• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përsëri mbi pellazgët

November 16, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shumë studiues thonë se Popujt e detit (Filistinët dhe Pellazgët) e kanë prejardhjen nga Minoanët. E vetmja dëshmi për Popujt e Detit është regjistruar në mbishkrimet e faraonëve Merneptah dhe Ramesses III.

Ky është mbishkrimi i Merneptah: Asnjë tokë nuk mund të qëndronte para krahëve të tyre. Një kamp u ngrit në një vend në Amurru. Ata shkretuan popullin e tij dhe toka e tij nuk lulëzoi kurrë më. Ata po shkonin përpara në drejtim të Egjiptit. Konfederata e tyre përbëhej nga Peleset, Shekelesh, Danuna dhe Veshesh.

Mbishkrimi i Ramesses përshkruan ardhjen dramatike të Popujve të Detit në Egjipt. Ata cilësohen si një konfederatë e njerëzve nga ishujt, atdheu i të cilëve ishte trazuar; kishin udhëtuar me anije, shkaktuan kërdi në të gjithë Mesdheun dhe sulmuan Egjiptin. Forcat egjiptiane, të udhëhequra nga Ramesses III i mundën.

Këta pushtues të robëruar më vonë u vendosën në Levant.

Dhe kjo është gjithçka që dimë vërtet për Popujt e Detit. Por mjafton për të konkluduar për origjinën e tyre.

Filistejtë ose Pellazgët janë dy interpretime të mundshme të emrit Peleset që gjenden në mbishkrimet egjiptiane. Popujt e Detit përfshinin njerëz nga më shumë se një kulturë

Zonat rreth ishujve britanikë, Danimarkës dhe Skandinavisë kanë një histori shumë të gjatë të ndërtimit të varkave të sofistikuara. Zbulimi i një platforme 8000-vjeçare në Britani mund të jetë vendi më i vjetër për ndërtimin e varkave i zbuluar ndonjëherë. Ishujt Britanikë në veçanti ishin një burim i rëndësishëm i kallajit për epokën e bronzit, kështu që mund të kishin lidhje tregtare detare në veri e në jug. Popujt që jetonin rreth ishujve duhet të kishin qenë plotësisht të vetëdijshëm për shoqëritë e pasura me të cilat bënin tregti. Edhe ideja se bënin udhëtime dhe angazhoheshin në pushtime e shkatërrime të epokës së bronzit nuk është plotësisht përtej sferave të probabilitetit.

Importi i prodhimeve të tyre ishte i gjerë. Edhe stacioni detar i Athinës në Dor, në Palestinë, kishte lidhje me këtë. Do të dukej si e çuditshme që athinasit të vendosnin një port detar atje nëse nuk kishte një lidhje kulturore ekzistuese më parë.

Historia egjiptiane ka kuptim për njerëzit e detit. Asnjë tokë nuk mund të qëndrojë para ushtrisë së tyre. Ramesses III luftoi disa beteja, por e humbi luftën. Njerëzit e detit zhdukën aborigjenët. Ndoshta, “afrikanët veriorë” të tanishëm janë pasardhës të popujve të detit.

I vetmi informacion vjen nga një burim tjetër egjiptian thotë se disa prej tyre u vendosën në Levant. Nuk dihet se cili ishte fati i të tjerëve.

Nuk ka asnjë ngjashmëri midis Pellazgëve që ishin para grekë dhe palestinezëve të islamizuar dhe arabizuar, nga pushtuesit të quajtur filistinë.

Peles dhe filistinë të ishin dy popuj të ndryshëm me të njëjtin emër. I gjithë rrëfimi i palestinezëve që janë pellazgë është totalisht me origjinë politike. Në fakt, Peleset dhe Filistinët nuk janë pelazgë. Mbishkrimet janë ato që janë dhe të gjitha të dokumentuara mirë. “P” fillestare duket se ka pësuar ndryshim në një fërkim. Një pyetje më e mirë ka të bëjë me “Keftiun” egjiptian. A ishte kjo fillimisht kf-tiu, ku “f” përsëritej një “r”, me fjalë të tjera Kreta, Kretas?

Ka disa popuj të detit. Peleset e Filistejtë janë identifikuar si dy prej tyre dhe ADN-ja u është testuar. Ata ishin me prejardhje indoevropiane.

Filed Under: Sociale

Rikthimi tek etërit tanë themelues

November 16, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Që në fjalët e para të fjalimit të tij inaugurues, Barak Obama citon faktin e të qenit i përgjegjshëm për sakrificat e bëra nga paraardhësit e vet. Kurse në mbyllje të tij ai u rikthehet etërve themelues të vendit, duke evokuar fjalët dhe gjendjen e tyre shpirtërore me një përshkrim sa drithërues aq edhe shpresëdhënës.

“Në vitin e lindjes së Amerikës, në muajin më të ftohtë, një grup i vogël patriotësh shtrëngoheshin përreth zjarreve gati në të shuar, në brigjet e një lumi të ngrirë. Në atë moment, Ati i Kombit tonë urdhëroi që popullit t’i lexoheshin fjalët e mëposhtme: “Në botën e së ardhmes do të thuhet… që në zemër të dimrit, kur asgjë përveç shpresës dhe virtytit mund të mbijetojë… qyteti dhe fshati të alarmuar nga një rrezik i përbashkët u puqën së bashku… Amerikë! Përballë kanosjeve të përbashkëta, në këtë dimër të mundimeve tona, le t’i kujtojmë këto fjalë pa fund në kohë. Me shpresë dhe virtyt, do t’i përballim edhe njëherë rrymat e akullta e do t’u qëndrojmë furtunave që do të vijnë”.

E gjitha kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një përfundim logjik i dëshirës dhe frymëzimit të tij të prirë ndaj revokimit të tyre dhe mësimeve që ata i lanë kombit, të shprehur që në momentin kur nisi udhëtimin me tren nga Filadelfia për në Uashington, ashtu si një paraardhësi i vet i shquar; e të pasqyruar në zgjedhjen, si moto të tij, të fjalëve të Linkolnit në ligjërimin historik të 1863-shit në Getisburg, me temë “Rilindjen e lirisë”.

Shfaqet më se e qartë një nevojë urgjente që në momente të tilla të vështira të krizës të gjendet mbështetje në rikthim te mësimet e etërve themelues, një nevojë kjo që, nëse do të vendosej në prizmin e realitetit tonë, do të dukej si krejt e huaj, ndoshta romantike, ndoshta patetike e, në sytë e cinikëve e skeptikëve ndoshta dhe një nacionalizëm shterp. Nuk janë të rastit këto etiketime, pasi vlerësime të tilla janë bërë nga segmente të caktuara analistësh edhe në momentet e para kur publikut shqiptar iu ofrua trashëgimia e vyer e mendimit tonë të traditës e kur herë pas here i kujtohet me forcë aktualiteti dhe rëndësia e mësimeve që ata kanë dhënë..

Ndoshta rasti i Obamës duhet të na bëjë të reflektojmë më shumë në këtë drejtim e të këqyrim të gjithë më thellë brenda vetes. .

“Shtet. Ja një fjalë e shkurtër që simbolizon gjithë kuptimin e independencës së vërtetë kombëtare. Po edhe një vepër arti e një pune njerëzore shumë të gjatë! Do të punojmë për shumë vjet. Do të mundohemi për shumë breza. Do dërmojmë shumë armiq. Do të zhdukim influencën e shumë të metave antishoqërore dhe trashëgimore. E vetëm pas një periudhe të tërë heroizmi shpirtëror, do të vijë dita e bukur në të cilën do të ndrijë edhe në horizontin e Atdheut tonë dielli i qytetërimit: Shteti…”

Kjo ishte thirrje-sfida që Branko Merxhani hidhte me një ton aq të vendosur, që në radhët e shkrimeve të tij të para në gazetën “Demokratia”. Kuptohet qartë se kemi të bëjmë me një perceptim afatgjatë të së ardhmes, pasi lufta për ndërtimin e shtetit modern shqiptar shtron përsëri ende dhe sot nevojën e një “heroizmi shpirtëror” për t’u ndërtuar. Aq më tepër që kjo ishte marrëveshja e heshtur e një njeriu që kish e ndjerë thellë “nevojën e minutës dhe të vërtetën e kohës”, e një njeriu që e kish kuptuar se shoqëria shqiptare kish nevojë për njerëz që munden ta lartësojnë veten e vet përmbi logjikën e imponuar të ditës, për njerëz që dinë ta kuptojnë kohën, të njohin fund e krye nevojat e saj e të kenë guximin mendor të thonë hapur se ç’shohin a ç’mendojnë. Pse vallë, s’është momenti që edhe në jetën e sotme shqiptare të besohen e promovohen më shumë njerëz të një brumi të tillë? E nën këtë prizëm, a s’duhet rrëmuar sa më mirë për t’u spikatur se cilat janë këto probleme dhe nevoja që na nevojiten fillimisht në luftën e Qytetërimit, në luftën e fitimit të vlerave morale, në luftën më në fund të pasurimit të shpirtit dhe krijimit të idealeve të reja shoqërore. Po pse vallë, a e kemi fituar ende dhe sot luftën për qytetërimin?

E për ta bërë sa më të kapshëm këtë parim të riformulimit të kritereve të reja le të marrim për shembull periudhën e ashtuquajtur të viteve 30, dhe le të shohim objektivitetin e trajtimit ose, më mirë, pozicionimin e saj në tërësinë e historisë shqiptare, qoftë nga kriteri i vlerave, qoftë nga kriteri i rëndësisë.

Për t’ia arritur qëllimit, problemin duhet ta shohim në dy nivele. Nëse do të bazoheshim në modelin e ri historiografik që na tregon Shkolla franceze e Analeve ku, përveç historisë së ashtuquajtur të evenimenteve, ne kemi edhe shumë lloje historish të tjera, do të shihnim se epoka e viteve 30 do të na shfaqej si më pjellorja në lindjen e domeneve të reja, të tilla si albanologjia, hagjiografia, numizmatika, euristika apo historia sociale, historia juridike, historia e filozofisë, sociologjisë etj.; e në vijim, jo vetëm se i zuri fill, por edhe se arriti t’i lëvrojë këto pjesë me një lartësi të re mendore dhe profesionale, që e tejkalon madje në segmente të caktuara edhe nivelin e sotëm. Le të marrim një shembull. Disa mendimtarë të spikatur të këtij mendimi hodhën ide të vyera mbi themelimin të një Muzeu Etnografik, një Instituti Albanologjik në Tiranë, duke dhënë madje mendime apo këshilla edhe për mënyrën dhe strukturën e historisë dhe historiografisë sonë; ide këto që, për fat të keq, po të shihen me kujdes janë më se të shtruara për zgjidhje ende dhe sot.

Që të shkruhet historia, duhet pikësëpari të përgatitet fusha apo domeni i saj e të drejtohen përpjekjet tona të paktën në dy qëllime kryesore:

Së pari, të përcaktohet mirë dhe qartë trualli i lëvrimit dhe i zhvillimit të saj. Së dyti, të mblidhen e sistemohen të gjitha materialet e historisë sonë. Ja pra cila është e meta jonë më e madhe: mungon baza historiografike. A mos vallë janë bërë hope të rëndësishëm që nga koha kur u hodh kjo thirrje-sfidë nga ana e historianëve dhe e specialistëve tanë të historiografisë? Nuk mund të themi se nuk është bërë përpara, por, tek e fundit, detyrimisht që rrjedha e kohës dhe ndërgjegjësimi kombëtar do ta shpinin përpara këtë proces. Mirëpo, në detyra të përmasave të tilla krahasimi duhet bërë në lidhje me lartësinë, ritmin dhe cilësinë që kërkon koha dhe sidomos epoka 15-vjeçare e lirisë së pas-komunizmit. Në këtë përballje, mund të themi se përmbushja e kësaj detyre është ende prapa.

“Studim, formim dhe pastaj veprim” qe parulla në “mobilizimin e tyre të famshëm për pushtime morale”, për krijimin e asaj “Shqipërie të mendimit dhe ndjenjës”. E ja pse, ndryshe gati tërësisht nga fryma e shtypit të sotëm, gazetaria e atëhershme foli për të rinjtë, për nënat dhe djemtë, për lirinë dashurore, duke marrë për bazë studimet e psikologëve më të mëdhenj të kohës, si Frojd, Jung, Adler apo James. Vazhdoi më pas të sqarojë kuptimet dhe lidhjet midis jetës dhe ligjeve, midis kulturës, fesë dhe qytetërimit. Shpjegoi materializmin historik, idealizmin shoqëror hodhën mendime për revista-ide, revista-mision, revista-tendencë; përpiloi një projekt-rregullore të detajuar për mbledhjen e folklorit, hartoi një skicë sociologjike të Perandorisë së Osmanlinjve; shkroi për doktrinat ekonomike të kohës, për kongreset filozofike, shpjegoi se ç’është filozofia, sociologjia, mitet, ideali, njeriu. Vallë, a janë përmendur ndonjëherë tema të tilla në shtypin e sotëm? Shkroi për një Dekart a një Comte, shpjegoi teoritë e nacionalizmit (determinizmin shpirtëror dhe atë lëndor), komentoi teorinë evolucioniste të Bergsonit të viteve 30 dhe sqaroi se ç’është metafizika, disa vite pasi Hajdegeri i madh e kishte shtruar si çështje bazë kapërcimin e saj. Pra, duhet të sqarojmë se bëhet fjalë për rryma të mendimit asokohe bashkëkohore, çka tregon se ata mendimtarë qenë në po të njëjtën amplitudë me mendimin dhe diskutimet filozofiko-sociologjike më bashkëkohore të kohës. A është vallë sot, e përthithur nga shtypi, tv-të ose dhe universitetet, një traditë e tillë? S’duket kurrfarë gjurme a jehonë. Ja, për të gjitha arsyet kjo periudhë duhet të zërë vend si periudha e fillimit të iluminizmit shqiptar, iluminizëm që si proces sot shtrohet me urgjencë në çdo ind të shoqërisë sonë, si një kambanë buçitëse për krijimin të atij horizonti mendor dhe kulturor që po përpiqemi t’i veshim ndërmarrjes sonë për të fituar betejën e demokracisë. “Jemi bijtë e një race tragjike, e cila mbetet apatike, e pa interesuar dhe e pa influencuar brenda në një botë të tërë luftërash idealiste, brenda në një pellg aq të madh korrentesh mendore. Mbi kryet tona shkuan gjithë rrebeshet e një rilindjeje, e një kryengritjeje frënge, po për ne sikur nuk ngjau asgjë”. Ja se si shkruante realisht, por jo pa dhembje, Branko Merxhani në fillim të shekullit të shkuar, kur iu përvesh punës për të nisur këtë epokë të ndriçimit së brezit të ri shqiptar. Mirëpo, një gabim të tillë nuk na falet ta bëjmë shumë dekada më pas përparimit dhe ngritjes kulturore. Kombet – ashtu si dhe njerëzit – janë të mëdhenj, kur ata arrijnë të mësojnë nga gabimet.

Po kaq shteg-shënjues shfaqet edhe aspekti i trajtimit të kësaj periudhe në nivelin e brendshëm të vetë fushës së historiografisë. U panë të vërshonin një numër i madh dokumentesh mbi historinë e Shqipërisë. Mund të përmendim këtu mjaft seri, por më të spikaturat mund të qenë “Përpjekje për lirim të Shqipnisë nga sundimi turk në fundin e shekullit të XVI dhe fillimin e shek. XVII”, fjalor bibliografik ilirik dhe shqiptar, që me plot gojën mund të quhet nisja e një enciklopedie te historisë së Shqipërisë. Të gjitha këtyre mund t’u shtohen edhe botime të veçanta si “Sprovë mbi një regjistër historik të Shqipërisë” të vlerësuar me çmim nga Akademia Italiane. Është ky një vëllim në të cilin listohen rreth 1 500 dokumente që i përkasin shekujve XII-XV, nga viti 1201 e duke arritur saktësisht deri në vitin 1568, me një rëndësi të jashtëzakonshme për të saktësuar panoramën historike të ngjarjeve të ndryshme në të cilat është trazuar jeta shqiptare gjatë këtyre shekujve. Mund të vijojmë me veprën “Kontribute të kronologjisë shqiptare”, që mbledh ngjarjet më kryesore historike, etnografike, religjioze e politike të Shqipërisë, një tjetër “moment”, një tjetër orvatje kjo që me plot gojën mund të emërtohet e rrallë për nga vlera që ka në mbushjen e periudhave të errëta e të pak-dokumentuara të historisë sonë.

Por mjaft të goditura e forcërisht shkencore deri dhe në ditët e sotme shfaqen studimet e një serie autorësh, duke filluar që nga Gjeçovi, Ernesto Cozzi e Bernardin Palaj, për të përfunduar te Koliqi, Valentini e Cordinjano, mbi rregullat dhe të drejtat e kodit tonë tradicional zakonor, për t’i dhuruar kështu kësaj fushe të kulturës sonë një korpus të tërë veprash monumentale. Janë të gjitha këto prurje të asaj periudhe që, për fat të keq, janë botuar e janë bërë tashmë të njohura edhe kësaj here nga iniciativa private, jashtë rrethit të institucioneve studimore (përfshi këtu edhe Akademinë), ato që përbëjnë njërin nga kontributet më të çmuar për kulturën shqiptare, një kontribut ky që ka të bëjë me një aspekt kulturor e tradicional, deri më sot po kaq pak të njohur sa dhe interesant: atë të mentalitetit juridik dhe të së drejtës tradicionale shqiptare, për të provuar kështu, në mënyrë tepër shkencore, faktin se kombit shqiptar, në një nivel shumë të kënaqshëm, antikiteti, personaliteti dhe fisnikëria i demonstrohet nga mentaliteti i fuqishëm juridik, jo më pak e ndoshta shumë më tepër sesa dhe nga vetë gjuha e poezia e tij.

Pavarësisht nga këto suksese, duhet thënë se deri në një pikë të caktuar lëvizja jonë historiografike arriti të përballej me vonesat e kohës, falë pasionit, profesionalizmit dhe idealizmit të pinjollëve të patriotizmit të vet, por veçse deri në një pikë, ama. E kjo, sepse historiografia dhe studimet albanologjike shqiptare, të nisura aq mirë në vitet 30, nuk arritën të ngjiteshin dot deri në majë, falë mungesës së një përkrahjeje institucionale dhe financiare, pra, falë mungesës edhe të një vullneti politik. Po, gjithsesi, arritjet e saj të shkëlqyera, bashkë me lëvrimet shumëdisiplinore që nisën të zinin udhë, duhet ta pozicionojnë këtë periudhë shumë më gjerë dhe shumë më lart në skenën e studimit të sotëm të historisë shqiptare. Nëse Shqipëria nuk pati ndonjë platformë dhe zbatim të një plani të përgatitjes kulturore për pavarësinë e saj politike, ajo në periudhën e parë të shekullit XX mund të përcaktohet pa mëdyshje se pati periudhën e artë të përgatitjes së pavarësisë së saj në luftën e Qytetërimit. Nëse do të dimë se si t’i përcaktojmë kriteret e periodicizimit që na dikton mënyra bashkëkohore e këndvështrimit të historisë, do të dimë edhe se si të vendosim piketat nëpër të cilat do të kalojë edhe shkrimi i gjithë historisë sonë. Në këtë kontekst, historia e mendimit shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX duhet të shihet si periudha më dinamike dhe shteg-shënjuese, nga kriteri krahasimor i periudhave me nivelin e zhvillimit, në të gjithë historinë tonë, madje në disa ritme e pritshmëri ajo mund të matet edhe me vetë periudhën pas shembjes së komunizmit.

“Kombet që e kanë ndjerë thellësisht nevojën e një reforme nuk kufizohen as në përsosjen e institucioneve të tyre juridike, as kanë për qëllim vetëm punimin më të mirë të mekanizmit të shtetit, por rëndësinë më të madhe ia japin rregullimit dhe lartësimit të jetës arsimore si dhe cilësisë së prodhimit të saj.” Sepse, aty ku mungon ideja pedagogjike, aty ku shkolla nuk është e zonja të përdoret si organi më i sigurt për përhapjen dhe zbatimin e ideve të reja dhe të tendencave reformuese, kjo do të thotë se predispozitat dhe dëshirat e shoqërisë nuk janë të zhvilluara akoma në atë pikë sa të mendojnë e të punojnë për sigurimin e përparimit dhe mirëqenien e së nesërme. Ja, këtë përcaktim së pari duhet ta ndiejë shkolla në kurrikulat e saj. Kemi të bëjmë me një mungesë shumë serioze e të trashëguar prej kohësh në procesin e mësimdhënies, sepse, përveç të tjerash, tërë ato dije që po na vijnë nga kultura botërore, nuk mund të përvetësohen si duhet pa u shartuar me mendimin shqiptar. Ky raport që nuk ekziston, nëse vazhdon, do t’ia heqë dalëngadalë arsimit tonë bazën nacionale.

Dinamika e prurjeve historiografike dhe ritmi i lartë i punës seleksionuese dhe analizuese i një grupi tashmë të specializuar botuesish dhe studiuesish i kanë pjekur kushtet e realizimit të këtij hopi cilësor të kulturës sonë.

Këtë ndikim duhet ta ndiejë drejtpërdrejt edhe politika jonë e jashtme, për ta përdorur në këtë rast historinë si përfaqësim të kombit dhe të kulturës shqiptare. Këtu kemi të bëjmë me trashëgiminë tonë mendore gati një shekullore, me filozofinë e me sociologjinë tonë, me psikologjinë e qytetarinë tonë, me dijet tona politike, çka provon faktikisht se ne nuk jemi kurrsesi vend tribush, siç mundohen të na paraqisnin armiqtë tanë apo të gjithë ata që nuk na njohin mirë, por jemi një komb me mendimtarët dhe dijetarët tanë, të cilët që në momentet e para kur orientuan luftën për të fituar lirinë politike ose kur konceptuan shtetin e ardhshëm shqiptar, sytë i kishin nga modelet e përparuara evropiane dhe nga Perëndimi. Këtë gjë, është e rëndësishme ta dimë të gjithë ne dhe pasardhësit tanë, por veçanërisht të dinë ta përdorin mirë diplomatët, ambasadorët dhe gjithë faktorët e politikës sonë të jashtme, sidomos në kushtet gjeopolitike të integrimit evropian dhe të globalizmit botëror.

Rikthimi te rrënjët është gjithnjë i shëndetshëm në përndezjen e ideve të reja, që ndoshta të tilla nuk janë, por shfaqen si të tilla të hedhura e të theksuara në rrethana e situata të caktuara. Një ide e këtij lloji ishte edhe theksimi i përgjegjshmërisë dhe i ngritjes së këtij nocioni në bazën e fillimit të një ere të re në të gjitha qasjet politike dhe në shumë ligjërata të politikanëve shqiptarë. Në fakt, koncepti i përgjegjshmërisë e njeh hyrjen e vet në leksikun e filozofisë në një periudhë relativisht të hershme e, më saktësisht, në vitin 1787, kur Aleksander Hamilton, në letrat e tij të famshme federaliste, për të përshkruar raportin që duhet të ekzistojë ndërmjet qytetarëve dhe qeverisë që i përfaqëson, përdori pikërisht termin “përgjegjshmëri”. Që nga ky moment, termi filloi të përdorej gjithnjë e më shpesh, qoftë në fushën juridike, qoftë nga pikëpamja etike, duke iu referuar atij raporti të ngushtë që lidh secilin prej nesh me pasojat e veprimeve tona. Madje, më në hollësi mund të themi se i takon pikërisht Maks Ueberit merita e zbulimit të ndarjes midis “etikës së bindjes” dhe “etikës së përgjegjshmërisë”; në rastin e parë vlen motoja kantiane “që të vihet në vend drejtësia, ia vlen të shkojë në shkatërrim edhe e gjithë bota”, ndërkohë që, në rastin e dytë, bëhet fjalë për një “veprim racional në përputhje me qëllimin”. Kuptohet, pra, se si nga ana juridike, ashtu dhe në aspektet e tjera politike, etike apo fetare, koncepti i përgjegjshmërisë mbart mbi vete një ngarkesë të fortë problematiciteti, Megjithatë, duhet të saktësojmë se në gjuhët moderne evropiane “përgjegjshmëri” do të thotë në thelb “të përgjigjesh”. Rrjedhimisht, ajo nënkupton ekzistencën e dy kushteve: të një zëri plotësisht të përcaktuar që “thërret” dhe të një “përgjigjeje” ndaj tij. Për ta shpjeguar praktikisht, le t’i referohemi një shembulli konkret. Nëse një qeveritar e administron pronën publike duke u përkujdesur për interesat e qytetarëve të vet, atëherë ai i “përgjigjet thirrjes” që vjen prej tyre e, pikërisht falë kësaj sjelljeje, nuk i “përgjigjet” thirrjes së interesave të tij personale, të lëna kështu në plan të dytë, në krahasim me ato të të tjerëve. Ndaj, mund të thuhet se nuk mund të jesh i përgjegjshëm në mënyrë “absolute”, por vetëm në lidhje me një zë specifik në krahasim me zërat e tjerë që ngelen kësisoj të padëgjuar. Ja, ky është thelbi i etikës moderne të përgjegjshmërisë, që duhet të jetë përmbajtja e qasjes së vullnetit politik, intelektual, e ministerior ndaj vlerave dhe, aktualitetit të mendimit shqiptar të traditës. Zëri që tashmë po vjen prej gjithë kësaj pune përgatitore shumëvjeçare, të shprehur në libra dhe në manuale didaktike, duhet t’i përgjigjet ndërgjegjja kombëtare dhe institucionale që, më në fund, nxënësi shqiptar dhe brezat e ardhëm ta dëgjojnë e ta mësojnë atë, ta përthithin e të formësohen prej tij, duke u bërë më të dijshëm, duke e ndjerë se kanë rrënjë e themele të forta e, së fundi, duke u ndjerë më krenarë e patriotë.

Filed Under: Emigracion

RRUGËTIMI HISTORIK I ISMAIL QEMALIT

November 16, 2023 by s p

Ledio Xhoxhi

Studiues shkencor

Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë/

Ismail Qemali është personalitet me rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Me emrin e tij është i lidhur një fund dhe një fillim në këtë histori: fundi i pushtimit shumëshekullor osman dhe fillimi i lirisë dhe i pavarësisë shqiptare. Si themelues i Shqipërisë, ai hyn në radhën e atyre personaliteteve që e kanë ndryshuar historinë politike të popullit shqiptar dhe të Ballkanit në përgjithësi.

Ismail Qemali është njëri nga politikanët me prejardhje shqiptare më të suksesshëm në Perandorinë Osmane, dhe kur thuhet kështu, mendohet në karrierën e tij të gjatë politike e shtetare dhe në ndikimin e tij të madh. Ai i kishte tri parakushte për sukses politik e shtetëror: e para, kishte prejardhje fisnike, e cila shihej shumë në atë kohë; e dyta, ishte aq i pashëm mes burrave të tjerë, gjë që nuk ishte e parëndësishme në atë kohë; e treta, ishte mendjelartë dhe shquhej mes të tjerëve, gjë që çmohet gjithmonë.

Cilësitë e tij gjatë jetës krijonin baraspeshë në personalitetin e tij. Ai ishte modest, i vendosur dhe zemërgjerë, i guximshëm dhe i matur, gojëtar e largpamës. Gjykimi i tij i qartë, sjellja e tij e avashtë dhe e sigurt e bënin magjepsës personalitetin e tij.

Në sajë të cilësive të tij, Ismail Qemali arriti të bëhej prijës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, themelues i shtetit shqiptar dhe kryeministër i Shqipërisë. Gjatë, gati gjysmëshekulli të veprimtarisë politike e shtetare në Perandorinë Osmane, ai arriti të jetë sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ministër i Jashtëm, ministër i Punëve të Brendshme, pjesëmarrës në misione të ndryshme politike e diplomatike të Perandorisë në vende të Evropës, Kryetar i Komisionit Evropian të Danubit etj. Njohja e gjendjes politike e shoqërore dhe përvoja e madhe shtetare e bëri të përzgjedhurin e sulltanit për reforma shtetërore. Cilësitë e tij e bënë njëkohësisht, edhe të dyshimtin apo të dënuarin e sulltanit, shkaku i smirës nga politikanë e diplomatë dhe i përndjekjeve që e pasuan.

Të dhënat që dihen për jetën dhe veprimtarinë politike e shtetare të Ismail Qemalit, kujtimet e tij dhe kujtimet e të tjerëve për të e tregojnë njeri me formim të gjithanshëm dhe me kulturë të gjerë. Në mendjen e tij kishte vend për të gjitha kulturat, kurse në zemrën e tij vend për të gjitha racat, të gjitha kombësitë dhe të gjitha besimet.

Megjithëse atdhetar i përkushtuar dhe krijues i shtetit shqiptar, ai kurrë nuk i keqpërdori ndjenjat kombëtare për qëllime politike. Megjithëse mysliman për nga besimi, ai kaloi jetën e tij të lumtur me gruan e besimit të krishterë dhe të kombësisë tjetër. Megjithëse politikan e diplomat në një Perandori në të cilën sundonte despotizmi oriental, me bindje e me sjellje ai ishte demokrat liberal. Marrëveshja ishte mjeti i tij politik; toleranca ishte mënyra e sjelljes së tij; humanizmi ishte etika e tij.

Liberalizmi i Ismail Qemalit ka më shumë se një burim. Burimi i parë është shkollimi i tij. Në gjimnazin e njohur Zosimea të Janinës ai mësohet “të jetojë – si thotë vetë – në frymën e lirive të botës së vjetër greke” dhe përvetësoi ide liberale të Volterit, Rusos e Lokut. Burimi i dytë janë njohuritë që kishte për Evropën Perëndimore. Ai qëndron shpesh në Angli, në Francë e në Itali, ku njeh organizimin shtetëror, sistemin ekonomik, filozofinë politike dhe qytetërimin e tyre. Burimi i tretë i liberalizmit të Ismail Qemalit është kultura e tij politike dhe historike. Ai e di se vetëm shtetet demokratike janë shtete historikisht të qëndrueshme. Ai thekson se “çdo perandori që është krijuar me shpatë në të njëjtën kohë ka mbjellë edhe farën e shkatërrimit të vet”. Për këtë arsye, për rregullimin shtetëror ai e çmon “forcën morale më të fuqishme se forcën e armatosur” por, natyrisht, forcën morale të mbështetur në ligje demokratike.

Me bindje të tilla, liberale, Ismail Qemali hyn në Lëvizjen Kombëtare për krijimin e shtetit shqiptar. Bindjet që kishte dhe cilësitë me të cilat shquhej e bënë shpejt prijësin e kësaj Lëvizjeje. Ashtu si ideologët e Rilindjes Kombëtare përpara tij, edhe ai mendoi për zgjidhjen e çështjes kombëtare përmes autonomisë në gjirin e Perandorisë Osmane. Mendoi në këtë mënyrë sepse e dinte se disa nga fuqitë e mëdha, sidomos Britania e Madhe, ishin të interesuara që kjo perandori të mbahej si një nga faktorët për mbajtjen e baraspeshës së tyre. Evropa, ndërkaq, po i afrohej luftës botërore. Kur u bind se Perandoria Osmane po përmbysej dhe se me përmbysjen e saj mund të përmbysej edhe shpresa e shqiptarëve për krijimin e shtetit të vet, ndërkohë fqinjët ballkanikë mund të copëtonin tokat shqiptare, u bind se çasti historik kishte ardhur. Ismail Qemali zëvendësoi idenë e autonomisë me idenë e pavarësisë së Shqipërisë. Njëkohësisht ai ndryshoi edhe idenë për mjetet që do të duhej të përdoreshin për aaritjen e pavarësisë: në vend të luftës politike – si i vetmi mjet, ai kërkoi luftë të armatosur – si mjet kryesor. Rrjedhimisht, veprimtaria e tij përqendrohet: e para, në bashkimin e të gjitha forcave mendore, morale e vepruese kombëtare për atë luftë dhe, e dyta, në sigurimin e mirëkuptimit të Fuqive të Mëdha për kërkesën shqiptare. Më 28 nëntor 1912 ai mbledh në Vlorë Kuvendin Kombëtar, i cili shpall pavarësinë e Shqipërisë, zgjedh Qeverinë e Përkohshme, qeveri që e zgjedh atë si kryeministër të saj.

Ky ishte shtet ende pa kufij, pa forca të rendit, pa ushtri, pa administratë kombëtare, pa ekonomi, pa financa – shtet pa kushte shteti. Por, ky shtet i porsalindur kishte dinjitetin politik, juridik dhe moral të shtetit. Institucionet e tij shtetformuese si Kuvendi dhe Qeveria, ishin sovrane në një pjesë, sado e vogël atëherë, të Shqipërisë së ardhshme. Qeveria e Përkohshme, me në krye Ismail Qemalin, bënë çmos që Shqipëria të shtrihej deri atje deri ku ishin kufijtë e saj etnikë dhe që të jetë, vërtet, e pavarur dhe e qëndrueshme.

Luftërat Ballkanike, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, dhe më pas Lufta I Botërore, solli dëshpërim të popullit shqiptar dhe Ismail Qemalit. Jashtë kufijve të Shqipërisë mbetën më shumë se gjysma e trojeve shqiptare dhe më shumë se gjysma e popullit shqiptar. Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë j’u dhanë fushat pjellore, burime të lumenjve, qytete të zhvilluara shqiptare. Serbia i vazhdoi përpjekjet për të dalë në det përmes Shqipërisë. Mali i Zi bën çmos të rikthejë Shkodrën si pjesë të saj. Greqia nuk heq dorë prej synimeve për tu shtrirë në pjesën jugore të Shqipërisë. Italia bën politikën e pushtimit të Vlorës e të Sazanit dhe të vënies së Shqipërisë nën protektoratin e saj. Rusia e Franca, madje edhe Britania e Madhe, shteti shpresë i Ismail Qemalit, shohin si ta bëjnë Serbinë sa më të madhe, kurse Franca nuk ngurron ta shpërblejë Greqinë me qytete shqiptare, si, fjala vjen, me Korçën. Esat Pashë Toptani krijon kundërqeverinë në Durrës dhe zhvillon fushatë të hapur kundër Ismail Qemalit. Anarkia e brendshme, varfëria, analfabetizmi i shtrirë dhe zia e bukës bëhen gjithashtu rrezik për Shqipërinë dhe për qeverisjen e saj.

Fati i Shqipërisë dhe i babait të saj ishin bërë njësh. I gjetur nën trysninë e Fuqive të Mëdha për arsye se donte të ishte subjekt e jo objekt i historisë, i braktisur nga bashkëpunëtorët, i pa kuptuar nga një pjesë e madhe e bashkëkombësve, i lodhur nga mosha, i pushtuar nga një mosbesim për mundësinë e ndryshimit të shpejtë të gjendjes, Ismail Qemali më në fund lë Shqipërinë dhe rishtazi merr rrugën e mërgimit. Pesha mbi krahët e tij kishte qenë shumë e rëndë dhe ai nuk kishte mundur ta çonte më tutje. Si njeri që nuk dorëzohej lehtë, ai vazhdoi luftën për Shqipërinë atje ku e kishte filluar: në qendrat politike evropiane. Kjo luftë nuk zgjati shumë, drama e jetës së tij përfundon më 26 janar 1919.

Emri i Ismail Qemalit në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si shtetari, që themeloi Shqipërinë. Ismail Qemal Vlora është shembulli i njeriut, i politikanit dhe i shtetarit në historinë e popullit shqiptar.

Filed Under: Rajon

BURRAT E KOMBIT S’ HIDHEN NË HARRESË

November 16, 2023 by s p

Ismail Arsllani/

Çka i thoshin Mehmetriza Murtezanit-Gegës, inspektorët e UDB-së në Tetovë. -Kalvari i Gegës fillon në mars të vitit 1948, kur emërohet mësues në Nerasht të Tetovës, ku pas një muaji shpallet “informbyroist” dhe dërgohet për hetuesi në Beograd. -Si e zunë organet e Sigurimit Shtetëror “Mandelën tetovar”, me afishe në Shkup. -Gega ishte prijës dhe ideolog i rinisë tetovare për demonstratat e 1968-ës.

Tashmë kanë kaluar 55 vjet nga demonstratat e njohura të Tetovës të mbajtura më 22-23 dhjetor 1968, të parat në Maqedoni, në kohën e komunizmit më të egër, të ushtruar me shumë persekutime mbi popullin shqiptar në ish-Jugosllavi. Me këtë rast, me pietet të posaçëm kujtohet i pari i grupit, ideologu i këtyre demonstratave që tronditën regjimin komunist të atij shteti, i cili ishte i padrejtë me shqiptarët. Ishte ky Mehmetriza Murtezani – Gega nga Tetova, patrioti sypatrembur për çështjen kombëtare shqiptare, një atdhetar i madh, i cili sakrifikoi veten dhe familjen, për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve.

Për kauzën shqiptare ishte angazhuar që në moshën më të re, duke shndërruar jetën e tij në një “skëterrë”, prapa grilave të burgut të Idrizovës në Shkup. Veprimtarinë e tij atdhetare e vazhdoi edhe pas paraqitjes së pluralizmit partiak (1990), kur iu vu në shërbim të popullit, duke marrë pjesë në shumë tubime, protesta, shënim-data, jubile, konferenca, tryeza etj., duke ndihmuar edhe punën e partive politike shqiptare, pa u përcaktuar për asnjë parti, me të vetmin qëllim që të sendërtoheshin synimet shekullore të shqiptarëve.

Mehmetriza Gega ishte i dashur, i mirëpritur dhe i respektuar kudo ku paraqitej mes popullit. Njerëzit e afronin me respekt të veçantë, sepse e nderonin si një veprimtar të dëshmuar me kohë, si një njeri me guxim deri në fanatizëm, njeri që kishte vuajtje në shpirt dhe zemër, të cilat i bartte nga burgjet ndëshkuese komuniste. Një kohë, Gegën e njihnin edhe si “Mandela i Tetovës”, sepse shumë vite kishte kaluar në burgje, për veprimtari ilegale politike e patriotike. Inspektorët e SPB të Tetovës e këshillonin që të mos merrej me politikë: “Politika është një lavire, së cilës ia sheh sherrin!”, i thoshin sa herë që para tyre s’pranonte se është marrë me politikë. Gjithçka që bëri, ishte për të mirën e popullit të vet dhe asnjëherë nuk u tremb nga pasojat.

Shtigjet jetësore të tij ishin përplot vuajtje, persekutime e dënime të rënda me burg. Duke kujtuar fillimet e veprimit të vet atdhetar, kishte thënë: “Në mars të vitit 1948, zura punë në shkollën fillore të fshatit Nerasht të Tetovës. Ishte kohë e Informbyrosë. Vetëm një muaj më pas, pa kurrfarë shpjegimesh, më arrestojnë dhe më dërgojnë në një burg të hetuesisë në Beograd, me pretekst se jam informbyroist. Kur panë se nuk jam as informbyroist dhe as komunist, pas një muaji më lëshuan nga burgu”, kishte shpaluar autorit të këtij punimi, këto kujtime përplot me vuajtje e përndjekje, që në vitin 2005, derisa Mehmetriza Gega ishte në jetë.

Nga burgu hetues i Beogradit sërish ishte kthyer në shkollën e Nerashtit, ku me angazhimin e tij dhe të kolegëve kishte shtuar numrin e nxënësve prej 60 në 240 sish, duke përfshirë edhe shtimin e numrit të vajzave. Pas katër vjet pune të suksesshme, e transferojnë në fshatin Grupçin, ku, pas një kohe të shkurtër, Inspektorati i Arsimit e kishte pezulluar nga puna.

“Nuk e di shkakun e largimit tim nga puna, por supozoja se ishim tepër të angazhuar në përfshirjen e nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, përderisa pushteti punonte në një kurs tjetër, për hapjen e shkollave turke, në vitet 1950-1952”, ishte shprehur Gega.

Ishte kjo një kohë e zymtë për shqiptarët, të cilët, për shkak të presioneve të shumta të pushtetit të atëhershëm, detyroheshin të shpërnguleshin për në Turqi. Arsimtarët ishin ata që pengonin këtë proces të projektuar nga pushtetarët, ndaj dhe vazhdimisht ishin të përndjekur. Sistemi i egër komunist i asaj kohe nuk lejonte veprimtari legale, andaj ata vepronin në konspiracion dhe në ilegalitet të plotë, duke përgatitur dhe duke shpërndarë afishe me këto përmbajtje: “Mos shkoni në Turqi!”, “Vendi ynë është këtu!”, “Këtu do ta gjejmë lirinë!” etj.

Një ditë, nga ato të mes-viteve të 50-ta të shekullit të kaluar, organet e sigurimit shtetëror e kishin zënë në rrugë Gegën me afishe e parulla të shkruara, që duhej t’i shpërndante në rrethinën e Shkupit, ndaj dhe e kishin arrestuar. Pasojnë pesë muaj hetime të mundimshme në Tetovë, Gostivar dhe Shkup. Ndërkaq, aktakuza e ngarkonte për diçka krejt tjetër, “për shkëputje të këtyre viseve të Jugosllavisë dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë”. Për këtë shkak, me kodin penal të legjislaturës së atëhershme, dënohet me 10 vjet heqje lirie në burgun e Idrizovës, prej të cilëve 5 vjet në izolim të plotë. Pas afër shtatë vjetësh vuajtje dënimi, me një amnisti të përgjithshme, lirohet nga burgu në mars të vitit 1962.

Pas gjashtë vjet jete jashtë grilave të burgut, menjëherë pas shpërthimit të demonstratave shqiptare në Tetovë, më 22 e 23 dhjetor të vitit 1968, organet e sigurimit shtetëror sërish e arrestojnë Mehmetriza Gegën, si ideolog kryesor.

“Kisha bërë disa vjet stazh pune në fabrikën e tekstilit “Teteks” të Tetovës, kur më 24 dhjetor, një ditë pas demonstratave në Tetovë, sërish më arrestojnë organet e sigurimit shtetëror dhe më mbyllin në Burgun e Tetovës. Pas dy javë keqtrajtimesh, ma dorëzojnë aktakuzën, në të cilën cilësohem si prijës i “demonstratave armiqësore” të vitit 1968 në Tetovë, ndërsa aty ishin radhitur edhe emrat e 14 personave të tjerë të “grupit”, në mesin e të cilëve kishte studentë, arsimtarë, punëtorë etj. Sipas aktakuzës, “kjo organizatë ka dashur që me dhunë ta bëjë shkëputjen e viseve perëndimore të Maqedonisë dhe bashkimin e tyre me Kosovën dhe Shqipërinë”.

Hetimet kishin zgjatur 5-6 muaj, deri në gjysmën e vitit 1969, kur në Gjykatën e Qarkut në Shkup kishte filluar procesi gjyqësor. “Prokurori më akuzonte për atë që kisha vënë në spikamë padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve në një shoqëri socialiste, ku të gjithë duhej të ishin të barabartë, pavarësisht nga përkatësia kombëtare”, shprehej me atë rast Gega, duke shtuar se kishte vërtetuar me argumente se ka shumë diskriminime që u bëhen shqiptarëve, përballë maqedonasve, të cilët kishin të gjitha të drejtat.

Sipas tij, gjykimi kishte qenë i inskenuar dhe kishte momente tragjike-komike, sepse dëshmitarët, të cilët ishin “përpunuar” nga policia, dilnin qesharakë gjatë seancave gjyqësore. “Ashtu siç mund të pritej nga organet e një sistemi totalitar, pas një procesi gjyqësor që zgjati një muaj, trupi gjykues më dënoi me shtatë vjet heqje lirie, të cilën e kam vuajtur në burgun e Idrizovës, prej nga, me një vit amnisti, lirohem më 24 dhjetor të vitit 1974, në përvjetorin e gjashtë të demonstratave të Tetovës”, kishte deklaruar asokohe, Mehmetriza Gega, në një bisedë me autorin e këtij shkrimi, të cilën pranoi ta bëjë, ndonëse ishte në moshë të shtyrë dhe në një gjendje të rëndë shëndetësore.

Filed Under: Kronike

Më 16 nëntor 1990 falet namazi pas 23 vitesh në Xhaminë e Plumbit në Shkodër

November 16, 2023 by s p

Nga Albert Vataj/

Ishte e pabesueshme. Një atmosferë që do ta kishte të vështirë ta përshkruante çdokush. Njerëz nga të katër anët kishin vërshuar nën këmbët e kalasë legjendare të Rozafatit dhe prisnin me padurim një zë që do të ngrohte shpresat, do të ndizte flakadanin e besimit, do të rikthente shpirtin e blatuar në adhurim për Zotin, mbi rrënojat 23-vjeçare të ndalimit, perskutimit dhe shkatërrimit.

Më 16 nëntor 1990 në Shkodër, në themelet e gërmadhave më të përbinshme të ateizmit komunist, në qytetin e traditave si kulturore, qytetare ashtu dhe religjoze, një grup qytetarësh, shumica të rinj, morën nismën e guximshme për të hapur xhaminë e Plumbit, për të falur xhumanë, për të ripërtërirë fenë, për të rifituar të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar. Një rol të rëndësishëm në këtë veprimtari luajti imam, Hafiz Sabri Koçi – i burgosur për 20 vite, deri më 1986, për arsye të besimin e tij fetar. Kjo veprimtari ku morën pjesë rreth 50 mijë vetë nga Shkodra e fshatrat përreth, pasonte meshën e pak ditëve më parë, të besimtarëve katolikë shkodranë, të udhehequr nga Dom Simon Jubani, bashkëvuajtës në burg me imam Hafiz Sabri Koçin. Kjo ditë nuk erdhi rastësisht. Ishin dëshirat dhe ëndrrat e një populli, të ndrydhura e të heshtura, që u përpin me vrull. Rinia shkodrane, duke marrë bekimin e prindërve dhe të moshuarve iu përvesh punës. Do të ishte kleriku i njohur e i nderuar mysliman, 69-vjeçari Haxhi Hafiz Sabri Koçi, i burgosur për shumë vjet nga regjimi komunist, ai që do këndonte Ezanin dhe do falte xhumanë pas 23 vitesh heshtje dhe përpëlitjeje nën persekucion dhe panik për të pranuar Zotin. Në shtëpinë e familjes Myftia, u bënë shumë takime nga rinia dhe besimtarët e vjetër shkodranë, mëtojnë burimet e asokohëshme. Kjo familje me tradita të vjetra kulturore, fetare dhe atdhetare, nga gjiri i së cilës kishin dalë klerikë të nderuar të besimit mysliman, në ato ditë të vështira, kur diktatura komuniste vazhdonte krimet e saj, pa marrë parasysh rreziqet, priti me bujari Hafiz Sabri Koçin. Të rinjtë, për siguri nga ndonjë incident i organizuar apo dhe i rastit, e morën Hafizin natën, pa gdhirë, dhe e çuan në shtëpinë e familjes së nderuar Myftia, pranë xhamisë. Djemtë e kësaj familjeje e shumë qytetarë të tjerë, e përcollën përmes popullit deri në tribunën e ngritur para Xhamisë së Plumbit. Dëshmitarët e asaj kohe kujtojnë se si pak çaste para fillimit të ceremonisë, Hafiz Sabri Koçi kërkoi që një djalë i ri duhet të hapte këtë ritual dhe t’ia jepte fjalën atij. Rasim Sokoli ishte ai që mes njerëzve të mbledhur, thirri një djalë, Ardian Golemin, i nipi i Haxhi Hafiz Abaz Golemit, dhe bashkë me të dhe Hafiz Sabri Koçin, hipën në tribunë, ndërsa i gjithë sheshi para xhamisë ishte mbushur si asnjëherë. Atë ditë e gjithë Shkodra ishte në këmbë. Që në orët e para të mëngjesit, njerëzit lëviznin nga të gjitha drejtimet: nga ura e Bahçallëkut, nga ura e Bunës, nga Tophana, nga Parruca, nga Perashi, nga Tepja dhe Ajasma po grumbulloheshin në sheshin e Xhamisë së Plumbit, në oborret e shtëpive. Lajmi ishte përhapur në çdo familje, në heshtje, dhe tashmë ishte fakt i kryer. Besimtarët myslimanë dhe bashkë me to të gjithë qytetarët shkodranë pa dallim feje, do i riktheheshin riteve fetare.

Një nga nismëtarët për hapjen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, Mit’hat Myftia, flet për ditët që besimtarët myslimanë filluan të përgatiteshin për faljen e madhe. Më 8 nëntor 1990, në qytetin e Shkodrës u hap shpejt fjala se Xhamia e Plumbit do të ishte gati për besimtarët më 9 nëntor, që i takonte ditë e xhuma (e premte), ditë e shenjtë për myslimanët. Por kjo nuk u bë e mundur.

Edhe pse nuk u arrit të bëhej falja, besimtarët kanë punuar për ta kthyer xhaminë në kushtet optimale për të kryer faljen. Më 16 nëntor 1990, që i takonte sërish ditë e xhuma, u arrit të kryhej falja, të cilën e drejtoi Hafiz Sabri Koçi. Kur dhe si filloi puna për hapjen e Xhamisë së Plumbit? Puna për hapjen e xhamisë filloi që më datë 8 nëntor. Ishte ideja që ajo të mund të ishte gati për besimtarët më datë 9 nëntor, që i binte të ishte e xhuma (e premte). Me disa miq e shokë jemi mbledhur te xhamia më datë 8 nëntor. Xhamia ishte e gjitha e mbuluar nga ferrat, nga balta dhe dherat, pasi kur dilte Drini, ajo përmbytej duke lënë në të shumë inerte. Iniciativa jonë ishte marrë vesh në gjithë qytetin dhe më datën 9 nëntor rreth xhamisë ishte mbledhur një grumbull i madh njerëzish. Grupi ynë që kishim marrë këtë iniciativë përbëhej nga unë, nga im vëlla Abdullah Myftia, Pëllumb Sauku, Agron Dibra, Eljaz Pateriku. Po pse nuk u fillua më herët hapja e xhamisë? E ka thanë një fjalë Dom Simon Jubani, disa e kishin lepurin në bark, disa e braktisën, por ata që e kanë pasur traditë, arritën të mblidheshin për të punuar për hapjen e xhamisë. Cilat ishin pengesat kryesore në ditët kur punohej për hapjen e xhamisë? Në ato ditë, pengesë kryesore ka qenë Dega e Brendshme. Ndërsa sa i takon Sigurimit të Shtetit, sigurisht që bëri punën e vet. Fillimisht jemi thirrur në Degën e Brendshme nga shefi i policisë, Dilaver Papare. Kam qenë unë, Bash Bilali, dhe katër të tjerë. Pasi ai mbaroi me ne, na thirri dhe shefi i degës. Në korridor kam dëgjuar këtë bashkëbisedim mes zyrtarëve: “Tani merru ti me katolikët, unë po merrem me myslimanët”. Në atë moment e kuptova që në të njëjtën ndërtesë e për të njëjtën çështje ishin edhe katolikët. Ata kishin thirrur meshën më 4 nëntor dhe më 11 nëntor. Na u tha se nuk lejohet që të bëhen grumbullime, se këto grumbullime janë të paligjshme, e nga këto justifikime. I thamë se jemi të vendosur ta bëjmë dhe nuk lëvizim nga vendimi ynë. Atëherë na u tha se nëse do të bënim këto grumbullime, do na duhej leje nga Dega. Kemi bërë kërkesë me shkrim në Degën e Brendshme që të nesërmen dhe më 16 nëntor na u dha leja për të bërë faljen normale në xhami. Këtë procedurë e kemi ndjekur për tri të premte me radhë, më pas nuk morëm më leje për të bërë faljen. Nga vajtjet e ardhjet në Degën e Brendshme kemi marrë vesh se gjithçka që flitej rreth e rrotull xhamisë shkonte në veshin e Sigurimit. Prandaj vendosëm që të mos bënim më biseda përjashta, të gjitha bëheshin në shtëpinë time, që gjendet afër xhamisë, vend ku ka qëndruar dhe Hafiz Sabri Koçi. Si shkoi dita e caktuar për hapjen e xhamisë? Edhe atë ditë, pra më 16 nëntor, kur ishte caktuar hapja zyrtare e xhamisë, ka pasur disa pengesa. E para ishte informacioni se unë do të arrestohesha. Në ndërmarrjen ku kam punuar, drejtorin e kam pasur shok të ngushtë, pasi njiheshim prej vitesh. Donin të më arrestonin me të dalë nga ndërmarrja, në mënyrë që të mos isha pjesë e ceremonisë së hapjes së xhamisë. Duke qenë se informacioni më erdhi nga drejtori, atëherë unë arrita të dal nga ndërmarrja me qëllimin për të shkuar në spital, me pretendimin se isha sëmurë. Kam dalë me mjekun e ndërmarrjes për t’u drejtuar për nga spitali, i shoqëruar me një shok timin të ngushtë, Jul Darragjatin. Ata menduan se unë po shkoja në spital, prandaj nuk më ngacmuan më. Ne dolëm për nga spitali, por pastaj u kthyem në xhami. Një frikë tjetër ishte edhe ndonjë ngjarje e inskenuar në xhami. Një nga pyetjet që më ka bërë atëherë Dilaver Paparja ishte se, “nëse ndodh diçka në xhami, kush e merr përsipër përgjegjësinë”. I kam thënë se “nëse kjo gjë ndodh brenda xhamisë, atëherë përgjegjësia është e jona, nëse ndodh jashtë saj, atëherë ajo është e juaja”. A morët pjesë në meshën e parë të katolikëve, organizuar në varrezat e Rrmajit? Po, kemi qenë në meshën e parë të katolikëve, e cila u bë në varrezat e Rrmajit. Atëherë isha caktuar si sekretar, ndërsa Hafiz Sabri Koçi ishte kryetari i Komunitetit. Kemi qenë për një vizitë në shtëpinë e Dom Simon Jubanit, priftit që çoi meshën e katolikëve më 4 nëntor, më pas, më 16 nëntor ishte Dom Simon Jubani që bëri vizitë në shtëpinë e Hafiz Sabri Koçit. Ka pasur kontribute nga të dyja palët për të ndihmuar njëra-tjetrën. Suvatimin e pjesës hyrëse të Xhamisë së Plumbit e ka bërë një murator katolik. Për të gjithë këtë organizim të madh dhe të përkryer për kohën kanë kontribuuar të gjitha moshat, nuk është e vërtetë që ka qenë vetëm rinia, por të gjitha moshat kanë kontribuuar për këto ngjarje. Cili ishte mesazhi që u përcoll nga të dyja ceremonitë që u organizuan brenda një kohe të shkurtër? Mesazhi ishte se vetë feja sjell lirinë, besimin në Zot dhe në komunikimin mes njëri-tjetrit. Pavarësisht, nëse je mysliman apo kristian, të gjithë njerëzit e Zotit janë vëllezër.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1320
  • 1321
  • 1322
  • 1323
  • 1324
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT