• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si mund të reflektohet në Kosovë fundi i konflikti në Ukrainë?

September 21, 2022 by s p

Fundi i konfliktit në Ukrainë, mund të hapë “kutinë e Pandorës” edhe në Ballkan dhe kjo sidomos mund të jetë si rezultat i “pazareve nën tavolinë” që mund të bëhen pas përfundimit të këtij konflikti. Nëse Rusia del e humbur në këtë konflikt, gjasat janë shumë reale që tokat e pushtuara nga rusët t’i rikthehen Ukrainës dhe kjo mund të trimërojë makinerinë ushtarke e politike të Beogradit për ndonjë mësymje ndaj Kosovës, duke provuar të kompensojë humbjet ruse në terren.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Dërgimi i kaq shumë emisarëve në Kosovë dëshmon se ende nuk e ka një politikë të unifikuar të botës perëndimore kundrejt çështjeve të pambyllura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo edhe për fajin e vet politikës kosovare e cila ka mangësi të shumta në ruajtjen e kontinuitetit dhe konzistencës politike ndaj qasjeve arrogante të Serbisë.

Vëzhgues të shumtë perendimorë, megjithatë kanë parlajmëruar se pas përfundimit të zhvilimeve në Ukrainë mund të pritet ndonjë kthesë dramatike në raportet Kosovë-Serbi. Kjo është edhe arsyeja që në opinion po qarkullojnë plane e ide të ndryshme që hedhin dritë mbi arritjen e mundshme të një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ditë më pare, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se diplomatët evropianë kanë propozuar “kornizë të re” për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Mediat në Prishtinë kanë siguruar një kopje të pretenduar nga kjo “kornizë të re” e marrëvesshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku në pikën e parë potencohet se “Një normalizim substancial i raporteve duhet të arrihet deri në mes të vitit 2023”. Më pas vazhdohet me pikën e dytë. “Kosova dhe Serbia janë dy realitetet të ndara legale dhe politike që duhet të njihen si të tilla nga të gjitha palët në procesin e dialogut. ‘Të gjitha palët’ janë Prishtina (Kosova), Beogradi (Serbia) dhe Brukseli (BE, që nënkupton të gjitha shtetet e BE-së, përfshirë edhe jo njohësit)”. Kurse pika e tjetër sqaron pozicionin e Serbisë. “Serbia nuk do të jetë e gatshme t’i bashkohet BE-së pa një normalizim komplet të raporteve politike, legale dhe diplomatike me Kosovën. Gjithsesi, duke pasur parasysh që pranimi i Serbisë në BE është akoma larg, në këtë fazë, Serbisë nuk do t’i kërkohet që ligjërisht ta njohë Kosovën”. Ky pozicion është rrjedhojë e faktit që, aktualisht, BE-ja nuk është e gatshme as të shqyrtojë një anëtarësim të përshpejtuar për Serbinë, rrjedhimisht edhe për vendet tjera të Ballkanit perëndimor.

Mund të mos ketë asgjë nga ky dokument i përfolur i cili po qarkullon në media, por ajo që po duket shumë qartë ka të bëjë me interesimin e shtuar të diplomatëve ndërkombëtarë për ta mbyllur hendekun e hapur që qëndron në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, ky hendek, sipas diplomatëve ndërkombëtarë, nuk mund të mbyllet duke lënë hapur plagët që shkaktojnë “hemoragji” të reja në raportet midis dy vendeve. Ata parasegjithash aludojnë në zgjidhjen e problemit të pakicës serbe në Kosovë, e cila duhet të ketë një trajtim të posaçëm dhe madje përtej Pakos së Ahtisarit.

Por si mund të mbyllet një plagë, nëse Serbisë i lejtohet të hapë plagë të reja në trupin e Kosovës?

Përgjigja në këtë pyetje në fakt është thelbi i qasjes që duhet ta kenë edhe diplomatët ndërkombëtarë edhe klasa politike e Kosovës. Ajo çka druajnë me të drejtë autoritetet shtetërore të Kosovës, është frika nga bosnjizimi, si model defaktorizues për shtetin e Kosovës. Nëse në Bosnjë e Hercegovinë bashkësia ndërkombëtare u tregua e pafuqishme të pengojë prirjet fragmentuese të serbëve, kush mund të grantojë se të njejtat prirje të mos përsëriten edhe në Kosovë?

Fundi i konfliktit në Ukrainë, mund të hapë “kutinë e Pandorës” edhe në Ballkan dhe kjo sidomos mund të jetë si rezultat i “pazareve nën tavolinë” që mund të bëhen pas përfundimit të këtij konflikti. Nëse Rusia del e humbur në këtë konflekt, gjasat janë shumë reale që tokat e pushtuara nga rusët t’i rikthehen Ukrainës dhe kjo mund të trimërojë makinerinë ushtarke e politike të Beogradit për ndonjë mësymje ndaj Kosovës, duke provuar të kompensojë humbjet ruse në terren.

Ekspertët e fushave të sigurisë dhe të politikës ndërkombëtare e kanë hedhur poshtë pretendimin e Putinit i cili ka thënë se republikat e Donbasit – siç njihen bashkërisht Donjecku dhe Luhansku – kanë vepruar njësoj si Kosova me shpalljen e pavarësisë.

“Është fakt që shumë shtete perëndimore e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ne e kemi bërë të njëjtën gjë me republikat e Donbasit”, ka thënë Putini më 26 prill, sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca ruse.

Megjithatë, Kosova i plotëson kriteret për të qenë shtet i pavarur, ndryshe nga rajonet separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, thonë njohësit dhe ekspertët e të Drejtës Ndërkombëtare.

Një argument shtesë që hedhe poshtë pretendimet e Putinit është edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e cila ka konstatuar në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me Ligjin ndërkombëtar. Kjo ka ndikuar që shtetësinë e Kosovës ta njohin deri më tash më shumë se 100 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian.

Për të mbështetur këto argumente, vjen edhe interpretimi shterrues i profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit, Richard Caplan, i cili thotë se ndërhyrja e NATO-s, për t’i dhënë fund dhunës së ushtrisë serbe në Kosovë, ka pasur përkrahje të madhe, ndryshe nga rasti i Donbasit.

“Më 1999, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara – përfshirë Rusinë – ka thënë se ekziston një krizë e pashmangshme humanitare në Kosovë. Kjo nuk do të thotë se Rusia ka pranuar përdorimin e forcës nga ana e NATO-s. Rusia qartazi e ka kundërshtuar këtë gjë, mirëpo këtu qëndron dallimi… sepse për Donbasin nuk thuhet se minoriteti rus atje është duke u rrezikuar apo ka qenë në rrezik nga Qeveria e Ukrainës”, thotë Caplan për Radion Evropa e Lirë.

Por, a mjaftojnë vetëm argumentet të jenë në anën tonë, nëse Kosova nuk e ka një mbështetje të sigurt nga bashkësia ndërkombëtare?

Kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, i është kundërpëgigjur misioni paqeruajtës i NATO -s – KFOR.

“Numri dhe kohëzgjatja e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë Kosovën veriore, është rritur,” tha një zëdhënës i Aleancës për gazetën gjermane BILD.

KFOR po monitoron “situatën në të gjithë Kosovën nga afër dhe vazhdon të fokusohet në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë ”, ka thënë i njejti burim.

Pra, nëse i marrim parasysh këto deklarime të KFOR-it, Kosova nuk ka arsye të jetë e shqetësuar nga kërcënimet ushtarke të Serbisë. Por, kjo nuk mjafton që të merret si “terapi afatgjate”, sepse Kosova duhet të punojë në ndërtimin e një startegjie efikase mbrojtëse me ndihmën e aleatëve, sidomos të amerikanëve. Pa këtë strategji, shteti i Kosovës nuk mund ta arsyetojë politikisht angazhimin për pacenueshmërinë e territorit, sepse sovraniteti i një shteti nuk mbrohet vetëm me retorika të thata por edhe me projekte e programe konkrete në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Prishtinë, 19 shtator 2022

Filed Under: Komente

Për ata që nuk kuptojne perse qeveria Kurti refuzon t’i bashkohet Ballkanit te Hapur?

September 20, 2022 by s p

Ph.D. Dritan Demiraj/

Per te gjithe ata qe ne Shqiperi nuk e kuptojne perse qeveria Kurti refuzon t’i bashkohet Ballkanit te Hapur, deshiroj te sjell ne vemendjen tuaj.

Serbia prej 20 vitesh po perdor çdo mundesi, institucion nderkombetar, vende mike dhe jo mike me Shqiptaret, per te bllokuar anetaresimin e Dardanise ne institucionet nderkombetare me te vetmin qellim qe ajo te nenshtrohet dhe Serbia te realizoje objektivat e saj kombetare dhe ekonomike.

Edhe javes qe kaloi, Serbia “demokratike” dhe “pro Europiane” nepermjet parlamentit te saj pas debatit per dialogun me Kosoven, e autorizoi presidentin Aleksandër Vuçiç që t’iu dergoje një letër presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe kryetarit te Partise Komuniste të Kinës, ‘shokut’ Xi Jinping.

Ne kete kerkese zyrtare, ministri i Milosheviçit Vuçiç kerkon unifikimin e veprimeve ndaj Moskës dhe Pekinit që të vendosin veton ne te gjithe rastet kurdo që në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) te kerkohet anëtarësimi i Dardanisë në këtë institucion te rendesishem ndërkombëtar.

Siç dihet Rusia, Kina, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe janë pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe ne çdo rast ata kanë të drejtën e vetos.

Situata e sotme gjeopolitike, kur perendimi eshte unifikuar ne vendimet e perbashketa me vendosjen e sanksioneve ekonomike por jo vetem kunder Federates Ruse se bashku me retoriken e ‘shokut’ Xi Jinping kunder SHBA-ve, duke kerkuar krijimin e nje rendi te ri boteror, e veshtireson edhe me tej anetaresimin e saj.

Kjo dhe pikerisht kjo qasje anti Shqiptare e Serbise dhe e vijes politike te Vuçiçit, e ben edhe me te qarte qellimin e vertete te Ballkanit te Hapur, e cila perveç perfitimeve ekonomike te Serbise nuk ka asnje axhende tjeter per hapje kufijsh ose promovim te levizjes se lire.

Promovim biznesi, levizje te lire dhe shkembime mallrash nuk mund te kete me agresorin, i cili nderkohe qe nuk ka kerkuar falje per mijera te vrare, perdhunuar dhe genicid perdor te gjitha format per te ndaluar njohjet dhe integrimin nderkombetar te Dardanise.

Dr. Dritan Demiraj.

19 Shtator 2022.

Filed Under: Kronike

Një rrëfim i sinqertë, dinjitoz dhe poetik i një shkrimtari gjigand, i një poeti atdhetar dhe i një luftëtari idealist…

September 20, 2022 by s p

Saimir Z. Kadiu

I shpetoi Gestapos sepse e “ndihmuan” Gëte dhe Schileri dhe i madhi Ernest Koliqi…Por nuk do i shpetonte burgut komunist disa vite me pas…Nuk ishte faji i tij, qe fitimtaret nuk e njihnin vete ate, per Geten dhe Schilerin nuk behej fjale (ata nuk ishin nga fshati i tyre).

Dhe “Koliqet” nuk egzistonin me…

PETRO MARKO (1913-1991)

“KUR KOLIQI MË SHPËTONTE JETËN NGA GESTAPO?”

(Fragment)

…Gjenerali u ngrit dhe bëri një shenjë gjithë nervozizëm. Dikush më mbërtheu nga qafa.

Fola: “Es que vous parles français”?

Ai më pa dhe m’u përgjigj: “Ju polakët jeni të ndyrë”!

I thashë frëngjisht se nuk isha polak, por shqiptar! Atëherë vetëtimthi më doli para syve figura e priftit që m’u ngjit e më pyeti se ku ishin shokët e tjerë. Prandaj u gëzova shumë dhe mora guximin dhe i thashë gjeneralit: “Luftë është, tani vdes unë, nesër ju. Sa për gjermanë unë njoh, madje dhe me emra”.

Ai u ngrit më këmbë, i gëzuar më buzëqeshi dhe më tha: “Cilët janë”?

Unë iu përgjigja: “Njoh Gëtën dhe Shilerin”!

Atij i ndryshoi menjëherë shprehja e fytyrës. Më tha: “Po ti ç’je”?

“Jam një poet shqiptar. Po që të bindeni se unë jam shqiptar dhe informatori juaj ju ka mashtruar, ju lutemi i telefononi ministrit tonë Ernest Koliqi, që më njeh, që e di se kush jam e pastaj më vrisni”.

Gjenerali depërtonte në mendimet e mia duke më vështruar drejt e në sy. Unë rrija i qetë dhe i lumtur se nuk i paskëshin zënë të tjerët. Ishte prifti që më kishte spiunuar si polak…

Togeri që përkthente quhej tenente Kok.

Gjenerali i foli gjermanisht togerit Kok dhe ky mori në dorë receptorin e telefonit. Unë e dija përmendësh numrin e telefonit të Koliqit, se më parë kisha shkuar disa herë në zyrat e tij dhe sekretari, njëfarë Shestani, më kishte dhënë shumë pasaporta për malazeztë e për grekët, shokët tanë, ish-të dënuar. (Koliqi më kishte pritur përzemërsisht dhe më kishte uruar që të shpëtoja e të shkruaja vjersha, pasi ai e dinte, që kur e kisha profesor në Ujë të Ftohtë, se bëja vargje). Ia dhashë numrin togerit, i cili e mori menjëherë. Unë u shqetësova, se Koliqi, duke dëgjuar zërin e Gestapos, ndoshta do t’u thoshte se cili isha unë: luftëtar në Spanjë e të tjera.

Togeri Kok, që ishte tmerri i Romës (këtë e mora vesh më vonë), pas pak nisi bisedën:

– Na falni për shqetësimin, kemi këtu një… që pretendon se ju njeh.

– …(Fliste Koliqi.)

– Quhet Petro Marko…

– …(Fliste Koliqi.)

M’u drejtua mua:

– Ku e keni njohur dhe çfarë ka botuar Koliqi?- Unë i flisja dhe ai përsëriste në telefon: Në Vlorë, e kishit nxënës, keni botuar “Hija e Maleve”, “Gjurmët e stinëve”… Ju ka kushtuar dhe një vjershë në “Leka”…

– …(Fliste Koliqi.)

– Ju faleminderit shumë dhe na falni për shqetësimin në këtë orë! –tha togeri Kok… Pastaj foli me gjeneralin, gjermanisht.

Ai bëri tri shenja. Më vështroi në sy dhe tha shkurt:

– Falëndero Gëten dhe Shilerin.

Më morën dhe që andej më shpunë në burgun “Rexhina Çeli”, në një birucë me tetë të tjerë. Aty ishte dhe një jugosllav e një grek.

Pas ca ditësh erdhi në burg për takim sekretari i Koliqit. Më tha të rrija i qetë se do të kujdesej Koliqi. E vërteta është që Koliqi më shpëtoi jetën, se atje ku më shpunë mua: Pensione Xhakarini, rruga “Sicilia”, 10, ishte qendër e Gestapos dhe që aty asnjë nuk kishte dalë i gjallë. Edhe nëse kishte dalë i gjallë ndonjë, kishte dalë invalid përjetë. Këto i mësova në birucë, nga shokët me të cilët flisja, që u thashë se ç’më kishte ndodhur.

Aty mësova se Pensione Xhakarini ditën përdorej si klub i klasit të parë, ku shkonin familje aristokrate dhe pinin ose kërcenin, kurse pas orës 22 kthehej në zyra të Gestapos si në Via Taso. Aty mësova se togeri Kok ishte tmerri i antifashistëve dhe patriotëve, agjent besnik i Hitlerit, kriminel i regjur. Pra, Koliqi më shpëtoi jetën dhe u interesua për mua duke më dërguar sekretarin e tij.

Pas pak ditësh erdhi për t’u takuar me mua peshkopi i Leros (unit). Më takoi dhe me një zë prej kallogjeri më thoshte: “Të na falësh, o bir, se ai nuk ishte prift, po djalli vetë, ai ishte djalli vetë”. Më tha se e kishte dërguar vetë peshkopi i Via Po-së të më pyeste se ç’dëshiroja, ç’ndihma donim dhe ta dinim se ai i mallkuar nuk ishte prift, po djall i veshur tani vonë prift nga gjermanët. Siç mora vesh më vonë, atë dhe togerin Kok i vranë partizanët italianë”’

May be an image of 2 people and people standing

53

People reached

1

Engagement

-4.0x lower

Distribution score

Boost post

Like

Comment

Share

Filed Under: Komente

TONI NGA HONDURASI: “AKULLORJA JU PRISH BOTOKSIN ZONJUSHAVE”

September 20, 2022 by s p

Orest Çipa/

“Akullore, hjade akullore, akullore, hajde akullore ”, “kujdes me qenin se po e shtrëngon” , “dua edhe unë të loz me fëmijët tek shkolla siç bën Spencer”, “Covid është i rrezikshëm, por nuk kam më frikë’, “na duhet një taksi se jemi von”, “je shumë i vështirë, më li rehat dhe shiko punën tende”, “sa është ora”, “hej, më prit se erdha”, -për një çast, ky ishte peisazhi i fjalëve kuturu, javës që shkoi në rrugën e 72-të të Manhattanit lindor.

Fjalë të cilat hynin e dilnin nga veshët e mi, pa pyetur, pa xhentilesë, pa respekt, në formë spiralesh që të lodhin durimin.

Kjo “tablo” e përditshme, është një ndër ato horizonte ku beteja e njeriut kozmoplitan me zhurmën dhe gjullurdinë çakërditëse nuk u fituan kurr. Por, mesa duket, ndoshta vetvetiu është bërë një pakt i heshtur midis qytetit, katrahurës dhe frymëmarrësit. Këtu, këto tre “personazhe” duket sikur kanë lindur, jetojnë dhe do të vdesin së bashku.

Mirëpo, ky trafik fjalësh të pa kontrolluara, të ardhura majtas e djathtas,nga të gjitha drejtimet e mundshme në një moment u gllabërua nga zhurma e goditjes së tenxheres me garuzhde e cila shoqërohej ritmikisht me togfjalëshin: “akullore, hajde akullore, dum-baba-bum, dum-baba-bum , akullore , hajde akullore“.

Më bëri përshtypje dhe u ndala!

Mu kujtuan raportimet dhe kronikat e herëpashershme të lajmeve në Shqipëri. Para syve mu shfaqën ato rastet “mjerane”, kur Palicia Bashkiake konfiskon produket e fshatarëve të ardhur nga periferia për të fituar kafshatën e bukës.

Këta “luftëtar” të cilët përballen me presën e pamëshirë dhe të frikshme të thikës së fukarallëkut, nuk ju mjafton rezistenca e mos ikjes nga atdheu dhe sakrifica për të qenë të lumtur në vendin e tyre, por duhet të shpërfytyrohen nëpër trotuaret e qytetit për arsye “estetike” apo “ligjore”.

Duhet të jenë shumë të fuqishëm !

Eshtë e vështirë të lëshë mënjanë krenarinë që na karakterizon si shqiptar dhe të dalësh rrugëve me përulësi për të siguruar jetesën duke shitur domate apo kunguj, ndërkohe që produket e “baçes tjetër” kontribuojnë për “estetikën” dhe “ligjin”e qyteteve tona.

Nejse, u kthjellova!

Si unë, ishin dhe 3-4 të tjerë që prisnin në rradhë.

Të gjithëve me siguri na tërhoqi vëmendje goditja e tenxheres nga garuzhdja. Siç duket, ky marifet i ardhur nga një “botë cinganësh”, ishte grepi i peshkimit të myshterisë, ose çelësi i të bërit tregti në metropol.

-Hajde, shpejt e shpejt ju lutem se këto janë dy javët e fundit që shes akullore për këtë vit e pastaj do prisni deri vitin tjetër.

-Toni, më bëj dy akullore të vogla me arrë kokosi, në kaush të lutem i tha dikush që mesa duket e njihte! Mua ma bëj me mango, ndësa mua të lutem, një siç e porositi zotëria i parë i tha shitësit me shumë delikatesë një zonjë e veshur bukur.

Unë, vendosa të pres. (Siç e thashë edhe më sipër, më bëri përshtypje kjoska lëvizëse që shëtiste nëpër qytet duke shitur akullore)

Pasi mbaroi punë me klientat e tjerë ishte rradha ime.

-Zotëri, çfarë do të marrësh?- më tha.

Një akullore të vogël me arrë kokosi, ju përgjigja unë, por dua të të pyes pak për profesionin tënd nëse ke kohë dhe dëshirë i thashë.

Pasi ma aprovoi me kokë e pyeta se si e kishte gjetur këtë punë dhe ai mu përgjigj rrufeshëm!

-“Money my friend “ Leku ,miku im” shkoj pas lekut.

-Pse je i interesuar ?- ma ktheu

Më bëri përshtypje se si të lënë të shesësh akullore me kioskë në mes të Manhattanit i thashë. A ke liçencë për biznesin?

Unë jam Toni që shes akullore për gati 20-vjet. Nga rruga 60-të deri në rrugën 90-të, se pak më lartë të vjedhin me thika negrot e Harlem-it. Jam i liçesuar, kam gati 3000 kilenta të përhershëm. Tre dollarë bën akulloraja jote dhe më zgjati dorën.

Avash pak, avash, nuk jam polic, pse me flet me inat! Urdhëro lekët.

-Je veshur si polic -më tha

Punoj në recepsion te kjo godina përballë i thashë, po shkoj në punë për 10-të minuta, mos ki frikë.

Jam kurjoz ta di se si e ke fituar të drejtën për të bërë tregti me karocë në Manhattan?

-Eshtë shumë e thjeshtë, aplikon me planin e biznesit, inspektorët bëjnë një kontroll të dokumentacionit dhe produkteve dhe çdo vit paguan taksat. Lejen ma kanë dhënë pë 10-të blloqe pallatesh, por unë shes edhe në blloqet e tjera, nuk me thonë gjë.

U miqësuam shpejt dhe Toni nisi të më tregojë më shumë për shitjen e akulloreve dhe për qytetin gjatë Covid-it. Në një moment, ai me tha se 2-vite më parë, kishte rezikuar të mbetej pa punë pasi njerëzit ishin skeptik dhe kishin frikë.

“Ata kujtonin se po të haje akullore të ftohej gryka e të zinte covid-i. Nuk u besonin tasave, kaushëve, lugëve, mënyrës se si ne i bënim akulloret, ishte komplet çmenduri” – tha Toni dhe u ngop me frymë.

Po tani si duket? A ja vlen të shesësh? Kush ha më shumë akullore ?

-Tani është më mirë, punoj 4-muaj sa për gjithë vitin. Ja vlen! Ata që hanë më shumë akullore janë femijët, ndërsa ato që nuk hanë, ose nuk i afrohen fare, janë zonjushat e reja.

Pse?-e pyeta unë.

-Papi (miku im) kanë frikë se ju prishet botoksi i buzëve tha duke qeshur dhe u bë gati për të ikur.

Para se të lëvizte nga vendi e pyeta nëse mund ti bëja një foto te karoca me tenxhere dhe garuzhde, por ai nuk pranoi, donte vetëm një foto të thjeshtë.

Pasi e shkrepa foton, Toni nga Hondurasi, iku siç kishte ardhur, në “tymnajën” e zhurmës të goditjes së tenxheres me garuzhde e cila shoqërohej ritmikisht me togfjalëshin: “akullore, hajde akullore, dum-baba-bum , dum-baba-bum , akullore , hajde akullore“.

Filed Under: Fejton Tagged With: Orest Cipa

PËRRALLA MBI “BALLKANIN E HAPUR” DHE “GJETHJA E FIKUT” E KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË!

September 20, 2022 by s p

Amerika si aleati strategjik i kombit shqiptar, për Shqipërinë dhe Kosovën sot paraqet një platformë politike apo gjeostrategjike, e cila nuk përputhet me politikat e BE së.

Brenda interesave gjeostrategjike, është kuptuar se në patronazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës është Republika e Maqedonisë së Veriut, e deri diku edhe Mali i Zi. Ky i fundit politikisht duke mbështetur dorën tek dy shtetet shqiptare, synon të shpëtojë ekzistencën e vet nga rreziku i Serbisë.

Skema të tilla politike përputhen më opsionin amerikan, që në një moment të caktuar, në kushte dhe rrethana të favorshme interesash, ta bashkojë Kosovën me Shqipërinë dhe të arrijë siguri dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Ta shikojmë problemin më në detaje, për të kuptuar mirë se “profecia e Konicës edhe këtë herë do të vërtetohet, duke e marrë ruajten dhe zgjidhjen e problemit shqiptar nga Zoti.

Meqënëse sot Shqipëria nuk është në gjendje të përballojë një situatë krize me Serbinë, e cila mbështetet në qëndrimin e saj nga Greqia dhe Hungaria, atëherë sipas Kryeministrit shqiptar, “Shqipërisë i duhet një periudhë tranzicioni për ndryshim”!! Kryeministri i Shqipërisë duke e ditur gjendjen e rëndë ushtarake që kanë shtete shqiptare, vazhdon ta marrë me të mirë Serbinë, “me idenë deri sa të realizohet armatosja e shteteve shqiptare”!! Ky në fakt është justifikimi i tij dhe mund të quhet pa frikë përralla mbi “Ballkanin e Hapur”.

Është shumë absurde që Shqipëria t’i kreh bishtin Serbisë, por duke qenë në situatë të vështirë të sigurisë dhe ekonomisë, detyrohet në qëndrimin e saj politiko-diplomatik të mbulohet me “gjethen e fikut”, ose “të fitojë kohë” me intrigën politike të “Ballkanit të Hapur”.

Kjo është në thelb politika e paaftë e Tiranës. Nëse Shqipëria fillon të armatoset jo sipas premtimeve amerikane apo turke, por me paratë e popullit shqiptar, që ta detyrojnë më tej SHBA në t’i shesë armë strategjike me karater kompleks, atëherë mund të thuhet se ka përgjegjshmëri politike në vlerësimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.

Cfarë u duhet Shqipërisë dhe më tej edhe Kosovës në këtë situatë?

Meqënëse Serbia është e armatosur me armë ofensive dhe raketore me rreze të mesme veprimi, edhe Shqipëria duhet të synojë armatime të tilla. Përpos synimeve të tjera, paralel me dispozitivin ushtarak në Kosovë, Kukësi duhet të kthehet në një qytet lufte, sic ka qenë i projektuar dhe më parë. Fatmirësisht është i paisur me të gjithë objektet e mundshme ushtarake të fortifikuara.

Në teorinë e “Ballkanit të Hapur” është tejkaluar sensi i masës, sepse raportet mes shteteve në Diplomaci shfaqen dhe zhvillohen me gramaturë. Kundër këtij koncepti politik, duke mos qenë i qartë në atë se cfarë kërkon, Kryeministri Shqiptar futet në labirinthet politiko-ideologjike në marrëdhënie me Serbinë, kur në fakt duhet të jenë vetëm raporte ekonomike tregëtie, sic kanë qenë dhe më parë.

Synimi për ta kaluar “Ballkanin e Hapur” në institucion të integrimit politiko-ekonomik, e shfaq atë një “esadist” në rrugën e tradhëtisë ndaj interesave kombëtare.

Cilat mund të jenë synimet e tij?

Disa gjëra i bën të detyruara, disa sepse ka bindje të tilla politike të mbrapshta dhe disa qëndrime të tjera i mban sipas rrethanave gjeopolitike që janë krijuar që nga koha e fillimit të luftës në Ukrainë. Atëherë: më sa po kuptohet, ai synon të bëjë lider në këtë nismë Serbinë, por nga ana tjetër Vuçiç e nxori hapur që, “Rama është lideri i kësaj nisme”, duke u mbështetur në idenë e Fatos Nanos të hedhur pas takimit më Milosheviçin në Kretë në vitin 1997 të. Këtë deklaratë ai e bëri kur u akuzua nga opinioni i gjerë si “bisht i Vuçiçit ”. Pra ai vazhdon ta evuluojë mendimin më gjëra të reja, duke dalë zbuluar dhe pranuar “de facto” që ka bërë hapa të gabuar në këtë mes.

Nëse Kryeministri i Shqipërisë do ta sqaronte idenë e “Ballkanit të Hapur” si bashkim tregëtar dhe ekonomik, jashtë marrëdhënieve politike dhe ushtarake të strukturave të BE dhe NATO, këtu nuk do të shikohej ndonjë gjë e keqe.

Në fakt që në kohën që u shpik termi “Ballkan Perëndimor”, djallëzia filloi me qëndrimin e BE së, e cila në Traktatin e Romës të vitit 1957 e nisi bashkësinë evropiane si një “Treg të Përbashkët” të 6 vendeve. Duke rritur oreksin dekadë pas dekade, ky projekt përfundoi në një institucion politik të quajtur “Bashkim Evropian” (BE), të cilit sot nuk po i dihet fundi. Kjo skemë fillestare po u imponohet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Arsyetimi sot shkon edhe më tej! Atëherë cili është qëndrimi i “Ballkanit të Hapur” ndaj të Tretëve, vecanërisht nga Tirana dhe Beogradi? (BE, Rusi, Amerikë).

Qëndrimi ndaj të Tretëve nga Tirana dhe Beogradi nuk janë të njejta. Si e shpjegon këtë Kryeministri i Shqipërisë? Këtu del një pikëpyetje e madhe, e cila në mungesë të trasparencës, jep të kuptohet që atë e shtyn dëshira që përmes Beogradit “t’ia bëjë me sy Rusisë”!! Kjo lloj përkulje ndaj Rusisë ka kapur shtete të tjera si Hungaria, Sllovakia, Rumania, Bosnje Hercegovina etj.

Problemi mbi “Ballkanin e Hapur” shtrohet hapur: Çfarë kërkojnë të realizojnë këta liderë “vllazërorë” në Ballkanin Perëndimor, një “Jugosllavi të Tretë”?! Kjo nismë hap shumë probleme për Serbinë, Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin. Ende nuk po e kuptojnë politikisht që, nëse ndodh ky proces, Serbia mbetet shumë e vogël përballë popullisë shqiptare, e cila përmbys raportet elektorale brenda “Ballkanit të Hapur”. Vallë nuk e di këtë udhëheqja serbe?! Sigurisht që e di. Atëherë psërse i duhet “Ballkani i Hapur”?! Nëse Kosova si shtet më vete do të futet në këtë nismë, nuk ka se si të jetë dakort Serbia, e cila e ka akoma në kushtetutë atë si pjesë të saj. Kur Serbia i di këto dhe nuk ka leverdi për këtë nismë, atëherë cfarë është kjo dhe përse i duhet?!

“Ballkani i Hapur” është një kartë në duart e Vuçiçit për kredo në BE, me idenë që Kosova mund të bëhet edhe antare e OKB, “por ne nuk do ta njohim”!!

Megjithatë në opinion është kuptuar se, brenda interesave gjeostrategjike amerikane, një opinion i tillë ende nuk e ka kohën e vet. Një arsye më shumë për të kuptuar pse janë frenuar njohjet e mëtejshme të Kosovës nga shtetet e botës. Nëse Kosova si shtet i pavarur do të pranohet në OKB, atëherë ajo mund të dalë nga kontrolli për shkak të marrëdhënieve shekullore me Serbinë, duke shfrytëzuar maksimalisht influencën ekonomike me këtë shtet dhe duke rrezikuar të bjerë nën influencën ruse.

Elita politike në Kosovë në tërësi ende shfaqet me tendenca prosllave. Akoma në politikën e Kosovës nuk ka dalë një gjeneratë e re, e cila të jetë me ndikim të plotë properëndimor. Shembulli i kësaj janë liderët e rinj që sot drejtojnë Kosovën( Osmani -Kurti), të ndodhur aktualisht nën presion të fortë politik të brendshëm për t’u larguar nga drejtimi i shtetit. Kjo nuk është gjë tjetër vecse, presioni i luftës hibride ruse ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera ballkanike.

Të mos merremi më me ketë kufomë politike të quajtur “Ballkan të Hapur”, por të forcojmë unitetin politik përballë rrezikut të luftës hibride që po i zhvillohet kombit shqiptar në të gjithë dimensionin e tij.

Korab Blakaj, 19.09.2022

Filed Under: Ekonomi Tagged With: korab blakaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2051
  • 2052
  • 2053
  • 2054
  • 2055
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT