• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“BURGJET…” E DOM SIMON JUBANIT

August 6, 2022 by s p

-shkëmbim mesazhesh me botuesin e ri – nga thellësitë e ferrit pashë Jezusin në kryq.

Nga Visar Zhiti

Që libri “Burgjet e mia” i Dom Simon Jubanit doli dhe në gjuhën angleze, me një titull si varg lutjeje “From the depths of hell I saw Jesus on the cross” (“Nga thellësitë e ferrit unë pashë Jezusin në kryq”), besoj, nuk janë shumë veta që e dinë. Po që është përkthyer nga frëngjishtja, pra, paskësh qenë i botuar dhe në Francë, prapë janë pak ata që e dinin. Po që vitin e kaluar “Kujtimet” e tij i botoi në gjuhën amë, në shkodranishten e bukur të autorit, revista “Kens” me rastin e 10 vjetorit të shkuarjes së tij në amshim dhe me rastin e 20 vjetorit të botimit të tyre të parë? Prapë ende më pak veta e dinë. Po që botimi i parë i kujtimeve “Burgjet e mia” s’dihet në ç’shtypshkronjë u shtyp në atdhe, në Shkodër a Lezhë, Tiranë a Durrës a Gjirokastër, por libri u shpërnda keq, fare rastësishëm, por s’ishte e rastit që pengohej siç përndiqej autori dikur, nuk duhej të kishte përhapje, një lloj ndalimi, sa të ishte e mundur më shumë.

1.

Është një libër që guxon, që përplaset, rrëfime të kalvarit të një jete, nga meshtar në diktaturë në burgjet e saj me vite e vite, 26 vjet i dënuar në ferrin e të gjallëve duke akuzuar hapur diktaturën e diktatorin dhe pastaj lirimi i tij, por jo liria, rënia e perandorisë komuniste, me demokracinë e dyshimtë, me në krye ata që bënë dhe diktaturën dhe kjo jo vetëm e zhgënjen meshtarin rebel të burgjeve, por dhe e acaron dhe prapë kundërshton dhe ai vazhdon të predikojë qëndresën me forcën e kryqit dhe të karakterit, duke akuzuar sërish, që liderët e rinj si vazhdues të liderëve të vjetër, pa kursyer as bashkëvuajtësit, deri në zemërim, aq sa të vjen të thuash: libër i prapë i një prifti të prapë! Por është e vërteta e tij, pjesë e së vërtetës epokale.

Lënda e librit duket se është vuajtje pa mbarim, përndjekja mizore, përballimi i asaj vuajtjeje me rrugët e besimit dhe të moralit, me karakterin dhe shpirtin katolik arrin të sfidojë deri edhe kishën e tij ndonjëherë, atë çfarë atij nuk i pëlqen, kështu duket, ndërkaq do të jetë ai që do të celebrojë, fshehurazi dhe hapur, meshën e parë pas atyre dekadave të mynxyrshme, që kur Shqipëria ishte shpallur me kushtetutë si vendi i parë e i vetëm ateist në botë, që ndaloi religjionet, prishi tempujt e fesë, duke i shndërruar kishat e xhamitë në kinema e pallate sporti, në magazina bujqësore në fshatra dhe depo armësh për repartet ushtarake, duke mos u mjaftuar me kaq, por duke vrarë dhe klerin, sidomos atë katolik si më të kulturuarin, pra dhe më kundërshtarin.

Në burg do të flakej dhe Dom Simon Jubani, siç duket për të sjellë dëshminë e tij marramendëse, të acartë.

Që në fillim na tregon se si i helmojnë të vëllanë, prift dhe ai dhe vjen deri te demokracia e helmuar e vdekja e vet.

Një zbulesë ndryshe, rrëfyese, meshë dhe tortura, enveri-djall, që i pëlqen ta shkruajë këtë emër me shkronjë nistore të vogël, dhuna, puna dhunuese, bashkë me fitimtarët kishte ardhur dhe injoranca, thotë autori. Dhe si qytetar ai vetëshpallet se “Bëj pjesë në partinë e të vorfënve e të masakruemve, të viktimave të së djeshmes e të së sotmes”…

Dje dhe sot për Dom Simon Jubanin janë një vazhdim pa ndonjë ndryshim të thellë.

2.

Autori s’është më. Por siç duket jo vetëm e para, por edhe e fundit është fjala. Dhe desha t’i shkruaja përgatitësit dhe botuesit të kujtimeve të tij, shkrimtarit Lisandri Kola, ndërkohë dhe studiues e pedagog i letrave shqipe në Universitetin e Miçiganit, drejtor i revistës “Kens”, ku dhe ridoli vepra. “Burgjet e mia”, pajisur me parathënie të gjerë informuese dhe vlerësuese.

…studim, kritikë, dokument, dëshmi e specializuar dhe e lexueshme nga të gjithë, kulturologji, – shkruajta. – Është guxim që vjen prej së thelli nga vetë vepra dhe shëmbëlltyrë, parafjalë në karakterin e karakterit të autorit, si qëndrimet e tij, duhej dhe ashtu, – vazhdoja, – por ndjej keqardhje për çka shkruhet për një bashkëvuajtës të tij në Burrel, nuk kam qenë në burg me ta, por nuk flitej askund keq për atë nga të burgosurit që njoh. Subjektiviteti i të furishmëve dhe lëndon, por duhet të mësohemi me të vërtetat e tjetrit, t’i shohim sa të vërteta janë ato për të gjithë… Të lexoj/më Dom Simon Jubanin. Të qetësohemi nëpër shqetësime…

Keni bërë një punë me rëndësi, se edhe “pamëshira” është mëshirë e rreptë, – përfundoja mesazhin tim. – Mrekulli që vjen ky libër antimashtrim, me një si djall antidjall…

Dr. Lisandri Kola më përgjigjej:

Jubani asht i sertë si autor dhe ‘rebel’ (arrë gungçe e quen veten në librin e tij). Varianti i tij mbi Arbnorin (bashkëvuajtës yni, shën. im.) ndoshta asht unik, por censura, sapo libri pat dale, të lên vend për pikëpyetje shumë. Sidoqoftë, shumë të vërteta ndryhen në (ish)materialet arkivore. Siç e dini, ata edhe kur merren, censurohet nga vetë AIDSSH-ja. Pra, eleminohen emnat e deponuesve, spiunëve, bp, pseudonimeve etj.

Parathania në frangisht dhe anglisht, asht nga nji francez, mik i Jubanit që e pat ndjekë apostullimin e tij. Ai, si duket, ka sponsorizue dy edicionet. […].

Botimin 1 e ka kurue Ana Luka nën pseudonimin letrar Anza Shkodrane. Unë… mora leje mbas sa viteve në Arkipeshvinë e Shkodrës dhe po përgatisnim botimin, Biblioteka Françeskane e botoi në letër…

Sidoqoftë ne jemi të gëzuem se prej nji libri të censuruem, në 20 vjetorin e bot. 1, “Burgjet e mia” dhe 10 vjetorin e kalimit në Amshim të S.J., u botuen 4 versione: 2 shqip, 1 anglisht e 1 frangisht. Asht njimend mrekulli!

3.

Dhe unë do t’i shkruaja sërish:

…Kujtoja se s’kisha pse lexoja më për burgjet “tona”, por më mësoi si ta shoh më me ngulm të pamëshirshëm dhe burgun tim…

Libri më shkundëlloi, më preku, autori është i skajshëm, ashtu siç janë dhe të vërtetat e tij shpesh, duhet një qëndrim i tillë që s’kursen asgjë siç nuk na kursen “asgjëja”, sidomos kur është vrastare, e them prapë që ndjej keqardhje për bashkëvuajtësit, në parim jam me Dom Simonin, por mund ta thoshte të vërtetën e tij ndryshe, të mos lëndohen të lënduarit edhe nga ne, se ngjan si një hakmarrje e vonë, por gjithsesi e vërteta duhet, pa maska, e di unë ç’kemi hequr nga “spijunët e burgut”, më pis e gjynahqarë se jashtë… por, t’i lëmë të tjerat, të shohim ato që bëjnë kohë dhe histori, e madhërishme është mesha e parë, një hymn që vetëm Shkodra mund ta jepte si prelud e vetëm një kokëfortësi si prej shenjti e Dom Simon Jubanit mund t’ia dilte…

Kujtimet janë një vepër që duhet, ato janë dhe udhërrëfyese për të ardhmen, sidomos kur janë shkruar artistikisht bukur, pra është bërë alkimia e vuajtjes. E çmoj shumë autoironinë e sarkazmën, tradicionale, që Shkodra i ka…

Dhe Dr. Lisandri më përgjigjet sërish:

Falemnderit shumë… për mendimet dhe komentet rreth librit. Unë mendoj se profili i Dom Simonit, asht si episodi i Jezusit, kur dëbon tezgat prej tempullit. Pyetja asht, a duhet të ishte ma i ‘butë’ Jezusi me mëkatnorët? Besoj se nuk del veç nji përgjigje në këtë rast. Kështu e perceptoj dhe unë rrëfimin e SJ, i cili asht i sertë e i drejtë (aq sa asht njeriu). Objektiviteti dhe ‘radikalizmi’ narrativ, ndoshta i kanë mungue librit shqiptar mbas 90s. Forma e tij shkrimore, sugjeron reflektim dhe nxit institucionet për lëvizje…

SJ jep nji dëshmi, i takon institucioneve shqiptare me pohue ose provue të kundërtën, nëse gjithmonë ka ende dokumente për shqyrtim.

Por unë tham se kulmi i asaj vepre asht mbyllja, siç thoni edhe vetë, dhe ‘kontestimi’ i hierarkisë religioze sa i takon formimit teorik për shelbimin. Nëpër fletë sigurisht gjen perla të tjera, si psh ‘antikomunistët’ komunistë që Amerika i ka pranue në shtetin e saj. Rasti i djakonit, Ndoc Vasili alias Anthony Kapaj, i cili ka asistue komunistët për futjen e armëve në kuvendin Françeskan. Ai vdiq në ‘paqe’ para 3 vjetësh në New York. Stili mandej asht unik për narrativën e burgut.

4. Isha trallisur nga leximi. E gjithë vepra sikur mbart dhe këtë jehonë diabolike, mosndëshkimin e së keqes, që krijon klimën e saj. Dëmtohen ndërgjegjet dhe s’ka më përgjegjësira, as pendim e përkushtime ideale. Aq sa mua më duket si përgjegjegjshmëri negative, ku nuk janë mbyllur moralisht dyert e “Burgjeve të mia”, ngaqë nuk janë hapur Dosjet kobëzeza të diktaturës. Nuk mjafton të nxjerrësh se ç’dukuri sollën dëme, por dhe cilët emra i projektuan dhe cilët i zbatuan çnjerëzisht. Ku janë dhe ç’bëjnë? Ardhmëria nuk duhet të jetë përsëdytje e së shkuarës. Aq sa e vonë mund të (u) duket vepra e Dom Simon Jubanit tani, po ashtu dhe aq e parakoshme, ajo gjithsesi sërish vjen në kohë dhe, sa herë ta lexojmë, është koha e saj që jep porosi. Kujtoj/më kreun që e sheh Shqipërinë diktatoriale si një park zoologjik, kështu ishin bisedat e të burgosurve, ashtu e shihnin dhe burgun, si një rezervat. Një humor i trishtë, i zi, oruellian. Ndërkaq përdëllimi i autorit për vendin dhe gjuhën është i ndjeshëm ashtu si për të vërtetën dhe lirinë, që janë në madhësinë metaforike të zemrës së plagosur, kanë atë përfundje të saj dhe kulmojnë me Shkodrën e tij – “lagjen kryesore të Jeruzalemit Qiellor” – kështu e quan mahnitshëm. Dhe prapë një prapësi, deri në fund, na dalin dy epilogë siç nuk ndodh, njëri në tokë dhe tjetri në qiell. Sikur duan të theksojnë një mëdyshje që nuk është e autorit, por e realitetit. Epilogu në tokë është komedia e demokracisë shqiptare, siç do të donte ta quante Dom Simon Jubani. Nërsa Epilogu në Qiell është dërrmues, ka një qortim hyjnor, që vetëm një prift shqiptar si ai do të mund të guxonte ta shkruante, që kërkon në parajsë ndëshkimin, jo vetëm të keqes, por dhe të ushtruesve të saj si një zeje tmerri. Ja, Autori sheh veten të vdekur me një pikëllim ngazëllues, korp i lodhur… pa dhëmbë, të thyer dhe shkulur torturave, por dhe me buzëqeshjen e pashuar, shpotitësë, teksa shpirti shkëputet për të ikur qiejve për në parajsë… dhe atje takon Shën Pjetrin, por në vend të Shën Mëhillit me kandar aty, që peshon bëmat e njerëzve për të vendosur se nga do të shkohet, ishte tjetër kush, e pabesueshme, Enver Hoxha me kostum të bardhë, me kandar në dorë, madje dhe me flatra (?!?!). Si është e mundur? Këlthasim bashkë me autorin. Dom Simon Jubani ndërmend se kishte ndjekur një meshë dikur, ku një jezuit i huaj kishte predikuar se edhe në qofsh kriminel i botës, nëse pendohesh, qoftë dhe në minutën e fundit, kur je duke dhënë shpirt, e ke shëlbimin, udha për në parajsë është e hapur, e lejon kisha jonë. Si? Dhe Dom Simon Jubani, tani vetëm shpirt, vikat sërish me pezm hokatar: unë të gjej në parajsë dhe atë, diktatorin tim, të pafenë, që më kalbi në burg, jo vetëm mua, por popullin tim të gjithë? Atëherë dal unë nga parajsa. S’mund të jemi të dy bashkë…Dhe shpirti i tij endet rrugëve qiellore. Po tash nga t’ja mbaj? – pyet mes reve. “S’kam ku të shkoj larg teje, o Zot! Vetëm ti ke fjalë jete të pasosun” – përgjigjet po vetë me fjalët e Shën Pjetrit. Në fakt pyetja mbetet e hapur për Shqipërinë, që duhet të shkëputet në mënyrë drastike dhe me drejtësi nga e keqja e saj dhe të ngutet të shkojë në parajsën e vet, po me drejtësi dhe mëshirë, pra, në normalitetin e gjërave, në europianizmin e jetës, nëse mund ta themi. Është homelia e një prifti kështu, që pa Krishtin në kryq, pra veten, nga thellësitë e ferrit.

Filed Under: Komente Tagged With: Visar Zhiti

Kryqi keqndjellës i Marilyn Monro

August 6, 2022 by s p

Luan Rama

(60 vjet nga vdekja e Marylin Monro)

———–

Shumë vite më parë, që kur kisha parë atë fotografi të Marilyn Monro me një kryq të verdhë sipër fytyrës së saj në një ekspozitë të fotografit amerikan Bert Stern në «Musée Maillol» në Paris, kisha pyetur veten se përse ajo lloj shenje, ai lloj kryqi mbi fotografinë emblematike të bukurisë femërore të Hollivudit dhe të botës. Përse vallë ai kryq mbi atë ikonë moderne? Këtë në fakt ai do ta shpjegonte në librin e tij me kujtime ku Bert Stern shkruan dhe për atë çast sublim kur atij iu dha shansi i madh të fotografonte Monronë, ta kishte atë si model vetëm për vete. Revista «Vogue» i kishte kërkuar një seancë me Monronë dhe i shkathët siç ishte, Bern i kërkoi një seancë pozash dhe ajo çuditërisht papritur kishte pranuar pa bërë rolin e aktoreve të mëdha të Hollivudit. Thjeshtësia e saj ishte ndryshe nga yjet e kinemasë dhe kjo sigurisht nuk shpjegohej me faktin se atë kohë ajo ishte në një gjendje depresive kur luftonte me veten dhe botën e produksionit që i kërkonin të bënte të pamundurën në sheshet e xhirimit. Në fakt Bern mendoi se më mirë do të ishte një sallon hoteli, në një suite, ku të ishin të vetëm dhe të lirë, ndryshe nga një studio fotografi. Ai i foli për hotelin e këndshëm «Bel Air» dhe Marilyn pranoi menjëherë. Stern i kërkoi revistës “Vogue” vetëm disa shalle që ti kishte si aksesorë gjatë fotografimit dhe disa bizhuteri nëse do duhej, por sigurisht, një ikonë e tillë s’do të kishte nevojë për bizhuteritë.

Ngjarja ishte sensacionale: një ditë para se ky reportazh fotografik të botohej në revistë, Marilyn kishte vrarë veten. Ajo nuk arriti t’i shikonte të gjitha fotografitë e saj, veç serinë e parë, trupin nudo nën objektivin e Stern.

“Ajo ishte kulmi i sensualitetit femëror”, – thoshte Bern, duke e konsideronte si “hyjnia e parë amerikane, hynia jonë e dashurisë”. Përse vallë Stern kishte shkruar se “të fotografosh Marilyn do të thotë të fotografosh vetë dritën”? Mbase pse Stern e shihte bukurinë e saj gjithnjë në një fiksim fotografik në lëvizje. Ndoshta pse bukuria e saj qëndronte pikërisht në atë dinamikë lëvizjeje tepër të hijshme.

Ishte e habitshme! Ajo kishte patur një plagë në trup… Stern kishte shkruar rreth këtij detaji. kur ishte shtangur dhe kishte zbuluar plagën e saj në ije.

“- Po, është shenja e plagës time? – i kishte thënë ajo kur ai i kishte kërkuar që tashmë të bënin dhe një foto nudo.

– Nuk e dija që kishit një plagë… Çudi. Sapo kam fotografuar Liz Tajlor në Romë. Edhe ajo kishte shenjën e një plage në qafë.

– Më kanë hequr tëmthin para një muaji, – ishte përgjigjur Marilyn. – Por a do më duket?

– Nëse duket do ta retushojmë, – i kishte thënë ai… Megjithatë Stern nuk do t’i retushonte klishetë e tij, thua se do t’i cënonte fotot e ëngjëllit, –

Ai u përpoq ta imagjinonte atë çast të rrallë që mund ti jepej një fotografi të kishte para objektivit të tij një mit si ajo.

Sigurisht Stern ishte mrekulluar gjatë atyre seancave. Ai nuk e kishte besuar se pasi kishte kaluar disa orë me të në atë dhomë hoteli të kthyer në studio, dhe pasi kishin pirë shampanjë dhe bërë shumë fotografi, papritur ajo do të lëshohej dhe të pranonte të fotografohej nudo. Siç dukej ajo kishte nevojë të jepej e tëra, të ishte e lirë dhe ti dorëzohej objektivit. Ndoshta dhe vetë ajo e kishte kërkuar një çast të tillë. Kushedi dhe sa do të jetonte…

Atëherë, Monro jetonte krizën më të madhe të ekzistencës së vet. Pikërisht në një çast të tillë Stern i kishte thënë në mënyrë të shpenguar që ti hiqte të mbathurat, sikur ti thoshte të hiqte shallin.

– Dakort! – kishte thënë ajo dhe kishte shkuar në banjë ti hiqte.

Ishte pikërisht ajo që ai donte të fotografonte. Dhe Merilin u kthye. Trupi i saj i mrekullueshëm shfaqej pas atij tyli valë-valë në një lloj loje abstrakte dhe frustruese. Dhe kjo gjer në çastin kur ajo lëshoi tylin.

Pikërisht atëherë aparati ishte shkrepur. “Kjo foto ishte për mua… Seanca mbaroi…”, kishte thënë me vete Stern.

Ajo ishte veshur dhe pas pesë orë mbyllur në hotelin “Bel-Air”, ishte larguar duke buzëqeshur miqësisht. Por revista do ti kërkonte Bern-it dhe disa foto të tjera, Marilyn e veshur, meqë gjithçka kishte shkuar mrekulli. Marilyn ishte shfaqur përsëri, po aty në atë suite hoteli për të mbyllur ciklin e klisheve. Ishte prania e saj e fundit në celulozën e filmit.

Një rast i rrallë për një fotograf, ashtu si Gustave Courbet me modelen e famshme Johana Hifferman për tablonë “Origjina e botës”. Këto pikëtakime të rastësishme ndodhin rrallë në histori.

Stern nuk kishte mundur ta përballonte magjinë e trupit, të bukurisë. Madje ai kishte qenë në dilemën që të xhvishej dhe vetë në atë çast dhe të shtrihej pranë ëngjëllit lakuriq. Por nuk kishte guxuar. Kishte guxuar veç ta puthte.

– Jo! – i kishte pëshpëritur ajo, duke ngritur kokën drejt tij dhe si e humbur në një tjetër botë kishte shtuar: – “Ku ishit gjatë gjithë kësaj kohe?…”

Para se fotografitë të botoheshin, Marilyn i pa fotot e disa fotografive nudo dhe i vuri kryqin. Nuk donte të botoheshin, por Stern s’do ta mbante fjalën, siç ndodh në këto raste, apo siç kishte ndodhur me Simone de Beauvoir kur një mik fotograf dhe i afërt i të dashurit amerikan Algren, e kishte fotografuar duke veshur mbathjet e saj. Stern i botoi më vonë ato fotografi të tjera, vite pas vetvrasjes së ikonës së bukurisë.

Padyshim që këto fotografi na shpalosin bukurinë kulmore dhe hiret e një gruaje para së cilës u dha dhe vetë presidenti Kenedy. A ishte e vështirë ta fotografoje Marilyn? Po dhe jo mendoj. Jo sepse para objektivit do të ishte personazhi më i dashur i rruzullit, një portret i përsosur. Por ishte dhe i vështirë, sepse Stern nuk donte të bënte foto të zakonshme me kontraste në bardh e zi. Ai e vendosi atë në një atmosferë ajrore, disi gri, gati hënore sikur ëngjëlli të na vinte nga një tokë e largët për të na treguar hiret e saj. Marilyn luante midis trishtit, shampanjës, gëzimit femëror dhe dëshirës për të vdekur, për të ikur nga ajo botë gjithë zhurmë që po e mbyste ngadalë lirinë e saj. Ishte një çast i ëmbël i lirisë…

Filed Under: Fejton

Propaganda…

August 6, 2022 by s p

Agim Baçi/

Shumica e studiuesve dhe filozofëve që janë marrë me komunikimin dhe me pasojat e propagandës në shoqëritë e sotme, qofshin fetarë apo jo, qofshin mbështetës apo kundërshtues të propagandës, bien dakord se përkeqësimi apo përmirësimi i shoqërisë gjendet i pasqyruar në gjuhën me të cilën komunikohet. Pra, nëse një gjuhë shfaqet “e sëmurë”, atëherë edhe shoqëria do ta pasqyrojë këtë lëngim, pasi është pikërisht gjuha që mbart më shumë se gjithçka tjetër frikërat, ngërçet, dëshpërimin e, sidomos, urrejtjen. Propaganda, e mbështetur te reagimet instiktive, nuk mund t’i frenojë këto lëngime që i vijnë shoqërisë së sotme, pasi për propagandën nuk vlen e djeshmja e aq më pak shqetësohet për atë që ëndërrojmë ne për të nesërmen.

Përballë mungesës së leximit të së djeshmes dhe paaftësisë për të projektuar të nesërmen, ne kemi nevojë që të gjejmë rrugën se si të ndërtojmë një urë mes fjalës dhe qëllimeve tona. Kjo nuk është aspak e lehtë në një shoqëri që funksionon nën pushtetin e frikës se mund të humbim atë që kemi. Ndaj, ringritja nuk mund të nisë nëse nuk fillojmë të besojmë se frika nuk duhet të na udhëheqë në jetët tona, pasi frika ushqen vetëm emocionet tona duke u kthyer në parathënien e humbjes sonë, sidomos të humbjes së shpresës.

Filed Under: Analiza

FARI I ARBЁRISË

August 6, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika/

“Qindra vjet më parë, kur Shqipëria lindte vetëm trima e luanë, në qytetin e dëgjuar të Krujës………” – Fan S. Noli.

Studimi i historisë, ndër të gjitha shkencat humanitare, është ai që nxit më shumë flatrat e fantazisë, për t’u shkëputur nga jeta e zakonshme e çdo dite e për t’u kredhur në kohë të tjera, të afërta apo të largëta. Në këto përfytyrime lind dëshira për t’u njëjtësuar me ato kohë, mjedise, zakone e njerëz, me të cilët do të donim të nisnim një bisedë të gjallë edhe se na duken aq të largët, por që në thelb janë si ne. Edhe se kanë jetuar qindra apo mijra vite më parë, ndërmjet tyre e nesh shumë gjëra kanë mbetur të përbashkëta.

Njeriu lind, jeton dhe vdes. Me pak fjalë kjo është historia e njerëzimit. Lindja dhe vdekja janë dukuritë më të zakonshme, ndaj të cilave, njeriu, megjithë fuqinë e mëndjes, është krejt i pazoti t’i ndryshojë. Ato dukurí janë stacionet ku nis e përfundon udhëtimi i secilit mbi këtë planet të zgjedhur e aq bujar. Mes tyre rrjedhin ditët, javët, muajt, vitet, koha, një karvan i pandalshëm, që nuk njeh fillim e mbarim, por vetëm mbart e shkarkon pa ndërprerje, pa mëshirë…

Jetët e njerëzve ngjasojnë. Të gjitha përmbajnë në vetvete kush më shumë e kush më pak gazin, dhimbjet, kënaqësitë, lotët, dashurinë, urrejtjen, vuajtjen, mundimin, sakrificat, sodisfaksionet, zhgënjimet, dëshpërimin, fitoret, humbjet… Raporti ndërmjet tyre përcakton dhe atë që quhet fat e njëkohësisht dhe vendin që ze secili në bashkësinë njerëzore. Në këtë ecje të vazhdueshme e të pafund shumica dërmuese kalon pa lënë gjurmë, si ujët e lumit që derdhet në det, ndërsa pak, shumë pak shquhen, ngrihen përmbi të tjerët për nga fuqia e mëndjes, e shpirtit e karakterit. Kështu lindin profetët, shenjtët, burrat e shtetit, ligjvënësit, shkencëtarët, filozofët, strategët, shkrimtarët… Janë ata që japin drejtimin e ecjes, që emërtojnë kohët, që përcaktojnë ritmet, që ndriçojnë rrugët, paçka se ka ende nga ata që besojnë se “masat e bëjnë historinë”. Janë farët, vepra e të cilëve është pasuria më e çmuar që trashëgon njerëzimi në përgjithësí e çdo popull në veçantí.

Për ne, shqiptarët, fari më i shndritshëm që ndriçoi mëndjet e zemrat në rrugën e gjatë e të errët të ecjes sonë, qe Gjergj Kastrioti. Pér madhështinë e Tij, fuqinë trupore, aftësitë luftarake e shtetërore, meritat si apostull i Shqiptarizmit dhe mbrojtës i Krishterimit është shkruar kaqë shumë sa nuk mund të shtohet asgjë.

I paisur me dhuntí të rralla e forcë të pashembullt karakteri, u shqua mbi të gjithë bashkëkombësit e Tij për nga vlerat dhe pasojat e një veprimtarie që, pothuajse njëzëri, është quajtur sipërnjerëzore. Sot, në largësi kohe të konsiderueshme, mbas disa qindvjetorësh ecjeje në shtigjet e errëta e të thepisura të historisë sonë, ne kuptojmë më mirë se sa mbinjerëzore ishte gjithshka që përballoi e mposhti Gjergj Kastrioti, që nga fuqia ushtarake e Perandorisë më të madhe të kohës, në një nga kulmet e saj të forcës, e deri tek vështirësitë e formimit e të drejtimit të një kombi-shtet, të prirur më shumë për të ruajtur interesat klanore të principatave, se sa për të punuar për të mirën e tij. Kjo vepër madhështore, që bëri figurën e Tij simbolin më të spikatur të idesë së Kombit shqiptar dhe farin më të qëndrueshëm udhërrëfyes të historisë së tij, qe një epope çerek shekullore luftërash në truallin e lashtë të Arbërit, që vendosja gjeografike e kishte bërë të përballej gjithmonë me stuhitë e kohëve.

Turqit, të mahnitur nga cilësitë e princit arbër, i vunë epitetin Iskander-bej, princ Aleksandër, në ngjasim me botpushtuesin më të madh të lashtësisë. Nëse me të e bashkonte prejardhja etnike e aftësitë strategjike të luftëtarit, ndryshimet në karakteret dhe në prirjet e veprimtarive ishin të dukëshme. Aleksandri u shqua si një strateg botpushtues me aftësí të rralla që, në më pak se dhjetë vite, arriti të krijojë një nga Perandoritë më të mëdha të historisë së njerëzimit, ndërsa Skënderbeu spikati si komandant i ushtrive të vogla mbrojtëse, përballë sulmeve të fuqisë më të madhe ushtarake të kohës.

Të dy vdiqën të pathyer në beteja. Mbas vdekjes Perandoria e Aleksandrit erdhi duke humbur shkëlqimin, u coptua e mbaroi ashtu si Shqipëria që humbi lirinë e i u nënështrua natës së gjatë të pushtimit shumë shekullor. Këta fakte lartësojnë më shumë imazhin e personazheve, duke i vënë të dy në Panteonin e historisë botërore, e i bëjnë heroj kombëtarë të popujve të tyre.

Gjergj Kastrioti i u dorëzua amëshimit dhe historisë, por emri dhe vepra e Tij u bënë pjesë të indeve të shqiptarëve që, brez mbas brezi, e përcollën në këngët dhe legjendat, e ruajtën në kujtesë, në zemër, në vetëdije, në ritet e tyre në Shqipëri e kudo në botë ku vunë këmbë. Jeta dhe bëmat e Tij frymëzuan dhe shoqëruan çastet më të rëndësishme të shekujve, ngjarjet e hidhura e ditët e pakta të gazit. Figura e Tij plot shkëlqim, e përcjellë nga Barleti, ka hyrë në ndërgjegjen e Kombit shqiptar si një monument, me gjithë peshën legjendare të imazhit të shpëtimtarit të Atdheut. Por mbas këtij imazhi fshihet jeta e një njeriu, pjesa e parë e së cilës është më shumë e zhytur në mjegullën e legjendës se sa në saktësinë e fakteve të njohura.

Thuhet se lindi në qytetin e Krujës në vitin 1405, në familjen e një princi që ishte kthyer në vasal të Sulltanit si pasojë e betejave të humbura kohë më parë. Ishte mashkulli i fundit i familjes së Gjon Kastriotit dhe Vojsavës, që përbëhej nga katër djem e pesë vajza.. Duke marrë për të vërteta variantet e Barletit dhe Gjon Muzakës, në moshën tetëvjeçare së bashku me vëllezërit merret peng nga Sulltani për të garantuar besnikërinë e t’atit kundrejt tij. Ishte një goditje e fuqishme që do të rrëzonte në gjunjë edhe burra të sprovuar e jo më një fëmijë ende kërthijë, që papritmas gjëndet i vetëm, larg prindërve, vëllezërve, motrave, shokëve, vëndlindjes, në mes të një ambienti të panjohur, të cilit nuk i njeh as gjuhën. Por instikti i fortë mbrojtës i racës i jep forcën për të qëndruar.

Ishte trauma e parë e madhe që pëson në jetën e Tij. I duhet të mësohet me disiplinën e fortë të shkollës së jeniçerëve që është baza e fuqisë ushtarake të shtetit otoman. Aty mëson se jeta nuk të përkëdhel, nuk të fal asgjë, se gjithshka duhet fituar në një garë të pamëshirshme e të pafund. Episodet e ndryshme të dueleve e provave të forcës dëshmojnë për një pregatitje fizike e ushtarake të përsosur. Kështu ngjit shkallët e karjerës nën vështrimin miratonjës të Sulltan Muratit II, që i beson poste gjithënjë e më të rëndësishme, duke qënë i bindur se vitet kanë bërë punën e tyre e Skënderbeu nuk do të ketë tjetër synim veç lavdisë së Perandorisë. Gabohet Sulltani ashtu sikurse do të ishte gabuar kushdo që do të mendonte se dhjetëvjeçarët, nën trysninë e përditëshme të edukatës dhe mendësisë osmane, do të kishin mbytur në embrion çdo kujtesë të fëmijërisë, të familjes, të dheut të lindjes.

Malli dhe dashuria për familjen e shfarosur, për dheun dhe njerëzit e Arbërit ishin si prushi i mbuluar me hi, i pashuar në zemrën e djaloshit. Që këtu fillon sipërnjerëzorja në jetën e heroit, përballimi i një periudhe tridhjetëvjeçare në rolin e aktorit që duhet të rrezatojë besnikërinë për Sulltanin e, në fshehtësi, të derdhë lot të hidhur për gjithshka të dashur, nga e cila e kanë shkëputur me forcë që fëmijë. Duhej qëndrueshmëri e nerva të çelikta, por edhe një formim shpirtëror i pazakontë për t’i dalë në krye një gjëndjeje të tillë. Duhej forcë karakteri që buron nga ADN e molekulave dhe është pikërisht kjo forcë që përcakton personalitetin, i cili është në gjëndje t’i prijë e t’i paraprijë ngjarjeve me përmasa madhore. Në sajë të këtij karakteri, Skënderbeu i lavdisë otomane e i shkëlqimit të oborrit të Sulltanit ruan dhe mbron si gjënë më të shtrenjtë Gjergj Kastriotin, e lindur mes shkrepave të Krujës, duke përcaktuar si synimin kryesor të jetës jo lluksin, famën apo ofiqet vetiake por lirinë e Atdheut. Ai është i vetëdijshëm për rreziqet dhe vështirësitë e sipërmarrjes së lirisë, për të cilën ëndërron e thur plane, por karakteri e shtyn me forcë të hedhë mbas shpine dyshimet e t’i besojë Zotit në qiell dhe shpirtit liridashës të popullit të tij në tokë.

Kur i paraqitet rasti i parë për të sendërtuar ëndërrat, nuk nguron të veprojë me vrullin e një djaloshi e me pjekurinë e një të moshuari. Ishte tridhet e tetë vjeç, në kulmin e fuqisë së trupit, të shpirtit e të mëndjes e jeta i reduktohet në një qëllim të vetëm: liria e Vendit të të parëve.

“ Lirinë nuk u a solla un, atë e gjeta këtu mes jush…” janë fjalët e para që u drejton bashkatdhetarëve, në agimin e asaj epopeje të gjatë e zulmëmadhe që u bë kuintesenca e historisë së shqiptarëve. Entuziazmi i çastit madhor të Kombit i zbeh dhimbjen për dramën e Tij të brendëshme, atë të vetmisë që e rrethon. Nuk gjen më prindërit e vëllezërit kanë vdekur në rrethana të paqarta. Pranë ka vetëm një motër të re, të tjerat janë të martuara e nga ndarja me to kanë kaluar tridhjetë vite. Legjenda na thotë se Skënderbeu gjeti nënën, Vojsavën, së cilës pritja e gjatë dhe dëshpërimi i kanë humbur arsyen, sa që të mos njohë as të birin. Kjo do të kishte qënë goditje shumë e fortë për zemrën e Gjergjit që, në përfytyresën e tij, kishte ruajtur figurën e bukur të nënës së re e të përkëdhelive të saj, që ishte rritur me to në shpirt e fantazi e tani prekte me dorë pasojat tragjike të asaj dite të mallkuar, kur i grabitën fëmijërinë.

Por koha shtërngon e nuk i le shteg për të vajtuar. Arkivon në shpirt dhimbjen e merr përsipër detyrën e prijësit, në të cilën nuk ka më vend për jetën vetiake. Betejat e pabarabarta që e presin, për të cilat Ai, më shumë se kushdo tjetër, është i vetëdijshëm në rolin e Davidit i rrëmbejnë mendimet, energjitë, shqetësimet. Duhet organizuar qëndresa mbasi mllefi i Sulltanit për “tradhëtinë” është shumë i madh dhe kundërveprimi do të ketë goditje marramendëse. Vrapon për në Lezhë ku princave kolegë e bashkëluftëtarë mundohet t’u përcjellë një të vërtetë të qartë si drita e diellit: lirinë e fituar mund t’a ruajnë vetëm nëse janë të bashkuar e nuk i besojnë sirenave të huaja apo të interesave vetiake, nëse janë të ndershëm e të vendosur për të përballuar barrën që i bie secilit. Vitet e gjata të luftërave e vunë në prova, herë herë të rënda, besën e lidhur në Lezhë.

Me mobilizimin e principatës së Tij Krujë – Mat – Dibër dhe ndihmat e princëve të tjerë në pak kohë krijoi e stërviti një ushtri që pagëzohet në Torvioll me fitoren dhe lavdinë. Betejat pasojnë njëra tjetrën e buzëqeshjeve të shqiptarëve i përgjigjet rritja e famës së prijësit e lindja e shpresës së Evropës së krishterë në mbrojtjen e qytetërimit të saj. Mbreti i Arbërvet mbulohet me lëvdata e premtime ndihmash e mbështetje, sidomos mbas rrethimit të parë të Krujës, në të cilin qëndresa shqiptare shihet si dukuria më e dobishme e shpresëdhënëse për t’i vënë fre lakmisë pushtuese të Perandorisë osmane drejt Perëndimit të krishterë. Por ndihmat janë më shumë me fjalë se me vepra e vitet e luftërave lënë gjurmët e tyre në jetën e arbërve. Çmimi njerëzor e lëndor është i rëndë e prijësi, që e kalon pjesën më të madhe të kohës pranë luftëtarëve të Tij, vuan shpirtërisht. Ai nuk mban asgjë për vete nga trofetë e luftërave, u a shpërndan gjithshka oficerëve dhe ushtarëve. Ata janë për Të familja e madhe ndërsa Ai është për ata prindi, vëllai, mësuesi, gjenerali, komandanti, Mbreti. Në këto marredhënie gjendet edhe kyçi i fitoreve në betejat e vazhdueshme, i sukseseve e i jetëgjatësisë së tyre.

Megjithatë jo gjithshka ecën përsosmërisht në ata vite luftërash e lavdije. Jo gjithmonë aleatët janë të ndershëm e korrektë me Mbretin. Princi më i fuqishëm i Lidhjes, Gjergj Arianiti, e kërcënon me prerjen e ndihmave nëse nuk martohet me të bijën, Donikën. Kështu në moshën dyzet e gjashtë vjeçare Skënderbeu ndërton çerdhen e Tij familjare, për t’i dhënë Arbërisë edhe trashëgimtarët e kurorës e për të mbajtur të lidhur aleancën luftarake për lirinë.

Cmira ngre krye në disa raste e përcakton sjellje që dëmtojnë luftën e përbashkët, madje arrin të marrë edhe trajtat e tradhëtisë së hapur e të kalimit në fushën kundërshtare. Janë të tjera goditje që merr padrejtësisht Ai që kishte përbuzur lavdinë e Sulltanit për të mbrojtur lirinë e popullit të Tij. I rëndon shumë tradhëtia e gjeneralit të Tij më të mirë, Moisi Golemi e më shumë ajo e princit Hamza. I pari u tërhoq nga premtimet e turqve për të mundur Skënderbeun e për t’i zënë vendin Atij si Mbret i emëruar nga Sulltani. I dyti pasqyron një ves të lashtë, kompleksin e Kainit që, fatkeqësisht, jo rrallë vazhdon të jetë burim dramash e tragjedish edhe në ditët tona.

Hamzai ishte njeriu më i afërt që kishte Skënderbeu në shtabin e Tij, ishte djali i vëllait Reposh, që kishte vdekur si murg në manastirin e Hilandarit. Mbante ndër deje gjakun e Kastriotëve, edhe se nga nëna origjina ishte turke. Kishte ndarë me ungjin të gjitha dëshirat e projektet, që nga planet e thurura në Edërne deri tek marrja e vulës së Qatipit të Sulltanit në Nish, për t’u kthyer në “Krujën e bekuar” atë 28 nëntor 1443. Kishte luftuar me trimërí përkrah ungjit në betejat me turqit. Deri sa ungji ishte beqar Hamzai qe një djalë besnik e i qetë, kur Ai u martua në mendjen e tij filluan të shfaqen ide ogurzeza,

.Për shumë kohë, thellë në vetvete, kishte ëndërruar skeptrin e Mbretit të Arbërisë, por erdhi një çast në të cilin lindja e një fëmije i bëri pluhur e hi të gjitha ëndërrat. Trauma e pësuar çoi në një trallisje e çoroditje të ideve e të ndërgjegjes. Valët e fuqishme të ambicies për pushtet mbytën tek Hamzai parimet e ndjenjat deri në atë pikë sa t’i kundërvihet ungjit në krye të ushtrive armike. Sa i madh zhgënjimi e sa e thellë dhimbja në shpirtin e Gjergj Kastriotit, kur u gjend i tradhëtuar edhe nga nipi. Bota i u përmbys mbi kokë, por edhe një herë tjetër karakteri i jep forcë të përballë tragjedinë, sepse për një të tillë bëhet fjalë kur një Kastriot, gjaku i tij, pështyn mbi sofrën e të parëve e mbi sakrificat e një populli që lufton për mbijetesë deri në frymëmarrjen e fundit. Mbasi e ka thyer në betejë dhe e ka zënë rob, ndihet i paguar por çduhet të bëjë me të? Mbas këshillimeve me gjeneralët e Tij e një lufte të brëndëshme vendos t’i falë jetën, ashtu siç kishte bërë edhe me Moisi Golemin. Po ndërsa ky i fundit u kthye me të gjitha ofiqet në rradhët e ushtrisë e mbeti besnik deri në vdekjen e llahtarëshme, për Hamzanë dielli i Arbërit perëndoi e ditët e tij u ngrysën në një burg të Italisë, në një breg deti, por nuk ishte Adriatiku. Hamzai më vonë u kthye në Shqipëri duke jetuar në vëzhgim prej njerëzve të Skënderbeut, pastaj mundi të arratiset në Turqi, ku kishte lënë gruan dhe fëmijët. Atje thuhet se jetoi edhe ca kohë i përbuzur nga Sulltani dhe i urryer nga turqit, mbasi quhej shkaktar i humbjes së turpëshme të disa viteve më parë në Albulenë. Vdiq i helmuar nga turqit.

Zemra e lënduar e prijësit të Arbërit ishte një zemër e madhe, ishte përbërësi i dytë i personalitetit të Tij së bashku me karakterin. Në një kohë kur rregullat e kodit moral e shtetëror në periudhë lufte ishin pothuajse të ngurta, Ai arrin të falë tradhëtinë e vërtetë. Instiktivisht më vjen ndër mënd krahasimi me një tjetër prijës, që për gati gjysëm qindvjeti shumkush e vuri përkrah Skënderbeut si vlerë, që “tradhëtitë” e shpikura i dënonte me vdekje në serí, madje ishte krenar se serinë e kishte hapur bash me kunatin e tij….

Luftërat e pareshtura e raskapitën Vendin. Një brez shqiptarësh që i kishin filluar ato pa i u dirsur mustaqja, tashmë ishin të thinjur para kohe.Tokat e mbetura djerrë ishin treguesit e pakësimit të forcave njerëzore, ndërsa hordhitë e Anadollit nuk reshtnin së dynduri drejt trojeve të Arbërit. Fuqitë e prijësit kishin filluar të ndjenin peshën e një jete të tërë të kaluar mbi shpinë të kalit me shpatë në dorë. Nga ana tjetër vitet zulmëmëdha nuk kishin qenë aq bujarë me të nga ana shpirtërore. Shumë herë ishte plagosur zemra e heroit e shumë probleme kishte përballuar mendja e Tij. Cmira, zili e intriga të princave të ndryshëm e kishin vënë në provë të fortë durimin e Tij. Nga shokët e vjetër të luftës kishin mbetur pak. Ndihmat nga Italia fqinjë, mbas vdekjes së Papës Piu II ishin pakësuar ndjeshëm dhe arka e Shtetit, nëse mund të quhej i tillë, ndjente mangësi. Kishin mbetur të paprekura aftësitë strategjike të Komandantit dhe entuziazmi i ushtarëve e, në veçantí ai i atyre të gardës.

Gjergj Kastrioti e kuptonte se qëndresës së tij po i avitej fundi. Ishte i qetë në ndërgjegje, mbasi e kish kryer detyrën që i kishte vënë vetes në të rit e vet. Por e mundonte e ardhmja e Vendit të cilit i mbrojti lirinë për gati një të katërt shekulli. Parashihte se humbja e luftës, kurdo që të vinte, do të ishte me shumë dhimbje. Bashkatdhetarët e Tij nuk do të humbisnin vetëm lirinë, por edhe pasurinë e ndoshta edhe jetën. Thellë në shpirt mendonte fatin e gruas e të djalit, ende shumë të ri. Si prijës largpamës, të cilit i rëndonte në ndërgjegje e ardhmja e bashkëluftëtarëve që kishin ndarë me Të jo vetëm gazin e fitoreve, por edhe mundin, sakrificat e humbjet e njerëzve të dashur, kërkoi të gjejë një rrugëdalje. I drejtohet Ferdinandit, djalit të mikut të Tij Alfonsit, Mbret i Napolit, të cilit jo shumë kohë më parë i ka ndihmuar për të shuar kryengritjet e baronëve vartës të tij. Prej tij merr premtimin e mikpritjes së bashkatdhetarëve që do të braktisin Atdheun e pushtuar nga turqit.

Këto janë projekte që i përkasin një të ardhmeje kur Ai të mos ishte më në jetë, për çastin duhej vazhduar lufta, por duhej një tjetër besëlidhje, mbasi ajo e para ishte zbehur e kish humbur forcën vepruese. Thërret përsëri në Lezhë princat, mundohet të shuajë kundërshtitë e të sendërtojë një tjetër marrëveshje. Por trupi e shëndeti i Kryetrimit nuk i përgjigjen më dëshirave të Tij. Sëmuret nga malarja e në shtratin e vdekjes i buzëqesh për të fundit herë lajmit të fitores në një tjetër betejë. Fitoret vazhdojnë për inercí edhe se Ai nuk ishte më në krye. Por deri kur?

Para pak kohësh i është dashur të mundë në një betejë të përgjakëshme një tjetër arbër, që ishte vënë në shërbim të armikut, Ballaban Pashë Baderën, një tjetër bir të kësaj toke që vinte t’a shkelte atë me ushtritë e armikut.

Napoleon Bonaparti, kur u nis për në Shën Helenë, në vështrimin e fundit brigjeve të Francës, psherëtiu: “Eh Francë, të kishe më pak tradhëtarë!”. Ndoshta në netët e etheve kllapitëse të Lezhës edhe Gjergj Kastriotit i faniteshin në përfytyresë fytyrat e atyre që interesat e tyre të ngushta i vunë përmbi idealet e “shekullit të madh”. Ndoshta i vjen në mënd viti 1448, kur ngurimi i princave dhe pengesat e Gjergj Brankoviçit i bënë të humbiste mundësinë e bashkimit me Janosh Huniadin për të ndryshuar fatet e luftës se dytë të Kosovës e, ndoshta, të gjithë aventurës ushtarake turke në Ballkan.

Prijësi i Arbërisë mori një tufë thupra, i bëri bashkë e i a dha princave t’i thyenin. Mbasi asnjëri nuk arriti t’a kryejë veprimin, i ndau fije fije në mënyrë që të thyheshin lehtë. Kuptimi e morali janë ata të zakonshmit, të cilët i urti Gjergj kishte 25 vite që i përsëriste: vetëm duke qënë të bashkuar mund t’i qëndrohej së keqes, në të kundërt e keqja nuk do të kursente asnjërin. Ishte një nga mësimet e mëdha të Burrit më të shquar të kësaj toke, por që fatkeqësisht u vu në zbatim pak herë e pasojat i paguam në të gjitha kohët, deri në ato më të vonat….

Ai mbylli sytë në Lezhë duke mbjellë lotët në të gjithë sytë e arbërve, për të cilët do të fillonte periudha më e errët e historisë së tyre. U varros çuditërisht aty e jo në Krujë, ndoshta për t’i kumtuar historisë se Ai nuk kishte përkatësi krahine apo qyteti, i përkiste të gjithë atyre që flisnin gjuhën e Arbërit. Shpirti i Tij u ngrit lart në Qiell nga ku sodit me dhimbje dertet shekullore të Vendit të tij, ndërsa në të nuk i mbeti asgjë. Kockat i morën Turqit si hajmali të fuqisë mbinjerëzore të heroit, ndërsa armët përfunduan në Vjenën e largët. Për Arbërinë Ai, që lindi gjashtëqind vite më parë, mbeti fari i përjetshëm, i pashuar, i pakrahasueshëm.

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

U promovua në Krajë “Veshja e nusënisë Krajane”

August 5, 2022 by s p

U promovua në Krajë botimi etnografik me titull “Veshja e nusënisë krajane” i studiuesit të mirënjohur Hamid Alaj. Edhe pse në një mot percjellur me të nxehtin afrikan dashamirësit e librit nuk munguan ne evenimentin e përurimit të librit të autorit krajan i kthyer nga mërgimi në vendlindje për këtë promovim. Botimi që sjell një vlerë kulturore dhe etnografike për Krajën “Veshja e nusënisë krajane” ngjalli shumë interes te të gjithë pjesëmarrësit. Promovimi i librit u mbajt në shtëpin e kulturës në Ostros të Krajës.

Pjesëmarrja ka qenë e konsiderueshme në një ditë të nxehtë vere dhe evenimenti kulturor ka qenë i përcjellur nga moderatorja dhe kryetarja e Degës se Shoqatës “ Kraja” në Ostros-Krajë znj Medina Cura. Të pranishëm kanë qenë edhe televizioni TV Teuta dhe gazetarë të tjerë të sferës së kulturës e jo vetëm ku bie në sy ajo e Radio Tivarit në gjuhën shqipe znj. Drane Mavruçiq. Kumtesa për librin mbajtën z. Dr. Nail Draga ish-pedagog në Universitetin e Prishtinë, z. Ismet Kallaba kryetar i Shoqatës se Artistëve dhe Intelektualëve ArtClub nga Ulqini, ish mësuesi dhe aktivisti i dalluar nga treva e Krajës dhe jo vetem z. Ali Gjeçbitaj, znj. Luljeta Avdiu Cura kryetare e shoqatës OJQ “ Labeatët” ku njëkohësisht dorëzoi te autori i librit edhe një mirënjohje për kontributine tij të çmuar. Mirënjohje kjo dhënë autorit si pjesmarrës i konkursit të fotografin në vitin 2019. Pastaj të pranishmit me anë të një video nga New Yorku i pershëndeti dhe mbajti kumtesën e tij rreth librit edhe z. Dr. Paulin Marku ish pedagog Universitar nga Shqipëria dhe studiuesit në Akademinë Albanologjike.

Një karakteristikë tjetër e ketej evenimenti ka qenë se si kurrë me parë autori beri një nënshkrim të mjaftueshëm të librave për dashamirësit e librit. U njoh me figura të ndryshe të shkencës dhe dije në përgjithësi ku mund të veçojmë ate me Dr. Sabina Osmani pedagoge pranë Universitetit Shtetërorë në Mal të Zi me seli në Podgoricë.

Sponzor i këtij evenimenti ka qenë shoqata “ Kraja” ku autori i librit për disa vite ishte edhe kryetar i saj.

Pas përurimit të librit për nder te pranishmëve u shtrua një koktej në restaurantin “ Votra” në Ostros të Krajës.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Hamid Alaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2131
  • 2132
  • 2133
  • 2134
  • 2135
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT