• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një ushtarak i lartë shqiptar që të mëson si të mbrohemi nga armët vdekjeprurëse bërthamore

December 26, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Pa praninë e tyre në planet do të kishim më shumë shkolla, më shumë dituri, më shumë mjekë, spitale etj… Gjeneral Asllan Bushati.

Nuk është se kam shumë dëshirë për të lexuar libra të karakterit ushtarak dhe sidomos të diktatit të armëve bërthamore në krahasim me ato të letërsise botërore apo shqiptare, ku dhe jam e specialitetit të kësaj fushe, por pasi e lexova librin: “Diktati i Armëve të Dëmtimit në masë “ADM”-ve në Luften e ftohtë e pas saj” me autor ushtarakun e lartë të karrierës në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, ia vlejti.
Ndonëse me një drithërimë në shpirt dhe frikë që e përjetova në të gjitha faqet e librit gjithsej 88, pohoj se mësova shumë gjëra. Metaforikisht më dukej sikur kishja një bombë në dorë, tmerruese, por autori me diturinë e saktë dhe të një mjeshtri të mbrojtjes nga armët bërthamore të shkarkon nga kjo ndjenjë kapluese. Është e vërtetë se njerëzimi po e përjeton këtë gjëmë, pasi siç pohon autori Bushati këtë gjëmë e kanë bërë dhe gatuar vetë njerezit kundër njerëzimit. Në këtë libër studimor me penë të hollë nga autori Bushati mësojmë siç thotë ai se njohja me këto fakte të luftës bërthamore do të na njihte të mendonim si njerëz të qytetëruar për një të ardhme më të mirë. Ai të kujton shkrimtarin e famshëm botëror Viktor Hygo i cili ka thënë: “Paqja është virtyti i qytetërimit. Lufta është krimi i saj.”
Po si e spjegon mjeshtri dhe ushtaraku i lartë që është specializuar në këtë fushë se ç’janë armët bëthamore? Ai shpjegon se armët bërthamore teknikisht janë shpërthimi që realizohet nga reaksioni bërthamor i ndarjes së atomeve të elementeve radioactive ose një kombinim i ndarjes dhe i bashkimit së grimcave bërthamore. Pra një bombë peshon më pak se njëmijë kilogram dhe mund të shkaktojë një shperthim të krahasueshëm me shpërthimin e më shumë se një miliard kilogram të materialit shpërthyes, cilësor konvencional.
Shumë njerëz janë dëshmitarë dhe sot, kur nisi lufta, më 6 dhe 9 gusht 1945 mbi Hiroshimën dhe Nagasakin e Japonisë që sollën 106 mijë të vdekur dhe 98 mijë të plagosur plus dhe pasojat ogurzeza tek të mbijetuarit. Në këtë libër është shpjeguar koncentrati i luftërave, garat bërthamore midis Perëndimit dhe Lindjes.
Duke qenë gati 26 vjet këtu në New York dhe jemi bërë pjesë dhe dëshmitarë të shumë ngjarjeve, këtu kujtohet në çdo 6 gusht sulmi i parë me bombë bërthamore Natyrshëm zhvillohet një debat i ashpër në medie, dhe mbrojtësit më të zjarrtë të Trumanit janë veteranët e Luftës së Dytë Botërore.
Ne kuptojmë dhe ndjejmë se Armët bërthamore janë ende këtu – dhe ato janë akoma një rrezik ekzistencial. Nëntë vende posedojnë armë bërthamore: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Franca, Kina, Mbretëria e Bashkuar, Pakistani, India, Izraeli dhe Koreja e Veriut. Në total, rezervat bërthamore globale janë afër 13,000 armë. Tmerr, frikë, agression, ego të shfrenuara dhe kanosje për botën e paarmatosur, por po aq dhe për botën e armatosur. Autori na mëson se si të mbrohemi dhe si të kemi disa njohuri rreth armëve vdekjeprurëse. Ky libër të sjellë ndërmend dhe fjalimin shumë të njohur të Luftës së Ftohtë që u mbajt nga Presidenti Amerikan Dwight D. Eisenhower para Kombeve të Bashkuara më 8 dhjetor 1953. Eisenhower ishte në ankth të zvogëlonte kërcënimin nga arsenalet në rritje të armëve bërthamore dhe në vend të kësaj të zhvillonte aplikime paqësore të energjisë atomike që të gjithë kombet të gëzojnë, ose “Atomet për Paqe”.
Pra Atomet të jenë për Paqe në vend të luftës, vdekje. Libri është i ndarë në disa kapituj dhe secili kapitull ka rëndësinë e veçantë studimore. Kështu në kapitullin: “Arma e Kimisë” ku autori shkrin talentin e tij dhe na mëson se pas Luftës së Dytë Botërore, e në momentet kur sapo Lufta e Ftohtë kishte filluar, u zbulua se ish Gjermania Naziste kishte qenë e përgatitur me kohë për përdorimin e armës së kimisë (AK). Rrethanat e krijuara në Luftë ku posedues të AK-së ishin vendet pjesëmarrëse e ndaluan Hitlerin të përdorte këtë armë. Autori Bushati sjellë me fakte dhe argumente shkencore depërtimin dhe përhapjen e tyre në viruse, bakterie, kërpudhash, rikocitesh, të cilat ishin në gjendje lloje të ndryshme epidemish si ethesh, murtaje, plasje etj…
Doktrina e re amerikane vazhdon autori thotë për armën biologjike të mos e përdorin kurrë në luftë edhe nëse kundështari do të përdorë kundër tyre.
Gjuha vete ku dhëmb dhëmbi thotë populli, natyrshëm e lexova me shumë kërshëri dhe vemendje reagimin e një ushtaraku të lartë në detyrë rreth popullit dhe vendbanimeve të Republikës së Kosovës të cilat kanë qenë për Serbët poligoni i parë real për përdorimin e AK-së.
Autori na kthen kujtesën në retrospektivë e konkretisht në demonstratat e vitit 1981dhe ato të shkurtit të viteve 1990. Shqiptarët demonstrues u bënë viktima të terrorit serb.
Disa mbroheshin me shaminë e xhepit, disa kishin të vjella. Prof. Zekeria Cana ndër të tjera në intervistë tha: Nga ajri i Kosovës ndihet vetëm erë gazrash që kanë një dozë të madhe helmi. Shumë prej granatave nuk lëshonin tym, por kishin një lloj helmi dhe mjaft shkatërrues.
Helmet ishin hedhur në spitale, shkolla, shtëpia e kudo. Autori jo vetëm që i sjellë me argumente shkencore rrezikun e madh dhe dëmin global që sjellin, por dhe artistikisht të tërheq me mënyrën e të shkruarit duke përdorur herë pas here metaforat dhe enumeracionin e fakteve. Në Kosovën tonë martire vërtetë u krye një genocid i pashembullt nga ajri toka dhe në kontaktet njerëz me ushtarë nazisë që përdhunonin, vrisnin, torturonin, rrëmbenin njerëz të pafajshëm.
Janë shumë ushtarakë përfshirë dhe gjeneralë me pesë yje që kritikojnë armët kimike dhe përdorimin e bombës atomike.
Autori Bushati na kujton se SHBA-ja përfshiu në një listë 17 vende që kanë programe për armët biologjike. Autori me penën e një mjeshtri ushtarak pas një analize të thukët arrin deri tek Coronavirusi (Covid 19). Me hulumtime shkencore pohon se laboratory Uhan në Kinë është i vetmi Institut i Virologjise me viruse vdekjeprurëse. Politika e lartë amerikane nga Shtëpia e Bardhë ka kritikuar ashpër fshehjen e fakteve dhe fillimet e epidemisë vdekjeprurëse.
Ky libër është ndërtuar me një gjuhë të kthjellët dhe bëhet shumë tërheqës jo vetëm për sjelljen e fakteve me vërtetësi, por dhe i ndërtuar në skema artistike dhe me një gjuhë të zhdërvjellët që personalisht më duket i denjë për të qenë në hierarkinë e shekncës ushtarake të historisë shqiptare.
Natyrshëm këo qëndrime paqësore i mbajnë njerëzit me botë, njerëzit që e duan jetën, por ato bëhen më të besueshme kur autorët e librave janë specialist të fushave dhe e kanë parë vetë terrenin ku kanë marrë pjesë. Autori Bushati të mëson të bësh kujdes rreth kërcënimit në rritje të epidemive virale duke të sjellë një nga citimet më të famshme të mjekësisë moderne. “Në vitin 1967, William H. Stewart, Kirurgu i Përgjithshëm, i cili udhëtoi në Shtëpinë e Bardhë për të dhënë një nga mesazhet më inkurajuese të folur ndonjëherë nga një zyrtar amerikan i shëndetit publik, me citimin: “Është koha për të mbyllur librat mbi sëmundjet infektive, për të shpallur luftën kundër murtajës të fituar dhe për të zhvendosur burimet kombëtare shendetesore në zgjidhje të problemeve të tilla kronike si kanceri dhe sëmundjet e zemrës,” tha Stewart.
Ndërmjet shumë autorë librash, shkencëtarë, pacifistë kemi dhe presidentë që kanë kundërshtuar përdorimin e bombës atomike. Njeri prej tyre është Presidenti Amerikan, Dwight Eisenhower, komandanti i aleatëve në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti e kishte kundërshtuar përdorimin e bombës atomike në Japoni gjatë një takimi të korrikut 1945 me Sekretarin e Luftës Henry Stimson: “Unë I thashë se isha kundër bombës atomike për dy arsye: Së pari, Japonezët ishin gati të dorëzoheshin dhe nuk ishte e nevojshme t’i godisnin me atë gjë të tmerrshme. Së dyti, e urreja të shihja vendin tonë të ishte i pari që përdorte një armë të tillë.”
Libri në disa kapituj me përngjan me vepren “Arti i luftës i Suncit”, e cila është vepra më e madhe mbi teorinë ushtarake, e lënë nga Kina e lashtë,
Aty shtjellohet një sistem i strategjisë dhe taktikës ushtarake dhe i mendimeve filozofike. Ky libër është përkthyer dhe është botuar në 29 gjuhë të botës, dhe është përdorur gjatë luftës së Gjirit në vitin 1991.
Libri i ADM-ve përmbyllet duke shpjeguar se çfarë është terrorizmi, lufta kibernetike e cila që nga njeriu i thjeshtë dhe deri tek shteti jane të prekshëm në ballafaqim me këtë ciklon dhe sunam të kohës… Kjo luftë moderne do të jetë gjatë vazhdon autori dhe me shpenzime marramendëse.
Krimi kibernetik është një dukuri komplekse dhe shumë kërcënues.
Duke përfunduar leximin me shumë kujdes dhe një përqëndrim të posaçëm, pasi siç e thashë qysh në fragmentin e parë nuk janë të natyrës sime profesionale këto lloj librash, por kuptova se libri me artin e tij të rrëfimit më kishte tërhequr shumë, sepse mbi të gjitha mësova dhe si t’i vë në përdorim këto njohuri tejet jetësore.
Libri na mëson se është e rëndesishme të konceptojmë nje arkitekturë globale të sigurisë së informacionit që të marrë në konsideratë brenda saj dimensionin teknik dhe operacional, dimensionin juridik dhe rregullator, dimensionin organizativ dhe ekonomik duke mos harruar dimensionin human.
Dhe këto më lart mësohen vetëm nga specialistë të fushës, nga pacifistë, nga ushtarakë të lartë shqiptar si Gjeneral Asllan Bushati që të mëson si të mbrohemi nga armët vdekjeprurëse bërthamore.

26 dhjetor, 2022
Staten Island, New York

Filed Under: Politike Tagged With: asllan Bushati

Vizita e Micotaqisit në Himarë dhe ëndrra e miqësisë

December 26, 2022 by s p

Pamflet nga Rafael Floqi/

A jemi ne shumë më evropianë, më shumë më tolerantë, më shumë më demokratë, apo në të gjitha cilësitë, ne kemi lëshuar, apo kemi një kompleks të lindur gjenetik inferioriteti nga kombeve të tjera, qofshin këta superfuqi, ambasadorë, kryeministra apo edhe vende fqinjë si Greqia

Mbrëmë pashë një ëndërr, sikur Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, nuk ka rëndësi, apo Sali Berisha, Ilir Meta kur ishin kryeministër, të kishte shkuar në Filat, Margëlliç apo Prevezë dhe kishte bërë takime me ata pak banorë që flasin shqip, të kishin shkuar edhe në kishën e tyre. Por edhe në xhami. Pastaj të kishte vënë një kurorë në varrezat e çamëve dhe madje t’i kishte hipur helikopterit e të kishte shkuar në Konicën e Faikut të madh dhe në Janinën a Aliut në kalanë e tij, madje të kishte marrë udhën gjer në kodrat e Athinës mbi Parthenon e të kishte biseduar arbërisht me Arvanitasit e Plakës.  

Ëndrra si ëndrra, bëhej disi rrokopujë, me pamjet e vrasjeve të çamëve nga Zerva, që ngatërroheshin me ato të forcave të Venizellosit dhe të haspanlinjve të Kretës, të dërguar për të vrarë në kufirin shqiptar. Genocidi grek i Çamërisë ngatërrohej, përzihej me klithmat e grave të fëmijëve dhe të pleqve të masakrës së Panaritit. Dhe më dukej se do të vinte një dhespot që në emër të Krishtit e të paqes do të kërkonte ndjejë, por jo?

A ishte ëndërr apo zhgjëndërr? Çfarë do të ndodhte në Greqi më pyeste truri, po të kishte ndodhur kjo? U zgjova i lahtarisur?  Çfarë do të kishte shkruar Protothema apo Kathemerini” A mos do të kishte shkuar Protothema, siç shkuante Mero Baze tek défteros Tema  (Tema e Dytë)” Në demokraci pakicat nuk i zbulojnë apo emërojnë qeveritë. Ajo ndodh në regjime totalitare. Në demokraci pakicat vetëdeklarohen dhe vetëndjehen si të tilla. Nuk jam i çmendur t’i hyj debatit historik çfarë janë himarjotët, a kanë ardhur nga Mirëdita nga Kruja, nga Korfuzi, Korinthi apo Progonati. Ka nga pak të vërtetë nga çdo gjë që thuhet, por e vërteta e sotme nuk është e vërteta e 500 viteve më parë. E vërteta e sotme është se grek është, ai që ndjehet grek dhe jo ai që duam të caktojmë ne se kush është grek. Nëse duam të sillemi si vend demokratik, dhe për fat zyrtarisht po sillemi ashtu, ky debat që të diktojmë ne se kush duhet të ndjehet grek, është debat i vjetër, racist dhe problematik për demokraci të brishta si e jona”. Bukur, bravo Mero! A e di ti se çka ndodhur në fshatin Kodër të Tepelenës tënde po nga këta grekët apo gjyshërit e tyre? Pse duhet të falim pa kërkuar ndjesë? 

Po sikur të deklarohej “shqiptar”, ashtu siç ndjehet, çdo çam, çfarë mund të shkruante Prothotema? 

 Mos vallë Shqipëria e Rilindjes e ka miratuar tezën e kërkuar greke, se “ti je, çfarë vetë deklarohesh”. Të jetë kështu? Ti mund të deklarohesh edhe kinez, kur flet kinezërira. Apo jo ? Nga njëra anë, kjo duket si demokratike evropiane, sikur Greqia të ishte Zvicra apo Finlanda, apo ndoshta Tiroli i Austrisë.  Sa bukur kështu duhet të ishte, por jo pse më duket vetja prapë si në ëndërr… 

Ka një pyetje 1 milion dollarëshe në të gjithë këtë histori. 

A jemi ne shumë më evropianë, më shumë më tolerantë, më shumë më demokratë, apo në të gjitha cilësitë, ne kemi lëshuar, apo kemi një kompleks të lindur gjenetik inferioriteti nga kombeve të tjera, qofshin këta superfuqi, ambasadorë, kryeministra apo edhe vende fqinjë si Greqia, që kanë një histori armiqësore ndaj shqiptarëve sa duhet të kishin kërkuar ndjesë publike për genocidet e historisë? Sa e vërtetë do të ishte kjo miqësi, sikur Micotaqisi babai, të cilit iu ngrit një bust, për çfarë, apo dhe i biri të kish kërkuar ndjesë të paktën sa për sy e faqe, do të ishte më e drejtë.  

Ismail Qemali i madh nuk mund të akuzohet për mungesë patriotizmi, pat menduar njëherë para Pavarësisë, se për t’i bërë ballë Turqisë, ishte mirë ideja e krijimit të një shteti dy palësh si Austro- Hungaria me Greqinë. Pse? Mos vallë nga gruaja e tij greke? Jo. Jo, ne e dimë dhe Grekët e dinë, se pa shqiptarët, pa Bubulinat e Kollokotronët, ata nuk do ta kishin fituar atëherë pavarësinë. Një nga faktet historike që nuk mund të diskutohen tashmë është fakti që 90 ndër 100 heronjtë e Revolucionit grek të 1821-it ishin arvanitas ose shqiptarë. Arvanitasit mbajtën peshën kryesore të luftës Nacionalçlirimtare të 1821-it, përveçse ishin pjesa dërrmuese e popullit grek në periudhën e kryengritjes, kjo nuk diskutohet. Dihet tashmë nga të gjithë që arvanitasit ishin popull luftarak, krenaria e të cilëve nuk e lejonte skllavërinë. Revolucioni i 1821-it ishte kryesisht vepër e arvanitasve të Epirit, Rumelisë, Moresë dhe e arvanitasve të ishullit të Hidrës, Specas dhe Psaros. Mbretin e parë të Greqisë, 17-vjeçarin  gjerman Otto (Otto von Bayern – 1815-1867) të dinastisë së Vitelsbahëve, i cili mbretëroi në Greqi prej vitit 1832 deri në vitin 1862 e kishte habitur fakti se “Parlamenti Kombëtar i Greqisë në Argolidë me mbretin Otto më 1832 dhe gjatë një dhjetëvjeçari, bisedonte… në gjuhën shqipe, ndërsa shkresat administrative hartoheshin në greqisht. 

Apo si shpjegohet që dy shqiptarë të mëdhenj si Noli dhe Konica më 1911 i kërkonin ndihma kolonisë greke të Bostonit, për të ndihmuar kryengritjen e Malësisë së Madhe. Kohët janë kohëra.  Nuk duhen harruar se bëhej fjalë para shpalljes së Megalidesë dhe miteve të ringjalljes të Greqisë antike.

Nga ana tjetër sot gjenetika po provon se ka dy kombe në Ballkan, që ndajnë më shumë gene mes tyre më shumë se me çdo popull tjetër.  Shqiptarët dhe grekët, dhe kjo pa të drejtë vetëdeklarimi.  Shqiptarët kanë ngjashmëri të padiskutueshme gjenetike me arbëreshët e Italisë dhe vetëm ca më pak me grekët e Selanikut apo Greqisë kontinentale. Ky studim është bërë në bazë të analizave gjenetike për popullsinë mesdhetare nga Universiteti i Bolonjës. 

Nuk mund ta gjykoj ose ta themi se është një veprim të gabuar i kryeministrit të Greqisë që viziton Shqipërinë, por të gabuar gjej disa detaje aty, që nga mungesa e flamurit, apo detaje të tjera që mund t’i kapim dhe t’i vërejmë shumë lehtë. Por nuk shoh as se “Gjëja më pozitive e vizitës së kryeministrit grek Micotaqis në Shqipëri për të takuar pakicën greke është që një vizitë kaq e  rëndësishme nuk prodhon më lajm, shkruan Prothema, më fal, Tema.

“Ndërsa Kryeministri i Greqisë Kiriakos Micotaqis në 22 dhjetor 2022 e ngulte zyrtarisht flamurin ilegal të “Vorio Epirit “ në Himarë dhe në Shqipërinë e Jugut. Në fjalimin e mbajtur ditën e enjte në qytetin shqiptar të Himarës, Micotaqis shpalli kërkesën zyrtare greke që “Shqipëria është e detyruar të respektojë të drejtën tuaj për vetëvendosje”. Por është hera e parë që një kryeministër grek vjen dhe e shpall në tokën shqiptare, mu në surrat të politikës dhe të publikut shqiptar dhe konkretisht në Himarë. Nuk dihet se si dhe me çfarë mënyrash kryeministri grek arriti që për këtë provokacion skandaloz antishqiptar në territorin  shqiptar të ketë lejen e qeverisë aktuale të Shqipërisë, e cila me këtë veprim ka kryer një akt të paprecedent antikushtetues, antishtetëror dhe antikombëtar . A përbën kjo lajm?

E ashtuquajtura vetëvendosje e “asociacionit të komunave greke” në Shqipëri, të cilin e zyrtarizoi kryeministri grek me vizitën e tij, është dhunim flagrant i Kushtetutës e Shqipërisë dhe i rendit kushtetues, një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë” shkruajti në një reagim të tij në gazetën “Dita” Gazetari diplomati dhe analisti, Shaban Murati. 

Programi aneksionist i helenizimit zyrtar të Shqipërisë së Jugut arrit sot një avancim të madh. Ndaj dhe kryeministri Micotaqis nuk e përmbajti dot euforinë nacionaliste greke: “Ky është një moment special  për mua dhe për helenizmin kudo. Unë ndjehem i nderuar të jem kryeministri i parë grek, që vizitoj Himarën. Ju falënderoj që keni mbajtur lart flakën e helenizmit dhe të ortodoksisë”.

Ku është kryeministri Rama, a nuk e di ai se a flet apo jo greqisht apo shqip, Vunoi fshati i nënës së tij? 

“Në Himarë u shkel Kushtetuta e Shqipërisë Në Himarë kryeministri i një shteti të huaj rivendikoi vetëvendosjen dhe krijimin e një harte të re politike me zonën e re vetëvendosëse greke në territorin e Shqipërisë.  Pas 30 vitesh demokraci pa atdhe shkruan Murati, qeveria e Shqipërisë ka vendosur të plotësojë orekset e vjetra aksioniste dhe shoviniste të Greqisë për Shqipërinë e Jugut. Udhëheqësit e Shqipërisë patriotizmin dhe turpin i hanë me bukë”. A është kjo ëndërr apo zhgjëndërr? 

Greqia e ka përdorur minoritetin për pretendime territoriale ndaj vendit tonë, dhe shteti grek ka ndërhyrë në disa raste në punët e brendshme të Shqipërisë. Kjo vizitë nuk është aspak normale, për disa arsye. Greqia dhe Serbia, sidomos vendet e Ballkanit akoma i konsiderojnë çështjet minoritare, si çështje për pretendime territoriale. Nuk janë të pakta rastet ku në mënyrë qoftë edhe jo të drejtpërdrejt, Greqia ka bërë ndërhyrje të çështjet e brendshme të Shqipërisë, pikërisht edhe në lidhje me çështjet e minoritetit.

Endra si ëndrra. Mid’hathin e Frashërlinjve se nxinte varri. S’ besoj se s’ishte koincidencë, që ditën që Miçothaçi shkeli në Himarë, varri i atij, që kur qe ministër i jashtëm në Greqi 1922-25, nuk kishte pranuar Himarën si minoritet, të dhunohej dhe busti Mid’hat Frashërit njësoj si ai i “enciklopedisë shëtitëse” dhe latuesit të gjuhës shqipe dhe flamurtarit të pavarësisë, aristokratit te salloneve të letrave dhe kulturës evropiane, Faik Konicës një antigrek tjetër, ca kohë më parë. 

Shoqëria shqiptare sot nuk ka as imunitet për të përballuar të keqen dhe as antikorpe për ta luftuar atë. Kjo është arsyeja që shoqëria shqiptare është në një rënie të lirë drejtë humnerave të tallavasë politike, kulturore dhe mediatike. 

T’i kthehemi mikut kryeministër. Duke folur për të mbledhurit, Kyriakos Micotakis tha: “Një moment i veçantë për mua dhe helenizmin kudo. Më kujtohet vizita e Micotakis në këto troje në vitin 1991. Ndihem shumë i nderuar që jam kryeministri i parë grek që viziton Himarën. Ju që zgjodhët të qëndroni këtu, jeni një urë miqësie dhe bashkëpunimi midis Greqisë dhe Shqipërisë, dijeni që unë personalisht kam qenë, jam dhe do të mbetem mbështetës i perspektivës evropiane të Shqipërisë.

“Detyrimi i Shqipërisë është të respektojë plotësisht të drejtat tuaja, pavarësisht nëse i referohemi të drejtës për vetëvendosje, ose të drejtës që fëmijët dhe nipërit tuaj të mësojnë gjuhën greke në të gjitha nivelet, apo nëse i referohemi çështjes kritike të të drejtat tuaja pronësore”.

Kryeministri vazhdoi duke thënë se “nëse ne zgjidhim çështjet e tepricave të pasiguruara dhe pensionet tuaja, qeveria do të jetë gjithmonë pranë jush siç kanë qenë të gjithë.

Kjo është ajo që deklaroi Micotakis i cili pat planifikuar, qysh me 6 dhjetor një vizitë në Himarë po helikopteri i tij nuk mund te ulej për shkak te motit, por minoritarët janë më praktikë për të kuptuar arsyet helikopterike, ashtu siç i zbulon dhe korrespondenti  i Kathemirinit, Stavros Tzimas nga vendngjarja. 

“Ish-presidenti i organizatës për grekët etnikë Omonia, Leonidha Pappas, duke folur nga fshati Aliko i Finiqit, shkruan gazetari,  Me 60 fshatra etnikë grekë dikur, popullsia e Finiqit është zvogëluar në një të katërtën e 40,000 grekëve etnikë që jetonin këtu përpara hapjes së kufijve në vitet 1990. Autoriteti bashkiak ka planifikuar një ceremoni mirëseardhjeje, një vizitë në një shkollë greke dhe takime me drejtues të komunitetit. “Një fshat ka vdekur plotësisht dhe në një tjetër, Mavrogjeri, ka mbetur vetëm një gjysh dhe një gjyshe”

Pritshmëritë ishin të mëdha, jo vetëm për shkak të rëndësisë simbolike të një vizite të tillë, shton ai por edhe sepse njerëzit shpresonin të shihnin një gatishmëri për të adresuar disa nga problemet e tyre, siç është çështja e pensioneve “Njerëzit këtu besojnë se minoriteti u shfrytëzua, përsëri, për të bërë përpara me çështje të tjera, si zona ekskluzive ekonomike,” thotë Pappas, duke iu referuar një marrëveshjeje për kufijtë detarë që po diskutohet midis Greqisë dhe Shqipërisë. 

Dimos Poulos, shkruan Kathemerini  ka të vetmen taksi në Pogon dhe ka kaluar 22 vitet e fundit duke marrë ilaçe dhe ushqim për një grusht grekësh etnikë të moshuar që jetojnë në malet e tij. Ai ishte ndër të parët që arriti në Janinë në Greqinë veriperëndimore kur filloi eksodi i madh nga Shqipëria në vitin 1991. Ndryshe nga të tjerët, ai u kthye pas një qëndrimi të shkurtër në Greqi, i zhgënjyer nga trajtimi që ai dhe të tjerë si ai kanë marrë nga “vëllezërit” e tyre. grekë. Falë një sharje që i kishte dhënë dikush në Janinë, kur ai mundi të hynte në biznes si shofer taksie.

Le ti kthehemi tani përdhosjes së varrit të Mid’hat Frashërit, pse pikërisht në një ditë me fjalimin e Micotaqisit t’i vandalizohet varri i tij? Në këto kohë jo çdo gjë është teori konspiracioni? Le ta shohim. Çështja e shqiptarëve që jetonin në Greqi, përbënte një problem të rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy shteteve, njëkohësisht ajo zuri një vend të konsiderueshëm në veprimtarinë diplomatike të Mid’hat Frashërit. Dhe kur dha dorëheqjen nga posti deklaroi :“Po marr lirinë z. Ministër të përsërit akoma një herë, atë që e kam thënë më tepër se dyqind herë gjer më sot. Duhet të dijmë të mprojmë vehten tonë”. 

Pas këtij digresioni oneirik, le t’i kthehemi ngjarjes, Kryeministri i Greqisë, i një vendi partner, mik, mund të vizitojë çdo zonë të Shqipërisë, qoftë si zyrtar, qoftë si qytetar privat. Këtu duhet të jemi të çliruar nga çdo kompleks. Mund të vizitojë Himarën dhe çdo zonë tjetër. Por, zhurma se Himara është minoritet është absurditeti më i madh historik. Askush më shumë se himarjotët nuk janë larë në gjak për identitetin e tyre kombëtar shqiptar.

“Himara ka një realitet të pamohueshëm, se një pjesë e fshatrave flasin edhe shqip edhe greqisht. Qyteti, si çdo port, është i miksuar, shqiptarë kryesisht, por edhe grekë, venecianë. Por këto, as gjuha, as mikstura, nuk e bëjnë Himarën gjë tjetër, përveçse bastion i shqiptarizmës. Himara, e njohur në histori, së bashku me malësitë e Alpeve dhe Sulin, kanë pasur kodet dhe kanunet e tyre. Pra, në këtë kontekst, kryeministri i Greqisë mund të vizitojë çdo zonë, por Himara me të gjithë historinë dhe dokumentet e saj është shqiptare, përfshi edhe ato fshatra që janë bilingualë. 

I madhi Moikom Zeqo pat shkruar për Himarën : “Guxoj të them se ekziston një epos i lashtë dhe i ri i Himarës, përfaqësuar nga legjendat dhe mitet, nga këngët popullore te pashtershme, nga heraldika folklorike e gjuhës shqipe, që përfaqëson mrekullisht shpirtin shqiptar, të paepur në te gjithë shekujt. Për mua si njeri i letrave është i neveritshëm çdo lloj nacionalizmi romantik i sëmurë. Në epokën globale të hapjes së kufijve e të respektimit të të drejtave njerëzore në të gjitha pikëpamjet çdo proces konservativ dhe dogmatik do të ishte me një kahje përjashtuese, ku në të vërtetë realiteti ka një karakter ekumenik të bashkëjetesave të ndërsjellta të njerëzve të ndryshëm, madje qe flasin edhe gjuhë të ndryshme, qoftë edhe në zonën e Himarës. 

“Ndaj sot fjala “reciprocitet” është më e nevojshme se kurrë për t’u përdorur në raportet e Shqipërisë me Greqinë? 

Imagjinoni tani, sikur Shqipëria të thoshte atë që përsërit qeveria greke, se nuk ka çështje çame, dhe edhe pse Ligji i Luftës “dejure” është çaktivizuar “de fakto” ai vazhdon të ekzistojë dhe sot me nën ligje dhe rregulla penguese.  

Gjatë viteve 1972-1982, qeveritë greke miratuan ligje që lejonin çdo shtetas grek i dëbuar të kthehet dhe të marrë pronat e tij ose të dëmshpërblehet. Shqiptarët çamë dhe maqedonasit e Egjeut ishin përjashtohen nga këto ligje, pasi ligji parashikonte që personi i falur duhet të ketë kombësi greke dhe të ketë mbajtur një pozicion kombëtar grek në mërgim. Pse?

Gjatë kërkimit tim shkruan profesori Arben Llala takova disa shtetas grekë me origjinë shqiptare në Epiri. Takova një grek pranë Igumenicës dhe ai më foli shqip në 1991. Gjatë bisedës ai më tha se prindërit e tij ishin të Origjina shqiptare nga Çamëria. Ka shumë grekë që janë martuar vajza nga Shqipëria në krahinën e Çamërisë. Shumë prej këtyre grekëve të Origjina shqiptare, për të ruajtur origjinën, u martua me femra shqiptare i cili emigroi në fillim të viteve 1990. Dikur quhej fshati Aidonta Ftini dhe ndodhet në Prefekturën e Prevezës, Çamëri.  Studiuesi Nikos Stylos është nga ky fshat, i cili ka jetuar në Gjermani tash e shumë vite. Ai pohon origjinën e tij shqiptare dhe flet shqip gjuhë shumë mirë. Nikos Stylos ka shkruar për racizmin grek kundër fëmijë me origjinë nga familje shqiptare dhe ndoqën shkollën greke në periudha 1950-1960. Ai tha për një gazetë shqiptare: “Mësuesi do na godiste me shkop sa herë që flisnim shqip”. Ç’ mund të thuash për fëmijët shqiptarë të Çamërisë z Micotaqis a do të bëje selfi me të, si me atë vogëlushin minoritar grek? 

Edhe pse nën një presion të tillë, çamët që i mbijetuan masakrave të Ushtria e Zervës dhe e ruajtën gjuhën shqipe. Kjo është disbalanca në trajtimin e minoriteteve mes Shqipërisë dhe Greqisë Nuk mund të kesh probleme zero me fqinjët ku fqinjët tuja nuk e trajtojnë minoritetin tënd të paktën si ti.

Fakti është se si Micotakis ashtu edhe udhëheqja shqiptare kishin diçka për të fituar nga kjo ndodhi. Për kryeministrin grek , ishte shumë simbolike dhe do të kishte përcjellë interesin e qeverisë së tij për të ardhmen e komunitetit, ndërsa mund të ketë qenë gjithashtu një mundësi – në dritën e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm në Greqi – për të shpallur disa ndihmë praktike dhe masa mbështetëse. Kryeministri shqiptar Edi Rama, nga ana e tij, po përpiqet gjithashtu të marrë pikë me komunitetin pakicë në dritën e zgjedhjeve bashkiake që po afrohen, ndërkohë që do të mund t’i tregonte edhe lidershipin evropian – i mbledhur në Tiranë në atë kohë për Samiti BE-Ballkani Perëndimor – se ai është i përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e pakicave të vendit të tij.

Duhet ta dijë sa Micotaqisi e aq më shumë Rama, se fjala reciprocitet mund të thotë miqësi. Dhe BE-ja nuk është gjë tjetër veç  Albo-Greqia natyrisht më e madhe e plakut të Vlorës.   

Tani imagjinoni sikur Rama të deklaronte në Filat, Prevezë, Margëlliç, Igumenicë apo Janinë  apo në sheshin Omonia mes shqiptarëve emigrantë në Greqi se është “Detyrimi i Greqisë është të respektojë plotësisht të drejtat tuaja, pavarësisht nëse i referohemi të drejtës për vetëvendosje, ose të drejtës që fëmijët dhe nipërit tuaj të mësojnë gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, apo nëse i referohemi çështjes kritike të të drejtat tuaja pronësore”.  Amen!

Uroj, qoftë zhgjëndërr, dhe vetëm atëherë, natyrisht vetëm atëherë ai miku im i mirë himarjot Ilia, mund ta largonte atë brengën, që më shprehu jo pa dhimbje në konfidencë, ashtu popullorçe, se  “Në Shqipëri jam greku i m..tit në Greqi jam shqiptari i m..tit. Kush jam unë ? 

Filed Under: Kronike Tagged With: Rafael Floqi

Atdhetari i shquar nga SHBA Ekrem Bardha, mbështetë kërkesën që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i gjenocidit në Kosovë

December 26, 2022 by s p

Z. Bedri Islami, shkrimtar dhe udhëheqës i Lëvizjes Popullore të Kosovës në momentet vendimtarë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka njoftuar në rrjetin social Facebook se veprimtari i shquar i çështjes kombëtare në SHBA, Z. Ekrem Bardha i gëzohet krijimit të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” dhe i jep mbështetje që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol i gjenocidit në Kosovë.

Qendra “Gjenocidi në Kosoë-Plagë e hapur” falënderon veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare në SHBA, Z. Ekrem Bardha për mbështetjen që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol i gjenocidit në Kosovë.

Të bashkëngjitur keni publikimin e plotë të z. Bedri Islami:

ATDHETARI I SHQUAR EKREM BARDHA MBËSHTET LËVIZJEN “GJENOCIDI NË KOSOVË – PLAGË E HAPUR”

Ekrem Bardha, njëra ndër figurat më domethënëse të lëvizjes atdhetare në Shtetet e Bashkuara, drejtues i njohur dhe mbështetës i fuqishëm i Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, i pari që ka folur para Kongresit Amerikan në emër të mërgimtarëve shqiptarë në Amerikë, atdhetari , ndoshta i vetmi që në jetën e tij politike është takuar me 7 presidentë të SHBA-së, përkrahës i fuqishëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me familjen e tij, ka mbështetur Lëvizjen “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur”.

Përmes një mesazhi që më ka drejtuar ai cilëson, mes të tjerave, se “Gëzohem që në Kosovë është ngritur struktura “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur”.

Me dëshirë për të mbështetur Lëvizjen “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur”, jam dakord që logoja e propozuar prej tyre të jetë simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë”.

Miku juaj, Ekrem Bardha.

Filed Under: Rajon

Mitrovicë, jemi me ty!

December 26, 2022 by s p

Pyetjeve të vështira të opozitës dhe shoqërisë civile se pse qeveria serbe nuk ka një strategji parandaluese kundër shpopullimit të hapësirave të tëra në Serbi, Vuçiqi po iu përgjigjet duke vendosur barrikada në veri të Kosovës. Sa herë që Vuçiqi zihet ngusht me tema të brendshme të karakterit politik, ekonomik e social, ai hap një front të ri në Kosovë, sepse deri më tani vetëm Kosova i ka shërbyer atij si gomë shëptimi.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Në veriun e Kosovës aktualisht po luhet një dramë e rrezikshme me aktorë të importuar nga nëntoka serbe. Serbët e Kosovës janë vetëm statista në këtë teatër tragjikomik, ku Aleksandar Vuçiqi po mundohet të inskenojë edhe njëherë aftësinë e tij për të mashtruar të tjerët duke luajtur rolin e viktimës, madje duke dalur hapur me një shantazh se “ barrikadat nuk do të tërhiqen deri sa Kosova të pranojë krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Të gjithë e kanë kuptuar lojën e tij përpos disa burokratëve në Bruksel, të cilët ende besojnë në konstruktivitetin e Vuçiqit, ndonëse jo pak analistë dhe vëzhgues ndërkombëtarë tash më e kanë të qartë se kush qëndron prapa barrikadave në veri të Kosovës. Eksperti amerikan për Ballkanin dhe ish-diplomati Daniel Serwer në një intervistë për mediat në Kosovë ka thënë, ndër të tjera, se kriminelët që kryejnë operacione në veri janë nën kontrollin e Beogradit. Në të njëtjtën linjë është edhe kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, e cila duke folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës ka deklaruar se Beogradi nuk është i interesuar për marrëdhënie normale me Kosovën, teksa theksoi se Rusia ka ndikim të madh në këtë çështje.

Kur jemi te Rusia tash më është e qartë se ndikimi i saj në prodhimin e krizave rajonale është evident. Të gjitha analizat ndërkombëtare shpiejnë në një konkludim se Putini ka nevojë për një vatër të re krize dikund në Ballkan. Arsyeja është e thjeshtë. Kremlini pretendon se një konflikt Serbi-Kosovë do të reduktonte mbështetjen ushtarke të NATO-s dhe SHBA-së për Ukrainën, dhe do ti jepte avantazh ushtrisë së Putinit.

Propaganda e Beogradit është munduar, por pa sukses, që situatën e fundit në verit të Kosovës ta paraqes si konflikt në mes të serbëve lokalë dhe Qeverisë së Kosovës. Kjo tezë tinzare dhe falce serbe ushqehet me iluzionin se fuqia e presionit do ta detyrojë udhëheqjen politike të Kosovës në Prishtinë që të gjunjëzohet para kërkesave serbe për krijimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe. Por ishte ish-emisari gjerman në bisedimet Kosovë-Serbi, Wofgang Ischinger ai i cili në një postim në Twitter, ndër të tjera, ka shtruar pyetjen nëse Serbia është e vetëdijshme që nxitja e dhunës në Kosovë do ta bënte të pamundur vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE. Rrjedhimisht, kjo deklaratë e diplomtatit gjerman na bën të kuptojmë se kurrfarë presioni nga ana e Beogradit nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës të hartojë politika që dalin jashtë kornizës së saj kushtetuese.

Viteve të fundit rajone të caktuara të Ballkanit po zbrazen si pasojë e shpopullimit masiv, sidomos të të rinjëve që po mësyejnë Perëndimin për një jetë më të mirë. Mediat serbe për çdo ditë raportojnë për zbrazjen e fshatrave të tëra në thellësi të Serbisë, ku vetëm disa pleqë kanë mbetur t’i fikin dritat nëpër shtëpitë e vetmuara dhe të braktisura. Beogradi nuk ka një strategji parandaluese ndaj procesit të shpopullimit, por ka zell të tepruar të merret me Kosovën, duke i keqpërdorur serbët lokale për nevoja të konsumit të brendshëm politik. Pyetjeve të vështira të opozitës dhe shoqërisë civile se pse qeveria serbe nuk ka një strategji parandaluese kundër shpopullimit të hapësirave të tëra në Serbi, Vuçiqi po iu përgjigjet duke vendosur barrikada në veri të Kosovës. Sa herë që Vuçiqi zihet ngusht me tema të brendshme të karakterit politik, ekonomik e social, ai hap një front të ri në Kosovë, sepse deri më tani vetëm Kosova i ka shërbyer atij si gomë shëptimi. Dhe në shtypin e Beogradit ka me dhjetëra kolumna e analiza të autorëve të ndryshëm të cilët tash më e kanë kuptuar se Vuçiqi është i paaftë të notojë në ujërat e rrëmbyeshëm të politikës së brendshme, prandaj ai merret me serbët e painformuar duke ua imponuar atyre temën e Kosovës si një adrenalinë nacionaliste.

Fatkeqësisht në grupin e të painformuarve po del të jenë edhe disa diplomatë perendimorë, të cilët si duket ende nuk e kanë kuptuar se Vuçiqi po abuzon edhe me durimin e tyre.

Megjithat, ata që do të duhej ta kuptojnë më së miri Vuçiqin dhe qëllimet e tij tinzare, janë politikanët tanë në Prishtinë, të cilët veprimet e tyre politike e shtetërore është mirë t’i koordinojnë me miqtë tanë perendimorë, sidomos me NATO-n dhe SHBA, sepse vetëm në këtë mënyrë mbrohet pacenueshmëria e sovranitetit të Kosovës. Përvoja ka dëshmuar se kur këto veprime janë të koordinuara, Serbisë i ngushtohet hapësira manovruese, kurse shqiptarët shumicë kanë arsye më tepër të brohorasin: “Mitrovicë, jemi me ty!”

Filed Under: Fejton Tagged With: Mehmet Prishtina

NJË URIM QË NGJAN ME NJË POROSI…

December 26, 2022 by s p

Nga Dr. Luan Topçiu/

Është një koment, i shkruar në fb, ka nisur si një urim prej miku, natyrshëm por që është kthyer në qendrim të lartë qytetarie, në fund të fundit është një porosi, sa etike po aq dhe estetike, nga një autor i njohur, kritik arti, estet, përkthyes, kryeredaktori i një reviste që del në Rumani dhe shkon në të gjithë botën, autor i shumë librave në shqip dhe rumanisht e me shumë çmime.

E. Zh.

Dr. Luan Topçiu shkruan:

“Është një fakt i gëzuar që në ndarjen e Çmimeve Kombëtare për Letërsinë 2021, për kategorinë “Vëllimi më i mirë poetik i vitit”, e mori poeti ynë Visar Zhiti, me vëllimin “Dorëshkrimet fshehta të burgut”, për një vepër të shkruar në rrethana dramatike, që rrezaton humanizëm dhe vlera të larta artistike. Libri është botuar nga “Onufri”.

Është një akt emancipimi për jurinë, sepse autori është vetiu i emancipuar, sepse libri u shkrua në kushte të jashtëzakonshme dhe doli në dritë, doli nga ferri i burgjeve komuniste. Duke i njohur vlerat e poemave të Visar Zhitit, emancipojmë dhe shoqërinë e sotme. Konfirmimi i cilësisë së poetit është bërë brenda vendit dhe gjuhës shqipe, por dhe jashtë vendit dhe në gjuhë të tjera. Libri „Dorëshkrime të fshehta të burgut” i poetit dhe prozatorit Visar Zhitit është poezi, e shkruar nga një i ri në moshën 29-vjeçare, por dhe dorëshkrim e dokument në të njëjtën kohë, me vlera „sui generis”. Është për të gjithë ata që duan letërsinë dhe çmojnë bibliofilinë, vlerën e patjetërsueshme të dorëshkrimit të një shkrimtari dhe, jo në radhë të fundit, për të gjithë ata që duan të kenë në bibliotekat e tyre një copëzë historie autentike. Në këtë kuptim, do të ishte një anomali në se ky libër i rrallë nuk do të fitonte çmimin e merituar. Libri ka vlera të shumëfishta: estetike, simbolike, dokumentare, historike. Jam i nderuar që kam shkruar parathënien e këtij libri. Urime Visar Zhiti! Urime Shtëpia Botuese “Onufri”!

Filed Under: Kulture Tagged With: Luan Topciu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1909
  • 1910
  • 1911
  • 1912
  • 1913
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT