• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Unë, Prokop Cezareasi dhe Komunizmi Shqiptar

June 13, 2023 by s p

Naum Prifti/

Prokopi i Cezaresë (Procopius of Caesarea) ishte studiuesi dhe historiani më në zë romak i shekullit të gjashtë nga Caesarea Maritima ose Palestina Prima, rajon administrativ i periudhës bizantine. Si shoqërues i gjeneralit romak Belisarius gjatë luftrave të Perandorit Justinian, Prokopi është autor i librave Histori e Luftave, Mbi ndërtesat, dhe Histori e Fshehtë. Ai ishte edhe nxitja ime për të shkruar shumë kujtime të mia personale, ese dhe mbresa udhëtimi të cilat u botuan pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Kjo histori fillon nga reportazhet e ilustruara me fotografi në revistën “Ylli” të cilat konsideroheshin si shtyllat e numrit të revistës dhe pëlqeheshin nga lexuesit. Disa gazetarë të kohës pohonin se reportazhi ishte ura që lidhte publicistikën me letërsinë, por pohimi i tyre nuk gjente mbështetje as nga estetët, as nga kritikët e artit. Për dallim nga gjinitë letrare, reportazhi hyn në gjinitë e mirëfillta të gazetarisë sepse raporton për ngjarje e njerëz në vende dhe kohë të caktuara.

Gjatë viteve ‘60 kur punoja te “Ylli” reportazhet e mia kishin vlerë për informacionin si edhe sinqeritetin e ndjenjave dhe të mbresave. E pohoj se i shkruaja me lehtësi, edhe për faktin se gazetarinë e kundroja si veprimtari dytësore, ndërsa primare konsideroja letërsinë. Për fat të keq, fusha ishte ‘diskredituar’ nga gazetarët e paaftë ose “rrogëtarët” e redaksive që shkruanin çka u zinte syri nga xhamet e makinës dhe duke intervistuar persona që takonin rastësisht, pa u thelluar askund. Reportazhet veç stërpërsërisnin refrenin e njohur të “ndryshimeve që kishte sjellë pushteti popullor, epoka e partisë”. Kolegu im Kin Dushi i kategorizonte këto reportazhe tip “Shih e shkruaj”. Megjithatë, do të ishte e padrejtë t’u ngarkoheshin vetëm gazetarëve dobësitë e reportazheve. Redaksitë, nga ana e tyre, ushtronin censurë të fortë, duke mënjanuar problemet, analizat, shkaqet dhe ca më shumë kritikat. Edhe nëse gazetari guxonte të ngrinte ndonjë problem, redaktori përkatës e thërriste në zyrë dhe me ton dashamirës i propozonte: “Më mirë ta heqim këtë pasazh që të mos kesh telashe, as ti, as unë”, dhe ndërkohë paragrafin problemor e kishte rrethuar ose nxirë me stilolaps duke e lënë jashtë botimit. Si rezultat, reportazhet mbusheshin me lavdërime dhe në vend që të jepnin apo ilustronin realitetin vetëm e lustronin atë.

Puna ime në gazetari u ndërpre në marsin e vitit ’67 kur shpërtheu nisma e montuar e zbritjes së shkrimtarëve në bazë, “për të njohur jetën”. Si autor që kisha shkruar dramën me gabime ideore “Rrethimi i Bardhë” kisha nevojë “të riedukohesha” në gjirin e masës. Gjatë katër viteve që punova arsimtar në Divjake të Lushnjës, nuk kisha as kohë, as mundësi dhe mbi të gjitha as dëshirë të shkruaja reportazhe.

Disa nga kolegët e mi shkrimtarë shkruanin reportazhe për hatër të dietave që merrnin nga redaksitë sa herë u duhej të shkonin për punë personale a familjare në ndonjë rreth tjetër. Dietat, sado të vogla, mbulonin pjesërisht shpenzimet e udhëtimit, që ndihmonin sadopak buxhetin e familjes. Edhe pse e dija atë shteg, nuk e praktikova asnjëherë sepse kisha fituar një lloj idiosinkrazie nga reportazhet. Më zinte koka, sapo mendoja se duhet të shkoja diku dhe të shkruaja për gjëra që nuk ngjallnin asnjë interes. Më dukej e neveritshme të thosha lavdërime kur realiteti jetësor përmbante probleme të mprehta.

Duke shfletuar koleksionet e periodikut në Bibliotekën Kombëtare, për kërkime të miat ose për kureshtje, vija re ndryshime të theksuara midis shtypit të paraluftës dhe atij të kohës sonë. Gazetat dhe revistat e pavarësisë paraqisnin probleme shoqërore, ekonomike, filozofike, ndërsa tonat të thata e monokrone ishte shterpe. Propaganda dhe llafologjia zotëronin duke nisur nga kryeartikujt, artikujt, madje dhe te reportazhet, pa përjashtuar as ato me sythin “nga blloku i shkrimtarit”. Sado t’i shtrydhje, nuk gjeje asgjë jetësore. Nuk kisha dyshim se pasardhësit tanë do ta kenë vështirë të zbulojnë problemet e vërteta të shoqërisë sonë, edhe sikur të rrinin gjithë jetën përmbys mbi koleksionet e gazetave. Shtypi i partisë u shkonte anash problemeve, nuk i prekte fare, ose i minimizonte. Për shembull, nëse shkruhej “por ka edhe ndonjë rast të rrallë…” kjo duhej transkriptuar se dukuria negative kishte marrë përmasa të gjera. Si mund të shpërndahej mjegullnaja e dendur e fshehjes së realitetit? Të shkruaje reportazhe, ese, mbresa, udhëtimi me fakte jetësore dhe t’i dërgoje për botim, ishte një akt vetëshpallje opozitar që nuk ndihmonte zbulimit të së vërtetave. Censura vigjilonte ethshëm mbi çdo shkrim duke goditur edhe disa autorë të partishëm, për ndonjë varg a pasazh që linte shteg për dykuptimësi, apo aludim. Gjithçka varej nga interpretimi i censorëve që vigjilonin mbi të gjitha fushat e krijimtarisë artistike.

Rastësia më ndihmoi të orientohesha në gjetjen e një shtegu. Duke biseduar me Apollon Baçen, arkeolog në Institutin e Monumenteve të Kulturës, në kafenenë e Hotel Tiranës, ai përmendi sesi historiani Prokop Cezareasi kishte shkruar, veç vëllimit të tij “Mbi ndërtimet” me lavde panegjirike për Justinianin, edhe një vepër tjetër, titulluar “Histori e Fshehtë” plot dufe dhe mllefe për mizoritë e perandorit dhe të së shoqes, Theodhorës. I ngazëllyer shkova menjëherë në Bibliotekën Kombëtare të lexoja fragmentet e botuara te Albanica. Lexova se “Histori e fshehtë” ishte zbuluar dyqind vjet pas vdekjes së autorit dhe kishte ngjallur polemika midis dijetarëve nëse i përkiste Prokopit apo ndonjë historiani tjetër. Diskutimet e tyre m’u dukën të dobëta, të paktën ato që ishin pjesë e koleksionit të Bibliotekës, por për mua si autor që jetoja nën diktaturë drama e Prokopit ishte e kuptueshme. Historiani i oborrit i shërbeu ndershmërisht Justinianit, duke përshkruar ndërtimet e kështjellave dhe fortesave anembanë perandorisë, ndërsa ndërgjegjen e tij qytetare e qetësoi duke ia bërë të njohura botës mizoritë dhe krimet e çiftit perandorak. Hapja e librit tingëllon si klithmë e mprehtë dhimbje, shpërthim i dufit të mbledhur gjatë në shpirtin e historianit kundër Justinianit dhe bashkëshortes ambicioze. Me veprën “Histori e fshehtë”, ai kreu detyrën e tij morale si historian dhe qytetar. Diktaturat e çdo kohe, të djathta a të majta, përdorin të njëjtat metoda, prandaj nuk është e çuditshme ngjashmëria midis tyre. Mu duk sikur ishte fati ai që më solli me dorën e tij një shembull të shkëlqyer. Derisa Prokop Cezareasi, kryehistoriani i pallatit, i përkëdheluri i perandorit, njeri me pushtet në rrethet akademike, e gjeti të arsyeshme të ndiqte rrugën e disidencës së fshehtë, pse të mos shkoja pas gjurmëve të tij edhe unë, qytetar i thjeshtë dhe autor “që duhet të edukohesha nga regjimi popullor”. Vendosa të shkruaja për realitetin ashtu si e gjykoja vetë dhe duke gjetur e poseduar forcë shpirtërore, guxim dhe deri diku shpërfillje rreziku që mund të vinte nga nuk pritej mendova se ishte edhe një akt mposhtje i autocensurës.

Nga mesi i viteve ’70, nisa të hedh në letër mbresat e shënime të miat sapo kthehesha në shtëpi nga çdo udhëtim a vizitë në qytete a fshatra të vogla e të mëdha, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim në mbarë Shqipërinë. Isha i vetëdijshëm se në fund do ishte një lloj historie e fshehtë si ajo e Prokopit.

Sa isha letrar i ri pohimet e kritikëve se Gëteja, Bakzaku, Tolstoi, Dikensim Migjeni, i kishin ndier vite më parë ndryshimet që po sillte koha, më dukeshin spekulime letrare. Mos vallë shkrimtarët kishin një shqisë të gjashtë, apo antena të posaçme për të parandier shndërrimet që po ravijëzoheshin në horizontin e largët? Por nga përvoja e jetës nën diktaturë, ndjeva se në ato pohime nuk kishte asgjë metafizike. Shenjat paralajmëruese të regjimeve shtypëse janë të dukshme te konformizmi, tatëpjeta ekonomike, paraliza e mendimit, dualizmi midis asaj që mendohet dhe asaj që thuhet, rutina, bjerrja e virtyteve morale, arbitrariteti i shoqëruar me dogmatizëm të hekurt, egërsia e pushtetit, humbja e idealeve dhe e besimit te e ardhmja. Pas Plenumit famëkeq të qershorit 1974, varfëria, vetëizolimi dhe frika nga çdo gjë e huaj u bënë tiparet kryesore të politikës shqiptare të kohës.

Vendosa të mbaja shënime edhe nga shfaqjet e teatrit si një formë arti ku linte gjurmë skematizmi ideologjik dhe fillova të shkruaj tregime disidente “për veten time”. Vëllimin me ese e recensione “Teatri në kohën e krizës”, mbresat e udhëtimit, esetë dhe reportazhet që janë pjesë e librit me titullin simbolik “Midis dy kohësh” si edhe një sërë tregimesh disidente janë shkruar në këtë periudhë. Të gjitha ishin dorëshkrime të cilat i daktilografova në fund të viteve tetëdhjetë me qëllim që të botoheshin pas vdekjes apo kur t’u vinte koha. Por isha i sigurt se një ditë do të botoheshin. Do t’ua lija amanet vajzave të mia. Një pjesë të dorëshkrimeve dhe kopjet e daktilografuara, i kam ruajtur në dosjet e mia. Natyrisht gjatë redaktimit janë bërë disa plotësime e ndryshime të karakterit artistik e stilistik por duke ruajtuar përmbajtjen. E ndiej ndërgjegjen të qetë që solla fakte, mendime e gjykime të sinqerta nga ajo kohë e vështirë e plot rreziqe.

Pas një gjysme shekulli diktature në Shqipëri dukej sikur nuk do kishte fund kurrë por ndodhi që shembja erdhi thuajse menjëherë. Isha jo vetëm dëshmitar i përmbysjes por edhe pjesëmarrës aktiv i lëvizjes demokratike të dhjetorit të vitit 1990. Atëherë e ndjeva thellësisht sa mirë kisha bërë që me guxim qytetar dhe atdhetari të shkrimtarit kisha shprehur mendimet e mia të sinqerta e kritikën time të fortë edhe nën diktaturë. Mbajtja e dorëshkrimeve përbënte një akt të rrezikshem si për mua ashtu edhe për familjen nëse do zbuloheshin, por pyesja veten se nëse nuk do isha unë atëherë kush dhe prej kujt duhej kërkuar një sakrificë e tillë. E dija përgjigjen. Ashtu si libri i Prokop Cezareasit “Histori e Fshehtë” ato shkrime ishin obligimi im moral, testamenti për historinë e pathënë të vendit tonë.

Fragment nga libri Midis Dy Kohëve, Shtëpia botuese Dukagjini, Prishtinë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Naum Prifti

13 QERSHOR 1912, VATRA U NJOH NGA SHTETI AMERIKAN I MASSACHUSETTS

June 13, 2023 by s p

Vatra feston 111 vjetorin e njohjes së themelimit si Federatë. Më 13 Qershor 1912 Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA njihet zyrtarisht prej shtetit të Massachusetts. Vatra, pas njohjes zyrtare shtetërore mori diplomën e saj (Charter), të shënuar prej z.Albert P.Langtry, asokohe sekretar i Shtetit të Massachusetts. Në aplikim të njohjes zyrtare shtetërore ishin të shënuar emrat e Faik Be Konitza, Lambi Chikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Kosta Kota.

Prej 111 vitesh Federata Vatra vazhdon me dinjitet, krenari e nder përçimin e vlerave më të larta të kombit tonë, ruajtjen dhe ekzistencën e trashëgimisë kulturore, patriotike, sociale, ekonomike dhe historike të shqiptarëve në Amerikë. Prej 111 vitesh Vatra vazhdon fuqishëm punën, përpjekjet e përkushtimin kolosal ndaj komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara e çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës.

Vatra e ngrohtë shqiptare, zjarri i pa shuar i atdhedashurisë mban gjallë dhe sot e 111 vite shpirtin patriotik shqiptar përtej Atlantikut. Vatra është historia, krenaria dhe identiteti i shqiptarëve të Amerikës.

Filed Under: Featured Tagged With: Vatra

Festivali i dytë i Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit dhe dhënia e certifikatave për vitin shumë të suksesshëm 2022-2023

June 13, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Senatorja e shtetit të Nju Jork-ut Nathalie Fernandez, Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” dhe Konsulle e Republikës së Shqipërisë znj.Valentina Loka midis nxënësve te Alba Life.

Në Qendrën “Illyria” në Bronx në auditoriumin e saj, mësuesit, nxënësit dhe prindërit e Shkollave Shqipe Alba Life Ambasador i Kombit erdhën për të festuar me plot sukses mbylljen e vitit akademik shkollor 2022-2023 si dhe për Festivalin e Dytë të Shkollave Shqipe.

Auditoriumi ishte mbushur plot e përplot, vecanërisht skena që ishte tej e përtej me nxënës ndriste nga pasardhësit e Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Adem Jasharit etj.

Dita e diel ishte nje feste e bukur e kurorëzimit me sukses të përfundimit të vitit akademik shkollor 2022-2023 dhe kjo fal mësueseve që punojnë me profesionalizëm të cilat janë të licensuara nga shteti amë si dhe disa prej tyre dhe nga shteti i Nju Jorkut.

Ka qenë një vit i gjatë me plot sfida, për Bordin, nxënësit, mësuesit dhe prindërit, por në fund ja arritën qëllimit të bukur shumë suksesshëm.

Nxënësit nën kujdesin e mësueseve të përkushtuara si Elona Shkreta, Entela Muda, Anxhela Alushaj, Jonida Alla, Fatlinda Gashi, Vjollca Skënderi, Mehrije Shala, Kade Lajqi Gresila Basha në Online, si dhe anëtarëve të stafit, sopranos së shquar dhe udhëheqëse artistike Dëshira Ahmeti, Gela Bulku, mësuese Vlera Sela Thaqi, Dr. Manjola Duli e mbaruam me plot sukses vitin shkollor. Duke realizuar një sërë aktivitetesh shumë të rëndësishme në Diasporë si Alba Life patëm kulmin e saj me festimin e 15-të vjetorit të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” me një mbrëmje madhështore Gala në Hilton ku nderuan qindra shqiptarë dhe personalitete të larta amerikane dhe shqiptare. Ne nuk do të dimë të ndalemi deri në frymën e fundit në këtë Mision Kombëtar të mësimit të Gjuhës Shqipe në Diasporë, sepse duket sikur kemi bërë betimin:

Kemi dhënë të gjithë një fjalë/ Jemi lidhur me besa-besë/ Nji shqiptar po mbeti i gjallë/ Gjuha Shqipe kurrë s’do vdes!

Nderuan me pjesëmarrjen e tyre z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” politikan amerikan i suksesshëm dhe njëkohësisht ka siguruar Qendrën “Illyria” ku Shkolla Shqipe “Alba Life” ka qenë e para që e ka inaguruar këtë qendër dhe vazhdon rregullisht të zhvillojë mësimin cdo të shtunë. Ishin gjithashtu Senatorja e shtetit të Nju Jorkut zonja Nathalia Fernandez, Konsulle e Republikës së Shqipërisë znj.Valentina Loka. Ishte krenari t’i kishim midis nesh dhe të na frymëzonin me fjalimet e tyre. Ata përshëndetën nxënësit dhe thanë vazhdojeni këtë mision që keni nisur per të ruajtur Gjuhën, traditat dhe historinë prej nga vini.

Z. Gjonaj vlerësoi lart punën e themeluesit, bordit, të mësueseve dhe nxënësve. Këshilloi të jemi të bashkuar se vetëm bashkë arrijmë atje ku duhet të jemi si shqiptarë. Zoti Gjonaj dhe z. Zylo ndanë pllakë mirënjohje për Drejtorin e IT, MD. M. Alam, NYC H+H. i cili ka dhënë ndihmese për të realizuar programin e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx per lidhjet kompjuterike.

Zoti Qemal Zylo themelues dhe drejtues i shkollave Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online pasi përshëndeti nxënësit, mësuesit, prindërit dhe të ftuarit iu uroi atyre punë të mbarë në Festivalin e dytë të Shkollave Shqipe “Alba Life” si dhe suksese të mëtejshme në vitin tjetër. Duke parë rritjen e numrit të nxënësve Bordi dhe mësueset menduan të zhvillojnë Festivalin me Shkollat Shqipe Alba Life që tashmë po bëhet një traditë e bukur. Z. Zylo iu ndau certifikata mirënjohjeje zotit Mhill Gjuraj biznesmen i suksesshëm dhe suportues për Shkollat Shqipe “Alba Life”. Me certificatë mirënjohjeje u vlerësua gjithashtu z. Mhill Velaj shkrimtar i mirënjohur dhe Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikan. Shkrimtari Velaj gjithmonë ka frymëzuar dhe është një dashamirës i madh i Shkollave Shqipe “Alba Life”.

Po ashtu me certificatë mirenjohjeje u vlerësua mësuese Davida Hasanaj, për të cilën z. Zylo tha se ka dhënë një kontribut të vyer në mbarëvajtjen e procesit mësimor në Bronx. Me korrektësinë, besnikërinë dhe dashurinë për nxënësit dhe mësimin e Gjuhës Shqipe ajo fitoi respektin e Bordit dhe të kolegëve bashkë me bashkëshortin e saj z. Agim dhe fëmijet e mrekullueshëm.

Ne fund z. Zylo bashkë me mësuesit iu ndanë nxënësve certifikatat e përfundimit të vitit shkollor akademik shkollor 2022-2023.

Programi artistik

Hymnet Kombëtare amerikane dhe shqiptare u interpretuan nga sopranoja e shquar Dëshira Ahmeti e cila ka dhënë shfaqje në skena të botës dhe u shoqërua nga kori i shkollës.

Hymni i Shkollës Shqipe Alba Life “Gjuha Shqipe, Gjuha Jonë” u interpretua nga kori i shkollës.

Kënga: ‘Shqiperi o nëna ime” u interpretua nga Aelia Rena.

“Kënga për mësuesen” u interpretua nga Aria Stoja.

Në Festival nxënësit kërcyen vallet e Tiranës, Vallja e Bariut, Vallja e Tropojës.

Këngën Xhamadani Vija Vija e interpretuan Edona Gjitija dhe Diellor Lajqi.

Programi i pasur artistik u mbyll me këngën “Të rrojë Shqipëria” interpretuar nga Kelvin Rustani dhe Altea Bala shoqëruar nga kori.

Pas Festivalit dhe dhënies së certifikatave nxënësit u argëtuan duke kënduar dhe hedhur valle nën tingujt e DJ Hermes ndihmuar nga Odise Salillari aktvisit i njohur dhe Kryetar i Shoqatës Devolli.

Aktiviteti u filmua me profesionalizem nga Bujar Sadikaj njëkohësisht dhe anëtar i Stafit të TV “Alba Life”.

Pushime të mbara të dashur mësues dhe nxënës!

Mirupafshim në shtator për vitin akademik shkollor 2023-2024!

11 Qershor, 2023

Bronx, New York

Filed Under: Politike Tagged With: Keze Kozeta Zylo

SHOQATA DUKAGJINI, PO RRNO PËR ME TREGUE!

June 13, 2023 by s p

20 vite jetë për promovimin e Dukagjinit shekullor!

Agron PREBIBAJ

Dukagjini, krenaria e identitetit tonë kombëtar festoi 20 – vjetorin e Shoqatës Atdhetare Dukagjini.

Dje fshati i Paqës në Shkoder u pushtua nga dukagjinasit e miqtë e tyre nga trojet shqiptare, gjithçka nën drejtimin e të zotit të shtepisë z.Ndue Sanaj (kolonel), moderatores Roza Pjetri e stafit organizativ mikpritës.

Një aktivitet mjaft i larmishëm i ndarë në kater seanca: së pari festa nisi nga salla; aty folën të gjithë duke festuar me këngë e valle nga artistët e Dukagjinit e Kosova, pastaj u zhvendosëm në promovimin e veshjeve tradicinale e veglava muzikore të trevës, ndërsa koktej festiv për të pranishmit solli afrimitet njohje e bashkpunimi për secilin pjesmarrës, aty u ndanë edhe disa tituj nderi për disa pësonalitete me kontribute, por respekti për mysafirët mbyllet sipas traditës dukagjinase me drekën e ngrohtë e mikëpritëse, kjo dreka bekuar nga Arqipeshvi Angelo Massafra, i cili uroj paqe e lumturi për shqiptarët.

Tek me erdhi në mend kryevepra e At Zef Pllumi – “Rrno me tregue”, një pasim përfekt nga Shoqata Atdhetare Dukagjini, e cila në 20 vite jetë promovon historinë shekullore të treves legjendare, me histori qëndrese e fitimtare e cila mbushet më me shumë me dhimbje sesa gëzime, promovuese e kulturës me orientim përendimor.

Kur lexon e dëgjon historinë e qëndresës e kulturës janë dy medalje të forta identitare, por realisht dukagjinasi megjithse i vëndosur lart në alpe, shtëpitë i kishte kulla guri dy-tre katëshe duke parakaluar ata që jetonin në fushë, gjithashtu Dukagjini i artistëve, shkrimtarëve, sportistëve etj zotron më shumë se 30% të thesarit së qytetrimit shkodran e verior!

Në festimin e 20 vjetorit të Shoqatës Atdhetare Dukagjini erdhën plotë mesazhe ngohëse, vllazërore e bshkëpunimi, e nisur që nga fjala rezyme e kryetarit Ndue Sanaj, e përcjellur nga shoqatat kosovare, nën ngohtësinë e Arqipeshvit Massafra, ndërsa shkrimtari e publicisti Prele Milani solli mjeshtërisht shërimin e plagës stresuese, sociale e shoqerore.

Një përshendetje e veçantë erdhi nga zoti Gjin Progni kryetari i Shoqatës Nikaj-Mertur me mesazhin e bashkëpunimit të ngushtë miqësor e vllazëror ndërDukagjinas.

Ndërsa kryetari i shoqatës Bytyçi z.Agron Gjedia solli mesazhin miqësor të bashkëpunimit nder shekuj mes Malsisë së Gjakovës e Dukagjinit të pasur me histori.

Por si gjithnjë unë ndihem i ngacmuar nga miqtë e mi Ed Terthorja, Agron Hasanaj e Anton Kosteri, ku me shakatë e tyre më bëjnë të gëzohem duke qeshur, por edhe më bëjnë të përdor një paracetemol…!

Ndërsa supriza erdhi kur Shoqata Dukagjini nderoi zotin Gjin Niklekaj me titullin “Mirenjohja e Dukagjinit”, ky nderimi ndaj një pësonaliteti të madh Nikaj-Mërturas, Dukagjinas e më gjërë.

Befasia e rendimenti i aktivitetit të kësaj shoqate vjen kur shikon në tani 20 vite në çdo muaj një promovim, 20 vite gazeta Dukagjini edhe kjo e përmuajshme, ku me plotë gojën mund të thuhet si e shkruar se kjo shoqatë parakalon Ministrinë e Kulturës me aktivitete në keto 32 vite.

O sa mirë me qënë shqiptar nga Dukagjini o hej!

Filed Under: Sociale

Promovohet shqiptarizmi në Islandë

June 13, 2023 by s p

Avni Dervishi/

Në mesin e vullkaneve e akullnajave, ujvareve me madhështi të rrallë në planetin tonë e vendeve ku uji vlon jashtë në natyrë dimër e verë, edhe aty ka shqiptarë.

Islanda, ky shtet në mes të Amerikës e Evropës, shumë rrallë përmendet në media në përgjithësi e jashtzakonisht pak, ose më mirë të themi kurrë rreth aktiviteteve të diasporës tonë atje. Ndoshta se nuk janë më shumë se sa 500 shqiptarë nga 36 000 banorë që i ka i tërë ky shtet ishull.

Javën që shkoi u themelua dega e Federatës së Mjekëve Shqiptarë (AMFE – Albanian Medical Federation of Europe) ku kryetare u zgjodh Hafije Zogaj. Dega u themelua të shtunën më 9 qershor në kryeqytetin Reykjavik. Por, pak ditë para themelimit me iniciativën dhe angazhimin e politologut Avni Dervishi nga Suedia, njëherit edhe Ambasador Nderi i AMFE, një delegacion i përberë nga pesë persona u pritën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Islandës. Delegacionit i printe Avni Dervishi, ndërsa aty ishin edhe Dr.Hafije Zogaj (Islandë), Dr.Aurora Dollenberg – presidente e AMFE (Gjermani), Prof.Dr.Fadil Çitaku (Zvicër), si dhe gazetarja nga Kosova zonja Alketa Gashi Fazliu.

Një ditë përpara Dr.Hafije Zogaj që jeton tash e 32 vite në Islandë, si bashkëthemeluese e një kori të përbërë nga vetëm gran me prejardhje nga mbarë bota, por që jetojnë në Islandë ishte e ftuar nga ambasadorja e Norvegjisë. Në residencën e së cilës, në mes tjerash edhe këndonin këngë në gjuhën shqipe. Poashtu edhe ambasadorja e Danimarkës është pjesë e korit që e promovojnë edhe kulturën shqiptare.

Aktivisti Dervishi thekson, që për arsye diplomatike, lobimeve e edhe forcimit të Diasporës tonë: Deri tash kam qenë në 90 shtete, e Islanda ishte shteti nr.91, por kurrë ndonjëherë nuk kam parë një kor me persona të rritur vetëm gra e ku bëjnë pjesë dy ambasadore të huaja në një shtet të huaj që këndojnë këngë në gjuhën shqipe, dhe e gjithë kjo falë zonjës Hafije Zogaj, e cila përpos që shëron jetët e njerëzve në Islandë në rolin e mjekes, ajo edhe e promovon kulturën shqiptare e arbëreshe. Siq u cek edhe në fillim, e gjithë java u përmbyll të shtunën me datë 9 qershor kur edhe u mbajt seminari i AMFE me ekspertë shëndetsorë islandëzë e shqiptarë nga tërë Evropa. Aty u themelua edhe dega e AMFE për Islandë e Dr.Hafije Zogaj u zgjodh kryetare. Tërë diaspora shqiptare në kryeqytetin Reykjavik i mirëpriti mysafirët me krahë të hapur, kombinuar me ushqime dhe valle tradicionale shqiptare.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1820
  • 1821
  • 1822
  • 1823
  • 1824
  • …
  • 2978
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë
  • “Rrobat e mbretit”…
  • Kosova midis kujtesës, rezistencës dhe diasporës në veprën e profesor doktor Roland Gjinit” Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe gazeta ‘Dielli’ (1981–2008)”
  • Mitrush Kuteli, një nga intelektualët më të shquar shqiptarë të shekullit XX
  • We are proud to announce the election of the MAASBESA Board of Directors for the 2026-2028 term
  • Letër e Lumo Skëndos viti 1908 drejtuar Jani Vretos dhe botuar te gazeta “Rrufeja” (1909)
  • KUFIRI SHENDETIT DHE SËMUNDJES
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK
  • Në ditën ndërkombëtare të shtypit…
  • Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë
  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT