• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONTRIBUTI I EQREM ÇABEJT PËR PERSONALITETIN DHE VEPRËN E GJERGJ FISHTËS

September 10, 2025 by s p

Prof.dr. Fatbardha Fishta Hoxha/

Në vitin e 85-të të largimit nga jeta të Pader Gjergj Fishta.

Sadoqë më i pakët në vëllim, kontributi kritik letrar në veprën e dijetarit të shquar Eqrem Çabej është po aq i rëndësishëm për historinë e kulturës shqiptare. Ky kontribut i Eqrem Çabejt fillon me një shkrim kritik për poezinë e Lasgush Poradecit, në 1929, vazhdon me botimin me vlerë të tekstit për shkollat e mesme “Elemente të gjuhësisë dhe të letërsisë shqipe” më 1936, për të arritur në dy studime magjistrale “Për gjenezën e letërsisë shqipe”, më 1938-1939, dhe “Romantizmi në Evropën Lindore Juglindore dhe në letërsinë shqipe”, më 1945, dy vepra fondamentale në fushë të albanologjisë me vlerë të jashtëzakonshme për kohën e më pas. Fakti, që, dijetari ynë i shquar do ta gjente veten më tepër në disa disciplina gjuhësore për të realizuar studime klasi, nuk do ta shmangte atë përfundimisht nga fusha e studimeve letrare. Pas interesimit dhe impenjimit për të kontribuar për personalitete të spikatura të letërsisë si Jeronim De Rada, Naimi dhe Gjergj Fishta, ai nuk do të mungonte të jepte konsiderata të mirëfillta letrare për personalitete si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Jeronim De Rada dhe Fan. S. Noli.

Në këtë linjë të pandërprerë interesimesh edhe letrare që realizojnë profilin shumëdimensional të filologut, Çabej ka meritën të ketë kontribuar nga të parët studiues në njohjen dhe publikimin e vlerave të personalitetit dhe të veprës së Gjergj Fishtës. Vjen ky kontribut kur Fishta ishte në kulmin e famës së tij poetike. Impresionet e tij për veprën e Fishtës, dijetari i shquar i ka shprehur në një letër, që ai i dërgonte mikut të tij të ngushtë, Lasgush Poradecit, ku i shkruante: “Lexova ‘Lahutën e Malcisë’ dhe u mahnita”(1).

Se çfarë do ta tërhiqte në veprën e Fishtës, Çabej do ta shpaloste në veprën e tij, që, jo vetëm do ta bënte objekt studimi, por, do ta përdorte lëndën e saj gjuhësore për të argumentuar gjurmimet e tij etimologjike, çfarë nuk përbën objektin tonë në këtë shkrim, edhe pse një argument tepër interesant.

Për Fishtën dhe veprën e tij ishte shkruar edhe nga të tjerë më parë, por paraqitja, që i bëri Çabej në librin “Elemente të gjuhësisë dhe të letërsisë shqipe”, është një sintezë e ngjeshur dhe e plotë. Duke vlerësuar në tërësi veprën, duke i dhënë asaj një vend të konsiderueshëm në pjesën antologjike, Çabej ka bërë përcaktime klasifikuese që i kanë qëndruar kohës si:

“Me Lahutën e Malcisë, Gjergj Fishta na tregohet poet me fuqi epike të lindur, “rrëfimi i tij është plot gjallëri dhe rrjedhje”, “talenti satirik i Fishtës i afrohet sigurisht fuqisë së tij si poet epik”, “…ai është bërë përfaqësuesi më i parë i letërsisë së sotme shqiptare”.(2)

Por kontribut të veçantë Eqrem Çabej do të japë në njëvjetorin e vdekjes së Gjergj Fishtës. Shkruan një artikull, në gjuhën e studimeve, në gjermanisht “Poeti shqiptar Gjergj Fishta” (Der Albanisches Dichter Gjergj Fishta) të publikuar në 12 faqe të revistës prestigjioze “Kërkime juglindore” (Südest Forschungen) në Mynih (Munchen), dhjetor 1941.(3)

Artikulli sjell një informacion të pasur dhe të hollësishëm mbi jetën dhe veprën e Fishtës. Edhe pse më parë kanë shkruar për Fishtën albanologë austriakë e gjermanë, si N. Jokli, Veigandi, shkrimi i Çabejt është më i plotë dhe i drejtohet mediumit shkencor evropian. Po këtë vit me botimin e Enciklopedisë kroate me krijimin e Mbretërisë Kroate, ai boton ndër zëra të tjerë edhe një zë dy faqesh për poetin, që në një farë mënyre i drejtohej mediumit kulturor ballkanik.(4) Por kontribut për veprën më të çmuar të poetit, Eqrem Çabej do të japë në studimin shqip “Epika e Fishtës”, që i drejtohej gjithë hapësirës shqipfolëse brenda dhe jashtë trojeve etnike. Shkrimi do të botohej në numrin përkujtimor “Gjergj Fishta” nën kujdesin e revistës “Shkëndija”, Tiranë, më 1941.(5)

Duke iu referuar këtij studimi kritik, estetik e krahasues të Çabejt, kur për veprën e Fishtës, ishin botuar jo pak shkrime, ai shënon një nga shkrimet më serioze që buron nga vizioni i hapur shkencor i studiuesit erudit, i cili shfaq metodën e tij historiko-kulturore-estetike të vëzhgimit, interpretimit dhe krahasimit.
Duke afirmuar idenë e origjinalitetit të veprës së poetit të madh, ai do t’u përmbahet kërkesave të shkollës klasike që përfaqëson dhe me intuitën e tij të rrallë do të përthithë prirjet më moderne në rrafshin shkencor e kulturor. Një nga vlerat e qëndrueshme të studimit është përcaktimi që i bën Çabej Fishtës “i rrënjosur thellë në vendin e vet”, “bir i vërtetë i polemit (popullit) të tij, që fuqitë njerëzore poetike i thithi prej kësaj toke”, duke futur në përdorim këto përcaktime nyje, të shprehura përmes fjalëve tokë e polem me një regjistër konotimi të hapur, siç do të veprojë më vonë me fjalët vatër e botë në një kuptim të disafishtë.por edhe simbolik duke shqyrtuar vlerat e poezisë së Jeronim De Radës.
Po me një regjistër të hapur konotimi ai i jep autorit të Lahutës, atributin e poetit kombëtar, duke e krahasuar edhe me Naimin, pranimi i të cilit si i tillë nuk e kundërshton,por përkundrazi e plotëson fenomenin në ndryshueshmëri. Duke mos përjashtuar, ai di të pranojë dhe spikatë të veçantën e poetëve të mëdhenj, që, pavarësisht se jetojnë në kohë të ndryshme nuk e ngushtojnë por e pasurojnë konotimin e gjerë të përcaktimit poet kombëtar. Duke arsyetuar kështu, logjika e mprehtë e Çabejt do të sfidonte çdo moskuptim apo keqkuptim të djeshëm por edhe të sotëm. Është me rëndësi fakti, se meritën mbi të gjitha dhe para gjithkujt Çabej ia njeh shpirtit luftëtar të kombit. “Ky shpirt, shkruan studiuesi, vlente të këndohej prej një poeti kombëtar, ky poet doli me Gjergj Fishtën.” (6)
Në qendër të punimit të Çabejt është fakti se “duke u nisur nga ngjarje me bazë lokale”, të cilat Çabej thotë nuk kemi të drejtë t’i përflasim, “ai bën një epope kombëtare”.(7) Tezën se Fishta krijoi një epos kombëtar, Çabej do ta përsëriste katër vjet më vonë në studimin për romantizmin, teksa flet për veprën “Historia e Skënderbeut” të Naimit.Por për Çabejn “kjo vepër nuk u bë dot epope kombëtare,këtë shqiptarëve ua fali më vonë Fishta”.(8) Dimensionin kombëtar eposit fishtian, sipas Çabejt, ia jep “njësia më e vogël e fisit nga niset poeti, për të mërritur tek njëria më e madhe e kombit, nga bariu i moçëm Marash Uci tek Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit”.(9)

Përmasën kombëtare, veprës së rrallë, ia jep pasqyrimi me besnikëri i rrojtjes dhe i fizionomisë së veçantë shqiptare, psika, zakonet, pasuritë shpirtërore të trashëguara, mitologjia, folklori që u kanë gdhendur shqiptarëve fytyrën e mvehtësishme etnike, çfarë e pat vënë re Çabej në studimin për gjenezën e letërsisë shqipe. Falë kësaj substance plot gjallëri jete popullore që sjell poeti, Çabej çmon se “poemi i tij përbën përtej artit një dokument etnografik të jetës shqiptare”(10), duke i paraprirë me këtë ide tezave të teorisë moderne të antropologjisë kulturore në studimet e sotme letrare shqiptare.

Duke ia nënshtruar veprën një shqyrtimi kritik estetik nga më të arrirët dhe interesantët ai e vlerëson veprën në të gjithë risinë artistike që ofron, që nga funksionalizimi i lëndës mitologjike e folklorike për të cilën shkruan: “Bota e lashtë e zbehtë e përrallave po na ngjallet rishtas e njëmend në jetë me magji prej një poeti të vërtetë”. Krahasimet, përqasjet, paralelet midis përbërësve artistikë të poemës me variante këngësh popullore të krijuara në Veri dhe në Jug të Shqipërisë, figurat e fjalorit, sintaksit dhe të mendimit poetik me shtrirje të gjerë burimore që i japin jetë idesë poetike të qëndresës shqiptare në momente dramatike për fatet e kombit, janë bërë objekt i shqyrtimit rigoroz të studiuesit ku ai zbulon potencialet e brendshme dhe të jashtme të veprës së Fishtës që mbeten model sot e gjithë ditën.

Përfundimet e Çabejt se: “Vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të Shqipërisë…Veçse ç’i fali vendi poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikëruar të artit…, vepra e tij u bë pasqyrë besnike… fytyra e kthjellët e gjithë vërtetësisë etnike… gjuha kokërr larg çdo ëmbëlsie të tepruar”, mbeten edhe sot absolute në vlerësimin e veprës së Fishtës.

Le të shënojmë, që, ai e vështron veprën e Fishtës në një kontekst gjithë shqiptar dhe ballkanik. Kështu kur flet për zakonin e të nisurit të të vdekurit, që e gjen në vdekjen e Tringës, të cilën zanat e malit e veshin si nuse, Çabej vëren se këtë zakon e kanë edhe popujt e tjerë të Ballkanit dhe se e ka studiuar edhe Musinea. Ndërsa për të provuar afëritë e eposit fishtian në folklorin shqiptar ai përqas këngën e kënduar në Jug të Shqipërisë “Përtej Urës së Qabes”, me këngën që i thur poeti Mican Lekës të vrarë në luftë dhe lidhur me të vëren “…vragën e fortë të poezisë popullore tek Fishta”, por dhe “atë të njësisë shpesh herë të injoruar, siç shprehet dijetari, të poezisë popullore shqiptare”. Ai thekson se Gjergj Elez Alia që e gjejmë në poemën e Fishtës është “trim i thjeshtë shqiptar, gati kombëtar, i cili me emrin shqiptar ka shtegtuar në Bosnjë e Maqedoni”. Studimet e mëvonshme për veprën e Fishtës dhe ndër ato të Ernest Koliqit, do të provonin një mbështetje të gjerë krijuese të poetit në pasurinë shpirtërore të popullit, në mitologjinë, folklorin, psiken, gjuhën etj.

Në këtë kuadër është me interes kontributi që sjell Çabej për të vlerësuar veprën e Fishtës përtej eposit kombëtar. Nëse Koliqi që më 1932 pat folur për një stil epik ballkanik, teza e Çabejt është më e thellë, më e rëndësishme. “Kjo epope, shkruan dijetari, është ndonjëherë në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik: përbri shqiptarëve dalin malazezët të cilët poeti i bën të rrojnë e të lëvizin krejt si shqiptarë.”(11) Me këtë Çabej nxit dhe shtron udhën që ta shohim veprën e Fishtës në perspektivën e sotme të leximit jo thjesht e vetëm si pasqyrë e konfliktit ndëretnik por si pjesë e historisë kulturore shqiptare e asaj ballkanike njëherësh. Në studimin e tij Çabej ndër të tjera nuk u shmanget problemeve të hapura jo pa nuanca kompleksesh nga studiuesit kroatë lidhur me veprën e Fishtës. Që në vitin 1925, F. Cordignano që e çmonte veprën e Fishtës pat shkruar: “A ndoq poeti gjurmët e rapsodive sllave?” dhe duke e sjellë, me sa duket vështirësinë e zgjidhjes së këtij problemi arsyetonte “Për me gjykue plotësisht nji poem kso doret duhet të njihet kultura e mbarë Ballkanit”.(12)

Qëndrimi i Çabejt ndaj këtij problemi është i qartë, i prerë dhe i pavarur. Ai buron nga njohuritë e gjera të dijetarit për historinë, kulturën dhe letërsinë e Ballkanit, të cilat ka patur rast t’i shfaqë në studimet e tij letrare për Gjenezën… dhe Romantizmin…Çabej afëritë ose pikëtakimet e eposit fishtian me veprat epike të autorëve kroatë apo malazezë i sheh më thellë, më larg, në vijimësinë e racës dinarike, që shfaqet në trajtën e mirëfilltë shqiptare apo të sllavizuar, i sheh në nënshtresën ilire dinarike që për fat të keq, pohon studiuesi, nuk njihen mirë.

Si argument ai sjell mungesën e këtyre veprave epike tek sllavët e tjerë të Jugut, ndërsa afëritë i gjen të shprehura në ndjenjën epike të jetës që gjallon njëlloj tek shqiptarët dhe sllavët me prejardhje dinarike, siç ekziston dhe një epos i ngjashëm popullor ndër to. Përfundimi i Çabejt është i vetmjaftueshëm. Ndergjegja shkencore e dijetarit të shquar dallon njohjen, admirimin nga ndikimi dhe imitimi. Pa përjashtuar faktin se çdo krijues është i përfshirë në një sistem të caktuar marrje dhe dhënie vlerash ai pohon: “Reminishencat sllave të Fishtës kanë të bëjnë me një model, me një zgjim, me një shtytje, me një të hequr të vërejtjes drejt pasurive të njëjta, te vatra e vet, se sa me një ndikim të thellë poetik. Njëherë i zoti i vetvetes, poeti rrahu me fuqi të veta atë rrugë që pat filluar së pari.”(13)

Studimet e mëvonshme e kanë provuar këtë konstatim me vlerë të Çabejt. Ato kanë folur veç të tjerave për përmasat disa herë më të mëdha të veprës së Fishtës nga veprat e autorëve nga të cilët pretendohej të ishte ndikuar dhe shumë e shumë anë të tjera që provojnë identitetin krijues origjinal të poetit tonë edhe në këtë vepër si dhe në veprat e tjera.(14) Nëse flasim për kontributin e shquar të Eqrem Çabejt në shqyrtimin e vlerave të veprës së Fishtës, nuk mund të lëmë pa përmendur portretin e realizuar nga studiuesi, që dallon në shumë portretizime, që i janë bërë Fishtës nga bashkëkohësit. Fjala e bukur shqipe e Çabejt i ka gdhendur profilin e papërsëritshëm autorit të Lahutës, që do të mbetet në kujtesën e kombit si një relike e çmuar. “Tani poeti na la. Të gjithë ata që e patën njohur vdekja e poetit dhe njeriut ka lënë një vragë zie të thellë. Buri me pamje madhështore, qe në të folur i dashur dhe i kthjellët, mik i kallzimeve të këndshme. Aq tërheqës si njeri sa ka qenë origjinal dhe i madh si shkrimtar”.(15)
Si përfundim do të duhej të theksonim se nuk është rastësi që teza të promovuara dhe të shtruara nga Çabej për Fishtën si “përfaqësuesi i parë i letërsisë së sotme shqiptare”, në një kohë kur De Rada dhe Naimi nuk jetonin më, si “poet kombëtar” në një kuptim ndryshe të pasuruar dhe se “Lahuta e Malcisë” është vepër arti e plotë, e përsosur dhe e përkryer”, janë bërë pika referimi për studimet letrare shqiptare, sidomos të këtyre viteve të fundit kur edhe mendimi letrar ka shënuar arritje të reja.

REFERIME:

1. Duka-Gjini Pal, Gjergj Fishta, jeta dhe veprat, Tiranë, 1998, f. 258.
2. Eqrem Çabej, Elemente të gjuhësisë dhe të letërsisë shqipe, Tiranë, 1936, f. 51, 52.
3. Eqrem Çabej, Der albanische Dichter, Gjergj Fishta, “Südost Forschungen”, VI, 3-4, 1941, Munchen, f. 638-647.
4. Hrvatska encikolopēdija, Zagreb, 1941, f. 181-182
5. Gjergj Fishta, numër përkujtimor “Luarasi”, Tiranë 1941.
6. Eqrem Çabej, Epika e Gjergj Fishtës, Jeta e Re, nr. 4, viti I, korrik-gusht 1998, f. 696.
7. Eqrem Çabej, Vepër e cituar, f. 697.
8. Eqrem Çabej, Romantizmi në Evropën Lindore, Juglindore dhe në letërsinë shqipe tek shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Tiranë 1944, f. 109.
9. Eqrem Çabej, Epika e Gjergj Fishtës, tek Jeta e Re, nr. 4, korrik-gusht 1998, f. 698.
10. Eqrem Çabej, Vepër e cituar, f. 698.
11. Eqrem Çabej, Vepër e cituar, f. 697.
12. Fulvio Cordignano, Epopeja kombëtare e popullit shqiptar, Shkodër, 1925, fq 27
13. Eqrem Çabej, Epika e Gjergj Fishtës, vep. e cituar, f. 695.
14. Seminari XVIII Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, Tiranë 1996.
15. Epika e Gjergj Fishtës, vep. e cituar, f. 703.

Filed Under: Opinion

LUFTA KOMBËTARE E VLORËS -1920 NË KËNGËT E POPULLIT TË LABËRISË

September 10, 2025 by s p

MSc. Albert HABAZAJ, autor i monografisë “Lufta Kombëtare e Vlorës, historia në epikën historike”

Këngën për këtë epope epokale e kanë kënduar, së pari, ata që kanë marrë pjesë në atë luftë me armë në dorë e me këngë në gojë.

Shkurtore

Lufta Kombëtare e Vlorës në Epikën Historike dhe në të folurën popullore quhet Epopeja e Njëzetës. Ngjarjet e mëdha shkruhen në histori e përjetësohen në këngë. Këngën për këtë epope e kanë kënduar, së pari, ata që kanë marrë pjesë në atë luftë me armë në dorë e me këngë në gojë, si: Xhebro Gjika, Mato Hasani, Nase Beni, Arshi Xhelili, Rrapo Meto, Sheme Sadiku, Xhemil Veli Duka, Sinan Mullahu, Selim Hasani, Sheme Vela, Mustafa Luçi, Isan Sejdini, Selam Abazi etj. Vërejmë se, shumica e krijuesve kanë qenë pjesëmarrës në ngjarje. Këngët historike të Njëzetës, na vijnë si rrëfim popullor në vargje, me rimë e melodi, si narracion, si tregim, që nëpërmjet të kënduarit shprehin mendim poetik historik për figura të gjalla, reale, konkrete.  Natyrshëm mund të shtrohet pyetja: Po sot, kush e këndon këngën e Luftës së Vlorës, ku, ç’ mosha, ç’gjini, kur, sepse vërejmë që grafiku i aplikimit të Epikës popullore labe për Luftën e Vlorës shënon rënie, dhe ndoshta s’do të bjerë dhe ca kohë, sepse të paktën në Vlorë ka tre bastione folklorike të forta në Dukat, në Armen e në Tërbaç. Qysh kur mbushi një shekull nderim e sidomos në këtë 105 – vjetor të nderimit të saj ajo u rizgjua e fluturoi hapësirave labërore edhe në Drashovicë e Kotë, në Mesaplik e në Treblovë, në Progonat e Ramicë, në Kaninë e Velçë, në Sevaster e në Brataj, në Vranisht e në Bolenë, në Dhëmblan e në Bënçë, në Fushëbardhë e në Kalivaç, në Nivicë e Gjorm, në Zhulat e Selenicë, në Gusmar e në Lepenicë, në Vajzë e në Pilur, në Fterrë e në Trevllazër, në çdo fshat të Labërisë…

1. Në terren dhe  në “laboratorin” e Epikës Historike të Luftës së Vlorës 

Kriterin kronologjik e kemi si bazë të trajtimit të studimit “Lufta Kombëtare e Vlorës – historia në epikën historike”. Objekti i punimit fokuson analizën e tipologjisë së Luftës së Vlorës, mbështetjen dhe jehonën që pati kjo luftë çlirimtare me karakter popullor këtej dhe matanë Adriatikut, këtë ngjarje historike me rëndësi kombëtare parë në raportin histori- folklor, që është dhe qëllimi i këtij punimi; e historisë si shkencë, që studion tërësinë e fakteve, ngjarjeve dhe dukurive, që karakterizuan jetën dhe zhvillimin e popullit të Vlorës dhe krahinave shqiptare që e mbështetën atë me forca, mjete, armatim, ushqime dhe ndihma të tjera për të çliruar territoret e pushtuara nga të huajt. Ky raport qëndron me këngët historike të Njëzetës, si rrëfim popullor në vargje, me rimë e melodi, si narracion, si tregim, që nëpërmjet të kënduarit shpreh mendim poetik historik për figura të gjalla, reale, konkrete. 

Folklori i Luftës së Vlorës mendojmë se bëhet kështu hipotekë e fitores së merituar, kur siç dimë dhe nga historia, “hasmin deti e përpiu”… Në shikimin tonë kemi nxitjet folklorike dhe pasqyrimin e epikës historike, me krijimet e mirëfillta folklorike, që jetojnë nëpërmjet varianteve dhe improvizimit, atje në Vreshtat e Mëdha, në Qafë të Koçiut, në Kotë, në Drashovicë, në Kaninë, në Bestrovë, në Tepelenë, në Llogora, në Gjormë, në Skelë. Epika historike e Njëzetës rrëfen ngjarje të vërteta, personazhe realë, kemi të bëjmë me elementë realë, konkretë, historikë, që  marrin sfond edhe nga këngët  më të vjetra historike. Kënga e Luftës së Vlorës nuk distancohet në vite. Ky cikël nuk vë në dyshim integritetin e Epikës historike të Njëzetës, paraqet dhe të mirën dhe të keqen; edhe lëkundjet e parisë i vë në dukje. 

Ky cikël është shumë i pasur, nga më të pasurit që ka epika historike e popullit shqiptar në tërësi dhe mjaft interesant; nxjerr në pah shpirtin shqiptar, që u ngrit kundër Perandorisë së Re: “Breshkaman i breshkamanit,/ Dil steresë, jo limanit!”. 

Lufta e Vlorës u zhvillua në Vlorë, Tepelenë, në ato garnizone, pika e lartësi ku ishin dislokuar forcat italiane të pushtimit. Pjesëmarrësit në luftë ishin pothuaj nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët erdhën jo thjesht në shenjë solidariteti, por e  ndjenin që po u cënoheshin trojet e tyre, vatra amtare, shtëpia e madhe. Pra ndërgjegjësimi atdhetar – kombëtar, ardhur si stafetë e njohjes së kombit, që nga Rilindasit, sidomos nga  periudha e Lidhjes së Prizrenit, kur fillon ngjizja e realitetit të ndjenjës kombëtare, mori përmasa më të gjëra: njohjen e Kombit. 

Vullnetarët e ardhur nga krahinat e tjera në Vlorë, siç na tregon dhe historia apo dhe variantet e këngëve të rregjistruara, spikasin me një  dukuri të re, që u bë traditë ndër hapësirat ku banojnë shqiptarë: që trojet shqiptare s’mund t’u falen më të tjerëve, që nisur nga shtëpia e vogël e familjes të ruajmë e të luftojmë për shtëpinë e  madhe kombëtare, se hasmi s’ka turp e vjen te dera… 

Në parantezë shprehem se ndjej detyrim si shkrues i vëmendshëm të përmend Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Luftës së Vlorës, 1920, ose Komisioni, siç quhet nga populli (se bëhet dasëm e nuk thuhet kush janë të zotët e shtëpisë)… Vërtet qenë luftëtarët e Labërisë dhe të gjithë Shqipërisë, por pati një udhëheqje nga burra të ditur, bujarë e atdhetarë, pati një drejtim ushtarak, që planëzoi dhe zhvilloi këtë luftë të organizuar dhe fitimtare). 

Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, Barçalla, 29 Maj 1920: 

  1. Osman Haxhiu – Armen, kryetar
  2. Sali Bedini – Armen, anëtar 
  3. Hamit Selmani – Dukat, anëtar 
  4. Duro Shaska – Kocul, anëtar 
  5. Hazbi Cano – Mavrovë, anëtar
  6. Beqir Sulo Agalliu – Vlorë, anëtar
  7. Ali Beqiri – Velçë, anëtar
  8. Alem Mehmet Agai – Tragjas, anëtar
  9. Hysni Shehu – Sevaster, anëtar
  10. Qazim Kokoshi – Vlorë, anëtar
  11. Murat Miftari Habazaj – Tërbaç, anëtar
  12. Myqerem Hamzaraj – Kaninë, anëtar

Sekretarë: 

  1. Halim Xhelo Tërbaçi, i cilësuar si Abdyl Frashëri i epopesë së Njëzetës
  2. Meçan Selami – Kallarat

Pranë Komisionit të Mbrojtjes Kombëtare (Këshillit të Luftës me 12 anëtarë) u krijua një organizëm tjetër, Komisioni Ushtarak apo Shtabi Ushtarak: 

  1. Major Ahmet Cani – Lepenicë, komandant i Përgjithshëm i Forcave Luftarake (deri në Kotë, 05.06.1920)
  2. Kapiten Qazim Koculi – Kocul, komandant i Përgjithshëm i Forcave Luftarake (nga Kota deri në përfundimin e luftës). Anëtarët e shtabit ishin të gjithë me shkolla dhe akademi ushtarake, të mos i përmendim ato që i kemi shprehur më parë.

Fitorja e Luftës së Vlorës është Pavarësia konkrete e Shqipërisë, se flamuri i Skënderbeut që ngriti me trimat Ismail Qemali më 28 nëntor 1920 në Vlorë, u mbrojt me dinjitet e u la me gjakun e Zigur Lelos, Kanan Mazes, Selam Musait, Toto Hosit, Hodo Zeqirit, Dule Dalanit, gjithë dëshmorëve të paharruar të Njëzetës.

Cikli i Epikës historike të Luftës Kombëtare të Vlorës nuk mund të operojë ndryshe nga ç’ka ndodhur në të vërtetë, duke u bërë kështu kronikë e ngjarjeve të verës së  vitit 1920 në Vlorë e rrethina. Këtë e marrim vesh nga toponomastika e pasur e këtij folklori, nga emrat që thotë kënga. Mbi këtë plan është realizuar rilevimi i njësive folklorike në terren, krahasuar me të dhënat nëpërmjet dokumentacionit përkatës, përzgjedhur përmes ballafaqimeve të shumta tekstore.

Dhe gjatë udhëtimit nëpër lëndina e bjeshkët folklorike sodisim natyrën epike dhe pimë ujë në gurrën përtej shekullore prej nga buron epika historike e Luftës së Vlorës). 

Duke punuar me vëllimin  “Këngë popullore historike”: Tiranë; Instituti i Shkencave, 1956, kemi shënuar 43 njësi folklorike që përbëjnë ciklin e Luftës së Vlorës, i cili vjen nga Dhëmblani, Turani e Levan Cirua – Tepelenë, Qeparo – Himarë, Tërbaç, Vranisht, Shkozë, Ramicë, Dukat, Velçë, Vajzë, Brataj, Shalës – Mesaplik, Bolenë, Nivicë e Progonat – Kurvelesh, Çorrush e Aranitas-Mallakastër, si dhe nga vetë qyteti i Vlorës. Pra është e kufizuar hapësira e përhapjes së këngës pothuaj në ato hapësira që prodhuan historinë e Luftës së 1920 – s: Vlorë – Tepelenë – Himarë. (Në këtë rast diskutojmë vetëm për shembujt që na vijnë nëpërmjet këtij botimi të realizuar relativisht herët, pra 69 vjet më parë). Botime të tjera sjellin njësi të tjera, variante të tjera, që e pasurojnë dhe e zgjerojnë hartën folklorike të këngës. 

2. Historia e Luftës së Vlorës

Mendje të ditura, klasifikuar dhe me kodin kombëtar, si ato të: Aleks Budës, Eqrem Çabejt, Zihni Sakos, Qemal Haxhihasanit, Petro Markos, Muin Çamit, Arben Putos, Shahin Lekës, Ali Asllanit, Lasgushit, Kudret Kokoshit, etj., kanë ravijëzuar konturet që Shqipërisë i nevojiten të jenë më të dukshmet për faqet që i mbush Historisë së Shqipërisë Lufta e Vlorës. Janë nga ata njerëz që mbi çdo gjë duan  Atdheun siç është, jo bardhë e zi, por me të gjitha ngjyrat, edhe para heshtjes apo indiferencës së shtetit nëpër rrjedhat e kohës. Shkruajnë për ata burra që patën vullnet, qëndresë dhe dëshirë për t’i shërbyer popullit e ca më tepër patën shpresën kombëtare e u bënë ballë rreziqeve me çfarëdo mënyre. 

Pena e tyre, si daltë skulptori, skalit mjeshtërisht portretet e Ismail Qemalit, Osman Haxhiut, Qazim Kokoshit, Ahmet Lepenicës, Duro Shaskës, Murat Miftar Tërbaçit, Abaz Mezinit, Azis Çamit, Alem Mehmetit, Hamit Selmanit, Qazim Koculit, Azbi Canos, Ymer Radhimës, Hamza Isait, Sali Vranishtit, Sado Koshenës, Selam Musait, Zigur Lelos, Kanan Mazes, Thanas Benit, Mehmet Selimit, Toto Hosit, Jani Mingës, At Shtjefën Gjeçovit, Dom Mark Vasës, Tol Arapit, Tod Filipit, Beqir Velos, Dule Dalanit, Abdurrahman Çirakut, Selman Hysenit, At Vasil Markos, Hodo Zeqirit, Sulejman Delvinës, Halim Xhelos, Rrapo Çelo Sevasterit, Azem Sulos, Mehmet Selimit, Muhamet Mazes e gjithë atyre drerëve që luftuan për Flamur. Këtyre burrave të nderuar kombi ua ka borxh bujarinë dhe fisnikërinë që ata treguan. Flamuri i Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit ishte simboli më i shenjtë dhe më i ndjeshëm i shqiptarëve. 

Është vërtet një ngjarje e dhembshme, e prekshme, përlotuese, rrëqethëse ajo që ngjau atë ditë të shënuar të vjeshtës së  tretë 1919 për shqiptarët. Italianët synonin flamurin. Filloi përleshja. Urtësia e trimit të ditur Duro Shaska shpëtoi djalërinë dhe parinë e Vlorës nga gjëma, kur gjëmoi: “Me duar o djem, me duar, sakën se përdorni armët!”. Akt simbolik i vërtetë ishte gjesti i lavdëruar i Jonuz Kumanovës, Tahir Ismail Qemalit dhe fytyrëgjakosurit  për flamur, Rexhep Arapi. Jonuzi e futi në gji flamurin e i dëshpëruar, përmbys mbi të ra përdhe. Bishat e egërsuara u vërsulën, ua rrëmbyen flamurin, e copëtuan dhe e shqyen barbarisht. Njerëzit i pllakosi gjëma, flamuri humbi. Kuja mori dhenë  dhe nga burrat, si rrallë ndonjëherë, qanin si për një të vdekur të shtrenjtë. Ndërsa maskarallëku pushtues arriti kulmin: një lakè i tyre i vogël me uniformë, ia lidhi një copë flamuri te bishti një qeni, tek ecte në qytet. Ç’poshtërsi! Vandalizëm vërtet! Edhe sot e kësaj dite dridhen nga dhembja  e dëshpërimi gurët e mureve të shtëpive vlonjate të kohës. E ndjeni? Dridhet dhe kjo ndërtesë! Ai veprim i turpshëm, që oficeri i ri italian e quajti trofe e fitores, ndezi gjakun e vegjëlisë. 

28 Nëntori 1919 qe shkëndia që i vuri zjarrin e mori flakë dynjaja me Epopenë e madhe të Njëzetës. Sa kuptimplote janë vargjet: “Vrite, prite për flamur,/ Ata hiq e tinë vur”! Vargje që, për nga forca e shprehjes dhe densiteti i mendimit, të kujtojnë tragjeditë shekspirjane. Ishte pikërisht Lufta e Vlorës ajo që tronditi botën mbarë, ishte pikërisht kjo epope lavdimadhe që gremisi në det perandorinë, “një ushtri 40 miljonë”, siç thotë kënga. Pa guxim s’ka lavdi.

Për këtë realitet të madhërishëm, Abdyl Frashëri i Njëzetës, i zjarrti Halim Xhelo, shkruante në shtypin e kohës, me një shpirt të dehur nga atdhetaria, me një penë të ngjyer në fisnikëri: “Pra, në pati Greqia e moçme një Spartë e një Thermopile, Shqipëria e Re ka një Labëri dhe Qafën e Koçiut”. Lufta e Vlorës është një nga epopetë më të lavdishme të shqiptarëve dhe Vlora u kthye në “Termopilet” e Shqipërisë. Osmën Haxhiu, Qazim Kokoshi, Qazim Koculi, Duro Shaska, Hamza Isai, Kol Karbunara, Tod Filipi, Ymer Radhima, Ahmet e Hysni Lepenica, Hamit Selmani, Ali Beqiri, Josef Kantozi, Kol Kita, gjithë ata heronj me apo pa dekorata, me luftën e tyre, me gjakun, me ndihmat e dhëna materialisht apo me mendje, duke evidentuar kulturën morale, kulturën shpirtërore dhe kulturën materiale të një komuniteti vital, falën jetën a kapitalin dhe bënë histori. 

Kur historia thotë se lufta e armatosur kundër pushtuesve imperialistë, si hapësirë, u shtri në trekëndëshin Vlorë – Tepelenë – Himarë, sepse këtë krahinë qeveria e Romës kërkonte ta aneksonte dhe aty ishin përqëndruar forcat kryesore ushtarake të pushtuesve italianë, na kujtohet trekëndëshi mitik. Kur këndohen vargjet e këngës: “Kota, Gjormi, Llogoraja/ Tre beteja të mëdhaja…”, vetvetiu trinia e shenjtë mikike na vjen ndër mend. Mitologu Mark Tirta, duke trajtuar kultin e numrave, në interpretimet e parakëve të njerëzimit, e quan treshin numër të shenjtë, numër fati, që në rit magjik, ka natyrë kultike. “Treshi në popujt primitivë është përdorur përveçse si sasi dhe “shumë”, “pasuri”, “lumturi”, “fat”, pra si numër fatndjellës, magjik, i mbinatyrshëm…Treshi thuajse në tërë popujt është numër magjik e lidhet me dukuri shenjtërie…Tripjesëshi ishte ndarja e universit në shumësinë kozmologjike të shenjtë: qielli – toka – ujët”.  

Në këtë luftë vërejmë, se është zbatuar parimi mbarëshqiptar e hyjnor i Pashko Vasës: “FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA”. Pse e them këtë? Sepse këtu, në krahë të banorëve – luftëtarë të Labërisë së Vlorës, Kurveleshit, Mallakastrës, Tepelenës, Himarës, Sarandës, Skraparit, Devollit, Kolonjës, Krujës, Shkodrës, Pukës, Prizrenit, Elbasanit, Kavajës, Peqinit, Gjirokastrës, Tiranës, Beratit, Myzeqesë, Korçës, Çamërisë, shqiptarëve të Amerikës, pati përfaqësues të feve, që nga Dom Mark Vasa, At Shtjefën Gjeçovi, Babai i Teqesë së Tepelenës Ahmet Turhani, Baba Xhaferi i Përmetit, myftiu i Vlorës Osman Muka etj. Pra, pa dallim feje, krahine dhe ideje, u bënë një trupë çlirimtare kombëtare katolikë, ortodoksë, bektashinj, myslimanë, po ashtu morën pjesë në luftë dhe dhanë ndihmë të çmuar edhe pjesëtarë të etnive të tjera, që ishin këtu dhe u shqiptarizuan, si Josef Kantozi e hebrenj të tjerë. 

Po ashtu mund të përmend Xhovani Valencia, që erdhi si pushtues, por duke vlerësuar të drejtat e lirisë universale, ai ndihmoi çlirimtarët me armë e municion nga Panajaja. 

Po mbështetja e qeverisë së Sulejman Delvinës mund të harrohet?! Po Ministri pa portofol Spiro J. Koleka, njëri nga nismëtarët e Njëzetës, që ishte ndërmjetës të qeverisë së Tiranës me Komisionin, apo Hamza Isai me aleatët (Korfuzin) a mund të harrohen?! 

Ndërkohë, nuk mund të mohojmë faktin që Qeveria e Tiranës e mbështeti Luftëne Vlorës dhe mbështetësit kryesorë ishin vetë kryeministri Sulejman Delvina dhe dhe ministri i Brendshëm Ahmet Zogu. Po prefekti i Beratit Xhafer Ypi që e kreu në mënyrë shembullore detyrën e Qeverisë së Tiranës për logjistikën e kësaj lufte çlirimtare, a mund të harrohet?! 

Po karvanet e kuajve të vllahëve të Selenicës me Kol Kitën në krye a mund të harrohen për furnizimin me ushqim e municion të formacioneve luftarake në front apo me pjesëmarrje drejtpërdrejtë në luftime?! 

Po Sado Koshena kapedane, si shqiponjë në tufane, proverbiale me thënien e saj trimërore dhe frymëzimtare për vëllëzërit e saj dukatas kur dha kushtrimin për t’u ngritur e organizuar në luftë?! Dhe Dukati u ngrit në luftë me 3 çeta… Po Njëzeta nuk ka vetëm një Sado, ka edhe një Rubi Hosi, ka dhe një Hanko Mete, ka edhe Safe Musain e sa e sa trimëresha të tjera në ballë të luftës dhe në prapavijë, tek shëronin plagët, si vulë trimërie e luftëtarëve të lirisë, si Zakine Krasta me shoqe që erdhi nga trevat e Elbasanit ?!

Po Mehmet Selimi, që në kujtesën popullore njihet si kalorësi i Ultimatumit mund të harrohet. Ai ishte trim i sprovuar dhe më parë, njohës i 6 gjuhëve të huaja. Nuk ishte thjesht një çoban, bari nga fshati Mallkeq, por një guximtar legjendar që tronditi gjeneral Piaçentinin dhe Perandorinë e re Apenine?! Nuk mund të harrohet Shqiponja e Njëzetës, jo!

Mund të harrohet Thoma Vasi që erdhi me bandën “Vatra” nga Amerika e largët, me këngë dhe me armë në dorë, me tekstin “Vlora -Vlora” të Ali Asllanit të madh, Nderi i Labërisë dhe gjithë Shqipërisë?! Nga Amerika erdhi edhe një çetë luftëtarësh me në krye gjeneral Aqif Përmetin dhe kapiten  Kareman Tatzatin, po kishte edhe një grup artilierësh me komandant Azis Çamin, zëvendës Elmas Ademi, oficërë artilierie Xhafer Xhuveli (sekretari i Ismail Qemalit) dhe Avduraman Çiraku me histori dhe këngë. Akti i Avdurrahman Aliut (Çiraku) është legjendar dhe i përjetësuar meritueshëm në këngë. Kënga është kronika e ngjarjes në vargje të kënduara, ku jepen saktësisht të dhënat e nevojshme, kohën, hapësirën, personazhet, ndodhinë për të ndërtuar historinë e vërtetë, të jetëuarën, të fituarën apo të pësuarën.  “Të xhumanë në saba/ Një mjegull e zezë ra,/ Binin topat nga Shashica/ Binin si pikat e shiut./ Në fushë të Peshkëpisë/ Ra ballon i Italisë./ Këta djemtë e Shqipërisë/ Me manxerrët e Turqisë/ E hodhë në shesh si mizë./ “Aropllanin kush e shtiu?”/ “Trim Abdurrahman Aliu”. Ç’ këngë e lartë e groteske! 

3. Epika historike – hipotekë e kësaj ngjarjeje kombëtare

“Maji, më njëzet e nëntë,

N’ Barçalla, në Mal të Shënjtë,

Ngrenë plan populli vetë:

“Të desëm për dhen’ e shtrenjtë!

Të desëm për Barçallanë!”

Fshat më fshat kartat u ndanë,

Vunë çet’ e kumandarë”…

Epika historike e Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920 na jep një tablo informative të plotë, saqë, shpesh herë si burim i paturbulluar, bëhet hipotekë e ngjarjes historike, deri në imtësi, kuptohet, duke respektuar parimin fonetik dhe bartësit, komunitetit ç’i pëlqen.

Gjurmimet nga vrojtimet dhe ekspeditat në terren na kanë krijuar mundësi të vjelim bartës, të tillë, që me prurjet e tyre na kanë falur urtësi e visare folklorike, se vetëm trimit i këndohet kënga. Dhe kënga na duket sikur është ditar në vargje i luftës për Kotën: “Nata e pesë qershorit/ Allaturka, ora tre,/ Ndizet gjaku’ arbërorit,/ Ndizet e bëhet rrufe./ Zigur Lelua na thotë:/ “Djema, hidhuni mbi ta!? O burra, brenda në Kotë,/ Ta dinë kush jemi nà,/ Ta marrë vesh një botë,/ Që s’para bëjmë shaka/ Çave para si flamur,/ Kapedan, more Zigur!”. Një këngë tjetër për Kotën dhe Zigurin: “Ranë komitat në Kotë,/ Komita në Kotë ra./ U vra Ziguri në portë,/ Zigur Lelua ç’u vra,/ Rrufe djemt’ e cmokthinjotë/ Se ç’u bëtë lakëra”. Dhe një tjetër për Selam Musain, i cili zuri një top nga gryka: “Nuk harrohet Kota kurrë,/ Kur mbi tela shkonim ne,/ Edhe kur Selam Musai/ Shkrepte natën si rrufe,/ O Selam, zemër me çika,/ E zure topin nga gryka”. Është edhe një këngë e përvajshme, regjistruar ndër plakat e Bolenës: “Qaj Bolen’ e vure vajnë,/ Për ca trima që t’u vranë…”.

4. Këngët më të hershme për Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920

Krijimi folklorik e ka një fillesë krijuese individuale, që, edhe sipas prof. Xhagollit, nëse do të hyjë në qarkullimin folklorik të një bashkësie të caktuar, shndërrohet në krijimtari folklorike. Sikur të kishte mundësi të ngjiteshim në kohë deri në burimet e këngëve të popullit, ndoshta do të gjenim, mes mjegullës së viteve e shekujve, krijuesit e parë.

4.1. Krijuesit e parë të folklorit të EHLV gjenden në burimin e këngës

Një nga poetët popullorë më të njohur jo vetëm në Labëri, por në mbarë vendin, që s’ humbi, si humbisnin dikur emrin, duke lënë shpirtin e mendjen në vargje, është dhe Xhebro Gjika nga Tërbaçi i Vlorës (1900-1978). Këngët e tij, ashtu si ato të Mato e Selim Hasanit, Rrapo Metos, Nase Benit, apo Sheme Sadikut, veshur me fustanellë të bardhë, etj., patën fatin e madh të hyjnë në gojën e popullit, si këngë e mirëfilltë popullore që ka fituar anonimatin, edhe pse mund të njihet autori, se dallon nga stili, reflekset, thjeshtësia, “të qepurit” drejtëpërdrejtë, aty për aty, ngyrat poetike, ritmike, rimore apo gjatësia e vargut të kënduar dhe qartësia. Pushka, kënga dhe kërraba janë trinia e jetës së luftëtarit të Njëzetës dhe këngëtorit të asaj epopeje. Qysh 20 vjeç koha e kërkoi ta provonte në dy fronte se sa peshonte ai djalë. Në frontin e luftës me “Italinë e parë” e mori vulën e trimësisë, se u plagos. Ndërsa për në frontin e këngës, komentet për të janë të tepërta, sepse në Labëri njihen ato që “ka qepur” xha Xhebrua. Po qepi këngë Xhebro Gjika dhe Mato Hasani, – thoshnin banorët e Lumit të Vlorës – e ka zënë buba atë punë!... Kjo është shkalla sipërore e vlerësimit të komunitetit për krijimet e këtyre këngëtarëve trima, me humor, të guximshëm dhe të hapur. Xh. Gjika i ka kënduar në llogore shpirtit liridashës e luftarak të shqiptarit, për guximin e heroizmin e tij tradicional, të manifestuar në atë luftë të madhe të të gjithë popullit shqiptar, jo vetëm popullit të Vlorës, për liri, ekzistencë e përparim.

Këtu e ka zanafillën rrëfimi i këngëzuar me kaq dashuri e krenari për dëshmorët e Luftës, për trimat e LV që bën trimi i këngës, sepse edhe kënga ka e kërkon trima. Krenaria e krijuesit këngëtor është e shkrirë në një me krenarinë legjitime të popullit. Ja vargjet e Xh. Gjikës kushtuar Luftës së Vlorës, 1920, e cila nuk është botuar në asnjë botim të deritanishëm folkloristik. Është një këngë disi e gjatë, në natyrën e Xh. Gjikës, të cilat i niste vetë me dy – tre strofa dyshe, shtruar, vënçe, pastaj i thoshte fjalët që qepte atij që kishte në krahë, dy – tre strofa dyshe, të cilat ai i këndonte po në atë vijë melodike, në shtrat, me atë avaz që e niste marrësi i parë, e kështu me radhë qarkullonte kënga deri sa e mbyllte prapë thurësi i këngës. Kjo natyrë të kënduari ka qenë karakteristike e pleqve për komunitetin nga vjen e këndohet kënga. Kujtesa jonë i ka të regjistruara të freskëta këngët me natyrë recitative, që me narracionin e tyre të gjallë e jetësonin ngjarjen, e binin afër, pranë nesh, që bënim iso, se na mbanin pas vetes moshatarët, që të rriteshim dhe me frymëmarrjen e këngës labçe vënçe, si të parët. Pas moshatarëve shkonim si qengjat pas dashit përçor, ne, si të thuash, bënim pas pleqve “solfezhin”, veçse nuk na lejonin të dilnim si kërriçi para gomarit, se kështu na qortonin kur hidheshim, ngaqë na dukej se e mësuam mjeshtërinë e të kënduarit atë çast. Kënga e xha Xhebros na jep dhe një informacion të bollshëm dhe të besueshëm, sepse ai ka qenë vetë në Luftë, jo thjesht një dëshmitar, por një njeri në veprim, me zjarrin e armës dhe me flakën e këngës: “Në Vlorën me histori/ Është lufta që ka bërë,/ Njëzetën me Itali/ Me ca të rrallë dyfekë/ Të rrëmbyer në Turqi,/ Ca sëpata dhe hanxharë/ U derdh’ mbi artileri./ Kush e njih Selam Musanë,/ Luftëtar si ai!/ Zigur Lelo hanedanë,/ Ra në Kotë tek dha furi./ Toto Hosi, burrë i gjallë,/ Sulmoi, bëri kërdi!/ Po Hodo Zeqir Dukanë/, M’u si sorkadhi me bri!/  E mori plumbi në ballë,/ Si luan për tokë u shtri./ Kapedan Sali Muranë/ Plagë plumbi mori tri/ Selman Hysen, zemërstrallë/ I ra gjylja në kërci…/ E ç’ gjë t’u këndosh më parë/ Një argjënd e një flori!/ Gjaku që u skuqi ballë/ Mbeti vulë për liri./ Njëqind e dyzet të vrarë/ Plagosur dyqind e dy,/ Dhanë jetë e derdhën gjaknë/ Fyta fyt me mizori./ Ish – bejlerë e agallarë/ U hodhë në tradhëti;/ Shushënja do kapitalë/ S’mendonin për Shqipëri./ Për luanët që u vranë,/ As që pyeti njeri,/ As emër e as nishanë -/ Bishtdredhura qeveri;/ I përcëllonte të gjallë/ Ai det me trimëri,/ Po ata mben’ yj të rrallë,/ I mban populli në gji./ Italianët e paguan,/ Sa u vranë, kjo balt’ e di!/ Njëmijë u dorëzuan/ Me gjithë artileri;/ Në Vajzë u grumbulluan,/ I ruajn’ si bagëti/ I vunë në pun’, i shtruam,/ Ah, ç’ishin për bujqësi!/ O Shqipëria kreshnike,/ E vogël po heroike,/ Me armiq thikë për thike/ As u trembe, as u lige/ Nga qindra hordhi armike”.

Janë 54 vargje monokolonë, në interpretim recitativ, që përbëjnë këtë këngë të gjatë me nota realiste, të cilat mund t’i quajmë edhe historia e LV në këngë; që na shkakton emocione të fuqishme me frymën baladeske, e cila mban në këmbë lëndën e këngës, ku trimëria dhe dhembja për të njohurit, bashkëfshatarët, trimat e rënë shkrihen në një masë bazike, që i ngjiz krijuesit – luftëtar nderimin për të rënët, forcën dhe frymëzimin, që nuk është vetëm krisma e pushkës, që sjell fitoren, por, ajo e shoqëruar me krismën e këngës, e bën më të afërt, më të bukur, më madhështore dhe fisnike fitoren ndaj pushtuesit matanas. Historia na ka njohur me shumë trima, heronj e dëshmorë të LV, 1920, dhe njerëzit e dinë që LV ka patur shumë heronj. Ndoshta krijuesi mund ta ketë njohur atë “det me trimëri”, por atij dhe komunitetit të tij nuk i interesojnë të gjithë. Xh. Gjika këndon për ata që ka të “tijët”, për dëshmorët e rënë, për ata që ka njohur më nga afër, për ata me të cilët ka luftuar ai me çetën e tij të Tërbaçit. I këndon kryetrimit Selam Musai të Njëzetës; i këndon komandantit të çetave të Rrëzës, kapedanit Sali Murati, nga Vranishti, se Vranishti është fqinji juglindor; i këndon patjetër Selman Hysenit, vëllait të tij, komandantit të çetës së Tërbaçit; i këndon Hodo Zeqirit të Dukat, komandantit të çetës së Dukatit,  se Dukati është fqinji perëndimor; i këndon edhe Toto Hosit nga Bolena, se Bolena është fqinji lindor dhe Tërbaçi i tij ka shkuar mirë me fqinjët ndër kohëra, ka patur vajtje – ardhje, si i thonë banorët. Është rasti të evidentojmë se deri në ç’imtësi e detaje futet kënga: “mori tri plagë plumbi” apo “i ra gjylja në kërci”. Dhe këtë e bën vetëm ai që ka qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ngjarje, në tym e flakë, se po të mos ishte kështu, të tjerët që kanë qenë në llogore me trimat, me të rënët nuk do ta pranonin dhe nuk do ta këndonin këngën e tij dhe, më keq akoma, ai do të ishte i shpërfillur dhe i përbuzur nga komuniteti. Realiteti dhe koha ka vërtetuar se ky krijues dhe marrës këngësh ka qenë pjesëmarrës e mbetet i besueshëm, se nuk është kontestuar dhe për vlerat e tij shpirtërore dhe për plagët e luftës është vlerësuar edhe nga komuniteti. 

Na bëri përshtypje nga teksti vlerësimi i krijuesit popullor për trimin: “luftëtar si ai”, duke përdorur spontanisht shkallën më sipërore të krahasimit, që ai trim krahasohet vetëm me veten, se s’ka me kë të krahasohet e të tjerët do të krahasohen me të. Një krahasim i bukur e origjinal del i dallueshëm tek kjo këngë, që tregon edhe adhurimin e krijuesit, njëkohësisht bartës i këngës, kur këndon: “m’u si sorkadhi me bri”, duke dhënë figurativisht cilësinë e trimit, si një djalë  me trup të hajthëm, të hollë, të zhdërvjellët e të hedhur, që shumë të lehtë e të shkathët e bën era e lirisë, dhe që sakrifica sublime që bëri Hodo Zeqiri e bën sorkadh mali dhe i zbukuron emrin heroik.

Gjithashtu, në këtë luftë pati dhe shumë të plagosur, midis tyre edhe komandanti i çetës së Tërbaçit Selman Hysen Gjondeda e shumë trima të tjerë. Atij gjylja i plagosi të dyja këmbët, por pa pasoja për jetën. Kjo luftë pati jehonë dhe bëri që zëri i Shqipërisë të dëgjohej edhe në Europë. Dhe populli i këndoi kësaj epopeje: “Ç’ është kështu si dëgjojmë! / Bëhet dyfek në Vlorë,/ Shqiptarët po luftojnë/ Me një mbret dyzet milionë”

Këngë për Luftën e Vlorës në vëllimin “Këngë popullore historike”

Epika Historike e Luftës së Vlorës lindi si frymëzim për ata që deshën e kërkuan lirinë; ajo lindi si “gurrë jete” në psikën e banorëve të këtyre trevave, të komunitetit, në psikën e shpirtin e këngëtorit, banor e luftëtar për jetë të lirë, siç ai e mendonte, përgjithësisht në hapësirat ku u zhvillua ngjarja. Fjala e humbet vlerën kur shpalosen visare folklorike si: “– Kanan, t’u prish bukuria/ – Le të rrojë Shqipëria!” Ky dialog në këngë midis dy miqve të llogores së lirisë: luftëtarit këngëtor dhe luftëtarit hero është jo thjesht një përshkrim i sakrificës njerëzore të individit për një gjë të shenjtë, siç është hapësira e pamatë e lirisë, por më tepër, është paraqitje brilante e flijimit për Atdhe, nëpërmjet të bukurës në trajtën sublime, dhënë nga rapsodi intuitivisht, (ngaqë s’ka patur gjasa e mundësi ta njihte të bukurën si kategori estetike). Vetëm në dy vargje kemi histori dhe këngë, kemi personazhe misionarë, që koha dhe hapësira i caktoi të bëhen misionarë (pa urdhëra e dekrete) – njëri misionar i lirisë, me gjakun që fali dheut mëmë dhe tjetri misionar i ndërtimit shpirtëror, të shpirtit që rron nëpërmjet këngës, e cila na vjen dhe sot e këtë ditë si monument i gjallë, në lëvizje, jo thjesht si dëshmi arkivale e komunitetit përkatës a si gjurmë shpirtërore e kujtesës sociale, por si qarkullim gurgullues i folklorit, si stafetë që sfidon periudhat, sepse është ngjizur nga e vërteta historike dhe pasqyrimi artistik i realitetit historik, i ngjarjeve e personazheve realë. Këngëtori dhe heroi na mbushin trurin me imazhe homerike dhe eskiljane, sepse epikja konkrete trazohet me tragjiken reale, saqë ngjitet nëpër qiejt e abstarksionit universal dhe kthehet po aty ku ndodhi ngjarja, ku u bë historia dhe ku ajo u përjetësua në këngë, në Kotë të Labërisë, sepse në atë stinë të stuhishme vere të etur për shirat e lirisë, në atë teatër luftarak “Obobo, ç’na qënkej Kota!/ Më e bukur se Evropa!” Përsëri këngëtori e përdor si metaforë fjalën diamantine të shpirtit krenar që dhemb, ndaj nuk i thotë Kanan Mazes thjesht: “O Kanan, po qysh vdiqe ashtu?!” dhe të ulërijë e të çjerrë faqet nga dëshpërimi, por, siç i ka hije trimit, i drejtohet burrërisht, me fisnikëri: “Kanan, t’u prish bukuria!…” për Shqipërinë e lirë, për Vlorën e çliruar. Vetëm në raste të tilla kënga i bën nur një njeriu. 

Fjala e humbet vlerën kur shpalosen visare folklorike si: “– Kanan, t’u prish bukuria/ – Le të rrojë Shqipëria!” Ky dialog në këngë midis dy miqve të llogores së lirisë: luftëtarit këngëtor dhe luftëtarit hero është jo thjesht një përshkrim i sakrificës njerëzore të individit për një gjë të shenjtë, siç është hapësira e pamatë e lirisë, por më tepër, është paraqitje brilante e flijimit për Atdhe, nëpërmjet të bukurës në trajtën sublime, dhënë nga rapsodi intuitivisht, (ngaqë s’ka patur gjasa e mundësi ta njihte të bukurën si kategori estetike). Vetëm në dy vargje kemi histori dhe këngë, kemi personazhe misionarë, që koha dhe hapësira i caktoi të bëhen misionarë (pa urdhëra e dekrete) – njëri misionar i lirisë, me gjakun që fali dheut mëmë dhe tjetri misionar i ndërtimit shpirtëror, të shpirtit që rron nëpërmjet këngës, e cila na vjen dhe sot e këtë ditë si monument i gjallë, në lëvizje, jo thjesht si dëshmi arkivale e komunitetit përkatës a si gjurmë shpirtërore e kujtesës sociale, por si qarkullim gurgullues i folklorit, si stafetë që sfidon periudhat, sepse është ngjizur nga e vërteta historike dhe pasqyrimi artistik i realitetit historik, i ngjarjeve e personazheve realë. Këngëtori dhe heroi na mbushin trurin me imazhe homerike dhe eskiljane, sepse epikja konkrete trazohet me tragjiken reale, saqë ngjitet nëpër qiejt e abstarksionit universal dhe kthehet po aty ku ndodhi ngjarja, ku u bë historia dhe ku ajo u përjetësua në këngë, në Kotë të Labërisë, sepse në atë stinë të stuhishme vere të etur për shirat e lirisë, në atë teatër luftarak “Obobo, ç’na qënkej Kota!/ Më e bukur se Evropa!” Përsëri këngëtori e përdor si metaforë fjalën diamantine të shpirtit krenar që dhemb, ndaj nuk i thotë Kanan Mazes thjesht: “O Kanan, po qysh vdiqe ashtu?!” dhe të ulërijë e të çjerrë faqet nga dëshpërimi, por, siç i ka hije trimit, i drejtohet burrërisht, me fisnikëri: “Kanan, t’u prish bukuria!…” për Shqipërinë e lirë, për Vlorën e çliruar. Vetëm në raste të tilla kënga i bën nur një njeriu. Duke punuar me vëllimin “Këngë popullore historike”: Tiranë; Instituti i Shkencave, 1956, kemi shënuar 43 njësi folklorike që përbëjnë ciklin e Luftës së Vlorës. Ky cikël është shumë i pasur dhe interesant; nxjerr në pah shpirtin shqiptar, që u ngrit kundër Perandorisë së Re: “Breshkaman i breshkamanit,/ Dil steresë, jo limanit!”. Epika historike e Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920 na jep një tablo informative të plotë, saqë, shpesh herë si burim i paturbulluar, bëhet hipotekë e ngjarjes historike, deri në imtësi, kuptohet, duke respektuar parimin fonetik dhe bartësit, komunitetit ç’i pëlqen: “Maji, më njëzet e nëntë,/ N’ Barçalla, në Mal të Shënjtë,/Ngrenë plan populli vetë:/ “Të desëm për dhen’ e shtrenjtë!/ Të desëm për Barçallanë!”/Fshat më fshat kartat u ndanë,/ Vunë çet’ e kumandarë”…

4.2. Këngë për Luftën e Vlorës në vëllimin “Këngë popullore të Labërisë”

Nga studimi i teksteve poetike të epikës popullore labe në këtë vëllim, vërehet që janë tekste burimore, thurur e kënduar nga bartës që e kanë njohur luftën e Vlorës në transhetë e saj, në zjarrin e betejave me pushtuesin, me vargje lakonike, ku me pak fjalë jepet imazhi i gjallë i tymit e zjarrit të asaj lufte çlirimtare: “Kam tre vjet, po gjë vesh s’mora/në ç’mendim gjëndetë Vlora,/ bejlerë, a u thaftë goja,/ mos na shisni për të holla!/ Agallarë e efendi,/ mos na shisni n’Itali!/ Rrofsh, more Osmën Haxhi,/ të qenë dy-tre si ti,/ nuk na grisej flamuri,/ nga një palo mbretëri/ që ka breshkatë zadi! [Vlorë, 1944]. 

Kënga e mbarënjohur “Evropa shkruajnë e thonë” na vjen në disa motërzime. Në vitin 1954, Fatos Mero Rrapaj ka regjistruar në Vuno të Himarës një varaint pak të njohur, por besueshmërisht i thurur në transhetë e luftës nga patrioti dhe luftëtari poet Nase Beni po nga Vunoi: “Evropa shkruajnë e thonë:/ “Ç’është kështu si dëgjojmë?/ “Po bënet dufek në Vlorë,/ shqipëtarëtë lëftojnë/ me një mbret dyzet miljonë./ Zënë jesirëna thonë,/ zënë jesirë italjanë”/ “Po me se lëftojnë vallë?/ se topa e armë s’kanë,/ as vaporë e aropllanë!”/ “Me sëpata e me hanxharë,/ dufeqet lidhur me gjalmë,/ fishekët në xhep i mbajnë,/ në tri ditë pak bukë hanë;/ po s’ka tabje e istikamë,/ top vapor e aropllanë,/ t’i përgjunjë ata asllanë./ Në pëjetçi dhe për armë,/ asnjë mungesë nuk kanë,/ marrën nëpër italjanë,/ në të vrarë e në të gjallë,/ nëpër depotë ku janë,/ me to rrëzojnë aropllanë! Vetëm me 7 vargje na vjen një këngë nga Qeparoi, të cilin po e paraqesim, sikurse të gjitha këngët e tjera, duke respektuar parimin fonetik, ashtu siç e mbledhur folkloristi në vitin 1955: “O flamur, shqipe me derte,/ të kërkuam e na erdhe,/ na erdhe i kuq me shqipe,/ erdhe dhe vëndin e ndrite./ Na erdhe si ill karvani:/ në Vlorë ballë Sazani,/ u mbit në det italiani…”. Kjo këngë është ngritur në verën e vitit 1921, ku ushtria kombëtare, me kërkesën e patriotëve bregdetas, hyri në Qeparo bashkë me Anest Qesarin po nga Qeparoi, oficer dhe pjesëmarrës në Luftën e Vlorës.

5. Këngët labe për kontributin gruas në Luftën Kombëtare të Vlorës

Edhe historia, por sidomos folklori shpalos krenarisht pjesëmarrjen aktive dhe ndihmën e madhe të grave, pa të cilën fitorja e Luftës Kombëtare të Vlorës mund të vihej në diskutim. Këngët vënë në dukje kontributin e grave, të “gjalmëzezave”, që “kishin pjellë e bërë drëra”. Ato ishin krah luftëtarëve, gjithashtu me “dyfek e sëpatë në dorë” a pranë tyre duke hapur llogore, duke u shpurë “bukë, ujë e fishekë”, a duke u lidhur plagët të plagosurve. Më Njëzetën, gruaja u bë shoqe e pandarë lufte e burrit. Nuk morën pjesë vetëm gratë labe në këtë luftë. “Në Vlonë shkuen nga shumë vise edhe zonja për të bamë shërbime infermierie. Zonja e doktor Krastës nga Elbasani asht njena nga të parat që me vullnet të vet shkoi në Vlonë për me ua kushtue shërbimin e vet luftëtarëve të plagosun…Gratë e Elbasanit i hoqën vathët nga veshët dhe unazat e gishtave dhe i dhanë për atë qëllim”.

Këngët sjellin edhe jehonën e ndërmarrjeve luftarake të grave heroina si Sado Koshena, Rubie Hosi, Safe Musai, Zakine Krasta, Hanko Metja, Tushe Hosja, Hamide Mançaj etj., “Trimëreshat që bë’ nëna/ Luftuan e s’iu tund këmba”. Jo vetëm përkushtimit të infermieres Rukie Krasta, që erdhi vullnetare nga Elbasani dhe vraponte nga një llogore në tjetrën për mjekimin e të plagosurve, në ndihmë operative të mjekut Shezai Çomo, nga Libohova, i cili mori pjesë në luftë edhe me armë në dorë, siç e këndon dhe kënga, por gjithë vullnetarëve të ardhur nga Skrapari, Devolli, Korça, Kavaja, Çamëria, gjithë shqiptarëve, që dhanë një kontyribut të vyer me luftën që bënë, me ndihmat materiale që prunë, me gjakun që derdhën për çlirimin e zonave të pushtuara të qytetit dhe trevave të tjera shqiptare, populli i Vlorës dhe i krahinave përreth, për hir të së vërtetës, përjetë duhet t’iu shprehë mirënjohje, nderim e respekt. 

Edhe Hysni Berdo na ka dhënë një informacion të pabotuar më parë, të cilin patëm mundësinë, në cilësinë e drejtuesit të gazetës “Çika e Tërbaçit”, t’ia publikonim në këtë gazetë lokale para 13 vjetësh. Po paraqesim një paragraf: “Në ndihmë të luftëtarëve qe edhe ulërima e Xhiko Alies në Buzujk, që grumbulloi menjëherë bashkëfshatarët, të cilët i kthyen forcat armike nga rrethues të një pjese të çetës patriotike të Sali Vranishtit, ku bënin pjesë edhe shumë tërbaçiotë, në të rrethuar e të asgjësuar. Gratë stanore të Tërbaçit në Shashicë, gjatë Luftës së Vlorës më 1920, nëpër plumba e gjyle, furnizonin çetën e fshatit me ushqime, municione, ngrinin në krahë të plagosurit dhe i mjekonin në stanet e tyre siç na e pasqyron kënga: “Eni shoqe t’i ndihmojmë,/ Vëllezërve që lëftojnë,/ Të dalim breg më breg,/ T’u shpiem buk’e fishekë,/ Të hapim ndonjë hendek…”

Duam të përmendim fjalët dhe veprat e Sado Koshenës nga Dukati, një grua stoike, prototip i malësores shqiptare të Labërisë. Më 20 mars 2010, Emaz Prënjo Rodaku, 84 vjeç [sot vd.], me arsim të lartë, na tregon në shtëpinë e tij në Dukat – Fshat këtë episod interesant: “Kur u nis çeta jonë (e Dukatit, shën. im – AH) për të luftuar kundër italianëve në Qafën e Llogorait, Sadua i priti trimat mbudhë e u tha: “Shkoni dhe u priftë e mbara! Mo kthehi me turp, se do ua bëj si ja bëra Alem Agait me çetë, në luftën me grekun”. Ikën, fluturuan djemt’ e dukat. Ku mbaheshin ata gjërpënjë?! Po, që ta dish ti, nipçe, më ‘12 – ën çeta shqiptare e krahinës së Dukatit, e komanduar nga Alem Mehmeti, i tragjas, kishte luftuar me andartët grekë në Llogora dhe u kthye. Në rrugën e kthimit, ballas me Sadon, hazërxhevape, që i mbërtheu me llaf: “Alem Aga, ku vete me këta njërëz, apo do fshihi në çitjane të grave?! Eni me mua!”. Burrat e çetës u turpëruan nga këto fjalë, u kthyen për vëndi, se i mbathi mirë kapetania dhe, luftuan trimërisht, si u kishte hije, deri sa e ndaluan përparimin e grekëve. Me ta e në ballë të luftimeve ishte Sado Nurja.” 

Për këtë grua, pleqtë e moçëm Musa Koshena, Ahmet Mëhilli e Dervish Mëhilli (sot nuk jetojnë, por ne ruajmë shënimet e tyre dhe nderim për ta), qysh në takimin e parë me ta në Dukat, më 18 qershor 1998, na kanë folur shumë dhe e çmojnë Sadon si luftëtare të zonjën, që e ka mbajtur pushkën në krah qysh më 1912-1914, kur shqiptarët luftonin kundër shovinistëve grekë. Ka qenë me të vërtetë nga ato labet që të marrin gjak në vetull. Gra të tilla, jo vetëm që e çuditën armikun, por e tmerruan me vetitë e tyre burrërore. Thonë se, ku i paska parë gratë maleve me pushkë, Ulise Bozua, i cili kishte vajtur në Drashovicë, si i deleguar për të bërë marrëveshje me krerët e KMK, ka ikur prej andej i lemerisur dhe, kur është kthyer në Romë, sikur u paska thënë padronëve: “O mbret, qysh do bëjmë na?/ Albania ësht’ e fortë./ Lëftojnë burra e gra/ Atje hauri ka zotë!”

Karabinieria italiane, e revoltuar nga disfatat e para, filloi të arrestojë, të djegë e të plaçkitë. Shumë gra u torturuan dhe u çnderuan barbarisht. Po gratë shqiptare nuk e duruan dot turpin, nuk u dorëzuan, nuk u përulën. I lanë shtëpitë e tyre dhe, ato që patën mundësi të siguronin armë, shkuan në ballë të luftës, të tjerat qëndruan në prapavija, se dhe aty, (megjithëse i padukshëm), kontributi i tyre ishte i nevojshëm dhe i duhur, gjithnjë të gatshme për të ndihmuar luftëtarët e çlirimit. 

Emri i atyre grave, sikurse i burrave shqiptarë që bënë LV, do të ngelet përmendore në historinë e Shqipërisë dhe do të zbukurojë si margaritar këngët epike të folklorit shqiptar: “Në luftën me Italinë,/ Luftën e Njëzetës – ë,/  U bashkuan – ë në çetë/ Gjashtëdhjet’ bolenas – ë,/ Trimëresha Rubi Hosi/ Shkoi bashk’ me çetën – ë,/ Kra’ me burr’ e me kunanë,/ Toton e Kafazin – ë,/ Bënë trimëri të rrallë/ Në qaf’ të Kaninës – ë…” Rubie Hosi ishte e shoqja e trimit Toto Hosi, komandant i çetës së Bolenës, i cili ra heroikisht gjatë LV, dhe, Rubia, që iu ndodh pranë nuk e qau me ligështime, po nisi një këngë vaji me ligjërime. Këtë sythëz tematik do ta trajtojmë më gjerë në vijim. Ja një tjetër këngë; “Sado moj, Sado Koshena,/ Jeshe rritur në Ravena,/ Keshje pirë ujë bore/ N’ato kullotat verore./ Mbi polkë veshe gjerdanë,/ More përpjet’ Llogoranë,/ Me një maliher të gjatë,/ Luftove  me ditë e natë./ Ti vëlla keshje dyfekun,/ Me plumba e prite grekun,/ Hape zjarr mbi italianë,/ Se të zaptuan vatanë.” Kënga, në vetëm 12 vargje, na jep informacion të hollësishëm për veshjen e saj, për armatimin që përdorte; marrim vesh se ajo është rritur në Ravenën e bukur me kullota verore në malet e Karaburunit të Dukatit; njoftohemi për luftën që ajo ka bërë kundër shovenëve grekë më Katërmbëdhjetën dhe kundër pushtuesve italianë më Njëzetën. “Atje përposh, n’ato ura,/ Po lëftojn’ burrat mi burra,/ Gjorm e Kot’ e Drashovicë,/ Plot’ me gjak lumi Shushicë./ Po lëftojnë edhe gra,/ Lumthi vëndi që i ka,/ Nga Dukati Sadoja,/ Sadoja Kosheneja,/ Që ish’ grua përmi gra”, na informon një tjetër këngë. “Sado Koshena nderoi jo vetëm Hamzajt nga qe bijë, por edhe Koshenajt ku shkoi nuse, gjithë Dukatin e Labërinë, duke u bërë simbol kombëtar i atdhedashurisë të gruas shqiptare, sepse “në malet me trëndelinë, kishte thithur trimërinë” dhe shpallet “Heroinë e Popullit” për merita të shquara kombëtare. Busti i saj në qendër të fshatit lart krenaron historinë për brezat.” 

Një botim më i vjetër, kontributin e grave në LV, që dhanë një ndihmë të madhe me dërgimin e municioneve, përgatitjen e shpërndarjen e bukës dhe veshjes, herë – herë edhe duke marrë pjesë drejtpërdrejt në luftime, na e jep me këtë tablo folklorike: “Ç’kanë malet që rënkojnë?/ Moj nëno, nëne! [refreni]/ Nga tromopilat që shkojnë,/ Nga topat që na qëllojnë,/ Ballonat që fluturojnë,/ Nga bumjet që na lëshojnë,/ Trimat tanë po lëftojnë!/ Le të dalim dhe ne gratë,/ Të marrim peshqir e napë,/ T’u njëmëm buzën e thatë,/ T’u shpijem buk’ e fishekë,/ T’u hapim ndonjë hendek!/ Kush ësht’ burrë – shesh për shesh,/ Kush të vritet, le të vdesë,/ Kush të rroj’ me nder të jesë,/ Vatanin do ta qerdhesë.”

Ndër botimet më të reja  mund të përmendim monografinë “Miserdhe Rexhepi, rapsode e shquar e Labërisë” e prof. Bardhosh Gaçe, ku thekson edhe kontributin e grave të Velçës në Luftën Kombëtare të Vlorës. Ato ndihmuan burrat e vëllezërit e tyre në front, duke i furnizuar me municion, ushqime e veshmbathje, ku përmenden  gratë e shquara të fshatit Velçë si: Metullahe Zhabaj, Taibe Begaj, Xhurxhi Shollaj, Labikë Demaj, Sadike Hoxhaj etj. Studiuesi vë në dukje sidomos ndihmesën e Hamide Mançaj, që krahas simotrave të saj, kishte edhe frymëzimin poetik dhe nderohet ndër vajtojcat e njohura të traditës labe, që thurte vargje për bëmat e të afërmve dhe të luftëtarëve velçiotë, ajo qe nikoqire e rrallë, punëtore dhe endëse e talentuar e tezgjahut. Hamideja mbahet mend në ballë të grave luftëtare të Velçës, “duke patur pranë vetes edhe vajzën e saj, Miserdhe, disa herë shkoi në frontin e luftimeve në Kotë, Drashovicë e Vreshtat e Mëdha, duke transportuar armë e ushqime për luftëtarët”

Ka edhe materiale arkivore që flasin për rolin aktiv të gruas labe dhe në përgjithësi të gruas shqiptare në LV. “Kur u përhap lajmi në gjithë Shqipërinë, se do të fillonte kryengritja e përgjithshme,- shkruhet në një artikull, botuar në rev. “Nëndori”, nr. 8, 1960, – për të luftuar imperialistët italianë, në Vlorë dhe në shumë qytete të tjera u formuan komisione për të mbledhur ndihma në favor të luftëtarëve. Në këto komisione shumica ishin gra, të cilat dhanë florinjtë e gushës, byzylykët, vathët dhe unazat për të ndihmuar vëllezërit e tyre që luftonin”. Po gratë nuk e ndihmuan luftën vetëm materialisht. Ato muarrën edhe vetë pjesë në luftë me pushkë në krahë. Zekine Krasta, kur pa se i biri i saj u nis për t’u bashkuar me shokët maleve, rrëmbeu pushkën dhe e ndoqi nga pas. Kurse Safe Musai, si përcolli për në Beun të kunatin, Selam Musanë, i tha se do të nisej edhe ajo, me shoqet e saj, sapo të siguronin armë. Dhe ashtu bëri. Ajo nuk qau, por diti të ligjërojë me këngë vaji si burrneshë, kur i kunati ra si i kishte hije trimit, në ballë të luftës. Edhe pse s’la fëmijë pas, Selam Musai la emër, lavdi e shembull për të tjerët. Iu kënduan këngë më shumë se çdokujt tjetër, sepse, si duket, ai i kishte buzët te kënga, ballin te lavdia, ndaj fluturon në vargjet e këngës, si në krahë të legjendës: “Lule, Selam Labi, Selam Salaria!”   

6. Shenja europianizimi dhe Epika Historike e Luftës Kombëtare të Vlorës për Europën

Nga cikli i EHLV, vërejmë se, në tetë njësi folklorike, këngëtari dhe luftëtari popullor i drejtohet Europës apo e përmend atë. Si i drejtohet  Europës? Përse e përmend kontinentin e vjetër? Po ndalojmë pak tek varianti i botuar në “Epika Historike, 3”: “Moj Vlor’ e bukur në gropë,/ Moj Vlor – o!/ Skel’ e parë në Evropë/ Moj Vlor – o” etj. Nuk ka dyshim që Vlora as ka qenë dhe as mund të jetë skela e parë e kontinentit europian, por është e drejta e folklorit të çelë shtigje që të vërshojë në këngë “parimi i zbukurimit, simbolizimi nga pozitat e bashkësisë”. Gjithashtu, është mision i folklorit të frymëzojë njerëzit, në rastin konkret, trupat kombëtare vullnetare të Njëzetës, sepse kënga epike ka karakter mobilizues, për të ngritur moralin e luftëtarëve në luftë. Po e konkretizojmë me një variant me pesë vargje, me tetërrokshin tradicional, me rimë të përputhur AA…, të regjistruar në Nivicë të Kurveleshit, 1952 nga folkloristi i njohur Qemal Haxhihasani: “Sa e bukur qënkej Kota,/ Më e bukur nga Evropa!/ Bytym mitrolos e topa! – Kush u hoth në Kot’ i pari?/ – Shaban Dorac kapetani,/ seç vate te xhenerali”. Një motërzim tjetër na vjen: “Obobo, se ç’qënkej Kota/ Më e bukur se Evropa!”… Në fakt, Kota ka qenë një qendër komune (sot njësi administrative), që, maksimumi, mund të quhet qytezë rurale, pa ndonjë gjë të re, të veçantë. Në tekstin poetik shquan prirja ndaj të bukurës, sublimes, lidhja e të bukurës me të dobishmen, dinamizmi estetik dhe parimi i zbukurimit por në këtë rast, hiberbolizimi rrok përmasa pacak; s’qenka gjë Europa përpara Kotës! Vërtet, që kënga labe, në rastin konkret, epika popullore labe nuk është armë, por për Njëzetën pati peshë specifike frymëzimtare të lartë sa për 10 pushkë, sepse ndikoi fuqishëm në moralin e forcave vullnetare të Çlirimit. Si sot, para 105 vjetësh, para një shekulli e kusur, më 3 shtator 1920, me krenarinë e motivuar të labit dhe me nderin e Çlirimtarit, luftëtari dhe rapsodi i shquar popullor Mato Hasani, me trimat e pushkës e këngës, hoqi vallen “Nuk e bëjmë kabull na/ të jemi për nën-ë botë”!

Ky është mesazh i madh dhe ne duhet ta kuptojmë dhe ta vlerësojmë, që 3 shtatori të shpallet festë kombëtare. Pse? Siç është 28 Nëntori festë kombëtare, sepse Plaku i Bardhë Ismail Qemali më 28 nëntor 1912 ngriti në Vlorë, pas 5 shekujsh robërie, flamurin krenar të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe shpalli Pavarësinë diplomatike të Shqipërisë, siç është po aq i rëndësishëm Kongresi i Lushnjës, (21, 28-31.01.1920) për vendimet që mori  për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbjen e shtetit shqiptar dhe sigurimin e pavarësisë së plotë të tij, është dhe Lufta Kombëtare e Vlorës (29.05.-03.09.1920), që u bë, u fitua nga çlirimtarët vendas dhe pati rëndësi kombëtare, sepse i dha pavarësinë konkrete Shqipërisë, pavarësinë e vërtetë dhe ndihmoi, frymëzoi e rriti besimin e luftëtarëve shqiptarë në Koplik dhe në Dibër, sikurse u zbuan pushtuesit italianë nga Saranda, Durrësi dhe Ulqini. 

Lavdi e nder atyre që bënë luftën e dhanë jetën për lirinë e kombit në 1920-ën! E kështu, liria nga brezi në brez përcjell mesazhin: Nderim për dëshmorët është një detyrim me përmasa shenjtërimi

Kumtesa e mbajtur në Akademinë historike në nderim të 105 – vjetorit të Luftës së Vlorës, organizuar në Kotë, 3 shtator 2025 nga bashkia Selenicë

Filed Under: Histori

“Ndikimi strategjik i pasurisë minerare dhe ujore në sigurinë kombëtare të Kosovës: Rasti i Trepçës dhe Ujmanit”

September 10, 2025 by s p

Prof.dr. Muhamet Racaj/

Veriu i Kosovës është një rajon me rëndësi historike dhe strategjike për shtetin dhe popullsinë e tij. Pasuritë natyrore, si miniera e Trepçës dhe liqeni i Ujmanit, janë burimet kryesore që mbështesin ekonominë, furnizimin me ujë dhe energji, si dhe sigurinë gjeopolitike të Kosovës. Miniera e Trepçës, me rezervat e mëdha minerale si plumbi, zinku, ari dhe mineralet e tjera të rralla, është motori i industrisë nëntokësore dhe furnizuesi kryesor i mineralit strategjik për vendin¹. Ujmani, nga ana tjetër, është rezervuari më i madh i ujit të pijshëm dhe burimi kryesor i energjisë hidroelektrike².
Megjithatë, menaxhimi i këtyre pasurive është i ndikuar nga tensionet politike, mungesat infrastrukturore dhe moskontrolli efektiv, duke rrezikuar furnizimin e qëndrueshëm me ujë e energji, dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Këto probleme kanë pasoja të mëdha për mirëqenien sociale veçanërisht në Veriun e Kosovës³⁻⁴.
Ky studim ka për qëllim të analizojë ndikimin dhe rëndësinë e minierës së Trepçës dhe liqenit Ujmani në zhvillimin ekonomik dhe sigurimin e burimeve jetike për Kosovën, si dhe të nxjerrë në pah sfidat dhe rekomandimet për menaxhimin e tyre efektiv.
Studimi përforcon analizën e menaxhimit të burimeve natyrore në rajonin me sfida gjeopolitike, duke e lidhur atë me zhvillimin ekonomik, stabilitetin social dhe politikën shtetërore. Ai kontribuon në kuptimin e mënyrës sesi pasuritë duhen inkorporuar në politikëbërjen dhe administrimin kombëtar⁵⁻⁶.

Miniera e Trepçës – Pasuri Minerale Strategjike

Miniera e Trepçës është një nga burimet më të mëdha minerare në Ballkan. Pasuritë minerale përfshijnë plumbin, zinkun, argjendin dhe arin, materialet kyçe për industrinë dhe eksportin⁷. Trepça ka një histori të gjatë që mban mbi një mijë vjet shfrytëzim, ndërsa në periudhën jugosllave dha një kontribut të jashtëzakonshëm në burimet ekonomike dhe punësimin e terit rajonit⁸.
Pas viteve të fundit të shekullit XX dhe fillimit të XXI, Trepça ka përjetuar periudha të vështira për shkak të mungesës së investimeve dhe menaxhimit të paqëndrueshëm, që sollën humbje të mëdha ekonomike⁹. Rifillimi i investimeve dhe menaxhimi transparent paraqesin mundësi për rikthim të fuqishëm të kësaj pasurie në zhvillim industrial dhe ekonomik, me ndikim pozitiv në punësimin dhe mirëqenien sociale⁹¹⁰.
Megjithatë, ndikimet mjedisore nga aktivitetet minerare kërkojnë masa të rrepta për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, për të minimizuar negativitetin e pasojave⁹¹¹.

Liqeni i Ujmanit – Rezervuari Kryesor për Ujin dhe Energjinë

Liqeni i Ujmanit është ndërtuar në lumin Ibër dhe shtrihet në pjesën veriperëndimore të Kosovës, duke ofruar mbi 70% të burimeve të ujit të pijshëm për vendin¹². Ai furnizon ndër të tjera edhe termocentralet Kosova A dhe B me ujë të freskët për ftohje, duke mbështetur kështu furnizimin me energji elektrike, bazë e sigurisë energjetike në Kosovë¹³. Menaxhimi i Ujmanit kërkon koordinim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar, pasi pjesë e tij shtrihet edhe në Serbi, ku mungesa e marrëveshjeve ndëministrative pengon bashkëpunimin e qëndrueshëm dhe mund të shkaktojë tensione politike¹⁴. Investimet në teknologji moderne, infrastrukura dhe sisteme monitorimi janë thelbësore për menaxhimin e qëndrueshëm të këtij burimi jetik, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë, si dhe në ekonomi¹⁵.

Rëndësia Strategjike dhe Siguria Kombëtare

Në kuadër të sigurisë kombëtare, kontrolli dhe menaxhimi i Trepçës dhe Ujmanit janë elementë kryesorë për stabilitetin ekonomik dhe politik të Kosovës. Këto pasuri janë jo vetëm baza ekonomike, por edhe mjete politike në marrëdhëniet dhe dialogun Kosovë-Serbi¹⁶. Mosmarrëveshjet mbi pronësinë dhe kontrollin e këtyre burimeve kanë rrezikuar stabilitetin rajonal dhe besimin e ndërsjellë.
Përmes menaxhimit transparent, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, dhe zhvillimit të infrastrukturës, Kosovës i jepet mundësia të forcojë sovranitetin dhe të sigurojë burimet për një zhvillim të qëndrueshëm⁵.

Përfundimi dhe Rekomandimet

Trepça dhe Ujmani janë shtylla themelore të sigurisë shtetërore dhe kombëtare të Kosovës. Investimi dhe menaxhimi efektiv i këtyre pasurive janë të domosdoshme për zhvillimin ekonomiko-social dhe stabilitetin politik. Është e nevojshme të krijohen mekanizma ligjorë, institucione të forta dhe bashkëpunim ndërkombëtar për të siguruar përdorim të drejtë, mbrojtje të mjedisit dhe përfitime afatgjata për popullsinë dhe shtetin.

Literatura:

1. Raport për Gjendjen e Ujërave në Kosovë, AMMK, 2020
2. Wikipedia, Miniera e Trepçës, 2005
3. Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031
4. Raporte dhe studime për menaxhimin e Ujmanit dhe Trepçës
5. Analiza e ndikimit ekonomik të minierës Trepçës, UBT Knowledge Center, 2024
6. Historia dhe ndikimet mjedisore të Trepçës, studime të ndryshme
7. Dokumente strategjike për menaxhimin e burimeve ujore dhe energjetike
8. Raportet mbi dialogun Kosovë-Serbi dhe menaxhimin e pasurive strategjike

Filed Under: Ekonomi

NËNË TEREZA – SHENJTORJA SHQIPTARE QË BASHKOI BOTËN NË DASHURI

September 10, 2025 by s p

Screenshot

Gjon F. Ivezaj/

Nënë Tereza është një nga figurat më madhështore të shekullit XX dhe njëkohësisht krenaria më e madhe e kombit shqiptar. E lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, në familjen shqiptare Bojaxhiu, ajo erdhi në jetë si Gonxhe Anjezë. Babai i saj, Kolë Bojaxhiu, ishte një atdhetar i njohur dhe veprimtar i çështjes kombëtare, ndërsa e ëma, Drane Bojaxhiu, ia mëkoi që në fëmijëri ndjenjën e mëshirës, të bujarisë dhe të dashurisë për të varfrit. Në arkivat e Kishës Katolike të Shkupit, si edhe në kujtimet e motrave françeskane, ruhet dëshmia se Gonxhja, që në moshë të vogël, e kishte zemrën e përulur dhe shpirti i saj ndizej nga thirrja e Hyjit. Shkollimin fillor e mori në qytetin e lindjes, ku mësoi gjuhët dhe lëndët themelore, ndërsa në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, pas një thirrjeje të brendshme shpirtërore, la vendlindjen dhe shkoi në Irlandë.

Në Irlandë iu bashkua Urdhrit të Motrave të Loretos, ku studioi dhe përfundoi formimin e saj pedagogjik dhe shpirtëror. Në arkivat e Urdhrit të Loretos ruhen dokumentet e pranimit të saj dhe momenti kur mori emrin fetar “Tereza”, në nder të Shën Terezës së Lisieux-it, mbrojtëses së misionarëve. Pas një viti formimi në Irlandë, ajo u nis për në Indi, ku u vendos në Kalkutë. Në dokumentet indiane dhe arkivat e Vatikanit gjenden dëshmi për shërbimin e saj si mësuese në shkollën e vajzave të Loretos, ku nxënësit kujtojnë butësinë, përkushtimin dhe dashurinë e saj të pafund.

Në vitin 1946, gjatë një udhëtimi me tren drejt Darjeeling-ut, ajo përjetoi një thirrje të veçantë, të cilën e quajti “thirrja brenda thirrjes”: zëri i Krishtit që i kërkonte të linte gjithçka për t’u shërbyer më të varfërve e më të braktisurve. Me lejen e Selisë së Shenjtë, ajo doli nga manastiri dhe nisi punën në lagjet më të varfra të Kalkutës, duke u kujdesur për ata që nuk kishin asnjë strehë, për të sëmurët, për jetimët, për ata që vdisnin të braktisur në rrugë. Ky akt shënoi fillimin e një misioni që do ta trondiste ndërgjegjen e botës.

Në vitin 1950, Vatikani miratoi zyrtarisht themelimin e Kongregatës së Misionareve të Bamirësisë, e cila nën udhëheqjen e Nënë Terezës u përhap me shpejtësi në të gjitha kontinentet. Në arkivat e Vatikanit dhe në dokumentet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ruhen dëshmi për veprimtarinë e kësaj kongregate, që ndërtoi qindra shkolla, spitale, jetimore dhe qendra ndihme në mbi 130 vende të botës. Ajo bashkoi në këtë mision organizata ndërkombëtare, shoqata humanitare dhe kisha pa dallim feje apo kombësie, duke bërë që bota të shihte tek ajo jo vetëm një murgeshë, por një nënë universale.

Presidentët e Shteteve të Bashkuara e nderuan me respekt të jashtëzakonshëm. Arkivat e Shtëpisë së Bardhë ruajnë fjalët e Presidentit Ronald Reagan, i cili më 1985 e dekoroi me Medaljen Presidenciale të Lirisë, duke thënë se “Nënë Tereza është forca më e madhe e dashurisë që njeh bota jonë.” Presidenti Bill Clinton e cilësoi “shpirtin që bashkoi fenë, kombin dhe njerëzimin në një ideal të vetëm: dashurinë”. Ndërsa Presidenti Barack Obama e quajti “një dritë të përjetshme të dhembshurisë dhe një frymëzim për brezat e ardhshëm”.

Nënë Tereza u nderua me qindra çmime ndërkombëtare, ndër to edhe Çmimi Nobel për Paqen më 1979. Arkivat e Komitetit Nobel në Oslo ruajnë fjalën e saj historike, ku ajo refuzoi banketin e madh tradicional dhe kërkoi që shuma të përdorej për të ushqyer të varfërit e Kalkutës. Ajo tha: “Dashuria fillon në shtëpi. Nuk ka rëndësi sa bëjmë, por sa dashuri vendosim në atë që bëjmë.” Fjnalë që tronditën dhe frymëzuan botën.

Gazetat dhe mediat më të mëdha botërore, si The New York Times, The Washington Post, The Times of India, Le Monde dhe Corriere della Sera i kushtuan faqe të tëra jetës dhe veprës së saj, duke e quajtur “shenjtoren e gjallë”, “zërin e të varfërve” dhe “ndërgjegjen e shekullit”. Në arkivat e Kombeve të Bashkuara ruhen procesverbalet e Asamblesë së Përgjithshme, ku ajo mbajti një nga fjalimet më prekëse mbi varfërinë dhe paqen, duke u bërë një zë i fuqishëm për ata që nuk kishin zë.

Bashkëpunimi i saj me papët e Romës ishte i thellë dhe i frytshëm. Papa Pali VI e përkrahu në fillimet e saj, Papa Gjon Pali II e quajti “shenjtore e gjallë” dhe e përqafoi me dashuri si bijën më të devotshme të Kishës. Papa Benedikti XVI e nderoi për kontributin e saj në dialogun ndërfetar, ndërsa Papa Françesku më 4 shtator 2016 e shpalli Shenjtore në një ceremoni madhështore në Sheshin e Shën Pjetrit, duke thënë: “Nënë Tereza e jetoi në mënyrë heroike dashurinë dhe mëshirën e Krishtit. Ajo është drita e botës.”

Arkivat e Vatikanit, të Indisë, të Norvegjisë, të Kombeve të Bashkuara, si dhe të shumë shteteve të tjera, ruajnë ligjëratat, letrat, fjalimet dhe dëshmitë e saj. Ato mbeten një thesar për brezat që vijnë, dëshmi e një jete të përulur, por me ndikim të pakrahasueshëm.

Nënë Tereza ishte shqiptare nga gjaku, indiane nga shërbimi, dhe mbi të gjitha, bijë e botës. Ajo bashkoi presidentë e ambasadorë, liderë botërorë e organizata ndërkombëtare në një mision të vetëm: ndihmën për më të varfërit. Ishte ura që lidhi kishat dhe kombet, pa dallim feje apo gjuhe, në frymën e dashurisë së krishterë.

Në historinë e kombit shqiptar, ajo qëndron krah për krah me figurat më të mëdha: Shën Jeronimi, përkthyesi i Biblës; Gjergj Kastrioti, mbrojtësi i in krishtërimit; At Gjergj Fishta, poeti kombëtar; dhe Nënë Tereza, shenjtorja e dhembshurisë. Një popull i vogël, por me shpirt të madh, i dhuroi botës personalitete që ndriçojnë historinë e njerëzimit.

Nënë Tereza mbetet përjetësisht “Nëna e Botës”, “Shenjtorja e Kalkutës”, dhe mbi të gjitha “Krenaria e Shqipërisë”. Në të shihet dëshmia se dashuria dhe mëshira janë më të forta se çdo forcë tjetër në botë, dhe se një grua e vogël shqiptare mund të bëhet simboli i shpresës për mbarë njerëzimin.

Filed Under: Komunitet

Jetë frymëzuese…

September 10, 2025 by s p

Nga Raimonda MOISIU-SADE/

Më kujtohet një thënie e shkrimtares Isabela Aljende: “Çdo histori më intereson shumë; disa prej tyre më ndjekin pas derisa t’i hedh në letër. Në të vërtet, GAZETARIA për mua, të cilën unë e kam shumë për zemër, është portretizimi apo përshkrimi i realitetit, është etja ime për të promovuar vlera e figura kombëtare, historike, social-kulturore, përmes çfarëdo fakti ose njohurie, nëpërmjet artikujve, reportazheve, profileve, opinioneve, analizave, esse, intervista, etj, sigurisht brenda rubrikave të gazetarisë.

Kjo është një nga arësyet që më bëri mua të hyj në dialogun intervistues me figura publike të profileve të ndryshme, që kanë dominuar shoqërinë shqiptare në të kaluarën dhe të sotmen: me akademikë, shkrimtarë, poetë, pedagogë, mjekë, futbollistë, sportistë të ndryshëm, aktorë, këngëtarë, njerëz të thjeshtë, studentë, inxhinierë, agronomë, ushtarakë, që ka kombi ynë të cilët jetojnë dhe veprojnë kudo në trojet shqiptare, Shqipëri & Kosovë, në diasporë e kudo në botë. Në këto dy koleksione madhështore me 140 INTERVISTA, që janë sfida ime e rradhës e projekteve të mija botuese, ato vijnë për të treguar përvojat, eksperiencat dhe historitë e një brezi të artë që i kanë dhënë dhe ende vazhdojnë të japin shpirtin në fjalë e vepra, vrullin e talentin, nderishmërinë e dinjitetin, historitë e një brezi që është i bashkuar jo vetëm nga një qëllim i përbashkët, por edhe për vlerat e tyre të përbashkëta; detyra, përkushtimi, nderimi, mëncuria, dituria, guximi, dashuria për familjen dhe atdheun mbi të gjitha, përgjegjësia për veten, familjen, shoqërinë shqiptare, dhe kombin, që kishin dhe kanë rëndësi për historinë.

Unë besoj se ishte dhe është brezi më madhështor, ajka e inteligjencës e qytetarisë shqiptare, që ka prodhuar ndonjëherë një shoqëri, sepse ata i dhanë dhe i japin botës; shkencë, letërsi, art, kulturë, gdhendin diturinë e përvojat me një forcë njerëzore dhe shpirtërore të pakrahasueshme në kurbën e gjatë të historisë. Ndërsa disa prej tyre janë ndarë nga jeta, ndërsa disa të tjerë janë të rinj me visione ëndrra e aspirata të reja, disa të tjerë janë në muzgun e jetës aventurore dhe produktive, porse ata mbeten, në pjesën më të madhe të jetës, jashtëzakonisht modestë dhe të denjë, ata që mes dinjitetit kanë identitet. Ata kanë rrëfyer aq shumë histori, dituri e përvoja jetësore, që në shumë raste nuk i kanë treguar kurrë më parë. Në këtë libër do të takoni njerëz që e ndryshuan dhe vazhdojnë ta ndryshojnë shoqërinë tonë, si rezultat i vizionit të tyre për të ardhmen.

Shpresoj që botimi i këtyre DY KOLEKSIONEVE me 140 INTERVISTA do të jetë një TRIBUT dhe HOMAZH, për ata kolegë, shkrimtarë, dhe poetë, që janë ndarë parakohe nga jeta, porse drita e veprave, vlerave dhe trashëgimia e tyre në letrat shqipe është mbresëlënëse dhe historike, që rritin një popull dhe një komb madhështor. Kam pasur dëshirë e përkushtim të intervistoj edhe figura të tjera të shquara të botës shqiptare, porse nuk kam mundur dhe ky është edhe “pengu im”, porse vetë të intervistuarit e mij, i kanë përmendur me superlativa në intervista e tyre, kështu që ata janë në rreshtat e faqet e shumta të këtyre dy librave voluminozë që do të botohen.

Dhe në përfundim dëshiroj të përcjell një mesazh falenderimi, respekti dhe mirënjohje për të gjithë të përzgjedhurit e intervistave, që me fjalën e tyre të shkruar, mendimin filozofik, intelektual e qytetar lartësojnë ndërgjegjen dhe kulturën e kombit tonë, dhe integrojnë trashëgiminë kulturore në forma e përmbajtje të ndryshme. Ju falënderoj me shpirt e zemër, për besimin dhe seriozitetin që patët nda meje, që ju përgjigjët me përkushtim e dinjitet, ftesës time për t’u intervistuar, për të thënë fjalën tuaj.

Respekt & Mirënjohje

Raimonda MOISIU-SADE

Jacksonville, Florida USA

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 174
  • 175
  • 176
  • 177
  • 178
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT