• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova dhe Serbia fillojnë zbatimin e marrëveshjes për dokumentet e identifikimit

September 1, 2022 by s p

ZERI I AMERIKES


Nga orët e para të së enjtes, në vendkalimin kufitar në Merdarë që lidh Kosovën me Serbinë, qytetarët nga të dyja anët po e kalojnë kufirin vetëm me karta të identitetit. Autoritetet serbe kanë ndaluar lëshimin e dokumentit për hyrje dalje për shtetasit e Kosovës, pas rreth 11 vjetësh, ndërsa Kosova hoqi dorë nga synimi për të vendosur masat reciproke për këtë çështje.

“Kaluam shkëlqyeshëm, shumë më mirë nga sa e mendoja, janë shumë të kulturuar dhe të këndshëm, është mirë”, tha Branislav Berçan, një shtetas i Serbisë që kaloi kufirin në Merdarë të enjten.

“Këtu mua më ka ndodhur ta them të vërtetën që 13 orë kam pritur para tri vitesh për të hyrë nga Serbia në Kosovë, tash sa vite e pamundur ka qenë të mos presim tri apo katër orë për të hyrë në Kosovë, por edhe dalja nga Kosova ka qenë e njëjtë. Kjo do të thotë është një lehtësim shumë, shumë i mirë për neve dhe shpresoj që do të funksionojë”, thotë Ragip Imeri, një qytetar i cili ka vite që kalon nëpër këtë vendkalim kufitar.

Autoritetet serbe kanë vendosur njoftime në vendkalimet kufitare në të cilat thuhet se mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, bazuar në Marrëveshjen për lëvizje të lirë, por kjo nuk e paragjykon statusin politik të Kosovës.

Dakordimi i së shtunës në Bruksel, pasoi një periudhë përpjekjesh diplomatike amerikane dhe evropiane për të shmangur tensionet në terren që shpërthyen më 31 korrik pas reagimeve serbe ndaj vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohet nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi tash e rreth 11 vjet me radhë.

LEXONI EDHE KËTË

Borrell: Kosova dhe Serbia bien dakord për dokumentet e identifikimit

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, mirëpriti sic shkroi në Tëitter, “fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbi dokumentet për hyrje – dalje. Liria e lëvizjes është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen e ndërsjellë në qendër. Presim të shohim përparim në çështjet tjera në muajt në vazhdim”.

Nga sot rrjedh afati dy muajsh për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbw që përdorin targa të lëshuara nga Serbia me akronimet e qyteteve të Kosovës të kohës së Jugosllavisë. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje të enjten qytetarëve serbë në Kosovë që të shfrytëzojnë këtë periudhë për konvertimin e targave.

“Targat e lëshuara nga Serbia PR, KM, PZ, GL, UR dhe PE janë trashëgimi e (Slobodan) Millosheviçit. Kjo trashëgimi është barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon t’ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar. Konvertimi në targa RKS eliminon këtë barrë dhe ju siguron lëvizje të lirë, të pa penguar dhe pa paragjykime në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Kurti një video-mesazh në gjuhën serbe.

Vendimi kundërshtohet nga Beogradi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Serbia arriti më të mirën e mundshme nga marrëveshja me Prishtinën për dokumentet e identifikimit, ndërsa duke komentuar paralajmërimet e kryeministrit Kurti lidhur me targat e makinave tha se “ai dëshiron konflikte dhe probleme të vazhdueshme”.

“Nuk shoh ndonjë zgjidhje në këtë moment dhe me një shtator ata (autoritetet e Kosovws) do të vazhdojnë fushatën e tyre dhe do të provojnë t’i detyrojnë serbët që jetojnë në Kosovë t’i ndryshojnë targat e makinave. Nuk mendoj se do të kenë sukses në këtë gjë. Kurti ka thënë gjatë bisedimeve në Bruksel se beson që do të arrijë sukses të madh dhe se është i sigurt që serbët do të pranojnë idenë e tij për të zëvendësuar targat ‘KM’, do të shohim”, ka thënë presidenti Vuçiç.

Në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, përgjatë ditës janë parë disa afishe në kundërshtim të zbatimit të marrëveshjes për dokumentet e identifikimit dhe paralajmërimit për konvertimin e targave.

Bashkimi Evropian tha të enjten se Prishtina duhet t’i japë kohë të mjaftueshme zbatimit të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato të Kosovës. “Është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të jetë i përgatitur dhe të zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët që preken nga vendimi, në linjë me praktikat e mira evropiane”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian, siç transmeton agjencia e lajmeve Reuters.

BE-ja shpreson që palët do të arrijnë një pajtim rreth targave të makinave sipas marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet në Bruksel, të cilat synojnë të sigurojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është kusht për integrimet evropiane.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës se vendeve perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia e cila llogaritë në përkrahjen e Moskës dhe Pekinit.

Serbia është vendi i vetëm evropian që nuk i ka vene sanksione Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë.

Filed Under: Rajon

Komisia Letrare e Shkodrës

September 1, 2022 by s p

Bledi Filipi/

E ngritur me mbështetjen e Konsullatës dhe Komandës së Lartë Austro-Hungareze në Shkodrën e 1916-s, Komisia kishte si qëllim të zhvillonte më tej zgjidhjen e problemeve të arsimit dhe të gjuhës letrare shqipe pas Kongresit të Manastirit.( B.Beci ,Hist. Stand. 2010).

Komisia Letrare e Shkodrës u themelua 106 vjet më parë, pikërisht më 1 shtator 1916, kjo qe një ngjarje e shënuar në jetën kulturore të kombit shqiptar. Ajo i vuri vetes detyra të mëdha, të shumta e të rëndësishme. Ajo shfaqet mbi përmasat e një komisioni dhe mund të krahasohet me kongreset arsimore të mbajtura në Shqipëri. Kjo Komisi qe një hap tjetër i rëndësishëm kombëtar pas atij të Kongresit të Manastirit 1908. Këtu po hidheshin themelet e standartizimit të shqipes.

Këtu bien në sy:

Patriotë dhe personalitete të shquara të kulturës kombëtare, siç janë : Fishta, Gurakuqi, Pekmezi, Mosi, Logoreci, Mjeda, Xhuvani etj. Në komisi morrën pjesë edhe albanologë të huaj si : Maksimilian Lamberc ( Vjenë) e Rajko Nahtigal (Grac).

Organizimi i shkëlqyer i Komisisë dhe veprimtarive të saj.

Konceptet e qarta teorike lidhur me rrugët e mundshme të formimit të gjuhës zyrtare të përbashkët shqipe, pa e shkëputur këtë çështje madhore të kombit me rregullat ortografike dhe duke pasur parasysh , mbi të gjitha, detyrën e afrimit të dy dialekteve.

Komisia e themeluar u thirr më pas më 11 dhjetor 1916 , në të cilën u diskutua çështja e gjuhës së përbashkët, si një çështje e rëndësishme kombëtare. Pas debateve shkencore u vendos dhe u miratua njëzëri teza e Gurakuqit për zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si gjuhë shkrimi.

“ Tue qenë se djalekti i Elbasanit edhe ndë pikpamjen e formavet, por sidomos ndën pikëpamjen e sintaksës asht si jë urë në mes toskërishtes dhe gegërishtes, duhet të zgjidhet si gjuhë shkrimi me ato rregulla orthografike qi të na duken të drejta e t’arsyshmet. Po tue dhanë këtë vendim Komisia Letrare duhet të mbaj gjithmonë para sysh detyrën, qi të bahen kërkimet e nevojshme , qi të gjinden forma të mesme , të cilat t’afrojnë ndryshimet djalektologjike të dy dialekteve” ( L.Gurakuqi , Shënime 1967).

Këtë tezë të tij Gurakuqi e formulon dhe do t’ia paraqesë Komisisë.

Kjo Komisi e cila do të shtrihej në vitet 1916-1918, do t’i ngarkonte më 1917 prof. Rajko Nahtigal, Gjergj Pekmezit dhe Ndre Mjedës të bënin një ekspeditë hulumtuese në Elbasan e rrethina.

Nahtigal për të folmen e Elbasanit thekson: “ do konsideruar si një e folme kalimtare midis gegërishtes dhe toskërishtes. Si e folme në aspektin sintaksor paraqet , sintezë të shfaqjeve autoktone shqipe, më së paku me ndikime të huaja”. ( R. Nahtigal f. 17).

Komisia Letrare e Shkodrës mori disa vendime themeltare për njësimin e drejtshkrimit :

a) Grupet e bashkëtingëlloreve do të shkruheshin të plota: mb, nd e ng. Pra, ashtu si i kishte toskërishtja, dhe si i kishte pasë historikisht gegërishtja;

b) Togjet e zanoreve ue, ye dhe ie do të shkruheshin të plota (përveç ue që në toskërishte ishte ua), e ndonjë nëndialekt i gegërishtes megjithëse në elbasanishte ishin rrudhë në u, y dhe i;

c) Vendosja dhe përdorimi i ë-ve të patheksuara të cilat gegërishtja nuk i kishte, por i kishte toskërishtja; ë-ja fundore në fjalët punë, vajzë, lugë; ë-ja e patheksuar në trup të fjalës: shëndet, këndue, rrëfye; ë-ja fundore do të përdorej edhe te mbiemrat: i butë, i mirë, i shpejtë etj.

ç) Gjatësia e zanoreve do të shënohej vetëm në vepra gjuhësore. (Gjatësia e zanoreve ishte një veçori kryesisht e gegërishtes);

d) formanti ‘u’ do të shkruhej i ndarë si ‘u lava’.

dh) shkrimi i përemrave sot ka shumë pak ndryshime prej atyre që janë vendosë nga KLSh-ja;

e) emrat do të shkruheshin me bashkëtingëllore të zëshme: zog–zogu (jo zok – zogu), etj.

f) mbaresat rasore do të shkruheshin –së, –në, –të, qysh nuk i kishte elbasanishtja.

Siç shihet vendimet e Komisisë Letrare të Shkodrës i dhanë një shtysë të madhe krijimit të një gjuhe të përbashkët. Ajo hartoi rregullat e ortografisë , që do të shërbenin për rregullat e mëvonëshme, përpiloi lista të gjera fjalësh , ku zbatoheshin rregulla , u kushtoi vëmendje edhe parimeve të terminologjisë dhe teksteve shkollore.

Komisia Letrare e Shkodrës me vendimet e saj çoi më tej njësimin e gjuhës shqipe e drejtshkrimin e saj. Ajo ofroj shumë dy variantet në shkrim dhe për nga rëndësia ajo radhitet pranë Kongresit të Manastirit.

Rregullat e saj qenë një pikë e fortë orientuese për studimet e gjuhëtarëve të mëvonshëm.

Filed Under: Fejton

90 vjet me pare…1 shtator 1932

September 1, 2022 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Inagurohej spitali i Tiranës, “Zogu i I”, sot “Nënë Tereza”…

Fjalen e rastit e mbajti Dr. Ismail Tartari.

Drejtori i pare i ketij spitali ( asokohe me 200 shtreter) ishte Dr. Osman Jonuzi.

Historia e Spitalit të Tiranës.

Pas caktimit Kryeqytet nga Kongresi i Lushnjës më 1920-tën, qyteti i Tiranës u përball me një nga detyrat e para të caktuara prej Kongresit, krijimin e një Spitali Publik.

Me ardhjen e Kryqit të Kuq Amerikan në vitin 1919 në Shqipëri dhe Tiranë, erdhi dhe hapja e një spitali me 20 shtretër në një shtëpi tiranase (prone e familjes Bimbashi).

Në atë qendër janë kryer operacione kirurgjikale nga amerikania Buck që ishte dhe drejtoreshë e spitalit, por aty punonte kryesisht si kirurg doktori Osman Jonuzi.

Duke qenë se kushtet u përgatitën për formimin e një spitali publik në 1920 u themelua spitali i parë publik në kryeqytetin e ri, drejtor i të cilit u caktua Dr. Osman Jonuzi. Spital prej 50 shtretërish pranë Sahatit të Tiranës organizohej në disa reparte: kirurgjia, Dr. Osman Jonuzi, Patologjia, Dr. Syrja Pojani dhe Dr. Ruzhdi Bobrati (kirurg dhe patolog). Në këtë spital kryheshin rreth 300-400 vizita të ndryshme ambulatore dhe 100-200 operacione të ndryshme nga Dr. Jonuzi dhe Dr. Bobrati.

Më tej qendra u pasurua me shërbimin e mjekëve të specializuar rishtazi jashtë vendit si Dr. Sabri Tefiku , Dr. Janko Theodhosi (patholog), Dr. Ismail Tartari si Radiolog (themelues i radiologjisë shqipëtare), gjithashtu edhe mjekët e specialiteteve të ndryshme si: Dr. Kristo Kristidhi (okulist), Dr. Besim Zyma (otorino-laringolog), Dr. Jorgo Jorgoni (pediatër),Dr. Vasil Laboviti (kirurg ndihmës), etj.

Duhet theksuar qe ne kete kohe, nepermjet kontributit te jashtezakonshem te Dr. Jani Bashos, u projektua spitali civil dhe ai ushtarak (Nr. 1 e 2) nga profesori i arkitekturës së Universitetit të Vjenës Köhler.

Projektet i ka sjellë në Shqipëri Dr. Jani Basho (sipas marrëveshjes së bërë në janar 1925 me Presidentin Ahmet Zogu). Pikërisht ndërtimi i spitaleve ishte kushti që ai u kthye në Tiranë e ndërtoi më pas spitalin e parë privat në Shqipëri, ku punësoi edhe një pjesë të mjekëve me te njohur qe ishin asokohe ne Shqiperi. Por per disa aresye dhe problematika te kohes ndertimi i spitalit civil nuk u realizua.

Me pas me këmbënguljen autoriteteve te nivelit lokal dhe qendror te asaj kohe, në 1928 nisi projekti i ndërtimit të Spitalit Zogu 1, që sot njihet si Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Për realizimin e projektit ndihmuan gjithashtu Giulio Perte dhe pasi Qeveria e kohës (Zogut) bëri pagesën e të gjithë pronareve në vlerën 10.000$, firma Ragazzi nisi të ndërtojë. Punimet përfunduan në vitin 1932 dhe spitali i ri vlerësohej ndër spitalet më të mirë në Ballkan, me një sërë repartesh dhe kapacitet prej 200 shtretër. Përurimi i këtij spitali u bë më 1 shtator 1932 ku fjalën e rastit e mbajti Dr. Ismail Tartari, i cili u caktua njëkohësisht dhe Drejtor i Institutit të Radiologjisë Shqiptare. Drejtor i këtij spitali vazhdoi të ishte Dr. Osman Jonuzi i cili njëkohësisht u caktua dhe drejtor i përgjithshëm i shëndetësisë shqiptare.

Në vitet 1932-1945 në Spitalin e Tiranës kishte reparte të shumta të disiplinave mjekësore, duke shtuar këtu edhe pavijonin antituberkular dhe repartin e lindjeve të ngritur prej Dr. Sabri Tefiku-t në 1937-tën me përgjegjës Kirurgun-Obstetër Spiro Treska.

Më pas ekipi i mjekëve u rrit me ardhjen e mjekëve Dr. Frederik Shiroka, Dr. Mukini, Stefan Pano-dermatolog, Xhanfize Basha, Remzi Fico etj. Gjithashtu në spital kanë punuar përkohësisht edhe mjekë të huaj të ardhur nga Europa si Dr. Questler, Dr. Demner, Dr. Schlesinger, Dr. Lehman, Dr. Kalmar etj.

Deri në 1945 ky spital kishte një organizim të përafërt me atë të këtyre ditëve, si një njësi që funksionon me reparte të veçanta. Pas vitit 1945 spitali u organizua dhe u nda në 5 spitale, përkatësisht me nr 1, 2, 3, 4 dhe 5 të cilat vazhdojnë të funksionojnë edhe sot, por të grupuara në një kampus me administrim të përgjithshëm të përbashkët.

Siç njihet dhe funksionon sot, QSUT u krijua në vitin 1993 dhe me VKM Nr. 352, datë 09/09/1997, pika 5 është emëruar “Nënë Tereza”.

Filed Under: Fejton

KTHIM NË HISTORI, SI U SHPALL MBRETËRIA SHQIPËTARE DHE AHMET ZOGU U ZGJODH MBRET I SHQIPTARËVE

September 1, 2022 by s p

Shpëtim Axhami/

Nga kronika e kohës, orë pas ore e ditë pas dite, me vendime historike për një sistem legjitim mbretërorë.

Për Shqipërinë ishin kohë të trazuara dhe vendi kishte nevojë për burra shteti.

Ahmet Zogu kishte katër vjet që ishte bërë i gjithëpushtetshëm si rezultat i aftësive të tij, por edhe i gabimeve të rënda që bën kundërshtarët.

Po të donte ai ishte bërë mbret që në vitin 1924, madje i sigurt ishte në janarin e vitit 1925, por nuk u ngut. Largimi i Princ Vidit që kishte lënë shtegun hapur, pasi nuk kishte abdikuar, forma e regjimit ndryshonte natyrshëm.

Kjo ishte një arsye më shumë për të shpallur së pari Republikën, (21 janar 1925).

Republika do ta kishte jetën të shkurtër, sepse ishte koha e mbretërive.

Kujtojmë se, i gjithë Ballkani, Italia dhe shumë shtete në Europë ishin Monarki. Gjithashtu, mendësia e shqiptarëve në këtë kohë anonte nga forma monarkike e regjimit.

Shpallja e Mbretërisë do të ishte dhe qe një hap tjetër i rëndësishëm, në stabilitetin e shtetit shqiptar.

Në vitin 1928, Ahmet Zogu e kuptoi se koha e përshtatshme për të shpallur Mbretërinë kishte ardhur, por për këtë u ndërmorën të gjitha hapat e nevojshme kushtetuese.

Më 1 qershor 1928, kryetari i Republikës iu drejtua me një mesazh të dy dhomave legjislative.

Më 7 qershor 1928, ndryshimi i Kushtetutës (Statutit)

Dhoma e Deputetëve dhe Dhoma e Senatit, në një mbledhje të përbashkët vendosën një shtojcë në nenin 141 të Statutit, si vijon: “Rishikimi i përgjithshëm i Statutit i përket Asamblesë Kostituente. Kur vendoset nevoja e rishikimit të përgjithshëm të Statutit sipas procedurës të caktuar në këtë artikull, të dy Dhomat quhen vetvetiu të shpërndara dhe dekretohen zgjedhje për Asamble Kostituente sipas Art.47 të Statutit.”

Më 16 qershor 1928, dekretohen zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese

Në mbështetje të nenit të mësipërm, u dekretuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese.

Më 17 gusht 1928, bëhet votimi direkt.

Me votim indirekt, një asembleist për 15.000 banorë dhe për çdo fraksion që i kalonte 7.500 banorë

23 gusht 1928, festë në Durrës dhe në Tiranë ende pa u kurorëzuar

Ndërkohë, shpallja e afërt e Mbretërisë ishte bërë publike.

Ahmet Zogu kishte njoftuar dhe marrë aprovimin e fuqive të mëdha, (së pari të Italisë), për hapin që po hidhte.

Në gjysmën e dytë të gushtit, në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit u zhvilluan manifestime në përkrahje të shpalljes së Monarkisë.

Një rast për manifestim qe edhe kthimi i Zogut nga Durrësi më 23 gusht 1928

Më 25 gusht 1928, në orën 09.30, zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese

Asambleja Kushtetuese zhvilloi mbledhjen e parë. Pasi u lexuan emrat e asambleistëve, Pandeli Evangjeli u zgjodh kryetar i përkohshëm si deputeti më i vjetër, ndërsa Ejëll Serreqi u zgjodh sekretar si deputeti më i ri.

Pasi u ngrit komisioni i verifikimit të kredencialeve (mandateve), seanca u mbyll.

Më 27 gusht, në orën 16.00, betimi i deputetëve

Mbledhja e dytë e Asamblesë Kushtetuese, e cila filloi me leximin dhe pranimin e raportit të komisionit të kredencialeve (mandateve). Deputetët bënë betimin, si vijon: “Betohem botënisht se si asambleist kam për të kryem detyrën e ngarkueme prej popullit me ndërgjegje të plotë dhe vetëm për të mirën e përgjithshme t’Atdheut”, (Bisedimet e Asamblesë Kostituente, Nr.1, Tiranë, 1928, f.7). Pas kësaj u zgjodh kryesia e Asamblesë Kushtetuese: Pandeli Evangjeli, -kryetar; Ferit Vokopola, nënkryetar; Fiqri Rusi – kujdestar; Ejëll Serreqi – sekretar. Në përfundim të mbledhjes së dytë, Pandeli Evangjeli njoftoi se në rend të ditës ishte rishikimi i përgjithshëm i Statutit, ndërkohë gazetat hamendësonin rreth titullit të Mbretit.

Më 29 gusht, në orën 17.00, lexohen letrat e popullit

U zhvillua mbledhja e tretë, ku u lexuan telegramet nga të gjitha krahinat e Shqipërisë që kërkonin shpalljen e Mbretërisë dhe u vijua me diskutimet e 24 deputetëve, të cilët kërkonin shpalljen e Mbretërisë dhe proklamimin e Zogut Mbret të Shqiptarëve.

Më 30 gusht 1928, mblidhet Komisioni i posaçëm

Në përfundim të mbledhjes u formua një komision i posaçëm për hartimin e neneve kryesorë të Statutit të ri.

Më 1 shtator 1928, në orën 09:00, votim për Mbretin

U zhvillua mbledhja e katërt e Asamblesë Kushtetuese. U lexua raporti i komisionit, i cili kishte përgatitur nenet kryesore të Statutit të ri. Me propozim të Mihal Kasos pas leximit të çdo neni votimi u krye në këmbë.

Kështu, në orën 9:12, Asambleja Kushtetuese votoi unanimisht duke e shpallur Shqipërinë, Mbretëri demokratike, parlamentare, të trashëgueshme dhe Zogun I, Mbret të Shqiptarëve.

Gjithashtu, u aprovua edhe formula e betimit të Mbretit. Duartrokitjet dhe njëqind e një të shtëna topi përshëndetën vendimin.

1 shtator 1928, në ora 17:00, ceremoniali i kurorëzimit mbret.

Një komision me deputetë nga të nëntë prefekturat e vendit, i kryesuar nga Pandeli Evangjeli, u nis drejt Pallatit, që pas kësaj date u quajt Pallati Mbretëror (sot Akademia e Shkencave), për t’i komunikuar formalisht Mbretit vendimin e Asamblesë Kushtetuese. I përcjellë nga brohoritjet popullore të rastit, komisioni kaloi mes një kompanie të gardës, veshur me uniforma të kuqe, dhe hyri në Pallat. Në orën 10:00, të datës 1 shtator 1928, Ahmet Zogu pranoi kurorën. Betimi i Mbretit në Parlament do të bëhej më 1 shtator 1928, në ora 17:00, por në fakt bë 20 minuta më përpara, siç duket për arsye sigurie. Festimet e pasdites së 1 shtatorit 1928 filluan që në orën 14:00, dhe zgjatën tre ditë. Repartet e ushtrisë ishin rreshtuar, populli kishte dalë në rrugë, ndërsa disa aeroplanë hidhnin fletushka nga ajri. Në orën 16:00, u dëgjua buçitja e trumbetave dhe më pas himni kombëtar.

PSE MBRET I SHQIPTARËVE DHE JO I SHQIPËRISË…

Në fakt ka qenë një lëvizje e menduar prej kohe, por e përmendur më 29 gusht në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, shpallja e Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve dhe jo i Shqipërisë, gjë që kishte një kuptim të qartë kombëtar dhe politik. Po të quhej i Shqipërisë , kufizohej brenda kufijve të territorit të atëhershëm, por ai kishte synim të mbretëronte e dhe në territoret jashtë Shqipërisë, madje edhe diasporën.

…DHE PSE ZOGU I PARË DHE JO AHMET ZOGU

Gjatë gjithë votimit, por edhe më pas të betimit të Mbretit, deputetët qëndruan më këmbë Në kundërshtim me zakonin e mbretërve në Evropë, për të evidentuar emrin, Ahmet Zogu zgjodhi mbiemrin (Zog I) për emërtim zyrtar. Emri Ahmet iu duk i papërshtatshëm për drejtimin që kishte vendosur t’i jepte vendit.

Ashtu siç del qartë!

Vendosje e kesaj forme regjimi, nuk ishte imponim, rastesi opo deshirë e dikujt, por ishte domesdoshmeri absolute e parapercaktuar që me Shpalljen e Pavaresise dhe që në Kongresin e Lushnjes, ku rolin e kryetarit te shtetit e kishte lozur Keshilli i Larte i Regjences.

Ne keto momente politike te trazuara, ne nje shtet te ri, ku nuk po gjendej si duhet as stabilitet i brendshem dhe as i jashtem, ishte domosdoshmëri dhe e padiskutueshme te vendosej kjo formë regjimi, si thame me siper, e parapercaktuar me pare dhe më e përshtatshmja për ne.

Fjalimi i parë i Ahmet Zogut si Mbret.

Dalshim faqebardhë para historisë

Sot po ju drejtohem si shok, bashkëpunëtor të idealit të përbashkët. Nëse në fjalimin tim nuk do të gjeni fjalët e nalta të krenave të ndershëm të stolisur me Kunorë, të mos çuditeni. Se unë shoh në Kryesinë e Shtetit Shqiptar, në cilindo titull qoftë, shembëlltyrën besnike të popullit dhe shërbyesin e palodhur të Atdheut. Sot, në minutën kur ngarkohem me detyrën e rëndë dhe të naltë të shtetit, prej vullnetit e dëshirës së popullit të shfaqur me vendimin e ndërgjegjes Suej, do të veproj duke marrë parasysh përgjegjësinë morale, të cilën herët a vonë di ta çmojë populli shqiptar, për lartësimin e vendit….. Bota e ka marrë vesh se po të lihen të qetë edhe bijtë e Shqipërisë, mund të krijojnë një shtet. Mbas sotit detyrën e kemi më të rëndë, se duhet t’ i tregojmë botës se edhe shqiptari, si çdo popull i qytetëruar, mund ta marrë kulturën, e cila është pasuria e të gjithëve dhe ideali i botës mbarë. Vetëm në këtë mënyrë, duke i siguruar vendit tonë një të ardhme të lirë, mund të paguajmë një detyrë historike. Në regjimin e ri Shqipëria ka për të qenë një faktor paqësor në Ballkan. Relacionet që ekzistojnë sot me shtetet fqinje e dashamirëse, shpresojmë se do t’i forcojmë edhe më tepër. Unë, bashkë me ju shokë të mi, jo vetëm që do të mbrojmë të drejtat kombëtare, por edhe kur të jetë nevoja, me ju bashkë do ta shtyjmë popullin trim shqiptar për t’ia arritur qëllimit të lartë, atë ideal që na ka falur natyra e na i ka shënuar historia, duke lartësuar vendin në sheshin e qytetëruar. Si të mbaroni detyrën e shenjtë, të ktheheni në vendet tueja e t’i thoni popullit Sovran se Prijsi i tij e sheh veten si çdo shqiptar. Me sa shpejtësi dhe entuziazëm e keni vënë në Fronin e Gjergj Kastriotit, aq me shpejtësi e kënaqësi keni për ta gjetur gjithmonë gati për t’i sakrifikuar të gjitha, nëse është nevoja, edhe jetën mbas dëshirës të tij dhe për të mirën e vendit.

Zotninj, dalshim faqebardhë para historisë!

Koha e lavdishme e bërjes së shtetit modern shqiptarë tashmë kishte nisur🇦🇱

1-Shtatori, Ditë Historike Kombëtare🇦🇱

Data 1 Shtator, Dita e Shpalljes Mbretërisë, duhet të përkujtohet zyrtarisht, si një ditë historike kombëtare.

Ndërkohë, ne jemi të bindur, se nuk do të jetë e largët dita që do të kemi një datë tjetêr historike, atë kur mbretëria do të rikthehet përsëri në Shqipëri.

Si sot para 94 vitesh, me 1 Shtator të vitit 1928, Asambleja Kushtetuese Parlamentare e shpalli ligjërisht Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashigueshme dhe Ahmet Zogun Mbret i Shqiptarëve.

Për shumë arsye kjo është dhe mbetet një datë me vlera të larta historike kombëtare e si e tilë duhet të përkujtohet zyrtarisht.

-Kjo mbretëri vinte si një trashigimni prej kohës e nēn kurorën e Skënderbeut.

-Bënte de facto atë që de jure ishtë parapërcaktuar në Shpalljen e Pavarësisë më 1912 dhe në Kongresin e Lushnjes, ku rolin e kryetarit të shtetit do e luante Këshilli i Lartë i Regjencës deri në forcimin e shtetit shqiptar dhe zgjedhjen e mbretit të ardhshem.

-Atë që perendimi dhe Fuqitë e Mëdha, pas shpalljes së pavarsisë, vendosën ta kryenin nëpërmjet Princ Vidit, tashmë shqiptarët po e realizonin vetë nëpërmjet birit të tyre, që patjetër edhe i takonte, duke u nisur nga origjina e hershme dhe çfarë përfaqësonte familjare e Tij për kombin shqiptar, ky ishte Ahmet Zogu.

Kjo ditë ka rëndësi dhe vlera të veçanta për kombin tonë gjithashtu sepse.

Nëpërmjet formës regjimt mbretëror, shpallir në këtë ditë, nën drejtimin e Mbretit Zog I, interesi kombëtar dhe bashkimi kombëtarë ishin më të sigurta se asnjëherë tjetër.

Shqipëria filloj të ndërtonte institucionet e saj demokratike moderne me standarte perendimore.

Statuti i Mbretërisë Shqiptare mbetet një vlerë e madhe, kjo jo vetëm për kohën, kujtojmë para 100 vitesh, por në shumicën e vet, zbatimi i tij edhe sot do bënte një mirëfunksionim të shtetit shqiptar, disa ligje dhe nene janë të mbartura akoma prej tij.

Reformat e gjithanshme të kryera në këtë periudhe, sollën zhvillim ekonomik, pavarsisht krizave nderkombtare të kohës, civilizim dhe integrim, rend e qetësi, drejtësi dhe barazi,

U vendosën standarte të atilla që e bënë qutetarin shqiptar, më dinjitoz, më të lirë e më krenar se kurrë ndonjëherë tjetër. dmth sollën ato standarte të cilat edhe sot po kërkohen dhe nuk po arrihen dot.

Ndryshimi i formës regjimit pas Luftës Dytë Botërore erdhi me dhunë e diktat, duke bërë të mundur instalimin e diktaturës së egër komuniste tek ne, shqiptarët vuanin diktaturën e kujtonin kohën e Mbretërisë Zogut.

Pluralizmi politik i pas ‘90 nuk erdhi ashtu siç duhet për shumë arsye, ai duhet të vinte mbi bazën e çmontimit të gjithë asaj mbi të cilën u ngrit regjimi monist komunist, duke krijuar sistem tjetër qeverisëse dhe klasë tjetër politike, klasë e cila të vërtetë ishte e prirur për të vendisur standarte tjera demokratike në Shqipëri.

Në vitin e mbrapsht 1997 u krye Referendumi i ndryshimit të formës së regjimit, shqiptarët folën qartazi PRO sistemit qeverisës mbretëror, por ata që akoma ëndërronin Kongresin e Përmetit dhe yllin e kuq, si edhe dihet, i manipuluan rezultatet.

Sot, më tepër se kurrë, duke u nisur edhe për çfarë ka ndodhur dhe rruga nēpër të cilën ka kaluar Shqipëria që prej vitit 1939 e deri sot, gjendjen aktuale ekonomike, politike e sociale ku jemi, kanë bërë që shqiptarët të kërkojnë gjithnjë e më tepër kthimin e mbretërisë në Shqipëri.

Prandaj, vetëm shkurtimisht për sa tham më dipër, është gjëja minimale e detyrim prej të gjithve, që data 1 Shtator të shpallet dhe përkujtohet si ditë historike kombëtare.

“ATDHEU MBI TË GJITHA”🇦🇱

Filed Under: Histori Tagged With: Shpetim Axhami

Sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu u takua me Doktor Berishën

September 1, 2022 by s p

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA zonja Nazo Veliu e dekoruar nga Presidenti i Republikës z.Ilir Meta me Titullin e Lartë : “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” zhvilloi një takim të jashtëzakonshëm me liderin historik të demokratëve shqiptarë Prof.Dr. Sali Berisha. Në takimin e përzemërt Doktor Berisha shprehu vlerësimet e tij më të larta për zonjën Veliu si gruan e hekurt të drejtësisë shqiptare të pas viteve 90-të dhe kontributin e saj të jashtëzakonshëm e rolin e saj në Vatër e komunitetin shqiptar e çështjen kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Në profilin e tij Doktor Berisha shkroi: “Takim me Zj. Nazo Veliu, Sekretare e Përgjithëshme e Federatës Panamerikane, Vatra.

Të dashur miq, këto ditë prita në një takim të veçantë Zj. Naze Veliu, Sekretare e Përgjithëshme e Organizatës atdhetare shqiptaro-amerikane, Vatra.

Në këtë takim shrytëzova rastin t’i shpreh mirënjohjen time më të thellë udhëheqjes së Vatrës, Zj. Veliu dhe të gjithë vatranve për mbështetjen e tyre tejet të çmuar që i kanë dhënë çëshjes shqiptare, çlirimit të Kosovës, vendosjes së demokracisë në Shqipëri dhe Partisë Demokratike, që nga themelimi i saj e gjerë më sot.

Në takim diskutuam mbi zhvillimet në Shqipëri dhe për bashkëpunimin e PD-së me Vatrën” shkruan në profilin e tij Dr. Berisha.

Filed Under: Politike Tagged With: Nazo veliu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2083
  • 2084
  • 2085
  • 2086
  • 2087
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT