• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHPIRTI ÇLIRIMTAR I NJË INTELEKTUALI

January 14, 2023 by s p

Shkruan: NUHI BYTYÇI/

Lajmin për vdekjen e intelektualit, profesorit universitar dhe komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ana Drini Prof. Dr. Sabahajdin Cena, ishte ndër lajmet më të dhëmbshme, jo vetëm për familjen, por edhe për bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tij në mbarë Kosovën dhe më gjerë. Që në fillim të këtij shkrimi në përkujtim të jetës dhe veprës së tij, mund të them me plot gojë se të rrallë janë intelektualët, sikur ishte Profesor Sabahajdin Cena, i cili përherë ishte në mesin e popullit dhe në shërbim të popullit.                                                                                                                                Fati ka deshtë që ta njoh nga vitet 70-ta. Fillimisht mbaj mend shkrimet e tij në revistat e kulturës së kohës, veçmas në atë “Fjala” dhe në botimin shkencor të Institutit Albanologjik “Gjurmime Albanologjike” për trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar në Ana Drini, Llapushë e Drenicë, për mbledhjen e folklorit shqiptar, për Ninullat në Ana Drini, Llapushë dhe në rajone tjera. Mbaj mend në veçanti hulumtimin e Prof. Sabahajdinit botuar në “Gjurmime albanologjike” me titull “Disa elemente të gjuhës shqipe në të folmen e popullsisë së Rahovecit”, “Analiza e Këngës për Halil Hamzën” dhe shumë shkrime tjera me rëndësi të posaçme për letërsinë popullore, folklorin shqiptar në përgjithësi. Ndërkaq, në vitet 80-ta kam pasë nderin që ta takoj disa herë në Prishtinë dhe Rahovec edhe fizikisht dhe të këmbej mendime për pozitën tejet të vështirë të popullit shqiptar në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Ai përherë kishte guxim që të shprehte opinionin e tij për të dhe rolin e intelektualëve shqiptarë për çlirim e bashkim kombëtar.

Prof. Sebahajdini iu jepte kurajo luftëtarëve të lirisë

Pas shpërthimit të luftës frontale midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese serbe në Drenicë, Profesor Sabahajdini ishte ndër intelektualët e parë që iu bashkangjit radhëve të UÇK-së në Ana Drini. Si Udhëheqës i Drejtorisë për Marrëdhënie Civile dhe publike në Zonën Operative të Pashtrikut, Prof. Sabahajdini arriti të kontribuojë shumë në ngritjen e moralit te luftëtarët e lirisë. Duke marrë pjesë edhe vet në shumë beteja frontale me forcat serbe në Ana Drini, ai me guximin dhe vlerat e larta prej intelektuali, përmes vargjeve të rilindasëve shqiptarë iu ka dhënë kurajo edhe më të madhe luftëtarëve të rinj e të reja të UÇK-së që të luftojnë me tërë fuqinë kundër atyre që mundoheshin që ta thyejnë vullnetin e popullit tonë për liri e pavarësi. Vërtetë ai ka prezantuar me dinjitet tfigurën shembullore të një intelektuali dhe luftëtari-eprori të UÇK-së.                              Profesor dhe Komandant Sabahajdin Cenën e kam takuar disa here edhe gjatë periudhës së luftës. Në vjeshtë të vitit 1998 në malet e Kleçkës legjendare më kujtohet fytyra e tij e buzëqeshur dhe optimiste, i bindur se UÇK-ja do ta fitojë luftën. Ai këtë e argumentonte me faktin se asaj iu kishin bashkangjitur të rinjtë dhe të rejat nga të gjitha viset etnike shqiptare dhe diaspora, si dhe që e mbështetnin intelektualët dhe mbarë populli ynë liridashës. Madje, kur më pa mua dhe kameramanin Abaz Zeka duke xhiruar imazhe të luftëtarëve të lirisë nuk e la pa u shprehur me këtë fjali: “Nuhi, kur të pash ty dhe Abazin, po e shoh edhe civilizimin, sepse si intelektualë dhe gazetarë e keni lënë Prishtinën dhe me punën tuaj profesionale po e prezantoni para botës luftën e UÇK-së. Kjo të gjithë neve na inkurajon, na jep zemër se liria është e pashmangshme!” Edhe unë ia kthej: Prof. Faleminderit për këtë vlerësim të çmuar tëndin. Ne jemi pjesë e këtij populli dhe e kemi obligim që ta jemi pranë luftëtarëve të lirisë. Mirëpo, edhe angazhimi yt, si profesor dhe intelektual i jep imazhin e një ushtrie gjithëpopullore dhe që ka mbështetjen e plotë edhe të intelektualëve tanë.”                                                                     Fjalët e Profesorit Sabahajdin edhe mua e Abazit na impresionuan dhe na kanë shërbyer si udhërrëfim deri në fund të luftës që me emisionet tona ta mbajmë gjallë shpirtin liridashës dhe çlirimtar të të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë sonë Çlirimtare. Dhe vërtetë, në qershor të vitit 1999 Kosova përfundimisht u çlirua dhe nga ajo u larguan të gjitha forcat pushtuese dhe administrata serbe. 

Kronikani i heronjve të UÇK-së

Pas luftës Profresor Sabahajdinin e kam takuar në Rahovec e Malishevë, duke drejtuar tubimet gjithëpopullore në përkujtim të përvjetorit të betejës së UÇK-së në korrik të vitit 1998 në Rahovec dhe në tubimet përkujtimore për nder të dëshmorëve të Ana Drinisë. Prof. Sebahajdini ishte në krye të protestave gjithëpopullore të qytetarëve të Rahovecit kundër vendosjes së forcave të ushtrisë ruse në kuadër të Misionit të KFOR-it në Rahovec. Ai në një intervistë që e kisha zhvilluar lidhur me këtë protestë dhe barrikadat në mallet afër Rahovecit deklaronte: “Për shkak se në Rahovec dhe rrethinë ende ka kriminelë serbë, të cilët kanë bërë masakra mbi popullartën civile shqiptare në këtë qytet, forcat ruse janë të padëshirueshme. Ne jemi të vendosur që pa dhunë, por në mënyrë civilizuese të kundërshtojmë dhe pengojmë vendosjen e forcave ruse në Rahovec. Rusia ka interesa strategjike për të vendosur ushtarët e vet në Rahovec dhe për të bashkëvepruar me kriminelët serbë, duke e destabilizuar Rahovecin dhe Kosovën.”                                                                                                                Me që fshati im i lindjes – Shkoza është afër Rahovecit dhe Prof. Sebahajdini gjatë luftës  kishte bashkëpunuar edhe me Njësitin e UÇK-së në Shkozë dhe me familjarët e mi, pas luftës ai mori pjesë edhe në tubimet përkujtimore për dëshmorët e këtushëm, që u mbajtnin në Shkozë çdo 2 prill. Madje, disa herë ka qenë edhe në odën e babait tim – Malushit dhe kishin një respekt të ndërsjellë.                                                                                                                                        Kur realizoja një seri dokumentarësh për Radiotelevizionin publik të Kosovës kushtuar heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam pasë nderin që të bashkëpunoj edhe me Prof. Sebahajdin Cenën, duke e intervistuar lidhur me kujtimet e tij si bashkëluftëtar për figurat qëndrore të luftës në Ana Drini, Llapushë, Dukagjin e Drenicë. Ai gjithmonë ishte i gatshëm që me mburrje të rrëfente për heroizmin e Komandant Tonit e Micit, të Agim Çelës, Sadik Shalës, Hamdi Berishës, Avdullah Bugarit, Sheh Myhedinit, Feim e Bedrush Gashit, Mensur Zyberajt, Brahim Morinës, Salih Bytyçit, Muharrem Hoxhës dhe dëshmorëve tjerë. Herën e fundit Prof. Sabahajdinin e kam takuar bashkë me djalin e tij shumë të edukuar Samedinin (avokat) në prill të vitit 2021, kur në Lugun e Gjeraqinës me kameramanin Bekim Qyqallën në prani të birit të dëshmorit Brahim Morina – Islamit, e kam intervistuar atë lidhur me kujtimet e tij për kontributin dhe sakrificën sublime të dëshmorit Brahim Morina nga Drenoci i Malishevës.                            Si rëndom, modest dhe i drejtpërdrejtë Prof. Cena rrëfente me pietet edhe për shumë detaje për këtë figure të ndritshme të luftës për liri.                                                                                   Prof. Sabahajdin Cena ishte autor i mëse 20 veprave të ndryshme, ku dominojnë monografitë kushtuar atdhetarëve shqiptarët të të gjitha kohërave. Pra, Profesor Sabahajdini vërtetë ishte njeri i penës dhe i pushkës për liri e pavarësi.                    Ai kurrë nuk u ndal së punuari, duke u bërë kronikan i palodhur i luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Ushtrisë për Çlirimin e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, si dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë veriore, veçmas duke pasqyruar sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. Ai ishte edhe autor i biografive të shumë dëshmorëve  që ranë për lirinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare botuar në “Feniksët e lirisë”.                                                                                                             Vepra e Prof. Sabahajdinit është e pavdekshme, sepse ai përherë si intelektual ishte në shërbim të plotë të interesave të popullit. Emri i tij padyshim do të shkruhet  në historinë më të re kombëtare. Shkrimet e Prof. Sabahajdin Cenës  për UÇK-në do të vazhdojnë të jehojnë edhe më fuqishëm dhe do ta kompletojnë historinë e lavdishme të UÇK-së dhe të popullit shqiptar në Kosovë e më gjerë.                                                                                        Lavdi e përjetshme bashkëvendasi dhe miku im Profesor Sabahajdin Cena!

Filed Under: Kronike

25% e KANCEREVE të GJOKSIT – nuk janë kancere!

January 13, 2023 by s p

Dr. Zekri Palushi, Australi 12 Janar, 2023/

Nëpërmjet këtij shkrimi vet-rreflektues , nuk kam ndërmend të diskutoj rreth kancereve të gjoksit në përgjithsi, -por deshiroj që të ndalohem pak, vetëm në Karcinomën Duktale In Situ, -që megjithse s’është kancer, -klasifikohet si kancer, mjekohet si kancer, dhe përbën 25%  të të gjitha rasteve të kancereve të gjoksit.

        Karcinoma Duktale In-Situ. (Ductal Carcinoma In Situ-DCIS), -(që nganjëherë quhet edhe Intraductal Carcinoma), është një proliferim anormal, jo-invaziv i qëlizave epiteliale të kanalit të qumshtit. 

Ndërsa, këta qëliza duken malinje, ata prap se prap gjenden vetëm brenda sistemit duktal, -dhe prandaj quhen in-situ.

 Më poshë, për shkurtim, këtë diagnose, do ta përmendim vetëm me inicialet e sajë, –DCIS.

DCIS, -si një diagnose, -ka filluar të vihet vetëm atëhere kur mamografia (mammography), hyri në mjetet e skrinimit të gjoksit, (Screening Mammography).

Skrinimi i gjoksit, – (Breast screening), -rrekomandohet tek të gjitha grate e moshave 40-74 vjeçare, -si një mjet për kapjen e herëshme të kancereve të gjoksit, para se të shfaqen shenjat e sëmundjes.
Kështu, në Australi, -kësaj grup-moshe,  i rrekomandohet që të bëjnë një mamografi, ç’do dy vjet, -dhe kjo është falas.

Në një rast me DCIS, -mamografia tregon një zonë/grumbull, mikrokalcifikimi granular, në pamje heterogjen.

Megjithatë, duhet të kemi parasyshë që mikrokalcifikimet janë gjetje jashtzakonisht të shpeshta në gjinjë, dhe zakonisht s’marrin ndonjë rëndësi të veçantë. 

Pra, sot qe ky ekzaminim përdoret rregullisht për skrinimin e gjoksit, -DCIS përbën qerekun (25%) e të gjitha rasteve te diagnostikuara me kancere gjoksi. 

Kjo do të thotë se, – rreth 1.600 gra Australiane, 7.000 gra Angleze dhe 60.000 gra Amerikane, -për ç’do vit u thuhet se kanë kancer gjoksi, -kur në fakt nuk e kanë. -Aq më keq, kur dihet se mamografia kapë vetëm rreth 75% të rasteve me DCIS, –që do te thote se rreth 25% e grave të skrinuara, vazhdojnë jetën e tyre të gëzueshme, pa qenë në dijeni të një kanceri që mund ta kenë. 

Ne fakt, 98% e grave të diagnostikuara me DCIS, rrezultojnë të jenë shëndosh e mirë, edhe pas 10 vjetesh diagnostikimi, -pa ju nënshtrua as edhe një mjekim të vetëm.

Ndërsa,vetëm rreth 1% e rasteve me DCIS, mund të zhvillojnë kancer gjoksi, -por, edhe nëse po, -format e këtij kanceri, janë pare të jenë të një grade shumë të ulta , dhe me një progresim shumë të avashtë, -gjë që i bën lehtësisht të trajtueshëm.

Në ekzaminimin histo-pathologjike, shifet se në ata qeliza të indit të gjoksit qe rrethojnë kanalin e qumshtit, (duct) kanë filluar disa ndryshime jo-normale, -por në fakt, s’dihet me siguri nëse këta qeliza mund te shpërndahen apo të invadojnë indin e gjoksit.

      Në klinikën time, kemi pasur disa pacjente, -të diagnostikuar me DCIS, por që fatkeqësisht janë trajtuar njësoj, sikur të kishin qenë diagnostikuar me kancer gjoksi.

Pra, një grup i posaçëm mjekësor, që bënte vlerësimet, -kishte rrekomanduar përafërsisht të njejtën strategji trajtimi, – ku përfshihen kemoterapia (chemotherapy), radiotherapy, mastectomy/heqja kirurgjikale e gjoksit, tamoxifen, – trajtime tepër të lodhëshme dhe me komplikacione jo të pakta,… përfshi këtu edhe uljen e tejskajshme të imunitetit.

Në një rast, u preferua edhe heqja kirurgjikale totale e të gjithë gjoksit, (full mastectomy), -ndërkohë që do të kishte qenë shumë më e mirë që ne, -si grup specialistësh të ndryshëm, të përfshirë në këtë vendim, të thelloheshim më tepër, dhe në bashkpunim të ngushtë me të sëmurën të  vendosej që trajtimi i kësaj diagnose, të mos bëhej si për një gjendje kanceroze.

Ndërkohë, trajtimi i DCIS, vashdon prap që të bazohet në klasifikimin e sajë, si një gjendje kanceroze, –kur në fakt,  është vetëm një formë jo-invazive, -por që shpesh diagnoztikohet si kancer gjoksi, në stadin zero (stage 0). 

Siq shifet, – kjo diagnozë vazhdon të përfshijë fjalën tmerruese “kancer,” -një fjalë që ngjallë frikë dhe panik të menjëherëshëm, si për pacjenten, ashtu dhe për doktorrin, -dhe pikërisht në këto rrethana, merret edhe vendimi më I pa llogjikshëm, deri në heqjen e plotë kirurgjikale të gjoksit, që edhe sot mbetet zgjedhja më e preferuar.

Si pasojë, –nuk mjekohet e sëmura, por mjekohet klasifikimin diagnostik i sajë, -me pasoja të pa riparueshme fizike, e psikollogjike.

Do të ishte tepër njerëzore, dhe një praktikë e mirë profesionale që të uleshim rrafsh me një pacjente të tillë, për ti shpjeguar me durim, dhe me një gjuhë të thjeshtë, se ç’far është kjo diagnozë (DCIS), -pra t’ju shpjegohet se s’kanë kancer, e që ndoshta s’do ta kenë kurrë! 

Po kështu, pacjentja, familjarët e sajë, së bashku me mjekun e familjes, duhet të diskutojnë edhe, me onkologjistet, -për ti pyetur ata se, pse disa prej onkologjistëve kanë tendencë për të ndjekur protokollin më agresive të trajtimit, kur nëtë vërtetë, e dijnë shumë mirë se DCIS reprezanton nje rrisk aq të vogël për jetën e të sëmurës?

Një lajm i mirë, dhe inkurajues në këtë drejtim është ai që, disa prej specialistve më me influence në fushën e onkologjise botërore, kanë ndërmarrë një fushatë për t’i hequr kësaj diagnose fjalën “kancer”, -duke propozuar pak a shumë termin korrekt, ‘’Çrregullime qelizore të vogla’’ (minor cell abnormality).

Nëse kjo fushatë do të jetë e suksesëshme, -atëhere, -kjo diagnose nuk do të tmerrojë më grate, si më pare, -e po kështu, edhe vetë onkologjistet do të ndryshonin perceptimin e këtije problem, për t’mos marrë vendime të nxituara, të mbështetura më së shumti në frikën se mos pacjentja mund ti hedhë në gjygj, për pa-kujdesi.

Dr. Zekri Palushi, Australi 12 Janar, 2023 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Zekri Palushi

NDIZE NJË QIRI PËR VIKTIMAT E GJENOCIDIT NË KOSOVË

January 13, 2023 by s p

Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit në Kosovë, Qendra „Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur“ fton të gjithë shqiptarët që më 15 janar 2023 duke filluar nga ora 19:30 të bëjnë ndezjen e qirinjve në shenjë respekti e përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.

Në sheshin „Skënderbeu“ në Prishtinë, aktivistët e Qendrës do të bëjnë ndezjen e qirinjve. Ftohen qytetarët e Prishtinës që të bashkëngjiten në këtë aktivitet.

Qytetarët e qyteteve tjera, me vetiniciativë mund ta bëjnë ndezjen e qirinjve në sheshet kryesore të qyteteve dhe të fshatrave të tyre.

Organizimi me vetiniciativë edhe i qytetarëve në qytetet jashtë kufijve të Kosovës është i mirëseardhur, andaj ftojmë të gjithë shqiptarët kudo që janë të bëjnë nderimin e viktimave të gjenocidit pikërisht më 15 janar 2023 nga ora 19:30.

Ata që nuk kanë mundësi të dalin në shesh, këtë ta bëjnë në ballkonet apo dritaret e tyre.

Po ashtu, ftojmë të gjithë shqiptarët anekënd botës që në ora 19:30, sipas kohës së tyre lokale, ta bëjnë ndezjen e qirinjve në ballkone e dritare në nderim të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Ftojmë gjithashtu organizatat joqeveritare, veçanërisht ato që në fokus të aktivitetit të tyre e kanë çështjen e viktimave të luftës që të bashkangjiten në këtë aktivitet përkujtimi.

Përkujtimi i viktimave të Gjenocidit në Kosovë është më e pakta që ne duhet të bëjmë në rrugëtimin për ngadhënjimin e drejtësisë dhe ndëshkimin e krimit!

Me respekt për të gjitha viktimat e gjenocidit në Kosovë dhe për familjarët e tyre.

Qendra „Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”

Filed Under: Rajon

AKTUALITETI SI HISTORI 

January 13, 2023 by s p

SI HISTORIA SI AKTUALITET NË NJË ROMAN…

– Rreth librit “Këpuca e aktorit” e shkrimtarit Visar Zhiti –

C:\Users\User\Downloads\694f61e3-5ba0-471f-a0ee-c802aa92b4e4.jpg

Nga Milto Skrami,

Inxhinier elektrik.

Illinois, SHBA

Të vleresosh veprën e një shkrimtari është një përgjëgjësi, do të thosha jo vetëm artistike, e kritikës profesioniste, por dhe grupeve të lexuesve, dhe e një lexuesi të zakonshëm, teksa ato varen nga tendencat apo interesat që ata kanë, shpesh jashtë letrare deri edhe ideologjike.

Unë si lexues, romanin e fundit “Këpuca e aktorit” të shkrimtarit Visar Zhiti, e lexova me kënaqësi të veçantë dhe m’u duk i veçantë, që ka vulën dhe mëshirimin e talentit dhe të personalitetit të autorit dhe më futi në mendime duke i bërë pyetje vehtes: në ç’lloj romani mund të klasifikohet? Çfarë teknikash ka përdorur autori që lexuesi të përftojë një roman të tillë? Origjinal dhe tërheqës me një gamë të gjërë kohësh dhe karakteresh, të organizuar në një mënyre të re? 

Për një gjë jam i sigurtë, ai nuk është një roman narrative i zakonshëm, por përsëri vazhdoj ta pyes vehten: 

1- A është post-modernist që eksperimenton me meta-fiction?

2- Apo modernist, që është kundër konstruksionit tradicional, i shkruar qellimshëm në mënyre fragmentare për te kapur hapësirë më shumë?

3- Apo i realizmit magik? (Teknika treguese realistike, të kombinuara me elemente surreale dhe fantazi.)

4. Apo ekzistencialist? (Thekson ekzistencen e individit si një agent i lirë dhe përgjegjës për veprimet e tij ) 

Mua më duket se romani “Këpuca e aktorit” ka  nga të gjitha këto, një përzierje e suksesshme sikurse janë edhe romanet  bashkëkohore të sotme, ndërkohë dhe më e r;endësihmja, është një roman që ka matrikullën e vetë Visarit. Për më tepër ka një shqipe letrare të bukur, që ke dëshirë ta ndjesh dhe që nuk e gjen shpesh në letersinë shqipetare bashkëkohore. 

Romani duket si një udhëtim në kohë i një familjeje, rrëfyer me aq sinqeritet sa duket si e tij, por mendoj, që është kalvari i familjes shqiptare, këpuca e saj në tre kohë, mbretëri, diktaturë dhe postdiktature apo demokraci jo funksionale, siç kemi dëshirë ta kritikojmë.

Mbetja shpesh e vetëm një këpuce, (një metaforë  e gjetur dhe kuptimplotë), duket se është edhe rrugëtimi i çalë i Shqipërisë në kohëra, po ashtu edhe teatri me dukuritë dhe çështjet e veta është vetë Shqiperia, ku të gjithë pjesëmarrësit në një mënyrë apo tjetrën, me dijen dhe mosdijen e tyre, me veprimet dhe mosveprimet, injorancën dhe vrazhdësinë, indiferendizmin, militantismin, vizionet, humbjet, etj, duke patur përsipër dhe agresivitetin shteteror, etj kontribuojnë me historitë e tyre individuale dhe kolektive në zhvillimin apo moszhvillimin, në normalitetin apo mosnormalitetin e Shqipërisë.

Nëntekstet e rrëfimtarit janë plot me dhëmbje, por pa mbllefe, me ironi, por pa urrejtje, një tjeter veti fisnike e personalitetit të autorit. Ai i përshkruan qartë dhe me koncizitet mjediset si dhe personazhet fiktive dhe ato realë, I përafron përjetimet sa dhe vetë lexuesi ndjehet pjesëmarrës në to. 

Ai bën analiza psikologjike të përthelluara të personazheve, të cilët jetonin të dyzuar, të friksuar dhe të shtypur në çdo aspekt të jetës së tyre nën diktaturën e proletariatit. 

Ishte një kohë kur sterilët trushplarë e vigjilentë, drejtuesit politikë që orkestronin atë kakofoni buçitëse dhe tërhiqnin fijet nga mbrapa si në një teatër kukullash dhe survejimi i Sigurimit të Shtetit ishin në sinkron të plotë, por absurd. Njerëzit pa mbështetje dhe ata q:e kujtonin se e kishin, nuk guxonin dhe nuk e imagjinonin që mund të flisnin të lirë, p.sh, për fenë, jo më që të ankoheshin për partine e tyre “mëmë”, apo të ndiqnin modën, qoftë dhe atë Lindore, jo më të mbanin baseta apo floke të gjata apo fund sipër gjurit sin ë Perëndim, etj. Nuk kishte pak të pakënaqur në Shqipërinë e asaj kohe, por kishte vetëm shumë pak të kënaqur, që s’donin t’ia dinim përtej pragut të tyre. Ishte vërtetë një shoqëri e privuar, e shtrënguar dhe e presuar, që dukej sikur nuk dinte të shpërthente më, por ja që ndodhi dhe vendi u hap. Kaos në çdo aspekt të jetës. Romani “Këpuca e aktorit” është një pasqyrë e kësaj. Shkon dhe më tej. Ka një kombinim intrigues i botës reale me irealen, me të përtejmen e bën librin edhe më të ngrohtë dhe më shpirtëror.

Romani “Këpuca e aktorit“ është një nga veprat më të mira të letërsisë moderne shqiptare, vleresimi im është me superlativa.

Më vinte të bëja krahasime, teksa lexoja librin, nga kapitulli në kapitull, nga njëra skenë në tjetrën me librat e tjerë të shkrimtarëve të shquar në botë, të mirënjohur, me çmime prestigjioze e nobelistë në letërsi si me Harper Lee “To kill the Mockingbird “, Toni Morrison “Beloved “, Gabriel García Márquez “One Hundred Years of Solitude “, Orhan Pamuk “Istanbul” apo Jerome Salinger “The Catcher in the rye”, etj.

Kështu dhe Visar Zhiti. Nëpërmjet linjës familjare përshkruan dhe jep tabllone e Shqipërisë në shumë dekada e disa epoka. Këtë ka bërë nobelisti turk në librin “ Istanbul” duke përshkruar jetën e qytetit nga përvoja vetanake pa fshehur dhe duke ndërlidhur realen me artistiken. Sikurse edhe Harper Lee në librin “To kill the Mockingbird “ (Të vrasesh zogun e vogël e të urtë) me përshkrimin e qytetit që tjetër dukej në aparencë dhe tjetër nën të, me llumin e një standarti morali  të dyzuar. Konkluzioni është që i keqi është i keq dhe horri  është horr në çdo kohë dhe në çdo vend dhe nuk ka as ngjyrë dhe as shtresë shoqërore dhe as nacionalitet. Tipin e Çaços me shokë dhe të familjes së tij në romanin “Këpuca e aktorit” e gjen kudo, Visari e solli në formën e provincës shqiptare.

Në roman, krahas rrjedhës kryesore të ngjarjeve, të sagës së familjes dhe teatrit, prishjes dhe tragjizmit përmbyllës, të shkruar me mjaft mjeshtëri, ka ndodhi dhe episode njerëzore e shumë detaje goditëse, realitet historik e aktual dhe fantazi, mbresëlënëse dhe risi si takimi me At Fishtën në Shkodër, tjetër, në shtëpinë e Nënë Terezës dhe motrave të saj në Tiranë, Mit’hat Frashëri në luftën me libra, cigania, bariu dhe ujku me delen që i shkon nga pas, etj, Pinoku, i riparuar me dru shqiptar, që mund t’i shtohej edhe dru tjetër ballkanik, lufta italo-greke dhe poeti nobelist, nëntoger Odisea Elitis, gjetja e këpucës tjetër të vjedhur dhe matriarkati në fshatrat e largët të Elbasanit, thyerja e bustit të Enverin, hapja e Shqipërisë, aktorët e rinj në teatrin e demokracisë, Irisi në Çikago dhe djali nga Prizreni, shoku i saj, etj, etj, të cilat përmbledhin kohë të atdheut dhe e bëjnë romanin me interes të gjerë e mjaft tërheqës artistikisht nga fillimi deri në fund.

Romani ka dhe anën suprizuese dhe integruese. Po rikthehem pas në episodin kyç: “Ju luani mirë”, fjalë të cilat Enveri ia tha protagonistit, aktorit Hektor Tomorri, të cilat aq sa i japin kënaqësi dhe siguri, po aq e shqetësojnë dhe ndjehet i kërcënuar. Mendon se nuk do ta ketë të gjatë. Pasi di bëmat e Enverit, vrasjen e kunatit të tij, Bahri Omari, apo çfarë ai inskenoi me dramën “Njollat e Murme“ apo eliminimin e bashkëpunëtorëve të vet në emër të partisë së tij, e lejon fantazinë ta çojë protagonistin apo këdo persoanzh para skuadrës së pushkatimit, aq më tepër që në roman na shfaqen në mënyrë dramatike gjyqet e para, të cilat u bënë në skenat e Teatrit të kryeqytetit, ku gjykatësit ishin gjykatës të vërtetë, partizanë të sapo dalë nga lufta dhe ata që do të denoheshin, do të pushkatoheshin vërtet, intelektualë e gazetarë e mes tyre dhe një grua shkrimtare. 

Hektori pati fat tjetër, shpëtoi. E pësoi teatri, kur nuk pritej, e shëmbin, pikërisht në orën kur bëheshin dhe pushkatimet, gjejmë që në faqen e parë të romanit. Dhe ndodhin mënxyra të tjera e shaktërrime, anarki dhe fundi i romanit ka prapë luftë, ajo e Ukrainës, por ama ofron shpresë dhe optimizem. Faqja e fundit e romanit, në kundërshtim me faqen e parë që përmend pushkatimet, mbyllet me Irisin, vajzën e Hektorit, të rritur dhe të lumtur, në pritje të një fëmije.

Si përfundim romani “Këpuca e aktorit” të Visar Zhitit, ku historian a vjen si kaualitet dhe aktualiteti si histori, është një ecje e bukur drejt jetës që rilind çdo ditë. 

Kepuca e Aktorit - Bukinist
C:\Users\User\Downloads\7c43660a-81fd-4aa1-8609-4d69d7601cea.jpg

        Ballina e romanit me një piktir;e nga Atjon Zhiti                      Inxhinier Milto Skrami në Çikago

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

Ata që shkelin mbi gjakun e Dëshmorëve të Kombit i mallkon historia!

January 13, 2023 by s p

Prof. dr. Nusret Pllana

Universiteti ‘‘Hasan Prishtina’’

Prishtinë/

(Shqiptarëve që nuk u ngopën me mallra të Serbisë)

Javë më parë shkoi viti 2022. Në këtë vit 370 milion euro i janë dërguar Serbisë nga Kosova. Qeveritë që vijnë e shkojnë në Kosovë, nuk janë aty që të tallen me njëra-tjetrën, se kush ka punuar më shumë me Serbinë, por që ta qeverisin sa më mirë Kosovën. Partitë politike në Kosovë, kur bëjnë gara për ta marrë pushtetin, punën kryesore e kanë që të punojnë mirë për Kosovën, e jo të akuzojnë njëra-tjetrën kush i ka dhënë Serbisë më shumë para. Ato para janë të Kosovës, nga kudo që vijnë, nga mërgata jonë, apo nga djersa e qytetarëve të Kosovës. Prandaj, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë dhe t’i harxhojnë atje ku ju thotë mendja dhe atje ku kanë më shumë përfitime. Por, jo duke blerë me çdo kusht mallra të Serbisë, qoftë edhe kur janë më lirë, qoftë edhe pa e ditur mirë kualitetin e tyre, qoftë edhe kur janë me afat të kaluar përdorimi. Vetëm ata që i ka lënë kujtesa historike, mund të mos e dijnë për gjenocidin më shumë se njëqindvjeçar që ka bërë Serbia mbi shqiptarët. Më 1878 deri më 1881 me gjenocid kryhet spastrimi etnik i shqiptarëve nga Kazaja e Nishit dhe e Topanicës. Çka ka mbetur sot nga ato toka, nga ata njerëz, ku janë dhe ku kanë mbetur? Ata pak që kanë shpëtuar nga vdekja, janë diku nëpër botë, në Turqi, në SHBA, në Evropë, por pjesa më e madhe e tyre nuk flasin shqip, nuk dijnë shqip, as nuk kujtohen se çka ka ndodhur me ta. Cili popull e harron kaq shpejt e kaq lehtë gjenocidin që bëri Serbia fashiste, bashkë edhe me disa qendra të Evropës së  kohës, kur pjesët më pjellore të tokave shqiptare i jepen Serbisë. A e kujtojnë shqiptarët se çka ka ndodhur me Tivarin, me Çamërinë, me Ulqinin e me viset e tjera të atyre tokave shqiptare. Duhej edhe flota e luftanijeve të Evropës që ato qytete shqiptare t’i dorëzoheshin Malit të Zi, Greqisë e Serbisë. Nëse keni harruar të lexoni shqip, atëherë lexojeni Dimitrije Tucoviqin, një ushtar serb i Luftës ballkanike, që flet për gjenocidin serb në Kosovë dhe në Lumë, që sot është pjesë e Shqipërisë londineze. Sepse e tillë është kjo Shqipëri, atdheu ynë, londineze, ngase e ka copëtuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913. Nëse keni harruar çka u kanë thënë gjyshërit dhe baballarët për Luftën e Shaban Polluzhës, pyetni secilin historian tonë(me ndonjë përjashtim të vogël), nëse njëherë nuk ka shkruar se ajo ishte luftë terroriste, siç e kishte cilësuar politika e Beogradit, kurse pas viteve nëntëdhjetë doli se ishte luftë çlirimtare, luftë për ekzistencë.  

Nëse të gjitha këto i keni harruar, si është e mundur të keni harruar Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila së bashku me NATON, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, e ka çliruar këtë pjesë të atdheut tonë?! E ka çliruar dhe qe më shumë se dy dekada jemi vend i lirë, që nga viti 2008 jemi shtet i pavarur. 

Pra, nëse nuk e keni harruar këtë luftë, doemos i vizitoni Varret e Dëshmorëve të Kombit, se vetëm aty ende ka mbetur Flamuri Kombëtar, me të cilin ka dhënë jetën secili luftëtarë i lirisë sonë. Nëse të gjitha këto mund t’i keni harruar, ju shqiptarë të dashur, e ju qeveritarë të nderuar, si është e mundur t’i keni harruar 1432 fëmijë të vrarë, nga barku i nënës e deri në moshën 17 vjeçare. Ku ka gjenocid më të madh se kjo gjëmë me përmasë kombëtare, janë 1432 fëmijë që sot nuk e gëzojnë lirinë e Kosovës, kurse shqiptarët blejnë mallra të Serbisë pa ju dridhur syri nga turpi i historisë. Në anën tjetër, qeveritarët tanë luajnë politikash duke akuzuar njëri-tjetrin, sa për tradhti kombëtare, sa për hajni, sa për prostitucion, sa për shitje të interesave kombëtare, duke e fajsuar her Serbinë, her Evropën, e ndonjëherë tjetër edhe Amerikën. Kurse Institucionet tona shkencore, Akademia jonë e shkencave, jo vetëm nuk kanë kohë të merren me ndonjë proces historik që ka hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ata siç ishin dje kundër kësaj lufte, edhe pas luftës, janë kundër atyre që kanë sjellë lirinë. Atyre, pra shumicës së dijetarëve tanë, shumicës së Institucioneve tona shkencore, Akademisë sonë, jo vetëm nuk u bën goja punë ta thonë një fjalë të mirë për luftën që solli lirinë dhe çlirimin e kësaj pjese të atdheut tonë, Shqipërisë, por akuzojnë këtë luftë e këta çlirimtarë edhe më keq se Serbia. 

Në një pjesë të shtypit tonë, në një pjesë të botimeve tona, edhe të Akademisë së Kosovës, ajo që është shkruar dhe shkruhet edhe sot, kundër luftëtarëve të lirisë dhe kundër luftës çlirimtare, edhe shtypin e  Beogradit e lë pa tekst!! 

Kurse statistikat thonë se 370 milion i janë dërguar Serbisë. Por, kjo nuk është me rëndësi, sepse në vitet e tjera paskan dhënë edhe më shumë, herë 600 milion euro, herë 800 milion, andaj jemi shumë të kënaqur që kësaj radhe, Serbisë i janë dhënë vetëm 370 milion euro. Thuhet kështu, edhe kur në kopshtin e fëmijëve që mban emrin ‘‘Nëna Zahide’’, pra emrin e nënës së Komandantit Legjendar, Adem Jasharit, fëmijëve të kopshtit u jepen dhurata nga firmat e Serbisë.  Thuhet kështu, edhe për faktin se qeveritë tona, pa marrë parasysh cilës parti i takojnë, nuk janë të zonjat ta qeverisin edhe këtë pjesë të jetës së shqiptarëve, se ndoshta e bëjnë në emër të mos cenimit të të Drejtave të Njeriut, andaj fusin në Kosovë kudo mallra të Serbisë, edhe në kopshtet e fëmijëve. Mallrat kancerogjene të Serbisë nuk vijnë në Kosovë dhe në Shqipëri, vetëm kur bllokohen rrugët nga ata që i mban Beogradi, jo vetëm me paga të majme, por edhe me çdo gjë tjetër, edhe duke ju ndërtuar komplekse banimi e objekte kulture, universitete dhe shkolla të mesme, lapidar të heronjve kishtarë e kriminelë serbë në mes të Kosovës. 

Kështu që pasi e ndajnë përgjysmë Mitrovicën, askush qe sa vjet nuk i zë në gojë ata 11 mijë shqiptarë që janë përzënë nga shtëpitë e tyre, pak vjet pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Rrugët mund të bllokohen, por qarkullimi i mallrave serbe, kryesisht nga tregtarët shqiptarë, nuk bllokohet kurrë. Nuk bllokohet, as kur vritet shqiptari, Artan Zymberi, ngase paska pasur në trup dy tatu, Skënderbeun dhe Adem Jasharin. Mallrat serbe, nuk bllokohen të hyjnë në Kosovë, edhe nga të shumtët tugjarë shqiptarë të frymës projugosllave e proserbe, dhe askush nuk ka kohë të reagojë, as nga Presidenca, as nga Qeveria, as nga ministri të ndryshme, por as nga ndonjë institucion yni shkencor, si Akademia jonë, fjala vjen, sepse ata nuk i shohin as kolonat e shqiptarëve duke pritur me orë të tëra në kufirin që na ndanë me Serbinë, sepse ata nuk i shohin as reagimet e organeve të pushtetit tonë, as të ndërkombëtarëve, qoftë edhe kur ndonjë shqiptar në vetëmbrojtje për të mos e ndotur uniformën e ushtarit të Ushtrisë së Kosovës, shkrep në ajër dy-tre plumba. Atëherë bëhet hataja, reagojnë aq ashpër, pa zgjedhur as fjalorin, dhe duke u përzierë në punët e organeve të drejtësisë, kurse bashkë me ta, reagojnë të gjitha institucionet e Evropës si dhe ambasadorë të disa vendeve. 

Prandaj, del sheshit se asnjë institucion yni, as qeveritar, as shkencor nuk ka kohë të merret me praninë milionëshe të mallrave serbe në Kosovë, e në anën tjetër, e kemi plotë gojën liri, demokraci, drejtësi. Për turp të zotit, se sa duket, mjafton që janë në pushtet dhe mjafton që mund ta shajnë njëri-tjetrin deri në cilësimin tradhtar i kombit. 

Në fund, asgjë më mirë nuk i shkon gjendjes sonë, se sa mençuria e një plaku në një fshat të Kosovës. Nipin e tij të vogël që ruante bagëtinë, e kishte rrahur një burrë i moshuar, se ai kishte bërë sherr. Kur vjen në mbrëmje në shtëpi, nipi i tregon gjyshit, se babanë nuk e kishte, ia kishin mbytur në Aksionin e armëve në vitin 1955. Gjyshi i thotë nipit, dil në sheshin e fshatit mos po shoshësh dikë të vdekur. Nipi, që e kishte parë babanë e tij të shtrirë si kufomë, mendonte se i vdekuri duhej të ishte i shtrirë. Del, por nuk e sheh askënd të shtrirë. Kthehet dhe i thotë gjyshit se nuk ishte askush i vdekur. Mendova mos ka vdekur kush nga turpi, nipi im, i thotë gjyshi. Do të thotë, as tashti, askush nuk vdes nga turpi.

Po të ngjallej për një moment gjeniu i letrave shqipe, i Madhi Faik Konica, sërish zemërplasur do të thoshte: “ Ruaje Zot Shqipërinë prej shqiptarëve”!

Prishtinë, janar, 2023  

Filed Under: Komente Tagged With: Nusret pllana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1886
  • 1887
  • 1888
  • 1889
  • 1890
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT