• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova 15 vjet shtet, festë te shqiptarët në Bruksel

February 24, 2023 by s p

Të shtunën më 18/02/2023, në Bruksel të Belgjikës, në ambjentet e Qendrës kukturore Vatra, organizohej një shfaqje kulturore të Shkolës shqipe Vatra për 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Pas fjalës së kryetarit të Qendrës kulturore Vatra, politikani z. Ahmet Gjanaj, nënkryetar i komunës ku mbahej spektakli, për të vënë theksin tek rëndësia e mësimit të gjuhës shqipe për mbijetesen e një komuniteti të mirëfilltë e atdhetar, mori fjalën Ambasadori i Kosovës z. Agron Bajrami, konsulla e Shqipërisë znj. Viola Kaloshi dhe historiani z. Ragip Zekolli për një fjalë përshëndetje. Fjalën kryesore dhe e fundit e morën nxënësit e shkollës shqipe Vatra që recituan, kënduan e vallëzuan ashtu siç janë mësuar te shkolla shqipe me atdhedashuri e përkushtim. Në fund të programit, performoi grupi i valleve Vatra që ka vite që mahnitë skenat dhe sheshet publike të Belgjikës.Shkolla shqipe Vatra funksionon për gati 20 vjet dhe ka dorëzuar mbi 700 dëftesa. Veprimtaria e saj në dobi të komunitetit shqiptar është e konsoliduar.

Filed Under: Komente

Një libër i ri për lirinë, shpresën dhe të ardhmen, Beqir Sina sjell “Rob – Një biografi për dy kohë”

February 24, 2023 by s p

Fedatata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA të promovojë më 5 Mars ora 2 pm në Royal Regency Hotel – Yonkers NY 165 Tuckahoe Rd 10710- librin e Gazetarit Beqir Sina “Rob – Një biografi për dy kohë”, me parathënie të Ilir Ikonomit , redaktor Ilirjan Agolli .Libri prej më shumë se 400 faqesh, botim i “Tirana Times”, paraqet jetën e autorit nën komunizëm dhe lirinë që ai gjeti në Amerikë.Autori lindi në internim, në Savër të Lushnjes në vitin 1957 dhe fati i tij ishte i vulosur që nga ai çast. Në mënyrë sureale, pa lindur mirë, atij i ishin mohuar të gjitha të drejtat njerëzore dhe duhej që jetën ta kalonte në mjerim.Autori Sina përshkruan brutalitetin e regjimit, por këtë e jep në një formë të re. Ai sjell një rrëfim të pa sforcuar, flet me vetpërmbajtje dhe me të njëjtin durim që ai dhe familja e tij treguan në vitet e gjata të vuajtjeve në Savër.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina

Udhëtim mbresëlënës në Dardani

February 23, 2023 by s p

Alfons Grishaj/

Firmosja e Memorandumit me Parlamentin e Dardanisë, solli  shumë më afër Vatrën  me Prishtinën zyrtare si nga ana shpirtërore dhe fizike, duke e bërë Vatrën palë në proçeset jetike të Dardanisë. Prandaj dhe  udhëtimi   kërkonte përkushtim dhe seriozitet. Para se të niseshim, Kryetari i Vatrës Elmi Berisha, mblodhi Kryesinë dhe u kërkoi të gjithë anëtarëve që të merrnin pjesë në festimet e 15 Vjetorit të mëvetësisë së Dardanisë (kjo sigurisht në varësi të kohës dhe mundësive të gjithësecilit). Vatra ishte e ftuar në Dardani nga Ambasada  Amerikane dhe Parlamenti i Kosovës, çfarë tregonte se  vatranët do të udhëtonim brenda  kornizës protokollare shtetërore.
Sigurisht udhëtime të tilla nuk janë të thjeshta , sepse kërkojnë kohë , impenjim dhe shpenzime…
Gjithësecili u shpreh për mundësinë  e këtij udhëtimi, në   mirëkuptim të plotë me  njëri-tjetrin.

Kryetari Berisha, u nis para nesh për t’u njohur me protokollin dhe  organizuar çdo hap të udhëtimit tonë. Porsa arritëm në Airoportin “Adem Jashari”, Intelligence Agency Service (që do të na shoqëronte gjatë udhëtimit tonë), së bashku me kryetarin Elmi Berisha i cili shoqërohej nga kushëriri i tij Xhevdet Berisha, na pritën tek dera e daljes së avionit. Christofer Hyland , Mond Rakaj, Anton Raja  dhe unë  u surprizuam  për këtë kujdes të Kryetarit Berisha  dhe qeverisë Dardane.

Çdo gjë e detajuar dhe protokollare. Na drejtuan  në dhomën e pritjes VIP , për  një pushim të shkurtër dhe një kafe. Nga kjo dhomë do të fillonte the great journey.  Christofer Hyland, Mondi, Antoni dhe unë e kishim filluar bisedën që në aeroportin e Zvicrës. Si gjithnjë, në plan të parë Dardania jonë e dashur.

Të shoqëruar me makinat e “ Intelligence Service” , mbërritëm tek Hoteli “Swiss Diamant” me pronar, Bexhet Pacollit , ku  u akomoduam.
Më pas, grupit të Vatrës iu bashkuan dhe anëtarët e tjerë, Pashko Camaj, Tony Kastrati dhe Besim Malota.

Mediat e Dardanisë  dhe nëpërmjet tyre,  gazeta Dielli me  Editor Sokol Paja,  na ndjekën  në rrugëtimin tonë pesë ditor.
Çdo takim qe mbresëlënës dhe impresionues. Takimi i parë u bë me  vëllaun tonë,  Prof. Dr. Nusret Pllana, i cili kish ardhur  për të na uruar mirë se ardhjen. Më pas u takuam me  Dr. Vlora Obertinca e cila na shoqëroi në disa takime. Ardhja  e mikut të dashur, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, enkas për t’u çmallur  dhe festuar  me ne një natë të paharruar në darkën e shtruar nga Bexhet Pacolli, mbetet e paharrueshme.

Takimi  me Kryetarin e Parlamentit Dardan (brum i përdheshëm dhe fort i mprehtë), Glauk Konjufca , na krijoj një ambjent vëllazëror, duke na lejuar  shkëmbimin e mendimeve shumë të vlefshme për të ardhmen e Dardanisë dhe bashkëpunimit tonë. Z. Glauk, kishte një humor të hollë pa sforco që e ilustronte me  vitalitet  e  burim shpirtëtror.  U ndamë nga ky personalitet me përshtypjet më të mira dhe premtime për vazhdimësinë e lidhjes së Vatrës me Institucionin që ai drejtonte.

Pjesëmarrja e zbulimit të emrit të Xhim Xhemës në një nga rrugët kryesore te Prishtinës pati një jehonë në të gjithë mediat e e Prishtinës. Xhimi Xhema i shoqëruar nga kryetari i Vatrës, Elmi Berisha dhe Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama , qenë brilantë.   

Takimi me Presidenten Osmani ishte mbresëlënës dhe brenda kornizës protokollare.

Koktaili në Ambasadën Amerikan dhe dekorimi i Ambasadorit  Jeffrey M. Hovenier në darka Gala, ishin kryefjala e lëvizjes diplomatike të Vatrës. Mbrëmja Gala  pati pjesëmarrës nga të gjitha trevat. Atë natë mori pjesë dhe  Kryeministri Kurti( që ish takuar me ne dhe dy herë në harkun kohor të axhendës së ngjeshur) Kryetari Komunës Përparim Rama, Ambasadorët Jeffrey M. Hovenier dhe  Christopher Hyland, Xhimi Xhema, Bexhet Pacolli, Teuta Rugova e shumë personalitete të artit dhe kulturës.

Takimi në Katedralen Nënë Tereza qe një relaksim. Tek porta na pritën Prelatët e Kishës  me në krye Ipeshkvin Dode Gjergji, Dom. Lush Gjergji ishte një prehje shpirtërore, duke pasur parasysh se kjo katedrale ka emrin e Shenjëtores së përbotshme St.Mother Tereza. 
Pjesëmarrja  në Parlamentin e Dardanisë dhe  dalja në shesh disa momente para fillimit të paradës do mbeten të paharrueshme, ku populli Dardan, brohoriste, Xhimi…Xhimi…Amerika…Amerika!!…Por, impresionimi  më i madh i joni ishte, kur   hymë  në UBT (ku unë dhe kryetari Berisha patëm dhe fjalën tonë…), u  ballafaquam me një bibliotekë të ngjashme me ato perëndimoret që na mbushi me frymëzim dhe përmallim. Atë ditë, UBT , së bashku me Vatrën kishin organizuar, konferencën shkencore, “Roli i mërgatës shqiptare në krijimin e shtetit shqiptar dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.  Prof . Dr. Edmond Hajrizi,  ish student i Oakland University  Michigan,  me  dëshirë dhe vizion arriti të ngrejë UBT në përmasa botërore. Prof . Dr. Naser Rugova na e kish  sjellur në vëmendje , por ja që erdh momenti që t’a preknim  me dorë. UBT është i gjashti në botë për pregaditjen e studentëve në teknologji. Para se të vizitonim UBT-në ,  Dr. Pajazit Hazeri, na bëri një ekspoze  të  Universitetit, ku pregaditeshin dhe edukoheshin  më shumë se 15 mijë studentë. Në këtë universitet,  na u duk vetja sikur u rritëm!
Surprizë të veçantë  i bëri Universitetit, heroi  i ditës, Xhimi Xhema, duke i dhuruar Universitetit,  $500 000. Ndërsa vatrani patriot, Anton Raja,  dhuroi pesëmijë dollarë për studentin më të mirë të UBT-së. Një takim shumë mbresëlënës ishte ai me Gjeneral Hisen Berisha, ish-komandantin e Koshares.

Frymëzues ishte takimi me ish Kryeministrin , legjendën e gjallë, Ramush Haradinaj. U takuam dy herë. Ai  na ftoi  për darkë në shtëpinë e tij, por qe e pamundur të  realizohej, ngaqë  do  ktheheshim  në Amerikë. I paçmueshëm qe takimi me vajzën e Ibrahim Rugovës, Teuta, e cila kryente shkollën në Amerikë. Një vajzë model që ruante momente të pathëna të historisë së legjendës së Dardanisë Presidentit, Rugova.

Kryetari Berisha e kish llogaritur në mënyrë  matematike çdo moment. Dr. Pashko Camaj , përveç pranisë së tij në takime, pati dhe një detyrë plus në komunikimin  me mediat , ku u paraqit me dinjitet. Intervistat  e tija në “ Klan Kosova”  dhe R.T.K  qenë mbresëlënëse. Gjithashtu , z. Camaj pati një takim të ngrohtë dhe me Ministren e Punëve të Jashtme, Donika  Gërvalla, e cila me shumë modesti kërkoi ndjesë që gjatë vizitës së kaluar në Amerikë nuk  pati mundësi për të vizitur Institucion e Vatrës Vatranët u takuan dhe me poetin,  Hilmi Tahiri.

Dr. Elmi Berisha u takua dhe me Presidentin e Shqipërisë, Gjeneral Bajram Begaj, i cili shprehu konsideratën e lartë ndaj Vatrës dhe Vatranëve.

Në axhendën tonë kishim dhe takim me dy liderat kryesorë te opozitës  Dr. Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Me Dr. Berishën patëm një takim zyrtar dhe vëllazëror.  Dr. Berisha bëri një ekspoze të detajuar të ngjarjeve të fundit, duke vënë theksin dhe mbi zyrtarin e korruptuar të FBI McGonigal , i cili zbuloi  rëndë aferat korruptive dhe strategjinë malukate  të  Edi Ramës,  dhe rrezikun që i kanoset popullit dhe Shqipërisë nën drejtimin e këtij të fundit.  U ndamë me premtimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit të ndërsjelltë.

Më ish – Presidentin  Ilir Meta ,  mik shumë  i afërt me Vatrën , biseduam për problemet që po kalon vendi dhe strategjinë e bashkëpunimit në të mirë të vendit dhe demokracisë. Ish-Presidenti, theksoi se është shumë e rëndësishme vota e të gjithëve për të shkulur regjimin që po shkatërron Shqipërinë. Për nder të Vatrës, biznesmeni patriot, Kadri Morina, shtroi një drekë në restorantin e tij, “Pijaca”, duke kaluar një kohë të bukur.

Po në hapësirën e axhendës  të Dardanisë, bashkë me Mond Rakaj dhe Toni Isufaj u shkëputëm për disa orë, duke u takuar  me Arqipeshkvin e Shkodrës , Mons . Anxhelo  Masafra. Më pas, drekuam me Vikarin e Arkiodioqezës  Dom. Nikolin Sheldia (prift dhe patriot tradicional) dhe Prof.As.Dr. Vinçenc Marku, mik i imi që në ditët e para të demokracisë. Vinçenci na shoqëroi tek biblioteka e Françeskanëve, e cila ishte  unike në llojin e vet. E shoqja e Vinçencit, drejtoresha e bibliotekës, cicërone brilante, na i solli të gjallë kolosët françeskanë me në krye Fishtën. Ne premtuam që Vatra do t’a ndihmojë këtë thesar kombëtar që ruan vlerat e kolosëve të kombit.

Pjesëmarrja e jonë në festimin  historik të përvjetorit të 15-të të shpalljes së mvetësisë Dardane, tregoi impenjim serioz në trajtimit e historisë dhe evenimenteve nacionale, duke u bërë Vatren  palë të momenteve në filozofinë e lirisë dhe përparimit kombëtar.
Në ditët e udhëtimit tonë, u shqua xhentilesa e Kryetarit të Vatrës, Elmi Berisha, që u mundua t’i gëzonte të gjithë , duke e lënë veten në planin e dytë.

Pas udhëtimit në Dardani, Vatra ka në axhendë hapjen e tri degëve të reja dhe dy takime nderkombëtare. Ashtu siç ka thëne dhe zotni, Kolec Ndoja, treni ekspres i Vatres është i pandalshëm.

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj

Baritoni i Njohur Shqiptar Kreshnik Zhabjaku nga Nju Jorku te Karnavalet e Korçës në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë – Risitë, Pritshmëritë dhe Mesazhi Sot

February 23, 2023 by s p

Intervistuar nga Rafaela Prifti

1. Të shtunën më 25 shkurt është premiera e operetës Karnavalet e Korçës që rivihet në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. A mund të na e përcillni atmosferën e provave finale dhe domethënien e ardhjes së kësaj vepre tek publiku shqiptar?
Lajmi u konfirmua në janar kur u dha njoftimi edhe në faqen zyrtare të Teatrit të Operës dhe Baletit për datat e shfaqjes nga 25 deri më 28 shkurt. Ky është një ogur i mrekullueshëm për muzikën shqiptare sepse prej një kohe të gjatë teatri i operës nuk ka vënë shumë në skenë vepra të autorëve shqiptarë. Për një institucion shtetëror mendoj se është parësore të paraqesë veprat e autorëve vendas. Kompozitori i operetës është artisti i madh Avni Mula. Gjysmë shekulli pas realizmit të veprës ky është një produksion krejt i ri me regji të artistes sonë të madhe Inva Mula. Mua më kërkuan të jem pjesë e tij në rolin e Nikollaqit. Mund të them se ka një zinxhir historik që më tërhoqi fort meqë babai i Invës bëri operetën dhe babai im e imortalizoj këtë vepër në filmin brilant Karnavalet e Korçës, i pari film muzikor shqiptar.

2. Për ata që e vlerësojnë muzikën por nuk janë profesionistë, a mund të na thuash sa kërkues është roli i Nikollaqit? Publiku mund ta mbaj mend se Mirush Kabashi luante Nikollaqin në realizimin televiziv të filmit muzikor me regji të Ismail Zhabjakut.
Po, zëri i Nikollaqit ishte Vangjo Kosta. Roli mund të vihet me zë tenori ose baritoni. Vangjo Kosta ishte tenor. Këtë herë do të jetë i kënduar nga bariton. Kjo është edhe një nga risitë e veprës.

3. A është ky projekt shprehje e bashkëpunimit midis artistëve këtu dhe në Shqipëri? Pra sa aktiv është bashkëpunimi mes artistëve të Operës dhe kolegëve të tyre në diasporë?
Unë mund të them se kam qenë angazhuar në disa projekte si psh për operën Berberi i Seviljes për të cilën më ka ftuar drejtori i operës i asaj kohe profesor Zhani Ciko. Ishte një riproduksion i veprës klasike. Kam marr pjesë në shfaqje të mirëfillta, gjithashtu në koncertet e mbylljes së sezonit operistik në ditën ndërkombëtare të muzikës për vitin 2008 – 2011 në teatrin e Operës, si edhe në turneun me Albanian Excellence në vitin 2021 – një nismë shumë serioze për të promovuar muzikën qytetare pogradecare me anë të këngëtarëve klasikë. I jam mirënjohës drejtueses së Albanian Excellence Flora Nikolla, e cila më angazhoi në këtë turne gjatë të cilit shkuam edhe në qytete të tjera si Dibër e Korçë. Natyrisht, mund të ketë më shumë bashkëpunim por megjithatë artistët shqiptarë në diasporë janë të inkuadruar në jetën artistike të atdheut. Nuk duhet të harrojmë se Opera është institucion shtetëror me fonde shtetërore dhe jo private. E përmend këtë si aspekt financiar por për artistët e diasporës pjesëmarrja në këto projekte ka dimensione të tjera. Unë e kam thënë edhe më parë se unë jam rritur në atë teatër. Në pushim të provave, nëna ime më ka vënë mbi piano duke më thënë: Këndo Kreshnik! Dhe unë këndoja ariet që dëgjoja gjatë provave ndërsa trupa më duartrokiste. Dirigjenti i pavdekshëm Rifat Teqja ose Ermir Krantja, solistët e mrekullueshëm Edit Mihali, Shqipe Mingomataj, Gaqo Cako, Avni Mula, Nina Mula, Inva Mula, Fitore Mamaqi, Shqipe Zani ishin ata që mbanin operën dhe njëkohësisht ishin familja me të cilën jam rritur unë. Në këtë këndvështrim, vajtja në Teatrin e Operës dhe Baletit është njësoj sikur shkoj në shtëpinë time në Tiranë.

4. Rezymeja juaj është mbresëlënëse në numrin e roleve si solist në pjesë operistike si edhe një listë e gjatë me koncerte e shfaqje. A ke synime të caktuara për këtë dekadë?
Periudha e Kovidit vendosi një tabelë Stopi për shumë shfaqje e programe. Në muajin prill kam dy koncerte të konfirmuara tashmë në Kanada me një promovuese ruse-amerikane. Unë jam gjithmonë në aktivitet e sipër si pjesëmarrës në koncerte dhe arie e kështu me radhë.

5. Cilat kanë qenë projektet që ju kanë munduar apo lodhur më shumë dhe çfarë keni mësuar prej tyre?
Don Xhovani ka qenë i vështirë sepse manaxherja më pyeti: E di operën Don Xhovani? I thashë: Po. Kam nënshkruar kontratën dhe shfaqja do jepej pas 7 ditëve. Kështu që për një javë më duhej të mësoja gjithë rolin nga fillimi në fund. Dhe ky nuk është rol episodik. Kur u dha shfaqja në operën prestigjioze të Houston Texas, gazetarja e Houton Chronicle shkruante në faqen e parë të ngjarjeve kulturore se produksioni në Opera in the Heights ishte më i mirë në krahasim me operën e madhe Houston Grand. Produksionin e mirë e bëjnë artistët e talentuar dhe një ekip i përgatitur. Regjisorja ishte Lesly Swackhamer e cila ka vënë me shumë sukses në skenë vepra si Madame Butterfly dhe ka reputacion për atë që kritikët e muzikës e quajnë ‘vulën e saj moderne’ në opera. Gjatë përgatitjes për rolin, mbaj mend se më dilte gjumi duke thënë fjalët e rolit dhe mund të them me plot gojën se ka qenë rol i vështirë, por që e kujtoj me shumë kënaqësi.

6. Cila ka qenë këshilla më e mirë që ju kanë dhënë në jetën profesionale?
Këshilla më e mirë ka qenë dhe vazhdon të jetë ajo e nënës sime: Të mbaj kokën ulur dhe bëj punën time. Kjo ka qenë gdhendur tek une që i vogël. Unë jam këngëtar klasik opere. Është puna dhe identiteti im profesional.

7. Pra ti e ke ditur gjithmonë se do bëheshe këngëtar opere?
Po, e kam dashur këtë profesion qëkur luaja violinë. E dija që në një moment do bëhesha këngëtar. Ia thosha babës, ia thosha nënës sime. Dhe ashtu u bë.

8. Çfarë këshille do t’i jepje vetes tënde për shembull po të bisedoje sot me Kreshnikun student në Liceun Artistik në Tiranë?
Duke e ditur kush je, mos je i druajtur për vlerat e tua. Në momentin që vendos se do bësh diçka, asnjëherë mos dysho tek vetja. Unë jam i dashuruar me artin e të kënduarit. Për mua nuk është punë prandaj nuk e kam ndjerë si punë. Këtu hyn ajo këshilla e nënës për të qenë kokëulur në mënyrë që të jetë puna ajo që flet për ty dhe jo ti.

9. Kjo lidhet natyrshëm me atë që mund të jetë motoja juaj në jetën profesionale.
Po. Famë apo jo nuk ka rëndësi. Unë duhet të njihem kudo që shkoj si profesionit i aftë. Nëqoftëse e kam arritur atë, unë kam arritur gjithçka. Të jesh profesionit është parësore, ndërsa fama është dytësore. Edhe një herë vij tek këshilla e nënës për të lënë punën të flas për mua dhe jo llafet.

10. Meqë përmendët nënën, ju jeni lindur e rritur në familje artistësh. Babai juaj i ndjerë Ismail Zhabjaku kineast dhe regjisor në kinostudio, nëna Nermin Daja Zhabjaku pianiste dhe koncert maestro në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Si e përjetoni ju këtë lloj përcjellje të trashëgueshmërisë? Dhe sa rëndësi ka për ju?
Për mua është gjithçka. Ata të dy kanë dhënë për artin, për familjen, për miqtë madje edhe të panjohurit. Pra për mua nga të dyja krahët, dashuria për artin skenik ishte gjithçka. Kjo do të thotë të jesh artist në të gjithë qenien duke e jetuar jetën si i tillë. Kush më njeh thotë: O Kreshniku! O baritoni. Edhe këtu në Amerikë, kudo ku shkoj thonë Kreshniku, baritoni shqiptar.

11. Le të flasim pak për këtë sepse në muzikë dhe në sporte emri shqiptar mbart një status apo vlerësim që është në kontrast me ngarkesën negative në aspekte të tjera si qeverisja, korrupsioni, krimi i organizuar. Si e përjetoni ju këtë kontrast? Si e ndjen veten artisti shqiptar në skenë dhe jashtë saj?
Unë kam patur mirësinë të jem gjithmonë i vlerësuar. Ashtu jam ndjerë si në skenë dhe jashtë saj. Çfarë kam mësuar në Amerikë është që gjithmonë duhet të tregosh veten dhe vlerësimi vjen vetë.

12. Veç kësaj ju jeni pjesë e një brezi të tërë që ishte i pari i periudhës postkomuniste i cili prezantoi Shqipërinë në botë?
Po, ishte tamam ai brez që ishin të pandihmuar nga shteti. Kishte nga ata që dilnin nga Shqipëria përpara me bursa ose me një lloj baze. Por dihet se atyre që ju jepej kjo mundësi ishin të pakët. Me ndërrimin e sistemit, ishte sikur ra një bombë. Shokët e shoqet e klasës sime nuk janë në Shqipëri, psh Orjana Kurteshi, Sherli Polena, unë, të gjithë jemi të shpërndarë, në Gjermani e vende të tjera. Fakti që ne kemi vazhduar karrierën pa ndihmën e asnjerit është me rëndësi. Unë kam ardhur në Shtetet e Bashkuara me 20 dollarë që m’i kishte dhënë nëna ime. Shyqyr kisha motrën për fillim, por të gjitha përçapjet për dokumente e të tjera i kam përballuar vetë. Raste si unë ka plot. Por kjo është rruga ime. Kam vuajtur shumë për të arritur aty ku dua. Pra kam një ambient të rehatshëm si artist dhe njeri në një vend “të egër”.

13. Në ç’kuptim të egër?
Sepse vetëm në Nju Jork ka një superprodhim të paparë nga tri shkolla arti prej nga kushedi sa diplomantë dalin për vit të uritur për punë dhe mundësi të tjera. Dhe ja ku jemi. Kjo arrihet me punë dhe talent. Këtu nuk është “kë njeh” por e bën dot apo jo.

14. Kur e keni ndjerë veten më krenar gjatë karrierës suaj?
Ka plot momente por një prej tyre ka qenë në qendrën kulturore në sallën Sleepy Hollow. Po bëja një koncert me vepra gjermane Brahms dhe Shubert, si edhe kompozitorë rusë Rahmaninov dhe Çajkovski. Pas koncertit, organizatorja, një grua e vjetër 80 e ca vjeçare më thotë se një zonjë donte të fliste me mua. Unë ju afrova dhe zonja ishte e verbër. Më tha se ishte lindur në Çeki dhe se ishte çifute, por kishte jetuar në Gjermani. Kur familja dhe ajo u larguan për t’ju shpëtuar nazistëve, ajo ishte betuar të mos dëgjonte më kurrë gjermanisht. Dhe sa herë që vinte rasti, ajo dilte nga salla e koncerteve apo leksioneve sepse nuk donte ta dëgjonte më atë gjuhë. Zonja më tha se ishte hera e parë nga ajo kohë që më ke bërë të dëgjoj gjermanisht. “Nuk të njoh por dua të them se më ke ndryshuar mendjen,” tha, dhe i rridhnin lot. Aty kam ndjerë thellësisht forcën e artit. I kam puthur dorën asaj zonje. Këto janë momente që më shtyjnë në rrugën e vështirë të artit.

15. Për këtë këndon ti?
Kur shoh sytë e përlotur në një dramë apo buzëqeshjen kur është komedi, ndihem i lumtur. Ndiej se kam gërvishtur pak tek shpirti i dikujt. Kam shkuar aty ku është shumë e vështirë për të depërtuar.

16. Për këtë pyetje do bëj një kthim prapa në formë komenti për të bërë një lidhje me të sotmen. Siç e the, muzika ka aftësinë të krijoj lidhje të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme me publikun. Po të kthejmë sytë 110 vjet më parë, korifenjtë e Vatrës ishin aq të vetëdijshëm për pushtetin e forcën depërtuese të muzikës sa krahas me misionin e tyre atdhetar për mëvetësimin e Shqipërisë dhe fushatën e takimeve diplomatike për të avancuar çështjen shqiptare dhe arritjen e pavarësisë, ata, me largpamësi, krijuan, përkrahën dhe mbështetën bandën e parë muzikore të Vatrës. Vajtja e bandës në Shqipëri dhe turnetë në qytetet shqiptare ishin pika kulmore të lëvizjes së zgjimit kombëtar. Drejtuesi dhe kompozitori i bandës Thoma Nasi me origjinë nga Dardha krijoi korin Lira, Shoqërinë e Arteve të Bukura dhe Orkestrën e parë simfonike, të cilat mbollën dhe kultivuan farën e kulturës në vitet 1920-1928 në Korçë. Efekti i bandës Vatra në vetëdijësimin e një populli në luftën për pavarësi është evidentuar dhe në shumë forma Banda u bë pjesë e shprehjes së identitetit kulturor kombëtar të shqiptarëve. Një popull që ka bandë dhe muzikën e vet është i dallueshëm në identitet. Shqiptarët nuk mund të jenë as grek, as sllav dhe as turq pavarësisht pretendimeve të fqinjëve apo orekseve perandorake atëherë dhe tani. Pas më shumë se 110 viteve cili është misioni i muzikës sot, përveç argëtimit?
Më saktë do ishte të pyesim veten Cili duhet të jetë misioni i muzikës sot? Argëtimi është diçka tjetër dhe kalimtar. Muzika ka forcë kur të mbetet në mendje edhe kur dëgjon pas dhjetra viteve. Çfarë i serviret publikut shqiptar sot? Unë e di se populli ynë e dallon vlerën por nuk i jepet alternativa. I takon shtresës intelektuale të kthejë vlerat e mirëfillta të artit shqiptar. E kam thënë dhe do ta them se në çdo vend ku shkojnë shqiptarët arrijnë majat e suksesit. Ky është treguesi i potencialit të madh që kemi ne.

17. A ka ndryshuar muzika, koha, shqiptarët?
Të gjitha bashkë.

18. Pra vargjet “Dimër është jeta jonë plot dëborë dhe stuhi” nga opereta janë kuptimplote sot për shqiptarët në atdhe dhe në botë?
Shumë e vërtetë. Fjalët e operetës dhe vetë libreti i Karnavaleve të Korçës janë autoktone dhe tani kanë një jehonë të jashtëzakonshme. Jam i lumtur që kam nderin të jem pjesë e Operës Nacionale shqiptare. Për mendimin tim ka shumë rëndësi që publiku shqiptar të dëgjojë muzikën e mirëfilltë operistike shqiptare. Toka Jonë dhe Borana janë kryevepra të artit shqiptar. Unë e përmend këtë episod shpesh. Gjatë provave të operës Toka Jonë, Shqipe Mingomataj këndonte rolin e Lokes. Unë isha shumë i ri dhe merrja pjesë në prova. Si pjesë të kostumit të rolit ajo mbante në shpinë një pajisje të kohës për mbartje të druve dhe sa herë këndonte e kishte pjesë të vetën, nuk e ulte për të kënduar, dhe mua sa herë e dëgjoja më rrënqethej mishi. Mendoj se të tilla vepra duhet të vihen në skenën shqiptare një herë në dy tri vjet. Kompozitorët e plejadës kanë krijuar opera me vlera artistike, sigurisht mund të ketë dallime. Dua të përmend se këto vepra ishin të ndërthurura me folklorin shqiptar. Koralet e Onjeginit të bazuara në muzikën folklorike ruse nga Çajkovski këndohen sot e kësaj dite. Një nga artistet që ka kënduar të njëjtën arie është Rajmonda Dabulla. Artisti i madh Prenk Jakova ishte gjenial në ndërthurjen e zhanrit operistik. Prandaj për mua është “me vend” të këndoj një operetë shqiptare, pasi kam kënduar italisht, gjermanisht, frëngjisht, hebraisht, spanjisht, anglisht. Unë nuk kam tatuazh me shqiponja dhe jam kundra manifestimeve publike të shqiptarizmit por jam i përkushtuar që ne të bëjmë “punët e shtëpisë” që flasin vetvetiu se kush jemi ne dhe cilat janë vlerat tona të vërteta.

Të falenderoj Kreshnik! Suksese të mëtejshme!

Fotot nga Kreshnik Zhabjaku
Artistja Inva Mula dhe baritoni Kreshnik Zhabjaku përpara Teatrit të Operës dhe Baletit Tiranë
Trupa e Operetës Karnavalet e Korçës
Afishe e shfaqjes

Filed Under: Kulture

NAIM FRASHËRI NË AUSTRI, POEZI DHE SHKRIME TJERA

February 23, 2023 by s p

Hazir MEHMETI, Vjenë/

“Apostull i Shqiptarizmës”. Naim Frashëri evokoi të kaluarën historike të shqiptarëve, poetizoi jetën në gjirin e natyrës dhe bukuritë e vendlindjes…Vjenë, 20 shkurt 2023. Poeti mendimtar iluminist dhe veprimtar i arsimit e kulturës kombëtare, Naim Frashëri, është i njohur dhe vlerësuar nga çarqet evropiane të kohës. Figura e tij e gjithanshme, vuri themelet e Rilindjes Kombëtare dhe ai për së gjalli u pagëzua: “Apostull i Shqiptarizmës”. Naim Frashëri evokoi të kaluarën historike të shqiptarëve, poetizoi jetën në gjirin e natyrës dhe bukuritë e vendlindjes.Naim Frashëri nga viti 1874 deri në vitin 1876 punoi në Sarandë, drejtues i doganës; por në fund sëmurët nga mushkëritë, ai vuante nga tuberkulozi i hershëm dhe tani nga reumatizma e shoqëruar me dhembje në gjunjë dhe nyje. Në këtë gjendje Naimi detyrohet të udhëton për shërim në banjën e njohur të Badenit, jo larg Vjenës, ku do qëndron gjashtë muaj. Sipas disa burimeve, duhet të ishte fillimi i vitit 1877. Përkujdesi dhe uji i banjës së Badenit i bëjnë mjaftë mirë për shëndetin e tij të rënduar. Ardhja në Austri, atij i dha mundësinë të viziton muzeun e njohur të Vjenës, Belvedere, aty ku aso kohe, ruheshin shpata dhe përkrenarja e Kryeheroit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468). Shpirti i tij atdhetar u magjeps nga armët e Kryetrimit, i frymëzuar shkroi vargjet e njohura të tij: Lum ti, moj Shqipëri!” thashë,Armët e ti’ kur i pashëNdë Belvedere në Vjenë,Sikur pashë Skënderbenë. Kështu Naim Frashëri në Vjenë, lidhet akoma më shumë me madhështinë e veprës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Një dekadë më vonë, në vitin 1898, nxjerr në dritë veprën e tij “Istori e Skënderbeut”. “Mbi të gjitha këto, Historia e Skënderbeut shënon kulmin e përpjekjeve të vetëdijes patriotike të Naim Frashërit, në kohën kur të gjithë popujt e pushtuar nga otomanët kishin fituar pavarësinë. Prandaj, këtu më vendosmërisht se sa përpara shtrohet imperativi i luftës, i bashkimit, i lirisë”. Në kohën kur Naim Frashëri erdhi në Vjenë dhe Baden për shërim, kishte pak shqiptarë, të paktën nuk kemi shënime për aktivitet e tyre. Para katër shekujsh ishte i njohur gjenerali në Dinastinë e Habsburgëve, Gjergj Basta (Georg Basta), shqiptari nga fshati Bastja, rrethina e Sarandës. Basta në fund të jetës së tij ishte Guvernator i Vjenës ku dhe vdes në gusht të vitit 1907, varroset në Kishën e Kryqit të Shenjtë në Vjenë, kurse pesë vite më vonë eshtrat e tij varrosen në Kishën Françeskane të Vjenës. Kjo tregon se historia e pranisë së shqiptarëve në Austri është e vjetër dhe e pa hulumtuar. Shqiptarët kudo që u gjenden jashtë territoreve etnike; në Evropë, Amerikë e Azi, në fillim shekullin e njëzet kishin përqendruar veprimtarinë në jetësimin e idealeve të rilindësve në bërjen e alfabetit dhe shtetit shqiptar. Sundimi i gjatë turk e kishte dëmtuar çdo gjë shqiptare, në radhë të parë gjuhën, trashëgiminë kulturore, fetare, zakonet. Idetë e Rilindësve u përvetësuan shpirtërisht si program veprimi natyrshëm duke ndikuar në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Katër vjet pasi Naim Frashëri mbylli sytë, Dr. Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, themeluan shoqërinë “Dija”. Kryetar i shoqërisë “Dija” u zgjodh Dr. Gjergj Pekmezi kurse Hilë Mosi sekretar i saj në Vjenë. Anëtarë kryesie dhe bashkëthemelues Nikollë Ivanaj i degës në Raguzë. Dy vjet pas themelimit të “Dijes” intelektualët e njohur rreth saj nxjerrin “Kalendarin Kombëtar” një revistë ngjarjesh brenda një viti kalendarik i shtypur në alfabetin e shoqërisë “Bashkimi”. Aty krahas shkrimeve tjera botohen tregime, anekdota, vjersha nga autor të ndryshëm. Në te do veçojmë poezinë kushtuar Naim Frshërit me titull: “Naim Beut”. Autori i saj nuk është shkruar. Naim Beut Njashtu si shqipja nalt tue fluturue, Ku përmbi re qohet me krahët e veta;Njashtu ti Naim gjuhën tonë lartë ke queSa me u ndalë, filloi e me dal jeta.Vjershat tuaja janë gjithaq mirë rreshtue Sa shpesh herë prej gëzimit i habitur mbeta, Kur unë ishe me gëzim tue i kendue Se ti në mjaltën ke mbledhë, porsi bleta. Ti vdiqe, prej kësaj bote je largua Që e vështirshme, e rrejshme është e shkreta…Por ti prapë mundesh me u këndue Se vjershat tuaja janë aq të nxehta Sa prej shqiptarëve nuk kanë m’u harruaEmri yt, deri sa të soset jeta. Kalendari Kombëtar, 1906, Vjenë Siç shihet vjersha i kushtohet Naim Frashëri pas vdekjes së tij i cili u bë frymëzim i shumë personaliteteve të kohës. Naimi vdiq, por vetëm fizikisht, kurse shpirtërisht ai jeton i freskët në të gjitha gjeneratat. Autori i kësaj vjershe të fuqishme, sigurisht është nga radhët e shoqërisë “Dija” e cila nxori Kalendarin Kombëtar i botuar në Austri në vitin 1906. Kështu vepronin edhe kombet tjera, me botimin e kalendarëve kombëtar. Në Austri shënohet 25 vjetori i vdekjes së Naim Frashërit, viti 1925 Safet Butka nxori Fletushkën NAIM FRASHËRI, e botuar në Graz në vitin 1925 në shënim të njëzet e pesë vjetorit të vdekjes së Naimit. Njëri nga ata që shkroi me pasion rreth potit tonë të madh Naim Frashërit në Austri ishte Safet Butka, i cili studioi për filozofi në Grac. Ai hulumtimin e tij e përmblodhi në fletushkën me titull: Shoqëria studentore shqiptare në Grac të Austrisë nën drejtimin e patriotit të madhe Safet Butka shënon 25 vjetorin e vdekjes së Naim Frashërit me titull: NAIM FRASHËRI NJË SHEMBËLL PËR DJALËRINË SHQIPTARE. Nxjerrë nga libra NAIM Be FRASHËRI prej një grupi studentësh të Austrisë (Graz), 1925. Që në faqen e parë shkruan: “ Naimi s’është vetëm një shembull si gjithë shembujt e mirë të historisë e literaturës kombëtare që tërheqë vërejtjen e fiton simpatinë e veç disave, po edhe një fytyrë e shkëlqyer e një personaliteti të rrallë që ka një vlerë aktuale, një vlerë që do shtohet dita – ditës duke pushtuar zemrat e gjithë atyre që do kenë fatin të njihen mirë me jetëshkrimin e veprat e tij. Kjo vlerë e karakterizon vetveten duke u pasuruar me zemra e shpirtra njerëzish “Unë jam në shpirtin taj…” ky burim lumtësije qiellore s’ e ka mëmën vetëm në ndjenjat poetike e patriotike. Në faqen e dytë shkëpusim disa fjali. “Nga libri “Naim be Frashëri prej Mali Kokojka (Lumo Skëndo), pseudonime të Mithat Frashërit, i shtypur në Sofije në vitin 1901, edhe nga “Kalendari Kombëtar”, 1926, prej një artikulli “Naim be Frashëri”, studim dhe kujtime: “Duke hyrë në Frashër, ndenë xhami të Sulejman be llinjet, në funt të një luadhi, duket një pyrg gurësh e një tufë drurësh që rrëfejnë qenjen e një shtëpie n’atë vent, rrëzuarë 20 (tani 40 e ca vjet më parë). Të kishim fuqinë të shihnim një djalë të vogël, themi ish ay që do na zbukuronte e do na ngjallte gjuhën t’ënë me vjersha të ëmbëla e të shpirtshme e do të fitonte dashurinë e të gjithë neve e t’a quamë VJERSHËTORI. NAIM BE FRASHËRI”. Më tutje në fletushkë shkruan rreth biografisë së Naimit, rrethet, krijimtaria e tij. Në faqen 5 vijnë vargjet e fuqishme nga “Bagëti e Bujqësi”: O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë! Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!, Shënimi i 25 vjetorit të vdekjes së tij në Graz, Vjenë dhe qytet tjera ku kishte studentë shqiptarë në Austri, i dha shtrirje të fuqishme mendimit filozofik të Naim Frashërit. Austria gradualisht do bëhet qendër e studimeve albanologjike nga do dalin figurat madhor kombëtare të brumosura me ide iluministe të Rilindësve tanë. Emri dhe idetë e Naim Frashërit tek shqiptarët në Austri do jenë të shënuara gjithandej në shoqatat studentore dhe shoqatave sportive e kulturore. Shtimi i mërgatës shqiptare u shënua me afirmimin e gjuhës shqipe në Austri, kur edhe themelohet Shoqata e Mësuesve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në vitin 1994. Emri i Apostullit të Shqiptarizmës u bë pjesë shpirtërore identifikuese kombëtare në Austri dhe kudo ku flitet e lexohet shqip. Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 2008. Burime: Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalor enciklopedik shqiptar l, Tiranë, 2008,Vepra, Naim Frashëri, Prishtinë, 1987. Rexhep Qosja, Naim Frashëri, Prishtinë, 1978. Uran Asllani, Studentët shqiptar të Austrisë dhe veprimtaria e tyre, Tiranë, 2000. Kalendari Kombëtar, Vjenë, 1906. Safet Butka, Naim Frashëri, Graz, 1925.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1819
  • 1820
  • 1821
  • 1822
  • 1823
  • …
  • 2789
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT