Nga IRENE SOAVE/
Ndoshta, në rënien e qeverisë së Dritan Abazoviçit, i mosbesuar nga 50 parlamentarë në 51, ka peshuar një kujtim i tashmë të harruarës valë të parë të Covidit. Mali i Zi kishte pushtuar faqe në të përditëshmet e gjithë botës për rekordin botëror të rasteve e vdekjeve në raport me popullsinë.
Skenat që arrinin nga Vëndi i vogël – vatër infektimi e shtrënguar mes Sërbisë, Bosnjës, Kosovës dhe Shqipërisë dukej se vinin nga shekujt më të errët. Podgorica, kryeqyteti i Malit të Zi, 20 nëndor 2020. Katedraleja ortodokse sërbe e mbushur plot e përplot: është funerali i arqipeshkvit ortodoks të ritit sërb Amfilohije Radoviç, mohues i Covidit (“kurohet me pelegrinazhe dhe ujë të bekuar”) kundër vaksinave, vdiq pikërisht nga Covidi. Në varrimin e Radoviçit, dalzotës i Sërbisë së Madhe, i kujtuar si një shënjt nga ndjekësit e tij dhe si një prift vetiak i “kasapit” sërb Zeliko Arkan nga të tjerët, ishte mbledhur klasa drejtuese filoserbe e Vëndit, më shumë se njëmijë besimtarë. Pa maska; në rradhë për të puthur ballin dhe duart e të vdekurit. Shungullimë infektimesh. Ndër më të shkëlqyerit qe patriarku Irinej: autoriteti m’I lartë I Kishës ortodokse të Sërbisë, 90 vjeç, kishte puthur kufomën dhe ishte kthyer në Beograd, ku kishte vdekur i intubuar.
Skenat e parësisë filosërbe rreth arkëmortit të ipeshkvit kanë mbetur në kujtesën e malazezëve si një shfaqje e lidhjes ndërmjet Kishës, pushtetit të Beogradit (nga i cili Mali i Zi u shkëput me referendum, duke u futur më pas në NATO më 2017) dhe në përimtim të fundit Rusisë. Lidhje që ndoshta jo të gjithë malazezët i çmojnë: vetëm një e treta është e etnisë sërbe. Kështu, kur të shtunën Parlamenti u gjind para diskutimit të një dekreti të nënëshkruar nga kryeministri Abazoviç, që i jepte kishës ortodokse të Beogradit më shumë pushtete se sa të tjerë bashkësive fetare, dhe disa të drejta pronësish ndërtesash, deputetët votuan simbas ndërgjegjes, dhe i hoqën votbesimin qeverisë. Demokracitë, ashtu si Covidi, kanë vaksinat e tyre.
“Corriere della Sera”, 21 gusht 2022 Përktheu Eugjen Merlika