• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ËNDRRA QË PLASI SI FLUSKË SAPUNI

August 28, 2025 by s p

Ilir Ikonomi/

Në janar 1914, kur Princ Vidi përgatitej të vinte në Durrës si i zgjedhuri i fuqive të mëdha për të qeverisur Principatën e Shqipërisë, gazeta Il Piccolo e Triestes i mori një intervistë Faik Konicës, zë i njohur në qarqet intelektuale shqiptare.

Gjatë vjeshtës së vitit 1913, Konica kishte ndihmuar Esat pashë Toptanin në Durrës të krijonte një qeveri paralele me atë të Ismail Qemalit në Vlorë. Konica fliste hapur kundër Ismail Qemalit, që sipas tij ia kishte dhuruar Janinën grekëve, edhe pse nuk jepte ndonjë provë konkrete.

Nën presionin e fuqive, si Ismaili edhe Esati dhanë dorëheqjen në fillim të vitit 1914. Shqipëria përgatitej të hapte një kapitull të ri me Princ Vidin gjerman.

Princi arriti në Shqipëri më 7 mars 1914 dhe mendohej se do të qeveriste për shumë vite. Por ky kapitull zgjati vetëm gjashtë muaj dhe vendi do të binte përsëri në anarki. Siç do ta shihni, parashikimet optimiste të Konicës në këtë intervistë dolën një fluskë sapuni.

Si shtet, Shqipëria ka qenë vazhdimisht e brishtë dhe ka njohur anarki herë pas here. Shpjegimet janë të ndryshme: Disa e kërkojnë shkakun tek të huajt, të tjerët e venë gishtin tek ne si shqiptarë, tek respekti i pakët që kemi për institucionet, tek qeverisja që nuk i reziston dot korrupsionit, nepotizmit dhe arrogancës.

Intervistën e Il Piccolo-s, që botohet në numrin e datës 23 janar 1914, po e publikoj të përkthyer, me disa shkurtime.

E TASHMJA DHE E ARDHMJA E SHQIPËRISË

Nga Mario Alberti

Predeal-Aral

Në vagonin restorant të trenit të rregullt Bukuresht-Budapest, shikoj një zotni të ulur në njërën nga tryezat. Ka pamjen e një xhentëlmeni anglez dhe i ngjan shumë Faik Konicës, i cili si përfaqësues i kolonive shqiptare të Amerikës, kryesoi kongresin e parë të shqiptarëve, që u mbajt vitin e kaluar në Trieste. Ngjashmëria është e madhe, vetëm se njeriu pranë meje më i duket më i shëndoshë.

Marr guximin dhe i drejtohem me zë të lartë: “Mirëmbrëma Faik bej!” Ai kthehet dhe më shikon me habi të dukshme. Nuk ka dyshim; është pikërisht Faik Konica që udhëton pa rënë fare në sy. I afrohem dhe fillojmë të bisedojmë. I them se më duket më i shëndoshë nga sa ka qenë.

-Është klima e Shqipërisë që të shëndosh, – më përgjigjet. Shiko për shembull Dervish Himën, me fytyrën e tij prej profeti. Edhe ai është shëndoshur në Shqipëri sa nuk bëhet dhe tani peshon 110 kilogram.

-A mund t’ju pyes se ku shkoni dhe nga vini?

-Nga Bukureshti për në Berlin. Udhëtoj për qejf.

-Udhëtimet tuaja gjithnjë kanë qenë për qejf. Si ka mundësi që e shihni politikën si argëtim?

-Jo, jo. Vërtet, nuk kam ndonjë mision për të kryer, as ndonjë qëllim që dua të arrij.

-Eh, lërini ato! Më thoni të vërtetën: Çfarë po përgatisni?

-Mirë atëherë, po jua them. Do të rri vetëm një ditë në Berlin për një punë. Pastaj do të shkoj në Trieste. Atje do të mblidhen përfaqësuesit e shqiptarëve jashtë vendit, për t’u nisur të gjithë bashkë në Shqipëri, ku do t’i shprehin nderimet Princ Vidit. Këto do të jenë përshëndetjet dhe urimet e Shqipërisë brenda dhe jashtë kufijve politikë, ndaj Princit, i cili do të hapë siparin e një epoke të re në historinë shqiptare.

-Pra, Princ Vidi do të pritet mirë?

-Sigurisht. Populli shqiptar është i lodhur dhe dëshiron paqen. Ata shpresojnë që sovrani i ri të vendosë rendin dhe qetësinë, prandaj po e presin me padurim. Sidomos princesha gëzon simpati të madhe në popull. Thuhet se ajo është plot energji, inteligjente dhe aktive. Këto janë cilësi që populli shqiptar i vlerëson shumë. E kam njohur Princin dhe më ka lënë përshtypjet më të mira. Por, për të patur sukses, ai duhet t’i kushtojë vemendje edhe paraqitjes. Duhet të rrethohet nga luksi dhe madhështia; të dalë në rrugë me karrocë elegante të tërhequr nga gjashtë kuaj dhe i shoqëruar nga ushtarë me parzmore e nga një truproje e fuqishme. Përndryshe do të humbasë prestigjin. Populli shqiptar e dëshiron praninë mbretërore në të gjithë dimensionin dhe fuqinë e saj.

Për fat të keq, qeveria shqiptare nuk mund të caktojë më shumë se 300 mijë franga për këtë qëllim dhe këto janë pak. Duka i Monpensierit ishte shumë i pasur nga familja, ndërsa Vidi jo, prandaj ai nuk mund të ketë një oborr aq të madh. Pallati i Princit do të jetë mjaft i bukur. Ai është kryesisht vepër e artistëve triestinë.

Megjithatë, Durrësi do të jetë kryeqytet vetëm përkohësisht. Se cili do të jetë kryeqyteti përfundimtar, kjo është vështirë të thuhet, sepse lufta mes qyteteve për të marrë këtë status është mjaft e ashpër. Mendoj se gjëja më e mirë do të ishte që kryeqyteti të ndërtohej nga e para, si në Amerikë. Kryeqyteti mund të ndërtohej në rajonin qendror të Shkumbinit, për shembull. Tokat atje i përkasin shtetit, pra nuk do të kushtonin asgjë. Edhe pozicioni gjeografik është i mrekullueshëm. Atje do të mund të ndërtoheshin pallatet për Princin dhe për qeverinë. Pastaj mund të ecej drejt dhënies së tokave me konçesion një banke, e cila do t’ua shiste privatëve, për të favorizuar zhvillimin e kryeqytetit me ndërtime të reja. Pra, do të veprohej si në Amerikë, ku kryeqytetet e shteteve të ndryshme janë qendra rurale dhe jo qytete të mëdha biznesi.

-Besoni se Princ Vidi do të arrijë të qeverisë dhe të kapërcejë pengesat e ndryshme që has vendosja e një regjimi europian në Shqipëri?

-Besoj se po. Por padyshim, vitet e para do të jenë mjaft të vështira. Vështirësitë do të zgjasin të paktën dy vjet. Do të duhet të eliminohen pasojat e shumë e shumë viteve kryengritje, luftra dhe pushtime. Për të kapërcyer vështirësitë, Princit do t’i duhet të zgjedhë mes dy rrugëve: E para është rruga e forcës dhe kjo do të ishte më e pëlqyeshmja; e dyta është ajo e aftësisë ekuilibruese. Nëse Princi arrin të ngrejë një ushtri të vogël besnike, ai duhet të vazhdojë me të gjitha energjitë punën për krijimin e sistemeve qeverisëse europiane, duke shtypur me ashpërsi çdo revoltë dhe çdo intrigë.

Por nëse nuk zotëron forcën e nevojshme, atëherë ai do të mbetet pa një drejtim dhe do të përpiqet t’i kënaqë të gjithë, që askujt të mos i mbetet hatri. Kjo, natyrisht do të ishte e vështirë. Gjithsesi, do të duhet që vendi të çlirohet nga funksionarët e vjetër turq. Kundër tyre duhet luftuar pa mëshirë, sepse ata janë rreziku i vërtetë për ekzistencën e vendit. Princit pastaj do t’i duhet të luftojë personalisht atmosferën e sëmurë që mund të përhapet kundër tij dhe jo për faj të tij. Rumania ka bërë një propagandë të madhe në favor të Princ Vidit. Take Ionescu dërgoi emisarë të shumtë në Shqipëri për të bindur popullin ta pranonte Princin. Për ta bërë Princin të pëlqyeshëm, emisarët jepnin sigurime se ai do t’i sillte si dhuratë Shqipërisë rajonin e Pindit, me anë të ndërhyrjes së Mbretit Carol të Rumanisë pranë Greqisë. Mirëpo, pas vizitës së Take Ionescut në Greqi, Rumania e humbi fare interesin tek çështja e Pindit. Prandaj shqiptarët do të zhgënjehen dhe hidhërohen shumë kur të merret vesh se Pindi do t’u mbetet grekëve.

***

E pyeta se cilat janë problemet më të ngutshme për t’u zgjidhur.

-Do të duhet, – tha ai, – të krijohet një ushtri e mirë dhe të mendohet për organizimin financiar të shtetit.

-A do të mësohen shqiptarët të paguajnë taksa?

-Sigurisht. Nën regjimin turk, shumë krahina paguanin taksa tepër të rënda, madje duhet t’u paguanin taksidarëve dy ose tre herë në vit. Krahinat që nuk paguanin dhe që janë më të varfrat, duhet që dalëngadalë t’i nënshtrohen regjimit fiskal. Pra, jo në të gjithë shtetin duhet të ketë një sistem të njëjtë fiskal. Taksat duhet të përshtaten me fuqinë paguese të krahinave të ndryshme dhe me gjendjen e tyre financiare përpara krijimit të shtetit. Bilanci financiar do të përbëhet nga 18 milion franga, nga të cilat 16 milion do të jenë të ardhura të drejtpërdrejta ndërsa dy milion nga kreditë. Kjo do të vazhdojë rreth 10 vjet. Pas kësaj, defiçiti do të zhduket nga buxheti. Dy milion frangat e deficitit vjetor do të përdoren për arsimin publik. Këto shifra nuk përfshijnë interesat për kredinë 75 milionëshe, që fuqitë kanë në plan t’i japin Shqipërisë, por është e mundur që të ardhurat të mjaftojnë për të paguar interesat. Veç kësaj është çështja e borxhit publik otoman që do t’i duhet të përballojë Shqipëria. Me logjikë, Shqipëria nuk ka asnjë detyrim, sepse nuk mori asgjë nga Turqia. Por duhet parë se ç’do të thonë fuqitë e mëdha. Shqipëria është tokë e pasur. Vetëm 25 përqind e pasurive të saj shfrytëzohen. Por e ardhmja në këtë aspekt nuk duket e vështirë.

-Sipas mendimit tuaj, çfarë politike të jashtme duhet të ndjekë Shqipëria?

-Të ruajë marrëdhëniet e mira me Italinë, Austro-Hungarinë dhe Anglinë. Edhe me Bullgarinë mund të merret vesh mirë. Por do të jetë e nevojshme të këmbëngulet që Shqipëria t’u takojë shqiptarëve dhe të mos ketë ndërhyrje të tepruara nga të huajt. Ky është programi i nacionalistëve shqiptarë.

Meqenëse në Shqipërinë e lirë janë vetëm 1 milion shqiptarë, ndërsa 1,050,000 shqiptarë jetojnë në Greqi dhe në Serbi, qeveria duhet të mos lejojë asnjë lloj makinacioni kundër shteteve fqinje, në mënyrë që, në rast se Serbia dhe Greqia kurdisin ndonjë provokacion kundër Shqipërisë, fuqitë e mëdha të mund të ndërhyjnë menjëherë. Në të ardhmen, kur ushtria shqiptare të jetë e fortë, mund të mendohet për një politikë të jashtme më energjike.

-Edhe një pyetje dhe do t’ju lë të lirë. A besoni se diferencat fetare mund të dëmtojnë zhvillimin dhe funksionimin e shtetit shqiptar?

-As që mund të mendohet. Kjo është një ide e përhapur nga ambasadori rus Izvolski dhe kryeministri grek Venizellos, të cilët në gazetën franceze “Temps”, që e kanë si të tyren, përpiqen t’i bëjnë njerëzit të besojnë se nuk ekziston një komb i njësuar shqiptar. Lordi anglez Hobhouse, mik i Bajronit, në një libër me kujtime dhe udhëtime për Shqipërinë, shkruante shumë dekada të shkuara se, mes vendeve nën sundimin e Turqisë, shqiptarët ishin të vetmit që nuk bëheshin merak fare për diferencat fetare, por vetëm e vetëm për lidhjet kombëtare mes tyre.

Filed Under: Politike

Ali Podrimja, poeti që e ktheu dhimbjen në këngë dhe lirinë në varg

August 28, 2025 by s p

Albert Vataj/

Sot, në ditëlindjen e Ali Podrimjes, kujtojmë poetin që ktheu dhimbjen në këngë dhe heshtjen në kushtrim.

Ai çliroi poezinë shqipe nga prangat e rregullave, duke i dhënë vargut lirinë që i mungonte atdheut të tij.

Në çdo fjalë të tij ndjehet gjaku i Kosovës, në çdo metaforë jehon një popull që jetonte me vdekjen, por vdiste për të jetuar ëndrrën e lirisë.

Poezia e tij nuk mbyllet me jetën, por ndizet si flakadan në amshim, për të na kujtuar se fjala është arma më e fortë e shpirtit.

Ali Podrimja mbetet poeti i zashmërisë së trajtave të epjes së shpirtit. Zëri dhe pena, zemra dhe poezia e tij, u shndërruan në flakadan të luftës për liri të Kosovës. Golgota e këtij populli martir qe dhe mbeti, deri në frymën e fundit, tharmi i këngës që Podrimja dinte ta këndonte edhe kur jetonte me vdekjen, edhe kur vdiste për të jetuar ëndrrën e tij. Ai kushtroi me zë shpirti në çdo kraharor dhe qiellit i dhuroi krahët e atij zogu të plagosur, të ngritur në kungim rënkues.

Podrimja na kujton se e rreshtoi kumtin e tij për të çliruar poezinë shqipe nga disa rregulla tradicionale, si vargu i thurur, apo përmbajtjet apologjike e brohoritëse të poezisë së pasluftës. Ai kreu një përpjekje titanike duke vendosur parime të reja krijuese: vargun e lirë, shqiptimin metaforik, gjuhën e ironisë, efikase për të shprehur zonat më të errëta dhe të fshehta të natyrës njerëzore. Synimi i tij për t’u strehuar pas reflekseve ezopike dhe për t’i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxori në plan të parë mesazhin, dhe më pas atë pjesë të vlerës artistike që arrihej përmes ritmit dhe euforisë.

Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, u pranua dhe u vlerësua për koloritin e saj të veçantë, për botën shpirtërore me individualitet të formuar e të dallueshëm. Botimin e parë e bëri në vitin 1957, në revistën letrare Jeta e Re, kur ishte ende gjimnazist. Rrethanat e vështira politike të viteve ’60 dhe tragjeditë familjare më pas, lanë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë e tij. Humbja e djalit, Lumit, u sublimua në veprën e tij më të bukur, Lum Lumi.

Poezia e Podrimjes e ngjiti poezinë shqipe në një nivel të ri respekti, duke e bërë të pranohej e të përkthehej në shumë gjuhë të botës. Vargu i tij karakterizohej nga thjeshtësia, rima e padukshme dhe simbolet e papritura. Në gjithë rrugëtimin e tij krijues, Podrimja i dha zë asaj që i gufonte në shpirt, duke e qartësuar rrugën e një poeti të madh. Ai nuk nguroi kurrë ta thoshte fjalën e vet dhe të ishte aty ku sofra e poezisë kishte shtruar zemrat dhe metaforat. Sot, kur ai mungon në këto sofra, kumti i tij, që u ngjiz me tharmin e një shpirti të paepur do të mbetet i gjallë në amshim, duke ushqyer thirrjet për liri, dashuri dhe devocion.

Filed Under: LETERSI

101 VITE NGA LINDJA E AT ZEF PLLUMIT, FRANÇESKANI I MADH QË JETOI DHE VUAJTI “SHUMË SHEKUJ”

August 28, 2025 by s p

Sokol Paja*

101 vite më parë lindi At Zef Pllumi, një ndër personalitetet më të shquara të katoliçizmit shqiptar dhe qëndresës antikomuniste. Pikë referencë historike, fetare e atdhetare, zë i fuqishëm i mendimit, kulturës e qytetërimit perëndimor.

At Zef Pllumi ishte qëndresa e gjallë përballë përbindëshve komunistë, ishte mëshira në dyluftim me krimet e torturat mizore, ishte falja përballë hakmarrjes, ishte dashuria përballë urrejtjes, ishte e mira përballë të keqes, ishte drita përballë errësirës. At Zefi përfaqësonte qytetërimin perëndimorë përballë injorancës, mizorisë e halabakërisë komuniste. At Zef Pllumi ishte jeta përballë vdekjes, ishte drejtësia përballë padrejtësisë, ishte kujtesa përballë harresës, ishte liria përballë prangave. Me emrin e At Zef Pllumit lidhet e gjithë historia tragjike e persekutimit të Kishës Katolike përgjatë regjimit diktatorial. Kryevepra e tij “Rrno vetëm për me tregue” është një kronologji persekutimi, dhimbje, tmerri, por edhe të një qëndrese fisnike në kushtet kur regjimi i kohës po i asgjësonte klerikët katolikë, fizikisht, institucionalisht dhe ideologjikisht.

At Zef Pllumi na la një trashëgimi të jashtëzakonshme, veprat, jetën dhe mësimet e tij të vyera sesi njeriu nuk duhet ta humb shpresën, besimin dhe shpirtin e tij por të qëndrojë dhe të mos i nënshtrohet asnjëherë të keqes, dhe pas frymës së fundit. Ajo trashëgimi që na ka lënë At Zef Pllumi është një institucion atdhedashurie, feje, morali e shprese. Më 14 dhjetor 1946 në moshën 22 vjeçare At Zef Pllumi arrestohet dhe dënohet me tre vite burg. Në vitin 1958 shugurohet meshtar, dhe për 12 vite shërben si meshtar i Dukagjinit. Në vitin 1967 kur në Shqipëri u instalua ateizmi zyrtar, At Zef Pllumi arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme si Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë. Një rrugëtim i stërmundimshëm i një njeriu të pafajshëm që ashtu si shumica e popullsisë civile në Shqipëri u persekutua në mënyrën më të pashembullt vetëm se pse deshën lirinë.

Veprat testament që na la At Zef Pllumi janë: “Rrno vetëm për me tregue”, “Françeskanët e mëdhaj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Histori kurrë e shkrueme”, “Ut heri diçebamus-siç i thonim dje”, dhe “Saga e fëmijnisë”. Sot si kurrë më parë, fjalët e tij tingëllojnë aq të forta dhe frymëzuese. Ajo çka na përcjell At Zefi është një kushtrim për liri, për atdhe, për dinjitet, për moral për dashuri ndaj njëri-tjetrit. At Zef Pllumi ishte heroi i dritës në terrin dhe ferrin komunist. Me dhimbje por kurrë me urrejtje, At Zefi shkroi historinë e përgjakshme të Kishës, një dëshmi tronditëse sesi bisha sllave shkallmoi me tërbim gjithçka fetare në shtetin monist. Dëshmia e At Zef Pllumit për vuajtjet dhe masakrat e komunistëve mbi shqiptarë e klerikë të pafajshëm, është një dritë e pashuar në errësirën staliniste që sundoi në Shqipëri për 50 vjet.

*Ribotim.

Filed Under: Opinion

Një udhëtim në trojet e bjeshkëve shqiptare

August 28, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Mbërritja ime në Shkup, më 20 qershor, kishte një ndjesi të dyfishtë: kthimi në atdhe dhe nisja e një rruge të re drejt majave të maleve. Në aeroport më priste miku im i dashur, profesori i arkitekturës Kujtim Elezi, biri i patriotit të njohur Sulejman Elezi. Aty nisi një udhëtim që do të përshkonte shtigjet e historisë dhe të natyrës shqiptare, nga Kërçova e deri në mbretëreshën e maleve, Maja e Gjeravicës.

Arsyetimi i një udhëtimi të tillë

Kam mbi tre dekada që jetoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por prej pesë vitesh kam bërë një zotim bashkë me familjen: të njohim çdo cep të trojeve shqiptare – malet, fushat, lumenjtë, liqenet, detet, banjat, burimet, qytetet e lashta, kështjella, fortesa dhe fshatrat e harruar. Ky nuk është thjesht turizëm. Është një rikthim tek vetja, një proces i rivendosjes së kujtesës dhe identitetit. Në një botë ku udhëtimet ofrojnë miliona destinacione, unë zgjodha rrugën e maleve shqiptare sepse ato nuk janë vetëm gjeografi, por vetë historia jonë e pashkruar. Po t’i shkelësh, ndien se nuk je thjesht udhëtar, por një vazhdim i një brezi të lashtë që prej Ilirisë e deri sot.

Në prag të nisjes: Ulpiana, Mirusha dhe Rugova

Grupi ynë prej shtatë vetash nga Shoqata e Bjeshkatarëve “Ujëmiri” – Selim Ballazhi, Kujtim Elezi, Bedri Jahoja, Xhelal Saliu, Osman Adili, Riza Imeri dhe unë – nisi rrugën nga Kërçova me ndalesa që vetë kishin peshën e shekujve.

Në Ulpianë, pranë Prishtinës, pamë nga afër një qytet të lashtë dardan, qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore, që arkeologët vazhdojnë ta zbulojnë shtresë pas shtrese. Zbulimi më i ri i mozaikëve dhe rrënojave të një bazilike të shekullit VI dëshmon për vazhdimësinë e jetës urbane shqiptare edhe në kohët e pushtimeve. Ishte një prekje e gjallë me qytetërimin iliro-dardan.

Nga aty shkuam në Ujëvarat e Mirushës, një varg prej mbi 16 kaskadash që formojnë liqene të vegjël blu si kristali. Këto ujëvara nuk janë vetëm një mrekulli natyrore, por një dëshmi e asaj se sa bujar është ky vend me bukuri të papërsëritshme.

Në Grykën e Rugovës, aty ku Bjeshkët hapen si një portë gjigande, ndaluam për të ndjerë thellësinë e kanionit mbi 25 kilometra, të skalitur nga lumi Lumbardh. Për çdo shqiptar që sheh këtë grykë, mendja shkon tek qëndresa e Rugovës, tek burrëria dhe tradita e kësaj treve.

Lepusha: porta e Trojanit

Në mbrëmje arritëm në Lepushë, ku bujtina malësore na priti me sofrën e mikpritjes dhe zërat e këngës folklorike. Familja që na priti, pasardhës të brezave buzmalit të Trojanit, mbante gjallë zakonet e vjetra, këngët dhe lahutën.

Në orën pesë të mëngjesit nisëm ngjitjen drejt Malit të Trojanit. Shtegu i ngushtë kalonte mes livadheve alpine e pyjeve të dendura. Ajri i pastër, era e barit të freskët dhe tingujt e zogjve e bënin çdo hap të dukej si një kthim në kohë. Kur arritëm majën, qielli u errësua dhe një stuhi shiu e breshëri na pushtoi. Por forca jonë ishte bashkimi – ndaj u përballëm si një trup i vetëm, dhe mbijetuam siç kanë mbijetuar gjithmonë shqiptarët në stuhitë e historisë.

Pas stuhisë, u kthjellua gjithçka. Peizazhi u hap me pamje nga Vermoshi, Kelmendi e deri tek bjeshkët e largëta të Plavës. Një horizont që dëshmon se kufijtë politikë nuk mund të ndajnë një komb që është i lidhur me male, gjak dhe gjuhë.

Vuthaj dhe Majat e Rosit

Të nesërmen shkuam në Vuthaj, në Malësinë e Gucisë. Prej aty nisëm ngjitjen drejt dy majave të Rosit, mbi 2500 metra, që sfidojnë alpinistët me shkëmbinjtë e thepisur. Vuthaj vetë është një fshat i famshëm për krojet e bukura, për Lahutën e Malësisë dhe për figurat patriotike që kanë dalë nga kjo trevë.

Tropoja, Rrasa e Zogut dhe kujtesa e Kosovës

Më tej, udhëtimi na çoi në fshatin Gjeravicë, ku kaluam dy net në një bujtinë që përzinte modernitetin me traditën. Nga aty u ngjitëm në Rrasën e Zogut, një majë që lidh Tropojën me Kosharën. Emri i saj ngjall kujtime për betejat e lavdishme të Kosovës, për gjakun e derdhur në luftën e fundit dhe për lirinë që sot ne e shijojmë. Prej asaj maje, fushat e Kosovës shtrihen poshtë si një libër i hapur ku lexohen plagët dhe fitoret e kombit.

Maja e Gjeravicës – Mbretëresha e Dardanisë

Pastaj erdhi dita e madhe: ngjitja në Majën e Gjeravicës, 2656 metra, maja më e lartë e Kosovës dhe e gjithë Dardanisë historike. Quhet “Mbretëresha e Dardanisë” sepse qëndron mbi të gjitha, duke ruajtur si një rojtar qiellor gjithë hapësirën shqiptare.

Ngjitja ishte e lodhshme, por çdo hap sillte një horizont të ri: liqenet akullnajore, barin e njomë, majat e thepisura që rrethojnë si një kurorë natyrën shqiptare. Në majë, ndjemë një ndjenjë të shenjtë – sikur gjendeshim në altarin më të lartë të kombit. Flamuri ynë i kuq me shqiponjën dykrenare, i valëvitur nga shoqata “Ujëmiri”, dukej si shenja më e pastër e një kombi që jeton e ngrihet lart, pavarësisht gjithçkaje.

Në zbritje, me nismën e Kujtimit, Selimit dhe Bedriut, mblodhëm tetë thasë mbeturina nga shtegu, për ta lënë malin më të pastër sesa e gjetëm. Ishte një gjest i vogël, por me domethënie të madhe: dashuria për atdheun nuk është vetëm fjalë, por vepër.

Prizreni – qyteti i kujtesës kombëtare

Në kthim ndaluam në Prizren, qyteti muze i shqiptarëve. U ulëm buzë lumit, pranë urës së gurit, shijuam ushqimin tradicional, pimë ujë nga krojet e lashta dhe soditëm kalanë që shekujve ka parë ngritjet dhe rrëzimet tona. Prizreni gjithmonë të kujton se shqiptarët nuk janë një popull i vogël, por një popull me një kulturë që përmban qytetërim.

Mbyllja e udhëtimit

Natën vonë arritëm në Kërçovë, të lodhur por të pasuruar shpirtërisht. Ky udhëtim nuk ishte vetëm një ngjitje malesh, por një pelegrinazh kombëtar, një shkollë historie e natyre, një mësim se bashkimi, mikpritja dhe kujtesa na bëjnë të mbijetojmë si komb.

Shoqata “Ujëmiri” dëshmoi se shqiptarët e Kërçovës, të Amerikës, të Kosovës, të Malësisë – të gjithë – jemi një. Dhe si shqiptar e amerikan, ndjej se kjo lidhje mes dy botëve nuk më largon nga atdheu, por më afron më shumë, sepse idealet e Amerikës për liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor janë të njëjtat që kombi ynë ka kërkuar gjithmonë.

Filed Under: Reportazh

GAZETA “SHKUPI”, ZËDHËNËSE E NJË KOMBI QË ENDE NUK KISHTE SHTET

August 28, 2025 by s p

(Përvjetori i 114-të i gazetës “Shkupi”)/

Rëndësia e kësaj gazete është e shumëfishtë. Së pari, sepse doli në Shkup, qytet simbolik dhe strategjik, që përfaqësonte një nga qendrat kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Së dyti, “Shkupi” dëshmonte se gazetaria shqiptare, edhe në kushte të rënda, ecte në hap me zhvillimet e kohës. Së treti, ajo përfaqësonte mendimin politik autentik shqiptar, duke artikuluar idetë e lirisë, arsimit dhe kulturës në gjuhën amtare, duke i dhënë krahë një populli që kërkonte të shndërrohej nga masë e shtypur në komb të vetëdijshëm.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Emri “Shkupi” mbante një simbolikë të madhe kombëtare, sepse rilindja kombëtare shqiptare në fillim të shekullit XX kishte hyrë në fazën e fundit të saj dhe duhej të kurorëzohej me shpalljen e Pavarësisë. Pas Kongresit të Manastirit të vitit 1908, ku nuk u bë vetëm unifikimi i alfabetit, por iu dha edhe një shtytje e fuqishme përmbylljes së procesit të Rilindjes Kombëtare me shpalljen e pavarësisë etnike, rilindësit e asaj kohe e kuptuan se fjala e shkruar ishte arma më e fuqishme për të përhapur idetë e lirisë. Në Kongresin e dytë të Manastirit, të mbajtur në prill të vitit 1910, u mor vendimi që të hapej gazeta “Shkupi” si promotore e shpalljes së Pavarësisë. Përmes saj jepej sinjali se udhëtimi i Rilindjes Kombëtare do të kulmonte në Shkup, në kryeqendrën shpirtërore të shqiptarëve, aty ku ideja e lirisë dhe e shtetit do të merrte formën e saj të plotë.

Më 29 gusht 1911, në këtë kryeqendër të Vilajetit të Kosovës, doli numri i parë i gazetës “Shkupi”. Sot pas, 114 vjet më vonë, ne përulemi me nderim dhe krenari para këtij akti historik që nuk ishte vetëm një hap në fushën e shtypit shqiptar, por një gur themeltar në ndërgjegjësimin kombëtar, politik dhe kulturor të shqiptarëve.

Editor i gazetës “Shkupi” ishte intelektuali i jashtëzakonshëm Jashar Erebara, i cili me guxim dhe vizion mori përsipër ta udhëhiqte këtë organ të rëndësishëm të shtypit shqiptar. Ai nuk ishte vetëm një redaktor, por një strateg i fjalës së shkruar, që me mjeshtëri bashkëpunoi ngushtë me bartësit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare, si Hasan Prishtina, Ismail Qemali dhe të tjerë. Me horizontin e gjerë intelektual që e karakterizonte, Erebara nuk e kufizoi gazetën vetëm në temat e hapësirës shqiptare, por e shtriu atë në diapazon evropian dhe botëror, duke pasqyruar drejt trendet e lëvizjeve ndërkombëtare. Në faqet e “Shkupit” ai shpesh publikonte editoriale të fuqishme, ku reagonte ndaj politikave të padrejta që popujt ballkanikë dhe fuqitë e mëdha evropiane ushtronin mbi shqiptarët, duke e shndërruar kështu gazetën në një tribunë të së vërtetës dhe një mburojë të të drejtave kombëtare.

Gazeta “Shkupi” nuk qe një botim i zakonshëm. Ajo mbërriti në një kohë kur Perandoria Osmane po i numëronte vitet e fundit në Ballkan, kur sferat e ndikimit të fuqive të mëdha dhe lakmitë territoriale të fqinjëve rrezikonin copëtimin dhe zhdukjen e qenies shqiptare. Ishin kohë udhëkryqi, ku fatet e popujve përcaktoheshin nga intrigat diplomatike dhe marrëveshjet e fshehta mes shteteve të mëdha, ndërsa populli shqiptar, ende pa shtet, kërkonte të mbijetonte e të afirmohej. Pikërisht në këto rrethana, gazeta “Shkupi” mori guximin të bëhej zëdhënëse e një kombi që ende nuk kishte shtetin e tij, por që kishte shpirtin dhe vullnetin për të qenë i lirë.

Rëndësia e kësaj gazete është e shumëfishtë. Së pari, sepse doli në Shkup, qytet simbolik dhe strategjik, që përfaqësonte një nga qendrat kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Emri i saj mbart një mesazh të qartë: shqiptarët nuk ishin të huaj në këtë qytet, përkundrazi, ishin pjesë e pandarë e tij, bartës të kulturës dhe identitetit të tij. Së dyti, “Shkupi” dëshmonte se gazetaria shqiptare, edhe në kushte të rënda, ecte në hap me zhvillimet e kohës, duke mos mbetur prapa shtypit të vendeve të tjera të rajonit. Së treti, ajo përfaqësonte mendimin politik autentik shqiptar, duke artikuluar idetë e lirisë, arsimit dhe kulturës në gjuhën amtare, duke i dhënë krahë një populli që kërkonte të shndërrohej nga masë e shtypur në komb të vetëdijshëm.

Megjithëse jetëshkurtër (29 gusht 1911 – 3 tetor 1912), gazeta “Shkupi” la gjurmë të pashlyeshme. Nëpërmjet artikujve të saj, ajo paralajmëronte për rreziqet që i kanoseshin shqiptarëve nga fqinjët dhe nga intrigat e kohës, por njëkohësisht nxitonte të përhapte idenë se vetëm arsimi, kultura dhe veprimi i organizuar politik e ushtarak mund ta shpëtonin kombin nga asimilimi dhe zhdukja.

Pas ndërprerjes së botimit të saj, në tetor të vitit 1912 për shkak të okupimit serb të Shkupit, vijimësia e gazetës “Shkupi” u ringjall në vitin 1945 me daljen e gazetës “Flaka e Vëllazërimit”, e cila luajti një rol të rëndësishëm në proceset kulturore e shkencore të ngritjes së shqiptarëve në hapësirat e atëhershme jugosllave. Me ndryshimet shoqërore të viteve ’90, trashëgimia e saj u pasua nga gazeta “Fakti”, e cila mori mbi vete një mision të veçantë në pasqyrimin e zhvillimeve politike e kombëtare, duke qenë zë i fuqishëm në periudhën e luftës së Kosovës dhe në rrethanat e reja shoqërore e politike në Maqedoni në fund të shekullit XX.

Sot, kur shfletojmë faqet e saj të verdha nga koha, na pushton një ndjenjë e dyfishtë: nga njëra anë keqardhja se idealizmi i veprimtarëve të asaj kohe nuk u realizua i plotë në vitet pas shpalljes së Pavarësisë; nga ana tjetër, krenaria se idealet e tyre nuk u shuan kurrë. Ato jetuan, u përcollën brez pas brezi dhe sot janë pjesë e shpirtit liridashës të shqiptarëve kudo që janë.

Gazetarët e sotëm, ashtu si rilindësit e djeshëm, kanë një mision të shenjtë: të jenë në shërbim të kauzës kombëtare dhe të paraprijnë unitetit intelektual dhe politik të shoqërisë shqiptare. Në kohën kur çështja shqiptare po sfidohet nga konfiguracione të reja të ndarjes së interesave botërore, përgjegjësia e elitave intelektuale dhe politike është të lexojnë drejt kohën, të identifikojnë rreziqet dhe të udhëheqin me vizion. Përvjetori i gazetës “Shkupi” është kujtesë dhe paralajmërim se fjala, mendimi dhe uniteti mbeten armët më të fuqishme të kombit tonë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 196
  • 197
  • 198
  • 199
  • 200
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT