• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U mbajt Takimi i Nëntë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë

November 4, 2022 by s p

Me shumicë votash u miratuan rekomandimet e dala nga takimi.

Ka vazhduar sot në Kuvendin e Kosovës Takimi i Nëntë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë, me sesionin e dytë të punës.

Me pjesëmarrje të deputetëve të të dyja parlamenteve, ta pranishmëve u uroi mirëseardhje bashkëkryesuesi Romeo Franz, duke hapur njëherësh punimet e këtij sesioni.

Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe bashkëpunimi rajonal, ishte tema e parë e trajtuar, duke filluar me fjalimin e deputetit të Parlamentit Evropian, Lukas Mandl.

Duke e konsideruar domethënës fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, si vendi më i ri demokratik në Evropë, Mandl theksoi se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës nuk duhet të shihet si dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, por midis dy shteteve, i lehtësuar nga BE-ja, në mënyrë që të ketë dialog konstruktiv i cili trason rrugë e njohjes reciproke.

Përmes shmangies së gjuhës së urrejtjes, nacionalizmave dhe analogjive tjera që pengojnë procesin e dialogut, Mandl theksoi se nën kujdesin e BE-së dialogu duhet të trajtohet me qasje pozitive, në mënyrë që sa më parë të arrihet stabilizimi.

Duke folur për liberalizimin e vizave, Mandl e konsideroi atë proces shumë të vonuar, duke shtuar se një vetëm një pakicë brenda Parlamentit Evropian e bllokon procesin, përkundër faktit që Komisioni Evropian ka treguar që Kosova i përmbushur kriteret për liberalizim të vizave.

Duke përmendur se Serbia po tenton bllokimin e Kosovës në këto procese, madje edhe njohjen e Kosovës nga vendet e tjera, Mandl ftoi në krijimin e një vizioni të qartë që i shërben paqes, stabilizimit të raporteve, sundimit të rendit dhe ligjit dhe liberalizimit të vizave për Kosovën.

Më pas, fjalën e mori deputeti Armend Muja, i cili tha se perspektiva e palëkundur e integrimit evropian duhet të jetë qëllim i përbashkët i Ballkanit Perëndimor, por edhe i Bashkimit Evropian, i cili arrihet me përkushtim të vazhdueshëm në këtë proces.

Deputeti Muja potencoi se Kosova pa asnjë mëdyshje është rreshtuar krah BE-së dhe SHBA-ve, në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, gjë që shteti serb ka hezituar ta bëjë. Kjo, sipas tij, paraqet shqetësim jo vetëm për Kosovën, por edhe për Evropën në përgjithësi.

Deputetja Rrezarta Krasniqi theksoi se qëllimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është tejkalimi i pengesave mes të dyja vendeve, në mënyrë që të ketë marrëveshje finale të shumëpritur. Krasniqi potencoi se procesi i dialogut duhet të mbështetet në tri parime kryesore, të cilat lidhen me: njohjen reciproke, ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe mos cenimit të karakterit unitar e rendit kushtetues të shtetit.

Tutje, në fjalën e tij, deputeti Besnik Tahiri para të pranishmëve theksoi se përkushtimi i Kosovës në agjendën e i integrimit evropian, është i palëkundur, i vërtetë dhe, siç tha ai, e vetmja rrugë njëkahëshe për Kosovën.

Po ashtu, Tahiri tha se tema e dialogut në shumë raste është kamufluar me tema teknike, gjë që, sipas tij, ka rezultuar me mos prodhim të benifiteve për qytetarët e Kosovës, e që rrjedhimisht e mbajnë Kosovën si të vetmin shtet pa liberalizim të vizave.

Deputeti Haki Abazi tha se ende ka dykuptimësi sa i përket dialogut Kosovë – Serbi dhe se çështja e liberalizimit të vizave po përdoret si proces pengues edhe në arritjen e dialogut, gjë që, siç tha ai, barazon Serbinë si agresor, me Kosovën që qëndron në kurth të raporteve.

Ndërkaq, në fjalën e saj deputetja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të kryeministrit Kurti në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të trajtimit të temave të cilat janë me rëndësi dhe përfitojnë të dyja shtetet.

Pas diskutimeve, me shumicë votash u miratua teksti final i rekomandimeve të dala nga Takimi i Nëntë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë.

Në fund të takimit, bashkëkryesuesja e Komisionit, Mimoza Kusari – Lila, falënderoi të pranishmit, duke vlerësuar lart përkushtimin e vazhdueshëm të të gjitha palëve pjesëmarrëse në këtë proces.

Në përmbyllje të sesionit të dytë të Komisionit të 9-të Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, të pranishmit u dakorduan që takimi i radhës të zhvillohet më 15 dhe 16 mars të vitit të ardhshëm, në Strasburg të Francës.

Filed Under: Rajon

Trilogjia “Frymë”…

November 4, 2022 by s p

Erina Çoku/

“Fill”, “Rrëfime të vogla për shenja të mëdha” dhe “Jemi gjallë gjer në mbrëmje”, janë tri vepra poetike të mëvetësishme, të cilat të marra së bashku formojnë një të tërë – trilogjinë “Frymë”.

Kjo jetë është një udhëtim. Jemi duke udhëtuar pandërprerë në gjithçka: në kohë e në hapësirë, gjithmonë shtegut për diku, gjithherë diçka duke bërë. Një cikël udhëtimesh, udhësh, që nga rrethi në rreth të çojnë, ku? Nëse jemi me fat, të gjitha udhët na çojnë më lart, më larg, por në rastin më të mirë, ato në fund kthehen te vetja e te gjithësia që na rrethon, shkrirë në një.

“Fill” është përpjekja e parë dhe më e vështirë e këtij udhëtimi nga vetja – te vetja – përmes vetes, drejt gjithësisë. Një përpjekje për të çarë koracën, për të dalë gjallë, shëndoshë e mirë dhe për të vijuar udhëtimin. Përpjekje, e cila zhvillohet e bëhet një betejë e madhe për të mbijetuar, për të jetuar. Është një kapje në një fill, në cilindo fill, për gjallim: për të dashur e për t’u dashur; për të njohur e për t’u njohur.

E gjitha kjo, duket si një përvojë e parë e njohjes me botën. Por jo. Unë e quaj një përpjekje për t’u gjetur së brendshmi, për të kuptuar anatominë e vetes (duke shmangur kështu autopsinë e vetes), pasi thellë-thellë, ky udhëtim (kjo njohje) është e vetmja njësi matëse që na është dhënë për të kuptuar botën e të tjerët, dhe për t’u vendosur në një vend më të qëndrueshëm në hapësirën e këtyre dy të fundit.

Filli shumë i hollë (gati i padukshëm) që mund të shenjojë jetën tonë si shpëtim a mbrojtje, shpesh mund të jetë një fjalë, një ndijim (sytë e dikujt, dora e prindit, zëri i fëmijës), një lule, pemë a gur a veç një dritëz, që në dëshirën për t’u mbushur me frymë, merr një fuqi hyjnore.

Përpjekja për të dalë në breg, për t’ia dalë dallgëve e për të mbetur gjallë ka një adrenalinë, një dhembje të shkëlqyer forcuese dhe është e vetmja mënyrë për t’u lindur, mes dhembjes, frikës e të qarave. Këtë e kemi provuar ditën që lindëm, por nuk e mbajmë mend, edhe pse është një model që e përdorim gjatë gjithë jetës për të mbetur në jetë e për t’u rilindur, nëse është nevoja.

Libri “Fill” dëshmon rënien e krijesës në ujë dhe daljen e saj në breg shëndoshë e mirë, me ndihmën e një filli që përgjatë udhëtimit, lundrimit, betejës merr forma e rëndësi të ndryshme, por mbetet gjer në fund shpëtimtar.

“Rrëfime të vogla për shenja të mëdha” është rrethi tjetër i gjallimit. Kapja pas jetës, frymës dhe gjetja e fijeve që na mbajnë gjallë, mbeten pjesë e mënyrës sonë të funksionimit, por duke hyrë në një fazë të re frymimi unë përpiqem të rrëfehem, të dëshmoj.

Prej daljes gjallë, kërkohet mbetja gjallë, njohja e frymës me qëllim ruajtjen e saj. E gjitha në përpjekje për t’u afruar me hyjnoren, universin. E gjitha, duke ndier veten si pjesë të së tërës dhe të tërën si një mëvetësi të papërsëritshme.

Janë rrëfime të lëna në libër (ku libri bëhet fryma vetë, ëndrra, zemra, tempulli etj.) që tregojnë se gjithçka që prekim e na prek lë shenjë në ne (e anasjellë), ndërkohë që pranojmë se ne vetë jemi një shenjë në gjithësi.

Vetëdijesimi se jemi gjallë për pak kohë na tremb, por pajtimi me këtë cikël jete që ka fillim e mbarim, si pjesë e një tjetër cikli që ka fillim e mbarim (ku mbarimi i diçkaje bëhet fillimi i një tjetre) është një lloj fuqie tjetër. Një fuqi e re që siguron paqe, qëndrueshmëri dhe ndoshta një shteg për të mbetur gjallë dhe për t’u pajtuar me gjallimin vetë.

“Jemi gjallë gjer në mbrëmje” matet me kohën e pakohë të jetës dhe plotëson, por nuk e mbyll udhëtimin e frymës në tempujt që i kemi gjithmonë me vete: trupin, shpirtin dhe hapësirën mes tyre. Një udhëtim i vetëdijshëm përbrenda, i zhvilluar në kohë paqeje e kërkimi shpirtëror: kohë kur plagët shkaktuar prej furtunave tashmë të mbyllura vijojnë të krijojnë një hartë force e shëndeti në trup e shpirt. 

Ky udhëtim, tashmë i shkarkuar nga nocioni kohë dhe hapësirë, dëshiron të rrëfehet prej meje si një e tashme (lexuar në të shkuarën dhe dëshmuar në të ardhmen) ku dëftej pa frikë banesat e mrekullueshme ku unë si udhëtar kam gjetur strehë përtëritëse: vetminë, dashurinë dhe përsiatjen (që poetikisht e kam emërtuar në këtë vëllim “qyteti i ideve të kulluara”– “vend” imagjinar për t’u menduar e kthjelluar).

Koha jonë është e kufizuar, koha për të gëzuar të gjallët është e kufizuar. Ne jetojmë sot, duke e ditur se ka mbarim, por edhe identifikohemi si një premtim për të nesërmen, që do të bëhet një e tashme. Nuk e dimë si, nuk e dimë kur.

A është e bukur vetmia? Është pjesë e jona, po aq sa edhe dëshira për të mos qenë të vetmuar. Kuptimi me vetminë, kalimi i shtruar dhe i qetë (aq sa është e mundur) nëpër të, çon në një vetëdijesim të ri, në një gjendje të re që lajmon aftësinë tonë për të dashur e për t’u shkrirë me tjetrin e gjithësinë.

Një bashkudhëtar fantazmagorik, si Uka: një Û (uri), Ujë (mëkim), Uk-Ujk (zjarr e Tokë) dëshire e dashurie, sa i vërtetë – sa i shpikur, në një ëndërr e zhgjëndërr jete, është dëshmi rritjeje shpirtërore të gruas brenda gruas, të burrit brenda gruas, të botës që rri ndërmjet të dyve, të njeriut që edhe në vetminë e tij më të skajshme nuk është asnjëherë vetëm.

Një bashkudhëtar, si Zoti i kudogjendur, si njeriu i dashur, si tjetri a si Toka e Qielli, përplotëson universin dhe mua vetë, teksa kërkohem e gjehem – copëz gjithësie.

I gjithë libri është një dashuri historie shpirti dhe ashtu siç ndodh në një histori dashurie, ai dëshmon: kohën e vetmisë që çon në një kohë kërkimi dashurie; njohjen e dashurisë që çon në njohjen e trupit, shpirtit; dashurinë që fitojmë për gjithsej na rrethon.

Secili vëllim ka diçka nga vëllimi tjetër: një farëz e mbjellë në vëllimin e parë, me shumë gjasë çelet plotësisht në vëllimin e dytë ose të tretë; një perceptim i nisur në të dytin merr formën e vet të plotë në të tretin; një trajtë kuptimore e nisur në të parin përfundon në të dytin a të tretin; një cikël në vëllimin e tretë e ka zanafillën në të parin e kështu me radhë.

Brenda tri rrathëve ka sa e sa rrathë të vegjël që t’i vetë do t’i zbulosh bashkë me mua.                                                          

Filed Under: LETERSI

FORTIFIKIMET PELLAZGE TË ÇUKËS SË AJTOJT DHE RRIPËSIT

November 4, 2022 by s p

C:\Users\Besniku\Desktop\FOTO  BESO.jpg

Fortifikimi i Çukës së Ajtojt ndodhet në një kodër në fushën e Kestrinës në territorin e fisit të Prasaibëve. Nga qyteti i Konispolit, por edhe nga Butrinti ajo duket si një kodër në formë trung koni e bukur dhe tepër e dukshme. Ajo gjendet 350 m mbi nivelin e detit. Arkeologët vendosin si kronologji të saj shekujt e IV dhe të III p.e.s. Por për mendimin tonë, mbështetur në të dhënat që japin vetë arkeologët, teknikat e punimit të mureve, blloqet e gurit të papunuara dhe nw pwrmasa tw mwdha si dhe ngritja e mureve drejtëpërdrejtë mbi rrëpira apo greminë, ajo duhet të identifikohet si një fortifikim i ndërtuar nga pellazgët. Në fillim të shek. XX kjo kala është vizituar nga Ugolini, i cili ka bërë disa përshkrime të mureve të saj. Arkeologu Dhimosten Budina që e ka vizituar atë jep disa të dhëna: 

“Çuka e Ajtojt ndodhet pranë fshatit Çiflik të Sarandës…Gërmimet e para u bënë nga Ugolini në vitin 1936, dhe më pas nga Markoni. Por, mjerisht, shënimet e nxjerra u zhdukën gjatë një aksidenti ajror. Në vitin 1959 kanë kryer një ekspeditë arkeologjikë këtu arkeologët Hasan Ceka dhe Selim Islami…Kodra mbi të cilën ndodhen rrënojat e kalasë, gjendet 8 km në perëndim të Konispolit mbi fshatin Çiflik. Ajo ka formën e një koni me majë të hollë që ndodhet 350 m mbi nivelin e detit.”

        Arkeologu Gjerak Karaiskaj bën një përshkrim të këtij fortifikimi: “Kalaja është ngritur në një kodër në formën e një koni, në skaj  të fushës  së Vrinës. Muret mbrojtësi me një gjatësi prej 1400 m, rrethojnë një sipërfaqeprej rreth 5 ha…Në një periudhë më të vonë, si rezultat i zgjerimit të qytetit, janë zgjeruar edhe muret e fortifikimit nga ana perëndimore. Muret me gjërësi 3,50m…janë punuar me teknikën poligonale dhe trapezoidale, të cilat si në fortifikimin e Lisit ndërthurren me njëra tjetrën dhe janë të njëkohëshme…Një trakt tjetër në këto mure është punuar me teknikën drejtëkëndëshe…Materialet e zbuluara i përkasin fundit të shek. IV-III p.e.s.”

Description: STILI TRAPEZOIDAL, CUKA E AITOIT... - Albanian Archaeology | Facebook

Çuka e Ajtojt. Foto Ugolini.  

        Julian Bogdani në një studim bën identifikimin antik të saj, si dhe një përshkrim të fortifikimit: 

“…Territori midis lumit Thyamis dhe lumit Kadmos (Pavla) njihej në antikitet me emrin Kestrinë ose Kammania…Çuka e Ajtojt (Maja e Shqiponjës) identifikohet me Pergamin…Ilionin…Pergami ishte djali i Andromakës dhe i Pirros (Neoptolemit) djalit të Akilit, i cili shkon në Missia dhe themelon Pergamin e famshëm….Kestrini ishte djali i Andromakës dhe i Helenit (Paussania – I, 11)… …Muret që rrethojnë majën konike të kodrës…kanë një gjatësi prej 1160 metra dhe rrethojnë një sipërfaqe prej gadi  5 ha…Ana veriore nuk kishte nevojë për fortifikim të qëndrueshëm, për shkak të greminës…”

        Nga ky përshkrim futemi në mitologji dhe mësojmë se, lumi, që në erën e re dhe me futjen në krishtërim, ka lënë emrin e shenjtë të Kadmit pellazg kananas nga Fenikia e largët, dhe ka marrë një emër të krishterë, Pavël. Gjithë krahina që përfshin disa qytete dhe fortifikime me zulm dhe nam në lashtësi si: Foinike, Buthroti, Kalivoja, Çuka e Ajtojt, Palavlia, etj, është një vend i shenjtëruar ku ku pasur zotërimet Kroni, ku ka lindur Zeusi, ku është adhuruar Poseidoni, dhe, ku çuditërisht emri i një lumi, Kadmos, dhe emrat e dy qyteteve: Foinike dhe Buthrot, na lidhin me Fenikinë e kananasve pellazgë. Por jo vetëm kaq, emri i një qyteti tjetër lidhet me ngjarjet në Azinë e Vogël, me Luftën e Trojës; me djalin e Akilit legjendar, Pirron; me nusen e djalit të Priamit, Hektorit, me Andromakën; me djalin e Priamit, Helenin, si dhe me pasardhësit e tyre. Të gjitha këto legjenda të përmbledhura në një na tregojnë padyshim se ky fortifikim nuk është ngritur në shek. e IV p.e.s, se për ndryshe nuk ka pse të identifikohej me Pergamin, rrjedhimisht ai është një fortifikim pellazgjik. Gjithashtu një portë e ngushtë, dekorative dhe e bukur, pavarësisht stilit, që e identifikon të periudhës helenistike, përmasat e vogla të saj flasin për të kundërtën.

IMG_20220106_145018

Trakt muri pellazgjik. Çuka e Ajtojt. Foto K.Lako

        Çuka e Ajtojit në antikitetin e vonë, rreth fundit të shek. IV të erës sonë, ka pasur një rindërtim të rëndësishëm. Kjo me siguri të dyndjeve barbare kundër perandorisë romake në fundin e shekullit të IV dhe në vazhdim në shekujt e V dhe të VI të erës sonë. Këtu mund të futet edhe rifortifikimi që u bëri Justiniani shumë kalave në Epir. Ky rifortifikim sipas arkeologut Kosta Lako është bërë në një të tretën e sipërfaqes së fortifikimit antik, ku janë ndërtuar mure të reja në brendësi të rrethimit antik, ose janë ngritur mure mbi ato antike, si dhe janë përdorur gurët e mureve antike për ngritjen e mureve të reja. 

        Arkeologu Kosta Lako bën një përshkrim të fortifikimit të ngritur në antikitetin e vonë duke e lidhur edhe me fortifikimin antik: “Kështjella zë gati një të tretën e fortifikimit antik, karakteristik kjo për pjesën më të madhe të fortifikimeve të kësaj periudhe si Lisi, Bylisi, Kanina, Berati, etj…Muri është i gjatë rreth rreth 700 m dhe qarkon një sipërfaqe gati 1,3 ha…Muri rrethues në drejtimin perëndim-lindje…ngrihet vende vende mbi masive shkëmbore të thepisura. Në pothuaj gjithë gjatësinë e tij ai është ngritur mbi murin antik. Ashtu si dhe në periudhën antike,  ndërtuesit kanë shfrytëzuar me mjeshtëri terrenin shkëmbor. Ata nuk kanë ngritur mure në vendet ku shkëmbinjtë janë shumë të thepisur dhe bien vertikalisht poshtë 15-20 metra…vende vende janë përdorur në mur edhe blloqe gurësh të murit antik…trashësia e tij lëkundet nga 1,90 deri në 2,10 m…pak a shumë si në kalatë e tjera të antikitetit të vonë: Butrinti, Kanina, Bylisi, Pogradeci, Berati, etj…Muri në anën veriore dhe jugore, ndjek vijën e murit antik dhe është vendosur mbi të…në mur përdoren blloqe guri nga rrethimi antik…Pjesa më e lartë e fortifikimit ndahet nga një mur tërthor që krijon një si akropol…Ky fortifikim datohet si i periudhës së vonë antike shek. IV-VI të erës sonë…”

           RRIPËSI

           Kjo kala ndodhet rreth 2-3  km në juglindje të fshatit Zminec (Sarandë). Vendbanimi shtrihet në një kodër të vogël në krahun e djathtë të rrjedhjes së  sipërme të lumit Pavël. Fshatarët, shpesh e quajnë këtë kodër Paleokastër dhe muret e saj: “muret pellazge”. 

        Brenda mureve rrethuese fortifikimi zë një sipërfaqe prej afro 3 ha. Në vitin 1962 në këtë fortifikim janë bërë gërmime arkeologjike nga arkeologu Dhimosten Budina. Edhe në këtë fortifikim, si në mjaft fortifikime dhe qytete në Epir dhe Iliri, vëmë re të njëjtat veçori që i dallojnë si ndërtime pellazgjike: Ngritja e mureve në rrëniet e thikta shkëmbore; ngritja e tyre drejpërsëdrejti në tabanin shkëmbor, ose shfrytëzimi i shkëmbit, nëpërmjet përpunimit, si pjesë muri; trashësie murit rrethues deri në 3 m.; blloqet e gurëve të përmasave të mëdha dhe të papunuar; kronologjia e gjetjeve arkeologjike si të periudhës së parë të hekurit, etj. Por që kalaja e Rripësit mund të ketë qënë ndër të parat fortifikime pellazgjike në Kaoni e tregojnë gojëdhanat, të cilat në gojën e banorëve vendas na kanë sjellë deri në ditët e sotme emërtimin e mureve të këtij fortifikimi si “mure pellazgjikë”. Ndjekim disa nga përshkrimet e arkeologut Dhimosten Budina: 

“…Në anën perëndimore të kalasë, ku terreni pëson një rrënie të theksuar dhe shndërrohet në një rrëpirë të pangjitshme shkëmbore që bie thikë deri në fund të kodrës…muratura ka pasur tri duar ndërtimi…Muri kryesor, që i përket fazës së parë të ndërtimit, ka një trashësi prej 2,5O-3 m. Muri përbëhet nga dy këmisha: të brendshme dhe të jashtëme. Të dyja këto këmisha apo faqe janë formuar nga blloqe gurësh të mëdhenj, në përgjithësi të punuar në formë poligonale primitive e trapezoidale, në faqet ballore pak të bymyera. Blloqet që formojnë këmishat, janë vendosur njeri mbi tjetrin në të thatë, pa kurrëfarë lidhje…Blloqet fundamentalë të murit qëndrojnë pjesërisht mbi një shtresë shkëmbi natyral të rrafshuar më parë…Duke u nisur nga të dhënat krahasuese tipologjike, si dhe nga të dhënat e tjera anësore, për një kohë i kemi konsideruar këto si të periudhës së parë të hekurit…”

IMG_20211226_231021

Trakte muresh pellazgjik të kalasë së Rripësit. Foto Dh.Budina.

        Por arkeologu Dh.Budina tregon edhe për një gjetje arkeologjike të rrallë dhe me shumë vlerë për kronologjinë e vendbanimit të Rripësit, duke e çuar fillesën e këtij vendbanimi në periudhën neolitike. Kësaj gjetje po t’i shtojmë edhe emërtimin që u kanë bërë mureve të kësaj kalaje si mure pellazgjikë, atëherë, pa dyshim, ky ka qënë një fortifikim pellazgjik dhe i banuar nga pellazgët në prehistori. Ndjekim Budinën : 

“Nga gjetjet arkeologjike të kësaj kalaje vlen të përmendim edhe sopatën prej guri, objekt ky me mjaft interes për kohën prehistorike objekti prej guri obsidian në ngjyrë gri të çelur. Sopata të tilla të ngjashme me tonën janë ndeshur në vendbanimin prehistorik të Maliqit.”   

Besnik Imeraj

(marrë nga libri “Epiri Pellazgjik”)

Filed Under: Histori

ROBI I KOHËS DHE KOHA E ROBIT, KUR DOSJET JANË HAPUR PËRGJYSMË…

November 4, 2022 by s p



Mbresë rreth librit ‘ROB’ të Beqir Sinës, ‘një biografi për dy kohë’.

Nga Visar Zhiti

Rrathët e ferrit shqiptar janë shumë më ndryshe nga rrathët hijerëndë të ferrit dantesk, ku dhe tmerri ka kuptim, ka forcë dhe dashuri, madje është dhe i bukur me një zi superbe.
Në ferrin shqiptar ka një shtrëmbërim rrathësh, rrethinash të internimeve të shëmtuara, vuajtje dhe absurd banal, urrejtje banale, persekutim banal, ku më të dobët deri në neveri janë ata që persekutojnë dhe spiunët e tyre, por më shumë shefat e tyre dhe Partia e tyre me doktrinën barbare.
Në fshatin e internimit shqiptar është kthyer nga burgu dhe përkthyesi i heshtur i “Ferrit” të Dantes, gjejmë diku të dëshmohet në librin e porsa botuar “Rob- një biografi për dy kohë” të Beqir Sinës, kurse tej në qendër dhe qendrat e prapambetura, shtoj unë, janë sekretarët e parë, të dytë dhe të tretë dhe poetët e parë, të dytë dhe të tretë, jo për nga vlera, por nga rreshtimi në shërbim të asaj diktatura, që atyre u dha mundësi, por sot mungesën e dukshme të talentit të tyre e konsiderojnë si mbyllje mundësish dhe shpëlarjen e truve dje dhe përçartjen sot duan ta shesin si guxim disidentësh…
Patjetër që hapja totaleve e dosjeve me seriozitet dhe përgjegjësi do të na i kthjellonte shumë shqetësime kësisoj, do zbulonte një të vërtetë, që nese nuk u duhet të gjithëve sot, i duhet së ardhmes, për t:e njohur prejardhjen e saj, rrenjët e hidhëta, por jo vetem kaq, do të gjenin dhe ata që qëndruan dhe nuk u thyen, gjakun dhe limfën për të ardhmen, kjo edukon më shum;e një popull, një katarsis aq i domosdoshëm për sot.
Mendime kësisoj më kapluan, kur mbarova së lexuari librin serioz “Rob- një biografi për dy kohë” të Beqir Sinës, dikur i internuar në Savër të Lushnjës, ku dhe lindi e u rrit si mos më keq, ndërsa sot qytetar amerikan, gazetar në New York.
Pra, libri është jo vetëm rrëfim i dy kohëve ndryshe, por dhe i dy vendeve terësisht të ndryshëm, ku natyrshëm vihen përballë e vogla provinciale me të madhen kontinentale, mbyllja në një vrimë të errët me hapësirat e pamasa të lirisë, copa thatë e bukës, shpesh e lagur me lotë, me metropolin e begatisë së botës, ku duket se dhe yjet ashtu si ëndrrat janë afër, mund t’i prekësh me dorë.
Në fund të fundit ky libër është dhe një hapje dosjejeje, të gjallë. Dhe pikërisht memuaristika e atyre që erdhën nga burgjet dhe internimet, pse jo dhe letërsia e andejshme, janë një udhezues i vërtetë për parlamentin, qeverinë dhe institucionet gjegjëse se si mund të hapen dosjet, jo përgjysmë, jo për shantazh për të goditur kundërshtarin, as për të poshtëruar të dobëtit në vuajtje apo të atyre që sakrifikuan nderin dhe dinjitetin dhe emerin për të shpëtuar familjet dhe jetët e tyre të k;ercenuara.
Hapja e dosjeve të spiunëve është e domosdoshme. Të ardhurit nga burgjet dhe internimet kanë dhënë një ndihmesë të paçmuar në zbulimin e tyre, por dhe të atyre që ushtruan dhunën, shkelën të drejtat e njeriut, dënuan njerëz duke shkeluar dhe ligjet e tyre.
Parlamenti të kërkojë së pari të hapen këto dosje, të atyre që prishën Shqipërinë moralisht dhe e mbyllën duke e bërë si një burg, e lanë pas, të nxjerrin ata që bënin spiunë, si me ç’metoda dhe pastaj dhe spiunët.
Po le t’i kthehemi librit të Beqir Sinës, një vazhdim hapjes së dosjeve të diktaturës, që ne që erdhëm nga burgjet dhe internimet, e bëmë të parët, por që nuk të na lëne vetëm.
(Auto)Biografia e Beqir Sinës tani nuk është vetëm e tij, të vërtetat e tij nuk janë vetëm të tijat. Treguar aq thjeshtë dhe qashtër, sa mund t’i kuptojnë dhe ata që s’duan t’i kuptojnë, që, nga që kanë parë të internuar, por jo dhëmbjen e tyre, mund të kenë ndejtur me ta e folur, u duket tani pabesisht, se edhe ata kanë vuajtur njëlloj po ashtu dhe bëjnë demagogjinë e bashkëvuajtësit. Se si mund të lexohet “kjo autobiografi e pazakontë”, vjen në ndihmë dhe parathënia e mençur e studiuesit dhe historianit të shquar Ilir Ikonomi, që nxjerr “me keqardhje se bijt:e e atyre që përndoqën… po përpiqen tani t’u përvet;esojnë kauzën për t’u mbyllur gojën, se nostalgjikët e komunizmit tërthorazi po i kërkojnë llogari… njerëzve…”.
Edhe ky libër ndërkaq është një hapje goje, një britmë për të vërtetën. Autori që në fillim ka dy faqe plot me emra, që bujarisht u shpreh mirenjohjen siç nuk para ndodh ndër ne, për ndihmën në materiale, që i japin forcë dëshmisë së tij, një pjesë e tyre janë fqinjët në internim, personazhe të dramës shqiptare, që janë futur në histori, duke bërë histori…
Libri ka për redaktor një koleg tjetër të “Zërit të Amerikës”, Ilirjan Agolli, dua të them me këtë se dosja e Beqir Sinës ka një komision kështu, që duhet marrë parasysh ajo dhe e bashkëvuajtësve të tij për t’I parë parlamenti dhe qeveria si një përvojë dhe guide morale. Zoti Sina shpaloset i përvuajtur dhe i shtypur, që nuk qahet si ata tani, të cilët kanë qenë me shtypësit, shpaloset i urtë dhe i drejtë, edhe i dashur, i veprimit dhe triumfator, por që s’mburret me New Yorkun e arritur si ata që e shanë gjithë jetën Amerikën dhe tani gëzojnë pensionin e saj të azilantit apo lotarinë e saj mēshirëmadhe.
Zoti Sina s’ngurron ta thotë të vërtetën e tij për këdo e gjithçka që njohu dhe hasi, njerëz dhe vende, në nderim rrëfen diçka më përtej vetes, historikun e Savrês së internimeve, p.sh, të familjes së tij, e rënë nga Dibra, fëminia pa fëmini, familjet e internuara përreth, kujtoj ato që kam njohur dhe unë, Radët, atë e bir, Lazër e Jozef Radi, shkrimtarë me shumë libra tani, Dinet, Mirakajt, Kolgjinët, Taçi, Kupi, Merlika, Straravecka, kam qenë në burg me pinjollë të tyre, pinjollë qëndrese dhe morali, Dine Dine, Moisi dhe Lek Mirakaj, Ahmet Kolgjini, Pano Taçi – poet, Bardh Kupi, Eugjen Merlika, Naim Staravecka, me libra dhe këta, dhe fise te tjera plot, Butka, Koliqi, Bajraktari, Berisha, Dane, Bylylbashi, Dema, Dosti, Iljzai, Koleci, Konomi, Mëhilli, Mulleti, Mulosmani, Ndreu, Pirra, Prodani, Skrami, Tinj, Starovaetj, etj, etj. Një popull tjetër brenda popullit.
Nën gjakftohtësinë e rrëfimit të tij si nën një cipë akulli, Beqir Sina ruan shqetësime, turbullura, errësirë dhe shpresë, dëshmi për kujtesën e njerëzve tani dhe të historisë, shpesh të nderlidhura, duke na bërë të besojme se “historia jemi ne”, jo vetëm ata që e bëjnë, por dhe ata që pësojnë.
Gjithsesi autobiografia e Beqir Sinën, aq sa e të gjithëve si përndjekje dhe qëndresë… dhe arritje të ëndrrës së lirisë, e Shqipërsë të gjithë, ka të veçantat e saj dhe emocionin njerëzor, të tijin, që ai na përçon. Ka metaforën e vet. le ta shohim njërën: babai i Beqir Sinës u arratis pak para se të lindte Beqiri… dhe ku, në internim. Jetim me babanë gjallë, ajo ishte dhe jetimëria e një kohe.
Në libër, në faqen 121, gjej emrin e tim eti, aktor në këtë kohë dhe këtë kujtim të Beqirit fëmijë, ka ardhur estrada e Lushnjës në Savër, im atë bisedon me fëmijët përreth, pyet dhe Beqirin se i kujt është, e kam patur nxënës babanë tënd në Berat, i thotë, ia lavdëron, mësonte nën dritat e shtyllave rrugëve në mbrëmje dhe detyrat i shkruante mbi paketa të hedhura cigaresh… varfëri e madhe, sidomos për familjet e përndjekura, e pabesueshme…
Ashtu si Beqiri fëmijë, unë i gëzohem kësaj mbrese tani që im atë ka guxuar t’i thotë një fëmije në internim dikur për babanë e arratisur, që s’e kishte parë kurrë, fjalë të mira madje, diçka ka sjellë prej tij, kur ai nuk lejohej të futej, i ka treguar që ai ka qenë… dhe është dhe ka një kujtesë, që ruan… pra, ka dhe shpresë. Dhe vazhdon, që djalin e atij që i kujtoi babanë, e burgosën… për poezi… Mbase dhe e bashk;evuajt;esve të tij e gjitha ishte nj:e porosi e heshtur për vetëmbrojtje? Gjithsesi mirënjohës Beqir Sinës për kujtesën e tij.
Dhe në fletët më pas: kur po binte dikatura, se ra dhe perandoria komuniste, protagonist takohet me babanë jashtë atdheut. Beqiri është realist, nuk zbukuron, takimi do të ishte disi me emocione të ftohta, dashuri të kursyer, dhënie dore me korrektesë, është një dramë ndarjeje në mes, dimri i diktatorial i Shqipërisë për të gjithë, edhe midis vetes me veten, at’ e bir, dy qytetarë tani, dy fate, dy kohë, dy vende, dy kujtesa që i pret një ardhme…
Nis një jetë e re per Beqirin dhe familjen e tij, ai i futet punës se gazetarit si i ati në shtypin ruajal të diasporës, i cili kishte gjakuar të shkruante të vërtetën, edhe kur Konsullata Shqiptare e kërcënonte se “do t’i varnin djalin në mes të Tiranës, nëse do vazhdonte të shkruante kundër… S’ka gjë, do t’u përgjigje…”. Dhe dkali I gjallë para tij…
Drithëruese te mendosh se si u rrit ashtu gjenerata jonë, me prindër dhe jetimë, metaforikisht të gjithë, e braktisur dhe e dënuar pa asnjë faj, mbi të cilin shteti hakmerrej për etërit e tyre kundërshtarë tek bijtë… Atvrasja eskiliane, lëndë e psikoanalizës frojdiane, ishte kthyer në birvrasje marksiste. Dhe këta bij s’kanë fuqi të dënojnë etërit e tyre. Prandja dhe vazhdon ajo dramë e ai absurd. A është kjo një e shkuar e afërt apo vazhdim ndryshe?
Qytetari Beqir Sina nuk i ka shkëputur lidhjet me dheun amë në Atdheun e ri, përkundrazi, ai jo vetëm është i shqetësuar për mbarëvajtjen e demokracisë në Shqipëri, për lirinë e Kosovës, por është dhe veprimtar, i lidhur dhe me personalitete dhe institucione të SHBA-së dhe kombit, jo vetëm pse ia kërkon dhe misioni i gazetarit. Ndërkaq nuk i fsheh zhgënjimet dhe dilemat…
Edhe ky libër nuk është vetëm rrëfim dhe psherëtimë, por dhe qendrim dhe pjesëmarrje. Do të donim ta kishim më parë, por s’është vonë aspak, është në kohën e vet, edhe si një sfidë. Hapje e gjysmës së pahapur të dosjeve…

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Sina, Visar Zhiti

Winner of 2022 Booker Prize does “artistic justice to a terrible period in his country’s history”

November 4, 2022 by s p

Rafaela Prifti/

The Booker Prize is a prestigious literary award in the English speaking world given out annually by the Booker Prize Foundation, a charity whose stated aim is to “promote the art and value of literature for the public benefit”.
The 2022 Booker Prize was awarded to the Sri Lankan writer Shehan Karunatilaka for his novel The Seven Moons of Maali Almeida – one of the political satires recognized by this year’s judges. The short list of six finalists which included another Sri Lanka-born writer was announced in September. The press release stated that the selection was made from 169 novels published between October 1, 2021 and September 30, 2022 and submitted to the prize by publishers. The Booker Prize is open to works by writers of any nationality, written in English and published in the UK or Ireland.

Having lived through the decades-long civil war in Sri Lanka, Karunatilaka set out to explore the trauma of the political violence, which he saw as “a constant backdrop to daily life growing up.” At the center of his searing satire is a Sri Lankan war photographer who wakes up dead, in a purgatory like underworld populated with victims of political violence. War has been part of the island nation’s history which was occupied by the Portuguese in the 16th century then by the Dutch in the 17th century, and was ceded to the British in 1796. As Ceylon, it became independent in 1948. Its name was changed to Sri Lanka in 1972. After two decades of civil war, a cease-fire was formalized. Tensions and violence between the fighting groups have intensified yet again as neither side has withdrawn.
During interviews Karunatilaka related that in the immediate aftermath of a disastrous civil war he wondered “how processing the lingering trauma of war would feel like if the dead could speak.” With hesitation about the gruesome topic of war, he worked on the tone of the novel for years, finally opting for dark comedy that is narrated in the second person by a ghost presenting ” the afterlife as a bland bureaucracy.” The main character Maali Almeida is a photo journalist who wakes up dead. Confused and clueless as to how or why he was killed, the protagonist sets out to solve the mystery of his own murder but is told he has only “seven moons” to learn who killed him. While discovering he’s been targeted for his explosive photographs, he meets with victims of violence who populate the underworld. His second novel has drawn comparisons with magical realist works by Salman Rushdie and Gabriel García Márquez. “Karunatilaka has done artistic justice to a terrible period in his country’s history,” wrote The Guardian. Critics have called it “an instant classic” and “a stunning epic”.
Karunatilaka was born in Sri Lanka, in 1975, and grew up in Colombo, the capital, where he currently lives. He studied in New Zealand, and went on to work and live in London, Amsterdam and Singapore. He still writes ad copy and manages a bank’s website.

In 2011, he earned recognition with the publication of his debut novel, “Chinaman,” about a hard-drinking journalist who goes searching for a famous missing cricket star.
Booker Prize-winning novel The Seven Moons of Maali Almeida is published in the United States by W.W. Norton. A sister prize, the International Booker Prize, is awarded for a book translated into English and published in the United Kingdom or Ireland.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1984
  • 1985
  • 1986
  • 1987
  • 1988
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT