• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO – AMERIKANË ORGANIZON: AKADEMI SOLEMNE NË NJU XHERZI “50 VJET GJUHË LETRARE (1972-2022)”

December 11, 2022 by s p

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me rastin e 50 vjetorit të vitit jubilar të Kongresit të Drejtshkrimit, më 18 dhjetor 2022, më ora 13, në Nju Xherzi do të mbajë Akademi Solemne. Në këtë Akademi Solemne me kumtesat e tyre do të marrin pjesë: Prof. Dr. Bexhet Asani Dokt. Arjeta Ferlushkaj – Kotrri Prof. Pal Ndrecaj Profesoreshë Valdete Cenalia etj. Në Akademinë Solemne përveç Shkrimtarëve të Shoqatës do të marrin pjesë edhe figura të shquara të artit, shkencës dhe kulturës shqiptare që punojnë dhe veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Akademinë Solemne do të marrin pjesë shkrimtarë e studiues amerikanë. Akademinë do ta shoqërojë “Grupi X3”, me këngëtarin dhe kompozitorin Faton Krasniqin dhe instrumentistët Fadil Sahatçiu dhe Afrim Dobërdoli. Nxënësit do të recitojnë disa poezi nga autorë të ndryshëm. Akademia Solemne do të mbahet në sallën e Konferencave të Klubit “Djemtë e ilirisë” (Sons of Illyria) në këtë adresë: 22 Sherman St, Wayne, NJ 07470. Jeni të mirëseardhur! Hyrja është e lirë. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë – Kryetar Mëhill Velaj

Filed Under: Kulture

Shënime mbi historinë antike të shqiptarëve*

December 11, 2022 by s p

Nga prof.dr. Luan Përzhita/

Ishte viti 1982 kur së bashku me kolegun tim M. Bela u emërova arkeolog në Qendrën e Kërkimeve Arkeologjike – Bërthama e rrethit të Kukësit. Pothuajse çdo vit vizitonim fshatrat e Kukësit dhe të Hasit, duke shënuar të dhëna për pika dhe gjetje arkeologjike. Kur u afroheshim fshatrave të Kosovës që ndodheshin në vijën e kufirit ndarës me ish-Jugosllavinë bisedonim për kulturën e kësaj treve dardane. Ndonëse kaq afër gjeografikisht në atë kohë ishte e ndaluar që të vizitoje qendrat e kësaj treve. Ne i konsideronim me shumë fat profesorët tanë S. Anamali, S. Islami, M. Korkuti, që kishin arritur të bënin gërmime arkeologjike në vitin 1980 se bashku me kolegët kosovarë Z. Mirdita, K. Luci etj., në tumat e Llashticës në Gjilan. Nga bisedat e tyre dëgjonim me shumë kuriozitet se si ata kishin zbuluar në këtë nekropol kulturën ilire të kësaj treve.

Gjatë viteve 1970 në rrethin e Kukësit, ku pas ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës u përmbytën shumë toka në një gjatësi rreth 90 km, janë kryer një sërë fushatash gërmimi arkeologjik si në Kolsh, nga prof. M. Korkuti, në nekropolin tumular të Çinamakut, Kënetës, Bardhocit, Krumës etj., nga prof. B. Jubani dhe prof. A. Hoti, të cilët kishin vënë re se kultura ilire e zbuluar është e ngjashme me atë në Kosovë.

Teksa shikonim fshatrat e Kosovës si Vermica, Dobruzhda, Shkoza, pak më tej Zhurin etj., në brezin e atëhershëm të kufirit, përpiqeshim që të përcaktonim, natyrisht këtu hynte në punë edhe imagjinata, vendet arkeologjike për të cilat kishin shkruar kolegët tanë kosovarë E. Shukriu, E. Dobruna, N. Ferri, Z. Mirdita, i paharruari A. Stipçeviç, si dhe historiani A. Hadri. E çuditshme po të mendosh sot se studionim për të njëjtën kulturë, për të njëjtën popullsi, që kishte të njëjtat tradita, trashëgimi kulturore, gjuhë dhe zakone, por që një “mur” teli me gjemba që quhej klon e kishte ndarë mundësinë e depërtimit në gjysmën tjetër të trupit të kësaj kulture.

Besoj se tashmë mund të kuptohet lehtë se si jemi ndjerë ne kur Kosova fitoi pavarësinë në vitin 1999. Menjëherë u organizuan takime me kolegët tanë në Kosovë, K. Luci, F. Peja, H. Mehmetaj dhe krijuam një grup të përbashkët arkeologësh, duke punuar fillimisht për evidentimin e qendrave arkeologjike të Kosovës dhe paralel u inicuan gërmime arkeologjike në disa qendra të rëndësishme antike.

Jo rastësisht, një pjesë e rëndësishme e shënimeve të mia në këtë libër i kushtohen periudhës antike të Kosovës. Së bashku me kolegët e mi, kisha vizituar me qindra fshatra në Kosovë dhe konsultuar pothuajse të gjithë qendrat arkeologjike të gërmuara para viteve 1990. Kështu krijova një ide të qartë dhe të saktë për historinë e lashtë të kësaj treve dardane. Ditën kur Kuvendi i Kosovës shpalli Pavarësinë si shtet, u ula dhe shkruajta një artikull me titull “2400 vjet shtet Dardan”, të cilin e botova në një gazetë në Tiranë për t’i bërë të ditur publikut se ky vend e ka njohur shtetin mijëra vjet më parë.

Në shënimet e mia i kam kushtuar një vend me rëndësi të gjithë historisë antike të Kosovës, nga epokat prehistorike, rreth 6000 vjet më parë, shtetit Dardan, Dardanisë bizantine, si dhe figurave historike me origjinë nga kjo trevë. Një vend me rëndësi në këto shënime kanë edhe gërmimet arkeologjike që kemi zhvilluar, në fshatin Çifllak të Rahovecit. Aty u njohëm me Z. Fasli Thaçi (ndjesë pastë), një burrë shumë gazmor, i qeshur dhe bujar. “Unë nuk jam arkeolog”, më tha ai, “por e di se themelet e shtëpisë sime janë ndërtuar mbi troje shumë të vjetra të ilirëve. Në qoftë se nuk besoni, jeni të mirëpritur që të gërmoni në kopshtin e shtëpisë edhe pse tani është plot me perime”. E duke buzëqeshur shtoi: “E kush pyet, boll që ia arritëm kësaj dite që të dimë historinë tonë!”. Që nga ajo ditë shtëpia e Fasli Thaçit u bë dhe shtëpia e arkeologëve. Menjëherë e kuptuam se kishim të bënin më një qendër të rëndësishme antike të Kosovës, një vendbanim i cili përmbushte të gjitha kushtet për zhvillimin e jetës në antikitet.

Trevës dardane i dedikohen në këtë libër edhe disa shënime të mbajtura gjatë gërmimeve arkeologjike që kam bërë në Kukës, ku do të veçoja Qytezën në kodrën e Pecës, qendrën e parë qytetare në këtë krahinë për shekujt IV-II para Krishtit, ku kemi gjetur një vulë të shekullit IV me emrin e lashtë të Kukësit. Këtu pata fatin të zbuloj një objekt të mrekullueshëm, një llampë me shenjtorë të kohës paleokristiane të shekullin VI, e cila përfaqëson një objekt unikal – i vetmi në Europë – të cilin e kam publikuar së bashku me kolegun e njohur francez, François Baratte (profesor në Universitetin e Sorbonës Paris IV Hyrje 11 në Francë) në revistën e mirënjohur në fushën e arkeologjisë “Cahier Archeologique”.

Në vitin 2000 fillova gërmimet arkeologjike në kalanë e Grazhdanit (Dibër). Kur e vizitova për herë të parë këtë kala u befasova nga madhështia e saj. E ngritur në mes të një pllaje pjellore, me mure 3 km të gjatë, me 44 kulla dhe 3 hyrje, më krijoi përshtypjen se kishte ardhur koha të zbulonim të fshehtat e kësaj qendre të rrethuar nga heshtja prej shekujsh. Pas shumë vitesh kërkime dhe studime që lidhen me rëndësinë e kësaj qendre po botoj disa shënime mbi rolin që kishte kjo kala, e cila i dha emrin krahinës së Dibrës së sotme.

Pas rrëzimit të murit të izolimit, filluam kontaktet e para me kolegët e vendeve perëndimore. Në këtë rast isha i previligjuar, sepse që nga viti 1995 u bëra pjesë e ekipit shqiptar, së bashku me kolegët K. Lako dhe P. Damko (të ndjerë), Gj. Saraçi, I. Gjipali, Dh. Çondi, që do të bashkëpunonim për 10 vjet me kolegë nga Britania e Madhe për projektin arkeologjik të Butrintit. Kjo perlë e arkeologjisë mesdhetare dhe botërore, që të mahnit me bukuritë dhe madhështinë e monumenteve, të frymëzon dhe të fut natyrshëm në botën antike, ku ndërthuret historia e formimit, zhvillimit dhe lartësimit të një qyteti antik që si rrallëherë, ndonëse i zbrazur, të ofron ende ngrohtësi. Në këtë qytet kanë kaluar figura me përmasa botërore, janë zhvilluar ngjarje me rëndësi historike, janë ndërtuar vepra me nivel të lartë nga disa inxhinierë të njohur. Qytet me teatër dhe gjimnaz, me tempuj dhe ujësjellës. Pas punës, në orët e mbrëmjes, fillova të shënoj diçka për këtë qytet që dëshiroj ta ndaj me ju.

Së bashku me kolegun tim prof. William Bowden (profesor në Universitetin e Notingemit – Angli), na pëlqente të vizitonim një qendër arkeologjike buzë liqenit të Butrintit që quhej Diaporit. Në burime historike antike kishim lexuar se Butrintin e kishte vizituar i madhi Ciceron për të respektuar mikun e tij, pronarin e Butrintit, Pompon Atikun. Ciceroni e përshkruante aq bukur vilën e mikut të tij, sa na dukej sikur rrënojat e kësaj vile fshiheshin pikërisht në Diaporit. Të nxitur nga kjo histori, në vitin 2000 filluam gërmimet arkeologjike në Diaporit që zgjatën deri në vitin 2006. Një qendër që të lë pa frymë nga bukuria natyrore dhe madhështia e ndërtimeve që ajo përmban. E kisha shumë të vështirë që kënaqësinë e përjetuar në zbulimin e kësaj qendre të mos e ndaj me lexuesin. Prandaj në mënyrë shumë të shkurtër kam shkruar në këtë libër për Ciceronin dhe madhështinë e vilës së Diaporit.

Në këtë botim mendova të hedh disa të dhëna edhe për rrugët e rëndësishme tregtare dhe ushtarake që ishin ndërtuar në këtë kohë në Iliri. Gjatë kërkimeve në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, ndonëse ky territor ishte i mbushur me qendra dhe gjetje arkeologjike vazhdimisht ngriheshin disa pikëpyetje mbi zbulimin e disa objekteve që vinin nga brigjet e Italisë. Ne e dinim se një nga rrugët më të rëndësishme të komunikimit mes territorit tonë në antikitet dhe bregdetit të Adriatikut e më gjerë ishte rruga Egnatia. Por kjo trase nuk kalonte në veri dhe në Kosovë. Më tej vizituam shumë vende që nga Lezha e deri në Prishtinë, ku zbuluam se lidhja e trevave të Veriut dhe Kosovës janë realizuar nga një trase tjetër rrugore, e cila ishte ndërtuar paralel me rrugën Egnatia dhe njihet me emrin Lissus – Naissus (Lezhë-Nish). Kjo trase bashkohej me rrugën Egnatia nëpërmjet luginës së Drinit të Zi.

Një pjesë e shkrimeve në këtë libër lidhen me burimet historike të autorëve antikë. Gjatë leximit më bënte përshtypje figura e një personaliteti të madh, fillimisht si gjeneral i ushtrisë dhe më pas si mbret i ilirëve – Skerdilajdi, vëllai i mbretit Agron. Kjo figurë ishte anashkaluar dhe nuk gëzonte vendin që i takonte në histori. Me dëshirën që të kontribuoj sadopak në vlerësimin e kësaj figure ushtarake, politike dhe diplomatike të botës antike ilire vendosa që në këtë libër të botoj edhe një studim të përgatitur për këtë qëllim.

Nga pika më e lartë e kalasë së Lezhës vështroja gjithë hapësirën përreth, detin Adriatik, Shëngjinin dhe Drinin e Lezhës, duke u përpjekur të kuptoja luftën që Filipi V i Maqedonisë zhvilloi kundër Lisit në vitin 213 para Krishtit. Ku mund të jetë lumi Ardaksan që përmendet nga historianët antikë? Kështu lindi ideja për punimin rreth identifikimit të lumit Ardaksan. Figurat e shquara që shkruan historinë e Botës Antike si mbreti i ilirëve Skerdilaidi, perandorët Konstandini, Justiniani etj., natyrisht që nuk mund të mbeten jashtë shënimeve të këtij libri, pasi kontributi i tyre është epokal dhe njëkohësisht ata janë pjesë e pandarë e historisë së kombit shqiptar.

Shpresoj se këto shënime do t’ju sjellin sadopak atmosferën e ngjarjeve, figurave, historisë dhe kulturës së botës antike të shqiptarëve. Ato përmbajnë punime të shkurtra mbi ngjarje që kanë ndodhur në kohën e lashtë, figura historike të botës antike, zbulime me rëndësi arkeologjike, kuriozitete të kohës, etj.

Libri i drejtohet një lexuesi më të gjerë se mjedisi i ngushtë shkencor, siç janë nxënësit e shkollës së mesme, studentët, si dhe të apasionuarit e historisë dhe arkeologjisë. Shpresoj që nëpërmjet këtij botimi të sjellim para jush në mënyrë të kuptueshme përmbajtjen e studimeve. Siç do të lexoni më poshtë shënimet janë shkruar gjatë një periudhe të gjatë kohore, herë-herë duke plotësuar ecurinë e punës time si arkeolog në Shqipëri dhe në Kosovë.

*Sapo është hedhur në qarkullim ribotimi i këtij studimi i vitit 2015, i pajisur me një koleksion fotografish dhe në mënyrë të përmbledhur, është përkthyer në gjuhën angleze secili prej kapitujve.

Filed Under: Histori

Demagogët dhe fundi i tyre

December 11, 2022 by s p

Nga Alfons Grishaj/

1- Alfa  :

Historia është udhërrëfyesja jonë, memorja e datave dhe ngjarjeve, korrektorja  e hamendjeve dhe orës së harresës. Çdo historian serioz  sjell të kaluarën  në fokusimin  e tashmes , çfarë i jep atij një status të veçantë në shkencë, sepse neve nuk na mbetet asgjë tjetër, vetem të sjellim para lexuesit copëzat historike të daltuara nga ata.

Sot, historia  na sjell  fjalen demagogji dhe demagogun e parë. Etimologjia e fjalës demagog rrjell nga greqishtja ( lider popullor ), po ashtu  dhe demagogu i parë na vjen nga Greqia e lashtë,  Gjenerali athinas  Cleon, pinjoll i një familje fisnike aristrokate, por që në thelb ishte këmbë e krye kundër aristrokracisë dhe intelektualëve. Oratoria e tij pluskonte  neveri  ndaj klasës  që i përkiste. Cleon  u shfaq  i pashpirtë në masakrimin e  qytetarëve të vet ku  e vulosi  demagogjinë  si gënjeshtër dhe  gjak.

Pothuajse kanë kaluar rreth dy mijë e pesqind vjet që kur i pushuan bëmat…ndërsa  trashëgimia  dhe emri  keq  vazhdon dhe sot. Për Cleon kanë shkrojtur autorë që nga antikiteti, Aristofani, Thoukudides, deri  në ditët tona ,  Lane etj.

Siç dihet, demagogët kanë qenë dhe janë udhëheqës kundër elitave. Retorika demagogjike fillon si tupan populist dhe kulmon skeptër autoritarist. Mencken thoshte: Demagogu është njeriu që predikon doktrinën, që e di që nuk është e vërtetë tek njerëzit që i di që janë idiotë.  

2 –Simptomat:

Në këndvështrimin informativ aktual: mbushja e faqeve të emajlave, mediave me gënjeshtra , protoganizëm parazitësh, kantalenë sorrash, nëntekste qukapikësh, thirrje hipokritësh, kataris vemjesh, lavdi fluskash, trashëgimi patriotike rrenash, fjalime bombastike etj janë prapavija dhe mendja e “ prostitutave digitale” (siç thotë një miku im), por dhe  simptomat e para të shpirtligësisë  demagoge. 

        A e dini si e padisin veten demagogët? Çdo të mirë dhe zgjuarsi të tjerëve e kundërshtojnë! Këmbëngulin kuturu, tjerrin gënjeshtra, akuzojnë të tjerët me një shpirtëligësi të pafundme. Fjalime të stisura me sentenca emocionale  e të mbushura më hamendje e premtime  boshe.

Dëgjojini më vëmendje fjalimet e tyre në parlamente… Analizoni shkrimet dhe prononcimet në media pastaj  ndaluni për një moment dhe  pyesni për kulturën , origjinën e familjeve e tradicionin: çfarë kanë bërë për shkencë, atdhe, fe e demokraci?  Dhe atje do  gjeni përgjigjen që ju mundon. 

3- Ballafaqimi  fatal:

Demagogët e mëdhenj që u zgjodhën në krye të shteteve, i kthyen vendet e tyre në diktatura, duke  notuar kundër rrjellës së logjikës humane. Që pas Çleon, demagogët u shfaqën në Romë, Francë me Robespierin deri në rusinë e Vladimir Uljanov  Lenin, mjeshtri i terrorit të kuq, i cili  urdhëroi vrasjen e Car Nikolla II , dhe për shtatë vite me rrallë mbolli terror dhe vdekje.  Sikur të jetonte më gjatë,  një Zot e di çfarë do të kish bërë! Lenini u plagos nga Izraelito-Ukrainësja, Feiga Haimovna Roytbalt, ose Fanni Kaplan. Vetë Gorki që ishte miku tij më i ngushtë e kritikoi disa herë për kursin e gabuar, por ai jo vetëm nuk e dëgjoi, por e izoloi me preteksin se, Gorki ishte tuberkuloz dhe duhej lënë i qetë. Gorki (atodidakt), shkrimtar i madh, i njohur si babai i socializmit, e quajti Leninin: “Mashtrues gjakftohtë”. Ndërsa Lenini vdiq nga neurosifilizi  dhe fama e tij mbretëroi si  diktator, legjenda e  Maxim Gorkit u lartësua si shkrimtari më i dekoruar në historinë e njerëzimit. 

Antipodi i filozofisë Leniniste, nacional-socialisti Adolf  Hitler, dhe pse nuk e kishte arsimin e Leninit ( vetëm 12 klasë dhe mbeti piktor paakademi), nuk e pengoi atë të dilte në krye   të Partisë Nacional-Sociale. Në burg shkrojti, “Mein  Kamph”. Falë artit të demagogut helmoi një popull të tërë në luftë palavdi. Siç dihet historikisht , Hitleri  përfundoi i djegur  me Eva Braun.Pas vdekjes, u ngjall interesi për pikturat e tij  të ndaluara ku u shitën në ankand nga $100.000 deri në $ 400.000. 

Dikush mund të mendojë se fruti i ndaluar është më i ëmbli … Jo, njerëz! Fruti i ndaluar është tragjedia që ne vuajmë dhe do t’a paguajmë përditë deri në ditën e fundit .

Musolini (poet dhe gazetar), një ndër poetët e Italisë, babai i Fashizmit. Ashtu si të gjithë demagogët diktatorë, ai notonte midis sentimentalizmit, pamëshirshmërisë  dhe narcisizmit.  

U var nga populli Italian me kokë poshtë së bashku me Clara Petacci. 

Senatori amerikan, Huey Long (demagog, majtist i tërbuar), u qëllua nga Karl Weis , ku pas dy ditësh  vdiq. 

       Mjerisht dhe religjioni ra në prehërin e demagogjisë.  Kisha amerikane nuk pati përjashtim. Në Detroit lulëzoi prifti demagog Father Charles Coughlin, i cili  bëri një radio, duke   arritur në një kohë rekord  30 milionë fansa nga 120 milonë qytetarë që kishte atëherë Amerika. Ai e mbrojti Kishën me stilin e vet. Denoncoi ashpër Ku Klux Klanin. Suportoi Franklin Dilano Rusvelt dhe e kritikoi atë më vonë për miqësinë e tij me çifutë, duke dalur haptas kundër tyre  dhe përkrahur Nazi- Fashizmin. Thirrja e tij :  “Të implementohet  politika Nazi-Fashiste dhe në Amerikë”, la një shije shumë të keqe. Mbase Father Coughlin po hakmerrej ndaj çifutit demagog Lewis Levin ( siç shkrojtën disa), që pas Ku Klux Klanit, Levin   pat qenë anti-katoliku  më i egër në Amerikë. Megjithatë, këto thënie nuk u vërtetuan  asnjëherë. Father Coughlin  fliste në radio prej kullës së “The National Shrine of the Little Flower Catholic Church”. Ai fliste më tepër për politikë se sa për religjion, duke minimizuar misionin e tij pastoral , gjë që solli reagimin e Vatikanit. …

Kisha dhe kulla ku ka folur Coughlin vazhdon të ekzistojë në Twelve Mile Rd. Royal Oak.

     Tani demokratët amerikanë kanë filluar t’a quajnë demagog dhe  Donald Trump ! Fatmirësisht, ai  nuk ka premisa të tilla për vetë faktin se  është një biznesmen i suksesshëm dhe  perandorinë e biznesit nuk e ka ndërtuar me fjalë  boshe  e plaçkë, por me djersë. Ai nuk është gënjeshtar si të tjerët. Shpesh herë,  sinqeriteti i tij  ia kalon dhe inoçencës fëminore. Dhe pse, Geert Wilders ( demagogu  anti-islam) e përkrah parezerva, duke thënë: “ Neve na duhen udhëheqës trima si ai “, kjo nuk e bën Trump si  Wilders,  Udo Voigt, Karl Lueger etj. Nëse Amerika do ketë fat t’a rizgjedhë përsëri Donald Trump për President, kursi amerikan do ndryshojë përgjithmonë. Pas mandatit tij, Ron DeSantes, do e çimentonte prosperitetin e Perandorisë amerikane në vitet më pas. 

      Gjeniu që djersit, në një ditë  mund të arrijë  një shekull, kurse demagogu  mund të llomotisë një shekull pa mundur të arrijë dot  një natë finale të fildishtë. Kalbëzimi i demagogut fillon që në leksionet e para pa arritur të shijojë  të fundit…  

Demagogë ka pasur dhe ka edhe  Shqipëria jonë e varfër : Enver Hoxha dhe tani Edi Rama (ka dhë të  tjerë  demagogë bubajka ). I pari pati një vdekje  nga komplikacionet (haluçinacionet e vrasjeve të shokëve) e  diabetit që ia shkatërroi  zemrën. Ndërsa i dyti,  njihet si demagog teatral që jeton në botën e dollarit  dhe në ekstazë të pushtetit absolut që ia ka errësuar kufirin e ndërgjegjes “pazio”  e bën  atë  shpesh tragji-komik dhe arson si Nero. Vërtetë një Nero dhe në shkatërrimet e ndërtesave, “për të ndërtuar qytetete magjike” pas Romës së djegur !

Paplikola thoshte për Nero: “ I do not believe that there is a man on earth to whom it would be safe for the people to entrust the power of despot…Nero  was said to be blest with a kind and affectionate heart ; but the powers of the despot intoxicated his mind.” Nero përdori aftësitë e demagogut duke u kthyer një person i pashpirtë kundër popullit të vet. Fjalët e fundit të Neros ishin : “Qualis artifex pereo” që do të thotë , “ Çfarë artisti vdes me mua ? ” – dhe ai vazhdoi – “ Shumë vonë , por ah , çfarë besnikërie!” Fjalët ishin për kalorësin që u mundua t’i shpëtonte jetën.  

Aktualisht, klani i Edi Ramës , me shëmtinë që bëri   kundër simbolit  të demokracisë Sali Berisha i  afroi  vetes  një fund neronian, ndërsa demokracisë shqiptare : udhëkryqin më të rrezikshëm në historinë e pluralizmit shqiptar. Mendohet se kjo ngjarje është dhe fillimi i fundit i  tragjedisë së  Edi Ramës. Këto ditë, anë e kënd globit ( ku ka shqiptarë) nuk flitet gjë tjetër, vetëm  akti i turpshëm që bëri një mercenar i PS-së , duke  goditur simbolin  dhe liderin historik të PD-së dhe mbi të gjitha, një 78 vjeçar , akt anti-human në botën e lirë!!  Ka zëra se, pas këtij akti të dënueshëm , Edi Rama nuk do jetë kurrë më i sigurtë biles ,  as në Fort Knox!

Për mua këto zëra nuk janë  “Ankthi i Abrahamit”, siç thoshte, Kirkeergard. Thjeshtë, nuk kam dëshirë   të ndodhin gjëra të shëmtuara kundër asnjë krahu,  veçanërisht  për shqipfolësit , por dhe për shpirtrat e gjuhëve të tjera. Po ! Ndërsa  shikon si boshatiset Shqipëria  dhe përditë e më tepër merr  tatëpjetën,  humbja e një demagogu do çlironte dhe ndryshonte balancën pozitive humane në raport me  negativen. 

Papagali me përsëritjen e fjalëve fiton trofenë në tokë, por falkoni perigrin ia merr atë  nga qielli.…

4- Exit:

Demagogët, asnjëherë nuk e njohin limitin e vet deri në vetëshkatërrim. Sikur t’a dinin limitin e tyre dhe të bënin  një dalje të zgjuar nga kurthi i vetvetes … mund  të lëvdoheshin dhe  si vizionarë. Garibaldi qe një  i tillë. Ai unifikoi Italinë. Njëmijë këmishë kuqtë e tij kanë hyrë në histori si immortal , sepse dhe kur plagoseshin nuk u shihej gjaku, gjë që u kallte datën  kundërshtarëve ! 

Garibaldi ishte Gjeneral  revolucionar republikan, megjithëse i përkëdhelur deri në Amerikë (Abraham Linkoln e kërkoi për Gjeneral) , gjithmonë  i njohu  meritat dhe  limitet e veta. Sikur Hitleri (të bënte atë gjë që bëri Garibaldi kur bashkoi Italinë),  t’i largohej  verbërisë së  “Perandorisë së Rracës Ariane”, ai do të mbetej një hero i popujve gjermanfolës. Gjithashtu  dhe   Enver Hoxha , pas çlirimit   të kishte një exit me qasje humane do të mbetej një legjendë për shumë shqipfolës në planet. Po , a ka  demagogu  ndërgjegje dhe besë?

Fare thjeshtë, demagogut mund t’i veshësh dhe mantelin e renegatit dhe për renegatët, Niçe tek libri “Kështu foli Zarathustra” shkrojti: “Ne përsëri u bëmë fetarë – kështu llomotisin disa renegatë, por mjaft nga ta janë kaq burracakë sa nuk rrëfejnë asgjë”.

Objektivisht, nuk duhet vënë i gjithë faji tek Demagogët që bëhen tiranë, por duhet vënë faji tek inteligjenca, bashkëpunëtorët  dhe  populli që i përkrah për t’i glorifikuar  deri në mit. Kujtoni për një moment sheshet që mbusheshin  me popull ku në ekstazë brohorisnin  udhëheqësit e tyre, Hiltler e Musolin. Dhe  më vonë , bash  populli që i lartësoi i dënoi me ashpërsinë më të madhe !

Çuditërisht, që  të zgjosh  një popull  nga agonia… u dashka  t’a keqpërdorësh  për t’a ringritur atë  drejt marshit të  lirisë. 

Mendoj se, kur Çita (Cheetah) lodhet dhe bie, breshka (Testudinata) është  kafsha më e shpejtë në planet… 

      Që nga koha e Babelit, Zoti e dënoi njerëzimin për të folur disa gjuhë, sikurse  shqiptarëve u dha  gjuhën  e vet. Dhe pse në Planet janë evidente 3000  gjuhë që fliten, vetëm 100 prej tyre shkruhen. Gjuha jonë hyn ndër tri gjuhët më të vjetra të patjetërsueshme dhe është një nga 100 gjuhët që shkruhen, por përsëri ka mbetur  e pafiltruar nga ngjalat  renegate që nuk ditën  dhe nuk deshën kurrë t’a lartësonin  shkencërisht  si një ndër gjuhët më të vjetra të qytetërimit. Në të shumtën e rasteve dhe pse flasim shqip nuk mund të merremi vesh me njëri-tjetrin,  ngaqë PLAÇKA luftoi gjithnjë kundër nacionalizmit , idealizmit dhe inteiigjencës reale nacionale.

“Mandala” dhe “Jantras”, fjalë nga Sanskrinishtja, që përkthehen: “rreth” dhe “instrument”. Respektivisht këto dy fjalë  reprezentojnë  skemën  e experiencës spirituale, pneuma ! Ndërsa tek ne këto dy fjalë përkthehen : “Klan” dhe “Vegël”. Klan-i që  përdor popullin e vet si vegël për tu majmur dhe pasuruar në mënyrë ilegjitime. Ndërsa populli shqipfolës lufton për të mbijetuar, demagogët dhe renegatët  luftojnë për luks dhe zona influence.

Demagogjia është webi që lind diktatura, kaos e varfëri. Nëse, sita e fatosave të lirisë sit bubajkat demagogjike dhe renegate, kufiri i shqipfolësve  do lulëzojë  parajsen në tokë pa e kërkuar atë nëpër botë dhe  qiell. 

Zero demagogë  e renegatë. Kombi  jonë do ketë zhvillim, bekime e uratë ! 

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj

NËNTORI I KRENARISË KOMBËTARE / 110-VJETORI I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

December 10, 2022 by s p

Shënimi i Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit, shpalljës së Pavarësisë së Shqipërisë  të shqiptarët në Mal të Zi ka filluar nga viti 1991, nga partitë politike dhe shoqëria civile ndërsa nga viti 2008 organizohet nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, duke mbetur festa  që i bashkon shqiptarët  si në vend dhe në diasporë, duke përkujtuar  me pietet e  nderim të  gjithë ata qe kanë luftuar më pushkë e pendë për liri dhe çlirim kombëtar

Zonja dhe zotërinjë,

Të nderuar pjesëmarrës!

Te rrallë janë ata popuj që kanë një datë ne historinë e tyre kombëtare siç janë shqiptarët, datë kjo historike e cila lidhet me identitetin dhe krenarinë kombëtare. Kujtesa historike na shpie ne Krujën legjendare, na kujton 28 nëntorin  e vitit 1443 dhe na ngjallë fuqishëm  epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili për një çerek shekulli mbrojti jo vetëm  lirinë dhe nderin e shqiptarëve, por edhe civilizimin evropian. Prandaj, heroi ynë kombëtar me kohë i ka kaluar përmasat e historisë kombëtare dhe është bërë pjesë e historisë botërore.

Por, pas kësaj periudhe të lavdishme shqiptarët përjetuan  plot vuajtje e sakrifica, me ngritje e zbritje por arritën për të  ruajtur identitetin kombëtar. Ne këto kohëra te robërisë dhe te mbijetesës  edhe flamurin kombëtar e rrembeu vala shkatërrimtare. Kur armiqët tanë menduan se ai treti përjetë, ngjau katarza në zemrat tona. Patrioti, Faik Konica duke hulumtuar në histori, e rizbuloi dhe, pas katërqind e ca vitësh, sërish valoi Flamuri i Skënderbeut. 

Pas Nëntorit të Parë, përkulemi me respekt të thellë para emrit  dhe veprës së plakut të mençur të Vlorës, Ismail Qemalit i cili me 28 nëntor 1912, ngriti flamurin dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, që ne histori njihet si Nëntori i Dytë. 

Festën e Flamurit, që është dita më e rëndësishme e historisë kombëtare, mjerisht nuk e gëzuan të gjitha trojet shqiptare, sepse ne saje të vendimëve të padrejta në  Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1913), jashtë shtetit te sapoformuar shqiptarë mbeten më së gjysma e popullsisë dhe e trojeve shqiptare, të cilat u aneksuan nga shtetet fqinje.

Edhe pse  për këto 110-vite  ne periudha te ndryshme shqiptarët jashtë kufinjëve politikë te shtetit amë përjetuan vuajtjet, persekutimet, diskriminimin  dhe ekzodet biblike, ata megjithë reduktimin e vazhdueshem te numrit dhe te territorit të tyre mbijetuan, duke u përpjekur vazhdimisht te konsolidohen dhe te avancojnë te drejtat kombëtare.

Kosova  nga viti 2008 është shtet i pavarur, por ende pa konsilodim të pushtetit në terë territorin e vet. 

Shqiptarët ne Maqedoni dhe ne Luginën e Preshevës, pas luftës së  tyre për barazi kombëtare, janë ne pritje te realizimit praktik të barazisë kombëtare. 

Shqiptarët në Mal të Zi  angazhohen për avancim te statusit të tyre politik si dhe integrimin e tyre me identitet kombëtarë. 

Shqiptarët në Çamëri janë pothuaj të harruar, por ne kërkim të vazhdueshem për njohjen e ligjshme të  tyre mbi pronat dhe trojet e veta kombëtare.

Ndërsa diaspora shqiptare e shpërndarë anë e kend botës paraqet ndërgjegjën tonë kombëtare e cila  ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke e ndihmuar çështjen kombëtare shqiptare e sidomos ne vitet 1991-1999, andaj meriton nderim te vazhdueshem.

Shqiptarët  kur kremtojnë Ditën e Flamurit 28 Nëntorin, përkatësisht Pavarësinë e Shqipërisë, paraqiten të bashkuar por të tillë duhet të jenë vazhdimisht sepse çështja kombëtare nuk është çështje private, partiake apo e klanëve të ndryshme, sepse kombi, gjuha e flamuri kombëtar shqiptar mbetën mision i përjetshëm i botës shqiptare.

Të ndëruar pjesëmarrës,

Janë të rrallë ata individ që mund ta kenë ditëlindjen e tyre me datat madhore të historisë së kombit, por më këtë rast kemi një përjashtim sepse Dita e Flamurit-28 Nëntori përkon me ditëlindjen e  Adem Jasharit, Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai me aktin madhor të flijimit të tij dhe të tërë familjes, vulosi  fitoren e shqiptarëve me ç’ rast nisi një erë e re për shqiptarët duke i dhënë  kuptim ardhmërisë së lirë të qytetarëve të Kosovës.

Dita e Flamurit-28 Nëntori, është datë historike dhe emblemë e fuqishme e përpjekjeve të pandërprera të popullit tonë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtarë, andaj si e tillë është festa e të gjithë shqiptarëve. 

Ne këtë ditë të shenuar, shqiptarët si ne trojet e tyre etnike dhe ne diasporë,  kujtojnë me pietet dhe nderim të thellë të gjithë ata qe kanë luftuar më pushkë e pendë për liri dhe çlirim kombëtar.

Eshtë kjo festa e shenjtë kombëtare qe i bashkon shqiptarët, rreth Flamurit të përbashkuar, si në Himnin Kombëtar.

Ju faleminderit dhe gëzuar festën!

                                                                                                        Dr.Nail  Draga

         (Fjala e mbajtur me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit  në Ulqin  me 28 nëntor 2022)   

Filed Under: Rajon

PO MBYLLET 100-VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE PËR FAQE TË ZEZË

December 10, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Ka disa vite që paralajmëroj për rrezikun që i kanosej marrëdhënieve amerikano-shqiptare për arsye të asaj që unë e kam konsideruar si sjellje jo normale dhe aspak diplomatike – midis Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, regjimit të tij autoritar e të korruptuar dhe ambasadorëve të vendeve perendimore, përfshir Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara, Zonjën Juri Kim dhe përfaqsuesve të enteve të tjera ndërkombëtare në Tiranë.  Dukej sikur të gjithëve u ishte mbushur mendja se po përfaqësonin vendet e tyre në shtetin më të lirë e më demokratik në rajon, në Evropë e ndoshta edhe në botë. Ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë dukeshin si të hipnotizuar nga Edi Rama dhe regjimi i tij.  Vazhdimisht është folur për ato që diplomatët perëndimorë, e sidomos Juri Kim, kanë theksuar, “vlerat e përbashkëta” me regjimin e Tiranës. Betohej për punën e bërë “krah për krah”, me një regjim autoritar të korruptuar që kontrollon të gjitha institucionet qeveritare dhe shtetërore, parlamentin, mediat kryesore dhe gjykatat, pa marrë parasysh se ç’po ndodhte në shoqërinë shqiptare, ndërkohë që përball këtyre krizave, vendi po zbrazet nga rinia dhe nga elita e Kombit.  Fatbardhësisht, ndonëse shumë vonë, diplomatët perëndimorë kanë filluar të dalin nga kllapia e kësaj sëmundjeje, por është tepër vonë. 

Si është e mundur që dipomatët perëndimorë – përfaqsues të vlerave perëndimore të lirisë e demokracisë — nuk shikonin korrupsionin, drogën dhe keq-qeverisjen, shkatërrimin e opozitës, vjedhjen e votave, e tjera. Si është e mundur dhe normale që diplomatët e vlerave të demokracive perëndimore, të përfliten në Tiranë nga media dhe të tjerë, si palë me qeverinë dhe përçarës të opozitës edhe ashtu e ndarë dhe e shkatërruar në vetvete. Pa pluralizëm politik nuk ka demokraci!  More, nuk i shihni kolonat e shqiptarëve duke u larguar nga Atdheu i tyre, të zhgënjyer me “demokracinë” shqiptare, me korrupcionin, me shkeljet e lirisë së fjalës dhe të normave demokratike, në përgjithsi, me mungesën e drejtësisë e tjera e të tjera.  E ju të gjithë, perëndimorët pa dallim aty në Tiranë — keni hesht, për vite, përball këtyre dukurive.  Është tepër vonë tani, reagimi i juaj. Tani, po të flisni, MEPJ u jep ju urdhër të largoheni, të merrni valixhet dhe ikni, duke koritur ju personalisht, të nderuar diplomatë perëndimorë – po për më tepër duke poshtëruar vendet tuaja që ju përfaqësoni në Republikën e Shqipërisë.  A mund të më thotë dikush se bazuar në cilat norma dhe cilat parime, vlerat dhe rregullat diplomatike ndërkombëtare, Shqipëria mund të japë një njoftim të tillë për diplomaten më të lartë amerikane në Tiranë? Dikush duhet të japë një shpjegim për këtë njoftim ofendues ndaj Amerikës, qoftë Ambasada Amerikane në Tiranë ose Departmenti Amerikan i Shtetit në Washington. E turpëshme!

Unë e kam thenë vazhdimisht se marrëdhëniet midis dy vendeve tona nuk janë ashtu siç pretendohet se janë dhe aspak ashtu siç do të dëshironim të ishin, në këtë 100-vjetor të themelimit të tyre. Shyqyr që ky përvjetor po merr fund se na kanë lodhur me gnjeshtra të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve, “krah për krah” dhe gjoja të bazuara në “vlera të përbashkëta”, me udhëheqsin e tyre të preferuar në krye të qeverisë shqiptare.  Jam munduar gjatë viteve që këto marrëdhënie ti paraqes si lidhje midis dy popujve tanë dhe jo me regjime ose individë autoritarë që s’kanë asgjë të përbashkët me Amerikën as me vlerat perëndimore. Për fat të keq, atmosfera në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë nuk ka qenë kurrë më e keqe se sot – në përmbylljen e 100-vjetorit të vendosjes së këtyre marrëdhënieve.  Dua që këto marrëdhënie të jenë gjithmonë popull me popull dhe të mos varen nga individë të papërgjegjëshëm, nga cila do palë qoftë, që i përdorin ato për qëllime që nuk janë në favor të lidhjeve, historikisht, miqësore e të ngushta midis dy popujve tanë miq. 

Uroj që këta njerëz, të cilëve u kishim besuar zhvillimin normal dhe diplomatik të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të mos u kenë shkaktuar lidhjeve, historikisht, miqësore midis dy kombeve tona – dëme të pa-riparueshme afatgjata. Disa analistë e komentues shqiptarë u shprehën, pas njoftimit të MEPJ të Shqipërisë se Edi Rama po e hedh Juri Kim, si një “lemon të shtrydhur”, por unë besoj se në përmbyllje të 100-vjetorit të marrëdhënive dy-palëshe, Edi Rama po i tregon gishtin edhe Shteteve të Bashkuara, në shenjë mos-aprovimi për gjëra që ne ndoshta nuk i shohim në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.

Kur shikoj pas zhvillimet e disa viteve të fundit në marrëdhëniet midis Ambasadores amerikane Juri Kim në Tiranë por edhe të përfaqsuesve të tjerë perëndimorë në Shqipëri, si për shembëll trajtimit dhe përpjekjeve të tyre për ta paraqitur Ramën dhe regjimin e tij si pro-perëndimor, e madje edhe si pro-amerikan, me të cilin Shtetet e Bashkuara, sipas tyre, ndajnë “vlera të përbashkëta – është e pamundur të mos bej pyetjen më normale që mund të jetë — drejtuar diplomatëve perendimorë në Tiranë: More a ka mbetur gjë më nga integriteti diplomatik në këtë botë!?  Z. Rama është tallur në të kaluarën me Bashkimin  Evropian, me Shtetet e Bashkuara dhe me Zonjën Kim, personalisht, duke iu referuar asaj, pak a shumë, si “sekretare e Partisë së Punës(Komuniste) Frank Shkreli: Kryeministri Rama tallet me Amerikën në prani të Yuri Kim | Gazeta Telegraf , ndërkohë që dihet se flamuri i Shteteve të Bashkuara, nuk është një prej flamurve botëror i preferuar nga Edi Rama.

Por ishte njoftimi i fundit që erdhi si rrufe nga një qiell i kaltër, nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë – në ditët e fundit të 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.  Ishte si një kapak për të mbyllur këtë farsë mashtruese nga ana e Tiranës zyrtare që po përfundon me shpalljen e përfaqsueses amerikane në Tiranë, pothuaj si “non-grata”, ndoshta jo me këto fjalë, por është një dëbim i njëanshëm nga regjimi Rama, ndryshe kjo nuk mund të shpjegohet.  

Deri në këtë moment, nuk kam parë ndonjë njoftim nga Departmenti Amerikan i Shtetit sa i përket njoftimit të njëanshëm për “zevendësimin e Ambasadores Kim”, si përfaqsuese e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Ky njoftim nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme e Shqipërisë është krejtësisht jashtë normave diplomatike.  Ja lexojeni njoftimin e njëanshëm të Tiranës zyrtare ku një regjim autoritar siç është ai i Tiranës, njofton largimin/dëbimin e një ambasadori të huaj – dhe jo vetëm do si do ambasadori – por përfaqsueses së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fuqisë politike, ekonomike dhe ushtrake më të madhe botërore – me të cilën deri më sot me fjalë boshe pretendonte se ishte aleatja kryesore strategjike e Shqipërisë. Çfarë hipokrizie!?

Image

Cilat do që të kenë qenë marrëdhëniet midis ambasadores amerikane në Tiranë, Juri Kim dhe regjimit të Kryeministrit Rama, gjatë tre viteve të kaluara, njoftimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e jashtme e Shqipërisë është ofenduese për Zonjen Kim të cilës në realitet, Tirana zyrtare i thotë, merr valixhet dhe ik! Por është një ofendim i rëndë karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është një njoftim jashtë normave normale diplomatike në marrëdhëniet midis shteteve dhe dikush duhet të japë shpjegim se pse ndodhi dhe çfarë do të thotë, pasi është një dukuri e paparë më parë, në analet diplomatike.

Çfarë sinjali është ky njoftim për vet Zonjën Kim dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane? Duke e shikuar prej së largu, më duket se njoftimi i MEPJ nuk ka të bejë fare me Zonjën Kim por me pakënaqësinë e qeverisë Rama me Shtetet e Bashkuara – si një shenjë protestues nga Tirana se qeveria shqiptare aktuale është e pakënaqur me politikat e vendit që përfaqëson Zonja Kim. Por mund të jetë edhe njëfarë bullizmi, një kërcnim se nëqoftse shtohet presioni ndaj regjimit të tij, mund të ketë masa të tjera edhe më dramatike për marrëdhëniet dy palëshe, për ndryshe kjo nuk mund të kuptohet nga njerëz normal.

Për diplomatët amerikanë dhe perëndimorë në Tiranë, që përfaqësoni Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian – për hir të atij populli të vuajtur pro-perëndimor në Shqipërinë tonë të dashur — ka ardhur koha që të hiqni maskën e hipokrizisë dhe të flisni haptas për realitetin tragjik të politikës shqiptare dhe të gjëndjes në përgjithësi në atë, përfshir dështimin e demokracisë së vërtetë në Shqipëri – një politike të dështuar, që tani, fatkeqsisht, mund të prekë negativisht edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin. Megjithkëtë, unë jam optimist se marrëdhëniet miqësore shqiptaro-amerikane midis dy kombeve tona, të cilat i kanë mbijetuar, për pothuaj një gjysëm shekulli, njërit prej regjimeve më të egra e barbare në botë — diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, do të vazhdojnë të zhvillohen në të mirë të dy popujve tanë dhe të paqës në Ballkan dhe në botë! 

Frank Shkreli

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1929
  • 1930
  • 1931
  • 1932
  • 1933
  • …
  • 2783
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT