhe qeniet njerëzore nuk janë biologjike, por kulturore

March 6, 2024 by s p

Artan Nati/

Ndikimi kryesor në zhvillimin e jetës politike të vendeve perëndimore ishte Revolucioni Francez, i cili parashtroi idetë e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë. Ai sfidoi dominimin e “rendit të vjetër” në vendet e Evropës kontinentale, i cili bazohej në absolutizëm dhe forma të ndryshme të varësisë së subjekteve nga shteti. Gradualisht, në vendet perëndimore, themelet e shtetit ligjor bazohen në parimet e lirive politike dhe lirisë së sipërmarrjes. Formimi i themeleve të demokracisë u bë me zgjedhjen e organeve qeveritare, votimin e përgjithshëm dhe ndarjen e pushtetit në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Kjo u pasua me ndryshimin e kulturës e cila nuk ndryshon sepse ne dëshirojmë ta ndryshojmë atë. Kultura ndryshon kur forma e organizimit të shtetit dhe institucionet transformohen. Ajo pasqyron realitetet e njerëzve që punojnë së bashku çdo ditë. Përse vallë në Shqipëri nuk kemi ndryshim të dukshëm të kulturës në marrëdhëniet midis njerëzve dhe midis institucioneve dhe njerëzve? Përse partitë politike operojnë sipas modelit komunist ku Partia është kryetari dhe kryetari është Partia? Përse institucionet nuk janë të pavarura dhe nuk sundon ligji, por sundon kryetarokracia dhe oligarkia. Në fakt Shqipëria nuk pati përmbysje të elitave, por emërim të tyre. Në krye të partive politike erdhën ish komunistët dhe klasat e përmbysura si edhe të persekutuarit politikë ishin të raskapitur dhe të paaftë për tu organizuar dhe si të tillë shpresuan se mund të merrnin drejtimin e vendit, por në fakt u shfrytëzuan dhe e shfrytëzuan situatën e krijuar. Në fakt nuk kishte si të ndodhte ndryshe në Shqipërinë e dalë nga otomanizmi në fillim të shekullit të 20-të dhe direkt pas luftës së dytë botërore ra në kthetrat e komunizmit më të ashpër në Europë. Elitat e reja apo të emëruara të ardhura në pushtet nuk kishin vullnetin dhe vizionin, por as presionin e popullit të thjeshtë, si pasojë edhe të kulturës postkomuniste në vend, për të krijuar institucione të reja dhe të pavarura. Né fakt ata që kontrollojnë pushtetin politik përfundimisht do ta kenë më të dobishme të përdorin fuqinë e tyre për të kufizuar konkurrencën, për të rritur pjesën e tyre të byrekut, apo edhe për të vjedhur dhe plaçkitur nga të tjerët në vend që të mbështesin përparimin ekonomik.
Ndërsa institucionet ekonomike janë kritike për të përcaktuar nëse një vend është i varfër apo i begatë, është politika dhe institucionet politike ato që përcaktojnë se çfarë institucionesh ekonomike ka një vend. Prandaj në vend sundon ligji i hekurt i oligarkisë, aspekt i veçantë i të cilit është se liderët e rinj që përmbysin të vjetrit me premtime për ndryshime rrënjësore nuk sjellin asgjë tjetër veçse të njëjtën gjë, pra krijohet një rreth vicioz.
Shpesh fatet e kombeve janë vendosur nga vendet të cilat i kanë pushtuar ato, siç është rasti i SH.B.A , Australisë, Kanadasë e shumë vendeve të tjera që bëri të mundur transmetimin e kulturës demokratike britanike dhe si e tillë vendosi të ardhmen e lirisë dhe prosperitetit për këto vende, ndërsa e kundërta ndodhi në ballkan ku pushtimi otoman e më vonë influenca sllavo-komuniste solli vetëm diktaturë, mjerim dhe pasojat e kësaj kulture i vuajmë edhe sot. Në ditët e sotme Shqipëria ka fatin e madh të jetë aleat i fuqishëm i Amerikës dhe për herë të parë në historinë tonë ky aleat nuk na pushton, por pëkundrazi ishte faktori kryesor që i dha lirinë Kosovës dhe të drejat e lirinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si dhe më gjerë ka rritur prezencën e saj në Ballkan si faktor stabiliteti dhe prosperiteti demokratik. Reforma institucionale si domosdoshmëri varet nga kultura dhe trashëgimia institucionale e një vendi. Vendi ynë fatkeqësisht trashëgon kulturë dhe institucione të kundërta me vlerat perëndimore dhe si e tillë faktori kryesor që pengon implementimin e institucioneve të reja është elita aktuale. Në këto kushte reforma në drejtësi garanton sundimin e ligjit, duke ndaluar paratë e pista si dhe paratë e korrupsionit që të financojë politikanët dhe elitën e korruptuar si përfaqësuese e kulturës bizantino komuniste dhe që pengon hapjen e dyerve për idetë perëndimore dhe riciklimin e elitave. Amerika ndërton institucione të luftoj terrorizmin promovon demokracinë si garanci për progres dhe ndërtimin e aleancave kundër Rusisë dhe organizatave të tjera terroriste. Si e tillë për të përshpejtuar proçeset demokratike në vend sistemi i ri i financuar dhe drejtuar kryesisht nga Amerika u dha një mundësi gjykatësve dhe politikanëve të korruptuar që ishin bërë pengesë serioze për implementimin e reformave në vend të largoheshin nga funksionet shtetërore apo publike. Shumë politikanë shqiptarë menduan se mund të qëndrojnë në pushtet me retorikë proamerikane, por duke vazhduar të minojnë institucionin e pavarur të drejtësisë dhe këtë e tregojnë qartë aferat korruptive të inceneratorëve, sterilizimit si dhe presionet e vazhdueshme ndaj SPAK-ut. Institucioni i pavarur i drejtësë po imponon një kulturë të re në vend dhe po imponon kulturë të re të komunikimit të njerëzve me njëri tjetrin si edhe në raport me shtetin. Ne nuk mund të kontrollojmë ose detyrojmë sistemin e ri të drejtësisë të ndryshojë . Ne mund të krijojmë vetëm hapësirë dhe burime për transformim. Në fund të fundit, sistemi dhe palët e tij të interesuara do të përcaktojnë nëse ai përshtatet ose refuzohet nga shoqëria jonë. Përvoja europiane ka treguar se në shoqëri të ngjashme me tonën ky sistem ka funksionuar dhe ka nisur një ortek ndryshimesh drejt perëndimit. Sundimi i ligjit është një faktor kyç për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe me bazë të gjerë. Ai inkurajon investimet, vendase dhe të huaja, së bashku me sipërmarrjen dhe zhvillimin e biznesit. Vjen një moment në jetën e çdo kombi kur ai qëndron në udhëkryqin e historisë dhe duhet të zgjedhë se cilën rrugë të shkojë. Por për ne nuk duhet të ketë vështirësi apo hezitim, asnjë shikim djathtas apo majtas. Rruga jonë është e drejtë dhe e qartë, rruga që kemi aspiruar në shekuj, por historia na e ka mohuar. Rruga e sundimit të ligjit dhe jo të elitave apo idhujve, sepse i vetmi idhull është sundimi i ligjit dhe institucioneve si rruga e vetme për tu bërë pjesë e kulturës perëndimore.

Filed Under: Sociale

BAZA AJRORE E NATO-S NË KUÇOVË DUHET TË JETË DIÇKA MË SHUMË SE THJESHT NJË BAZË USHTARAKE –TË PAKËN SIMBOLIKISHT!

March 6, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Të hënën, Aleanca Euroatlantike, NATO – anëtare e të cilës është edhe Shqipëria që nga viti 2009 – inaugoroi bazën ajrore të saj në Kuçovë, e para e tillë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë përfaqsuesit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare si dhe përfaqsues të aleancës NATO dhe të vendeve anëtare të aleancës perëndimore.   

Baza e ajrore e Kuçovës është projekti më i madh deri më tani i NATO-s në Shqipëri, ndërkohë që punimet për modernizimin e saj – financuar nga Programi i Investimeve për Sigurimin e NATO-s (NSIP), kanë filluar që në vitin 2019.  Frank Shkreli: Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, një lajm shumë i mirë për Shqipërinë | Gazeta Telegraf

Në ceremoninë e inaugurimit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë të hënën që kaloi, zyrtarët e Aleancës Perëndimore theksuan rolin dhe rëndësinë e Shqipërisë si anëtare e NATO-s, ndërkohë që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bajram Begaj theksoi gjithashtu rëndësinë strategjike të Shqipërisë në kuadër të Aleancës Euro-Atlantike, duke thënë se organizata “Nato, nëpërmjet këtij investimi në Kuçovë, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për Aleancën Perëndimore. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës. Ky investim merr një rëndësi të veçant sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar”, tha ndër të tjera kryetari i shtetit shqiptar, Z. Bajram Begaj.   Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama në fjalën e tij përshëndetse nënvijoi rëndësinë që baza ajrore në Kuçovë ka për rajonin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.  Ndërkohë që Ministri Shqiptar i Mbrojtjes, Z. Niko Peleshi theksoi se baza e NATO-s në Kuçovë mund të përdoret, në rast nevoje, edhe për t’u përballur me “fatëkeqësitë natyrore”, për të gjithë rajonin. 

Ceremony at Kuçova airbase

Por Aleanca e NATO-s është më shumë se një organizatë ushtarako-strategjike. Më ra në sy se me këtë rast se, me përjashtim të përfitimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta në mbrojtje të anëtarve të NATO-s, në atë ceremoni askush (nga ato që dëgjova e lexova në media) nuk përmendi fare vlerat dhe parimet themelore të Traktatit të NATO-s, përfshir objektivat dhe angazhimet ndaj parimeve të Kartës së Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Veçanërisht, në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, Traktati i Themelimit të NATO-s me 4 prill, 1949 (prej 14-artikujve) deklaron se, vendet “Anëtare të NATO-s formojnë një komunitet unik vlerash dhe angazhimesh në mbrojtje të parimeve të lirisë individuale, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor.”

Nuk ka dyshim se inaugurimi, më në fund, i bazës ajore të NATO-s në Kuçovë, të hënën që kaloi, është një moment historik dhe krenar për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Kjo ditë, për të cilën fara është mbjellur para tre dekadave.  Frank Shkreli: Shqipëri-SHBA-NATO, një lidhje dashurie ushtarake | Gazeta Telegraf – Një “lidhje dashurie ushtarake”, (a military love affair), e kishte cilësuar në atë kohë gazeta e madhe e kryeqytetit amerikan, Washington Post. Por, për fat të keq, kjo “dashuri ushtarake” pësoi dështime dhe nga koha në kohë edhe çarje të përkohëshme, gjatë dekadave të fundit, kryesisht, për arsye të akrobacive politike të liderve politikë shqiptarë. Inaugurimi i bazës ajrore ushtarake të NATO-S në Shqipëri më sjell në kujtimet e mia fillimet e marrëdhënieve ushtarake shqiptaro-amerikane dhe antarësimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009, një “lidhje dashurie ushtarake”. Frank Shkreli:Shqipëria, vendi i parë ish-komunist që ka nënshkruar marrëveshje ushtarake me Shtetet e Bashkuara | Gazeta Telegraf

Unë gjithnjë vazhdoj të besoj se megjithë konfliktet e brendshme politike të kësaj klase politike neokomuniste, gjatë këtij tranzicioni të tejzgjatur në Shqipëri prej mëp shumë se tre dekadash, për fat të mirë të Kombit shqiptar — kanë qenë dhe janë lidhjet ushtarake me Shtetet e Bashkuara dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ato që të paktën, simbolikisht, e kanë mbajtur Shqipërinë të ankoruar në Perëndim. Shpesh, edhe përballë kërcënimeve nga udhëheqësit politikë shqiptarë, të cilët gjaë viteve të kaluara kanë deklaruar se, ‘Shqipëria ka alternativa të tjera’, duke lenë të nënkuptohet dhe duke aluduar për marrëdhëniet “historike” të Shqipërisë komuniste enveriste me Rusinë, Kinën dhe shtete të tjera autoritare, me të cilat vende e perandori, kombi shqiptar nuk ka asgjë të përbashkët, historikisht, me vlerat që mbron NATO-ja, siç janë liria dhe demokracia, anëtare e të cilës është sot Shqipëria, ku këtë javë u inaugurua baza e parë ajrore e NATO-s, në Kuçovë.

Për këtë vepër, merita u shkon burrave dhe grave në uniformën ushtarake, këtyre patritotëve dhe punës së tyre të shkëlqyeshme në Shqipëri dhe në rajon, qofshin ata shqiptarë, amerikanë apo të vendeve të tjera aleate dhe jo politikanëve aktualë, sidomos ata shqiptarë, të cilët edhe në raste të tilla u servirin shqiptarëve shumë pupla e pak ose aspak mish, fjalë shumë e punë aspak, veçanërisht kur është fjala për mbrojtjen e vlerave të NATO-s në Shqipëri, siç janë liria, demokracia dhe shteti ligjor.  Megjithëkëtë, inaugurimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, ma shton shpresën (hope against hope) se Shqipëria do të bëhet edhe pa këtë klasë politike zhgënjyese për shqiptarët e cila edhe më shumë se tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit, ka refuzuar dhe refuzon me ngulm dhe arrogancë të dënojë krimet e komunizmit kundër shqiptarëve dhe as të distancohen njëherë e mirë nga komunizmi – armik – përbetuar i vlerave të NATO-s për më shumë se një gjysëm shekulli – duke i përshtyrë në fëtyrë vlerat parimore të Traktatit të NATO-s, të këtij, “komuniteti unik vlerash dhe angazhimesh në mbrojtje të parimeve të lirisë individuale, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor.” 

Nga përvoja ime gjatë këtyre 30-e sa viteve neo-komunizëm në Shqipëri, e kam të vështirë të më bind njeri se nostalgjikë të vet-shpallur të komunizmit shqiptarë enverist prej gjysëm shekulli, mund të bejnë ndryshimin e madh historik për Kombin shqiptar.  Mund të quhet hipokrizi e rastit apo aksident historik! Por çdo brez i qet udhëheqsit e vet. Shqipëria sot ka nevojë për një fillim të ri me hapjen e bazës së parë ushtarake të NATO-s në territorin e saj. Një ëndërrë e parealizueshme për një kohë tepër të gjatë, për shumë prej nesh që kemi ndjekur këto zhvillime gjatë dekadave, me një përkushtim, pothuaj fetar, që më në fund po realizohet – baza e parë ushtarake e NATO-s, duke shpresuar edhe për të tjera në Shqipërinë tonë të vuajtur ndër shekuj.

Prania e NATO-s me një bazë ushtarake në Shqipëri, siç kam thenë shpeshëherë më parë, jo vetëm që lidhjet ushtarake të Shqipërisë me SHBA dhe NATO-n, do të mbijetojnë por do të forcohen më tej dhe sidomos miqësia e veçant dhe historike midis popullit amerikan dhe shqiptarëve do të vazhdojë të rritet e të lulëzojë, megjithë dredhitë dhe akrobacitë politike të politikanëve shqiptarë gjatë tre dekadave të fundit!

Uroj që inaugurimi i bazës ajrore ushtrake të NATO-s në Kuçovë të jetë fillimi i diçkaje të madhe dhe të shënojë ndryshimin e madh tepër të nevojshëm, nga rruga e gabuar e klasës aktuale politike të Shqipërisë, ashtuqë Shqipëria të jetë e denjë e sigsurisë së NATO-s, por edhe e vlerave të NATO-s, duke i mbrojtur ato, me aleatët  kudo që të jetë e nevojshme, por sidomos, duke i zbatuar ato brenda kufijve të Shqipërisë, në përputhje me vlerat dhe me parimet e Traktatit të NATO-s: të lirisë, demokracisë, drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor.  Prandaj për ata që kuptojnë diçka anga këto punë, inaugurimi i bazës ajrore ushtrake të NATO-s duhet të simbolizojë diçka më tepër se një rast për politikanët shqiptarë që të fryjnë puplat e tyre me oratori boshe fushatash politike, por të udhëheqin dhe të qeverisin në bazë të vlerave të NATO-s, në “mbrojtje të parimeve të lirisë individuale, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor”, ashtuqë shqiptarët të mos braktisin atdheun e tyre në kërkim të këtyre vlerave jashtë Shqipërisë, në vendet e perëndimore të Aleancës NATO. 

Frank Shkreli

Several flags in front of a building

Description automatically generated
A person in suit pointing at another person

Description automatically generated
A person in a suit giving a speech

Description automatically generated

Ish-Sekretari i Mbrojtjes në administratën e ish-Presidentit Bill Klinton, Z. Les Aspin ka nënshkruar marrëveshjen ushtarake me Shqipërinë, vendi i parë ish-komunist, me të cilin Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje të tillë.

A person in a suit and tie with a flag around him

Description automatically generated

“Vetëm popujt e lirë mund të ruajnë dhe të mbrojnë objektivat e përbashkëta dhe nderin e tyre në vazhdimësi, duke preferuar interesat e njerëzimit mbi interesat e ngushta individuale.”

     A person in a military uniform

Description automatically generatedIsh-Kryetari i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, Gjenerali  Xhon Shalikashvili, i cili  ka vizituar Tiranën në vitin 1995

       A group of men sitting in a circle

Description automatically generatedTakim i delegacionit të Republikës të Shqipërisë në Shtëpinë e Bardhë, i kryesuar nga ish-Presidenti Sali Berisha, qershor 1992, me Presidentin Xhorxh H. Bush, (i vjetër) dhe me udhëheqësit më të lartë të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Filed Under: Fejton

PUBLIKOHET PËR HERË TË PARË DOSJA SEKRETE E PERANDORISË BRITANIKE PËR ISMAIL QEMALIN

March 6, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri*/

Në kuadër të përkujtimit të 180-vjetorit të lindjes së Ismail Qemalit dhe në prag të 124-vjetorit të arratisjes së tij të bujshme të nga Kostandinopoja, po sjellim për herë të parë për publikun dosjen e klasifikuar të arkivit të Perandorisë Britanike për këtë ngjarje. Pas shpalljes së pavarësisë së Indisë ky fashikull ruhet në Arkivën Kombëtare të Indisë, në fondin arkivor që i përket ministrisë së Jashtme të Perandorisë Britanike. Për ndihmesën në zbulimin e këtij fashikulli me shumë vlera, falënderojmë posaçërisht stërnipin e Ismail Qemalit, z. Darling Vlora. Dosja mban titullin: “Historia e kërcënimit të jetës së Ismail Qemal Beut nga Sulltani i Turqisë dhe arratisja e tij me një anije që valëviste flamurin anglez”.

Ngjarjet e përshkruara në këtë fashikull diplomatik zhvillohen para 124 vitesh, konkretisht në fundin e prillit dhe fillimin e majit të vitit 1900. Fashikulli përmban 8 faqe me dokumente dhe shënime të klasifikuara “Konfidenciale”. Ai hapet me letrën që ambasadori britanik në Kostandinopojë Sir Nicholas R. O’ Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it (Robert Gascoyne-Cecil, 3rd Marquess of Salisbury, tre herë kryministër i Mbretërisë së Bashkuar në periudhën 1885-1902). Pjesë e dosjes janë edhe dy memorandume, që mbajnë datat 25 janar 1898 dhe 1 maj 1900, të diplomatit britanik Adam Block, i cili shërbente në ambasadën britanike në Kostandinopojë.

Në memorandumin e detajuar të hartuar nga dragomani i parë z. Adam Block, më 1 maj 1900, ndër të tjera zbërdhehet edhe komploti i përgatitur nga sulltani për vrasjen e Ismail Qemalit, me të mbërritur në Tripoli. Memorandumi nënvizon faktin që Ismail Qemalit iu mohua kërkesa për të marr me vete djalin dhe bashkëpatriotët e tij shqiptarë. Aty përshkruhen me saktësi të gjitha zhvillimet që i paraprin vendimit të Ismail Qemalit për t’u arratisur, pas vendimit të sulltanit për t’a syrgjynosur. Ndër të tjera, diplomati britanik i vë në dukje Ismail Qemalit pasojat e këtij vendimi dhe rrezikun që ai do të mbetej pa asnjë pozitë dhe pa asnjë mjet jetese. Por Ismail Qemali ishte i vendosur në qëndrimin e tij për t’u larguar nga Kostandinopoja…

Ndërkohë ambasadori Sir N. R. O’Conor në letrën e dërguar kryeministrit britanik, thekson faktin që “Ismail Qemal beu është një patriot i sinqertë dhe i zellshëm me pikëpamje të ndriçuara dhe liberale. Ai nuk është as revolucionar, as i përzier me Partinë e Xhonturqve. Ai gëzon reputacion të madh, dhe konsiderohet nga të gjithë si një njeri me karakter dhe integritet të jashtëzakonshëm. Ai ka ruajtur ndershmërinë në mes të korrupsionit; ai e ka shfrytëzuar pozicionin dhe influencën e tij si anëtar i Këshillit të Shtetit për të mbrojtur të shtypurit dhe për të ruajtur drejtësinë dhe moralin. Megjithëse vetë është një mysliman, ai ka mbrojtur në çdo rast privilegjet e popullatës së krishterë. Ai admirohet nga myslimanët, midis të cilëve ai ka një peshë dhe influencë të konsiderueshme; ai e ka shfaqur veten si një mik i sinqertë i Anglisë, duke bërë gjithçka që kishte në dorë për të mbajtur marrëdhënie miqësore midis dy vendeve…Në mbyllje ambasadori përmend faktin që nuk duhej injoruar një personazh me një influencë kaq të madhe, si edhe rëndësinë e librit të sapo shkruar nga Ismail Qemali, me titullin “Çështja e Transvalit ose Roli Civilizues i Britanisë së Madhe në Këndvështrimin Mysliman”.

Pjesë e fashikullit janë edhe katër letra të shkurtra por shumë interesante të Ismail Qemalit. Ato janë shkruar me një frëngjishte të përsosur dhe me një gjuhë të rafinuar diplomatike. Tre prej këtyre letrave janë drejtuar ambasadorit britanik në Kostandinopojë Sir N.R. O’Conor dhe një diplomatit Adam Block. Nga leximi i këtyre letrave të tërheq vëmendjen fraza:“MON crime c‘est mon patriotisme” (“Krimi IM është patriotizmi im”)… Gjithashtu, aty del në pah edhe forca e tij karakterit, që është edhe vetë thelbi i lidershipit. Sepse karakteri ndikon tek suksesi më tepër sesa të gjitha aftësitë e tjera. Kjo shprehet qartësisht tek vendosmëria e Ismail Qemalit për t’i qëndruar deri në fund vendimit që kishte marr, pavarësisht pasojave të tij: “Duke u larguar, unë mbështetem vetëm në lirinë time të veprimit dhe do të jem aq i fortë sa të mund të jetoj përmes punës sime.”.

Deri më tani ne kemi pasur në dorë dëshmi të disa protagonistëve të kësaj ngjarje, duke filluar me kujtimet e vetë Ismail Qemalit ose ato të ish-ambasadorit britanik Sir Maurice de Bunsen apo artikuj të shumtë të shtypit ndërkombëtar të kohës, që e kanë pasqyruar këtë ngjarje të rëndësishme për skenën politike otomane, evropiane dhe botërore të kohës. Ndërkohë tashmë për herë të parë, ne kemi në duar dokumentet zyrtare të ministrisë së Jashtme britanike, që e përshkruajnë ngjarjen në mënyrë më të plotë. Përveç shumë detajeve të panjohura më parë, këto dokumente konfirmojnë sërish vërtetësinë e pasqyrimit që i ka bërë kësaj ngjarje qofë vetë Ismail Qemali, qoftë Sir Maurice de Bunsen, por qoftë edhe shtypi ndërkombëtar.

Ambasada britanike në Kostandinopojë luajti një rol kyç në suksesin e arratisjes së Ismail Qemalit. Pavarësisht se siç theksohet qartazi në këto dokumente diplomatike iniciativën dhe përgjegjësinë për ndërmarrjen e këtij veprimi e pati plotësisht Ismail Qemali, i cili shmangu me mjeshtëri policinë dhe spiunët e ngarkuar me mbikëqyrjen e tij, duke kërkuar mbrojtje në bordin e luftanijes së Madhërisë së Saj. Një nga ligjet e pashkruara të pushtetit është mbajtja e nismës dhe Ismail Qemali diti që t’a zbatonte me sukses këtë aksiomë.

Më 1 maj 1900, në moshën 56-vjeçare dhe pas një karriere 40 vjeçare, e cila preku majat më të larta të shërbimit publik, Ismail Qemali, së bashku me tre djemtë, u arratis nga Perandoria Osmane. Arratisja e tij e shqetësoi shumë Portën e Lartë jo vetëm për shkak të ndikimit të madh që ai kishte si udhëheqës i kauzës kombëtare shqiptare, por edhe për shkak të staturës së tij si modeli më i mirë i shërbyesit publik në perandori. Këtu e ka zanafillën një faqe tjetër e jetës dhe e veprimtarisë së tij për çështjen shqiptare, e cila do ta shndërronte atë në simbolin e ndritur të patriotizmit shqiptar. Kjo fazë është e mbushur me shumë dallgë të mëdha dhe sakrifica personale për hir të së mirës së kombit. Në fund ajo do të rezultonte vendimtare për të ardhmen e kombit shqiptar dhe për trashëgiminë e lidershipit të Ismail Qemalit.

Pas mbërritjes në Pire, Ismail Qemali këmbeu vizita me kryetarin e Këshillit të Ministrave, z. Georgios Theotokis, kurse ditën e tretë u prit në audiencë me përzemërsi dhe dashamirësi të madhe nga Mbreti Gjergji I. Disa ditë pas mbërritjes së tij në Greqi, sulltani vijoi përpjekjet për t’i mbushur mendjen Ismail Qemalit, që të kthehej duke i ofruar postin e ambasadorit dhe ministrit.

Pas gjithë këtyre lutjeve, ai krijoi bindjen se sulltani e donte me gjithë mend që ta kishte në shërbimin e tij shtetëror. Por nuk ishte as dyshimi, as mosbesimi që e bënte Ismail Qemalin të mos tundej nga vendimi i tij. Përvoja vetjake e viteve të fundit, si dhe ato çka i kishte thënë vetë sulltani me gojën e tij, i kishin krijuar atij bindjen se njeriu mund të siguronte gjithçka prej këtij sovrani për karrierë personale e përfitime të tjera, por absolutisht asgjë për të mirën e vendit. Ismail Qemali ishte i vetëdijshëm që mund të arrinte majat e pushtetit në Perandori, mirëpo, meqë sulltani nuk i pranonte bashkë konceptin e besnikërisë dhe ndershmërisë, sa më shumë që ai të ngrihej në karrierë, aq më pak fuqi do të kishte për të përmbushur detyrën e tij dhe për të punuar për të mirën e përgjithshme.

Duke filluar që nga vitet ‘890, me mbështetjen e ambasadorit britanik të kohës në Kostandinopojë Sir Philip Currie, Ismail Qemali, botonte gazetën politike me pikëpamje liberale me titull “Rruga e Ideve” (Mecra-yı Efkar). Gazeta promovonte idetë liberale për reforma decentralizuese. Por, pas këmbënguljes së madhe të sulltanit kjo gazetë u mbyll.

Në vitin 1895 dhe 1897, Ismail Qemali i shkroi sulltanit dy memorandume për reformat në perandori. Memorandumi i vitit 1897, ishte në formën e një letre të hapur. Ai do të shënonte thirrjen e tij të fundit ndaj sulltanit për të ndërmarr reforma dhe për të rikthyer regjimin konstitucional.

Ndër të tjera Ismail Qemali i shkruan sulltanit një këshillë universale udhëheqje: “Paardhësit e mëdhenj të madhërisë suaj gjithmonë vinin në poste drejtuese burrat më të zotë të kohës, që ishin pajisur me kulturë të gjerë e me aftësi të mëdha natyrore. Për të zbuluar një të vërtetë të çfarëdoshme, për të përcaktuar vlerat dhe aftësitë e secilit dhe madje për të zhdukur tendencat individualiste që lindnin nga pozita e lartë drejtuese, ata përdornin metodën e ballafaqimit të mendimeve e të opinioneve të njerëzve. Çdo veprim e çdo masë me karakter shtetëror që ndërmerrnin e përputhnin me kërkesat e kohës…Sot si tregues i meritave të njerëzve është injoranca, o poshtërsia. Prandaj zotësitë mendore dhe aftësitë natyrore as që merren parasysh.”. Por duket se kjo është një sëmundje e përbashkët e mendjeve të vogla e tinzare, të cilat preferojnë afër vetes më tepër se gjithçka tjetër mediokritetin…

Reagimi i sulltanit ndaj Ismail Qemalit ishte i pritshëm. Siç dokumentohet edhe nga memorandumi i diplomatit Adam Block, pjesë e kësaj dosje, që mban datën 25 janar 1898, pas një hetimi të zhvilluar nga Policia Otomane, sulltan Abyl Hamidi II, i dha urdhër kryetarit të Gjykatës Ushtarake të Jashtëzakonshme për t’a gjykuar dhe dënuar Ismail Qemalin. Por sulltani u përmbajt më pas nga ky vendim, vetëm për shkak se Ismail Qemali gëzonte mbrojtje diplomatike nga Britania e Madhe. Më 25 janar 1898, dy vjet para arratisjes së tij, në ambasadën britanike në Kostandinopojë u hartua një proces-verbal, nën udhëzimin e ambasadorit të kohës Lordit Currie. Sipas tij britanikët zotoheshin që t’i jepnin mbrojtje Ismail Qemalit nëse atij do t’i kërcënohej jeta.

Megjithatë, në vitin 1900, sulltani vendosi përfundimisht dëbimin e Ismail Qemalit, duke i dhënë atij postin e guvernatorit të Tripolit, në Afrikë. Ky vendim i sulltan Abdyl Hamitit II, po komentohej në Kostandinopojë, si edhe nga shtypi evropian si një syrgjynosje e tij. Ismail Qemali pasi u emëru guvernator (vali) i Tripolit, e pranoi parimisht pozicionin ndërkohë që filloi përgatitjen për arratisjen e tij. Një shprehje e vjetër thotë se: “Në diktaturë njerëzit votojnë me këmbë”.

Me largimin e tij nga Perandoria Otomane, Ismail Qemali dëshironte t’i jepte një mesazh të qartë sulltanit, i cili po e keqqevriste vendin me politikat e tij të jashtme dhe të brendshme. Pas arratisjes së Ismail Qemalit dhe si pasojë e veprimtarisë politike të tij, në qershor të vitit 1901, Gjykata Penale në Kostandinopojë e dënoi atë me vdekje në mungesë, si edhe me konfiskimin e pronave dhe humbjen e të drejtave civile. Ai u akuzua për: “Orvatje për të nxitur popullin kundër qeverisë dhe sulltanit nëpërmjet botimeve për kryengritje dhe me mënyra të tjera”.

Ismail Qemalit do t’i duhej të priste edhe 8 vite derisa sulltani të vetëndërgjegjësohej që pushtetit të tij absolut po i vinte fundi. Ai ndodhej në Paris, kur në orën një të natës, më 22 korrik 1908, i ngarkuari me punë i Turqisë, e zgjoi për t’i lexuar një telegram të ardhur nga sulltani, ku ai kërkonte këshillën e tij se ç’ishte më e mira që mund të bënte në atë çast kritik. Momenti kritik kishte ardhur si pasojë e masakrave që kishin ndodhur dhe e vendimit të Europës për organizimin e Maqedonisë, çka shqiptarëve u dukej se vinte në rrezik unitetin e tyre kombëtar. Mijëra shqiptarë të armatosur ishin mbledhur në Kuvendin e Ferizajt më 15 korrik 1908. Ata i dërguan sulltanit telegramin e famshëm, i cili e shkundi sulltanin. Në telegram thuhej se nëse nuk shpallet Kushtetuta e vitit 1876, 50 mijë shqiptarë do të marshonin drejt Kostandinopojës.

Ndërkohë, Ismail Qemali i dorëzoi të dërguarit të sulltanit përgjigjen e tij, ku e këshillonte të mos vonohej asnjë çast por të shpallte zbatimin e Kushtetutës të vitit 1876, si të vetmen masë të dobishme dhe si e vetmja garanci për popujt e Perandorisë. Sulltani e shpalli Kushtetutën. Ismail Qemali i dërgoi sulltanit po nëpërmjet të njëjtave kanale komunikimi një raport ku i parashtronte planin e tij. Njëkohësisht ai e paralajmëronte për mendësinë dhe moralshmërinë e xhonturqve dhe vijën e tyre politike…

Për liderin është domosdoshme aftësia për të menduar në mënyrë analitike dhe kreative. Dhe në përgjithësi liderët që lënë gjurmë kanë një shpirt rebel, sepse konformizmi ia merr frymën lirisë. Në dinastinë shqiptare Vlora dhe në Labëri, kjo mendësi ishte trashëguar ndër breza. Ata ndër shekuj kishin treguar se nuk ju mungonte kuraja dhe forca që të përballeshin me pushtetin absolut sulltanor, kur gjërat nuk ishin duke ecur në rrugë të mbarë.

*Autor i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit

Filed Under: Histori

The International Women’s and Teacher’s Day

March 6, 2024 by s p

AAWO “Motrat Qiriazi”/

The International Women’s and Teacher’s Day is a perfect opportunity to support and recognize the achievements of two amazing advocates of our community. Together with AAWO let’s celebrate Hon. Edit Shkreli, as Woman of the Year and Leda Cimo Andersen, as Teacher of the Year.

Filed Under: Kronike

“VATRA” e Bostonit dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit organizon prezantimin e Librit “Fan Noli – Apostulli”

March 6, 2024 by s p

“VATRA” e Bostonit, në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvardit organizon prezantimin e Librit “Fan Noli – Apostulli” të gazetarit Ilir Ikonomi, me rastin e 59 vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan S. Nolit!

Ftohet i gjithë komuniteti shqiptar, të bashkohet rreth VATRES në Harvard, për të kujtuar njeriun e madh të kombit shqiptar!

Më 16 Mars 2024 (e shtunë) nga ora 12:00 deri në 2:00pm, në një nga sallat e Universitetit të Harvardit në Boston!

Adresa: Boylston Hall 103 Harvard Yard Cambridge MA 02138 Për detajet shikojeni ftesën, ku do të ketë edhe libra në gjendje!

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1279
  • 1280
  • 1281
  • 1282
  • 1283
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT