• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Na keni marrë gjithçka…

April 13, 2023 by s p

Gazi Aga/

Na keni marrë gjithçka. Mos na e merrni edhe iftarin të paktën. Na lini diçka ku nuk jeni ju. Na lini vetëm në këtë muaj të reflektojmë e adhurojmё Zotin tone. Na lini pak hapesire ku te flasim rahat per kete vend; kush e solli ne kete derexhe dhe pse akoma largohen te rinj e te reja nga nje prej vendeve me potencialet me te medha ne bote. Na lini pra te flasim per JU.

E kthyet Shqiperine ne vendin me te varferit me te shumte ne rajon, por me politikanet me te pasur ne bote. Keni bere aq shume zullum, sa puna me e mire qe mund te beni eshte te mos jeni shume prezente ne cdo pore te shoqerise.

I doli lezeti edhe atij tubimi ku mblidheshin njerez nga kultura dhe fe te ndryshme rreth nje tryeze per te ngrene nje kafshate se bashku ne shenje harmonie e paqeje. Edhe ate e moret.

Bravo ju qofte!

Filed Under: Fejton Tagged With: Gazi Aga

SHUHET NEBIL ÇIKA, IDEALISTI ANTIKOMUNIST

April 13, 2023 by s p

Sokol Paja/

Dielli për Nebil Çikën nuk do të lindë më kurrë. Një gazetar, një patriot, një qytetar model, një veprimtar, një zë i fortë publik, një shqiptar i veçantë nuk do jetë më fizikisht mes nesh. Ai shkoi të pushojë në Parajsën e shpirtrave të mirë e të d’lirë. Një ndër përfaqësuesit më të shquar të ish-të përndjekurve politikë të regjimit komunist shqiptar, një idealist, një profesionist i lartë dhe demokrat qëndrestar, dorëzoi shpirtin e tij te krijuesi i gjithësisë.

Nebil Çika përveç se një gazetar i pa kompromis, një qytetar aktivist, një patriot idealist, ishte edhe një demokrat që nuk u përqafua kurrë me monizmit dhe totalitarizmin e së djathtës. Ai u largua me merakun për Shqipërinë dhe demokracinë. Luftoi ashpër për demokraci, shoqëri e Shqipëri të lirë, të zhvilluar, pa komunizëm. Jeta dhe vepra e Nebil Çikës lidhen ngushtë me dekomunistizimin e institucioneve, demokratizimin dhe luftën pa kompromis me çdo pushtet për zbardhjen e të vërtetave që lidhen me krimet monstruoze të komunisteve mbi shqiptarët e pafajshëm.

Nebil Çika ishte një patriot nacionalist, një idealist që u vu në dispozicion të çështjes kombëtare e kauzave qytetare në çdo veprimtari të tij publicistike e publike. Nebil Çika ishte një zë i fuqishëm për kauzën e të zhdukurve të regjimit komunist shqiptar. Ai befasoi në veprimtarinë e tij dhe angazhimin intelektual pa ndalim për drejtësi dhe dinjitet njerëzor. Ai iku për të mbetur i përjetshëm në veprën dhe kauzën e tij, kauzën e Shqipërisë pa totalitarizëm demokratik e demokraci totalitare.

Nebil Çika ishte gjithmonë njeri i lirë i fjalës së lirë. Liria, nderi, morali dhe ideali ishin gjithçka dhe u demonstrua në çdo veprimtari të tij. Nebil Çika u shua përgjithmonë. Ai shkoi për të mbetur kujtim, kauzë, ideal dhe frymë në përjetësinë e idealistëve dhe tokësorëve vdekatarë.

Filed Under: Politike Tagged With: Nebil Cika

PËRPJEKJET E PARA PËR TË PËRKTHYER CHILD HAROLDIN NË SHQIP (1843-1897)

April 13, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Nuk besoj se mund të ketë vepër të ndonjë shkrimtari tjetër të huaj, që ka përmendur Shqipërinë dhe shqiptarët si është poema romantike “Shtegtimet e Childe Harold”, të Bajronit që të ketë pasur një efekt më të madh në farkëtimin e ndjenjës së tyre kombëtare. E njohur që herët nga pjesëtarë të ndryshëm të elitës shqiptare, pa dyshim që në botimin e saj të parë, e dëshmuar kjo gjë nga udhëtarë të ndryshëm anglezë, që kur komunikonin me Ali Pashë Tepelenën, kur ky i fundit e përmendte si fakt angazhimin poetik e kulturor të Bajronit ndaj shqiptarëve, poema shërbente jo vetëm si kënaqësi estetike, por edhe si dëshmi e eksitencës dhe imazhit përfaqësues të tyre.

Bajroni, i njohur si një poet romantik dhe një nga themeluesit e Filohelenizmit, do të njihej me shqiptarët dhe jo rallë herë do t’iu atribuonte atyre cilësi fisnike. Thëniet e tij në letrën që i dërgonte së ëmës, apo dhe 160 vargjet nga Kantoja II e Child Haroldit, do të bëheshin objekt i përpjekjeve për t’u përkthyer në shqip dhe nëpërmjet mjeteve masive të komunikimit të kohës, kryesisht gazetave të shpërndaheshin tek elita shqiptare. Krijimi i publikut të masave lexuese të një gjuhe-një rezultat i shtypit dhe kapitalizmit, zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetit e Krishterimit, Umanë islamike dhe gjithë solidariteteve të tjerë por krijoi dhe një solidaritet tjetër, atë të përfaqësimit të bashkësive etnike nëpërmjet një vepre letrare, si ishte rasti i Poemit të Milasos në Kalabri qëprej vitit 1836. Një rast i tillë analog është dhe leximi dhe përpjekja për të riprodhuar në shqip “Child Haroldin”, siç tregojnë dëshmitë e shumta të përmendjes së kësaj vepre apo përpjekjeve për ta shqipëruar nga bashkësitë arbëreshe në Kalabri, bashkësitë arvanitase në Greqi e bashkësitë shqiptare në Bukuresht. Siç pohon me të drejtë Anne Maria-These, në librin e vet “Krijimi i identeteve kombëtarë, Evropa e shekujve XVIII-XIX” kur nënvizon rolin e elitës evropiane në sendërtimin e identeteve kombëtarë të popujve të Europës juglindore, se është një sipërmarrje e rëndë të ndërtuarit e një gjuhe dhe një kulture kombëtare. Një nga pasojat e kozmopolitizmit intelektual është ndihma ndaj kombeve në lindje, mjediset intelektuale, të të cilëve nuk janë ende aq të pajisura për të ndërmarrë, pa mbështetje, ndërtimin e lashtësisë së tyre dhe gjuhës së tyre.

Në rastin shqiptar ky përcaktim, duke u nisur dhe nga dinamika e zhvillimeve historike e kulturore dhe angazhimeve të drejtëpërsëdrejta të Leak, Hobhouse e Pouqeuville në shkrimin e gramatikave e fjalorëve tingëllon më afër realitetit. Si dhe në rastin grek, turk apo dhe arab, shkenca perëndimore apo dhe letërsia e kultivuar ka ushtruar ndikimin e saj në fillimet e konstruktimit të identitetit shqiptar. Në këtë këndvështrim është i pamohushëm tashmë roli që ka luajtur vepra e Bajronit dhe dy këngët e tij shqiptare të mbledhura në Athinë dhe të botuara më 1811, që nxitën interesin e albanologjisë evropiane për identitetin dhe origjinën e shqiptarëve. Në të njëjtën kohë vepra e Bajronit pati dhe një efekt të dyfishtë pasi shërbeu edhe brenda bashkësive shqiptare, si element lidhës për të fituar konsolidim dhe identetitet përcaktues nën ndikimin e fuqishëm të Romantizmit.

Njohja e hershme e veprës së Bajronit në Shqipëri kaloi në dy etapa. Në fillim ai u popullarizua tek Arbëreshët e Italisë, të cilët e përmendin dendur emrin e Bajronit. Pastaj nga gjysma e shekullit XIX Bajroni hyri dhe në Shqipëri. Secila nga këto dy etapa të njohjes së veprës së Bajronit në Shqipëri ka karakteristikat e veta. Kështu në periudhën e parë, atë të popullarizimit të Bajronit tek Arbëreshët e Italisë, mbizotërojnë influencat estetike të veprës së poetit. Është i njohur afiniteti i De Radës për Bajronin, të cilin ai e vlerësonte së tepërmi. Ai e shkroi poemën e vet “Odise” me subjekt nga jeta arbëreshe, trajtuar sipas “Korsarit” të Bajronit. Por nuk do të mungojë dhe tipari tjetër i ilustrimit të karakterit të shqiptarëve dhe në këtë mënyrë do të shërbente dhe si një dëshmi për virtytet dhe karakteristikat e tyre. Nga gjiri i mërgatës arbëreshe do të ishte dhe përkthyesi i parë i Bajronit në shqip, Luigji Petrasi, i cili do të përkthente Këngën e parë të poemës “Child Harold” të Bajronit në shqip më 1843.

Deri më sot nuk kemi dijeni të plotë nëse ky përkthim ekziston apo jo, por është e rëndësishme të dimë pak më tepër për këtë personalitet të kulturës arbëreshe. Luigi Petrassi, lindi në Cerzeto, në një familje fisnike. Toponimi Qana që përdoret nga bashkësia arbëreshe që banon aty, rrjedh ndoshta nga shqipja qanë, duket se e ka origjinën nga forma e vendit të sheshtë, të shtrirë; toponimi italian Çerzeto, vjen nga cerza/dushk, dhe që të kujton prezencën e shumtë të dushqeve në këtë zonë. Petrassi filloi studimet ligjore në Napoli, por shëndeti i dobët nuk e lejoi që ti vazhdonte. Napoli i asaj kohe kishte fituar një rol qendror për kërkimet albanologjike dhe për fazat e mëvonshme të zhvillimit të historisë kulturore të arbëreshëve duke u bërë kështu selia natyrore për takimet, shpesh herë të rastësishme e të shkurtëra , mes intelektualëve arbëreshë që vinin nga treva të ndryshme shqipfolëse të Italisë së jugut. Ai u tërhoq në Çerzeto, ku filloi të ishte një koleksionist i kujdesshëm i traditave popullore dhe përkthyes në gjuhën shqipe të veprave më të mëdha të romantizmit italian. Atij në fakt i detyrohet si një antologji e këngëve, përrallave dhe thënieve popullore, ashtu si dhe një përkthim në shqip “I Sepolcri” (Varret) e Ugo Foskolos (të humbura, por sigurisht që gjenden në posedim të disa nxënësve të trasferuar dhjetëvjeçarë më parë në Kanada).

Në korrespondencën epistolare me De Radën, kuptohet që i kishte çuar drejt fundit disa vepra të Bajronit, një përmbledhje komplete të këngëve popullore të Çerzetos, traskriptimin e legjendës popullore “Kostandini i vogël” në versionin e Cerzetos, si dhe kishte përfunduar dy poema në gjuhën shqipe, e para me titullin “Vasha shkon për lule pasi bie dielli” (La ragazza che raccoglie i fiori dopo il tramonto) dhe “Haj bukë Skënderbeu” (Il pranzo di Skanderbeg). Ai gjithashtu kujtohet për mbledhjen e këngës popullore “Oj e bukura More” (Mia bella Morea), që u bë himni i të gjithë shqiptarëve në Itali. Për fat të keq gjithçka nga prodhimtaria e tij letrare ka humbur çdo gjurmë dhe sot gjenden vetëm disa referenca bibliografike të risjellura nga De Rada. I impenjuar politikisht në favor të popullit, i mbetur në varfëri nga qeveria Burbone, ishte nga aktivistët anarkikë dhe revolucionarë. Shumë i ri, megjithëse kishte nisur një karrierë brilante si poet dhe letrar shqiptar, vdiq papritur më 31 dhjetor të vitit 1842, duke u lënë familjarëve dhe kulturës shqiptare një boshllëk.

Si shikohet Luigi Petrasi dëshiron t’i dhurojë bashkësisë së vet etnike, që kishte filluar të ndikonte dhe në bashkësitë e tjera shqiptare në rajon, që të merrnin trajtën e kombit, dy monumente të rëndësishme të letërsisë romantike, “Qivuret” e Foskolos dhe “Child Haroldin” e Bajronit. Në Napolin dhe Kalabrinë e asaj kohe përkthimi i këtyre dy autorëve i shërbenin ngjizjes së identitetit kombëtar e të veçantë të arbereshëve, aq më tepër që vargjet e Bajronit përshkruanin një popullsi matanë Adriatikut e Jonit, që ishte në kontakt të vazhdueshëm kulturor me Napolin, përmes fenomenit të njohur të mercenarisë, tregtisë dhe ndjekjes së studimeve. Këto lidhje dhe shkëmbime kulturore kanë qenë shumë prezente siç dëshmohet dhe nga studimi i disa shqiptarëve në Napoli, më i shquari nga ta Vangjel Meksi që boton dhe Dhjatën e vjetër shqip më 1828, apo rasti i Dhimitër Lekës nga Himara, kapitenit të gardës mbretërore të Napolit që De Rada i kushton, poemën “Milosao” më 1836.

Napoli, si një nga kryeqendrat evropiane të sendërtimit të mitit pellazgjikm që ndihet gjithandej në veprën e De Radës, Kamardës, Xhovani Emanule Bidere, Zef Krispit etj., rezulton të jetë një nga vatrat e ngjizjes së nacionalizmit kulturor të shqiptarëve. Influenca e tij ndaj De Radës si dhe vlerësimi i këtij të fundit ndaj Luigi Petrasit, duket ka qenë i madh siç dëshmohet dhe në nekrologjinë kushtuar atij në revistën “Il Calabrese” nga De Rada. “Në ditën e fundit të 1842, në fshatin shqiptar Çerzeto vdiq Luigi Petrassi. Nëse është e vërtetë, që besimi në virtyt dhe qëndrueshmëria e kultit në të njëjtën formë, formojnë shenjën dalluese të popujve të qytetëruar në kundërshtim me frymën e barbarisë, Kalabria ka humbur një prej tyre prej të rinjve me të cilin nderohet. Vdekja e tij më mbushi me trishtim, më shfaqi një botë me dhimbje, dhe gjithçka mu kthye mbrapsht.

Vepra e Bajronit, kryesisht poema romantike Shtegtimet e Child Haroldit luajtën të njëjtën rol edhe në bashkësitë e tjera shqiptare në Evropë, Rumani e gjetkë. Kështu p.sh shkrimtarja e mirënjohur shqiptare Elena Gjika, në një nga letrat e saj përmend mënyrën e tepër të veçantë, që flet Bajroni tek “Child Haroldi” për Shqipërinë dhe popullin trim që banon aty.

Në të njëjtën sintoni do të jetë dhe studiuesi, linguisti Anastas Kullurioti nga mërgata e Arvanitasve të Greqisë kur do të shkruajë më 1884, se Bajroni flet me admirim për gjykimin e matur të shqiptarëve, për guximin dhe trimërinë si dhe për punët e mëdha që kanë bërë. Po kështu Jani Vreto në të njëjtin vit bën një nga përpjekjet e para për të shqipëruar fillimin e e vargjeve për Shqipërinë në ligjëratën e vet e mbajtur në Bukuresht. Moj Shqipëri! Moj leondare/Qe ke pjelle leondarë, pa nkthe/Syte dhe ketej nga ne!

Periudha e tretë, e cila përkon dhe me periudhën më kulmante të zgjimit nacionalist shqiptar dhe formimit të shtetit shqiptar do të zyrtarizojë pak a shumë formimin e mitit shqiptar të Bajronit. Tashmë poema romantike Child Harold do të shërbejë përmes vargjeve të veta ilustrimit të vetive të mira të shqiptarëve si komb. Ashtu si të gjitha mitet krijuara gjatë zgjimit nacionalist shqiptar edhe ky mit do i nënshtrohet etnocentrizmit dhe përshtatjes së tij në funksion të rritjes së ndërgjegjes shtetformuese tek shqiptarët. “Vargjet e Bajronit për Shqipërinë dhe shqiptarët ishin një zbulim i çmuar për poetët luftëtarë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, ishin një frymëzim patriotik dhe poetik”. Ndaj në dallim nga veprat e tjera të shkrimtarëve romantikë bashkëkohorë vepra e Bajronit pati një impakt më të madh në mendimin intelektual shqiptar. Së bashku me rritjen e ndërgjegjes kombëtare tek shqiptarët, do të krijohej pak nga pak kulti i Bajronit në mendimin intelektual shqiptar.

Të kësaj periudhe janë shkrimet e eruditit shqiptar Faik Konicës, apo të “enciklopedisë ambulante” si e kish thirrur poeti frëng Apolioner-i në faqet e gazetës së tij “Albania”. Në numrin e parë të gazetës së mirënjohur “Albania”, më 1897 ai boton në frëngjisht “Le voyage de Lord Byron en Albanie”. Po kështu Konica do të jetë i pari, që tenton të përkthejë në prozë vargje nga “Child Harold”-i me titull “Dheu i Shqipërisë”, të botuara sërish në gazetën “Albania”. Në faqet e gazetës së tij, Konica do të botojë dhe dy këngët shqip të mbledhura nga Bajroni si dhe në gazetën “Dielli” më 1924, një pjesë nga letra e Bajronit dërguar të ëmës ku poeti i madh flet për Shqipërinë.

Identifikimi i influencës bajroniane në momentin e formimit si komb dhe në kulturën shqiptare është gjurmuar dhe analizuar në punime të ndryshme monografike ndaj sfida e vërtetë në studimet bajroniane në Shqipëri është saktësimi dhe gjurmimi se ku mund të gjenden dorëshkrimet e Petrasit, që veçse si dëshmi të radha autentike gjuhësore të dialektit arbëresh do të bënin të mundur të zbulonin dhe teknikat e shqipërimit dhe përshtatjes, që deri më tash nuk ia kemi njohur dialektit arbëresh. Bajroni përdori në poemën e tij “Child Harold” stanzën Spenceriane, që është një formë e fiksur poetike e një strofke e përdorur nga Edmund Spencer (1552/1553–1599) në poemën e tij “The Faerie Queene” (1590-1596). Çdo strofkë përmban nëntë vargje: tetë prej tyre janë në metrin jambik, të ndjekura nga një varg i vetëm aleksandrin në gjashtëmbëdhjetë rrokësh jambik. Skema e rimës është në strofkën poetike Spenseriane është ababbcbcc. Nuk dimë se ç’vargje ka përdorur Petrassi, për të përshtatur dy këngët e para të Bajronit në shqip, por njohim metrikën e vargëzimit arberesh. Poezitë tradicionale të kolonive shqiptare të Italisë dhe më të hershmet të kolonive të Greqisë janë gjithashtu pa rimë; madje mungesa e rimës është treguesi kryesor i hershmërisë së tyre dhe origjinës së njëmendë popullore së tyre. Pa rimë pa strofa thotë De Gracia në lidhje me përmbledhjen e tij me këngë popullore tradicionale italo-shqiptare siç është zakon edhe në ditët e sotme edhe ndër shqiptarët më të thjeshtë, por përherë me vargje tetë rrokësh të lirë, të përzjerë me ndonjë shtatë rrokësh dhe gjashtë rrokësh; që të gjithë të marrë sëbashku krijojnë një harmoni të këndshme, por monotone. Vepra e Petrasit, ashtu si vepra e intelektualëve të tjerë arbëreshë mund të flerë rafteve të kolegjeve apo biblotekave, por e shplurosur mund të na ballafaqojë me supriza të këndshme të formimit të identitetit tonë kombëtar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dorian Koci

“Lufta Arbëro-Turke (1370-1571)”, një ndër luftërat më të gjata në historinë botërore!

April 13, 2023 by s p

Paulin Zefi/

(Një vështrim i shkurtër historik).

Për herë të parë, Arbëria u përgjak nga turqit selxhukë në vitin 1336 kur ata erdhën si forca mercenare të perandorit bizantin, Andronikut III Paleologu, për të shtypur kryengritësit arbër (1). Ndërsa ushtritë e para të turqve osmanë që shkelën vendin tonë, ishin ata që sulmuan Kosovën në vitin 1370, duke vijuar më vonë me repartet ndihmëse të jeniçerëve me të cilët princi serb, Marko Kraljeviç, sulmoi më 1375 qytetin e Kosturit, që asokohe e zotëronte Andrea Muzaka, por që vetëm falë ndërhyrjes ushtarake të princit të fuqishëm arbër, Gjergji I Balsha, rrethimi u ça dhe ushtria serbo-turke pësoi disfatë (2). Burimet lindore flasin për një fushatë osmane të zhvilluar në Arbëri po në vitin 1375, fushatë në të cilën kishte një tepricë aq të madhe skllevërish saqë, mbi plaçkën e tyre të rregullt, sulltani i dhuroi çdo ushtari turk një skllav arbër, pasi ai vetë kishte marrë një të pestën, siç urdhërohej nga Kurani dhe në imitim të profetit Muhamet (3). Ndërsa inkursioni i parë i madh osman, që depërtoi në thellësi të vendit tonë ishte ai i zhvilluar në Jug të Arbërisë në vitin 1380. Kjo ushtri osmane, e cila robëroi zotërimet e Gjin Zenebishit dhe Çamërinë, komandohej nga Isaimi i njohur si Shahin Beu ose Lala Shahini, që ishte thirrur për të shtypur arbërit nga despoti serb i Janinës, Thoma Preljuboviç, i njohur me pseudonimin famëkeq “Αλβανοκτόνος (Shqiptarovrasësi)” (4). Pushtimi osman i Arbërisë, në ndryshim nga pushtimi i shumë vendeve të tjera, nuk u realizua pas një fushate të vetme ushtarake, por ishte një proces i tejzgjatur në kohë, i cili siç u tha më lart, nisi në vitin 1370 dhe u mbyll vetëm në vitin 1571 me pushtimin e Ulqinit dhe Tivarit. Pra, fuqisë më të madhe ushtarake të kohës iu deshën plot 201 vite luftë e stërmundimshme për të nënshtruar Arbërinë, çka e bën Luftën Arbëro-Turke një ndër konfliktet ushtarakë më të gjatë dhe më të përgjakshëm në historinë botërore. Nga ana tjetër, duhet nënvizuar fakti se në kohën kur Europa doli nga Mesjeta dhe hyri në epokën e lulëzuar të Rilindjes, Arbëria u zhduk nga harta e shteteve të lira dhe u fundos nën zgjedhën e pamëshirshme të një fuqie barbare si Perandoria Osmane (5). Andej nga fundi i shek. XV, Arbëria e Mesme dhe ajo Veriore qenë shkretuar aq shumë nga dekada mësymjesh osmane e fushatash të mëdha sulltanore, saqë “Kultura e saj e lulëzuar katolike” e humbi bazën e vet qytetëse dhe u prapësua ndër male (6). Tregtia kaloi në stanjacion, qytetërimi u asgjësua dhe çdo lloj komunikimi me botën e jashtme u ndërpre (7). Me mijëra banorë të fushave u detyruan të kërkojnë strehë në malësitë e Veriut dhe kështu lindi një ekonomi blegtorale dhe një sistem i ri fisnor (😎. Kështjellat dhe qytetet, që kishin lulëzuar në epokën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me pallate dhe monumente të shumta, si: Petrela, Petralba, Stellushi, Sfetigradi, Tornaçi, Sarda, Drishti, Danja dhe Ulpiana, u zhdukën krejt (9). Ndërsa qytetet e tjera, si: Kruja, Durrësi, Shkodra, Lezha, Vlora, Kanina, Berati dhe Gjirokastra e humbën rëndësinë e mëparshme dhe mbetën si hije të madhështisë së tyre të dikurshme (10). Po ashtu, vihet rè se pushtimi osman preku kryesisht popullatën që jetonte në zotërimet e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe në viset e kontrolluara prej Republikës Veneciane, teksa Jugu u kursye prej shkatërrimit dhe për këtë arsye ndarja strukturore midis Veriut dhe Jugut të Arbërisë gjatë sundimit osman të vendit tonë do të kishte pasoja më afatgjata në shekujt në vijim (11). Për ta hedhur Arbërinë në këtë greminë, duke e shkëputur atë një herë e mirë nga “Respublica Christiana”, Perandorisë Osmane, siç u tha më lart, iu deshën plot 2 shekuj luftë e përgjakshme, ku në krye të fushatave të mëdha pushtuese apo atyre ndëshkimore u vendosën edhe vetë sulltanët, duke nisur nga Murati I, Mehmeti I, Murati II, Mehmeti II dhe deri te Bajaziti II dhe Sulejmani I ose Sulejmani i Madhërishëm. I pari, sulltan Murati I, e pagoi shkeljen e truallit arbër me jetën e vet, sepse u vra gjatë ose pas betejës së parë të Fushë-Kosovës (15/28 qershor 1389) prej bujarit arbër nga Drenica, Millosh Kobiliq/Kopiliqi/Obilić (12). Murati II dhe Mehmeti II, gjatë fushatave perandorake të zhvilluara në Arbëri kundër Gjergj Kastriotit-Skënderbeut më 1448, 1450, 1466 dhe 1467, shpesh herë nga rrethues, u kthyen në të rrethuar. Ndërsa, sulltan Bajaziti II në vitin 1492, në Tepelenë (13), dhe sulltan Sulejmani I më 1537, në Himarë, ranë pre e atentateve të ndërmarra nga luftëtarët arbër dhe i shpëtuan vdekjes vetëm për një fije peri (14). Pavarësisht të gjithë këtyre përpjekjeve titanike të monarkëve osmanë për ta nënshtruar Arbërinë me çdo kusht, ata kurrsesi nuk mundën të realizojnë pushtimin e saj të plotë, sepse disa rajone malore dhe të populluara nga njerëz shumë luftarakë e të mirëorganizuar, si: Mirdita, Malësia e Madhe, Dukagjini, Nikaj-Mërturi, Himara dhe Suli, arritën ta ruajnë pavarësinë e tyre dhe të vetëqeverisen sipas normave të veta zakonore. Këtë fakt, përpos vetë burimeve osmane, e pohojnë në mënyrë të njëzëshme edhe shumë historianë perëndimorë, sipas të cilëve: kontrolli osman mbi malet e “Land of eagles (Vendit të shqiponjave)” do të mbetej indirekt dhe relativisht i lehtë (15). Po ashtu, edhe për ta mbajtur vendin tonë nën zgjedhën e robërisë deri në vitin 1912, Perandorisë Osmane iu desh të përballej me plot 65 kryengritje, shumica prej tyre lokale, por ata që morën përpjestime më të mëdha, rrezikuan ta çojnë këtë perandori të fuqishme deri në zgrip të rrokullimës. Midis viteve 1370-1571, kur Arbëria u përgjak vazhdimisht nga inkursionet dhe fushatat e panumërta të turqve osmanë, epoka e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (1443-1468) shënon fazën kulmore, më të përgjakshme, më dramatike dhe më të lavdishme të kësaj lufte të gjatë dhe heroike për liri dhe pavarësi. Heroi jonë Kombëtar dhe Mbrojtësi i pathyeshëm i Qytetërimit Perëndimor, arriti t’i përballojë dhe t’i shpartallojë njëra pas tjetrës të gjitha ushtritë turke të dërguara kundër tij apo të komanduara personalisht nga dy sulltanët më të fuqishëm të Perandorisë Osmane, Murati II Kodja dhe sidomos Mehmeti II Fatih, në një kohë kur këto ushtri me përmasa të hatashme ishin në gjendje të gllabëronin të gjithë Italinë dhe shumë pjesë të tjera të kontinentit Europian. Vetëm falë tij, Perandoria Osmane ndeshi në Arbëri kufirin “nec plus ultra” përtej të cilit nuk mundi të shtrihej më tej drejt Perëndimit….

Bibliografia:

1)- S.Pulaha, Lufta shqiptaro-turke 1370-1530, Burime osmane, f. 45-46; K.Bozhori – F.Liço, Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, Shek. X-XV, f. 215-216 & 223-226.

2)- K.Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra, f. 35-36.

3)- R.Ibrahim, Defenders of the West: The Christian Heroes Who Stood Against Islam, f. 238.

4)- K.Bozhori – F.Liço, Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, Shek. X-XV, f. 246; Dh.S.Shuteriqi, Moti i Madh: Përmbledhje shënimesh e dokumentesh për historinë shqiptare të viteve 1379-1479, f. 13-14.

5)- C.Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 137.

6)- B.J.Fischer – O.J.Schmitt, Një histori e përmbledhur e Shqipërisë, f. 59.

7)- C.Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 137.

8)- B.J.Fischer – O.J.Schmitt, Një histori e përmbledhur e Shqipërisë, f. 59.

9)- C.Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 137-138.

10)- Ibid. f. 138.

11)- B.J.Fischer – O.J.Schmitt, Një histori e përmbledhur e Shqipërisë, f. 59.

12)- J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 91-116.

13)- S.Pulaha, Lufta shqiptaro-turke 1370-1530: Burime osmane, f. 261.

14)- I.Zamputi, Rrethanat historike në të cilat u krye ekspedita e Bajazitit II në Shqipëri më 1492, në: Skënderbeu dhe epoka e tij, Tiranë: Naim Frashëri, 1967, f. 99.

15)- J.Tolan, H.Laurens & G.Veinstein, Europe and the Islamic World: A History, f. 134.

Filed Under: Opinion Tagged With: Paulin zefi

VAJZA E VALAVE,  diamanti i polifonisë labe

April 12, 2023 by s p

Gezim Zilja/

Në një këngë të vjetër himariote aq të njohur në folkun shqiptar, ajo njihet me emërtimin monumental “Vajzë e Valave” dhe është përjetësuar në këngën polifonike (unike në botë do të thoshja) me të njëjtin titull. Aq sa unike, e papërsëritshme është vija melodike dhe interpretimi i kësaj kënge nga grupet e Himarës, aq të papërsëritshëm dhe të padëgjuar më parë, janë vargjet e kësaj poezie shkruar nga poeti dhe këngëtari i paharruar himariot Neço Muka. Po cila është kjo vajzë bijë e “valave të detit,” dhe cili është halli i saj? Në pak vargje marrim përgjigjen: Një jetime jam/Pa nënë e baba/Një që kisha/ Një që doja/Iku dhe më la e mjera/Iku dhe më la. Vargjet të vendosura tepër ngushtë me njëra-tjetrën, secili në vendin e vet, ku asnjë fjalëz, lidhëz apo germëz nuk është e tepërt, të fusin menjëherë në një botë plot dhimbje, vetmi dhe mall të papërballueshëm. sa vetëm deti mund t’i mbajë… Vajzë e valave/Zëmëra s’ja mban/Mbi një gur anës detit/Qan e zeza, qan e mjera/ Qan e zeza qan/Pret atë që pret/Dhe një dhëmbje ndjen/Gjithë bota venë e vine/Por ai nuk vjen e mjera/ Por ai nuk vjen.

Këto janë dhjetë vargjet me të cilat vajza fillon bisedën  me ngushëlluesin e saj, të duruarin, të madhërishmin, të bukurin dhe të vetmin që mund të mbaj dhimbjen e madhe, që ajo ndjen: detin e paanë që prek e mbështjell gjithë lëmshin e dheut. Jam jetime, jam pa nënë e baba, ai që desha iku dhe më la o e mjera, i drejtohet “vajza e valave” detit. Dhe ai përgjigjet me gjuhën e vet, që herë turfullon e shkumbëzon, herë hedhë dallgë të stuhishme, e herë lëshohet fare i qetë, duke lënë të dëgjohet vetëm shushurima e valëve në breg, si një muzikë qiellore, e shprese, në shpirtin e vrarë e të malluar të Vajzës së Valave .

 Pranvera vjen sërish (Nuk dihet sa të tilla kanë kaluar…) dhe ajo ka ende shpresë. Sërish mbi gur atje në breg të detit pret atë që pret… Në një botë ku komunikimi thuajse ishte i pamundur ( vetëm me letra) ku koha kalonte shumë ngadalë dhe një letër donte muaj, ndoshta vite të arrinte në vendin largët e vetmja shpresë për ndonjë lajm nëse ishte gjallë, nëse e kujtonte, nëse djali ende e donte ishin zogjtë shtegëtarë. Pranvera arrin/Një mëngjes të qetë/Shkojn e vijnë dallandishet/Vajza ju thërret e mjera,/Vajza ju thërret. Dallandishet (në dialekt) janë e vetmja shpresë që i ka mbetur. Megjithëse ato fluturojnë lart, në ajrin e pastër të atyre vendeve të bekuara me bukuri mahnitëse, ajo u flet, i porosit u kërkon, u lutet e përgjërohet plot mallëngjim e shpresë. Vargjet vijnë ulëritëse, thirrëse, duke derdhur mbi kaltërsinë e qiellit, mallin e merakun e pashuar: Ju të bukur zogj/Te ju kam një shpresë./Ju që shkoni det e male/Dua t’u pyes e mjera,/ Dua t’u pyes.

Ndoshta ndonjë apo disa dallandishe kanë dëgjuar thirrjet e kanë parë vite me rradhë lotët e vajzës, janë ulur dikur, diku aty pranë mbi gurin ku rrinte vajza e valave për ta dëgjuar se çfarë ajo kërkon nga zogjtë: Mos e patë ju?/ Rron apo nuk rron?/Ndonjë fjal a ndonjë letër/Vallë a më kujton e mjera?/Vallë a më kujton? Zogjtë shtegëtarë të prekur nga dashuria dhe malli i vajzës, morën përsipër ta shpërndanin kërkesën e saj në gjithë vendet ku shtegëtonin. Një ditë dimri si çdo herë Vajza e Valave shkon të flas me detin ashtu si kishte bërë vite më rradhë. Paprimtas dielli u arratis midis reve, qielli u bë sterrë, shpërtheu një stuhi me shi e erë dhe deti u bë si i tërbuar. Retë u ulën mbi det dhe gjithçka mori ngjyrën midis grisë dhe të zezës. Dukej sikur bota do të rrokullisej e do të vidhisej me gjithçka. Midis reve dhe dallgëve vajzës iu fanit i dashuri mbi një anije në detin e tërbuar, ku feksnin çdo çast vetëtimat, duke mbajtur një kurorë martese në dorë. Ndërsa ai zgjatej t’i jepte kurorën deti si me magji u qetësua, dallgët u fashitën dhe ashtu të lodhura mezi arrinin në breg. Dielli çau retë e zeza dhe drita e tij u shpërnda kudo. Vajza, u këput si një zog i plagosur e ra mbi gur. Deti kishte folur me gjuhën e vet dhe ajo e kuptoi gjëmën që kishte ndodhur. Djali atje larg (vetëm mërgimtarët mund ta kuptojnë shumë mirë këtë,) nuk e kishte harruar. Diku në thellësitë e minierave apo punët raskapitëse, i lajmëruar nga zogjtë, shkruan letrën e fundit, i sëmurë dhe i pashpresë: Letër e zezë vjen, dhe me të vërtetë/ Djali kishte udhëtuar, pa kthim përjetë…/Mos u dëshpëro, ti je vajzë e re/Un martohem n’atë jet’ ti martohu atje.

Fundi i kësaj poezie që trondit njeriun deri në palcë ndoshta nuk është ajo që pret çdo lexues apo dëgjues i këngës. Sepse dashuria është e veçantë,  përjetohet ndryshe nga çdo njeri dhe nuk janë kurrë dy dashuri njësoj. Çdo krahasim e analogji është një mundim i kotë. që të çon në absurd. Është e vërtetë që dashuria lëviz malet, që mrekullon ose shkatërron një botë të gjithë, dhe jo rrallë ndal jetën dhe e kthen atë një gjë pa kuptim, kur njeri nga të dashuruarit shuhet. Kjo e fundit është dashuria e Vajzës së Valave me djalin e bukur nga bregu i detit, që shkoi e nuk u kthye. Ja si vjen përgjigja për djalin që donte dhe  dashurinë e përjetëshme që la pas. O i dashur djalë, shkove dhe më le/S’pate faj as ti as unë, ashtu qe për ne/Ne u ndamë këtu o djalë, qielli atje lart/Do të na bashkojë, i dashur, pritmë se po vij… /Hej dynja, dynja, nuk ke gjë të drejt/Lamtumirë o jetë e rreme, merrmë o val e det.

PS. Qysh në adoleshencë kjo këngë më ka intriguar sepse mbartte diçka të veçantë që nuk e kuptoja dot. Im atë, i ndrittë shpirti, kur e dëgjonte grupin e Himarës, me marrës Dhimitër Varfin, vinte veshin te radioja “Figaro” sa një kutizë, dhe lotonte. Ne fëmijët habiteshim me të, dhe e pyesnim: O baba!Po ti pse qan? Kjo këngë është, një histori e kaluar. Babai ynë i dashur, rritur plot halle e mundime, jepte të gjitha herët të njëjtën përgjigje: Kur të bëheni sa unë dhe të dëgjoni Dhimitër Varfin e Himarës, duke kënduar Vajzën e Valave, do ta kuptoni. Pas shumë e shumë vjetësh, që ai është larguar nga kjo botë, sa herë dëgjoj këtë këngë vetvetiu më këputet diçka në shpirt. Nuk e pyes veten pse më ndodh kjo dhe as që dua të mundohem ta gjej një përgjigje. Thjesht magjepsem, më ndrydhet zemra, më vibron çdo qelizë e trupit, përhumbem i tëri dhe lotoj… 

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1725
  • 1726
  • 1727
  • 1728
  • 1729
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT