• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Glauk Konjufca: Masakra e Reçakut i tregoi botës fytyrën e vërtetë të Serbisë

January 15, 2024 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe ish-ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Wiliam Walker, bëri homazhe në memorialin në fshatin Reçak të Shtimes.

Në 25 vjetorin e masakrës së Reçakut, të kryer nga shteti serb mbi popullatën civile shqiptare, kryetari Konjufca tha se kjo ishte një ndër aktet më mizore të gjenocidit të Serbisë, e cila për botën demokratike shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore, gjë që solli edhe bombardimet e NATO-s, duke i hapur rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës.

“Pas Reçakut e gjithë bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është vetëm gjuha e forcës, sepse përndryshe nuk do të ndalej lufta në Kosovë dhe nuk do të ndaleshin masakrat që po i kryente gjithandej vendit”, tha kryetari Konjufca, duke shtuar se çdo 15 janar do të mblidhen në Reçak për t’i kujtuar martirët dhe dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Kryetari Konjufca mori pjesë edhe në akademinë përkujtimore, e cila u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, ku nga një fjalë rasti mbajtën presidentja Osmani, kryeministri Kurti, ish-ambasadori Walker, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu dhe kryetari i fshatit Reçak, Adem Ramadani.

/

Kryeministri Kurti bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut

Reçak, 15 janar 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar dhe me ambasadorin Wiliam Walker, morën pjesë sot në ceremoninë përkujtimore me rastin e 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Në këtë ceremoni të organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule në kompleksin memorial, në Reçak, në nderim të viktimave civile të masakruara nga forcat serbe, më 15 janar të vitit 1999.

“Me 15 janar, në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë patë ndodhur ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë sepse ka pasur luftë të madhe për kufomat” u shpreh kryeministri Kurti. Ai gjithashtu shtoi se janë edhe 11 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe se ato katër javë tregojnë që Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën e ta justifikojë krimin.

Në fund duke falënderuar ambasadorin Walker, kryeministri Kurti theksoi se në një moment vendimtar e historik për popullin tonë ambasadori Walker, foli të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, atë që Serbia është përpjekur ta deformojë.

“Kur ndodhi masakra e Reçakut, Ambasadori William Walker si udhëheqës i OSBE-së, në Kosovë, erdhi këtu tek fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe është krim kundër njerëzimit. E dihet që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe i shovinistëve, andaj edhe sot e kësaj dite Ambasadori William Walker, vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar dhe më i urryer në Serbi ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i Informatave të asaj kohe sot është President i Serbisë”.

Filed Under: Politike

Përkujtohet Isa Boletini, atdhetar i shquar e strategu i lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar

January 15, 2024 by s p

Edlira Ruzi/

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Më 15 janar 1864, lindi atdhetari Isa Boletini. Shqipëria e pavarur ishte kryefjala e jetës së tij. Udhëhoqi qendresën antiosmane, së bashku me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Bajram Currin etj. Pas përfundimit me sukses të kryengritjes, Porta e Lartë e Stambollit u detyrua të ulej në bisedime dhe të plotësonte kushtet e palës shqiptare, ku më kryesorja do të ishte shpallja e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor.

Në ditën e Pavarësisë, u ndodh sërish përkrah plakut të urtë të Vlorës dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura në mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, u nis drejt Londrës, ku kundërveproi ndaj vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin territorial të vendit.

Jeta dhe vepra e këtij patrioti të përveçëm, që kontribuoi në hedhjen e gurthemeleve të shtetit të pavarur shqiptar, përfundoi më 23 janar 1916, kur Boletini mbeti i vrarë në përballje me trupat malazeze.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot shprehjen e njohur të Isa Boletinit: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Filed Under: ESSE

Kujtojmë lindjen e rilindasit Jani Vreto

January 15, 2024 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Më 14 janar të vitit 1822 lindi Jani Vreto. U lind në fshatin Postenan, pranë Leskovikut, në Vilajetin e Janinës. Mësimet i ndoqi në një shkollë greke në Vurban afër Konicës, kurse nga viti 1843 deri më 1847 ndoqi gjimnazin e mirënjohur “Zosimea” në Janinë. Më 1854 u shpërngul në Konstantinopojë, ku i ati merrej me tregti. Ishte njohur e lidhur me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare: Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid pashë Vlora. Mmbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt si Thimi Mitko, Spiro Dine dhe Thimi Thoma Kreji si dhe me Dhimitër Kamardën dhe Jeronim De Radën. në Itali. Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar themelues i Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare. Në maj 1878, botoi veprën “Apologjia”, në Konstantinopojë, në greqishte, në të cilën shtjellon prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara prej tyre e të drejtat e tyre. Në fillim të vitit 1879 u caktua anëtar i komisionit të ngritur nga Komiteti qendror për të vendosur për alfabetin përfundimtar të shqipes. Më 12 tetor 1879 mori pjesë në themelimin e Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip. Vretoja shkoi në Bukuresht që të zgjonte interesimin për lëvizjen kombëtare ndër shumë shqiptarë dhe themeloi një seksion të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip. Pas kthimit në Stamboll, Vretoja punoi në organit periodik “Drita”, që më pas mori emrin “Dituria”, e cila doli në Konstantinopojë nga gushti 1884 deri në korrik 1885. Në dhjetor 1884 ai bashkëpunoi për themelimin e shoqërisë Drita të Bukureshtit dhe shërbeu si sekretar i saj duke bërë praktikisht gjithçka në shtypshkronjë Ndërroi jetë në korrikun e vitit 1900 në Athinë.

Filed Under: Histori

NUK MUND TË KINI “DITË TË ALFABETIT”, SI FESTË KOMBËTARE, PA AT GJERGJ FISHTËN!

January 13, 2024 by s p

“Padrejtsi t’hipokrizisë njerëzore”, do ta quante vet Fishta.

Nga Frank Shkreli

A person in a mask speaking to a person in a microphone

Description automatically generated

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, nepërmjet Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z. Igli Hasani, njoftoi vendimin se, “Data 22 nëntor, e cila shënjon Ditën e Alfabetit do të shpallet festë kombëtare”, duke shtuar se Këshilli i Ministrave do t’i propozojë Parlamentit të Shqipërisë, “shtimin e ‘Ditës së Alfabetit’, si një nga festat kombëtare të Shqipërisë”.   Ministri Hasani: ‘Dita e Alfabetit’, festë kombëtare e Shqipërisë – Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme (punetejashtme.gov.al)  

Në njoftimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme theksohet se Ministri Hasani shtoi se, “22 nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, teksa nënvizoi se gjuha shqipe është ajo që i bashkon vërtetë shqiptarët kudo ndodhen nëpër botë”, por pa përmendur asnjë nga pjesëmarrësit në atë Kongres.

Por, ky “moment i madh unfikues i shqiptarëve” nuk ndodhi vetvetiu, por kishte protagonistët kryesorë, organizatorë të Kongresit të Alfabetit shqip, këtij “unifikuesi të madh” të shqiptarëve, figura kombëtare si At Gjergj Fishta — ishin ata që që mundësuan këtë ngjarje historike dhe është merita e tyre dhe jo e burokratëve të sotëm. 

 Fishtën, për 50-vjet regjimi komunist i Enver Hoxhës, e ka përjashtuar dhe ai vazhdon të përjashtohet edhe sot nga nostalgjikët e atij regjimi, si “tradhëtar i kombit”, “fashist”, e të tjera epitete fyese ndaj figurave të Kombit shqiptar, siç është At Gjergj Fishta. Por, Fishta ndonëse  ndoshta, ishte pjesëmarrësi më kryesor që vërtetë luajti rolin unifikues me atë rast, përveç tij, atje morën pjesë edhe disa nga përfaqsuesit më të denjë të Kombit në atë kohë, Mit’hat Frashëri, si Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci e Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi e Shahin bej Kolonja, Petro Nini Luarasi, Thoma Abrami , Sotir Peci, Bajo Topulli e përfaqsues të familjes Qiriazi, ndër të tjerë – një përfaqësi mbarë kombëtare, unfikuese, ndryshe nga klasa e sotëme politike — pa dallim ideologjie, feje a krahine.  

Diçka që komunistët shqiptarë e luftuan për një gjysëm shekulli dhe diçka që burokratët modernë të Shqipërisë “post-komuniste” e zbuluan tepër vonë – ishte se At Gjergj Fishta ka qenë ai që promovoi Alfabetin që kanë sot shqiptarët – si një forcim të unitetit kombëtar — gjë që më në fund u miratua nga pjesëmarrësit e tjerë në atë Kongres.

Nuk di nëse e vuri kush re, por në njoftimin e qeverisë shqiptare për të caktuar 22 Nëntorin — Ditën e Alfabetit — festë kombëtare, nuk përmendet asnjë emër i përveçëm si At Gjergj Fishta, por as edhe ndonjë nga pjesëmarrësit e tjerë, por as si grup, që meriton të përmendej, si protagonistët e kësaj arritjeje historike.  Kështuqë kam drojë se Tirana zyrtare (politike dhe akademike) e këtyre tre dekadave “post-komunizëm”, siç e quajnë ata, janë ende në siklet me disa emra që morën pjesë në Kongresin e Manastirit që prodhoi Alfabetin e sotëm të gjuhës shqipe – monumentin më unifikues të shqiptarëve, emra si Gjergj Fishta.  Sidomos, me emrin e At Gjergj Fishtës, i cili ka luajtur rolin kryesor në Kongresin e Manastirit dhe në miratimin e Alfabetit të gjuhës shqipe që përdoret sot anë e mbanë trojeve shqiptare.  Por që ende, sot e kësaj dite, megjithëse, privatisht, veprat e tija botohen dhe lexohen kudo që ka shqiptarë, At Gjergj Fishta, zyrtarisht, është gjithnjë i përjashtuar. Epitete fyese nga regjimi komunist kundër tij ende janë zyrtare.  Për më tepër, protagonistit kryesor të Alfabetit të gjuhës shqipe, bashkvëllëzrit shqiptarë — të frymëzuar nga sllavo-komunistët aziatikë — jo vetëm që i dogjën veprat dhe zhdukën emrin e tij nga gjuha, letërsia dhe historiografia shqiptare, për një gjysëm shekulli.  Madje edhe eshtrat e tijë ia hodhën në lumin Drin, ndërsa varri nuk i dihet. Ndërkohë që për dekada të periudhës “post-komuniste” e deri tani, bashkvëllëzrit e tij nuk ia kushtuan more asnjë një muze sado të vogël, Poetit të Kombit dhe kryearkitektit të Alfabetit të gjuhës shqipe, këtij projekti unifikues mbarë kombëtar.  Sot me të drejtë, qeveria shqiptare, nepërmjet njoftimit të saj pranon se ky dokument përbën momentin më unfikues kombëtar – e që dita e miratimit të tij duhet të shënohet si një “festë kombëtare” — por pa përmendur meritat e Fishtës dhe të asnjë tjetër pjesëmarrësi, të cilët së bashku, kanë bërë të mundur këtë arritje unifikuese kombëtare historike fillim shekullin e kaluar, për të gjithë shqiptarët pa dallim.  Kjo është një arritje historike e atyre burrave të Kombit dhe e askujt tjetër. Kjo është një histori prej më shumë se një shekulli dhe merita doni ose nuk doni t’i përmendi emrat, u mbetet atyre dhe askujt tjetër.

Një akt me vend nga qeveria, megjithëse tepër i vonuar dhe i ndërmarrë me gjysëm zemër, një vendim që më duket se po merret më shumë si rrjedhim i rrethanave aktuale politike, ose si një kockë që i hidhet diasporës — se sa vërtetë, merret për meritat e këtyre burrave të Kombit – përfshir At Gjergj Fishtën — të cilët më shumë se një shekull më parë, si apostuj të mëdhenj të shqiptarisë, iu përgjigjën thirrjes së Atdheut për t’i ardhur në ndihmë dhe në mbrojtje, gjatë një periudhe tepër kritike për ekzistencën, jo vetëm alfabetit dhe gjuhës shqipe, por edhe mbrojtjes së identitetit dhe ekzistencës së shtetit shqiptar.  Është e vështirë të merret me mend se si miratimi i Aktit të Alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, 1908, sot cilësohet me të drejtë si një “akt unfikues mbarëkombëtar”, ndërsa burrat më të dalluar të Kombit, që mundësuan një gjë të tillë – Shqipëria “demokratike” i konsideron ata ende si, “armiqë të Atdheut”, “fashistë” e tradhëtarë”…përfshir At Gjergj Fishtën!?  

Deri kur?  Ishte fati i Kombit që At Gjergj Fishta jetoi dhe veproi gjatë një periudhe jashtëzakonisht kritike për ekzistencën e shtetit shqiptar, gjuhës dhe kulturës kombëtare. Ai iu përgjigj thirrjeve të Atdheut, kudo e kurdoherë i kërkohej t’i shërbente të mirës dhe dobisë së Shqipërisë.  I ndjeri Profesor Namik Resuli i universitetit të Napolit, e ka thenë më së miri, në një fjalim në Romë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Fishtës se “Kontributi i çmueshëm që ka dhenë Fishta në lamin e letrave dhe në edukimin e Kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë se Shqipnija pa Fishtën kishte për të qenë e mangët — ashtu si letrat tona pa pendën fishtjane kishin për të paraqit nji golle (boshllëk) të paplotësueshme. Këndej del e qartë se vetëm mënija e vëneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik, terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin që ai xen në panteonin e Kombit”. 

Në përmbyllje, unë e përshëndes vendimin e qeverisë shqiptare për të caktuar 22 Nentorin si Ditën Kombëtare të Alfabetit, si një monument unifikues për të gjithë shqiptarët – me gjithëse është një vendim i vonuar e gjysmak. Por edhe njëherë, të nderuar burokratë ideologjikë, politikë dhe nostalgjikë të komunizmit – merreni, silleni dhe pshtilleni si të doni – se më në fund, nuk mund të kini një “Ditë të Alfabetit”, si festë kombëtare pa At Gjergj Fishtën!  Do të ishte një, “padrejtsi e hipokrizisë njerëzore”, do ta quante vet Fishta, i cili, ashtu si shqiptarët gjatë shekujve — edhe në amshim — vazhdon t’i “bëjë ball me fuqi kurr të përkulme të shpirtit të vet bujar e thellimeve të kavaljeteve e padrejtsive t’hipokrizisë njerëzore”, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në Atdheun e tij, kundër Poetit të Kombit.

Frank Shkreli

A person with a mustache wearing a robe with medals

Description automatically generated

Albanologu italian Fulvio Cordignano ka shkruar në ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925, se “Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtje për tagre të veta, mësimit kombtar në mbshtetje të gjuhës kombtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar: ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme.  Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vegjel; këndon ndërsa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda, ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh”.

A group of men posing for a photo

Description automatically generated
A stone building with a statue in front of it

Description automatically generated

Siç duket,  At Gjergj Fishta  ka mbetur edhe jasht derës së shtëpisë së tij – i huaj edhe në shtëpinë e vet.

A flag of the country

Description automatically generated with medium confidence

“Populli shqyptar flet nji gjuhë krejt të veten… prandej s’ka si të

mohohet se të gjith njata që flasin shqyp janë kombsijet shqyptare; e se për ketë arsye shteti shqyptar do të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshinë gjuha shqype”. (At Gjergj Fishta)

Filed Under: Analiza

STAMBOUL (1931) / FJALIMI I PLOTË I MEHMET BEJ KONICËS, KRYETARIT TË DELEGACIONIT SHQIPTAR, NË KONFERENCËN E DYTË BALLKANIKE NË TURQI

January 13, 2024 by s p


Mehmet Bej Konica (1881 – 1948)
Mehmet Bej Konica (1881 – 1948)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Janar 2024

“Stamboul” ka botuar, të mërkurën e 21 tetorit 1931, në ballinë, fjalimin e plotë të Mehmet Bej Konicës, kryetarit të delegacionit shqiptar, në Konferencën e Dytë Ballkanike në Turqi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Fjalimi i kryetarit të delegacionit shqiptar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Mehmet Bej Konica, kryetar i delegacionit shqiptar, mbajti fjalimin në vijim :

Zoti President,

Zonja dhe zotërinj,

Në këshillin e fundit të Konferencës të mbajtur në Selanik, u vendos që në seancën e parë plenare të Konferencës së Dytë Ballkanike çdo delegacion të bëjë një prezantim mbi punën propagandistike të arrirë nga grupi i tij kombëtar gjatë vitit ballkanik që sapo ka përfunduar.

Grupi ynë kombëtar, ndonëse tashmë i sigurt për ndjenjat e popullit shqiptar, në lidhje me Antantën ballkanike, megjithatë e konsideroi të nevojshme t’i kontrollonte këto ndjenja duke i ngarkuar miqtë e tij në qendrat e ndryshme të vendit të konsultoheshin me banorët për punën që ne po përpiqemi të realizojmë në emër të tyre. Rezultati i këtyre konsultimeve tregoi edhe një herë se populli shqiptar është mbështetës i zjarrtë i Antantës dhe rrjedhimisht i Federatës Ballkanike, me kusht që ajo të bazohet në drejtësinë dhe barazinë e përsosur ndërmjet popujve të Ballkanit.

Nën Perandorinë, turqit kanë vuajtur shumë më tepër se të tjerët : ndërsa ne të gjithë qeverisnim, e kishim të lehtë si lojë, por jo shumë elegante, t’i fajësonim ata. Dhe sot është prekëse të shohësh se Turqia, duke harruar të kaluarën, i mirëpret vajzat e saj të birësuara të dikurshme me këtë dashamirësi plot hir që është një nga karakteristikat e popullit turk. Të dish të falësh është e bukur, por është karakteristikë e shpirtrave fisnikë të dinë të harrojnë. (Duartrokitje). Dhe kjo nënë, aq e rinovuar dhe e bërë kaq e fortë, fton vajzat e saj të djeshme dhe motrat e saj të sotme në banketin e bashkimit dhe vëllazërisë. Është padyshim një stimul për delegatët e Konferencës dhe një mësim për shtetarët ballkanikë. (Duartrokitje).

Turqia, duke mos pasur më asnjë detyrim për të përmbushur ndaj vendeve të tjera të Gadishullit, gjendet në pozitën e privilegjuar për të luajtur rolin e ndërmjetëses për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që pengojnë Bashkimin Ballkanik. Ajo do të tentojë të mbulojë me një vello pak a shumë të trashë spektaklin dekurajues të vitit ballkanik që sapo ka skaduar.

Ne kërkojmë vetëm që të lejohen të jetojnë qindra mijëra individë që rrethanat i kanë ndarë nga vëllezërit e tyre racor. Ne e kërkojmë këtë në emër të njerëzimit, në emër të drejtësisë elementare dhe sepse është vetë baza e Antantës ballkanike. Nuk duhet të kemi asnjë iluzion; pa njohjen dhe zbatimin e të drejtave të minoriteteve nuk do të mund të ecim përpara as edhe një hap.

Që njohja e të drejtave të minoriteteve do të përbënte një rrezik për vendet ku jetojnë minoritetet është një argument që nuk pi ujë. Shqipëria ka prova për të kundërtën. Që nga krijimi i saj si shtet i pavarur, pakicat që jetojnë brenda saj, jo vetëm që gëzojnë të gjitha të drejtat e traktateve, por, ashtu si qytetarët shqiptarë, marrin pjesë në të gjitha degët e administratës shtetërore pa as më të voglin kufizim. Epo, ne nuk shohim ndonjë rrezik që mund të na kërcënojë nga këto minoritete. Rreziku padyshim do të ekzistonte nëse do t’i kishim trajtuar këto pakica si skllevër.

Ju e dini, zonja dhe zotërinj, se një ngjarje me rëndësi të konsiderueshme për të ardhmen e popujve do të ndodhë shkurtin e ardhshëm : e kam fjalën për Konferencën e Çarmatimit.

Nëse fuqitë e mëdha vendosin të çarmatosin, ato do ta bëjnë këtë plotësisht dhe me ndershmëri, sepse situata aktuale nuk mund t’i përshtatet më lojërave diplomatike të së shkuarës. Në këtë rast, këto fuqi të mëdha, pasi janë bërë të arsyeshme, do t’i detyrojnë ballkanikët kryeneçë t’i imitojnë ato. Do të ishte një poshtërim i ri, një poshtërim për të mirë këtë herë, por gjithsesi një poshtërim.

Nga ana tjetër, nëse konferenca e çarmatimit dështon, ekziston një probabilitet i madh që të shpërthejë një luftë e re e madhe.

A nuk besoni, zonja dhe zotërinj, se ata që drejtojnë fatet e popujve tanë do t’u bënin shërbimin më të madh atyre, ndoshta edhe mbarë njerëzimit, dhe do të zinin vendin më të nderuar në histori, nëse do të linin mënjanë atë që unë do të quaja patriotizmin e rremë, nëse do t’i zgjidhnin shpejt mosmarrëveshjet e vogla që i përçajnë dhe do të realizonin Bashkimin Ballkanik, apo të paktën nëse do të vendosnin themelet e këtij bashkimi, brenda tre muajve që na ndajnë nga Konferenca e Çarmatimit ? Nuk ka dyshim se një akt i tillë i udhëheqësve ballkanikë do të kishte një ndikim të madh në punën e Konferencës së Çarmatimit. Sido që të jetë, do ta shpëtonte Ballkanin nga mjerimi dhe një fatkeqësi më shumë se e mundshme.

Për punëtorët e ndërgjegjshëm që jetojnë në një botë reale, tre muaj do të mjaftonin për të ngritur ndërtesën e Bashkimit Ballkanik, tre shekuj do të ishin pak për ata që jetojnë në një botë fanatike. (Duartrokitje).

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1372
  • 1373
  • 1374
  • 1375
  • 1376
  • …
  • 2944
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT