• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Në kërkim të origjinës së valleve e kangëve Shkodrane”

August 26, 2023 by s p

Akademik Vasil S. Tole/

Libri “Në kërkim të origjinës së valleve e kangëve Shkodrane” është kontributi më i ri etnomuzikologjik në hapësirën mbarëshqiptare me autor prof. Robert Prendushi, botim i BERK, i cili, si i tillë meriton gjithë vëmendjen e duhur për shkak të rëndësisë që paraqet për studimet tona.
Sfida studimore që autori i ka vënë vetes është nga më të vështirat syresh, kjo pasi tema të tilla që synojnë rrënjët e muzikës (që në këtë rast lidhet me vallen dhe këngën shkodrane), janë përballje sfiduese, të cilat kërkojnë më së pari, kapacitet intelektual, formim të thelluar muzikologjik dhe etnomuzikologjik, njohje shteruese të trashëgimisë studimore pararendëse, e sigurisht kompetencë profesionale të aspekteve praktike e jetësore të lëndës që trajtohet, atë që në gjuhë teknike quhet “terreni etnomuzikologjik”, pra jetën e gjallë të kësaj tradite sot në Shkodër.
Nga leximi i librit, qartazi shihet se prof. Prendushi është autori i duhur për një sfidë të tillë, e cila prej së paku 100 vitesh ka preokupuar studiuesit e muzikës dhe etnomuzikës, kryesisht shkodranë e jo vetëm, autorë me peshë kombëtare si Gjon Kujxhia, Kolë Gurashi, Ramadan Sokoli, Tonin Zadeja e Tonin Daija, Eno Koço e deri tek më i riu syresh Edmir Ballgjati.
Dihet që prej qytetërimit shkodran, e posaçërisht muzikës qytetare të lidhur me të, na vijnë dëshmitë më të hershme në rang kombëtar, si ato të lidhura me muzikën urbane e po ashtu edhe me format e para të muzikës së kultivuar si me koret, bandat e formacione të tjera muzikore që Shkodra i ka me shumicë.
Interesi studimor i prof. Prendushit lidhet kryesisht me faktin se si ka qenë muzika qytetare në periudhën paraosmane, pra përpara shek. XV, të cilën ai me të drejte, jo më kot e gjen tek vallet e kënduara (që quhen ndryshe edhe “shtregullat”), e mëpastaj edhe tek këngët e tjera shkodrane, të cilat sot njihen me emrin “ahengu shkodran”. Dhe jo vetëm këto, por edhe trashëgimia muzikore e malësisë shkodrane e koncentruar tek “gjama malësore” apo këngët rituale të “buzmit bujar”.
Në këtë aspekt ai është pasues i Gjon Kujxhisë, etnomuzikologut të ri e shumë premtues, jeta e të cilit u pre në mes nga bombardimet aleate në Italinë e vitit 1943, vend ku ai kishte shkuar për studime në fushë të etnomuzikës.
Pikërisht Kujxhisë dhe librit të tij “Valle Kombëtare” i botuar në.vitet 1940, prof. Prendushi i referohet si pikënisje e rrugëtimit të tij për kërkimin e origjinës së valleve e këngëve shkodrane. Kryesisht tek vallet e kënduara shkodrane (valle të kënduara nga gratë e nga burrat, shenjë e mjaftueshme kjo e një qytetërimi evropian në muzikë).
Kujxhia dhe më pas Prendushi, si askush tjetër shohin tek to ato elemente të veçanta që mbijetuan edhe pas pushtimit osman, elemente që shfaqen në formën e melodive të thjeshta me 4-5 nota, përdorime shkallësh modale tetra e pentakordale, pa kromatikë, ashtu siç ndërtoheshin shkallët në antikitet, preferencë për metra ritmike dy dhe tri pjestues e kombinime të përzjera prej tyre, kadencime tipike me përdorime intervalesh të ngushta e nota nëntonike, e veçanërisht këndimi i shkëmbyer i grupeve të grave e të burrave në kuintë etj.
Të gjitha këto tipare identitare, sipas prof. Prendushit u ruajtën me dashuri nga qytetarët shkodranë të cilët u detyruan të linin Shkodrën pas raprezaljeve osmane dhe që pas shumë vitesh i risollën mbrapsht në qytet, duke zbritur nga lartësitë e malësive ku ishin strehuar, apo nga qytetet fqinje europiane që nuk u pushtuan prej osmanëve, së bashku me emrat dhe pronat e disa familjeve qytetare shkodrane, ndër më të njohurat edhe sot e kësaj dite. Një mirënjohje shkon për ta!
Nga rreth 400 njësi muzikore që janë dokumentuar nga muzika popullore shkodrane, interesi studimor i Prendushit të çon tek kjo kategori krijimesh muzikore para osmane, të cilat janë vërtet të pakta në numur, por që përfaqësojnë uniken, më thelbësoren e kësaj trashëgimie: rrënjët e saj arbërore!
Shembuj të shumtë muzikorë për të vërtetuar ekzistencën e kësaj trashëgimie janë sjellë në libër me transkriptime muzikore dhe me linkun përkatës audio, me foto e shënime të shumta, falë edhe kujdesit të prof. Lorenc Radovanit, përgatitësit për botim të librit.
Është po kjo trashëgimi identifikuese e cila i dha tharm kombëtar edhe krijimeve muzikore të kultivuara që u mbështetën mbi të, prej atyre të kompozitorëve Palok Kurti, Frano Ndoja, Lec Kurti, At. Martin Gjokës, Dom
Mikel Koliqi, Prenk Jakova e deri tek temat e filmit epik SKËNDERBEU-1953 e ato të simfonisë së parë shqiptare të Çesk Zadejës-1956.
Pjesa tjetër e ahengut shkodran që është gjithashtu me vlerë, mbart krijime të shtresuara në të prej periudhës osmane, prej fqinjëve si dhe shumë krijime të reja me autor, të njohur sot tej e mbanë si mjeshtra të ahengut shkodran, prej shek. XVIII e deri më sot etj.
Këto rradhë janë thjesht një ftesë e hapur për lexim për këtë libër kaq të veçantë që i kushtohet muzikës qytetare shkodrane, e shpallur nga Ministria e Kulturës si pjesë e “Listës Kombëtare të Kryeveprave Shpirtërore Kombëtare”, dhe që me të drejtë prof. Prendushi tërheq vëmendjen e institucioneve përkatëse që të shihet mundësia që kjo trashëgimi unike të bëhet pjesë e Listës Përfaqësuese të Dukurive Jomateriale që mbrohen nga UNESCO.
Një paraqitje më të plotë të vlerave dhe çështjeve që risjell për debat shkencor ky libër, do ta bëjmë në një shkrim që do të publikohet në revista shkencore të fushës.
Urimet më të përzemërta i nderuar dhe i dashur prof. Robert Prendushi.

Filed Under: Kulture Tagged With: Akademik Vasil S. Tole

Na birtë e shekullit e Ri/ që plakun e lame në shejtninë e tij…Migjeni i pashmangshëm si në çdo përvjetor të tij…

August 26, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Nga ana estetike, Migjeni përfaqëson një uragan të vërtetë, që vjen bashkëkohës me shkrimtarë të tjerë në botë, por krijimtaria e tij është dhe shumë e veçantë për realitetin e vjetër, provincial e arkaik shqiptar.

Përpara se Migjeni të debutonte në letërsinë shqipe, poezia shqipe në vetvete vuante nga patriotizmi folklorik (i pashmangshëm në fillimet e letërsisë shqipe të Rilindjes, por që tashmë ishte kthyer në një eter asfiksues) që përfaqësohej nga uniformiteti i vargut 8-rrokësh popullor. Rimat e detyruara, fjalët e mbushura me origjinë nga gjuhët osmane dhe greke përfaqësonin në dukje një rregull që nuk ekzistonte në botën shqiptare, një tip bejtezimi që kishte betonizuar fjalën shqip në kërkim të motiveve klasike, derisa shfaqet Migjeni që me vargun e tij të lirë tregon dhe dëshmon kaosin e botës shqiptare.

Migjeni me instinktin e një poeti të ri, e kupton se koha e klasicizmit të trashëguar nga letërsitë e mëdha pjesë të kurrikulave ku ishin formuar të gjithë ata që merreshin me poezinë shqipe ka kaluar dhe se fjala shqip kërkon ritme dhe tonalitete të tjera për të përfaqësuar më mirë botën e brendshme të njeriut shqiptar që nga sistemi i mileteve të Perandorisë Otomane po dilte në dritën e individualizmit dhe përsosjes së vet morale.

Filed Under: LETERSI

Kryeministri Kurti për Nënë Terezën: Fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre

August 26, 2023 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori sot pjesë në hapjen solemne të edicionit të tretë të manifestimit tradicional kulturor – shkencor “Drita e Gonxhes”, e njëkohësisht ka bërë homazhe te shtatorja e “Nënë Terezës”, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

26 gushti i sivjetëm na ka bashkuar sot në qendër të Prishtinës dhe na ka mbledhur këtu në sheshin Nënë Tereza, për më tepër pranë shtatores së Nënë Terezës, për të hapur aktivitetet në Kosovë të manifestimit kulturor dhe shkencor “Drita e Gonxhes”, e nisi fjalën e tij para të pranishmëve kryeministri Kurti, i cili më pas foli për biografinë e Nënë Terezës.

Kryeministri Kurti tha se 26 gushti është data e saj e lindjes, kurse 27 gushti është data e pagëzimit të saj nga Don Zef Ramaj.

Anjeze Gonxhe Bojaxhiu ka lindur sikur sot, plot 113 vite më parë, më 1910 në Shkup, atë botë kryeqendra e Vilajetit të Kosovës. Ishte vajza e Nikollë Bojaxhiut, i lindur në Prizren në një familje të ardhur nga Fani i Mirditës dhe i nënës Drane Barnaj nga Novosella e Gjakovës. Vajzë shqiptare e një patrioti, e cila lindi në periudhën osmane dhe që ishte fëmijë kur vendi i saj u pushtua nga fqinjët, gjatë Luftës së Parë Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Pas vdekjes së babës Kolë kur ajo ishte pothuajse 9 vjeçare, Anjeze Bojaxhiun e rriti nana Drane, sikur edhe vëllaun dhe motrën e saj, Lazërin dhe Agen.

Pasi foli për biografinë dhe rrugëtimin e saj, kryeministri tha se personi Anjeze Gonxhe Bojaxhiu vdiq 87 vjeçare, më 5 shtator 1997, por figura e Nënë Terezës si Tereza e Kalkutës dhe si Shën Tereza, vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën, teksa fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre.

Duke uruar që aktivitetet e këtij manifestimi të shkojnë mirë dhe mbarë si këtu në Prishtinë, ashtu edhe në Shkup e në Tiranë, kryeministri u shpreh me shpresë që “Drita e Gonxhes” të përhapë dritë nga shembulli që Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza dha me jetën e saj për njerëzoren e secilit ndër ne.

Filed Under: Kronike

Nënë Tereza apo lideri që duhet imituar

August 26, 2023 by s p

Dr. Iris Halili/

“Funksioni i lidershipit është të prodhojë më shumë liderë, jo më shumë ndjekës.” Ralf Nader

Autorja e këtyre radhëve ka pasur fatin të jetë më 19 tetor të vitit 2004 në Sheshin e Shën Pjetrit, në Romë, së bashku me delegacionin e shtetit shqiptar që merrte pjesë në Ceremoninë madhështore të organizuar nga Papa Gjon Pali II, për fillimin e lumturimit të Nënë Terezës. Për të qenë e sinqertë, asnjë moment i asaj ngjarjeje nuk më ka lënë më shumë mbresa sesa njohuritë që mora disa vite më vonë, e që e rreshtonin Nënë Terezën si një ndër katër liderët më të mëdhenj të njerëzimit, përkrah Gandit, Martin Luter Kingut dhe Mandelës, duke e konsideruar atë gjithashtu edhe gruan lider më të respektuar të të gjitha kohërave. Fakti që modeli i saj i drejtimit, frymëzimit dhe realizimit të misionit është kthyer në një model tipik në shkollat amerikane të lidershipit, më lumturoi shumë më tepër se procesi i përcaktimit të saj si Shenjt. Kjo pasi, për studiuesit amerikanë, roli fetar i Nënë Terezës bëhet shumë i papërfillshëm përballë misionit human dhe modelit shpirtëror që na përcjell ajo. Shumë njerëz mendojnë gabimisht se ajo ishte thjesht një murgeshë që kishte si mision të ndihmonte të varfrit dhe për këtë në vitin 1990 ndërtoi një organizatë me 4 000 misionare që operonin në qindra vende të botës, pikërisht Misionaret e Karitasit. Kjo organizatë filloi në Kalkuta dhe më pas u përhap në 450 qendra të botës. E vërteta është se përtej qëllimit kryesor praktik që ajo kishte për të ndihmuar më të varfrit, duke ju ofruar atyre shërbim total, misioni i saj kishte një qëllim akoma më vizionar dhe universal, edukimin e njerëzve me dashurinë për njëri-tjetrin, si e vetmja arsye që e bën jetën më të bukur.

Nënë Tereza është shënuar në literaturën e lidershipit perëndimor si lideri që ndërtoi modelin e dashurisë pa kushte dhe transformoi mendimin botëror të gjysmës së dytë të shekullit të 20, duke e cilësuar dashurinë njerëzore si të vetmen armë që sjell paqe dhe prosperitet. I gjithë misioni i saj ishte dhe mbeti i suksesshëm pasi ajo zgjodhi të drejtojë mes shembullit personal dhe u kthye në një shërbëtore të devotshme të më të varfërve. Modeli i saj i drejtimit më shumë se fetar mbeti human, më shumë se katolik mbeti universal, dhe më shumë se doktrinor mbeti ai i lirisë, ndihmës dhe dashurisë që falet sinqerisht pikërisht atje ku nuk pret asgjë si shpërblim. Në përcaktimin e Nënë Terezës si lider, të gjitha shkollat e lidershipit bien dakord se ideologjia që ka ndikuar më shumë në formimin dhe praktikën e saj ka qenë ajo e Jezu Krishtit. Nënë Tereza ishte një ndër dy bilion njerëzit që e identifikojnë veten si kristianë dhe e konsiderojnë Jezusin si liderin më të madh mes tyre. Jezusi mbahet jo vetëm si një model i liderit frymëzues, por edhe si lideri i parë i njerëzimit që tha dhe veproi sipas parimit: “Në fillim shërbe e pastaj lider”. Shkollarët e lidershipit mendojnë se modeli i liderit shërbëtor ka qenë kurora më e madhe dhe e merituar që i është vendosur Nënë Terezës.

Pavarësisht se lidershipi në shërbim, si teori, fillimisht u zhvillua në SHBA rreth viteve ’70 nga Greenleaf, të gjithë studiuesit bien dakord që i pari që ka folur për modelin e liderit shërbëtor ka qenë Jezu Krishti. Në librin e Mathew, Testamenti i Ri, Jezusi bën në fakt për herë të parë edhe përcaktimin e liderit: “kushdo që dëshiron të bëhet një lider duhet pikë së pari të bëhet një shërbëtor”. Në Bibël gjejmë gjithashtu shprehjen “kush dëshiron të bëhet më i shquari mes jush, së pari duhet të jetë një shërbëtor” (NIV Bibël, Mark 10:43). Nën këtë shembull, Jezusi përdor termin ‘shërbëtor’ si një sinonim të të qenit i shkëlqyer. Vetë Jezusi për të demonstruar fjalët e tij lau këmbët e dishepujve, në një ritual të vështirë për kohën, po të kihet parasysh ndotja e rrugëve dhe që njerëzit ecnin përgjithësisht zbathur. Duke aplikuar këtë shërbim, Jezusi pati shtuar: “Unë jam njeri mes jush që po shërbej’ (NIV Bible, Ungjilli sipas Lukës 22:27). Kur flasim për lider në shërbim apo shërbëtor, do të thotë pikë së pari për liderë që kanë qenë apo janë në gjendje të ndërtojnë apo drejtojnë institucione në shërbim, ku shpirti human, raportet njerëzore, dhe pozicionimi në shërbim të ndjekësve vihen në plan të parë. Greenleaf që në fillim të teorive të tij theksonte se tipari kryesor i liderit shërbëtor është morali i tij. Ai shprehet se autoriteti moral është një ndër tiparet kryesore që përcakton liderin shërbëtor, pasi ky autoritet prezanton edhe raportin reciprok mes liderit dhe ndjekësit. Në bërthamë të liderit shërbëtor, të dyja palët, si liderët dhe ndjekësit janë ndjekës, pasi ato së bashku ndjekin të vërtetën, ndjekin vlerat dhe vullnetarisht i besojnë njëri- tjetrit.

Në rastin e Nënë Terezës kjo është njëlloj sikur e kemi parë te Gandi, Martin Luter Kingu apo Mandela. Ata të katërt drejtuan dhe u imponuan mes autoritetit moral, pasi ata, në fakt, nuk patën kurrë pushtet. Sipas Pollard (1997), lideri i vërtetë nuk është ai që ka postin më të lartë, shpërblimet monetare më të larta apo ka qëndruar më gjatë në pushtet, por ai që ka shërbyer gjithmonë si model, ai që ka qenë gjithmonë gati të sakrifikojë apo të shërbejë, dhe që të gjithë aktivitetin e tij nuk e ka ushtruar që të promovojë veten, por të tjerët. Sot imazhi i Nënë Terezës është për të gjithë imazhi i një gruaje të përkulur mbi lebrosin, si dhe ai i një shenjtoreje që ka lënë kaq e kaq urtësi të shkruara. Ky imazh nuk përbën çudi për shkollat e lidershipit perëndimor që njohin afrinë e lidershipit shërbëtor me lidershipin moral, ndonëse sipas tyre, lideri shërbëtor është diçka më tej, pasi ai jo vetëm që shpreh moral të lartë, por gjithashtu imponon me shembullin personal. Sipas Greenleaf, baza e suksesit të liderit shërbëtor është aftësia për të demonstruar afërsi për këdo përreth. Liderin shërbëtor nuk e refuzon askush, por gjithkush e pranon dhe e ndjek. Nënë Tereza ka pasur dhe ka edhe sot një ndikim empatik shumë të rrënjosur. Njerëz të të gjitha besimeve e citojnë apo e sjellin atë si një model të përkryer, ndërsa skeptikët kanë mbetur historikisht pakicë dhe pa forcë argumenti. Ajo ka arritur të vendosë një portret krejt të sajin dhe të padiskutueshëm në vlera. Sa herë flitet për bamirësi, përkushtim apo dedikim ndaj nevojtarëve, portreti i saj është i pari që të vjen ndër mend dhe kjo falë aftësisë që ajo mbartte për të përcjellë mesazhin filozofik që dëshironte të shpërndante dhe që kishte të bënte me edukimin e vlerave të larta humane në çdo qenie njerëzore.

Si çdo lider shërbëtor, ajo besonte se e keqja më e madhe nuk ishte te sistemi, pasi për të çdo sistem ndërtohet nga qeniet njerëzore, por e keqja qëndron te mungesa e edukimit të njerëzve me ndjenjat humane. Sipas Greenleaf dhe gjithë studiuesve të tjerë të lidershipit shërbëtor, i gjithë suksesi i këtij tipi lidershipi mbështetet te kënaqësia e tyre për t’u shërbyer të tjerëve. Nënë Tereza ishte e lumtur kur dhuronte ndihmë. Më shumë se çdo profet apo udhëheqës në kohët moderne ajo rrëfeu thjeshtësisht çdo të thotë dashuri për të tjerët. Pikërisht, i gjithë pushteti i djeshëm dhe i sotëm i Nënë Terezës ishte mbështetur te fuqia që ajo u dha fjalëve dhembshuri, dashuri dhe përkushtim pa kushte. Ajo që të bën përshtypje edhe sot është fakti që Nënë Tereza vazhdon të përcjellë mesazhe që mbeten jo vetëm frymëzuese, por edhe universale. Kjo ka të bëjë me aftësinë e saj të shkëlqyer komunikuese. Ajo dinte të shprehte mendimet e saj, të bindte ndjekësit e saj apo dhe më tej. Ajo jetonte në Indi, punonte në gjithë botën, posedonte një pasaportë indiane, një amerikane, por edhe një shqiptare dhe ndërkohë ishte në gjendje t’u drejtohej të gjithë kulturave dhe të kuptohej e kuptohet nga të gjitha kulturat, pavarësisht bindjeve fetare apo politike. James Humes shprehej se arti i komunikimit është gjuha e vërtetë e drejtimit, Nënë Tereza nga ana e saj artin e komunikimit e mbështeste te një thjeshtësi spikatëse dhe një mesazh ngulitës, te vullneti për të dashur pa kushte. E në fakt, nëse sot ajo citohet, kujtohet apo është model, kjo nuk vjen vetëm se ajo ka kryer veprime apo sjellje të shenjta, të fiksuara në regjistrat kishtarë, por më shumë, se ka kryer akte njerëzore, tokësore, të thjeshta por me një dashuri të madhe, kaq të rralla për njeriun e botës postmoderne. Ndoshta për këtë ajo shpesh të duket sikur është më e shenjtë se njerëzore, kur në fakt ajo që edhe mbetet më tokësore se çdo krijesë tjetër e shekullit kur jetoi, apo dhe më tej.

Sot kur flitet për Nënë Terezën gjithkush e di që të jesh ndjekës i saj apo të përkrahësh modelin e saj do të thotë para së gjithash të duash apo të ndihmosh gjithkënd e pa pritur shpërblim. Ky transformim që ajo i bëri mendimit materialist dhe egoist të kohës, është padyshim një shembull i shkëlqyer i modelit të liderit transformues, që ka misionin të ndryshojë një realitet, të përballet me sfidat e këtij ndryshimi dhe të arrijë të organizojë e frymëzojë ndjekësit përmes forcës së argumentit dhe modelit personal. Nënë Tereza, së bashku me tre liderët e tjerë, Gandi, Luter King dhe Mandela, që krijojnë edhe katërshen e famshme të liderëve më të shquar të epokës moderne, janë padyshim lider të transformimit, në thelb të së cilit është shpirti human dhe respekti maksimal për të. Nënë Tereza ka qenë gjithashtu edhe një lider shumë afër asaj që quhet shkolla shpirtërore e lidershipit, konceptuar si lidershipi shpirtëror. Shumë e keqkuptojnë këtë dhe mendojnë se kjo shkollë ka të bëjë me pjesën religjioze apo indoktrinuese në formimin e liderit. Në fakt, kjo ka të bëjë totalisht me pjesën njerëzore të liderit, sa ai apo ajo kujdeset për njerëzit që udhëheq; sa është në gjendje të depërtojë në zemrat dhe mendjet e tyre, emocionet e tyre apo të veprojë sipas interesave të tyre. Një ndër cilësitë thelbësore që bashkon Nënë Terezën, Gandin, Luter Kingun apo Mandelën ka qenë pikërisht inteligjenca e tyre shpirtërore. Kjo inteligjencë ka aftësinë të ndërtojë lider vizionar, me një jetë më të pasur dhe më krijuese, si dhe t’u dhurojë atyre aftësinë e pakrahasueshme për të frymëzuar ndjekësit, duke përdorur logjikën e fortë dhe bindëse se përse ja vlen të përpiqen apo sakrifikojnë. Momenti më vlerësues dhe impresionues kur studion figurën e Nënë Terezës është cilësimi i saj si modeli klasik i liderit që duhet imituar. Përveç gjithë vlerave të saj unikale, të qenit lider autentik e bëjnë imazhin e saj edhe më tërheqës. Edhe veshja e saj apo paraqitja në përgjithësi, ishin përcjellës më se të qartë të autenticitetit të saj. Jo shumë liderë, kanë pasur kurajën apo aftësinë të formësojnë modelin e tyre të lidershipit duke eksperimentuar edhe në veshje. Për shembull, pak afrikano- amerikanë qenë veshur në formë aq elegante deri atëherë kur i tillë ju shfaq shoqërisë amerikane Dr. Martin Luter Kingu. Veshja e Gandit qe përsëri autentike dhe ishte përcjellëse e vete mesazhit të tij sa modest aq edhe autokton. Veshja e Nënë Terezës dhe e të gjithë misionareve të saj, ishte një sari, veshje tipike e femrës hindu.

Nënë Tereza kishte vendosur qendrën e misionit të saj në Kalkutë, ndaj veshja duhet t’i përshtatej me atë të femrës indiane. Shumë vite më parë ajo kishte kuptuar thelbin e lidershipit global. Që të operoje me sukses në një kulturë tjetër, pikë së pari duhet të përshtateshe me këtë kulturë, duke e pranuar, dashur dhe bërë atë krejt tënden. Përtej kësaj, veshja e Nënë Terezës dhe të gjitha misionareve të Karitasit ishte tërësisht modeste, gjë që i përshtatej tërësisht qëllimit të punës së tyre. Të gjitha misionaret e Karitasit duhet të kishin vetëm tri sari, një për t’u veshur, një për t’u larë dhe një rezervë. Saria duhet të ishte pambuk i bardhë ku tri vijat blu simbolizonin Virgjëreshën Mari. Motrat e Karitasit, ashtu si dhe vetë Nënë Tereza kishin vetëm një palë sandale, një çantë bezeje, një libër lutjeje, një pjatë e një lugë. Në vendet e ftohta atyre iu lejohet të veshin një triko. E gjithë kjo thjeshtësi, përtej së imagjinueshmes, shërben për të drejtuar nëpërmjet shembullit. Të duash dhe ndihmosh të varfrit duhet pikë së pari të kuptosh ndjenjat e tyre dhe gjendjen e tyre dhe duhet t’u tregosh atyre që ti je në gjendje ta bësh këtë. Studiuesit mendojnë gjithashtu se në përgjithësi liderët autentikë kanë disa cilësi kryesore që i bashkojnë. Kështu sipas George (2004), liderët autentikë kanë aftësinë që të kuptojnë thellësisht qëllimin e misionit të tyre; kanë aftësinë të praktikojnë vlera të konsoliduara për moralin shoqëror; ata drejtojnë gjithmonë me zemër, por pa harruar të demonstrojnë vetëdisiplinë si dhe të krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme. Autenticiteti i Nënë Terezës qëndronte mbi të gjitha te qëndrimi kritik që ajo mbajti jo vetëm ndaj varfërisë ekonomike, por më së shumti ndaj varfërisë shpirtërore me të cilën ajo kuptonte para së gjithash mungesën e dëshirës për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë. Ajo mbeti një kritike e vendosur e shpirtrave të pandjeshëm, të pangopur dhe egoistë. Në këtë mision e ka ndihmuar edhe shumë fakti që ajo kishte profilin e një lideri altruist. Altruizmi, si një shfaqje shumë e lartë e parimeve morale, është vullneti për të ushtruar sakrificën për njerëzit në nevojë. Jo më kot, Avolio, një ndër studiuesit dhe teoricienët më të shquar të lidershipit, e ka sjellë gjithmonë Nënë Terezën si një shembull ideal të liderit altruist. Sipas Avolios, kur ndjekësit shohin që lideri i tyre është altruist dhe ka një shpirt human që kujdeset deri për gjërat më të vogla, ata ndihen shumë më tepër të frymëzuar prej tij. Sipas ndjekësve, një lider i tillë mund të sakrifikojë edhe vetveten për të ndihmuar të tjerët dhe ky lider vetvetiu shndërrohet në një hero. Për të konkretizuar këtë te figura e Nënë Terezës mjafton të kujtojmë sa herë e kemi parë atë mbi kokën e një të droguari, të përkulur mbi trupin e një të dobësuari skeletik, apo të infektuari nga sida. Fjalët nga goja e saj kanë pasur gjithmonë peshën e veprimeve të saj dhe falë këtyre akteve, mesazhi që ajo ka përcjellë është pritur si më se i vërtetë. Nënë Tereza është njohur gjithashtu si një lider tribal. Sipas studiuesve të teorisë tribale të lidershipit, asnjë lider nuk mund të jetë i suksesshëm nëse ai vepron i vetëm (Hall, 2009). Miqësia e Nënë Terezës me njerëzit më të fuqishëm të botës demonstroi qartazi aftësinë e saj për të krijuar partnership dhe për ta vendosur këtë partnership në funksion të misionit të saj. Në fund duhet thënë se Nënë Tereza, ndryshe nga çka shënojnë skeptikët, nuk e përdori religjionin apo katolicizmin që të bashkojë njerëzit rreth misionit të saj, por nëpërmjet modelit të jetës së saj ia doli të bindë njerëzit se dashuria për Zotin shfaqet kur ne shfaqim dashuri për njëri-tjetrin. Dhe ajo arriti ta bëjë këtë duke u kthyer në një lider universal, që i deshi të gjitha kulturat, që u shërbeu të gjitha vendeve dhe ndaj meritoi emrin qytetare e botës. Cilësimi i Nënë Terezës si një ndër liderët më të mëdhenj të të gjitha kohëve sa herë flitet e kërkohet për shfaqjet më të suksesshme të lidershipit, është një vlerësim që i kalon kufijtë e një kulture, populli, feje, vendi apo gjuhe, është vlerësim universal sikundër ishte dhe vetë modeli që ajo përcolli dhe na la gjallë dhe për të cilin ne duhet të jemi krenarë.

Filed Under: Politike Tagged With: Iris Halili

SHKOLLA SHQIPE E SHOQATËS “ILIRIA” NË ST. LOUIS, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË MISSOURI TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

August 26, 2023 by s p

Rafaela Hajdini mësuese e shkollës shqipe te shoqata “Iliria” në St. Louis, Missouri, USA, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në St. Louis,  Missouri, USA, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Rafaela Hajdini bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE TË SHOQATËS  “ILIRIA” NË ST. LOUIS

Me formimin e Shoqatës “Iliria” në St. Louis, përveç të tjerave qëllimi kryesore ishte hapja e shkollës shqipe, ku fëmijët mund të mësojnë të flasin dhe të lexojnë gjuhën amtare. Të gjithë themeluesit dhe anëtarët dhanë kontributin e tyre qe kjo mund të bëhet realitet. Për këtë rol të madh luajten kryetari shoqatës dhe bordi drejtues. Më datë 9 gusht 2020 u mbajtën zgjedhjet për bordin drejtues dhe u përzgjodhën 15 anëtarë: Pandeli Gaçe, Elona Dyshniku, Besian Gjika, Xhevat Dullovi, Aurel Bardho, Eneida Taçi, Arif Palloshi, Fazli Dullovi, Jovan Bello, Rafaela Hajdini, Ramadan Hajdini, Emiljo Zhupani, Anila Veizi, Nafi Halimi dhe Brahim Mehmetaj. Hapja e shkollës shqipe në Saint Louis u zhvillua më 28 Gusht 2021. Po citoj fjalimin e mbajtur nga kryetari i shoqatës “Iliria” z. Pandeli Gaçe me rastin e hapjes së shkollës të gjuhës shqipe në Saint Louis, Missouri. “Vogëlushë të dashur, ju që jeni lulet e jetës sonë, ju brezat e mësuesve të nderuar dhe pjesëmarrës të këtij evenimenti me rëndësi, ju përshëndes! Jemi sot këtu, se na ka bashkuar gjuha e mëmës, gjuha e atdheut tonë të dashur, Gjuha Shqipe! Është kjo gjuhë e bekuar që na ka përcjellë miklimin e parë, përkëdhelinë, gëzimin e habinë, me të kemi shprehur dhimbjet, dëshirat dhe ëndrrat më të bukura e më të guximshme të jetës sonë. Populli ynë që nga lashtësia me këtë gjuhë ka përcjellë, përrallat, mitet, fabulat, lirikën dhe epikën legjendare të veten dhe fqinjëve të saj, ka shkruar e na ka lënë historinë, visare të kulturës dhe dijes, vlera kaq të çmuara. Udha e saj nuk ka qenë aspak e lehtë, por u ka mbijetuar stuhive dhe rrebesheve shekullore. Kjo ka ndodhur se pushtues të shumtë kanë synuar e janë përpjekur ta shuajnë gjuhën tonë, kanë mbyllur shkolla, kanë vrarë mësues e djegur libra, kanë prishur monumente por populli nuk e lëshoi e nuk e braktisi kurrë gjuhën e tij dhe sot e ka si thesar që i shtohet dhe kulturës botërore, si një ndër gjuhët më të vjetra në botë. Shoqata “Iliria”, këtu në Saint Louis, që në fillimet e saj shtroi si detyrë parësore hapjen e kësaj shkolle, për vetë rëndësinë që ajo ka dhe  mbështetjen që i jep edhe SH.B.A kulturës dhe dijes së qytetarëve të saj. Vogëlushe e vogëlushë të dashur, sot ju u duket vetja se jeni të vegjël, se kështu ka ndodhur edhe me ne kur ishim në moshën tuaj, por ju bartni që sot me vete këtë ngjarje që do të jetë historike dhe me shumë vlera për ju dhe gjithë  shqiptarët e këtij rajoni. Pikërisht për këtë kanë ardhur e na nderojnë me praninë e tyre dhe këta zonja e zotërinj që, gjithë jetën e tyre ia kushtuan mësimdhënies, dijes dhe kulturës shqiptare, ndaj u jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për këtë gjest fisnik të tyre. Tani më lejoni t’ju uroj këtë fillim emocional të kësaj shkolle për të cilën dhanë ndihmesën e tyre shumë nëna e baballarë shqiptarë dhe mësueset tuaja të dashura që bënë çdo gjë gati e që bashkë me ju do ta çoni përpara ecurinë e gjuhës dhe kulturës Shqiptare! Ju përshëndes nga zemra dhe ju uroj fillim të mbarë shkollor” përfundoi fjalën z. Pandeli Gaçe.

FILLESAT E PARA TË ORGANIZIMIT TË MËSIMIT SHQIP

Mësuesit e parë për shkollën ishin Rafaela Hajdini, Alda Kafasiz dhe me ndihmë nga Miranda Gaçe. Në fillim u formuan dy klasa dhe u ndanë sipas moshës. Çdo të shtunë mësimet ishin nga një orë. Mësimi zhvillohej në ambientin e shoqatës. Nuk ishte e lehtë të sensibilizoje të gjithë për shumë arsye, por me kalimin e kohës, kur panë se fëmijët filluan të shkruan dhe të lexonin shqip, atëherë filluan të regjistrojnë fëmijë të tjerë. Gjithashtu, mësuesit rekomanduan që prindërit të komunikojnë me fëmijët e tyre shqip për t’i ekspozuar sa më shumë gjuhën shqipe. Një vit më pas arritëm të formulojmë korrikulën mësimore. Kurrikula e përdorur është nga Diaspora së bashku me tekste të tjera. Nxënësit nuk po mësojnë vetëm të flasin dhe të lexojnë por theksohet edhe Historia e Gjuhës Shqipe. Në fillim, mësimdhënia ishte e vështirë sepse mungonte literatura dhe mjetet e shtetit shqiptar me logjistikë arsimore. Me forcat tona bëjmë ç’të mundemi për librat e misionit të abetares, e kemi siguruar privatisht dhe në bazë të kësaj e bëj misionin me nxënësit.

SHQIPTARËT NË ST. LOUIS, MISSOURI

Komuniteti shqiptar në Missouri nuk është aq i madh sa në disa shtete të tjera amerikane, por është i konsiderueshëm. Për këtë është punuar dhe po punohet fort për ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarve në St. Louis. Si shoqatë jemi takuar me organet shtetërore në St. Louis, të cilit u shfaqën shumë bashkëpunëtorë, na dhanë këshilla të dobishme dhe ranë dakord dhe bashkëpunuan që fëmijët krahas anglishtes të mësonin dhe të flisnin gjuhën e tyre amtare shqipe.

KUSH ËSHTË MËSUESE RAFAELA HAJDINI?

Jam vajza e parë e Ramadan Hajdinit dhe Arjana Hajdinit. Lindur në Korçë, Shqipëri, u largova nga Shqipëria me prindërit në prill të vitit 1997. Tani jam mësuese për fëmijët me nevoja të veçanta. Unë punoj për orginization Special School District of St. Louis. Unë punoj vullnetarisht si mësuese e gjuhës shqipe në shoqatën “Iliria”. Pasionin për të mësuar fëmijët në gjuhën tonë amëtare e kam marrë nga prindërit e mi të cilët na kanë folur dhe mësuar gjuhën shqipe vazhdimisht në ambientin tonë familjar. Qellimi im është që brez pas brezi të mund të trashëgojmë traditat, kulturën dhe gjuhën tonë të bukur shqipe edhe pse jemi shumë kilometra larg vendit tonë të dashur.

Filed Under: Featured Tagged With: Rafaela Hajdini, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1493
  • 1494
  • 1495
  • 1496
  • 1497
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT