• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rihapet Shkolla Shqipe Vatra në Tampa Bay!

August 26, 2025 by s p

Të dashur prindër dhe anëtarë të komunitetit tonë,

🎓Me kënaqësi ju njoftojmë se Shkolla Shqipe Vatra do të rihapet më 4 tetor 2025! Shkolla do të drejtohet nga Drejtoresha Meri Andrea-Kodra dhe mësueset tona të përkushtuara: Ana Kullaj, Resmie Sala, dhe Shega Hyka Mucaj. Mësimi do të zhvillohet çdo të shtunë në St. Petersburg College, Clearwater, ES 113.

✅️Ju lutemi të na jepni mendimet tuaja për orarin e fillimit të mësimit. Komentet dhe sugjerimet tuaja janë të rëndësishme për ne! Na kontaktoni për të ndarë preferencat tuaja.

Faleminderit dhe presim me padurim të fillojmë këtë udhëtim edukativ bashkë!

🇦🇱Vatra Tampa Bay Reopens Shkolla Shqipe Vatra!🇦🇱

Dear parents and members of our community,

🎓We are thrilled to announce the reopening of Shkolla Shqipe Vatra on October 4th, 2025! The school will be led by Principal Meri Andrea-Kodra and our dedicated teachers: Ana Kullaj, Resmie Sala, and Shega Hyka Mucaj. Classes will be held every Saturday at St. Petersburg College, Clearwater, in classroom ES 113.

✅️We kindly request your feedback on the preferred start time for the school. Your input is valuable to us!

Please reach out to share your suggestions.

Thank you, and we look forward to starting this educational journey together!🇦🇱🇺🇸

Filed Under: Vatra

Abdyl Frashëri mbi gjuhën shqipe si faktor i mbijetesës shqiptare në Ballkan

August 25, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Shekulli XIX përbën një pikë kthese në historinë politike dhe kulturore të Ballkanit, një periudhë në të cilën identitetet kombëtare filluan të kristalizoheshin si pasojë e shpërbërjes graduale të Perandorisë Osmane dhe të ndikimit të ideologjive nacionaliste evropiane. Gjatë këtij procesi, ndërtimi i shteteve komb u shoqërua me konsolidimin e gjuhëve standarde dhe me zhvillimin e sistemeve arsimore kombëtare, që në thelb synonin ndërtimin e një vetëdijeje kolektive nëpërmjet gjuhës, kulturës dhe historisë.

Nacionalizmat ballkanikë: grek, serb, bullgar, rumun etj. lindën fillimisht si lëvizje kulturore të elitave të arsimuara, të cilat e konsideruan gjuhën amtare si elementin më thelbësor të identitetit kombëtar. Gjuha nuk ishte thjesht një mjet komunikimi, por përfaqësonte një formë të veçantë të përkatësisë, një shprehje të qenies së një populli.

Gjatë shekullit XIX, Perandoria Osmane ishte quajtur shpesh “i sëmuri i Evropës” për shkak të dobësimit të saj të vazhdueshëm. Në këtë kontekst, Fuqitë e Mëdha (sidomos Rusia, Franca, Britania, Austro-Hungaria dhe më vonë Italia) kërkonin të zgjeronin ndikimin e tyre politik, ekonomik dhe kulturor në territoret osmane, në emër të mbrojtjes së të krishterëve dhe “të drejtave të pakicave”.Këto shtete kërkonin hapjen e shkollave në gjuhët përkatëse për popullsitë që ata pretendonin se ishin nën kujdesin e tyre kulturor ose fetar. Sulltani ishte shpeshherë i detyruar t’i pranonte këto kërkesa, sepse: kishte nevojë për mbështetje politike dhe ushtarake nga këto shtete për të ruajtur territorin; frikësohej nga ndërhyrje të drejtpërdrejta ushtarake nëse nuk plotësonte këto kërkesa dhe nga trazirat e brendshme që mund të nxiteshin nga komunitetet e krishtera nëse ndaloheshin shkollat e tyre.

Nga një këndvështrim tjetër, Sulltani shpresonte se lejimi i shumë shkollave të huaja me orientime dhe gjuhë të ndryshme do të krijonte konkurrencë dhe përçarje mes komuniteteve jo-turke, duke ndaluar formimin e një fronti të përbashkët antiosman. Me këtë logjikë, një shqiptar i arsimuar në greqisht do ta shihte veten si grek; një shqiptar i arsimuar në serbisht ose bullgarisht do të asimilohej nga kulturat përkatëse. Ndarja fetare (katolikë, ortodoksë, myslimanë) do të thellohej përmes arsimit të ndarë sipas besimit dhe identiteti etnik shqiptar nuk do të konsolidohej kurrë. Në këtë mënyrë, Perandoria do ta ruante kontrollin mbi territoret shqiptare më gjatë.

Ndryshe nga fqinjët e tyre, shqiptarët nuk gëzonin një traditë të konsoliduar të gjuhës së shkruar; ishin të shpërndarë në katër vilajete osmane; u përkisnin tre besimeve të ndryshme fetare, çka e bënte edhe më të vështirë ndërtimin e një platforme kombëtare unifikuese(Fisher, 2013).

Në këto kushte, nevoja për një projekt politik që do të unifikonte shqiptarët rreth një boshti të përbashkët identitar bëhej e ngutëshme dhe gjuha u shfaq si shtylla qendrore e këtij projekti. Në këtë kontekst historik del në pah figura e Abdyl Frashërit, një ndër ideologët më të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe një nga zërat më të qartë që artikuloi domosdoshmërinë e institucionalizimit të gjuhës shqipe, jo vetëm si mjet arsimor, por si instrument shpëtimi kombëtar. Për të, çështja e arsimit dhe gjuhës ishte një akt politik i mbijetesës.

Gjuha dhe arsimi si çështje ekzistenciale kombëtare

Vendimi i Sulltanit për të lejuar hapjen e shkollave të huaja në territoret e Perandorisë, nën presionin e Fuqive të Mëdha, krijoi një dinamikë të re gjeopolitike dhe kulturore në Ballkan, e cila pati pasoja të drejtpërdrejta mbi popullsinë shqiptare. Ndërhyrja e fuqive të jashtme përmes arsimit nuk kishte karakter neutral: këto shkolla nuk përhapnin thjesht dije apo arsimim të përgjithshëm, por shvillonin nacionalizmat e shteteve respektive dhe ishin pjesë e një strategjie të strukturuar për zgjerim territorial dhe ndikim kulturor në zonat e përziera etnike. Prania e tyre e gjerë dhe investimi i madh që shtetet përkatëse bënë, dëshmon se arsimi po përdorej si instrument për zgjerimin e kufijve politikë përmes “pushtimit kulturor”. Në të njëjtën kohë, në të katër vilajetet shqiptare ekzistonin vetëm dy shkolla shqipe, një shifër tragjikisht e ulët krahasuar me shkollat e etnive të tjera. Kjo dëshmon një realitet të trishtë: shqiptarët nuk kishin shtet që t’i mbronte dhe as fuqi politike që të siguronte arsimim në gjuhën amtare.

Mospranimi i shqipes nga ana e autoriteteve osmane si gjuhë mësimi dhe mungesa e mbështetjes ndërkombëtare i linte shqiptarët në mëshirë të shkollave të huaja, që më shumë sesa arsim, ofronin asimilim të programuar.

Në ato kushte, Abdyl Frashëri i trajtoi problemet e gjuhës dhe arsimit në mënyrë të pandashme nga qytetërimi dhe zhvillimi kombëtar. Ai e perceptonte përhapjen e arsimit në gjuhën amtare si një kusht të pazëvendësueshëm për formimin e vetëdijes kolektive dhe për të ndalur procesin e asimilimit. Në një fjalim të mbajtur më 14 janar 1878 në Parlamentin Osman kishte theksuar: “Çdo begati dhe lulëzim që ka lidhje me qytetërimin është arritur me anë të arsimit. Pa arsim asnjë popull nuk ka përparuar, por ka rënë poshtë nga dita në ditë”. Në këtë kuptim, arsimimi në gjuhë të huaj nuk përbënte përparim, por një akt të heshtur të shpërbërjes identitare. Abdyli paralajmëronte se përhapja e gjuhëve si greqishtja, bullgarishtja, sllavishtja dhe italishtja në trevat shqiptare, përmes shkollave të mbështetura nga shtetet fqinje, kishte pasoja të drejtpërdrejta në deformimin dhe zbehjen e identitetit shqiptar. “Mungesa e shkollave shqipe krijonte boshllëk arsimor, i cili plotësohej nga shkolla të huaja me agjenda politike të qarta” – theksonte ai. Abdyl Frashëri ishte ndër të parët që kuptoi se çështja e shkollës shqipe nuk ishte vetëm çështje e kulturës apo e edukimit, por një çështje politike jetike për të ardhmen e kombit shqiptar.

Shkollat e huaja dhe rreziku i asimilimit gjuhësor e kulturor

Abdyl Frashëri, i vetëdijshëm për këtë realitet të rrezikshëm, e artikuloi qartë rrezikun që përfaqësonin këto shkolla të huaja për mbijetesën kulturore dhe politike të shqiptarëve. Në jug të Shqipërisë, Greqia përhapte shkolla në gjuhën greke, të mbështetura nga Kisha Ortodokse dhe me financime shtetërore nga Athina, me qëllim që të përforcohej ideja se këto territore ishin pjesë organike e Megali Idé-së greke. Në lindje dhe në veri, shkollat serbe dhe bullgare përhapnin përkatësisht gjuhën dhe kulturën sllave, shpesh të shoqëruara me propagandë kishtare ortodokse, e cila synonte të krijonte ndjesinë e përkatësisë etnike sllave ndër popullsitë lokale. Këto institucione arsimore nuk funksiononin si shkolla në kuptimin klasik, por si qendra përhapje të nacionalizmave përkatës. Ato nuk synonin ndërtimin e shoqërive lokale të arsimuara e të pavarura, por krijimin e komuniteteve të “riidentifikuara” me një komb tjetër, një proces i drejtpërdrejtë asimilimi që përgatiste terrenin për pretendime territoriale në të ardhmen.

Abdyli e kuptonte se pa një sistem arsimor të vetin, shqiptarët jo vetëm që do të humbnin gjuhën e tyre amtare, por do të humbnin edhe lidhjen shpirtërore dhe politike me truallin e tyre historik. Në mungesë të arsimit në gjuhën shqipe, vetëdija kombëtare do të zbehej, dhe shqiptarët do të përfundonin si shtojcë e nacionalizmave të huaja.

Në një nga dokumentet më të rëndësishme politike të tij “Memorandumin drejtuar Sulltanit Abdyl Hamidit II të vitit 1880, Abdyl Frashëri paralajmëroi qartësisht rrezikun e përhapjes së gjuhëve dhe kulturave të huaja në trojet shqiptare përmes rrugës së shkollës. Ai shkruante: “Europianët, për të marrë nën kontroll trevat shqiptare, po përpiqen të përdorin banorët e krahinave të krishtera kundër myslimanëve, duke përhapur gjuhët greke, sllave dhe latine përmes shkollave të tyre.” Ky konstatim përmban një analizë të thellë politike. Ndërsa Perandoria Osmane përpiqej të ruante një farë kontrolli me anë të sistemit fetar (miletit), shtetet fqinjë e kapërcenin këtë kufi përmes gjuhës, duke zëvendësuar përkatësinë fetare me përkatësinë kombëtare, e cila ishte shumë më e fuqishme dhe më e rrezikshme për integritetin territorial të tokave shqiptare.

Për Abdyl Frashërin, gjuha nuk ishte thjesht një mjet komunikimi, por edhe simbol identitar i pazëvendësueshëm. Ai theksonte se “nëse shqiptarët nuk organizoheshin për të përhapur gjuhën shqipe në shkolla”, rrezikonin jo vetëm asimilimin kulturor, por edhe mohimin ndërkombëtar të identitetit të tyre kombëtar. Siç paralajmëronte ai: “Në rast se nuk merren masa për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe, Europa do të deklarojë se shqipja nuk është gjuhë e përshtatshme për shkollim dhe nuk ka arsye të mësohet”. Kjo nuk ishte vetëm një frikë, por një parashikim i bazuar në realitetin gjeopolitik të kohës. Nëse një gjuhë nuk përfaqësohej në institucione arsimore, ajo humbiste funksionalitetin e saj publik dhe fillonte të zbehej në perceptimin e opinionit ndërkombëtar. Prandaj, për Abdyl Frashërin, lidhja midis gjuhës dhe politikës ishte themelore: pa një gjuhë të shkruar, të mësuar dhe të përhapur në mënyrë institucionale, nuk mund të ekzistonte kombi shqiptar si subjekt politik.

Një platformë për arsim të pavarur shqiptar

Në kërkesat e tij për shkollën shqipe, Abdyli përdori gjuhën e diplomacisë dhe jo të konfrontimit të hapur me autoritetet osmane. Në vend që ta akuzonte Portën për shtypje kulturore, Abdyli e vesh kërkesën për shkollat shqipe me petkun e interesit osman. Ai thoshte: “Nëse Perandoria Osmane dëshiron të qëndrojë, ajo duhet të mbështetet te shqiptarët, të cilët mund të jenë aleatë besnikë, vetëm nëse arsimojnë fëmijët e tyre në gjuhën amtare”. Me këtë logjikë nacionalizmat fqinj (grek, serb, bullgar, rumun) përbënin kërcënim për integritetin territorial të Perandorisë, prandaj shqiptarët duhej të arsimoheshin në gjuhën e tyre, për të mbrojtur vetveten, por edhe për të ruajtur Perandorinë.

Abdyl Frashëri kërkonte krijimin e një sistemi arsimor të përhapur gjerësisht në të gjitha trevat shqiptare, pa dallim krahine, feje apo gjinie. Shkollimi i fëmijëve në gjuhën shqipe shihej si mjeti kryesor për ndërgjegjësimin e brezave të rinj dhe për t’u dhënë shqiptarëve mjetet intelektuale për të mbrojtur ekzistencën e tyre kulturore. Për Abdylin, arsimimi nuk ishte luks, por nevojë urgjente për të mbijetuar si komb në një realitet armiqësor.

Abdyli nuk e kufizoi reformën arsimore vetëm në nivelin bazë, por synonte edhe ngritjen e një institucioni të arsimit të lartë, ku do të formoheshin elitat intelektuale, politike dhe administrative shqiptare. Ky universitet modern do të shërbente si qendër e dijes, si laborator i prodhimit të elitës shqiptare të së ardhmes, e cila do të drejtonte çështjen kombëtare me mendje të formuar dhe horizont të gjerë. Një nga shtyllat më të rëndësishme të platformës së Abdyli Frashërit ishte institucionalizimi i gjuhës shqipe. Krijimi i një Akademie kombëtare, që do të merrej me standardizimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, shihej si një hap i domosdoshëm për të ndërtuar një identitet kombëtar të qëndrueshëm. Akademia do të hartonte gramatika, fjalorë dhe tekste mësimore në shqip, duke i dhënë kështu gjuhës së folur një status të ri, atë të një gjuhe kombëtare të shkruar.

Duke qenë se një pjesë e mirë e shqiptarëve merrnin arsim fetar në medrese, Abdyl Frashëri nuk kërkoi shuarjen e tyre, por modernizimin e përmbajtjes dhe structures, në mënyrë që ato të mos mbeteshin jashtë realitetit të kohës. Ai propozonte përfshirjen e lëndëve shkencore, gjuhës shqipe dhe dijeve moderne në këto institucione, duke i shndërruar ato në ura ndërmjet traditës fetare dhe nevojës për një edukim kombëtar laik dhe funksional.

Për Abdylin, shtypi nuk ishte thjesht mjet informacioni, por instrument edukimi, ndërgjegjësimi dhe mobilizimi kombëtar. Ai këmbëngulte që të krijoheshin gazeta, revista dhe botime në gjuhën shqipe, me qëllim që të përhapej fryma kombëtare dhe të thyheshin monopolet kulturore të gjuhëve të huaja. Në një realitet ku popullata ishte e ndikuar nga shtypi grek, turk, italian apo sllav, shtypi në shqip do të shërbente si një mburojë identitare dhe si mjet për të formuar opinion publik shqiptar.

Një nga aspektet më novatore të mendimit të Abdyl Frashërit ishte kërkesa për përfshirjen e grave në procesin arsimor, një ide përtej kohës së vet. Ai e kuptonte se emancipimi i shoqërisë shqiptare nuk mund të realizohej pa emancipimin e gruas, sepse ajo ishte bartësja kryesore e edukimit të brezit të ardhshëm. Me shprehjen e tij: “Nëse nëna është e paditur, edhe fëmija do të mbetet pa edukatë”, ai shpreh një vizion të rrallë për kohën, ku gruaja nuk shihej thjesht si pjesë e familjes, por si agjente e drejtpërdrejtë e zhvillimit kulturor dhe kombëtar.

Filed Under: Histori

Gegnishtja dhe standardi i saj

August 25, 2025 by s p

Dr. Davida Marku

Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkoder/

Gjuha shqipe është një nga elementet kryesore të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Ajo ndahet në dy dialekte të mëdha: gegërishten në veri dhe toskërishten në jug. Këto dy dialekte kanë ndjekur zhvillime të ndryshme historike e gjuhësore, por bashkë përbëjnë një tërësi gjuhësore unike. Gegnishtja, si një variant i pasur dhe i hershëm i shqipes, ka dhënë kontribute të mëdha në letërsinë dhe kulturën kombëtare. Megjithatë, me miratimin e standardit të shqipes në vitin 1972, ajo nuk u përfshi drejtpërdrejt në bazën e standardizimit, duke ngjallur debat mbi pozitën e saj dhe marrëdhënien me gjuhën letrare të sotme.

Gegnishtja si dialekt i shqipes

Gegnishtja flitet kryesisht në Shqipërinë e veriut, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe diasporën shqiptare në rajone të tjera. Ajo ka disa nënndarje kryesore: gegërishten veriore, verilindore, qendrore dhe jugore. Secila prej tyre ka tipare fonetike, morfologjike dhe leksikore që e bëjnë gegnishten një sistem të larmishëm. Një nga tiparet dalluese është ruajtja e zanoreve hundore (p.sh. “vênë”, “gjuên”), të cilat në standard nuk ekzistojnë. Po ashtu, gegnishtja përdor forma të veçanta foljore (p.sh. “kam me shkue” në vend të “do të shkoj”) dhe ruan një trashëgimi të pasur leksikore me ngjyresa arkaike dhe popullore.

Kontributi i gegnishtes në kulturë dhe letërsi

Shumë vepra të letërsisë shqipe janë shkruar në gegnisht. Autorë si Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni, Ernest Koliqi e shumë të tjerë kanë lënë kryevepra të pavdekshme në këtë dialekt.

Për shembull, “Lahuta e Malcis” e Fishtës është një monument i epikës kombëtare, ndërsa Migjeni solli realizmin dhe modernizmin përmes gegnishtes letrare. Ky fakt tregon se gegnishtja nuk është vetëm një dialekt i folur, por edhe një gjuhë letrare me traditë.

Standardizimi i shqipes dhe roli i gegnishtes

Kongresi i Drejtshkrimit (1972) vendosi që standardi i shqipes të mbështetej kryesisht mbi toskërishten, ndërsa gegnishtja u përfshi në mënyrë të kufizuar. Arsyeja kryesore ishte synimi për unitet kombëtar dhe thjeshtimi i procesit të standardizimit. Megjithatë, kjo zgjidhje ka sjellë diskutime të vazhdueshme, sidomos në Kosovë dhe në qarqe të ndryshme akademike. Shumë gjuhëtarë argumentojnë se përjashtimi i gegnishtes nga baza e standardit ka varfëruar gjuhën letrare dhe ka krijuar një distancë midis të folurit të përditshëm dhe standardit. Nga ana tjetër, mbështetësit e standardit e shohin këtë si një kompromis historik që ka siguruar unitetin gjuhësor dhe kombëtar.

Gegnishtja sot dhe sfidat e saj

Sot, gegnishtja vazhdon të jetë gjallë dhe e përdorur gjerësisht në komunikimin e përditshëm, në muzikë, në media dhe në krijimtarinë letrare. Në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ajo mbetet dialekti kryesor i të folurit, ndërsa shumë autorë bashkëkohorë e përdorin në poezi e prozë. Megjithatë, sfida kryesore është ruajtja e saj si pasuri kulturore, duke mos e lënë të margjinalizohet përballë standardit. Një pjesë e studiuesve propozojnë që standardi të pasurohet me elementë të gegnishtes, në mënyrë që të bëhet më gjithëpërfshirës dhe më i afërt me të gjitha trevat shqiptare.

Përfundim

Gegnishtja është një pasuri e madhe e gjuhës shqipe, me vlera të veçanta historike, letrare dhe identitare. Marrëdhënia e saj me standardin nuk duhet parë si kundërshti, por si plotësim. Një standard i gjuhës që merr parasysh të gjitha trashëgimitë gjuhësore të kombit shqiptar është një standard më i pasur dhe më i qëndrueshëm. Prandaj, ruajtja, studimi dhe promovimi i gegnishtes mbetet detyrë e rëndësishme kulturore dhe shkencore për të ardhmen e shqipes.

Filed Under: Sociale

Dr. Ibrahim RUGOVA – Histori dhe mrekulli

August 25, 2025 by s p

Don Lush Gjergji/

Populli ynë thotë mirë: “Të kujtohet e mos të harrohet”.

Sot, si dhe shumë ditë dhe shumë herë, jam në “shoqëri” me mikun, vëllain, vizionarin, nuk është teprim të thuhet edhe “profetin” dhe arkitektin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Ndihem “mirë” së bashku me Të shpirtërisht, edhe pse më mungon prania e tij fizike; komunikoj me Të nëpërmjet fesë, uratës, dashurisë, falënderimit. Si shpesh herë, kur rrinim, bisedonim, takoheshim, shqyrtonim, analizonim gjendjen tonë historike dhe aktuale, planifikonim udhëtimet tona nëpër botë, në kërkim, “shfletoj” kujtimet, shënimet, albumet…Kërkonim shteg apo rrugëdalje për një popull të shkretë dhe të robëruar, të nëpërkëmbur dhe të nënçmuar, të poshtërsuar dhe të sfiduar, shpesh në breg të “varrit”, si “Pakica” e Izraelitve që ishte në pritje të kthimit në atdhe, të lirisë së humbur dhe të mohuar, të rrezikimit deri te shfarosja…

Presidenti ynë dr. Ibrahim Rugova kishte në besim të madh dhe të pathyeshëm në Zotin dhe në Popullin, si dhe në miqtë tanë, së pari në SHBA-në, Bashkësinë Evropiane dhe Selinë e Shenjtë, sidomos në Papën Gjon Pali II. Dhe nuk ishte mashtruar. Përpos Zotit, që i besonte dhe e kërkonte në mënyrë “burimore” nëpërmjet Drejtësisë, Paqes, Lirisë, Demokracisë, Pavarësisë, vlera këto që janë universale, për të gjithë, pra, edhe për ne Shqiptarët, dhe Popullin të cilin duhet ta “motivojmë dhe bashkojmë”.

Shi për këtë ai çmonte, nderonte dhe e donte shumë Prof. Anton Çettën, Imzot Nikë Prelën, veprimtarët e Pajtimit, sepse thoshte, “këta njerëz dhe bashkëpunëtorët e tyre, po e lirojnë popullin nga ndarja, përçarja, ngatërresa, hak apo gjak – marrja, si parakusht për liri, demokraci dhe pavarësi”. Dhe vazhdonte: “Kur të jemi të bashkuar, një, atëherë edhe Zoti do të jetë me ne, si dhe bota demokratike, paqedashëse dhe liridashëse…”.

Dhe ndodhi ajo që pak kush besonte, mos të them askush, lufta mes Davidit – Dr. Ibrahim Rugovës, dhe Goliatit – Milosheviqit, Serbisë, me fitore spektakolare, ndërhyrja e botës në dobi dhe të mirë tonë, si Lufta e parë dhe e vetme “humanitare, preventive, shpëtimprurëse” për një popull, për ne Shqiptarët, që ishim para sfidave të shkatërrimit dhe asgjësimit apo dëbimit masiv.

Dr. Ibrahim Rugova çështjen shqiptare, në veçanti atë të Kosovës, e shndërroi në çështje të ndërgjegjes, përgjegjësisë dhe bashkëpërgjegjësisë botërore.

Unë e vlerësoj Presidentin Dr. Ibrahim Rugova si simbol e asaj çka ishte e kaluara jonë shekullore ilire, arbërore dhe shqiptare, tradita, kultura, qytetërimi dhe aspiratat shumëshekullore. Më kujtohet thënia e tij bindëse dhe profetike: “Nëse Nëna Tereze e ka përfituar mbarë njerëzimin me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, përse ne mos ta fitojmë lirinë, demokracinë dhe pavarësinë me strategjinë paqësore jodhunore gandiane, edhe më mirë tereziane…”.

Nëpërmjet Imzot Pjetër Bogdanit, autorit të studiuar dhe të preferuar të Rugovës, ai e kishte krijuar një “Çetë të Profetëve” moderne dhe për ditët tona nëpërmjet Zotit, Popullit Shqiptarë dhe botës mbarë.

Ky ishte botëkuptimi i tij filozofik, kulturor, shpirtëror, shoqëror për popullin tonë Shqiptar, për Kosovën tonë të tashme dhe të ardhme.

Dallohej si Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për shumë vite, sidomos si mbrojtës i dinjitetit, identitetit dhe lirisë sonë kombëtare dhe kulturore, atëherë kur ishte rrezik të jetosh e jo më të veprosh në lëmin politik dhe kulturor. Të gjitha këto ai i përmbledhte në binomin bërthamor dhe me porosi tashmë të njohur: vetëvendosja dhe pavarësia e Kosovës.

Ishte studjues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qendrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thoja edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të të mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqesore dhe jodhunore.

Shpesh thoshte: “Poltika nuk është matematikë”, duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person, individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.

Pastaj vazhdonte: “Arma jonë e fuqieshme është lashtësia, tradita, kultura, rrenjët dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë… Ne duam dhe kërkojmë mënyra demokratike që t’na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askend… Nëse ne do ta mposhtim urrejtjen, ndarjet dhe pëprçarjet, sidomos traditën e gjak apo hak-marrjes, atëherë do të jemi të lirë dhe popull demokratik… Intelektualët shqiptarë duan të jenë në shërbim të popullit… Çka na duhet Kosova e përgjysmuar nga masakrimet apo përjashtimet… Tani është e rëndësishme ta shpëtojmë poullin. Do të kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare një fazë kalimtare, protektoratin ndërkombëtar për disa vite, e pastaj do të punojmë së bashku për pavarësinë e Kosovës… Në mua kanë ndikuar shumë pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze…”.

Këto mendime, vlerësime dhe përcaktime Presidenti dr. Ibrahim Rugova i ka shprehur shumë më herët, si vizion dhe profeci, që për disa dukeshin ëndërrime, utopi, pasivizëm, dhe ja, fatbardhësisht ato tani janë proces dhe në fazën e zbatimit përfundimtar, apo si them unë “histori dhe mrekulli”. Dr. Ibrahim Rugova nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë të mbrohet, por urtisht, guximisht dhe me shumë sukses e kudo e mbrojti popullin shqiptar, sidomos Kosovën. Ai nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë ta sulmonte askend, përpos të keqen, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen, rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së vërtetës, me strategjinë këmbëngulëse dhe frymëzuese për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë.

Mu për këtë ishte dhe do të jetë përfaqësuesi ynë i denjë në luftë për liri dhe demokraci në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve 1989-1999 si dhe pas Luftës, deri në vdekje (21 janar 2006). Do të thoja së bashku me Nënësn Tereze se dr. Ibrahim Rugova “e dha pjesën më të mirë të vetvetes”.

Si “testament” kulturor e la kompletin e tetë vëllimeve, kujtimin e njeriut të qetë dhe të urtë, të flijimtarit të pakursyeshëm, të strategut të paqes dhe të lirisë, këmbëngulesin e bindur dhe besnik të pavarësisë së Kosovës.

Bota e çmoi dhe nderoi me shumë shpërblime. Bota demokratike ishte me Presidentin tonë gjatë jetës së tij, sidoms në varrimin e tij madhështor, që në një mënyrë ishte edhe promovimi i pavarësisë sonë. Shpërblimi më i madh, kuptohet, nga ana e Zotit, është pavdekësia, amshimi, jeta e pasosur, ndërsa nga ana njerëzore, kombëtare dhe ndërkombëtare, është pa dyshim pavarësia e Kosovës, që edhe ne gjurmave të tija të shkojmë dhe atë mos ta harrojmë.

Filozofia dhe politika sipas Dr. Ibrahim Rugovës

Fjalët, shkrimet, idetë, politika paqësore jodhunore e Dr. Ibrahim Rugovës ishte një risi dhe befasi gati për të gjithë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, sipas parimeve të Gandhit, të Martin Luther King-ut, deri diku Havelit, apo siç thoshte vet Rugova, strategjia jonë “tereziane”, duke iu referuar dhe duke u frymëzuar në jetën dhe veprën e Nënës Tereze Bojaxhiu. Këtë përcaktim e shpjegonte kështu: “Jemi edhe të detyruar, sepse nuk kemi as ushtri, as polici, as armë, dhe ndoshta kjo atë herë ishte edhe fatbardhësia jonë (vërejtja ime), por edhe duam, sepse nuk besojmë në fitoren e luftës dhe të armëve, dhe ajo do ta përgjysmonte dhe pakësonte popullatën tonë, ndërsa ne dëshirojmë ta mbrojmë çdo jetë dhe çdo njeri”.

Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thosha edhe më tepër, Profeti i Paqes, “Gandi i ditëve tona” në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqësore dhe jodhunore.

Shpesh thoshte: “Politika nuk është matematikë”, duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person, individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.

Pastaj vazhdonte: “Arma jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë… Ne duam dhe kërkojmë mënyra demokratike që t’na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askënd… Nëse ne do ta mposhtim urrejtjen, ndarjet dhe përçarjet, sidomos traditën e gjak apo hak-marrjes, atëherë do të jemi të lirë dhe popull demokratik… Intelektualët shqiptarë duan të jenë në shërbim të popullit…

Çka na duhet Kosova e përgjysmuar nga masakrimet apo përjashtimet…Tani është e rëndësishme ta shpëtojmë popullin. Do të kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare një fazë kalimtare, protektoratin ndërkombëtar për disa vite, e pastaj do të punojmë së bashku për pavarësinë e Kosovës…Në mua kanë ndikuar shumë pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze…”.

Filed Under: Opinion

Liri për çlirimtarët, jo konfuzion!

August 25, 2025 by s p

Hisen Berisha/

(Lista e zezë e SHBA-së nuk lidhet me Dhomat Speciale të Kosovës në Hagë. Është ICC-ja në shënjestër, jo Dhomat Speciale)

Vendimi i administratës Trump për të futur në “listën e zezë” të sanksioneve amerikane gjyqtarë, prokurorë dhe vet institucionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Këto masa, të nënshkruara përmes një urdhri ekzekutiv, i bllokojnë pasuritë e zyrtarëve të ICC-së në SHBA dhe u ndalojnë atyre hyrjen në territorin amerikan. Kurse interpretimi i këtij vendimi dhe veprimeve juridike të mëhershme të administratës amerikane, nga të gjithë në Kosovë po krijojnë konfuzitet të padrejtë.

Sipas Uashingtonit, arsyetimi qëndron në faktin se ICC po heton krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të pretenduara ndaj shtetasve amerikanë dhe izraelitë, përfshirë hetimet që prekin Kryeministrin e Izraelit dhe zyrtarë të tjerë izraelitë për veprimet në Gaza dhe territoret palestineze.

Por një pyetje që lind edhe në opinionin publik shqiptar është kjo: A janë përfshirë në këtë listë gjyqtarët dhe prokurorët e Dhomave të Specializuara për Kosovën, të themeluara nga Kuvendi i Kosovës dhe që veprojnë në Hagë, apo ky vendim prek vetëm ICC-në?

Përgjigja është e qartë: sanksionet nuk kanë të bëjnë aspak me Dhomat e Specializuara për Kosovën.

Administrata Trump ka targetuar ekskluzivisht Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila është një institucion ndërkombëtar i krijuar mbi bazën e Statutit të Romës, dhe që ka mandat global për të gjykuar krimet më të rënda ndërkombëtare – krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërsa Dhomat e Specializuara për Kosovën janë një mekanizëm i veçantë, i themeluar me ligj nga Kuvendi i Kosovës dhe i integruar në sistemin juridik të Kosovës.

Ato nuk janë pjesë e ICC-së, por funksionojnë si gjykatë hibride (kosovare me seli në Hagë) dhe merren vetëm me rastet që lidhen me pretendimet për “krime të kryera gjatë dhe pas luftës” së Kosovës.

Për këtë arsye, lista e zezë e SHBA-së nuk përfshin gjyqtarët, prokurorët dhe stafin e Dhomave të Specializuara për Kosovën, por vetëm zyrtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC).

Ky dallim është thelbësor për të mos krijuar konfuzion në opinionin publik. Ndërsa, Trump sfidon hapur ICC-në dhe autoritetin e saj mbi shtetasit amerikanë dhe izraelitë, SHBA vazhdon të mbështesë Dhomat e Specializuara për Kosovën si pjesë e kornizës ligjore që “vetë Kosova ka themeluar”.

Koincidenca që disa gjyqtarë dhe prokurorë që kanë operuar ose ende operojnë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë qenë të angazhuar edhe në nisma penalizuese ndaj zyrtarëve amerikanë apo izraelitë, siç është rasti me z. Smith dhe z. Guillou, ka shkaktuar konfuzion në opinionin publik. Megjithatë, duhet bërë e qartë se sanksionimi në listën e zezë nuk lidhet me Dhomat Speciale, por me angazhimin e këtyre individëve në procesin juridik të ICC.

Një tjetër çështje që meriton vëmendje është thirrja për protestë në Hagë më 14 shtator 2025, me moton: “Liri për çlirimtarët!”. Kjo protestë duhet të shihet si pjesë e mobilizimit qytetar mbarëkombëtar për të kërkuar drejtësi të barabartë.

Sugjerimi im për të gjithë bashkëluftëtarët dhe qytetarët, si nga vendi ashtu edhe nga diaspora, është që protestat të organizohen gjithashtu edhe para dy institucioneve kyçe: Këshillit të Evropës dhe Kuvendit të Kosovës. Pse para këtyre institucioneve? Kuvendi i Kosovës është themeluesi i këtyre Dhomave Speciale. Kurse Këshilli i Evropës, sepse me ligjin për Dhomat Speciale, kompetencën për të konstatuar përfundimin e punës së këtyre dhomave e ka vetë Këshilli i Evropës.

Kërkesa kryesore ndaj tyre duhet të jetë e qartë: amendamentimi i ligjit për Dhomat Speciale, në pjesën që ka të bëjë me dëshmitë dhe provat e ofruara nga shërbimi sekret serb, prokuroria serbe dhe ajo ruse, si o ndërtuar baza ligjore e funksionimit të këtyre Dhomave.

Një tjetër hap konkret që duhet ndërmarrë është organizimi i një peticioni që mbështet lirimin e liderëve të UÇK. Meqenëse procesi gjyqësor është tashmë në fazën e ofrimit të dëshmive nga mbrojtja, ky peticion me nënshkrime do të shërbente si një akt solidariteti dhe mbështetjeje të drejtpërdrejtë ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 200
  • 201
  • 202
  • 203
  • 204
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT