
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sonte për nder të Ditës së Diasporës ka organizuar pritje të veçantë për mërgimtarët në ambientet e “Ballkonit të Hapur të Qeverisë”, i cili tashmë është shndërruar në vend të këndshëm për takime e pritje.
Duke i uruar mirëseardhje, kryeministri Kurti njoftoi mërgimtarët e pranishëm mbi progresin e dukshëm demokratik e ekonomik të Kosovës të evidentuar nga të gjitha raportet ndërkombëtare kredibile, duke përmendur kështu rritjen mesatare ekonomike, rritjen e të hyrave tatimore, eksportet e investimet e huaja direkte.
Njëkohësisht, rritjen e vendeve të punës, miratimin e ligjit për pagën minimale, e së fundmi edhe ligjin për njohjen e kontributeve të punëtoreve të viteve 90-ta, kryeministri para mërgimtarëve i cilësoi hapa të rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës.
Paralelisht me këto progrese, kryeministri Kurti veçoi se edhe mërgata jonë ka evoluuar dukshëm vit pas viti duke e zgjeruar përfaqësimin tonë kombëtar.
“Atë sot e gjejmë në format më të suksesshme në art, në kulturë, në sport, financa, e tash së fundmi edhe te përfaqësimi politik në shtetet e tyre, nga niveli komunal e deri tek ai qendror. Disa prej tyre janë këtu në mesin tonë sonte”, shtoi kryeministri.
Tutje, ai i prezantoi mërgimtarët edhe me programin për diplomaci publike “Citizen Diplomacy Fellowship”, që ka për qëllim ndërlidhjen me vendin e origjinës përmes angazhimit profesional, si dhe lansimin e platformës “Shijo Kosovën”, përmes së cilës mërgatës, sidomos gjeneratave të reja, i’u mundësohet njohja e vendit me anë të aktiviteteve kulturore, sportive e natyrore.
Gjithashtu, me anë të lehtësimit të procesit të votimit për mërgatën rritet edhe më shumë pjesëmarrja e tyre aktive, derisa në kuadër të investimeve, kryeministri tha se po themelojmë Fondin Sovran me përmes së cilit bashkatdhetarët tanë dëshirojmë t’i bëjmë aksionarë në ekonominë tonë.
Pas gjithë kësaj mbrëmje të frytshme e argëtuese, kryeministri Kurti i lumtur për takimin, falënderoi përzemërsisht gjithë bashkatdhetarët.
Në këtë pritje, ku të ftuar ishin pjesëtarë e figura të ndryshme nga mërgata, artistë, veprimtarë, përfaqësues të shoqatave që veprojnë në mërgatë e përfaqësues të rinj politikë atje, bashkë me kryeministrin ishin të pranishëm edhe ministra e ministre të kabinetit qeveritar dhe zëvendësministra.