• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

20 vite më parë, Familja Mbretërore kthehej përfundimisht në Atdhe

June 28, 2022 by s p

Shpëtim Axhami

Përgjetë Luftës së Dytë Botërore legalistët nëpërmjet Organizatēs Kombëtare Lëvizja e Legalitetit si formacion politik ushtarak luftuan dhe kërkonin që pas kësaj lufte forma e regjimit të vendosej me vullnet të popullit duke kërkuar vazhdimësinë e Mbretërisë Zogiste Shqiptare.

Të frikësuar nga kjo dhe faktit se kush ishte dhe çfarë përfaqësonte për shqiptarët Mbreti Zog I dhe Familja Mbretëror, , PKSH që tashmë luftën çlirimtare e kishtë kthyer në luftë civile për pushtet, sygjeruar dhe instruktuar nga të dërguarit e PKJ, i duhej të merrte masa për ta penguar një gjë të tillë.

Për këtë u thirr Kongresi i Përmetit i cili në një prej vendimeve antishqiptare të tij i ndalonte kthimin në atdhe Mbretit Zog dhe Familjes Mbretërore.

Me vendosjen e regjimit diktatorial komunist në Shqipëri nga viti 1944 Familja Mbretërore u detyrua ta kaloj jetën e saj në egzil duke lëvizur mundimshëm në shtete të ndryshme.

Pas viteve ‘90 edhe pse kishin kaluar rreth 10-vitë nga vendosja e pluralizmit në Shqipëri, akoma Familja Mbretërore nuk ishte kthyer në atdhe.

Kjo, sepse na paska qenë në fuqi akoma vendimi absurd i turpshëm e antishqiptar, i cilësuar më sipër, ai i Kongresit të Përmetit.

Këto absurditete kishin vetëm një emër;

Frikë e klasës politike të asaj kohe për mbështetjen që do kishte Mbreti Leka I dhe Familja Mbretërore në popull duke i dhënë një profil tjetër skenës politike shqiptare.

Situata politike, ekonomike e sociale sot do të ishin ndryshe.

Kjo u duk në Nëntorin e vitit 1993 ku me mbërritjen e Mbretit Leka I në atdhe, për herë të parë që nga viti 1939, mijra shqiptarë vërshuan në mbështetje të Tij e për të e takuar atë.

Të alarmuar dhe frikësuar nga ky interesim i madh, funksionarë të lartë të SHIK-ut dhe Policisë së Shtetit, kuptohet të urdhëruar, kërkojnë kthimin në Rinas dhe largimin e Mbretit nga Shqipëria, gjoja për shkak të “problemeve me dokumentat”

Në vitin 1997 Mbreti Leka erdhi përsëri në Shqipëri ku udhëhoqi fushatën model të referendumit për ndryshim të formës së regjimit.

Edhe pse në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, ndryshe nga çdo politikan tjetër, Ai lëvizi i mirëpritur në katër anët e vendit duke mbjellë shpresë e siguri për të ardhmen.

Ky referendum u fitua, rezultati dihet dhe sot pranohet nga të gjithë, por klasa politike bashkëpunuese dhe përfituese mes veti nuk mund ta pranonin një gjë të tillë, sepse për ta vendosja e kësaj forme qeverisjeje do të ishte një pengesë e madhe kundër çdo abuzimi te tyre.

U sajua i ashtëquajturi tendencë për “grusht shteti” e Mbreti Leka I do të largohet përsëri nga vendi i vet, kështu ju interesonte…

Ishte viti 1998 kur kryetarët e të gjitha partive opozitare në atë kohë, parlamentare dhe joparlamentare, për të i dhënë fund sajesës së mësipërme, deklarojnë dhe firmosin një dokument ku ndër të tjera thuhej.

…i bëjmë thirrje Mbretit Leka I për t’u kthyer në atdhe…

Pas kësaj, me nismën e grupit parlamentar të PLL në vitit 2002 dhe me ndikimin e faktorëve të tjerë u bë e mundur arritja e një marrëveshje politike ku kryetarët e të gjithë grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë firmosën një deklaratë, në të cilën shkruhej;

“Duke respektuar Familjen Mbretërore Shqiptare, jemi të bindur se respektojmë themelimin e shtetit modern shqiptar nga Mbreti Zog I. Me kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe, merr fund një padrejtësi e shkaktuar nga pushtimi fashist dhe diktatura komuniste”.

Deklarata e firmosur në këtë kohë nga 74 deputet ishte gjithpërfshirëse sepse deputetët që e kishin firmosur atë i përkisnin grupeve të ndryshme parlamentare, Familjes Mbretërore po i kthehej borxhi dhe e drejta e nëpërkëmbur deri tani.

Në këtë deklaratë firmosur nga deputetët thuhej.

“Ne deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të mbështetur në vlerësimin që kemi për historinë e Shtetit Shqiptar dhe vazhdimësinë e tij juridike, si dhe në zhvillimet e sotme demokratike, paraqesim kërkesën tonë që Nëna Mbretëreshë Geraldinë dhe Familja Mbretërore Shqiptare të vijnë e të jetojnë përgjithmonë në Shqipëri”.

Kjo me patjetër ishte një arritje edhe pse e vonuar.

Lajmi u hap në të katër anët dhe çdo shqiptarë, kuptohet kryesisht zogistët-legalistë, mezi po e prisnin këtë ditë.

Më 28 qershor 2002 me mijëra legalistë dhe qytetarë të ndryshëm nga të gjitha trojet shqiptare kishin pushtuar Tiranën dhe rrugët e Rinasit për të pritur Mbretin e tyre dhe Familjen Mbretërore.

Në atmosferën festive mes flamujve kombëtar, veshjeve kombëtare valleve dhe këngëve, kujtdo minuti i dukej muaj dhe vapa e kohës asnjërit nuk i bënte përshtypje në pritje të Mbretit të tyre.

Malet e bukura hijerëndë të Shqipërisë përuledhin në këtë pritje madhështore dhe fushat kishin shtruar tapetin e mirëseardhjes.

Me datë 28 Qershor 2022 ora 11.15 në Rinas ulet avioni që transportonte Familjen Mbretërore nga aeroporti i Johanesburgut për në Tiranë.

Për momentin një qetësi pothuajse e dirigjuar, dukej se shqiptarët kërkonin falje për atë që padrejtësisht regjimi komunist i kishte shkaktuar Familjes Mbretërore.

Familjen Mbretërore Shqiptare e përbërë nga: Nëna Mbretëreshë Geraldinë, Mbreti Leka I, Mbretëresha Suzan, Princi trashëgimtar i kurorës Leka II tashmë kishin shkelur në tokën e tyre.

Mbreti Leka për mediat e shumta do të shprehej;

“Dua të falënderoj popullin shqiptar, shtetin shqiptar që na dha këtë rast me u kthye në atdheun tonë”.

Karvani i gjatë i makinave kishte marrë rrugën drejt Tiranës ku pas 63 vitesh në mërgimi po kthente Familjen Mbretërore përfundimisht në atdheun e vet.

Sot Familja Mbretërore e vendosur pranë Oborrit Mbretëror në Tiranë, me dinjitet po luan një rol të rëndësishëm e të gjithanshëm në shërbim të kombit dhe atdheut.

Princi LEKA II, si trashigimtarë i Fronit Mbretëror, me një sistem qeverisës Mbretëri Kushtetuese që duhet te vandoset sa më shpejt, mbetet për ne dhe gjithë shqiptarët si shpresë e vetme e zhvillimit dhe e Bashkimit Kombëtar.

Sot në 20 vjetorin e kësaj dite të shënuar, i urojmë Familjes Mbretërore, bekimet më të mira të Zotit, si dritëshprese për shqiptarët.

Prandaj më tepër se kurrë në këtë situatë të trazuar ku gjendet kombi ynë ne duhet ta kemi obligim të madh bashkimin me njëri-tjetrin, për të mundësuar pas 83 vitesh, ndryshimin e rendit kushtetues në Shqipëri.

“ATDHEU MBI TË GJITHA” 🇦🇱

Mbreti ZOG I

“PAQE BASHKIM VLLEZËRIM”🇦🇱

Mbreti LEKA I.

Tiranë më, 28 Qershor 2022.

Filed Under: Histori Tagged With: Shpetim Axhami

“UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË

June 27, 2022 by s p

Gazetarja Salie Gajtani-Osmankaq, autore e librit “Unë Jam Anemone” në  bashkautorësi me “Medica Gjakova”, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli të Federatës Vatra në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, ekspozon me detaje për publikun, punën e jashtëzakonshme në mbledhjen e 25 rrëfimeve të personave, të mbijetuar të dhunimeve seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Të gjithë këta persona janë dëshmitarë të gjallë. Rrëfimet e tyre janë të bazuara në ngjarje të vërteta. Mesazhi i këtij libri është kërkimi i drejtësisë, dënimi i kriminelëve  dhe eliminimi i dhunës seksuale në konflikt kudo në botë.

“UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE E KRIMINELËVE SERBË

Ky libër vjen si zë kundër heshtjes së gjatë, ndrojtjes, frikës e stigmatizimit që u është të mbijetuarve të dhunës  seksuale gjatë luftës,  për gati 20 vjet pas saj.  Libri erdhi në kohën kur u përmbushën disa rrethana që rrëfimet e këtyre të mbijetuarve, gra e burra të moshave të ndryshme. Rrethana këto, jo lehtë të kalueshme.  Pra, libri erdhi atëherë kur të mbijetuarit të dhunimeve ishin pajtuar të ndanin rrëfimet e tyre me neve. Kjo gatishmëri erdhi pas trajtimeve që ndër vite ua ofruanprofesionistë të fushës së traumave të dhunimeve nga Organizata gjermane medicamondiale, e cila pastaj barti kompetencat tek partneri i saj vendor “Medica Gjakova”. Këto dy organizata partnere pastaj kishin marrë iniciativën që kjo anë e historisë sonë të rrëfehet, e të sillet në formë libri. Mua mu bë ftesë që ta shkruaja këtë libër. Ftesa më erdhi, pasi që profesionistë të organizatës ishin të bindur se unë jam personi i duhur që mund ta bëja këtë punë, pra të shkruaja rrëfimet e dhunimeve që ishin bërë gjatë luftës. Kështu nisëm bashkë një rrugëtim, unë dhe “Medica Gjakova”, me mbështetjen e vazhdueshme tëorganizatës gjermanemedicamodiale. Rrugëtim, ky që mbase do të mbetet i përjetshëm. Sepse, ne jemi të vetëdijshme për peshën historike të këtij libri, të cilën do ta bartim me vete ndër vite, deri në fund të jetës sonë. Mesazhi i këtij libri është kërkimi i drejtësisë, dënimi i kriminelëve  dhe eliminimi i dhunës seksuale në konflikt kudo në botë.

MBLEDHJA E DËSHMIVE TË KRIMEVE E DHUNËS SEKSUALE NË LUFTËN E KOSOVËS

Janë vetë organizatat ato që kanë kërkuar e gjurmuar në identifikimin e të mbijetuarve të dhunimeve, në mënyrë që ata tëndihmohen. Dhe nuk kanë qenë personat e dhunuar ata që kanë shkuar tek organizatat për të kërkuar ndihmë.  Kjo, për arsye se këta persona kanë pasur ndjesinë e trupit për atë që u ka ndodhur. Janë ndier të paragjykuar, tëvetëmohuar, të izoluar nga bota dhe të stigmatizuar.  Të gjitha këto janë bërë pengesë që ata të besojnë se ekziston dikush, ku ata mund të hapin zemrën dhe të flasin për atë që iu kishte ndodhur, pa i paragjykuar apo fajësuar. Prandaj, edhe ka qenë e vështirë që të këta persona të takohen, e të binden se mund të integrohen në shoqëri, e t’i kthehen jetës normale, pa bërë askush me gisht kah ta. Por, falë këmbënguljes, gatishmërisë dhe profesionalizimit të organizatës medicamondiale dhe “Medica Gjakovës” kjo gjë edhe është arritur.  Dhe tani, përpos ndihmës në aspektin psikologjik, “Medica Gjakova” iu ofron këtyre tëmbijetuarve edhe ndihmë në fuqizimin ekonomik, të punësimit dhe socializmit mes vete. Në Kosovë janë katër organizata joqeveritare që u ofrojnë ndihmë profesionale të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

INSTITUCIONET NË KOSOVË DHE NEVOJA URGJENTE PËR ZBUTJEN E TRAUMAVE TE PERSONAT E PREKUR

Në fakt institucionet janë vonuar së tepërmi për t’iu ofruar ndihmën e nevojshme personave që kanë përjetuar dhunime gjatë luftës. Deri në vitin 2015, institucionet kanë heshtur karshi kësaj anë të historisë së luftës, deri kur u miratua Ligji për njohjen e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Është formuar një Komisioni qeveritar që punon në këtë drejtim, i cili ka nisur punën në vitin 2018, por se deri më tani të drejtën e reparacionit (pensionit mujor prej 230 euro në muaj) e kanë fituar afro 1.000 të mbijetuar të dhunës seksuale, 300 raste të tjera janë në procedurë të shqyrtimit, kurse afro 300 të tjera janë refuzuar.  Gjithsej deri tani për të marrë këtë status kanë aplikuar vetëm afro 1.600 persona, nga rreth 20.000 persona, që thuhet se kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Arsyeja se përse ka aplikuar ky numër kaq i vogël, është se të mbijetuarit e dhunimeve vazhdojnë të refuzojnë të aplikojnë për të marre pensionin, për shkak të frikës se mund tëidentifikohen e pastaj edhe të gjykohen nga familja dhe shoqëria, apo edhe për arsye se marrja e këtij pensioni do t’ua rikujtojë përherë ngjarjen traumatike që iu ka ndodhur.  Nuk ka të dhëna nëse këta persona janëpunësuar apo integruar nëpër institucione. Por, ajo që ne dimë, është se këta persona janë bërë pjesë e fuqizimit ekonomik, si komponentë e punës që po bën “Medica Gjakova”.

KRIMET E SERBËVE KISHIN SYNIM DEPERSONALIZIMIN E INDIVIDIT DHE SHKATËRRIMIN E FAMILJES NË KOSOVË

Se dhuna seksuale është përdorur si armë lufte në Kosovë, kjo nuk do asnjë dilemë. Krimet e dhunimeve, padyshim që janë bërë me paramendim, sepse serbët e njohim mirë mentalitetin tonë, dashurinë dhe ndjeshmërinë që ne e kemi për familjen. Dhe duke atakuar këto vlera, ata kanë synuar shkatërrimin e familjes dhe moralit shqiptarë. Me këtë,do të shkatërronin edhe popullin shqiptarë deri në qelizë, që është familja.

SERBIA DUHET PADITUR PËR GJENOCID NË KOSOVË

Mendoj se Kosova ka bazë dhe arsye për ta paditur Serbinë për gjenocid gjatë luftës së vitit 1998-1999. Ne madje edhe jemi vonuar që ta bëjmë këtë. Por, jam optimiste se kjo gjë do të ndodhë në një të ardhme të afërt.

“UNË JAM ANEMONE” LIBRI ME 25 RRËFIME TË TRISHTA NGA LUFTA

Libri ka gjithsej 25 rrëfime të personave, të mbijetuar të dhunimeve seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë. 24 nga këto rrëfime janë histori që u kanë ndodhur grave dhe vajzave, dhe njëri rrëfim është i një burri. Të gjithë këta persona janë dëshmitarë të gjallë. Rrëfimet e tyre janë të bazuara në ngjarje të vërteta.  Ndërsa, partnerët që kanë  ndihmuar dhe mbështetur realizimin e këtij libri, janë organizatat “Medica Gjakova” dhe “MedicaMondiale”, pa të cilat ky libër nuk do të jetësohej. Falenderuese për jetë atyre!

Filed Under: Analiza Tagged With: SALIE GAJTANI

DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT

June 27, 2022 by s p

Prend Ndoja/

Dritan Abazoviqi është një figurë briliane në politikën e sotme. Kemi shumë çka të mirë të flasim për të. Por, edhe këtë sikurse edhe shumë të tjerë nga mendjet e ndritura sa e sa herë pretendojnë që t’i japin një pamje me ngjyra të ndryshme. Dritanin, që është një zë SHQIP jashtë trojeve të lira,mbi hapësirën e tokës së tij stërgjyshore ende rënkon gjëma e roberisë.Ndërsa disa nga ne,të lirë,në gjuhën tonë,me shkronjat tona,pretendojmë të bëhëmi zë i huaj për Dritanin tonë,shqiptarit të parë Kryeminstër i Malit të Zi.Si duam ta shohim dhe ta pasqyrojmë vëllain tonë Dritanin?

Siç është në fakt,si një politikan që shndërrit në imazhin tonë kombëtar,si një nevojë që mbushi zbrazëtinë e shekujve,si një njeri adekuat në kohën e duhur për kombin tonë.

Apo…ta shikojmë dhe personifikojmë sipas shijës sllave, me emra dhe etiketime të turpshme.

Dritanin,duhet ta kuptojmë

edhe përtej asaj çka ne degjojmë nga ai. Ne dëgjojmë cfarë atij i lejohet nga shteti i tij,që teorikisht ta thot për kombin tonë,pasiqë në realitet ai është Kryministër i Malit të Zi.

Por më e rëndësishme është t’i shërbej kombit që sa të zhurmoj me fjalë “artistike” si patriot.

Duhet ta kuptojmë rrugëtimin e shkollimit dhe edukimit të tij, atë udhë nuk e ka kaluar as në Shqipëri dhe as në Kosovë, por në shkolla ku shumë nga ta nuk donin që as ta dëgjonin emrin „shqiptar“,pra është ngritur në kushte specifike përball me shumë armiq të kombit tonë. Dritani nuk erdhi rastësisht në politikë,as nuk erdhi duke ju përshtatur rrjeteve kriminale me pushtet siç ndodh sot…

Por përmes shkallëve të shkollimit,edukatës dhe kulturës politike,gjë që një përgatitje e tillë politike shumë po mungon sot në hapësirën tonë politike.Mendoj që për t‘i realizuar qëllimet në mes dinakërsië sllaviste që i është dashur të lundroi edhe në ujët e

vështira,të pakëndshme,mund të them që edhe të rrezikshme për të arritur aty ku fjala dhe vepra e tij e bëjnë efektin e vet ne të mirë të kombit,aty ku asnjë shqiptarë nuk arriti gjerë me tani në Kuvendin e Malit të Zi. Një udhë të tillë për mes shtigjeve sllave është vështirë të paramendohet që mund ta kalonte një shqiptar.

 Per pos një lançimi (të korrektuar më vonë,rreth origjinës së Gjergj Kastriotit)në parimet tjera është aktual dhe njohës i mirë i pamjes politike të Ballkanit në të ardhmen.

Bota,e në veçanti Europa po ballafaqohet me një ambient të pakëndshëm politik.

Moska është futur udhës së pa kthim për humbjen e perspektivave të saja,por edhe të ndryshimeve impresive të atmosferes politike në rajon dhe me gjerë.

Natyra në politikën evropiane patjetër që do ta ndërroi pamjen dhe strategjinë e sajë,nga profesionalizmi dhe zgjuarsia e disa njerëzve tonë në pushtet,do te realizohen shumë ëndrra të moçme ne interesin kombëtar.

Me një fjalë ,shqiptarët do të bëhën një faktor i rëndesishëm në sferën politike në Ballkan dhe në Evropë,andaj Dritani, është më se i nevojshëm si një ndër shtyllat qëndrore të politikës, në të mirë të kombit tonë.T’i respektojmë dhe t‘i duam njerëzit tonë,sepse ata janë NE!

Filed Under: Analiza Tagged With: prend ndoja

Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York

June 27, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Si bashkëthemeluese dhe mësuese e Shkollave Shqipe “Alba Life”, që operojnë në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe në Online për një periudhë rreth 15 vjeçare sjellë pranë jush me krenari se Shkolla Shqipe “Alba Life” është  një  histori suksesi për shkak të  misionit kombëtar që mbart dhe rritjes së  numrit të  nxënësve.  Nuk do të bej teori për Gjuhën Shqipe, por do të  flas me fakte dhe vepra reale rreth mësimit të Gjuhës Shqipe në Diasporë, kur tragjikisht miliona shqiptarë  ndër shekuj po e humbasin të  folurën dhe të shkruajturin e Gjuhës Shqipe. Të  gjithë  këta miliona shqiptarë që nuk flasin shqip nuk i kuptojnë dot teoritë, por duan veprim konkret, mësim shqip që t’ju hyjë direkt në  gjak.

Kur në klasa, auditoriume, skena interpretohet gjuha shqipe kam besuar se Zoti është ulur pranë dhe ka prekur zemrat e vogëlushëve për mos ta harruar kurrë Gjuhën Shqipe.

Duke pasur privilegjin të jem mësuese e Gjuhës Shqipe midis dy kontinenteve doemos që jam frymëzuar pa kushte nga thesari i çmuar pedagogjik i elitës kombëtare.  Sa herë jam ndalur para klasës dhe gati duke prekur qiellin kam interpretuar vargjet për Gjuhën Shqipe nga Fishta i Kombit.  Fjala e tij rrjedh e gurgullon nëpër dejet e mësuesit si në këto vargje:

“Nëpër gjuhë shqipe bota mbarë/ Ka me ju njoftë me ç’fis ju keni/ Ka me ju njoftë ju për shqiptarë/ Trima n’za sikurse jeni”

Sigurisht që puna e stafit dhe e mësuesëve të shkollës sonë, nuk ka qenë e lehtë pasi aktualisht gjuha shqipe nuk është pjesë e programeve amerikane të nxënësve si gjuhë e dytë, prandaj ne jemi ndeshur edhe me vështirësi për regjistrimin e nxënësve, por me përkushtim kemi munduar të zgjidhim edhe vështirësitë e shtrirjes së madhe që ka Nju Jorku duke hapur degë në çdo lagje te tij.

Gjatë gjithë aktivitetit të saj shkolla jonë vëmendjen kryesore e ka përqëndruar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies pasi ky është edhe faktori kryesor që e bën nxënësin dhe prindin të jetë i interesuar për mësimin e Gjuhës Shqipe. Dihet mirë që fëmijëve në fundjavë ju pëlqejnë më shumë aktivitetet sportive dhe argëtuese, prandaj ora e mësimit të gjuhës shqipe duhet të bëhet cilësore që të ngjalli interes tek nxënësit. Dhënia cilësore e mësimit dhe përgatitja me metoda didaktike e pedagogjike nga mësuesit e kualifikuar kanë bërë që Shkolla Shqipe “Alba Life” nga një shkollë të vetme që e hapi 15 vjet më parë në Staten Island të bëhet me shkolla në të gjithë Nju Jorkun. Ky është një sukses dhe një sfidë qe ju kemi bërë vështirësive.

Sipas planit të drejtorisë së shkollës çdo vit në javën e fundit të muajit gusht kemi organizuar seminare me mësuesit e shkollës sonë për t’u njohur me të rejat në programet mësimore e regjistrimet e reja si dhe për të shkëmbyer përvojat e mësuesëve, por vitin e shkuar duke patur parasysh që ishte vit i pandemisë punuam më fort dhe bëmë një punë më intensive gjatë gjithë muajit gusht.

Zhvilluam seminare për përgatitjen e mësuesëve për të përdorur platformën “Google Meet” për të dhënë mësim në Online.  Çdo mësues përgatiti dhe prezantoi një mësim të hapur para se të fillonte shkolla dhe e shfaqi para stafit të shkollës. Kjo metodë bëri që secili mësues të ndihej më i sigurtë për t’i përballuar vështirësitë teknike që kishte platforma “Google Meet”.

Gjate vitit mësimor ne zhvillojme pesë programe artistike kushtuar: Pavarësisë së Shqipërisë, festat e fundvitit, Pavarësisë së Kosovës, 7 Marsit dhe mbylljes së vitit akademik. Kete vit themi me krenari se zhvilluam festivalin për herë të parë me shkollat shqipe “Alba Life” nëNew York ku ishte tejet i suksesshëm.  

Përgatitja e mësimit nga mësuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” është bërë duke përzgjedhur e përshtatur të gjitha materialet didaktike e tekstet e miratuara në ministritë përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës.  Çdo mësues bën një përgatitje për çdo orë mësimore përdor Power Point të shoqëruara me figura dhe vidio të ndryshme.  Ato e kanë bërë më interesante orën e mësimit pasi siç dihet nuk është e lehtë të mbash para ekranit një fëmijë një orë të tërë mësimore pa një përgatitje cilësore.

Une dua të përmend se shumë nxënës që vinë pranë shkollës sonë kur dalin në jetë ata kthehen kur kanë mundësi dhe të takojnë plot nostalgji dhe mall.

Psh. një nxënës në universitet më shkruajti një leter shumë të bukur dhe mallëngjyese që më përloti pasi ndjeva nga afër përvojen e shkollës në mësimin e gjuhës shqipe.

Me njohjen e historisë dhe të figurave të rëndësishme gjatë procesit mësimor kanë ndikuar pozitivisht takimet virtuale si dhe fizikisht me disa figura të rëndësishme.  Po përmend së fundmi vizitën e kryeministrit të Kosovës z.Albin Kurti, të zv/kryeministers Donika Gërvalla të Ambasadores së Shqipërisë ne Washington D.C. znj. Floreta Faber, dhe me mjaft interes nxënësit e shkollës sonë kanë ndjekur përshëndetjet e Presidentit të parë të Kosovës z.Fatmir Sejdiu, Kongresistit Joe DioGuardi, Ambasadorit Amerikan William Walker, Ambasadores së Shqipërisë ne Washington D.C. znj. Floreta Faber, minisrit të jashtëm të Shqipërisë z.Ditmir Bushatit, Ambasadores Teuta Sahaqija, Ambasadorit Frymëzim Isufaj, e shumë të tjerë.

  Mjaft prindër na kanë shkruar dhe përgëzuar se sa shumë ka ndikuar metoda e mësimdhënies në formimin e fëmijëve të tyre duke i përgatitur ata për të njohur rrënjët e të parëve, Atdheun e tyre dhe historinë e lavdishme. Nxënësit kanë fituar shkathtësi dhe shprehi gjuhësore, nëpërmjet kallëzimit, shpjegimit, demonstrimit, vidiove virtuale, përsëritjes si dhe ushtrimet nëpërmjet teksteve përkatëse.  Mësueset në bazë të metodave pedagogjike me formën e të përshtaturit të veçorive të moshës së nxënësve e zbatojnë si një parim te rëndësishëm të didaktikës që mbështetet në teorinë e njohjes.

Kjo përvojë e jashtëzakonshme e Shkollës Shqipe “Alba Life” ka sjellë rritjen e cilësisë në mësimdhënie duke tërhequr vazhdimisht shumë nxënës nga të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe kjo punë profesionale është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me koordinatorët, të gjithë mësueset e Shkollës Shqipe “Alba Life”, të cilat gjej rastin t’i falënderoj publikisht në këtë takim me Pegasianët.

Gjuha Shqipe nëpër këto shkolla ndihet më e zjarrtë, far ndriçues, ndjellëse e zemrave për të  ndihmuar Atdheun nga fëmijët e Diasporës, të cilët ndodhen në çdo cep të globit.

Shkolla është bërë e pandarë me binomin Komb dhe Gjuhë Shqipe. 

GJUHA SHQIPE NA BASHKON!

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj të dashur kolege dhe ju uroj suksese! 

Përgatitur për veprimtarinë ndërkombëtarë në favor të gjuhës shqipe dhe identitetit, organizuar nga Akademia Alternative Ndërkombëtare “Pegasi” dhe platforma “Successful Mothers” Londër,

Autorja ka marrë titullin: Kalorësi i Urdhrit të Flamurit, është shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit.

25 qershor, 2022

New York, USA

Filed Under: Komunitet

Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë

June 27, 2022 by s p

Aleksandër Çipa/

Zoti e krijoi botën për shkak të vetmisë,- shkruan diku rumunofrancezi Emil Cioran. Sepse e ndjeu si askush se çështë të jesh i Vetëm. Dukr ecur në këtë fillim ditësh të vapta nëpër Lunxhëri, lehtësisht në meditim të mbetet konstatimi se përgjithësisht viset janë të Vetme, si bota. Sa të shumta janl të vetmet në përbashkësinë ekzisguese!!!

Lunxhëria është e bukur ai në vetmevete!

Nokova, njç fshat në epiqendrën e shtrirjes fizike të saj në brigjet she pjerinat në rëzë të malit të Çajupit. Përkundruall Gjirokastrës. Lunxhëria është një ndër pasqyrat ky qyteti sheh si në të linjta një botë tjetër shijeje dhe estetike që kanë mishëruar brezat njerëzorë të lunxhiotëve. Një botë me drita të shumta fisnikërie, të zhytura në gjelbërim parqjsor.

Në Nokovë u afrova kësaj here të shquaja diçka më tepër prej vetëmsisë dhe vjetërsisë së kishave. Janë kisha të hershme. Janë të Atëhershme,…. domethënë të një kohe kur nuk kishte ndarje, por vetëm zanafilla e të vetmes pa mbërrit vetmia.

Në murret disa qindra vjeçarë të kishave të Nokovës ka hieroglive dhe gurë që të lenë në ndiesinë e shtatëzanisë me kohën e palindshme të së shkuarës. Ka një fisnikëri si në leximet tona për mesjetën arbërore. Nën pllaka gurësh të vjetër dergjen njerëz të princtë. Heshtja e tyre vetanake, si element kuptimthënës prej natyre, është për ata që ishin. Madje vetmia dhe heshtja e fshatit, të krijon iluzionin se i gjegjet këtij urdhri providencial, pra të perëndishëm. Në sokakë nuk ka njerëz, por ka frymë lirike dhe ajër kangjelik. Si në kangjelet e De Radës, por për një vis pa det. Kambanat janë të rënda, por me heshtjen e tyre e bëjnë edhe më të pranishme dhe më imponuese vetëmsinë e këtij fshati.

Ka një histori me emra të njohur udhëtarësh të përbotshëm, kryeministra, profesorë, klerikë për vilajete e për peshkopata, zejtarë e barinj trëndelinash dhe bija dhe bij me dritë lezetesh si në letërsinë e madhe.

Në rreshtin e portave me dryn dhe vetmi, e gjetëm një të hapur. Në pragun e saj një zonjë me hiret që ia dhuron me mbartje edhe moshës së rëndë. Na fton duke hapur portën me dorezë dhe trokitës. Brenda saj nuk ka vetëm sofa, por është obori i brendshëm me lule. Në këtë fshat të duket sikur fryma e luleve është dhe në jastëkun e dhomave të gjumit. Ndërsa ngjyrat janë segmentet e parajsës në duar zonjëzash e nënash.

Nokova nuk ka shumë njerëz, por kjo vetmi e së Vetmes, nuk është frymë mërzie. Më shumë është vis si imazh i pritjes edhe për ata që s’vijnë e s’mund të vijnë. Gjithësesi është fshati që fle në prehër vetmish, por që zgjon si të vetme, çdo ditë e çdo mbrëmje të vetën. Zërat e ujërave nëpër burimet ndanë vreshtave, janë një kod zanor për jetën që vjen dhe shkel mbi të gjumtën nën gurë e në gjuhëza kambanash. E vetmja thirrje duke ikur, më vjen lehtësisht në gjuhë në formën e një kënge deradiane:” Bini ju kambana, bini!!”

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2193
  • 2194
  • 2195
  • 2196
  • 2197
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT