• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nëna Tereze, patentuese e një sistemi të veçantë të çështjeve të mprehta shpirtërore

August 26, 2022 by s p

Ne si Institut iu kemi rrekur ta trajtojmë këtë figurë në një plan pak a shumë më mikroskopik, duke nxjerrë nga thesari i saj shpirtëror e njerëzor margaritarët më të çmuar , me të cilët ajo stolisi veten dhe  më shumë të tjerët. Ajo mbi të gjitha stolisi nocionin njeri në skëterrën e lakmive të pakufishme

Nga Prof. dr. Skender ASANI

Të merresh me jetën dhe veprën e Nënës Tereze, nuk është një punë thjeshtë rutinore, por është më tepër ballafaqim me të panjohurat që dalin gjatë depërtimit në botën e saj komplekse e shumëdimensionale. Sepse Nënë Tereza nuk ishte vetëm një bëmirëse, siç perceptohet gabimisht në një pjesë të opinionit publik, por ajo parasegjithash ishte patentuese e një sistemi të veçant të sjelljes dhe qasjes ndaj çështjeve të mprehta shpirtërore që askush tjetër nuk i trajtonte dhe nuk i njihte më mirë se ajo.

Kjo është edhe arsyeja kryesore pse ne si Institut iu kemi rrekur ta trajtojmë këtë figurë në një plan pak a shumë më mikroskopik, duke nxjerrë nga thesari i saj shpirtëror e njerëzor margaritarët më të çmuar , me të cilët ajo stolisi veten dhe  më shumë të tjerët. Ajo mbi të gjitha stolisi nocionin njeri në skëterrën e lakmive të pakufishme dhe vetëm ata që do të mund ta deshifrojnë këtë filozofi jetësore të Nënës Tereze, do ta kuptojnë se më e fuqishme se lakmia megjithatë është dashuria dhe ngrohtësia njerëzore.

Nënë Tereza fali dashuri dhe ngrohtësi edhe në skutat më të ftofta të vetmisë së njerëzve, të cilët pasi u braktiksën nga rrethi i tyre ku jetonin u pranuan nga Nëna Tereze, me të gjitha sëmundjet, brengat dhe vështirësstë që i ka jeta.

Duke ngelë në mbamendjen tonë si një stoli që me kalimin e kohës shkëlqimi vjen duke iu shtuar, Nëna Tereze tash më është bërë një aset i vlerave të pakrahashueshme universale, me të cilat ne si Institut dhe Departamenti për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze , po identifiukohemi më tepër në fushat e hulumtimit shkencor dhe studimit empirik të veprës së saj në disa rrafshe interdisiplinare.

Ne si Institut, jo rastësisht i kemi profilizuar studimet dhe hulimtimet mbi jetën dhe veprën e Nënës Tereze, duke themeluar një departament të veçant, i cili nga viti në vit po lëshon rënjë në një truall ku mendojmë të forcojmë edhe më tej mirëkuptimin midis njerëzve, pa marrë parasysh racën, fenë apo etninë e tyre. Si produkt i këtij profilizimi, ne sivjet filluam të botojmë edhe revistën e parë letrare me karakter shkencor e kulturor DRITA E GONXHËS, e cila përpos që është një tribunë e hapur e mendimit dikursiv mbi shumdimensionalitetin e empirisë jetësore të Nënës Tereze, ajo ofron edhe një mundësi ideale për të krijuar ura interaktiviteti në mes të autorëve e qendrave të ndryshme hulumtuese që si emërues të përbashkët kanë fuqinë e ndikimit dhe reflektimit të kësaj gruaje me përmasa planetare.

Sivjet kur po e organizojmë edicionin e dytë të manifestimit tradicional kulturor-shkencor “DRITA E GONXHËS”, që përkon me 112 vjetorin e vdekje dhe 25 vjetorin e lindje së Nënës Tereze, kemi arritur të aktivizojmë një game të gjerë resursesh intelektuale e institucionale brenda dhe jashtë vendit tonë, sepse konsiderojmë se nuk mjafton të kesh në duar një kauzë të madhe humane e civilizuese siç është Nëna Tereze, por  duhet edhe strategji konkrete për ta shndërruar këtë kauzë në në dioptri më të zgjeruar.  

Nëse të tjerët në botë kanë xhiruar dhe botuar  me qindra filma dhe vepra kushtuar jetës dhe veprës së Nënës Tereze, ne mund të shkojmë përtej kësaj, duke thurrur fabula të pathëna nga fëmijëria dhe rinia e Gonxhe Bojaxhiut, nga Shkupi i saj që arriti të regjistrohet në kartotekën e madhe të botës në saje të gjithë asaj që kishte  bartur me vete në bvotë kjo grua me shpirt të madh.  

Ky zatën mbetet edhe synimi ynë kryesor si hulumtues dhe si studiues, pasi që pritjet e të tjerëve nga ne tejkalojnë caqet e një kurreshtjeje sipërafaqësore, detyrim ky moral e institucional që kërkon mbështetje të gjithanshme.   

Shkup, 26 gusht 2022

Filed Under: Komente

GJENDJA E SOTME E EPOSIT TË KRESHNIKËVE NË PESË SHTETE TË BALLKANIT

August 26, 2022 by s p

Zymer Ujkan Neziri

Seminarin XL për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Prishtinë, Kosovë, 2022.

Hyrje: Eposet heroike gojore janë pasuri e madhe poetike e popujve. Por, shumica prej tyre në Evropë e kanë përfunduar jetën e vet aktive, që nga Gjibraltari e deri në veri të kontinentit. Ndër të vetmit, që ende bën jetë aktive edhe në fillim të këtij shekulli, është eposi heroik legjendar shqiptar i kreshnikëve. Por, duke e ditur se edhe këtë vlerë monumentale të epikës gojore shqiptare e pret fati i eposeve evropiane, më 2012 projektova Projektin E5, në IAP, për gjendjen e Eposit të Kreshnikëve sot, në viset shqiptare të Ballkanit, pëkatësisht të Gadishullit Ilirik.   

Lloji i Projektit E5: Kërkimor-shkencor, me rreth 300 ditë pune ekspeditash në terren, me Baton Z. Nezirin, nga 15 km deri në 500 km në pesë shtete të Gadishullit Ilirik, apo të Ballkanit. Janë, së paku, edhe dyfish e më shumë ditë pune në Institut, për përpunimin e materialit. 

Koha e realizimit: Projekti E5 u realizua në vitet 2012-2016 dhe në vitet vijuese, kryesisht në Maqedoninë e Veriut, në Sanxhakun e Pazarit, në Evropën P. dhe në SHBA e Kanada. 

Vendet e kërkimit: Mijëra sosh, por vendbanimet e gjetura me Epos, nga kërkimet në terren, janë 374 sosh, në: Kosovë (200), Shqipëri (72), Maqedoni (40), Mal i Zi (57), Serbi (5). 

Rapsodë: Kam evidencuar 148 lahutarë, si dhe 197 jolahutarë, e ndër ta ka edhe rapsodë pa vegla muzikore, kryesisht në Maqedoninë Perëndimore. Para vitit 2012 kam evidencuar edhe 329 lahutarë në pesë shtete të Ballkanit. 

Qëllimi i kërkimit: Konstatimi i gjendjes së sotme të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan, ku jetojnë shqiptarët: Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi: Kraja, Ana e Malit, pjesa e Malësisë së Madhe dhe pjesa e Sanxhakut të Pazarit; Maqedoni: ana perëndimore, nga Kumanova deri në Kërçovë; si dhe viset nën Serbi: Lugina e Preshevës me pjesën e Sanxhakut të Pazarit.

Synimi i kërkimit: Mbledhja e dëshmive për dosjen e Eposit të Kreshnikëve edhe për paraqitje në UNESCO, dosje e nisur më 2008 në IAP dhe e kryer më 2012, me Sh. Sinanin e V. Tolen. 

Ekspertë e bashkëpunëtorë: Në realizim më kanë ndihmuar 5 ekspertë nga Prishtina, Tirana e Shkupi: profesorët Sha. Sinani, Ze. Neziri, Be. Baliu, Ba. Lajçi, Al. Sadiku, Vl. Fetaj-Berisha, në cilësinë pjesëtarë të projektit, që kanë punuar nga disa ditë ose javë në terren, si dhe rreth 90 bashkëpunëtorë të terrrenit, në cilësinë vullnetarë. Ishin edhe dy ekspertë të jashtëm: profesorët Da. Elmer, Univ. i Harvardit, dhe Ni. Scaldaferri, Univ. i Milanos. Financimin e ka kryer pjesërisht Ministria (MASHT), kurse pjesën tjetër, nga vera 2014 e tutje, e kreu familja Neziri.   

Metodologjia: Metodologjia e zbatuar në terren ishte e shkallës së lartë. Për shkak të kohës, unë do të përmendja vetëm skedën e këngës, që ka: të dhëna të hollësishme për rapsodin, ve-ndin e këndimit, datën, minutazhin, numrin e vargjeve, temën, motivin, personazhet, toponiminë, llojet e armëve, dyluftimin, fundin e ndodhisë, legjendaritetin, qeniet mitike, numrat mitikë, poetikën e kohës, poetikën e hapësirës, formulat e fillimit, të mesit e të fundit në këngë, figuracionin poetik, pamjet poetike, portretet e kreshnikëve, tiparet etike e morale, kodeksin e nderit, rrëfimin epik, digresionin, leksikun vendor, shpejtësinë e këndimit të vargjeve në minutë, pushimet muzikore, pushimet teknike etj. 

Pikësynime: Kërkimi i llojeve të këndimeve: individ, duet, grup; mënyrat: këndim, recitim, tregim; llojet e veglave; lahuta dhe shtrirja e saj; lahutarët dhe lahutapunuesit; polifonia dhe këndimi pa vegla muzikore; trashëgimia familjare e këndimit; heronjtë tanë dhe kundërshtarët e tyre; kryeheronjtë Muji e Halili; shtyllat ndërtimore: legjendarja, fantastitkja e mitikja; fillimi i zbehjes së besimit në orë dhe zana; rrudhja e repertorit; ndërtimi formulaik; rrëfimi i gjatë epik; vargu dhe rima; bashkëjetesa e dy eposeve tona heroike; elemente të përafrimit të dy epikave; elemente të tjetërsimit kohor të heroit; gjurmë të shkollës serbe në terren për origjinën.         

Rezultate: Janë evidencuar 865 njësi këndimi e proze. Janë shkruar 502 këngë e motërzime, me 114 016 vargje, si dhe janë shkruar 123 tregime me 2 777 rreshta. Janë kryer incizime me kamerë, nga kameramani Baton Z. Neziri: 5 438 minuta e 27 sekonda. Janë incizuar 32 tregime dhe 225 këngë, që kanë rreth 63 834 vargje. 

Vëllime: Këto 502 këngë dhe 123 tregime janë shtruar në 15 vëllime A4, kurse sasisë me 5oo mijë vargje të fondit kombëtar, iu shtuan edhe rreth 1oo mijë vargje me Projektin E5. 

Sasia e dalluar e vargjeve: Kanë kënduar mbi 3 700 vargje: Kapllan Dauti, Imer, Brahim e Asman S. Gashi, Asllan Adem Shala; mbi 4 500 vargje: Sylë e Januz Mushkolaj; mbi 5 500-6 000 vargje: Ajet Shala; mbi 6 000-6500 vargje: Halil Kuliqi; mbi 6 500-7 000 vargje: Isë Elezi-Lekëgjekaj, Fehmi Nishefci. Ndonëse dy të fundit, kanë në repertor mbi 10 mijë vargje, kjo është pak në krahasim me gjendjen para gjysmë shekulli, kur mbi 10 mijë vargje i kanë kënduar shumë lahutarë e jolahutarë.

Legjendariteti, mitikja e fantastikja: Legjendariteti ruhet ende në këngë të kreshnikëve e në tregime, krahas qenieve mitike, sidomos të Orës dhe të Zanës. Krahas legjendaritetit, edhe mitikja e fantastikja po ashtu janë ndër shtyllat qendrore të kësaj epike heroike legjendare. 

Temat e motivet: Vazhdojnë të ruhen, sidomos ato për kullotat, bagëtinë, kullat, pasurinë dhe familjen, si dhe fuqinë e kreshnikut nga zanat, martesat, zilitë e lakmitë, sakrificat për tjetrin etj. Kundërshtarët e 30 kreshnikëve ende quhen shkje e shkije, kudo që jetojnë. 

Vlerësime në përurime: Janë dhënë lavdata në përurimet e këtij projekti në Prishtinë: En. Mehmeti, Ar. Bajrami, Ba. Lajçi; Tiranë: Ar. Marashi, Mu. Korkuti e Sha. Sinani; Shkup: Ze. Neziri, Bu. Mustafa e Iz. Murtezani, Tuz: Ba. Brisku e Is. Doda; Cyrih: Ib. Neziri e Va. Sejdiu. 

Vlerësime të jashtme (frag.): – Prof. Dejvid Elmer (David Elmer), Universiteti i Harvardit, Kembrixh, Ma. SHBA: ’’…Dr. Neziri njihet si autoriteti kryesor i epikës shqiptare. Projekti në shqyrtim, sipas mendimit tim, është më mbresëlënësi dhe më i rëndësishmi në arritjet e tij deri më sot. Projekti i dr. Nezirit ka rëndësi të madhe, si për studimin e drejtë të epikës shqiptare, ashtu edhe për studimin e traditave epike evropiane në përgjithësi….’’ 

– Prof. Nikolla Skalldaferi (Nicola Scaldaferri), Universiteti i Milanos, Itali: ’’Përgjegjësi i këtij projekti, prof. dr. Zymer U. Neziri, është një dijetar i njohur edhe në qarqet ndërkombëtare. Përdorimi i dokumentacionit të regjistrimit audiovizual të këngëve, integron dhe plotëson mënyrën tradicionale dhe përfaqëson një kontribut kryesor metodologjik për kërkime shkencore, në përputhje me kërkesat dhe standardet ndërkombëtare…’’

– Prof. Işik Aydemir, Europa Nostra, kryetar i Jurisë së Çmimeve të Trashëgimisë, kategoria Kërkim: ’’Si kryetar i kësaj Jurie, unë do të doja t’Ju falënderoja për dorëzimin e aplikimit tuaj dhe për përpjekjet tuaja të rëndësishme në favor të trashëgimisë kulturore të Evropës. Juria në veçanti ka vlerësuar origjinalitetin e hulumtimit në trashëgiminë jomateriale të Ballkanit…’’

Çmime: Projekti E5 ka fituar edhe ҫmimin ndërkombëtar për kërkime në etnokulturë, Mendim Special, nga Europa Nostra, Madrid 2016.

Përfundim: Edhe me Projektin E5 u dëshmua se Eposi i Kreshnikëve është kryevlerë poetike e folklorit shqiptar. I takon edhe vendi te kryevlerat në UNESCO. Është vijimësi e këndimit epik ilir-arbëror dhe cikël me fill historik nga koha e ardhjes së fiseve sllave në Gadishullin Ilirik (M. Lambertz) dhe jehonë (term i Q. Haxhihasnit) e ndeshjeve dhe e betejave me ta. Bashkëjeton me ciklet epike heroike historike, nga Beteja I e Kosovës, 1389, e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare, 1997-2001. I takon vend i rëndësishëm edhe në folklorin botëror. Duhet të konsiderohet i madh ndër më të mëdhenjtë e botës. Për krahasim me eposin Gesar të Kinës, me një milion vargje, por me vetëm 400 mijë vargje të mbledhura (deri më 2012), këndej, ndër ne, në Evropë, janë 600 mijë vargje të mbledhura të Eposit nga rapsodët shqiptarë. Nga materialet e Projektit E5 mund të shkruhen studime e disertacione, nga aspekti epikologogjik, etnomuzikologjik, dialektologjik, fonetik, leksikologjik, morfologjik, sintaksologjik, etnokulturor, etnopsikologjik, etnosociologjik, etnojuridik e fusha të tjera.

Filed Under: Kulture Tagged With: Zymer Ujkan Neziri

KUSH PROVOKON ME STATUJAT E STALINIT E TË LENINIT NË TIRANË  NË DITËN E EVROPËS PËR KUJTIMIN E VIKTIMAVE TË TOTALITARIZMIT?

August 26, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Ndërkohë që edhe këtë vit, ashtu si në të kaluarën, Evropa — me përjashtim të Shqipërisë, si zakonisht —  shënoi me 23 gusht Ditën Evropiane të Kujtesës së Viktimavae të totalitarizmit — komunizmit e nazizmit —Remembrance for the victims of all totalitarian regimes (europa.eu).  

Por, Shqipëria e kujtoi këtë ditë në mënyrën e vet që e dallon nga çdo shtet tjetër ish-komunist në Evropë, duke shfaqur sërish të ekspozuar në oborrin e vilës që përdoret për pritje zyrtare të kryeministrit Rama, statujat e Stalinit dhe të Leninit, njoftojnë një numër mediash e portalesh shqiptare.  Në të njëjtën ditë, në portalin e saj, Ambasada amerikane në Tiranë shpalli, “marrëdhëniet tona të forta në fushën e mbrojtjes dhe “vlerat tona të përbashkëta të NATO-s”, me rastin e fluturimit të dy avionëve amerikanë B-52 mbi Sheshin Skenderbej.  Për të cilat vlera të përbashkëta flet kjo ambasadë, me këtë regjim i cili në vend që të kujtojë viktimat e komunizmit në Shqipëri, të pakën me një deklaratë në Ditën e kujtimit të viktimave të komunizmit, kur e gjithë Evropa bën një gjë të tillë çdo vit – regjimi autokrat në Tiranë rishfaq dhe vendos statujat e Stalinit e Leninit në oborrin e një vile qeveritare – banesë e kriminelit shqiptar, ish-Kryeministrit Mehmet Shehu. 

Askush nuk thotë, zyrtarisht, se pse statujat e Stalinit e Leninit u ekspozuan, pikërisht, në këtë kohë në qendër të Tiranës, por krye-censuruesi zyrtar i qeverisë së Tiranës, një Endri Fuga jep një “shpjegim” që citohet nga media shqiptare të ketë thenë se vendosja e statujave të diktatorëve kriminelë rusë – përgjegjës për pothuaj 100-milionë të vrarë të komunizmit në oborrin e një vile të qeverisë shqiptare e justifikon si “vepër arti”.  “Është pjesë e një instalacioni më të madh se statuja e Stalinit,” tha Fuga për BIRN, pa dhënë detaje mbi autorin apo titullin e instalacionit apo vendosjen e tyre në një godinë shtetërore ku hyjnë e dalin delegacione të huaja.  Kur u pyet nëse ky ekspozim mund të kishte pasoja sensitive për viktimat e komunizmit në Shqipëri, Fuga shtoi se: “nuk besoj se duhet gjykuar mbi një vepër arti me syzët e politikës”.  

Për reagimin e ish- të përndjekurve pse nuk pyet ndonjë ish të burgosur të regjimit të Enver Hoxhës – dishepullit të paepur të Stalinit – se si e shohin shfaqjen e Stalinit në hapësirën publike në Tiranë.  Përgjigjen t’a dha një prej atyre, Simon Mirakaj, një përfaqësues i familjeve anti-komuniste më të vuajtura në Shqipëri: “Ekspozimi i tyre është shumë sensitiv për ne dhe për të gjithë shqiptarët, pasi ata janë dy persona që kanë shkaktuar mjaft plagë në vendet e tyre dhe në vendet e tjera që kanë qenë në varësi të ish-Bashkimit Sovjetik”, tha Mirakaj për BIRN.  “Në Shqipëri, kampi famëkeq i Tepelenës që ka marrë shumë jetë njerëzish i përket pikërisht asaj periudhe të Stalinit,” është shprehur me dhimbje të thellë ish-i burgosuri i regjimit të Enver Hoxhës, i cili për fat i mbijetojë Kampit të Tepelenës dhe të tjerave mundime e vuajtje, ndryshe nga mijëra të tjerë që vdiqen në kampet komuniste të Enver-Stalinit. 

Endri Fugës dhe bosëve të tij do iu përgjigjesha me fjalët e mikut dhe kolegut tim Profesor Sami Repishtit – ish- i dënuar politik i regjimit komunist të Enver Hoxhës: “Mos lendoni plagët tona të hapuna”

SAMI REPISHTI – JU LUTEMI, MOS LËNDONI PLAGËT TONA TË HAPUNA! – Dielli | The Sun (gazetadielli.com)

More, kush janë këta përfaqsues të qeverisë shqiptare të pa përgjegjëshëm, të pa ndjenja e të pa ndërgjegje njerëzore, të pa moral e pa drejtësi për viktimat e komunizmit në Shqipëri, që statujën e Stalinit e quajnë një ekspozitë arti në publik? Nga vijnë këta njerëz dhe kujt i shërbejnë? Shqiptarë janë këta? Duan të futen në Evropë këta. Me Stalinin e Leninin?  Jo, more se këta fëlliqin mbarë Evropën me vlerat e tyre pseudo-komuniste. Mirë se Fuga përfaqëson vlerat e regjimit të tij kur flet për statujën e rishfaqur të Stalinit në Tiranë…

Po ambasada amerikane atje cilave “vlera të përbashkëta”, me këtë klasë politike 30-vjeçare pseudo-komuniste, u referohet në deklaratën e saj të fundit në portalin e saj. A nuk sheh ndonjë të keqe kjo ambasadë me rishfaqjen e Stalinit e Leninit në oborrin e një vile qeveritare, ku priten e përcillen delegacione të huaja? A po është dakort!?  Pse heshtë! “Krah për krah” me kë, me një regjim që, sipas zëdhënsit të saj Fuga, “vepra e artit” e Stalinit nuk duhet të gjykohet me syzët e politikës”? Po me çfarë syshë ta shikojmë?  Pse heshtni para një dukurie të tillë? Ju jeni përfaqsues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit më demokratik të botës, vendit më të dashur për shqiptarët kudo — i të gjitha kohërave.  Vendit ku shqiptarët e Amerikës kanë gjetur strehim dhe ku jetojnë bazuar në vlerat amerikane. Ju lutem, përfaqësoni dhe mbroni vlerat tona. Dënojeni shfaqjen e Stalinit në mes të Tiranës.  Statujën e vet djallit të trupëzuar/mishëruar aty në Tiranë, diktatorëve komunist Stalinit dhe Leninit! Kjo do duhej të ishte diçka krejt e natyrshme për një përfaqësi diplomatike amerikane.

Çfarë hipokrizie politike e diplomatike është kjo?  Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfaqsues të tyre jashtë vendit nuk duhet të kenë asgjë të përbashkët dhe as të mos deklarojnë mbështetje të “vlerave të përbashkëta” me një regjim që adhuron vlerat stalinisto-enveriste e marksiste-leniniste.  Në vend të kësaj, ju lutem ndani dhe mbroni vlerat e përbashkëta të Amerikës dhe të Evropës demokratike me viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe kujtoni ato viktima, të gjallë e të vdekur, në ditët e caktuara ndërkombëtarisht për këtë qëllim, siç ishte Dita Evropiane e Kujtesës me 23 Gusht. 

A lexuat ndonjë deklaratë të Kryeministrit të Shqipërisë në Ditën e Kujtesës Evropiane të Viktimave të totalitarizmit ndërkombëtar? A po Shqipëria është në një planet tjetër, nuk është në Evropë dhe nuk pritej një gjë e tillë prej Tiranës zyrtare!?” Tirana zyrtare i “kujtojë” viktimat e totalitarizmit enverist me vendosjen e statujës së babait ideologjik të Enverit, në një truall të qeverisë shqiptare. Ai truall nuk u përket viktimave shqiotare të komunizmit!? A nuk janë ata shqiptarë?

Prania e statujës së Stalinit në një vend public, mu në mes të Tiranës, është një vlerë e trashëgimisë së kësaj klase politike shqiptare të antivlerave njerëzore që ka udhëhequr atë vend për më shumë se 30-vjet tranzicion. Unë nuk e kuptoj nostalgjinë e udhëheqjes aktuale të Shqipërisë për regjimin e Enver Hoxhës, si një vlerë e kësaj klase politike të korruptuar dhe të papërgjegjshme për interesat kombëtare.  Por, kjo klasë politike është në dorë të votuesve shqiptarë. Siç duket, këta janë përfaqsuesit politikë që duan të kenë votuesit shqiptarë, këta i kanë. T’i gëzojnë, ndërkohë që Shqipëria po zbrazet dhe shqiptarët e ngratë, të hutuar, po marrin dhenë si delet që u bie ujku në vath drejtë vendeve dhe vlerave perëndimore.  

Por çfarë më shqetëson edhe më shumë mua si shetas amerikan, është fakti se pse këto dukuri qëllimisht provokuese, me një mesazh të caktuar politik dhe simbolik nga autoritetet zyrtare të Shqipërisë — siç është rishfaqja e statujave të Stalinit e Leninit në një vend të NATO-s – vazhdon të has në heshtje të shurdhër dhe në një indiferencë të plotë nga ana e përfaqësive perëndimore në Tiranë – evropiane dhe amerikane — ndaj dukurive të tilla shqetësuese, në një vend anëtar të NATO-s!?

Siç ndodh normalisht, Evropa dhe shtete individuale të saj e shënuan edhe sivjet, si çdo vit, ç’prej vitit 2009, Ditën e Viktimave të Komunizmit e Nazizmit.  Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me rastin e Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit, kujtoi viktimat e komunizmit dhe nazizmit, duke u shprehur se, “Ata që bënë qëndresë kundër totalitarizmit, nuk do të harrohen…”  Remembrance for the victims of all totalitarian regimes (europa.eu)

Por ndërsa Stalini i vjetër ripushton hapësirçn publike në Tiranë, Stalini i ri, Vladimir Putini ka pushtuar Ukrainën për më shumë se 6 muaj tani – bazuar në vlerat e Stalinit të vjetër dhe nuk ndalet —Frank Shkreli: Ndërsa Stalini i ri në Moskë pushton Ukrainën, Stalini i vjetër ripushton Tiranën | Gazeta Telegraf

Disa shtete të Evropës e kuptojnë këtë rrezik më shumë dhe më mirë se infantilët e papjekur politikë të Tiranës.   Në një letër të përbashkët drejtuar institucioneve të Bashimit Evropian muajin që kaloi, 5 shtete: Estonia, Rumania, Polonia, Lituania dhe Letonia, kanë deklaruar se lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës duhet të na kujtojë se sa i rëndësishëm është dënimi i të gjitha krimeve të regjimeve totalitare të shekullit 20-të si dhe, njëkohësisht, të kujtojmë viktimat e atyre regjimeve kriminale.

“E gjithë Evropa duhet ta kuptojë mirë se çfarë ndodh nëqoftse nuk dënohen krimet e regjimeve totalitare.  Rusia është duke përsëritur çdo ditë krimet e regjimit sovjetik në Ukrainë. Ndërsa për Evropën Perëndimore, fundi i Luftës së II Botërore solli paqën, për Estoninë dhe për vende të tjera të rajonit tonë mbarimi i Luftës së II Botërore solli vrasje në masë, deportime dhe shtypje nga regjimet komuniste. Që t’i thuhet stop luftës së Kremlinit (në Ukrainë) dhe që kriminelët e kësaj lufte të mbahen përgjegjës duke i sjellur ata para drejtësisë – ne duhet të njohim mirë rrënjët e imperializmit rus”, ka thenë Kryeministri i Estonisë, Kajas Kallas, njëri prej nënshkruesve të letrës.

Në letrën e tyre të përbashkët drejtuar enteve më të rëndësishme evropiane, 5 kryetarët e shteteve të lartë përmendura shkruajnë se Rusia nuk ka dënuar kurrë krimet e regjimit komunist sovjetik dhe liderët e sotëm rusë haptazi tolerojnë dhe me plot entuziazëm mbështesin trashëgiminë sovjetike komuniste. Udhëheqsit e 5 vendeve të Evropës dhe anëtare të BE-së, në letrën e tyre theksojnë, ndër të tjera, nevojën për të shtuar veprimet në nivelet më të larta të Bashkimit Evropian kundër përpjekjeve të Moskës me qëllim  ruajtjen e trashëgimisë së komunizmit duke rishkruar historinë e regjimeve totalitare.

Pyetje për regjimin e Tiranës: Cilës trashëgimi i shërben instalimi i statujave të Stalinit dhe Leninit në oborrin e vilës qeveritare ku dikur banonte Mehmet Shehu? Pse kjo fyerje ndaj ish-të përndjekurve të regjimit të Enver Hoxhës?

Pyetje për përfaqsuesit e vendeve perëndimore në Tiranë: Si përfaqsues të botës demokratike, a nuk u vret hiç ndërgjegja juaj se jeni dëshmitarë të një dukurie të tillë, në një vend të NATO-s?  A nuk u vret ndërgjegja juaj se po të kishit dashur, mund të kishit bërë më shumë, që në Shqipëri të dënoheshin, zyrtarisht, krimet e komunizmit dhe që shoqëria shqiptare të përballej, njëherë e mirë, me të kaluarën e saj të tmershme komuniste?  

Frank Shkreli

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me rastin e Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit – totalitar dhe autoritar — kujtoi viktimat e komunizmit dhe nazizmit duke deklaruar se, “Ata që bënë qëndresë kundër totalitarizmit, nuk do të harrohen…”.  

Statuja e Jozef Stalinit në oborrin e njërës prej vilave qeveritare të Shqipërisë, ku dikur banonte Mehmet Shehu.   Shqiptaro-Amerikanit, Tonin Mirakaj, i njerës prej familjeve më të vuajtura anti-komuniste – statuja e Stalinit në Tiranë – i kishte kujtuar vjershën që detyroheshin nxënsit e gjenerataë së tij ta mësonin përmendësh: 

“Bijtë e Stalinit jemi ne,

Që derdhim gjakun anë e mbanë,

Sa të valoj përmbi dhe

Flamuri drapën dhe çekan!”

Map

Description automatically generated

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Florian Marku kapërcen knockdown, dhe  fiton me vendim ndaj Miguel Parra

August 26, 2022 by s p

Pergatiti. Albano Kolonjari

Ylli shqiptar Florian Marku fitoi me një vendim unanim të pikëve ndaj meksikanit Miguel Parrës në ndeshjen e tij për titullin  WBC  qe u zhvillua në Tiranë dhe pse gjate dyluftimit pesoi nje goditje knockdown .

Marku, jeton në Mbretërinë e Bashkuar.  Gjatë gjithë karrierës së tij profesionale ndeshjet e boksit i ka zhvilluar ndeshjet atje. Marku kishte thënë shpesh se ishte një ëndërr e tij të bënte një dyluftim boksi në shtëpi, ne Shqiperine e Tij. Dhe Ai arriti ta realizonte ate në stadiumin Air Albania perpara mijëra simpatizaneve qe ishin mbledhur për ta parë ate.

Doli të ishte një natë e vështirë per Markun, pasi ai u pre dhe u rrëzua rëndë, përpara se të dilte fitimtar për të marrë një rripin e fitimtarit në  WBC .

29-vjeçari Marku renditet në vendin e 13-të në peshën e lehtë nga IBF, dhe ai e rriti rekordin e tij të pamposhtur në 13 ndeshje, ku përfshihet një barazim.

Në një hapje të ngushtë, Marku shkoi përpara, por Parra ishte më i ngarkuari. Gjërat u ngrohën në të dytën, pasi Marku dukej të qëndronte dhe të bënte tregti me meksikanin, i cili u detyrua të hapej me të dyja duart, ndërsa Marku dukej në krahun me grepa të mëdhenj të majtë.

Raundi i pare, i dyte dhe i trete flasin per Markun.

 Afër fundit të raundit të tretë, Marku e detyroi Parrën të kthehej në një qoshe dhe zbarkoi një goditje të mirë majtas, ndërsa Parra filloi të tërhiqej dhe perfundimi i raundit e ndihmoi spanjollin. 

Në momentet e para te raundit të katërt, Parra ishte në dysheme pasi Marku u zhyt me të majtën dhe Parra u duk se u rrëzua. Edhe pse u shpall një nokdaun nga gjyqtari Guido Cavalleri takimi vazhdoi

Parra u ndez në një kundërvënie, por më pas një përplasje me kokë e la Markun të prerë në syrin e majtë. Pamja e gjakut frymëzoi Parrën, i cili fitoi një sërë të drejtash, megjithëse Marku rrëzoi çamçakëzin e Parrës me të majtën.

Prerja dukej se po luante me mendjen e Markut pasi ai ndërroi taktike dhe doli përpara, megjithëse Marku e përfundoi raundin mirë.

Marku u rikthye në kontroll në të gjashtin teksa e detyroi Parrën të kthehej prapa dhe, në të shtatën ai goditi një goditje të madhe të majtë që preu meksikanin nën syrin e djathtë. Parrës më pas iu hoq një pikë, megjithëse nuk ishte e qartë se për çfarë, pasi Marku ushtroi presion, megjithëse Parra më pas e tundi kokën e Markut me një goditje, pasi e shtyu shqiptarin në një qoshe.

Megjithatë, në mes të raundit të tetë, Parra i ktheu gjërat  teksa hodhi poshtë Markun me një goditje të madhe të majtë.

Parra shkoi menjëherë pas Markut dhe goditi një seri goditjesh të rënda, pasi Marku mbuloi mirë dhe dukej për të mbijetuar. a Parra ndoqi Markun në dy raundet e fundit, ai nuk mundi ta fuste luftëtarin vendas nën presion të madh pas kësaj.

“Ishte një luftë e mirë, bëra disa gabime dhe e bëra më të vështirë se sa ishte”, tha Marku. “Kam bërë tregti me të pa arsye dhe meksikanët vijnë për të luftuar.

“Prerja ishte një problem sepse nuk mund të shihja vërtet nga syri im i majtë. Fillova shumë mirë dhe prerja më ndikoi shumë.

“Ishte e pabesueshme [lufta në Shqipëri], dua të falënderoj të gjithë ata që më mbështesin. Turma është e mahnitshme, doja të performoja shumë më mirë se kjo, por nuk doja një kundërshtar të lehtë për këtu.

“Nuk më intereson [kë të luftoj më pas]/ Do të luftoj këdo që të më sjellin.”

Shpresa lokale Amarildo Vraja duroi një mbrëmje tmerri teksa u pastrua në vetëm 40 sekonda nga bullgari Borislav Velev në suportin kryesor.

Filed Under: ESSE

NJË SHËNIM I VOGËL PËR 112 VJETORIN E LINDJES TË SHËN TEREZES

August 26, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

Letra e Nënë Terezës për Ramiz Alinë në vitin 1989 - Exit ...

Nënë Tereza ka lindur  me 26 gusht 1910 në qytetin  Shkupit nga bashkeshortet  patriot shqiptarë Kolë e Drane Bojaxhi..Emri i saj si krijesë e brishtë e kësaj bote kishte qenë GONXHE, dhe këtë emër e mbajti derisa kjo gonxhe çeli lulen e shenjtë, që pas thirrjes shpirtërore nga vetë Jezu Krishti, kjo bijë e racës sonë ju përkushtua me sakrifica besimi , ndjeja njerzore e hyjnore , për të sjellë shpresë te të pashpreset e te të dëshpëruarit, për të sjellë jetë tek ata që po vdisnin, për të sjellë shërim tek të sëmurët, për të sjellë besim tek të paorinetuarit. Është fat i paçmuar për Racen tonë Iliro –Shqiptare  që vetë Krijuesi bëri emer që bija jonë  të  shenjtërohet, pasi në trupin e saj kishte dërguar shpirtin e shenjtë, duke e bërë misionare dhe shenjtore e kësaj bote. Zgjedhja e bijës sonë Nënë Tereza  nuk kishte qenë e rastësishme, pasi nga Raca jonë ndër dy-mijë vite Kristianizmit, i kishim falur  rreth 600 shenjtorë e martirë, që gjaku dhe veprat e tyre janë në themelet e këtij besimi e qytetërimi, frutet e të cilit i gëzojnë edhe ata që nuk e duan sot në fillimet e shekullit XXI… Nënë Tereza u bë misionare e bamirësisë, tek motrat Loreto e pastaj krijoi misionin e saj që e përhapi në 123 vendet e botës, ku India e Largët ishte epiqendra e deri në atdheun e saj të sapo çliruar nga diktatura komuniste. Misioni i shpresës së bamirësisë së Nënë Terezës ishte aq i madh sa e njohën jo vetëm shtete e qeveri, por edhe vetë Vatikani. Misioni i Nënë Terezës zgjati mbi 60 vite, kohë që e bëri të thirrej bijën tonë Moter, Nënë e më në fund Shenjëtore, të të gjithë botës. Bota e civilizuar jo vetëm ja njohu veprat e bamirësisë e mëshirës për njerëzit në nevojë, por e vlerësoi me çmimin NOBEL (në vitin 1979) , ndërsa mjerisht shteti komunist në ato kohë e anatemonte dhe nuk e lejonte të vinte as tek varret e njerëzve të saj të dashur në Tiranë (Nënës e Motrës). Shqip “Ne” duke i mbyllë dyert bijës sonë, Nënë e Botës, ne i mbyllëm vetvehtes shpirtin e Shenjtë që Zoti kishte dërguar mbi ne … Gjithsesi Nënë Tereza na fali ne shqiptarëve, sepse e dinte se nuk jemi ne populli që e përbuznim e mbyllnim dyert, por ishin djajtë e kuq që na kishin kapur për fyti (ndoshta si sprovë nga vetë Krijuesi). Nënë Tereza lutej për të gjithë popujt e botës që vuanin nga mjerimi, skamja, padrejtësia , sëmundjet e epidemitë, dhe ndër lutjet më të fuqishme duket se kishin qenë edhe ato për popullin  shqiptar që lëngonte nga epidemia e kuqe komuniste dhe  (Kosova) nën pushtuesit serbë.. Nënë Tereza e kishte çuar zërin e saj në mbrojtje të popullit nga kishte lindur  deri te Presidenti i SHBA-s  Bill Klinton të cilit i ishte drejtuar me fjalët : “Biri im bëj diçka për shqiptarët e mi”. Ndersa Bill Klintoni do të deklaronte : “Nënë Tereza ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar; ndihem krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe vlerave të lirisë”… Në pak vite që i kishin mbetur mbi këtë tokë bijes sonë të Shenjtë Nënë Terezës, ne e nderuam e respektuam si asnjë popull tjetër në botë, ndërsa bija jonë hyjnore na fali e na njohu si “GJININË” e saj, shpesh mëkatare jo për fajin tonë… Fatësisht vetë selia e shenjtë me anë të ish Papës famëmadh Gjon Pali II falenderoi kombin tonë për këtë bijë të shenjtë që i dhamë kësaj bote halleshume, ku ndër të tjera thotë “… Edhe në kohën e Izolimit të plotë të Shqipërisë kjo rregulltare e përvuajtur ishte ajo që përçonte emrin e atdheut tuaj në mbarë Boten. Në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë, pasi ky ishte misioni i saj dhe i gjithë atyre ndjekësve të vërtetë të Krishtit dhe Apostujve të tij që përhapnin dashurinë dhe jetën mbi dhembshurinë e kësaj bote. Për këtë ju falenderoj sot (Ju shqiptarëve) në emër të Kishës Katolike, që i falët botës këtë bijë të madhe të tokës e popullit tuaj…”. Vlenë të cilësohet se edhe presidenti i asaj kohe i republikes Islamike të Iranit , Muhamet   Khatani (pas vdekjes së Nënë Terezes) do të thoshte : ”Madheshtia e Nënës Tereze  konsiston në shpirterimin e madh  nga mendimet e mëdha  të vlerave morale dhe fetare, që ajo mbante per të miren e njerzimit.”. Nga ky vlersim i mrekullueshem per Nënë Terezen (nga  një  Presidenti me profil të lartë fetar) ,“gjejne” mbeshtetje edhe  fjalet proverbiale  të Papa Gjon Palit dytë se në ketë botë ka dy  FE apo besime, ata që besojne ne Zot , dhe ata që nuk besojnë.   Vatikani që nga 19 tetori i vitit 2003 nisi proçesionin e Shenjtërimit të Nënë Terezës , procesion  që “kulmoi” me firmosjen e dekretit të shenjtërimit të Nënë Tereze  me daten 4 shtator 2016 nga Papa Francesku. Vlenë të shenohet se nëse ne shqiptaret si ditë perkujtimi e feste per Nënë Terezen , që nga viti 2004 kemi  shpallur 19 tetorin , në shtetin e Nju Jorkut , Senati dhe Asambleja e këtij shteti kanë shpallë  (në 2017) , 4 shtatorin  festë zyrtare që  do njihet  si të gjitha festat e tjera të veçanta.  Neper  Botë në përgjithësi e në trojet etnike Shqiptare në veçanti filluan t’i kushtojnë shumë vepra arti e emërtime të ndryshme, ku spikat ndertimi  i Katedrales kushtuar Shenjtores Terezë në Prishtinë (Kosovë) , shugurimi i të cilës u bë me 5 shtator 2017 , me rastin e 20 vjetorit që Nënë Tereza ndërroi jetë. Në Vau të Dejës është ndertuar katedralja kushtuar Shenjëtores. Ndërsa para disa viteve në Shkodër, pas shumë vështirësive (që suallen disa paragjykime me mendësi   antieuroperëndimore) , u bë e mundur që në qendër të qytetit të kemi “truporen” e saj , e cila me sa duket do të zëvendësojë për Shkodrën e Malësinë Zojën e Shkodrës, të larguar nga rreziku i aziatikëve që në vitin 1467…    “  Në këtë  shënim perkujtimor për ditlindjen e 112 të shejnëtores Terezë nuk po mundem të qëndroj pa ju drejtuar me një lutje me shprese se do të ma dëgjoj Shenjëtorja Terezë.: “SHENJTORJA TEREZË   LUTU PËR  NE MËKATËNORËT TË KTHEHEMI NË SOFRËN  EUROPERËNDIMORE,  TË LARGUAR  PREJ  KOHËSH  PADREJTËSISHT DHE PA DËSHIRËN E SHUMICËS SË SHQIPTARËVE…. Lutu Shenjtorja  Terezë edhe për shtetaret, pushtetaret dhe institucionet shtetrore që  të kujtohen se mund të bëhën më njerzor… Duke  u ardhur fundi ketyre fjalëve zemre per shenjetoren Tereze mendova ta  mbyllë duke cituar disa nga fjalët-lutje të nënë Terezes me 10 dhjetor 1979 me rastin e marrjes të çmimit nobel në Oslo- Norvegji.

“O Zot, më bëj të jem mjet i paqes Sate:
ku ka urrejtje, bëj ta sjell dashurinë,
ku ka fyerje, bëj ta sjell faljen,
ku ka mospajtim, bëj ta sjell bashkimin,
ku ka dyshim, bëj ta sjellë fenë,
ku ka gabim, bëj ta sjell të vërtetën,
ku ka dëshpërim, bëj ta sjell shpresën,
ku ka pikëllim, bëj ta sjell gëzimin,
ku ka ërrësirë, bëj ta sjell dritën…

”(Citimi i këtyre fjalëve-lutje të Nënë Terezës, janë marrë nga përkthimi i Rev. “DRITA ”ku ka pasur për bazë fjalimin original në  anglisht,të  Oslos Norvegji 10 dhjetor 1979, i postuar tek web faqja zyrtare e Çmimit Nobel: /http://www.drita.info/ )

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2095
  • 2096
  • 2097
  • 2098
  • 2099
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT