


“Vendi im” quhet koncerti tradicional i muzikës së mirëfilltë shqiptare që zhvillohet vit pas viti në New York. Ky ishte edicioni i pestë. Ky aktivitet i larmishëm kukturor e kombëtar zhvillohet në respekt e nder të ditës së pavarësisë së Kosovës. Në këtë vit jubilar më 17 shkurt—në Ditën e Pavarësisë së Kosovës–në Scandinavia House u mbajt koncerti me producentin Ergin Oda, menaxhere Aida Gashi dhe një grup artistësh që sollën një program të pasur muzikor. Në mesin e mysafirve ishin Konsulli i Kosovës Blerim Reka dhe ish-Kryetarja e Kosovës Atifete Jahjaga. Teatri ishte e mbushur me afro 200 të pranishëm. Kishte edhe shumë Amerikanë që dëgjonin me ëndje tingujt muzikore si “Moj e bukura more”, këngë e vjetër Arbëreshe, “Këngë moj” (komp. Musa Piperku), etj. Në fund të programit të gjithë artistët kënduan bashkë me audiencën këngën “Xhamadani vija vija”. Sponsorizuesit kryesor të aktivitetit: Shpresa Xhakli dhe Sokol Malushaga e Eduard Malushi (Ari Group, Inc.). Cocktail hour: Lefkes Estiatorio në Englewood Cliffs, NJ si dhe Burim dhe Aida Regjaj. Lulet nga Venki Decor/Venera Hoxha-Iseni (shih screenshot të postimit të saj—shumë prekës!). Artistët kryesor që morën pjesë: Oda Quartet: Ergin Oda, Gjilberta Lucaj-Cohen, Joana Kaimi dhe Elaine Kwon, Merita Halili dhe Raif Hyseni, Flaka Krelani, Janex (këngëtare e re që ka fillu me lënë mbresa në skenën muzikore në ShBA), Edon Molla, Klajdi Cerriku dhe me drejtues artistik: Gridi Kraja. Programin e udhëheqi Arbana Xharra, gazetarja hulumtuese e mirënjohur tani me banim në NY. Rreth koncertit madhështor, ish Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga deklaroi në faqen e saj zyrtare: Me muzikë e miq në Nju Jork, festova 15 vjetorin e Pavarësisë së Republikës sonë. Kënaqësi e veçantë të jem këtë përvjetor të Pavarësisë në mesin e diasporës dhe aleatëve të Kosovës, të cilët kanë dhënë kontribut të pakursyer për ta gëzuar Kosovën e sotshme. Me ftesë të Dr.Shpresa Xhaklit, morra pjesë në Koncertin “Vendi im“, ku përmes këngëve e kujtuam atdheun, sakrificën e paraardhësve, dhe gjithë kontributin e dhënë përgjatë viteve” tha ajo.Fotot nga Gerë Zabeli.