• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Andrra e pambarueme / Poezi nga Argjira Ukimeri

August 22, 2022 by s p

Andrra e pambarueme

Ti je andrra e pambarueme

Që ec nëpër kokën time

Edhe n’kohën ma t’lumnueme

I jep ngrohtësi jetës sime

Ti që ndjenë edhe idhnimin

N”mue lëshon veç trishtim

Askujt ti mos ja fal gzimin

Se për mu asht veç drithërim

Njajtë si dielli që rreze lshon

Ashtu je ti n’ndjenjat e mia

Sikur dashnia që rënkon

Kurrë n’mue nuk vdes uria

Ti je andrra e dashnisë

Që asnjeherë nuk e braktis veten

Ti je ndjenja e paudhnisë

Pa e treguar të vërtetën

Ti qè s’kuptove sytë e mia

As ma pak përvujtninë time

Qysh atëherë kur fillon mërzia

Nëpër shekuj e përjetime

Qysh n’gjithësi kur yjet dalin

Fytyrën tande unë e andrroi

Edhe mendimet tua ndalin

Çdo herë andrra ktu mbaroi

Ti që s’din çka asht mallkimi

Kur n’mua qëndron ti

Qysh atëherë kur m’zë trishtimi

Fluturoi në Agoni

Nëpër tundimet e kësaj bote

Edhe n’dhimbjet e mia të gjata

Nuk gjejë qetësi nga heshtja jote

Ku mes nesh jeton shtrëngata

PA TY

Unë pa ty jam çdo herë e humbur

Sa herë largohesh nga mendja ime

Mua asgjë nuk më ban të lumtur

Përveç jetës plotë pikëllime

Të mendoi çdo ditë e natë

Nuk më thotë mendja që të mallkoi

Edhe atëherë kur është shtrëngatë

Kur jam me ty çdo gjë harroi

Mos vono në pritjet e mia

Të pres unë me padurim

Kur çdo herë troket mërzia

Ti je ndjenja e shpirtit tim

Ty të kam unë rreze dielli

Që ngrohë çdo herë qenien time

Sikur kaltërsia e këtij qielli

Ndriçon çdo herë zemrën time

Yjet neve na bëjnë dritë

Në ujëdhesën tonë të dashurisë

Edhe hëna po shëndritë

Përmes udhëve të dashurisë

Argjira (Ari) Ukimeri

Prizren, Korrik 2022

DASHURISË

Unë çdo herë kam me t’kujtue

Nëpër andrrat e mia t’gjata

Asnjëherë s’skam me t’harrue

Derisa të mbaroi dhe nata

Lundro ti n’kujtime t’mia

Sikur anijet nëpër dete

Kur në mue hyn mërzia

Nëpër brigjet e kësaj jete

Ti nuk e din çka asht idhnimi

Përveç n’kohën kur unë t’kujtoi

Qysh atëherë m’kap trishtimi

Gjithmonë nga jeta s’të largoi

Ti je buzëqeshje ledhatuese

Ndjenja ma e mirë e lumturisë

Në çdo moment je drithëruese

N’kohërat e arta t’dashurisë

Ti që nuk e di çka asht trishtimi

Në errësirën e kësaj jete

Qysh atëherë m’shfaqet gëzimi

N’mendjen time çdo herë ti mbete

Sikur dhimbja që s’e vret veten

As oqeanet që nuk fundosen

Je diell që e ngrohë vetë jetën

Mbi jetën tonë hirësitë vendosen.

Argjira (Ari) Ukimeri

MR.SC. Pedagoge

Qershor 2022, Prizren

Filed Under: LETERSI

DRAMA PERPARA TREGIMIT

August 22, 2022 by s p

Naum Prifti/

Unë kam debutuar në gjininë e dramaturgjisë në moshën 13 vjeçare, shumë vite përpara se të shkruaja tregimin e parë.

Vendlindja ime është një krahinë e largët rrëzë malit të Gramozit. Aty zanatet kryesore ishin ndërtimtaria dhe punët bujqësore e blegtorale. Mirëpo nga viti 1945 teatri erdhi në Rehove nëpërmjet grupeve amatore të reparteve ushtrarake. Ata vinin nga Erseka për të dhënë shfaqje, kryesisht skeçe humoristike e ndonjë komedi të shkurtër ose të shkurtuar prej tyre. Ne nuk ishim në gjendje të gjykonim për nivelin e shfaqeve, por na pëlqenin këto forma të artit që na bënin të qeshnim dhe na argëtonin. Pas largimit të trupës, ne si fëmijë e zgjatnim kënaqësinë duke përsëritur episode ose replika nga dialogjet e shfaqes.

Deri atëherë unë kisha shkruar gjithë–gjithë një vjershë, të cilën ua kisha recituar shokëve të mi. Ata qenë habitur paksa që atë e kisha “hapur” unë. Më shumë se krijimi origjinal mua më tërhoqi interpretimi para grupit dhe recitimi, ngritja e ulja e zërit, shpejtësia apo ngadalësimi e më në fund duartrokitjet. I nxitur nga shfaqjet e teatrit që vinin në fshat më hipi dëshira të shkruaja një skeç humoristik për ngrindjen midis një fshatari e një mullixhiu. Mullirin e njihja mire se ne kishim pronësi njërin prej tyre dhe aty mund të gjeja me lehtësi material jetësor apo të sajuar. Por vënien në skenë të skeçit tim të parë nuk e kam harruar jo se ishte shkruar mjeshtërisht, por për incidentin që ndodhi në premierën e tij. Shtëpia jonë kishte oborrë nga tri anë të saj që e lehtësonte, për mua dhe moshatarët, ndërtimin e një “skene” pa penguar punët e të rriturve. Skena ndahej nga publiku me një çarçafë të nderur mbi litarë. Dhe kuptohet se ngritja e çarçafit sinjalizonte fillimin e shfaqjes.

Konflikti i pjesës shpërthente për një qeskë misri të pabluar dhe tonet e sharjeve vinin duke u ngritur derisa personazhet kacafyteshin në lojë skenike. Mirëpo Llambi i Andresë, në rolin e grindavecit, mori zjarr gjatë shfaqjes. Ai doli nga teksti dhe filloi ta shante partnerin me fjalët më të ndyra, ashtu siç shaheshim me njëri tjetrin kur ziheshim. Nga ato sharje të rënda, “mullixhiu” u egërsua aq sa e përfshiu Llambin për mesi dhe e shtriu për tokë. Kacafytja qe reale e në fillim u pëlqye shumë nga “spektatorët” veçse shpejt u kuptua që goditjet e grushtat ishin të vërteta dhe prandaj u desh të ndërhyhej për t’i ndarë. Nuk qe nevoja të mbylleshin çarçafët që shërbenin si perde sepse në anën e “sallës” nuk mbeti askush. Të gjithë spektatorët u bënë pjesëtarë të asaj skene boksi pa improvizim. Skeçi u harrua, po finalja e tij kurrë.

Episodi i ardhshëm ishte në fund të vitit shkollor 1947 kur dhamë komedinë e Çehovit “Ariu”. Unë kisha një rol shumë të vogël. Regjisori ynë, mësues Mistoja, kishte vërë re se unë shtoja fjalë te miat gjatë provave, prandaj me porositi disa herë të mos e përsërisa gabimin në shfaqen para publikut. Me gjithë respektin për mësuesin, nuk munda t’i rezistoja tundimit tim të brendshëm prandaj e thashë para publikut replikën time të zgjedhur. Kur partneri sipas tekstit më pyeti  “Vdiq? Po si ngjau?, unë iu përgjigja: “Më duket se harroi të merrte frymë.” Për fat të mirë në sallë shpërthyen të qeshura dhe suksesi e zbuti zemërimin e mësuesit. 

Në librat e pakta që kishim në shtëpi asokohe, ndikim të veçantë për edukimin e shijeve letrare të mia në moshë të hershme, pati antologjia “Shkrimtarë Shqiptarë” – Pjesa I. Aty lexova pjesë të zgjedhura nga letërsia shqipe. Antologjia e hartuar nga Ernest Koliqi, Filip Fishta e Namik Resuli është një nga tekstet më të mira për shkollat e mesme sepse autorët kishin njohuri të gjera dhe si intelektualë të shkolluar në universitetet më të mira kishin ditur çfarë të zgjidhnin. Më kujtohet se unë lexoja vetëm fragmentet letrare, pjesët në prozë e poezi, kurse jetëshkrimin e autorëve e kaloja sikur të ishte në gjuhë të huaj dhe sikur të gjitha ishin shkruar nga e njëjta dorë. Vetëm pas një viti, kur fillova të lexoja romane, nisa t’i kushtoja vëmendje çdo libri si krijim i veçantë i autorit. Nga antologjia mbaj mend se më ka pëlqyer poema e V. Prenushit për një vajzë që qendiste një flamur me shqiponjë dhe kur e ëma e pyeste pse po qante, vajza përgjigjej: “Nanë, dashnia më ka molisë, prandaj kjaj o tue qëndisë,” më magjepste Kënga e Tretë e Lahutës së Malësisë “Preja” nga Gjergj Fishta, ku Oso Kuka pas dëgjon kujen e motrës vajtore për Vraninasin Avdi Hisa, “i u ba vlla” atij “me i a këthye nderën Shqipnis” “kundra gjaksorëve malazez”, mrekullohesha nga Kënga e 11 “Marash Uçi” dhe një copë letrare “Te kroni” të cilës ia kam harruar poetin.

Më ishte ngulitur një shprehje “prefli bisha!” të cilën e kisha shënuar me bojë mbi kapak që ta gjeja lehtë numrin e faqes ku ndodhej. Tingellimi i mallkimit gegërisht (të preftë bisha) më dukej mahnitës ende pa ia ditur kuptimin. Dhe nga ajo kohë kam mbledhur dhe qëmtuar shprehje popullore dhe fjalë të vjetra si në gjuhën e folur ashtu edhe nga folklori shqiptar. Në antologji ishte edhe një fragment i komedisë  “14 vjeç dhëndër” i Çajupit, pjesa e dialogut mes bashkëshortëve për të martuar djalin e tyre e për t’i zgjedhur nusen. Ndërsa bisedonim me shokët se çfarë mund të vinim në skenë, unë u rekomandova komedinë e Çajupit se ajo të shkrinte në gaz. Mitraqi dhe Kristoja që e lexuan njëri pas tjetrit, e pëlqyen mendimin tim, por me të drejtë vërejtën se komedisë i mungonte një pjesë dhe nuk merrej vesh si përfundonte. Atëherë unë mora përsipër ta ‘plotësoja’ boshllëkun duke shkruar vazhdimin e ngjarjes dhe përfundimin e saj. Shokët e pritën me kënaqësi të madhe propozimin tim. Nuk di çfarë shkruajta në vargje, se shkrimi kaloi dorë më dorë dhe dorëshkrimi nuk dihet ku përfundoi. Sot jam shumë kureshtar të di se çfarë shkrova në atë moshë  të njomë. Nuk e di sa afër apo sa larg isha nga subjekti i komedisë së Çajupit por e di se si shkrimtar profesionist kurrë nuk do ta kisha atë guxim që pata si adoleshent. Gjatë viteve të krjimtarisë sime letrare kam vërejtur se si amatorët dhe injorantët bëjnë tentativa të paimagjinueshme ngaqë nuk e kanë konceptin e vlerës së artit. Komedia jonë nuk e vu në skenë mbasi atë vjeshtë filluam shkollën unike në Ersekë. Nga njëra anë mësimet u shtuan ndërsa koha u kufizua dhe nga ana tjetër shkolla kishte programin e saj artistik.

Ne një vëllim me tregime nga Aleksei Tolstoit, që atehere sapo ishte përkthyer në shqip, u mahnita nga tregimi “Karakteri rus”. Besnikëria e vajzes ruse pas të fejuarit përkonte me psikologjinë tonë, prandaj mendova se duhej dramatizuar. Sot, që kam një përvojë të gjatë dramaturgjike, nuk do të guxoja kurrë t’i futesha një ndërmarrjeje të tillë. Kurse atëherë m’u duk shumë i lehtë konvertimi. Duhet të them se guximi i amatorëve meriton vendin e vet në art pavarësisht nga arritjet artistike. E planifikuam ta vinim në skenë me klasën tonë të shkollës unike. Drejtori e pëlqeu por rekomandoi që dorëshkrimin ta dorëzonim në zyrat e Frontit Demokratik, që ta shihnin edhe ata. Kërkesa më ra si një dush i ftohtë. Pse duhet ta shihnin njerëz jashtë shkollës? Nuk besonin ata në ndeshmërinë time? E ndjeva veten të fyer që dikush donte të mbikëqyrte nëse u kisha qëndruar besnik ideve të shkrimtarit sovjetik. Isha i ri për të kuptuar se partia kishte vendosur censurë mbi shfaqjet dhe e kundërshtova sugjerimin e tij. Drejtori e mbylli bisedën me fjalinë: “Kështu janë rregullat!” E dorëzuam dorëshkrimin në zyrat e Frontit dhe miratimi na erdhi shpejt, po mbëkqyrja më la një shije të hidhur që nuk e harrova kurrë.

Gjatë viteve të studimit në Politeknikumin Mjekësor, mbaj mend se erdhi aktorja Esma Agolli për ngritjen e grupit teatral të shkollës. Për herë të parë shihja një aktore të gjallë, prandaj dëgjoja i mahnitur mendimet e saj për teatrin. Fillova të ëndërroj se më kishte ardhur radha të ngjitem në një skenë të kryeqytetit mbase me ndonjë rol të denjë për talentin tim të pareklamuar si aktor në pjesët skenike në Rehovë apo Ersekë. Mirëpo pas mbledhjes së parë, grupi u shkri pa ardhur vera dhe aktorja e vërtetë nuk u duk më.

Aty më duket se u tehasën edhe ëndërrimet e mia për karrierë skenike por pasioni për artin teatral dhe filmik mbeti i pashuar.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Naum Prifti

“ACTA ALBANIAE IURIDICA”  VEPËR THEMELTARE PËR HISTORINË E SË DREJTËS NË SHQIPËRI

August 22, 2022 by s p

At Zef Valentini
Leter autograf e At Zef Valentinit

“Acta Albania Iuridica” është vepër themeltare burimologjike për historinë e së drejtës në Shqipëri dhe përkthimi i tyre i tërsishëm në gjuhën shqipe, pajisja me shënimet përkatëse kritike, aparaturën shkencore, saktësimet e lëshimeve të editimit, haritmit të një “regesti” të plotë tematik e kronologjik si dhe paraqitjes përmbajtësore të çdo dokumenti me disa rreshta në gjuhën angleze e shqipe në fillim të çdo burimi, janë një domosdoshmëri e kahmotshme, e pa realizuar deri sot, e cila do të shërbente në shumë fusha dhe do të ishte e kapshme për të gjithë ata që merren me studimin e historisë së të drejtës në Shqipëri, por edhe të historisë e albanologjisë nga mesjeta deri me sot.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Serioziteti dhe thellësia e një vepre studimore në botën intelektuale shkencore vlerësohet kryesisht në bazë të burimeve të shfrytëzuara arkivore, dorëshkrimeve, dokumenteve origjinale dhe literaturës përcjellëse, por sigurisht edhe qasjes që u bëhet këtyre burimeve. Nuk janë të shumta rastet, kur studiues, albanologë e historianë përdorin në veprat e tyre shkencore për historinë e popullit shqiptar material studimor autorial si edhe referenca dhe citime të burimeve origjinale. Ishin albanologët e huaj ata që prinë në këtë drejtim që nga fundi i shekullit XIX deri në mesin e shekullit XX, dhe pastaj edhe studiuesit shqiptarë arritën nivele të kënaqshme serioziteti shkencor në studimet e tyre.

Njëri ndër ata që shquhet për kërkime dhe studime arkivore, sidomos për botime të mijëra e mijërave dokumenteve si në origjinal, por edhe pjesërisht të përkthyera në shqip ishte jezuiti italian që e quante veten “shqiptar“, át Zef Valentini. Ai njihet gjithashtu edhe për analiza, mendime dhe vlerësime të jetës intelektuale shqiptare, që edhe sot e kësaj dite janë të pakapërcyera.

Botimet e burimeve arkivore, dorëshkrimeve apo dokumenteve janë me një rëndësi të veçantë, sidomos kur ato realizohen sipas kritereve shkencore të kohës. Hulumtimi dhe nxjerrja e tyre nga pluhuri i arkivave dhe bibliotekave ishte dhe mbetet një sfidë e jashtëzakonshme, një punë tepër e vështirë që kërkon vullnet dhe dëshirë për punë, por edhe përgatitje të lartë profesionale dhe shkencore, përkatësisht njohje të thellë dhe të imtësishme të fushës për të cilën botohen burimet e caktuara. Nëse këto burime nxirren nga arkiva të një pushteti, që ka qenë fuqi dominuese e kohës, siç është Venediku që kishte interesa të shumta në Shqipëri, pothuajse në të gjitha sferat e jetës, atëherë vlefshmëria dhe rëndësia e botimeve rriten dhe fiton një peshë të pazëvendësueshme, sepse janë pikërisht këto burime ato që ndriçojnë, zbulojnë dhe ofrojnë jetën e shqiptarëve në Mesjetë, përkatësisht në shekujt XIV dhe XV.

Në këtë shkrim nuk po flasim për kolanën e njohur, të pazëvendësueshme dhe të paarritshme as sot e kësaj dite nga albanologjia dhe historiografia shqiptare “Acta Albaniae Veneta“, në 25 vëllimet e së cilës u botuan 7567 dokumente origjinale, por, do të ndalemi te një kolanë tjetër në dy vëllime, që për nga rëndësia dhe vlera nuk mbetet pas së parës: bëhet fjalë për “Acta Albaniae Iuridica” të botuar në dy vëllime. Ideja ishte që ajo të vazhdonte të botohej në dhjetë vëllime, por vdekja e editorit át Zef Valentinit e la këtë vepër të papërfunduar.

I njohur për skrupulozitetin dhe gjenialitetin e punës shkencore në kolanën, “Acta Albania Iuridica“, át Zef Valentini e shtriu interesimin e tij studimor në rrafshin kohor që nga shekulli V deri më 5 nëntor të vitit 1423! Nëse kjo shtrirje për ndonjë specialist që nuk ka punuar dhe studiuar veprat e át Zef Valentinit duket shumë e “gjatë”, mund të themi se ai, për shkak të specifikës tematike është i detyruar të “përpunojë” plot 8 shekuj lëndë burimore.

Vetë titulli i kolanës “Acta Albaniae Iuridica” të lë të kuptosh se lënda burimore e edituar në këto dy vëllime në 586 zëra dokumentarë ka të bëjë me drejtësinë dhe të gjitha disiplinat e saj përkatëse. Të studiosh burime të tilla për një periudhë të shtrirë në rreth tetë shekuj, do të thotë të njohësh dhe të jesh ambientuar me gjuhët e kohës siç ishin greqishtja e latinishtja, sllavishtja e vjetër, italishtja me dialektet e saj dhe gjuhët e tjera, e në të njëjtën kohë të njohësh me themel autorët dhe veprat antike nga të cilat nxirren fragmente domethënëse për tematikën e trajtuar, si Herodotin, Plutarkun, Porfyrogenetin, Farlatin, Skylicin, Cekaumenusin, Theofylaktin, Ana Komnenën, Vilhelm Tyrensin, Leunkalvin, Komaqtianin etj. e gjithashtu kronikat anonime të kohës dhe fondet e shumta të arkivat e Raguzës, Vatikanit, Venedikut, Vjenës, Barcelonës, Parisit etj.

Përgatitja e këtyre dy vëllimeve me akte nga fusha e drejtësisë ka një histori të veçantë dhe mjaft të gjatë. Duke përgatitur vepra të tjera studimore nga fusha e albanologjisë, duke qëmtuar burime e dokumente arkivore, Át Zef Valentini kishte filluar të shënonte dhe ndante mënjanë dokumentet e kësaj natyre. Këtë punë át Valentini e sqaron në hyrjen e vëllimit të parë kur shkruan: “gjatë punës sonë për përgatitjen e burimeve dokumentare për historinë e Shqipërisë, gjatë hulumtimeve tona, kur gjenim ndonjë burim, të dhënë apo dokument për historinë e së drejtës, mbanim shënime të veçanta dhe kështu më vonë, në vitin 1944, arritëm të botojmë vëllimin e parë me burime e dokumente të tilla“, por, ai nuk ishte i kënaqur me këtë botim dhe nuk ndalet këtu, sepse gjatë tërë kohës studimore kërkimore-hulumtuese ai redakton dhe përgatit për botim edhe burime të tjera të Mesjetës së hershme dhe dokumente qofshin ato të botuara apo të pabotuara. Pas një pune disavjeçare, u krijua një material i bollshëm dhe mjaft me interes nga fusha e së drejtës shqiptare, që autori pas një studimi të thellë, serioz dhe analitik të së drejtës zakonore shqiptare në përgjithësi dhe në veçanti të Kanunit të Lekë Dukagjinit, Kanunit të Skënderbeut dhe Kanunit të Maleve arriti të nxirrte përfundime mjaft interesante dhe shumë të vlefshme nga fusha e së drejtës, historia e saj, zhvillimi dhe bashkëveprimi i të drejtës zakonore shqiptare me aktet e tjera të nxjerra gjatë shekujve nëpër kancelari, gjykata e vende të tjera administrative në Shqipëri dhe jashtë saj, por që kishin të bëjnë drejtpërdrejt me të, pastaj nga përditshmëria e veprimit të së drejtës zakonore, veçanërisht në veri të vendit etj. Duke qenë njohës i shkëlqyer i zakoneve shqiptare të trashëguara brez pas brezi, por jo të shkruara dhe të edituara pothuajse asnjëherë deri në atë kohë, át Valentini i dërgoi burimet dhe dokumentet e redaktuara të korpuseve me dokumente që kishte në duar për botim, respektivisht vëllimin e parë, në vitin 1968 në Mynih dhe vëllimin e dytë më 1973 po në Mynih, duke lënë në dorëshkrim edhe një sasi të konsiderueshme burimesh e dokumentesh të cilat mendonte t?i botonte më vonë e që nuk u botuan kurrë, as sot e kësaj dite.

Si editor tashmë më përvojë, át Valentini e pajisi, për lehtësi përdorimi, secilin dokument të edituar në dy vëllimet e “Acta Albaniae Iuridica” me të gjitha indikacionet e domosdoshme, duke shënuar fillimisht datën e krijimit (kur kjo gjë ishte e mundur) pastaj, vendin e krijimit, autorin ose kancelarinë përkatëse që lëshon dokumentin, pastaj vendndodhjen e saktë të sotme të dokumentit (signaturën), arkivin ose bibliotekën përkatëse ndërsa me saktësi shënon titujt, kapitujt, faqet dhe editorët për botimet e teksteve të Mesjetës nga ku kishte nxjerrë fragmentet përkatëse duke shënuar se “ne nuk kemi ndërhyrë në botimet e editorëve të njohur, në tekstet që ata kanë botuar, por vetëm kemi përkthyer ose sjellë fragmentet e botuara nga ata“, gjë që në njëfarë mënyre e bën át Valentinin të heqë përgjegjësinë për gabimet dhe pasaktësitë e mundshme editoriale të botuesve të njohur të korpuseve të mëdha, të cilat mund të vërehen në disa raste në burimet e botuara.

Editimi dhe përzgjedhja ishte një punë shumë e vështirë. Kërkohej një metodologji e saktë e përzgjedhjes së pjesëve që duhej edituar, por njëkohësisht edhe lënda që studiohej ndodhej e shpërndarë në vende dhe botime të ndryshme. Përveç kësaj, e tërë lënda burimologjike ishte në gjuhë të ndryshme. Për këtë problematikë át Valentini shkruan: “Burimet në gjuhët greke, sllave e shqipe i kemi përkthyer në gjuhën latine; ndërsa burimet latine, italiane e frënge, nuk i kemi përkthyer, duke i sjellë siç ndodhen në origjinal, por, ato pak burime që janë në anglisht, gjermanisht e ndonjë gjuhë tjetër (bëhet fjalë për dokumente të dy shekujve të fundit) i kemi përkthyer në italisht“. Ky pohim i át Valentinit tregon se me çfarë përkushtimi dhe serioziteti i qasej redaktimit dhe editimit të këtyre burimeve duke qenë i vetëdijshëm se ishte themelues i një tradite të re, e cila më vonë do të vazhdohej me disa ndryshime të vogla nga studiues të tjerë, jo vetëm të huaj, por edhe shqiptarë.

“Acta Albaniae Iuridica” është vepra themelore burimologjike për historinë e së drejtës në Shqipëri dhe përkthimi i tyre i tërësishëm në gjuhën shqipe, pajisja me shënimet përkatëse kritike, me aparaturën shkencore, saktësimet e lëshimeve të editimit, hartimit të një “regesti” të plotë tematik e kronologjik, si dhe paraqitjes përmbajtësore të çdo dokumenti me disa rreshta në gjuhën angleze e shqipe në fillim të çdo burimi, janë një domosdoshmëri e kahmotshme, e parealizuar deri sot, e cila do të shërbente në shumë fusha dhe do të ishte e kapshme për të gjithë ata që merren me studimin e historisë së të drejtës në Shqipëri, por edhe të historisë e albanologjisë nga Mesjeta deri më sot. Përkthimi që është në fazën përfundimtare, pas një redaktimi profesional terminologjik nga ana e juristëve eminentë të fushave përkatëse do të shoqërohet edhe me një studim krahasues të burimeve të ngjashme të botuara në Shqipëri, si “Statuti i Drishtit”, “Statuti i Shkodrës” apo përmbledhjet e kodifikuara të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, të “Kanunit të Skënderbeut”, të “Kanunit të Labërisë” e ndonjë kanuni tjetër krahinor, nga ku mund të përcillen zhvillimet, ndryshimet apo ngjashmëritë e së drejtës zakonore shqiptare me burimet e shkruara.

Filed Under: Opinion Tagged With: Musa Ahmeti

Familja Doçi në Mamurras, falenderim dhe mirënjohje Vatrës

August 22, 2022 by s p

Familja Doçi nga fshati Fushë-Mamurras, në Njësinë Administrative Mamurras të Bashkisë Kurbin, në Qarkun Lezhë, nëpërmjet kryefamiljarit Asllan Doçi, ka falënderuar dhe shprehur mirënjohje Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA për ndihmën e dhënë në ndërtimin e shtëpisë së shembur nga tërmeti shkatërrimtar i datës 26 Nëntor 2019 që goditi Shqipërinë. Në letrën falenderuese kryefamiljari Doçi falenderon kryetarin Berisha, Kryesinë, Këshillin e çdo vatran për mbështetjen e dhënë në fatkeqësi. Një përfaqësi e Vatrës me në krye z.Mondi Rakaj dhe z.Tasim Ruko ndoqën nga afër përfundimin e punimeve kryesore dhe kryen takime rreth ndihmës që Federata Vatra do bëjë edhe për dy familje të tjera të prekura nga tërmeti.

Filed Under: Komunitet

Një ditë në Hylon Daycare

August 21, 2022 by s p

Një ditë në Mjediset parashkollore të Hylon Daycare është e pamjaftueshme për të kuptuar atë makrobotë fëmijënore që jeton aty , por një ditë në ato mjedise shërben mjaftueshëm për të parë dhe ndjerë paqen që mbështjell ai univers fëmijënor me dëshirat, lodrat, edukimin, argëtimin, zbavitjen dhe aktivitetet që ndodhin çdo çast aty.

“Nuk është e lehtë të menaxhosh tërë atë intensitet “ – shprehet drejtuesja e këtij institucioni edukimi zonja Frosina Shtëmbari Agushi.

Frosina ka studjuar Matematkë dhe Fizikë në Shqipëri , dhe prej më shumë se 25 -vjetësh jeton në Amerikë .Ajo mendon se duke ndihmuar fëmijët , familja ndjehet më e sigurt , prindërit fitojnë liri për të ushtruar punën dhe profesionin pse jo dhe karrierën e tyre

E pohoj me siguri këtë konstatim të saj pasi e dij mirë se sa e vështirë êshtë rritja e fëmijëve pa kujdesin e enteve të tilla sociale dhe edukative.

Shkolla që ajo drejton tashmë prej 5 -vitesh ka një program shumëplanësh edukativ dhe zbavitës që aplikohet falë stafit të liçensuar në shtetin e Nju Jorkut dhe përkushtimit maksimal si dhe kualifikimit të vazhdueshëm .

Mjediset fizike që shkollës të japin menjëherë përshtypjen e punës sistematke e kreative si dhe të rregullit e disiplinës .

Fëmijët janë të sigurtë në këto mjedise dhe për këtë janë të bindur edhe prindërit të cilët janë pjesë e pandarë e shumë fazave të edukimit ku përfshihen ;festat, argëtimet, organizimet e ndryshme e sistematike që janë të planifikuara në çdo fillim viti akademik.

Shkolla siguron edhe programe verore në mënyrë që edukimi përmes zbavitjes të mos ndalojë kurrë dhe fëmijët të jenë aktivë edhe gjatë verês.

Fëmijët socializohen me njëri-tjetrin, të folurit aplikohet , gjuha angleze për shumë fëmijë të sapo ardhur nga vende të tjera të botës promovohet e në këtë mënyrë nxiten aftësi dhe kreativitet që në moshë të hershme dhe promovohen ato .

Edukimi i hershëm në Amerikë është një proçes mësimor i cili ka prodhuar një kontigjent fëmijësh që mbartin një botë gjigande brenda trupthit të tyre të vogël dhe qëllimi i kësaj shkolle është nxitja e shoqërizimit dhe mos mbetja para ekratit të mediave të informacionit çka êshtë dhe trendi i kohëve të fundit .

E ke të pamundur të prekësh me sy aktivitet e panumërta që veshin e stolisin mjediset e shkollës e cila mirpret fëmijët nga mosha 3-5 vjeç , por nuk ke se si të mos ndjehesh i lumtur si ata kur ndjen se aty brenda fëmija yt, ynë , i tyre jeton orë të programuara e të aplikuara me aq mençuri falë familjes Agushi ( Frosina, Cindy dhe Artur) , stafit të mrekullueshëm edukativ , fëmijëve dhe prindërve .

Teksa mjediset e shkollês zgjerohen nga viti në vit nxitur nga nevojat e komunitetit përreth, Frosina mendon se ndjenja e përgjegjsisë dhe detyrimit për të ruajtur cilësinë në edukim mbetet vizioni dhe misioni i tyre..

Marjana Bulku

Filed Under: Komunitet Tagged With: Majana bulku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2103
  • 2104
  • 2105
  • 2106
  • 2107
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT