• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kongresisti Nick LaLota, i bën thirrje administratës së Bidenit : Është koha për drejtësi për familjen Bytyqi

July 10, 2023 by s p

Nga Beqir SINA – New York/

Video : https://fb.watch/lHXvJMCeSR/

LaLota praqet Rezolutën H.Con.Res. 38 : Të vendoset drejtësia në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e tij, duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Serbisë

HAMPTON BAYS, NY -(7 korrik 2023), Kongresisti Republikan i Nju Jork-ut, Nick LaLota, i cili përfaqëson distriktin e parë të Kongresit të Nju Jorkut në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara që nga viti 2023, i ka bër thirrje sot administratës së Bidenit, që të bashkohet me rezolutën e tij (Rezolutën H.Con.Res. 38) dhe të ndihmojë në vendosjen e drejtësisë për familjen Bytyqi.

Kongresisti thotë se Familja Bytyqi meriton përgjigje pas gjithë kësaj kohe, ndërkohë që prezanton rezolutën për t’i dhënë drejtësi familjes Bytyqi (më 7 korrik 2023,) thuhet në një njoftim për shtyp, nga zyra e Kongresit të Nju Jorkut në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara , në Hapton Bay- Long Island NY, raporton Bota sot.

Kongresisti Nick LaLota (NY-01) prezantoi një rezolutë për të kërkuar llogari nga individët që ekzekutuan brutalisht Yllin, Agronin dhe Mehmet Bytyqin , banorët e Hampton Bays (Long Island NY), gjatë Luftës së Kosovës 1999.

LaLota për të kujtuar 24 vjetorin e vdekjes së tre vëllezërve që ekzekutuan brutalisht Yllin, Agronin dhe Mehmet Bytyqin , ka mbajtur edhe një konferencë shtypi për media me anëtarët e familjes Bytyqi në Hampton Bays, të cilën mund ta shikoni në faqen zyrtare të internetit

Lalota në konferencën e tij me gazetarët njujorkez, tha se krimenelët e pandëshkuar të luftës i ekzekutuan brutalisht vëllezërit Bytyqi gjatë Luftës së Kosovës. Tani, mbi njëzet e katër vjet, familja e tyre në Suffolk County ende nuk ka parë drejtësi.

“Sot po i bëj thirrje administratës së Bidenit dhe Kongresit e Senatit amerikan që të bashkohen me mua dhe të vendosin drejtësi për familjen Bytyqi. Kjo rezolutë tha ai kaloi me shumicë dërrmuese Kongresin e kaluar dhe pres që kolegët e mi ta mbështesin edhe një herë. Kjo familje ka vuajtur mjaft gjatë, le t’u japim atyre drejtësinë megjithse e vonuar që me të drejtë ata e meritojnë.”

Teksti i plotë i Rezolutës H.Con.Res. 38 :

Në korrik 1999, tre vëllezërit, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, banorë të Hampton Bays, shkuan me automjetin e tyre në veri të Kosovës – në fund të Luftës së Kosovës dhe u arrestuan kur aksidentalisht kaluan në territorin e kontrolluar nga Serbia. Vëllezërit u arrestuan nga autoritetet serbe për hyrje të paligjshme në vend dhe u ekzekutuan brutalisht menjëherë më 8 korrik 1999. Ndërkohë që autoritetet serbe kanë hetuar vdekjen e vëllezërve, nuk ka pasur asnjë akuzë kundër atyre që janë përgjegjës për këto vrasje.

Në dhjetor 2018, Departamenti i Shtetit përcaktoi Goran Radosavljevic nga Serbia sipas nenit 7031(c) ti ndalohet hyrja në SHBA, për shkak të përfshirjes së tij në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, duke përfshirë vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Rezoluta e LaLota shpreh rekomandimet ndaj Kongresit se:

individët përgjegjës për vrasjet në korrik 1999 të shtetasve të Shteteve të Bashkuara, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi në Serbi duhet të sillen para drejtësisë;

Është e dënueshme që asnjë individ nuk është shpallur ndonjëherë fajtor për ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi, apo për ndonjë krim tjetër që lidhet me vdekjen e tyre, dhe se asnjë individ nuk po përballet as me akuza për këto krime të tmerrshme;

Qeveria e Serbisë dhe ministritë dhe zyrat e saj përkatëse, duke përfshirë Prokurorinë Serbe për Krimet e Luftës, duhet ta bëjnë prioritet hetimin dhe ndjekjen penale sa më shpejt të jetë e mundur për ata zyrtarë aktualë ose ish-zyrtarë që besohet se janë përgjegjës për vdekjen e tyre, drejtpërdrejt ose tërthorazi;

Shtetet e Bashkuara duhet të ndajnë burime të mjaftueshme për të ndihmuar plotësisht dhe monitoruar siç duhet përpjekjet e Qeverisë së Serbisë dhe ministrive dhe zyrave të saj përkatëse për të hetuar dhe ndjekur penalisht sa më shpejt të jetë e mundur ata individë që besohet se janë përgjegjës për vdekjet e tyre, drejtpërdrejt ose tërthorazi;

Dhe së fundi progresi në zgjidhjen e këtij rasti, apo mungesa e tij, duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Serbisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Sina

Kryeministri Kurti vizitoi Ipeshkvinë e Kosovës, u mirëprit nga Ipeshkvi imzot Dodë Gjergji

July 10, 2023 by s p

Prishtinë, 10 korrik 2023/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Ipeshkvinë e Kosovës, ku u mirëprit nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji dhe Don Lush Gjergji.

Në takim ata folën për Ligjin për Liritë Fetare, për bashkëpunimin e ndërsjellë, për kontributin e Kishës Katolike për paqe midis njerëzve dhe bashkim të njerëzve, dhe për nevojën e rregullimit të statusit juridik të Kishës Katolike në Kosovë.

Kryeministri Kurti me këtë rast falënderoi udhëheqësit e Ipeshkvisë së Kosovës për bashkëpunimin e afërt, kontributin e vazhdueshëm, dhe rolin e rëndësishëm të tyre.

Ata gjithashtu biseduan edhe për vizitën e fundit që kryeministri Kurti zhvilloi në Vatikan, ku u prit nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku dhe Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Paroli. Kryeministri ndau me Ipeshkvin, imzot Dodë Gjergji dhe Don Lush Gjergji mbresat e tij nga vizita në Vatikan dhe nga takimi me shenjtërinë e tij, Papa Françesku.

Me 22 qershor, kryeministri Kurti kishte realizuar vizitën e tij të parë zyrtare në Vatikan. Në takimin me shenjtërinë e tij, Papa Françeskun, kryeministri Kurti kishte biseduar për rininë dhe ardhmërinë, për figurën, veprën dhe trashëgiminë e Nënës Terezë, për Letnicën e Vitisë ku asaj i erdhi thirrja për devocion, dhe për bashkëjetesën multi-fetare në Kosovë, si dhe e kishte ftuar atë që ta vizitojë Kosovën.

Filed Under: Kronike

TË GJITHË PO BIEN, PO RAMA KUR DO BJERË?

July 10, 2023 by s p

Sokol Paja/

Kërkesa e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për arrestimin e ish-zv.kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Arben Ahmetaj për: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” tregojnë kapjen e shtetit prej korrupsionit shtetëror. Piramida e lartë institucionale shtetërore dhe bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Rama gjenden pas hekurave, të tjerë do të bashkohen së shpejti. Arben Ahmetaj-zëvendësi i Ramës, Saimir Tahiri zëdhënësi i Ramës, Lefter Koka ministër, Alqi Bllako deputet, Vangjush Dako kryebashkiak i Durrësit, Fatos Tushe kryebashkiak i Lushnjes, Safet Gjici-kryebashkiak i Kukësit, komisarë policie e shumë drejtorë drejtorie të partisë socialiste, të besuar e bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit Rama të dënuar prej drejtësisë janë tregues i gjunjëzimit të çdo qelize shtetërore përballë mafies politiko-shtetërore që zhvat pasurinë e taksat e qytetarëve shqiptarë. Miqtë më të ngushtë politik e partiak të kryeministrit Rama, bashkëpunëtorët e tij prej 10 vitesh pushtet shpartallojnë e grabisin çdo pasuri publike e aset kombëtar. Asnjë llogaridhënie, asnjë përgjegjësi shtetërore. Të gjithë po bien, po Rama kur do bjerë? Një orë e më parë, sa më shpejt aq më mirë. Për 10 vjet qeveria Rama u ka dhënë shqiptarëve një model të tmerrshëm qeverisës, antishtet e antikombëtar: varfëri, vjedhje, korrupsion masiv, nepotizëm, shpopullim masiv. Një qeveri që s’ka asnjë moral të qëndrojë më në detyrë. Qeveria Rama ka braktisur interesin e qytetarëve dhe që shërben vetëm për oligarkët në pushtet. Rama prej kohësh e ka dorëzuar shtetin në duart e të fortëve lidhur me pushtetin. Vjedhja e shqiptarëve me skemën mafioze të “Inceneratorëve” është një prej skandaleve më të rënda në historinë e shtetit modern shqiptar. Ajo që e bën edhe më skandaloze aferën e shekullit është fakti se pagesat e kësaj skeme mafioze ende vazhdojnë dhe shteti nuk i ndalon me pretendimin se ka kontratë. Shteti bashkëpunon me krimin e veshur me pushtet. Pak ditë më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit Shqiptar ka konstatuar një dëm ekonomik prej 138 miliardë lekë gjatë vitit 2022 për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike dhe shkeljeve ligjore në shtetin shqiptar. Askush nuk mban përgjegjësi. Ekonomia e shtetit dhe vetë shteti në falimentimin. Nevojitet një aksion kombëtar i organeve të drejtësisë në Shqipëri që vendi të pastrohet prej korrupsionit shtetëror e politik që mban Shqipërinë e shqiptarët prej 3 dekadash. Shqiptarët meritojnë mirëqënie, shtet dhe dinjitet.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

TË ULESH MBI QEPALLË PËR T’I PËRKUNDUR ENGJËJT

July 10, 2023 by s p

Nga Shefqet Dibrani/

Rreth librit me poezi “Një fjongo dielli nga New Yorku” me autore Kozeta Zylo

NJË KETRUSH

Nga dëshira e pritjes së zjarrtë,

Po skuqen gjethet e pemëve,

Në këtë stinë vjeshte!

Një ketrush qëndron në majë,

Për të parë ardhjen tënde!  Faqe 112.

Këze Kozeta Zylo, ka lindur në Mezhgoran të Tepelenës. Shkollimin fillor dhe të mesëm i mbaroi në vendlindje, kurse u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin ALEKSANDËR XHUVANI në Elbasan. Studimet pasuniversitare i mbaroi në Tiranë. Për një kohë ka punuar mësuese e Letërsisë Shqipe dhe asaj Botërore në gjimnazet e Tiranës. Ishte aktiviste në proceset për rënien e komunizmit në Shqipëri dhe njëra nga themelueset e Partisë Demokristiane të Shqipërisë. Në vitet 1994-1995, ishte Sekretare e Përgjithshme e kësaj Partie, kurse në të njëjten kohë drejtoi edhe gazetën ORA E SHQIPËRISË, organ i demokristianëve shqiptarë. Në këtë gazetë, gjatë asaj kohe, ka botuar një sërë artikujsh publicistik.

Në shkurt të vitit 1997, pas shpërthimit të trazirave social-politike në Shqipëri, ajo emigroi në ShBA (New York). Fillimisht vazhdoi kualifikimet profesionale, pastaj ka punuar si Këshilltare e studentëve në disa kolegje, e më pas edhe në Bordin për Edukim të qytetit në New York. Dallohet për veprimtarinë e saj në mjaftë fusha, ajo ka bashkëpunuar me gazeta e televizione të shumta, qofshin ato të komunitetit të atjeshëm ose në Shqipëri.

Kozeta e Qemal Zylo, janë pronarë të TV “Alba Life“ New York, si dhe themelues të shkollës shqipe “Alba Life”. Në kuadër të kësaj shkolle Kozeta ka organizuar festivale, manifestime e spektakle të shumta kulturore e artistike si dhe ka organizuar edhe simpoziumin për çështjen e Kosovës.

Karshi këtyre aktivitetetve, Këze Kozeta Zylo ka botuar keto libra: Monumenti i Lotit (poezi) 2005, Pranverë pa Mimoza (poezi) 2006, Mjellmat po të vijnë (poezi) 2008, Një fjongo dielli nga New Yorku (poezi) 2010, Refleksione shpirtërore (kritikë, esse, reportazhe) 2010, Kujtimet si fletëz libri, (poezi) 2015, Diaspora si krah shqiponje (reportazhe, esse, kritikë letrare) 2015, Albatare dhe Abetare (libër me poezi për fëmijë).

Për punën dhe angazhimin e saj ka marrë titullin nga Presidenti i Shiqpërisë “Kalorës i Urdhrit Të Flamurit”, Ambasadorë të Kombit, mirënjohje dhe çertifikata nderimi, qoftë nga komuniteti Shqiptar në Amerikë, por disa sish edhe në Shqipëri.

Këze Kozeta Zylo, bashkë me burrin Qemail Zylo dhe dy vajzat e saj jetojnë në New York / ShBA.

LIBRI…

Libri, NJË FJONGO DIELLI NGA NEW YORKU, i Këze Kozeta Zylos, ndahet në pesë cikle: ATDHEU; NËNËS SIME; LËNDINAT E PRILLIT; HAIKE dhe ELEGJI. Këto cikle kompletojnë tërësinë tematike dhe motivore, kurse mozaiku i përgjithshëm ka dalë mjaft mirë i konceptuar, në të cilën ndërthuren motive e përkushtime të shumta që kompletojnë artistikisht, mjaft mirë mozaikun e përmbledhjes poetike NJË FJONGO DIELLI NGA NEW YORKU.

KOSOVA…

Jo rastësisht poetesha me origjinë nga Labëria e hap librin me poezinë “Prishtina, filz shpirti”, në të cilën shprehet se “Kur të putha sytë e shpirtit/ Nga qielli i kaltërt i Nju Jorkut/ Një filiz në zemër mbiu/ E vaditëm, bashkë së toku“. Emocioni lirik zhvillohet edhe më tej në vargjet vijuese: “Kur të erdha pranë Prishtinë/ Trëndafila kudo çova/ Lulet bozhur në gji i ruajta/ Amerikës ia dhurova“. Përmes këtij përkushtimi lirik, poetesha i shpreh mirënjohje Amerikës për çlirimin e Kosovës, dhe për emancipimin demokratik të saj, prandaj: “Je bërë folezë thellë gjoksit/ Cicëron në gjuhën shqipe/ Folmë Nënë Loke, të tund dheun/ Se Kosova është toka ime“; (faqe 8.) Në vijim, tërë epika e lavdisë zhvillohet, NË KËSHTJELLËN ADEM JASHARI, siç shprehet veta ajo, kur “Nga frëngjitë mijëra dritëza/ Flakë po skuqnin si bozhurë“ ndërsa “baladat si vetëtima“, përmbyllin epikën e lavdisë me vargjet: “Kudo ku rriten trima gjithë nur/ Jan prej Kosove, nuk tremben kurrë“,

(poezia NË KËSHTJELLËN ADEM JASHARI, faqe 11-12.) 

Motivin e epikës legjendare, poetesha e ka bartur edhe në pozi të tjera, më e veçantë është poezia BAC U KRY!, në të cilën poetesha shkruan: “Herë u bëra Zanë e Malit,/ herë nënë Loke me xhubletë/…/ Për Kombin tim të ngre flamurin,/ Me Kosovë mish e thua”, (poezia BAC U KRY!, faqe 22-23.)

PËRMBI VARG

Mbeta, mbeta përmbi varg,

Si metaforë e blertë pranvere,

Po të mos kisha farë poeti,

Çdo gërmë do fshihej midis reve…! Faqe 44.

Jo vetëm poezia PËRMBI VARG, të cilën e solla këtu, por brenda ciklit të poezive me përkushtime për Atdheun, përkatësisht figurave të ndritura që bënë shumë ose u sakrifikuan nëpër kohëra, poezi tejet krakteristike është ajo me titull “VALBONA…”, me nëntekst të bijes, d.m.th. e pagëzuar me këtë emër, toponim i Lumit dhe Krahinës, me të njëjtin emër, duke e ndërlidhur ndjenjën dhe përkushtimin artistik me zonën në fjalë, e cila është e virgjër dhe perlë etnike e Alpeve shqiptare, ku bashkë me epikën legjendare mjaft të bujshme përbëjnë historiografinë e tërë krahinës, madje edhe të Atdheut etnik të poeteshës. Për të pasur simbolikën edhe më të fuqishme, poezisë parë nga prizmi metaforik, disa epitete ia atribuon vajzës së vet. E kur jemi te shqyrtimi kritik i kësaj poezie, ajo që bie në sy është shënimi sqarues i vënë në fund të poezisë në të cilin thuhet: “Këtë poezi ja kushtoj bijes time Valbona, me emër aq të bukur, të Lumit VALBONA në Tropojë, i cili më frymëzoi për ta pagëzuar fëmijën time të parë.” Pastaj ajo shton: “Ne e vizituam Lumin Valbona deri në burimin e saj, në Grykën e Dragobisë, në gusht të vitit 1985. Për ne do të ngelet një kujtim i paharruar, mikpritja e njerëzve dhe bukuria magjepsëse e Alpeve dhe Lumit Valbona në Tropojë”, (faqe 36.) 

Sipas këtij dedikimi, poezia merr kuptim dhe simbolikë, për të cilat edhe lexuesi bindet se kjo poezi do të ngelte e mangët, (jo mjaftueshëm e kuptueshme), dhe jo aq e vlerësuar pa këtë shënim sqarues, i cili në këto raste është i domosdoshëm, madje shembull si duhet sqaruar, dhe të dëshmohet me veprim konkret, mënyra sa e si duhet dashuruar e vlerësuar një Zonë të Atdheut e cila është e bekuar nga Zoti! Nga vetë poezia shihet se poetesha, paska marrë shpërblimin e pritur, kur e bija me sukses ka mbrojtur në Amerikë gradën akademike doktore e shkencave në fushën e kritikës letrare për letërsinë spanjolle.

NJË FLLAD PRANVERE

Petale lulesh, binin,

Butë-butë, mbi fije bari,

E një fllad pranvere i mbështolli,

Për të veshur fëmijët jetimë!  Faqe 49.

Për bukuritë e Gjirokastrës flet poezia me të njëjtin emër, ndërsa emblemë kulturore e këtij qyteti mbetet “Shekspiri shqiptar, Kadare“, (faqe 37), epitet unikal për shkrimtarin me renome botërore Ismail Kadare. Po aq e realizuar është edhe poezia kushtuar Korçës, nga e cila po i shkëputim vargjet: “Dhe ndalem unë nën muzgun blu/ Tek Korça lule, pa vyshkur kurrë/ Ç’xixëllonja shpirti derdhen këtu/ Një gërshetë hëne gjoksit jua thur“, (poezia KORÇËS, faqe 38.) Janë emocionuese edhe vargjet: “Do të marr një fjongo qielli/ Që t’ja lidhë foshnjës në djep/ Dritë t’i bej botës ku jemi/ Det dhe Vlorë cep më cep“, (poezia VLORËS, PRINCESHË ME KURORË ULLIRI, faqe 39-40.) Të këtij niveli janë edhe poezitë: “Hej Çamëri”; “Për ty Kosovë, për ty Rugovë”; e ndonjë tjetër. 

VENDLINDJA 

Mezhgorani i Tepelenës, është vendlindja e Kozeta Zylos, dhe kjo kuptohet nga gjithë ato poezi që ia kushton vendlindjes, bëmave të asaj zone dhe përjetësimi që ua bënë personalitetetve të shquara, të artit e kulturës, arsimit dhe arritjeve të shumta të qytetarëve nga vendlindja e saj. Ndonjërin nga personalitetet që i hasim në këtë përmbledhje poetike, e ka lidhur puna ose shërbimi në Mezhgoran të Tepelenës, e ndonjërin edhe aspekt gjenetik siç është rasti i Sejfulla Malëshova, i cili një pjesë të fëmijërisë e kaloi në këtë fshat, pasi nëna e tij ishte me origjinë nga Mezhgorani i Tepelenës. Po ashtu në këto anë rritet edhe lulja me emrin “Lule mëllaga”, dhe sipas poeteshës, “Ato çelin nga dashuria e nënës sime/ Dhe shpirtëzojnë sendet që s’preken më”, (poezia LULE MËLLAGAT, faqe 55.) Pa dyshim, elementi idilik për vendlindjen përbën një simbiozë karakteristike e cila përjetohet në këtë poezi të shkurtër të cilën po e sjellim të plotë:

KARAFIL MEZHGORANI

Karafil mezhgorani,

Aromë sjell kudo që mbin,

Vals gjethesh gjer te retë, 

Muzikë e ëmbël, më përpin! 

Faqe 31.

Ndër poezitë e realizuara që kanë për motiv vendlindjen janë poezitë: “Feim bej Mezhgorani”; “Shkollës së parë shqipe në Mezhgoran”; “Tepelenë”; “Normailistëve të Mezhgoranit”; “Vatranëve të Mezhgoranit”; “Prof. Sejfulla Malëshovës”; “Doktor Përparim (Mezhgoran) Tepelenës”; “Trëndafila Mezhgorani”; “Tepelenës sime”; “Arrëz e madhe, palcë burimi”; “Karafil Mezhgorani”; “Një mësuesi…!”; “Senatore e diasporës”, etj. I tërë ky opus, përbënë spektër të rrallë poetik dhe të pa përsëritshëm nga aspekti i ndjenjës dhe përjetimit për vendlindjen e saj. Këtij cikli do t’ia shtoja edhe një tufë emrash të cilët poetesha i ka sjellë nga një botim i gazetës DIELLI 1912, gazetë të cilën e kanë udhëhequr korifejtë e letrave shqipe Noli dhe Konica, (faqe 17.)

Karshi poezive kushtuar Mezhgoranit, shkëlqen edhe cikli NËNËS SIME, që përbëhet me vetëm katër poezi emblematike kushtuar nënës së vetë e cila: “Në të ndarë një fjalë s’më the,/ më le peng, fijëzat e shpirtit,/ me to thura një folezë,/ strehën më hyjnore të vitit…”, (poezia STREHA HYJNORE, faqe 53.)

LIRIKAT

Me një stil të vetin që në brendësi ka brishtësi, me shprehje të thjeshta, sidomos qasja dhe preokupimi janë vlerë e realizuar mirë. Një përpjekje gjer në sakrifikim duket të jetë hapësira gjeokgrafike, kurse Kosova, për poeteshën është preokupim parësor.

Poezia e Këze Kozeta Zylo, është një poezi që të tërheq, kudo shpreh shqetësim lirik që ka të bëjë me motivin që trajton, veçmas përballë subjektit që i kushton poezinë. Përveç hapësirës etnike, si rrallë tjetër, në poezinë e saj gjejmë shënime sqaruese për subjektin duke i dhënë kuptim e saktësim përkushtimit poetik, pasi janë disa personalitete të cilët për gjithësecilin lexues nuk janë të njohur, prandaj këto sqarime plotësuese bëjnë për t’u kuptuar si duhet motivi pse poetesha me kaq dashuri ka shkruar poezinë përkatëse, që i kushtohen personit ose heroit të saj epik ose lirik.

Nga i gjithë libri, cikli me lirika përfaqëson denjësisht, intelektualisht dhe poetikisht unin e saj krijues, vë në pah më mirë e më dukshëm prirjen për të shkruar poezi duke e bërë poeteshen më të afërt, më të dashur dhe më të admiruar nga lexuesi dhe ndjekësit e saj. Andaj i tërë fokusi i vlerës poetike përqëndrohet pikërisht te poezia lirike, ndërsa ciklet e tjera kompletojnë mozaikun e motive dhe dëshmojnë edhe për opusin e saj lirik, duke i dhënë sharm estetik poezisë e cila si lirikë dhe tematikë qëndron mirë, dhe mirë është kompletuar në ligjerimet lirike, pa lënduar motivet epike dhe motivin elegjiak të ndërthurur në brendësinë e këtij libri.

NJË CEP TË BUZËS

Sa herë vdes e ngjallesh prapë,

Ti e ëmbla dashuri,

Çuditërisht ti helm kurrë s’ke,

Veç me afsh më ndjell në gji!

…

Herë butë-butë, herë trazuar,

Në puthjet tona, çmenduri,

Një cep të buzës ke kafshuar,

Marrosem unë, marrosesh ti! 

Faqe 59.

Nga kjo ndjenjë qoftë vetëm hipotetike, mesazhin e dashurisë e bëjnë të sinqertë vargjet: “Më varej Hëna mbi qerpik,/ lot të florinjtë seç pikonte”. Ky indikacioni lirik shpreh përkushtim, sigurisht edhe epshi lirik: “mbi gjoksin tim papushim,/ pranvërë dhe vjeshtë pikturonte”, (poezia TË BLERTAT FJALË, faqe 68.) Ky motiv që vjen pas këtyre vargjeve e bënë poezinë lirike të saj më artistike, shpesh e liriuar nga paragjykimet por gjithnjë mendimi i saj është artikuluar brenda kodit pedagogjik, profesion të cilin poetesha e ka ushtruar tërë jetën. Shikuar nga ky prizëm edhe poezitë e Kozetës kanë mesazhin e dashurisë e të atdhedashurisë, duke përfshirë brenda opusit të saj tërë hapësirën etnike të saj.

REGËTIN PA FAJ

M’i rrëmbyen yjet e qiellit,

Ëndrrat e zjarrta,

Dhe stolisën gushën e hënës,

Me një zinxhir të artë!

Dashuria ime,

Me petale të purpurta,

U çmend pas puthjeve,

Puthjeve të gjakta,

Dhe zemrës, që regëtin pa faj! 

Faqe 73.

Poezia është e shkruar me shprehje të bukura, sepse ajo “Zogut ia mori këngën, e atij shpirtin e zjarrtë”, (e modifikuar), andaj kanë edhe mesazh të caktuar sa lirik po aq patriotik, ndërsa në esencën e saj ka një lirizëm të stërholluar: “Provova të të flas, dhe pse asnjë lajm,/ zogut i mora këngën, ty shpirtin e zjarrtë! /…/ Mendova çfarë s’mendova, gjithçka në shpirtin tim,/ S’mjafton të mendosh, se çmendesh Princi im!”, (poezia S’MJAFTON TË MENDOSH…, faqe 76.) ose në disa vargje ka një idilikë, si figurë estetike mirë e realizuar: “Me këto vargje mblodha ditët,/ Dy prej tyre i struka thellë,/ Se zjarri i shpirtit kur përflakët,/ Bashkë me yjet ndrin në qiell”, (poezia DY PREJ TYRE, faqe 81.)

Brenda këtij cikli ka poezi e strofa poezish lirike, po ashtu ka mendim lirik që e arsyetojnë angazhimin e poeteshës edhe në këtë fushë. Për shijen time do t‘i kisha cekur edhe poezitë: “Si shkumë qumështi”; “Hëna varej mbi qerpik”; “Pshërtimat”; “Shpirt, sa më dukesh i bukur”; “Puthjen që më dhe mbrëmë”; “Cipa e shpirtit”; “Në gjirin e hënës”; “Cigani i zeshkët”; “Loto shpirti im loto”; “Si mjellmë”; “Sërish”, e ndonjë tjetër.

HAIKE

Cikli HAIKE, përbëhet nga 6 poezi të shkurtra; “Çmendje hyjnore”; “U bëfsha hi”; “U kthefsha zog”; “Dashuri e çmendur”; “Sytë e tu” dhe “Hëna djersiu”. Cikli Haike, vërtetë është një tip poezie ndryshe, mjaftë karakteristik, kurse poezitë janë të veçanta. Poezitë e këtij cikli përbëhen nga tre vargje dhe të gjitha kanë mesazh të fuqishëm dhe me porosi të çartë. P.sh.: “Vdeksha, që t’i them varrit sa të dua!”, (poezia DASHURI E ÇMENDUR…, faqe 117.) Jo vetëm si lirikë me simbolikë meditative por poezia dhe vargu në brendësi të vet përmbajnë mesazhe të forta filozofike. Po aq të përjetuara janë edhe shtatë elegjitë që përmbyllin librin NJË FJONGO DIELLI NGA NEW YORKU, të Këze Kozeta Zylos.

Dhjetor 2010. (E përpunuar, më 2023)

St Gallen, Zvicër

Filed Under: LETERSI Tagged With: Keze Kozeta Zylo

PO ME OSO KUKËN E ME MALËSORËT ÇKA KINI?!

July 10, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Diskursi i pagdhendur politik ndër-shqiptar i javës që kaloi ishte i pa-precedentë në shumë pikëpamje dhe i shëmtuar gjithashtu për vet faktin se si mund të kishte një komunikim të tillë midis shqiptarësh. Tallje me heroizmin e Oso Kukës dhe ofendim i malësorëve.  Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, Kryeministri i Shqipërisë u tallë me heroizmin e Oso Kukës dhe nga Prishtina, Deputeti i Kosovës, Xhavit Haliti duke komentuar– në një intervistë televizive — në lidhje me mos-takimin e Kryemistrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti me Kryeminisitrin e Shqipërisë, Edi Rama – u shpreh pak a shumë se vendimi i  Kurtit për të mos u takuar me Kryeministrin Rama – ishte një reagim prej “malësori”, sipas parlamentarit të njohur të Kosovës.  Unë nuk e di se çfarë kishte ndër mend Haliti me “reagim prej malësori”, por dua t’i sjellë në kujtesë parlamentarit të Kosovës se në fillim të 1980-ave, ishin pikërisht këta “malësorë” me reagimin e tyre prej “malësori”, që ishin në krye të demonstratave anti-serbo-jugosllave nepër rrugët e Washingtonit, para Kongresit e Shtëpisë së Bardhë, për të kundërshtuar politikat gjenocidale anti-shqiptare sllave në Kosovë.  Këtë fakt e vërtetoi edhe patrioti i madh shqiptaro-amerikan, Xhim Xhema në një fjalim shkurtin që kaloi në Prishtinë, me rastin e 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës – parlamentar i të cilës është sot Haliti me shokë. Malësorët shqiptaro-amerikanë nuk duan as nuk presin ndonjë shpërblim për këtë, sepse ua kanë lenë amanet të parët si detyrim për të mbrojtur trojet. Por, shqiptaro-amerikanët, në tërësi dhe malësorët në veçanti nuk presin ofendime për veprimtarinë e tyre patriotiko-historike në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në fund të shekullit të kaluar, sidomos këtu në Amerikë. Jo vetëm nepër rrugët e qyteteve amerikane, por edhe nepër korridoret e diplomacisë dhe në zyrat e niveleve më të larta qeveritare të Shteteve të Bashkuara, ishin shqiptarët nga trojet shqiptare nën Mal të Zi, ata që u prinin demonstratave anti-jugosllave në Washington.  Mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë në fund të shekullit të kaluar ishte një reagim normal “prej malësori”, e këtij komuniteti, sidomos në Nju Jork dhe në Detroit. Prej malësorëve, sidomos atyre në Amerikë, vetëm të mira ka parë Kosova këto 50-vitet e fundit, I nderuar Haliti.

Më duhet t’i kujtoj Z. Haliti dhe brezit të tij se kur malësorët e komunitetit shqiptaro-amerikan – në krye me udhëheqës të këtij komuniteti, si patrioti Xhim Xhema, demonstronin për të siguruar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për çeshtjen e Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë Ballkanit Perëndimor, brezi i tij në Kosovë, i kishte kthyer sytë dhe të gjitha shpresat për zgjidhjen e çeshtjes së Kosovës, tek regjimi i Enver Hoxhës.

Unë nuk dëshiroj të polemizoj me askënd, e sidomos jo me personalitete të larta shqiptare, pasi fatbardhësisht, përpiqem të mos jetoj në botën e tyre të mendimit politik. Por, këto dy raste të javës që kaloi, tregojnë se sa e pa informuar (ose Zot ruajna sa e djallëzuar) është bota shqiptare sot përball historisë së vërtetë të një pjese të Shqipërisë e të shqiptarëve,  pikërisht për arsye të historiografisë sllavo-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës që gjithnjë, zyrtarisht dominon dhe që refuzohet të korrektohet, më shumë se tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit

Sidoqoftë, nëse dikush dëshiron të dij se kush ishte Oso Kuka dhe cili ishte heroizmi i tij, por edhe për rolin e malësorve dhe reagimet e tyre “prej malësori”, siç u shpreh deputeti Haliti – u ftoj të lexoni Lahutën e Malësisë të Poetit Kombëtar, At Gjergj Fishtës, vepër homerike e Kombit Shqiptar.  Aty Gjergj Fishta i ka kushtuar 5 vjershat e para të Lahutës, pikërisht Oso Kukës dhe Vraninës, por edhe rolit dhe luftërave të malësorëve gjatë historisë në mbrojtje të Shqipërisë dhe të Kosovës. gjatë shekujve. 

Dihet se një shumicë e politikanëve aktualë shqiptarë, anë e mbanë trojeve shqiptare, janë edukuar në frymën ideologjike enveriste, sllavo-aziatiko-komuniste – një frymë kjo që mbizotëron, në përgjithësi, edhe sot politikën dhe kulturën shqiptare, për fat të keq. Në trojet tona nën komunizëm pas Luftës së Dytë Botërore, Gjergj Fishta dhe Lahuta e Malëcisë ishin të ndaluar rreptësisht. Për më tepër, po t’përmendesh Fishta në komunizëm, njerzit e pësonin keq, në të dy anët e kufirit shqiptar. Siç tregojnë edhe komentet plot mllef, inate e tallje të javës që kaloi, antagonizmat ndaj At Gjergj Fishtës janë aqë të theksuara ende në botën shqiptare, sa që të bindin se sa e efektshme paska qenë propaganda sllavo-komuniste gjysëm shekullore kundër tij, e që ende vazhdon sot, ndonëse me mënyra të tjera më të sofistikuara. 

Si lexues i rregullt i Lahutës së Malcisë të At Gjergj Fishtës, bashkohem sinqerisht me At Danjel Gjeçajn – botuesin e Lahutës së Maësisës në vitin 1958, duke u bërë thirrje bashkatdhetarve kudo, e sidomos politikanëve aktualë:  “Lexoje me dashni Lahutën…Shfletoje me kujdes Lahutën e Homerit të kombit tand…Ndigjoje me vemendje Fishtën dhe fletët e Lahutës…Studjoje me peshim Lahutën dhe më në fund, Ruaje Lahutën sepse është ma fort e jotja se e Fishtës”, ka këshilluar At Daniel Gjeçaj.  Sepse, “Bërthama dhe thelbi i nji kombi” nuk shuhen për derisa nga shqiptarët të këndohet Lahuta, për derisa nga ata të ndiqet heroizmi i Oso Kukës dhe urtija e Marash Ucit, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Drangojve legjendarë në Bigë të Shalës, fytyrat historike në Rrzhanicë…dashunija e vetmohimi i Pater Gjonit, guximi e burrnia e Ded Gjo Lulit, fisnikia e virtyti burrënor i Tringës…”, ka porositur ai.  Vet At Gjergj Fishta ishte i bindur se në veprën e tij, ai i kishte lënë Kombit të vet një “Pomendore”:

“Veç se po moj Zanë Shqyptare

Krah m’krah bashk na tue këndue

Ndërtue kemi ‘i pomendore

Rrfe as mot mos m’e dërmue”.

Rrfeja as moti, ndoshta jo nuk e dërmojnë Lahutën e Gjergj Fishtës as protagonistët e saj të Kombit, por shqiptarët vet po e “dërmojnë”, duke mos e përfillur, duke e tallur e duke e injoruar.  Po “dërmohet” nga ata që nuk dinë se në Lahutë, gjënden fatet e kombit se Lahuta Malësisë pasqyron historinë e shqiptarëve, pa të cilën nuk mund të shkruhet as historia e kombit.  Për më tepër, Lahuta është shtylla e traditave kombëtare pa të cilat, eskpertë të ndryshëm janë shprehur se nuk se mund të realizohet një qytetërim i përparuar shqiptar, as një zhvillim dhe shtet-ndërtim modern — në përpjekjet shekullore të shqiptarëve për tu bërë pjesë e botës, në të cilën jetojmë.

Traditat e trashëguara stërgjyshore, aq mjeshtërisht të gërshetuara në Lahutë, si nderi, besa, burrënia dhe mikpritja, jo vetëm që nderojnë emrin shqiptar ndër shekuj, por ato radhisin shqiptarët në rendin e kombeve më të përparuara të botës.  Në Lahutën e Malëcisë, At Gjergj Fishta, nepërmjet protagonistëve të Lahutës, i këndon popullit shqiptar, nderit dhe lirisë së fisit e të Kombit.  Vazhdon të jetë një burim i pashterrshëm atdhedashurie, trimërie dhe vlerash kombëtare – që aq shumë mungojnë sot ndër shqiptarët — por edhe një vepër që sipas At Danjel Gjeçajt — redaktorit të Botimit të dytë të Lahutës së Malcis në Romë, në vitin 1958 – “Përtërinë fuqitë e ligshtueme t’ushtarëve të lodhun, naltëson moralin e ramë, shton uzdajën në fitoren vendimtare, përforcon dashuninë për Atdhe, ngjall heroizmin dhe trimënon zemrat e molisuna”.

Lahuta e Malëëcisë është epopeja kombëtare, “pomendarja”, nga e cila mund të mësojnë shumë politikanët e sotëm shqiptarë – sidomos sa i përket atdhedashurisë – është një përmendore e përjetshme që do të kujtohet brez pas brezi, sepse ajo ka dalë nga vet populli, pa marrë parasysh trajtimin anti-kombëtar të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj At Gjergj Fishtës, por edhe përball talljeve të kohëve tona me protagonistët kryesorë të Lahutës së Malësisë dhe rolit të malësorëve në historinë e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Megjithë talljet me protagonistë të Lahutës së Malësisë dhe të rolit të malësorëve ditët e fundit nga politikanë të Prishtinës e Tiranës,  Gjergj Fishta, atëherë dhe sot, prapseprap, u bën thirrje shqiptarëve e sidomos liderëve të tij, të ndjekin shembullën e heroizmit të kreshnikut shqiptar Oso Kuka e të vdesin si ai, para se të lejojnë copëtimin e vendit.  

Çdo komb tjetër do të krenohej me At Gjergj Fishtën, dhe protagonistët e veprës së tij si Oso Kuka dhe malësorët, por jo klasa e sotëme politike shqiptare në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.  Megjithkëtë, Lahuta e Fishtës mbetet si gurrë vlerash kombëtare që dalin nga toka dhe nga zemra shqiptare, një burim që nuk shterret kurrë, një burim i pashterrshëm vlerash që mbeten për tu zbukuruar nga brezat, megjith përpjekjet mizore për të minimizuar vlerat e veprës së tij— për të mos thënë përpjekjet zyrtare aktive çoroditëse për t’a zhdukur veprën dhe influencën e Gjergj Fishtës në Atdhe. 

Indiferenca zyrtare politike, akademike dhe historike ndaj At Gjergj Fishtës është një nënçmim, një tallje dhe dhunim ndaj historisë së Kombit. Çonju të Vdekur.  Zgjohu Gjergj Fishta. Megjithkëtë, mos vajto ma Lahutë, por kendo:

 “Merr Kaçel njiherë lahutën

E na e thuej nji kangë shqyptare

S’mbajmë na zi pa na qitë fare!”

Shqipëria, Kosova dhe Kombi shqiptar duhet të shpëtohen, patjetër, megjithëse sot ushtarët e At Gjergj Fishtës dhe protagonistët e Lahutës së Malësisë janë të pakët në numër!

Frank Shkreli

A group of men standing at podiums

Description automatically generated
A person in a suit and tie

Description automatically generated
A person with a mustache and a book

Description automatically generated

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1569
  • 1570
  • 1571
  • 1572
  • 1573
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT