• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Katedralja Shën Nënë Tereza me gurthemel të vënë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova

August 25, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 25 Gusht 2022/ Në Ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, ditën e premte të 26 Gusht 2022, në ora 19:00, Ipeshkvia Prizren-Prishtinë, organizon Akademi solemne në Qendrën “BogdaniPolis”  – Katedralalen Shën Nënë Tereza në Kryeqytetin e Kosovës.

  E para 17 viteve, në 26 Gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë është vënë Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë nga Presidentit historik i Kosovës  Ibrahim Rugova, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinali i Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

Presidenca e Kosovës tradicionalisht ndanë dekoratën Medalja Humanitare Nëna Terezë, që u jepet personave që kontribuojnë në çështjet humanitare.

Katedralja në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga Qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti -Skënderbeu.

Në festën e vënies së gurthemelit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë ishin Agim Rexhaj, tani President Nderi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, bashkë me vatranin veteran Marjan Cubin, që ishte Kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales. Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Këtë e këmi përkujtuar së bashku edhe në mbrëmjen e të premtës së 13 Gushtit 2021 në sallën e Katedralës Shën Nënë Tereza, në festën e shfaqjes premierë në Prishtinë të Dokumentarit “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës”, që siç u theksua edhe me atë rast,  është histori që nga fëmijëria në vendin e lindjes në Drenoc të Klinës e deri në ditët e sotme, histori e njeriut e patriotit shqiptar, e atdheut shqiptar, e mërgimtarit shqiptar, e familjes dhe e rrënjëve shqiptare…

 7 DHJETOR 1995: RRUGËS PËR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS PRESIDENTI RUGOVA TAKON NËNË TEREZËN 

Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka takuar të Lumen Nënë Tereza, nobelisten – nënën tipike shqiptare, që është edhe e gjithë botës, siç është shprehur ai. 

Ishte viti 1995, kur në 7 Dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen.  “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova.  Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington.

 “Unë e kam takuar vetëm një herë Nënën Tereze në Aeroportin e Romës, rastësisht, por veprën e saj e njoh shumë, shumë mirë…Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës i rodhën lotët, ishte në vitin 1995…dhe dëshiroi sukses dhe punë dhe e ndinte në zemër popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar që e ka dëshmuar edhe me vepër”, ka treguar Presidenti Rugova.

Ai ka vlerësuar se, Nëna Terezë është sublimim shekullor i kulturës e traditës shqiptare, nënës shqiptare dhe se shenjtërimi i saj është një përjetësim i filozofisë së saj, merr një formë institucionale dhe kanonike.

“Mbas Skenderbeut që ka fut popullin shqiptar në historinë moderne të Evropës e  të  perëndimit e të botës, Nëna Tereze e ka inkuadrur popullin shqiptar sot në universin, në botën globale të sotme që ne identifikohemi me të dhe ajo identifikohet me ne, por është edhe e gjithë njerëzimit dhe ky është ndër kontributet më të madha të Nënës Terezë, që i ka bërë kombit shqiptar, Kosovës, popullit të saj… Shenjtërimi i saj është një akt i madh për popullin tonë dhe një përjetësim i popullit tonë në historinë modene dhe në kohërat që vijnë”, është shprehur PresidentiRugova.

Në punën e Shtetit, ka thënë Presidenti i Kosovës Rugova, unë gjithmonë jam frymëzuar nga vepra e madhe e dashurisë së ushtruar ndaj të afërmit nga Nënë Tereza dhe pandërprerë e kam pasur shembull e ideal timin.

“Mua më ka frymëzuar shumë gjatë kësaj kohe prej që merrem me punë edhe të Shtetit të Kosovës që e kemi formuar Shtetin  modern të Kosovës, pra po bëhen rreth 15 vite, dhe Nënën Terezë e kam pasur si një shembull të dashurisë, të paqes, të mirëkuptimit mes njerëzve, të shërbimit për popullin e vet, për kombin e vet, ka qenë edhe një ideal, një prehje”, ka theksuar Presidentihistorik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Ai ka përkujtuar edhe se, në Kosovë që nga viti 1990 ka funksionuarr shoqata “Nëna Terezë” e cila ka luajtur rolin e një ministrie sociale, ministrie të shëndetësisë…

PRESIDENTI RUGOVA NË VATIKAN NË CEREMONITË E LUMTURIMIT TË NËNËS TEREZE, ATI I SHENJTË PAPA GJON PALI II-të E PRITI NË AUDIENCË

Në vitin 2003, më 19 Tetor, Presidenti Ibrahim Rugova në Vatikan ka marrë pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i Dytë ka lumturuar Nënën Terezën, së cilës Vatikani iu referohet si “Nënë Tereza e Kalkutës”.

Në Vatikan, në 20 Dhjetor 2003, ditë e  shtunë, Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II-të e priti në audiencë Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Audienca, që zgjati rreth 20 minuta, ishte shumë e përzemërt.


Në fillim Presidenti Rugova e falënderoi Papa Gjon Palin II për beatifikimin e Nënës Tereze. Pastaj, Presidenti Rugova e njoftoi Atin e Shenjtë me progresin që është arritur në Kosovë në të gjitha fushat e jetës.

Presidenti kërkoi nga Ati i Shenjtë që që të lutet dhe të ushtrojë ndikimin e tij për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.


Presidenti Ibrahim Rugova e njoftoi Papa Gjon Palin II me përgatitjet që po bënte Ipeshkvia e Kosovës për ndërtimin e Katedrales në Prishtinë.


Ati i Shenjtë e vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë dhe shprehu interesimin e tij për shumë çështje të zhvillimeve pozitive në Kosovë.


Gjatë audiencës, Ati i Shenjtë e përmendi edhe Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Heroin Kombëtar të Shqiptarëve.


Presidenti Rugova ia uroi Papës Gjon Pali II Këshëndellat dhe Vitin e Ri, duke i dëshiruar shëndet dhe jetë të gjatë. Poashtu, edhe Ati i Shenjtë i uroi Presidentit të Kosovës Kërshëndellat dhe Vitin e Ri.

Në fund të audiencës, Presidenti Rugova i dhuroi disa dhurata Papës Gjon Pali II: Medalonin e Nënës Tereze, Medalonin e Lidhjes së Prizrenit, si dhe kristale të çmueshme të Kosovës.

Ati i Shenjtë i dhuroi Presidentit Rugova Medalje Papnore të punuara me rastin e 25 vjetorit të shërbimit të tij si Papë…

2 KORRIK 2002: PRESIDENTI RUGOVA NË SHESHIN QENDROR TË PRISHTINËS PËRURON SHTATOREN E NOBELISTES SHQIPTARE NËNË TEREZA

Në 2 Korrik 2002, ditën e 12 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi, Presidenti i Kosovës dhe përjetëshëm i Pavarësisë së saj, Dr.Ibrahim Rugova, në Sheshin qendror të Prishtinës, para mijëra qytetarëve, ka zbuluar Shtatoren e Nobelistes Shqiptare Nënë Tereza. Ishin të pranishëm personalitete të jetës publike, politike e ushtarake të Kosovës dhe të komunës së Prishtinës.

Para pjesëmarrësve në solemnitet, Presidenti Rugova tha se sot është ditë e madhe për Prishtinën dhe për Kosovën. “Është ditë e madhe, sepse sot po bëjmë zbulimin e shtatores së Nënës Tereze, Nënës sonë të dashur.

 Këtë shtatore të çmuar po e zbulojmë në Rrugën kryesore të Kryeqytetit, që para sa vjetesh e emëruam me emrin e Nënës Tereze, që e pranoi Prishtina dhe e gjithë Kosova”, tha Presidenti Rugova.

Ai vijoi se, “kjo ditë bëhet më e madhe me zbulimin e shtatores së Nënës Tereze, simbolit të dashurisë njerëzore, të kujdesit për njeriun, për jetën dhe për të mirën. Pra, e kemi simbolin e Nënës shqiptare, Nënës Tereze, që do ta ndiçojnë zemrën e Prishtinës dhe të Kosovës së lirë, ashtu siç e ka dashur ajo”.

“Prej sot, shtatorja e Nënës Tereze, do të jetë pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Prej sot, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm do të rriten me shtatoren madhështore të Nënës sonë të Madhe”, tha Presidenti i Kosovës, Rugova.

“Ne ndiehemi krenarë që jemi popull i Skënderbeut, që jemi popull i Nënës Tereze, Nënës sonë të shenjtë”, theksoi ai.

Dr. Rugova tha se kjo shtatore e Nënës Tereze është dhuratë e Lekë Gojçajt, veprimtarit dhe atdhetarit të njohur në SHBA, i cili për shumë vjet punoi për Kosovën dhe popullin shqiptar.

“Të njejtën shtatore zoti Gojçaj e ka dhuruar dhe vendosur pranë Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork. Tash Prishtinën dhe Nju Jorkun i lidh më shumë Nëna Tereze”, theksoi Presidenti i Kosovës, Dr. Rugova.

Presidenti Rugova me këtë rast shprehu mirënjohje të thellë për këtë dhuratë bërë Prishtinës dhe Kosovës, duke madhëruar festën e 2 Korrikut- Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Rugova uroi qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës për Shtatoren e Nënës Tereze dhe përmbylli fjalën e tij me lutje-urime bekimi:


– Zoti e bekoftë Nënën Tereze, siç e ka bekuar.


-Zoti e bekoftë familjen Gojçaj dhe shqiptarët e Amerikës.

-Zoti i bekoftë SHBA-të.

-Zoti e bekoftë Kosovën.

4 SHTATOR 2016, FESTË PËR SHQIPTAREN NËNË TEREZA E SHPALLUR SHENJËTORE NGA PAPA FRANÇESKU NË VATIKAN

Në 4 Shtator 2016, në Kosovë ishte atmosferë feste për shqiptaren Nënë Tereza e shpallur atë ditë shenjëtore nga Papa Françesku në Vatikan, në meshën  e shenjtërimit  që u ndoq nëpër familje e kudo në transmetimet televizive.

Papa Françeskut në Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, në Vatikan, i kanë shërber edhe diakonët e Kosovës, Don Daniell Markprekaj dhe Don Meriton Dedaj.

“Ky privilegj i bukur i dy diakonëve të Ipeshkvisë sonë është një shenjë e kujdesit që Selia e Shenjtë tregon për popullin e Nënë Terezës në festën e madhe të 4 Shtatorit”, theksonin në Ipeshkvinë e Kosovës.

Nëna Terezë u bë edhe urë lidhëse në mes të shqiptarëve dhe botës.
Ish-Presidenti Amerikan Bill Clinton në Qershor të vitit 2002 ka thënë: “Nëna Terezë ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Në 10 Dhjetor 1979 Nana Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo, siç ka shënuar në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”

Në ceremoninë zyrtare të shenjtërimit të Nënës Terezë, në Selinë e Shenjtë, në Vatikan, morën pjesë edhe krerët e shtetit të Kosovës.

5 SHTATOR 2017-VATRANËT NGA SHBA NË FESTËN E MADHE SHQIPTARE – SHUGUROHET SHENJTËROREJA SHËN NËNË TEREZA NË PRISHTINË

Në 5 Shtator 2017, shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh nga SHBA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet, madje ishte edhe pjesë e celebrimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres, njëherësh  arkëtar si dhe Kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila.

Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza u bë në 5 Shtator 2017, në ditën që është e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjëtëreshes shqiptare.

 Brenda Katedralës në meshën solemne nga vatranët e SHBA ishte edhe Zef Balaj,  anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, anëtari i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, Fran Marku, si dhe Nue Balaj, nip i Zefit, Tomë Paloka që do e botojë së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”…

Në 31 Gusht 2017, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, vatranët nga Amerika i ka pritur në takim në Ipeshkvi dhe i ka shoqëruar në vizitë Katedrales.

Edhe me atë rast me falënderime e mirënjohje u theksua kontributi i shqiptarëve nga SHBA për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse  në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës”, në 26 Gusht 2017, vlerësoi lart të gjitha kontributet. “Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë në 5 Shtator”, është shprehur Ipeshkvi Gjergji.

Në mbrëmjen e 4 Shtatorit 2017, pas meshës Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytet, Ipeshkvia e Kosovës ftoi edhe në darkën e falënderimit për donatorët e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë…

 Edhe në ditën e 16 Gushtit 2016 një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në Ipeshkvinë e Kosovës  dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Në delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA ishin Agim Rexhaj – atëherë zv/kryetar i Vatrës e tani President Nderi, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj. 

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen Nënë Tereza.

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra,  të gjithë vatranëve.

“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës…

Vatranë, shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që tradicionalisht verave vijnë në Shqipëri, Kosovë e viset tjera shqiptare, ka vite që priten e i takojmë edhe në Katedralen Shën Nëna Terezë në Prishtinë. Në Katedrale në 1 Gusht 2018 Kisha Katolike në Kosovë organizoi Ditën e Diasporës, ku erdhën edhe vatranë nga Nju Jorku – bashkë me bashkëshorten Dila erdhi Marjan Cubi, si githnjë të mirëpritur nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili i priu Meshës solemne në bashkëmeshim me meshtarët dhe misionarët që shërbejnë në diasporën shqiptare, si edhe nga Vikari Gjaneral, Mons. Lush Gjergji dhe të gjithë…

Filed Under: Politike

AKROPOLI PELLAZGJIK I BUTHROTIT   

August 25, 2022 by s p

Besnik Imeri   (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)/

Një i nxehtë afro-aziatik rrezikon të djegë identitetin autokton me rrënjë pellazgjike të Buthrotit (Butrintit të sotshëm) tonë antik, por që çuditërisht ky i nxehtë përvëlues antishqiptar vjen nga veriu i ftohtë dhe i lagësht nga troje me rreth 300 ditë shi në vit, nga Londra e lagësht. Ndërkohë që vet Buthroti ynë i ndritur zotëron, që nga koha e Kronit dhe e Zeusit, 300 ditë me diell në vit. Në këtë “zjarrvënie” të identit tonë kombëtar dhe trashëgimisë kulturore me synime antishqiptare merr pjesë me të gjitha fuqitë e saj ministria e Kulturës dhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë. 

       Por çfarë thonë këta inglizët? Duke filluar që nga filoheleni Nikola Hamond, dhe të tjerë sot që vijnë pas tij, thonë se Butrinti është themeluar si qytet nga helenët dhe për më tepër ka qënë koloni helene. Dhe me këtë status, këtë perlë shqiptare, qeveria rilindase ua dhuron me konçesion pasanikëve anglo-amerikanë për ta grabitur, dhunuar dhe ndryshuar historinë, identitetin e tij pellazgo-kaon në lashtësi dhe arbëroro-shqiptar në kohët e reja.

        Këtë iso antishqiptare e ka shprehur para katërmbëdhjetë vjetësh një akademik shqiptar, i ndjeri Kristo Frashëri, i cili shkruan: “…kolonistët korkyrë-korinthase zbarkuan në stere, në tokën e kaonëve dhe pushtuan vendbanimin e tyre të lashtë, Buthrotin (Butrintit)…” Dhe më tej ai vazhdon: “…Në shekullin e V para e.s. kolonitë helene të brigjeve të Shqipërisë…krijuan edhe koloni bija në pika më në brendësi të territorit. Në truallin e vendbanimeve të mëparshme ilire, në Bylis, në Amantia.”

        Akademikët Neritan Ceka dhe Muzafer Korkuti, këto dy vitet e fundit, i kanë dalë krah Buthrotit tonë, duke e quajtur antishqiptare tezën e të qënit helen, apo koloni helene, të tij. Neritan Ceka, në një bisedë televizive në Top-Chanel pohon, se Buthroti ështënjë vendbanim prehistorik kaon, në të cilin në shekujt e VII-V p.e.s helenët ardhacakë krijuan një emporion. Emporioni është një bashkësi tregtaresh, të cilët krijojnë një ngulim, ndoshta edhe jashtë fortifikimit të qytetit, dhe merren me tregëti. Dhe kaq. Ata, jo vetëm nuk kanë ardhur ushtarakisht, si një forcë pushtuese komanduese në qytet, siç pohon Kristo Frashëri, por nuk marrin pjesë në drejtimin e tij si një forcë legjislative apo ekzekutive, atribute të cilat i zotëronin fisnikët vendas kaonë. Në vazhdim Neritan Ceka tregon, se në shek.V p.e.s, kur mbret i mollosëve ishte Tharypa, këta tregtarë përzihen përfundimisht nga Buthroti. Dhe këtu përfundon historia e tyre.

ÇFARË THONË ARKEOLOGËT

       Ndërtimi i fortifikimit të qytetit të Buthrotit, përfshirë këtu edhe fortifikimin prehistorik të akropolit të tij, datohet nga arkeologët e huaj dhe arkeologët tanë, jo më parë se shekulli i VII p.e.s.  Në dallim prej tyre, Neritan Ceka, vendbanimin prehistorik të akropolit të Buthrotit e shtyn prapa në kohë duke e datuar në shekujt XI-X p.e.s në fund të periudhës së bronzit dhe fillimit të periudhës së hekurit, të cilat, ne mund t’i përfshijmë dhe mund t’i quajmë edhe si ndërtime pellazgjike.

 “Më 1805 Butrinti vizitohet nga konsulli francez në Janinë, F.Pukëvil (Pouqeville), i cili ka lënë një përshkrim të mureve pelazgjike në akropol…burimin e shenjtë të Asklepit, i cili ruan veshjen me gurë të mëdhenj të punuar trashë nga një periudhë më e hershme…Ato ishin kushtime që i përkisnin një tempulli më të lashtë të tipit prostil, prej të cilit, përveç nishes, janë ruajtur edhe themelet e hershme…Gërmimet (në Buthrot, ekspeditë e viteve 1991-1996) u përqëndruan në akropolin e qytetit antik, për të sqaruar fillimet e jetës në këtë qëndër të lashtë të Kaonisë. Shtresa më e hershme i takon periudhës së hershme të hekurit, që i korespondon Protogjeometrikut të Greqisë në shekujt e XI-X p.e.s..”          

        Kjo datë e ndërtimit të mureve dhe portave të Buthrotit afrohet me një shekull me atë që ofron  legjenda e treguar nga Virgjili. Kjo pasi kur Ene dardanidi braktisi Trojën në shekullin e XII p.e.s (sipas Eratostenit) dhe erdhi ne Buthrot, gjeti aty jo vetëm muret e akropolit te ngritura, por gjeti edhe portën “Skea”, identike me Skean e Trojës. Pra sipas kësaj, rrjedhimisht dhe llogjikisht, në shekullin e XII p.e.s  muret rrethuese të Buthrotit duhej të ishin të ndërtuara.

        Neritan Ceka tregon legjendën e themelimit të Butrotit: Qyteti i ndërtuar nga Heleni (trojan) ishte padyshim Butroti, siç rezulton nga legjenda e treguar nga Dionisi i Halikarnasit (II, 51, 1-2): “Ankizi me anijet u nis nga Ambrakia dhe duke lundruar gjatë bregdetit arriti në Butrot, liman i Epirit. Enea, nga ana tjetër, me ushtarët më të zgjedhur, pas një udhëtimi që mbajti dy ditë, arriti në Dodonë…Këtu gjetën edhe ata trojanë që kishin ikur bashkë me Helenin…Ardhjen e trojanëve në Butrot e tregon edhe një kodër e quajtur Troja, të cilën ata e përdorën atëhere për të ngritur lëmin. Prej Butrotit, duke ndjekur anën e detit ata arritën te limani që atëhere quhej Anhisi dhe që sot ka një emër më të paqartë, prej këndej, pasi ndërtuan faltorën e Afërditës, çanë detin Jon”. Qyteti me emër të paqartë ishte Onkezmi, Saranda e sotme (Onchesmus-Anchises).

        I kthehemi përsëri legjendës që tregon Dionisi i Halikarnasit dhe shtrojmë dy pyetje: A e ka vërtetuar arkeologjia dhe historia ekzistencën e faltores së Afërditës (nënëns së Eneas)  në Onkezmin e lashtë, dhe a ka gjurmë të saj sot në Sarandë, përfshirë edhe ndonjë adhurim të veçantë të kësaj perëndeshe këtu? Së dyti, a ka ndonjë lidhje midis emrit të këtij qyteti të lashtë, Onkezmi, me emrin e babait të Eneas, Ankizi?   Për pyetjen e parë, deri më tani, arkeologjia nuk ka dhënë një përgjigje pohuese. Ndërsa për të dytën, mbetet një detyrë e gjuhëtarëve, pavarësisht se Onkezm me Ankiz janë fjalë të afërta: Onkez=Onkiz=Ankiz.

        Hierokli ka vendosur në listën e qyteteve kryesore të Epirit të Vjetër Ankiasmin, Saranda e sotme…Në kohën perandorake ishte krijuar një qytet i vogël rreth vendit ku ndodhet sot porti dhe Straboni (VII,324) e quan atë Onkezëm. Qyteti ekziston edhe në hartën e gjeografit Ptolemeu (III,14,4), në shek.II m.Kr…Prokopi i Cezaresë (VIII,22,31) shpjegon se qyteti u quajt Ankiasëm, për të kujtuar kalimin imagjinar të Eneut dhe babait të tij Ankizit në udhëtimin e tyre nga Troja në Itali…Në vitin 551 Ankiazmi u plaçkit nga gotët e Totilës…”

        Në Onkezm në lashtësi ekzistonte një tempull i Afërditës si perëndeshë portuale (Dionisios von Halikarnass: “Archaologie”, I, 51). Ndërsa unë do të isha i mendimit, se ashtu siç thotë dhe legjenda, trojanët që zbarkuan në Buthrot e në krye Eneun, kur janë larguar për në Itali i kanë ngritur në Onkezm një tempull perëndeshës Afërditë, e cila ishte një perëndeshë që adhurohej nga trojanët, por ishte dhe nëna e Eneut. Kjo e informatë nga Dionisi i Halikarnasit dhe e pasuar nga Prokopi i Cezaresë, si dhe emri i lashtë i qytetit të Sarandës me emrin e babait të Eneut, Ankizit, mendoj se i bën të pavlefshme pretendimet e mjaft historianëve dhe arkeologëve, që mendojnë se legjenda e e ardhjes së trojanëve me në krye Eneun në Buthrot dhe Dodonë është një hamendësim, ose mburrje e banorëve vendas të Buthrotit për prejardhjen trojane të tyre.

         Por një informatë mjaft me interes na vjen nga arkeologu Dhimosten Budina, i cili na thotë se: “Në kodrën e Butrintit janë gjetur objekte prehistorike: dy presa stërralli, një çekan guri, një bosht dhe një rrotkë balte (Tab.XXIV). Këto objekte i përkasin gjysmës së dytë të mijëvjeçarit II p.e.s.”

        Me të drejtë mund të ndodhemi para një mëdyshje: Kur banorët e kodrës së Butrintit përdornin këto vegla prehistorike, muret fortifikuese të kësaj kodre ishin ngritur?!! Por, siç na mësojnë arkeologët dhe historianët, i gjithë mijevjeçari i II p.e.s. i përket periudhës së bronzit, kohë në të cilën pellazgët kanë luzmuar me të gjithë fuqinë e tyre ekonomike dhe shpirtërore, madje dhe luftarake. 

         Nga arkeologu Koço Zheku na vjen një njoftim interesant, ku sipas tij: “L.M.Ugolini, duke përshkruar muret më të vjetra të akropolit të Butrintit, thotë se ato janë të ndërtuara me blloqe të mëdhenj të papunuar, që ai i quan pellazgjike…(L.M.Ugolini, L’Acropoli di Butrinto, Roma-1942, f. 26).” Pra edhe vetë Ugolini pranon se akropoli i Buthrotit, si vendbanim i fortifikuar, është prehistorik dhe i ndërtuar nga pellazgët (ndërkohë që Foinikes i jep një kohë shumë të vonë, rreth 7-8 shekuj), dhe, kur erdhën kolonët helenë ai ekzistonte si qytet i fisit të Prasaibëve, ose Kaonëve më gjërë. Pra nuk është ndërtuar prej tyre. Gjërat qartësohen; pra nuk mohohet që gjatë kohës që kolonët ndodheshin në qytetin e Butrintit, kanë ndodhur meremetime ose ngritje muresh të reja, ashtu siç i përshkruan Neritan Ceka. Por, kjo periudhë, kurrësesi nuk është mosha e vetë qytetit apo datëlindja e tij. Kjo e shumta është mosha e rritjes dhe pjekurisë së tij. Ndërtimet në Butrint kanë vazhduar edhe në periudhën romake, madje edhe në mesjetë me venecianët, dhe më pas, me Ali pashë Tepelenën. Pra, dy personalitete, Pukëvili dhe Ugolini i kanë quajtur muret e lashta të akropolit të Butrintit, pellazgjike.

        Më pas, nga ato që përshkruan Neritan Ceka për trakte dhe pjesë të veçanta muresh, shkallares se teatrit etj, të cilat për nga stilet e ndërtimit i njëjtëson me ndërtimet në Dodonë, Çukën e Aetoit, Foinike etj. Ne, në mënyrë indirekte, duke i menduar dhe quajtur këto të fundit si pellazgjike, detyrimisht, të tilla do të quajmë edhe ato të Buthrotit. Ndjekim se çfarë na thotë Neritan Ceka:

“…Shkallarja (e teatrit të Buthrotit) është vendosur brenda një katrori…, të kufizuar nga mure anësore të përforcuara me kontrafortë, duke imituar një model të njohur nga teatri i Dodonës...Pjesa më e ruajtur e murit pranë portës Skea është ndërtuar me blloqe të mëdha në formë trapezoidale. Gjërësia prej 3,50 m e murit përbëhet nga dy parete dhe mbushja prej gurësh të papunuar…”  

021
Description: Image result for mura etrusche

Mure prehistorik pellazgjik.1.Buthrot.2.Etrusk Toskanë-Itali. Duket e njëjta teknollogji e ndërtimit të themeleve pellazgjike.

       Kur i shikon këto mure në ilustrimin e lartëpërmendur, padyshim, të krijohet një bindje, se këtu kemi të bëjmë vetëm me mure pellazgjikë; dhe, akoma më tej kur, të tillë trakte muri, madje edhe ne themel të mureve të mëvonshme, i gjen të njëjtë edhe tek muret etruske, të cilat janë padiskutim pellazgjike; atëherë pa frikë mund të thuhet, se ky trakt muri në akropol të Butrintit është pellazgjik. Por jo vetëm kaq, koha e ndërtimit të tyre në shek.V p.e.s, qoftë edhe në shekullin e VII p.e.s, vihet në dyshim. 

        Dhimosten Budina në lidhje me muret dhe gjetjet arkeologjike në Butrint na thotë: “Në akropol Ugolini dhe D.Mustili gjetën qeramikë të shek.VIII p.e.s…Kodra e Butrintit është rrethuar me tri rradhë muresh…lartësia maksimale e tyre është 12 m, ndërsa trashësia nuk shkon më tepër se 4 m…shpesh mbi murin antik është ngritur muri mesjetar. Në disa raste blloqet e gurit të murit antik janë përdorur për ndërtimin e murit mesjetar…

Në anën jugore të akropolit ka një trakt muri që zbuluesi e ka quajtur mur “pellazgjik”. Është ndërtuar me blloqe gurësh, me përmasa 1,40 x 1m…Ky tip muri konsiderohet nga më të vjetrit që ekzistojnë në Butrint, ndoshta paragrek (Tab.XXV.)…Pak më tutje duken disa trakte muresh të tjera, të ndërtuar me blloqe gurësh poligonalë me përmasa: 1,30 X 0,75 m; 2,40 x 1m; Trakte të tjera të këtij tipi duken edhe në anët e tjera të kodrës, në anën veriore dhe jugore…blloqe gurësh paralelopipedë…(Tab.XXXV)…mendohet se Butrinti ka pasur 7 porta…”                 

       Gjerak Karaiskaj informon për ekzistencën e një muri prehistorik (që për ne janë mure pellazgjikë) në akropol të Butrintit, mbi të cilin janë ngritur muret antike: “Muri prehistorik me gurë të papunuar, që formonin boshllëqe të konsiderueshme në vendosjen midis tyre,u rindërtua me një teknikë më të përparuar, me blloqe me përmasa të mëdha, që i kalojnë 2 m në gjatësi dhe 1 m në lartësi, të prera në formë poligonale dhe më tepër trapezoidale. Fundi i shek. V ose gjysma  e parë e shek. IV do të ishte koha më e mundshme e ndërtimit të tij.” 

      Eva Brinja në lidhje me muret  lashta të akropolit të Butrintit pohon: “Muri i parë fortifikues i takon periudhës së hekurit me gurë të palatuar dhe të një madhësie 2 x 1 m me peshë 4-5 tonë.”  

        Në lidhje me këtë problematikë Neritan Ceka, në vitin 1983, këto fortifikime prehistorike në Kaoni i kategorizon si ndërtime protoqytetare. Ndjekim pohimin e tij: “Në territorin e Kaonisë kemi dy vendbanime protoqytetare tipike, në Buthrot dhe Kalivo. Në Butrot fortifikimi protoqytetar përfshinte pjesën më të lartë të kodrës me një sipërfaqe 0,7 ha. Trakte të ruajtura të këtij fortifikimi ndeshen në anën jugore të kodrës ku gurët janë ripërdorur në muret më të vona të periudhës qytetare apo antike të vonë…Blloqet e përdorura në murin e këtij fortifikimi…nuk paraqesin faqe të rregullta. Përmasat e tyre janë të mëdha e mesatare (1,45 x 1 m; 1,20 x 0,90 m; 0,85 x 0,40 m). Në vendosjen e tyre është pasur kujdes që të mënjanohen zbrazëtitë duke i plotësuar me gurë më të vegjël. Nuk ka një rreshtim të caktuar, por vihet re një vendosje e rregullt…”  

        Një ide interesante, e cila mbështet mendimin tonë dhe që tregon se Butrinti rreth viteve 2500 p.e.s është banuar nga pellazgët, është hedhur edhe nga arkeologu Dr.Shyqyri Demiri në vitin e largët 1936 të pasqyruar në një shkrim të emërtuar “Arkeologjia dhe autoktoniteti Ilyro-shqiptarëve”.

        Ky shkrim  është gjetur nga Moikom Zeqo dhe ai i befasuar e ka publikuar në vitin 2013. Ja se si e rrëfen ai: Duke shfletuar një koleksion të gazetës “Illyria” të vitit 1935, pashë një shkrim profesional për arkeologjinë, botuar në datën 31 dhetuer 1935 dhe me vijim në datën 4 kallnuer 1936 të një njeriu që nënshkruan Dr. Shyqri Demiri. Titulli i shkrimit është “Arkeologjia dhe autoktoniteti Ilyro-shqiptarëve”. Kam mbetur i befasuar kur e lexova, duke kuptuar se kisha të bëja me tekstin e një dijetari shqiptar i cili kishte fituar gradën shkencore Doktor në arkeologji.

        Paraqesim këtu pjesën që na intereson nga ky shkrim, i cili flet për Buthrotin pellazgjik 4500 vjeçar: “Zbulime paleolithike mungojnë, po gjurma kulturore dalin piksëpari në fazën e fundshme neolithike. Konstatohen katër klasë të gjetunash, ndër të cilat âsht edhe nji thikë obsidiani qi u’gjet në Butrinto e me qênë se ky farë guri në Shqipní nuk gjindet po në ishullin e Melos, duken kjartas relacjonet qi kanë pasun banorët e këtushëm me vendet e largta të Mesdheut, qysh në kohët mâ të para (2500 p. Kr.). Në pikpamje ethnologjike kemi të bâjmë ktu me nji popullsi paraindoeuropiane, si duket me Pelasgët.”

        Me siguri që thika prej guri të obsidianës është gjetur në Buthrot nga misioni arkeologjik i Ugolinit. Por ajo që është e rëndësishme nga pohimi i Shyqyri Demirit (dhe ndoshta i paekspozuar nga Ugolini) është fakti që Buthroti është banuar në mijëvjeçarin e tretë p.e.s, kohë e cila njihet si periudhë e luzmimit të pellazgëve në të gjitha brigjet e Mesdheut. Por jo vetëm, në të njëjtën kohë ai ka qënë në marrëdhënie tregtare me pellazgët e ishujve të Egjeut, pikërisht me ata të ishullit të Melos. Por 4500 vjet jetë në Buthrot vjen në sinkron me idenë  tonë; 5000 vjet qytetërim pellazg i Epirit.   

Besnik Imeri   (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)        

Filed Under: Histori Tagged With: Besnik Imeri

MALI I ZI: KRIZA PËR FUQITË (E TEPËRTA) TË KISHËS

August 25, 2022 by s p

Nga IRENE SOAVE/

Ndoshta, në rënien e qeverisë së Dritan Abazoviçit, i mosbesuar nga 50 parlamentarë në 51, ka peshuar një kujtim i tashmë të harruarës valë të parë të Covidit. Mali i Zi kishte pushtuar faqe në të përditëshmet e gjithë botës për rekordin botëror të rasteve e vdekjeve në raport me popullsinë.

Skenat që arrinin nga Vëndi i vogël – vatër infektimi e shtrënguar mes Sërbisë, Bosnjës, Kosovës dhe Shqipërisë dukej se vinin nga shekujt më të errët. Podgorica, kryeqyteti i Malit të Zi, 20 nëndor 2020. Katedraleja ortodokse sërbe e mbushur plot e përplot: është funerali i arqipeshkvit ortodoks të ritit sërb Amfilohije Radoviç, mohues i Covidit (“kurohet me pelegrinazhe dhe ujë të bekuar”) kundër vaksinave, vdiq pikërisht nga Covidi. Në varrimin e Radoviçit, dalzotës  i Sërbisë së Madhe, i kujtuar si një shënjt nga ndjekësit e tij dhe si një prift  vetiak  i “kasapit” sërb Zeliko Arkan nga të tjerët, ishte mbledhur klasa drejtuese filoserbe e Vëndit, më shumë se njëmijë besimtarë. Pa maska; në rradhë për të puthur ballin dhe duart e të vdekurit. Shungullimë infektimesh. Ndër më të shkëlqyerit qe patriarku Irinej: autoriteti m’I lartë I Kishës ortodokse të Sërbisë, 90 vjeç, kishte puthur kufomën dhe ishte kthyer në Beograd, ku kishte vdekur i intubuar.

Skenat e parësisë filosërbe rreth arkëmortit të ipeshkvit kanë mbetur në kujtesën e malazezëve si një shfaqje e lidhjes ndërmjet Kishës, pushtetit të Beogradit (nga i cili Mali i Zi u shkëput me referendum, duke u futur më pas në NATO më 2017) dhe në përimtim të fundit Rusisë. Lidhje që ndoshta jo të gjithë malazezët i çmojnë: vetëm një e treta është e etnisë sërbe. Kështu, kur të shtunën Parlamenti u gjind para diskutimit të një dekreti të nënëshkruar nga kryeministri Abazoviç, që i jepte kishës ortodokse të Beogradit më shumë pushtete se sa të tjerë bashkësive fetare, dhe disa të drejta pronësish ndërtesash, deputetët votuan simbas ndërgjegjes, dhe i hoqën votbesimin qeverisë. Demokracitë, ashtu si Covidi, kanë vaksinat e tyre.

“Corriere della Sera”, 21 gusht 2022   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Emigracion

Lukë Kaçaj…

August 25, 2022 by s p

Mevlan Shanaj/

Ndër emrat e mëdhenj botëror të belcantos kisha dëgjuar Enrico Carusso si tenor i pakrahasueshëm dhe Beniamino Xhili. Një emër i madh dhe shumë i komentuar te Opera e vjetër ishte Luk Kaçaj, sipas pëshpërimave gjatë kohës së studimeve kishte pasur vlerësime maksimale duke e krahasuar me këngëtarin e tyre më të madh të gjithë kohërave! Chaljapin! Nga Zef Çoba një shtesë(Nje detaj i treguar nga te gjithe shoket e Lukës, studente bashkekohes ne Konservatorin Çajkovski te Moskes: Studenti i kantos basi Nicolaj Ghiaurov(nga Bullgaria), ne provim kendonte gjithmone para Lukes, kurre mbas Lukes…. Ky artist eshte shpallur nder me te medhenjte e shek. (XX), çka i ka taku me kene Luke Kaçes? )

Në Tiranë ishte padyshim vokali më tronditës edhe pse në ato vite ishin një grup me solistë të operës dhe baletmaestra që mbanin një repertor botëror! Kujtoj : Gaqo Çako, Mentor Xhemali, Gjoni Athanasi, Avni Mula e tj si edhe Agron Alia me Zoica Haxho një dyshe e shkëlqyer, apo Skënder Selimi, Panajot Kanaçi, Besim Zekthi, Miltiadh Papa, Xhemil Simixhiu etj. Nga viti 1967 u organizua një si tip koncerti në Operën e vjetër ku golin e bëri Luk Kaçaj! Më kujtohet” Don Bazilio “nga Berberi i Sevilies i Rosinit dhe “O ju male “nga filmi Skënderbeu.Po në atë kohë si studentë nëpër këmbë të së njëjtës godinë ishim miqësuar me Luk Kaçën. Miqësia erdhi spontanisht , ne ju afruam për ta uruar për suksesin dhe aty shkëmbyem nga një fernet, që ishte më e preferuara për gjigandin Luk Kaçaj.Pas ca kohësh shkuam në Dajti se aty kishte fernet Branca pija italiane që për kohën mbahej si më e mira! Pasi u kthyen disa gota, Luka trup madh kishte zbërthyer këmishën dhe nga kënaqësia hodhi një gotë në kokë që ti rridhte mbi gjoks. Ne si studentë të rinj u mrekulluam nga xhesti bohem i bas baritonit më të mirë jo vetëm të Shqipërisë , por edhe më gjerë. Thuhej se ishte zëri i dytë në Europë për nga përmasat.Italianët që gjithë herët kanë ndikuar në kulturën tonë, shquheshin për tenorët po ky zëri i pjekur i trashë gjëmonte dhe tundëte xhamat e sallës kur jepte koncert. Kështu me këtë natyrë “ populiste” me ne studentët bëheshim shumë herë si të barabartë në tavolinë. Në një rast erdhi në lokalin ku ishim ulur Ana e bukur deri në bukuri, e shoqja veshur krejt në të zeza. Luka u çua dhe vajti i dha zarfin. Ishte dita e rrogave , asaj me sa duket i ishin nevojitur lekët dhe erdhi pa pritur të vinte Luka në shtëpi! U kthye Luka në tavolinë dhe na tha, më kishte dalë prej mëndjes që Ana po më priste në shtëpi! Pas disa kohësh u takuam edhe në Gradishtë ku po xhironte në filmin “ Dasma” (Ismail Kadare,regjisor Piro Milkani) aty në atë film ishin edhe Albert Minga, Timo Flloko! Sigurisht ishte ngjarje e bukur që Luka po interpretonte në film. U takuam dhe pasi u përshëndetëm provuam edhe nga një gëzuar rakie , nuk kishte fernet! Më pas nuk di si rrodhën ngjarjet , por u çuditëm që ky gjigand u arrestua demonstrativisht në Institutin e Arteve ku ishte pedagog dhe u burgos!!Atë e kishin larguar nga Opera në kulmin e karrierës dhe sipas zërave shkak ishte madhështia e tij që e hëngrën xhelozët. Dihet që kudo xhelozia është shkatërrimtare , por në rastin e Lukës ishte vrastare. Pasi e larguan nga opera ziliqarët, ai punonte si pedagog i kantos në Institutin e Arteve.Është koha që ndoshta e mbyste trishtimin me ndonjë gotë! Krejtësisht e pabesueshme akuza “ Agjitacion Propagandë” për aq sa e njihnim jo ne,por studentët e tij direkt.Të vetmen gjë që nuk kishin dëgjuar nga artisti i përmasave botërore , pakënaqësitë për kohën. Ishte shumë i përmbajtur si një nxënës i zellshëm i shkollës së Françeskanëve në Shkodër, për të cilën ishte krenar. Aty ishte zbuluar talenti i tij i një djali të ardhur nga Bajza !Kishte pamje malësori tipik në paraqitje si nga shtati dhe pamja! Pasi kishte ditë që kishte dalë prej burgu shtatlarti , po ecte i vetëm , buzë Lanës me plepa. Isha veti i dytë, ndalëm para tij për ta takuar, ai eci drejt nuk na përshëndeti dhe as që ndali! Mbetëm të shtangur! E biseduam më pas përse nuk përshëndetet Luka?! Na thanë që kur doli nga burgu, ka mbetur në hallet e tija, nuk përzihet me askënd. Punonte për të mbijetuar si hamall diku nga pzari i Ri. Mendoni hamall, këngëtarit që kur kishte dhënë koncerte në disa vende i ishin bërë oferta direkte për ta mbajtur! Të gjitha i kishte refuzuar( nga pohimet e hetuesëve kur ishte i burgosur). Më vonë në RTSH isha si shef dhe nga Julian Napoleoni , erdhi si skenar Luk Kaçaj. Ishte një ngjarje e bukur. U bë me përkushtim dokumentari dhe për të gjithë ne qe një kënaqësi! Na buronte së brendëshmi një gëzim për ta shumëzuar madhështinë e këtij martiri të regjimit diktatorial të një artisti në përmasa europiane. ( ky dokumentar duhet të jetë në Arkivin e RTSH).Mendoj se do jetë dënuar vetëm e vetëm nga çpifjet e kolegëve që stimuloheshin shumë në ato vite , por edhe pse ishte françeskan katolik që i shkonte për shtat çdo intrigë!Te shpirti i tij kishte vetëm art pasi notat muzikore i jepnin lirinë .Filosofia e tij ishte ajo e mësuesit të tij At Gjergj Fishta” Ku ashtë shpirti i Zotit aty ashtë Liria” ( Ubi spiritus Domini ibi libertas)Sikur të kisha mundësi të pyesja atë burrë të mënçur Fishtën: A kishte ëndrra në fund të jetës dhe të çfarë karakteri ?A i ishin paksuar miqtë me kalimin e viteve pasi të njohurit dihet që shtohen deri në fund të jetës! A kishte ditë që nuk donte të mbante inat me veten? Po të keqes i kthente krahët , i qëndronte heshtur apo i rrinte përballë!

P..S. Zef Çoba, më thotë se sot pushon në varrezat e Bajzës!

Filed Under: Opinion

Borxhi ynë me viktimat e komunizmit !

August 24, 2022 by s p

Nebil Çika/

Sot, dita evropiane e viktimave komunizmit dhe nazizmit !🙏

Sot përkujtohen të gjithë Evropën demokratike viktimat e sistemeve totalitare, komunizmit dhe nazizmit .

Shqipëria është vendi që vuajti më shumë se kushdo në Evropë diktaturën komuniste që shkaktoi më shumë viktima për frymë se në të gjitha vendet e tjera.

Sot përkujtojmë me dhimbje, krenari dhe nderim, njerëzit tanë të dashur, martirët e viktimat, ata që nuk ja dolën dot edhe ata që mbijetuan .

Përkujtojmë e nderojmë të vrarët me dhe pa gjyq, fëmijët, gratë dhe pleqtë që vdiqën nga torturat dhe sëmundjet në kampet komuniste të shfarosjes në masë, të vrarët në kufi, të burgosurit , të internuarit e të dënuarit për motive politike, shumica e tyre ende pa një varr !

Dhimbje dhe nderim !

Lutemi për ta !🙏

Po sot kujtojmë me zemërim dhe neveri edhe ata që e shkaktuan këtë gjëmë, më të madhen e më të keqen në historinë tonë kombëtare. Kujtojmë faktin që drejtësia për këto krime nuk u vendos dot por edhe faktin më trishtues që vrasësit janë ende në pushtet.

Sot 32 vjet pas rënies së diktaturës ne diskutojmë ende ne se vrasësit dhe bashkëpuntorët e tyre duhet të jenë në pushtet.

Po sot është edhe dita e viktimave të nazizmit .

Shqipëria mburret se nuk dorëzoi asnjë hebre gjatë luftës së dytë botërore por ata njerëz që ja bënë këtë nder historik Shqipërisë duke shpëtuar hebrenjtë nga holokausti nazist, nuk mundën shpëtonin dot veten dhe familjet e tyre nga holokausti kumunist . Shumica e atyre burrave që shpëtuan hebrenjtë u pushkatuan, burgosën u arratisën nga vendi dhe familjet e tyre gra e fëmijë përfunduan në kampe komuniste të shfarosjes, të ngjashme me ato naziste, në mos më keq .

Sot është edhe ditë për reflektim, jo vetëm i familjarëve dhe të afërmve të viktimave por të gjithë shqiptarëve të ndershëm, atyre që nuk morën pjesë në krimet e komunizmit . Shoqëria shqiptare është në borxh me martirët e sajë !

Po sot mund të jetë edhe një ditë lutje e pendimi për ata që nuk e dinin çfarë bënin apo u detyruan të bënin keq, me shpresën që Zoti ti falë për gurët që hodhën kundër Tij, klerikëve, besimtarëve dhe shqiptarëve që donin e luftonin për lirinë, besimin e demokracinë .

Duhet ta kuptojmë që komunizmi është nëna e të gjitha të këqijave , jo vetëm dje në diktaturë por edhe sot me tentakulat e zgjatura të tij në këtë, pothuaj, demokraci.

Duhet të kuptojmë se pa u shkëputur nga e kaluara kriminale komuniste nuk kemi të ardhme të mirë e të sigurt. Shoqëria shqiptare është në amnezi dhe duhet të dalë pa tjetër nga kjo “koma” post komuniste.

Kjo bëhet me kurajë dhe ka vetëm një rrugë për ta arritur këtë : duke njohur e pranuar të vërtetën si mundësia e vetme e ndarjes së të mirës nga e keqja dhe dinstancimin përfundimtar prej kësaj të fundit. Asnjëherë nuk është vonë për këtë.

Raporti me të vërtetën është dhe ngelet problemi ynë më i madh kombëtar.

Pa e zgjidhur drejt këtë do të vuajmë në vazhdimësi nga e keqja që përsëritet e përsëritet në pafundësi .

Daullet bien për ata që kanë vesh !!!

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2097
  • 2098
  • 2099
  • 2100
  • 2101
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT