• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çrregullimi i personalitetit narcistik

August 15, 2023 by s p

Valentina Telhaj/

Sipas Organizatës Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Çrregullimi i personalitetit narcistik, kane disa karakteristika kryesore:

1. Mungesa e ndjeshmërisë ndaj ndjenjave të tjerëve: Personi me këtë çrregullim ndihet më i rëndësishëm dhe më i vlefshëm se të tjerët. Nuk është i aftë të kuptojë ose të ndjeje ndjenjat dhe nevojat e të tjerëve.

2. Deshira e madhe për sukses dhe fuqi: Individët me këtë çrregullim shpesh kanë një imazh të tepruar për veten, me pritje të jashtëzakonshme për sukses, lavdimi dhe fuqi.

3. Mungesa e empatisë: Ata kanë tendencën të mos jenë të aftë për të ndjerë emocionet e të tjerëve dhe nuk janë të ndjeshëm ndaj nevojave dhe shqetësimeve të tyre.

4. Kërkesa për vëmendje të jashtëzakonshme: Personi kërkon vëmendje të shumtë dhe lëvdata, dhe mund të ndihet i bezdisur nëse nuk merr vëmendjen e mjaftueshme.

5. Përçmimi i të tjerëve: Për shkak të ndjenjës së superioritetit të tyre, ata mund të përçojnë negativitet ose ti shikojnë poshtë të tjerët dhe të mos ti konsiderojnë të rëndësishme vlerat dhe qëllimet e tyre.

6. Shfrytëzimi i të tjerëve: Mund të kenë tendencën të shfrytëzojnë të tjerët për t’i përfituar vetes dhe për të arritur qëllimet e tyre.

7. Mungesa e ndjenjave të ndëshkimit: Për shkak të ndjenjës së superioritetit dhe vetëvlerësimit të tyre, ata mund të mos pranojnë se kanë bërë gabime dhe nuk ndjehen të detyruar të japin llogari për veprimet e tyre. Nuk pendohen dhe nuk kërkojnë falje.

Kjo është një përmbledhje e karakteristikave të çrregullimit të personalitetit narcistik.

Nje nga studimet e fundit theksonte se, pasojat psikologjike të individëve që rrethohen nga këta persona (me çrregullimin e personalitetit narcistik) zgjasin minimalisht dy vite.

Filed Under: Analiza

Plazhet e Shpella-ve të Lukovës po mbledhin pushues nga Bota, në Spile protestat zvogëlojnë Himarën

August 15, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

Bregdet, Gusht 2023 – Shpellat, në Lukovë, janë një ndër plazhet më detpastër në Bregun e Rivierës apo në Rivierën e Bregut jonian të Shqipërisë, në teritorin e bashkisë Himarë. Është tash e prej disa kohësh dhe sipas gjasave, pandryeshmërisht dhe për të ardhmen, një ndër plazhet e Europës, ku raporti mes pushuesve vendas dhe atyre të huaj, po zhbëhet në favor të të huajve.

Dy vite më parë, në shezlonget e lokalit La Onda ishin me shumicë emigrantët e Bregut. Prej dy vitesh, nuk janë më ata. Janë shumësisht të huaj; italianë, spanjollë, britanikë, gjermanë, pushues nga skaje të ndryshme të vendit, një ditorë ose dy e tre, të ardhur nga skaje të ndryshme të vendit.

I përjetojmë të gjitha,- thotë kamarieri: Pakënaqësitë, ankesat, lëvdimet, kërkesat, sugjerimet, krahasimet, propozimet dhe sidomos pasthirmat:

– Ah ta kishim ne këtë plazh!

Kjo e fundit, ka lidhje thjesht me pretendimin e të huajve ndaj kulturës së administrimit dhe shërbimit.

Në Shpella, çmimet nga viti në vit janë aspekti më i lëvizshëm. Kjo i ka shtyrë në inatin e refuzimit vendasit e kësaj zone. Para njëzet vitesh ata kishin fanatizmin e moslejimit të të huajve të laheshin në këto gjire.

Tashmë lokalet ( bare-restorante, parkime dhe hapësira shezlongjesh janë të gjitha në administrim nga jobanorë të Lukovës. Të gjithë nga Tirana e lart.

Ndërsa një ditë u ndodha këtu, në Himarë kishte një protestë të vogël në gjuhën e vendit fqinj, Greqisë. Është e njohur arsyeja. Organizata e minoritetit grek proteston për një arsye politike që nuk duhej të ishte e tillë. Ose më saktë, për një person politik që e zvogëlon Himarën sa një hall dhe rast etnopolitik të përkohshëm dhe të riciklueshëm jo për histori, por për përplasje mes të tjerësh jashtë saj. Himara nuk është më Himarë!

Në Spile, (lagjia qendrore e qytetit të Himarës), gati vit pas viti në një, ose maksimum tri ditë në vit, grekofilët bëjnë ose nga një tubim ose ndo një protestë. Mjafton vetëm kaq që mediat e Tiranës t’i pasqyrojnë sipas parimit të diskriminimit pozitiv dhe mediat e Athinës në mënyrën më proporcionale të shkeljes së të drejtave të pakicës. Një pakicë e paqenë dhe e paformalizuar në historinë shtetërore dhe atë parashtetërore, por e bërë në tranzicionin postkomunist dhe e pranuar prej segmenteve dhe individëve të korruptopolitikës shqiptare si dhe të investimit shumëformësh të shtetit grek, ndërkohë. Një pakicë që ndahet pakthyeshmërisht nga trupi i shumicës natyrale etnike shqiptare, si gurëzat dentare nga trupi natyral, për t’u asimiluar dhe marrë tashmë identitetin e popullsisë fqinje me ne. Në Ballkan rëndom ndodh ndryshe, por në Shqipëri, vijueshmërisht mes normales dhe anormales nuk ka më dallim. Madje anormalja është hiseja funksionale e së përditshmes normale.

Emigrantët protestues, të ardhur qëllimisht për protestën në greqisht, konsiderueshëm nuk pritën të festonin në vendlindje as ditën e Shën Mërisë, një festë fetare me traditë në këto brigje edhe pse kanë trashëgimi potenciale fetare(!)

U kënaqën që ishin disa kamera të televizioneve greke dhe ikën…

Ikën, duke thënë se do jenë prapë kur të ketë zgjedhje dhe t’i sjellin…

Ikin, duke u shfaqur përherë e më tepër shqipe-harruar. Idealistë dhe naivë. Naivë se kujtojnë se po bëjnë sakrificë për një vend dhe atdhe, në të cilin nuk projektojnë as të sotmen, as të nesërmen e as të ardhmen e tyre. Greqishtqarët e Himarës, përherë e më të larguar po bëhen me truallin e tyre. Kanë një inat patologjik me shtetin dhe qeverisësit shqiptarë dhe natyrisht kanë arsye plotësisht të mjaftueshme për këtë, kur bëhet fjalë për truallin dhe disa të drejta atipike që ka pasur dhe duhej të mishëronte krahina shqiptare e Himarës. Paradoksalisht në këtë kohë, kanë prirje dhe një lehtësi të madhe për shitjen e pronave dhe trojeve të të parëve të tyre.

Shtojnë përditshmërisht një kronikë me sherre dhe konflikte pronësore mes tyre dhe më së shumti, brenda kurorave familjare. Të tilla ndjekin prej vitesh edhe me banorë himariotë- bregas të të njëjtit entitet fetar dhe krahinar, si dhe me të ardhurit para dhe pas viteve ’90-të. Kjo zonë është me shifrat dhe treguesit më të lartë të transaksioneve pronësore në raport jo vetëm me Shqipërinë, por në krahasim me rajonin. Ata që u mblodhën pak, sot në Spile, gati dhjetë-njëzetë vite më parë, po fusnin në sherr Shqipërinë dhe Greqinë për një shkollë greqisht që aktualisht ka më pak nxënës se dritare. Një shkollë shumë e re në brendësi të kalasë mijëravjeçare me portikë dhe kisha arbërore mesjetare me dy krena…

Por Spileja nuk ka qenë para viteve 1930. Kalaja ishte. Në kalanë e Himarës ka pasur qëndresa, por jo tubime rishtare. Në Shpella, pushuesit vendas këtë vit janë më pak, ata të ardhur nga disa shtete të Europës Qendrore janë shumë e më shumë… dikur Kalaja e Himarës e jepte me qira flamurin e saj. Sot në Spile kishte disa flamuj portativ të sjella nga vendi fqinj. Natyrisht i përhershmi është aty.

Filed Under: Sociale

Psenë nuk e ka gjetur as Sterio Spasse

August 15, 2023 by s p

Dr. Sadik Bejko/

Sot është 109 vjetori i lindjes së Sterio Spases (1914-1989)

Sterjo Spasse🇦🇱📖✏️ është një nga autorët më në zë në letrat shqipe pas viteve 30, me kontribute të spikatura.

Romani “Pse?”, i shkruar prej tij në vitin 1935, mbahet si romani i parë filozofik i shkruar në Shqipëri. Roman filozofik i shkruar në gjuhën shqipe

Duke u larguar nga tematika e zakonshme romanore e kohës për të shenjuar dhe një tipologji të re të rrëfimit në historinë e prozës, të romanit shqip, duke e shpënë llojin letrar drejt modernizmit, Spasse mbetet një prozator emblematik i atyre viteve. Edhe për sot.

Por njëherësh ai është dhe tipi i autorëve, i shkrimtarëve të viteve 1930, që me ndërrimet politike iu përshtatën kërkesave estetike të realizmit socialist, u konformuan politikisht me klimën letrare të pas vitit 1944, shkruan, por pa e humbur cilësinë dhe forcën e artit të prozës.

Në kujtimet e Ismail Kadaresë ai është shkrimtari tipik dekadent i viteve ’30. Kadareja 22 vjeç, Spasseja 44 vjeç janë për studime në Moskë. Për cilindo të këtij hendeku moshor, kolegu yt në dyfishin e moshës tënde, mund të quhet plak..

Në Moskë nga Shqipëria u vjen telegrami se “plakut” Sterio në Tiranë i ka lindur një vajzë. Ah ah… më 1958.

Më tej.

Një shkrimtare, studente e Institutit Gorki, një bukuroshe nga Ukraina me emrin Vera, ka rënë në dashuri me Sterio shqiptarin e Institutit.. Me Plakun. Me burrin 44 vjeç. Burrë i veshur me të zeza, kostum i modës së vjetër, i zi, dopjopetë, Një korb i vonuar, i trishtuar, arratisur që larg, që nga vitet ‘ 30.

Kadareja, gati çunak 22 vjeç, i ulërin Sterios: ç’ bëhet kështu me ty, more plak? Në Tiranë të ka lindur vajzë, në Moskë na paske dashnore?

Më vonë, shumë më vonë do ta kuptonte se një 44-vjeçar nuk është dhe aq plak. Siç e thotë Kadareja vetë. Në kujtimet e tij tani.

Spassja me kryeromanin e tij “Pse?” dhe proza të tjera të kohës, përfaqësonte tek ne llojin e shkrimtarëve të brezit të humbur, ata shkrimtarë që në librat e tyre jepnin personazhe pa rrugëdalje, karaktere që vdesin a vetëvriten që në rini, romane ku përshkruhen gjendje me psikologji të rënduar e me frymë pesimiste… Ndaj dhe këta shkrimtarë në botë u quajtën dekadentë.

Ky “dekadent” shqiptar ishte një kuriozitet ekzotik midis kolegëve të tij komunistë në Institutin e Shkrimtarëve Maksim Gorki, në Moskën e viteve 1958 – ’61 . Midis shkrimtarësh në moshë më të re sesa ai, midis komunistësh me tesër partie, aty ai po mësonte si të linte pesimizmin filozofik ala shopenhauer, për t’u bërë politikisht, estetikisht optimist, optimist revolucionar dhe predikues marksist…

Shumë nga shkrimtarët e institutit Gorki, dhe shkrimtaret femra, thotë Kadareja, habiteshin që kishin dhe një dekadent midis tyre, S. Spassen. Disa prej tyre në heshtje, nga larg e adhuronin dekadentin … pesimistin tonë Spasse.

Më pas, në pejsazhin kulturor të Tiranës së kohës komuniste, Spasseja do të mbahet mend si njeri shumë miqësor. Shtëpia e tij te Rruga e Kavajës, aty pas Kishës Katolike, ishte vendi ku gjeje shkrimtarë nga të gjitha moshat, nga gjithë drejtimet dhe brezat. Mikpritja, stili i thjeshtë pa distancë i Spasseve afronte dhe shkrimtarë si Mitrush Kuteli, Mustafa Greblleshi, Nonda Bulkën e Petro Marko,, gjuhëtar si prof. Mahir Domi… që vinin nga vitet ’30. Me nje kafe, raki a një gotë verë, cironka të thara Prespe… gjeje aty Fatmir Gjatën, Llazar Siliqin, Nasho Jorgaqin, Dhimitër Xhuvanin, I. Kadarenë, prof. Ziahudin Kodrën, por dhe të tjerë të moshës së fëmijve të tij.

Me korpusin e romaneve të tij të fundmë, romane me temë nga historia e Rilindjes shqiptare, Sterio Spasse e përtëriu poetikën e prozës së tij, duke mbetur një prozator me kreativitet të spikatur.

Një shkrimtar dhe… njeri ky Spassja .

Shënim:

Në Tiranën e viteve ’40-’50 ai mbahej si një shkrimtar i mbijetuar i dy kohëve. Autoriteti i tij dhe më tej rritej. Mbase nga mbijetesa dhe në ato kohë e një shkrimtari me emër që vinte nga regjimi i “kaluar”. Shkrimtarët e tjerë në zë të “regjimit të kaluar, ata të kohës së Zogut, të mbretërisë”, ishin në arrati, të rrasur në burg, në miniera a në këneta.

STERJUA prapë mbetej mësues, shkrimtar.

E adhuronin dhe pa e lexuar.

Ndokujt që i hidhëruar mundohej të gjente “Pse-në” e enigmave të jetës, atij që pyeste i tronditur “”pse e pse mua më ndodhi kështu e ashtu?”, tiranasit e kohës ia kthenin me një batutë: Ti kërkon Psenë?

– Pse-në nuk e ka gjetur as Sterio Spassja.

Mundohesh kot, nuk mund ta gjesh Psenë.

Me një roman Sterio Spasse hodhi një pyetje nëpër botë, nëpër jetë, nëpër letra. Nuk dha përgjigje për pyetjen.

Por mbase për këtë mbeti i famshëm.

(Foto ne ditën e inagurimit të bustit të Sterio Spases, 14 gusht 2014, me rastin e 100 vjetorit të lindjes, në fshatin e lindjes në Gollomboç, në breg të liqenit të Prespës)

Filed Under: LETERSI

Akti larg qëllimit

August 15, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Vetë thjeshtësia e jetës në epokat primitive nënkupton se natyra ishte e para. Kur freskohej me ujë, ushqim, gjumë, njeriu nisej përsëri në lugina, fusha, ose duke ngjitur majat e maleve. E përsëri…

Ai që këputi në mënyrë të pavarur frutat kur ishte i uritur, u bë fermeri i parë; u ul nën pemë, ngriti një strehë dhe filloi përkujdesjen.

Ne tani nuk bëjmë si të parët; kemi adoptuar fe ose shkencë thjesht si avantazh përmirësimi. Tokën e kemi ndarë, një pjesë për banimn dhe pjesën tjetër varreza. Veprat më të mira të artit janë shprehja e luftës për t’u çliruar nga kjo gjendje, por efektet e tij e bëjnë jetën më të përgjumur; kujtohet akti, por qëllimi është harruar.

Nuk ka vend për art për jetën tonë – shtëpitë dhe rrugët, nuk përbëjnë piedestalin e duhur – nuk ka vend për një gozhdë për të varur një foto, as një raft për të vendosur bustin e një heroi apo një shenjtori. Shtëpitë janë ndërtuar dhe paguar, ose nuk paguhen; ekonomia e brendshme menaxhohet dhe vetëm sa mbahet. Dyshemeja nuk lëshon rrugë, ndërsa admiron gërvishtjet mbi mure. Kjo e ashtuquajtur jetë e rafinuar – është gjë për të cilën gëzohet njeriu dhe nuk vazhdon me kënaqësinë e arteve që u kujtojnë të shkuarën. Vëmendja është tërësisht e pushtuar nga kotësia, kur mendon se vallja e parë e vërtetë ishte ajo e disa endacakëve para se të uleshin në tokën e re që kishin gjetur. Njeriu me siguri do të arrijë përsëri përtej largësive. Dhe pyetja e parë që duhet t’i bëhet për këtë parregullsie kaq të madhe është: Je një nga nëntëdhjetë e nëntët që dështuan, apo një mes të shumtëve që ia dole? Më pas ndoshta mund t’i themi për lakmitë dhe nëse i gjen ato dekorative. Karroca para kalit nuk është as e bukur dhe as e dobishme. Përpara se të mund t’i zbukurojmë shtëpitë, muret duhet të lyhen, dhe të vendosen themelet; shija për të bukurën kultivohet më së shumti jashtë dyerve.

Old Johnson, në “Providencën e tij mrekullibërëse”, duke folur për kolonët e parë, me të cilët ishte bashkëkohës, më 1650, thotë se “ata gërmuan tokën për strehën e tyre, derisa toka, me bekimin e Zotit, nxori bukë për t’i ushqyer” dhe të korrat e vitit të parë ishin të mbara.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim Senatoren e Nju Jorkut, Nathalia Fernandez

August 15, 2023 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Stafit, Ilir Kërçeli, priti sot në takim Senatoren e Shtetit të Nju Jorkut, Nathalia Fernandez.

Duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, kryetari Konjufca falënderoi Senatoren Fernandez për kontributin e pakrahasueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Shtetit të Nju Jorkut ndaj vendit tonë, si dhe për meritat e Senatit dhe Kongresit Amerikan në intensifikimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona.

Kreu i Kuvendit shprehu mirënjohje për punën e saj të jashtëzakonshme ndër vite me komunitetin e gjerë shqiptaro-amerikan në Nju Jork, komunitetin që, siç tha kryetari Konjufca, është simboli më i mirë i raporteve të ngushta historike mes popujve tanë, interesave dhe synimeve tona të përbashkëta.

Fokus i bisedës ishin marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve mike dhe aleate, si pikënisje nga ku merr kahje vazhdimësia dhe thellimi i mëtejmë i raporteve miqësore.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1515
  • 1516
  • 1517
  • 1518
  • 1519
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT