• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SEMINARI XVI MBARËKOMBËTAR ME MËSUESIT E GJUHËS SHQIPE DHE KULTURËS SHQIPTARE NË DIASPORË

August 2, 2023 by s p

Lefteri Metkaj/

Vlorë, 30 Korrik- 2 Gusht, zhvillon punimet Seminari i XVI-të Mbarëkombëtar për Mësuesit e Gjuhës Shqipe në Diasporë. Pikërisht Vlora, në këtë stinë vere u bë pika e takimi për të pritur bijtë e saj nga larg, mësuesit e gjuhës shqipe nga e gjithë bota shqiptare.

Jo rastësisht u zgjodh qyteti i Vlorës për të zhvilluar seminarin e gjuhës shqipe, mbas seminarit të fundit që ishte zhvilluar para katër viteve në qytetin e Prizrenit , në vatrën e kuvendeve kombëtare, sepse Vlora është simbol i bashkimit kombëtar, simbol i identitetit, simbol i patriotizmit dhe atdhedashurisë.

Mësuesit atdhetare erdhen në Vlorë nga largësitë e diasporës me mallin mbajtur ngrohtë për tokën amë,

dhe pikërisht nga Vlora përcollën misionin për punën e kryer në diasporë, si dhe morën eksperienca dhe praktika të reja për të ofruar më të mirën e mësimdhënies për fëmijët tanë që lindin dhe rriten jashtë atdheut tonë.

Ashtu si dikur në Vlorën heroike, u bashkuan nga trojet shqiptare më 28 Nëntor të vitit 1912 , u mblodhën në kuvend burrat atdhetarë shqiptarë dhe vendosën për fatin e Atdheut, ashtu dhe mesuesit e diasporës u mblodhën për një mision shumë të rëndësishëm. Të mbajnë kuvendin për gjuhën shqipe, për të përcjellë traditën e arsimit tonë kombëtar, që është të mbajnë gjallë në breza dashurinë për Shqipërinë e Kosovën, për gjuhën shqipe dhe identitetin kombëtar si shqiptarë jashtë vendit.

Ky seminar vjen si një nga dhuratat më të bukura nga diaspora shqiptare për qytetin arsimdashës të Vlorës, ku pikërisht në Vlorë, Ismail Qemali pasi krijoi shtetin shqiptar, menjëherë filloi punën për arsimin kombëtar. Dhe pikërisht në Vlorë, në Lagjen “Muradie” , në Shkollen Nr 1 caktoi Ministrinë e parë të Arsimit Kombëtar Shqiptar, me Minister të parë, mësuesin atdhetar Luigj Gurakuqi.

Eshte nder i veçante per qytetin tim te Vlores ,te kete ne perqafim te saj , 150 margaritarë, sepse margarita jane mesuesit atdhetare vullnetare, te cilet japin nje kontribut jashtëzakonisht te madh ne rrafshin kombetar duke mbajne gjalle gjuhen tone te çmuar shpirterisht, profesionalisht dhe financiarisht, ku investojne vetë nga te ardhurat e tyre per te mbajtur çelur pikat shkollore te gjuhes shqipe anembane diaspores shqiptare.

Ishte kenaqesi e veçante si mesuese e diaspores nga Vlora , te pershendesja e te falenderoja me mirenjohje duke iu uruar mirëseardhjet me te perzemerta organizatoreve, veprimtareve te ketij seminari dhe vecanerisht te gjithe mesueseve, kolegeve te mi te dashur te diaspores duke iu uruar suksese dhe te kalojne sa me bukur ne qytetin historik e bregdetar te Vlores.

Seminari ne Vlore eshte nje kryeveper, shembull per te gjithe mesimdhenesit shqiptare te cilet kishin mundesine te njoheshin me punen qe bejne keta mesues vullnetare te diaspores pa interes personal, qe femijet tane kudo jashte Atdheut te behen krenare duke ruajtur me kujdes e dashuri identitetin e tyre, per nje te ardhme me dinjitet.

Rilindasit tane dhe brezat me radhe e treguan duke e mbrojtur dinjitetin dhe nderin e gjuhes shqipe me çmimin me te larte, me jeten e tyre..

Ky Seminar Mbarekombetar i Gjuhes Shqipe per Mesuesit e Diaspores eshte nje nga ngjarjet me te rendesishme kushtuar gjuhes shqipe ne diaspore, i cili organizohet ne bashkepunim me Ministrite e Arsimit te Shqiperise dhe Kosoves.

Me fjalen e tyre pershendetese nderuan mesuesit dhe shprehen mirenjohje te thelle per kontributin e tyre ,znj. Evis Kushi ,MAS-it te Republikes se Shqiperise , znj. Arbërie Nagavci, MASHT-it te Republikes se Kosoves, a.Ermal Dredha, Kryetar i Bashkise Vlore.

Mesuesit seminaristet u pershendeten me nje program te bukur kulturor-artistik nga femijet e Qendres Kulturore Vlore.

Gjithashtu ne seminar kishte shume te pranishme ,personalitete te arsimit dhe te kultures nga te dy shtetet shqiptare. Por seminarit nuk i mungoi dhe prezenca e znj.Donika Gervalla, Zv/Kryeministre dhe MPJ te Republikes se Kosoves, znj.Luiza Gashi, Z/Ministre e PJ D, te Republikes se Kosoves, te cilat zhvilluan nje bashkebisedim te hapur per mesimin e gjuhe shqipe me mesuesit e diaspores. Të e respektuar kolege, motra dhe vellezer te dashur ,duke ju uruar pune te mbare , deshiroj qe ky seminar ne qytetin e Vlores, te zhvilloj me sukses permbushjen e qellimit te tij duke ndikuar ne rritjen e aftesimit profesional, didaktik dhe pedagogjik tek mesuesit pjesemarres.

Mirenjohje per gjithcka beni ne dobi te mesimit te gjuhes shqipe per femijet ne diaspore, ne dobi te kombit.

Se fundi, shpresoj te gjithe mesuesit seminariste te kene arritur qellimin e tyre ne kete seminar. Te jene ç’mallur

me koleget, te kene marre me vete çastet e paharruara ku vizituan qendrat historike , turistike, muzete e shumte, sepse Vlora, historia e saj, akti i Pavaresise se Shqiperise, emri i patrioti te shquar Ismail Qemali, shtiza e Flamurit Kuq e Zi, do t’i frymezoje ne punen e tyre, si nje shenje nderimi te veçante per krenarine e identitetit tone kombetar. Po ashtu , mengjeset e fresketa, perendimi i diellit, shetitjet ne buze mbremje gjate bregdetit ne gjirin e detit Jon e ne Vloren e shenjteruar e mahnitese…patjeter do t’iu mbeten mesueseve te diaspores nje kujtim i perhershem nga Atdheu .

Dhe mos të harrojmë se mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë janë një vlerë e madhe për arsimin kombëtar shqiptar jashtë Atdheut tonë.

Filed Under: Opinion

E ardhmja

August 2, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

E shkuara vjen në mendje. Nuk jemi larg nga koha kur poicia sulmonte njerëz të mbledhur për të festuar ose kryeministri që dilte rrugëve me gërshërë për të qethur.

Parashikime të shumta bëhen për të ardhmen, sa më të largëta aq më të guximshme. Prandaj shpesh nuk duhen marrë në konsideratë, ato vetëm trembin.

Shkencëtarë thonë se në 500 milionë vjet, shkëlqimi i diellit do të rritet deri në pikën kur jeta në Tokë do të ndërpritet. Por, edhe mund të vazhdojë. Kush bën parashikime të tilla nuk mban përgjegjësi, pasi e di që nuk do të jetojë deri atëherë. Kështu lindën shkencat jo-ekzakte.

Afërsisht 10,000 vjet kanë kaluar që nga agimi i qytetërimit kur qeniet njerëzore filluan të rrisinin të korrat dhe të jetonin në vendbanime të çdo madhësie. Ecim shpejt përpara një mijë vjet, deri në 3023, nëse nuk e vrasim veten me ngrohjen globale, bombë bërthamore apo diçka tjetër, dhe vazhdojmë të zhvillojmë shkencën dhe teknologjinë. Për njerëzit e vitit 3023, gjëra të tilla si qiellgërvishtësi Burj Khalifa në Dubai, vaksinat mRNA dhe teleskopi James Webb do të duken diçka si teknologjia kur shikojmë prapa një mijë vjet – kulla guri për mbrojtjen e murgjve nga sulmet vikinge, shushunjat për heqjen e gjakut të tepërt, letër për të shkruar, por edhe burgje maleve për thyerje gurësh. Gjëra primitive.

Ecim përpara një mijë vjet të tjera, në 4023. Njerëzit do të shikojnë mbrapa mrekullitë e një mijë viteve si histori të tyre të lashtë. Vashdojmë përsëri, 5022, dhe përsëri dhe përsëri dhe përsëri. Le ta bëjmë këtë 170 herë. Deri në vitin 173,023, duke supozuar pothuajse çdo lëvizje përpara në shkencë dhe teknologji dhe duke supozuar se do të mbijetojmë kaq gjatë si specie, shkenca dhe teknologjia jdo të transformohen plotësisht dhe do të jetë e fuqishme sa që sot nuk mund të fillojmë as të kuptojmë se çfarë do të bëjë ose pse, e lëre më se si. Do të duket si magji mbi magji mbi magji, nëse bëhet më e kuptueshme.

Tani kthehemi te imazhi i ndërtesës më të lartë në botë, Burj Khalifa.

Kullë madhështore ka 163 kate. Ka ashensorë të mrekullueshëm dhe të shpejtë për t’ju çuar në majë, por nëse prishen, mund të ngjitni shkallët, gjithsej 2902 hapa. Tani le ta përdorim atë si një shkop matës. Le ta quajmë katin e poshtëm të kulles agimi i qytetërimit 10000 vjet më parë. Le ta quajmë katin e fundit, 500 milionë vjet nga tani, kur dielli e bën jetën të vështirë në Tokë. Aktualisht sapo kemi filluar të hedhim këmbën nga kati përdhesës.

E ardhmja e 500 milionë viteve nga tani është e paparashikueshme në aspektin njerëzor. Mund të imagjinohet që do të ketë njerëz – dhe të paktën tre lloje të tjera speciesh kryesisht deti. Por ajo që do të bëjmë; çfarë do të mendojmë si sfida dhe si do t’i përballojmë ato? është shumë, shumë përtej qenies sonë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Kryeministri Kurti mirëpriti mërgimtarët në shënim të Ditës së Diasporës

August 2, 2023 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sonte për nder të Ditës së Diasporës ka organizuar pritje të veçantë për mërgimtarët në ambientet e “Ballkonit të Hapur të Qeverisë”, i cili tashmë është shndërruar në vend të këndshëm për takime e pritje.
Duke i uruar mirëseardhje, kryeministri Kurti njoftoi mërgimtarët e pranishëm mbi progresin e dukshëm demokratik e ekonomik të Kosovës të evidentuar nga të gjitha raportet ndërkombëtare kredibile, duke përmendur kështu rritjen mesatare ekonomike, rritjen e të hyrave tatimore, eksportet e investimet e huaja direkte.
Njëkohësisht, rritjen e vendeve të punës, miratimin e ligjit për pagën minimale, e së fundmi edhe ligjin për njohjen e kontributeve të punëtoreve të viteve 90-ta, kryeministri para mërgimtarëve i cilësoi hapa të rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës.

Paralelisht me këto progrese, kryeministri Kurti veçoi se edhe mërgata jonë ka evoluuar dukshëm vit pas viti duke e zgjeruar përfaqësimin tonë kombëtar.
“Atë sot e gjejmë në format më të suksesshme në art, në kulturë, në sport, financa, e tash së fundmi edhe te përfaqësimi politik në shtetet e tyre, nga niveli komunal e deri tek ai qendror. Disa prej tyre janë këtu në mesin tonë sonte”, shtoi kryeministri.
Tutje, ai i prezantoi mërgimtarët edhe me programin për diplomaci publike “Citizen Diplomacy Fellowship”, që ka për qëllim ndërlidhjen me vendin e origjinës përmes angazhimit profesional, si dhe lansimin e platformës “Shijo Kosovën”, përmes së cilës mërgatës, sidomos gjeneratave të reja, i’u mundësohet njohja e vendit me anë të aktiviteteve kulturore, sportive e natyrore.
Gjithashtu, me anë të lehtësimit të procesit të votimit për mërgatën rritet edhe më shumë pjesëmarrja e tyre aktive, derisa në kuadër të investimeve, kryeministri tha se po themelojmë Fondin Sovran me përmes së cilit bashkatdhetarët tanë dëshirojmë t’i bëjmë aksionarë në ekonominë tonë.
Pas gjithë kësaj mbrëmje të frytshme e argëtuese, kryeministri Kurti i lumtur për takimin, falënderoi përzemërsisht gjithë bashkatdhetarët.

Në këtë pritje, ku të ftuar ishin pjesëtarë e figura të ndryshme nga mërgata, artistë, veprimtarë, përfaqësues të shoqatave që veprojnë në mërgatë e përfaqësues të rinj politikë atje, bashkë me kryeministrin ishin të pranishëm edhe ministra e ministre të kabinetit qeveritar dhe zëvendësministra.

Filed Under: Politike

Sot 80 vjet nga “Marrëveshja e Mukjes”

August 1, 2023 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Konferenca e Mukjes u mbajt nga 1 deri 3 gusht 1943. Në këtë konferencë morën pjesë 12 përfaqësues të Frontit Nacionalçlirimtar dhe 12 përfaqësues të Ballit Kombëtar.

Pas shumë diskutimesh dhe lëshimesh të dyanshme, u arrit MARRËVESHJA:

– Për luftë të përbashkët dhe të menjëhershme kundër pushtuesit përkrah aleatëve të mëdhenj.

– U krijua “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë” si një organ i përbashkët i drejtimit të luftës që përbëhej nga 6 përfaqësues nga secila palë.

Në programin e “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë” parashikohej, jo vetëm lufta për një Shqipëri të pavarur e të lirë, por edhe lufta për një Shqipëri Etnike.

Kjo kërkesë dhe marrëveshja për bashkëpunim me Ballin Kombëtar nuk u pëlqeu të dërguarve jugosllavë dhe Enver Hoxhës, që zbatonte këshillat e tyre. Prandaj, marrëveshja e Mukjes nuk u pranua nga Partia Komuniste e Shqipërisë. Ky qëndrim i Partisë Komuniste i përçau shqiptarët dhe i nxiti luftën kundër njëri-tjetrit.

Nga ana e komunistëve shqiptarë, marrëveshja u nënshkrua nga Dr.Ymer Dishnica, një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Një mosmarrëveshje u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës.

Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptar e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

………………………………………………………………

(Mbledhja paraprake para takimit në Mukje)

Mbledhja Kombëtare në Tapizë, 26 korrik 1943

Sot më 26 korrik 1943, ora 11 pas dite, u mblodhën në shtëpinë e z. Dr. Ihsan Toptani në katundin Tapizë të Tiranës, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i përbërë prej z.Major Abaz Kupi, Myslim Peza, Dr.Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar”, i përbërë prej z.Mit’hat Abdyl Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku. Me vendim të përbashkët u zgjodh z.Mithat Frashëri si kryetar i mbledhjes dhe z.Mustafa Gjinishi si sekretar. U vendos të pranohen si dëgjues z.Pater Lek Luli, Dr.Ihsan Toptani, Xhemal Herri, Gogo Nushi, Sali Vata dhe Abdullah Ymeri. Delegatët e të dyja organizatave, duke interpretuar dëshirën dhe vullnetin e popullit shqiptar për me ndjekë një luftë të përbashkët kundër okupatorit fashist dhe atë të dy organizatave përkatëse, vendosën:

Neni 1: Të formohet një komitet i përbashkët lufte me emrin “Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë”.

Neni 2: Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë ka për qëllim realizimin e këtij programi:

1- Luftë imediate kundër armikut okupator për çlirimin e Shqipërisë.

2- Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtut të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut.

3- Një Shqipëri të lirë independente, demokratike të vërtetë.

4- Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal.

5- Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë pushon të ekzistojë me formimin e një qeverie provizore. Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë do të formohet sa më shpejt që ta lejojnë rrethanat.

Delegatët e Ballit Kombëtar për deri në aprovimin e organizatës së tyre e nënshkruajnë këtë rezolucion “Ad referendum”.

Delegatët Këshillit të Përgjithshëm Nacionlaçlirimtar (5 firmat) Balli Kombëtar (3 firmat)

…………………………………………………………….

Procesverbalet e Mbledhjës së Mukjes:

Sot më datë 1 gusht 1943 u mbajt në katundin Mukje, mbledhja e dytë e delegacioneve të Organizatës Balli kombëtar dhe të Organizatës Nacional-Çlirimtare. Kryesia e mbledhjes me vota unanime iu ngarkua z.Thoma Orollogajt dhe sekretaria z.Mustafa Gjinishi. Bisedimet i hap z.Hasan Dosti, delegat i Ballit Kombëtar i cili deklaron se pas bisedimesh që bëri qendra e Ballit proces-verbalit të marrëveshjes së bërë më 26 korrik 1943, të nënshkruar ad-referendum prej delegacionit të Ballit, e gjen të nevojshme të bëhet një shqyrtim disa pikave të akordit të arritun.

Bisedohet dhe vendoset që pika 1 e nenit 2 të ndryshohet dhe të qëndrojë në këtë mënyrë:

Pika 1. Luftë imediate kundër armikut okupator dhe kundër çdo armiku tjetër eventual okupator.

Pika 2. Luftë për një Shqipëri independente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike.

Pika 3. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Një Shqipëri të lirë, indipendente, demokratike, popullore.

Pika 4. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë bie me formimin e një qeverije provizore.

Pika 5. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal direkt.

Delegacionet:

Balli Kombëtar

1. Hasan Dosti

2. Mit’hat Avdyl Frashëri

3. Thoma Orollogaj

4. Skënder Muço

5. Hysni Lepenica

6. Isuf Luzaj

7. Kadri Cakrani

8. Major Raif Fratari

9. Nexhat Peshkëpija

10. Halil Mëniku

11. Ismail Petrela

12. Vasil Andoni

Këshilli Nacional Çlirimtar

1. N.Kolonel Jahja Çaçi

2. Myslim Peza

3. Abaz Kupi

4. Ymer Dishnica

5. Mustafa Gjinishi

6. Omer Nishani

7. Sulo Bogdo

8. Shefqet Beja

9. Medar Shtylla

10. Stefan Luarasi

11. Haki Stërmilli

12. Gogo Nushi

……………………………………………………………..

Proklamatë

Popull shqiptar!

Po bëhen afro 5 vjet që Italia fashiste ka pushtue vendin tonë të shtrenjtë dhe po mbjell kudo zi e mjerim.

Barbarizma ka arritur kulmin. Në këto kohë të fundit ka djegë e ka shkatërrue fshatra e qytete dhe me një etje të tërbueme ka vra e ka therë burra e gra, djem e vajza, pleq e të rinj dhe fëmi të vegjël shqiptar që ende thithin qumështin e nënës…

Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, shprehje e gjallë e fuqive të kombit, paraqet këtë program:

1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar.

2. Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike.

3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.

Shqiptarë!

Nuk keni ç’të prisni ma. Armiku është akoma në vatrat tona.

Erdhi koha që të çohemi të gjithë të vegjël e të mëdhenj, burra e gra, intelektualë e patriotë qytetarë dhe katundarë dhe të rrokni armët për dëbimin sa më të shpejtë të pushtuesit të huaj nga toka e shenjtë shqiptare.

Ngrihuni të gjithë pra, betohuni rreth flamurit të Skënderbeut, bashkohuni rreth Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe sulmoni në çdo vend e kënd, me armë e çdo mjet armikun pushtues, zgjidhni prangat e robërisë që i kini në duar afër 5 vjet dhe merrni gjakun e martirëve tanë që ditën të vdesin në fushën e nderit për lirinë e Shqipërisë. Dita e shpëtimit erdhi!

Jashtë armiku zaptues!

Rroftë Shqipëria e bashkueme në luftë kundër pushtuesit!

Rrofshin aleatët tanë të mëdhenj, Angli, Shtetet e Bashkueme e Bashkimi Sovjetik!

Rroftë Shqipëria e pavarme, demokratike popullore!

(“Pika 2” e Proklamatës u quajt “tradhëti” nga komunistët dhe u bë shkak për të filluar luftën civile sipas urdhrit të “shokëve jugosllavë”).

……………………………………………………………..

“Zotërinj, nuk jam as për Shqipërinë e madhe dhe as për Shqipërinë e vogël. Jam për Shqipërinë Etnike në të cilën sot banojnë tërësisht shqiptarë apo shumicë shqiptarësh e që kanë shprehur vullnetin të bashkohen në një komb të vetëm, të ndarë padrejtësisht, në një atdhe e shtet kombëtar.”

MID’HAT (Abdyl) FRASHËRI

(nga fjalimi në Konferencën e Mukjes)

Filed Under: Histori Tagged With: Flamur Gashi

Projekte kulturore për artistët e rinj shqiptarë, në Zvicër

August 1, 2023 by s p

Ermira Zyrakja-Lefort, një jetë mes tingujve të pianos, misionare e kulturës shqiptare në botë

Bashkëbisedoi: Eneida Jaçaj

Ermira Zyrakja-Lefort, një grua e hijshme, e kulturuar, mbi madhështinë e saj prej artisteje qëndron një thjeshtësi, që të jep ndjesinë se “Njeriu i Madh” qëndron me këmbë në tokë

dhe është i vërtetë në të gjitha cilësitë, që përbëjnë esencën e qenies së tij.

Duket se arti është i gdhendur si “kurorë dielli” bashkë me Ermirën që në ngjizje, i cili e bën të shkëlqejë në skenë dhe në shpirt. Ermira është nga ato artiste shqiptare të vërteta, profesioniste, që suksesin dhe famën e kanë të merituar prej punës së palodhur dhe talentit të spikatur. Me hijeshinë, buzëqeshjen dhe muzikën e saj, ajo është një femër elektrizuese që ngre në këmbë një publik të tërë, me duartrokitje dhe entuziazëm të pashtershëm. Ermira Zyrakja-Lefort është me profesion pianiste, por për t’ua freskuar kujtesën dhe mallin, ajo është bërë e njohur për herë të parë, me rolin e saj të Vjosanës, në filmin “Eja”, të vitit 1987. Ermira i ka ruajtur ende tiparet e bukura dhe të theksuara, por edhe personalitetin e saj të një vajze serioze, të ëmbël dhe të ndjeshme, ashtu siç janë artistët e vërtetë. Pianistja Ermira jeton prej 30 vitesh në Zvicër, e martuar me z.Francois Lefort, tashmë President i Parlamentit të Republikës së Kantonit të Gjenevës. Ajo ia ka kushtuar gjithë jetën e saj tingujve të pianos, dhe ajo që është për t’u vlerësuar është se Ermira është një misionare e denjë e kulturës shqiptare në botë. Përpos kësaj, ajo ka realizuar projekte dhe kurse për artistët e rinj shqiptarë në Zvicër. Dashuria për profesionin ka bërë që sallat koncertale zvicerane të luajnë me piano e të këndojnë shqip, gjithashtu ka marrë pjesë edhe në shumë koncerte të tjera në botë. Ermira luan me piano muzikë klasike, veprat e kompozitorëve më të njohur botërorë si ato të Bethovenit, Vivaldit, Hajdenit , Mozartit e të tjera. Ajo ka arritur të shfaqë shumë koncerte me muzikë klasike solo, por edhe me artistë të tjerë në shumë shtete si në Francë, Angli, Greqi, Irlandë, Slloveni, Kroaci, ShBA etj. Ermira,që në moshën gjashtëvjeçare ka filluar studimet për piano në Tiranë, për të ecur gjithnjë e sigurt në rrugën e karrierës së saj. Ajo është diplomuar me sukses në Konservatorin Superior të Tiranës, për piano soliste, ku ka ushtruar edhe detyrën e pedagoges dhe pianistes shoqëruese. Në moshën 14-vjeçare ka filluar të ngjitet në shkallët e karrierës me çmimin e fituar në Konkursin Mbarëkombëtar për të Rinj në Radio Televizionin Shqiptar. Ermira është artistja e parë që ka publikuar CD me vepra për piano të kompozitorëve shqiptarë, me titull “E jona muzikë”, projekt ky i vlerësuar mjaft, sidomos në Boston si dhe nga kritika franceze.

-Ju keni shumë vite që jeni larguar nga Shqipëria, ku tashmë jetoni dhe punoni në Zvicër. Sa e vështirë ka qenë për ju të përshtateni në të gjitha aspektet jetësore, e, sidomos, në lëvrimin e fushës së artit?

Unë tashmë kam tashmë tri dekada në Zvicër, ku jam zhvendosur pas studimeve universitare në Konservatorin Superior të Tiranës. Në ato vite kur u largova nga Shqipëria, nuk ishte informacioni që kemi sot për botën, para një udhëtimi ose një zhvendosje profesionale. Vija nga Shqipëria e mbyllur, por me shkolla, pedagogë e studime cilësore arti, tepër profesionalë,(16 vite studime për piano, që nga mosha 6 vjecare). Vështirësia ishte që u ndodha në një vend të mrekullueshëm, të rregullt e të bukur, por që nuk dinin shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët në ato vite, as për artin klasik…,pasi ne nuk mund të udhëtonim jasht shtetit, përveç disa grupeve në turne popullorë e folklorikë. Ishte simbolikisht “si një përplasje mbi xham”, kur kuptova gjithë ato mundësi të realitetit artistik që ofrohej në Zvicër, sigurisht me kriteret e duhura profesionale që kërkonin dhe ne nuk kishim pasur mundësi të na njihnin kulturalisht e artistikisht, për arsye të një sistemi që kishte dhe çensurat e veta. Që aty lindi natyrshëm dëshira dhe idea e bashkëprezantimit të artit klasik të huaj, bashkë me artin tonë klasik shqiptar.

Ndjeva në Gjenevën internacionale, mendjehapësinë, politikat, strukturat, edhe kulturore, pa asnjë lloj paragjykimi për origjinën. Pas 3 koncerteve në Gjenevë dhe disa provime pasuniversitare, iu futa punës për njohjen e diplomës, çertifikimin e gjuhës frënge dhe deri te konkursi me 3 faza, postulimin për vend pune. E pra, plus muzikës në një nga Konservatorët e Gjenevës me strukurë profesionale klasike, gjithmonë natyrshëm e bindshëm kam qenë dhe jam aktive për artin shqiptar që atëherë, kur erdha nga Shqipëria në Zvicër dhe që arti i vendit tonë nuk kishte mundësi “të kalonte kufijtë” me historikun dhe vlerat e veta.

Realizova CD me vepra klasike për piano “E jona Muzikë”. CD që tashmë gjendet e përzgjedhur në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Ëashington dhe jam e lumtur për këtë, që arti klasik shqiptar u transmetua si vlerë deri në ato instanca. Drejtuese artistike dhe pianiste e CD “Këngë liturgjike Shqip”, me 22 këngë interpretuar nga artistë shqiptarë e arbëreshë. Bashkë me artistë të talentuar, të nderuar, të mirënjohur shqiptarë, jam një nga pianistet në CD me Arie lirike, të artistes së madhe kombëtare të rilindjes, Lola Gjoka.

-Veprimtaria juaj artistike është me përmasa ndërkombëtare, pasi ju keni marrë pjesë në shumë koncerte artistike në shumë shtete…

Po, sigurisht në Zvicër, por dhe Slloveni, Francë, Irlandë, Angli, Greqi, Danimarkë, Suedi, Itali, Kroaci, Kosovë, SHBA, me prezantime e bashkëprezantime artistike. Me këto citime, po më kujtohet një poezi e bukur e Vllasova Musta me titull: “Çdo njeri e ka një emër”, thënë kjo, për rrugëtimin e secilit, kontributet dhe vlerat që përçon me atë që di të bëjë më mirë dhe që përshëndetet nga vendi i tij, por dhe mes kulturave të tjera jashtë vendit.

-Përveç punës së palodhur, çfarë ju ka dhënë Zvicra që ju jeni kaq e suksesshme? Pasioni juaj është muzika klasike, apo edhe vepra të muzikës klasike shqiptare?

Zvicra jep mundësi realizimesh idesh artistike, me gjetje interesante, me një bosht kulturor edhe të dyanshëm artistik ose multikulturor, që i ofrohet publikut për njohjen kulturore të shumë artistëve që vijnë nga shkollime të ndryshme jashtë Zvicrës; jep mundësinë e respektit dhe vlerësimit artistik, nëpërmjet hapësirave, axhendave koncertale, që ofron dhe shkëmbimin e vlerave artistike pa barriera. Mban një eikulibër mbështetës, midis zhanreve të ndryshme artistike, pa mbivlersuar ose nënvlersuar asnjë nga zhanret.

-Cilat janë ato koncerte apo vepra artistike që ju kanë lënë mbresa dhe gjurmë në gjithë veprimtarinë tuaj artistike?

Sigurisht, koncertet e para në Gjeneve, përballja e parë me një publik jashtë vendit, emocioni njerëzor, por dhe artistik, më shoqëronte gjatë interpretimit me ndjesinë dhe kënaqësinë personale; “Ja ku jam”, (sigurisht në konteksin e kohës, të hapjes së kufijve në Shqipëri dhe fillimeve të mija artistike në Zvicër). Në 1993, në Slloveni, isha shtatzanë dhe në një kamp refugjatësh me nëna e fëmijë larguar nga Kosova, i kam vizituar duke ofruar sado pak momente të bukura me këngë për fëmijë shqip. Duart e vogla shtrënguar nga tmerri që përjetonin, u kthyen në duartrokitje nën meloditë e ritmet e këngëve për fëmijë që këndonim bashkë. Në vijim, mbresat janë të gjitha të dashura, të bukura, të barasvlefshme, që nga idea e koncepti, puna e bërë, atmosfera në studime, e provave në bashkëpunime, rezultatit dhe duartrokitjeve, artikujve vlerësues dhe fotove kujtim.

-Ju keni punuar me fëmijët e diasporës, të cilëve u keni dhënë mësime në rrugën e artit. Çfarë emocionesh përjetoni kur u jepni mësim fëmijëve shqiptarë të diasporës, dhe a mbani kontakte me ta?

Pikërisht, në këte periudhë konfliktesh në Kosovë, ndava një nga ditët e punës në konservator, për të ofruar kurse pianoje dhe këndimi për fëmijë shqiptarë, doja që të largoheshin sadopak nga bota e trazuar e vendlindjes së tyre, vuajtjes së prindërve dhe të afërmve të tyre në Kosovën që ziente për liri, doja të mos humbnin komplet fëmijërinë e tyre, mes traumës dhe ndjesive që krijon lufta. Duke i shpjeguar thjesht dhe me modesti, prindërit ishin mbështetës dhe të entuziasmuar që fëmijët e tyre do bënin muzikë të shkolluar, plus zhanreve të traditës.

Me shumë dashuri kam punuar me këta fëmijë e të rinj, që sot nga ata janë dhe studentë e të dipllomuar për muzikë. Në kontekstin e atyre viteve të para luftës e përgjatë luftës në Kosovë, ishte një sfidë e madhe të insistoje për muzikë klasike e shqiptare në emigracionin e asokohe, prioritetet ishin të tjera për familjet e ardhura nga treva të ndryshme shqiptare. Jam e lumtur për rezultatet dhe artin e kultivuar, që plus atij tradicional, hyri në familjet dhe edukimin e 2-3 gjeneratave tashmë. Këmbëngulja, modestia në takime miqësore bindëse me familjet në diasporë, bënë që me mbështetjen e prindërve, me projekte kursesh e aktivitetesh nga instancat integruese zvicerane, të zhvilloheshin kurse pianoje, këndimi dhe korali me fëmijët e të rinjtë shqiptarë.

 -Si ia keni arritur të gjeni mbështetje qoftë nga shteti zviceran, vetë prindërit, të krijoni projekte, kurse për piano dhe jo vetëm, për artistët e vegjël?

Më pas këtë atelie muzike e vazhdova në kuadrin e aktiviteteve të shoqatës Rinia-Kontakt, si projekt i mbështetur dhe nga zyra e integrimit dhe e bashkisë Gjenevë . Pjesëmarrja ishte e madhe, rezultatet po ashtu.Qëllimi im ishte duke ditur kriteret, t’i integroja në 3 konservatorët e Gjenevës. Duke i motivuar rregullisht prindër e nxënës, “Pasioni i sotëm, mund të kthehet në profesionin e ardhshëm”, dhe çdo vit 3-6 fëmijë fitonin audicionet per të vazhduar në konservarorë. Jam e lumtur për rezultatet. Vlerësimi dhe mirënjohja që më emocionon edhe sot, është kur prindërit dhe ish-nxënësit tashmë të rritur, më përshëndesin: “Tungjatjeta, Profesoresh Ermira!”.

 -Ju jeni mjaft e apasionuar me kulturën dhe trashëgiminë arbëreshe, ku keni marrë pjesë në shumë projekte artistike. Cila është e veçanta e kësaj kulture dhe çfarë ju frymëzon?

Bëra një projekt kulturor që nga 2017, që e kam për zemër prej vitesh tashmë, me kulturën dhe trashëgiminë muzikore arbëreshe. Që prej vitit 2017, këto evente arbërore-shqiptare, suksesshëm janë prezantuar në Zvicër, Francë, Greqi, Itali, Kalabri…Me grupin, “Vëllezërit Arbëresh” nga Kalabria, drejtuar me shumë pasion nga Mimmo Imbrogno, ky projekt, nga antika arbëreshe, te lirika shqiptare, prezantohet me repertorin dhe artistë cilësorë arbëreshë, si dhe me artistë shqiptarë të shteteve, ku shkojmë në diasporë. Frymëzimi artistik është tek origjinaliteti muzikor i polifonisë së tyre (ata i quajnë vjersha), kompozimet muzikore, sidomos, ato më të hershmet, që sa i dëgjon, mbajnë vulën e shpirtit arbëresh, tekstet e pasura artistikisht, lirikat plot ndjenjë edhe në kompozimet më aktuale, e, që të gjithë elementët bashkë, reflektojnë histori e traditë me dialektin arbëresh plot sharm, ashtu si dhe kostumet unike dhe me art më vete të tyre. 

Lindi gjithashtu një ide tjetër bashkpunimi: për kompozime këngësh midis krijuesve poetë shqiptarë dhe kompozime muzikore arbëreshe. Sigurisht, kënaqësi e veçantë prezantimi me shkrimtarin, gazetarin, fotografin e mirënjohur arbëresh bashkohor Mario Calivà, me Monodramën e tij NOSTALGJIA, event literature-piano, që emocionon thellësisht lexuesin dhe spektatorin, shkruar për rrugëtimin historik të largimit dhe gjithë ngjyrave jetësore arbëreshe, sfidave dhe realizimeve, me ndjesitë më të thella shpirtërore të zemrës dhe mendjes. Ilustrohen kulminacionet e këtij krijimi letrar kaq të ndjerë, me muzikë klasike, arbëreshe, shqiptare, dhe fotot aktuale të mrekullueshme, të arbëreshëve me kostumet e “Hora e Abëreshëve” Siçili, me autorsinë e MarioCalivà. Këto 3 prezantime i kemi bërë bashkë në Gjenevë/Trento/Bolzano me veprën “Nostalgjia” e Mario Calivà. Idea që pazgjidhshmërisht vlen mes arbëreshëve dhe shqiptarëve në këto bashkëpunime, ështe historia e emigrimit, ruajtja e identitetit historik-kulturor. Shembulli i tyre është mbresëlënës dhe faktues i vazhdimësisë, që shërben për emigracionin e dekadave të fundit shqiptar, por dhe të ndërgjegjësimit për globalizmin kulturor, që mund të rrezikojë gjuhën dhe kulturën e një kombi. Ashtu si dhe shprehja e G,Mahler që përdor vetë grupi arbëresh “tradita nuk është adhurimi i hirit, por ruajtja e zjarrit”, kjo përbën dhe frymëzimin dhe misionin dhe për gjeneratat tona në diasporë. Pa mbështetjen shpirtërore dhe sponsorizuese të shoqatave shqiptare kudo në diasporë, nuk do realizoheshin eventet arbërore-shqiptare, që kanë entuziasmuar shumë publikun me këto bashkprezantime.

-Si e vlerësoni artin shqiptar në diasporë, promovimin e vlerave kulturore shqiptare, mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, folklorin, zakonet, etj?

Arti shqiptar ka një prezantim gjithnjë e më të gjërë, në çdo zhanër, jo vetëm me traditën, që gjithnje e më shumë duhet më shumë të pasurohet repertori, sidomos në koreografi , por dhe me artin e kultivuar për kanto, instrumental e koreografik, me vepra të kompozitorëve shqiptarë nga më të mirat krijime të tyre…ka prezantime me repertor të tillë, jo vetëm në Zvicër, por në Europë e përtej oqeanit. Ndjek me kënaqësi dhe rikthimin e repertorit të pasur shqiptar në skenat e vendit tonë…ishte një kohë tendenca vetëm për repertorë të huaj, si brenda dhe jashtë vendit nga artistët tanë.

-Si e vlerësoni artin shqiptar në tërësi, në raport me kulturat e tjera?

Arti ynë klasik shqiptar, në raport me kulturat e tjera, është në po atë lartësi, me vlera, cilësi identitare, me melos dhe ritme, emocione e frymëzime tipike tonat, ky art i yni nuk mund të jetë inferior dhe mos kemi ndroje dhe hezitim për ta prezantuar. Bota nuk mat vlerat e kulturës dhe artit, me sa i madh është një komb. Sa më pak të kopjojmë nga kulturat e tjera, aq më shumë vlerësohet origjinaliteti dhe pasuria e kulturës sonë.

-A keni një mesazh apo këshillë për të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e artit?

Një gjë është e sigurtë, çdo fëmijë, i ri apo i rritur ka një botë artistike të veten. Kur bëhet art, ose orientohemi të bëhemi artist, ose të ndjekim art, le ta bëjmë atë me dëshirë, dhe të priremi nga arti cilësor. Arti cilësor na rri dhe i rrimë shumë gjatë pranë, ai nuk humbet. Së fundmi, dua të them se, në 30 vjet ka aq shumë përjetime artistike, emocionale, njerzore , vështirë ishte për çfarë t’ju përgjigjem më parë . Të jetosh e zhvillosh pasionin dhe artin tënd në “Shqiptarinë” e diasporës, çdo sfidë, kontribut, arritje, ka “shumë më shumë tinguj, plus tingujve të kujtimeve dhe mallit”.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Eneida Jacaj, Ermira Zyrakja-Lefort

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1537
  • 1538
  • 1539
  • 1540
  • 1541
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT