• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dr. Ibrahim Rugova, guri themeltar i shtetit të pavarur të Kosovës

September 9, 2025 by s p

Dr. Elmi Berisha*/

Bashkëpunimi me Presidentin Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova (1990-2006).

Kur flasim për Ibrahim Rugovën, flasim për një figurë emblematike të historisë së popullit shqiptar. Ai nuk ishte vetëm një udhëheqësi politike që simbolizoi rrugëtimin tonë të drejtë lirisë dhe pavarësisë, por edhe arkitekti i një vizioni unik, i cili mbeti guri themeltar i shtetit të pavarur të Kosovës. Për mua, ky vizion nuk ishte thjesht një koncept dhe projekt politik, por ishte besim në vizionin dhe largpamësinë e një dijetari erudit dhe burrështetasit të pashoq që kishte projektuar saktë rrugën e lirisë, pavarësinë dhe prosperitetin për popullin dhe vendin e vet. Ai u bë udhërrëfyesi im jetësor, dhe nderi i bashkëpunimit me të, si dhe mbështetja ndaj filozofisë së tij politike, përfaqësojnë një kapitull të ndritur të angazhimeve të mia politike, diplomatike dhe jetësore në shërbim të kombit dhe vendit tim.

Takimi im i parë me Presidentin Rugova në vitet e stuhishme të viteve ’90 ishte një moment kthese. Aty u betonua besimi im në vizionin e tij për një Kosovë të lirë, demokratike dhe evropiane. Rrezatimi i tij intelektual, qetësia e tij burrërore dhe strategjia e tij gjeniale për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës ishin shenja të një lideri të pashoq. Presidenti Rugova nuk ishte thjesht një politikan; ai ishte mishërimi i urtësisë dhe guximit, një udhëheqës që ndryshoi rrjedhën e historisë së kombit tonë.

Puna ime me të dhe për të ishte e gjithanshme. Në SHBA, ku veproja si një nga mbështetësit më të devotshëm të kauzës së tij, u angazhova fuqishëm në organizimet dhe lobimet me senatorë, kongresmenë dhe personalitete të tjera të shquara të jetës publike amerikane.

Së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, punuam pa rreshtur për të sensibilizuar opinionin publik dhe politikëbërësit amerikanë për të drejtat e popullit tonë. Në këtë kuadër, organizimet për takime me figurat e nivelit të lartë si senatori Bob Dole, kongresmeni Eliot Engel dhe të tjerë ishin përherë prioritet. Kemi organizuar dhe aranzhuar qindra aktivitete, që nga lobimi, takimet e të gjitha niveleve nga Departamenti i Shtetit, Senatit dhe Kongresit Amerikan e deri në Shtëpinë e Bardhë.

Bashkë me shumë bashkëpunëtorë dhe veprimtarë të palodhshëm të kauzës sonë kombëtare, kemi organizuar me dhjetëra demonstrata, protesta dhe aktivitete të tjera në funksion të ndërkombëtarizimit të çështjes në Kosovë në Uashington, Nju Jork dhe në vende të tjera kudo që ishte e rëndësishme të dëgjohej e flitej për Kosovën.

Gjithmonë në shërbim të kauzës kombëtare dhe vizionit të Presidentit Rugova, promovuam sloganin historik “Liri, Pavarësi, Demokraci”, që u bë parimi i udhëheqjes së lëvizjes sonë. Ky slogan nuk është vetëm një parullë politike; ai ishte një filozofi e mbështetur në paqe dhe rezistencë paqësore, që frymëzoi qindra mijëra shqiptar të Kosovës dhe të Diasporës.

Një aspekt i veçantë i angazhimit tim ishte ndihma në fushën e financimit dhe logjistikës së Luftës Çlirimtare, si dhe bashkëpunimi i ngushtë me Ministrin e Mbrojtjes Kolonel Ahmet Krasniqi. Si këshilltar dhe bashkëpunëtor i tij, përherë u sigurova që të mbështesja veprimtarinë e tij lojaliste ndaj vizionit të Presidentit Rugova. Kjo periudhë ishte e mbushur me sfida, por edhe me momente të jashtëzakonshme solidariteti dhe bashkëpunimi. Kontributet tona të përbashkëta në këtë drejtim përfaqësojnë një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së re të Kosovës.

Pas çlirimit, pata nderin e jashtëzakonshëm që të jem i emëruari i pari zyrtar nga Presidenti Rugova si deleguar i tij për zyrën e senatorit Bob Dole dhe këshilltar i Presidentit për çështjet e SHBA-së. Kjo detyrë ishte një përgjegjësi e madhe dhe një mundësi e rrallë për të vazhduar promovimin e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ishte nder dhe privilegj të përfaqësoja një vizion që synonte të sillte paqe, stabilitet dhe zhvillim në Kosovë. Pas ndarjes nga jeta të Presidentit Rugova, angazhimi im në shërbimin e Kosovës dhe Kombit Shqiptar nuk u ndal.

Si Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, vazhdoj të punoj në funksion të avancimit dhe afirmimit të çështjes kombëtare. Çdo hap që kam marrë, qofte në të kaluarën apo në të tashmen, ka qenë dhe mbetet i udhëhequr nga fryma e vizionit të Dr. Rugovës. Pavarësia e Kosovës ishte një çast triumfi, por po aq e rëndësishme është ruajtja dhe forcimi i vlerave mbi të cilat ajo u ndërtua.

Ibrahim Rugova mbetet në historinë tonë një figurë unike, ati themeltar i shtetit të pavarur të Kosovës dhe një udhërrëfyes moral e politik për të gjithë brezat.

Puna ime me të dhe në mbështetje të tij ishte një privilegj i jashtëzakonshëm, dhe krenaria ime qëndron në faktin se kontribuova për një kauzë të drejtë dhe të shenjtë për popullin tonë. Me mirënjohje të pamasë për gjithçka që Presidenti Rugova simbolizoi dhe arriti, unë do të vazhdoj të punoj në ruajtjen e trashëgimisë së tij dhe në forcimin e pozicionit të Kosovës në botë.

*Marrë nga libri: “Dr. Ibrahim Rugova, arkitekti i pavarësisë së Kosovës”.

Filed Under: Politike

Evolucioni i dialogut Kosovë–Serbi 2013–2025: Marrëveshje pa njohje, normalizim pa finalizim dhe kriza pa zgjidhje

September 8, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

1. Konteksti historik dhe juridik deri në vitin 2020

Dialogu Kosovë–Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i filluar pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010, synonte të krijonte një kornizë të re marrëdhëniesh ndërmjet dy shteteve. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 përbënte nyjën themelore, duke përcaktuar integrimin e strukturave paralele të Serbisë në sistemin juridik, policor dhe gjyqësor të Republikës së Kosovës.

Në aspektin juridik ndërkombëtar, kjo marrëveshje u interpretua si paradhomë e njohjes reciproke: SHBA dhe BE e artikuluan qartë se “normalizimi përfundimtar” nënkuptonte njohje të ndërsjellë dhe integrim euroatlantik të Kosovës. Deri në vitin 2020, drejtimi politik ishte i qartë: çdo marrëveshje ndërmjet palëve duhej të shërbente si hap drejt finalizimit të statusit shtetëror të Kosovës.

2. Devijimi pas vitit 2020 – zhvendosja nga politika në ekonomi

Marrëveshja e Uashingtonit (4 shtator 2020) shënoi një ndryshim paradigmatik. Për herë të parë, dialogu i nivelit më të lartë u zhvendos nga objektivi i njohjes politike tek projektet e normalizimit ekonomik: energjetika, infrastrukturat hekurudhore, dhe lidhjet rajonale.

Ky devijim e uli presionin mbi Serbinë për të bërë lëvizje politike, duke e reduktuar procesin në paketa të pjesshme dhe marrëveshje administrative, të cilat, në mungesë të një instrumenti juridik ndërkombëtar detyrues, krijuan një gjendje të zgjatur të paqartësisë së statusit të Kosovës. Në termat kushtetues, ky proces nuk adresoi aspak integritetin territorial, sovranitetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

3. Zhvillimet e vitit 2023 – rruga drejt “normalizimit pa njohje”

-27 shkurt 2023: BE prezantoi një dokument të titulluar “rrugë drejt normalizimit”, duke parashikuar reciprocitet në përdorimin e dokumenteve shtetërore, por pa e bërë njohjen e plotë detyrim juridik.

-18 mars 2023, Ohër: Nënshkrimi i aneksit të zbatimit, që përcaktoi mekanizma monitorimi dhe lidhjen me integrimin evropian.

Në praktikë, këto dokumente e forcuan rolin ndërmjetës të BE-së, por lanë të hapur çështjen themelore – aktin e njohjes reciproke. Serbia, duke shfrytëzuar këtë ambiguitet, e ruajti politikën e saj të mohimit të shtetësisë së Kosovës, ndërsa Kosova u gjend në pozitë mbrojtëse.

4. Gjendja aktuale (2025): kriza e “normalizimit pa finalizim”

Nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare, njohja e shtetit është akt unilateral i secilit shtet dhe nuk mund të zëvendësohet nga marrëveshje teknike. Sot, Kosova përballet me disa rreziqe madhore:

-Asociacioni i komunave me shumicë serbe rrezikon të krijojë një autonomi funksionale paralele, në kundërshtim me parimet e Kushtetutës së Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese (2015).

-Normalizim praktik pa ndryshim të statusit juridik ndërkombëtar, çka mund të shndërrojë dialogun në një instrument për menaxhim krize, jo për zgjidhje finale.

-Ngadalësim i procesit të njohjeve dhe izolim institucional në organizatat ndërkombëtare.

Leva më e fortë e BE-së mbetet Kapitulli 35 i negociatave të anëtarësimit të Serbisë, që kushtëzon progresin e saj me marrëdhëniet ndaj Kosovës. Megjithatë, ky instrument nuk është shfrytëzuar në mënyrë të plotë për ta lidhur drejtpërdrejt me aktin e njohjes.

5. Krahasime ndërkombëtare

-Dy Gjermanitë (FRG/GDR): Marrëveshjet teknike dhe ekonomike u zhvilluan për dekada, por njohja dhe bashkimi erdhën vetëm pas garancive të fuqive të mëdha. Mësim për Kosovën: normalizimi ekonomik nuk mund të zëvendësojë njohjen politike; garancitë ndërkombëtare janë vendimtare.

-Izrael–Palestinë: Marrëveshjet e Oslo krijuan hapësira ekonomike e administrative, por pa adresuar statusin përfundimtar, duke e lënë konfliktin të hapur. Mësim: marrëveshjet selektive pa afate dhe pa instrumente detyruese prodhojnë status quo.

-Qipro: Institucionet paralele dhe mungesa e një marrëveshjeje juridikisht detyruese e kanë bërë ndarjen pothuajse të përhershme.Mësim: tolerimi i strukturave paralele e ngurtëson fragmentimin territorial dhe institucional.

6. Rekomandime strategjike për Kosovën

Rikthimi i njohjes si bosht të dialogut – çdo marrëveshje e ardhshme duhet të përmbajë pasoja të qarta për refuzimin e njohjes.

Marrëveshje gjithëpërfshirëse, juridikisht detyruese – instrument ndërkombëtar i ratifikuar nga parlamentet respektive, jo vetëm marrëveshje politike.

Diplomaci aktive dhe lobim për anëtarësime – fushatë për Këshillin e Evropës, UNESCO, INTERPOL dhe, në perspektivë, OKB.

Qëndrim kushtetues ndaj strukturave paralele – implementim i plotë i Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin.

Shfrytëzimi i procesit evropian si levë – kushtëzimi i çdo progresi të Serbisë në BE me hapa konkretë dhe të matshëm për njohjen reciproke.

7. Perspektiva strategjike

Nëse dialogu vazhdon në trajektoren aktuale, ekziston rreziku real i një status quo të ngrirë, ku Serbia e mban politikën e mosnjohjes, ndërsa Kosova mbetet e varur nga marrëveshje të pjesshme, duke e reduktuar procesin në një menaxhim të krizave pa zgjidhje finale.

Opsioni strategjik për Kosovën është i vetëm dhe i qartë:

-Garanci amerikane dhe evropiane se fundi i dialogut duhet të jetë njohja reciproke.

-Anëtarësimi i plotë i Kosovës në OKB dhe NATO si finalizim i natyrshëm i shtetësisë së saj.

Filed Under: Analiza

“Letërsia në rrezik”, ose refuzimi estetik i radhës

September 8, 2025 by s p

Behar Gjoka/

Libri “Letërsia në rrezik” është një nga tekstet teorike të T. Todorov, botuar më 2007 në Paris, të njërit nga studiuesit më të spikatur, i njohur me disa libra, teorikë dhe studimorë, që në fakt në hapësirën e këtij teksti shënon një qasje tepër interesante për risqet e shumta që i kanosen letrares në gjithëkohësi. Në faqet e këtij teksti kemi të pasqyruar shqyrtimin e një lëngate tjetër, si me thënë të një sëmundje, në dukje “të butë” të letrares, të paralajmëruar kohë më parë, që një tekst të ketë lidhje me letërsinë, të studiohet prej shkencës letrare dhe të formatohet formalisht në vargje, në prozë apo në dramë si letërsi dhe të ketë mungesa të ndjeshme në marrëdhënie me letraren, madje nganjëherë t’i mungojë plotësisht ajo, e megjithatë pa asnjë pengim ta sundojë skenën letrare.

Merreni me mend, vetëm një çast, lëngimin e letrave shqipe, të qarkuar nga simptoma (shenja) të shumta jashtëletrare, të shumëngjyrta. Kthimi tek ky libër, me vlera të shumëfishta, ngjau prej një rrethane specifike, kinse të furisë së debateve, mbase ma tepër debatesh të sajuara, tipike të burokracisë kulturore, por edhe të analfabetizmit funksional, si dhe në shumicën e vetë pabukëse, të pranishme në shtypin shqiptar prej disa javësh.

Të kuptohemi, nuk është e keqja tek debati, përgjithësisht i munguar në shoqërinë shqiptare, aq më tepër në mjediset akademike dhe mësimdhënëse, të cilat më së shumti gjallojnë, të ngujuara nën vellon e titujve të shumtë dhe të mbijetesës në hijen e institucioneve të asfiksuara, ndonëse të shkundura nga dija dhe të lidhur ngushtësisht vetëm se me qerret burokratike dhe politike, të secilit moment. E kam fjalën për atë rrekjen e mjerë, që sherrin zemrak, personal dhe krahinor, politik dhe jashtëletrar, ta paraqesin si një debat të mirëfilltë, e ku madje shkarjet dhe shkarrashkrimi të shiten si argumente të fundme, të dijes bashkëkohore, ndonëse është lëngatë e llafollogjemës së përhershme, në mëhallën e letrave shqipe, që sidomos dhe në mënyrë të posaçme pengon më pa tekstet e letërsisë së sotme shqipe.

Pikërisht, ky sherr biografik i radhës, mbushur me mllefe dhe një zhurmë shurdhuese për spiunër, sigurimsa, hapje – mbyllje dosjesh, heronjsh dhe antiheronjsh, në fakt është një ledh tjetër, si me thënë është një refuzim tjetër i estetikës, padyshim edhe më i madh se të gjithë pengojcat e tjera, sepse tashmë të gjithë flasin në emër të lirisë duke cenuar për ditë lirinë e tjetrit, lirinë e lexuesit që nuk ua ka ngenë broçkullave, e mbi të gjitha lirinë e letrares, e cila zakonisht frymon e pandotur prej mbetjesh jashtëletrare, zyrtare ose antizyrtare.

Sherrnaja, e mbrapshtë dhe pa vlerë, që ndizet sa herë e lypin nevojat, diku më përtej letrares, pra vetëm me shkase politike dhe të mbizotërimit të mjediseve mediatike, e kanë vënë letërsinë shqipe në një rrezik serioz, me gjasë në një zgrip mjeran, të një refuzimi estetik të radhës, dhe ka gjasa që ta lënë përjetësisht nën sqetullat e mediokritetit, kryesisht zyrtar. Po, letërsia shqipe, është e vërtetë që ka kohë që është e zhytur në shërbesë dhe parullëzim, ideologji dhe sociologji, por në sistemin shoqëror dhe politik ku kemi hyrë, mëtimi për ta sunduar skenën me çdofarë mjeti dhe me pallavra mediatike, del fare zbuluar, “çipllak” në dritë të diellit. Pra, zakonisht në këto raste të del prapanica jashtë, sepse nuk arrihet më që të mbyllen sytë, veshët dhe gojët e të gjithëve.

DROMCA TË LËNGATËS JASHTËLETRARE

Letërsia e sotme shqipe, veçmas të tjerash, një dimension i ligjërimit letrare të kësaj periudhe, tashmë gjendet e rrezikuar nga shumë lëngata dhe bjerrje jashtëletrare, e midis tyre, sa për fillim, po përmend vetëm disa prej sosh:

– Leximi i letërsisë si biografi, i bëmave dhe të pabëmave të akshit dhe akcilit shkrimtar, pra duke mbetur kështu peng i modelimit të djeshëm, ku autorët ndaheshin, madje me vijë demarkacioni të fortë, në përparimtarë dhe reaksionarë. E tanimë, në distancën e kaq viteve të sistemit demokratik, fare mirë mundet që të flitet, nëse do ta shohim letërsinë si të tillë, për një realizëm socialist të djeshëm, që funksiononte sipas verifikimit bardhë e zi dhe tashmë përballë tij, mund të flitet për një “realizëm demokratik” të sotëm, që vetëm sa ka përmbysur skemën, në zi dhe bardhë, që dikur ishte “bardhë e zi”.

Nëse për të parin, së paku teorikisht kemi rënë dakord se është i pavlerë dhe madje e shajmë gjithë ditën, me të dytin po sillemi paksa çuditshëm, madje krejt si të verbër, ose me gjasë si shërbëtor të kësaj kohe, duke harruar se edhe “realizmi demokratik”, është veçse ana tjetër e medaljes, që në fakt e vë në zgrip ekzistencën dhe vlerësimin e letrares, sepse në thelbin e vetë mbetet po ashtu, një refuzim i pastër i estetikës, që megjithatë “serviret” si përmbysje konceptuale. Leximi biografik, në poret ekzistues, është veçse vijimi i hullisë thelbësore të leximit sociologjik dhe ideologjik të letërsisë, pra duke mbetur kështu gjithnjë.

“Panorama”

May be an image of 1 person and newsroom

See insights and ads

Boost post

All reactions:

66

Filed Under: Sociale

TRE ARTISTË GJENIALË

September 8, 2025 by s p

Zija Vukaj/

-Shpërthimi i manierës-

Në vitin 1910, në Trieste, Xhejms Xhojsi filloi “Uliksin”. Po në këtë vit, kompozitori dhe dirigjenti ruso- francez Igor Stravinski paraqiti në Paris “L’oiseau de feu”- “Zogu i zjarrtë”. Pak më parë, mes 1903 e 1906, Pablo Pikaso kompozoi piktura si “Zhonglerët”, “Jeta”, “Të varfrit në bregun e detit”, “Pirësja e helmit”, “Çifti”, “Akrobati dhe ekuilibristja e re” etj. Vlen të thuhet se shekulli filloi siç duhej të vazhdonte e siç vazhdoi, me një art të ribërë nga arti, një art jo më në gjuajtje të drejtpërdrejtë të realitetit, por të ndërmjetësuar nga estetizmi, një art të përcjellë nga vetëdija kritike, jashtë stuhive të kreativitetit drejt lagunave të palëvizshme të manierës e pra, më vonë të konsumit. Në të njëjtën kohë ose pak më parë, kishin qenë dhe vazhdonin të ishin artistë realistë si Marsel Prust, projekti i të cilit, tekefundit, nuk ishte shumë i ndryshëm nga ai i një Balzaku; Vinsent Van Gogu, që kishte ditur të tregonte vërtet “përshkallëzimin” drejt çmendurisë; Riçard Vagner, me iluzionin të errësonte një mit të përjetshëm, kishte shkruar me “Tristanin” një opera të përpjesëtimeve të vogla skalitur e ndërtuar mbi dashurinë borgjeze.

Çfarë i bashkonte Xhojsin, Stravinskin dhe Pikason? Që nuk kishin asgjë për të thënë; ose më mirë, nuk donin të thoshin asgjë mbi vetveten e mbi raportin me realitetin, por kishin për të thënë shumë mbi artin dhe raportin e tyre me artin. Indiferentë ndaj botës nga e cila refuzonin çfarëdolloj pjesëmarrjeje që të mos ishte e ndërmjetësuar nga arti, këta tre artistë karakterizoheshin nga një gjenialitet i llojit të refleksionit, kritikës, teknikës, soditjes. Para shpirtit krijues, kishin syrin e estetit, nuhatjen e njohësit, dorën e imituesit. Ishin tre gjeni të pangopur e të gjithanshëm, që pasi kishin djegur në pak vite karrierën e artistit tradicional të lidhur me paraqitjen e realitetit, do të dinin të tejkalonin kufijtë e një kohe të pakapërcyeshme të shterimit, duke e zhvendosur veprën e tyre nga jeta në kulturë.

Për të realizuar një operacion të tillë duhej kurajo, përmes një eksperimentimi të ngritur në sistem, të mohohej vlefshmëria e frymëzimeve të sipërpërmendura. Me fjalë të tjera, të shndërrohej muzeu në botë. Këtë bënë Xhojsi, Stravinski e Pikaso që kanë qenë kujdestarët e një inventari për ta shpëtuar nga qëllimet përvetësuese e plaçkitëse.

Pastaj qe e drejtë të ishte kështu. Duke nisur me konfliktin e parë botëror dhe me rënien në vazhdim të vlerave, gjithë arti i së shkuarës, i goditur nga vdekja e papritur, u bë për një çast muze. Tani, muzeu për se shërbente, në mos për caktimin e ngjashmërive të pagjasa, të afrimeve kufizuese, të katalogëve katastrofikë?

Me muzeun zuri fill ideja e relativitetit të stileve, të shumësisë së formave, e të sqimës së shprehjes. Në analizë të fundit, ideja e konsumit kuptuar si shndërrim i krijimit në produkt. Xhojsi, Stravinski, Pikaso janë, në mënyrë të pavullnetshme, tre artistët gjenialë e të çinteresuar që kanë ushqyer konsumin e panjohur deri atëherë e të shitur. Kartat e tyre të fisnikërisë e bënë të shpërthente atë jo më nga kërkesa e tregut, por nga ekzigjenca kulturore.

Filed Under: ESSE

MURI I VISARIT NË SALERNO

September 8, 2025 by s p

Nga Eda Zhiti/

Është një mur tashmë që ka emrin e Visar Zhitit në një qytet në Itali, në Salerno. Pse, si ndodhi, ku pikërisht? Mos ndokush që kaloi andej, nxori ngjyrat që mund të ketë patur me vete, spërkati murin, la mjë grafitt dhe iku?

Po e rrëfej se si është.

Në fillim dy fjalë për Salernon e bukur, gjëndet në jug të Italisë, në bregun perëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në Kampania, rreth 50 km larg Napolit. Edhe Salerno njihet për peizazhet e tij mesdhetare, të mrekullueshme, për kulturën dhe historinë që në kohët e perandorisë romake. Aty është themeluar Shkolla Salernitana, më e vjetra në Europë. Qyteti sheh me fytyrën nga deti Tirren, i kaltër dhe i thellë, që duket sikur sjell me dallgët dhe erërat rrëfime të lashta, këngë të marinarëve mesdhetarë dhe frymë dashurie që ngjiten në rrugicat e ngushta e në muret e vjetra.

Këtu do të ndalim. Sa shumë poezi ka nëpër ato mure, vargje dhe ngjyra gjithkund.

Është një projekt magjepsës i qytetit, – do të thosha, – i mbështetur nga Fondacioni “Alfonso Gatti”, i poetit të tyre, ndër më të rëndësishmit në poezinë italiane të shekullit XX, zë kryesor i hermetizmitI dhe projekti quhet “Muri d’Autore” 2025, Mure autorësh 2025, një bashkëjetesë mes artit urban dhe poezisë.

Muret e qytetit janë shndërruar në faqe librash të hapura. Poezia është bërë pjesë e jetës së përditshme. Ti ecën rrugëve dhe rrugicave të Salernos dhe lexon poezi mureve, duke u krijuar kështu një dialog mes fjalës dhe figurës, kujtesës dhe së tashmes. Mure që flasin. Na kujton ato graffitet spontane, me bojëra të shpejta dhe të trazuara, shenja anonime si e folura me ngut, fryma e rrugës, një klithmë rinore si nga instinkti, nga protesta, nga dashuria e fshehur që do të shpërthejë mbi gurë, një energji e lirë, e pasistemuar, që shpesh përpiqet të lërë gjurmë në një botë ku gjithçka fshihet shpejt.

Po diçka duhet ruajtur. Dhe doli nisma “Muri d’Autore 2025”. Një komitet i përbërë nga poetë, artistë dhe anëtarë të Fondacionit, duke u bazuar në rëndësinë e veprave dhe lidhjeve të mundshme me qytetin e Salernos bën përzgjedhjen. Poetë si Ungaretti e Montale dhe patjetër shoku i tyre Alfonso Gatto, por dhe Alda Merini, Italo Calvino, Nazım Hikmet, Pier Paolo Pasolini, Pablo Neruda, Pino Daniele, Francesco De Gregori dhe Rocco Hunt, etj, janë aty për të pasqyruar tematika universale si dashuria, natyra, identiteti dhe kujtimet, duke i dhënë një dimension të ri hapësirave urbane. Kështu, qyteti shndërrohet në një ekspozitë të hapur. Çdo kalimtar bëhet lexues. Çdo mur një poezi. Lagjja – antologji…

Është piktori me emër arti Pinogreen, që e sheh kudo me furça dhe penele e kovat me bojëra, ndanë muresh, skelave, shkallëve, më gjunjë, i shtrirë, që punon pa u ndalur, i njohur tashmë për stilin e tij unik dhe teknikën e pikturës me letra dhe ngjyra të forta, të ndritshme për të krijuar kompozita që bashkojnë tekstin poetik me elemente vizuale të natyrës dhe jetës së përditshme. Një shembull i veçantë është murali “Occhiveri”, i realizuar me përdorimin e qelqit të ricikluar, që pasqyron angazhimin për mjedisin dhe bukurinë e thjeshtë të jetës.

Ai vizaton vargjet duke krijuar një lidhje të ngushtë mes fjalës dhe vizualitetit. që kanë pasuruar jetën artistike të qytetit. Poezia në Salerno ka dalë nga faqet e librave dhe është shndërruar në një pjesë të gjallë të peizazhit urban. E mbetur përherë mureve…Në qendrën historike të Salernos në “Rione Fornelle” është Muri i Visar Zhitit. Aty kanë qenë shkruar vargjet e tij

Ty prapë të erdhi koha të mendosh, o zemër!

Në italisht:

E daccapo

e’ giunta l’epoca di pensare

o cuore!

Gjendet në librat me poezi të Visarit, të botuara në Itali, dy gjuhësh, shqip dhe italisht, të përkthyera mjeshtërisht nga Prof. Elio Miracco, “Confessione senza altari”/ “Rrëfim pa altare”, “Diana Edizioni” 2012 dhe në “Strade che scorrono dalle mie mani”/ Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, botuar vitin që shkoi, në 2024 nga “puntoacapo” dhe libri mori çmimin e njohur për poezi “Camaiore”.

Nga një perspektivë letrare, ky varg i Zhitit pasqyron një gjuhë të thjeshtë por të fuqishme, ku emocionet e mëdha përshkohen me një intensitet të përmbledhur. Aty bashkohen elegancën poetike me një angazhim qytetar dhe artistic, sipas kritikëve, një manifestim i së bukurës që del jashtë librit dhe bëhet pjesë e përditshmërisë urbane. Poezia në mur herën e parë kishte formën e një dallge, me shkronjat e dorës me zbukurime lulesh, gjethe e arabeska. Kur ngjisje shkallët e asaj shtëpie në Salerno, vargjet e Visari përballë kangjelave të hekurta të dukej sikur donin të çonin dhe më lart.

Tani është shkruar me të kuqe si gjaku dhe poezia ka formën e zemrës. Stilistikisht përdorimi i harqeve dhe vijave të rrjedhshme të shkronjave krijojn një ndjesi pulsimi dhe pasioni, duke i dhënë vargut një energji vizuale që harmonizohet me temën e zemrës dhe të mendimit me zemër.

Në sfond, dritat dhe hijet e shkallëve dhe bimët e vendosura shtojnë një ndjesi intime dhe mikpritëse, aq karakteristike në lagjet e brendshme italiane. Zemra e vizatuar me vargun e Visar Zhitit, rreh në të njëjtën kohë me rrahjen e detit mbi breg. Është si të thuash: poezia dhe deti janë dy gjuhë të ndryshme të së njëjtës ndjesi, njëra shkruhet me fjalë e ngjyra, tjetra me ujë dhe shkumë.

Valët sjellin e marrin njerëz, kujtime, mall dhe plagë. Në këtë kuptim, poezia e Visar Zhitit merr një rezonancë të veçantë mbi murin e qytetit mesdhetar: ajo bëhet një zë i mërgimit, por edhe i kthimit përmes artit. Zemra e vizatuar me vargun brenda dhe me emrin Visar Zhiti në anë si kapilar:e të kuq, është shenjë dhe lidhje dashurie, që rreh njëkohësisht në dy vende, në atdhe dhe ku mund të ndodhet nëpër botë. Për kalimtarin e zakonshëm zemra është një kujtesë e thellë e copëtimit dhe e bashkimit të brendshëm, një “homeland” që bartet brenda vetes.

Poezia muret i bën të ndjejnë, ndërsa muret e zemrave t’i mbushë me mendim. Po edhe mendimi ka gjak… Mure e Salernos duket kështu sikur kanë zemër dhe e kthejnë poezinë në një regëtimë që nuk njeh kohë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 177
  • 178
  • 179
  • 180
  • 181
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT