• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Kështjella e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Kepin e Rodonit: Historia dhe arkitektura”

September 10, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Kepi i Rodonit është kepi më i madh në Shqipëri, ndodhet midis Gjirit të Drinit në veri e atij të Lalzit në jug dhe përbëhet kryesisht nga kodra argjilore, që shtrihen në të gjithë gjatësinë e tij, të cilat janë të mbuluara me pyje të vegjël dhe vegjetacion karakteristik të makies mesdhetare. Pjesa fundore ose ekstremi veriperëndimor i Kepit të Rodonit, me gjatësi prej 400 m dhe gjerësi rreth 100 m [1], është e lidhur me pjesën tjetër përmes një rripi të ngushtë toke rreth 80 m dhe është pikërisht ky shirit që lidh dy kodra fqinje, i cili të ofron mundësinë për ta zgjedhur atë si një vend shumë të përshtatshëm për ndërtimin e një kështjelle [2]. Në Mesjetë, ky kep përmendet me disa emërtime, që sillen rreth trajtës “Kepi i Redonit”, si: “Aradon”, “Ponta de Rodoni”, “Radonos [3]”, “Bodonj [4]”, “Cap Redondo [5]”, “Capo de Ragona” apo “Capo de Raduna [6]” dhe ndërsa nga banorët vendas fortifikimi njihej si “Kalaja e Muzhlit të Skënderbeut”, sipas emrit të fshatit që ndodhej aty pranë [7].

Etimologjjia e emrit të këtij kepi ka një vertikale shumë të thellë historike, që shkon deri në Antikitetin Klasik dhe lidhet pikërisht me Përëndinë ilire të detit, Redonin, i cili mendohet se ka qenë edhe Perëndia kryesore zyrtare e Shtetit Ilir. Dh.Frangu e përmend kështjellën në Kepin e Rodonit me emrin “Chiuril [8]”; M.Barleti me emrin “Chiurilum [9]”; në burimet dokumentare veneciane të fillim shek. XVI përmendet si “Caurili [10]”; J.Lavardin [11], J.N.Duponcet [12] dhe G.Biemmi [13], e shkruajnë “Chiuril”; R.Knolles e quan “Chivrili [14]”; te C.Paganel e ndeshim në trajtën “Tschorli [15]”; te Th.Lavallée “Tchorli [16]” dhe ndërsa historianët turq e përmendin këtë bazë të rëndësishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut si “Kështjella e Çorllusë [17].” Emri mesjetar i këtij fortifikimi, për ndonjë studiues ka shërbyer edhe si burim gabimesh gjeografike, sepse në ditët e sotme me këtë emër, “Currila”, quhet lokaliteti bregdetar në perëndim të qytetit të Durrësit. Në fakt, “Currilat e Durrësit” dhe “Chiuril/Chiurilum në Kepin e Rodonit”, pavarësisht se janë pjesë integrale të Bashkisë së Durrësit, ata ndodhen rreth 50 km larg njëri-tjetrit në rrugë tokësore dhe 29.6 km në vijë ajrore.

Konsulli austro-hungarez në Shkodër, Theodor Ippen, që e ka vizituar kështjellën në vitin 1900, shënon se emri “Kiurilus”, “Kiuril”, “Kojril” ose “Kuril” i kësaj kështjelle në Kepin e Rodonit, në gjuhën shqipe lidhet me emrin e zogut “Kojrillë [18]”, që është një shpend i madh shtegtar si lejleku, me ngjyrë të përhimë e me sqep të shkurtër. Ndërsa në vitin 1952, arkeologu Hasan Ceka ka shprehur mendimin se emri “Chiurilum”, që na jep M.Barleti për këtë qytet të ri (fortesë) në Kepin e Rodonit, të ndërtuar nga Skënderbeu, është shqip: “Currile = burime [19].” Në kuadër të analizës gjuhësore dhe historiko-topografike, hipoteza e H.Cekës (Chiurilum/Currile = burime) mund të vlerësohet si më e qëndrueshme, ndërsa ajo e Th.Ippen (Kiurilus/Kiuril/Kojril/Kuril = Kojrillë), mbetet një variant më tepër me vlerë folkloriko-etnografike, pra një shpjegim mbi bazë të kujtesës gojore dhe lidhjeve gjuhësore lokale. Fragmentet e qeramikës antike, të cilat janë zbuluar në afërsi dhe kërkimet nënujore të kryera pranë kështjellës, dëshmojnë praninë e një vendbanimi ilir [20].

Duke nisur nga viti 1335, siç e vënë në dukje burimet raguzane, rezulton se Topiajt e kishin kthyer “Shën Nastasinë e Rodonit (Sancta Nastasia deli Aradon)” në një qendër piraterie [21]. Ndërtimet e para në Kepin e Rodonit e kanë zanafillën e tyre që në shek. XIV, kur princi Karl Topia (1331-1388) nisi të ndërtojë mbi këtë truall disa struktura prej guri dhe druri, me qëllim për ta përdoruar atë si skelë detare [22]. Në vazhdim të shek. XIV dhe gjatë shek. XV në afërsi të vendit ku më vonë do të ndërtohej kështjella ndodheshin tre manastire dhe disa shtëpi të rralla, që dëshmonin për fillesat e një vendbanimi [23]. Mjerisht, nga këta objekte të kultit të krishterë ka arritur deri në ditët tona vetëm Kisha Katolike e Shna Ndout [24], rreth 1 km para se të shkosh në kep, dhe ashtu si kështjellën edhe këtë objekt, tradita i lidh me emrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, pasi thuhet se manastirin nga i cili ka mbetur vetëm kisha, e ka ndërtuar motra e tij, Mamica [25]. Kjo e fundit e ndërtoi për murgeshat e Shën Kiarës dhe kisha përfaqëson një ndër Kuvendet më të vjetra Françeskane në Shqipëri, që ju dha misionit në vitin 1599 dhe që njihej me emrin e Shën Marisë, por që në të kremtohet festa e Shën Antonit ose Shna Ndout [26].

Në gjysmën e dytë të shek. XIV dhe gjatë gjysmës së parë rë shek. XV, Kepi i Rodonit shërbente si një port i vogël për tregtimin e drithit, që vinte nga Ishmi, por fortifikimi u ndërtua vetëm në periudhën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut [27]. Në vitet 1451-1452, menjëherë pas përfundimit të kështjellës së Modricës, ai filloi ndërtimin e një fortifikimi të mirëfilltë, që do të bëhej njëra nga kështjellat e tij më të rëndësishme. Predrag R. Petrović, nënvizon faktin se shkathtësia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në zgjedhjen e pozicionit strategjik të kështjellës me portin dhe pozicionin e paarritshëm konfigurativ të fortifikimit mund të shihet edhe sot, pikërisht në kështjellën e tij “Kjuril (Кјурил)” në Rodon [28].” Skaji veriperëndimor i Kepit të Rodonit, i cili shtyhet thellë në det, u veçua nga pjesa tjetër e tokës prej një muri tërthor me gjatësi 100 m, i cili përfundonte në të dyja skajet me nga një kullë të rrumbullakët, të vendosur në bregun e detit Adriatik [29]. Në këtë mënyrë, me fare pak ndërtime, është bërë e mundur që kepi të kthehet në një vend mjaft të fortifikuar [30].

Hyrja e kësaj kështjelle, e cila, sipas Gj.Karaiskaj, bën pjesë në ndërtimet “ex nuovo” të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut [31], pas Rrethimit të parë të Krujës (1450), formohet nga një mur i harkuar, i pajisur me frëngji topash, që shkon paralel me konturin e një kulle të brendshme rrethore [32], ku trashësia e mureve arrin nga 3 m deri më 6.30 m [33]. Pra, ngjitur me hyrjen e kështjellës, në anën veriore, në bregun që sheh nga Gjiri i Drinit, ndodhet një bastion në formë rrethore, i cili shtrihet paralel me bregun e detit [34]. Ky bastion është i lartë rreth 10-12 m [35] dhe rrethohet nga një mur i ulët, i cili formon një kalim të mbrojtur midis bastionit dhe murit [36]. Ky mur tjetër rrethues, i cili përsërit konfiguracionin e bastionit, ka krijuar një korridor të ngushtë kalimi me gjerësi prej 4.80 m [37]. Nga ky mur del përpara me kënd të drejtë një mur tjetër, i cili arrin deri në det, duke bllokuar kalimin përgjatë bregut [38].

Nga ana e majtë, bastioni lidhet me një mur tjetër, i cili në fillim del përpara pingul me drejtimin e përgjithshëm të kështjellës, pastaj kthehet 90° e ngjitet lart kodrës në drejtim të bregut tjetër dhe pasi vazhdon rreth 12 m në këtë drejtim, ndërpritet në faqen e kodrës [39]. Kjo pjesë e murit, e cila ngjitet përpjetë kodrës, shkon në drejtim të jugperëndimit [40] dhe zbret në det nga ana tjetër e saj [41]. Nga ky mur sot ruhen vetëm gjurmë të shkëputura [42], sepse mbi kodër dhe në anën jugore të kepit muret janë rrënuar deri në themel dhe vetëm anës detit mund të shihen blloqe të veçuara murature [43]. Rreth 180 m distancë nga kështjella, në brendësi të Kepit të Rodonit, në bregun verior, ruhen gjurmët e një ndërtimi tjetër, i cili është i njëkohshëm me ndërtimin e kështjellës [44]. Ky ndërtim i përket një kulle të veçuar drejtkëndëshe, që shërbente si kullë sinjalizimi, e cila është ndërtuar në të vetmin vend nga ku mund të shihet qyteti i Krujës [45].

Distanca në vijë ajrore midis saj dhe kështjellës së Krujës është 30.2 km dhe ndërsa me kështjellat e tjera më të afërta që mund të shihen me sy të lirë, si: Sebastja mbi Laç të Kurbinit, ajo e Lezhës dhe ajo e Ulqinit, distanca është respektivisht: 23.7 km, 27.5 km dhe 42.5 km. Kjo kullë me bazament të veçantë, me përmasa 6 x 6 m, shërbente për të mundësuar komunikimin me Krujën me sinjale tymi ose zjarri, që ishte mënyra më e përhapur gjatë periudhës së Mesjetës [46]. Aktualisht ky objekt ndodhet brenda në det dhe rreth 30 m larg bregut. Nga rilevimi i fundit i kryer më datë 07.09.2025, rezulton se objekti në fjalë ruan aktualisht një segment muri me tipare faleze, me përmasa rreth 3.4 m lartësi dhe 4.4 m gjerësi. Kjo tregon se, pavarësisht degradimit dhe humbjeve strukturore me kalimin e kohës, një pjesë e konsiderueshme e muraturës origjinale ende është e lexueshme në terren, duke ofruar të dhëna të rëndësishme për interpretimin arkitektonik dhe funksional të objektit.

Po ashtu, një pjesë e blloqeve masive të bazamentit, të cilat ndodhen kryesisht të zhytura nën nivelin e detit, janë ende të dallueshme, duke dëshmuar përmasat e mëdha të strukturës origjinale dhe teknikën e ndërtimit të përdorur. Nje tjetër kullë drejtkëndëshe, prej të cilës është ruajtur vetëm njëri nga këndet, ngrihej mbi kurrizin e kodrës dhe prej saj mund të vrojtohej nga të dy anët e bregut [47]. Midis mureve të kështjellës, që ndodhen në pjesën juglindore të saj dhe terrenit, ndodhet edhe hendeku i fortifikimit. Ky hendek kontrollohej nga një frëngji topi anësore, e vendosur pranë hyrjes dhe kullat anësore për artileri, që përfundonin në breg të detit në të dy skajet e murit mbrojtës, ishin me mure shumë të gjera, shumë të ulëta (jo më shumë se 4 m të larta) dhe furnizoheshin nga shkallë të jashtme, për të mos dobësuar muret dhe qemerët [48]. Pra, në këtë mënyrë, e gjithë pjesa fundore e Kepit të Rodonit, me rreth 400 m gjatësi dhe rreth 100 m gjerësi, u shndërrua në një vend mjaft të fortifikuar dhe të garantuar nga çdo sulm nga terreni (ana e tokës), por gjithashtu duke ofruar mundësinë e dhënies së ndihmës dhe komunikimit të lirë nëpërmjet detit nga tre anët e tjera [49].

Menjëherë pas ndërtimit të Kështjellës së Rodonit dhe zgjerimit të kantierit detar pranë saj në vitet 1451-1452, filloi të ndjehej edhe fuqia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në detin Adriatik, çka nënkupton ekzistencën e një “Flote luftarake arbëre”, qoftë edhe në fillimet e saj [50]. Punimet për ndërtimin e Kështjellës së Rodonit vijuan edhe gjatë vitit 1456 dhe procesi u zhvillua nën mbikëqyrjen dhe kujdesin personal të Kryeheroit [51]. Nga biografët e tij klasikë mësojmë se më 1456, Kryeheroi së bashku me të shoqen, Donikën, e ka kaluar gjysmën e dytë të stinës së verës dhe një pjesë të madhe të vjeshtës pikërisht në Kështjellën e Kepit të Rodonit, ku krahas monitorimit të punimeve, ai e kaloi kohën duke u marrë “me gjueti dhe me dëfrime të tjera të këtij lloji [52].” Ky episod nuk duhet parë vetëm si një detaj biografik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por si një gur themeli në kuptimin e fillimeve të konceptit të pushimit bregdetar në Shqipëri, duke e shndërruar atë në një element me vlerë të dyfishtë: historike dhe turistiko-kulturore. Qëndrimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe bashkëshortes së tij Donikës në Kështjellën e Kepit të Rodonit gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1456 përfaqëson një dëshmi të hershme të përdorimit të bregdetit shqiptar jo vetëm për qëllime strategjike e ushtarake, por edhe për veprimtari rekreative, si gjuetia dhe dëfrimet.

Ky fakt historik dokumenton ndërthurjen e dimensioneve praktike me ato çlodhëse e kulturore, duke dëshmuar se ideja e pushimit bregdetar në hapësirën shqiptare ka një vertikale të thellë historike. Në këtë perspektivë, ai shënon një pikënisje të rëndësishme për studimet mbi historikun e turizmit dhe të përdorimit shoqëror të hapësirave bregdetare. Nga ana tjetër, rezulton se 30.000 dukatët e fituar me tradhti nga nipi i tij (djali i Jellës), Gjergj Stres Balsha, më 18 tetor 1456, kur ai u dorëzoi turqve kështjellën e Modricës, por që më pas u zbulua dhe u dënua, u përdorën nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu për të financuar punimet e mëtejshme përforcuese në kështjellën e Rodonit [53]. Punimet për ndërtimin e Kështjellës së Rodonit vijuan gjatë gjithë dimrit të viteve 1456-1457.

Mirëpo, në verën e vitit 1457, ajo shkatërrohet për herë të parë nga turqit osmanë dhe kjo mësohet nga një burim venecian i datës 18 nëntor 1457, ku thuhet se komandanti osman, Sebalia, mundi të mburrej para Senatit Venecian se i ka bërë një shërbim të vyer Republikës Veneciane, duke shkatërruar dy qytete bregdetare të ndërtuara nga Skënderbeu (le quale haveva fato Scandarbego), që ndodheshin në veri dhe në jug të Durrësit, njërin vitin e kaluar dhe tjetrin këtë vit, “ku njëri prej tyre quhej Kepi i Rodonit [et una d’esse se chiamava capo de Ragona) [54]” Megjithatë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk hoqi kurrë dorë nga përpjekjet për ta mbajtjur dhe rindërtuar këtë kështjellë [55]. Punime plotësuese u realizuan në fund të vitit 1463 dhe në fillim të vitit 1464, kur ai solli disa mjeshtra ndërtimi nga Republika e Raguzës [56]. Kontrata 2 mujore midis tij dhe sipërmarrësve raguzanë u nënshkrua më 23 dhjetor 1463 [57]. Në lidhje me ndërtimin e kështjellës në Kepin e Rodonit nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kronisti bizantin, Laonikos Halkokondili, shkruan se: “Skënderi ndërtoi afër Epidamnit (Durrësit), në bregun e Adriatikut, një kështjellë. Ky vend është një gadishull dhe një istëm i shkurtër rreth tre stade.

Këtë vend e rrethoi me mure dhe vendosi atje jo pak arbër. Dhe e forcoi qytetin në mënyrë që të mbrohej, në qoftë se ky vend do të rrethohej rishtas nga ushtria e sulltanit. Dhe në qoftë se nuk do të rezistonte, të hynte në det dhe të largohej atje ku do të ishte e mundur të shkonte [58].” Më 9 shkurt 1465, rezulton se në Raguzë u pajtuan sërish muratorë për të punuar në Kështjellën e Kepit të Rodonit [59]. Materialet e përdorura për ndërtimin e kështjellës janë guri dhe tulla, muratura është e ndërtuar me një teknikë të lartë, kryesisht prej guri shtuf të skalitur me rreshta të rregullt e me shtresë të hollë llaçi gëlqeror, por pjesa e poshtme e pirgut (bastionit) është ndërtuar sipas teknikës së kombinuar gur e tulla, e cila është mjaft e ngjashme me teknikën e përzier bizantine, “cloisonnage”, që gjendet e aplikuar gjerësisht në vendin tonë, sidomos në kishat e ndërtuara gjatë shek. XIII-XIV [60]. Ky ndërtim, sipas vlerësimit të Th.Ippen, të çon në përfundimin se qëllimi i fortifikimit ka qenë krijimi i një vendstrehimi të mbrojtur prej të cilit mund të mbaheshin pa pengesë lidhje me anijet që zbarkonin atje, si për ata që vinin këtu të kërcënuara nga armiku në det, por edhe të sigurohej zbarkimi i trupave ndihmëse, materialit të luftës, municioneve ose ushqimeve nga ana e detit [61]. Kurse, G.Valentini shkruan se arsyeja e ndërtimit të kështjellës së Currilit (Qurril) në këtë vend lidhet me faktin se Kepi i Rodonit, për Skënderbeun, ishte jo më pak i dobishëm se malet e larta, kur ai qëndronte jashtë Krujës për të sulmuar rrethuesit dhe pikërisht këtu, kur ishte i kërcënuar me tradhti, ai gjeti sigurinë dhe qetësinë e plotë [62].

Në pranverën e vitit 1466, pak kohë më përpara se të fillonte Rrethimi i Dytë i Krujës, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u vendos në kështjellën e Rodonit dhe nga aty u nisën 12 anije me refugjatë arbër, ku bënin pjesë edhe familja e tij, princesha Donika së bashku me princin Gjoni II Kastrioti [63]. Anijet lundruan në drejtim të Italisë së Jugut dhe ekuipazhi zbarkoi në Puglia, ku më pas, Donika dhe Gjoni, u vendosën në pronat e tij familjare, më konkretisht në kështjellën e qytetit Monte Sant’Angelo, dhuruar nga mbreti i Napolit, Ferdinandi i Aragonës, e cila ndodhet në Gargano (Puglia, Italia). Vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu qëndroi në Kepin e Rodonit të paktën deri më 19 maj 1466 [64], për t’u rikthyer shumë shpesh këtu në mënyrë periodike. Gjatë gjithë fushatës së madhe sulltanore të vitit 1466 dhe në fillim të fushatës së vitit parardhës, 1467, ai e përdori Kështjellën e Kepit të Rodonit si një ndër bazat e tij ushtarake kryesore për të organizuar sulme kundër kampit qëndror të sulltan Mehmetit II Fatih.

Nën Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, kjo kështjellë ka patur jetë deri në vitin 1467, kur u shkatërrua me urdhër të posaçëm të sulltan Mehmetit II Fatih, ndërsa ishte ende e papëfunduar [65]. Ndërsa, më 3 gusht të vitit 1467, një nip renegat i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, djali i së motrës, që u la në vend nga sulltan Mehmeti II Fatih, me një ushtri prej 1.300 kalorësish të zgjedhur, si masë sigurie gjatë procesit të tërheqjes së tij drejt Stambollit dhe që u vendos në Kepin e Rodonit, u sulmua gjatë natës prej anijeve veneciane nga deti dhe prej Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga toka dhe më pas iu pre koka nga ky i fundit në anijen e admiralit të flotës veneciane [66]. Përsa i përket këtij nipi tradhtar, mendohet se ai ishte njëri nga katër djemtë e Mamica Kastriotit [67], por nuk dihet me siguri nëse bëhet fjalë për djalin e madh, Reposh Topia, që ishte martuar me princeshën bizantine, Irena Rallaina, në vitin 1464, apo për ndonjërin prej tre bijve të tjerë [68]…! Siç u përmend më sipër, kjo kështjellë ka qenë në funksion gjatë epokës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut deri në vitin 1467, kur u shkatërrua me urdhër të posaçëm të Mehmetit II Fatih dhe Kryeheroi nuk pati më kohë të mjaftueshme për ta rindërtuar. Vetëm pas 33 vitesh, për Kështjellën e Rodonit u interesuan venecianët, sepse në fillim të vitit 1500, në një kohë kur ata po vijonin të humbisnin zotërimet e tyre në bregdetin arbër, Senati Venecian mori vendimin për të dërguar në Arbëri proveditorin, Andrea Mikjeli, që iu ngarkua detyra për rindërtimin e këshjellës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Kepin e Rodonit dhe bashkë me të si teknik e përgjegjës i punimeve u dërgua Marin de Greci [69].

P.Thomo, duke u bazuar te disa fragmente të ditarëve të M.Sanudos, që i ka marrë nga studimi i I.Zamputit dhe te teknika e ndërtimit të mureve të kështjellës thotë se mund të përcaktojmë qartë dy faza ndërtimi dhe ka dalë në përfundimin se venecianët kanë ndërtuar pjesën e sipërme të pirgut (bastionit), murin rrethues të jashtëm, murin në të djathtë të pirgut dhe frengjitë, duke mos ndryshuar konfiguracionin e përgjithshëm të kështjellës [70]. Mirëpo Gj.Karaiskaj nuk ndan të njëjtin mendim, sepse nga një shqyrtim i kujdesshëm i burimeve veneciane të viteve 1500-1501, sipas tij rezulton qartë, ndryshe nga mendimi i P.Thomos, se kontributi i venecianëve për rindërtimin e kësaj kështjelle ka qenë i kufizuar, sepse ai vëren se pothuajse të gjitha mbetjet ekzistuese i përkasin Epokës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut [71].

Riparimet veneciane u kufizuan në pastrimin dhe thellimin e hendekut, në ndërtimin e një rivelini, riparimin e murit, që shkon nga hyrja në drejtim të jugperëndimit dhe në vendosjen e kordonit [72].P@ër fat të keq, pas pushtimit të plotë të bregdetit shqiptar nga Perandoria Osmane dhe pas ndërtimit të kështjellës së Ishmit nga sulltan Selimi II Sānī (1524-1574) në vitet 1573-1574, mbaron edhe interesimi i venecianëve për Kështjellën e Rodonit, e cila braktiset përfundimisht. Ky ndërtim fortifikues, Th.Ippen i kujtonte fort një kështjellë që Kalorësit Templarë mbanin në brigjet e Palestinës, në jug të malit Karmel, pranë Atlit, rrënojat e së cilës ngrihen edhe sot përmbi det ashtu si këto të kështjellës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Kepin e Rodonit [73]. Simotra e kështjellës në Kepin e Rodonit me të cilën e krahason Th.Ippen, është pikërisht “Castrum Perigrinorum” ose “Château Pèlerin (Kështjella e Pelegrinëve)”, që ndodhet mbi gadishullin homonim në bregun lindor të Mesdheut dhe 1.7 km në veriperëndim të qytetit të Atlit, në Izraelin e sotëm. Kjo kështjellë e ndërtuar nga Kalorësit Templarë gjatë Kryqëzatës së Pestë (1217–1221), për një kohë relativisht të shkurtër shërbeu si selia qendrore e Kryqtarëve në Tokën e Shenjtë dhe cilësohet si “Shembulli më i shkëlqyer i arkitekturës ushtarake të kryqëzatave.” Duhet të theksoj se metoda krahasuese e përdorur nga Th.Ippen midis “Chiurilum” në Shqipëri dhe “Castrum Perigrinorum” në Tokën e Shenjtë është me të vërtetë një gjetje shumë interesante. Gjatë punimeve të restaurimit, që janë realizuar në vitin 2000 në këtë kështjellë u zbuluan disa pjesë të rrëzuara të kordonit si dhe tri stema guri të gdhendura, dy prej të cilave qenë vendosur në portat respektive, që mbyllnin dy anët e korridorit të harkuar të hyrjes, ndërsa e treta kishte mbetur e papërfunduar [74].

Njëra nga stemat, që ishte vendosur mbi portën e jashtme paraqiste “Luanin e Shën Markut”, ndërsa tjetra, ajo e portës së brendshme ishte një stemë senjorile dhe ka të shënuar vitin e fabrikimit, 1500 [75]. Kurse, stema e tretë, e cila ka qenë e papërfunduar tregon se ato janë punuar në vend gjatë kohës së rindërtimit të kështjellës [76]. Dy të parat u transportuan në Muzeun e Krujës, ndërsa e treta, një basoreliev ku paraqitej imazhi i “Shën Mëhillit Kryeëngjëll”, fatkeqësisht është shkulur nga muri dhe është vjedhur në vitin 2013, duke komprometuar dhe zhdukur një element me rëndësi të veçantë për Kështjellën e Rodonit. E ndërtuar me urdhër të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe nën përkujdesjen e tij të veçantë, Kështjella e Rodonit, në gjendjen e saj fillestare ka pasur një shtrirje më të gjerë dhe një funksionalitet të plotë fortifikues, sesa konfigurimi që paraqitet sot. Struktura arkitektonike ishte projektuar të përfshinte një sistem mbrojtës të përbërë nga mure rrethuese masive, kulla këndore dhe hapësira të brendshme me karakter mbrojtës, logjistik dhe jetësor. Ky organizim pasqyronte konceptin e fortifikimeve të kohës, të ndërtuara për të përballuar sulme të drejtpërdrejta nga toka dhe deti, por njëkohësisht edhe për të shërbyer si port ushtarak e tregtar dhe si qendër strehimi e furnizimi.

Megjithatë, gjatë rrjedhës së shekujve, monumenti ka pësuar transformime të dukshme për shkak të faktorëve natyrorë, kryesisht erozionit bregdetar dhe lëvizjeve dinamike të detit Adriatik. Procesi ka rezultuar në fundosjen, shembjen ose zhdukjen graduale të një pjese të konsiderueshme të mureve dhe strukturave të tjera arkitektonike, duke dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme integritetin fillestar të kështjellës. Ky fenomen është veçanërisht i theksuar në segmentin verilindor dhe atë veriperëndimor, ku dallgët e fuqishme, duke goditur drejtpërdrejt shkëmbin karbonatik të alternuar me shtresa të flishit (argjila, mergel, ranorë) dhe themelet mbajtëse, kanë përshpejtuar procesin e degradimit. Sot, nga kjo kështjellë mesjetare madhështore ruhen vetëm fragmente të kufizuara, të cilat shërbejnë si dëshmi materiale për përmasat dhe rëndësinë e saj të dikurshme. Nga vëzhgimet e kryera së fundmi (07.09.2025), rezulton se e gjithë zona pranë bregut dhe deri në rreth 40 m në brendësi të detit, paraqitet e mbuluar nga një shtresë shumë e dendur gurësh të përmasave të ndryshme, të cilët i përkasin kryesisht materialit ndërtimor të kështjellës, duke treguar procesin e shembjes graduale të mureve dhe depozitimin e tyre në tabanin detar. Në këtë kuptim, Kështjella e Rodonit përfaqëson një shembull të rrallë të ndërthurjes së Trashëgimisë Kulturore me faktorët natyrorë, duke dëshmuar sesi elementët klimatikë, hidrografikë dhe gjeomorfologjikë ndikojnë në transformimin dhe zhdukjen graduale të monumenteve historike.

Megjithëse Kështjella e Rodonit u braktis përfundimisht në vitet ’70 të shek. XVI dhe ka pësuar dëmtime të konsiderueshme ndër shekuj për shkak të faktorëve natyrorë, rrënojat e saj të mbijetuara, së bashku me peizazhin piktoresk në të cilin ato ngrihen me shumë hijeshi, vazhdojnë të ngjallin admirim dhe të tërheqin me mijëra vizitorë edhe në ditët tona. Kështjella përfaqëson një dëshmi të gjallë të vizionit strategjik dhe të botëkuptimit ushtarako-politik të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili nëpërmjet konceptimit, ndërtimit dhe funksionalizimit të fortifikimeve mbrojtëse, synonte të siguronte një arkitekturë mbrojtjeje të qëndrueshme dhe të përshtatur me nevojat gjeostrategjike të kohës. Si e tillë, Kështjella e Rodonit pasqyron në mënyrë të qartë jo vetëm njohuritë e thelluara të Kryeheroit, por edhe përvojën e tij praktike në artin e fortifikimit, duke e dëshmuar atë si një njohës të shkëlqyer të teknikave më të avancuara mbrojtëse të shek. XV.

BIBLIOGRAFIA:

1- A.Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, f. 56; Shih edhe A.Sh.Cami, Kalatë shqiptare, f. 32.

2- P.Thomo, Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 265.

3- A.Ducellier, Dalja në det e Principatës së Kastriotëve prej fundit të shek. XIV deri në vdekjen e Skënderbeut, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 123.

4- L.Tacchella, Giorgio Castriota Skanderbeg e i romani pontefici nel secolo XV, f. 58-61.

5- N.Jorga, Notes et extraits pour servir à l’histoire des Croisades au Moyem-âge, Vol. IV (1453-1476), Bucarest: 1915, f. 213.

6- Ј.Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 95, Doc. Nr. 158 & f. 184, Doc. Nr. 321.

7- Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri: qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 170; Shih edhe A.Meksi, Kishat e Shqipërisë së Mesme e të Veriut (vijim), në: Monumentet, 1, Tiranë: 1984, f. 103.

8- D.Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 206.

9- M.Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 487.

10- I.Zamputi, Lezha, Rodoni, Durrësi dhe përpjekjet e fundit për rimëkëmbjen e principatave shqiptare, në: Studime për epokën e Skënderbeut II, Akademia e Shkencave e RPS te Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë, 1989, f. 660-661.

11- J.Lavardin, Histoire de Georges Castriot Surnomé Scanderbeg, Roy d’Albanie, f. 454.

12- J.N.Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 357.

13- G.Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 453, 469-471.

14- R.Knolles, The Generall Historie of the Turkes, from The first beginning of that Nation to the rising of the Othoman Familie: with all the notable expeditions of the Christian Princes against them, London: 1603, f. 402.

15- C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 369.

16- Th.Lavallée, Histoire de l’empire ottoman depuis les temps anciens jusqu’à nos jours, Paris, Garnier frères, 1855, f. 185.

17- B.Bilmez, Skënderbeu në historiografinë turke: Sprovë për një vlerësim kritik, në: “Përpjekja (Revistë kulturore)”, Viti XIX, nr. 28-29, Skënderbeu i kërkimit shkencor, Tiranë: 2012, f. 260.

18- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 262.

19- H.Ceka, Vërejtje mbi disa të dhëna topografike rreth luftave të Skënderbeut sipas Barletit, në: Buletin për Shkencat Shoqërore, Tiranë, 3, 1952, f. 24.

20- Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri: qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 170.

21- A.Ducellier, Dalja në det e Principatës së Kastriotëve prej fundit të shek. XIV deri në vdekjen e Skënderbeut, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 123.

22- P.Thomo, La forteresse de Skanderbeg au Cap de Rodon, në: Studia Albanica 2, f. 104.

23- Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri: qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 170.

24- Më gjerësisht, shih: A.Meksi, Kishat e Shqipërisë së Mesme e të Veriut (vijim), në: Monumentet, 1, Tiranë: 1984, f. 103-105.

25- P.Thomo, Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 264.

26- A.Meksi, Kishat e Shqipërisë së Mesme e të Veriut (vijim), në: Monumentet, 1, Tiranë: 1984, f. 103.

27- Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri: qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 170.

28- П.Р.Петровић, Ко су Ђурађ Кастриот Скендербег и Кастриоти: према српским повељама и млетачким аналима : (историографска расправа), f. 230.

29- A.Meksi, A.Baçe, E.Riza, Gj.Karaiskaj & P.Thomo, Historia e arkitekturës në Shqipëri: nga fillimet deri në vitin 1912, (Nën përkujdesin e Pirro Thomos), Botimi i dytë i ripunuar, Tiranë: Kristalina-KH, 2016, f. 414.

30- P.Thomo, Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 265.

31- Gj.Karaiskaj, Skënderbeu dhe fillimet e transformimit të kështjellave mesjetare, në: Skënderbeu dhe Evropa (përmbledhje kumtesash), Akademia e Shkencave, Tiranë: 2006, f. 201.

32- A.Meksi, A.Baçe, E.Riza, Gj.Karaiskaj & P.Thomo, Historia e arkitekturës në Shqipëri: nga fillimet deri në vitin 1912, (Nën përkujdesin e Pirro Thomos), Botimi i dytë i ripunuar, Tiranë: Kristalina-KH, 2016, f. 414-415.

33- P.Thomo, Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 265.

34- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 263.

35- Gj.Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, Tiranë 1981, f. 182.

36- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 263.

37- P.Thomo, Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 265; Gj.Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, Tiranë 1981, f. 182; A.Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, f. 56.

38- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 263.

39- P.Thomo, Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 265.

40- Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri: qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 171.

41- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 263.

42- Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri: qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 171.

43- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 263.

44- P.Thomo, Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 266.

45- Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri: qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 171.

46- P.Thomo, Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 266.

47- Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri: qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 171.

48- A.Meksi, A.Baçe, E.Riza, Gj.Karaiskaj & P.Thomo, Historia e arkitekturës në Shqipëri: nga fillimet deri në vitin 1912, (Nën përkujdesin e Pirro Thomos), Botimi i dytë i ripunuar, Tiranë: Kristalina-KH, 2016, f. 415.

49- P.Thomo, La forteresse de Skanderbeg au Cap de Rodon, në: Studia Albanica 2, f. 104.

50- A.Ducellier, Dalja në det e Principatës së Kastriotëve prej fundit të shek. XIV deri në vdekjen e Skënderbeut, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 130; Shih edhe P.Xhufi, Skënderbeu. Ideja dhe ndërtimi i shtetit, f. 116.

51- G.Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 349.

52- M.Barleti, vep. cit. f. 357-358; Shih edhe A.Possenti, Il principe armato ó vero flagello della casa ottomana: Historia, quanto vera, altretanto ripiena di ammaestramenti Politici, In Roma: Per Bernardino Tani, MDCXLVIII [1648], f. 174.

53- G.Francione, Scanderbeg, un eroe moderno: (multimedial hero), f. 135.

54- Ј.Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 95, Doc. Nr. 158.

55- A.Ducellier, Dalja në det e Principatës së Kastriotëve prej fundit të shek. XIV deri në vdekjen e Skënderbeut, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 124.

56- Dh.S.Shuteriqi, Moti i Madh: Përmbledhje shënimesh e dokumentesh për historinë shqiptare të viteve 1379-1479, f. 299.

57- K.Frashëri, Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek. XV, Vëll. I, Burime dokumentare shqiptare (në origjinal dhe në përkthim shqip), f. 155-156.

58- K.Bozhori, Lufta Shqiptaro-Turke në shekullin XV, Burime Bizantine, Tiranë 1967, f. 60-61.

59- Ј.Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 167, Doc. Nr. 291.

60- P.Thomo, Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 266.

61- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 263.

62- G.Valentini, Passeggiate storiche nell’Alta Albania, në: “Drini – Bollettino mensile del Turismo albanese”, Nr. 1, Anno … II, Tirana: giugno 1941, f. 101.

63- K.Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra (1405-1468), f. 425.

64- Ј.Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 184, Doc. Nr. 321.

65- J.N.Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, Roi d’Albanie, f. 357-358; G.Hammer, Storia dell’Impero Osmano, (Illustrata ed arricchita di molte aggiunte dallo stesso autore e recata in italiano per la prima volta da Samuele Romanini), Epoca seconda: Dal 1453 al 1520, Tomo V, Venezia: 1829, f. 160; A.Cutolo, Scanderbeg, f. 213; B.Bilmez, Skënderbeu në historiografinë turke: Sprovë për një vlerësim kritik, në: “Përpjekja (Revistë kulturore)”, Viti XIX, nr. 28-29, Skënderbeu i kërkimit shkencor, Tiranë: 2012, f. 260.

66- N.Jorga, Notes et extraits pour servir à l’histoire des Croisades au Moyem-âge, Vol. IV (1453-1476), Bucarest: 1915, f. 208-213; Ј.Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 205, Doc. Nr. 377; F.Babinger, Mehmet Pushtuesi: Botësulmuesi në kapërcyell kohe, Vol. I, f. 377; Më gjerësisht shih: P.Zefi, Çfarë ndodhi 557 vite më parë në Kështjellën e Kepit të Rodonit, në: “Dielli/The Sun”, August 5, 2024.

67- M.Sirdani, Skanderbegu mbas gojëdhanâsh, Botimi II, f. 100-101, Shënimi nr. 1.

68- A.Plasari, Skënderbeu – Një histori politike, f. 738.

69- I.Zamputi, Lezha, Rodoni, Durrësi dhe përpjekjet e fundit për rimëkëmbjen e principatave shqiptare, në: Studime për epokën e Skënderbeut II, Akademia e Shkencave e RPS te Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë, 1989, f. 660-666; Shih edhe P.Thomo, Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 268; Gj.Karaiskaj, Skënderbeu dhe fillimet e transformimit të kështjellave mesjetare, në: Skënderbeu dhe Evropa (përmbledhje kumtesash), Akademia e Shkencave, Tiranë: 2006, f. 202.

70- P.Thomo, Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 266-267.

71- Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri: qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 171.

72- Ibidem, f. 171.

73- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 263-264.

74- Gj.Karaiskaj, Skënderbeu dhe fillimet e transformimit të kështjellave mesjetare, në: Skënderbeu dhe Evropa (përmbledhje kumtesash), Akademia e Shkencave, Tiranë: 2006, f. 203.

75- Ibidem, f. 203.

76- Ibidem, f. 203.

Filed Under: Opinion

(ANTI)LIBRAT E ATYRE QË DËNONIN LIBRA DHE NJERËZ…NË POSTDIKATURË SIGURIMI I SHTETIT SI (ANTI)KUJTESË… 

September 10, 2025 by s p

Nga Visar Zhiti/

Pjesa e parë

PASI KUJTESA U LA E LIRË

Në vitet e pasdiktaturës kujtesa kolektive, ashtu e dëmtuar, u ndje pa pengesat e jashtme, më e lirë, më saktë e çpenguar deri dhe në kërcime pindarike, pra mund të punonte sipas vetes, po guxonte dhe po kuptonte traumat, pjesët e prishura gjatë diktaturës gjysmë shekullore, zbuloi skajimet deri në mashtrime, absurdin, ndërkaq gjithçka mbetej e trembur, e kërcënuar me një si sy qiklopik përsipër, vëzhgues i Sigurimit të Shtetit, arma kryesore e Partisë-shtet në një të dikurshme fare afër, sa duket dhe e tashme e pa ikur, me gjallë ende nga të persekutuarit dhe persekutorët bashkë.  . 

U pa dhe është pranuar si vlerë madhore që në këto vite ka patur një vërshim botimesh, vepra të kujtesës, memoaristikë, tek ato dua të ndal, që, bashkë me “Letërsinë tjetër”, sollën të vërtetat dhe moralin që u mungonin në letrat shqipe kur sundonte Realizmi Socialist, 

Memoaristika e vuajtjes dhe e qendresës e të përndjekurve, me emra persekutorësh, operativëve dhe spiunëve, kryetarë degësh, hetues, prokurorë e gjyqtarë, drejtorë burgjesh e komisarë, zv/ministra, ministra e kryeministër, deri te Komiteti Qendror e sekretari i parë, te diktatori e emra vendesh dënimi, burgje e kampe, Këneta e Vloçishtit, Burreli, aeroporti i Rinasit, Spaçi, Qafë Bari, Lezha, etj, Tepelena, Savra,  Shtyllas, etj, Shtëpia me gjethe e pa gjethe, etj, etj, tronditi fuqishëm ndërgjegjen e kohës. 

Natyrisht barrën e madhe të dëshmisë, të memoaristikës, do ta mbanin ata që erdhën vetë nga burgjet dhe internimet bashkë me libra të tyre, të shkruara fshehurazi, por dhe më pas, në kushte lirie. Disa s’erdhën dot se i vranë a vdiqën brenda telave me gjemba, po kështu janë zhdukur dhe dorëshkrime apo edhe përvetësuar. 

“Rrno vetëm për me tregue” – titulli i veprës monumentale të At’ Zef Pllumit, mund të jetë dhe logoja apo emblema e përbashkët e gjithë kësaj prurjeje, do të thosha, e memoaristikës së re shqiptare, ku bashkërenditen “Burgjet e mia” të Dom Zef Jubanit, “Çinarët” e At Konrad Gjolaj, etj, po janë dhe veprat e Prof. Arshi Pipës, përveç poezive të burgut, eseistika, kritika e tij, Lazër Radi po kështu, Musine Kokalari, Pjetër Arbnori me kujtimet dhe dorëshkrimet nga burgu, Fatos Lubonja me veprën e rëndësishme “Ridënimi”, ditarin dhe tregimet, Lek Pervizi, – përveç prozës dhe pikturat e tij nga internimet, po kështu dhe Maks Velo me pikturën dhe “Kohën antishenjë” dhe Lekë Tasi me “Grabianin rrëzë kodrave” dhe pikturën, Spartak Ngjela me trilogjinë “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, Zyhdi Morava e Bedri Blloshmi me dosjet dhe kujtimet nga burgu dhe familja e tij martire, kujtimet e Maks Rakipajt, “I mbijetuari”, Eugjen Merlika me kampin e Tepelenës, Dine Dine me “Varkën e Karontit”, Kaso Hoxha me “Tokë e bukur, kohë e shëmtuar”, etj, Drita Kosturi, Fatbardha Mulleti Saraçi, Bardha Gjon Markagjoni, e Tomor Aliko, etj, deri dhe të deputetëve demokratë Uran Butka dhe Pjetër Pepa, që sollën dëshmi dhe zbulime. Ndjesë që s’mund t’i përmend dot të gjithë, librat e tyre s’i lënë të mbërrijnë aq larg, pa mundur të shoh biblioteka e arkiva, por me kujtesë.

Më vjen mirë që në këtë univers të letrave solla dhe unë, përveç poezive të mia nga burgu dhe burgologjinë në dy libra “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, të shkruara pas burgut tim në Spaç e Qafë Bari.   

ISKK-ja, (Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit), me drejtorin guximtar, shkrimtarin Agron Tufa, që u detyrua të ikte, dhe tani me studiuesin Çelo Hoxha, na kanë dhënë, dëshmi, denoncim të së keqes, kujtesë kombëtare. Botimet e tyre mund të shkojnë në bibliotekat kryesore, por jo në librari dhe lexuesi që kërkon t’i ketë, s’ka ku i gjen, sepse, sipas ligjit, botimet e tyre nuk shiten. Pse kjo pengesë?! Që do të duhej të tejkalohej         

Edhe kjo lloj letërsie, jo ajo e mirëfillta letrare me poezitë, romanet e dramat, por kujtimet dhe dëshmitë, janë shkruar me kulturë, me bukuri në rrëfim dhe në gjuhë, me besueshmëri e dhimbje, me vërtetësi dhe drejtësi, me mëshirë dhe falje, ku përvoja e vuajtjes është shndërruar në vlerë dhe kujtesë kombëtare. Lexohen me drithërimë, por dhe si letërsi e mirëfilltë.

Dhe sa shumë emra shkrimtarësh duhet të vihen në hyrjet e burgjeve të diktaturës, që duheshin të ishin muzeume e jo të shkatërroheshin bashkë me kujtesën kolektive. 

Gjithë atë katrahurë në jetën e letrave shqipe e bëri diktatura, Partia që ishte në pushtet me Sigurimin e Shtetit, që ishin një e të pandarë, natyrisht dhe me institucione të tjera të diktaturës, përfshirë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Realizmin Socialist të tyre.

Ndërkaq sot është shfaquar dhe një si dukuri tjetër, pak si tinëz dhe e kundërt. Edhe pse rrallë, por po dalin si autorë dhe nga ata që dënonin dhe fusnin njerëz nëpër burgje. Jo si autorë të atye akteve, por librash. Kjo s’është ndonjë çudi, e drejta e tyre si e kujdo për të botuar, mjaton të kenë për të thënë, se dhe ata që ndalonin librat, nuk i ndalojnë dot më. As vetveten. Aq më mire po të rrëfenin të vërtetat, punët e nëndheshme dhe urdhëruesit lart, falsifikimet, torturat, dëshmitarët e rremë, përndjekjet dhe zhdukjet, etj, etj.  

DUKE SHFLETUR ANTILIBRA

Që në Shqipërinë tonë në postdiktaturë apo në postenverizëm të dilnin libra për diktaturën dhe Enverin, s’do të ishte e papritur, por nga ata që drejtuan në diktaturë me Enverin në krye, që ushtruan dhunën si zeje të tyre, që dëmtuan rëndë vendin dhe jetët njerëzore dhe të mos e ndjejnë krimin dhe fajin, të mos e tregojnë si të tillë e të mos kenë pendim dhe as kërkesë faljeje, kjo jo vetëm që është befasi, por dhe turp dhe vazhdim i krimit, sipas meje.

Mbrojtja më e mirë është sulmi, mësonte Stalini i tyre.

Pas kolanës së veprave të Enver Hoxhës, kështu i quanin: “vepra” dhe s’kishin të mbaruar, fjalime e raporte të rëndomta, telegrame e urdhëra pa rendësi, kundërurdhra, porosi, kundërporosi, dialogë të përmirësuar, grafomani, do të thosha, pa filozofi, madje mediokritet vrastar, dokumenta të cunguara a të falsifikuara, memoaristikë, ku lexuesi i vëmedshëm dhe i specializuar mund të gjente dhe stilin se cili shkrimtar i Realizmit Socialist do t’i kishte punuar ato, kujtimet e Enverit, ku habitshëm në çdo ribotim hiqeshin ata emra apo nxiheshin në fotografitë ilustruese ato fytyra që do të shpalleshin armiq dhe tradhtarë, mbi të cilët skuadrat e pushkatimit do të derdhnin breshëritë e plumbave dhe mediat bashkjë me popullin breshëritë e sharjeve. . 

Do të vijohej me botime të zëvendësit të diktatorit, Ramiz Alia, “Enveri ynë” do të thoshte ai, natyrisht i tyre dhe sipas atij në diktaturë ishte tepruar disi me luftën e klasave dhe me pushkatimet me gjyqe e pa gjyqe, por Shqipëria kishte ecur para, ku, në varfëri? Duke mbrojtur Enverin, duke e vënë ata para si mur, Ramiz Alia mbronte veten si vazhdues.

Vejusha e diktatorit Nexhmie Hoxha do të shkruanin “Jetën me Enverin”, një romantizëm gjakatar dhe çudi për t’u çuditur, kur ajo thotë në një intervistë se kryeministri i atëhershëm vrau veten me qëllim që të mërziste Enverin, – material për psikoanalistë a psikiatrin, kur atë akt e gjykojnë si vrasje politike, por dhe si larje hesapesh mes banditëve. 

Do të shkruanin dhe kryeroja i diktatorit, Sulo Gradeci, se sa i dashur ishte Enveri me ushtarët e gardës dhe me degët e pemëve, teksa pritej më shumë nga mjeku i tij, Isuf Kalo, ku ai nuk doli dot përtej Bllokut, ku shihte parajsën, po edhe ferrin aty, çudi, jo ku ferri ishte vërtet, aq sa memoauristika e tij m’u duk, – madje ia thashë, – si e shkruar për t’i pëlqyer vejushës së diktatorit.

Ka dhe të tjerë… Por a do të lejoheshin botime kësisoj në një vend normal? P.sh., në Gjermani a mund të shkruhej me nostalgji për Hitlerin? Apo në Rumani për Çausheskun? Vendet e Europës Lindore në ish perandorinë komuniste e kanë të ndaluar me ligj të bësh propapagandë për komunizmin. 

Në Shqipëri jo.

Ka të vërteta të përbashkëta si diktatura dhe mbyllja, krimet dhe përmbytjet, tërmetet, dramat, Realizmi Socialist, kooperativat dhe rrënimet, burgjet, pushkatime poetësh, plotonet, ku, sipas meje, bënin pjesë në rreshtin më pas dhe ata shkrimtarë që hartonin ekspertizat e atyre që do të pushkatoheshin, edhe ikjet janë të vërteta, kufijtë që duken dhe s’duken, mashtrimet, demokracia, librat e ndaluar dhe librat e rinj, etj, etj, por persekutimet nuk pritet të dëshmohen më mirë nga persekutorët, e vërteta tregohet nga të vërtetët.

TË KESH NDËR DUAR LIBRIN E ATIJ 

QË TË VURI PRANGAT NDËR DUAR PËR LIBRIN…

Ndodh të na bien në dorë, – mua krejt rastësisht, por ka që i kërkojnë, – botime nga a për Sigurimin e Shtetit, jo si dikur, libra të shkrimtarëve të tyre, që bëheshin dhe filma, dhe përktheheshin, dhe pëlqeshehsin nga lloji i ndjekësve të tyre, bashkëpunëtorët potencialë, por tani po dalin botime nga ata që s’pritej gjithsesi se mund t’ia dilnin të shkruanin, nga hetues, prokurorë e gjykatës, komandantë e drejtorë burgjesh të diktaturës, etj. 

Lanë pragat që i kishin për ne dhe moren kompjuterat. Të tyret apo tanët? Një konfiskim i pakuptuar… i pjesshëm, i padukshëm… Nejse, nga gishtat e tyre më duket se pikon ende gjaku i të tjerëve gjatë torturave në qelitë e nëndheshme.  Çudi si mbërrijnë dhe në SHBA këto lloj botimesh! – thashë, kur më dhanë të shikoja memoaristikën e një të Sigurimit të Shtetit të Enverit, me mbiemrin si ai, Hoxha, që kishte shërbyer si operativ fshatrave të Kukësit, ku dhe unë kisha qenë mësues, që sigurisht ai mblidhte denoncime të fshehta dhe nga mësues të tjerë dhe kundër meje, madje ai do të ishte që do t’më arrestonte. Më pas atë e shpërngulën në Ministrinë e Punëve të Brendshme, seç e bënë drejtor, unë isha në burg atëhere. Ai do të vazhdonte të ishte në ministri edhe kur po binte diktatura, ndërkohë unë do të punoja gazetar i opozitës në “RD”. Ai do të vazhdonte dhe më vonë, drejtor atje, etj, etj. Jo se më ka interesuar, por i them këto për të treguar se i njoh ata si kundërshtar i tyre, si i dënuar i tyre, ua di aftësitë për keq, etj, etj. Dhe ata u morën me krijimtarinë time, më konfiskuan poezitë, ditarin, tregimet, – që i humba përgjithmonë (ndoshta ndonjë ditë dalin me emër tjetër, s’është çudi, ka ndodhur), pandaj po i jap të drejtën vetes t’ua kthej vëmendjen, jo për hakmarrje, janë botime për të gjithë, jo për punim të brendshëm, mund të gjykojë kushdo. Sa të vërteta sjellin dhe si? Ç’ka në botimin që kam ndër duar, të atij që më vuri prangat në këto duar? E ç’zbulon e ç’rrëfen? E shfletoj, Shih, bëma të Sigurimit të Shtetit në mbrotje të popullit nga armiqtë, kur armiku i popullit ishin ata vetë, – thashë me vete, – se si kishin zbuluar dhe kapur agjentë jugosllavë, grekë, atentatorë nga ato male ku ai ishte operativ, etj, jo se s’ka patur të tillë, por Sigurimi Shqiptar, sipas disa vështrimeve të tjera të studiuesve apo specialistëve në këtë fushe të minuar, nuk ka qenë i aftë t’i zbulojë e gjejë ata që ishin vërtet të shërbimeve të huaja të spiunazhit dhe në vend të tyre kanë kapur të tjerë, pa prova, me dyshimet se edhe mund të ishin, e pse të mos ishin? Dhe kështu realizonin planin e caktuar nga Partia për numrin e caktuar të armiqve, por dhe tmerronin popullin, etj, etj. Ndryshe pa terror si do të sundohej? Unë kam njohur në burg të dënuar si agjentë apo atentatorë në tentativë të udhëheqjes së lartë, të më lartit, fshatarë të gjorë nga Veriu e Jugu që dhe vetë habiteshin me akuzën dhe dënimin, kur s’kishin patur ndonjë qellim të tillë, thoshin, dhe s’kishin patur asnjë lloj arme, veç kazmës… Të shërbimeve sekrete të huaja, që punojnë në dëm të vendeve tona, të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, duket se ka, me ç’gjejmë ndonjëherë në media e rrjetet sociale, të infiltruar dhe në institucione të rëndësishme apo në shërbimet diplomatike, edhe në diasporë, në uzurpime të heshtura të shoqatave, kulturore e religjioze, të katedrave, etj. 

Ndërkaq botime të tilla në përgjithësi, që rrjedhin dhe nga  Sigurimi i Shtetit, nuk arrijnë të shtojnë shqetësimin dhe vëmendjen në drejtime të tilla me rëndësi kombëtare, përherë aktuale, por i shkapërcejnë pritshmëritë, më saktë nuk i arrijnë ato që do të duheshin të dëshmonin, krimet shtetërore, dënimin e së kaluarës diktatoriale, persekutimet, ndjesën e vonë, etj, por hidhen në çështje përtej tyre, jo vetëm të kompetencave, por dhe të aftësive dhe të pritshmërive duke shpjeguar ata kështu pluralizmin shqiptar, si nisi deri dhe psikoanalizën e protagonistëve të lëvizjeve për ndryshim dhe të lidershipit, që gjithmonë paskësh qenë nën kontrollin e tyre, pra, të Sigurimit të Shtetit. 

KTHIM

NË QELINË E KUJTESËS.

Para se them se ç’thotë ai për lidershipin e demokracisë në postdiktaturë, madje dhe u bën biografitë si në dosje, po nxjerr dhe unë se ç’kam shkruar për atë në botimin tim memoaristik, burgologjinë “Rrugët e ferrit”, kam një pasazh, që po e sjell dhe këtu: 

Kur pashë operativin e zonës, atë që zbatoi aksionin e arrestimit tim, njiheshim, na vinte në fshat, pinte me ne, flinte në dhomën tonë në shkollë, se ishte bashkëqytetar me dy kavajasit, më duket se i kishte futur në tavë ata, hiqte nga supi çantën e punës me rrip të gjatë, të kyçur me një dry të vogël sa një prangë zogu (që do të zmadhohej dhe do të bëhej dryni i portës së qelisë sime) ah, ajo çantë lëkure (si e bërë me lëkurë të dënuarish), më e frikshme se revolveri, që e hiqte shkujdesshëm, por edhe me krenari të pafshehur dhe e linte në parvazin e gjerë të dritares, pranë shtratit të B. Katroshit, që do t’ia lironte e do të flinte me kavajësin tjetër, me “qesharakun” F. Fosa. Unë kisha fjetur dhe mbi dy tryeza të afruara, mbulohesha me hartat, atë të Shqipërisë dhe të botës, mbushesha me shtete, por ai, vërtet, po me atë revole më erdhi tani në qeli? U pamë sy më sy. Nuk e njoha menjëherë. Prej uniformës. Kapela e ngritur përpjetë mbi krye dhe çizmet e zeza bënin që të dukej edhe më i gjatë. Pse më arrestoi vetë? Operativët nuk e kanë këtë të drejtë a privilegj, përveç rasteve flagrante. E dija se e thoshte shpesh miku i tij, Katroshi. Dhe shtonte: tani që kam këtu Bujar Hoxhën, s’është pak, a, operativ zone, kaq i ri, a, nuk pyes për asnjërin, as për Veli Gjicin, që ka shkollë partie, jo më për drejtorin e shkollës. Edhe unë mund të arrestoj kë t’më dojë kokrra e qejfit. Thirrej shpesh kohët e fundit në Kukës, s’e dija se ku, por rroga nuk i pritej. Kur e shihja ashtu të zbehtë, kujtoja se e kishte nga rruga e gjatë, 5- 6 orë më këmbë. Penel. Çfarë? Ke peeneeel? – iu mbajt goja më shumë dhe u gajas. Ç’pati? Dhe në gjumë po thoshte: pee-pee-nis, jo, penel. A, duhej të ishte pseudonimi i tij. Ti je Mali, po i thoshte një ditë atij tjetrit, por, kur hyra unë, pushuan. Asnjëherë operativi nuk më dha një sinjal a paralajmërim, natyrisht brenda detyrës së vet e rregullave, kështu ia donte puna, as kur pinte në darkat që shtronim në dhomën tonë në shkollë. Asnjë institucion ose zyrtar nuk e bëri këtë, përveç shtëpisë botuese që më kërcënonte: do ta pësosh keq kështu, se ka më, edhe më keq, por unë e merrja si të folur ordinere redaktorësh. Nëse unë nuk e kisha kuptuar, ky ishte faji im. Doje dhe të shpërnguleshe ti, të shkoje afër familjes? Ja, të afruam, në burg… Ti kujton se e ka në dorë seksioni i arsimit, po të gjitha i ka në dorë Sigurimi i Shtetit. Ne jemi Partia dhe Partia është ne. – Ke ndonjë gjë? – nëpërdhëmbi duke ndenjur larg, fare larg, te dera. Aq meritoja. Po sikur kapa një kërshëri idioti tek ai, se ç’ndieja unë këtu dhe sikur donte të më pyeste: hë, si të dukem? Pallosh shteti. Si? Dhe u shtrembërua vërtet. – Neveri, – thashë. – Çfarë? – Më pyete nëse kam ndonjë gjë, neveri kam. S’dinte ç’të thoshte. Dhe e kuptova ç’i kishte munguar kokës së tij dikur, më qe dukur e mangët, kapela me yllin e kuq. Me të ikur si gjithë të tjerët, pa përshëndetur, siç erdhi, pashë se i kishte rënë ylli mbi dysheme. Dhe më tej prapë ylli. Sërish… Sa herë i paska rënë?! Ishin njolla gjaku, se ku e kisha çarë këmbën…

Edhe pse nuk punojnë më në Sigurimin e Shtetit, se ky institucion famëkeq s’është më, por u kalua nën emërtim tjetër, SHIK, dhe ata vetë nga operativë e hetues, prokurorë, gjyqtarë e drejtorë burgjesh, komisarë partie, kryetarë degësh e sekretarë të parë, etj, janë kthyer në biznesmenë, kanë ikur dhe janë bërë qytetarë të Europës dhe Amerikës, janë shndërruar në avokatë të demokracisë dhe do të duhej ta fillonin duke mbrojtur klientët e tyre të dikurshëm, ata që i arrestonin dhe i torturonin qelive dhe i dënonin mizorisht me burgim të gjatë, por përkundrazi bëjnë avokatin e diktaturës, që atëhere ajo s’e lejonte profesionin e avokatit, mbrojnë me fanatizëm institucionen e tyre famëkeqe, Sigurimin e Shtetit, Partinë e Punës, megjithëse të shndërruara.  

Psikologët e traumës si Judith Herman ose Bessel van der Kolk thonë se rastet kësisoj janë një formë e re e riviktimizimit: kur shoqëria u jep zë të barabartë xhelatëve, ajo hesht viktimën dhe thërmon shërimin. Jo barazi midis atyre që vuajtën ferrin dhe atyre që e krijuan ferrin, jo barazi mes të vërtetës dhe mashtrimit. S’ka barazi morale mes kujtimeve të të persekutuarit dhe manipulimeve të persekutorit. S’ka rrëfim të sinqertë nga ata që kurrë nuk kanë kërkuar ndjesë. S’ka pajtim pa drejtësi. Dhe mbi të gjitha: botime te tilla të Sigurimit të Shtetit janë krimi i radhës. Tani sigurisht që shfrytëzojnë dosjet, që i përgatisnin vetë me denoncimet e bashkëpunëtorëve të tyre a të spiunëve, u duhen prapë sidomos nga ata që u vjen ndoresh dhe shkrimësia, përdorin punimet e të tjerëve specialist, etj, etj. Pse ky ngulmim? Ç’duan të përhapin? Sociologë si Aleida Assmann (ekspertë të kujtesës kolektive) paralajmërojnë: “Nëse viktimat nuk e fitojnë të drejtën për të shkruar historinë, atëherë historia do të shkruhet nga ata që bënë padrejtësinë.”

Filed Under: Politike

Kanuni dhe Kodi Penal shqiptar, mundësia e integrimit në sistemin penal modern

September 9, 2025 by s p

Studim nga Rafael Floqi/

Kanuni shqiptar ka qenë për shekuj me radhë një nga manifestimet më të fuqishme të së drejtës zakonore në Evropë, duke u shndërruar në një kod të pashkruar që rregullonte marrëdhëniet shoqërore, ekonomike dhe penale të komuniteteve ku shteti kishte munguar ose nuk kishte arritur të vendoste autoritetin e vet. Në këtë kuptim, Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk është thjesht një trup normash arkaike, por një shprehje e qartë e aftësisë vetërregulluese të shoqërisë shqiptare. Përkundër tij, Kodi Penal, i krijuar për herë të parë në vitin 1928 dhe i përditësuar disa herë deri në versionin e vitit 2017, është shprehja e shtetit modern dhe e parimeve universale të së drejtës penale, të bazuara mbi përgjegjësinë individuale, proporcionalitetin e dënimeve dhe respektin për të drejtat themelore të njeriut (Rakipi, 2005). 

Historia paralele, Kanuni dhe Kodi Penal

Gjate periudhës osmane Kanuni i Lekës ishte ligji i komunitetit, ndërsa ligji osman ishte ligji i shtetit. Shqiptarët përdornin Kanunin për të rregulluar jetën e përditshme, ndërsa ligji osman kishte ndikim më të madh në çështjet shtetërore, tatimore dhe fetare. Ligji islam (Sheriati) ishte baza e drejtësisë fetare dhe shtetërore. Ai mbulonte çështje penale, civile dhe familjare sipas parimeve islame. Përveç Sheriatit, Sulltanët osmanë shpesh nxirrnin kanun (ligje administrative) që rregullonin tatimet, ushtrinë, pronësinë e tokës dhe marrëdhëniet midis shtetit dhe subjekteve të tij. Në Shqipëri dhe rajone të tjera ku shteti osman kishte kontroll të kufizuar, zbatimi i Kanunit ishte më i madh, ndërsa ligjet osmane shpesh mbeteshin formale ose të kufizuara në qytete dhe qendra administrative. Kanuni i Lekës funksiononte shpesh si një sistem i pavarur drejtësie, duke mbushur boshllëqet ku ligji osman nuk arrinte.

Kodi Penal i vitit 1928 në Shqipëri u hartua si pjesë e përpjekjes së parë madhore për konsolidimin e një shteti modern shqiptar, si edhe për kalimin nga sistemi i së drejtës zakonore (Kanuni) te një sistem ligjor i kodifikuar. Komisioni hartues: Kodi u përgatit nga një grup juristësh shqiptarë dhe italianë, të cilët morën si model Kodet Penale italiane dhe franceze. Burimet historike tregojnë se ndikimi më i fortë ishte nga Kodi Penal Italian i vitit 1889 (Kodi Zanardelli) dhe nga Kodi Penal Francez i Napoleonit (1810).

Kodi parashikonte ndarjen e veprave penale në krime dhe kundërvajtje, ndëshkimet përkatëse, si dhe rregulla mbi përgjegjësinë penale, duke e shkëputur sistemin juridik shqiptar nga praktikat zakonore dhe nga Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Zogu synonte të forconte shtetin qendror dhe të vendoste autoritetin ligjor mbi normat zakonore, të cilat mbizotëronin në shumë krahina të Shqipërisë, veçanërisht në veri. Kodi Penal i vitit 1928 ishte, në këtë kuptim, një akt shtetformues dhe modernizues.

Kristo Floqi ka kontribuar në zhvillimin e sistemit juridik shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë. Ai ka hartuar tekste të rëndësishme si “E drejta Themelore” (Shkodër, 1920) dhe “Konstitucionalizmi” (Korçë, 1923), të cilat shërbyen për përhapjen e njohurive juridike dhe kultivimin e kulturës kushtetuese në Shqipëri. Në këto vepra, ai ka theksuar rëndësinë e parimeve kushtetuese dhe të drejtave të njeriut, duke kontribuar në orientimin e Shqipërisë drejt modeleve perëndimore të qeverisjes.

Pas çlirimit në vitin 1944, regjimi komunist i Enver Hoxhës vendosi një sistem të rreptë ligjor dhe penal që synonte konsolidimin e pushtetit dhe eliminimin e çdo kundërshtari. Kodi Penal i Republikës Popullore të Shqipërisë (1950) u bazua pjesërisht në modelet sovjetike dhe u përditësua në disa versione gjatë viteve, duke përfshirë dispozita të veçanta për “krime politike”.

Komunizmi dhe kanuni

Komunizmi i Hoxhës synonte të krijonte një shoqëri racionalisht ligjore dhe socialiste, ku çdo autoritet tradicional, fetar apo lokal duhej të zëvendësohej nga shteti dhe Partia e Punës. Kanuni, si ligj i zakonshëm dhe i bazuar në norma morale dhe fetare, konsiderohej “reaksionar” dhe pengesë për modernizimin social dhe ekonomik. Regjimi e portretizonte Kanunin si një instrument të “prapambetjes” dhe të “feudalizmit” që ushqente konfliktet mes familjeve dhe krahinave.

Edhe pse Kanuni nuk ishte formal ligjor që nga koha e shtetit komunist, autoritetet e përdornin propagandën për të demonizuar çdo praktikë kanunore. Kriminalizimi i gjakmarrjes: Neni i Kanunit që lejonte gjakmarrjen u ndëshkua me ligj penal të shtetit. Autoritetet përdornin forcat e rendit për të parandaluar konflikte të tilla mes familjeve. Në shkolla dhe media, Kanuni prezantohej si një “simbol i barbarizmit dhe mospajtimeve të shoqërisë primitive”. Kodi Civil dhe Penal i ri: Ligjet e komunistëve mbulonin të gjitha fushat që dikur rregulloheshin nga Kanuni, përfshirë: Pronën dhe trashëgiminë. Martesën dhe familjen. Zgjidhjen e konflikteve mes individëve dhe familjeve. Shteti u përpoq të monopolizonte drejtësinë dhe konfliktet mes njerëzve të trajtoheshin vetëm nëpërmjet institucioneve shtetërore. Megjithë përpjekjet e regjimit, në zonat rurale, sidomos në veri, disa elemente të Kanunit vazhduan të praktikoheshin në mënyrë të fshehtë. Përplasja dhe ndërthurja e këtyre dy realiteteve juridike kanë formuar një tension historik që vazhdon ende sot, ku gjakmarrja dhe koncepti i nderit, të rrënjosur në Kanun, shpesh kanë konkurruar me mekanizmat institucionalë të drejtësisë shtetërore. 

A është e mundur të përfshihet Kanuni në Kodin e ri Penal ?

Megjithatë, përtej këtij antagonizmi, lind pyetja thelbësore: a është e mundur të përfshihet Kanuni, i transformuar dhe i pastruar nga elementet e tij arkaike, në Kodin e ri Penal shqiptar? Përgjigjja kërkon një analizë të thelluar historike, juridike dhe morale, sepse ndërthurja e së drejtës zakonore me atë shtetërore nuk është vetëm një proces teknik, por edhe kulturor dhe identitar.

Që në përshkrimin e parë të Kanunit nga At Shtjefën Gjeçovi, vihet re natyra e tij kolektive dhe morale: “Kanuni nuk asht shkrue prej nji njeriu, por âsht rrjedhë e jetës së popullit, e trashëgueme prej shekujsh” (Gjeçovi, 1933, f. 12). Kjo tregon se Kanuni nuk ishte vetëm një ligj, por një mënyrë të jetuari, një sistem i tërë normash që lidhte drejtësinë me nderin dhe besën. Në këtë kuptim, për çdo shqiptar të kohës, shkelja e një neni të Kanunit nuk ishte thjesht krim, por edhe turp dhe humbje e vlerës shoqërore. Përkundrazi, Kodi Penal modern bazohet mbi një racionalitet tjetër: ai e sheh krimin si shkelje të ligjit shtetëror dhe dënimin si mjet për të mbrojtur shoqërinë dhe për të rehabilituar autorin e veprës penale.

Ndërthurja mes këtyre dy sistemeve është vërejtur historikisht sidomos në zonat veriore të Shqipërisë, ku autoriteti i shtetit ishte shpesh i dobët. Studiuesi gjerman Peter Bartl ka theksuar se “në veri të Shqipërisë, deri në mesin e shekullit XX, autoriteti i Kanunit ishte shpesh më i fortë se ai i shtetit” (Bartl, 1985, f. 201). Kjo situatë e dualitetit juridik solli shpesh konflikte të hapura: ndërsa Kodi Penal dënonte gjakmarrjen si vrasje të rëndë, Kanuni e legjitimonte si një formë të drejtësisë reciproke. Po kështu, përderisa ligji modern njihte vetëm përgjegjësinë individuale, Kanuni e shtrinte përgjegjësinë edhe mbi fisin dhe familjen e fajtorit. Ky kontrast ka qenë një nga pengesat më të mëdha në procesin e shtet formimit shqiptar.

Kanuni si kontribut të vlefshëm për humanizimin e së drejtës penale 

Nga ana tjetër, Kanuni nuk duhet parë vetëm si një pengesë për modernizimin juridik. Ai përmban vlera që mund të integrohen në një kod moral e madje edhe në një kod penal të kohës sonë. Elementet e tij pozitive – si besa, respekti për mikun, mbrojtja e pronës dhe nderi i individit – janë në thelb të përputhshme me parimet e të drejtës moderne. Studiuesi Robert Elsie e përkufizon Kanunin si “kushtetutën e pashkruar të shqiptarëve të veriut, një sistem ligjesh që siguronte mbijetesën e shoqërisë në mungesë të autoritetit shtetëror” (Elsie, 2001, f. 144). Kjo do të thotë se, i interpretuar në mënyrë moderne, Kanuni mund të japë një kontribut të vlefshëm për humanizimin e së drejtës penale shqiptare.

Në fakt, shumë shtete kanë përfshirë elementë të së drejtës zakonore në legjislacionin e tyre. Për shembull, në disa vende afrikane, si Nigeria apo Afrika e Jugut, sistemet gjyqësore tradicionale janë njohur dhe harmonizuar me kodet moderne. Në Japoni, elementë të etikës konfuciane kanë ndikuar në interpretimin e ligjit penal, duke i dhënë rëndësi të veçantë riparimit të marrëdhënieve dhe pajtimit social (Henderson, 1965). Një shembull i ngjashëm shihet edhe në Zelandën e Re, ku parimet e së drejtës zakonore të Maorive janë integruar në proceset gjyqësore si faktorë zbutës në dënim. Këto raste tregojnë se përfshirja e elementeve zakonore nuk është e pamundur, por kërkon një proces të kujdesshëm adaptimi dhe rishikimi.

Besa, nderi dhe dinjiteti

Në kontekstin shqiptar, kjo do të nënkuptonte që disa parime të Kanunit mund të kodifikohen në formë të re. Për shembull, parimi i besës mund të shndërrohet në një dispozitë ligjore që thekson rëndësinë e marrëveshjeve të pajtimit dhe ndërmjetësimit penal. Në fakt, e drejta penale moderne po i jep gjithnjë e më shumë hapësirë drejtësisë restauruese, ku viktima dhe autori i krimit përfshihen në një proces dialogu me qëllim riparimin e dëmit moral dhe material. Ky mekanizëm mund të përforcohet nga koncepti i besës, i cili tradicionalisht pezullonte armiqësitë dhe krijonte një hapësirë paqeje.

Një tjetër element i vlefshëm është respekti për nderin dhe dinjitetin, i cili mund të përdoret për të forcuar mbrojtjen ligjore ndaj shpifjes, fyerjes dhe cenimit të reputacionit. Kanuni e shihte nderin si më të shtrenjtë se jeta, dhe megjithëse ky ekstremizëm nuk mund të pranohet sot, ideja themelore e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor mbetet aktuale. Në këtë drejtim, përfshirja e konceptit të nderit në Kodin Penal modern mund të ndihmojë në mbrojtjen më të fortë të integritetit moral të individit.

Nga ana tjetër, disa elementë të Kanunit nuk mund të përfshihen, por vetëm të transformohen. Gjakmarrja, si formë e drejtësisë private, është e papajtueshme me shtetin e së drejtës. Megjithatë, ajo mund të zëvendësohet me dispozita që nxisin pajtimin dhe faljen si alternativa ligjore. Për shembull, mund të parashikohen dispozita të veçanta që lejojnë uljen e dënimit në rastet kur familja e viktimës pranon faljen dhe pajtimin. Ky mekanizëm do të ruante shpirtin e pajtimit të Kanunit, por duke e vendosur atë brenda kuadrit ligjor.

Përgjegjësia kolektive dhe personale

Një tjetër problem është përgjegjësia kolektive, që shtrihej mbi fisin dhe familjen e fajtorit. Ky parim bie ndesh me të gjitha normat moderne së të drejtave të njeriut, të cilat njohin vetëm përgjegjësinë individuale. Megjithatë, edhe ky element mund të rikonceptohet si përgjegjësi morale kolektive për të nxitur komunitetin në rehabilitimin e autorit të krimit dhe në përkrahjen e viktimës. Pra, nga një instrument ndëshkues, përgjegjësia kolektive mund të transformohet në një instrument solidariteti.

Një nga sfidat më të mëdha mbetet statusi i gruas në Kanun. Në shumë nene, gruaja trajtohet si e nënshtruar ndaj burrit, me të drejta të kufizuara trashëgimie dhe pjesëmarrjeje. Ky dimension nuk mund të përfshihet, por përkundrazi duhet të tejkalohet përmes një rishkrimi që vendos barazinë gjinore si parim themelor. Për ironi, pikërisht duke përfshirë një dispozitë të tillë në Kodin Penal modern, do të shënohej një distancim i qartë nga aspektet diskriminuese të Kanunit, duke e integruar trashëgiminë e tij në një horizont të ri moral.

Kodi Penal si modernizim i traditës

Në këtë kuptim, përfshirja e Kanunit në Kodin Penal nuk duhet të kuptohet si një rikthim i verbër tek e kaluara, por si një proces i modernizimit të traditës. Siç thekson Montesquieu: “Ligjet duhet të përputhen me natyrën dhe karakterin e popullit që i zbaton” (Montesquieu, 1748/1989, f. 112). Për shqiptarët, natyra e traditës zakonore është ende e pranishme dhe nuk mund të injorohet. Por ajo mund të transformohet në një instrument që forcon, dhe jo dobëson, shtetin e së drejtës.

Përfundimisht, ideja e integrimit të Kanunit në Kodin Penal nuk është e thjeshtë dhe kërkon një proces të gjatë debati akademik, politik dhe shoqëror. Ky proces duhet të përfshijë ekspertë të së drejtës, sociologë, historianë dhe vetë komunitetet lokale. Vetëm kështu mund të arrihet një sintezë e shëndoshë, ku e drejta zakonore të mos shfaqet më si një konkurrent i shtetit, por si një burim inspirimi për një sistem më human dhe më të afërt me kulturën kombëtare. 

Një Kod Penal që do të përthithte elementet pozitive të Kanunit do të ishte një kod më i pranueshëm për qytetarët dhe më i lidhur me identitetin historik shqiptar. Ai do të krijonte një urë mes të kaluarës dhe së ardhmes, duke e kthyer një trashëgimi shekullore në një aset modern të shtetit ligjor. Në këtë mënyrë, Kanuni nuk do të mbetej një relikte e së shkuarës që shpesh shfaqet në formë dhune, por do të shndërrohej në një burim morali dhe ligjshmërie që e pasuron dhe e bën unik sistemin penal shqiptar.


Bibliografi

  • Bartl, P. (1985). Albanien: Vom Mittelalter bis zur Gegenwart. München: Verlag C.H. Beck.
  • Beccaria, C. (1764/1986). On Crimes and Punishments. Indianapolis: Hackett Publishing.
  • Elsie, R. (2001). A Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture. London: Hurst & Company.
  • Gjeçovi, S. (1933). Kanuni i Lekë Dukagjinit. Shkodër.
  • Henderson, D. F. (1965). Conciliation and Japanese Law: Tokugawa and Modern. Seattle: University of Washington Press.
  • Montesquieu, C. de. (1748/1989). The Spirit of Laws. Cambridge: Cambridge University Press.
  • Rakipi, A. (2005). E Drejta Penale Shqiptare. Tiranë: Universiteti i Tiranës.

Filed Under: Analiza

Besa në derën e shqiptarit – nga historiku në kohët moderne

September 9, 2025 by s p

Dr. Davida Marku/

1. Origjina dhe kuptimi i besës në traditën shqiptare

“Besa” është një nga konceptet më të hershme dhe më themelore të kulturës shqiptare, i rrënjosur në strukturën e së drejtës zakonore dhe të jetës sociale. Në fjalorët e vjetër shqip e në përkthime të hershme biblike, termi përkufizohet si “fjalë e dhënë, premtim solemn, besim e garanci sigurie”. Etymologjikisht, lidhet me fjalën “besim”, duke e bërë të dukshme lidhjen midis të vërtetës së fjalës dhe garancisë morale që i jepet tjetrit. Në traditën shqiptare, besa nuk është vetëm një akt verbal, por një obligim moral dhe juridik: një normë që prodhon pasoja të menjëhershme në marrëdhëniet ndërnjerëzore.

“Besa” është një kategori etiko-juridike qendrore në kulturën shqiptare që përmbledh premtimin e dhënë, garancinë e nderit dhe institutin e “pushimit” të konfliktit (armëpushim i përkohshëm) brenda të drejtës zakonore. Ky punim trajton evolucionin e besës nga rrënjët e saj në normat e Kanunit dhe praksitë e fisit, te përdorimet politike gjatë periudhës së Rilindjes, ndërthurja me shtetin modern dhe resemantizimet në shek. XX–XXI (mikpritje, shpëtimi i hebrenjve, pajtimet publike, etika e biznesit dhe reputacioni digjital). Duke kombinuar burime arkivore dhe literaturë albanologjike në shqip e frëngjisht, argumentojmë se besa funksionon si “kapital moral” me fuqi rregulluese në mjedise ku autoritetet formale janë të dobëta, por vijon të ketë vlerë simbolike edhe në shoqëritë urbane dhe diasporë, si sintezë e besueshmërisë, përgjegjësisë dhe solidaritetit.

Fjalë kyçe: besa, Kanuni, e drejta zakonore, mikpritja, pajtimi, etika e nderit, solidariteti, moderniteti.

“Besa” në fjalorin konceptual shqiptar shënon njëkohësisht (a) premtimin solemn të pakthyeshëm, (b) garantimin e sigurisë për tjerët (i “zënë në besë”), dhe (c) një institut paqeje të përkohshme që pezullon armiqësitë. Ajo është element-kyç i etikës së nderit dhe mekanizmave të zgjidhjes së konflikteve në shoqëritë tradicionale malore shqiptare. Teorikisht, punimi mbështetet në ndërthurjen e antropologjisë së ligjit (e drejta zakonore si rend normativ), sociologjisë së besimit (trust) dhe teorisë së kapitalit shoqëror. Metodologjikisht, përdorim analizë të normave kanunore, dëshmi arkivore (akte pajtimesh, letra autoritetesh lokale, raporte administrate e udhëtarësh), si dhe literaturë themelore albanologjike në shqip e frëngjisht.

Në traditë, “besa” nënkupton fjalën e dhënë si akt performativ që prodhon pasoja shoqërore e juridike. Personi “me besë” është agjent i besueshëm; thyerja e besës sjell sanksion moral (turpërim) dhe, në sistemin zakonor, pasoja të rënda (përjashtim nga komuniteti, humbje nderi). Në “besa” bashkohen norma etike (nder, mikpritje) dhe procedurë juridike (pezullim hasmërie, garanci kalimi).

2. Besa në Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe kodet e tjera zakonore

Kanuni i Lekë Dukagjinit, i përmbledhur nga Shtjefën Gjeçovi, përmban dhjetëra nene që trajtojnë besën si institucion juridik. Besa jepet në kuvend, nga pleqësia, dhe lidhet ngushtësisht me nderin, mikpritjen dhe gjakmarrjen. Për shembull, një armik nuk mund të vritej nëse ishte nën besë ose ndodhej brenda shtëpisë së një mikpritësi. Po ashtu, Kanuni njeh besën si instrument për pezullimin e hasmërisë dhe garantimin e paqes. Përveç Kanunit të Veriut, edhe Kanuni i Skënderbeut, Kanuni i Labërisë dhe normat zakomore të trevave të tjera përmbajnë parime të ngjashme, duke dëshmuar për përhapjen universale të këtij institucioni në hapësirën shqiptare.

Besa në të drejtën zakonore: normë dhe procedurë

Teksti i Kanunit (tradita e përmbledhur prej Shtjefën Gjeçovit dhe korpusi i normave paralele në Veri e gjetkë) njihte disa tipe besesh:

  • Besa e mikut: garancia e paprekshmërisë së mikut nën strehë.
  • Besa e rrugës: siguria e kalimit në territor të huaj (safe-conduct).
  • Besa e madhe/e vogël: pezullime të armiqësisë me kohëzgjatje e kushte të përcaktuara nga pleqësia.
  • Besa e gjakut: ndërprerje e përkohshme e ciklit të hakmarrjes për të mundësuar pajtimin.

Institucionalisht, pleqësia (këshilli i të urtëve) ishte autoriteti që e shpallte, negocionte dhe garantonte besën. Shkelja e besës konsiderohej cënim i rendit dhe trajtohej me sanksion të fortë zakonor.

3. Tipologjitë e besës: e mikut, e rrugës, e gjakut, e madhe/e vogël

Në praktikë, besa merrte forma të ndryshme sipas funksionit:

  • Besa e mikut: paprekshmëri absolute e mysafirit nën strehën e shqiptarit.
  • Besa e rrugës: garancia e kalimit të sigurt në një territor të huaj.
  • Besa e gjakut: ndërprerja e përkohshme e hakmarrjes për të hapur rrugë pajtimit.
  • Besa e madhe: armëpushim kolektiv i shpallur nga kuvendi për një periudhë të gjatë.
  • Besa e vogël: marrëveshje e kufizuar në kohë, zakonisht për raste të veçanta.

Ky klasifikim tregon fleksibilitetin e besës si normë dhe aftësinë e saj për t’iu përgjigjur nevojave të ndryshme sociale.

4. Institucionalizimi i besës nga pleqësia dhe roli i saj në arbitrazh

Dhënia dhe shpallja e besës nuk ishte akt individual, por proces kolektiv dhe institucional. Pleqësia – organi i urtëve të fshatit apo fisit – kishte autoritetin për të garantuar besën, për të caktuar kohëzgjatjen dhe për të ndëshkuar shkelësit. Kjo i jepte besës karakter publik dhe juridik, duke e shndërruar në një formë arbitrazhi të pranuar nga të gjithë.

5. Besa në aspektin social

5.1. Besa dhe mikpritja shqiptare: garancia e sigurisë për mysafirin

Në kulturën shqiptare, mysafiri është i shenjtë. Besa lidhet drejtpërdrejt me mikpritjen: kush hyn në derën e shqiptarit dhe pranohet me besë, gëzon mbrojtje të pakushtëzuar. Ky parim shpjegon edhe rastet historike ku shqiptarët kanë rrezikuar jetën për të mbrojtur të huaj, duke e konsideruar shkelje të turpshme çdo dhunim të mysafirit.

5.2. Besa si instrument i pajtimit dhe ndalimit të gjakmarrjes

Në kushtet e mungesës së shtetit, besa ka shërbyer si mekanizëm de-eskalimi për konfliktet e gjakut. Pleqtë shpallnin besë, duke pezulluar armiqësinë dhe duke krijuar kohë për bisedime. Pa këtë instrument, ciklet e gjakmarrjes do të ishin edhe më shkatërruese për komunitetet.

5.3. Sanksionet për thyerjen e besës: humbja e nderit dhe përjashtimi nga komuniteti

Thyerja e besës ishte një nga shkeljet më të rënda. Ai që e thyente konsiderohej “i pabesë” – i turpëruar, i përjashtuar nga jeta sociale, shpesh edhe i dënuar me masa drastike. Kjo e bënte besën të fuqishme si instrument juridik, sepse garancia nuk ishte policia, por nderi dhe frika e turpit.

5.4. Besa në raport me solidaritetin dhe përgjegjësinë shoqërore

Besa lidhet ngushtësisht me konceptin e solidaritetit komunitar. Ajo krijon lidhje të forta besimi, duke ndërtuar një kapital moral që i jepte stabilitet marrëdhënieve shoqërore. Edhe sot, termi “ia kam besë” shënjon jo thjesht besim personal, por një marrëdhënie përgjegjësie të ndërsjellë.

6. Besa në aspektin historiko-politike

6.1. Besëlidhjet në historinë shqiptare

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare, “besëlidhjet” u përdorën si formë organizimi politik. Kuvendet lokale shpallnin besë kolektive për të ndalur hasmëritë dhe për të bashkuar forcat kundër armikut të përbashkët. Kështu, besa u shndërrua nga normë zakonore në instrument politik e kombëtar.

6.2. Besa në kohë lufte dhe krize

Në periudha krize, si gjatë pushtimeve të huaja, besa shërbeu si armëpushim i detyruar dhe si garanci për aleanca. Ajo ishte një formë legjitimiteti popullor, shpesh më e fuqishme se dekretet e pushtetit zyrtar.

6.3. Shembulli i shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore

Rasti i mbrojtjes së hebrenjve në Shqipëri është ndër dëshmitë më të fuqishme të besës shqiptare. Familjet shqiptare, duke e parë strehimin e tyre si obligim të besës, refuzuan t’i dorëzonin hebrenjtë tek pushtuesit nazistë. Ky veprim e bëri Shqipërinë ndër vendet e pakta në Europë ku numri i hebrenjve u rrit gjatë luftës.

7. Besa në kohët moderne

7.1. Besa në shoqërinë bashkëkohore: nga fshati tek qyteti

Në kohët moderne, besa është zhvendosur nga fshati tradicional tek qyteti, duke u ruajtur si etikë besueshmërie në marrëdhëniet e përditshme. Ajo shihet si “kapital social” në marrëdhënie biznesi dhe në marrëveshje joformale.

7.2. Besa dhe pajtimet publike në Kosovë në fund të shek. XX

Në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90, në Kosovë u zhvillua një lëvizje e fuqishme pajtimesh, e udhëhequr nga Anton Çetta dhe intelektualë të tjerë. Me dhjetëra mijëra gjakmarrje u pezulluan me dhënien e besës publike. Ky është shembulli modern më domethënës i fuqisë së saj.

7.3. Besa në diasporë: rrjetet e besimit dhe kapitali social

Në diasporë, shqiptarët shpesh i referohen besës për të garantuar marrëveshje pune, kredi informale apo partneritete biznesi. Ajo funksionon si monedhë besimi kur mungon garancia institucionale.

7.4. Reinterpretimi i besës në biznes, politikë dhe marrëdhënie ndërpersonale

Në diskursin publik shqiptar, “besa” përdoret shpesh edhe metaforikisht: një politikan jep “besën” për një reformë, një sipërmarrës për një marrëveshje, një individ për një lidhje personale. Kjo tregon elasticitetin e konceptit, por ngre edhe pyetje mbi rrezikun e keqpërdorimit të tij.

8. Besa në aspeke krahasuese

8.1. Paralelet mes besës shqiptare dhe instituteve të ngjashme

Ngjashmëri gjejmë me:

  • Safe-conduct (tradita europiane mesjetare për kalim të sigurt).
  • Parole d’honneur (tradita franceze e fjalës së dhënë).
  • Aman (tradita islamike e garancisë për të huajin).

Megjithatë, besa shqiptare ka një intensitet unik, pasi lidhet ngushtë me nderin dhe me sanksione kolektive shumë të forta.

8.2. Besa dhe koncepti modern i “mirëbesimit” në të drejtën civile e tregtare

Në të drejtën civile bashkëkohore, ekziston parimi i mirëbesimit (good faith), që kërkon që palët të veprojnë me ndershmëri në kontrata. Në njëfarë mënyre, ky është ekuivalenti juridik modern i besës. Por, ndryshe nga “besa” zakonore, mirëbesimi është i formalizuar dhe i mbrojtur nga gjykatat.

9. Dimensionet e besës nga lindja deri sot

  1. Dimensioni social: mikpritja, nderi, solidariteti

“Besa” është “porta” e mikpritjes shqiptare: shtëpia e hapur për të ardhurin është e paprekshme sa kohë që i është dhënë besa. Nga ana tjetër, ajo është mjet “de-eskalimi” në mjedise me potencial të lartë konflikti, duke ulur rrezikun e cikleve të gjakmarrjes dhe duke krijuar hapësirë për negocim.

  1. Besa në burimet historike dhe vëzhgimet e udhëtarëve

Burime administrative dhe rrëfime udhëtarësh të shek. XIX–XX përshkruajnë shpesh besën si mekanizëm efektiv rregullimi në zona me autonomi lokale. Tekstet frëngjisht të kohës (p.sh., Auguste Dozon, Alexandre Degrand, J.-C. Faveyrial) ofrojnë dëshmi për praktika të “armëpushimit të nderit”, mikpritjes dhe garancisë së fjalës, si dhe rolin e pleqësive në menaxhimin e konflikteve. Këto dëshmi, megjithë prirjet e tyre etnografizuese, janë të çmuara për të krahasuar normën zakomore me implementimin praktik.

  1.  Besa në Rilindjen Kombëtare dhe shtetin modern

Gjatë Rilindjes, besa merr edhe ngarkesë politike: aktet kolektive të besës (premtimi publik i bashkimit, “besëlidhjet”) shërbyen si instrument mobilizimi dhe disipline në kryengritje dhe organizime shoqërore. Me konsolidimin e shtetit modern, e drejta pozitive tentoi të zëvendësonte arbitrazhin zakonor, por në shumë zona bashkëjetuan (dualist), ku besa funksiononte si parim moral dhe praktikë pajtuese nën hijen e institucioneve formale.

  1. Besa gjatë shekullin e XX: nga tragjeditë te solidariteti

Shekulli XX solli dy rishfaqje emblemë:

  • Pajtimet publike: lëvizje të ndërmjetësimit zakonor (veçanërisht në Kosovë në fund të viteve ’80–’90, me figurat e pajtuesve, rite publike të dhënies së besës dhe ndërprerjes së gjakut).
  • Shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës II Botërore: familje shqiptare ofruan strehë dhe garanci sigurie duke e përkthyer besën në obligim etik për mbrojtjen e tjetrit, përtej kufijve fetarë e etnikë. Kjo ngjarje është dëshmi paradigmatike e besës si normë humane me efekt praktik.
  1.  Besa në tranzicionin post-1990: sfida dhe resemantizime

Pas viteve 1990, dobësimi i institucioneve shtetërore në disa periudha nxori në pah reaktivizimin e praktikave zakomore (pajtimi, ndërmjetësimi i pleqve), por edhe keqkuptime: romantizim, instrumentalizim mediatik ose përdorim si justifikim i vetëgjyqësisë. Në hapësirën urbane, “besa” po zhvendoset nga procedurë zakomore në etikë besueshmërie: fjalë e dhënë në marrëdhënie biznesi, asociacioni qytetar, filantropi.

  1. “Besa” dhe e drejta pozitive: përputhje dhe tensione

Nga këndvështrimi juridik, besa nuk prodhon titull ekzekutiv në të drejtën moderne; ajo nuk është kontratë e tipizuar. Por ajo mund të ankorojë reputacionin dhe të informojë parimin e mirëbesimit (good faith) në kontraktim, si dhe praktikat e mediacionit para-gjyqësor. Tensioni shfaqet kur normat zakomore bien ndesh me të drejtat themelore ose procedurat e shtetit ligjor; në këto raste, besa ka vlerë etikë e simbolike, jo detyrim juridik formal.

  1. Besa në diasporë dhe ekonominë e reputacionit

Në diasporë, rrjetet e besimit (“i kam besë filanit”) funksionojnë si kapital social për punë, kredi informale, sipërmarrje. Në epokën digjitale, besa gjen barasvlerës në reputacionin online (vlerësime, garanci publike), por mbetet e lidhur me identitetin: ndërsa teknologjia mat sjelljen, “besa” shënon përgjegjësinë personale për fjalën e dhënë.

  1.  Krahasime ndërkulturore (shënime të shkurtra)

Konceptet e “safe-conduct”, “parole d’honneur” (fr.), ose “aman” (tradita islamike e garancisë) ofrojnë analogji pjesshore. Dallueshmëria shqiptare qëndron në intensitetin shoqëror dhe institucionalizimin zakonor (pleqësia, afatet e besës, sanksioni i nderit).

  1. Rreziqet e keqpërdorimit dhe nevoja për korniza bashkëkohore

Përdorimi metaforik i “besës” për të anashkaluar kontrata, ligje ose procedura mund të krijojë pasiguri juridike. Prandaj, një kornizë etiko-procedurale e ndërmjetësimit (mediacioni komunitar i certifikuar, protokollet e pajtimit, dokumentimi i marrëveshjeve) do të lejonte që vlerat e besës të kontribuojnë në paqe sociale pa zëvendësuar shtetin e së drejtës.

Përfundime

Besa mbetet një institut i gjallë kulturor dhe një resurs moral në shoqërinë shqiptare. Nga një instrument juridiko-zakonor për pezullimin e konflikteve, ajo është shndërruar gradualisht në etikë të besueshmërisë dhe simbol të identitetit. Sfida bashkëkohore është armonizimi: të ruhet thelbi i saj – fjala e dhënë si obligim moral ndaj tjetrit – ndërsa praktikat e pajtimit dhe garancisë të rreshtohen me standardet e shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut.

Besa është një trashëgimi kulturore që shtrihet nga zakoni i vjetër shqiptar deri në marrëdhëniet moderne të besueshmërisë. Ajo ka evoluar nga një normë juridike zakomore në një simbol kombëtar dhe një kapital moral me vlerë edhe sot. Sfidat bashkëkohore janë të ruhet thelbi i saj pa u keqpërdorur, duke e integruar në kornizat e shtetit ligjor dhe të marrëdhënieve moderne shoqërore.

Burime arkivore (orientuese)

  • Arkivi Qendror i Shtetit (AQS), Tiranë: fondet e prefekturave dhe komunave (shek. XIX–XX), akte pajtimesh, korrespondencë administrative mbi rendin publik dhe të drejtën zakonore; kartela etnografike dhe fotografi terreni.
  • Arkivat kishtare (katolike/ortodokse): protokolle vizitash baritore dhe raporte misionarësh me shënime mbi normat e mikpritjes, konfliktet dhe pajtimet.
  • Koleksione periodikësh historikë: gazeta shqiptare (fillimshek. XX) me lajme mbi besëlidhje, pajtime dhe akte publike “të dhënies së besës”.

Në shqip

  • Shtjefën Gjeçovi. Kanuni i Lekë Dukagjinit (botime të ndryshme).
  • Anton Çetta. Folklor dhe tradita shqiptare (për pajtimet dhe institucionet e nderit).
  • Mark Krasniqi. Etnografia shqiptare (studime mbi normat zakonore).
  • Jaho Brahaj. Shkrime për të drejtën zakonore dhe pajtimet në Kosovë.
  • Pëllumb Xhufi. Studime historike me burime arkivore për marrëdhëniet shoqërore në Mesjetë/Perandorinë Osmane.
  • Eqrem Çabej. Vërejtje leksikologjike/kulturore mbi terminologjinë e traditës (për aspektin e fjalës së dhënë).
  • Akademia e Shkencave. Botime mbi kulturën zakonore dhe pajtimet (korpuse studimore).
  • Koleksione dokumentesh mbi shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri (testimoniale familjare dhe botime muzeale).

Në frëngjisht

  • Auguste Dozon. Shkrime për Shqipërinë dhe folklorin shqiptar (shek. XIX) – vëzhgime mbi praktikat e nderit dhe mikpritjes.
  • Alexandre Degrand. Souvenirs de la Haute Albanie (përshkrime të jetës shoqërore dhe normave lokale).
  • J.-C. Faveyrial. Histoire de l’Albanie (material për kontekst historik dhe zakone).
  • Studime në revista frankofone mbi Ballkanin (p.sh., artikuj në Revue de géographie, Études balkaniques), që dokumentojnë institucionet zakomore dhe mikpritjen.
  • Përkthime në frëngjisht të Kanunit (botime të ndryshme) – për krahasimin terminologjik dhe kornizën normative.

Filed Under: ESSE

Republika të miqësisë, ku ligji është vetëm dekor

September 9, 2025 by s p

Artan Nati/

Një miku im, emigrant në USA, kishte një hall me pronën në Shqipëri. Jo, nuk ishte hall me kufij, me gardhe, apo me të afërmit grindavecë, halli ishte ne kadastër. Dhe meqë kadastra jonë është si një kasafortë pa çelës, për t’u hapur të duhet gjithmonë “çelësi nën tavolinë”. Miku im nuk e pranoi këtë. Nuk iu drejtua “mikut të duhur”, nuk pranoi “poshtërimin e radhës” që e shesin si shërbim shtetëror. Në vend të kësaj, ai bëri një gjë të papranueshme për standardin shqiptar, ai i shkroi një letër kryeministrit. Po, një letër, në vend të zarfit. Një akt i thjeshtë qytetar, që tek ne konsiderohet skandal publik. Ky njeri guxoi të denoncojë korrupsionin dhe të mbrojë dinjitetin e vet. Një veprim që ndoshta e trembi, ndoshta e bëri të qeshë, ndoshta as që e trazoi kryeministrin. Por një gjë u bë e qartë: kur një qytetar, sado i vetëm, zgjedh dinjitetin mbi tarafin, atëherë sistemi fillon të duket lakuriq. Forca e një shoqërie matet nga aftësia e saj për t’u mbledhur rreth dinjitetit dhe të drejtës së përbashkët, dy themele mbi të cilat ndërtohen demokracitë e qytetëruara. Por Shqipëria duket se ka zgjedhur një tjetër manual: atë të miqësive të rastit dhe tribalizmit pa fund. Në vend që të pyesim “a është e drejtë?”, shpesh dëgjon “a është mik?”. Në vend që të mbrojmë dinjitetin e njeriut, ne shpallim kampionin e fisit, kushëririn e tretë, ose shokun e gjimnazit të dikujt në pushtet.

Ne shqiptarët shpesh e harrojmë një të vërtetë të thjeshtë, por themelore: të drejtat e çdo njeriu fillojnë të zbehen në çastin kur kërcënohen të drejtat e vetëm një njeriu. Shoqëria nuk është një ishull me individë të veçuar, por një rrjet i brishtë fijesh që lidhen mes tyre. Nëse pritet një fije, gjithë rrjeti fillon të çahet.

Kur heshtim për padrejtësinë ndaj një tjetri, ne në fakt pranojmë që padrejtësia të bëhet pjesë e frymës sonë të përditshme. Sot është radha e atij që nuk ka “mik të madh”, nesër mund të jetë radha jonë. Të drejtat nuk janë privilegje që i caktohen kujtdo sipas qejfit, por një dritë e përbashkët që shuhet në momentin kur lejojmë errësirën të mbulojë qoftë edhe një cep të saj.

Dinjteti nuk është luks i një individi, por është ajri i përbashkët që të gjithë marrim frymë. Nëse ajri helmohet për njërin, helmohet për të gjithë. Dhe në këtë kuptim, heshtja jonë është oksigjeni i padrejtësisë.

Nëse duam të ndërtojmë një Shqipëri qytetare, duhet të mësojmë të shohim tek çdo njeri një pasqyrim të vetvetes. Të kuptojmë se kur dikujt i shkelet e drejta, nuk është thjesht ai që humbet, por të gjithë ne bëhemi më të vegjël, më të varfër, më të pambrojtur.

Kështu, ligji tek ne shpesh duket si një dekor i bukur për t’u varur në mur, ndërsa vendimet merren sipas manualit të vjetër shqiptar: “më thuaj kë njeh, të të them çfarë drejtësie ke”. E quajmë shoqëri moderne, por funksionojmë si një fshat i madh ku kulla e mikut vlen më shumë se institucionet. Madje edhe fjala “dinjitet” tingëllon më shumë si fjalor akademik për diplomacinë, sesa si realitet i përditshëm.

Historia e njerëzimit është e mbushur me momente kur një njeri i vetëm ndez një komb të tërë. Tunizia pati tregtarin Mohamed Bouazizi, i cili me aktin e vetëflijimit ndezi zjarrin e Pranverës Arabe. Në Francë, një filozof si Rousseau dhe më pas një revolucionar si Robespierre, u kthyen në frymëzim për të përmbysur një rend të vjetër e të kalbur. Në Indi, Gandhi, vetëm me trupin e tij të brishtë dhe me fuqinë e mosbindjes, i tregoi botës se edhe perandoria më e madhe mund të mposhtet pa armë. Në Amerikë, Martin Luther King ndezi një popull të tërë me fjalën e tij të thjeshtë, por hyjnore, për ëndrrën e barazisë.

Po Shqipëria? Ku e ka fshehur kurajon qytetare dhe shpirtin e revoltës? A mos vallë ky shpirt është mbytur nën shekuj otomanizmi, nën zinxhirët e komunizmit, dhe sot endet i mpirë mes apatisë dhe indiferencës? Apo thjesht fle thellë, si një fosil që pret dorën e arkeologut për t’u zbuluar nën shtresat e dheut e të harresës? Në Shqipërinë tonë, ku prej 30 vitesh ligji është dekor, ndërsa rregulli i vërtetë është “kush ka mik, ka shtet”.

Nga sulltanati trashëguam beun e shtëpisë, që rri në krye të sofrës e vendos kush pi raki e kush merr tapinë. Nga komunizmi trashëguam burokracinë pa fund, ku gjithçka bëhet me “rekomandim partie”. Rezultati? Një miks kulturash: osmano-komunizëm me shije “demokraci europiane”. Në këtë vend të bekuar, qytetaria nuk është status, por naivitet. Në vend që të jemi qytetarë, mbetemi klientë, në vend që të kemi shtetin ligjor, kemi shtetin “e mikut”. Dhe ky shtet funksionon për mrekulli: punësimi, drejtësia, spitali, madje edhe funerali, të gjitha kalojnë në sitën e famshme: “mos u mërzit, se kam një mik atje”.

Kështu, çdo procedurë ligjore e shkruar me pompozitet në fletoren zyrtare humbet kuptimin sapo hyn në skenë fjalia magjike: “do ta rregulloj unë”. Në vend të barazisë para ligjit kemi barazinë para telefonit. Në vend të gjykatës kemi kafen e lagjes. Në vend të shtetit kemi mikun.

Në fund të ditës, ky ritual i miqësisë nuk është thjesht kulturë kombëtare, por një sistem paralel. Një republikë hijesh ku qytetaria është shpallur e vdekur dhe sundon miqësia e rreme. Ne nuk i besojmë ligjit, por i besojmë mikut. Nuk i besojmë institucioneve, por i besojmë telefonatës. Dhe prandaj krenohemi me sarkazëm të hidhur: “Shqipëria është vend i vogël, këtu të gjithë jemi miq”.

Në të vërtetë, përkthimi i kësaj krenarie është i thjeshtë: këtu askush nuk është qytetar, sepse kur të gjithë jemi “miq”, atëherë nuk ka më shoqëri, ka vetëm klientë në pritje të një nderi. Ne jemi shoqëria e miqve dhe e ndereve, sepse shqiptari jeton për një nder dhe besë. Por kjo besë dhe ky nder duhet të jetë ndaj atdheut apo ndaj mikut në pushtet, të vërtetës apo kryetarit të partisë, ligjit apo Maliqit?

 Shkoni në QSUT. Në teori, aty është kështjella e shëndetësisë publike. Në praktikë, është një hotel ku krevati merret me rekomandim. Nëse nuk ke mik infermierin, shërbimin e merr me vonesë, nëse nuk ke mik mjekun, analizat vonohen, por nëse ke “telefonatë nga lart”, hapet edhe salla e operacionit që ishte “e zënë”. Në fund, nuk është shkenca që të shpëton, por numri i ruajtur te “kontaktet”. Shkoni në Gjykatën e Lartë. Vendimet aty nuk varen nga kodi penal, por nga kodi i miqësisë. Një gjyqtar mund të interpretojë ligjin në 50 mënyra, por vetëm një është e saktë: ajo që i shërben mikut. “Të gjithë janë të barabartë para ligjit” është slogan për në mur, jo për në sallë. Në sallë vendos kush e ka mik kë.

Shkoni në Polici. Në teori, aty sundon rendi. Në praktikë, është një agjenci shërbimesh private ku gjoba të fshihet nëse “ke mik në komisariat”. Ligji nuk është më i fortë se lidhja e gjakut, shoqërisë ose kafesë së përbashkët. Ky është paradoksi ynë kombëtar: një shtet me parlament, qeveri, gjykata, spitale e universitete, por që funksionon vetëm me një aplikacion të lashtë, më efikas se çdo platformë dixhitale që quhet “mik”. Por ja ku vjen pyetja që na përvëlon: a do të mbetemi përjetësisht robër të kësaj kulture, apo do të bëhemi më në fund qytetarë? A do të vazhdojmë të krenohemi me sarkazëm “këtu të gjithë jemi miq”, kur përkthimi i saj është se askush nuk është qytetar? 

Përgjigjja nuk vjen nga Brukseli, as nga ambasadat, as nga premtimet e partive. Ajo vjen nga ne. Nga guximi për të thënë “jo”. Nga zgjedhja për të mos telefonuar mikun, por për të kërkuar ligjin. Nga vendimi për të mos u tallur më me qytetarinë, por për ta rimarrë atë. Nuk ka reformë më të madhe se kur një shoqëri vendos të kthehet nga klientë në qytetarë. Nuk ka akt më revolucionar se kur një njeri i zakonshëm zgjedh të mos pranojë turpin e radhës. Dhe nuk ka armë më të fuqishme se dinjiteti i qytetarit që refuzon të përkultet para “mikut”.

Sot, Shqipëria ka nevojë për një revoltë paqësore qytetare. Jo për dhunë, por për mosbindje. Jo për zjarr, por për guxim moral. Të refuzojmë zarfet, telefonatat, rekomandimet. Të denoncojmë hapur. Të mbrojmë dinjitetin tonë, sado të vegjël të dukemi. Sepse historia është e mbushur me dëshmi se kur guxon një, zgjohet i gjithë kombi. Duhet të jemi qytetarë, jo klientë,sepse askush nuk mund të të bëjë të ndihesh inferior pa pëlqimin tënd. . Të besojmë te ligji, jo te miku. Të mbrojmë dinjitetin tonë, jo interesin e fisit, sepse marrëdhënia më e fuqishme që do të kemi ndonjëherë është marrëdhënia me veten tonë Të ndërtojmë shtetin tonë, jo rrjetin e miqve. Sepse vetëm kur të kuptojmë se qytetari është më i fortë se fisi dhe ligji më i shenjtë se mikpritja e hallit, Shqipëria do të bëhet Republikë e njerëzve, jo Republikë e miqve. 

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 175
  • 176
  • 177
  • 178
  • 179
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT