
Festivali Tradicional në Kishën e Zojës Pajtore Michigan 2-4 Shtator 2023, ftohen mediat dhe komuniteti që të marrin pjesë.
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

Festivali Tradicional në Kishën e Zojës Pajtore Michigan 2-4 Shtator 2023, ftohen mediat dhe komuniteti që të marrin pjesë.
by s p
Të nderuar mësues/e, kryetarë apo kryesi të Lidhjeve të Mësuesve, të Shoqatave në diasporë e në mërgatë, Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) ju drejtohet me një thirrje kolegjiale, me qëllim që të bashkojmë forcat në shërbim të unifikimit të shkollave shqipe në mërgatën shqiptare. Presim nga të gjithë ju që keni punuar dhe punoni vullnetarisht në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare (deri me datën 5 shtator 2023) që me vërejtjet apo sugjerimet të formulojmë bashkërisht kërkesat, të cilat do t`iu drejtohen zyrtarisht institucioneve tona përkatëse.
Qëllimi i KKAD-së është që në rrugëtimin tonë të përbashkët të bashkojmë forcat në unifikimin e shkollave shqipe si dhe në sensibilizimin e prindërve shqiptarë në shkallë kombëtare me qëllim që të ndryshojmë gjendjen e vijimit simbolik të mësimit plotësues në gjuhën amtare me moton: “Të gjithë për shkollën shqipe”. Po ashtu falënderojmë kontributin e mësimdhënësve, prindërve, shoqatave të cilët po bëjnë përpjekje për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe, por ky hap nuk mjafton për të shpëtuar dhjetëra mijëra fëmijë shqiptarë, të cilët përballen me “valët” e asimilimit të përditshëm.
KKAD-ja me punën e saj trevjeçare, ka treguar një gatishmëri të vazhdueshme, për një bashkëpunim të ndërsjellë, me shoqatat, mësimdhënësit si dhe me institucionet tona Shqipëri-Kosovë, me të vetmin qëllim që format e bashkëpunimit dhe të veprimit të ndryshojnë në mërgatën shqiptare.
KKAD-ja i është qasur këtij problemi të ndjeshëm dhe në vazhdimësi kërkon t’i qasemi bashkërisht unifikimit të faktorit shqiptar për një organizim sa më funksional të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, Sepse duke i bashkuar forcat mund të ofrojmë këshilla, sugjerime dhe vërejtje, jo vetëm profesionale por edhe shkencore institucioneve tona përkatëse. Bashkërisht më shpejt do të realizojmë unifikimin e shkollave shqipe, kudo që janë në diasporë, me qëllim të mbrojtjes së gjuhës dhe të identitetit kombëtar.
Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë në çdo takim me mësimdhënës, shoqata e institucione, ka shpalosur vizionin dhe misionin e tij për një bashkëpunim dhe bashkim, me ata që e shohin si primare shkollën shqipe.
Sektori për informim i KKAD-së
by s p

Prof. Xhelal Zejneli/
“Bota serbe” është term me të cilin kah mesi i viti 2020 disa intelektualë dhe politikanë serbë aktualizojnë lidhjet e serbëve në Serbi me ata që jetojnë në shtetet përreth. Disa prej mbrojtësve të “Botës serbe” flasin për lidhjen shtetërore të serbëve në një bashkësi shtetërore, kurse disa të tjerë flasin për lidhjen kulturore, ekonomike dhe për ndonjë lidhje tjetër të serbëve në shtetet fqinje – me Serbinë.
Disa autorë theksojnë ngjashmërinë ndërmjet konceptit të serbizimit dhe “Botës ruse” (rusisht: Русский мир) që e paraqiti në vitin 1999 në artikullin “Bota ruse dhe transnacionaliteti rus” autori Pjotër Shçedrovicki (Pjotr Shchedrovicky). Ky ka qenë konsultues politik i lidhur me Kremlin. Prej vitit 2022, nëpërmjet Shtëpisë botuese „Russkiy Myr”, ky koncept promovohet si projekt zyrtar i Federatës Ruse. Në dhjetëvjeçarët e kaluar koncepti i sipërthënë u shfrytëzua për realizimin e pretendimeve të Rusisë për t’i kontrolluar shoqëritë e shteteve fqinje.
Lidhshmëria e Serbisë së Madhe dhe e Botës serbe – Gjatë viti 2021 Aleksandar Vulini u shndërruan në një nga mbrojtësit kryesorë të konceptit të “Botës serbe”. Në shtetet fqinje, ky koncept shikohet si një Serbi e Madhe e rebradnuar (e ripërtërirë). Në qershor të viti 2021, duke e komentuar konceptin “Bota serbe”, për Serbinë e Madhe Vulini thotë: “Për fat të keq, Serbi të Madhe kurrë s’ka pasur, se po të kishte pasur, do të kishim ditur se ku jetojmë dhe cilat janë hapësirat tona etnike”.
Kah mesi i shtatorit të vitit 1921, kryetari i atëhershëm i Malit të Zi Millo Gjukanoviq (Milo Đukanović, 1962- ) i bëri një vizitë zyrtare Republikës së Kroacisë. Me këtë rast ai deklaroi: “Koncepti i Botës serbe është një eufemizëm për konceptin e vjetër të Serbisë së Madhe, që e përdorin politikanët bashkëkohorë të cilët e udhëheqin Serbinë”.
Deklaratës së Gjukanoviqit iu përgjigj ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme i republikës së Serbisë Aleksandar Vulin. Më 23 shtator 2021, në komunikatën e publikuar në faqet zyrtare të asaj Ministrie, Vulini thotë: “Bota serbe është ide e bashkimit politik të serbëve dhe ka ekzistuar shekuj para meje; posaçërisht ka qenë e popullarizuar në Mal të Zi, ç’është e vërteta, para se disa serbë ta kishin zbuluar se na qenkëshin malazias… Ai që e ka njohur shtetin e rrejshëm të Kosovës nuk ka të drejtë të flasë për pacenueshmërinë e kufijve dhe duhet të jetë i gatshëm t’i pranojë pasojat e vendimeve të veta. Parimi i pacenueshmërisë së kufijve duhet të fillojë nga Serbia”.
Historiani serb Aleksandar Rakoviq (1972- ) thotë: “Sipas modelit të Aleksandar Vulinit, me Botën serbe nënkuptohet në të vërtetë ndërlidhja shtetërore e serbëve”, d.m.th. të gjithë serbët, kudo qofshin në rajon, të jetojnë në një shtet, në Serbi, në Serbi të Madhe.
Serbia edhe sot është e madhe ngase i ka me vete dhe nën vete: Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë); Sanxhakun e banuar me boshnjakë; dhe Vojvodinën të banuar nga 26 bashkësi dhe grupe etnike, siç janë hungarezët dhe të tjerë.
Profesori i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit John Hopkins, Daniel Server (Daniel Serwer, 1945- ), në vitin 2021, konceptin e Botës serbe e quan “version i nxehur i Serbisë së Madhe”, ku qarqet udhëheqëse të Serbisë, synojnë të arrijnë – tani për tani pa dhunë – bashkimin e Serbisë me territore të ndryshme të banuara me serbë etnikë në vendet fqinje, duke u bazuar në mbështetjen e rëndësishme të Rusisë. Shtetet fqinje kurrë s’do ta pranonin një pretendim të tillë. Koncepti i sipërthënë paraqet kanosje serioze për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.
Shënim: Aleksandar Vulini (1972- ) është politikan serb, jurist, gazetar, ish-deputet në Kuvendin e Serbisë, ish-ministër i Mbrojtjes, ish-drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë në qeverinë e Serbisë, ish-ministër i punës, i punësimeve, i çështjes së luftëtarëve dhe i punëve sociale nga viti 2014; ish-ministër i Punëve të Brendshme. Karrierën politike e fillon në Lidhje e Komunistëve-Lëvizja për Jugosllavinë. Është një prej themeluesve të së Majtës Jugosllave. Në vitin 2000 formon Partinë e të Majtës Demokratike. Në vitin 2002, me Partinë Socialiste Demokratike të Millorad Vuçeliqit (1948- ) hyn në anëtarësinë kolektive të Partisë Socialiste të Serbisë, nga e cila, në vitin 2006 tërhiqet. Në vitin 2014 Vulini emërohet nga qeveria serbe kryetar i Këshillit për avancimin e pozitës së romëve. Në vitet 2020-2022 ka qenë ministër i Punëve të Brendshme. Nga dhjetori i viti 2022 ushtron funksionin e drejtorit të Agjencisë Informative të Sigurisë. Është i afërt me Vlladimir Putinin (1952- ). Uashingtoni e shpalli person të padëshiruar.
Në prill të viti 2016, Qeveria e Kroacisë ia ndaloi hyrjen në territorin kroat.
by s p

Hazir MEHMETI
Tregim/
Nga dritarja e avionit dukej dëbora si një jorgan i mëndafshtë që mbulonte rrafshin e Kosovës. Tani po largohemi. Secili nga ne do bartë me vete kujtimet e atyre gjithfarë kishte parë e përjetuar nga qëndrimi në Kosovë. Një javë, dy javë, më shumë. Apo, udhëtarët e parë që nuk e kishin përjetuar asnjëherë shkëlqimin e qiellit mbi shtëllunga resh. Ndër ta edhe Edi i vogël. Vaji i tij që nga nisja përcillej me muzikën e Shubertit në bordin e avionit sikur të ishte shkruar pikërisht për këtë ditë. Thellë, poshtë reve vezulluese, sigurisht, qanin edhe të afërmit e Edit nga shqetësimi për fatin e fëmijës që lindi në vendin stërgjyshor, në vendin për të cilin lashtësia ishte njerkë. Çfarë fati, Edi, ka njerkë edhe natyrën e cila e lindi me një sëmundje të rëndë. Dhe ku? Në zemrën e vogël të tij, aty ku çdo përjetim nis e mbaron. Sëmundje pa shpresë shërimi në vendlindjen e lashtë stërgjyshore. Dhe, mendimi bredh. Nuk po udhëtonim në një planet tjetër me krijesa të tjera magjike shëruese. Po udhëtonim vetëm njëmijë kilometra larg në veri. Vetëm njëmijë kilometra!
Njeriut në kujtesën krahasuese sikur i duken shumë herë më shumë se aq. Atje ku varet shpresa për jetën e Edit nga Rahoveci dhe Erës nga Prizreni që sot ishin bashkudhëtarë me ne, por dhe e shumë fëmijëve të tjerë nga trevat shqiptare. Ata qëndronin në krahët e Shkëndijës, një nënë shqiptare dhe doktorit të ri mërgimtar. Për Shkëndijën kisha lexuar disa herë nga grupi i mjekëve “Alleanz für Kinder “ me të cilët punonte. Tani po e shoh nga afër si një nënë e vërtet në detyrën e saj. Dora e saj pa ndërprerë ia fshinte lotët mbi faqe Edit të vogël. Madhështia e njeriut caktohet nga vepra e tij. Kjo vlen për Shkëndijën. Mendja të shkon tek Shën Tereza. “Nuk ka vdekur në trojet tona” i them vetes me mburrje.
Derisa Edi i lodhur bënte pushim në kllapi, Shkëndija tregonte mbi aktivitetin e saj, rrugëve të saj në kërkim të shpresës për shërimin e fëmijëve shqiptarë në Austri. Me krenari ajo thotë: “Vetëm vitin e kaluar u sollën për shërim nga Kosova 49 fëmijë ndërsa nga Shqipëria 46 fëmijë. Tani jemi mësuar dhe i njohim vështirësitë që na përcjellin. Na mbetën pa i sjellë sot edhe tre fëmijë të tjerë nga mungesa e mirëkuptimit me agjencinë e fluturimeve”. Ajo nuk lavdërohet as nuk flet me mburrje. Këtë e bën puna e saj e madhe.
Ajo me punën e saj fitoi respektin e shtypit, mediave, shoqatave, veprimtarëve të shumtë në mërgatë dhe trevave shqiptare.
“Jetojnë akoma heronj të vërtetë ” i them vetes nën peshoren e madhështisë së njeriut tonë.
Vazhduam fluturimin “përtej reve të bardha”. Edi rifilloi melodinë e tij të lodhur.
Unë…
Fillova të shfletoj “Frankfurter Allgemeine” të kërkoj qetësinë e brendshme të trazuar. E hap në faqen e shoqërisë, ku shoh një portret Monalize i aktores gjermane. Thashë e lë më vonë. Faqja shkencore me një titull: “Edhe zotët ishin të larmë”, zbulimi i statujës gjigande të Zotit të Gjuetisë – Artemis të cilin e lë më pas. Faqja e sportit, sensacioni, humbja e Bayernit me dy gola diferencë. Thashë e lë më vonë. Sikur kërkoj shpëtim në gazetën “Nacional”.
Pas gjashtëmbëdhjetë shëngjergjave sërish ndodh takimi me Shkëndijën në Aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës. Kësaj radhe e vetmuar dhe kjo dukej jo e natyrshme, siç ishim mësuar ta takonim përherë të ngarkuar me fëmijë me gjithë vajin dhe lodrat e tyre.
-Ç’kemi Shkëndije, – e pyeta?
-Mirë, po nga ana e juaj si jeni, – pyeti edhe ajo e shkëputur nga Laptopi i saj skaj ulëses së pritjes në sallën e pasagjerëve, që fluturonin për Vjenë.
-Po, ku janë fëmijët, – vazhdova? -U shëruan të gjithë apo tani kemi kirurgë të specializuar në Kosovë, pasi nuk jemi mësuar të të shohim vetëm, – i thashë me shaka.
Shkëndija qeshi dhe u duk e lumtur që ne e vlerësonim punën e saj. Ajo e dinte këtë që para shumë vitesh, se nuk mungonte vlerësimi ynë përmes shkrimeve dhe emisioneve lidhur me veprën e saj humane e cila ishte e njohur gjithandej vendit dhe mërgatës.
Po, – filloi ajo. Nuk e harroj përkrahjen tuaj të paraqitur aq bukur me Edin dhe Erën, dy fëmijë nga rrethina e Prizrenit të cilët i dërgonim për operim në Austri. Allianz für Kinder, vepron pa u ndalur, por sipas rrethanave. Ku ta kemi fatin që të mos ketë nevojë për t’i dërguar fëmijët të shërohen jashtë vendit! Akoma jemi larg botës. Shëndetësia është kaotike, pa sigurime shëndetësore, pa pajisje dhe pa disiplinë shërbimi edhe pas njëzet vitesh në liri.
– E keni fjalën për shëndetësinë publike e menaxhuar nga qeveria apo për atë private? – i them me pak sarkazëm duke e ditur hendekun e madh mes pacientëve të pasur që mund të trajtohen në spitalet private turke, amerikane e gjithfarë firmash e shumicës së varfër e cila nuk e ka mundësinë e shërimit.
Shkëndija e kuptoi mahinë tonë dhe përgjigjen e saj e dha me një të qeshur që fliste.
Sot po kthehem nga dasma e Edit dhe Erës, – sa bukur që u takuam! Çfarë rastësie, shtoi e lumtur Shkëndija! Pikërisht tani dukej rregullimi i flokëve të saj në stilin e dasmës kosovare, po ta shikoje me vëmendje.
Siç duket paskeni shpenzuar për atë dasmë të stilit kosovar, nëse guxojmë të themi! Si është e mundur, kaluan kaq shumë vjet nga takimi në avionin kur melodia e Edit të vogël përcillej nga Shuberti i madh! Të kujtohet?
Sa shpejt kalon koha! Kur u rritën aq shpejt! Sa vuajtje kaluan në fëmijëri me problemet e zemrës dhe pas operacionit ata ishin krejt normal. U kthyen në Kosovë në të njëjtën shkollë të mesme. Edi është dy vjet më i madh se Era. Kontaktet e tyre nga Austria vazhduan në Prizren derisa u dashuruan.
Dhe ju ishit e ftuar?
Po, e ftuara e nderit, që thonë! Që para shtatëmbëdhjetë vjetëve kur vumë kontaktet me familjen e Edit dhe Erës nuk i kemi ndërprerë ato. Edi ka mbaruar shkollën për menaxhim, kurse Era për mësuese. E di kureshtjen tuaj, po ju jap thirrjen e dasmës të cilën do ta ruaj me dashuri. Nxori nga çanta mes kapakëve të disa dokumenteve ftesën e palosur mirë, të lidhur me kordonin ngjyrë kuq e zi dhe ia zgjati Agimit. Ai e mori, e hapi dhe lexoi me kujdes shkrimin ku dalloheshin dy emra Edi-Era me stilin artistik të shkrimit festiv.
-A mund ta fotografoj? – pyeti Agimi
-Natyrisht, që mundeni, – u përgjigj Shkëndija duke renditur gjërat në çantën e saj.
Më duket shumë interesante, nga shtrati i operimit në Linc, në shtratin e martesës në Prizren. Ç’farë fati! Unë do thosha se fati tragjik i kombit zbërthehet në fatin e miliona individëve ku takojmë tragjiken dhe madhështoren. Edi dhe Era u shëruan në Austri, dhe u martuan në Kosovë.
Ndërkohë altoparlanti lajmëroi udhëtarët për fillimin e vërtetimeve të biletave në hyrje të avionit. Shkëndija nxori nga çanta një zarf të madh mbushur me letra e fotografi. Ja, këtu keni letra e foto qysh nga njohja me familjet e të dy fëmijëve para operacionit në Linc. Shikojini sa për ta kaluar kohën e fluturimit. Është një histori jete të cilën as regjisori me famë, Hiçkoku të jetë, nuk do mund ta realizojë ashtu siç ishte, me të gjitha ngjyrat e saj; dhembjet e vuajtjet, gëzimet e lumturinë, por edhe porosinë.
Kur avioni u ngrit mbi re, shkëlqeu shenja e gjelbër për lidhjen e rripit të sigurisë. Agimi hapi me kujdes zarfin e mbushur me foto dhe shkresa komunikimi të Shkëndijës me familjet e Erës dhe Edit. Mori letrën e rrudhosur sipër të tjerave i cila ishte shkruar me kujdes. E hapi dhe lexoi: “Zonjë e nderuar! Jemi prindërit e Erës pesë vjeçare e cila vuan nga një sëmundje e lindur e zemrës. Kemi lexuar për punën tuaj shumë njerëzore po edhe kombëtare tani pas vuajtjeve nga lufta. Halli ynë është Era. Ju lutemi të na ndihmoni! Për kontakt ju shkruajmë numrin e telefonit. Me respekt: Arta dhe Emiri, Prizren, 14 mars 2002. Agimi ngriti letrën që ta shihte Shkëndija e cila ishte ulur afër dritares dy rreshta mbrapa tij. Një buzëqeshje ia zbukuroi fytyrën nga kënaqësia që ndjeu.
Pas kalimit të turbulencave në lartësinë qiellore, avioni u qetësua. Kur u hoq edhe shenja e gjelbër e rripit të detyruar, Shkëndija u afrua pranë miqve.
-Ja, këtë letër do ta lexoj unë, – tha ajo. Dëgjoni disa nga fjalitë që nuk harrohen. “… Falënderimi ynë për ju është baras me jetën tonë. Të shkruaj nga bankat e shkollës dhe ndihem shumë e lumtur. Im atë dhe nëna ime kanë folur shumë për ndihmën tuaj. Unë mbaj mend shumëçka, por jo edhe ato momente që duhej, pasi isha vetëm pesë vjeçe. E kam mësuar, se po të mos ishte ndihma e juaj unë nuk do isha sot në jetë. E di se të kam shqetësuar shumë. Tani jam në klasën e shtatë dhe jam nxënëse e mirë. Kurdo që vjen në Kosovë do doja t`iu takoj. Ju dua shumë! Era.
Pas një viti nga letra e vizitova Erën në shkollë, filloi të rrëfente Shkëndija. Fillimisht nuk i tregova se kush isha, por ajo më përqafoi dhe filloi të qanë nga emocionet. Po, tha Era! Ju jeni Shkëndija. Kam shumë foto kur më mbaje në krahë dhe në avion sepse unë qaja si dhe foto nga salla e operacionit. Pastaj, të kam parë në televizor kur fole bashkë me doktorin austriak. Ai fliste gjermanisht kurse ti e përktheje. Shoqet e Erës më përqafuan me radhë. Pas pak erdhi mësuesja kujdestare e Erës. Ishte një pritje që nuk harrohet.
-Po, më kujtohet intervista e Dr. Gerhard-it në Radio Televizionin e Kosovës, ishte emocionuese, – tha Agimi. Vërtetë shoqata e juaj, si po e quajnë, (Aleanz für Kinder, e ndihmoi Shkëndija), ka bërë punë për shembull në botë.
– Është e vërtetë, – tha Shkëndija, por zemrën e saj e përbëjnë ndihma e qytetarëve, ku mes tyre u dalluan pas luftës në Kosovë shqiptarët. Ata e mbështesin shoqatën që nga themelimi i saj para njëzet e tri viteve. Interesant është fakti se familjet e varfra punëtore që kanë shumë fëmijë lajmërohen me entuziazëm për t’i marrë në familjet e tyre fëmijët e ardhur nga Kosova. Vetëm familja Kodra ndihmoi dy vjet rresht disa fëmijë.
-Po, këtu në zarfin e kuq, – çfarë keni e pyeta? A mund ta hapim? – tha Agimi.
Shkëndija e hapi me kujdes zarfin e mbushur me foto nga shërimi i Edit në Graz.
Edi ishte djali i vetëm i dy prindërve të rinj. I ati i tij ishte ushtar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, zona e Llapushës. Në betejën e dytë ai u plagos rëndë dhe u dërgua për shërim në Tiranë, por vdiq pas amputimit të këmbës. Atëherë Edi ishte vetëm një vjeç e gjysmë dhe sapo kishte hedhur hapat e parë. Ja kjo foto tregon të atin e tij, Agronin si e ngrinte lart mbi veten Edin. Siç duket ky ishte takimi i tij i fundit me të birin.
-Sa e dhembshme, – tha i trishtuar Agimi.
Vërtetë e dhimbshme. Por dhembja nuk mbaron me kaq.
Si? Mos e thuaj reagoi Agimi.
Fati i Edit ishte akoma më i dhimbshëm. Atij iu vra edhe nëna nga bombardimet serbe. Derisa po largoheshin nga fshati i tyre i djegur nga ushtarët serbë. Një raketë e hedhur nga bjeshkët e Kullës goditi kolonën civile dhe ishte fatale për familjen e Edit. Kjo ndodhi katër muaj pas vdekjes së të atit. Këtu shihet Edi i vogël mbi nënën e tij të vdekur. Kjo foto u botua në gazetat e huaja të marra nga ato shqiptare. Më tutje një grua tjetër e cila thërriste për ndihmë. Ja kjo foto tjetër këtu e tregon Edin në përqafimin e nënës së tij para se të vritej.
-E tmerrshme, – tha Agimi duke fshirë lotët me shami letre e cila lëshoi aromë karafili.
Ka edhe shumë tmerre, shumë, shumë sa nuk e kuptoj se si i mban toka gjithë këto krime serbe, një gjenocid shfarosës ndaj shqiptarëve në tokat e tyre, e vazhdoi bisedën Shkëndija.
-Një album si ky do ishte argument për film i cili do fitonte çmime Oskar, – tha Agimi.
Po të ishte ndonjë komb tjetër, po, me siguri, por shqiptarët i shkatërroi Europa për interesat e saj. I ndau në pesë shtete dhe nuk e njohu gjenocidin që u krye ndaj tyre. I përbuzi tmerrësisht.
-Çka dëshironi të pini? – pyeti stjuardesa e cila paralajmëroi ofertë pijesh të ngrohta dhe të ftohta duke tërhequr frigo karrocën e mbushur me pije dhe ushqime të rastit.
-Kafe, ekspres, – tha Agimi, kurse Shkëndija bëri me gisht drejt kulaçit të mbushur me mollë.
Monitori tregonte lartësinë prej shtatëmijë metrash dhe temperaturën e ftohtë tridhjetë e pesë gradë celsius nën zero me pozitën e avionit mbi qytetin e Sarajevës. Gjysma e rrugës, mendoi Agimi duke pirë kafen nga gota plastike e cila lakohej mes dy gishtave në gjerësinë e saj.
Shkëndija dukej e lodhur nga sytë e mekur pa gjumë të mjaftueshëm. Hëngri kulaçin me mollë dhe filloi të qetësohet në përkundjet e herë pas hershme të avionit. Zëri i muzikës vallëzuese së çiftit të ri iu shndërrua në shijen e valsit të Shtruasit me të cilin u hap dasma e Erës dhe Edit. Tani nuk ishte vaji i Edit në dirigjimin e tij para shtatëmbëdhjetë vjetësh, por ishte një valle dasme në bardhësinë e vellos së nusërisë së Erës. Ishte më shumë kaltërsi qielli mbi Fushën e Kosovës në pranverën e lirisë. Buqeta e parë mes shkëlqimit të dhëndëruar mbi lapidarin e Agronit ledhaton shpirtrat gjithandej hapësirave të jetës.
Jemi ne, gëzimi juaj, Era dhe Edi!
by s p
Nga Jani Gjoni & Odise Prifti
Jani Gjoni dhe Odise Prifti
Shqiptaro-amerikanët Jani Gjoni dhe Odise Prifti jetojnë me familjet e tyre në Chicago dhe kanë bisneset e tyre. Ata kanë lindur në Shqipëri, Jani në Burrel dhe Odisea në Himarë, mërguan dy dekada më parë në SHBA, nisën punën menjëherë, por edhe shkollën, duke i vënë rëndësi së pari dijes dhe janë diplomuar në universitete të mira amerikane për ekonomi, financë dhe biznes.
I ka bashkuar Amerika dhe dashuria për vendi amë, Shqipëria, organizojnë takime të shpeshta me bashkëatdhetarët, kuvende të vogla, ku trajtohen lirshëm çështje të aktualitetit amerikan dhe shqiptar, bisedohet për politikë e libra, filozofi e romane, filma, për familjet patjetër dhe shqetësim i madh në këto takime janë zhvillimet në Shqipëri, arritjet dhe tranzicioni i gjatë problematik.
Natyrisht ata janë aktivë ndaj Shqipërisë me investime dhe ide. Na duket me interes ku shkrim, ku shtrohen disa çështje ekonomike, pa retorikë, por me shifra dhe krahësimet me një tjetër vend lindor, që vuajti sisitemin totalitar komunist si Polonia dhe ka progres të ndjeshëm parësor ekonomik, shërbejnë dhe si udhëzime për rimëkëmbje të ekonomisë shqiptare.
V. Zh.
LIDERSHIPI,
DUKE PARË POLONINË
Një nga vëndet që ka zënë më shumë vëmëndje kohët e fundit për shkak të konfliktit në Ukrainë është Polonia, me rritje spektakolare ekonomike, fuqizim ushtarak dhe zhvillim të lartë demokratik, duke lënë pas të gjitha vëndet e tjera ish komuniste në Europën Lindore.
Në fillim të viteve 1990, sfida kryesore e saj si në çdo vënd ish komunist, ishte si të bënte kalimin nga një ekonomi të centralizuar me pronësi shtetërore, në një ekonomi të tregut të hapur. Në shumicën e vëndeve lindore përfshi edhe Shqipërinë, reformat e tranzicionit ishin në një mënyrë apo në një tjetër mjaft problematike. Ato ose zgjatën shumë në kohë ose u bënë shumë të korruptuara, dhe shumica e pasurisë shtetërore u transferua në duart e disa oligarkëve të cilët u pasuruan për shkak të lidhjeve të tyre politike. Polonia, nga ana tjetër, menaxhoi këtë kalim më mirë se të tjerët. Ajo kaloi në kapitalizëm shpejt, por privatizoi shumicën e kompanive të pronësisë shtetërore më ngadalë dhe disa vite më vonë se shumica e fqinjëve të saj, pasi kaloi kaosi që pasoi rënien e komunizmit dhe gjëndja u qetësua, dhe pasi u bë më e vështirë që të abuzohej gjithçka. Falë kësaj, ajo bëri të mundur të jetë i vetmi nga vëndet post komuniste me një ekonomi të pa dominuar nga oligarkët, dhe pa rrënimin ekonomik në vitet ’90-të.
Shqipëria akoma mbetet në tranzicion duke bërë hapa shumë të ngadalta, me një situatë korrupsioni të lartë, drejtësi të manipuluar dhe dominim të tregut nga të fortët me lidhje të padukshme neopotike e mafioze. Kjo gjëndje nuk është se lindi sot, ajo i ka rrënjët tek fillimi i tranzicionit tonë, që shumë e besojnë të kontrolluar nga ish pushtetarët. Shkatërrimi total i ekonomisë me parrullën e “çekut të bardhë” e fillimit nga zero, pasoi me privatizimin brënda një periudhe shumë të shkurtër të ç’do aseti të vendit dhe kalimin e tyre me urdhëra politike në duart e disa njerëzve të dyshimtë që sot i quajnë oligarkë. Kjo nuk është asgjë tjetër vetëm e kundërta e asaj që bëri Polonia. Ne nuk mund të themi me siguri se po të ndiqnim atë rrugë do të ishim sot në vënd të Polonise, por qartësisht shohim se ajo që ndoqëm na solli në këtë situatë, akoma në tranzicion. Njerëzit që ideuan dhe implementuan këtë janë përgjegjës për degradimin ekonomik, cënimin e sigurisë kombëtare dhe shkatërrimin social të vendit.
Polonia dhe ish-qeveria direkt mbas diktaturës e kuptuan që i vetmi shpëtim i vëndit, ishte ndërtimi i klimës pozitive në ekonomi, në fushën e drejtësisë dhe për ti’u bashkur Bashkimit Europian, ku mundësitë për më tepër prosperitet do ishin duke u bërë pjesë e BE-së.
Polonia nga momenti që iu bashkua komunitetit Evropian në 1 Maj, 2004 deri më sot ka pasur një fluks të madh investimesh të huaja, për arsye të ndryshme ku më kryesoret janë:
1- Integriteti i qeverisë, politikat ekonomike dhe suportimi i invesitorëve vendas dhe të huaj (referencë: Grafiku – Government Integrity Poland -vs- Albanian)
2- Anëtarësimi në Evropën e bashkuar hapi rugën e lëvizjes së lirë të tregut kapital, të mallrave, shërbimeve dhe burimeve njerëzore. Polonia që nga 2004 deri më sot ka marë më tepër se $213 miliardë në ndihma nga komuniteti Evropian, të cilat janë investuar në mënyrë strategjike në infrastukturë dhe në agrikulturë me qëllim për të krijuar kushte favorizuese për investime në fusha të tjera.
3- Pozicioni gjeografik i Polonisë gjithashtu ka ndihmuar të kthehet në një unazë (HUB) si për exporte dhe importe me fqinjët e saj.
Më kryesorja nga të gjitha është se politikat pozitive dhe agresive ekonomike të Polonisë për investitorë të huaj e kanë kthyer Poloninë në një nga vëndet më atraktive të ish-bllokut lindor.
Investitorët e huaj ndihen komod për të investuar në Poloni se përveç politikave favorizuese ekonomike, burimet njerëzore janë të kualifikuara dhe me integritet të lartë pune.
Për këto arsye Polonia është radhitur në treshen e BE-se si më e preferuara për invetmimet e huaja FDI(foreign direct investment). Për shëmbull nga 2019-2023 Polonia është rradhitur e 3-ta e vëndeve më të favorizuara për Green Energy. Si pasoje, kompanitë më serioze të Silicon Valley si MICROSOFT, GOOGLE, CISCO, dhe së fundmi INTEL kanë dedikuar investime reth $ 8 miliardë duke krijuar një Silcon Valley tjetër në Poloni. Investimet e huaja në fusha të ndryshme këto katër vite kanë kaluar shumën e $108 miliardëve.
Polonia është kthyer në një nga vëndet ku jo vetëm e ardhmja e saj duket më mirë se kurrë, por diversifikimi i ekonomisë është e shtrirë, në sektorin e industrinë të aviacionit, makinave, armatimeve, inforacionit e komunikimit, teknologjisë dhe turizëm. Ky diversifikim e ndihmojnë Poloninë të përballoj çdo lloj krize. Si pasojë e diversifikimit PBB (Produkti i Brendshëm Bruto) si edhe të ardhurat mesatare për çdo qytetar janë 10-të fishuar. (referou grafikut)
SHIFRA DHE KRAHËSIME
Më poshtë vijojnë disa të dhëna në lidhje me Prodhim e Brendshëm Bruto dhe të ardhurat për fryme në një vit. Jemi munduar ti krahasojmë me vendin tonë, me qëllim të vendosim në dukje ndryshim sipas popullsive përkatëse.
Poloni• Produkti i Brëndshëm Bruto (PBB) nominal (aktual) është 688,177,000,000 dollarë (USD) që nga viti 2022.
Shqipëri• Produkti i Brëndshëm Bruto (PBB) nominal (aktual) është 18,882,095,518 dollarë (USD) që nga viti 2022.
Poloni• PBB-ja reale (konstante, e rregulluar me inflacionin) arriti në 516,451,000,000 dollarë në vitin 2022.
Shqipëri • PBB-ja reale (konstante, e rregulluar me inflacionin) e Shqipërisë arriti në 12,211,675,202 dollarë në vitin 2022.
Poloni• Norma e rritjes së PBB-së në vitin 2022 ishte 4.87%, që përfaqëson një ndryshim prej 29,161,000,000 USD krahasuar me vitin 2021, kur GDP reale ishte 598,303,000,000 dollarë.
Shqipëri • Norma e rritjes së PBB-së në vitin 2022 ishte 4.84%, që përfaqëson një ndryshim prej 661,556,783 USD krahasuar me vitin 2021, kur PBB-ja reale ishte 13,656,576,542 dollarë.
Poloni • PBB për frymë (me një popullsi prej 39,857,145 njerëz) ishte 15,743 dollarë në 2022, një rritje prej 124 dollarë nga 15,618 dollarë në 2021; kjo paraqet një ndryshim prej 0.8% në PBB për frymë.
Shqipëri • PBB për frymë (me një popullsi prej 2,842,321 banorësh) ishte 5,037 dollarë në 2022, një rritje prej 254 dollarë nga 4,784 dollarë në 2021; kjo paraqet një ndryshim prej 5.3% në PBB për frymë.
Politikat ekonomike të Polonisë, thithja e ivestimeve të huaja, tërheqja e burrimeve njerëzore nga çdo vënd i botës duhen përgëzuar dhe ndoshta edhe ne mund të nxjerim në pah disa mësime.
Në të njëjtën kohë edhe ne duhet të mendojmë nëse ka mundësi për tu afruar qytetarëve tanë atë mundësi apo oportunitet që Polonia i afron polonezeve apo edhe të huajve? Përgjigjja është shumë sa e thjeshtë por edhe e komplikuar.
Ne, si popull nuk i kemi mbajtur përgjegjës qeveritë tona gjatë 30-të viteve për politikat ekonomike të kufizuara ndaj investitoreve të huaj, kur edhe shumë herë janë bërë pengesë për ta. Jo vetëm që nuk i kemi mbajtur pergjegjës, por heshtja jonë i ka inkurajuar që të preferojnë neopotizmin, korrupsionin, rrugët e padrejta dhe jo meritokracinë. Si rezultat, Shqipëria nuk ka shumë kohë për të humbur dhe duhet sa më shpejt të ndryshojë politikat ekonomike që jo vetëm të tërheqi investime serioze të huaja në vënd por të bëj të pamundurën për të mbajtur në vënd edhe ato pak burime njerëzore të kualifikuara, sidomos brezin e ri ku shumica prej tyre e kanë humbur shpresën të ndërtojnë një të ardhme në Shipëri.
TË MENDOJMË PËR RIMËKËMBJE
Natyrisht që Shqipëria e ka përcaktuar drejtimin e saj perëndimor e demokratik, jo prej zgjedhjes së lidershipit politik, por prej vendosmërisë dhe përkatësisë natyrale europiane të shqiptarëve. Duket absurde performanca e njerëzve në politikë (rrefuzojmë t’i quajmë politikanë) që flasin dhe përgjërohen si pro perëndimorë e pro amerikanë, ndërkohë Shqipëria për shkak të tyre mbetet lindore si kulturë, si shtet e si shoqëri. Shqipëria ka ecur dhe do të eci përpara, kjo nuk ndalet edhe nëse dikush do përpiqet ta bëjë atë me keqdashje, problemi është shpejtësia e ndryshimit dhe drejtimi i zhvillimit ekonomik, këtë e kanë në dorë ata që drejtojnë e menaxhojnë vëndin. Të jenë të gjithë këta njerëz në politikë e administratë të paaftë e të paditur, pa talent e pa vizion për të ndërtuar një projekt kombëtar zhvillimi siç kanë bërë polakët?
Bujqësia dhe turizmi kanë qenë prioritetet më kryesoret në politikat ekonomike zhvillimore të shtetit Shqiptar në gjithë epokën e pas viteteve 90-të deri sot. Po si kanë rezultuar këto prioritete kombëtare për zhvillimin e vëndit? Nuk ka vend për përgjigje, ajo duket qartë, Shqipëria ështe akoma një vend i varfër dhe pa asnjë perspektivë zhvillimi kombëtar, ajo vazhdon të endet në një tranzicion pafund, dhe me shpresën e vetme për një shpëtim nga të huajt.
Një nga shtyllat e sigurisë kombëtare është prosperiteti i vazhdueshëm ekonomik e social i vëndit. Orientimi i tërë ekonomisë shqiptare drejt turizmit për një pasurim të shpejtë duket jo i arsyeshëm në kuadrin e sigurisë kombëtare. Krizat ekonomike, tensionet e brëndshme e të jashtme, konfliket e mundshme, si dhe fenomenet natyrale do të ndikojnë menjëherë në bllokimin e turizmit si motorr i vetëm i ekonomisë. Turizmi është shërbim që varet plotësisht nga fluksi i njerëzve që vijnë për të kaluar pushime. Jemi në Ballkan, me potenciale rreziku përreth, ndërvarësia mes shteteteve është shumë e ndjeshme, sentimentet nacionale janë të mprehta dhe me tendencë rritje, papërgjegjshmeria e politikanëve në shumë vënde të rajonit është problematike, konkurenca e ashpër në sektorin e turizmit e bën këtë orientim kombëtar shumë të brishtë dhe të paqëndrueshëm.
Kapacitetet e turizmit në Shqipëri janë të limituara, infrastruktura le për të dëshiruar megjithë përpjekjet e bëra përsëri nuk mjafton në thithjen e një volumi të madh turistësh. Ajo mbetet e copëzuar, pa një standart të unifikuar dhe me kapacitete të vogla operimi. Sezonaliteti i kësaj industrie në Shqipëri e bën të pamundur gjenerimin e një të ardhure të mjaftueshme për të krijuar një zhvillim të plotë dhe të qëndrueshëm si dhe ndertimin e një prosperiteti për të gjithë. Në këto kushte mbështetja e fuqishme në ketë sektor do ta lërë vendin në një stad të ulët zhvillimi, me një fuqi pune të pakualifikuar dhe vetëm në shërbime.
Eksperienca botërore ka treguar se mbështetja e tërë politikave ekonomike të një vëndi vetëm në turizëm nuk ka ngritur ndonjë vënd nga varfëria në një stad bashkëkohor, ndonëse pritshmëria është e madhe, ajo do të mbetet dicka pasive dhe nuk do të jetë e mjaftueshme për të siguruar stabilitetin ekonomik te Shqipërisë.
Si një vënd i vogël e me një ekonimi të pa zhvilluar, Shqipëria ka nevojë për frymëmarje e cila do të mundësohet vetëm duke patur lidhje të ngushta e organike me tregun global. Njerëzit janë informuar me teknologjinë, me standartet e larta të jetesës, me financimet dhe mardhëniet e biznesit me tregun e brendshëm e të jashtëm, e megjithatë prioritetet dhe politikat ekonomike të shtetit vazhdojnë akoma të mbështesin dy sektorë të brishtë si turizmi dhe bujqësia.
Ndërkohë që duhet vëmëndje e shtuar në inovacion si një nga asetet më largpamëse që është e lidhur ngushtë me shumë aspekte të jetës, ekonomisë, arsimit dhe sigurisë kombëtare. Integrimi rajonal e global me synim thihtjen e nvestimeve serioze të kompanive të mëdha është jetike për të ardhmen e vëndit. Kaluan 30 vite dhe këto emra të mëdhenj të tregut botëror nuk po e kalojnë dot kufirin e Shqipërisë, megjithëse i prekim kudo në Ballkan. Në ekonominë e vëndit duhet të krijohet një balancë organike ndërmjet tregut të shërbimeve dhe atë të prodhimit, ky rraport është akoma i pa balancuar.
Sigurimin e një zinxhiri të furnizimit (Supply Chain) solid nga burime të sigurta është vital për garantimin e funksionimit të jetës në çdo kohë e situatë që mund të na paraqitet. Rritja e vazhdueshme e kapaciteteve njerëzore, zgjerimi i fuqisë së kualifikuar punëtore dhe angazhimi i plotë i inteligjencës atdhetare është kritike për të mundësuar prosperitetin e duhur. Këto politika kanë ndjekur vëndet si Polonia duke siguruar zhvillimin gradual e të sigurtë nga varfëria në modernitet.
Me politika të gabuara ekonomike, prioritetë kombëtare pa horizont, dhe praktika teknike korruptive nuk mund të kemi një zhvillim kombëtar.
Kritika është dhe shpresë, edhe program…