• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR DËSHTON POLITIKA – MBETET URATA  

April 17, 2023 by s p

“Le të bashkojmë zemrat dhe zërat për paqë në botë” (Antonio Guterres)

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Kur dështon politika vendore dhe ndërkombëtare për të sjellur paqë në botë, qoftë edhe Organizata e Kombeve të Bashkuarara (OKB) në Nju Jork, atëherë duhet t’i drejtohemi me uratë Perendisë që të ndihmojë për të siguruar paqën midis individëve, komuniteteve dhe shteteve të ndryshme, sidomos në këto kohë të turbullta për botën.  Siç duket kështu mendon edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, se si rrjedhim i dështimit të përpjekjeve të politikës botërore në përgjithësi — për të siguruar paqën në këtë planet, atëherë, medoemos, nevojitet ndërhyrja e një force më të madhe. 

Të premtën që kaloi, Shefi i OKB-së, Antonio Guterres organizoi një ceremoni lutjeje për paqë në botë me udhëheqës fetarë që u bashkuan me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, pikërisht, për të ofruar – në këtë periudhë fetsash fetare — lutjet e tyre për paqë në botë, për “qëllimin tonë më të çmueshëm”, siç e cilësoi Z. Guterres objektivin për të siguruar paqën në botë, përball konflikteve aktuale në botë, përfshir agresionin e Rusisë në Ukrainë.  Në një njoftim të OKB-së për median botërore thuhet se, “në një kohë shumë të keqe ndarjesh e përçarjesh në botë, udhëheqës të feve të ndryshme u mblodhën së bashku, të premtën që kaloi, në Kryqendrën e OKB-së në Nju Jork, për një moment lutjesh për paqe në botë”.  Me këtë rast citohet Sekretari i Përgjithshëm, i OKB, Guterres, të ketë thenë se ky takim u mbajt në një moment ibekuar dhe unik, pasi ata u mblodhën aty: të Premten e fundit të Ramazanit, ndërkohë që të krishterët festuan Pashkët, hebrenjtë shënuan mbarimin e “Passover” dhe sikët festuan festivalin Vaisakhi.  “Madje edhe vet kalendari na dërgon një mesazh uniteti”, ka theksuar Shefi i OKB-së, Antonio Guterres në atë takim, duke shtuar se, “Sot, në këtë moment të shenjtë për të gjitha fetë, le të bashkojmë zemrat dhe zërat tonë për paqë – e që është qëllimi ynë më i çmueshëm.”  Guterres tha në vazhdim se sot “paqeja në botë është më e nevojshme se kurrë, sepse lufta dhe konfliktet po shkaktojnë përhapjen e urisë dhe varfëri shkatërruese kudo, ndërkohë që detyron njëherazi edhe largimin e  detyrueshëm të dhjetra miliona njerëzve nga shtëpitë e tyre, nga atdheu i tyre. I gjithë planeti, tha ai, është në një kaos klimaterik, ndërsa edhe vendet ku mbretëron paqeja, përballen me padrejtësi dhe pabarazi të tmershme, përfshir polarizimet politike.”  Udhëheqsi i organizatës botërore u bëri thirrje udhëheqsve fetarë që të “qendrojnë të vendosur në besimin e tyre të përbashkët — besim që bashkon mbarë familjen njerëzore.” Ai kërkoi nga fetarët: “Le të bashkohemi si komunitete dhe si shtete. Le të lutemi të gjithë për paqë në botë.” 

Në këtë ceremoni lutjesh për paqë në botë, që u mbajt në Sheshin e Vizitorëve para Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, morën pjesë pjesëtarë të stafit të OKB-së, anëtarë të komunitetit diplomatik botëror, si dhe vizitorë vendas dhe të huaj, ndërkohë që udhëheqës-përfaquses të feve kryesore në botë ofruan, individualisht dhe si komunitete fetare, lutjet e tyre të paqës për njerzimin. Duke theksuar gjërat që i bashkojnë njerzit anë e mbanë botës, dhe jo ato që i ndajnë — fakti se njerëzit me tradita të ndryshme fetare janë të bashkuar në OKB për tu lutur për paqë në botë — jep një shembull të fuqishëm për mbarë njerzimin, u shpreh Dr. Simran Jeet Singh, përfaqsues i fesë Sikh, Drejtor Ekzekutiv i Programit Feja dhe Shoqëria pranë Institutit Aspen, një organizatë kjo ndërkombëtare jo fitimprurëse dhe njëri prej pjesëmarrësve në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Guterres.  “Gjëja që më pëlqen në lidhje me këtë takim të përfaqsuesve të feve të ndryshme në Kombet e Bashkuara, me rastin e këtyre festave fetare, është fakti se aq shumë komunitete të ndryshme janë duke festuar së bashku. Ata po pasqyrojnë dhe po theksojnë gjërat e përbashkëta, gjërat që na bashkojnë të gjithë neve”, tha Dr. Simran Jeet Singh.

Në pëmbyllje të këtij takimi në Nju Jork, Përfaqësuesi i Lartë i Aleancës së OKB-së për Qytetërimet (UNAOC), Migel Angel Moratinos, e përshkroi ceremoninë si një moment të bukur harmonie, “veçanërisht gjatë këtyre kohëve të vështira që po sfidojnë mbarë njerëzimin.”  Ai tha se ceremonia (në Nju Jork) e lutjeve fetare për paqë në botë, demonstroi se si njerzit anë e mbanë botës, duhet të mobilizojnë aktivitetet e tyre dhe të veprojnë në solidaritet dhe me respekt ndaj njëri tjetrit.  UNAOC, si ent i OKB-së, promovon mirëkuptimin dhe bashkpunimin ndërkulturor midis komuniteteve dhe popujve.  Z. Moratinos, si përfaqsues i lartë i këtij enti të organizatës botërore, nënvijoi mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të organizatës që ai kryeson, ndaj përpjekjeve që kanë për synim “ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe jo mureve të urrejtjes duke shkaktuar  ndarje e përçarje”, midis individëve, komuniteteve dhe shteteve, duke kërcënuar, në këtë mënyrë, paqën në mbarë botën, është shprehur zyrtari i lartë i OKB-së, Migel Angel Moratinos, duke mbyllur ceremoninë e lutjeve fetare të organizuar nga OKB-ja, të premtën që kaloi, në Nju Jork me rastin e festave fetare botërore. 

Ndërkaq, edhe Papa Francesku ofroi lutjet e tija për paqe në botë me rastin e Ditës së Pashkëve Katolike, javën që kaloi nga Vatikani – përkrah kardinalit shqiptar Ernest Simon Troshani. duke iu drejtuar “Urbi et Orbi”, qytetit të Romës dhe mbarë botës.  Papa ofroi lutjet e tija, veçanërisht, për popullin ukrainas dhe atë rus dhe për paqë midis këtyre dy kombeve. Udhëheqsi i Kishës Katolike ofroi, me atë rast, gjithashtu uratët e tija për dhënjen fund të dhunës, anë e mbanë botës dhe për paqë midis individëve, komuniteteve dhe kombeve, në një “frymë besimi” ndaj njëri tjerit dhe Perendisë, ka thenë Papa Françesku. Me atë rast, Papa 86-vjeçar, në predikimin e tij tradicional për festën e Pashkëve inkurajoi, “mirëkutimin dhe besimin midis individëve, popujve dhe kombeve”, duke thenë se festa e Pashkëve “shëndritë terrin, pesimizmin dhe trishtimin në këtë bote”.

Ditën e Pashkëve, 2023 në sheshin e Shën Pjetrit ishte i pranishëm përkrah Papa Françeskut, edhe kardinali Shqiptar 94-vjeçar Ernest Simoni, për të festuar Pashkën në mbarë botën, si edhe për të marrë pjesë në bekimin e përvitshëm Urbi et Orbi – si përfaqësues i Kombit shqiptar, historia e të cilit në përgjithësi dhe gjymën e shekullit të kaluar në veçanti nën regjimin komunist nuk ka njohur as paqë as liri, as për shqiptarët në përgjithësi, as për Ernest Simon Troshanin, si individ.  Historia e Kardinalit shqiptar ka tronditur botën kur vuajtjet e tija nën komunizëm iu njoftuan njerëzimit pas shembjes së regjimit komunist në Shqipëri.  Ernest Simoni është arrestuar në vitin 1963 dhe gëzoi lirinë vetëm pas 27 vitesh të gjata persekutimi të ashpër komunist të regjimit enverist. Për shumicën e shqiptarëve, Ernest Simoni është një hero i cili përfaqëson paqën, lirinë dhe të drejtat bazë të njeriut, përpara të drejtave të tija fetare.  Regjimi komunist i Enver Hoxhës e ka konsideruar atë si “armik i popullit” dhe vetëm në vitin 1990, me rënien e regjimit komunist, ai iu rikthye lirisë. Si njeri i lirë, ai vazhdon të punojë për paqe edhe për të tjerët duke sjellë pajtimin e njerëzve dhe familjeve të ndara, duke promovuar paqën midis shqiptarëve – gjatë tranzicionit të pafund nga komunizmi në demokraci — pa dallim dhe pa hakmarrje ndaj askujt. 

May be an image of 2 people

Papa Françesku duke u lutur për paqë në botë, Ditën e Pashkëve 2023, përkrah të ftuarit të tij të posaçëm me këtë rast, Kardinalit shqiptar, Ernest Simon Troshani, i 

cili i shpallur, “armik i popullit” nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk ka parë ditë të mirë as paqe në jetën e tij.

UN Photo/Eskinder Debebe –Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres duke folur në takimin Ndërfetar të Lutjeve për Paqë, në Kryeqendrën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, të premtën që kaloi.Secretary-General António Guterres addresses attendees to the Interfaith Moment of Prayer for Peace at UN Headquarters.

Sikyong Congratulates Mr António Guterres, Next UN Secretary-General ...

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u bëri thirrje besimtarëve anë e mbanë botës që t’i “bashkojnë zërat në një uratë të përbashkët për paqe në botë”, sidomos gjatë kësaj jave që përkon me festat e tre feve kryesore monoteiste botërore: Festës së Pashkëve, Muajit të Ramazanit dhe festës Passover të Judaizmit. “Ky është momenti që të gjithë të bashkohemi në lutje për paqën në botë”, “le të lutemi për paqë në komunitetet dhe në vendet tona”, ka thënë Shefi i OKB-së.

“Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë ...

Është kjo një thirrje e Poetit Kombëtar të Shqiptarëve, At Gjergj Fishtës, që pasqyron paqën, vlerat dhe traditat shekullore të shqiptarëve. “Harmoninë na e bekoi Zoti, kështu na e la Gjergj Kastrioti…” thotë një kengë popullore. Për fat të keq të Kombit, këto vlera, këtë traditë dhe paqën me njëri tjetrin, (për të cilën bëri thirrje OKB-ja) — paqën për të cilën kanë aq shumë nevojë shqiptarët sot, i ka sjellur për së mbrapshti politika aktuale shqiptare, “me ndarjet dhe përçarjet”, për inetersa e tyre personale e partiake, por që për fat të keq po mbjellin një frymë tragjike mosbesimi në radhët e shqiptarëve ndaj njëri tjetrit, një mosbesim në të ardhmen e tyre, si individë, si familje, si komunitet dhe si Komb!  Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët kanë nevojë për bashkim të zemrave dhe të zërave për paqë dhe respekt për njëri tjetrin!  Ky ishte edhe mesazhi i Kombeve të Bashkuara dhe të një grup fetarësh, drejtuar botës, të premtën që kaloi që të gjithë të punojnë së bashku me “zemrat dhe zërat” e tyre për paqë në botë dhe në komunitet dhe vendet ku jetojnë. 

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion

Shqipëria pas shtypjes së kryengritjeve nga Turgut Pasha

April 17, 2023 by s p

Nga një gazetar italian i pranishëm në vendgjarje

Rafael Floqi/

Teksa zhvillohet çdo ngjarje e rëndësishme që i intereson Shqipërisë, nuk janë të paktë ata që shqiptojnë gjykim pas gjykimi, pa u munduar të mbledhin mendimin intim në atë që gjallëron protagonistin e kësaj skene reale. Vetëm duke iu afruar këtij populli, i cili prej vitesh, dhe sot më shumë se kurrë, ka tërhequr sytë e gjithë Europës mbi vete, mund të arrijmë në një njohje të sigurt të ndjenjave që realisht i trazojnë shpirtin e shqiptarit.

Pra, le ta lëmë një herë të shprehet, që zëri i tij të riprodhohet me gjithë besnikëri dhe të dihet gjykimi që vetë shqiptarët japin për gjendjen e re të krijuar nga Kushtetuta Osmane. Kushtetuta, thonë ata, nëse nuk ka sjellë të gjitha ato përmirësime që ka premtuar, megjithatë ka ofruar disa avantazhe, por në një masë kaq të pandjeshme, sa nuk është e mundur të dallohet praktikisht risia që ka ndodhur në jetën e brendshme të perandorisë për disa vite. Një Kushtetutë që erdhi në jetë me gjithë lulëzimin e shpresave të bukura që mund të ndodhë vetëm me një regjim të vërtetë lirie të mirëkuptuar, që duhet të kishte arritur, megjithëse pjesërisht, ndërkohë parashikimet më rozë.

Fatkeqësisht nuk ishte kështu; Këtë e dinë mirë ata që ende e konsiderojnë Turqinë të ndjeshme ndaj përparimit civil. Nëse në të gjitha krahinat e perandorisë së gjerë osmane Kushtetuta u shfaq në formën shtesës së lirisë, në Shqipëri nuk ishte kështu.

Ajo degjeneroi menjëherë në një regjim të jashtëzakonisht të dhunshëm, i cili fare mirë mund të krahasohej me një nga ato të pushtimeve barbare, që mbytin jo vetëm çdo aspiratë më spontane të popullit, por që shtypën edhe vetë lirinë personale. Në të vërtetë, ajo u reduktua tek puna e tmerrshme e Turgut Pashës, komandantit suprem të 20,000 trupave turke – gjatë rrethimit të fundit në Villajetin e Shkodrës? Turgut Pasha, i cili, siç thonë këtu, një ish shtetas gjerman i inkorporuar në ushtrinë turke, e tmerroi në mënyrë të papërshkrueshme, popullsinë shkodrane. Gjaku rridhte si përrenj nëpër rrugë dhe fyerjet ndaj grave ishin në rend të ditës, pasi në rend i ditës ishin ndëshkimet fshikullimet me kërbaç, që binin anë kurrizin e tyre që guxonin të shprehnin habinë e tyre, për vendosjen e papritur të këtij sistemi të ri të gjakderdhjes dhe të dhunës. Turgut Pasha, dora e fortë dhe e dhunshme e një njeriu, i cili çdo ditë mbante një fjalim para trupave, duke bërë që auditori i habitur të dridhej; hoxhallarët, madje u llahtarisën. Predikimi i zjarrtë më së shpeshti, përfundonte pikërisht me këto fjalë: Zoti juaj nuk është Krishti, Zoti juaj nuk është Muhamedi – që shkaktonte panik në mesin e hoxhallarëve -zoti juaj, jam unë. Nuk ka dyshim që në Itali dikush që shprehej me seriozitet në këtë mënyrë, do të mbyllej menjëherë në një spital psikiatrik, në seksionin paranojak.

Turgut Pasha, qe gjendur një ditë me trupat e tij pranë një fshati, dhe pa një hoxhë që po qëndronte në minaren e një xhamie duke kënduar nga çatitë, lutjen e zakonshme drejtuar Allahut, dhe pa shumë ceremoni u dha urdhër ushtarëve të tij ta hidhnin në erë minaren, dhe, në një çast minarja dhe edhe hoxha i gjorë u shndërruan në një grumbull pa formë mbetjesh të përgjakshme dhe rrënojash. Më pas, goditjet me kamzhik ishin bërë një spektakël publik ku merrnin pjesë duke argëtuar trupat turke, dhe çfarë është më cinike e ironike, skena e dhimbshme dhe e egër do të ndodhte nën sytë dhe brohorimat e turmës.

Një grua e futur në burg me dyshimin se kishte fshehur armë dhe dëshironte të mos tregonte emrin e pronarit të tyre, dhunohet brutalisht nga ushtarët përgjegjës për ruajtjen e burgut. Çështja i bëhet të ditur të burrit të saj , i cili i acaruar dhe gati i çmendur nga pikëllimi, shkon te dera e burgut për të shprehur indinjatën e tij dhe për të kërkuar mëshirë për gruan e tij të varfër, tashmë nënë e fëmijëve të vegjël. Burri pritet me bajoneta dhe vritet brutalisht në pragun e burgut. Dhe ndërkohë njerëzit, sidomos në vilajetin e Shkodrës, vuajnë tmerrësisht nga varfëria. Në Shkodër nuk ka asnjë fabrikë, asndonjë punishte, ndonjë laborator, përveç disa mullinjve dhe një fabrikë sapuni. Dhe çdo ditë në qytet mbërrijnë tufa lypsash, të cilët i sulmojnë udhëtarët me këmbëngulje të egër, të shtyrë nga uria që i torturon. Është një shfaqje e neveritshme. Por shumë më e dhimbshme, më shqetësuese është varfëria e skajshme që fshihet nëpër shtëpi, ku për netë radhazi babai kthehet pa një bukë për të ushqyer fëmijët e tij dhe shan e shan këdo që është shkaku i kaq fatkeqësive.

Unë vetë pashë këto ditë baballarë familjesh, të nderuar që të fshehur turpësisht nën vellon e errësirës së mbrëmjes, zgjasnin dorën me druajtje për të lypur. Nëse kësaj i shtojmë pastaj eksodin e të gjithë rinisë, e vetmja mbështetje për pleqtë, për kaq shumë familje të varfra që e kishin të vetmen mjete jetese nga puna e fëmijëve të tyre, nuk ka njeri që mund ta imagjinojë shkretimin e këtij populli të mësuar prej kohësh me të gjitha llojet e hidhërimeve, por kurrë në një shkallë kaq të mprehtë abuzimesh fizike dhe morale. Dhe padrejtësitë që autoriteti kryejnë çdo ditë me arrogancën që u jep liria, e kombinuar me barbarinë më të rafinuar, që i shtojnë agoni- agonisë. Veprat e këqija alternojnë tmerrësisht; as shtypi nuk e ndjen për detyrë të merret me të. Unë do të tregoj për atë që po ndodh ndërsa shkruaj, që është si një hallkë në zinxhirin e skëterrës. Një i ri njëzet vjeç, një farë Lufo, nga Shkodra, u thirr së fundmi për shërbimin ushtarak. I prekur nga një plagë në gju, ai iu nënshtrua një vizite nga një mjek ushtarak i cili e shpalli të paaftë. Por mjekët e tjerë ushtarakë nuk donin të linin, një tjetër nga viktimat e pakta të hakmarrjes së tyre dhe e shtruan në spital për ekzaminim të mëtejshëm. E mbyllën në një dhomë të keqe dhe johigjienike, pranë një të prekuri nga murtaja që po vdiste, ku e lanë pa ushqim për 36 (tridhjetë e gjashtë) orë, për shkak të mungesës së regjistrimit të rregullt të numrit të regjistrimit. Pastaj i përgatitën ushqimin e përzier, e futën në dhomën e pacientëve më të neveritshëm dhe sëmundje ngjitëse dhe e shtynë të shtrihej në një shtrat të zhytur në gjak dhe qelb të pacientëve të tjerë të infektuar, duke e tallur gjithë sarkazëm – në emër të Muhamedit – të ushtarëve të tjerë më të pakënaqur sesa fajtor. Dhe tani që shkruaj, ai ende kërkon ndihmë, për t’u çliruar nga kaq shumë pisllëqe, që do t’i sjellë atij një vdekje të pashmangshme dhe të tmerrshme.

Ky është një episod i trishtë i odisesë së madhe të dhimbjeve e të tjera, abuzimeve. Por pyesni ata pak rekrutët, që veshin uniformë sot; pyesni ata të një fshati aty pranë – Zadrimës – tashmë të rekrutuar dhe ikur me rastin e një pushimi të shkurtër; më në fund, pyesni të gjithë shqiptarët dhe të gjithë do të kenë një lot për të fshirë, një episod të dhimbshëm për ta thënë, të gjithë do të mund t’ju përsërisin me frazën, që pat thënë një malësori të shekullit të shtatëmbëdhjetë, por një malësori inteligjent nga Sheldia: “Sikur të duhej të përshkruanim të gjithë të keqen që na bëri dhe thotë se e bën turku, do të duhej që gjithë uji i detit të bëhet bojë, dhe qielli të bëhet letër!

Albania e Montenegro nell’ora presente

Filed Under: Histori Tagged With: Rafael Floqi

Kryeministri Kurti: Masakra e Paklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite

April 17, 2023 by s p

Paklek, 17 prill 2023/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmani Sadriu dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta, në Paklek të Komunës së Drenasit, me rastin e 24- vjetorit të masakrës në këtë fshat.

Pas homazheve, kryeministri Kurti tha se masakra e Paklekut është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, duke kujtuar se këtu para 24 vjetëve janë vrarë 54 civil shqiptarë, për shkak se ishin shqiptarë dhe për shkak se dëshironin të jetonin të lirë e në paqe në tokën e tyre.

“Nuk ka mjaftuar vrasja, por ka pasuar edhe djegia e kufomave, që do të thotë se plani ka qenë për shfarosje jo vetëm të jetërave, por edhe të qenies. Andaj, masakra e Paklekut është dëshmie e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet prej se në Kuvendin e Republikës, është mundësuar që Prokuroria e Shtetit, që prokurorët special, të ndjekin e më pastaj sistemi i drejtësisë edhe të gjykojë në mungesë kriminelët serbë. “Pra, në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet që ekziston një mundësi e tillë. Dhe për këto krime të kryera gjatë luftës që janë edhe gjenocid, edhe krime kundër njerëzimit, edhe krime lufte, do të duhej të ketë drejtësi për viktimat, por edhe dënim shtetëror e ndërkombëtar për ata që i ekzekutuan dhe ata që i urdhëruan ato”, tha ai.

Pas homazheve, Kryeministri Kurti vizitoi shtëpinë muze, ku më 17 prill të vitit 1999, 24 vjet më parë, forcat serbe vranë 54 qytetarë të pafajshëm. 25 prej të vrarëve ishin nën moshën 18 vjeçare. Prej këtyre, 18 persona kanë qenë fëmijë, më të vegjël se 12 vjeç. Në mesin e tyre pesë foshnje prej gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Lirie Muqolli ishte vetëm gjashtë muajshe.

Familjarët e mbijetuar rrëfyen se si civilët shqiptarë, të familjeve Muqolli, Elshani, Caraku e Hoxha, ishin duke u larguar prej shtëpive të tyre, por policia serbe i urdhëroi të ktheheshin atje, i gjuajti me bomba dore në dhomat ku ata po rrinin, e më pas edhe me breshëri automatikësh. E në fund, edhe i dogji trupat e tyre, të cilët në pamundësi të identifikimit janë varrosur në një varr të përbashkët.

Filed Under: Rajon

PREMIERË ABSOLUTE NË SKENËN E TEATRIT MIGJENI SHKODËR, BALET ME NJI AKT; “ROZAFA” ( Muzika Tonin Guraziu)

April 17, 2023 by s p

Filip Guraziu/

Falë vizionit përparimtar dhe iniciativës për promovimin e vlerave kombtare në fushën e muzikës, të mjeshtrit muzikor, prof. Zhani Ciko, në mbramjen e 14 prillit 2023 në skenën e Teatrit Migjeni Shkodër u përkujtue aktiviteti pianistik dhe vepra muzikore e pianistit, prof. Tonin Guraziu; themeluesit të shkollës pianistike shqiptare.

Në këtë “Mbramje muzikore” të mbështetun prej Bashkisë Shkodër dhe Teatrit Migjeni, përformuen me sukses artistë të mirënjohun të skenës shqiptare e ma gjanë; pianistja e shqueme Rudina Ciko, sopranoja e talentueme Marjana Leka si dhe trupa virtuoze e baletit të TOB-it e drejtueme prej koreografes e njëkohësisht pjesë e trupës së baletit, Adela Muçollari.

Artëdashësit shkodran të muzikës klasike patën rastin me njohë jetën dhe veprimtarinë muzikore të prof. Tonin Guraziut nëpërmjet nji bisede interesante të larmishme e me kompetencë të prof. Ciko, por edhe nëpërmjet projeksionit të fotove e pamjeve filmike të pregatituna prej nipit të Toninit, Filip Guraziu.

Muzika e List ( Wilde jagd); Chopin(Etud-op10) dhe Debussy( Feux d’artifice) të luejtuna me mjeshtri në piano prej pianistes së talentueme Rudina Ciko si dhe zani i amël i sopranos së mirënjohun Marjana Leka që këndoi e shoqnueme në piano prej Rudina Ciko, pjesë të A.Dvorak ( Rusalka); A. Catallani (La wally) si dhe kangë popullore shqiptare të përpunueme, entuziazmuen sallën, por magjia e ‘Mbramjës muzikore’ mbrriti kulmin me paraqitjen në skenë, ‘premierë absolute’ të baletit me nji akt; ROZAFA.

Trupa e baletit të TOB-it e drejtueme prej Adela Muçollarit ku bajshin pjesë balerinët Eles Ruli, Sabina Maklekaj, Anxhelo Muçollari, Armando Meci dhe Enio Qirici, nën ritmin e muzikës së kompozueme prej prof. Tonin Guraziut dhe tingujve të pianos të luejtun me mjeshtri prej pianistes Rudina Ciko përformuen me virtuozitet disa momente thelbësore të legjendës së Rozafës.

Muzika tejet interesante dhe cilësore, tingujt e pianos dhe aftësia e trupës së baletit , krijuen , si me thanë, nji situatë sureale; spektatorët me emocionet e tyne përjetuan dhe vuejtën s’bashku me Rozafën fatkeqe që sakrifikoi vetëveten në shërbim të së ardhmës së popullit të vet. Ky asht arti, kjo është magjia e tij, ky është objektivi edukativ i tij e të gjitha këto u realizuen në ‘Mbramjen muzikore’ të 14 prillit 2023 në skenën e Teatrit Migjenin Shkodër.

Ajo që duhet theksue për domethanien që reflektoi aktiviteti, nuk asht vetem përkujtimi dhe nderimi i merituem i pianistit, prof. Tonin Guraziu i cili në fushën e tij muzikore pianistike konsiderohet me plot gojë ” baba i pianos shqiptare”, por edhe përpjekja vizionare e Mjeshtrit të Madh të muzikës, prof. Zhani Ciko në drejtim të konsolidimit të identitetit muzikor shqiptar.

“Guri i madh” i skalitun me mjeshtri prej veprës dhe aktiviteti muzikor të prof. Tonin Guraziut, që ishte “lanë në një qoshe”, u muer me përkujdesje e dashamirësi me 14 prill 2023 prej prof. Zhani Ciko, s’bashku me grupin artistik që ai drejtoi dhe u vendos në vendin e vet , në vendin e merituem, aty ku duhet me qëndrue , në themelet e murit të identitetit muzikor shqiptar.

Tue i mbledhë, ruejt e pozicionue ashtu si duhet ” gurët me vlerë” e të gjitha fushave formuese të identiteti shqiptar, në themelet e IDENTITETIT TONË kemi me qenë ma të fortë, ma të qëndrueshëm, ma të pathyeshëm!

Falënderime të përzemerta, prof. Zhani Cikos, trupës së tij artistike e Bashkisë Shkodër për mbështetjen e aktivitetit.

Filed Under: Kulture

Të dëgjova…

April 17, 2023 by s p

Maki Beqiri Asllani/

Nusret, Zoti të ka zbrit në Barkun Diellplot të asaj None ndoshta për asgjë tjetër veç për t’i dëshmu botës, me ZË, me FLETË, me Gjakë shpirti, kush është Serbia…, o medet, po dënes saherë të dëgjoj, saherë të lexoj, saherë kujtoj, e di që , bota e di, dhe e di që bota ka GJEN KRIMINAL.

Nuk e di, kjo intervistë e radhëve të gjata të intervistave Tua, dëshmon për, parasëgjithash Një Njeri të veçantë, së dyti, një shqiptar që ,,dhunshëm” do të n’a mësoj të vërtetën për gjenocidin mbi fëmijët tonë.

Kjo i ngjanë aq fort thirrjes sikur:

“Bëjë offf nonë, më dhemb thika ngulitur në ashtë e rrashtë, ndihmëëë”…

S’paska gjë më të vështirë në jetë se ( po e them për Ty), shoh të ka marrë shpirti flakë e po digjesh para syve tonë për ne, e ne?!

Hajt he Burrë i Dheut se, nuk dijmë tjetër pos t‘a bojmë shqiponjën( kujto D. Agolli) ,”.

Edhe shqiponja bën glasa” , mender…, glasa plehron tokën, te ne shqiponja pështynë vetën me sqepin e saj, pështynë tokën, miljonaplagët e saj, e sorrat ardhur në hambare nga Karpatet, krrokaten në tufa të mëdha mbi Prishtinë …

Sikur të n’a vriteshin të gjithëve nga një fëmijë, të n’a i therrnin me bajoneta …, cila nonë do harronte , cili babë???

Dhe , edhe…

Sinqerisht, as krijesat nonë e babë s’pi besoj mo si qenie humane!!!

O, dje sot nesër, Zotit i vie marre që n’a ka robër të Tij, ose mund t’i vie keq që n’a ka kriju me materjalet e mbetura në fund të thesit të lypsarit?!

Njëfarë dhembje të fortë, ama shumë të fortë ( dhembje të dashnisë) e ndjeja për çdo shqiptar deri para pak kohësh , tani jom e lirë, i kom zhdukë, e në vend të asaj dhembjeje jom pais me marre që jom shqiptare ( siç e ceke Ti, Fishten) .

Do e them këtu te kasolla jote e fb-ut, kasollë ku sot si çdoherë, Fëmijët e vrarë lëshuan britmat e dhimbjeve ,

oh …dhe , në këto momente ca lehje qen’sh dëgjohen dhe asgjë tjetër nuk bëzanë, të gjithë të zanun me jetën pa pikë dinjiteti. Po t’a them publikisht, diskriminimi brenda nesh është i rëndë, as sa gjenocidi Shkja mbi ne, se luftrat për çlirim ua dedikuam individëve dhe jo masës Popullore!!!???

E ata ju besuan emocioneve tona budallica dhe, kujtuan që atdheun e ka lind barku i liderit( lexo në shumës:liderëve) dhe, kanë të drejtën apsolute për t’i shtyp kafkat e 1432 engjëjve të vrarë dhe miljona të masakruar kokash e tokash!?

Unë, ka vite e kam mbajtur një referendum të pavarur,

Shifra:

Miljona shqiptarë.

Përfundimi:

Pak NJERËZ .

Të uroj shëndet, lutem për forcën Tënde, aman qëndroni të fortë, mos i lini fëmijët e vrarë në vetminë e harresës, aman, jetoni për Historinë, ndërsa ne të tjerët, me shoqet e sorrshkinave, jetojmë për vete.

Ju kam në dejtë e shpirtit .

Edhe Zotin nëse n’a e kanë vra,

NJË FAT nuk mundën të n’a e vrasin, ZËRIN Tënd, Radio “Kosova e Lirë”, TV Diellin.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1718
  • 1719
  • 1720
  • 1721
  • 1722
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT