• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRONIKA E KOHËS SË REVOLTËS…

December 11, 2025 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Si lexues i pasionuar i romanit dhe i projektit shumëvëllimësh për Onomastikonin e romanit shqiptar, më ka rënë të lexoj romane të të gjitha periudhave historike, romane me tema nga të gjitha hapësirat etnike shqiptare dhe jashtë saj, romane me personazhe historike dhe imagjinare, romane me tema rurale e urbane, romane me tema nga lufta dhe paqja, romane me subjekt qytetet dhe krahinat e caktuara, romane për periudhën e antikitetit, të mesjetës, të Perandorisë Osmane, Rilindjen Kombëtare, Luftën e Dytë Botërore, fatin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e jetën shqiptare në Shqipërinë komuniste etj., por nuk kam lexuar, apo nuk kam lexuar mjaftueshëm romane me temë Revoltën e vitit 1997 dhe paradigmat që i prinë asaj. Kam lexuar romane me autorë të specializuar në letërsi, filozofi, histori, kulturologji, mjekësi e dije të tjera, por nuk më ka rënë të lexoj romane me autorë të specializuar në fushë të ekonomisë.

Egon time prej lexuesi të pasionuar e specialisti të fushës së onomastikës (edhe në romanin shqiptar), e ka përplotësuar shumëfish shkrimtari, politikani dhe Profesori i ekonomisë e financave Sherif Bundo dhe e ka përplotësuar romani i tij të cilin po e përurojmë sot “Fara e revoltës”. Fati i popullit shqiptar, në të gjitha ndryshimet e mëdha historike në Europë e Azi, është përcjellë me kthesa të mëdha të brendshme dhe me tronditje ideologjike, ekonomike, sociale, kulturore e administrative. Pjesa më e madhe e tyre janë shoqëruar edhe me fate tragjike individuale, familjare e kolektive. Shqiptarët, pas ndarjes nga Perandoria Osmane kanë treguar mosdurim pothuajse ndaj të gjitha vlerave historike, të cilat i kanë krijuar nga njëra kohë në tjetrën, prandaj në këto beteja të brendshme ata i kanë stërzgjatur tranzicionet shoqërore, me pasoja për ekonominë, kulturën, shëndetësinë, drejtësinë e përbërës të tjerë të Shqipërisë e të popullit shqiptar.

Tranzicioni i kalimit nga sistemi i diktaturës komuniste në demokracinë perëndimore është shembulli më i vështirë dhe më i keq, plagët e të cilit ende nuk po arrijmë t’i shërojmë, jo vetëm për faktin se ato ishin shumë të thella, e të thella ishin bërë shumë sidomos në vitin 1997, po sepse individë, grupe e klane të caktuara neokomuniste, vazhdojnë ta mbajnë peng Shqipërinë e djeshme dhe të sotme dhe për shkak se individë, grupe, parti, klane e koncepte tipike neokomuniste të sekretarëve të deridjeshëm të Partisë Komuniste, vazhdojnë të mbahen në pushtet sikur mbahej ai ushtari i antikitetit, të cilit Noli ynë i dha dimensionin e luftëtarit të ngjitur në kolltukun e pushtetit.

Romani i shkrimtarit Sherif Bundo “Fara e revoltës”, përplotëson më së miri përmasën më tragjike, të kësaj periudhe: krijimin e Piramidave dhe rënien e tyre bashkë me gjithë sistemin shtetëror, Revolucionin tragjik të vitit 1997, fatin e individit, familjeve, institucioneve shtetërore dhe të popullit shqiptar përgjithësisht. Romani nuk ka ndonjë fabul të madhe, madje më parë do ta quaja një dramë me një strukturë të thjeshtë, që ka një fillim orientues, një zhvillim shumëplanësh dhe një përfundim. Nuk është i madh as numri i personazheve. Edhe ashtu sa janë, më parë se sa personazhet, jo me emrat po me idetë e tyre, ata përfaqësojnë fatet, konceptet formale dhe përbërësit tematikë e profesionalë të individëve.

Është Shqipëria e viteve ’90. Një grup profesorësh të Fakultetit të Ekonomisë, intelektualë e atdhetarë e idealistë të shqetësuar për fatet e shoqërisë, shtetit e popullit shqiptar, organizojnë një Konferencë shkencore, me idenë themelore që të diskutojnë gjendjen dhe perspektivën e shoqërisë shqiptare në atë periudhë tranzicioni. Në krye të grupit është emëruar profesori Genti Selishta, ndërsa pas tij flasin kolegët e kësaj fushe Ndini Belshi, Agron Sukthi, Robert Shkodrani etj. Në kumtesat e tyre, në diskutimet e tyre, në fjalët e tyre, nuk pretendojnë pushtetin, por janë të shqetësuar për zhvillimet e tij, nuk përfaqësojnë kompani e institucione private e megjithatë janë të shqetësuar për mënyrën e funksionimit të tyre, nuk kanë trashëguar asgjë nga sistemi i kaluar e megjithatë janë të shqetësuar për mënyrën e transformimit të tij, nuk kanë aspak nostalgji për të kaluarën dhe pasurinë kombëtare, e megjithatë mbrojnë profesionalisht pikëpamjet e tyre se si duhet të ruhet ajo.

Në këtë konferencë roli i intelektualit profesionist, si dhe i botës së karakterit të ekonomistit që e rrethon, përshkruhet pa emocione. Ky është intelektuali që nuk i ndërton konceptet e tij përmes refuzimit kryengritës, por prej konceptualizimit profesionalist. Ky është intelektuali, i cili në mënyrë të angazhuar e profesionale di të dallojë e qartësojë lirinë në njërën anë dhe anarkinë në anën tjetër, përkatësisht lirinë e mendimit dhe anarkinë e veprimit.

– “A mund të quhet vërtet intelektual një njeri intelektualisht i paangazhuar?,” – pyet narratori dhe përgjigjet: “Një njeri i paangazhuar vetëm intelektual nuk mund të jetë”.

– “I paangazhuar ndaj kujt? Ndaj jetës?” – pyet përsëri në monologun e tij Genti dhe përgjigjet, po me pyetje: “Domethënë një intelektual që nuk jeton?”

– “Ndaj qeverisjes dhe politikës? Domethënë një intelektual që nuk ndien, pa shpirt. Ndaj zhvillimit, progresit, teknologjisë? Domethënë një intelektual që nuk lëviz. Ndaj ideve? Domethënë një intelektual që nuk mendon”.

– “Ndaj padrejtësive, arrogancës, korrupsionit? Domethënë intelektual pa zë. A mund të ketë soprano apo tenor pa zë?” (415)

Pikëpamjet e shfaqura në Konferencë nuk shquhen për përdorimin e fjalëve të sforcuara, tipike për periudhën e realizmit socialist dhe atë postkomuniste, por për përdorimin e sintaksës së mendimit, për përshkrime të gjera ambientale e sistematike, për paraqitjen e situatave jokontraditore, por kompelementare nga gjendja e momentit te gjeografia sociale, natyra, muzika etj.

Mendimet e tyre për probleme të karakterit ekonomik e social nuk shfaqen përmes fjalësit me shtrirje të gjerë semantike, por me terma e nocione me shtrirje të gjerë profesionale; nuk shfaqen me fjalës tingullor me shtrirje të gjerë stilistike, por me koncepte e pikëpamje me shtrirje të gjerë intelektuale.

Le të sjellim një shembull të rastit: “Ai dinte të ndërtonte me cilësi të lartë mure me të gjitha llojet e materialeve të ndërtimit, mure me tulla me bira, mure të brendshme dhe të jashtme, mure të trasha, të holla, mure prej guri dhe mure që shërbenin si themele të ndërtesave, mure mbrojtëse dhe mure rrethuese”. (390)

Në konferencën e organizuar ata nuk merren me të kaluarën, po thjesht me të sotmen, ata nuk pyesin ku kemi gabuar, po pse gabojmë dhe ku po gabojmë; ata nuk diskutojnë për administratën e ideologjizuar të së kaluarës po për administratën e paformuar të kohës; ata nuk flasin për pushtetin lokal e qendror të mëhallave të tyre po për mungesën e koordinimit të tyre; ata nuk shqetësohen për privatizimin e ekonomisë, sikur i akuzojnë pushtetarët e ri e të vjetër, por sjellin pikëpamjet e tyre për modelin e paqenë e të pasistemuar të ekonomisë, përvetësimin më parë se privatizimin e saj, integrimin europian duke përfshirë këtu edhe fatin e Kosovës dhe sektorin privat etj. (95). Në atë Konferencë, gjithashtu ata sjellin përvojën historike ndërkombëtare sikur është ajo franceze.

Ata ndërkaq nuk e dinë, mbase nuk e kuptojnë apo nuk e dinë dhe nuk e marrin me mend se ndryshimet historike në jetën e një populli dhe nësistemin shoqëror, juridik e ekonomik nuk nënkuptojnë njëkohësisht se klasët përmbysëse janë të çliruara njëkohësisht edhe nga psikologjia, kultura dhe filozofia e së kaluarës, prandaj në jetën e tyre ata do të përballen me refuzimin, denigrimin dhe njollosjen individuale, grupore, politike e ideologjike të klasës në pushtet, me po ato mjete dhe madje do të dënohen me po ata mekanizma të vjetruar e të keqpërdorur dekada me radhë.

Profesorët janë një grup i vogël dhe i parëndësishëm që janë ngritur kundër reformave, thotë ministri në Parlament; konferenca është njollë e zezë në veprimtarinë shkencore thonë ca të tjerë; diskutimi akademik nuk nënkupton lirinë dhe ligjshmërinë thonë ata që e bojkotuan konferencën; ndërsa kulmin e gjithë atmosferës e kurorëzojnë heshtakët, mjeranët, jokurrizorët, frikacakët dhe nënbishtat e të gjitha kohëve, e të gjitha sistemeve, në të gjitha shtetet dhe në të gjitha kohët. Në këto rrethana, ata, të pambrojtur nga pozita as nga opozita përjashtohen nga Fakulteti dhe gjenden para gjyqit, sikur të kishin organizuar jo një konferencë të mendimit të hapur po një grushtshtet.

Protogonistët e kësaj Konferenceje shkencore përfundojnë në gazetarë, përkatësisht në bartës të idesë dhe mesazhit të Konferencës; po edhe në llogaritarë e zyrtarë financash, ashtu sikur kishin përfunduar edhe bashkëkohësit e tyre nga ligjërues të akademisë në instrumentistë baresh e kafenesh, nga artistë të kinematografisë shqiptare në statistë të teatrove greke e italiane, nga ligjërues të juridikut në komentues brenda Organizatave joqeveritare etj.

Paralajmërimi që kishin dhënë ndërkaq, apo që jepte Genti Selishta ishte më i madh, më i tmerrshëm, se sa një grusht shteti. Grushti i shtetit rrëzonte njërën klasë përkatësisht njërën ideologji politike, ndërsa paralajmërimi i Gentit për rënien e Piramidave ishte më i frikshëm, e rrëzonte pozitën dhe opozitën, partitë pa përjashtim, ekonominë edhe ashtu të rrëgjuar, sistemin juridik e shtetëror në themelet e tij. Në rrjedhë të zhvillimit të këtyre ngjarjeve do të shfaqet e pashmangshme Revolta popullore, sikur e quan autori, përkatësisht Revolucioni popullor (sikur e quajnë disa të tjerë) dhe Revolucioni i vonuar demokratik, sikur e quan atë kohë Profesor Qosja. Edhe në këtë rast dëshmitar më shumë historik, se sa letrar do të bëhet përsëri Genti me shënimet dhe përshkrimet e gjera personale që e detyrojnë të vendoset në një familje miku, në redaksinë e gazetës, në udhëtimin për të realizuar një reportazh në Jug të Shqipërisë etj.

Megjithëse fabula e këtij romani përmbyllet këtu, autori ka zgjedhur që në funksion të idesë së përsëritjes së historisë dhe fatit të intelektualit brenda saj të sjell edhe një syth të atmosferës studentore, protestave të dështuara të saj pas disa vjetesh dhe fatit individual e familjar të protagonistëve të Konferencës së parë. Janë dy sytha të dy romaneve të mundshme, në të cilët mund të sillej shumanshëm e shumështresshëm kronika i intelektualit të më shumë fushave dhe të më shumë ngjyrave.

“Konferenca ishte një koncert intelektual, modest për kohën, por jetik për shoqërinë. Fatkeqësia është se atë foshnje të mbarë, të bekuar dhe të shenjtëruar për nga qëllimi për të cilin u organizua, e mbyti injoranca, xhelozia, ligësia njerëzore dhe indiferenca edhe intelektuale, të cilat edhe kur bëhen bashkë me forcën e pushtetit, kthehen në vargonj të njerëzimit”.

“Unë kësaj të keqe i trembem”, – e përmbyllë monologun e tij të brendshëm autori, përkatësisht narratori, në të vërtetë personazhi kryesor i këtij romani Gent Selishta (414-415).

Për shkak se rrafshet e injorancës në shoqërinë shqiptare janë zgjeruar e shumëfishuar në të gjitha fushat; për shkak se xhelozia në shoqërinë shqiptare është zgjeruar e sidomos thelluar në shumë dimensione; për shkak se ligësia njerëzore në shoqërinë shqiptare ka marrë në dorë shumë institucione ekonomike, ligjore dhe sidomos akademike e kulturore; dhe për shkak se intelektuali i sotëm në shoqërinë shqiptare i ka humbur pothuajse të gjithë përbërësit e kërkuar dhe jeton në askund; kësaj të keqeje i trembem edhe unë, sot e asaj dite edhe në Tiranë edhe në Prishtinë e në Shkup edhe në Ulqin e në Preshevë.

Intelektualët shqiptarë të askundit, sot thonë që intelektualin e kërkuar këtu nuk e gjen as në Europë, por e vërteta është ndryshe. Kundërshtimit të dhunës politike, policore e ushtare serbe si dhe komprometimit politik të filozofisë së durimit në Kosovës, i kanë prirë para se gjithash intelektualët shqiptarë; ndërhyrjes politike dhe ushtarake Euro-Atlantike në Kosovë i kanë prirë diskutimet dhe reagimet e intelektualëve në Europë e Amerikë; ndërsa mbrojtjes pa kusht të Ukrainës sot po i prinë angazhimi i madh i intelektualëve më të shquar francezë e europianë. Mos është koha edhe e një Konferenceje tjetër, mos është koha ta freskojmë farën e revoltës intelektuale në hapësirën shqiptare?

Nëse ndodhë, kjo meritë i takon edhe shkrimtarit e Profesorit Sherif Bundo dhe romanit të tij që po e përurojmë sot “Fara e revoltës”.

Filed Under: LETERSI

A BIG DAY FOR KOSOVA IN THE U.S. CONGRESS

December 11, 2025 by s p

Kosova is with America and America is in Kosova.

By Agim Aliçkaj/

We awaited, rightfully and with great joy, the day of the Hearing Session on the Western Balkans in the House Foreign Affairs Committee of the U.S. Congress, chaired by the well-known Congressman Keith Self, a friend of the Albanians.

And we were not disappointed. The questions and issues raised by the congressmen and the answers given by the witnesses—whenever Kosova was the subject—were almost entirely in Kosova’s favor. Serbia was in the seat of the accused for all its destructive and destabilizing policies in the Balkans.

Among the most important points was the harsh criticism directed at Serbia for the systematic violation of the human rights of the Albanian population living in the ancestral regions of Preseva, Bujanoc, and Medvegja. Everyone present agreed on this point, and Congressman Self even presented a congressional resolution which may be considered historical.

The danger posed by Russian-Serbian hegemonism was emphasized, with a request that the Trump Administration engage more to preserve peace in the Western Balkans.

America has invested greatly in Kosova since 1999. This investment must be protected, maintained, and further developed. Since Europe, for many reasons, lacks the capacity to restrain Serbian aggression, it is essential that America be directly and decisively involved in the Balkans. The conflict between Kosova and Serbia can only be solved through American intervention.

Mr. Edward Joseph’s proposal for Kosova’s membership in NATO is the quickest solution to the problem with Serbia, because it extinguishes Serbian hopes for border changes and for returning to the place where it committed its crimes.

American engagement is always good news for Kosova, provided that one works hard with American officials—discussing calmly, with arguments, and with respect.

All this good news for Kosova was attempted to be belittled, distorted, and misused for personal, clan-based, and party interests by some representatives of Kosova’s opposition parties, together with their analysts and journalists from all sides, sold to the enemies of the Albanian people.

In the style of “oh men, the Bistrica river is on fire,” they fixated only on 15 seconds of this extraordinary session—more than four hours long—in which, during one of Congressman Self’s short routine questions about whether PM Albin Kurti is considered “an obstructionist” by some career bureaucrats in the State Department, two panelists answered yes, and the third mostly yes.

In many media, especially social media, sensational and disgracefully low-level headlines against Kurti exploded, with fantastical, illusory predictions about the “end” of his political career. The “blocker, obstacle” chorus began, along with the dance of his opponents and the enemies of Kosova. The internet nearly exploded. The day after the hearing was a circus day—it would have been funny if it weren’t shameful.

Where were these clowns three years ago when, in a Senate hearing, Senator Menendez asked senior State Department official Derek Chollet whether President Vučić had ties to organized crime, and he answered Yes?! Imagine if this had been said about Mr. Kurti—there would have been the end of the world.

It is well known that various career bureaucrats in the State Department may have differing opinions on certain issues, which they can change as needed.

During my 35 years of lobbying activity in Washington within the Albanian American Civic League, with national legends Joseph DioGuardi and Shirley Cloyes DioGuardi, we often were confronted with high-level U.S. officials influenced by Serbia, including former Secretary of State Lawrence Eagleburger.

Some of them called former Congressman DioGuardi a “troublemaker”. Such people were calmed by the U.S. Congress after the wise actions of the AACL and pressure by the Albanian-American community.

It must be emphasized that there are serious indications that the coordinator of many actions against Kosova and American interests in the Balkans—within certain American circles as well as within the Kosova opposition—is the former U.S. Ambassador Richard Grenell, influenced by Aleksandar Vučić’s fascist regime.

He is a sworn opponent of PM Albin Kurti, an open destroyer of Kosova’s democracy in 2020, a direct interferer in the free parliamentary elections of February 2025, and an adviser to Kosova’s opposition on how to block Kosova’s institutions and make political chaos, with the goal of removing Kurti from politics.

It is widely believed that he is also behind Bedri Hamza’s sudden and surprising trip to Washington—without any logic or need—just to boost the opposition’s chances and weaken Kurti before the elections. This is an anti-democratic act with the aim of interfering in the free elections of one country for the interests of another enemy country.

As former Ambassador Grenell’s public statements became noticeably pro-Serbian, he has begun to change his strategy, asking other American officials to come out publicly against Kosova and Prime Minister Kurti, including the American Embassy in Prishtina.

He is trying to empower the hostile organization “Lista Srpska” and facilitate Serbia’s return to Kosova, camouflaged by supposed economic relations.

The well-known Republican Congressman Mike Lawler recently told us in a meeting with the Albanian-American community, that Grenell presents himself as more important than he actually is within the Trump Administration. Furthermore, by supporting Serbian aggression, he seeks conflict in the Balkans, while President Trump is against conflicts and wars. For this reason Grenell’s time is on the decline.

Former Ambassador Christopher Hill, who has become Serbia’s lobbyist in Washington, is acting in the same way. He is criticizing Kosova and Prime Minister Kurti without any basis. Grenell and Hill do not represent official U.S. policy— they represent Serbian interests in America.

I hope that the people of Kosova will give their answer with their vote—by a majority for PM Albin Kurti on December 28, and at the appropriate time, for President Osmani. Only the people of Kosova can save Kosova from Serbia’s return, for a secure pro-European and pro-American future.

American support will not be lacking. In the end, America prefers strong and uncorrupted leaders like Vjosa Osmani, Albin Kurti, and Glauk Konjufca.

Kosova is with America and America is in Kosova. Serbia is with Russia and Russia is in Serbia. This will never change.

Filed Under: Opinion

“Helmimet në Kosovë 1990-1992”

December 11, 2025 by s p

Hazir Mehmeti/

“Për serbët, armiku më i madh është e vërteta, Ajo e rrezikon ekzistencën e tyre” (Leu Freundlich).

Helmimet në Kosovë, krim i pa ndëshkuar

Në Kosovë, etapa më e rëndë ishte fundshekulli i njëzet me sulmet kriminale nga pushtuesi serb nga të gjitha anët dhe me të gjitha mjetet e format. Njëra nga ato forma të ulëta dhe agresive ishte helmimi i fëmijëve shqiptarë disa vite me radhë prej viti 1989 deri në vitin 1995 nga sigurimi ushtarak e policor kriminal serb. Tani kanë kaluar 35 vjet qëkur ky akt gjenocidi ndodhi, por krimi nuk u dënua nga asnjë gjykatë edhe pse pas luftës u krijuan rrethanat për padi ndaj pushtuesit serb. Heshtën qeveritë tona vite me radhë, Heshti dhe prokuroria bashkë me gjykatat e brishta dhe të pa përgatitura. Kjo po i kushton dhe do t’i kushton Kosovës në shumë sfera të jetës, veçan në planin politik të saj në ofrimin e së vërtetës dhe në demaskimin e gënjeshtrave serbe.

Helmimet

U hesht mbledhja e dokumenteve të shumta në Kosovë gjerë në vendet e largëta të kontinentit ku shumë prindër dërguan për shërim fëmijët e tyre të helmuar. Janë të njohura spitalet në Zvicër, Gjermani, Suedi, Austri etj. ku u trajtuan të helmuarit. Shumica e tyre të gjinisë femërore disa prej tyre nuk u shëruan kurrë.

Tani e pesë vite qeveria vendosi të lëvizë drejtë në kërkimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës të kryera nga pushtuesi serb, mes tyre krimi i rëndë, helmimet . Në vargun e krimeve të shumta të kryera para dhe gjatë luftës në Kosovë, qeveria bëri hap madhor duke themeluar Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Në hapin e parë, u punua në krijimin e mundësive për mbledhjen e materialeve faktike nga qendrat përkatëse siç janë shtëpitë e shëndetit, spitalet, shkollat dhe individë të caktuar dhe qytetarëve të prekur në çfarëdo forme rreth helmimeve.

Argumenti direkt dhe faktik mbetën individët e helmuar, mjek që ndihmuan; profesor e mësues të lidhur direkt në ndihmë nxënësve apo individëve tjerë të helmuar.

Në kuadër të aktivitetit në informimit rreth punës së Institutit (IKKL) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, organizuan – Forumin, Zë në Kujtesë- “Helmimet në Kosovë 1990-1992” i cili u mbajt me 26 nëntor në Prishtinë me pjesëmarrjen e aktivistëve të shumtë nga rajone të ndryshme të Kosovës. Ishin të pranishëm Vjosa Osmani, Kryetare e Republikës së Kosovës; Kryeministër në Detyrë, Albin Kurti; Arbërie Nagavci, Ministre në detyrë e MASHTI-it; drejtuesi i Institutit IKKL, Atdhe Hetimi dhe autor librash e dokumentesh rreth helmimeve para tridhjetë e pesë vjetëve.

Pjesëmarrësit vizituan ekspozitën me fotografi e dokumente nga helmimet e nxënësve në vitet ’90 -ta, një episod i dhembshëm nga ajo periudhë. Forcimi i kujtesa është mbrojtje e së vërtetës në vigjilencë dhe shtigje drejtë së ardhmes. Atdhe Hetimi e hapi takimin. Sekuenca nga filmimet e ngjarjeve të helmimeve para 35 viteve e hapën diskutimin në sallën e mbushur me pjesëmarrës.

Vjosa Osmani përshëndeti të pranishmit me fjalë respekti për gjithë ata që ndihmuan në forma të ndryshme fëmijët e helmuar. Albin Kurti, përshëndeti duke falënderuar organizatorët e forumit. “Tani pas Forumit të parë kushtuar ushtarëve të vrarë në armatën famëkeqe jugosllave, po mbajmë forumin e dytë – Zë në Kujtesë kushtuar helmimeve “Helmimit në Kosovë 1990-1992”.

Unë, përjetuesi, autori

Në këtë forum mora pjesë si autor i librit dokumentar, si mësimdhënës gjimnazi ku i përjetova të gjitha ato peripeci që tani kishin mbetur në shirit filmi. Aty takova një kohë, takova ato fytyra të nxënësve të mi, takova britmat e tyre, lotin e nxënësve, lotin e prindërve. Kishte edhe prej tyre që i bartem në krahë të trishtuar nga lufta për jetë. Shumë prej tyre i shkrova në ditarin tim aso kohe. I lexova e rilexova, i rikujtova e i ri përjetova. Qava atëherë, qava dhe tani, por tani më ndryshe. Librin “Pranverë e Helmuar” e mbaja në prehër ashtu siç mbahet me kujdes fëmija në rritën e tij. Gazetarja aty afër pyeti: Jeni ju autori i këtij libri, ku mund ta gjej? Nga ky lexoi kryeministri, apo? Ishte fat që tani librin tim, ditarin tim dhe dokumentet e mia nga koha e përjetimit të helmimeve i kisha arkivuar në Institutin e Kërkimit të Krimeve Gjatë Luftës. Nuk merakosesha, se a do flas apo jo, edhe pse e pritja rastin, bile e ngrita dorën dy herë, por nuk m’ u dha fjala për çka e falënderoj drejtuesin e “vëmendshëm”. Isha i papartishëm dhe i panjohur në atë takim shënjues. Fundi, s’kisha nevojë të flisja, të gjitha i kisha thënë në librin tim Pranverë e Helmuar të cilën e kisha dhuruar aty ku e ka vendin, në arkivin e IKKL-së.

I mësuar me saktësinë Vjenezi, u merakosa për vonesën e takimit prej dyzet minutave. Pritja e pjesëmarrësve derisa të vizitonin ekspozitën u duk e gjatë. Jemi mësuar ne me kohën, nuk na dhimbsët fare, i dhashë veti kurajë, edhe nëse kisha udhëtuar nga Drenica hiq më pak se një orë me veturë. Fitova përshtypje të gabuar, se kishte orkestrim nga drejtuesit në zgjedhësit e atyre që do pyetnin dhe flisnin! Tri herë u citua libri im, edhe nga kryeministri i cili e përfundoi përshëndetje me citate nga libri im dhe pikërisht me zgjedhjen time në mbarim të librit për të cilin punova tridhjetë vjet në dhjetëra biblioteka dhe arkive: Vjenë, Graz, Lublanë, Zagreb, Tiranë, Shkodër, Prishtinë, Shkup, me javë të tëra. Kjo ishte e mjaftueshme në vorbullën e hileve tona në lojën “unë i pari” apo ky nuk është i klanit tonë. Ruana djall nga të ligat tona!

Parathënia / preface/

Në parathënien e katalogut i hartuar nga IKKL, drejtuesi i saj Atdhe Hetemi, përmbledhë një informatë me interes në shqip dhe anglisht për Forumin dhe më gjerë: “Ndërsa spitalet e Kosovës mbusheshin me fëmijë të helmuar dhe prindër të dëshpëruar, institucionet e kohës, nën kontrollin e regjimit serb, mohonin përgjegjësinë dhe pengonin çdo përpjekje për hetime të pavarura.

Fotografitë në këtë katalog janë mbledhur nga studiues, dëshmitarë dhe individë që kanë kontribuar në ruajtjen e kujtesës përmes materialeve të dorëzuara në arkivin e IKKL-së. Secilit prej tyre i është krijuar një fond i veçantë arkivor; ndër ta përmendim Besnik Bardhi, Halim Hyseni, Luljeta Pula, Hazir Mehmeti dhe disa tjerë.” (Atdhe Hetimi, katalogu, nëntor 2025)

Tri ditë pas Sapo u kthyem nga Garana e Kërçova ku u inaugurua monumenti madhështor i Gjegj Kastrioti-Skënderbeu, me gazetarin Rexhep Rifati vendosëm të vizitojmë IKKL- me materiale të reja që kishim nga helmimet e fëmijëve shqiptarë. Një pritje vëllazërore e cila na ngrohu shpresën në ecjen tonë drejtë cakut. Rexha solli materiale të shumta nga puna e tij si gazetar me gjithë ato peripeci që kishte pësuar nga policia pushtuese.

IKKL- duhet mbështetur pa hezituar në punën e tij, Është i yni, e kemi pritur gjatë, më gjatë se sa duhej në liri.

Krimi nuk vjetrohet, por dëshmitarët mund të vjetrohen dhe vdesin, andaj secili qytetar të kryen detyrën e tij atdhetare. Secili fshat të kryen detyrimin e tij në arkivimin e krimeve serbe në njerëz, pronë, objekte kulture, objekte personale nga etnografia, krijimtaria etj. Gama e krimeve serbe është e gjerë e brutale. Ne na duhen muze në çdo fshat, lokalitet ku do ruhen objektet nga etnografia jonë e pasur, objekte tjera të kujtesës familjare. Armiku dogji e rrënoi shkolla, shtëpi, kulla muze, objekte kulti. Armiku u dha zjarrin të gjithave, deshi ta vranë kujtesën shqiptare përgjithmonë bashkë me dëbimin nga Kosova.

IKKL -së suksese në misionin e tij!

Burime:

IKKL- katalog-catalog, Helmimet në Kosovë 1990-1992)

Filmi, -Helmimet, 19.05.1990

Libri, Pranverë e helmuar, Prishtinë, 2020.

Poisoning of Albanian youth of Kosova 1990.

Ugenimemoralis, Heyndrickx, Aubin, UGent 2016.

Filed Under: Rajon

Rikornizimi i Luftës së Trojës: Një luftë e harruar civile pellazge

December 11, 2025 by s p

Cafo Boga/

Prej shekujsh, Lufta e Trojës është rrëfyer si një përplasje dramatike mes dy qytetërimeve kundërshtare—“grekëve” dhe “trojanëve.” Por interpretimet e reja të arkeologjisë, teksteve të lashta dhe gjuhësisë krahasuese zbulojnë një histori shumë më intriguese: lufta mund të mos ketë qenë në fakt një konflikt midis armiqve të huaj, por një përleshje e brendshme mes popujve të afërt nga prejardhja. Me fjalë të tjera, Lufta e Trojës mund të ketë qenë një luftë civile pellazge.

Protagonistët Kryesorë të Luftës së Trojës dhe Prejardhja e Tyre

Heronjtë kryesorë akeas (grekë):

1. Agamemnoni – Komandant i të gjitha forcave greke

2. Menelau – Mbret i Spartës; bashkëshort i Helenës

3. Akili – Luftëtari më i madh grek; udhëheqës i Mirmidonëve

4. Odiseu – Strateg dhe ideatori i Kalit të Trojës

5. Diomedesi – Mbreti i patrembur i Argosit

6. Idomeneu – Komandant veteran nga Kreta

Heronjtë trojanë dhe aleatët kryesorë:

1. Hektori – Mbrojtësi i Trojës; luftëtari më i madh trojan

2. Priami – Mbreti i mençur i Trojës

3. Parisi – Princi që ndezi shkëndijën e luftës

4. Eneasi – I mbijetuari i destinuar për një atdhe të ri

5. Helenusi – Princ dhe profet; sundimtar i ardhshëm i Epirit

6. Sarpedoni – Bir i Zeusit; aleat i fuqishëm likian

Figura që Lidhin Luftën e Trojës me Pellazgët dhe Ilirët:

1. Eneasi – Lidh Trojën me Epirin dhe botën pellazgo-epirote përmes ndalesës së tij në Butrint.

2. Helenusi – Bëhet mbret i Kaonisë, duke vendosur vijimësinë trojane në territorin iliro-epirot.

3. Andromaka – Mbretëreshë e Epirit; nëna e Molosit, paraardhësit të dinastisë molose.

4. Akili – Rrënjët e tij thessale/pellazge e lidhin me popullsitë paragreke të Ballkanit.

5. Neoptolemi (Pirrua) – Themelues i shtëpisë mbretërore epirote; ura lidhëse mes kujtesës trojane dhe trashëgimisë ilire.

Një Prejardhje e Përbashkët në Egjeun dhe Ballkan

Shumë kohë para shfaqjes së Greqisë Klasike, Egjeu dhe Ballkani perëndimor banoheshin nga Pellazgët, një popull i përshkruar nga historianët e lashtë si autoktonët e rajonit. Ata banonin në Thesali, Epir, Iliri, ishujt e Egjeut, Kretë dhe madje edhe në Anatolinë perëndimore—duke përfshirë zonën rreth Trojës.

Në Epokën e Bronzit të Vonë, shumë komunitete me rrënjë pellazge u shndërruan në mbretëritë mikene që Homeri i përshkruan si akeas, danaas dhe argjivë. Ndërsa përtej detit, Troja dhe aleatët e saj lulëzonin brenda një shoqërie të strukturuar ngjashëm, me rite, gjuhë dhe tradita artistike të përbashkëta.

Ajo që shfaqet nuk është pamja e dy qytetërimeve të ndara, por e degëve të së njëjtës vazhdimësi të lashtë kulturore.

Arkeologjia Zbulon Ngjashmëri, Jo Ndarje

Gërmimet nga Mikena deri në Trojë zbulojnë ngjashmëri mbresëlënëse:

– Shpata bronzi identike, veçanërisht tipi Naue II

– Fortifikime dhe struktura citadelash me dizajn të ngjashëm

– Ritet e përbashkëta të varrimit, përfshirë tumulat

– Tradita qeramike pothuajse të padallueshme

Këto paralele vënë në pikëpyetje idenë e kulturave kundërshtare. Përkundrazi, ato tregojnë një botë të formësuar nga kontakte të vazhdueshme dhe trashëgimi e përbashkët—një botë që nuk mund të ndahet lehtë në “grekë” dhe “trojanë.”

Arkivat Hitite: Shtete Rivale, Jo Armiq të Huaj

Regjistrimet e perandorisë Hitite—burimi më i besueshëm për Epokën e Bronzit të Vonë—identifikojnë:

– Ahhiyawa = Akeasit Mikenas

– Wilusa = Troja

Gjuha e këtyre dokumenteve është shumë domethënëse. Ahhiyawa dhe Wilusa trajtohen si fuqi rajonale që veprojnë brenda të njëjtës sferë politike, jo si kombe të largëta apo të huaja. Konfliktet e tyre i ngjajnë rivaliteteve të principatave ballkanike mesjetare ose qytet-shteteve greke të shekujve të mëvonshëm.

Këto prova sugjerojnë se Lufta e Trojës ishte një mosmarrëveshje gjeopolitike brenda një bote të bashkuar kulturore.

Lidhjet Ilire Forcojnë Hipotezën Pellazge

Popullsitë ilire të Ballkanit ruajnë disa nga lidhjet më të forta me antikitetin pellazg.

Gjetjet arkeologjike tregojnë:

– Tradita të ngjashme të aristokracisë luftarake

– Praktika të ngjashme të varrimit

– Emërvende me karakteristika gjuhësore pellazge

– Etnonimin Dardan të përbashkët midis trojanëve dhe ilirëve

Edhe vetë etnonimi “Dardan,” i përdorur si për një grup trojan ashtu edhe për dardanët ilirë, sugjeron lidhje të thella paraardhëse midis Ballkanit dhe Troades. Shkrimtarët e lashtë e kanë vënë re këtë afërsi, dhe arkeologjia moderne e forcon më tej.

Një Luftë Brenda Një Qytetërimi të Vetëm Kulturor

Kur heqim shtesat mitologjike, Lufta e Trojës shfaqet si:

– Një garë për dominim tregtar

– Një konflikt dinastik midis elitave të ndërlidhura

– Një përplasje midis shoqërive të afërta kulturorisht

Akeasit, trojanët, likianët, trakasit, karianët, frigjianët dhe ilirët i përkisnin një bote të përbashkët kulturore me prejardhje pellazge, e cila shtrihej nëpër Egje dhe Ballkanin perëndimor.

Në këtë kontekst, Lufta e Trojës nuk paraqitet si një përplasje midis “nesh dhe tyre,” por si një konflikt brenda një familjeje të vetme të gjerë popujsh.

Pse Ka Rëndësi Ky Interpretim

Rikontekstualizimi i Luftës së Trojës si një luftë civile pellazge:

– Rivendos unitetin historik të botës Egje–Ballkan

– Vendos Ilirinë, Epirin dhe Ballkanin në qendër të historisë së bronzit

– Sfidojnë narrativën e mëvonshme greke që i ndau artificialisht popujt e lashtë

– Ofron një kuptim më të thellë dhe më të nuancuar të qytetërimit të hershëm europian

Përfundim

Lufta e Trojës bëhet shumë më kuptimplotë kur shihet jo si përplasje midis qytetërimeve të ndryshme, por si një konflikt brenda një bote të përbashkët me prejardhje pellazge. Akeasit, trojanët, ilirët, trakasit dhe aleatët anatolianë ndanin themele të përbashkëta kulturore, gjuhësore dhe fetare, të formuara nga mijëvjeçarë ndërveprimi në Ballkan dhe Egje.

E parë nga ky këndvështrim, lufta nuk ishte një përplasje të kundërtash, por një garë brenda një qytetërimi të vetëm kulturor që konkurronte për tregti, pushtet dhe prestigj. Ky rikornizim rivendos vazhdimësinë historike, nxjerr në pah rolin qendror të Ballkanit dhe Anadollisë në historinë e Epokës së Bronzit dhe u ofron lexuesve të sotëm një perspektivë më të pasur e më të saktë mbi një nga legjendat më të qëndrueshme të njerëzimit.

Burime të Përzgjedhura:

Autorë të Lashtësisë:

Homeri – Iliada

Herodoti – Historitë

Straboni – Gjeografia

Arkivat Hitite – Tekstet Ahhiyawa–Wilusa

Studime Moderne:

Eric H. Cline – 1177 BC

Michael Wood – In Search of the Trojan War

Trevor Bryce – The Trojans and Their Neighbours

N.G.L. Hammond – Epirus

J.J. Wilkes – The Illyrians

Filed Under: Fejton

Shqipëria e çudisë letrare…

December 11, 2025 by s p

Behar Gjoka/

Ka edhe një Shqipëria letrare, ku ngjizen andrrat dhe zhgjëndrrat, mjeshtria dhe mllefi, një Shqipëri egërshane dhe lozonjare…Një Shqipëri ku duket sikur ka vetëm shkrimtarë, sikur janë mbaruar lexuesit. Ku ka më bukur se një vend me shkrimtarë! A janë shkrimtar apo mbahen si të tillë? Një dilemë hamletiane, që nuk ka fjalë për të dhënë përgjigjen e duhur…

Jemi në klimën e piedestaleve…Po ngrihen piedestalet, madje janë porositur buste dhe shtatore…Shaka pa kripë, do thotë dikush… E vërteta është më e madhe se unë, se ti, se të gjithë ne. Pas ikjes në amshim të Kadaresë, ka një garë, pa tender, në fillim më e heshtur, tani edhe më uluritëse…Kush do jetë i pari…Shqipëria ka halle të tjera, ama gara për garuesit është jetike, e vlen të hysh, ndonëse duhet të jesh pajosur me shpata dhe helmeta, me thika dhe pisqiolla të kohës, për të sharë sa më shumë, në FB, në portale, në telebingo. Sharësi më i madh ka gjasa të jetë në shtegun e duhur për te merita për ta vënë bustin a shtatoren në piedestal…

Beteja është hapur…Shkruan diçka për të rinjtë, zemërohen të vjetrit…Thua ndonjë fjalë për të vjetrit, lëndohen dhe të shpallin armik të rinjtë. Shkruan për poezinë, të emërtojnë armik prozatorët…Shkruan për të vdekurit, të urrejnë gjithë të gjallët, shkrimtarët…

Në fakt me të vdekurit, ndjehesh më mirë, se atje në parajsë, së paku janë mirënjohës, ose me heshtjen e tyre, ke ndjesinë e tillë…Të gjallët edhe nëse shkruan, mendojnë se e ke për detyrë t’i lexosh, të shkruaç, madje t’i lëvdoç…Ka mbetur në shkruash në qiell…

Shkrova disa fjalë për dëshirën time, jo për debat, sepse kushdo në këto punë ka mendjen e tij…Fillim i fillimit, pasi shkruajmë le të lexojmë njëri-tjetrin, e të mos matemi me hijen e mëngjesit…Letërsia atdheu i lirisë, jo i marrëzisë… Në letërsi secili ka andrrën e vetë, le të fluturojë në hemisferat ku e shpie talenti dhe magjia e fjalës…

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 171
  • 172
  • 173
  • 174
  • 175
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT