• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”

June 24, 2022 by s p

Luan Topçiu/

Festivali Botëror i Poezisë Mihai Eminescu, i cili zhvillohet në qytetin e Craiova-s të Rumanisë, u mbajt nga data 17 deri më 22 qershor të këtij viti. Ai u organizua nga Akademia Ndërkombëtare “Mihai Eminescu”, Biblioteka Qendrore e Qarkut Dolj “Alexandru dhe Aristia Aman “, Këshilli i Qarkut Dolj dhe Bashkia e qytetit Craiova. Poetë  nga të gjitha kontinentet morën pjesë në edicionin e 9-të të këtij festivali: SHBA, Itali, Francë, Turqi, Francë, Suedi, Shqipëri, Kosovë, Marok, Rumani, Meksikë, Bullgari, Greqi, Ukrainë, Senegal, Kongo, Serbi, Maqedoni, Kazakistan, Azerbaxhian, Iran etj.

Në këtë edicion morën pjesë dy autorë shqiptarë, Visar Zhiti – një nga poetët më të mëdhenj të gjuhës shqipe – si dhe poeti i mirënjohur kosovar – Jeton Kelmendi. 

Në ditën e dytë të Festivalit Botëror të Poezisë “Mihai Eminescu”, u promovua vëllimi “Kodi im për të nesërmen”, i cili përmbledh poezitë e shkrimtarit dhe profesorit kosovar Jeton Kelmendi. Vëllimi është botuar nga Shtëpia Botuese Revers dhe paraprihet nga një parathënie e akademikut rumun, Constantin Barbu. Ai është pjesë e kolanës “Planeti i Poezisë”, përzgjedhur nga Constantin Barbu dhe Ion Deaconescu.

Jeton Kelmendi (lindur më 1978), anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve në Salzburg (Austri) dhe profesor në Universitetin AAB në Prishtinë, është një poet i rëndësishëm modern në gjuhën shqipe, poezitë e të cilit janë përkthyer në dhjetëra gjuhë të huaja, në të gjithë globin, duke përfshirë edhe rumanishten.

Visar Zhiti fitues i çmimit të madh të festivalit

Më 21 qershor në Muzeun e Artit të qytetit Craiova u zhvillua ceremonia vjetore e ndarjes së çmimeve, siç janë Çmimi i Madh i festivalit si dhe Çmimi Special, ofruar nga Akademia Ndërkombëtare “Mihai Eminescu”. Ishin të pranishëm personalitete të kulturës rumune dhe të jetës kulturore, por jo vetëm. Presidenti i Akademisë “Mihai Eminescu”, profesori universitar Ion Deaconescu, në ceremoninë e organizuar me këtë rast, përpos çmimeve speciale, shpalli dy fitues, i pari ishte poeti amerikan William Wolak, (për edicionin e tetë të vitit të kaluar, çmim i vonuar për shkak të pandemisë) dhe si Fituesi i Çmimit të Madh për vitin 2022 u shpall një nga poetët më të mëdhenj të gjuhës shqipe, i vlerësuar dhe i dashur nga lëçitësit e poezisë, Visar Zhiti. Vepra e Visar Zhitit është bërë e njohur në Rumani përmes botimit të 4 librave në gjuhën rumune, në poezi dhe në prozë (Të përkthyera nga autor i këtyre radhëve). Shtypi letrar dhe kritika letrare rumune, së bashku me kritikë të njohur të huaj kanë vlerësuar Visar Zhitin si një autor të shquar të letërsisë bashkëkohore botërore, si një zë të veçantë të shoqërisë së sotme, si një model letrar dhe njerëzor të veçantë, si një timbër i fuqishëm i dhimbjes njerëzore nën diktaturë, si një poet lirik dhe lëvrues i poezisë menditative.

Çmimi i Madh që mban emrin e poetit më të madh të gjuhës rumune, Mihai Eminescu, i dhënë nga juria ndërkombëtare e përbërë nga kritikë të shquar si dhe poetë me famë ndërkombëtare, përbën, padyshim, nivelin më të lartë të vlerësimit të një poeti. Poeti Mihai Eminescu, konsiderohet një pikë referimi për kulturën rumune dhe atë botërore, një modelues i madh për shumë shkrimtarë dhe artistë rumunë dhe jo vetëm. Eminescu është arketipi i supozuar i çdo rumunfolësi, i çdo personaliteti që është identifikuar me gjuhën dhe kulturën rumune. Eminescu mbetet edhe sot një model kulturor dhe një model estetik.Ky model u asimilua edhe nga shkrimtarët shqiptarë që jetuan dhe u formuan në hapësirën kulturore rumune (Asdreni, L. Poradeci, M. Kuteli etj). 

Ekspozita fotografike “Poetika e hapësirës shqiptare” e autorëve: Ahmet Axhushi dhe Ardian Fezollari

I ndodhur në qytetin Craiova, shkrimtari Visar Zhiti pati rastin të merrte pjesë në hapjen e ekspozitës fotografike “Poetika e hapësirës shqiptare”, organizuar nga Shoqata e Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) në hollin qendror të UniversitetittëCraiova-s. Ekspozita përfshiu 40 vepra të artistëve Ahmet Axhushi dhe Ardian Fezollari, të cilat sugjeruan një udhëtim nëpër peizazhet e hapësirës shqiptare: brigjet e Adriatikut dhe Jonit, Liqeni i Ohrit, Alpet veriore të Shqipërisë,  qytetet, fortesat dhe vendet arkeologjike në qendër dhe në jug të vendit.

Në hapjen e ekspozitës, shkrimtari Visar Zhiti shprehu vlerësimin e tij për artistët, për veprat e ekspozuara, si dhe për të gjithë aktivitetin kulturor që kryen Shoqata e Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë. Kjo ekspozitë u kurua nga Dr.Luan Topçiu, koordinator i Qendrës Kulturore Shqiptare pranë ALAR, dhe u realizua me mbështetjen e Konventës së Organizatave Studentore të Universitetit të Craiova-s.

Botohet vepra madhore “Fjalori historik i Shqipërisë”i Robert Elsie në rumanisht

Të mërkurën, më 22 qershor, në Bibliotekën e Qarkut Dolj, “Alexandru dhe Aristia Aman” në Craiova, u bë prezantimi i vëllimit “Fjalori historik i Shqipërisë” i Robert Elsie, përkthyer nga anglishtja në rumanisht nga Dr. Radu-Cosmin Săvulescu. Kjo vepër mbresëlënëse prej 648 faqesh, u botua nga Shtëpinë Botuese Asdrenie Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë dhe është pjesë e një serie prej tre fjalorësh kushtuar Shqipërisë të albanologut të ndjerë kanadez, Robert Elsie (1950-2017). I pranishëm ishte dhe deputeti Bogdan-Alin Stoica dhe kritiku letrar Marius Chelaru.

Akordimi i Çmimit të Madh të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Mihai Eminescu” Visar Zhitit, solli në vëmendje të publikut të huaj kulturën dhe letërsinë shqiptare, vlerësimin ndaj përfaqësuesve emblematikë të saj. Shtypi dhe mediat vendase pasqyruan këtë eveniment, shoqëruar me një material mbi Visar Zhitin. Komuniteti i shqiptarëve me rastin e vlerësimit të poetit shqiptar ndihet në mënyrë të ligjshme krenar. Nga ana tjetër, ekspozita fotografike “Poetika e hapësirës shqiptare”e artistëve Ahmet Axhushi dhe Ardian Fezollari si dhe promovimi i vëllimit voluminoz prej 645 faqesh“Fjalori historik i Shqipërisë”, i Robert Elsie-së, sollën gjatë këtyre ditëve të qershorit në vëmendje të publikut rumun kulturën dhe vlerat shqiptare.

Filed Under: Politike Tagged With: Luan Topciu, Visar Zhiti

DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

June 24, 2022 by s p

De omnibus dubitandum

 “ De omnibus dubitandum” –   tha latini.

Kierkegard   citat  kopsiti dhe njëherë,

Marks, Robin Hudi i Hegelit  si pinguini

E futi nën pupla   për t’a vjedhur përherë.

Në libra … kjo  thënie në  kohë pa diell

Më mësoi t’ ecja mbi bajoneta i palënduar, 

N’ dimrin e acartë dhe  nën tokën   thellë

Kur shpresa grishte   sërish qiellin e kulluar. 

Porsa u bëra një apostull i paqes  së shtime,

Sofër  shpirtin  për ata që i kish dënuar Zoti!

Minj , gjarpërinj hynë nën sqetullën time ,

Gjaku i keq , t’ pabesë …  kurtizane  moti .

Përsëri më gëzon luftë  e fituar vështirë,

Duke kujtuar Abraham në Sadomë – Gamorë…

Që iu lut engjëjve : – Zot ,  fal në ka  të mirë ?!

Dhe un’ lutem  për ata që kan’  besë e Orë .

Burri i urtë

Një rrenaxhi e burracak

Bash delenxhi e matrapaz

Loz si zengjin ky rjepacak

Në qafë gurë  fallso  topaz:

– A e dini more të mjerë 

Çfarë  kam varur në qafë 

Që dhe  dimrin e bën verë

Qaf’n e patës e bën xhirafë!

Serbes në derë tek dyqanxhi:

-Merhaba birinxhi argjendar! 

Sa okë ke ti me inxhi 

Me peshu kyt gurë n’ kandar ?

M’ durim e kundron  argjendar

Prej në gisht deri në kokë: 

– Çun, për si ti nuk kam kandar…

Shes me gram dhe s’blej me okë!

Unë ju them

Unë ju them  kush keni qenë dhe kush jeni!

Ju , më thoni si më quajti  enverizmi …

Baballarët tuaj dhe fiset prej qeni

Ku lindi lehja , krimi, hajnia e bullizmi?!

Ethtrinjë ! Unë vij nga larg dhe  shkoj më larg…

Atje ku mbretëron paqe , dashuri  e nur ,

Mijëra  ngjyra lulesh ,  bahçevanë  engjëjt  varg ,

Ombrellë ajri…, fron bisqesh   stolis me  bozhur.

Këshillë

Mëshira asht sevap, dritë

Për të humbunin zhytun  në terr…

Por , keni me u zhgënjye   tue pritë

Qi  dialli  një ditë me u ba berr !

Njeri, ç’është miku

Njeri , po t’ pyes ç’është miku…

a është  shpirt apo urë ?

Apo ishte , s’ësht çifligu…

gëlqere , ar dhe pëlhurë !

Ju do m’ thoni  mijëra fjalë… 

torbën plot  me  pleonazmë ,

buzagaz mbi t’ bardhin  kalë

Do u them kush është fantazmë…

Jeta ka dy dyer

Ka grenza  ka  dhe  bletë…

Aderencë  e genesisë ,

Në dy dyer kalon   jetë :

Një e djallit ,  një e Perëndisë.

Samartari dhe Duka 

Dukë mbi kalë ngreh si kokosh

Fisnik nga soji por kok’ bosh

Nis  me u tall me samartar

Jo si Dukë , as  si hokatar:

-Si i bëhet more djalë 

Me e vu  një  samar mbi shalë ?

– Kam dëgjuar shalë mbi samar 

Këtë e di  kërriç   e  gomar !

Lacrimosa (Moxart-Luçino) Përkthim

Lacrimosa dies illa                                       (Latinisht)

Qua resugent ex favilla

Judicandus homo reus. 

Huic ergo parce , Deus;

Pie Jesu Domine

Dona eis requiem. Amen.

Mbushur me  lotë  at’ ditë                            (Shqip )

Prej pluhuri ka me u ngritë… 

Fajtori  gjykimin ka me marrë.

O Zot me e falë ;

Jezus mëshirëplotë

Jepja  paqen n’ at’ botë. Amen !

——————————————–

*- De omnibus dubitandum = Dysho për gjithçka.

Shprehje Latine  që e perdori Kierkegaard  dhe Marks. 

Ky i fundit e beri  “quoten”  e tij. 

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj

100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022

June 23, 2022 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, organizon Simpozium Shkencor ditën e Enjte më datë 28 Korrik 2022 ora 7.00 PM, në Selinë Qëndrore të Vatrës me adresë: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458.

Komisioni i Organizimit të 100 vjetorit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane : Elmi Berisha – Kryetar, Agim Rexhaj, Alfons Grishaj, Ervin Dine, Frank Shkreli- Anëtarë.

Koha e dorëzimit të Kumtesave që do mbahen në Simpozium Shkencor është nga data 15 – 20 Korrik 2022. Çdo kumtues do të njoftohet për pranimin ose jo të kumtesës nga Komisioni deri më datë 25 Korrik 2022.

Kumtesat duhet të dërgohen në adresën: gazetadielli@gmail.com

Me nderime

Komisioni Organizativ.

Filed Under: Featured

Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës

June 23, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Poezia është ura më e fortë lidhëse midis shpirtrave të ndryshëm të kombeve. Përmes motiveve që ndjellin dhe shpirtin poetik të së shkuarës, magjinë e momenteve të së tashmes dhe avenirin e ëmbël të ëndrrave, poezia krijon mikrokozmosin dhe makrokozmin e botës shpirtërore të njeriut. Por sa universale dhe e përgjithshme duket në pamje të parë, në fakt është po aq e veçantë dhe individuale.

Ajo mesa duket është një reflektim i asaj që Herderi e quan dhe Volksgeist-“shpirt i kombit”, që dashur pa dashur reflektohet në veprat e autorit.

Librin poetik “Copa e qiellit” i autorit Xhevdet Bajraj, mund të themi me vetdije të plotë që është një zbulim i vërtetë për lexuesin në Shqipëri , por besoj edhe më tej sepse poezia e tij përmes ekonomizimit të vargut, metaforës së ngjeshur dhe leksikut të thjeshtë transmeton një ndjesi humaniste të së përditshmes të ngritur në art. Kjo ndjesi të përforcohet në pjesën e parë të vëllimit poetik “ E bukur dhe e marrë”, ku autori shqetsohet për lulet që ashtu si fëmijët lindin duke qarë, apo kur te poezi “Të jetuarit”, i përngjet një jargavani që ngjitet mirit të ditës e lulëzon nga tmerri. Por tmerri i jetës së përditshmes zevendësohet shumë shpejt në poezinë e Bajrajt në tmerrin e vërtetë të mbijetesës njerzore duke shprehur dramën njerzore të popullit të vet, që në vitin 1999 e provoi mbi shpinë ndjekjen dhe shpërnguljen etnike. Në pjesën e dytë të librit të rrëqeth në kujtime të mbrapshta tmerri, poezia “Djali ishte gjashtë vjeç, vajza tetë dhe qanin”, ku përshkrimi i një dhunës së rrëmbimit të lë pa fjalë. Poeti e braktis frakun e shqetsimeve të përditshme për lulet dhe zogjtë dhe vesh kustumin tradicional të gjamës së popullit të vet. Gjithësesi kjo dramë ballkanike përshkruhet me minuta e detaje që përmbajnë brenda vetes së tyre art e mjeshtëri vargu.

Përdorimi i përkthimit në spanjisht përkrah poezive në shqip të jep jo vetëm ndjesinë e komunikimit ndërkulturor, por në fakt të shtyn në shqyrtime të ndikimeve spanjolle dhe anasjelltas në jetën kulturore të dy popujve. Që nga periudha e Këngës së moçme ulqinake të Ago Ymerit, ku bardi popullor shqiptar thyen rregullat e gjuhës dhe Spanjës i referohet e zeza Spanjë( një mendje alla kadarejane mund të spekullonte duke pyetur, a thua vallë ta kish parashikuar ardhjen e diktaturës së Frankos, bardi popullor shqiptar?), Spanja dhe spanjishtja në fakt na ka dhuruar shumë diell përmes poezisë së Lorkës, Unanimos, Rafael Albertit etj përmes përkthimeve gjithë jetë të Petro Markos dhe Plasarit. Kjo atmosferë si ndikim kulturor e ndjen në vargjet e këtij libri të hapur ndërkultutor ku botës ballkanike i përngjitet dhe bota meksikane nën një autoritet të lartë si është kultura spanjolle.

Poezia moderne shqiptare ecën përmes shtigjeve të ballafaqimit të kulturave, ushqimit të saj me metafora dhe motive nga kultura vendase por edhe nga kultura e përbotshme duke shënuar poetë që e tejkalojnë veteveten dhe kulturën lokale duke i dhuruar njerzimit vargje të përbotshme. Prova dhe sfida e tyre nuk është vetëm me të sotmen , por e dhe me të ardhmen. Ashtu si sot shijomë një varg të lashtë të inasve të shkurar në qipu, nga një autor anonim se e “vërteta më e madhe janë zogjtë dhe lulet”, edhe poetët do gjykohen edhe përmes fragmenteve të vargjeve të tyre që di mbesin memories së ajrit dhe të leximit. Kam përshtypjen se autori, rreshtohet pa hezitim në këtë aradhë të letrave shqipe.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dorian Koci

NJË PYETJE (NEVE) PËR QËNDRESËN

June 23, 2022 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/

Çfarë do të kishte ndodhur nëse në vend të përgjigjes me armë mësymjes ruse, ukrainasit të mos kishin lëvizur asnjë gisht e t’i kishin lënë ushtrisë së Putinit të pushtonte qetësisht Kievin, duke përcaktuar natyrisht rënien e, madje edhe zënien e Zelenskit? Është kjo pyetja që duhet t’i bëhet atyre që vazhdojnë të shprehin dyshime mbi mundësinë dhe kuptimin e qëndresës së atij Vëndi mësyesve. Që duhet t’u bëjmë atyre që me një përçmim kryelartë kanë folur madje për “mistiçizëm të qëndresës”, nga i cili qënkeshin të infektuar ukrainasit e marrë.

Mbi përgjigjen e pyetjes së bërë në fillim  është vështirë të ketë dyshime. Të mos bëhej qëndresë do të thonte thjesht fitore të plotë të Putinit brënda 48 orësh e pra fati I Ukrainës në dorë të tij. N’atë pikë, me shumë gjasë, nuk do të pasonin as sanksionet nga ana e Perëndimit (ose do të kishin qënë sanksione të rreme, si ata mbas Krimesë). Ndërsa qëndresa me armë e popullit ukrainas ka qënë e gjërë dhe e guximëshme. Ajo ka patur pasojën për të përcaktuar dështimin e planir rus (është vërtetë gjë kaq e parëndësishme?), por është duke hedhur parakushtin e një dështimi politik tejet të ahpër të vetë Putinit, me dobësimin e fuqishëm pasues të drejtimit të tij, e në pritmëri  vetë rënien e tij. 

Ka qënë qëndresa e armatosur e popullit ukrainas, së bashku me vetë qënien e saj arsyeja që i ka treguar botës si dështimin e shërbimeve të fshehta, mbi njoftimet e të cilëve Kremlini vendosi rreth katër muaj më parë mësymjen, duke besuar se bëhej fjalë për një shëtitje, ashtu si mungesat materiale (deri edhe ato të racioneve ushqimorë), pështjellimi organizativ e strategjik, rendimenti i pakët veprues dhe mungesa e frymës luftarake të organizmit ushtarak rus.

E dijmë të gjithë që qëndresa ukrainase nuk mund të fitojë, nuk mund të fitojë ushtarakisht. Por politikisht ajo ka stërfituar. Që sot ajo e ka vënë Putinin me shpatulla për muri, në kushte pra të mos ketë alternativë: ose të bisedojë me atë që donte t’a shkatërronte (por nëse don të përmbyllë traktativat duhet të heqë dorë nga projekti fillestar ose të lëshojë pe mbi këtë apo atë pikë), ose të shkojë përpara me luftën. E të fitojë po, më së fundi, por pikërisht në sajë të pranisë së qëndresës, do të jetë i detyruar t’a kthejë Ukrainën në një det rrënojash të banuar nga një popull që e urren. Por në një Vënd të kthyer në një det rrënojash e të vdekurish a do t’arrijë të gjejë një Kuisling që do të pranonte e të ishte në gjëndje të qeveriste n’emër të tij? E sa ushtarë do t’i duheshin, mbas një t’ashtuquajtur fitoreje për të zotëruar një territor sa dy herë Franca? Sa ushtarë duhet të llogarisë të humbasë çdo natë, viktima të mundëshme  të një prite mbas çdo dere e çdo qosheje të rrugës? E atëherë pyesim: e gjithë kjo – kjo katastrofë e vërtetë politike – a nuk  është frut i faktit që ka qënë një qëndresë e armatosur? I faktit që ukrainasit kanë rrokur armët, kanë kërkuar armë për të luftuar, e që Perëndimi u a ka dhënë? Krejt tjetër kushteve të suksesit “haptas i pamundur” me të cilën kanë mbushur gojën shumë në këto ditë.

Që nga fillimi, në fakt nga shumë anë këtu n’Itali (veçanërisht këtu n’Itali më duket), ngrihen zëra mbi kotësinë e madje pamoralshmëninë e qëndresës, mbi pavendshmërinë absolute të furnizimit me armë, mbi “absurditetin” e luftës, të çfarëdo lufte si e tillë që prodhon vetëm vdekje e shkatërrime. Zëra që synojnë të na bindin se përballë mundësisë së një lufte çdo konsideratë tjetër duhet të kalojë në një plan të dytë përballë nevojës së paqës: këtu, menjëherë, me çdo kusht, e pra të bëjmë traktativa, traktativa, traktativa, gjithmonë, me këdo e në çfarëdo mënyre.

Mbas gjithë kësaj është shumë më tepër se sa një marrje të thjeshtë qëndrimi politik. Ndihet një shndërrim i thellë i panoramës kulturore të Vëndit tonë, veçanërisht të klasave të saj të larta. Ndihet harresa tashmë tejet e përhapur e së shkuarës, fshirja e historisë si element strukturor i përvojës dhe i mendësisë. Ndihet harresa e karakterit tragjikisht dramatik që mund të ketë historia. Harresa e ashpërsisë përcaktuese, të padiskutueshme të vlerave politike të përbashkëta (pavarësia kombëtare, vetëvendosja, sovraniteti) nga të cilat shpesh popujt e qeveritë thirren. Në Italinë bashkëkohore, anasjelltas, është e përhapur një mendësi që, në alternativë të historisë, shkon gjithënjë e më shumë duke u frymëzuar jo nga vlerat politike të mësipërme, por nga të drejtat vetiake, të para si thelbi i një etike të hamendësuar paqësuese universale. Një mendësi në të cilën, siç kuptohet, nuk ka vënd për luftën e për gjithshka që ësht në të e arsyeshme dhe e paarsyeshme e morale. Në të cilën përmasat e luftës, të mekanizmave e të ndjenjave fatale që e përcaktojnë, të përmasës së guximit të njerëzve e të dëshirave të popujve, elementi i heroizmit e i poshtërsisë, të gjitha duken si thelbe qëndrimesh të kaherëshme për t’u yshtur. Në këtë mënyrë gjithshka përfundon për t’u vënë në të njëjtin rrafsh: njëzetvjeçarët ukrainas që përgatiten të luftojnë tankset ruse të Putinit që i ka dëguar në Kiev, ata që lëshojnë raketat e ata që i bien mbi kokë. Kështu, nën gjëmimin e armëve që përballen në fushat e Lindjes, harresa e historisë është kthyer në një harresë të mirëfilltë e të thjeshtë të realitetit. Dhe në të njëjtën mënyrë, pa vetë ankorimin në realitet, etika është kthyer fatalisht në moralizëm: hipokrit si të gjithë moralizmat. Një pavërtetësi moraliste ku mbretëron arsyetësia e akullt e mospranimit të forcës, kundërshtia për të ndihmuar të dobëtin dhe të sulmuarin, sepse kështu u dhunuaka detyrimi sipëror i “paqes” e i “traktativës”. Më së fundi, – në mënyrë paradoksale por jo shumë – kultura  që mëton të flasë në emër të viktimave, të qëndërsisë së tyre absolute, kthehet në fakt në aleate të tiranisë që prodhon vetë viktimat.

Nuk kam ndërmënd të turbulloj sigurinë e bekuar të kritikëve të “mistikës së qëndresës”, kaq të shqetësuar për të shmangur pasojat e kobëshme që ajo sjell. Ndoshta do të bënin mirë të kujtonin se liria e tyre e sotme pët të menduar e për të shkruajtur atë që dëshirojnë, nuk ka rrjedhur nga asnjë “traktativë”, nga asnjë përkujdesje përtë vdekur e të plagosur. Liria e tyre është paguar edhe me gjakun e mijra fëmijëve gjermanë të masakruar nga bombarduesit aleatë, është paguar edhe me dhimbjet e mijra grave gjermane të përdhunuara nga ushtarët e Ushtrisë së Kuqe. Sepse historia është e bërë edhe prej këtyre gjërave të tmerrshme: jo nga lloqet e atij që flet për të gjetur kënaqësi nga ndjenjat e tij të mira.

“Corriere della Sera”  Përktheu Eugjen Merlika       

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2197
  • 2198
  • 2199
  • 2200
  • 2201
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT