• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Apatia e Shqiptarëve sipas Nebil Çikës

August 18, 2023 by s p

Melsen Kafilaj/ Studiues

C:\Users\Admin\Desktop\Nebil-Çika.jpg

Nebil Çika-I Vjetri (1893-1944)

Emri “Nebil Çika” Gjindjes nuk i thotë asgjë. Madje, si për çdo mentar tjetër “të përbuzur” prej saj si bën kurrëfarë përshtypje.Ndaj kolosëve të mendimit dhe mendimit “ndryshe” (shpesh edhe ndaj veprimeve konkrete) Gjindja është përherë apatike.Pikërisht për këtë apati të spikatur të shqiptarëve, do të shkruante mes të tjerash në veprën e tij “Njëmëndësija Shqiptare: Studim Politik dhe Psikologjik”(1943) Nebil Çika. Çika, gazetari, publicisti dhe themeluesi i “Minervës”(1932), një prej revistave letraro-kulturore më në zë të Kohës, nuk do të qëndronte duarkryq por do ti kundërvihej fenomenit në fjalë përmes fuqisë së mëndjes dhe të veprimit.Por ç’është apatia, lind pyetja?!

C:\Users\Admin\Desktop\s-l1600.jpg

                            Botimi i Parë i “Njimëndësija Shqiptare” (1943)

Apatia (ἀπάθεια), një fjalë kjo me origjinë greke, nëse i referohemi “Le Dictionnaire grec-français” të helenistit të madh francez Anatole Bailly në dy shpjegimet që ai jep ka kuptimet e mëposhtëme: 1) mungesë ndjeshmërie emocionale dhe 2) pandjeshmëri, indiferencë (Bailly, 1935:199). Por si lidhet kjo mungesë simpatie, pandjeshmërie dhe indiference me ne shqiptarët?! Çfarë përkufizimi i jep asaj dhe si e trajton Çika fenomenin në fjalë?! Ja sesi shprehet Ai:

     “Rrethi ynë shoqëror, pjellë e ndikimeve telurike (të tokës) dhe politike gjatë shekujve t’errta robërije, është tepër apathik.Apathi do të thotë pa-aftësi për tu impresionuar, për t’u emocionuar.Kjo paaftësi lind paaftësinë për vullnet, pasi vullneti është përfundimi i një lëvizjeje të ndërlikuar ndijimesh (sensacionesh) dhe idesh që luftojnë brënda nesh njëri me tjetrin për të marrë komandën.Kur s’ka emocion e vullnet jeta merr kuptimin materialistik të saj, që është ta kuptosh shoqërinë njerëzore si shoqëri shtazësh.Por jeta njerëzore s’do të qe më e lartë se ajo e kafshëve po të mos ishte një përpjekje e vazhdueshme kundrejt një frymërije (spiritualitet) sa më të kulluar që të jetë e mundur” (Çika, 2007:21).

Çika jo vetëm që gjurmon arsyen pse shoqëria shqiptare është apatike por gjithashtu ai thekson se paaftësia për të mos u impresionuar, për të mos na bërë përshtypje ngjarjet dhe fenomenet që ndodhin përreth nesh dhe mos ushtrimi i vullnetit për të ndryshuar vetveten dhe realitetin tonë, dmth squllja e këtij vullneti na ul në të njëjtën shkallë dhe na barabit me shtazët. Apatiku ka disa karakteristika specifike, të cilat autori në fjalë kujdeset që të na i përshkruaj dhe jap njëra pas tjetrës.Le ta ndjekim më tej në arsyetimin e tij:

      “Apatiku mendon vetëm për barkun e tij, për “bukën e fëmive’ si ç’do thoshte Ismet Toto ose për gradën që ka në hierarkinë zyrtare.Ky njeri i cili varet nga ata që kanë arin dhe fuqinë nuk është gjë tjetër veçse një mishërim (inkarnacion) i kuptimit materialist të jetës (Lexo: Përshtatja dhe Darvinizmi Social- shën. im).Veç kësaj, apathiku është një disfatist në fushën e përparimit kombëtar, ai ka një dokërr t’amshueshme për të mos bërë asgjë që nuk i shërben stomakut të tij delikat: “s’mund të bëhet gjë në këtë vend; s’të lënë të bësh gjë” thotë sot e njëzetë vjet më parë.Por asnjë prej apathikëve nuk u shfaq kurrë me një vepër në dorë.Por ka dhe më: apathiku është edhe mostoleronjës ;një mendim apo ide tënden, të kundërt me të tijën ai ta pret më dysh me ironi a tallje që fshehin ose shfaqin në mënyrë të nënkuptuar akuza kundër teje.Por shkaku i vërtetë i këtyre akuzave është ky: Duke qënë se apathiku  nuk punon dhe nuk lëviz aspak, pret gjithashtu që edhe të tjerët të mos punojnë dhe të mos lëvizin si ai” (f.22). 

Këto karakteristika të apatikut, sidomos në drejtim të së Mirës Publike kam pasur rastin që ti vëzhgoj nga afër në çdo protestë të Shoqërisë Civile në të cilën kam marr pjesë.Rasti më i fundit qe protesta kundër shkallmimit të Sheshit të Flamurit në Vlorë.Apatikë, të cilët në kaleidoskopin e formave të tyre njerucërore jo vetëm që na dekurajonin dhe përtallnin nëpër rrjetet sociale por madje edhe na filmonin duke na zbardhur dhëmbët pranë kafeneve teksa marshonim përgjatë Bulevardit.Ajo e cila për Ne ishte një detyrë qytetare, një përgjegjësi morale dhe gjithashtu kombëtare, për apatikun disfatist që ankohet e qurravitet Facebuqeve 24 orë në 24 me demek “për të Ardhmen e Kombit dhe Mbarëvajtjen Kombëtare” por që nuk e luan menderen nga karriget e mejháneve dhe se bën qejfin qeder  për hir të Kauzës, ishte një kënaqësi dhe spektakël i shkurtër 5-minutësh, për të hedhur në Tik-Tok e Instagram “parakalimin e të Marrëve”…Nuk ka sesi të mos bëj përshtypje dhe të vësh duart në kokë që je pjesë e një shoqërie aq apatike për fatin e së Ardhmes së vet…

Pikërisht, kjo trajtë vepruese e Apatisë të trajtuar nga Nebil Çika më erdh ndër mënd teksa të ashtuquajturit“qytetarë të kafeneve” bënin sehir me Ne dhe shpërfytyrimin e simbolit të tyre qytetar dhe kombëtar; “Sheshin e Flamurit”.Ja sesi e përshkruan mentari sarandiot fenomenin në fjalë:

         “Një nga trajtat më vepronjëse të apathisë që sundon rrethin tonë shoqëror dhe që pengon veprimtarinë mendore (vita contemplativa) dhe atë aktive (shën. im) është gogoli i kompromentimit.Kur i shfaqa aty shpejt një shoku se isha duke u përgatitur për të shkruar një libër mbi gjëndjen tonë, ky më tha: “Ç’të duhet ty kjo punë tani?! Pse të kompromentohesh kot?”Këto fjalë i kam dëgjuar shpesh.E kuptoj se ç’do me thënë.Mos të kompromentohesh do të thotë t’i ikësh një përgjegjësie të ndodhshme, të kesh frikë nga ajo dhe të rrish duarlidhur në Vëndin tënd.Eshtë, dmth t’a mohosh vetiakësinë tënde, është të jesh rob, është të vesh pas një ere që mund të fryj nesër, është një hesap egoist dhe paralizonjës që bën për të qënë gati për çdo gjë që mund të ngjasë; është pra, ta mendosh veten tënde të shtrenjtë e të shenjtë dhe ti ikësh detyrës që ke si pjesëtar i një shoqërie e cila pret të ndriçohet dhe të ndryshohet (shën.im) prej teje”(f.22)

“Qytetarët e kafeneve”, në pandjeshmërinë e tyre të ftohtë ndaj Publikes por edhe nga frika e gogolit të kompromentimit zgjodhën që të bënin sehir dhe të na duartrokisnin, tamam si ata spektatorët e lindur për Shoqërinë e Spektaklit.Apatikët, një shoqëri e cila në fakt duartrokiste mbi arkivolin e saj.Edhe artistët më të mëdhenj të Artit Makabër (L’Art Macabre) do ta kishin zili si tablo.Ndërsa, Ne të kompromentuarit…

Por përse vazhdojmë të shkruajmë ende teksa jemi të vetëdijshëm që qarkohemi nga ky rreth  indiferentësh?! Përgjigjia jonë shkrihet së bashku me atë të Nebil Çikës: “Nëse pra, unë po e marr edhe sot pëndën në dorë, këtë e bëj sepse më shtyn gaileja e së nesërmes, jo vetiake por kombtare.”

                                                                                                                          © Melsen L. Kafilaj

Filed Under: ESSE Tagged With: Melsen Kafilaj

KUR GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU TROKITI NË PORTAT E BASHKIMIT EVROPIAN NË BRUKSEL

August 18, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence 

Ishte fillimi i shtatorit 1968 — 55-vjetë më parë — kur diaspora anti-komuniste shqiptare nga Evropa Perëndimore dhe Amerika, ngriti përmendoren e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve dhe “Shpëtimtarit të Evropës”, Gjergj Kastriotit  – Skenderbeu në Bruksel të Belgjikës – kryeqytetin aktual të Bashkimit Evropian (BE).  Ai vit, shënonte edhe 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe Frank Shkreli: Gjergj Kastriot Skënderbeu, i përgjithmonshmi i fisit shqiptar |  Gazeta Telegraf – Vetëm një vit më heret, në 1967, (tre institucionet ekzistuese evropiane të dala nga Traktati i Romës, nënshkruar në 1957 (Traktati i Romës, Komuniteti Ekonomik Evropian dhe Komuniteti Evropian për Energjinë Atomike) u bashkuan, zyrtarisht, në entin e quajtur Komuniteti Evropian. Ishte fillimi i Bashkimit Evropian, siç njihet sot, themeluar në bazë të Traktatit të Maastricht-it, të vitit 1992.

Ishte një rast i volitshëm historik dhe një përpjekje strategjike nga ana e diasporës anti-komuniste shqiptare në Belgjikë dhe të emigrantëve të ardhur edhe nga shumë vende të tjera evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, për të pasqyruar para Evropës meritat dhe konributet e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, për shpëtimin e Evropës nga hordhitë osmane.  Nuk mungonin as emigrantët nga Kosova shqiptare, për të kujtuar rëndësinë e asaj dite, jo vetëm për Kombin shqiptar por edhe për mbarë Evropën. Në Bruksel ishin mbledhur rreth 2500-veta, përfshir zyrtarë të lartë politikë dhe përfaqsues të enteve shtetërore belge, sipas përllogaritjeve në shtypin e emigracionit shqiptar të kohës, përfshir revistën prestigjoze “Shejzat” e Ernest Koliqit, e cila botonte një reportazh prej 5-6 faqesh kushtuar vendosjes së përemndores së Gjergj Kastriotit -Skenderbe në Bruksel me 2 shtator, 1968. Korrespondenti i saj nga Brukseli raportonte për atmosferën entuziaste dhe ndjenjat e fuqishme gëzimi dhe krenarie kombëtare të shqiptarëve jashtë Atdheut, të mbledhur pranë monumentit të Heroit të tyre kombëtar mu në kryeqendër të Evropës, në Bruksel. Sipas shtypit të kohës, ajo ditë karakterizohej nga një mot i kthjellët që i dha një shkëlqesim të këndshëm asaj ceremonie të përurimit të përmendores së Heroit të Shqiptarëve – ndoshta e para e këtij lloji në Evropën kontinentale deri atëherë, me përjashtim të përmendores së Kryetrimit Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në Piazza Albania të Romës, që ishte ngritur dekada më heret.

Monumenti i Skënderbeut në Bruksel është ngritur në vitin 1968 me fondet e mbledhura nga mërgata shqiptare në Belgjikë dhe Amerikë. “Me vullnet të papërkulur dhe me zell të paprerë, kolonia shqiptare e Belgjikës ia doli, më në fund, qëllimit me ngreh midis Brukselit — një qytet ndër më të parët e Evropës – një përmendore të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Fatosi, që është emblemë e virtyteve të Kombit shqiptar, u nderua në mënyrë të veçantë nga Shqiptarët e Belgjikës…duke lartësuar emrin e Atdheut, sepse çdo kalimtar vendas a i huaj, duke kaluar aty afër, detyrohet t’i hedh një sy Mbrojtsit arbënuer të Qytetërimit perendimor…”, shkruante korrespondenti i revistës Shëjzat nga Brukseli.

A group of people standing together

Description automatically generated

Me këtë rast janë mbajtur fjalime nga përfaqsues të autoriteteve politike dhe fetare belge si edhe nga përfaqsues të emigracionit anti-komunist shqiptar në botën e lirë.  Fjalimin kryesor në përurimin e përmendores së Gjergj Kastriotit – Skenderbe në Bruksel (1968) e mbajti Monsinjor Emile Dejardin, një mik i përkushtuar i shqiptarëve, pa dallim feje e krahine. Pas Luftës së II Botërore, Monsinjori belg kishte mësuar për fatin e keq dhe vuajtjet e shqiptarëve anti-komunistë të përhapur nepër kampet e refugjatëve anë e mbanë Evropës. Në vitin 1956, ai themeloi një program përmasash të mëdha për t’i rivendosur këta refugjatë në Belgjikë. Përveç strehimit, Monsinjor Dejardin ndihmoi mijëra refugjatë shqiptarë të pas luftës të siguronin punësim, edukim për fëmijtë e tyre dhe mbulimin e të gjitha nevojave të jetës në vendin e tyre të ri. Shqiptarët, pa dallim, si myslimanë ashtu dhe të krishterë e respektonin shumë Monsinjorin Dejardin për ndihmën dhe kujdesin që ai kishte treguar për ta.  Monsinjori belg, jo vetëm që përkujdesej për mirëqenjen materiale të refugjatëve shqiptarë, por kleriku katolik belg ishte një mbështetës i fortë i identitetit kombëtar, kulturor dhe fetar të tyre. Nga shumë përpjekje të shumta të tija në këto fushë, një ndër ndihmat e mëdha ishte organizimi për të vendosur monumentin e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Bruskel, në vitin 1968.

Ceremonia e ianugurimit të përmendores është shoqëruar me një program të pasur artistik, muzikor dhe folkloristik. Janë recituar vjersha patriotike dhe është shfaqur akti i parë i dramës, “Skenderbeu” i Etëhem Haxhiademit —Frank Shkreli: Në kuadër të 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit, kujtojmë Ethem Haxhiademin | Gazeta Telegraf –    Ndërkaq, të pranishmit – shqiptarë dhe të huaj –  kanë shijuar tingujt e këngëve kushtuar Skenderbeut e Bajram Currit, të grupit muzikor të ardhur enkas nga Kosova, të udhëhequr nga Qamili i Vogël, ndërsa janë kënaqur edhe me performancën e një orkestre belge.

Inaugurimi i përmendores së Gjergj Kastriotit -Skenderbe në Bruksel  (1968) ka qenë një trokitje në portat e Evropës së asaj kohe — ishte një akt patriotik i emigrantve shqiptarë të shpërndarë nga komunizmi, anë e mbanë botës – kundërshtarë të regjimit komunist — për t’i treguar Evropës dhe botës se shqiptarët, megjithë regjimin e atëhershëm anti-perendimor në Tiranë – me vlerat e Gjergj Kastriotit Skenderbe, Kombi shqiptar, me të kaluarën e tij të lavdishme, është i denjë për një të ardhme më të mirë, si pjesë përbërse e pandarë e botës perëndimore demokratike euro-atlantike.  Ky ishte edhe mesazhi që diaspora shqiptare anti-komuniste e vitit 1968 – pa dallime feje, krahine e ideologjie – megjithëse shpesh e ndarë dhe e përçarë politikisht – me këtë rast ishte e bashkuar rreth Gjergj Kastriotit – Skenderbe, shembullit dhe rolit të tij historik, përbashkues kombëtar.

Prandaj, sot 55-vite më vonë, ia vlen të kujtojmë duke u bashkuar me një koment mirënjohjeje, siç ishte shprehur, me atë rast, Redaksia e revistës “Shëjzat” e Ernest Koliqit për të kujtuar dhe “përgëzuar me ndiesi të gjallë mirënjohjeje, Shqiptarët e Belgjikës, që arrijtën me ngreh midis Evropës një shenjë Shqiptarizmi, i cili u tregon të huajve qenjen tonë si komb dhe fisnikinë e vlerave tona shqiptare…vendosja e nji shtatorje bronxi kushtuar Skenderbeut… nga nji grup me fuqi të kufizueme të nji rrethi mërgimtarësh, që kishin humbur Atdheun dhe çdo gja tjetër në ‘të – ashtë nji mrekulli që dëshmon gjallninë e palcit tonë etnik dhe përjetësinë e shqiptarizmit, të cilin as vargu ma dërmues i krajatave historike nuk arrijti t’a mposhti.”

Bashkimi dhe vëllazërimi kombëtar, mbi ndasitë dhe përçarjet e ndryshme politike, ideologjike dhe personale — ishte objektivi kryesor i Gjergj Kastriotit – Skenderbe.  Me vlerat e veta të besës, bashkimit e vëllazërimit, Gjergj Kastrioti vazhdon të trokas në portat e Evropës, në emër të shqiptarëve, mu aty në Bruksel, në kryqendrën e Evropës së bashkuar. Fatkeqsisht, fjalët e tija bien në veshë të shurdhër dhe portat e Evropës nuk po hapen për shqiptarët.  Po, për shqiptarët sot, a është Skenderbeu simbol bashkimi, bese e vëllazërimi? Çka po ndodhë sot me “gjallëninë e palcit tonë etnik dhe përjetësinë e shqiptarizmit”?

Frank Shkreli

undefined

Statuja e Heroit të Kombit Shqiptar, Gjergj Kastriotit –Skenderbe, 1968 Me mbishkrimin në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe flamançe: “Gjergj Kastrioti – Skanderbeg, 1405-1468. Në Pesëqindvjetorin e vdekjes së Heroit Kombtar, Prijsit zamadh të Shqiptarëve, Mbrojtësit t’ Atdheut e të Qytetrimit Evropian, në shenjë mirënjohjeje, këtë përmendore, mërgata shqiqptare në botën e lirë, ia kushton, 17 Janar, 1968”.

A black and white photo of a building

Description automatically generated

Përmendorja e Gjergj Kastriotit Skenderbe në një shesh të Brukselit – kryeqëndrës së Bashkimit Evropian (BE) –

*  Fotot nga revista Shëjzat, 1968, 7-12

A drawing of a person with a sword

Description automatically generated

Vizatim për një shtatore të Gjergj Kastriotit-Skenderbe nga artisti shqiptar në mërgim Ibrahim Kodra

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Largpamësia e albanologut Peter R. Prifti për Kishën Ortodokse në Shqipëri 

August 17, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Në përkujtim të përvjetorit të vdekjes së Peter R. Priftit (17 gusht 2010) vlen të sjellim në mend përkushtimin e tij ndaj studimeve albanologjike si model i një intelektuali të përsosur si edhe një atdhetari të rrallë. Studimet e tij, të cilat përfshijnë një gamë të gjerë të shkencave politike e sociale, janë botuar në gjashtë vëllime pa llogaritur punimet shkencore si bashkëautor veç shumë shkrimeve të tij në revista profesionale e gazeta të njohura në Amerikë. Përsa i takon kohës në Vatër, ai, në vitin 1958, u emërua bashkëeditor i gazetës Dielli dhe më pas kreu vetëm për një vit (1959-1960) detyrën e Sekretarit të Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra në Boston nën Kryesinë e të përndriturit Fan Noli. 

Peter Prifti është anëtar nderi i Departamentit të Gjuhësisë të Universitetit të Kalifornisë në San Diego. Ai është autor i disa vëllimeve në shqip dhe anglisht si: Confrontation in Kosovo: The Albanian-Serb Struggle, 1969-1988, Remote Albania – The politics of isolation, Land of Albanians – A Crossroads of Pride and Pain, Unfinished Portrait of a Country, Mozaik Shqiptar e të tjera.

Në ditën e përvjetorit të vdekjes, është me rëndësi të lexohet letra e tij drejtuar Presidentit të atëhershëm të Shqipërisë z. Sali Berisha. Në të autori ngre zërin dhe argumenton qëndrimin e tij kundra emërimit të dhespotit grek Janullatos si kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqipërisë dhe “shenjtërimin” e tij aty. E shkruar në Korrik të vitit 1992, letra ilustron mprehtësinë analitike, largpamësinë mendore përballë llogaritjeve politike dhe shpalos atdhedashurinë e një mërgimtari që ndonëse jetonte në Amerikë ishte thellësisht dhe deri në fund i përkushtuar ndaj vendit të tij të lindjes. 

Figura e Peter Priftit mbetet nga më të shquarat e diasporës shqiptare në Amerikë.

Shënim: Letra i takon arkivit të familjes Prifti. Ribotimi i plotë apo i pjesshëm pa miratimin e familjarëve është i ndaluar dhe i ndëshkueshëm me ligj.

Filed Under: Histori Tagged With: Peter Prifti, Rafaela Prifti

Një reflektim teorik, mbi “laissez-faire urbanistik” në Tiranën e kullave

August 17, 2023 by s p

Prof. Enriketa Papa/

Po ndjek marrëzinë e vizionit “post-modern” të zhvillimit urban të Tiranës ku “po ndërtohen kulla bazuar në marrëdhënie të sipërmarrjes së lirë mes pronarëve dhe investitorëve privat”. Qasje që shkruhen/reflektohen/justifikohen më 2023, dhe që pasqyrojnë mentalitetin e shek 19, ku besimi në “pa-limit” të zgjerimit dhe rritjes urbane, shpjegohej me besimin e progresit të “të bërit bisnes të lirë”. Kufizimet në planifikim urban konsiderohen arbitrare tek justifikohen me ekonominë e lirë të tregut që s’mund të kufizohej në ushtrimin e saj.

Kjo marrëzi e “laissez-faire urbanistik” më 2023, lë në hije aspektin social të zhvillimit organik të një qyteti dhe nevojave të qytetarëve të tij. Pikërisht ky aspekt u konsiderua që në fillimet e shek 20 edhe nga arkitektët si një mpleksje multidisiplinore dhe jo vetëm arkitekturore.

Në fillimet e shek 20 qasjet teorike mbi “urbanizmin si mënyrë jetese” (Louis Wirth) ishin epitomat e shtjellimit të modernizimit.

Ndër diskurset sociale mbi urbanizmin dhe ndikimin e tij mbi jetën sociale dhe komunitatare në qytet, per shembull Lewis Mamford, shtjelloi konceptin e tij mbi “qytetin si teatër i jetës sociale” ku aspekti fizik i një qyteti, konsiderohej, aspekt sekondar, ndaj ai do të duhej “të plotësonte nevojat dhe funksionet sociale të njerëzve”.

Ndërsa Le Corbusier, arkitekti i modernizmit, përkundrejt qasjeve teorike mbi “qytetin modern”, e konceptonte arkitekturën si një loje të drites dhe trupave te ngurte. Për Le Corbusier, ishte detyra e arkitektit t’u japte jete siperfaqeve te ketyre trupave.

Produkti i qasjes së tij mbi planifikimin urban modern dhe “qytetin ideal bashkohor”, gjithësesi parashikonte që një qytet bashkohor, dhe ideal në mishërimin e parimeve të tija moderne, herë herë abstrakte, mbi arkitekturën dhe urbanizmin modern do të ishte ai me 3 ml banorë. Në të, Le Corbusier konsideronte

•Zhbllokimin e qendrës/qendrave të qytetit

•Shtimin e dendësisë

•Rritjen e numrit të mjeteve të transportit drejt qendrës

•Shtimi i parqeve dhe i hapësirave të hapura.

Në qendër të qytetit do të ishte stacioni qendror me gjithë infrastrukturën e tij të transportit.

Në drejtim veri-jug, lindje-perëndim do ishin arteriet kryesore të trafikut me rrugë të gjera.

Midis qiejgërvishtësve do të kishte sipërfaqe të mëdha të hapura, në të cilat ishin vendosur parqet dhe bulevardet e gjera. Këtu do të ishin vendosur kafenetë dhe restorantet, dyqanet e luksit, shtëpitë dhe apartamentet e shtrenjta. Aty duhet të ishin dhe teatrot, kinematë e institucionet e artit e kulturës. Po ashtu dhe parkingjet e makinave.

Qiejgërvishtësit do të shërbenin eskluzivisht për qëllime bisnesi.

Në qytet do ishin dhe godinat e administratës publike, muzeumet, zyra bashkiake dhe komunale. Më tutje në të ishte parku (qendror), që do të shdërtohej në mushkërinë e qytetit.

Në anën e arteries kryesore trafiku duhet të vendoseshin magazinat e mëdha (malls) dhe lagjet industriale me stacionet e tyre të mallrave.

Përqark këtij qytetit duhet të ishin zona e mbrojtur me pyje dhe fushat e gjelbërta.

Qyteti i Le Corbusier do të kishte 24 qiejgërvishtës.

Filed Under: Ekonomi

#SiSot, më 17 gusht 1911, ndërroi jetë veprimtari i Rilindjes Kombëtare, Petro Nini Luarasi

August 17, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Mësimet e para në gjuhën shqipe i mori kur ishte nxënës në shkollën e Qestoratit nga mësuesi Koto Hoxhi. Në vitin 1887 hapi në Ersekë shkollën e parë shqipe dhe përgjatë vjetëve 1892-1893, shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës dhe të Vakëfeve. Ishte mësues dhe drejtor i Mësonjtores Shqipe të Korçës (1893) dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911).

Mërgoi në Amerikë dhe u bë nismëtar i shoqërive patriotike “Malli i Mëmëdheut” dhe “Pellazgu”. Ishte deleagat në Kongresin e Dytë të Manastirit. Bashkëpunoi me organet “Bashkimi i Kombit” (Manastir), “Drita” (Sofje), “Kombi” (Boston), “Iliria” (Selanik). Në veprën “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit” (Manastir, 1911) mbrojti të drejtat e popullit shqiptar për kulturë kombëtare, duke e quajtur dijen dhe kulturën “shpirtin e mëmëdheut”. Për shkak të veprimtarisë patriotike, arsimore, shoqërore dhe propaganduese, u përndoq nga Xhonturqit dhe Patriarkana e Stambollit.

Bashkëlidhur, dekreti për t’i dhënë Petro Nini Luarasit titullin “Mësues i Popullit” dhe Urdhrin eLirisë të Klasit të II-të.

#ArkivatKujtojnë

#ArkivatFrymëzojnë

#PetroNiniLuarasi

#AQSH

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1510
  • 1511
  • 1512
  • 1513
  • 1514
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT