• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOLI NGA SHTYPI LIBRI RUGOVA: KRYENGRITJA DHE MASAKRA 1918-1919

January 9, 2023 by s p

(Kumtesa të simpoziumit shkencor ’’ 100-vjetori i kryengritjes dhe i masakrave të Malit të Zi e të Serbisë në Shtupeq dhe në katunde të tjerë të Rugovës, më 1919’’, Pejë, më 15 shkurt 2019, organizuar nga Universiteti ’’Haxhi Zeka’’, Pejë, dhe Klubi i Intelektualëve i Rugovës, Prishtinë, projekti prof. dr. Zymer Ujkan Neziri. Botues Instituti i Historisë ’’Ali Hadri’’, Prishtinë, kryeredaktore prof. dr. Teuta Shala-Peli, përgatitja për shtyp prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, prof. asoc. dr. Luan Tetaj, Prishtinë, 2022, 418 faqe, ISBN 978-9951-9069-6-8)  

Kumtuesit janë studiues të përmendur, shumica nga qendrat tona universitare Tiranë, Prishtinë, Shkup, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër: dr. sc. Arben Arifi, Prishtinë, prof. Binak Ulaj, Plavë e Guci, prof. as. dr. Elinda Ramadani, Shkodër, prof. dr. Fatmira Musaj, Tiranë, prof. as. dr. Fitim Rifati, Prishtinë, prof. dr. Hakif Bajrami, Prishtinë, prof. dr. Haki Kasumi, Prishtinë, prof. dr. Isamedin Azizi, Shkup, prof. dr. Limon Rushiti, Prishtinë, prof. as. dr. Luan Tetaj, Prishtinë, prof. dr. Lush Culaj, Prishtinë, dr. sc. Mark Palnikaj, Tiranë, dr. sci. Nail Draga, Ulqin, mr. sc. Nikollë Loka, Tiranë, prof. dr. Dom Nikë Ukgjini, Shkodër, dr. sci. Qerim Lita, Shkup, prof. Rexhep Dedushaj, Plavë e Guci, prof. as. dr. Rudina Mita, Elbasan, prof. dr. Shyqyri Hysi, Gjirokastër, prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, Prishtinë. 

Kumtesat trajtojnë temat: Peja e Rugova gjatë Luftës së Parë Botërore; ripushtimi, qëndresa e armatosur për të mbetur Shqipëri; shtabi i kryengritjes, vjeshtë-dimër 1918-1919, me tre rugovas: Mehmet Shabani, Keri i Sadri Bardhit, Bekë Hyseni (?) dhe me gjashtë nga Peja, Plava, Gucia, Podgorica, Gjakova; dokumente për aktivitetet ushtarake serbe e malazeze të katër mijë forcave kundër një mijë kryengritësve shqiptarë; roli i Francës në shuarjen e kryengritjes; mizoritë serbe e malazeze në Rugovë, Plavë e Guci; Masakra e Shtupeqit; shpërngulja; Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës; kërkesat e shqiptarëve në Paris, më 1919: ardhja e ushtrisë amerikane në Rugovë, Plavë e Guci; kujtime për Masakrën e Shtupeqit; krimet në shtypin shqiptar në Amerikë 1919-20; kënga dhe historia 1918-19; gjendja arsimore pas pushtimit të parë e të dytë etj.; portrete drejtuesish të kryengritjes.

Aty është edhe dokumenti i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, pjesa për Shtupeqin (e Vogël e të Madh), me emrat e 433 dëshmorëve e martirëve të masakruar, të vrarë ose të djegur të gjallë nëpër shtëpia dhe në Hanin e Isuf Veselit, më 16 shkurt 1919. Mosha e tyre është nga fëmija një vjeç (djali i Shabanit, Sh. i Madh) e deri te plaka 101 vjeçe (gruaja e Ibishit, Sh. i Madh). Ndër ta është edhe bajraktari i Bajrakut të Shtupeqit të Vogël, Mehmet Shabani – Pepënikaj, i plagosur gjatë luftimeve, i zënë rob në Lipë dhe i mbytur mizorisht bashkë me ndihmësin e tij, Bekë Hyseni – Nilënikaj. Por, ka aty edhe disa emra banorësh që kanë shpëtuar, mirëpo ka edhe emra që mungojnë, prandaj aty kemi edhe versionin e vërtetë. 

Dokumenti i KMKK-së, i dt. 8 shkurt-25 shkurt 1919, është dorëzuar në Lidhjen e Kombeve, më 21 dhjetor 1921, me të dhëna për Rugovën, Plavën, Gucinë, Pejën, Gjakovën, Rozhajën. Versioni i tashëm, i botuar në rev. ’Dy Drina’’, Shtupeqi (i Vogël dhe i Madh), është i përkthyer nga frëngjishtja dhe është përgatitur për shtyp nga Kujtim Nuro. Aty është edhe projekti ynë ideor për ndërtimin e Qendrës Përkujtimore në Shtupeq, që do të ketë lapidarin 19 metra të lartë, emrat, si dhe varret e tyre pa eshtra.

Ky libër është përpjekje për të larë borxh ndaj atyre që u masakruan nga Serbia dhe Mali i Zi vetëm pse ishin shqiptarë. Kjo është dëshmi për ndriçimin e mëtejshëm të historisë më të re, të kryengritjes dhe të krimeve të Malit të Zi e të Serbisë mbi popullin shqiptar. Më kryesorja është që me këtë simpozium t’ia kujtojmë brezit të ri rrugëtimin e përgjakshëm të të parëve tanë nën robëri, nga viti 1912 deri në qershor 1999, kur Rugova e Peja gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përsëri janë masakruar, janë plaçkitur e janë djegur nga Mali i Zi e Serbia. Mirëpo, dihet se deri më sot ato nuk kanë kërkuar falje për krimet, nuk i kanë kthyer eshtrat e të pagjeturve, as nuk i kanë paguar dëmet e shkaktuara, ndonëse luftën e kanë humbur. Madje, Malin e Zi e kanë shpërblyer 80 deputetë shqiptarë, me afër një të tretën e krahinës së Rugovës, më 21 mars 2018, në Kuvendin e Republikës së Kosovës!

Recensues të librit janë prof. dr. Bedri Muhadri, prof. asoc. dr. Dr. Luan Tetaj, prof. asoc. dr. Haxhi Ademi, kurse redaktorë janë prof. dr. Lush Culaj, prof. dr. Fatmira Musaj, prof. asoc. dr. Fitim Rifati, prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, redaktor përgjegjës. Kumtesat janë të përgatitura për shtyp sipas standardeve të larta: kanë shkurtore, fjalë ҫelësa, përfundime, rezyme në anglisht, fusnota e bibliografi të plota, tregues të emrave dhe një fotoalbum nga simpozumi.

Filed Under: Interviste Tagged With: ZYMER NEZIRI

NDERIM VEPRËS SË GJENERAL ABAS KUPIT

January 9, 2023 by s p

Asllan Bushati/

Gjeneral Abas Kupi sic e ka provuar koha dhe historia, ishte shembëlltyra e vetvehtes. Pra duke e parë problemin në kontekstin e kohës, ai u lind,u rrit, dhe jetoi në një kohë shumë të vështirë për Kombin tonë. Kohë kur gati pesëqind vite me shumë mundim erdhi pavarësia e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Koha kur plasi Lufta Ballkanike dhe Lufta e Parë Boterore, lufta për konsolidimin e shtetit shqiptar, lufta për mbrojtjen e tërësisë teritoriale, lufta për mbrojtjen nga pushtuesit fashist e nazist dhe në fund fillimi i luftës kundër diktaturës komuniste. Pra gjithë jeta e Gjeneral Abas Kupit në një formë ose në një tjetër, është jetë në luftë.

Por historia dhe përvoja na mësojnë se kohët e vështira ndiellin e formojnë si prijësa njerëz me tipare e cilësi të vecanta sic janë: trimeria, besa e vizioni. Ata dinë ta shohin kohën në rrethanat konkrete, por kanë qartësine edhe për të ardhmen. Gjëja më madhore në interesat e nje kombi janë vetë interesat kombëtare dhe pikerisht për këto dallohet prijesi nëse ka forcë morale ti bashkojë njerëzit për t’ju përqasur, mbrojtur e cuar përpara interest kombëtare.

Parë nga ky kënd vështrimi Gjeneral Abas Kupi është kapedan e prijes i shumë njerëzve, luftëtar trima e liridashës nga disa krahina për mbrojtjen e interesave kombëtare. Ai ka patur shkollën e madhe të luftëse, e të përvojës së jetes të lidhura këto me dhunti e qartësi të mëdha për problemet madhore të kohës së tij. Ai ka hyrë krejt natyrshëm në historinë e Shqipërisë si prijës e gjeneral me shumë vepra në shërbim të Kombit. Më lejoni me këtë rast të citoj një thënie lapidare të tij më 24 Tetor 1944 ku thuhet :”C’prej momentit të parë që u sulmua toka jonë e shtrejtë prej armiqëve fashist, ne kemi qenë ata që kemi bërë cmos për të shpëtue nderin kombëtar dhe jemi përpjekur për bashkim të përgjithshëm dhe bashkëveprim me të gjithë shqiptarët pa dallim rryme dhe ideologjije. Ne jemi përpjekur për bashkim dhe vllazërimin e shpirtrave për të larguar luftën civile dhe për të siguruar luftën e përbashkët për shporrjen e okupatorit prej tokës sonë të shenjtë.”

Brezit tonë dhe breznive që do te vijnë, përjetësisht ju takon ti bëjnë nderimet e duhura veprës së Gjeneral Abas Kupit, sepse ajo është pjesë e historisë dhe pjesë e rëndësishme e luftës dhe e vlerave tona kombëtare.

Në të njejtën kohë nderime të larta meriton edhe tërë Familja Kupi, e cila i dha Kombit tonë pjestarë të familjes, nder e respekt dhe megjithese u dogj, u burgos, u interrnu ajo nuk u përkul por mbajti lart nderin dhe dinjitetin e një familje të ndreruar shqiptare.

I nderuar qoftë gjithmonë kujtimi dhe vepra madhore e Gjeneral Abas Kupit.

Me shumë respekt për të gjithë ju të pranishëm dhe Familjen Kupi .

Filed Under: Vatra Tagged With: asllan Bushati

Islamizimi i shqiptarëve, gjatë periudhës së pushtimit osman

January 9, 2023 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/

Perandoria Osmane ishte një perandori kozmopolite, me një ekonomi dhe ushtri të fuqishme, sidomos gjatë shekujve 16-të dhe 17-të, me një influencë të madhe midis Lindjes dhe Perëndimit. Perandoria Osmane u krijua në vitin 1299, në Veriperëndim të Azisë së Vogël, dhe kishte për qëllim pushtimin e tokave që kontrolloheshin nga Perandoria Bizantine. Madje, për të arritur qëllimin e tyre, osmanët patën hartuar planin për ekspansion më të gjerë drejt Perëndimit. Pas ardhjes së Sulltan Muratit të Parë në front, i cili kreu shumë fitore, u krijua menjëherë përshtypja se kjo perandori vështirë të ndalej në synimet e saj për të pushtuar Europën. Shqipëria ka qenë 500 vjet nën sundimin osman, në vitet 1384 dhe 1912, deri kur Perandoria Turke u dobësua për shkak të luftës me Rusinë, kur katër vilajetet shqiptare u bashkuan në gusht të 1912, dhe, më pas triumfoi akti i pavarësisë së trojeve shqiptare, nga babai i kombit, Ismail Qemali. 

                Osmanët kanë hyrë në tokat shqiptare, përmes Bullgarisë dhe Maqedonisë, në një kohë kur princat shqiptarë, Topia dhe Balsha II, ishin në konflikt me njëri-tjetrin për të marrë nën administrim sa më shumë toka shqiptare. Balsha II ishte fuqizuar së tepërmi dhe kjo bëri që Karl Topia të xhelozojë, duke bërë një gabim të madh që Shqipëria të shndërrohej në vasalitetin e Perandorisë Osmane për 500 vjet. Pra, Karl Topia i thirri osmanët për t’iu kundërvënë Balshës II, në Betejën e Savrës në vitin 1384, e cila përfundoi me vdekjen e këtij të fundit, por, këtu nisi pushtimi i territoreve shqiptare nga Perandoria Osmane. Osmanët shfrytëzuan mosmarrëveshjet e princave shqiptarë, për të pushtuar tokat shqiptare, dhe për t’u shtrirë më gjerë drejt Europës.

Islamizimi i shqiptarëve

                   Pushtimi osman në tokat shqiptare, zgjerimi i Perandorisë Osmane drejt Perëndimit, është një faqe shumë e gjerë e historisë, e cila nuk nisi brenda një dite. Për të folur për pushtimin osman në trojet shqiptare dhe më gjerë, janë bërë studime të shumta në, nga autorë të huaj modernë dhe të antikitetit, por do të ndalem në një pikë tjetër, në islamizimin e shqiptarëve gjatë periudhës së pushtimit osman. Shumë debate, diskutime, artikuj të ndryshëm janë hapur dhe shkruar sa i takon islamizimit të shqiptarëve, gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. A janë islamizuar shqiptarët me dhunë apo me dëshirë? Përse Serbia dhe Greqia nuk janë konvertuar në fenë islame? Diskutimet janë nga më të ndryshmet, ku disa mbrojnë me fanatizëm tezën se osmanët kanë ushtruar dhunë te shqiptarët për të ndryshuar fenë e tyre; pjesa tjetër shprehen se në librat e historisë në shkolla është shkruar një gënjeshtër e madhe, pasi, jo vetëm që nuk kanë ushtruar dhunë, por as gjuhën shqipe nuk e ndaluan, pasi, në rast të kundërt, sot, askush nuk do të mundtte të fliste shqip. 

                Sipas njohësve të mirë të kësaj fushe, profesionistëve të osmanologjisë, konvertimi i shqiptarëve në fenë islame është kryer në një situatë komplekse, dhe nuk mund të ketë një përgjigje përfundimtare për të dyja proceset, me dhunë apo me dëshirë, ose mund të thuhet se janë aplikuar të dyja situatat. Sa i takon shqiptarëve që u islamizuan me dëshirë, kanë ndikuar shumë faktorë si ekonomikë, psikologjikë dhe politikë. Në bazë të të dhënave historike dhe osmanologëve të fushës, elita shqiptare ishte e para që pranoi islamin, për t’u integruar në Perandorinë Osmane dhe për të ruajtur tokat e tyre. Pra, ata shqiptarë që donin të bënin karrierë dhe të kishin privilegje, e pranuan islamin si fenë e tyre. 

                  Sipas të dhënave historike, shumë shqiptarë dhe kushërinj të Skëndërbeut u islamizuan; ata ishin pararoja e ushtrisë osmane kundër tij. Në defterët e Epopesë së Skëndërbeut, të Matit dhe të Dibrës, gjen shqiptarë të islamizuar, që kanë patur shumë privilegje. Ata kanë qenë spahi dhe kanë patur tokat më të mira që ua ka dhënë shteti. Te feja islame shikonin të gjenin sa më shumë privilegje, të mos paguanin taksa dhe të mos kishin probleme me Sulltanin. Por, sigurisht mund të themi se ka patur edhe vrasje përderisa kjo ishte një luftë fetare, në periudhën pas pushtimit. Siç është bërë e ditur, në një nga rastet e dhunës, dy françeskanët e parë që erdhën në vitin 1636 në Shosh, Pader Kerubino ngaa Vallebonas dhe Pader Bonaventura nga Pallazuola, u kërcënuan me vdekje dhe u larguan. Në vitin 1644 janë ngulur në hunj të gjallë dy fretër në Shkodër dhe janë vrarë dy fretër në Kelmend në buzë të lumit Cem. Nga viti 1620 deri në vitin 1750, janë vrarë 11 fretër vetëm në dioqezat e Pultit dhe Shkodrës. 

                 Serbët dhe grekët nuk u islamizuan, pasi ata kishin Kishën e tyre Autoqefale; nuk e ndërruan fenë, por u lanë dorë të lirë osmanëve në tokat e tyre. Popullsia e krishtere ishte e mbrotjur nga Sulltani, por me një kusht; ose do vinin të luftonin përkrah ushtrisë osmane, sa herë të kishte nevojë, ose do paguanin taksa. Vendi ishte vasal gjatë sundimit osman, pra, princat ruanin autoritetin e tyre administrativ, por në politikën e jashtme do t’i bindeshin Sulltanit. Arkivat turke përmbajnë shumë dokumente të vjetra historike, që i përkasin harkut kohor nga viti 1664 deri më 1914, gjatë periudhës kur Shqipëria qeverisej nga Porta e Lartë. Në dokumentet arkivore nuk përmendet asnjë rast dhune në konvertimin e shqiptarëve në islamë. Madje, shqiptarë që kanë punuar në arkivat turke, e mohojnë rreptësisht se është ushtruar dhunë. 

                  Albanologu gjerman, Peter Bartl, thotë se vitet e pushtimit osman nuk mund të quhen kurrsesi si vitet më të errëta. Studiuesi i njohur ka theksuar se shqiptarët kanë bashkëjetuar me osmanët, pasi ishin pjesë përbërëse e perandorisë osmane, dhe ky përfaqësim ishte i madh në proporcion me numrin e popullatës shqiptare. Më shumë se 30 vezirë të mëdhenj ishin me origjinë shqiptare. Shumë shqiptarë kanë mbajtur detyra të larta drejtuese në administratën shtetërore të Portës së Lartë, si kryeministra, ministra, deputetë, etj. Një ndër ta ishte Ismail Qemali, i cili, gjithë përvojën e tij si funksionar i lartë në administratën turke, e përdori për të krijuar shtetin e parë shqiptar. 

                Osmanologu turk, Ilber Ortayli, në një prononcim që ka dhënë për një media, është shprehur se shqiptarët e kanë pranuar besimin islam pas pushimit osman. “Perandoria Osmane, që nga fillimi u zgjerua në vendet e Rumelisë, Perandorinë Romake, jo greke, sepse europianët emrin Rum e përkthejnë si Kisha Ortodokse Greke. Zgjerimi i Perandorisë, në bazë të administratës kozmopolite, natyrisht ka qenë myslimane, natyrisht gjuha ka qenë turke, por ka pasur edhe minotitete të tjera, dhe këto minoritete nëse kanë pasur gjuhë apo origjinë tjetër, kurdo që e pranuan islamin ata nuk patën probleme. E këtillë ka qenë edhe gjendja e shqiptarëve, sepse shqiptarët kanë filluar të konvertohen në fenë islame pas pushtimit, dhe askujt nuk i ka interesuar etnia e tyre”, thotë ai. 

Toleranca e besimeve fetare

               Sipas të dhënave historike dhe osmanologëve të fushës, Perandoria Osmane kishte tolerancë në besimet e tjera. Duke u gjendur përballë fakteve të shumta, se Perandoria respektonte besimet e tjera, pjesëmarrja e shumë shqiptarëve në administratën dhe ushtrinë osmane, mendoj se ato vrasje ndaj të krishterëve mund të jenë kryer në fillim të pushtimit osman, ose në ato raste kur janë hasur në rezistencën e tyre për të ruajtur tokat dhe kulturën fetare. Megjithatë, pushtimi ishte i padëshiruar dhe nuk kishte asnjë reagim dhe interes nga Fuqitë e Mëdha, për të nxjerrë Shqipërinë nga një pushtim kaq i gjatë; arsyet gjithmonë janë për interesa politike ashtu siç veprohet edhe sot. Gjithmonë, sipas njohurive historike, Perandoria kishte marrë Kostandinopojën, e cila kishte një patriark që ishte shefi i krejt besimtarëve ortodoksë. Detyrat e patriarkut dhe të sulltanit ishin të ndara. Sulltani i kërkonte patriarkut jo rebelim ndaj besimit islam, dhe të mblidhte taksat. Defteri arvanit, i vitit 1431, thotë se në mesin e timarxhinjve kishte edhe të krishterë, pra Perandoria respektonte prakticizmin e riteve fetare.              

              Madje, një dokument turk thotë se shteti perandorak pati ndihmuar me 75.000 guru përfundimin e punimeve të Kishës në Shkodër. Ndërkohë, edhe osmanologu turk, thotë se ka patur tolerancë në besimet fetare dhe gjuha shqipe është folur, pra nuk është ndaluar. “I kanë rekrutuar fëmijët e krishterë, por normalisht shërbyesit civilë dhe madje anëtarët e ulemasë dhe tarikatit, të cilët kanë qenë shqiptarë, në ato lloje shërbime, natyrisht i kanë përdorur gjuhët shqipe dhe turke, si në Maqedoni, Tetovë, si edhe në Shqipëri. Psh, bektashinjtë janë shqiptarë, por e përdornin edhe turqishten, sepse ky ka qenë komuniteti i tyre, duhet të flsinin të dyja gjuhët. Prandaj, shtrirja e perandorisë, para së gjithash, bazohet në këto llojë kozmopolite turke. Ata i ulën taksat. Përfundoi eksploatimi. Para pushtimit”, shprehet osmanologu turk. 

Rekrutimi i shqiptarëve, në ushtrinë osmane

              Interesi i osmanëve ishte që të konvertoheshin sa më shumë shqiptarë në fenë myslimane, në mënyrë që në radhët e tyre të kishin njerëz sa më të besuar, duke fuqizuar sa më shumë ushtrinë turke. Kështu, kemi raste kur osmanët rekrutonin shqiptarë në ushtrinë osmane, duke i joshur me para. Nga gjendja jo e mirë ekonomiko-sociale, shumë prej tyre pranonin jo vetëm të hollat, por edhe islamin. I gjendur në këtë situatë, Skëndërbeu ndoqi një politikë të brendshme dhe të jashtme shumë aktive. Hapi i paë ishte tubimi në një Kuvend i të gjithë fisnikëve të vendit dhe zotëruesve të tokave. Kuvendi u mbajt më 2 mars 1444, në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Ishte kjo një bashkësi e gjerë kombëtare, një bashkërenditje për t’i rezistuar synimeve osmane për pushtimin e tokave shqiptare.      

                Skëndërbeu, në burimet osmane, paraqitet si një personalitet shumë kompleks dhe i avancuar për kohën. Ai ishte luftëtar dhe komandant i jazhtëzakonshëm. Historia e njeh edhe si diplomat të shkathët. Sulltan Murati 2 dërgoi tre ekspedita ndëshkuese më 1455/1488 që të mposhtte Skëndërbeun, por që të tria u thyen keq nga heroi shqiptar, i cili po mahniste princër dhe mbretër të Europës për karakterin e tij të fortë dhe taktikat e luftës. 

Shkollat shqipe

                Të gjithë e dimë se shkolla e parë zyrtare shqipe është hapur më 7 Mars 1887 në Korçë, kur Naim Frashëri ia kërkoi Portës së Lartë. Por shkollat shqipe kanë ekzistuar akoma më herët, gjatë pushtimit osman. Këtu, misionarët katolikë kanë luajtur rol thelbësor në edukimin fetar dhe social të popullsisë shqiptare. Shkollat kanë qenë në gjuhën shqipe, ndërsa programi ka qenë osman. Sipas dokumenteve dhe studimeve që janë bërë, priftërinjtë hapën shkolla që datojnë nga viti 1585; në Kurbin më 1632; shkolla e Pllanës dhe të Blinishtit në vitin 1644; shkolla e mesme në Janjevë të vitit 1670; shkolla e Rrjollit, e hapur nga Pjetër Bogdani me mësues Marin Gjini, në vitin 1675; shkolla e Shkodrës, e hapur nga Filipi, nga Shkodra, në vitin 1698, e shumë shkolla të tjera.

             Kështu, në vitet e pushtimit osman, mësimi i gjuhës shqipe bëhej në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në vitin 1584, në Stubëll të Kosovës, pastaj në Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (Kosovë) (1665), në Akademinë e Re në Voskopojë e në Medresenë e Bushatllinjëve në Shkodër, etj. Gjendja e shqiptarëve në dy dekadat e fundit kur Perandoria u largua nga Ballkani, ishte e keqe dhe nuk kishin bërë asnjë investim. Thuhet se në vitet 1500-1600, infrastruktua, ekonomia, ishin shumë më lartë në Shqipëri, por kur filloi të dobësohej Perandoria, ra edhe niveli ekonomik. Pas shpalljes së pavarësisë, popullsia shqiptare vuajti një pushtim akoma më të egër, copëtimin e trojeve dhe përjetoi varfërinë ekstreme, duke u futur në një tjetër kapitull historik pasmesjetar.

Filed Under: Histori Tagged With: Eneida Jacaj

MIQËSIA E VËRTETË DHE E PËRHERSHME ME AMERIKËN

January 9, 2023 by s p

Çështja jonë e drejtë, interesat e përbashkëta strategjike dhe lobimi në Washington e bëjnë të mundur mbështetjen amerikane.

Nga MSc. Agim Aliçkaj

Amerika është vendi i drejtësisë dhe demokracisë, ruajtëse dhe garantuese e paqes botërore. E krijuar nga kombet e të gjithë botës, edhe pse joperfekte, ndien përgjegjësi, synon dhe punon me përkushtim në ruajtjen e rendit botëror.
Nuk ka dyshim se Amerika është shpëtimtarja e Kosovës, drita dhe shpresa e mbarë kombit shqiptar. Interesat tona strategjike në masë të madhe përputhen me ato amerikane. Roli, fuqia dhe rëndësia e Amerikës janë të qarta. Por, si vend i të gjithëve, këtu mund të depërtojnë edhe armiqët tanë. Për t’i bllokuar ata, me Amerikën duhet punuar në mënyrë të përhershme.
Ata që e njohin sistemin amerikan e dinë fare mirë se Amerika në plan të parë i ka interesat e veta nacionale. Politikanët i japin përgjegjësi vetëm votuesve të vet dhe popullit amerikan. Demokracia amerikane funksionon në mënyrë impresive me dy parti kryesore dhe tre degë të qeverisjes, ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore. Secila degë i ka detyrat e veta, bashkëpunojnë me njëra tjetrën por edhe e kontrollojnë njëra tjetrën.
Për afër katër dekada të bashkëpunimit intensiv me Amerikën, Kosova ka patur përkrahje të jashtëzakonshme, por edhe probleme, sidomos me degën ekzekutive, me disa zyrtarë të administratave të ndryshme. Disa të influencuar nga Serbia, tjerët për interesa taktike të ruajtjes së qetësisë relative në Ballkan ose të lënies së përgjegjësisë në kompetenca të Evropës.
Është interesant se shumë ambasadorë amerikan që kanë shërbyer në Beograd e kanë mbajtë anën e Serbisë, si Zimmerman, Eagleburger, Montgomery etj. Shihet se edhe ambasadori Hill ka filluar të ketë mirëkuptim për veprimet destruktive të Beogradit, jashtë sjelljeve normale diplomatike. Serbia gjithmonë e ka gjetë mënyrën t’i përvehtësojë diplomatët e huaj në mënyra të ndryshme.
Rast i veçantë ishte ambasadori Grenell i cili pas përpjekjeve të dështuara për ndarjen e Kosovës dhe rrënimin e demokracisë, u shëndrrua në një pro-serb të dalldisur. Marrëveshja e tij, nënshkruar në Washington, e ndryshuar nga ajo politike në atë për kinse “normalizim të marëdhënjeve ekonomike,” ishte sa e çuditshme e utopike, aq edhe anti-shqiptare. Populli amerikan e shpëtoi Kosovën nga Z. Grenell.
Kosova prapë doli me fat sepse u njoh nga Izraeli gjë që ishte në interes të kampanjës Trump dhe Izraelit për vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Për këtë u zotua edhe Serbia por nuk e realizoi kurrë dhe askush nuk e përmendë më, madje as vet Grenelli. Serbia i thyen marrëveshjet ndërkombëtare sipas qejfit dhe perëndimoret nuk brengosen fare.
Përuljen pa kushte ndaj diplomatëve amerikanë dhe evropianë e proklamojnë dembelat, qyqanat, naivët, mashtruesit, karrieristët e sëmurë për pushtet dhe tradhëtarët. Sipas tyre, Amerika “i di dhe i kontrollon të gjitha punët tona, na mbronë dhe na i rregullon të gjitha”. Na i mbjellë edhe specat në kopsht, ne veç duhet t’i pjekim e t’i hajmë, edhe nëse janë të idhëta. Kjo për ta është “miqësia e përhershme me Amerikën”!
Nuk e kanë të qartë se Amerika, nuk i do qyqanat, kriminelët dhe politikanët e korruptuar. I përdorë për t’i arritur qëllimet e veta taktike dhe i hedhë sipas nevojës. I kupton dhe respekton, në afat të gjatë, ata liderë që e mbrojnë lirinë, demokracinë dhe interesat e veta të drejta kombëtare dhe shtetërore, që kanë plan të qartë dhe strategji të veprimit, si dhe punojnë me zell për t’i arritur. Kritikat dhe mospajtimet janë gjë normale, zakonisht të përkohshme dhe të ndryshueshme varësisht nga situata.
Disa deklarata të fundit të emisarit amerikan Gabriel Escobar ishin të paqarta dhe kundërthënëse. Kërkesa e tij për asociacion i cili nuk e cënon Kushtetutën dhe nuk e dëmton funksionalitetin e shtetit të Kosovës ishte në rregull, por ndryshoi brenda disa ditësh. Gazetarët e pavarur shqiptar, do të duhej ta pyesin ate dhe ambasadorin Hovenier për arsyen e këtij ndryshimi dhe se a është i informuar për këtë Presidenti Biden.
Edhe budallai më i madh e kupton se kërkesa për krijim të Asociacionit të pastër etnik me kompetenca ekzekutive nuk ka të bëj asgjë me të drejtat e njeriut të minoritetit serb, pasiqë ata kanë të drejta më shumë se çdo minoritet tjetër në botë, por është kundër Kosovës, me qëllim të shkatërrimit të shtetit të Kosovës. Është edhe kundër vlerave të proklamuara multietnike evropiane dhe amerikane.
Deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd Christopher Hill se “i vjen keq që është bombarduar Serbia” është e pamatur dhe jodiplomatike. E rehabiliton shtetin serb dhe e ndihmon për të vazhduar me veprime kriminale. Kjo është edhe kundër interesave kombëtare amerikane. Imitimi i ish ambasadorit Grenell nuk i shkon për shtati një diplomati të emëruar nga presidenti Biden.
Ai e di shumë mirë se vendimi për bombardimin e Serbisë gjenocidale është marrë në mënyrë demokratike me miratimin e Kongresit Amerikan. Për më tepër, ai dhe të gjithë ata që përpiqen të përdorin fuqinë e Amerikës për të ndërmarrë veprime të pajustifikuara dhe për të mbështetur kauzat e gabuara, duhet të kuptojnë se kjo ka kufij. Amerika ka forcë për të mposhtur shtetet kriminale, fashiste si Serbia dhe Rusia, por jo për të nënshtruar popujt që luftojnë për liri, drejtësi dhe demokraci.
Mbështetja e popullit amerikan është thelbësore për vendimet me interes jetik të SHBA-së. Zoti Hill, diplomatët dhe zyrtarët amerikanë duhet t’i arësyetojnë veprimet e tyre përpara Kongresit Amerikan. Një shembull i ballafaqimit me zyrtarë të tillë është puna e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Washington, e udhëhequr nga legjendat e lobimit Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi. Kjo punë e madhe është e dokumentuar mirë dhe mund të mësohet përmes faqes së internetit “aacl.com”.
Përfundimisht, me Amerikën nuk ka nevojë për përulje qorre pa kushte. Duhet konsultim, bashkëpunim dhe bashkëveprim i përhershëm. Qëndrimet e kundërta duhet të argumentohen me fakte. Mospajtimet duhet të shprehen me respekt, pa frikë, dhe në takime të mbyllura. Çështja jonë e drejtë, interesat strategjike të përbashkëta dhe veprimtaria në Washington e mundësojnë përkrahjen e përhershme amerikane.
Kjo është miqësia e vërtetë me Amerikën. Kjo është rruga e vetme e shpëtimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Evropa është e komplikuar. E përbërë nga shtete me interesa të ndryshme, me kombe dhe besime fetare të ndryshme, e ngulfatur me probleme të shumta, me padrejtësi të theksuara dhe paragjykime ndaj kombit shqiptar. Po të mos ishte Amerika, rusishtja do të ishte gjuhë zyrtare në Evropë.
Përkedhelja e vazhdueshme e Serbisë, tolerimi i kërcenimeve me luftë, përkrahja e hapur e veprimeve vandaliste, kriminale dhe terroriste, si dhe presioni nga Evropa mbi Kosovën për ta akomoduar Serbinë, të cilave ju bashkangjitën me deklarata të paqarta kontradiktore edhe disa diplomatë amerikanë, janë të padrejta dhe po bëhen të neveritshme.
Përpjektet e dëshpruese të Evropës për ta tërhjekë Serbinë nga Rusia në kurriz të Kosovës janë të kota. Nuk do të ndodhë edhe nëse ja japin, jo Kosovën, por edhe gjysmën e Evropës.
Serbia është shtet kriminal, fashist, racist, shovinist dhe hegjemonist, njësoj si Rusia, e kontrolluar plotësisht nga Rusia. E sëmuar nga urrejtja për shqiptarët dhe kombet tjera përrreth. Fati i Kosovës, Ballkanit dhe mbarë Evropës është se Serbia nuk kufizohet me Rusinë. E rrethuar nga shtetet e NATO-s nuk ka kaqik për të shkaktuar ndonjë luftë tjetër frontale dhe okupuese.
Barrikadat janë mjet për të ushtruar presion mbi Kosovën. Ato janë edhe dështim i KFOR-it për kryerjen e detyrës së ruajtjes të rendit dhe qetësisë në Ballkan. Pretendimet serbe dhe evropiane se janë mjete të protestave paqësore, janë qesharake.
Shqyrtimi i vonuar i kërkesës serbe për kthimin e forcave të tyre terroriste në Kosovë dhe hezitimi për refuzimin e saj nga KFOR-i, është gjithashtu një formë presioni ndaj Kosovës. Ata duhet të kuptojnë se çdo ushtar apo polic serb në territorin e Kosovës, me ose pa lejen e KFOR-it, do të konsiderohet armik dhe do të luftohet me të gjitha mjetet e mundshme.
Lejimi i kthimit të kriminelëve serbë në vendin e krimit është i papranueshëm. Do të ringjallë komandantin Adem Jashari dhe do të ngrejë në këmbë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cila ende ekziston në mendjet dhe zemrat e çdo shqiptari.
Republika e Kosovës e udhëhequr nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryeministri Albin Kurti, në përballje me Serbinë fashiste, po mbron lirinë dhe të drejtën e saj për të ekzistuar, si dhe vlerat demokratike perëndimore. Të gjitha vendimet dhe veprimet e deritashme ishin të matura dhe të drejta. Më të mirat të mundshme në ballafaqim me dreqin. Kishte lëshime taktike por jo strategjike, të cilat mund të cënojnë fuksionimin e shtetit. Kjo duhet vazhduar me forcë dhe vendosmëri.
Njohja e pavarësisë së Kosovës është e pamundur derisa të krijohet presioni real ndaj Serbisë. Dialogu i udhëhequr nga evropianët është një dështim, i padrejtë dhe i mbrapshtë, i projektuar vetëm për të akomoduar Serbinë. Kosova nuk ka zgjidhje tjetër veçse të marrë pjesë në të, por nuk duhet të presë ndonjë rezultat të mirë dhe nuk duhet të nënshkruajë asnjë marrëveshje finale që nuk përfshinë njohjen reciproke. Pikë.
Ata që trumbetojnë se Serbisë duhet t’i jepet diçka për të arritur një marrëveshje përfundimtare dhe se veriu “është edhe ashtu i humbur”, janë torollakët dhe halldupët më të mëdhenj të shekullit XXI. Kjo nuk është mënyra për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë hegjemoniste. Pas çdo marrëveshjeje të arritur me kompromis dhe lëshime, do të ketë kërkesa të reja deri në shkatërrimin e plotë të Kosovës. Veriu nuk do të humbasë kurrë për sa kohë që ushtria serbe nuk lejohet të shkelë atje.
Serbisë duhet ndalur turri dhe t’i thyhen dhëmbët që të mos kafshojë më. Nuk ka rrugë tjetër. Vetëm fuqizimi i policisë, njësive speciale dhe ushtrisë së Kosovës do t’i ndalë veprimet e saj agresive. Forcat e NATO-s e parandalojnë luftën frontale, por vetë Kosova duhet të merret me strukturat ilegale, terroriste serbe në veri. Ato duhet të neutralizohen gradualisht përpara se të jenë në gjendje të kryejnë sërish akte kriminale. Është më e lehtë të mos lejosh barrikada sesa t’i heqësh ato me dhunë. Mbështetja e fondit të sigurisë është me rëndësi jetike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Krahas sigurisë dhe mbrojtjes ushtarake, duhet luftuar korrupsioni, ndërtimi i ekonomisë dhe shërbimeve sociale, demokracia dhe funksionimi i shtetit, bojkotimi i produkteve serbe, reciprociteti i të drejtave, kthimi i familjeve shqiptare në veri, ndëshkimi i kriminelëve serbë, kthimi i të zhdukurve me dhunë, dëmshpërblimet e luftës, luftimi i propagandës mashtruese serbe, infiltrimi i diasporës në institucionet perëndimore, shtimi i përpjekjeve lobuese në Amerikë dhe gjetkë, luftimi i ekstremizmave fetarë, reduktimi i imigrimit të të rinjve, rritja e lindjeve dhe forcimi i familjeve.
Është koha e fundit që opozita e Kosovës t’i korrigjojë gabimet e së kaluarës dhe të rreshtohet me pozitën në përballje me Serbinë. Vetëm në këtë mënyrë ata mund të fitojnë mbështetjen e popullit, përndryshe do të përshëndeten me pushtetin për dekadat e ardhshme. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe Mediat dhe politikanët e të gjitha Trojeve Shqiptare. Është momenti i fundit që kryeministri shqiptar, z. Edi Rama t’ua kthejë shpinën kriminelëve Vuçiç dhe Putin dhe t’i bashkohet përpjekjeve të kombit të tij dhe botës demokratike për një të ardhme më të mirë dhe të sigurt.
Bashkëpunimi me armikun e vetëshpallur e të dëshmuar të popullit shqiptar, Serbinë hegjemoniste, në çfarëdo forme dhe mënyre, është tradhti kombëtare.
Me strategji kombëtare dhe përpjekje të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve të mirë dhe patriotë fitorja përfundimtare ndaj Serbisë fashiste është e sigurt.

Filed Under: Komente Tagged With: Agim Alickaj

Lideri

January 9, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Çfarë lloj lideri kemi? Si e frymëzon ai besnikërinë në popullin e tij?
Nëse i krahasojmë me udhëheqësit e lashtë, kuptohet kontrasti.
Aleksandri i Madh ishte i suksesshëm sepse ishte i dashuruar. Jo thjesht i admiruar, jo thjesht i respektuar, por i dashur. Njerëzit e tij e adhuronin. Ushtarët i paguante mirë, planifikonte betejat që të kishte sa më pak viktima të ishte e mundur, dhe kishte karizëm. Ai dhe ushtarët e tij besonin se ai ishte Zot dhe se i kishte mbijetuar tetë plagëve të mëdha që mund të kishin vrarë çdo njeri tjetër. Ata kishin frikë prej tij, por të gjithë do të kishin dhënë jetën për të.
Udhëheqja është shërbim dhe Aleksandri u shërbeu njerëzve të tij. Ai mori i pari barrën më të rëndë dhe e uli i fundit. Ai nuk flinte ndërsa ushtarët e tij punonin, nuk hante ndërsa ushtarët e tij vdisnin nga uria. Ai kurrë nuk u kërkoi atyre të bënin diçka që ai nuk do të bënte, vetë i pari. Dhe e vërtetoi këtë në çdo betejë, duke luftuar hipur mbi Bucefalus.
Aleksandri i mori ata në beteja të tmerrshme dhe fitoi çdo herë, duke u dhënë fitore dhe krenari me humbjen e një numri relativisht të vogël viktimash.
Asnjë komandant në histori nuk ishte aq bujar me njerëzit e tij sa Aleksandri. Duke pushtuar Perandorinë Persiane, “Superfuqinë” më të madhe që bota kishte njohur deri në atë kohë, ai rrëmbeu thesarin më të madh në histori. Vetëm nga Persepolis, 2500 ton ar u morën nga Thesari i Madh, që ishte ndërtuar për një shekull nga tokat në pronësi persiane nga India në Egjipt.
Aleksandri mori arin nga ajo fitore dhe të tjerat dhe e ia shpërndau njerëzve të tij, nga gjeneralët më të lartë e deri te kuzhinierët e tij. Në fund të fushatës, ai u dha atyre ar e kuaj dhe e bëri çdo njeri të pasur.
Por Aleksandri dhe Filipi e kuptuan që të dy se si t’i detyronin burrat të bënin atë që dëshironin , nga shpimi gjithë natën me një shtizë 18 këmbëshe derisa burrat të gërmonin, te marshimi për tre ditë pa ushqim dhe pa ujë, deri te kalërimi drejt vdekjes së sigurt. Ata i bënin këto jo nga kërcënimet apo frikësimi, as nga paratë apo premtimi i shpërblimit, as nga potenciali për turp apo çnderim. Mënyra se si t’i detyronin burrat të bënin atë që dëshironin ishte me dashuri.
Nëse njerëzit ju duan, ata do të lëvizin qiellin dhe tokën për ju, do të bëjnë mrekulli për ju, do të vdesin me dëshirë për dashurinë e tyre për ju. Kjo është arsyeja pse Aleksandri ishte kaq i suksesshëm. Por, sado i mirë, sa profesional, sa i përkushtuar, sa shumë e donin komandantin e tyre, ushtria e Aleksandrit më në fund arriti kufirin e saj gjithashtu. Të gjithë kanë pikën e tyre të thyerjes. Dhe është e qartë se Aleksandri arriti të tijën.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1892
  • 1893
  • 1894
  • 1895
  • 1896
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT