• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryetari Glauk Konjufca: Kosova do të qëndrojë deri në fund me popullin ukrainas

February 24, 2023 by s p

Udhëheqësit e shtetit ndanë letër-falënderime për gazetarët nga Ukraina.
Në njëvjetorin e pushtimit të paprovokuar rus në Ukrainë, sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës u organizua ceremonia e pritjes dhe dorëzimi i letrave të falënderimit për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ambasadorë të shteteve mike, të akredituar në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe mysafirë të tjerë.
Presidentja Vjosa Osmani me këtë rast tha se lufta e Ukrainës është luftë për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe të demokracisë kudo në botë. Ajo shtoi se fitorja e Ukrainës është fitore e gjithsecilit që beson në këto vlera, në veçanti fitore e popujve që kanë sakrifikuar shumë për liri e demokraci, siç është populli i Kosovës.
Presidentja Osmani tha se Kosova do të jetë gjithnjë me popullin ukrainas, sepse, siç theksoi ajo, ua njeh dhimbjen dhe rrëfimin e mbrojtjes të së vërtetës.
“Ne kemi hapur zemrat dhe dyert për gazetarët ukrainas, sepse ua njohim dhimbjen, e njohim rëndësinë e rrëfimit të mbrojtjes të së vërtetës. Sepse, jemi me ta në këto orë të errëta të historisë së tyre. Ukraina nuk do të jetë e vetme, sepse atje po mbrohet çdo ditë Evropa e tërë dhe e lirë. Sot bota demokratike është në anën e Ukrainës, sepse e drejta është në anën e saj”, tha presidentja Osmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Kosova do të qëndrojë deri në fund me popullin ukrainas, duke përmendur edhe rezolutën e votuar në Kuvendin e Kosovës për të pranuar qytetarë nga Ukraina në Kosovë.
“Kosova qëndroi fuqishëm me Ukrainën që kur lufta nisi. Kosova menjëherë e ka dënuar këtë sulm të padrejtë dhe Kuvendi ka miratuar rezolutën që shpreh gatishmërinë për të strehuar qytetarë dhe gazetarë ukrainas”, tha kryetari Konjufca.
Kreu i Kuvendit shtoi se qëndrimi i gazetarëve ukrainas në Kosovë ka kompensuar dekada të tëra të mungesës së afërsisë së dy popujve.
“Ju me rrëfimet e juaja për Kosovën keni shkrirë akujt, duke e bërë më të mirën për popullin e juaj që është atje, që po lufton e po vuan, të dijë të vërtetën e cila na bashkon, e kjo e vërtetë është rruga nëpër të cilën kemi kaluar. Qytetarët e Kosovës para 24 vitesh ishin në këpucët tuaja. Ne u përballëm me një regjim gjenocidal, i cili kurrë nuk u distancua nga krimet e luftës dhe akte të gjenocidit që ka bërë mbi popullin tonë të pafajshëm”, tha kryetari Konjufca.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se Kosova i di shumë mirë pasojat e luftës, prandaj do ta mbështes dhe solidarizohet me Ukrainën në të gjitha format, deri në fitoren e saj ndaj agresionit rus.
Kryeministri Kurti tha se agresioni rus në Ukrainë është sulm mbi lirinë dhe demokracinë.
“Në një ditë të zymtë si kjo, megjithatë jemi të lumtur që Kosova jonë është bërë shtëpi e 12 gazetarëve ukrainas. Do të jemi pranë jush si popull, si institucione, si dje, si sot, si nesër. Ukraina duhet të fitojë, sepse vetëm kështu do të ruhet paqja dhe demokracia në kontinentin e Evropës”, tha kryeministri Kurti. Luidmyla Makei, përfaqësuese e gazetarëve ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë, tha se agresioni rus në Ukrainë bëri që shtetet demokratike të kuptojnë rrezikun që paraqet për botën regjimi kriminal i Vladimir Putinit. Makei falënderoi institucionet e Kosovës për gatishmërinë për strehimin e tyre, duke thënë se Prishtina është bërë shtëpia e dytë dhe mundësi që t’i tregojnë botës për luftën që po bëhet në Ukrainë.
“Këtu ndihemi mirë. Çdo ditë gjejmë mbështetjen e politikanëve, kolegëve gazetarë dhe qytetarëve të thjeshtë që na ndalin në rrugë dhe na pyesin se si i kemi familjet tona. Këtu nuk bien raketa, por shpirti dhe zemrat tona janë gjithnjë me Ukrainën”, tha gazetarja Makei.
Në fund presidentja Osmani, kryetari i Kuvendit Konjufca dhe kryeministri Kurti ndanë letër-falënderimet për 10 gazetarë ukrainas, të pranishëm në këtë ceremoni.

Filed Under: Opinion

Ukraina duhet të fitojë sepse vetëm kështu do të ruhet paqja e demokracia në kontinentin e Evropës

February 24, 2023 by s p

Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti në njëvjetorin e fillimit të agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë, në ceremoninë pritëse dhe të ndarjes së falënderimeve për gazetarët ukrainas në Kosovë:

E nderuara Presidente e vendit, znj. Osmani-Sadriu,
I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,
Të dashur gazetarë nga Ukraina,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë,
dhe ju të pranishëm,
Në mëngjesin e hershëm të 24 shkurtit të vitit të kaluar, pasi kishte grumbulluar mbi 200 mijë trupa afër kufirit, Federata Ruse filloi agresionin ushtarak ndaj Ukrainës.
Sulmi ishte i paprovokuar dhe i pajustifikuar. Ishte sulm mbi botën e civilizuar, mbi lirinë dhe demokracinë, vlerat tona themelore dhe mënyrën tonë të jetës.
Republika e Kosovës e kishte dënuar dhe vazhdon ta dënojë fuqishëm agresionin Rus në Ukrainë. Vendosëm menjëherë sanksione dhe shprehëm gatishmërinë tonë për të strehuar deri në 5 mijë refugjatë nga Ukraina.
Sot bëhen një vit të agresionit brutal të Rusisë mbi Ukrainën. Një vit i granatimeve dhe shkatërrimit të qyteteve dhe i vrasjeve dhe masakrave ndaj civilëve.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ishte shokuese, por jo edhe befasuese. Ajo erdhi si rezultat i tolerimit për një kohë të gjatë të aventurave ushtarake të një presidenti despotik. Pasojë e shtypjeve të së drejtave e lirive të njeriut, rritjes së autokracisë dhe glorifikimit të miteve e të kaluarës perandorake. Sidomos përgjatë vitit 2021 kur kremtonte përvjetorët shekullorë –800 vjet nga Aleksandar Nevski dhe 300 vjet nga Pjetri i Madh – u bë e qartë që presidenti Putin kishte zëvendësuar plotësisht vajtimin për rënien e Bashkimit Sovjetik me nostalgjinë për Rusinë Cariste. Më 24 shkurt 2022, Kremlini deshi që në Kiev ta përsërisë atë që e kishin bërë mongolët në vitin 1242. Rusët në shekullin XXI po i imitonin mongolët e shekullit XIII. Një invazion barbar, i rëndë për nga mendimi i cekët dhe i cekët për nga armatimi i rëndë. Kështu duket invazioni rus nga Kievi, nga Prishtina dhe nga e gjithë Evropa.

Zonja e zotërinj,

Sot po ashtu bëhen një vit të rezistencës së pashembullt të një populli liridashës.
Të panumërta janë tregimet për guximin dhe sakrificën e ushtarëve ukrainas, përkushtimin e tyre ndaj vendit dhe kauzës që mposhti shanset kundër tyre për sukses. Historitë e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes së njerëzve të zakonshëm për të luftuar e çliruar vendin e tyre kanë mobilizuar botën e lirë për të ndihmuar e për t’u solidarizuar.

Nga 24 shkurt 2022 deri më 12 shkurt 2023, Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Ukrainë ka regjistruar 18,955 viktima civile. Prej tyre, 7,199 të vrarë dhe 11,756 të plagosur[1].

Sipas Misionit të OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë (HRMMU), burrat përbëjnë 61.1 për qind të viktimave të konfirmuara të civilëve dhe gratë 39.9 për qind. Të paktën 487 fëmijë janë vrarë dhe 954 janë plagosur.

Gati 18 milionë njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare kurse 14 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre[2]. Kostoja e dëmeve të luftës ka arritur në 138 miliardë dollarë kurse kostoja e rindërtimit llogaritet të jetë në 350 miliardë[3].

Populli i Kosovës i kupton shumë mirë këto shifra. Vuajtjet dhe dhimbjet që shkaktojnë për vitet e dekadat që vijnë.

E në një ditë të zymtë si kjo, megjithatë jemi të lumtur që Kosova jonë është bërë shtëpi e 12 gazetarëve ukrainas. Me urimin që është bërë shtëpi edhe si ndjenjë, përveçse strehë, do të jemi pranë jush si popull, si shoqëri, si institucione, si dje, si sot, si nesër. Rezistencë, solidaritet, mbështetje deri në fitore. Ukraina duhet të fitojë sepse vetëm kështu do të ruhet paqja e demokracia në kontinentin e Evropës.

Filed Under: Politike

ZEF HOTI ZOGU I ZANËS, DJALI I STARËS E TRIMI I SPANJËS

February 24, 2023 by s p

(Kujtesë me rastin e 86 vjetorit të rënies në luftën e Spanjës-13 shkurt 1937)

NGA  NDUE  BACAJ  

Më 1936 alenca e quajtur Fronti Popullor, (i përbërë nga socialistë, komunistë e  republikanë  , (edhe me ndihmen e inernacionalistëve majtist dhe Stalinit), fituan zgjedhjet përseri si në vitit 1931, kur kishin dëbuar mbretin Alfons XVII dhe shpallë Spanjën Republikë, Këtij “grupimi”  iu vu përballë grupi i djathtë i quajtur “Falanga Spanjolle” me në krye gjeneralin Franko. Në këto kushte nga Spanja u lëshua kushtrimi për ndihmë , kundër focave falangiste të Frankos. Një nga shqiptarët  që “degjoi” kushtrimin  internacionalist të  vitit 1936  per të shkuar vullnetar  në luftën kundër  fashizmit në Spanjë ishte edhe malësori prej Hotit  Zef  Prelë Hoti. Zef Hoti  kishte lindur në Stare të Hotit, por  pasi kishte mbetur jetim  (i kishte vdekur babai) , për aresye “mentaliteti…” nëna e tij ishte detyruar që me jetimët e saj të ç’vendosej per të jetuar në Krujë.  Jeta  e kesaj familje hotjane  në Krujë  kishte qënë  e veshtirë , por  kisha katolike atje ishte munduar  t’a  ndihmonte  per  t’ia bërë disi më të lehtë  jetesen. Gjatë këtyre viteve  Zef  Hoti ishte dalluar si djalë inteligjent e trim , gjë që e kishte vertetuar edhe kur ai humbi vëllan… Kisha  katolike dhe famulltarët e saj françeskan të  Krujës të asaj kohe  , perveç ndihmes për të jetuar kishin menduar që djalin intiligjent Zef Hoti  ta  shkollojnë si mos më mirë , dhe per këtë ata e kishin derguar  me financimet e tyre të arsimohej në “qendren” e kultures dhe arsimit të Europes , në Francë.  Zef  Hoti në Francë  filloi të  shkollohet dhe  të integrohej me shoqeritë më perparimtare të asaj kohe, (thuhet se u lidh edhe me partinë komuniste franceze). Në këto kushte  në tetor të vitit 1936  Zef  Prelë  Hoti  vendosi  t’i pergjigjet kushtrimit  per të luftuar  fashizmin në Spanjë. Në  të vertet Evropës të  atyre viteve  kishte filluar  t’i  hynte flaka e  dy ideologjive  që kishin në themel, diktaturën dhe ndalimin e të drejtave themelore të njeriut, duke përfshirë edhe lirinë e besimit.  Ndonse ideologjia komuniste dukej disi  më “humane”  në fakt  ajo ishte “thjesht” njera anë  e të njëjtes medalje me fashizmin , i cili si në Gjermani dhe në Itali ku kishte triumfuar ai quhej  nacional-socializem , ku fashizmi apo nazizmi  njihej  si krahu i djathtë   i kesaj ideologjie , ndërsa  komunizmi njihej si krahu i majtë.  Fashistet në këtë kohë kishin zgjedhur si fushë beteje për të  zgjeruar marrjen e pushtetit me dhunë në Europë , Spanjen .. Pas kushtrimit  të rrezikut fashist në Spanjë lufta civile ishte ndezur  në mes popullit spanjoll të ndarë kunder  forcave fashiste të Frankos , por edhe pro triumfit të Frakos … Lufta në Spanjë filloi të  vështirësohet së tepërmi për vullnetarët internacionalist pasi së bashku me luftëtarët antifashist , kishin penetruar edhe luftetarët e robërisë  së  kuqe, që propagandonin komunizmin bolshevik sovjetik. Madje këta komuniste internacionaliste arriten që  nën masken  e luftës  antifashiste , të shkaterronin edhe shumë kisha e objekte të  kultit Kristian katolik dhe të vrisnin  klerin katolik si gjoja bashkepunetor të fashizmit.  Në këto kushte  lufta  internacionaliste e Spanjës filloi të zbehej në sytë e luftëtarëve të vertet antifashist dhe të  shteteve që e njihnin ideologjinë e kuqe që ishte  mbjedhur e rritur  në qeveri e shtet prej 20 vjetesh në Bashkimin Sovjetik  të  Lenin- Stalinit..  Zef Hoti  si shumë  vullnetarë internacionalist luftoi  trimërisht perkrah popullit spanjoll , siç kishin luftuar ndër shekuj  malësorët e shqiptarët në aleancat ndërballkanike dhe ndëreuropiane kundër  pushtuesve turko-osman etjer.. Zef Hoti në këtë luftë u shqua si një trim i  vendosur  kundër ushtrive fashiste të Frankos , derisa  me 13 shkurt  të  vitit 1937, në  betejën për mbrojtjen e Madridit nga fashizmi, ra heroikisht duke derdhur gjakun e tij në këto troje të bekuara  evro-perendimore. Zef Hoti pak më shumë se 30 vjeçar flijoj jetën e tij për idealin e lirisë, për të cilën ai dhe breza të tërë para tij , kishin luftuar e sakrifikuar duke ia njohur  vlerën e ditur çmimin më mirë se askush tjeter të shtrenjëtes liri , që  në Spanjë  fashistet  dhe komunistët  donin  t’a  mbysnin që në embrion, jo vetem për spanjollet, por për gjithe popujt e kontinentit  e më gjërë. Mjerisht, kjo luftë civile edhe me “prapavijë” internacionaliste mori rrugën e një   katrahure aq të madhe sa bëri  të mundur që në Spanjë te mos fitojnë luftetaret e lirisë, por “vellai” binjak i komunizmit, Fashizmi, i cili me 28 mars 1938 ngriti  në Madrid  flamurin e tij, duke fituar kështu pushtetin e shtetin. Pas kësaj luftëtarët internacionalistë të lirisë, u kthyen në vendet e tyre , kush i zhgënjyer e kush i mbushur me vrerë që do ta shprazte mbi popullin e vet kur  ti jepej rasti (Një shembull i till ishte Mehmet Shehu në Shqiperi…).  Pas kësaj lufte që thuajse humbi kuptimin në Spanjë , mbetën  shumë  trupa të të rënëve internacionalist (duke përfshirë edhe disa shqiptarë…), ku njeri ndër këta ishte edhe trimi Zef Hoti, trupi i të cilit u varros atje..  Fashizmi në Spanjë i  udhëhequr nga Frankoja , qeverisi pas kësaj lufte civile edhe rreth 35 vite  , ndërsa ne shqiptaret patem fatin e “kuq” të na qeverisin homologet e kuq të Frankos  të “zi”,  komunistet , por mjerisht  edhe  10 vjet më gjatë se ai. Është interesant fakti që ndersa fashisti Franko u ngriti varre e memoriale jo vetëm  të rënëve në mbështetje të  tij e kauzës tij , por edhe të rënëve kundershtarë të tij e kauzes tij. Frankoja gjatë qeverisjes tij në çdo pervjetor të luftës civile në Spanjë , vendoste  buqeta me lule e kurora  në varret dhe memorialet  e  të  dy  palëve të rënë , ku ketë e justifikonte duke thënë se edhe kundershtarët e mi meritojnë të kujtohen e respektohen , pasi ata kanë derdhur gjakun e dhënë jetën për një ideal që mendonin se do ta bënin më mirë Spanjën dhe Boten.. Ndersa  e kunderta ndodhi nga komunistet shqiptar , të cilët kundershtarëve politik  të luftes dhe fjalës, u humbi  jo vetem varret  pa  shenjë  e pa nishan , por persekutoi pa mëshirë edhe pasardhësit dhe farefisin e tyre deri ne shtatë  breza… Diçka tjetër që tingellon keq sot për ne shqiptarët është se  ndonse kemi filluar dekadën e katërt  që jemi “çliruar” nga komunizmi , rezultatet tona në krahasim me ato të Spanjës të sunduar nga fashizmi  janë thuajse të pakrahasueshme në disfavorin tonë… Gjithsesi 13 shkurti si ditë e rënies të internacionalistit malësor, trimit Zef Hoti,  nuk duhet të harrohet, të pakten nga të majtet e sotëm, pasi baballaret e tyre komunist ishin munduar ta bëjnë  të tyre trimin Zef  Hoti…  Ky trim malësor në të vertetë  meriton shumë më shumë, të perkujtohet e nderohet, se sa shumë të tjerë  të rënë gjatë luftës nac-çl. , (apo edhe në luftën civile në Shqipëri për “bythen” e Enverit apo “mustaqet” e  Stalinit , sundimit të të cilëve  ju kemi parë sherrin 46 vite , e vijojmë t’ja  shohim jo pak edhe sot…).  Në ketë kujtesë nuk  po mundem  pa thënë  se po të kishte patur fatin të shpetojnë gjallë nga lufta e Spanjës  Zef Hoti , komunizmi me siguri do t’i   kishte rezervuar fatin e disa shokeve te tij bashkeluftetarë të Spanjes, të cilet u  persekutuan , burgosen, pushkatuan apo “vetepushkatuan” si Mehmet Shehu e deri te malësori trim e idealist, luftëtari internacionalist i “Spanjës”,  kastratasi Gjeto Keqi, i cili do të burgosej  e persekutohej (ai dhe familja e tij) nga komunizmi stalianian i Enverit… Duke i ardhur fundi kësaj kujtesë të vogël për trimin e madh internacionalist Zef Hoti , mendova të citoj edhe disa nga vargjet e mrekullueshme të poetit malësor  (të ndjerit)  Dodë  Kaçaj:

“Ku rrin shqipja në malet  t’Hotit,

Ku kanë  lind burra barotit,

Ku kanë  lind burra me nam,

Që kanë bri hekur me dhamë,

Leu Zef Hoti , zogu i zanes,

Djali i Stares, trimi i Spanjës.

…………………………………… 

Shqipja e Hotit ndër brigada,

Fluturon me plaget e ngrata,

Front  e në  front e flakë barot,

Lufton njelloj si me kenë  n’Hot.

Amanet ju shoket e mijë,

Po ju la një porosi,

Kur të shkoni në Shqiperi,

Tek ai mal atje në Stare,

Ndalni pak shprazni batare,

Kam një nanë , n’ma  gjetshi gjallë,

Me i thanë  ma ban hallall,

Se tash më bajnë nanat spanjolle,

Një varr të bukur rrezë një molle,

Ka me u gjetë një shok prej frontit,

Me ma pru një gurë prej Hotit,

Malet rriten dhe bjeshket qeshin,

Por djemët si Zefi kurrë nuk vdesin”. 

Për t’i bërë të pavdekshëm (siç e meritojnë) Zef Hotin e bijë të tjerë të  trevës sonë, edhe pse dhanë jetën në trojet e Evropes  për një qyteterim , besim apo për  një kushtrim që mendohej se do ta bënte  Europën  e bashkë me të edhe Shqiperinë  më të mirë, ne malësorët duhet ti kujtomë e nderojmë… 

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

“Vendi im” koncerti tradicional i muzikës së mirëfilltë shqiptare në New York

February 24, 2023 by s p

“Vendi im” quhet koncerti tradicional i muzikës së mirëfilltë shqiptare që zhvillohet vit pas viti në New York. Ky ishte edicioni i pestë. Ky aktivitet i larmishëm kukturor e kombëtar zhvillohet në respekt e nder të ditës së pavarësisë së Kosovës. Në këtë vit jubilar më 17 shkurt—në Ditën e Pavarësisë së Kosovës–në Scandinavia House u mbajt koncerti me producentin Ergin Oda, menaxhere Aida Gashi dhe një grup artistësh që sollën një program të pasur muzikor. Në mesin e mysafirve ishin Konsulli i Kosovës Blerim Reka dhe ish-Kryetarja e Kosovës Atifete Jahjaga. Teatri ishte e mbushur me afro 200 të pranishëm. Kishte edhe shumë Amerikanë që dëgjonin me ëndje tingujt muzikore si “Moj e bukura more”, këngë e vjetër Arbëreshe, “Këngë moj” (komp. Musa Piperku), etj. Në fund të programit të gjithë artistët kënduan bashkë me audiencën këngën “Xhamadani vija vija”. Sponsorizuesit kryesor të aktivitetit: Shpresa Xhakli dhe Sokol Malushaga e Eduard Malushi (Ari Group, Inc.). Cocktail hour: Lefkes Estiatorio në Englewood Cliffs, NJ si dhe Burim dhe Aida Regjaj. Lulet nga Venki Decor/Venera Hoxha-Iseni (shih screenshot të postimit të saj—shumë prekës!). Artistët kryesor që morën pjesë: Oda Quartet: Ergin Oda, Gjilberta Lucaj-Cohen, Joana Kaimi dhe Elaine Kwon, Merita Halili dhe Raif Hyseni, Flaka Krelani, Janex (këngëtare e re që ka fillu me lënë mbresa në skenën muzikore në ShBA), Edon Molla, Klajdi Cerriku dhe me drejtues artistik: Gridi Kraja. Programin e udhëheqi Arbana Xharra, gazetarja hulumtuese e mirënjohur tani me banim në NY. Rreth koncertit madhështor, ish Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga deklaroi në faqen e saj zyrtare: Me muzikë e miq në Nju Jork, festova 15 vjetorin e Pavarësisë së Republikës sonë. Kënaqësi e veçantë të jem këtë përvjetor të Pavarësisë në mesin e diasporës dhe aleatëve të Kosovës, të cilët kanë dhënë kontribut të pakursyer për ta gëzuar Kosovën e sotshme. Me ftesë të Dr.Shpresa Xhaklit, morra pjesë në Koncertin “Vendi im“, ku përmes këngëve e kujtuam atdheun, sakrificën e paraardhësve, dhe gjithë kontributin e dhënë përgjatë viteve” tha ajo.Fotot nga Gerë Zabeli.

Filed Under: Kronike Tagged With: AIDA GASHI

Oda Amerikane në Evropë është e palëkundur në mbështetje të popullit të Ukrainës

February 24, 2023 by s p

Një vit më parë, Rusia pushtoi Ukrainën, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke rrezikuar paqen dhe sigurinë në të gjithë rajonin dhe duke shkaktuar vuajtje të papërshkrueshme. Ndërsa lufta vazhdon, Këshilli i Odave Amerikane të Evropës (Odat Amerikane në Evropë), si organizata ombrellë për 46 Odat Amerikane në 44 shtete anembanë Evropës dhe Euroazisë – vazhdon të qëndrojë solidar me popullin e Ukrainës, siç ka bërë që nga 24 shkurti 2022.Mendimet tona mbeten me të gjithë ata që janë prekur, duke përfshirë kolegët tanë të Odës Amerikane, anëtarët, partnerët dhe familjet e tyre. Rrjeti ynë bashkon individë dhe organizata me lidhje të thella në të gjithë Evropën dhe Euroazinë dhe në mbarë botën. Vitin e kaluar, Odat tona dhe kompanitë anëtare i kanë përdorur këto lidhje për të mbështetur drejtpërdrejt përpjekjet e ndihmës përmes një sërë iniciativash, duke përfshirë mbledhjen e fondeve, mbledhjen dhe shpërndarjen e mallrave dhe më shumë. Shumë prej tyre kanë kontribuar gjithashtu në programet që mirëpresin të zhvendosurit nga lufta.Në mes të krizës aktuale, ne duartrokasim qeveritë në të dyja anët e Atlantikut për unitetin dhe përkushtimin e tyre ndaj popullit të Ukrainës. Sektori publik dhe privat duhet të përgatiten për të luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e prosperitetit të ardhshëm ekonomik të vendit dhe planifikimin për rindërtimin e tij. Sigurimi i respektimit të sundimit të ligjit do të jetë thelbësor për të mundësuar një angazhim kuptimplotë nga të gjitha palët e interesuara. Përballë humbjes së pakuptimtë të jetëve njerëzore, duhet të vazhdojmë të mbetemi të angazhuar dhe të shprehemi për vlerat demokratike dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1817
  • 1818
  • 1819
  • 1820
  • 1821
  • …
  • 2789
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT