• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

35 Vjet nga Kushtetuta e Kaçanikut, themeli Kushtetues i Republikës së Kosovës

September 7, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

Më 7 shtator 2025, Kosova shënon 35-vjetorin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e saj moderne, shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në qytetin e Kaçanikut, më 7 shtator 1990. Kjo Kushtetutë, e njohur si “Kushtetuta e Kaçanikut”, ishte akti më i lartë juridik i miratuar nga përfaqësuesit legjitimë të popullit shqiptar të Kosovës, në kushte të jashtëzakonshme represioni dhe kërcënimi të drejtpërdrejt nga regjimi i atëhershëm serb.

Miratimi i saj erdhi vetëm dy muaj pas Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, me të cilën Kosova shpallej njësi e barabartë në kuadër të Federatës Jugosllave. Në atë kohë, institucionet e Kosovës po përballeshin me një valë të egër dhune shtetërore: shkrirje të dhunshme të institucioneve, largim masiv i punonjësve shqiptarë, shkelje sistematike të të drejtave njerëzore dhe ndjekje politike ndaj delegatëve që kishin guxuar të mbrojnë të drejtën e popullit për vetëvendosje.

Pikërisht për shkak të këtyre rrethanave, shpallja e Kushtetutës u organizua në fshehtësi, në qytetin e Kaçanikut , një vend me rëndësi strategjike, afër kufirit me Maqedoninë e atëhershme, ku ekzistonte mundësia për të siguruar të paktën një rrugë shpëtimi në rast ndërhyrjeje ushtarake serbe. Delegatët që morën pjesë në këtë akt historik ishin nën kërcënim të vazhdueshëm, shumë prej tyre të shpallur në kërkim nga autoritetet e Beogradit. Megjithatë, ata nuk u tërhoqën përkundrazi, me guxim të pashoq, miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke shpallur formalisht Kosovën si republikë dhe duke i dhënë bazë juridike synimit për shtetësi të pavarur.

Rëndësia historike e Kushtetutës së Kaçanikut është shumëdimensionale. Ajo nuk ishte vetëm një akt formal legjislativ, por një deklarim i hapur i vullnetit politik kombëtar për liri dhe vetëvendosje. Ishte një përpjekje për të ndërtuar një sistem institucional paralel, të pavarur nga Beogradi, dhe një platformë mbi të cilën do të ngriheshin strukturat e ardhshme shtetërore që nga arsimi e shëndetësia, deri te administrata dhe përfaqësimi politik.

Pavarësisht se kjo Kushtetutë nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare në atë kohë, ajo shërbeu për afro një dekadë si bazë legale dhe morale e shtetësisë së Kosovës, duke ushqyer rezistencën paqësore dhe duke krijuar një kulturë të vetëqeverisjes që do të kulmonte me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

7 Shtatori, që nga ajo kohë, mbetet një datë me simbolikë të thellë kombëtare dhe kushtetuese. Është dita që shënoi themelin juridik të Republikës së Kosovës dhe dëshmoi se kur drejtësia historike dhe vullneti i popullit bashkohen, asnjë pushtet nuk mund ta ndalë lirinë.

Sot, në këtë përvjetor jubilar, i përkulemi me nderim të thellë delegatëve që guxuan, popullit që qëndroi, dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Kushtetuta e Kaçanikut mbetet testament i kurajos politike dhe një udhërrëfyes për të ardhmen, duke na kujtuar se liria nuk dhurohet ajo fitohet me vizion, unitet dhe përkushtim.

Filed Under: Politike

Kisha mesjetare e Shëlbuemit në Velën e Vendit, Malësia e Lezhës si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore kombëtare

September 7, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Kisha Katolike e Shëlbuemit në fshatin piktoresk, Vela e Vendit (Sancti Salvatoris in Vello), e cila gjendet në qendër të vendbanimit në kuotën 530 m mbi nivelin e detit, e rrethuar nga një vegjetacion i dendur, përmendet për herë të parë në dokumentacionin historik së bashku me kishën tjetër të këtij fshati, atë të Shën Premtes (Sancte Venere in Vello), nga vetë Papa Gregori XII në letrën e tij drejtuar Arqipeshkvit të Tivarit (Archiepiscopo Antibarensi) më 23 maj 1407, të cilit i kërkon të marrë masa për lirimin e 12 kishave të zaptuara nga Ipeshkvia e Lezhës në kurriz të Ipeshkvisë së Arbnit [1].

Në territorin e fshatit Vela e Vendit, që është pjesë integrale e NJ.A. Kolsh, Bashkia Lezhë, ruhen ende toponime dhe kujtime të banorëve që dëshmojnë edhe praninë e dy kishave të tjera tashmë të zhdukura: 1) “Kisha e Sh’Llezrit”, që ndodhej në majën e Malit të Velës (1.172 m), e cila ka qenë një kishë pelegrinazhi, e vizituar nga banorët vetëm një herë në vit, në ditën e festës përkatëse dhe “Kisha e Shën Gjinit”, që shtrihej në jug të fshatit, në majën e malit të Molungut (633 m), nga e cila sot nuk mbetet tjetër veçse toponimi i saj në kujtesën e banorëve të vendit [2]. Prania e katër kishave katolike në një fshat të thellë malor, si Vela e Vendit, dëshmon për ekzistencën e një komuniteti të qëndrueshëm, me një jetë fetare të gjallë, të mirëstrukturuar dhe të mbështetur në mënyrë të qëndrueshme nga autoriteti kishtar.

Ky fakt tregon se Vela e Vendit, pavarësisht pozitës së saj gjeografike, nuk ka qenë një vendbanim i izoluar, por një qendër me identitet të konsoliduar shpirtëror e kulturor. Prania e katër faltoreve brenda një territori të kufizuar pasqyron një traditë të thellë të jetës liturgjike, një kujtesë historike të kultivuar brez pas brezi dhe një rol të rëndësishëm të komunitetit vendas në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kishtare e kulturore. Pas pushtimit të Lezhës nga turqit, në vitin 1478, ipeshkvinjtë e Dioqezës së Lezhës nuk qëndrojnë më në qytet, por zhvendosen fillimisht në Malësinë e Lezhës, duke gjetur strehim te banorët e Velës, besnikë të besimit katolik, dhe më pas ata zbritën nga lartësitë e këtij fshati [3], duke u vendosur në Kallmet [4]. Kisha e Shëlbuemit dhe Kisha e Shën Premtes së Velës (S.Salvatore et Santa Veneranda di Velia), përmenden sërish së bashku në një relacion kishtar dërguar Kongregacionit të Shenjtë të Propagandës Fide nga ipeshkvi i Lezhës, Benedikt Orsini, në vitin 1629, ku shënohet se ato kishin në pronësi “vreshta të ndryshme, toka e mullinj”, që shfrytëzoheshin prej fretënve [5]. Kisha e Shëlbuemit të Velës (Sanctus Salvator de Velia) përmendet më 24 prill dhe 20 dhjetor të vitit 1638 në dy letra të vetë Kongregacionit të Shenjtë të Propagandës Fide, në të cilën përcaktohen kufijtë e Dioqezës së Lezhës dhe ku saktësohet se kjo kishë përfshihet brenda territorit të Dioqezës në fjalë [6].

Në vitin 1644, Kisha e Shëlbuemit të Velës (Santo Saluatore di Veglia) përmendet nga ipeshkvi i Dioqezës së Arbërisë, Mark Skura, në një relacion kishtar dërguar Kongregacionit të Shenjtë të Propagandës Fide mbi vizitën e tij të kryer nëpër dioqezat e Arbërisë së Mesme, i cili mëton se kjo kishë, që tani shërben si Kuvend i Etërve Minorë të Shën Françeskut, është zaptuar nga ipeshkvi i Lezhës qysh kur vdiq Gjon Kolesi, ipeshkëv i Arbërisë [7]. Në vitet 1663 e 1672 Kisha e Shëlbuemit përmendet nga ipeshkvi i Lezhës, Gjergj Vladanji dhe më 1694 nga ipeshkvi tjetër, Nikollë Vladanji [8]. Në relacionet e tij të viteve 1702-1703, arqipeshkvi i Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviç (1670-1745), ndër të tjera shkruan se Famullia e Velës, e cila është më në rregull se gjithë të tjerat dhe që përfshin fshatrat: Velë, Kryezez dhe Skandaj (Veglia, Cruesesi, Scandai), me 54 shtëpi katolike dhe 460 frymë në total: “Ka kishën me pajtor Shën Salvatorin (Shëlbuesin), që më parë i përkiste Etërve Observantë, të cilët aty kishin Kuvendin. Është mbi madhësinë e zakonshme dhe në gjendje të mirë materiale, e pajisur me orenditë e shugurueshme, e mbajtur me shumë kujdes, e restauruar nga gjithë dëmet e tërmetit me veprën dhe shpenzimet e famullitarit. Aty pranë është edhe një kapelë e Shën Premtes (Cappella di S. Veneranda), por e rrënuar; [do të duhej për ta meremetuar] një shpenzim prej 40 skudësh.

Shërben famullitar Dom Aleksandër Gjupa (D. Alessandro Xiuppa), 60 vjeç, me arsim të paktë, por me talent të veçantë të natyrshëm. Është i çmuar prej turqve (myslimanëve) dhe të krishterëve… [9].” Gjatë viteve në vijim, Kisha e Shëlbuemit të Velës përmendet në mënyrë të dendur në relacionet kishtare dërguar Selisë së Shenjtë në Romë, nga ipeshkvijtë e Lezhës, për gjendjen në Dioqezën e tyre. Në vitin 1710 nga Nikollë Vladanji; më 1730, 1735, 1737 dhe 1738 nga Gjon Gallata; më 1743 dhe 1747 nga Simon Negri; më 1749 nga Paolo di Rema Campsi; më 1753 nga Anton Kryeziu; më 1785 nga Giorgio Junchi; më 1789 e 1792 nga Mikel Kryeziu; më 1800, 1801, 1807, 1817 dhe 1821 nga Nikollë Malçi; më 1844 dhe 1853 nga Ivan Topich dhe më 1864/65 nga Pal Dodmasej [10]. Në fillim të shek. XX, Kisha e Shëlbuemit u rindërtua nën kujdesin austro-hungarez. Pas Revolucionit Kulturor Ateist të vitit 1967 ajo ka qenë përdorur si magazinë e kooperativës dhe me rikthimin e veprimtarisë së saj, ky objekt i është nënshtruar një rimëkëmbje të plotë [11]. Materiali i ndërtimit përbëhet kryesisht nga guri gëlqeror i lidhur me një llaç të fortë gëlqereje. Kisha, e cila është e vendosur me orientim veriperëndim-juglindje, me planimetri të thjeshtë drejkëndore dhe me përmasa 9.20 m x 20.40 m, duket shumë qartë se respekton të njëjtin model planimetrik si në Kishën e Shën Gjon Pagëzorit të Mërqisë, edhe përsa i përket portave binjake në fasadën kryesore dhe përdorimit të tyre për burra dhe gra [12]. Midis dy portave në fjalë dhe pak sipër tyre, ndodhet një kamare e jashtme në formë katrore dhe e punuar me kornizë të profiluar, e cila është e zbrazët dhe duket qartë se ka shërbyer si vend për një mbishkrim, stemë ose pllakë përkujtimore.

Hapësira e brendshme e monumentit ndriçohet nga 8 dritare të gjata të mbuluara me qemerë të harkuar dhe një dritare e ngushtë rrethore, e cila ndodhet në frontonin e kishës. Kisha është e pajisur me dy kambana të derdhura në bronz në vitin 1914, të cilat, për fat të mirë, i mbijetuan fushatës shkatërrimtare të Revolucionit Kulturor Ateist të vitit 1967. Kjo u bë e mundur falë kujdesit të banorëve, të cilët i ruajtën duke i përshtatur për përdorim praktik si mjete alarmi (çanga). Kambana e madhe u përdor në fshatin Lalm-Lukaj, në kodrën e njohur me emrin “Qiqel”, ndërsa kambana më e vogël shërbeu në vetë fshatin Vela e Vendit, mbi një kodër pranë qendrës së këtij vendbanimi. Pas lejimit të ushtrimit të lirë të besimit fetar, të dy kambanat u rikthyen në funksionin e tyre liturgjik. Të dyja mbajnë dedikime të veçanta, të shoqëruara me datën e prodhimit. E para, më e madhja, e cila ruhet në brendësi të kishës, mban këtë mbishkrim: “N’ SHPERBLIM PER GJÂA T’SHELBUËMIT T’ VELËS, MARU N’VJETË 1910. PREJ USHTRIËS S’ TURKUT. U SHKRÎI ME ZELLË T’ D. NIKOLL KIMEZËS N’ T’ DYTIN VJETË T’ LIRIËS / 1914.” Si e tillë, kjo kambanë përfaqëson një dëshmi historike të kryengritjeve të vitit 1910 kundër Perandorisë Osmane, si dhe të njohjes së autoritetit të Qeverisë së Vlorës nga komuniteti i kësaj zone.

Ndërsa kambana e dytë, e vogla, që sot është e vendosur mbi degën masive të një lisi shekullor në oborrin e kishës dhe në veriperëndim të saj, është e pajisur me këtë mbishkrim: “ZOT PSHTONA, MORTAJET, ÛJET, E LUFTET / 1914.” Mbishkrimi pasqyron gjendjen e pasigurisë kolektive të komunitetit si dhe bindjen e thellë se vetëm “Ndërhyrja hyjnore” mund të garantonte shpëtimin dhe mbrojtjen përballë rreziqeve e sfidave historike të kohës. Kisha e Shëlbuemit në Velën e Vendit, krahas aspektit shpirtëror dhe përmasave të saj, pavarësisht se në fillim të shek. XX është rindërtuar pothuajse e gjitha mbi themelet e saj të vjetra, ajo përfaqëson një ndër kishat më të rëndësishme në Dioqezën e Lezhës dhe një ndër monumentet historiko-kulturore më impozantë në territorin e Bashkisë Lezhë, por edhe në arealin e pasur etnokulturor të Mirditës.

BIBLIOGRAFIA:

1- A.Meksi, Peshkopata Arbanense, Gjon Kastrioti dhe grindja për kufijtë me peshkopatën e Lezhës, në: ResPublica, 27 shtator 2018.

2- G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 108.

3- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 147.

4- M.Shuflaj, Situata të Kishës në Shqipërinë paraturke: Zona e depërtimit ortodoks në “digën” katolike, Botimi II, f. 42.

5- P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 86.

6- D.Farlatus & J.Coletus, Illyricum Sacrum, Tomus septimus, Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrachiensis, et Sirmiensis, cum earum suffraganeis, Venetiis: Apud Sebastianum Coleti, Superiorum permissu ac privilegio, MDCCCXVII (1817), f. 204, 286.

7- I.Zamputi, Relacione dhe dokumente për historinë e Shqipërisë (1610-1650) / Relazioni e documenti per la storia dell’Albania (1610-1650), (Transkriptuar e perkthyer nga – Trascritti e tradotti da Injac Zamputti), (Ribotim i perpunuar nga – riedizione elaborata da Jozef Zamputti), St. Gallen: Alarische Institut; Prishtinë: Faik Konica, 2018, f. 672.

8- P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 93, 125, 150.

9- V.Zmajevich: P.Bartl / I.Zamputi, Relacion i gjendjes së Shqipërisë e Serbisë / Relazione dello stato d’Albania e Serbia (1702-1703), (Përgjegjës të këtij botimi: Albert Ramaj, Zef (Ahmeti) Noka), Prishtinë: Faik Konica, 2022, f. 110, 264.

10- P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 178, 183, 187, 189, 192, 195, 199, 216-219, 235-236, 252, 257, 266-267, 283, 286, 291, 298-299, 318, 323, 329, 365, 384.

11- G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 106.

12- Ibidem, f. 106.

Filed Under: Histori

Roli dhe fuqia e lajmeve të rreme në luftën moderne hibride të shekullit XXI: Ndikimi i dezinformatave Ruso–Serbe në shtetet e ballkanit perëndimor

September 7, 2025 by s p

Prof.dr.Muhamet Racaj/

Ky punim trajton rolin e lajmeve të rreme dhe propagandës hibride si një armë strategjike në konfliktet bashkëkohore, me fokus të posaçëm mbi ndikimin e dezinformatave ruso–serbe në Ballkanin Perëndimor. Problemi qendror që adresohet është mënyra se si këto narrativa të fabrikuara destabilizojnë opinionin publik, minojnë institucionet demokratike dhe rrisin tensionet etnike e politike në rajon. Metodologjia përfshin analizën e burimeve propagandistike pro–ruse e pro–serbe, raporteve të organizatave verifikuese dhe studimeve rajonale mbi sigurinë dhe komunikimin masiv. Gjetjet tregojnë se ky lloj i dezinformimit synon të shkatërrojë besimin në institucionet shtetërore dhe të frenojë orientimin euro–atlantik të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Përfundimi nxjerr në pah se lufta hibride në Ballkan zhvillohet më shumë përmes informacionit sesa përmes armës, duke imponuar një nevojë urgjente për politika shtetërore dhe rajonale anti–dezinformuese.

Në shekullin XXI, koncepti i luftës është zgjeruar përtej mjetit ushtarak klasik dhe ka marrë formën e “luftës hibride”, ku propaganda, dezinformata dhe manipulimi mediatik përdoren si armë strategjike. Rajoni i Ballkanit Perëndimor, për shkak të historisë së tij të tensionuar etnike dhe politike, është një terren i përshtatshëm për përhapjen e lajmeve të rreme. Rusia, përmes aktorëve të saj direkt dhe indirekt, dhe Serbia, si partner strategjik e politik i saj, përdorin dezinformatën për të minuar stabilitetin demokratik të këtyre shteteve dhe për të penguar integrimin e tyre në NATO dhe Bashkimin Evropian¹.

Problemi shkencor i këtij studimi është të kuptohet se si dezinformatat ruso–serbe veprojnë në opinionin publik të Ballkanit Perëndimor dhe sa ndikojnë ato në prirjet politike, sigurinë rajonale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Objektivi është analiza e mekanizmave të propagandës, natyra e lajmeve të rreme të përhapura në rajon, dhe ndikimet e tyre konkrete ndaj opinionit publik. Rëndësia shkencore qëndron në faktin se ky fenomen nuk ka të bëjë vetëm me gënjeshtra të thjeshta mediatike, por është një strategji hibride që përdoret për të ndryshuar ekuilibrat gjeopolitikë².

Pjesa Kryesore: Dezinformata si armë hibride në Ballkanin Perëndimor

Ballkani, si një hapësirë historikisht e fragmentuar politikisht dhe etnikisht, gjendet nën ndikimin e madh të propagandës ruso–serbe. Dezinformatat e shpërndara synojnë të forcojnë narrativën e një “bote sllave ortodokse”, të krijojnë mosbesim ndaj Perëndimit, dhe të diskreditojnë qeveritë që ndjekin politika euro–atlantike³. Ndryshe nga konfliktet e hapura ushtarake, këto operacione janë me kosto të ulët dhe me efektivitet të madh në kushtet e dobësive institucionale të shoqërive ballkanike⁴.

Narrativat kryesore të dezinformatave ruso–serbe në rajon

• Diskreditimi i NATO-s dhe BE-së – Dezinformatat shpesh paraqesin integrimin euro–atlantik si “projekt të imponuar nga jashtë” që sjell varfëri dhe humbje të sovranitetit. Në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut shpërndahen narrativa sipas të cilave NATO “dërgon fëmijët e shqiptarëve në fronte lufte”, ndërsa BE “shkatërron ekonomitë kombëtare”⁵.

• Nxitja e tensioneve etnike – Në Kosovë, propaganda ruso–serbe shënjestron perceptimin e shqiptarëve si “ekstremistë” dhe të serbëve si “viktima të persekutimit”. Kjo retorikë amplifikohet nga mediat serbe dhe rrjetet sociale, duke synuar rëndimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe pengimin e dialogut Kosovë–Serbi⁶.

• Narrativa mbi “Ukrainizimin e Ballkanit” – Shumë media serbe pro–Kremlinit përhapin idenë se Ballkani është viktimë e të njëjtit “skenar perëndimor” si Ukraina. Qeveritë perëndimore paraqiten si përgjegjëse për nxitjen e luftës, ndërsa Rusia shihet si mbrojtëse e paqes dhe interesave rajonale⁷.

• Lajmet e rreme mbi krizën ekonomike – Në Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi përhapen shpesh lajme të fabrikuara për “kolaps të ekonomisë pas sanksioneve ndaj Rusisë” dhe për “varfërimin e popullit për shkak të politikave pro–perëndimore”. Qëllimi është nxitja e pakënaqësisë sociale dhe krijimi i terrenit për partitë populiste dhe pro–ruse⁸.

• Figura negative e SHBA-ve – Shpesh përhapet narrativa se Shtetet e Bashkuara përdorin rajonin vetëm për bazat ushtarake dhe interesat e tyre strategjike, pa sjellë përfitime për popujt vendas. Në këtë mënyrë synohet të dëmtohet imazhi i aleatit kryesor të NATO-s⁹.

Mekanizmat e përhapjes së dezinformatave

Dezinformata ruso–serbe shpërndahet në mënyrë të koordinuar përmes:

• Platformave sociale si Facebook, Telegram dhe TikTok, ku shpërndahen përmbajtje të thjeshta, emocionale dhe shpesh sensacionaliste.

• Medias tradicionale në gjuhën serbe dhe kanaleve televizive që promovojnë narrativa pro–Moske¹⁰.

• Portaleve të rreme mediatike dhe “blogjeve anonime” që paraqiten si burime të pavarura, por në fakt riprodhojnë narrativat propagandistike¹¹.

Pasojat e dezinformatave në Ballkanin Perëndimor

Pasojat kryesore janë të natyrës politike, sociale dhe strategjike:

• Përçarje sociale dhe nxitje të urrejtjes ndëretnike.

• Minimi i besimit tek institucionet publike dhe tek media tradicionale.

• Dobësimi i orientimit euro–atlantik të shteteve të rajonit në favor të një “alternative lindore”.

• Fuqizimi i aktorëve populistë dhe ekstremistë politikë që ushqehen nga narrativa anti–perëndimore.

Lufta e informacionit si sfidë për sigurinë rajonale

Në Ballkanin Perëndimor, ku stabiliteti historikisht ka qenë i brishtë, dezinformata është një rrezik po aq i madh sa edhe potenciali i dhunës politike. Rusia dhe Serbia e përdorin propagandën si mjet për të frenuar procesin e integrimit të rajonit në BE dhe NATO, duke e kthyer luftën e informacionit në një front të hapur strategjik¹².

Përfundimi dhe Rekomandimet

Ky studim tregon se dezinformatat ruso–serbe përfaqësojnë një dimension qendror të luftës hibride në rajonet e brishta si Ballkani Perëndimor. Përmes manipulimit të informacionit, aktorët e jashtëm arrijnë të ndikojnë në opinionin publik, të nxisin përçarje ndëretnike dhe të dobësojnë besimin tek institucionet demokratike.

Rekomandimet që burojnë nga ky studim janë:

• Forcimi i mediave të pavarura – krijimi i platformave të verifikimit të fakteve dhe trajnimi i gazetarëve në luftën kundër lajmeve të rreme.

• Edukimi mediatik i qytetarëve – nisma kombëtare për aftësimin e popullatës në identifikimin e përmbajtjes së rreme.

• Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar – krijimi i mekanizmave të përbashkët mes shteteve të Ballkanit për të luftuar narrativat e koordinuara.

• Reforma institucionale – forcimi i transparencës dhe komunikimit të qeverive për të penguar depërtimin e propagandës.

Lufta hibride e shekullit XXI ka treguar qartë se dezinformata nuk është më një element periferik, por një armë strategjike e aftë të ndryshojë fatin politik të kombeve. Në këtë kontekst, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor varet jo vetëm nga fuqia e institucioneve, por edhe nga aftësia e tyre për të fituar betejën e informacionit.

Literatura:

1. European Western Balkans (2024). Raport mbi ndikimin e propagandës ruse në rajon.

2. ODIHR/OSCE (2023). Dezinformata dhe ndikimi i saj në proceset demokratike në Ballkan.

3. Atlantic Council (2022). Russian Disinformation in the Western Balkans.

4. KDI, Prishtinë (2024). Raport studimor mbi ndikimin e propagandës serbe ndaj Kosovës.

5. European Western Balkans (2024). Analizat mbi dezinformatat kundër NATO-s në rajon.

6. KDI (2023). Raport mbi propagandën serbe ndaj Kosovës.

7. Anastasovska, A. (2025). “Propaganda ruse dhe narrativa kundër Ukrainës”, Vërtetmatësi.

8. OSCE (2024). Pasojat e dezinformatave në Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi.

9. CSIS (2025). Raport mbi perceptimin anti-amerikan në Ballkanin Perëndimor.

10. Defense Post (2025). Ndikimi i mediave pro–ruse në Serbi.

11. Nexus News Feed (2024). Analiza e portaleve të rreme mediatike.

12. UK Defence Journal (2024). Studim mbi luftën e informacionit dhe sigurinë rajonale.

13. M.Racaj,(2025)Roli dhe Fuqia e Lajmeve të Rreme në Luftën Moderne të Shekullit XXI: Studim Rasti i Luftës Rusi–Ukrainë,bota sot ,06.09.2025.

Filed Under: Analiza

Agim Sulaj, mjeshtri që shndërron artin në thirrje universale, shqiptari me mbi 250 çmime ndërkombëtare

September 6, 2025 by s p

Albert Vataj/

Në horizontin e arteve pamore bashkëkohore, Agim Sulaj ngrihet si një figurë e pakrahasueshme, një penel që ka kapërcyer kufijtë e vendlindjes për të hyrë në panteonin e artistëve me famë botërore. Ai është njëkohësisht piktor dhe karikaturist, një krijues që ka ditur të ndërthurë estetikën me ironinë, bukurinë me mesazhin, shprehjen e shpirtit me kumtin e ndërgjegjes.

Sulaj është artisti shqiptar me më shumë çmime ndërkombëtare të fituara në fushën e arteve pamore. Me mbi 250 çmime të dokumentuara në konkurse, bienale dhe ekspozita ndërkombëtare, ai ka vendosur një rekord të papërsëritshëm për artin shqiptar. Çmimi i Parë në Festivalin Ndërkombëtar të Karikaturës në Porto (Portugali), Çmimi i Parë në “World Press Cartoon”, një nga garat më prestigjioze të karikaturës editoriale, si dhe dhjetëra çmime të tjera në Kinë, SHBA, Kore të Jugut, Turqi, Itali, Belgjikë, Francë, Greqi, Kosovë, Serbi, Rumani, Poloni, Angli, dëshmojnë shtrirjen e gjerë të suksesit të tij. Italia është bërë shtëpia e tij krijuese, ku jo vetëm ka fituar konkurrime të shumta, por është edhe pjesë e jurive prestigjioze dhe një figurë e respektuar në ekspozitat elitare.

Piktura e Agim Sulajt është e ngarkuar me një realizëm poetik e hiperrealist, ku drita, ngjyra dhe detaji flasin për një mjeshtëri të rrënjosur në traditën klasike, por të ripërtërirë me një sensibilitet modern. Karikatura e tij, nga ana tjetër, është shndërruar në një gjuhë universale të ironisë së ndritur: një metaforë që shpërthen plagët e kohës, një pasqyrë që nxjerr në pah absurditetin, një thirrje që kërkon reagim. Ndryshe nga karikatura e zakonshme që mjaftohet me të qeshurën, Sulaj ndërton një gjuhë simbolike e cila mbart peshën e një ligjërimi të plotë estetik.

I lindur në Vlorë, Sulaj fitoi çmimin e tij të parë që në moshën 19-vjeçare, në konkursin e revistës “Hosteni”. Pas studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë (1978–1985), ai nisi të shfaqej në skenën ndërkombëtare. Në vitin 1990, me veprën “Valixhja e emigrantit”, fitoi çmimin special në “Aydin Doğan International Cartoon Competition” në Ankara, një metaforë e fuqishme për fatin e emigrantit, temë që do ta shoqëronte gjatë gjithë krijimtarisë së tij. Në vitet ’90 u vendos në Itali, ku ekspozitat në Rimini (1992), Brindisi (1993) dhe më tej në Europë e botë, i hapën dyert e suksesit. Sot, krijimtaria e tij udhëton nga kontinenti në kontinent, duke mbetur një urë që lidh Shqipërinë me botën.

Veprat e Sulajt nuk janë kurrë të heshtura. Ato pushtojnë emocionalisht, rrëzojnë përgjumjen dhe thërrasin ndërgjegjen. Ai trajton plagët e njeriut modern: mërgimin, dhimbjen, ikjet, lotët, fyerjet, poshtërimet, por edhe nostalgjinë e fëmijërisë, mallin e vendlindjes, kujtimet që fisnikërojnë, sikurse është edhe një zë çështjeve globale të ambientalizmit, migrimit, por edhe thirrje për rizgjim të historisë kombëtare shqiptare përmes krijimit të veprave me tematika të kulmimeve të ngjarjeve dhe personazheve që përbëjnë rrugëtimin tonë në histori. Në pikturat dhe karikaturat e tij, çdo element, qoftë një valixhe e braktisur, një fëmijë që loz, një fytyrë e rrudhur, një simbol universal, bëhet gjuhë që përkthehet nga këdo, kudo.

Karikaturat e tij nuk janë thjesht vizatime satirike: ato janë një “ligjërim i heshtur” më i fuqishëm se çdo fjalim. Ai përdor ironinë për të nxitur ndërgjegjen, jo për ta mpirë atë. Sulaj i bën thirrje shpirtit njerëzor që të reagojë, të marrë përgjegjësi, të mos pajtohet me padrejtësinë. Arti i tij është një “kambanë estetike” që kumbon njëkohësisht me bukuri dhe revoltë.

Galeria e tij është ndër më të pasurat në artin grafik shqiptar dhe ndërkombëtar. Prej figurave historike te fëmijëria e risjellë me hollësi, prej plagës së refugjatit te ironia e groteskut politik, krijimtaria e tij është e gjerë dhe e gjithanshme.

Vepra e Agim Sulajt është një enciklopedi vizuale e njeriut dhe kohës sonë, ku secili gjen veten: qoftë si dëshmitar, qoftë si pjesëmarrës. Agim Sulaj nuk është thjesht një artist i dekoruar me çmime. Ai është një ambasador i shpirtit krijues shqiptar, një dëshmi se arti ynë mund të jetë konkurrues, përfaqësues dhe dinjitoz në arenën globale. Më shumë se talenti i tij personal, ai ka sjellë në sytë e botës një pasuri shpirtërore kombëtare, duke i dhënë artit shqiptar një emër të pathyeshëm dhe të lavdëruar.

Në fund, Sulaj mbetet një krijues që nuk pushon së ngrituri zërin. Me laps, penel, akuarel apo akrilik, mbi letër, kanavacë apo në vetëdijen tonë, ai vazhdon të na thërrasë: që të mos harrojmë, që të mos pajtohemi, që të mos ndalemi. Ai është dëshmi e gjallë se arti, kur është i vërtetë, bëhet jo vetëm pasqyrë e botës, por edhe forcë që e ndryshon atë.

Filed Under: Sofra Poetike

Traditë e trashëgimi e pasur folklorike në oazin kulturor të Shkodrës

September 6, 2025 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Shkodra e lashtë është një qytet i pasur me histori dhe kulturë, i vendosur mbi një kodër madhështore dhe i rrethuar nga ujërat magjepsës, ku bashkohen të gjitha mrekullitë e Zotit. Pranë Liqenit aq të bukur e të famshëm, buron një lum edhe më i bukur dhe i famshëm, Barbana e vjetër e Buna e sotme, që gjarpëron rreth 40 km deri në det, lumi i cili lidh qytetin me detin dhe Evropën. Ky lumë, krahas begatisë natyrore, është edhe simbol i zhvillimit dhe traditës kulturore të zonës. Që në lashtësi, rreth këtij lumi të bukur e të lundrueshëm, lindën dhe u zhvilluan vendbanime që janë bërë edhe objekt studimi i historianëve dhe arkeologëve, me fakte që dëshmojnë lashtësinë e këtij vendi.

Që në mesjetën e hershme përmenden këto vendbanime, por ai që në “krahinën” Dajç i Bregut të Bunës, është Shirqi, i njohur nga dokumentat, jo thjeshtë si një fshat, por si një skelë portuale lumore që shërbente për anijet e kohës që vinin mallra nga deti, në drejtim të Shkodrës. Shirqi, që mendohet se emrin e ka marrë nga një martir vendas i kryqzatave, i cilësuar si Shën Sergji dhe për të cilin në shekullin e 13-të u ndërtua një kishë që njihet si Kisha e Shirqit, është sot krenari për gjithë Bregun e Bunës, në të dy anët e saj.

Ky fshat, që mori emrin nga martiri Shën Sergji, ruan këtë trashëgimi të rrallë përmes Kishës së Shirqit, një monument i lashtë me vlera të rralla kulturore. Në traditën vendase, si në çdo krahinë të Shqipërisë, ka trashëgëmi folklorike, etnografike, zakonore, me karaktersitikat e veta, por ka edhe një dëshirë të madhe të artistëve të këtij vendi, për ta rreshtuar talentin e tyre përkrah kulturës mëmë që është Shkodra.

Ashtu si Shkodra, Shirqi ka trashëguar dhe zhvilluar një traditë të pasur folklorike. Përmes shekujve, kjo zonë ka nxjerrë artistë të shquar që e kanë pasuruar kulturën kombëtare. Ndër ta, spikat kompozitori i madh Pjetër Gaci, si dhe yje të muzikës dhe aktrimit si Gjovalin Daka dhe instrumentistë të talentuar si Shuajp Bisha, Ndrek Shkreli dhe Bahri Hurmi. Nga ky “truall” kanë mbetur në panteonin e folklorit shqiptar perla të papërsëritshme, siç është kënga e famshme “Po martojmë gjel kokotin”, nga ky truall trashëgohen këngë me tekste lapidare që i këndojnë natyrës, nuses dhe dashurisë.

E për t’i shoqëruar muzikalisht këto perla, Dajçi i Bregut të Bunës ka nxjerrë nga fidanishtja e vet talente që do të mbesin në historinë e kësaj zone.

Nga kjo trevë kanë dalë shumë figura që i kanë dhënë emër Shkodrës e kulturës shqiptare, dhe një prej tyre është Bahri Hurmi, lindur më 23 shkurt 1963, i cili shumë shpejt do të lidhej ngushtë me artin dhe skenën. Nga Shirqi i Dajçit të Bregut të Bunës, në skenat kulturore të Shqipërisë dhe më gjerë, Bahri Hurmi mbetet një nga zërat më të respektuar që i kanë dhënë jetë dhe ngjyra muzikës popullore për më shumë se katër dekada.

Fillimi i një rrugëtimi

“Që i vogël më ka tërhequr muzika,” kujton Bahri Hurmi. “Në moshën 12-vjeçare fillova të merresha me imitimin e melodive me fishkëllim. Aty mora guximin të përfaqësoja Shkodrën në aktivitete kulturore, dhe ajo ishte për mua një shkollë e parë.” Pas disa vitesh, muzika nuk do të ishte më thjesht pasion, por profesion. Në vitin 1986, Bahria mori përgjegjësinë e parë institucionale si Drejtues i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Mushan, ku zhvilloi aktivitete të shumta, tashmë si klarinetist.

Ai ndoqi kursin profesional për klarinetë, duke u specializuar në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore në Tiranë. Instrumenti i tij do të bëhej shoqërues i pandarë i gëzimeve e dasmave në Shirq, Dajç e në rrethinat e Shkodrës, duke i dhënë ngjyra festive çdo evenimenti. Ishte një kohë e bukur, kur arti e kultura ishin pjesë e përditshmërisë së njerëzve. Bahria u përqendrua tek klarineta, instrumenti që e ndiente si pjesë të shpirtit të tij.

Klarineta, pjesë e gëzimeve popullore

Prej asaj kohe, ai u bë pjesë e pandarë e gëzimeve familjare dhe dasmave. “Kam qenë pjesë e shumë momenteve të gëzueshme në Shirq, Dajç dhe rrethinat e Shkodrës. Klarineta ime ka ecur krah për krah me harenë e njerëzve të zonës. Nuk ka lumturi më të madhe se të shohësh njerëzit duke vallëzuar me tingujt e saj,” shprehet ai.

Koncerte e bashkëpunime

Bahri Hurmi nuk u ndal vetëm në fshatin e tij. Si pjesë e Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci” në Shkodër, ai mori pjesë në koncerte në qytete të ndryshme të Shqipërisë: në Tiranë, Dibër, Gjirokastër, Berat e shumë të tjera.

Ai zgjeroi aktivitetin e tij duke u aktivizuar pranë Qendrës Kulturore të Ulqinit, duke ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet trevave shqiptare dhe duke u bërë pjesë e jetës kulturore përtej kufirit.

Në rrugëtimin e tij, ai ka pasur fatin të bashkëpunojë me këngëtarë të njohur. “Jam krenar që kam qenë në skenë krah artistëve si Shaban Gjekaj, Gëzim Salaj, Hana Nikprelaj e shumë të tjerë. Çdo koncert me ta ishte një përvojë e re dhe një pasurim i shpirtit tim muzikor,” tregon Bahri Hurmi.

Një jetë e lidhur me muzikën

Në karrierën e tij 40-vjeçare, Bahri Hurmi ka mbetur gjithmonë i lidhur me muzikën dhe me vendlindjen.

Përveç koncerteve e aktiviteteve kulturore, ai është gjithmonë i pranishëm në skenat televizive. “Prej shumë vitesh kam qenë pjesë e aktiviteteve që organizon “Blue Sky” Aty kam gjetur një publik të ngrohtë që e do muzikën popullore,” thotë Bahriu. Sot, ai vazhdon të jetë aktiv me Agjencinë e Spektakleve “Buna 2”, duke e mbajtur gjallë pasionin edhe pas 40 vitesh karrierë, ku talenti i tij vijon të gjejë duartrokitjet e publikut.

Tinguj që mbeten kujtim

Bahri Hurmi është një një zë që ka shoqëruar dhjetëra breza në momente të paharrueshme që Shirqi dhe Bregu i Bunës i kujtojnë me krenari: një artist i thjeshtë, por me një talent të madh, që me klarinetën e tij ka gdhendur tinguj të paharrueshëm në kujtesën e shumë brezave.

“Arti nuk njeh moshë. Sa herë marr klarinetën në dorë, ndiej se jam po ai djalosh që dikur fishkëllente meloditë e para. Muzika është jeta ime,” përfundon ai.

Në çdo tingull të klarinetës së tij dëgjohet ende jehona e Bunës, fryma e Shirqit dhe krenaria e një artisti që e jetoi muzikën si mision.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 180
  • 181
  • 182
  • 183
  • 184
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT