• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

XHEVAT KALLAJXHI: ABRAHAM LINKOLNI: MOS U TREMBNI NGA E VËRTETA

December 5, 2022 by s p

“Armiqësi kundër askujt, mirësi ndaj të gjithëve…”

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence
No photo description available.

                                                 “Ata që ua mohojnë lirinë të tjerëve, 

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, në bashkëpunim me Teqen Bektashiane Shqiptare në Amerikë, me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, promovuan librin, “Lincoln”, të ish-Editorit të Diellit dhe të ish-redaktorit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Xhevat Kallajxhi. Promovimi u bë më 3 Dhjetor 2022, ditën e Shtunë, në Selinë Qendrore të Vatrës, në Nju Jork.

             —————————————————————

Përshëndetjet e mia më të përzemërta miqëve e dashamirësve të Xhevat Kallajxhiut, ish-redaktorit të Gazetës Dielli, i cili për një kohë të gjatë – i vetëm, pa asnjë ndihmë prej askujt – mbajti gjallë gazetën Dielli.  Por u përshëndes dhe falënderoj Vatrën që së bashku me Teqenë Bektashiane Shqiptare të Amerikës, kujtoni sot edhe një ish-bashkpuntor dhe koleg timin me të cilin kam punuar në Zërin e Amerikës.

E quaj me fat njohjen dhe mundësinë që kam punuar tek Zëri i Amerikës me Xhevatin. Ai ishte një koleg si të tjerët në atë zyrë, por për mua, Xhevati ishte diçka më tepër, ishte mësuesi dhe këshilltari im – sa i përkiste gjuhës shqipe por edhe gazetarisë. Ndonëse me një ndryshim të madh moshe, kjo nuk na pengonte që të komunikonin, por edhe t’i shihnim dhe t’i gjykonim punët me të njëjtin qendrim. 

Unë kam shkruar edhe herë të tjera për Xhevatin duke theksuar respektin dhe mirënjohjen që kam gjithnjë për këtë burrë të madh të gazetarisë shqiptare dhe të Kombit, prandaj po përqëndrohem pak a shumë në subjektin specifik për të cilin jemi mbledhur sot për të biseduar – duke falënderuar nga zemra Vatrën — që më ftoi t’i bashkohem këtij kujtimi të mikut tim dhe të shumë shqiptaro-amerikanëve të brezit të kaluar por edhe të tanishëm — pa dallim feje as krahine, të ndjerit Xhevat Kallajxhi.

Xhevati ishte patriot i madh, njeri i penës dhe adhurues dhe mbrojtës i të vërtetës. Ai mishëronte, si rradhë kush, atdhedashurinë e tij me gazetarinë, duke përdorur gazetarinë në mbrojtje të Atdheut, të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor.  Xhevati i përkiste atij brezi antikomunist, si një veteran i vërtetë i luftës së ftohtë kundër komunizmit ndërkombëtar por edhe të atij regjimi komunist të Enver Hoxhës dhe krimeve të tija anë e mbanë Shqipërisë por sidomos në Gjirokastrën e tij të dashur ku kishte lindur e ku drejtonte para Luftës së dytë Botërore gazetën e njohur të asaj kohe, “Demokracia”. 

Xhevati përveçse ishte një patriot shqiptar, ishte edhe mirënjohës i madh ndaj Amerikës, ku ai kishte gjetur strehim dhe liri, si shumë prej nesh, dekada më parë e deri në ditët e sotëme.  Dua të përmend në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane se ndjenjat e Xhevatit për lirinë dhe demokracinë amerikane ishin të sinqerta dhe dashuria e tij për Amerikën ishte madhe.  Vlerat amerikane të lirisë e demokracisë e të drejtave të njeriut, Xhevati i mbronte shpesh dhe kudo, në shkrimet e tija dhe në biseda private e takime publike. Xhevati mbronte dhe ekspozonte të vërtetën në lidhje me krimet e Enver Hoxhës në emër dhe në mbrojtje të komunizmit ndërkombëtar, në punën e tij tek Zeri i Amerikës dhe në faqet e gazetës Dielli.

 Dëshiroj ta pasqyroj këtë pretendim me këtë fakt, se sa i përkushtuar ishte Xhevat Kallajxhiu ndaj përhapjes së të vërtetës – në Zërin e Amerikës dhe gazetën Dielli.  Xhevati kishte dalur në pension nga Zëri i Amerikës në fillim të 70-ave, por pasi nuk kishim staf të mjaftueshëm, drejtori i atëhershëm i VOA-s shqip, Jozef Paskali e kishte ftuar Xhevatin të këthehej e të punonte gjysëm dite për Zërin e Amerikës pasi nevoja ishte e madhe se mungonte personeli i kualifikuar. Kështuqë Xhevati vinte çdo ditë, punonte katër orë për të cilat paguhej nga qeveria, por qëndronte në zyrë 8 orë sepse detyrohej të priste kolegët e tjerë për tu këthyer në shtëpi, me të cilët kishte ardhur në punë në mengjes, se nuk kishte makinë që të këthehej vet në shtëpi. Ashtuqë nga mesdita e deri në ora 5 pas dreke, gjysmën e ditës pra tek Zeri iAmerikës, ai e përdorte për të përgatitur materialin për gazetën Dielli, pasi ishte, njëkohësisht edhe redaktor i Diellit gjatë asaj periudhe, por siç dihet pa asnjë shpërblim.

Ky, pra ishte Xhevat Kallajxhi, nuk pushonte kurrë, punonte për Amerikën e lirë e demokratike dhe për Kombin e vet të robëruar nga komunizmi – me pagesë e pa pagesë – me një kontribut voluminoz në fushën e publicistikës dhe librave madje edhe poezive.

Nga kjo veprimtari dua të veçoj tre libra të Xhevatit që tregojnë lidhjet e tija të ngushta me Shqipërinë e shqiptarët dhe me Amerikën. Libri “Skenderbeu”, libri për Presidentin Xhon Kennedy dhe vepra për të cilën jemi mbledhur sot këtu, libri Linkoln. Nuk është e rastit që Xhevati ka zgjedhur, pikërisht, këta dy ish-presidentë të Amerikës që t’ia paraqsite lexuesit shqiptarë në atë kohë dhe sot. Si adhurues i lirisë dhe i demokracisë amerikane, por edhe si nacionalist dhe demorkat i përkushtuar, me këto libra, Xhevati tregon edhe respektin e tij për vlerat e këtyre dy udhëheqësve historikë të Amerikës, kampionë të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, jo vetëm për Amerikën – ku sot e kësaj dite konsiderohen nga amerikanët si presidentët më të mirë të këtij vendi, por të admiruar edhe anë e mbanë botës.

Ja pra, jemi këtu për të folur edhe për veprën e prpmovuar sot të Xhevatit, libri Linkoln. Presidenti Linkoln.  Për të gjithë kohërat, Presidenti Linkoln bën thirrje, jo vetëm Amerikës, pore dhe mbarë botës — që të ri-dedikohemi punës së pakryer që mbetet për tu bërë – duke bashkuar të gjitha forcat, për të siguruar se “qeveria e popullit, nga populli e për popullin” do të vazhdojë së funksionuari, anë e mbanë botës. 

Sipas Xhevat Kallajxhiut, “Lincolni mbrojti gjithnjë, në jetën e tij, me vetëmohim kauzën e lirisë. Foli për të me vendosmëri dhe besim të thellë. Ai që flet për liri në një mënyrë të tillë, flet për të gjitha kohët dhe për të gjithë njerëzimin. Ai tha në një rast këto: “Përpjekja për liri duhet të vazhdojë gjithnjë. Kauza e lirisë nuk duhet të marrë fund në mbarimin e një viti ose në mbarimin e një shekulli. Në të drejtën e tyre për të jetuar të lirë e të lumtur, të gjitha racat janë të barabarta. Zemra njerëzore është me ne… Perëndia është me ne… Gjithë njerëzimi duhet të jetë i lirë”. Këto dhe shumë fjalë të tjera të skalitura të Lincolnit drejtuar ndërgjegjes së njerëzimit, frymëzojnë kurdoherë shpirtrat e miliona vetëve për të luftuar me guxim çdo formë të tiranisë”, shkruan ndër të tjera autori.

Presidenti Linkoln udhëhoqi Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës Civile midis shteteve të veriut e shteteve të jugut, (Prill 12, 1861 –Maj 26, 1865), e që ishte kriza më serioze në historinë e Amerikës. Presidenti Linkoln i dha fund skllavërisë dhe luftës civile dhe në të njëjtën kohë ruajti bashkimin e vendit dhe i tregoi botës se demokracia mund dhe duhet të përbëjë një formë qeverisje të përhershme. Me një rast kur foli për demokraci, ai pat thënë se, “Unë nuk dua të jem as skllav e as pronar skllevërish”. Kjo deklaratë pasqyron qëndrimin e Linkolnit, jo vetëm karshi skllavërisë fizike, por edhe ndaj asaj politike dhe shpirtërore. “Kjo shpreh idenë time të demokracisë. Çdo gjë tjetër ndryshe nga kjo, nuk është demokraci”, ka thënë ai. Dhe me një rast tjetër, ai është shprehur se, “Duke u dhënë lirinë atyre që janë skllevër, ne sigurojmë edhe lirinë e atyre që janë të lirë”.

Gjatë inaugurimit të tij të dytë si president, Linkolni ka ri-theksuar qëndrimin e vet kundër skllavërisë duke thënë; “Armiqësi kundër askujt, mirësi ndaj të gjithëve…”. Këto fjalë të Linkolnit, sipas Xhevat Kallajxhiut, autor i librit mbi jetën e Presidentit Linkoln – “nxorën në dritë edhe një njeri të zhveshur nga pasionet politike, një njeri të lirë në trup e në shpirt, vëllain e të gjithëve, i cili si president, qëndroi mbi partitë dhe grupet e interesit dhe që foli si një përfaqësues i vërtetë i gjithë kombit. Prandaj në ditët tona”, ka shkruar Xhevati në librin e tij kushtuar Linkolnit, “Kur urrejtja, smira dhe hakmarrja, duket se janë të vetmet ndjenja që e shtyjnë njeriun të veprojë, figura dhe jeta e këtij amerikani të madh shëndrit magjishëm”, ka shkruar autori. 

Përsëri sipas Xhevatit, “për Linkolnin përdoret gjithnjë nofka “i ndershmi Abe” (Abraham), të cilën ai e fitoi prej drejtësisë dhe ndershmërisë së tij. Në librin e tij, Kallajxhiu vë në dukje gjithashtu se Linkolni, “kurrë nuk përdori mashtrimin si mjet për të arritur qëllimet e veta dhe nuk tradhtoi kurrë idealet, në funksion të përfitimit politik. Në librin e tij për jetën e Presidentit Linkoln, Xhevati thotë se Linkolni gjatë gjithë jetës, mbrojti të varfëritë e të nëpërkëmburit dhe me kurajo e vendosmëri mbrojti dhe vuri kushtet për, “respektimin e dinjitetit njerëzor, pavarësisht nga raca, gjuha apo feja”.

Këtë libër Xhevati ia kishte kushtuar: “Teqesë Bektashiane Shqiptare në Detroit, e para në Shtetet e Bashkuara, për kujtim dhe nderim të veprimtarisë së ndritur kombëtare që zhvilloi në Shqipëri dhe të shërbimit të shquar njerëzor që bën në Amerikë, këtë vepër modeste ia kushtoj me admirim”. Xhevat Kallajxhi.

Libri “Linkoln”, në të vërtetë, kishte bërë bujë në diasporën shqiptare të asaj kohe – jo vetëm në Amerikë por edhe në Evropë. Revista Shejzat e Ernest Koliqit (Viti 6, nr. 5-6, vitit 1962) ka botuar një artikull vlerësues të shkrimtarit e albanologut të njohur të asaj kohe dhe sot, Karl Gurakuqit, i cili në shkrimin e tij për librin “Linkolni”, Kallajxhiut shkruante: “Veçanërisht, lipset t’ia dijmë për nder Xhevat Kallajxhiut që na lëshoi në dorë një libër nga i cili mund të nxjerrim njoftime të mjafta mbi një ndër fytyrat ma të ndritura të historisë amerikane, por edhe ndër ma të rrallat e botës, sikurse është Abraham Linkolni”.  Gurakuqi vazhdon vlerësimin e tij të librit, Linkolni, duke thenë se, “Faqet e librit të Kallajxhiu na japin një panoramë të virtyteve që e kanë stolisë këtë bir të Amerikës demokrate, virtyte që i shohim, sidomos, kur populli e zgjodhi si president të Republikës së hyllëzueme. Në të vërejmë burrin e urtë të shtetit, aty shohim zotësinë e tij të qeverisjes. Prekim me dorë aftësinë për të tërhjekur turmat popullore, pse dijti me u dalë zot të dobëvet dhe të mjeruemve. Mësojmë se Linkolni vet kishte besim në Perendinë e në provaninë e Tij, pa dashjen e të cilit kurrgja nuk ndodh mbi tokë. “Kâ nji Perendi”, janë fjalët e Lincoln-it dhe, “Ai e urren  padrejtësinë,  mëninë e skllavëninë..” ka shkruar Karl Gurakuqi në revistën “Shejzat” të vitit 1962 duke vlerësuar librin e Xhevat Kallajxhiut.

Ata që u mohojnë lirinë të tjervet nuk e meritojnë lirinë për vete dhe drejtësija e Zotit nuk do t’i lejojë të sundojnë për të gjatë kohë.  “Prej faqeve të monografisë së Kallajxhiu del në dritë se parimet e Lincolnit në qeverisjen e vendit kanë qenë liria, drejtësia e demokracia, për të cilat sot më fort se kurrë kâ nevojë bota për të gjetë peshimin e vet të tronditur nga sistemet diktatoriale absolute.  Libri i Xhevat Kallajxhiut lexohet me ândje si nji roman, si nji histori pâ pretendime të mëdha, vazhdon Gurakuqi. “Gjuha e përdorun âshtë ajo shqipja e thjeshtë, e pastër, e rrjedhëshme, që na tingllon në veshë prej shumë kohësh.  Kallajxhiu nuk âsht i panjoftun në qarqet intelektuale shqiptare: cilido prej nesh emënin e Xhevatit e kâ ndigjue tash e parë. Duke lexuar librin e tij na del Xhevati i viteve kür ai me shkrimet e veta të urta e të matuna, zbukuronte faqet e fletores “Demokratija”, të Gjinokastrës, i së cilës ishte drejtor.  Ndoshta Xhevat Kallajxhiu do të na gëzojë  me  ndonji  botim tjetër, pse, si po ndigjojmë, kâ shumë shënime mbi ngjarjet e kohës që i paraprînë katastrofës së vjetit 1944”, ka shkruar ndër të tjera, në revistën Shejzat e Ernest Koliqit,  Karl Gurakuqi në vlerësimin e tij të librit “Linkolni”, të autorit  Xhevat Kallajxhi.

Po i përfundoj këto fjalë modeste për një burrë të madh – me vlerësimet e një personaliteti gjithashtu të madh të letrave shqipe, siç është Karl Gurakuqi, para pothuaj 65-viteve dhe me fjalët e autorit të librit Linkoln, Xhevat Kallajxhiu, i cili citon Linkolnin të ketë thenë: “Me besim të thellë ndaj Zotit dhe me ndërgjegje të pastër ndaj veprës së Tij njerëzore, Linkolni deklaroi një herë se, “Do ta mbronte të vërtetën dhe të drejtën deri në vdekje”. Dhe e mbrojti. Nuk u ndal dhe nuk u tremb kurrë.  Linkolni e kishte theksuar qartë se shoqëritë lartësohen vetëm duke u njohur të gjithë pjesëtarëve të drejtat e barabarta.” Ky është mesazhi i Linkolnit sot edhe për shqiptarët kudo,që përcillet nepëmjet librit “Linkolni”, të autorit Xhevat Kallajxhi: Mos u trembni nga e vërteta!

 Falënderimet e mia të gjithë juve për durimin dhe vëmendjen!

Frank Shkreli

See the source image

Xhevat Kallajxhi, autor e gazetar – ish-Redaktor në Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe — Kryeredaktor i gazetës më të vjetër në ekzistencë, gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra – dhe drejtor i gazetës “Demokracia” në Gjirokastër, para Luftës së Dytë Botërore. 

Udhëheqsi i Qendrës Bektashiane, Shqiptaro-Amerikane në Detroit të Shteteve të Bashkuara, i Nderuari Eliton Baba Pashaj duke folur në Vatër, 3 Dhjetor, 2022

Autori me të udhëheqsin bektashian në Amerikë, të Përndershmin Eliton Baba Pashaj në Vatër duke kujtuar shqiptarin e madh Xhevat Kallajxhiun dhe Presidentin Abraham Lincoln, ndër më të mëdhejt e Shteteve të Bashkuara — në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare

Autori në Vatër, duke kujtuar bashkpunimin me Xhevat Kallajxhiun në Zërin e Amerikës  (3 Dhjetor, 2022) 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

XHAFER DEVA MË NDRYSHE NË NJË BOTIM TË RI HISTORI E SHKRUAR NË BAZË TË DOKUMENTEVE

December 5, 2022 by s p

Muhamed Mufaku/

Xhafer Deva (1904-1978) është një prej figurave kombëtare të shekullit XX,i cili dallohet me 3 imaxhe të ndryshe të tri gjeneratave të shek.XX dhe shek.XXI.Te gjenerata e parë ai mbahet mend si bartës i idelogjisë kombëtare,përkatësisht për bashkimin kombëtar që u paraqitë me Ligën e Dytë të Prizrenit dhe me Shqipërinë etnike më 1943,ku zuri postin e Ministrit të Brëndshëm deri kur forcat komuniste shqiptare/ jugosllave e morën pushtetin në vjeshtë 1944 dhe riprodhuan një Jugosllavi të re. Te gjnerat e dytë,si në Shqipëri ashtu në Kosovë pas Luftës II Botërore ,e në saj të qasjes tjet idelogjike të historisë,Xhafer Deva u paraqit si “kriminel” qoftë në shyp ose në tekstet shkollore dhe në “studimet shkencore” nga një “regjim kriminel” që tani po dihet në bazë të dosjeve sekrete të zbuluara ç’ krime bëri kundër figurave kombëtare dhe intelektualëve të kohës deri më 1990. Mirëpo,pas transformimeve politike e demokratike në në Shqipëri e në Kosovë figura e Xhafer Devës filloi të trajtohet më ndryshe te gjenerata e re të historianëve në bazë të burimeve të reja që u zbulluan dhe u botuan.
Duke marrë parasysh faktin se Xhafer Deva kaloi pjesën më të madhe të jetës politike në mërgim,në Itali,Siri dhe në SHBA-të,ku zhvilloi një aktivitet të madh politik dhe organizativ për bashkimin e opozitës antikomuniste në mërgim,nga kontributi i tij për formimin e komitetit “Shqipëria e lirë” si qeveri në mërgim më 1949 e deri në formimin e Lidhjes së Prizrenit në Mërgim më 1962 që e drejtoi deri në vdekje më 1978,arkivi i tij i pasur personal ishte burimi i dorës së parë për aktivistin dhe historianin Idriz Lamaj,i cili e boto në New Yorki më 2002 librin “Xhafer Deva në dritën e letrave dhe zbulesa tjera të mërgatës” .Përkundër vlerës që e kishte libri,ky botim- sikurse shumë botime në mërgim – nuk u prezentua dhe nuk u shfrytëzua sa duhet në prodhimin e ri shkencor në Kosovë pas Çlirimit më 1999. Mu për këtë botuesi kosovar “Dija” bëri mirë që e nxorri këto ditë një botim të ri të këtij libri ,me disa shtesa të reja,gjë që do të ndihmojë që të kemi një imaxh tjetër për Xhafer Deven me rastin e shënimit të 45 vjeçarit të vdekjës.
Vlera e këtij libri buron edhe nga vet autori, përkatësisht shkrimtari dhe historiani Idriz Lamaj,i cili u dëshmua më parë me disa botime origjinale qoftë në anglisht ose në shqip. Këtu vlen të përmendet se autotu u lind më 1947 në Malësi të Gjakovës në një familje me traditë “për ruajtjen e bashkimit kombëtar”, ndaj me ardhjen e partisë komuniste në pushtet xhaxhai i tij mbeti me pushkë në dorë deri më 1949 kurse i jai u detyrua të kalojë në Kosovë më 1951. Në Pejë Idrizi e kreu shkollën e mesme,por përjetoi njëkohësisht gjendjen e shqiptarëve në Kosovë në kohën e A.Rankoviqit, ndaj iku në Itali e prej atje vazhdoi rrugën në Francë e më tej në SHBA-të në fund 1967. Duke shkuar me granci të komitetit “Shqipëria e Lirë” e duke punuar në të nja njëzet vjet me figurat e njohura kombëtare (Hasan Dosti, Xhafer Deva,Rexhep Krasniqi etj) dhe duke pasur në dorë shumë dokumente në shqip e anglisht ai nxorri shumë botime shqip(Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” 1949-1956,Xhafer Deva në dritën e letrave të veta,Vatra dhe vatranët etj) e anglisht (Albanian and Yugoslav Parti and State Relationshqip, Albanian-Montenegrian Conflict over Plava and Gucia 1879-1880).Prej këtij arkivi të pasur personal ai ia dhuroi Arkivit të Kosovës nja 15 mijë dokumente më 2019 që kanë të bëjnë me komitetin “Shqipëria e Lirë” që i solli në SHBA-të nja 15 mijë emigrantë shqiptarë, gjë që përforcoi praninë shqiptare atje me fuqi politike dhe intelktuale. Kuptohet,vitet që i kaloi I.Lamaj në Kosovës mbeten në shpirt duke përcjellë gjendjen e shqiptarëve atje , e duke afirmuarr krijimet e shkrimtarit disident Adem Demaçit “Gjarpinjt e gjakut dhe novela tjera” sa ishte në burg.
Kështu,duke qënë në lidhje të ngusht më Xhafer Devën prej se arriti në SHBA-të me 1967 e deri në vdekjen më 1978,e duke gëzuar qasjen në terë korospodencën e pasur në 7 gjuhë(shqip,anglisht,gjermanisht,italisht,frëngjisht, turqisht e serbisht),mund të mendohet ç’ risi na soli Idriz Lamaj në librin e tij.Vet Lamajit në libër i kujtohet mirë kur shkoi me drojë në takimin e parë me Devën,por kjo drojë iu thye kur Deva iu prezentua me një dozë honer: “Unë jam Xheafer Deva,kruminel i popullit!”. Kështu,në saj të lidhjës të ngushtë personale për një dekadë dhe qasjen në korospedencën e tij në disa gjuhë me figurat shqiptare nëpër botë si dhe me figurat evropiane dhe amerikane të involvuar për çëeshtjen shqiptare pas Luftë II Botërore.
Kaptina e parë “Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim” sjell risi duke ndriçuar ato “vite siriane” (1947-1948) kur u paraqit në skenën politiki “Grupi Kosovar” dhe organi i tij “Bashkimi i kombit” në Damask,si dhe ato “vite egjiptiane”((1948-1949),kur u bë kryetari i Kuvendit të Aleksanderisë që mblodhi partitë shqipptare antikomuniste për të formuar njëfarë qeveri në mërgim,gjë që u kurrorëzuar me më 1949 me formimin e Komitetit Shqiptar “Shqipëria e Lirë” në krye me Mitat Frashërin. Në këto negociate për formimin e një trupi që përfaqësonte shqiptarët në Botën e lirë,Deva kishte mandat prej “Grupit Kosovar” që Kosova me trojet tjera shqiptare në Jugosllavi të përfaqësohet drejtëpërdrejtë,pra jo me individë nëpër parti të ndrysme shqiptare që përfaqësonin Shqipërinë e 1912.Me fjalë tjera,siç konstaton I.Lamaj,Deva “ndikoi zhdrejtasi që çështja e Shqipërisë etnike të mos ndahej prej problemit të shtetit të cunguar shqiptar”(f.16). Ç’është e vërteta, Deva nuhati me kohë pasojat e konfliktit Tito-Stalin më 1948,me çka Përendimi tani në Luftën e ftohtë ishte për forcimin e jo për shkapërderdhjen e Jugosllavisë. Në këtë kontekst,kur bënë planet për një operacion të përbashkët ushtarak amerikano-biritanik gjatë 1949-1951 për nxitjen e rezistencës antikomuniste në Shqipëri,Deva insistotoi që këto plane të përfshinë Kosovën.Më gjerlsisht për këtë përpjekje autori na sjell risi në dy kaptina: “Parashutistët e Xhafer Devës hyjnë në Kosovë” dhe “Përpjekja e Xhafer Devës për krijimin e një qendre sekrete informimi në Kosovë në shërbim të amerikanëve”. Për lidhjet e Devës me me amerikanët,përkatësisht me CIA-në në Luftën e ftohë që paraqiste një shpresë për mbysjen e regjimit komunist në Shqipëri si pikënisje për një ndryshim gjeopolitik në rajon,shifet se Deva qysh gjatë qendrimit të tij në Damask 1947-1948 ishte në lidhje me amerikanët dhe për këtë mori pjesë aktive për bashkimin e forcave politike shqiptare gjatë 1948-1949,duke kaluar më vonë në Itali prej nga e përcjellte opercionin për hedhjen e parashitistëve në Shqipëri gjatë 1949-1951.Më vonë (1956),pas dështimit të operacionit, Deva kaloi në SHBAT-të ku zhvillon me të madhe aktivitinin e tij politik në mësin e mërgatës në vendin që kishte tani më qasje përmenente në elementin shqiptar gjatë Luftës së ftohetë. Në këtë kontekst,u formua në New York më 1962 Lidhja e Prizrenit në Mërgim që e drejtoi Deva deri në vdekjen e tij më 1978. Pas botimit të parë të librit më 2002, historianët e ishregjimit komunist në Shqipëri e cilësuan këtë libër si “një tentativë mjerane,dëshpëruese për të rehabilituar emrin kobzi të Xhafer Devës”(Arben Puto,2011),i cili ai mbeti për ta “kuisling” dhe “terrorist” duke aluduar për bashkëpunimin e tij me gjermanët dhe postin që e zuri si Ministër i Brëndshëm në Shqipërinë etnike gjatë 1943-1944.Mirpo,në botimin e ri kosovar të librit,I.Lamaj diskuton ndryshe këtë çështje duke nisur se Deva,sikurse shumë të tjerët,nuk ishin pronazismi por e vlersuan se gjendja e re(Shqipëria etnike) nuk ishte “kundër interesave të popullit”. Me fjalë tjera,Deva “si shumë të tjerë në atë kohë kishte bindjen se vendosja e regjimit komunist qe më i rrezikshëm për Shqipërinë se sa lufta ndaj një Gjermani naziste që po tërhiqej e mundur”(f.229). Këtë e kishin të qartë amerikanët që në atë kohë,siç del në raportin e ambasadorit amerikan në Kajro më 1944 për Xhafer Devën dhe Rrexhep Mitrovicën si “njerëz me reputacion që e kan pranuar nga zori aleancën me gjermanët”,kurse “në të vërtetë janë miq të Anglisë dhe të Amerikës”(f.229). Me këto shtesa të reja në botimin kosovar të librit na duket se tani është kohë të reflektohet më ndryshe në figurën e Xhafer Devës,duke kaluar atë imaxh për Devën se “kriminel” që e ka prodhuar një “regjim kriminel”,e duke dhënë vendin që e meriton pa glorofikime me rastin e 45 vjetorit të vdekjes.

Filed Under: Reportazh

Valencia ka edhe një histori shqiptare pak të njohur

December 5, 2022 by s p

Nga Saimir Z.  Kadiu/

Pasi u detyrua të emigronte për herë të dytë në jetën e saj, Donika Kastrioti (1428-1506), gruaja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jetoi ditët e fundit të jetës saj në Valencia, ku eshtrat e saj prehen edhe sot.


Donika Kastrioti ka vdekur në Valencia të Spanjës, ku dhe është varrosur. 

Në një libër historik, “Periudha pas Skënderbeut”, botuar në gjuhën shqipe në Leçe të Italisë nga projekti italo-shqiptar i quajtur “Promoalba”, studiuesi i njohur i historisë, profesori i Universitetit të Salentos, Giancarlo Vallone, tregon për integrimin e familjes Kastrioti dhe të shqiptarëve të tjerë të emigruar në Itali pas vdekjes së Skënderbeut në institucionet e mbretërisë së Napolit në shekujt XV-XVII.

Dokumenti i publikuar në faqen 74 të librit na njofton se ajo merrte si të ardhura një pension prej 1.000 dukatësh nga mbreti i Napolit.


Autori pohon se e veja e Skënderbeut, e quajtur në gjuhën vendase si “Scannalibeca”, ka jetuar në mërgim kokëlart dhe mençuri aq të shquar, duke u krenuar per emrin e madh të të shoqit dhe duke e lartësuar atë.

Andronika, e cila në historinë e Shqipërisë njihet me emrin Donika, mbërriti në Itali më 23 maj të vitit 1468. 


Më 27 gusht 1468 ajo u zhvendos nga feudet që mbreti Ferdinand ia kishte dhënë të shoqit në Salento drejt Napolit, ku fillimisht nisi të banonte në shtëpinë e juristit të njohur Pietro Cola D’Alessandro, në afërsi të Santa Chiara-s.

Disa vite më vonë pas ardhjes në Napoli të gruas së dytë të Ferdinandit, Giovanna-s, pikërisht më 11 shtator 1477, në rrethana të panjohura Donika Kastrioti nisi të shërbente pranë saj, duke luajtur një rol me peshë në oborrin aragonez.


Ndërkohë që të tjera dokumente na dëshmojnë se kur në vitin 1496 u rindërtua në Castelnuovo, në rezidencën mbretërore apartamenti i Giovanna-s III-të, zonja Donika kishte një dhomë mbi të, në katin e dytë të krahut perëndimor, si edhe Madona Porfida, që ishte nga dera e Arianitëve dhe kishte lidhje gjaku me të.

Duke qenë me prestigj dhe me ndikim të përditshëm në oborr, mbreti tjetër i Napolit, Alfonsi II, i beson zyrtarisht më 20 tetor 1494 Giovanna-n III, të cilën Donika do të përpiqet ta bindë që të mos e lërë Napolin pas vdekjes së mbretit Ferdinand.


Për këto shërbime mbreti i ri i Napolit, Federiko, gjatë një ceremonie në oborr do të përqafohet me: “La mogliere de scannalibecho” (Donikën), dhe do t’i dhurojë asaj feudin e Goglianos më 1 prill të vitit 1498, për shërbimet që ajo kishte bërë në oborr.


Në një tjetër dokument na jepet letra që përfaqësuesi i legatës veneciane në Napoli, Francesco Morosini e shkruan në janar 1501, e cila na njofton për udhëtimin e zonjës Donika në Spanjë, duke shoqëruar tashmë nënën mbretëreshë Giovanna-n e III-të.


Në letër diplomati venecian shkruan se “Giovanna IV ka qëndruar në Napoli, është e veja e mbretit Ferrandino, është e ndershme dhe e kujdesshme; me të është Andronika (Donika), e veja e Skënderbeut, mike e ngushtë e Venecias.


Me sa duket në vitin 1501, kur mbërriti në Spanjë zonja Donika Kastrioti tashmë ishte 73 vjeçe dhe nuk do të ketë pasur mundësinë të kthehet më në Napoli.

Ajo duhet të ketë vdekur sipas autorit në harkun kohor midis marsit të vitit 1505 dhe shtatorit 1506. Ky fakt dëshmohet nga testamenti i Giovanna-s së III, në të cilin pohohet se Andronika është varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës. Këtë fakt autori e vërteton edhe nga një burim tjetër.

Burimi, të cilit i referohet është libri i autorit G. A. Summote, i titulluar në italisht “Del Istoria della citta e Regno di Napoli IV”, botuar në Napoli në vitin 1675, ku në faqen 17 të tij pohohet se “gruaja e Skënderbeut ishte varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia në vitin 1506”

Filed Under: Kulture

Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Fitorja Diplomatike

December 5, 2022 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Në shpërbërjen e Jugosllavisë, rol vendimtar kishte nacionalizmi serb, me projektin e krijimit te Serbisë se madhe, duke përdorur edhe dhune ushtarake për te arritur qëllimin e këtij projekti.

Kundër këtij projekti reagim me te ashpër kishin Republikat veriore Sllovenet, Kroatet dhe shqiptaret e Kosovës, qe pas zgjedhjeve te para pluraliste ne Jugosllavi, ne krye te këtyre republikave kishin ardhur partitë politike qe synonin pavarësi nga Beogradi.

Veprimet e lëvizjeve nacionale sllovene, kroate, boshnjake, shqiptareve te Kosovës, maqedonasve dhe malazezeve për pavarësi, ka qene reaksion ndaj projektit te nacionalizmit serb për krijimin e Serbisë se madhe.

Ne këto rrethana te reja te krijuara ne federatën jugosllave, shqiptaret e Kosovës profilizuan kërkesat për shtet sovran dhe te pavarur te Kosovës, duke legjitimuar edhe me referendumin qe u mbajt ne kushte te okupimit dhe me një vote sovrane për pavarësinë e Kosovës.

Këshilli koordinues bazuar në dokumentin themelor, kushtetutën demokratike të Kaçanikut organizoi zgjedhje dhe votimet për të zgjedhur një parlament të ri, të parin parlament të pavarur, si dhe Presidentin e vendit u bënë më 24 maj të vitit 1992.

Në keto zgjedhje presidenti i Kosovës, ishte zgjedhur, I, Rugova, që ishte pranuar si partnerë i rëndësishëm nga bashkësia ndërkombëtare. Ndonëse në potokollet e veprimtarive ndërkombëtare Rugova emërtohej si “lideri i shqiptarëve të Kosovës“.Organizimi i rezistencës paqësore ishte përgjigjja e udhëheqjes së

shqiptarëve të Kosovës ndaj dhunës dhe brutaliteti të pushtuesit serb qe i aplikonte kundër popullsisë shqiptare në Kosovë.

Jens Reuter shkruan se “Shteti paralel ia arriti deri në fillim të vitit 1996 të zbatojë politikën e rezistencës paqësore“, kohë kur fillon edhe radikalizimi i jetës politike në Kosovë, si pasojë e mospërfshirja e Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare në Dayton si dhe masave represive të qeverisë serbe.

Për kundër krijimit te disa institucioneve paralele siç ishte arsimi dhe dëgjueshmërisë se diplomacisë perëndimore për një zgjidhej paqësore te çështjes se Kosovës. Kjo nuk u arrit deri kur ne Kosove filloj rezistenca e armatosur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, qe çështjen e Kosovës e imponoi te diplomacitë me ndikim ndërkombëtare qe te marrin vendime te rëndësishme drejt zgjidhjes se çështjes se Kosovës.

Fal luftës se Ushtrisë Çlirimtare se Kosovës, grupi i kontaktit mori vendimin historik për organizimin e një konference ndërkombëtare ne Rambuje te Francës me një plan konkret paqësorë për Kosovën.

Vendimet e Rambujes i kishte refuzuar qeveria Jugosllave qe detyroj ndërhyrjen ushtarake te NATO-s për te ndalur krimet kundër civileve shqiptare qe ushtronin forcat serbe.

Përpjekjet e shqiptareve te Kosovës për te dalur nga okupimi serb kane qenë te imponuara edhe pse si te tilla afër një shekull ato ishin te pamjaftueshme për te arritur suksesin, por fal diplomacisë ndërkombëtare dhe sakrificës se lëvizjes kombëtare shqiptare u arrit Liria e Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës zë një vend të veçantë në historinë e re të Kosovës jo vetëm për dinamiken që i dha lëvizjes për liri brenda Kosovës, por edhe për angazhimin e diplomacive ndërkombëtare me ndikim në zgjidhjen e çështjes se Kosovës. Pas lejimit të pluralizmit politik dhe formimit të partive politike të popujve që jetonin në federatën jugosllave, në krye të republikave erdhën partitë që synonin pavarësinë e plotë nga Beogradi. Sllovenet dhe Kroatet filluan që të kërkonin shkëputje paqësore nga federata jugosllave, që kërkesa e tyre ndezi konfliktin e përgjakshëm disa vjeçar në ish Jugosllavi. Kosova në këtë kohë ishte nën një administrim të dhunshëm të Serbisë pas marrjes së autonomisë së kufizuar të vitit 1974. Formimi i partive politike shqiptare ne Kosovë, filloi që t’i profilizojë kërkesat e drejta të shqiptarëve duke kërkuar barazi me popujt tjerë. Një analizë e shërbimeve amerikane e viteve 1990, kishte parashikuar këtë të ardhme te federatës jugosllave: Jugosllavia e transformuar, Jugosllavia do të pushojë së funksionuari si një shtet federal brenda një viti, dhe ndoshta do të shpërndahet brenda dy. Reforma ekonomike nuk do ta shmangin ndarjen.

– Serbia do të bllokojë përpjekjet sllovene dhe kroate për të formuar një konfederatë të të gjithë jugosllavëve.

– Do të ketë një kryengritje të zgjatur të armatosur nga shqiptarët në Kosovë. Një luftë ndër-etnike në shkallë të plotë nuk ka gjasa, por konflikti serioz ndër-etnikë do të shoqërojë shpërbërjen dhe do të vazhdojë me pas Dhuna do të jetë e pakthyeshme dhe e hidhur

– Ka shumë pak gjasa që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë mund të bëjnë ruajtjen e unitetin jugosllav. Jugosllavët do t’i shohin përpjekjet e tilla si kontradiktore për mbrojtjen e demokracisë dhe vetëvendosjen….vazhdon…!

Filed Under: Politike Tagged With: Lulzim Nika

VATRA PROMOVOI LIBRIN “LINCOLN” TË XHEVAT KALLAJXHIUT

December 5, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 3 Dhjetor 2022 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Teqen Bektashiane Shqiptare të Amerikës, me rastin e 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, promovuan librin “Lincoln” të ish-Editorit të Diellit Xhevat Kallajxhiu.

Me pjesëmarrjen e vatranëve të veçantë e veprimtarëve të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë, ky promovim ishte nderim e mirënjohje mbi të gjitha ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin jubilar 1 shekull miqësi, figurës historike të Abraham Linkoln, dhe punës së Xhevat Kallajxhiut si editor i Diellit. Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA ku u ndal në kontributin e Xhevat Kallajxhiut në kohën kur ishte Editor i Diellit. Frank Shkreli në fjalën e tij theksoi se Xhevat Kallajxhi ishte patriot i madh, njeri i penës dhe adhurues dhe mbrojtës i të vërtetës. “Ai mishëronte, si rradhë kush, atdhedashurinë e tij me gazetarinë, duke përdorur gazetarinë në mbrojtje të Atdheut, të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor. Xhevati i përkiste atij brezi antikomunist, si një veteran i vërtetë i luftës së ftohtë kundër komunizmit ndërkombëtar por edhe të atij regjimi komunist të Enver Hoxhës dhe krimeve të tija anë e mbanë Shqipërisë. Xhevati përveçse ishte një patriot shqiptar, ishte edhe mirënjohës i madh ndaj Amerikës” theksoi ndër të tjera z.Frank Shkreli. Studiuesi Idriz Lamaj lexoi për të pranishmit një parathënie të librit “100 anektoda” të Xhevat Kallajxhiut të botuara në gazetën Dielli. Dr. Paulin Marku në fjalën e tij tha se Xhevat Kallajxhiu meriton vëmendje të veçantë për rolin dhe kontributin e tij si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dr. Marku u ndal te veprimtaria e Xhevat Kallajxhiut si patriot, gazetar, veprimtar i çështjes kombëtare. Ai u ndal dhe te libri “Lincoln”, rëndësinë e Presidentit Linkolnit në historinë e shtetit amerikan. Drejtuesi i Teqesë Bektashiane Shqiptare të Amerikës në Michigan Eliton Baba Pashaj në fjalën e tij tha se Xhevat Kallajxhiu është ndër njerëzit e rrallë të Shqipërisë, i cili sikundër disa nga personalitetet më të njohura të dijes shqiptare e ndau jetën e tij mes dy kontinenteve, Shqipërisë dhe Amerikës. Duke qenë një shqiptar i vërtetë, një atdhetar i lidhur fort me vendin e tij, me historinë e hershme të Shqipërisë dhe me vendlindjen, ai kudo dhe kurdo mbajti lidhje të forta me atdheun, me njerëzit, me fatet e kombit. Një njohës i mirë i historisë në thelbin e saj, një histori që është e lidhur fort me sakrificat njerëzore ndër shekuj, me gjakun dhe djersën e mijërave që kanë vënë jetën e tyre në kurbanin e mbijetesës së Shqipërisë, Xhevat Kallajxhi e ktheu në një mënyrë jetese këtë sakrificë dhe njohjen e madhe që ai kishte për njerëzit dhe ngjarjet madhore të atdheut të tij. Kjo lidhje e fortë, ky përjetim i thellë i një morali prej luftëtari dhe intelektuali dijeplotë, e bënë Xhevat Kallajxhiun të gjente gjithmonë një rast, një mundësi, një detaj dhe një formë të komunikimit me atdheun. Dhe jeta e tij mbeti e tillë, një luftëtar i skalitur në të gjitha mënyrat e sakrificave që kërkon atdheu dhe që mund t’i bëjë një njeri i denjë shpirtërisht dhe moralisht” tha ndër të tjera Baba Pashaj. Më tej ai shtoi se ky libër është nderim dhe respekt ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në përfundim të promovimit Baba Pashaj i dhuroi Vatrës një portret të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit të shtypur në vitin 1954. Ceremonia kulturore dhe patriotike u përmbyll me një koktejt të shtruar nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha.

+4

See Insights and Ads

Boost post

4848

2 comments

11 shares

Like

Comment

Share

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1939
  • 1940
  • 1941
  • 1942
  • 1943
  • …
  • 2783
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT