• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Masakra e komunistëve në Qafën e Valmirit

August 17, 2023 by s p

Bujar Leskaj/

Në 17 gusht 1949, në Shpal të Mirditës dhe pikërisht në Qafën e Valmirit, komunistët në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Bardhok Bibës, kryen një masakër të vërtetë.

Në një gjyq të inskenuar u varën 4 dhe u pushkatuan 10 burra të pafajshëm, ndërsa 3 të tjerë vdiqën në burgjet komuniste. Ky krim, që u krye në prani të 2500 burrave e grave mirditore, u pasua me arrestimin dhe dënimin e 500 të tjerëve dhe internimi i 300 familjeve.

Kjo masakër (e drejtuar nga diktatori Enver Hoxha dhe krimineli Mehmet Shehu )u pasua nga një persekutim dhe gjenocid ndaj një krahine të tërë, që do të vazhdonte për 45 vite rresht.

Nderim përjetë martirëve antikomunistë!

Sot, 74 vite pas asaj masakre, ende kërkohet drejtësi!

TË VRARËT E MASARKËS SË VALMIRIT

Preng Ded Kola, Orosh, varet në litar.

Pjetër D. Vila, Kaçinar, varet në litar.

Dodë Mark Biba, Kthellë Epër, varet në litar

Pjetër Paloka, Kaçinar, varet në litar

Nikollë Bardhok Bajraktari, Rrëshen, pushkatohet.

Llesh Gjon Mëlyshi, Malaj, pushkatohet.

Nikoll Llesh Bajraktari, Orosh, pushkatohet.

Ndrecë Mark Ndoj, Kaçinar, pushkatohet.

Bardhok Dodë Gjini, Prosek, pushkatohet.

Gjok Gjin Kaçi, Bukmirë, pushkatohet.

Gjergj Beleshi, Kthellë Epër, vritet për të vëllanë, Dodën.

Ndoc Gjet Çupi, Blinisht, pushkatohet.

Preng Shkurt Nikolli, Orosh, pushkatohet.

Frrok Mata, Kaçinar, pushkatohet.

Në vitin 1993 nga Presidenti Sali Berisha, viktimat e kësaj masakre i ka shpallur “Martirë të Demokracisë”, ndërsa në vitin 2017 Presidenti Bujar Nishani u ka akorduar “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.

Filed Under: Histori

“KUJTESA E UJIT”

August 17, 2023 by s p

Prof.Shemsi Krasniqi/

“Kujtesa e ujit” është titull shumë atraktiv për ekspozitë artistike, por edhe një koncept artistik shumë i veçantë i Halil Matoshit. Pikturat e tij, përveçse të bukura e domethënëse, me mesazhin e tyre prekin shqisën, mendjen dhe imagjinatën, e sidomos prekin kujtesën – kujtesën sociale për ujin, për çeshmet bri udhëve, krojet e katundeve, shadërvanat dhe fontanat e qyteteve, lumejt, urat, mullinjtë, ujëvarat dhe gajzerët, shiun dhe rrebeshet e tij, lotin dhe rrebeshet e kohës…

Halil Matoshi, n’këtë rast si piktor, përmes ekspozitës personale na i përkujton të mirat e ujit, bukurinë, por edhe fuqinë e tij, madje edhe të currilave të tij, te cilët gërryejnë, shpojnë dhe lënë gjurmë të pashlyeshme aty ku dalin, ku rrjedhin dhe kah shkojnë. Në secilin punim të tij, currilat e ujit shfaqen si një shenjë artistike dhe njëkohësisht semantike, si një kujtesë për kêtë burim jete, për këtë resurs planetar, i cili rrjedh kudo nëpër damarët e Tokës, por për të cilin përsëri ndihet mungesë. Uji pra prej vetë natyrës së tij, rrjedh, rrjedh teposhtë kudo e kahdo, derisa prehet diku në det a oqean; e pikturat e Halilit, përkohësisht e ndalin atë në kujtesën tonë. E ndalin aty, jo vetëm si nostalgji dhe estetike, por edhe si ekologji, si mjedis jetësor, si esencë dhe ekzistencë. E ndalin aty për të na përkujtuar që të kemi drojën përherë për të, për këtë kusht jetese, pasuri natyrore, përvojë, nevojë dhe punë njerëzore, e të mos harrojmë, edhe lojë fëminore. Uji është realiteti dhe identitet i vetë kësaj jete, kësaj bote dhe kësaj Toke.

Ekspozita e Halil Matoshit “Kujtesa e ujit”, veç tjerash, na thot se n’kujtesën tonë, si një reminishencë, rri uji, ose se paku, rrijne gjurmët e pashlyeshme të tij …

Faleminderit Halil për ekspozitën dhe për librin “The Lil’s poem”, t’cilin s’ke se si mos me e lexu! Pata kënaqësinë që bashkë me Sadikun ta vizitoja këtë ekspozitë dhe ta merrja librin si dhuratë!

Filed Under: Reportazh

Si In memoriam për Albert Vërrinë

August 17, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

“Skulptori” i karaktereve në skenë,

Mjeshtri i mbikombëtares në Vlorë.

Sot në mendjen time, rivetëtiu shfaqshëm Albert Vërria. Ky artist, me ndikim të fuqishëm në jetën publike të Vlorës dhe me jehonshmëri vijuese në jetën dhe kujtesën artistike dhe aktruese të Shqipërisë, gjatë 70 viteve të shkuara dhe atyre që pasojnë.

Deri në çastin kur u “fsheh nën dhe”, aktori Vërria nuk iu nda qytetit të Vlorës duke i shtuar historisë kulturore të qytetit që tejkalon imazhin për të, edhe një fakt me peshë artefakti:

Teatrit dhe kinematografisë shqiptare, artisti Vërria u dhuroi talentshëm një galeri vetiake. Kjo galeri e bollshme me role dhe karaktere, spikatëse dhe atipike, si në lartësinë e talentit të vet, është hiseja e shqueshme e pavdekësisë që shenjohet me emrin e tij.

Qysh prej fillimit të viteve ’60, në Teatrin e Vlorës që tashmë mban emrin ” Petro Marko”, Albert Vërria mishëroi dallesat mes rolit të ri dhe pasuesit.

U lartësua në këtë artbërje, duke ia dalë të respektojë veçoritë e substancës jetësore në art dhe të vlerës artistike si specifikë e jetës. Në rolet e Vërrisë ngjet si në vargun e Rudyard Kipling:” Lindja është Lindja, Perëndimi është Perëndimi”. Xha Sulua tek ” Kapedani” është karakteri më potencial në kinokomedinë shqiptare.

I ngjashëm me ikonat e kinokomedisë italiane dhe franceze të viteve ’70 apo ’80.

Artisti Vërria është si xha Sulo, në aktin e vet artistik më triumfal. Skaliti një karakter aq tipologjik përmes një aktrimi modern e të përkorë. E imponoi shoqërinë dhe publikun (aq diversiv shqiptar), të qeshte dhe të rishihte me sytë e mendjes bashkëjetesën me brenditë dhe mendësitë obskurante e feudale, arkaike dhe ekstraurbane. Projektoi përmes peshës aq sarkastike të rolit të vet, se ishte jo vetëm artist i talentuar, por veçanërisht i rëndësishëm.

Nuk ka në rolet dhe karakteret mishëruese të Vërrisë elemente dhe substancë jashtëartistike.

Është aq pranë kësaj mundësie në rolin e Nuri Beut tek filmi “Koncert në vitin ’36”, por i mërgohet me aq elegancë dhe sharm, sa në memorien e publikut vijon të mbartet imazhi potent i atij karakteri si personazh kinematografik dhe si tip shoqëror përveçueshëm.

Albert Vërria i ndau rolet- karaktere që solli, përgjatë çdo interpretimi, me talentin dhe cilësitë unike të plastikës aktoriale. Sepse jetonte jo vetëm me ambicien krijuese e estetike, por veçanërisht me korpusin e brendshëm të kulturës, interesimit dhe dijes për galeritë jashtë tij dhe për empathitë që i mbartte si qytetar. Këto të fundit në ndërgjegjen e tij shëmbëllenin me një bahçe të papërsëdytë.

Artisti Vërria ishte armik i kaosit dhe i së paplotës në lojën dhe rolin e vet aktoresk apo kinematografik. Përmes episodit apo qoftë edhe së pjesëshmes, realizonte imazhin dhe siluetën e plotë të protagonistit pa protagonizëm skenari, të personazhit pa hapësirën e të shqueshmit, por që mbeti e shqueshme për shkak të ustait që e lozi.

Mjafton që lexuesit duke ndalur një çast shikimet në portretet e fiksuara nga celuloidi i kamerave në kohën e ” Kinostudios”, të vërrejë dhe natyrshëm të rigjejë, në frizerin e kujtesës së vet, portretet dhe karakteret e galerisë së Vërrisë.

***

Ka kohë që në Vlorë nuk ndihet as zëri dhe as hapi i Bertit, por vijon koha që e mban të shqueshëm Vërrinë e rëndësishëm. Atë zotni Bertin, që bëri një art dhe na dhuroi interpretim dhe që nga amëshimi, na imponon të saktësojmë se:

E kemi një rast artisti dhe personaliteti, prej vlerash të peshës dhe dimensioneve në nivel mbi kombëtar.

Filed Under: Kulture Tagged With: aleksander Cipa

“Atdheu është ajo gjë që të mungon sa herë që thua me krenari ‘I am Albanian’.”*

August 16, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

#SiSot, më 16 gusht 2019, u shua gazetari i spikatur, historiani, publicisti dhe pedagogu, Fatos Baxhaku.

Përmbi këto cilësime, Baxhaku ishte atdhetari i përveçëm, që përmes penës së tij autentike përshk(r)oi Shqipërinë thuajse pëllëmbë për pëllëmbë, portretizoi gjindjen dhe si një mentor për të qenë, la pas arketipe të gjinisë së reportazhit të shkruar dhe televiziv. Ngase i çmonte skrupujt, në vend të lamtumirës na kushtoi një doracak të vyer mbi atdhedashurinë (*thënia cituar në krye është e shkëputur prej këtij udhëzuesi).

Përgjatë vjetëve 1982-1986 ndoqi studimet në degën e Historisë, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë. Duke nisur nga viti 1986 e deri në vitin 1992, punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Në intervalin e vjetëve 1993-1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”. Më tej, pati detyrën e kryeredaktorit në televizionet private kryesore.

Baxhaku ishte autor dhe bashkëautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpa e Vjetër” (Digitalb), si edhe i shumë dokumentarëve. Në fushën e botimeve, publikoi “Shoqëritë e Masave Fisnore të Shqipërisë së Veriut”, “Gur” (reportazhe), “Guidë për Shkodrën”, “Në Mirditë & rreth e rrotull”, “Roje”, “Çadra e kuqe: histori fatesh austro-shqiptare në shekujt XIX –XXI”, “Gra të të përgjithshme” 2014 (me bashkëautore Klodiana Kapo) dhe “Në emër të Noes”, botuar një vit pas ndarjes së tij nga jeta.

Më poshtë, paraqitet korrespondenca mes Institutit të Historisë me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për shfrytëzimin nga Baxhaku të dokumenteve lidhur me temën: “Historiku i coptimit të trojeve shqiptare 1876-1881”.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#FatosBaxhaku

#AQSH

Filed Under: ESSE

INTELEKTUAL I URTË DHE LARGPAMËS

August 16, 2023 by s p

Shkruan: Nuhi Bytyçi/

ME RASTIN E VDEKJES SË ZENEL KELMENDIT.

Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi, këto ditë humbën një intelektual,  mjekun e shuar, humanistin, profesorin universitar, ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës plot 2 mandate, Prof. Dr. Zenel Kelmendin. Bashkëkombasit tanë, sidomos mjekët, profesorët dhe studentët e Universitetit të Prishtinës, do ta mbajnë në mend Kelmendin si njeri të heshtur, të qetë, të urtë, por mjaft energjik, largpamës dhe atdhetar. Kam pasë rastin dhe nderin që ta njoh drejtpërdrejt qysh në vitet nëntëdhjeta, kur Prof. Zenel Kelmendi ishte ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe sidomos kur mori detyrën e Rektorit të Universitetit të Prishtinës në fillim të vitit 1998. Në rrethan të okupimit me punën dhe vendosmërinë e tyre dëshmohen njerëzit, sidomos intelektualët, të cilët kishin detyra shtesë, më me përgjegjësi për të udhëhequr me institucionet e arsimit dhe institucionet e tjera. Kelmendi e kishte çmuar lartë edhe kontributin e Rektorit historirik të Universitetit të Prishtinës, të Universitetit të rezistencës Prof. Dr. Ejup Statovcit: “Vitet e punës dhe të udhëheqjes së Profesor Ejup Statovcit në Universitetin e Prishtinës janë vite të shpresës, rendi e mbijetese përballë okupimit dhe vite krenarie për ne dhe për Universitetin e Prishtinës”.                 Pas përfundimit të mandatit të rektorit Statovcit, Zenel Kelmendi gëzonte përkrahjen e studentëve dhe profesorëve të Universitetit, veçmas të liderëve të Uniionit të Pavarur të Studentëve, të cilët kishin ndikim të madh në zgjedhjen e tij rektor. Ai bashkë me rektorin Prof. Dr. Ejup Statovci dhe profesorët e tjerë mbështeti fuqishëm protestat e njohura studentore e gjithëpopullore të 1 tetorit të vitit 1997. Ndërkaq, në Kuvendin e Unionit të Pavarur të Studentëve të UP-së, mbajtur më 15 janar 1998, Rektori Kelmendi ka mbajë edhe një fjalë rasti, ku konfirmon rëndësinë e protestave të tilla, duke thënë: “Aktiviteti i UPSUP, i dha kahe të nevosjhme të rrjedhave kombëtare.  Ju drejtuat me guxim intelektual, me elan rinor dhe me vendosmëri drejtuat me sukses vrullin tuaj të ndritur për realizimin e  synimeve tona për Kosovë të lirë e të pavarur. Ishin protestat e 1 tetorit 1997, të cilat mbushën të gjitha rrugët e kryeqytetit, mahnitën botën me organizim dhe seriozitet dhe zgjkuan shpirtin kryengritës të çdo shqiptari.”

Rektori Kelmendi i ka mbështetur luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veçmas studentët e Universitetit të Prishtinës, duke u shprehur: “Nuk mundem ta anashkaloj dhembjen, por edhe krenarinë për ata studentë që ranë në fushën e betejës për liri, si dhe nuk mundem pa i përshëndetur dhe shprehur përkrahjen e hapur për vajzat dhe djemtë, studentë tanë, të cilët të ngjeshur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po e mbrojnë nderin, krenarinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës, duke luftuar për mbrojtjen e atdheut.”

Ishte rektori Kelmendi, i cili propozoi dhe Senati i UP-së mori vendim që studentët nga zonat e luftës të mbështeten, duke u liruar edhe nga pagesat e ndjekjes së studimeve. 

Gjatë luftës, në prill të vitit 1999 e kam takuar Profesorin Kelemendi bashkë me Hajredin Kuçin në Tiranë për të transmetuar në Lajmet e Programit satelitor të TV Shqiptar një informatë për takimet e tyre me përfaqësues të institucioneve evropiane dhe amerikane, të cilat si më thanë ata ishin mjaft me interes për mbështetjen e Universitetit shqiptar të Prishtinës.

Pas çlirimit të Kosovës dhe largimit të forcave militrare dhe të administrates serbe  nga Kosova, më 2 gusht të vitit 1999, para Fakultetit Filologjik në Prishtinë u mbajt tubimi solemn i studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Prishtinës. Edhe me këtë rast, në fjalën e tij rektori Zenel Kelmendi, vlerësoi lartë kontributin e studentëve dhe profesorëve të UP-së gjatë luftës për liri e pavarësi. Ai do të shprehej: “Të dashur studenrtlë, të dashur profesorë, mirë se vini në Universitetin e  lirë të Prishtinës! Ju përgëzoj për këtë ditë të madhe. Urime dhe me fat! Kam privilegjë të veçantë që tu dëshuiroj kthim të mabrë të gjithëve, veçmas atyre djemëve dhe vajzave, pjestarë të Ushtrisë sonë çlirimtare, që me guxim dhe meçuri udhëhoqën dhe mbrojtën vendin tonë të shenjtë, Kosovën tone të bukur, ngritën nderin dhe lavdinë kombëtare para popullit, botës dhe para Zotit. Në mënyrë të veçantë shpreh nderimet për ata studentë që ranë në altarin e  lirisë, për ata që me jetën e tyre shënuan pavdeksinë, jo vetëm prë veten, por edhe për kombin.  

Vitet që shkuan ishin tejet të rënda, rrallëherë në historinë moderne, vitet më të vëshrtira të Universitetit tonë të ri. Mirëpo, ato ishin edhe vite kur u shënuan vargje të histories sonë më të lavdishme kombëtare.   Universiteti ynë ndau fatin bashkë me popullin të cilit i takon, për të cilin punon dhe frymon. Ne vazhduam punën, jetën ndaj pavdekshmërisë, mbijetesën ndaj vdekjes dhe punuan, jetuam e mbijetuam. Populli na ndihmoi, na i liroi shtëpitë që u shndërruan në qendër universitare, në një kala, prej nga fuqishëm mbrohej interesi kombëtar përballë okupimit të egër serb. Ne sot jemi Universitet i lirë i Prishtinës dhe do të jemi gjithnjë. Ne jemi për një Universitet të lirë, të hapur për të gjithë që jetojnë në Kosovë, Universitet me kritere të botës moderne, të jemi përkrah universiteteve tjera botërore. Pres nga ju që të mbani gjallë jetën dhe punën studentore, të përgatiteni për kohë të reja, për shekullin e ri, për ndërtimin e Kosovës sonë të lirë e të pavarur dhe realizimin e  synimeve tona shekullore.”

Fjalët e Prof. Dr. Zenel Kelmendit buronin nga shpirti i tij prej intelektuali të vërtetë, të guximshëm dhe atdhetar. 

 Vitet e fundit të jetës së tij Zenel Kelmendi ishin mjaft të vështira sa i pëket gjendjes shëndetësore. Kur fillova përgatitjen e filmit dokumentar kushtuar Prof. Dr. Ejup Statovcit, e mora në telefon Prof. Zenel Kelmendin dhei tregova për skenarin tim. Ai e m,bështeti plotësisht këtë projekt, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, nuk mund të fliste para kamerës.

Kur e realizova dhe e transmetova dokumentarin kushtuar Akademik Gazmend Zajmit, në fillim të korrikut 2023, Profesori Kelmendi më mori në telefon dhe më përgëzoi për punën e bërë në ndriçimin e figurave tona intelektuale dhe kombëtare. Me që ishte i palëvizshëm, mu lut që të shkoja në shtëpuinë e tij në Kodër të diellit dhe të bisedonim më shtruar për punën e tij në udhëheqjen e Universitetit të Prishtinës dhe opër disa “amanete” si u shpreh ai. Më tha hapur: “Nuhi, e vlerësoj shumë lartë punën tënde si gazetar profesionist, prandaj kam dëshirë që të informoj për disa gjëra shumë me rëndësi. Kur shkova në shtëpinë e Profesorit më priti me ngrohtësi të veçantë dhe u rrëfye para meje lidhur me disa momente tejet të[ rëndësishme të punës së tij derisa ishte rektor i Universitetit të Prishtinës, 2 mandate, nga fillimi i vitit 1998 e deri në vitin 2004. Kelmendi ishte shumë i drejtpërdrejtë gjatë rrëfimit disa orës të tij, duke ndarë me mua disa momente e ngjarje të rëndësishme, përjetimet e tij dhe të civilëve shqiptarë në Prishtinë gjatë luftës, veçmas pas dëbimit të shqiptarëe nga Kosova, pastaj për vazhdimin e punës së Universitetit pas luftës, për presionet nga politikanët për regjistrimin e të afërmve të tyre studentë  pa kritere, për mbështetjen e konceptit të tij para rektorëve të universiteteve të Austrisë në Graz dhe të rektorëve të universietteve të Evropës në Vjenë për ndërtimin e një Universiteti të pavarur, raportet tejet miqësore me intelektualin përmasash botërore Ismail Kadare dhe për vendimin për shpalljen e  tij doktor honoris kauza të Universiettit të Prishtinës dhe të disa figurave të shquara ndërkombëtare. Ai  më rrëfeu edhe për presionet e disa përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare për të investuar në Universitetin e Prishtinës përmes Beogradit, që Universiteti i Prishtinës të bëhet pjesë e Bashkësisë së universiteteve të Serbisë, si dhe për disa përpjekje të faktorëve ndërkombëtarë që Zenel Kelmendi të udhëheq politikisht Ushtrinë për Çlirimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Mirëpo, si më dëshmoi Profesor Kelmendi, ai kurrë nuk kishte pranuar asnjë lloj imponimi, diktati apo ndërhyrje në punët e Universitetit të Prishtinës dhe përdorimin e tij për qëllime politike e të tjera, qoftë nga faktorët vendor, qofta ata ndërkombëtarë.

Pasi dëgjova me vemendje rrëfimin, “amanetet” e Prof. Dr. Zenel Klemendit, i sygjerova që të kompletoj të gjitha dokuementet, intervistat, vendimet e rëndësishme dhe materialet e tjera e pastaj në bazë të tyre të përgatis një skenar për realizimin e një filmi dokumentar kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij me interes për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Si njeri modest, Kelmendi nuk më dha ndonjë sinjal pohimi për këtë ide timen, duke u arsyetuar në gjendjen e tij shëndetësore. Unë i propozova që pasi të kompletohen materialet e domosdoshme për këtë, të shkoj dhe ta vizitoi edhe një ditë tjetër dhe pastaj mundësisht ta caktojmë edhe ditën e fillimit të xhirimit të intervistës me të për dokumentar.                Për shkak se edhe unë nuk isha mirë me shëndet shkova në Dusseldorf të Gjermanisë për trajtim mjekësor. Pas kthimit nga Gjermania e planifikoja që ta vizitoj Prof. dr. Zenel Kelmendin dhe të shikoj a është në gjendje që ta intervistoj. Mirëpo, në mbrëmjen e 9 gushtit të këtij viti, në facebook nga profili i mikut tim Prof. Dr. Jusuf Dedushaj levova lajmin tejet të rëndë, jo vetëm për mua, por edhe për familjen dhe shoqërinë shqiptare se Zernel Kelmendi ka ndërruar jetë. Vërtetë ishte ndër lajmet më të kqia që kisha marrë në Kosovën e pasluftës. Mjerisht, ky ishte edhe dështim i skenarit për realizimin e  dokumentarit për këtë intelektual të urtë dhe largpamës. Prof. Dr. Zenel Kelmendi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën dhe trojet e tjera etnike shqiptare. Do të kujtohet përherë nga populli ynë dhe miqët tanë të shumtë ndërkombëtarë, me të ciltë bashkëpunoi.

Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Prof. Zenel Klemendit!

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1512
  • 1513
  • 1514
  • 1515
  • 1516
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT