Rafaela Hajdini mësuese e shkollës shqipe te shoqata “Iliria” në St. Louis, Missouri, USA, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në St. Louis, Missouri, USA, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Rafaela Hajdini bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE TË SHOQATËS “ILIRIA” NË ST. LOUIS
Me formimin e Shoqatës “Iliria” në St. Louis, përveç të tjerave qëllimi kryesore ishte hapja e shkollës shqipe, ku fëmijët mund të mësojnë të flasin dhe të lexojnë gjuhën amtare. Të gjithë themeluesit dhe anëtarët dhanë kontributin e tyre qe kjo mund të bëhet realitet. Për këtë rol të madh luajten kryetari shoqatës dhe bordi drejtues. Më datë 9 gusht 2020 u mbajtën zgjedhjet për bordin drejtues dhe u përzgjodhën 15 anëtarë: Pandeli Gaçe, Elona Dyshniku, Besian Gjika, Xhevat Dullovi, Aurel Bardho, Eneida Taçi, Arif Palloshi, Fazli Dullovi, Jovan Bello, Rafaela Hajdini, Ramadan Hajdini, Emiljo Zhupani, Anila Veizi, Nafi Halimi dhe Brahim Mehmetaj. Hapja e shkollës shqipe në Saint Louis u zhvillua më 28 Gusht 2021. Po citoj fjalimin e mbajtur nga kryetari i shoqatës “Iliria” z. Pandeli Gaçe me rastin e hapjes së shkollës të gjuhës shqipe në Saint Louis, Missouri. “Vogëlushë të dashur, ju që jeni lulet e jetës sonë, ju brezat e mësuesve të nderuar dhe pjesëmarrës të këtij evenimenti me rëndësi, ju përshëndes! Jemi sot këtu, se na ka bashkuar gjuha e mëmës, gjuha e atdheut tonë të dashur, Gjuha Shqipe! Është kjo gjuhë e bekuar që na ka përcjellë miklimin e parë, përkëdhelinë, gëzimin e habinë, me të kemi shprehur dhimbjet, dëshirat dhe ëndrrat më të bukura e më të guximshme të jetës sonë. Populli ynë që nga lashtësia me këtë gjuhë ka përcjellë, përrallat, mitet, fabulat, lirikën dhe epikën legjendare të veten dhe fqinjëve të saj, ka shkruar e na ka lënë historinë, visare të kulturës dhe dijes, vlera kaq të çmuara. Udha e saj nuk ka qenë aspak e lehtë, por u ka mbijetuar stuhive dhe rrebesheve shekullore. Kjo ka ndodhur se pushtues të shumtë kanë synuar e janë përpjekur ta shuajnë gjuhën tonë, kanë mbyllur shkolla, kanë vrarë mësues e djegur libra, kanë prishur monumente por populli nuk e lëshoi e nuk e braktisi kurrë gjuhën e tij dhe sot e ka si thesar që i shtohet dhe kulturës botërore, si një ndër gjuhët më të vjetra në botë. Shoqata “Iliria”, këtu në Saint Louis, që në fillimet e saj shtroi si detyrë parësore hapjen e kësaj shkolle, për vetë rëndësinë që ajo ka dhe mbështetjen që i jep edhe SH.B.A kulturës dhe dijes së qytetarëve të saj. Vogëlushe e vogëlushë të dashur, sot ju u duket vetja se jeni të vegjël, se kështu ka ndodhur edhe me ne kur ishim në moshën tuaj, por ju bartni që sot me vete këtë ngjarje që do të jetë historike dhe me shumë vlera për ju dhe gjithë shqiptarët e këtij rajoni. Pikërisht për këtë kanë ardhur e na nderojnë me praninë e tyre dhe këta zonja e zotërinj që, gjithë jetën e tyre ia kushtuan mësimdhënies, dijes dhe kulturës shqiptare, ndaj u jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për këtë gjest fisnik të tyre. Tani më lejoni t’ju uroj këtë fillim emocional të kësaj shkolle për të cilën dhanë ndihmesën e tyre shumë nëna e baballarë shqiptarë dhe mësueset tuaja të dashura që bënë çdo gjë gati e që bashkë me ju do ta çoni përpara ecurinë e gjuhës dhe kulturës Shqiptare! Ju përshëndes nga zemra dhe ju uroj fillim të mbarë shkollor” përfundoi fjalën z. Pandeli Gaçe.
FILLESAT E PARA TË ORGANIZIMIT TË MËSIMIT SHQIP
Mësuesit e parë për shkollën ishin Rafaela Hajdini, Alda Kafasiz dhe me ndihmë nga Miranda Gaçe. Në fillim u formuan dy klasa dhe u ndanë sipas moshës. Çdo të shtunë mësimet ishin nga një orë. Mësimi zhvillohej në ambientin e shoqatës. Nuk ishte e lehtë të sensibilizoje të gjithë për shumë arsye, por me kalimin e kohës, kur panë se fëmijët filluan të shkruan dhe të lexonin shqip, atëherë filluan të regjistrojnë fëmijë të tjerë. Gjithashtu, mësuesit rekomanduan që prindërit të komunikojnë me fëmijët e tyre shqip për t’i ekspozuar sa më shumë gjuhën shqipe. Një vit më pas arritëm të formulojmë korrikulën mësimore. Kurrikula e përdorur është nga Diaspora së bashku me tekste të tjera. Nxënësit nuk po mësojnë vetëm të flasin dhe të lexojnë por theksohet edhe Historia e Gjuhës Shqipe. Në fillim, mësimdhënia ishte e vështirë sepse mungonte literatura dhe mjetet e shtetit shqiptar me logjistikë arsimore. Me forcat tona bëjmë ç’të mundemi për librat e misionit të abetares, e kemi siguruar privatisht dhe në bazë të kësaj e bëj misionin me nxënësit.
SHQIPTARËT NË ST. LOUIS, MISSOURI
Komuniteti shqiptar në Missouri nuk është aq i madh sa në disa shtete të tjera amerikane, por është i konsiderueshëm. Për këtë është punuar dhe po punohet fort për ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarve në St. Louis. Si shoqatë jemi takuar me organet shtetërore në St. Louis, të cilit u shfaqën shumë bashkëpunëtorë, na dhanë këshilla të dobishme dhe ranë dakord dhe bashkëpunuan që fëmijët krahas anglishtes të mësonin dhe të flisnin gjuhën e tyre amtare shqipe.
KUSH ËSHTË MËSUESE RAFAELA HAJDINI?
Jam vajza e parë e Ramadan Hajdinit dhe Arjana Hajdinit. Lindur në Korçë, Shqipëri, u largova nga Shqipëria me prindërit në prill të vitit 1997. Tani jam mësuese për fëmijët me nevoja të veçanta. Unë punoj për orginization Special School District of St. Louis. Unë punoj vullnetarisht si mësuese e gjuhës shqipe në shoqatën “Iliria”. Pasionin për të mësuar fëmijët në gjuhën tonë amëtare e kam marrë nga prindërit e mi të cilët na kanë folur dhe mësuar gjuhën shqipe vazhdimisht në ambientin tonë familjar. Qellimi im është që brez pas brezi të mund të trashëgojmë traditat, kulturën dhe gjuhën tonë të bukur shqipe edhe pse jemi shumë kilometra larg vendit tonë të dashur.