• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dhuna dhe ndëshkimi…

November 3, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Bota mjerisht ka ndryshuar dramatikisht, në disa fusha jetësore jo për mirë. Duke qenë dhe ne një pjesë e kësaj bote nuk bëjmë përjashtim. Vidioja e dhunshme ku shfaqet punonjësja e shërbimit social duke rrahur një nënë në shtëpinë e pleqve në Pejë të Kosovës e shpërndarë në rrjetet sociale është shumë e dhimbshme. Si grua, nënë, gjyshe nuk mund ta coja deri në fund për ta parë, jo nuk mundesha…

Për të dhënë opinionin tim më mjaftonte një shuplakë e saj dhe sytë e akullt siberian që godisnin atë nënë të bukur, fisnike si dritë e Hënës. Sa mëshirë ndjeva për atë vajzë aq të re, të jetë aq e dhunshme, aq e frikshme, aq e padurueshme me semundjen e nënës, fëmijët e të cilës e paguajnë për shërbimin. Ndonëse kanë shkruajtur që është nëna e dëshmorit dhe natyrisht i përulem me respket asaj, birin që e lindi dhe e rriti dhe UCK-së, por për mua në këtë rast ajo është NËNE, NËNE NËNË! Cilëndo nënë do ta trajtoja krejtësisht njëlloj. Nëna e kujtdo, është e shenjtë, nëna nuk preket, nënës në moshë dhe në nevojë i shërbehet në cdo gjë dhe në cdo kohë. Ne të gjithe kemi dhimbje, por nuk duhet vetëm të shkruajmë, mallkojmë dhe shajmë, ne duhet të ngrihemi mbi këto plagë që t’i shërojmë, jo vetëm të qajmë për ndodhitë, por të ndryshojmë ligjet e dënimit, t’i vemë me shpatulla prej muri politikbërësit, kuvendarët etj… Duhet të trainohen në institucionet përkatëse, duhet të mos blihen licensat.

Ato duhet të japin shumë prova sidomos kur janë të emëruar me këtë kategori njerëzish tësëmurë.

Të gjitha këto shtëpi pleqsh duhet të kenë kamera, sepse janë kategoria më e pambrojtur. Në se kjo nënë do të ishte dhunuar këtu në Amerikë ku jetoj nga punonjëset e shërbimit social, pasojat për dhunueset do të ishin fatale si: burgim, heqja e licensës, humbja e reputacionit etj… Pra kur janë këto ligje dhuna dhe dhunuesit ndëshkohen, njerëzit sigurisht bëhen më të ndërgjegjshëm ndryshe do të ndodh si në këto vargje:

Ju që dhunën e keni në gjak e shtëpi,

Dhe dhimbjen e mbillni prag më prag,

Harruat se ndëshkimi do ju vijë me furi,

Se nëna e shpirtit është NËNË, dhe kaq…

Shuplakat e tua mbi faqet e nënës,

Doemos janë dhe mbi trupin tim,

Fytyra e saj larë me dritën e Hënës,

Do të verbojë ty që traditën nxin…

2 Nëntor, 2022

Staten Island, New York

Filed Under: Komente Tagged With: Kozeta Zylo

Po na dhunohen Nënat!

November 3, 2022 by s p

Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe”/

New York, Nëntor 2022/

Ngjarja e ndodhur në Pejë ku rrihet, shtyhet e fotografohet duke u bulizuar një Nënë nga personeli “i specializuar” i një Qendre të Kujdesit për të Moshuarit, na shqetesoi pa masë.

Nëna e një Heroi, e një Heroi që solli lirinë e Kosovës!

Mjerisht si Organizatë e Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA, ndihemi tepër të tronditura ndaj këtij akti jo njerëzor, e kërkojmë sensibilizimin e jo vetëm të shoqërisë civile, por edhe të shtetit shqiptar e politikës shqiptare.

Po na dhunohen Nënat!

Edhe pse kjo ngjarje ndodhi, në video shihet se të tjerët qeshin pa pikë ndërgjegjësimi.Të gjithë kemi nëna, kemi prindër, të gjithë kemi ardhur në jetë nga prindërit tanë. Prindi i mirë sigurisht ka meritën që kujdeset për fëmijën e tij, sakrifikon gjumin, rehatinë, interesohet për shëndetin, mbarëvajtjen dhe shkollimin e fëmijës. Ka edhe prindër, nënë ose baba, që tregohen jo human ndaj fëmijës që sjellin në jetë, e nuk duan t’ja dinë nëse fëmija i tij nuk ka bukë, qumësht, këpucë për dimër apo libra për në shkollë.

Fëmija rritet, prindërit moshohen, plaken, fillon në një farë mënyre “rrotacioni familjar”. Proçesi i kujdesit kalon nga prindërit tek fëmija. Pra tashmë fëmija duhet të interesohet për shëndetin e prindërve. Ka shumë fëmijë që për rrethana të caktuara i dërgojnë prindërit e tyre nëpër Qendrat e Kujdesit për të Moshuarit. Por a tregon personeli i këtyre Qendrave kujdesin dhe interesimn e duhur ndaj të moshuarve njësoj si fëmija e tyre.

Kjo vlen për t’u parë, kontrolluar pse jo edhe investiguar. Sipas ngjarjes së fundit në Pejë, edhe në banjë (tualete) duhet të instalohen kamera nëpër këto lloj Qendrash, nëpër dhomat e fjetjes detyrimisht, por edhe kudo nëpër ambjentet ku kalojnë kohën të moshuarit, duhet të vendosen pa tjetër kamera..

Autorët e këtij krimi të rëndë duhet të marrin dënimin maksimal, pasi po na dhunohen Nënat, krijueset e Jetës!

Filed Under: Fejton

At Ilia (Katre) Nuk e Ndante Ortodoksinë nga Meshimi Shqip, Tani kjo i Takon Pasuesve të Tij

November 3, 2022 by s p

Rafaela Prifti/

Mitropoliti Ilia (Katre) (1937-2022) kreu i Dioqezës Shqiptare Ortodokse të Amerikës i kishte të pandara përkushtimin ndaj besimit kristian nga edukimi teologjik dhe meshimin në gjuhën shqipe, detyrë e cila tani u takon pasuesve të tij.

Kur At Ilia ndërroi jetë në 6 tetor 2022 në moshën 85 vjeçare, shërbimet fetare të riteve ortodokse nisën nga data 10 në kishën shqiptare të Shën Trinisë në Boston vazhduan te mesha e funeralit, e cila u transmetua nëpërmjet platformës elektronike nga kisha ortodokse greke Shën Joan Pagëzori në Las Vegas dhe përfunduan në datën 15 me një ceremoni private të përcjelljes për në banesën e fundit nga kisha greke e Shën Gjergjit në Sault Ste. Marie në varrin e familjes Katre në vendlindjen e tij në Miçigan. Udhëtimi i fundit nëpër këto vende përfaqëson një hartë të pjesshme të shërbesës dhe jetës së tij në Amerikë sepse Hirësia e tij meshonte gjithashtu në Kanada dhe në Shqipëri. Hierarkia më e lartë klerike ia bëri nderet e duhura dhe e quajti ndarjen e tij nga kjo botë “humbje të rëndë për Ortodoksinë në Amerikë.” Dielli online botoi njoftimin mortor shoqëruar me një biografi shumë të përmbledhur dhe më pas një kronikë të zgjeruar. Për ta plotësuar portretin e Atit Ilia por edhe për të menduar për orientimin e mëtejshëm për kishën, ky shkrim përqendrohet në disa momente të karrierës së tij.

Mitropoliti Ilia i Shën Trinisë së Bostonit të poshtëm (South Boston) ishte i vetëdijshëm për efektin që ka gjuha në mbrujtjen e vlerave shpirtërore dhe kombëtare. Në biografinë e tij komponenti edukativ është i pranishëm në rolin e tij si këshilltar shpirtëror i trupit studentor në Universitetin Northeastern (NEU), si drejtues e prezantues i një programi radiofonik në shqip si edhe kontribues në gazetën shqipe Drite e Vertet. Kaq shumë i jepte rëndësi gjuhës dhe aq mirë e kishte përvetësuar shqipen, ndonëse ishte lindur dhe arsimuar në Amerikë, sa i bënte besimtarët të mendonin se atë e kishte “gjuhën e parë”. Rev. At Andrew (Rubis) i Kishës së Shën Joan Gojartit në Filadelfi tregon me humor sesi e mbante të qeshurën kur shqiptarët i thoshin: “Sa mirë e ka mësuar anglishten At Ilia!”

Në një moment reflektimi mendova se është me vend që shkrimi kushtuar Hirësisë së ndjerë të jetë në shqip në vend të anglishtes. Më shumë se nderim ndaj tij është njohje e një komponenti identifikues me misionin e At Ilias, të cilën e ka shprehur me rrjedhshmëri në ceremoninë përkujtimore të 100 vjetorit të meshës në gjuhën shqipe të Imzot Nolit në Boston. (Xhirimet dhe videoklipi nga gazetari Ardian Murraj) https://youtube.com/…/UgkxdKsxsdhAJo4mx-MEgHD3yNIA-cUm9Hbg

At Ilia nuk kishte qenë në ndonjë meshë të Nolit dhe ishte takuar me të vetëm një herë, por e quante meshimin në shqip “një akt të një rëndësie të pazëvendësueshme” “aq sa ta festojmë pas 100 vjetëve,” vërente ai. Tek përkthimet e Nolit të librave teologjike origjinale nga greqishtja, ai vlerësonte jo vetëm bukurinë e veçantë të tyre në gjuhën shqipe, por edhe edukimin me ortodoksizëm të brezave të tjerë. Si fëmi ai dhe vëllai binjak, të lindur në një familje emigrante shqiptare, ishin frymëzuar nga prifti i kishës ortodokse greke Shën Gjergji në Sault Ste. Marie, në Miçigan, ku mësuan shqip dhe greqisht. Të dy u bënë priftërinj, me tituj Mitropoliti Makarios i Torontos dhe Mitropoliti Ilia i Filomelionit dhe meshuan në të dy gjuhët.

Ilia Katre ndiqte studimet në Seminarin teologjik Kryqi i Shenjtë në Brukline, Masaçusets në kohën kur Noli, pak i shtyrë në vite, meshonte në Boston. At Ilia shprehte adhurim për figurën dhe veprën e Fan Nolit, sepse “i dha jetë dhe gjallëroi si besimin ndaj fesë ashtu edhe ndjenjat kombëtare patriotike”. Vlerësimi mund të tingëlloj paksa paradoksal duke u nisur nga ndarja kishtare ku Noli mori “përsipër organizimin e kishës shqiptare nën kishën ruse,” për ta shkëputur nga Patrikana greke, ndërsa At Ilia, u hirotonis prift nga Peshkop Marku në Kishën e Trinisë së Shenjtë (Bostoni i poshtëm) në vitin 1962 dhe kur u bë vejan në vitin 2002, u dorëzua peshkop në Dioqezën Ortodokse Shqiptare të Amerikës nën Patrikanën Ekumenike dhe u ngrit në rangun e Kryepeshkopit me titullin Mitropolit në 2019. Megjithatë qysh në vështrim të parë shfaqen disa ngjashmëri që gjenden të renditura tek paraqitja e shkurtër historike që jep vetë Fan Noli në librin Fiftieth Anniversary of the Albanian Orthodox Church in America 1908-1958 (Pesëdhjetë vjetori i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë 1908-1958) ku përshkruan kushtet në të cilat u dorëzua prift nga Mitropoliti Platon në Nju Jork dhe nisi misionin shqiptar në Boston si degë e Kishës ruse në Amerikë. “Programi i tij (Nolit) ishte, së pari, të meshonte në gjuhën që kuptohej nga besimtarët, pra të përdorej shqipja në vend të greqishtes në kishat ku kishte besimtarë shqiptarë, së dyti të kishte priftërinj dhe peshkop shqiptarë në vend të atyre grekë të cilët ishin agjentë politikë të një shteti të huaj, së treti të themelohej Kisha Autoqefale në Shqipëri.” (përkthimi i autores, faqe 5) Noli e quante shkëputjen ose “emancipimin nga Patriku i Konstantinopolit absolutisht të domosdoshëm për shkak se (Patriku) ishte drejtues politik dhe fetar i grekërve nën sundimin turk.” (përkthimi i autores, ibid) Për sa i takon dy pikave të para, Mitropoliti Ilia nën juridiksionin e Patrikanës Ekumenike ishte i vetëdijshëm si për rëndësinë e meshimit në gjuhën shqipe ashtu edhe për përgatitjen e priftërinjve shqiptarë. Mesha e tij e fundit më 17 shtator 2022 ishte dita kur plotësoi një nga dëshirat e tij të shumëpritura, dorëzimin prift të At Andrew (Andrea) (Rubis) në Kishën e Shën Joan Gojartit në Filadelfi. “Ai thoshte “Përpara se të vdes dua të dorëzoj Andrean prift!” dhe ashtu u bë,” tregon At Andrew me një ndjenjë lehtësimi për dëshirën e plotësuar të Hirësisë. Dorëzuar dhjak qysh në gusht 2008, prifti Andrea tregon sesi gjatë meshës, Mitropoliti Katre i ulur në ndenjëse, dukej sikur flinte, por në përfundim të shërbesës, e merrte mënjanë At Andrew dhe i kërkonte shpjegime duke e pyetur “Përse e bëre këtë kështu?”. Kujdesi dhe vëmendja edhe ndaj hollësive në dukje të parëndësishme ishin pjesë e metodës së punës së tij. “Ai kishte zotësinë ta ndiqte mbarëvajtjen e shërbesës me detaje edhe atëherë kur ti mund të mendoje se nuk e kishte mendjen aty. Unë habitesha kur shikoja se nuk i kishte shpëtuar asgjë nga mesha,” pohon At Andrew gjatë bisedës sonë. Pa hyrë në krahasime, ai këtu shpjegon shkurt dallimin e kishës kanunore si një trup këshilltar, në të cilën një peshkop nuk mund të jetë më vete. Është referencë që lidhet me natyrën e ligjit kanunor, strukturën e organizmit dhe juridiksionin e kishës – një pikë e fortë diverguese për klerikët dhe dioqezën sot. “Edhe pse unë dhe ai kishim qëndrime të ndryshme,” thotë shumë i nderuari At Artur Liolini, Kancelar Nderi i Katedrales së Shën Gjergjit në Boston, “At Ila ishte mësues i mirë për pasuesit e tij. Ai kishte kulturë të gjerë në liturgjinë ortodokse ashtu si edhe në trashëgiminë shqiptare.”

Mitropoliti Ilia argumentonte se vlerësimi i figurave duhet të bëhet në kontekstin kohor e historik të kohës, në mënyrë të paanshme dhe me kritere objektive: “Qëndrimet e njeriut mund të shikohen vetëm në raport me rrethanat e kohës kur jetoi dhe jo jashtë atij konteksti.” Ndërsa i shikonte cilësitë e Nolit të trupëzuara në veprën e tij jetëgjatë, parësore midis tyre ishte zotësia e tij si prijës. “Noli ishte njeri i shumëanshëm, me kulturë të jashtëzakonshme dhe i hapur për mundësi të mëtejshme, që e dallon atë si drejtues. Veprimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në Amerikë, por edhe jashtë, nuk u përqendrua vetëm në një sferë por në disa, si në atë politike, gjuhësore, fetare.” Kontributi i secilit do t’i mbetet kohës dhe brezave që vijnë por sidoqoftë mund të pranojmë se vlerësimi për Fan Nolin është në mënyrë të panshmangshme i ndërlidhur me misionin e kishës atëherë dhe çfarë mesazhi përcjell për orientimin e kishës sot. Mitropoliti Ilia e konsideronte veten pasues të Nolit kur pohonte: “Ne jemi trashëgimtarë të punës dhe veprës së tij, sidomos ne klerikët shqiptar e peshkopë që meshojmë në gjuhën shqipe. Çdo njeri në kohën e tij jep ndihmën e vet për ecurinë e kombit dhe të shtetit gjë për të cilën historia do ta gjykojë më vonë.”

Aurorja falenderon për kontaktet Michael Gregory Comptroller i Dioqezës Shqiptare, Kisha Ortodokse në Amerikë (Albanian Archdiocese – Orthodox Church in America)

Filed Under: Emigracion Tagged With: Rafaela Prifti

SHBA-PSE ZGJEDHJET AFATMESME, JANË ME RËNDËSI KOMBËTARE

November 3, 2022 by s p

Analizë/

 Nga Rafael Floqi/

Fabula e Ezopit e “Bariu që thërriste ujku- ujku ” është një përshkrim i duhur i paralajmërimeve të Partisë Demokrate përpara disa prej zgjedhjeve të fundit kombëtare. Qysh nga viti 2016, çdo zgjedhje presidenciale dhe afatmesme ata i kanë quajtur “zgjedhjet më të rëndësishme të jetës sonë”. Këtë nëntor, zgjedhjet afatet afatmesme të 2022 nuk bëjnë përjashtim. Demokratët do të kërkojnë të kapërcejnë modelet tradicionale të votimit, duke i dhënë përparësi republikanëve. Në terma afatmesëm, partia kombëtare në pushtet ka gjithmonë një betejë të vështirë t’u justifikojë votuesit dy vjet vendimmarrje, veçanërisht, kur një mori ngjarjesh mund dhe shpesh shkojnë keq.

Mark Danner pyeti në një ese të kohëve të fundit në New York Review of Books  “Po sikur kësaj here, të ndodhë si djali që thoshte ujku- ujku, ne do ta gjejmë veten duke bërtitur edhe pse urgjenca është reale – dhe askush nuk i kushton vëmendje?” Kur ujku është në derë, ne duhet të qajmë me zë të lartë me disa fakte të forta, për të shpjeguar urgjencën dhe për të shmangur katastrofën. Frika dhe zemërimi mund t’i motivojnë votuesit dhe të fitojmë zgjedhjet. Dhe në fakt kjo është ajo që po bëjnë demokratët. 

Numri i ulët i sondazheve në favor të Presidentit Biden dhe një sërë sfidash për vendin shpjegojnë perspektivën e tmerrshme për demokratët. Këto çështje përfshijnë nivele të larta inflacioni dhe besim të dobësuar në institucionet qytetare – të shkaktuara pjesërisht edhe nga përpjekjet antidemokratike republikane për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Gjë që ka bërë që këto zgjedhje edhe pse presidenti Biden e mohon të jenë një referendum për punën e tij.

Republikanët po kalojnë valën optimiste në javën e mbylljes së fushatës, me të gjithë sytë drejt luftës për kontrollin e Senatit. Republikanët po kalërojnë mbi një valë optimizmi në javën përmbyllëse të fushatës së vjeshtës, duke parë të marrin më shumë ulëse në terrenin demokrat nga sa imagjinonin liderët e partisë vetëm javë më parë, me rritjen e besimit të GOP-së për të fituar një shumicë të fortë të Dhomës së Përfaqësuesve mes shenjave se vendet kritike në Senat janë gjithashtu gjithnjë e më shumë, brenda mundësisë së fitores së tyre.

Gjatë një takimi fushate në Michigan të kandidates Tudor Dixon vura re se edhe akuzat ndaj kundërshtares guvernatores republikane, Gretchen Witmer ishin të njejtat me ato republikanëve në përgjithësi se sa me detaje konkrete të mosarritjeve të kundërshares dhe i drejtoheshin më shumë bazës së parties, sesa elektoratit gri.

Kandidatët e Dhomës Demokratike në vendet konkurruese që nga Kalifornia në Konektikat po përpiqen të luftojnë kundër një lumi pakënaqësish të votuesve mbi ekonominë, inflacionin dhe krimin dhe shkollat që mund të prishin ekuilibrin e pushtetit për gjysmën e dytë të mandatit të parë të Presidentit Joe Biden.  Nëse zgjedhjet përçarëse afatmesme përfundojnë si një referendum mbi axhendën e Bidenit – në vend të një kontrasti të fortë me politikat dhe qëndrimin e republikanëve – demokratët po përgatiten për perspektivën e një dite të ashpër zgjedhore që mund të riformësojë rendin politik në Uashington.

Presidenti, i cili do të bëjë fushatë këtë javë shumë larg nga shumica e fushëbetejave më të mëdha të Senatit, duke pasur parasysh vlerësimet e tij të dobëta të miratimit, iu lut amerikanëve që të peshojnë me kujdes opsionet e tyre dhe të marrin në konsideratë se çfarë do të thotë kontrolli republikan i Dhomës, dhe potencialisht i Senatit.

“Kjo është një zgjedhje themelore,” tha Biden pasi hodhi votën e tij të hershme këtë fundjavë në Delaware. “Një zgjedhje midis dy vizioneve shumë të ndryshme për vendin.” Pyetja është nëse edhe disa nga vetë votuesit që mbështetën Bidenin dy vjet më parë janë ende të hapur për të dëgjuar mesazhin e tij. Kësaj radhe duket se jo.

Për të përforcuar çështjen dhe me shpresën për të motivuar mbështetësit e tyre, demokratët po i drejtohen “big guns” ish-presidentit Barack Obama,dhe Clinton. Obama  i cili mbajti një argument përfundimtar të theksuar në ndalesat e fundjavës në Xhorxhia, Miçigan dhe Wisconsin.

“Inflacioni është një problem i vërtetë tani”, tha Obama, duke vënë në dukje sfidat ekonomike në mbarë botën si pasojë e pandemisë Covid-19. “Pyetja që duhet të bëni është, kush në të vërtetë do mund të bëjë diçka për këtë? Republikanët flasin shumë për këtë, por cila është përgjigja e tyre?”

Me republikanët në një pozicion të fortë për të kapur Dhomën e Përfaqësuesve – një rezultat për të cilin Shtëpia e Bardhë ka filluar të përgatitet në heshtje – beteja për kontrollin e Senatit është pika qendrore e zjarrtë e ditëve të fundit të garës.

Demokratët në detyrë në Xhorxhia, Arizona dhe Nevada janë në mbrojtje në garat jashtëzakonisht të ngushta me sfiduesit e tyre të GOP, ndërsa republikanët ndihen shumë më të guximshëm për të mbrojtur një vend të hapur në Pensilvani dhe për të mbajtur në Wisconsin dhe një vend të hapur në Karolinën e Veriut. GOP ka nevojë për një fitim neto prej vetëm një vendi për të fituar shumicën në Senat.

“Ky është viti ynë,” tha senatori nga Florida, Rick Scott, kryetar i Komitetit Kombëtar Senatorial Republikan, të dielën në CNN, duke parashikuar se partia e tij do të fitonte “52 plus” vende.

Një nga paqartësitë më të mëdha që shfaqet në disa prej atyre fushave kryesore beteje, zyrtarët dhe strategët e partisë thonë, se nëse votuesit janë në disponim për të dhënë verdikte, duke i ndarë votat në garat për guvernator dhe Senat, brenda të njejtit shtet.

Në Georgia, optimizmi i GOP në kandidaturën e Herschel Walker për Senatin është rritur nga forca e ofertës së guvernatorit republikan Brian Kemp për t’u rizgjedhur. Gara për Senatin me senatorin aktual demokrat Raphael Warnock do të vendoset nga një balotazh i zgjedhjeve më 6 dhjetor, nëse asnjëri nga kandidatët nuk kalon 50% e votave javën e ardhshme.

Në Ohajo, zyrtarët e partisë thonë se janë shumë më pak nervozë për J.D. Vance dhe fushatën e tij kundër  deputetit demokrat Tim Ryan sepse guvernatori republikan Mike DeWine ka mbajtur një epërsi të fortë në ofertën e tij për një mandat të dytë.

Obama bëri fushatë në Nevada në përpjekje për të mbështetur demokratin më të cenueshëm të Senatit. Për të dyja palët, gara e Senatit të Karolinës së Veriut është thelbësore për zgjedhjet e 2022 – dhe 2024 Kontrolli i Senatit po zbret në këtë dinamikë të mbajtjes të fshehur të Fetterman nga debati dhe ai tha : “Mendova se ishte e rëndësishme të paraqitesha”

Në Arizona, zyrtarët e partisë pranojnë se kandidati republikan për Senatin, Blake Masters nuk do të përfshihej në një garë të ngushtë me Senatorin Demokrat Mark Kelly, nëse kandidatja për guvernatore nga GOP, Kari Lake nuk do të nxirrte konservatorët në fushatën e saj të fortë.

Eseja e Danner i nxit demokratët të bëjnë të qartë se çfarë është në rrezik në zgjedhjet e nëntorit. Madje ai beson se votuesit amerikanë nuk janë përballur me një zgjedhje kaq të rënda në kutinë e votimit, qysh nga viti 1860, kur Abraham Lincoln mposhti disa kandidatë me simpatizantë të jugut dhe vendosi skenën fituese për Luftën Civile. Ai identifikon një seri të paprecedentësh, ngjarjesh krize, që për herë të parë me të cilat përballet elektorati amerikan. Ai beson se nëse autoritarizmi në rritje i shkaktuar nga këto çështje nuk mposhtet në votime, demokracia jonë do të vazhdojë të lëkundet. Së pari, mesmandatet e vitit 2022 pas 6 janarit, së dyti, këto janë zgjedhjet e para pas një vendimi të Gjykatës së Lartë për të shfuqizuar një të drejtë 50-vjeçare që u lejon grave një zgjedhje për abortin. Së treti, këto janë zgjedhjet e para që do të përcaktojnë nëse legjislaturave republikane të të shtetit dhe jo nëpunësve civilë jopolitikë, do t’u jepet autoriteti për të përcaktuar se kush do të votojë, si numërohen votat dhe kur mund të anulohen rezultatet e ardhshme të zgjedhjeve.

Nëse republikanët fitojnë kontrollin e Kongresit në 2022 dhe Shtëpinë e Bardhë në 2024, Amerika e së ardhmes së afërt do të jetë më autoritare, thonë demokratët. Ne do të jemi një komb ku qeveria mund të ndërhyjë në vendimet personale – edhe më intime.  Danner beson se alarmi demokrat i thirrjve “ujku-ujku” duhet të forcohet nga një Kontratë Demokratike me Amerikën, e ngjashme me planin Newt Gingrich, atëherë kryetar republikan i Dhomës, i prezantuar për partinë e tij në 1994. Një ide e tillë ka një fillim pozitiv. me paketën e fundit të legjislacionit të miratuar nga Kongresi Demokrat, si ai që përfshiu Aktin për Reduktimin e Inflacionit. Votuesve duhet t’u kujtohet se një Kongres i kontrolluar nga republikanët do t’i kthejë këto përfitime. Ndaj duhet të zhvillohet dhe të artikulohet një paketë konkrete legjislacioni të ri për të ndihmuar shtresën e mesme.

Por eseja e Dannerit është nuk merr parasysh pasojat e një fitoreje të papritur në zgjedhjet afatmesme të demokratëve. Ky nuk do të ishte një rast i “gjithçka mirë që përfundon mirë”. Nëse demokratët mbajnë kontrollin e Kongresit, kam frikë nga një reagim i krahut të djathtë të ngjashëm me atë që ndodhi në 1860, kur Lincoln fitoi presidencën dhe Jugu Karolina u nda nga bashkimi.

Republikanët do të thërrasin “të ndaloni vjedhjen” dhe do të konkurrojnë zgjedhjet e ngushta në të gjithë vendin. Grupet anësore do të mbrojnë dhunën. Republikanët do të mblidhen pas Trump-it ose një kandidati me të njëjtin mendim për të kandiduar në 2024. Demokratët nuk duhet të lejojnë që mandatet e nëntorit të reduktohen në një zgjedhje midis më shumë autoritarizmit nëse fitojnë republikanët ose më shumë përçarje dhe dhunë nëse demokratët fitojnë. Por cili është mendimi i republikanëve?

Prezantuesi i Fox News, Mark Levin tha gjatë monologut të tij në “Life, Liberty & Levin” tregoi se sa i ndarë është vendi në lidhje me besimet më themelore që qytetarët e tij dikur i kishin të përbashkëta.

“Për çfarë janë këto zgjedhje? Unë kam menduar mënyra për ta treguar këtë dhe për ta diskutuar atë që nuk janë ngritur më parë,” tha ai. “Ky vend nuk është i ndarë për shkak të Donald Trump-it… nuk është i ndarë sepse ne jemi një ‘shoqëri supremaciste e bardhë, sepse nuk jemi të qartë për këtë”.

“Pse jemi të ndarë? Le të shohim pse jemi të ndarë. Për këtë të shohim çfarë përfaqësojnë dhe çfarë kundërshtojnë demokratët?” pyeti ai.

“Ne besojmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne besojmë në historinë tonë, ne besojmë në themelimin tonë, ne besojmë në institucionet tona, ne besojmë në aftësinë për t’u bërë më të përsosur për të modifikuar atë që ka qenë brenda strukturës së sistemit tonë kushtetues. Ne besojmë se populli amerikan është populli më i madh në faqen e dheut, sepse ne krijuam dhe themeluam vendin më të madh në faqen e dheut”, tha ai dhe shtoi se “Partia Demokratike nuk beson në këto gjera por se ata nuk besojnë se Amerika është shumë e mirë, shumë e madhe, shumë e fuqishme dhe ndaj po na shkatërrojnë nga brenda.

Por ai gjithashtu porositi se në zgjedhje dhe në luftë nuk duhet parë “se çfarë mund të fitosh me valën e kuqe, por të nisësh nga pozicioni sikur nuk do të fitosh, pasi ashtu je i përgatitur për çdo situatë”.

Filed Under: Politike Tagged With: Rafael Floqi

Mjerimi shpirtëror…

November 3, 2022 by s p

Eva Marku/

“Kafshatë që s’kapërdihet asht o vlla mjerimi, kafshatë që të ngec në fyt e të zë trishtimi”, kështu thoshte Migjeni, por mjerim më të madh sesa ai shpirtërori nuk ka. Nëse shpirtin e ke të mjerë, atëherë je krejtësisht i mjerë. Jo më kot për ta dëmtuar një komb, thonë, varfëroji në mendje e zemër. Dënim më të keq nuk ka për një popull të lashtë ilir, që ta pasqyrojë veten me shembujt e njëpasnjëshëm kaq çnjerëzor sikurse po shohim në tri vitet e fundit dhe jo vetëm.

Dhunimi seksual ndaj një vajze të re, sportisteje në mes qytetit në Pejë, dhunim ndaj një nëne të moshuar në azilin e pleqve, në po të njëjtin qytet, dhunim ndaj të miturve, vajzave dhe djemve në shtëpinë e jetimëve në Sarandë. Në të tria rastet e përmendura janë individë krejtësisht të pambrojtur nga shteti, madje as zoti, sikurse e thotë dhe shprehja popullore “Jetimi mbetet jetim, i pafat”. Ashtu sikurse në Kosovë, edhe në Shqipëri të tria kategoritë që veçova, vajzat/gratë, fëmijët jetimë dhe të moshuarit mbeten të pambrojtur, të diskriminuar dhe të nënshtruar.

Secili rast dhemb po aq shumë sa tjetri, por ajo çfarë dhemb më shumë është kur një femër, një vajzë e re apo qoftë dhe grua vë dorë mbi një zonjë, grua, nëne të moshuar. Madje, dhimbja bëhet edhe më therëse, prerëse, si maja e thikës që shkon gjer në kockë, nga gajasja e vajzave të tjera përreth dhe asaj që e regjistron me telefon gjithë këtë skenë të rëndë. Dhemb trishtimi, vajtimi, klithma e nënës së gjorë, që flijoi djalin për të ardhmen, lirinë pikërisht të këtij brezi, të atyre vajzave që zgërdhihen e torturojnë fizikisht dhe psikologjikisht një nënë të gjorë, të vetme, të pambrojtur. Një skenë që dhemb aq fort, sikurse vajtimi mbi varrin e djalit të saj.

Luftën nuk e kemi as me serbin dhe as me grekun, luftën e kemi me njëri-tjetrin. Ne jemi e keqja e vetës, e vendit dhe e brezave të ardhshëm. Ne, që nuk ngremë krye për padrejtësitë, ne që përqeshim dhe gabimet më të vogla të shokëve e shoqeve, të të varfërve, që tallemi dhe luajmë me fatkeqësinë e tjetrit, që nuk hezitojmë ta publikojmë në rrjetet sociale e të gajasemi të gjithë, njëjtë si këto vajza të mjera, që shfrytëzojnë një të moshuar për të shfryrë dufin dhe për t’u argëtuar me të në formën më të shëmtuar dhe çnjerëzore.

Kënaqësia që marrin dhunuesit duke e filmuar një akt të tillë të tmerrshëm, është kthyer në modë, te dhunuesi e përdhunuesi, madje sa më shumë virale që po bëhen akte të tilla edhe më shumë po shtohen rastet.

Në Kosovë, dhuna ndaj fëmijës është normale, nuk denoncohet, sepse ende ecin me ligjin “kush të rreh të do”, duke filluar që nga familjarët, me baba, nënë apo edhe kushërinjtë më të mëdhenj sesa ty kanë të drejtë të vënë dorë mbi ty, pa harruar mësuesin, që ai është shembulli i dhunës dhe forcat e policisë, që përveçse të kontrollojnë si të duan e sa herë duan, edhe të ofendojnë dhe e nisin me shpulla pas qafe, presion dhe më pas tortura vazhdon në rajon nëse guxon t’u kundërvihesh.

Kosova e vogël, me zemrën e madhe, ka një luftë më të madhe sesa me Serbinë, ka atë mes veti, të ndërgjegjësojë dhe edukojë brezat. Nuk çalon te shamia arsimi, por te rivendosja e një sistemi të mirëfilltë arsimor, edukativ, që të mos prodhojë më figura kaq të shëmtuara, të pista, si vajzat që dhunojnë nëna të moshuara apo djem që përdhunojnë vajza të mitura. Arsimi i dobët, jo cilësor, mentaliteti i gabuar dhe injoranca pjell personazhe të tilla që gajasen si ‘shtriga e Borëbardhës’ duke torturuar një jetë që i ka fal vendit një jetë për pavarësi.

Filed Under: Opinion Tagged With: eva marku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1986
  • 1987
  • 1988
  • 1989
  • 1990
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT