• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“TOKA JONË: FILMI, ARKIVA, HISTORIA”

December 12, 2025 by s p

Paulin Zefi/

“Kulakët në Shqipërinë Komuniste (1945-1990): Rasti i Familjes Syku dhe mekanizmat e persekutimit shtetëror.”

Kategoria e ashtuquajtur “Kulak” përbën një element themelor në analizën e historisë politike, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë gjatë periudhës komuniste 1945–1990. E huazuar nga sistemi sovjetik, “ГУЛАГ (GULAG)”, i idhullit të Enver Hoxhës, Josif Visarionoviç Stalin, dhe e aplikuar në kontekstin shqiptar si pjesë e doktrinës së “luftës së klasave”, kjo kategori u përdor jo vetëm për të përcaktuar fshatarët më të pasur, por më shumë si një instrument i posaçëm politik për neutralizimin e shtresave të konsideruara potencialisht kundërvënëse ndaj pushtetit të Partisë Komuniste ose Partisë së Punës. Për këtë arsye, koncepti i kulakut në Shqipëri duhet parë jo si një kategori reale sociale dhe ekonomike, por si një “prodhim politik” që u përdor në mënyrë sistematike për të justifikuar transformimin radikal të strukturës shoqërore rurale dhe për të konsoliduar kontrollin e pushtetit mbi fshatin. Në nivel doktrinar, përkufizimi i kulakut u importua nga marksizëm-leninizmi sovjetik, i cili i trajtonte fshatarët e pasur si mbështetës të ekonomisë së tregut dhe, rrjedhimisht, si pengesë për kolektivizimin e bujqësisë. Megjithatë, realiteti shqiptar ishte shumë ndryshe në raport me atë të B.R.S.S. (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike).

Vendi jonë nuk kishte një shtresë aq të pasur fshatare dhe të kristalizuar, të krahasueshme me atë ruse, për shkak të fragmentimit të pronësisë, nivelit të ulët të mekanizimit dhe të varfërisë së përgjithshme. Në këtë kuptim, shpallja e familjeve si kulake nuk bazohej në tregues objektivë ekonomikë, por kryesisht në kritere që përcaktoheshin sipas konjukturës politike, interesave meskine të strukturave të partisë, raportimeve të Sigurimit të Shtetit dhe shpeshherë konflikteve apo rivaliteteve lokale. Kjo u bë dukshëm e qartë në periudhën 1945–1956, kur procesi i identifikimit të “elementit të pasur” lidhej drejtpërdrejt me zbatimin e Reformës Agrare të vitit 1946 dhe me synimin e pushtetit për të shkatërruar çdo autonomi ekonomike në fshat. Familjet që zotëronin pak më shumë tokë, tufa të mëdha me bagëti, disa kafshë pune, një mulli, një dyqan, apo që kishin punësuar punëtorë sezonalë, shpalleshin automatikisht kulake, ndërkohë që etiketimi zgjerohej edhe për familje me traditë influence lokale, lidhje me diasporën, me tregun, apo me ish-elitën parakomuniste. Për kulakët u vendosën taksa të jashtëzakonshme, kuota të papërballueshme, dënime ekonomike dhe procedime penale që synonin jo vetëm varfërimin e tyre, por edhe izolimin e plotë politik.

Në shumë raste, dënimi shoqërohej me internim ose burgim të menjëhershëm, konfiskime të pasurisë dhe humbje totale të së drejtës së lëvizjes. Me fillimin e kolektivizimit të bujqësisë në fundin e viteve 1950 dhe sidomos pas vitit 1960, kategoria e kulakut u zgjat, u politizua edhe më tepër dhe u integrua në strukturën ideologjike të shtetit si kategori e pandryshueshme e “armikut të klasës”. Pjesëtarët e kësaj kategorie fajësoheshin si shkaktarët kryesorë të prapambetjes dhe varfërisë së vendit, duke u paraqitur nga propaganda zyrtare si njerëz të ligj, shfrytëzues të popullit, frenues të zhvillimit ekonomik dhe pengesë për ndërtimin e shoqërisë së re socialiste. Familjet e shpallura kulake përjashtoheshin nga kooperativat bujqësore ose pranoheshin vetëm në rolin e punëtorëve më të rëndomtë, me normativë të ulët dhe me trajtim diskriminues. Fëmijët e këtyre familjeve ndëshkoheshin në mënyrë sistematike në aksesin në arsim, në mundësinë e punësimit, në ushtri dhe në çdo formë ngjitjeje sociale, ndërkohë që biografia e tyre shoqërore mbahej nën survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit.

Faza më e ashpër e luftës së klasave kundër kulakëve u shënua pas vitit 1967, kur Shqipëria ndërmori një version të vetin të Revolucionit Kulturor të kopjuar nga Kina, i cili e ngarkoi hapur fshatin me detyrën ideologjike të “spastrimit nga elementët armiqësorë”. Në këtë periudhë u ngritën në fshat komisione të posaçme, që rishikonin biografitë dhe e shtonin listën e kulakëve çdo vit, ndërkohë që çdo shenjë pavarësie ekonomike, kundërshtimi, apo thjesht mosbindjeje ndaj autoriteteve lokale mjaftonte për të rivendosur etiketime. Në disa zona, kulakët u përdorën si objektiv i demonstrimeve politike gjatë mbledhjeve publike, ku emrat e tyre shpalleshin si shembuj “armiqësorë” dhe demonizoheshin, duke prodhuar jo vetëm frikë, por edhe stigmatizim të thellë shoqëror. Edhe pas vitit 1978 (prishja me Kinën), kur modeli autarkik socialist (vetë-mjaftueshmëria ekonomike) u shtrëngua edhe më tepër dhe kur roli ekonomik i kulakëve ishte zhdukur thuajse plotësisht, stigmatizimi politik mbeti ende shumë aktiv. Biografia kulake u ruajt si kategori ndëshkuese dhe përcaktonte në mënyrë vendimtare fatin social të individëve, duke u reflektuar në qindra raste të pamundësisë për të studiuar, për të punuar në profesione të konsideruara “delikate”, për të marrë banesë, apo edhe për të lidhur martesa me familje të konsideruara “me përbërje të mirë” ose “me biografi të mirë.”

Në disa raste, familjet e stigmatizuara mbetën në internim deri në fund të viteve 1980. Rasti i Familjes Syku dhe mekanizmat e persekutimit shtetëror ndaj saj përfaqësojnë një shembull shumë domethënës të mënyrës se si aparati komunist i pas Luftës së Dytë Botërore ushtronte dhunë të strukturuar mbi familjet me prona të mëdha, me autoritet lokal dhe me traditë të fortë shoqërore. Persekutimi ndaj kësaj familjeje malësore të Bregut të Matës, nisi që në fazat e para të zbatimit të Reformës Agrare të vitit 1946, e cila në thelb synonte shpronësimin e shtresave të larta rurale dhe shkatërrimin e strukturës së vjetër të pronësisë. Duke qenë ndër pronarët më të mëdhenj të rajonit, anëtarët e familjes Syku u kategorizuan automatikisht si “kulakë”, një etiketim me natyrë ideologjike, ekonomikisht shkatërruese dhe penalisht ndëshkuese. Brenda një kohe shumë të shkurtër, Gjon Nik Sykut iu konfiskuan 550 ha tokë, ndërsa Dod Preç Sykut 500 ha, shifra që dëshmojnë përmasat e shpronësimit të ndërmarrë nga regjimi komunist si instrument për t’i hequr kësaj familjeje çdo bazë ekonomike, sociale dhe morale.

Kundër Dod Preç Sykut u ushtrua një presion edhe më i ashpër. Shtëpia e tij në Lezhë u sekuestrua dhe u adaptua nga shteti si godinë për Degën Ushtarake, ndërsa ai vetë u arrestua dhe u dënua pa të drejtë mbrojtjeje. Akti i shpronësimit u shoqërua me një formë të pashembullt dhune psikologjike dhe fizike. Dod Preç Syku u dënua dhe u burgos së bashku me familjen e tij, përfshirë edhe fëmijët. Ata u mbajtën të izoluar për gjashtë muaj rresht brenda një ambienti të shtëpisë së tyre, të kthyer tashmë në burg, duke iu mohuar atyre lirinë elementare dhe duke i ekspozuar ndaj një traume më të thellë e afatgjatë. Emigrimi i Anton Sykut në vitin 1950, i cili kaloi kufirin, duke u arratisur në Jugosllavi dhe më pas u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u interpretua nga autoritetet komuniste si akt shumë i rëndë armiqësor, duke prodhuar një valë të dytë represioni kundër familjes. Në vitin 1951 u arrestua Prelë Syku, i cili u dënua me një periudhë të gjatë burgimi, duke u bërë anëtari që përjetoi më rëndë pasojat e politikës ndëshkuese të regjimit.

Nga një vlerësim i përgjithshëm del se nga rreth 70 anëtarë të familjes Syku, 20 prej tyre janë dënuar me burgime të ndryshme. 10 kanë vuajtur dënime nga 7 deri në 30 vjet, siç është rasti i Prelë Sykut, i cili në fillim u dënua 10 vjet, u lirua dhe më pas u dënua sërish, por kësaj rradhe me plot 20 vjet. Ndërsa në total familja Syku ka kaluar mbi 100 vite dënime nëpër burgjet e tmerrshme të regjimit komunist. Përveç ndëshkimit fizik dhe ekonomik, regjimi aplikoi edhe forma të persekutimit social e kulturor. Asnjë prej anëtarëve të familjes nuk u lejua të vijonte shkollimin përtej arsimit të detyrueshëm, duke u privuar kështu mundësinë për të aksesuar arsim të mesëm e të lartë, dhe rrjedhimisht, duke i përjashtuar nga çdo mundësi integrimi profesional dhe emancipimi intelektual. Ky trajtim i familjes Syku ilustron funksionimin e një sistemi të tërë represiv, i cili ndërthuri instrumente të ndryshme: shpronësim, ndëshkim penal, izolim shoqëror dhe kufizim arsimor, me synimin për të shkatërruar shtresat tradicionale të shoqërisë shqiptare dhe çdo strukturë alternative të autoritetit jashtë kontrollit të Partisë së Punës.

Në Shqipërinë komuniste, rreth 7.000-8.000 familje, që përfaqësonin 20.000-25.000 individë, u kategorizuan si “kulakë” dhe u etiketuan si “armiq të klasës”, sipas të dhënave të evidentuara në dokumentet zyrtare, përfshirë kartotekat e sigurimit, regjistrimet e komiteteve të partisë dhe zyrat e bujqësisë. Pasojat e politikave ndaj kulakëve lanë gjurmë të thella në strukturën shoqërore dhe psikologjinë kolektive të fshatit shqiptar. Shkatërrimi i pronës private dhe eliminimi i shtresës tradicionale të fshatarëve të aftë dhe sipërmarrës dobësoi zhvillimin e bujqësisë dhe pengoi krijimin e një ekonomie rurale të qëndrueshme. Nga ana tjetër, stigmatizimi shumëvjeçar shkaktoi trauma të mëdha sociale, armiqësi ndërfamiljare, mbyllje komunitare dhe një kulturë të frikës që e shoqëroi shoqërinë deri në rënien e regjimit komunist. Në përfundim, figura e kulakut në Shqipërinë komuniste nuk përfaqëson një shtresë reale ekonomike, por një kategori të prodhuar politikisht, e cila u përdor si mekanizëm i kontrollit social dhe si mjet i eliminimit të pluralizmit ekonomik dhe shoqëror në fshat. Studimi i saj mbetet thelbësor për të kuptuar natyrën e vërtetë të totalitarizmit shqiptar, dinamikat e luftës së klasave dhe mënyrën se si politika e bazuar në ideologjinë marksiste-leniniste ndërhyri në mënyrë të dhunshme në strukturën tradicionale të shoqërisë shqiptare, duke e shpërfytyruar thellësisht jetën e saj kolektive.

Filed Under: ESSE

Historia e Postës Shqiptare, ura e komunikimit mes shqiptarëve

December 11, 2025 by s p

Besnik Fishta/

Më 5 Dhjetor 1912, qeveria e parë kombëtare e Ismail Qemalit, një javë pas shpalljes së pavarësisë, ngriti një ministri të veçantë, atë te Post Telegrafës, ministër i së cilës ishte eruditi Lef Nosi. Historia e Postës është, në një farë mënyre, historia e vetë shtetit shqiptar, një histori e përshkuar nga thyerje, ringritje, hapa të ngadaltë e këmbëngulës, por gjithnjë e udhëhequr nga dëshira për t’i dhënë këtij vendi një zë që të dëgjohej, të udhëtonte dhe të mos kthehej mbrapsht. Në thelb, ajo nuk është thjesht rrëfim për një institucion, por një tregim i thellë njerëzor dhe kulturor, ku fjala e shkruar merr trajtën e urës që lidh njerëzit dhe i lidh ata me botën.Shqiptarët, si çdo popull tjetër, kanë pasur gjithmonë nevojë për t’u treguar njëri-tjetrit ato që shihen, ato që mendohen, ato që shpresohen. Përpara se të ekzistonte një administratë kombëtare,ne pushtimet gjate shekujve, lajmi udhëtonte nëpër duart e tregtarëve, nëpër hanet që shërbenin si pika të vogla takimi dhe komunikimi. Ishte një lloj “poste spontane”, një mënyrë praktike dhe njerëzore për të mbajtur gjallë lidhjet në një vend ku distancat mateshin me ditë udhëtimi.              Në qytetet e mëdha, nën administratën osmane, nisën të funksiononin zyrat e para postare të organizuara. Konsullatat e huaja, sidomos ato austro-hungareze, hapën pika poste që do të bëheshin një nga shembujt e parë të një komunikimi të rregullt. Këto zyra të huaja, së bashku me pullat dhe vulat e tyre, janë sot një pasuri e çmuar e filatelisë sonë, dëshmi e periudhës para-shtetërore të komunikimit shqiptar.Me shpalljen e Pavarësisë në nëntor 1912, Shqipëria nuk fitoi vetëm një flamur e një qeveri. Ajo fitoi edhe nevojën urgjente për të komunikuar. Një shtet i ri ka nevojë për njohje, për urdhra, për njoftime, për lidhje. Për këtë arsye, në 5 dhjetorin e 1912-s, në Vlorë, u hodhën hapat e parë për krijimin e Shërbimit Postë-Telegraf-Telefon të shtetit shqiptar,duke krijuar te paren ministri te qeverise, ate te Poste Telegrafave.

                                                                                             

Pulla e pare kombetare shqiptare u emetua me 5 maj 1913, pak me shume se 5 muaj nga data e shpalljes pavaresise.

Me 1913 perjetoheshin ditë të vështira,kur mjetet dhe njerëz mungonin, rrethana politike e veshtire, dhe per me teper kishte mungesa financiare. Por vullneti ishte i pranishëm,atdhedashuria ishte evidente. U prodhuan edhe pullat e para shqiptare,me 5 maj 1913, të thjeshta, modeste. Pulla jone e pare ishte nje vule qe ne qender te saj kishte simbolin tone,shqiponjen dhe ne konturet anesore shkruhej “Ministeria e Poste Telegraf Telefoneve”. Ato qenë më shumë se një taksë postare, ishin akti i parë i identitetit të shkruar të shtetit të ri.   

          

Emisioni pare modern i pulles shqiptare emetuar me 1 dhjetor 1913

Shumë shpejt Shqipëria e re u gjend në një realitet kompleks. Luftërat Ballkanike, pastaj Lufta e Parë Botërore, e ndanë territorin shqiptar në zona me administrata të ndryshme. Çdo zonë solli vulat dhe pullat e veta, Korça kishte emetimet e administratës franceze, Shkodra nën ndikim austro-hungarez, kishte të tjera, te tjera kishte Shqiperia e Mesme, qe kontrollohej nga Esat Toptani etj. Shpesh, mbi pullat osmane apo greke vendoseshin shenja të reja, duke krijuar një mozaik të çuditshëm, por shumë të çmuara për studiuesit e sotëm. Kjo periudhë kaotike është ndoshta periudha më interesante e filatelisë shqiptare. Vetëm pas Kongresit të Lushnjës dhe vendosjes së qeverisë në Tiranë, në vitin 1920, posta shqiptare nisi të marrë formën e saj të vërtetë. Rrjeti postar u riorganizua nga e para, u hapën zyrat e reja dhe u hartuan linja të rregullta komunikimi midis qyteteve. Por ngjarja më domethënëse e kësaj periudhe ndodhi më 1922, kur Shqipëria u pranua zyrtarisht në Unionin Postar Universal (UPU). Ky vit ishte një lloj “drite e gjelbër” ndërkombëtare, që nga ai moment, Shqipëria u bë pjesë e familjes globale të komunikimit dhe pullat shqiptare fituan vlefshmëri të plotë në mbarë botën. Në një kohë kur shteti shqiptar ishte ende në rrënjëzim, ky pranim ishte një garanci e fuqishme e legjitimitetit të tij.

                

Emision i pullave ajrore me 1928

Periudha e Mbretërisë së Zogut shënoi një fazë të qëndrueshme për postën shqiptare. Pas pranimit në UPU Shqipëria synoi të forconte institucione që të shprehnin një shtet funksional dhe të hapur ndaj botës. Gjatë viteve 1928–1939 u riorganizuan shërbimet postare, u hapën zyra të reja edhe në zona të largëta dhe u vendosën rregulla më të qarta për shpërndarjen e korrespondencës. Kjo periudhë solli një lulëzim të veçantë të artit të pullës shqiptare ku mbizoteronin emisione me portretin e Mbretit Zog I, dhe rralle ose pothuajse fare me motive te tjera,te cilat të shtypura kryesisht në tipografitë italiane, që garantuan cilësi dhe standarde të reja. Paralelisht, u zgjeruan shërbimet e telegrafit e telefonisë, duke e lidhur postën me rrjetin kombëtar të komunikimit. Megjithëse vendi përballej me mungesa infrastrukturore dhe terren të vështirë, shërbimi postar fitoi qartësi, rregull dhe ambicie per zhvillim te metejshem. Kjo fazë e konsolidimit u ndërpre në prill 1939, me pushtimin italian dhe humbjen e pavarësisë institucionale.

           

Emetim gjate pushtimit gjerman me 1944                                                                           

Lufta e Dytë Botërore e gjeti postën shqiptare në një gjendje të brishtë, të ndarë mes pushtimeve të njëpasnjëshme dhe përpjekjeve të shtetit për të ruajtur funksionimin bazë të komunikimit. Pas prillit 1939, shërbimet postare shqiptare kaluan nën kontrollin e administratës italiane, duke u integruar pjesërisht në sistemin postar të Mbretërisë së Italisë. Kjo solli standardizimin e disa rregullave postare, por edhe humbjen e pavarësisë në organizimin e emisioneve dhe tarifave. Gjatë viteve të luftës, qarkullimi postar u fragmentua, disa zona mbaheshin nga forcat italiane, të tjera u shkëputën gjatë operacioneve partizane, ndërsa pas vitit 1943 filloi një periudhë edhe më e turbullt me hyrjen e administratës gjermane. Në këtë etapë, posta funksiononte pjesërisht, me ndalesa të shpeshta, me mungesa mjetesh dhe me censurë të rreptë ushtarake. Megjithatë, edhe në kushtet e luftës, komunikimi nuk u ndërpre plotësisht. U krijuan rrugë alternative dërgese, u lëshuan pulla të reja me karakter administrativ, dhe aparati postar u mbajt gjallë falë nëpunësve lokalë që shpesh punonin në kushte të rrezikshme për të ruajtur lidhjet ndërmjet qyteteve e zonave të izoluara. Kur lufta përfundoi dhe u vendos pushteti i ri, rrjeti postar u rindërtua pothuajse nga e para, duke u bërë një nga institucionet e para që u rikthyen në funksion të plotë në Shqipërinë e pasluftës. 

  Emetim ne vitin 1945

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria hyri në periudhën e administratës socialiste. Posta u shndërrua në një ndërmarrje të madhe shtetërore, Posta-Telegraf-Telefoni (PTT). Rrjeti i saj u shtri në çdo zonë rurale, duke lidhur fshatra që më parë ishin të izoluar nga qendrat urbane. Në ato vite, ardhja e postierit ishte një rit i përditshëm. Ai sillte lajme, ndonjëherë gëzim e ndonjëherë trishtim, por mbi të gjitha sillte lidhje. Pullat e kësaj periudhe mbajnë një stil të caktuar ideologjik, por janë një dokument i vlefshëm për të kuptuar kulturën politike të kohës. Me rënien e komunizmit, PTT u nda në Postën Shqiptare dhe Telekom. Posta filloi një proces të gjatë modernizimi,dhe pas vitit 2000  u digjitalizuan shërbimet, u modernizuan zyrat, u krijuan shërbime të reja ndërkombëtare dhe u përshtatën standardet me tregun e hapur.

                             

Emetim me rastin e 100vjetorit te shpalljes pavaresise (1912-2012)

Megjithatë, pavarësisht teknologjisë së re, zyrat postare ruajnë ende një atmosferë te tradites. Pavaresisht presionit te risive teknologjike ato mbeten vende ku letërkëmbimi i shkruar nuk ka humbur ende vlerën e tij njerëzore. Çdo pullë, çdo vulë, çdo zarf është një dëshmi e rrugëtimit të shtetit shqiptar drejt organizimit, identitetit dhe komunikimit.

                                                                         

Emetim me rastin e 100 vjetorit te krijimit te Ministrise se Poste-Telegrafes (1913-2013)

Posta ka qenë dhe vazhdon të mbetet ura më e gjatë dhe më e qëndrueshme mes njerëzve; dhe për sa kohë të ekzistojë fjala e shkruar, ajo do të ruajë këtë rol të çmuar. E në këtë traditë, Posta Shqiptare ka pasqyruar përmes emisioneve postare evolucionin historik, politik dhe shoqëror të Shqipërisë.

Filed Under: Kulture

Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Urdhrit Mbretëror të Skënderbeut

December 11, 2025 by s p

Oborri Mbretëror Shqiptar/

Në përvjetorin e 100-të të themelimit të Urdhrit Mbretëror të Skënderbeut, nderojmë një shekull tradite historike, simbolike dhe dinastike. I themeluar në vitin 1925 nga Madhëria e Tij Mbreti Zog I, ky urdhër u krijua si një nga dekoratat më të larta të Shtetit Shqiptar, me qëllim vlerësimin e shërbimeve të jashtëzakonshme ndaj kombit dhe për të përjetësuar figurën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Familja Mbretërore Shqiptare shpreh mirënjohjen e saj ndaj Shtetit për krijimin e Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës, një institucion ku simbolet e monarkisë trajtohen me respekt dhe mund regjistrohen në përputhje me legjislacionin e shtetit, ashtu siç praktikohet në vendet e tjera evropiane, plotësisht në harmoni me urdhrat e Republikes.

Historiku dhe Legjitimiteti Dinastik

Edhe pse monarkia shqiptare u ndërpre në vitin 1939, familja mbretërore nuk e ka hequr kurrë dorë nga përgjegjësitë e saj historike. Sipas parimit të njohur ndërkombëtar “fons honorum”, urdhërat mbretërorë të themeluar nga një sovran legjitim mbeten pjesë e trashëgimisë së dinastisë, pavarësisht ndryshimeve politike në shtet.

Urdhri Mbreteror i Skënderbeut hyn pikërisht në këtë kategori dhe vazhdon të administrohet nga Kreu i Shtëpisë Mbretërore të Zogut.

Legjitimiteti i tij mbështetet në:

1. Aktet dhe prerogativat e Kurorës së vitit 1928, që i njihnin Mbretit Zog I të drejtën për krijimin dhe administrimin e urdhërave mbretërorë;

2. Precedentët evropianë të urdhërave dinastikë;

3. Vazhdueshmërinë e pandërprerë të dinastisë, që sot përfaqësohet nga Lartmadhëria e Tij, Princi i Kurorës Leka II Zogu.

Vlera e Përvjetorit

Shekulli i Urdhrit të Skënderbeut nuk shënon vetëm një datë historike, por ripërtërin misionin e tij: nderimin e atyre që mishërojnë virtytet e guximit, atdhedashurisë dhe shërbimit ndaj kombit. Ky urdhër mbetet një element i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore.

————————————————-

On the 100th Anniversary of the Founding of the Royal Order of Skënderbeg

As we mark the centenary of the Royal Order of Skënderbeg, we honor a century of historical tradition, national symbolism, and dynastic continuity. Established in 1925 by His Majesty King Zog I, the Order was conceived as one of the highest decorations of the Albanian State, created to recognize exceptional service to the nation and to uphold the legacy of Gjergj Kastrioti Skënderbeg, the national hero whose name it proudly bears.

From its inception, the Order was structured in accordance with European standards of state and dynastic honors, with clearly defined statutes, classes, and insignia. King Zog I intended the Order not only as a state decoration but as a moral institution, one that reflected the courage, patriotism, and civic virtue embodied by Skënderbeg. During the period of the Albanian Kingdom (1928–1939), it was awarded to prominent Albanian citizens and distinguished foreign personalities whose actions advanced the interests, security, and reputation of Albania.

Historical and Legal Foundations of Legitimacy

Although the Albanian monarchy was interrupted in 1939, the Royal Family has never renounced its historical duties or its dynastic responsibilities. In accordance with international norms governing dynastic and historical orders, particularly those recognized in European royal jurisprudence and custom….orders established by a sovereign and tied to a reigning dynasty remain part of that dynasty’s patrimony, even after political changes in the state.

The Royal Order of Skënderbeg falls specifically into the category of fons honorum held by the House of Zogu. The principle of fons honorum—the “source of honor”, establishes that legitimate dynasties retain the right to confer their historical orders regardless of changes in regime, as long as the dynasty itself continues to exist and its head of house remains recognized. This principle has long been accepted in monarchic and chivalric legal tradition and extends to all royal houses formerly or currently reigning in Europe.

The Albanian Royal Family’s legitimacy is further reinforced by:

1. The Act of Recognition of 1928, which established King Zog I as the constitutional monarch of Albania and vested all prerogatives of the Crown: including the creation and governance of royal orders, in the person of the Sovereign and his heirs.

2. International Precedent, whereby dynastic orders created by rightful sovereigns continue to be administered by their successors.

3. Uninterrupted Dynastic Continuity, preserved through the succession of the Head of the House of Zogu, culminating today in His Royal Highness Crown Prince Leka.

Therefore, the Royal Order of Skënderbeg, as a dynastic order of the House of Zogu, retains full historical legitimacy. While the post-1991 Albanian Republic maintains its own system of state decorations, the Royal Order of Skënderbeg remains a distinct institution, rooted in the lawful prerogatives of the Albanian Crown and preserved as part of the national and cultural heritage of Albania.

A Century of Meaning

The 100th anniversary of the Order is not merely a celebration of its founding, but a renewal of its purpose. It stands as a reminder of Albania’s historic aspirations, dignity, unity, courage, and service to the nation. The Order continues to symbolize the values that Skënderbeg defended and that King Zog I sought to instill in the modern Albanian state.

On this centenary, the Royal Family pays tribute to all those who, over the past century, have exemplified these ideals. The preservation and continuation of the Royal Order of Skënderbeg ensures that Albania’s historical legacy remains alive, respected, and transmitted to future generations.

Filed Under: Histori

E vërteta do të vazhdojë të flasë…

December 11, 2025 by s p

Dr. Atdhe Hetemi

Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së/

Është kënaqësi që sot, në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, të flas në tempullin e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në një ngjarje që bashkon tri shtylla themelore të shoqërive të lira: të vërtetën, kujtesën dhe drejtësinë.

Kjo ekspozitë e organizuar nën patronatin e Presidentes së Republikës nuk është vetëm paraqitje vizuale e së kaluarës sonë të dhimbshme, por akt institucional i kujtesës, thirrje për përgjegjësi dhe dëshmi e fuqishme se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk harrohen, por vazhdojnë edhe pas më shumë se një çerek shekulli liri, të jenë plagë të hapura që kërkojnë drejtësi.

Pra, video- dhe fotomaterialet që shpalosen sot para jush nuk janë thjesht imazhe, por janë zëra të ngrirë në kohë. Janë jetë të ndërprera dhunshëm, familje të shkatërruara, fëmijë, gra, burra dhe të moshuar që u bënë target i një represioni sistematik dhe të organizuar nga regjimi serb.

E Instituti ka për mision që zërat e viktimave t’i rikthejë në vëmendjen publike vendore e ndërkombëtare, duke mos lejuar që e vërteta të mbulohet nga harresa e heshtja, si format më të rrezikshme të mohimit.

Fatkeqësisht, edhe sot, 77 vjet pas miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, bota ende përballet me luftëra dhe shkelje të të drejtave njerëzore.

Andaj ngjarje si kjo e ditës së sotme, vënë në pah se Kosova e di shumë mirë çmimin e lirisë, peshën e dhimbjes dhe faktin se kujtesa jonë nuk është vetëm emocionale e personale, por edhe publike e shtetërore.

Dëshmitë e paraqitura këtu janë pjesë e një procesi të gjatë dokumentimi dhe hulumtimi, që synon ruajtjen e kujtesës. Sepse pa kujtesë të së vërtetës nuk ka

drejtësi, e pa drejtësi nuk ka paqe të qëndrueshme.

Të nderuar miq ndërkombëtarë, si rezultat i mbështetjes suaj të vazhdueshme, ne besojmë se e vërteta për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e dokumentuar me standarde të larta etike dhe profesionale, do të rrënjoset edhe si pjesë e kujtesës

evropiane e globale, sepse kjo e vërtetë nuk është vetëm plagë e Kosovës, por plagë

e ndërgjegjjës njerëzore.

Për këtë arsye, jemi të bindur se puna dhe detyra jonë si shoqëri, nuk është vetëm akademike apo institucionale; por thellësisht humane dhe

fisnike.

Në fund, dua të theksoj se kjo ekspozitë është një hap i vogël i një procesi të gjatë që kërkon durim, guxim dhe përkushtim shoqëror e institucional.

E vërteta do të vazhdojë të flasë.

Kujtesa nuk do të heshtë.

Dhe thirrja për drejtësi nuk do të ndalet.

Filed Under: Komente

Luigji Pirandelo njihte gjuhën shqipe, a ishte arbëresh?

December 11, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Më 10 dhjetor 1936 mbylli sytë Luigji Pirandelo, një nga shkrimtarët më të mëdhenj italianë, poet dhe, padyshim, një prej emrave më të mëdhenj të dramaturgjisë moderne të shekullit njëzet, duke krijuar vepra që pasqyruan fuqishëm natyrën tragjikomike të ekzistencës njerëzore. Pirandelo krijoi një frymë të re letrare-dramatike, duke u marrë me tema të cilat ishin të ndërlidhura me psikologjinë, ndërsa personazhet e tij janë me ngarkesa që kanë të bëjnë edhe me identitetin si dhe me prejardhjen e tyre.

Në veprat e këtij autori fati njerëzor del se është i bazuar mbi iluzionet, lojërat, maskat, shkatërrimi i të cilave do të sillte një lloj fataliteti për njerëzit. Pirandelo tregon se si arti apo iluzioni përzihen me realitetin dhe se si njerëzit i shohin gjërat në një mënyrë krejt ndryshe – fjalët nuk janë të besueshme dhe realiteti është në të njëjtën kohë i vërtetë dhe i rremë. Çdo njeri kërkon që të përfitojë me çdo lloj forme dhe e shtuquajtura xhentilesë në jetë nuk është gjë tjetër veçse një maskë boshe që mbulon këta demonë të urrejtjes dhe xhelozisë.

Pirandelo demonstroi me vepra se sa e kotë dhe boshe është jeta njerëzore dhe ajo që në lojën e ndërgjegjes është ftesë për vdekje, shndërrohet në një rregull jete, që përfshin rebelimin, lirinë dhe pasionin.

Sipas Pirandelos, jeta është skenë ku veprojmë jashtë dramës me veten tonë si njerëz të zakonshëm, apo me veten tonë si heronj. Procesi i “zbulimit të së kundërtës” kryhet nëpërmjet situatave komike, farsës ose ngjarjeve të çuditshme. Veprat e tij dëshmojnë për fuqinë tragjike të rrethanave mbi njerëzit, për pamundësinë e mirëkuptimit reciprok, për ndjenjën e tmerrshme të tjetërsimit.

Farsat tragjike të Pirandelos janë parë shpesh si pararendëse të Teatrit Absurd, duke ndikuar mjaft te autorë të njohur si: Zhan Anui, Zhan Pol Sartri, Eugen Jonesko, Albert Kamy, Samuel Beketi e të tjerë.

Ai ka merita të mëdha për “ringjalljen” edhe për “ringritjen” e dramaturgjisë në Itali. Dramaturgu anglez Ronald Harvud, në librin “Historia e teatrit” (E tërë bota është skenë), shkruan se Pirandelo ka mundur të jetë më shumë konvencional për nga qëllimet formale sesa, bie fjala, Arto, por ia doli fuqishëm të ishte po aq radikal.

Dramën e parë “Epilogu” e shkroi në vitin 1898. Suksesin e parë në krijimtarinë dramatike e ka arritur me një dramë të shkruar në vitin 1916 dhe 1917, kur publikoi dy dramat: “Lisora” si dhe “Keni të drejtë”. Në vitin 1921 shkroi dramën “Gjashtë personazhe kërkojnë autorin”, e cila e bën të njohur autorin e saj edhe jashtë kufijve të Italisë. Drama “Secili me mënyrën e vet” doli nga shtypi më 1924 dhe më 1930 edhe pjesa e tretë e saj “Sonte improvizojmë”. Dramat “Henriku IV”, “T’i veshësh lakuriqët”, “Njeriu me lule në gojë”, “Jeta që të dhashë”, u shkruan ndërmjet viteve 1918 dhe 1935 dhe u përmblodhën në një libër të përbashkët me titullin “Maskat lakuriqe”.

Për shkak të qëndrimeve profashiste, në vitin 1924, Pirandelo emërohet drejtor artistik i Teatro d’Arte të Romës.

Në vitin 1934, dy vjet para se të vdiste, Luigji Pirandelos i jepet Çmimi Nobël për Letërsi. Në arsyetimin e Komitetit për Ndarjen e Çmimit Nobël specifikohet talenti i dramaturgut të njohur, ndikimi i të cilit u tregua i thellë dhe jetëgjatë. “Mendoj se jeta është një çmenduri e pikëlluar”, shprehej Pirandelo, teksa komentonte fitimin e këtij çmimi prestigjioz.

Pirandelo ishte dhe mbetet një gjeni i artit i cili, përmes dhimbjes dhe filozofisë, la një trashëgimi të pavdekshme.

***

Luigji Pirandelo kish lindur më 28 qershor 1867, në fshatin Kaos të Agrixhentos, një qytezë në Rajonin e Sicilisë jugore, që i përket katundeve arbëreshe, të themeluar nga emigantët shqiptarë që erdhën në Sicili.

Siç dëshmohet nga historiani nga Palermo, Rocco Pirri (1577 – 1651), shumë familje të provincës së Agrixhentos mund të kenë ardhur nga territoret arvanite të Greqisë, nga Peloponezi, në vitet 1448. Në vitin 1521 arriti një valë tjetër popullsie shqipfolëse, nga ishulli i Peleponezit, Andria.

Pirandelo ishte mik i ngushtë i Zef Skiroit, poet, gjuhëtar, folklorist dhe publicist i shquar arbëresh. Miqësia e tyre daton nga viti 1882, kur Pirandelo u transferua bashkë me familjen në Palermo. Studiuesi i letërsisë arbëreshe, profesor Matteo Mandalà, thotë se Pirandelo mbajti një letërkëmbim të rregullt me Skiroin.

(Shih Peppino mio: lettere di Luigi Pirandello a Giuseppe Schirò (1886-1890), a cura di Antonino Perniciaro, Filomena Capobianco, Cristina Iacono, con un saggio introduttivo di Matteo Mandalà, Biblioteca museo Pirandello di Agrigento, 2002), pas një botimi të pjesshëm dhe të cungët të vitit 1994 (Luigi Pirandello, Amicizia mia. Lettere inedite al poeta Giuseppe Schirò (1886-1887), a cura di A. Armati, A. Barbina, Istituto di studi pirandelliani. Quaderni 9, Bulzoni, Roma, 1994).

Sipas studiuesit Matteo Mandala, interes paraqet gjithashtu edhe një çështje që ka intriguar gjithmonë studiuesit e Pirandelos.

E kemi fjalën për njohjen e shqipes nga ana e shkrimtarit të madh, i cili pati përkthyer italisht poezinë “Jashta Jetës” të mikut Zef Skiroi (shih Arbri i ri, viti I, nr. III, Palermo, 1887, f. 11-12c). Luigji u mor me shqipen, siç del nga shënimet autografe në fletoren e njohur me titullin “Provenzale” që përmban studime të filologjisë romane, shkruar në Bon mes viteve 1889-1891. (shih Luigi Pirandello, Provenzale. Bonn a/Rh. 1889-91. Manoscritto, Regione Siciliana Ass. BB.CC.AA. e P.I., Biblioteca-Museo “Luigi Pirandello” di Agrigento, Siracusa, 2002, f. 191). A i përkiste Pirandelo komunitetit të arbëreshëve të Italisë? Ai vetë nuk është se e ka pohuar gjëkundi. Është detyra e studiuesve ta vërtetojnë këtë. Nuk duhet nxituar për të arritur përfundime.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 170
  • 171
  • 172
  • 173
  • 174
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT